• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDRYSHE

January 5, 2014 by dgreca

Kujtesë-/

Nga DRITA LUSHI/

Fillimet  përgjithësisht janë të bukura.Jo vetëm fillimvitet, por edhe  martesat në fillimet e tyre, fillimi I ndërtimit të një shtëpie, fillimet e ditëve,fillimet e dashurive…

Fillimviteve jepen urime,buzëqeshje,dhurata, e ndihesh kraharor gufuar sikur mushkëritë të janë dyfishuar e thithin më shumë oksigjen, a thua se dhe aty grumbullohet lumturi.Përgjithsisht kështu ndihet njeriu nga fjalët e mira.

Si fillimvit, mund ti nisja ditët e para, pikërisht me  poezi të gëzueshme ku të tringëllinte dashuria, me vargje sysh e ndriçime hënore veshur në rroba shkëlqyese  e të kuqe si për ndërrim viti, me piktura fjalësh  të lyera në të artë dielli, në trokitje ritmike gotash, në rimime udhëtimesh, tryezash, e mbingopjesh nga tepria që (jo vetëm) Zoti u fal disave…

Por…

Por thjesht s’mundem.

Sepse në qetësinë time, në skutat ku vetëm unë mund të hyj dhe të shoh,të meditoj, të këndoj a të flas, s’mund të mos më kujtohen ata…

Ata që këtë funvit  s’patën një shtëpi, ata që jetojnë në trotuare jo vetëm afër Parlamentit Shqiptar, por në çdo qytet Shipërie.

Ata që në ndërrimvit  s’mundën të ulen dot në një tryezë se s’kanë ç’të shtrojnë në të.

Ata të dehurit e mospasjes  e skamjes.

Ata që qenë të vetmuar këtë fundvit.

Ata që u ndienë të vetmuar.

Ata që në ndërrim vite u përpëlitën nga dhimbjet e sëmundjes në spitale.

E di,që shumëkush mund të thotë: “Veç fjalë.E sa punë bëjnë fjalët?”

E di që s’bëjnë punë, ose bëjnë pak, fare pak.

E pra, ta nisim me pak. Me pak kujtesë që secili të shohë  përtej hapit dhe këndvështrimit të tij.E ndoshta, pak nga unë dhe ti, pak nga ai dhe ajo,pak sot dhe pak nesër mund të jete diçka për (a)ta

Pak vëmendje s’ka kosto.

E nëse mendoni se edhe për ju s’ka kush mendon, se keni dhe ju halle e derte, mbani parasysh një shprehje që e përdorim shpesh në përditshmëri:

“ E keqja s’ka fund”.

Gjithmonë, dikush tjetër mund të jetë më keq se ne.

Pak vëmendje ndaj tyre, e do të ndihemi e do të ndihen më mirë!

Janë ditët e para.Le ta nisim startin nga ata, që vërtet kanë nevojë.

E mira pret.

Gëzuar!

@ Drita LUSHI

Janar 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Drita Lushi, Ndryshe

NË HESHTJE

November 27, 2013 by dgreca

Urim për festën e At-Dheut tim!

Nga DRITA LUSHI/

Sa zhurmë!/

Sa zhurmë!/

Të bërtasësh më shumë, s’do të thotë se do më shumë./

Të bërtasësh më shumë, s’do të thotë se di më shumë./

Mund të duash në mënyren tënde, me heshtjen e qetësinë tënde,shtëpinë, familjen, Atdheun.

Nuk ështe e nevojshme të bërtasësh për të treguar që je.

Mund të shfaqesh bukur, edhe pa fjalë të mëdha. Ndonjëherë zërat të pengojnë të bësh atë që ndien, duke të marrë në jehonën e tyre e duke te çuar larg, atje ku s’të ndjen e sheh njeri.

E dua Atdheun sipas mënyres time.Nuk pranoj  këshilla se si  të dua Vendin që se kam braktisur për më shumë se dyzet vjet.

E dua Atdheun jo vetem në festa, e nuk marr trumbeta të bërtas fort e t’i them :”Eejjj të dua!”, ose tu tregoj të tjerëve “Ejjj e dua At-Dhe-un”.

E dua pra në heshtje, por së pari dua shtepinë time, punën time, vendlindjen time…

Ndërsa Atdheun e konsideroj një trup, që s’e dua për formën e tij, nuk i dua sytë dhe fytyrën, këmbët apo flokët.

I dua çdo qelizë që më jep frymë e më mban hapat e mij tash’ e mot-mote që ecin mbi të, të vendosur.

Flamurin para se ta var në shtëpi, ballkon apo ambjent pune  e mbështjell në zemër.

Para se të mbështjell trupin në foto reklamusese, mbështjell me të shpirtin dhe dashurinë.

Sa zhurmë!

Sa Zhurmë!

Dashuria për At-Dhé  ka nevojë për… dashurinë tonë.

Le t’ia falim çdo ditë nga pak, jo vetëm sot.

Jo vetëm…!

Gëzuar Dheu im!

@ Drita LUSHI

27 Nëntor 2013

Filed Under: Featured Tagged With: Drita Lushi, ne heshtje

Gonxhet e porsaçelura në prill

November 11, 2013 by dgreca

Opinione mbi librin me tregime të Drita LUSHIT  “DASHURIA  ÇEL  NË PRILL”/

NGA TIMO  MERKURI/

Në prill çelin gonxhet e luleve në zonat malore. Dalngadalë mbulesa mbrojtëse e gjelbër  hapet si një kanat porte  dhe pas tyre zgjaten petalet e ndrojtura. Fillimisht sa çfaqen pakëz, si një sy vajze e ndrojtur, që do të shohë se çfarë ka kjo botë  pas porte, për të shpërthyer më pas e për ta zotëruar të tërrën  me bukurinë e saj. Është magjepës moment i çeljes së gonxheve në prill.

Ende pa e parë lulimin të deh aroma pranverore. Dhe të lind dëshira që të qëndrosh në vend, edhe nga ndroja se mos i shkel padashje këto gonxhe të porsaçelura, që ende skanë marrë formën e plotë të një luleje. Dhe pastaj, kur shesh gonxhet e porsaçelura, si sy vajzash gjysëm të mbyllur, të ndritur e të përnjomur, që nxitojnë për në takimin e parë, të ndizet edhe ty brenda shpirtit një ngrohtësi dhe të krijohet ndjesa se jeta është e bukur.  Është vërtet e bukur jeta, pavarësisht se mbi petalet e saj shpesh herë bie pluhuri i modernitetit, me grimca krimi e varfërie. Ky pluhur mund të mbulojë përkohësisht bukurinë e petaleve, por nuk e ndalon dot aromën dehëse të luleve të na mbushë kraharorin. Ky pluhur mund të mbulojë përkohësisht petalet, por nuk mund të bëhet pjesë e tyre. Ai rrëzohet edhe nga flladi më i  lehtë. Dhe atëherë aroma e luleve vjen te ne edhe në formën e një duhme dehëse. Ne nxitojmë të  gjejmë këto lule, ti mbledhim e të bëjmë tufa me to, për ti dhuruar në shënjë dashurie për njeriun dhe për jetën. Apo së paku, duke u këputur petalet, të hipotezojmë …më do apo s’më do…njeriu që ne e duam. Sepse  lulja nënkupton dashuri.

Dhe ne kemi nevojë për lule, sepse kemi nevojë për dashuri. Paçka  se shumë herë kjo dashuri na mbush me lotë. Me lotë shpirti,  që qëndrojnë   si vesa mbi petale. Por lulja e porsaçelur, në vetvete i ngjan një buzëqeshjeje. Qoftë e mbuluar nga vesa e prillit. Madje duket më e bukur kur mbi  petalet e saj rrezëllijnë margaritarët e lotëve.

Këto mendon ndërsa çfleton librin “Dashuria çel në prill” të Drita Lushit, ku në shtrat novelash kanë mbirë e po çelin petalet e tregimeve të saj. Petale që, ndonëse nuk të japin konturet e plota të luleve që u përkasin (e pra, janë gonxhe në  çelje e sipër), të ftojnë të rish pranë tyre, të ndjesh jetën që gëlon në këtë çelje, të dehesh nga aroma e tyre dhe, shpesh përmes lotëve të pohosh….Jeta është e bukur.

Sepse unë me plot dëshirë do sodisja “Valsin me të bardha” të Etlevës dhe do ta quaja me plot të drejtë Valsi i dashurisë. I  dashurisë për jetën e re që nis, për dashurinë prindërore që e shndroi dhimbjen në lumturi…Dhe ajo ngrohtësi që buron nga reshtat e tregimit, ju siguroj unë që është ngrohtësia e gjithë dashurive.

Është ajo ngrohtësi  njerëzore që gëlon edhe  te “Shtatë ditët”, tregim që vetiu të kujton se…edhe zoti e krijoi botën në shtatë ditë. Sepse e krijoi me …dashuri…Nuk e kisha dashur botën më shumë se sot…pohon sinqerisht autorja.  Është një dashuri që nuk mund të thuhet nëpër telefona , një dashuri që edhe vendimin më të vështirë e bën të natyrshëm si çelja e një gonxheje.Një dashuri që I bën të bukur dhe të natyrshëm edhe lotët e burrit dhe natyrshëm thua …Gjergj…unë do të vij, duke e vendosur theksin te pjesëza “të”, për të kuptuar se të vij ty, vij vetëm për ty. Pavarësisht se bie shi apo jo.

Te këto tregime të porsaçelura si gonxhe lulesh ka shumë freski. Tallazet dhe vrundujt e ndjenjave të shpirtit, dalin përmes rreshtave dhe vijnë drejt teje. Herë të rrëshqasin si lotë ndënë qepalla, herë të ulen si buzeqeshje  në buzë . Vrapon nëpër shi bashkë me personazhin, qesh apo trishtohesh bashkë me të. Por ajo që vlen të thuhet është fakti se jeton bashkë me  personazhin botën e bukur shpirtërore të Drita Lushit.  Këtë botë që ka kaqë shumë lule dhe dritë. Ku dhe dëbora është thjeshtë një …lule e bardhë. Këtë botë ku mëson të …puthesh  me vështrime, këtë botë ku gjithmon të pëlqen edhe shiu.

Në shtrat novelash kanë nisur të çelin ca gonxhe  që lajmërojnë një pranverë të afërt dhe me lule shumë. Të bukur, me diell e me shi, si lotë gëzimi. Dhe kur të çelin këto gonxhe plotësisht, së afërmi, do shohim se prilli, sa ka lule, ka dashuri. Do ndjejmë se është bukur të jetosh jetën, me gjithë vështirësitë dhe privimet e saj. Do ndjejmë se aroma e luleve të çelura është më e bukur se era e …makinave luksoze. Do ndjejmë jetën, të gjallë e të gëzueshme. Ashtu siç di ta përshkruajë Drita Lushi.

Filed Under: Kulture Tagged With: Dashuria cel ne Prill, Drita Lushi, Timo merkuri

NE SOFREN E DIELLIT- E FTUAR DRITA LUSHI

November 5, 2013 by dgreca

DRITA LUSHI/

(L)OJNA VJESHTE/

   Cikël poetik./

KINSE/

Ti luan shpesh me gërshetat e mi./

Ndonjëherë, ndalesh, qesh,/

e ballin rrudh,si lashtësi:/

“Tani je grua, dhe  jo vajzë,/

Ç’të duhen gërshetat vallë?”/

Ti, (s)e di që mua m’pëlqen kjo lojë,/

e kinse i thur veç për ty./

Përtej  gërshetave,/

një grua frymon me zemër./

Një grua-(pakëz)fëmi/

“Kinse” për 1 tetor 2013, në 18 vjetorin e martesës

KAQ

Tri fjalë…

Dy sy…

Një përqafim…

Kaq…

Kaq pak përshpëritje,

i duhet një dite

të ndizet,

qysh në lindje.

Tetor 2013

 AgMbrëmje

N’ag,

Ti,

Diellin lind,

Në syrin tim.

N’mbrëmje,

Unë

hënë të bëhem,

n’ëndërr.

Tetor 2013

   (K)od’ dashurie

Druhesh, mos m’lëndon

me dashuri,

e si petale,

e hedh nga pak,

mbi mua,

mbi  fjalë,

mbi sy.

(S)Ndalem…

Mbledh,

Petal,

Petal,

Petal…

…Nje odë ndërtoj n’zemër

për Ty.

Tetor 2013

Pik-Shi

Pik.

Pik.

Pik.

Bëhet shi…

Shi…

Shtator…

Shi…

Dashuri…

Pik

Pik

Pik

Bëhet shi….

Bëhet,

Unë…

Bëhet

Ti…

Unë

ti

dhe…

retiçencë…

Ti

Unë

dhe…

asnjë…

Pik.

Pik.

Pik.

Shi- dashuri.

Shtator 2013

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: (L)ojna Vjeshte, Drita Lushi

SHI…

October 4, 2013 by dgreca

Tregim nga Drita LUSHI/

Gjithmonë më ka pëlqyer shiu.

Nuk e di si më kish lindur kjo dashuri për të.

Ndoshta pse kisha lindur në pranverë, atëherë kur shirat kanë kohën e tyre.

Apo mbase atë ditë që kisha lindur unë, vesonte një shi i imët maji, a mbase ime më, më kish ngjizur në vjeshtën me shira.

Sot, tek ecja në shi, e mbylla çadrën. Doja vërtetë ta ndjeja në lëkurë shiun e ngrohtë të pranverës, një shi si vesë me diell.Po më pëlqente aq shumë kjo lojë mes pikëzave të shiut e mendimeve të mia të gëzuara.

-“Sa filozofike qenkam sot”, më vinte gati të qeshja me veten, ndërsa piklat e shiut po më ngjisnin pas trupi rrobat pranverore, fare të lehta, por që tani i ndjeja në trup.

“S’ka gjë”- mendoja “sa të arrij në shtëpi dhe ndërrohem”

Një afsh i ngrohtë po përshkonte gjithë qenien time tek kisha ngadalësuar hapat, sepse doja që të merrja mbi vete sa më shumë pikla shiu…

Do të kisha dashur ta kisha ende më larg shtëpinë, të rrija sa më gjatë me shiun tim…

Kur hyra në shtëpi, teksa po ndërroja rrobat e lagura, qeshja me vete. Kisha mbetur ashtu, si dikur, me mendje dhe shpirt fëmije, ëndërrimtare, e përkëdhelur, herë e qeshur e herë inatçore.

Po hapja sirtarët të merrja teshat për t’u ndërruar e në fund gjeta një letër.

Qesha me vete. E mora dhe pa u veshur ende, fillova ta lexoja përsëri…

E dija gati përmendësh përmbajtjen e saj, por përsëri e lexoja se mos ndoshta pas ndonjë shkronje fshihej diçka që unë s’kisha arritur ta kuptoja si duhet.

***

Ai më thoshte përherë: “Pse të pëlqen kaq shumë shiu? Shiu është për të trishtuarit, për melankolikët, e ti s’je e tillë”.

Unë qeshja fort e me gjithë shpirt kur ma thoshte këtë, e përqafoja dhe i thosha: “Shto dhe romantikët. E unë jam një romantike i dashur, ndryshe s’do të të doja ty”.

Ai më shikonte me vështrim dyshues e të qeshur e unë vazhdoja:

“Nuk e dua më shumë se ty, jo. Tani një çikë fare më shumë se ty e dua, po një çikë fare ama” – dhe qeshja aq fort, sa njerëzit kthenin kokën e më shihnin të habitur si rrija në shi pa ma bërë syri tërr.

Denisin e kisha takuar në bibliotekë, ku shkoja të studioja me shoqe, a të merrja ndonjë libër që s’mund ta gjenim nëpër librari.

Unë, si tip që të qeshurën e kisha gati, nuk mund të mbaja qetësi as në bibliotekë, duke tërhequr vështrimet qortuese të atyre që studionin aty.

Si e zënë në faj, skuqesha një moment, por sa ata kthenin kokat, qeshja përsëri, por me një ton pak më të ulët.

Ata zakonisht nuk i kthenin më kokat. Por një ditë, njëri u kthye drejt meje dhe qeshi edhe ai pa zë e me një veshtrim të butë, që dukej sikur më thoshte: “Mos e vrit mendjen, qesh kur të qeshet, rregullat ne i kemi vënë, ne i thyejmë”. Të paktën kështu e përktheva unë, se kështu më interesonte.

Në fakt e sot e kësaj dite nuk e kam pyetur për atë buzëqeshje, për domethënien e saj.

Denisi ishte një burrë i pashëm, diçka më shumë se një djalosh, i gjatë mbase rreth një metër e tetëdhjetë centimetra, me trup prej sportisti. Këto nuk mund të më shpëtonin pa i vënë re, megjithë shpërfilljen time, që ishte natyrë e imja e dytë.

Vajtjet tjera në bibliotekë qenë veç një pretekst për të parë atë, që çdo mbrëmje e gjeja aty, e që çdo herë më thoshte i pari “mirëmbrëma”

Shoqet, që e kishin kuptuar vajtjen time të qëllimshme atje, filluan të mos më shoqëronin më, duke më dhënë mua dhe atij mundësinë që të flisnim lirshëm.

Kur vajta një mbrëmje në bibliotekë, shiu sa kish nisur.

Si përherë, atë e gjeta aje, duke lexuar, dhe, ashtu i zhytur në lexim, diçka shkruante. U kollita lehtë, teksa kaloja bri tij dhe ai ktheu kokën e më buzëqeshi ngrohtë. Më ftoi të ulesha në karrigen bosh pranë tij. Në fillim ngurrova, pastaj u ula si qengj i urtë.

Unë që qeshja e s’lija njeri pa ngacmuar, isha bërë papritur serioze dhe mbaja hapur librin që kisha marrë në bibliotekë, pa e pasur mendjen fare aty.

Ai më ftoi të dilnim jashtë dhe unë, si ndonjë sonambul, e ndoqa pa ditur as vetë çfarë po ndodhte, që po bindesha kaq lehtë.

Shiu kish filluar të shtohej. Të dy ishim pa çadër e megjithatë ecnim në shi pa e ndjerë…

Ky qe “udhëtimi” im i parë me Denisin, që do më bëhej shumë shpejt njeriu më i dashur.

Mora vesh se ai shkruante, dhe kur dilte nga puna, (në një institucion) një pjesë të mirë të kohës e kalonte në bibliotekë.

Atëherë nuk kishte botuar ende ndonjë libër, po më thoshte se ëndërronte të botonte shpejt.

As vetë nuk e kuptoja si kishte ndodhur, po unë kisha rënë në dashuri me të. Dhe nuk kaloi shumë kohë që të jetonim ditët tona të lumtura, mbushur dashuri e gëzim.

Unë atëherë isha studente. Sapo kisha mbushur njëzet vjeç. Kurse ai nuk duhej të ishte  fare i ri, dukej burrë i pjekur, i pamartuar, dhe goxha i bukur. Më llastonte, më përkëdhelte e unë veç qeshja. E qeshura ime atë kohë më ish bërë më e bukur. Të paktën kështu më thoshin shoqet, jo pa smirë, e me një vështrim shpotitës, qeshnin.

Isha vajza më e lumtur në botë. Nuk dija kur lindte dielli e kur perëndonte. Nuk kuptoja si iknin ditët e si vinin netët. Ditën ishim bashkë e natën përsëri bashkë në ëndrra.

Në atë kohë ende nuk kisha mundur të bisedoja me prindërit, që jetonin në një qytet tjetër, e kjo më kushtoi…

Një natë, në fillim të korrikut, im atë hyri në shtëpi me rrëmbim e na tha : “Bëhuni gati”! Ne fëmijët pamë njëri- tjetrin në sy e s’po kuptonim asgjë. Pasi ai pa hutimin tonë, sidomos timin, se vëllezërit i kisha më të vegjël, shtoi: “Do nisemi për në Tiranë. Atje po dyndet Shqipëria e kjo është mundësia më e mirë për të shpëtuar nga kjo jetë qeni”.

Kishim dëgjuar atë ditë që ishin hapur ambasadat e njerëzit qenë futur në to me shpresë të iknin në Perëndim. Por nuk më kishte shkuar as në mend’ se kjo mund të na ndodhte edhe ne. Mamaja kish qëndruar ne mes tonë e herë shihte tim atë, herë ne. Qe diçka aq e papritur për të gjithë. Po babai nxitonte: “Shpejt! Shpejt!” – thoshte, kemi makinën që na pret poshtë. U thashë: “Jo, unë nuk vij, kam shkollën, s’mund t’i lë studimet, ikni ju, unë do të qëndroj këtu”. Mendja më kishte shkuar fluturimthi tek Denisi, që nuk e dija ç’do të bënte dhe kisha frikë se njëri mund të ikte e tjetri të rrinte këtu. Nuk ishim parë prej ditësh, sepse unë isha kthyer në qytetin tim për të studiuar gjatë sezonit të provimeve. Por nga ana tjetër mendoja: Po sikur edhe Denisi, që jetonte dhjetë metër nga ambasada italiane, të jetë futur aty?

Im atë më shikoi vëngër, por brenda atij shikimi pashë edhe një lutje të heshtur. S’mund të ndahesha nga familja, këtë e dija edhe unë, por dhe kundërshtimi më doli vetiu e ata, nuk mund ta dinin përse kundërshtoja.

Po u bë ashtu si tha babai dhe familjarisht, vetëm pak orë më vonë, u futëm në Ambasadën italiane e pas një jave ishim në brigjet e Italisë.

Atje vazhdova e mbarova studimet.

Ndodhi pra, që jetët e rrugët tona morën papritur kahe të kundërta, pa dëshirën tonë.

Pas shumë vitesh që isha kthyer dhe punoja në qytetin tim, dëgjova për një roman të ri që po bënte bujë.

Gati sa nuk thirra, kur një shoqe me tha cili ishte autori. . .

U gëzova dhe u emocionova pa masë.

Disa ditë më vonë, më vjen në adresë të punës një pako. E hap me padurim dhe shoh librat e tij, librat e Denisit, të shkruara gjatë viteve. Mes tyre dhe një letër. Një letër e ngrohtë, me fjalë që veç ai dinte t’i zgjidhte e t’i thoshte. Një letër që s’përmendte asgjë të kaluar. Një letër e një miku të dashur. Të dy tashmë kishim familjet tona.

Hodha vështrimin nga dritarja. Shiu tashmë kishte pushuar.

E vura letrën në sirtar dhe vazhdova të vishesha.

Si të mos e dua shiun?!

Filed Under: Featured Tagged With: Drita Lushi, Shi, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT