• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË VATRAN PËR PARLAMENTIN E MAQEDONISË

December 2, 2016 by dgreca

Intervistë e Editorit të Gazetës”DIELLI” në SHBA , Dalip Greca, me kandidatin për deputet, vatranin dhe biznesmenin e sukseshëm, prej 13 vitesh në Dibër, z. Ibrahim Kolari./

1-ibrahim_kolari-300x199

* Përse votuesit duhet ta votojnë Ibrahim Kolarin?/

I.Kolari: Sepse Ibrahim Kolari, ka një rezyme të pastër si Loti, është i pakorruptuar, u sjell shpresën, e një njeriu që vjen nga SHBA dhe njeh rregullat e demokracisë së pastër, -demokracisë amerikane. Unë, si veprimtar i dalluar në USA, Kosove, Shqiperi, dhe gjithe trojet shqiptare, sjell një frymë të re. Po ashtu unë kam më shumë se tre dekada në Vatër, në Bordin e saj, si dhe kontribues në Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane, ç’ka më bën më të sigurtë në përcjelljen e frymës Kombëtare. Për mua Vatra ka qenë një Universitet më vete….Kam 13 vjet që kam cuar investimet e mia në Diber…/

NGA DALIP GRECA/

Mesazhi: I nderuar z. Kolari, në emër të Kryesisë së Federatës VATRA në SHBA dhe Gazetës së Saj “Dielli” uroj që të dilni fitues në zgjedhjet e afërta Parlamentare për në Kuvendin e Maqedonisë. Vatranët dhe lexuesit e Diellit po e ndjekin me emocion e vëmëndje garën tuaj. Tash që fushatës po i afrohet fundi, do të donim për të informuar më mirë vatranët dhe lexuesit e Diellit në SHBA,Kanada, Australi,  Europë, vendlindje, të sillnim më shumë informacion përmes bashkëbisedimit në online.

Ibrahim Kolari: Eshtë kënaqësi të bashkëbisedoj me gazetën më të vjetër të botës shqiptare,zërin e vatranëve, që vijon të botohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej 107 vitesh.

Pyetje: Si po ndjeheni tash që dita e zgjedhjeve është në prag? Sa optimist jeni për fitoren?

I.Kolari: Natyrisht ndjehem shumë mirë. Kam përcjellë mesazhe të qarta për elektoratin duke e garantuar se gjithçka kam premtuar do ta realizoj gjatë mandatit tim. Jam i gatshëm t’i shërbej popullit tim. Jam optimist për fitore. Fitorja do të jetë në anën tonë sepse ne sjellim shpresë për ndryshim.

 Pyetje: – Si e kanë pritë bashkatdhetarët kandidaturën e një vatrani, e një biznesmeni, që po kontribuon aq shumë në vendlindjen e vet prej 13 vitesh?

I.Kolari: Bashkatdhetarët dhe Vatranet, prej momentit kur u shpall kandidatura ime, reaguan pozitivisht. Unë mora urime të shumta për të fituar mandatin e deputetit, më ofruan mbështetje të pakufishme. Unë nuk do t’i zhgënjej, do të luftoj deri në momentin e fundit, kur të mbyllet fushata, me 11 Dhjetor 2016.

Pyetje: – Ju e provuat si kandidat i pavarur në zgjedhjet lokale për mandatin e kryetarit të Dibrës, por nuk ia dolët, edhe pse fituat shumë vota. Si e justifikoni rikthimin, jo si kandidat i pavarur por me mbështetje politike?

I.Kolari: Po ju them një fakt: Ne vitin 2015, kur lideri i Opozites Maqedonase z. Zoran Zaev, shpalli të dhënat nga përgjimet-bomba, që tronditën Maqedoninë; doli dhe fakti se votat e mia, si kandidat i pavarur, ishin manpuluar, ishin vjedhur, madje edhe blerë me $20.00 për çdo votues(për dibranët e varfër janë shumë edhe 20 dollarë). Unë nga ana ime e kisha konstatuar manipulimin, vjedhjen, dhe e denonçova me forçë, kritikova ashpër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Shkup, mirëpo ishte e kote mbasi VMRO & BDI ishin ne koaliçion te ngushte, të lidhura fort si vëllezërit siamezë dhe mbrojtën me forçë manipulimin. Ata ishin regjizoret dhe ekzekutuesit e maniopulimit. Unë isha pa mbështetje për të mbrojtë votat që dibranët mi patën dhënë.

Pyetje:-Si do t’i përgjigjeshit pyetjes: Përse votuesit duhet ta votojnë Ibrahim Kolarin?

I.Kolari: Sepse Ibrahim Kolari, ka një rezyme të pastër si Loti, është i pakorruptuar, u sjell shpresën, e një njeriu që vjen nga SHBA dhe njeh rregullat e demokraçisë së pastër, -demokraçisë amerikane. Unë, si veprimtar i dalluar në USA, Kosove, Shqiperi, dhe gjithe trojet shqiptare, sjell një frymë të re. Po ashtu unë kam më shumë se tre dekada në Vatër, në Bordin e saj, c’ka më bën më të sigurtë në përçjelljen e frymës Kombëtare. Për mua Vatra ka qenë një Universitet më vete.

Jam nga të paktët shqiptaro-amerikan që fitimet në shtetin amerikan i kam sjellë në vendlindje, ku po jap kontribut me investimet e mia, duke punësuar popullin tim dhe duke zbutur varfërinë e papunësinë. Shumë herë qytetarët e Dibres më drejtohet per shume halle, per çdo dite duke mu ankuar se u mungon sigurimi shendetsor, duke mu ankuar për mungesën e vendeve të punës, për jetën e vështirë, ku mungon shpresa për  një të nesërme të pasigurtë. Unë konstatoj se qytetartë janë të pasigurtë për të nesërmen, pa perspektivë, të friksuar deri në palçë nga partitë politike, nga pushteti.Të gjithë këtu, si të moshuarit ashtu edhe të rinjët ndjehen të pakënaqur nga pushteti. Unë shpresoj shumë se do të jem fitues në këto zgjedhje sepse kam çfarë u jap qytetarëve, kam garanci karakterin tim, përvojën që sjell, aftësitë, investimet e mia në vendlindje.

Me Experiencen time, dhe me mbeshtetjet e popullit dibran si në Diber ashtu edhe ne diaspore do të jemi fitues ne keto zgjedhje.

Pyetje- Sa ju ndihmon fryma Kombëtare e Vatrës dhe kontributi juaj prej më shumë se 30 Vjetë në Vatër?

I.Kolari: Natyrisht që fryma vatrane që unë sjell këtu në Dibër është një arsye më shumë përse qytetarët dibranë duhet të votojnë për mua. Vatra ka të shenjtë çështjen Kombëtare dhe me këtë frymë jam edukuar unë. Vatra ka ndikimin e vet,jo vetëm në diasporë por edhe në të gjitha trevat etnike të banuara nga shqiptarët, pra edhe këtu në Maqedoni, edhe në Dibër. Në Mandatin tim në Parlamentin e Maqedonisë, do të keë edhe mbështetjen e Vatrës, edhe frymën e Vatrës. Unë do të jem një zë I dobishëm për popullin tim, unë besoj në Demokraci dhe sjell përvojën e demokracisë amerikane, ku kam qenë I përfshirë aktivisht, me lidhje në politikën amerikane. Si pjesë e Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane dhe Vatrën, lidhjet e mia me politikën amerikane, veçanërisht me Republikanët e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, do të jenë të dobishme për elektoratin tim.

Zeri im do të jete shume i fuqishem ne Parlamentin e MK, mbasi besoj ne Demokraci, dhe në shtetin ligjor. Pa zbatim korrekt të ligjeve nuk funksionon shteti,nuk ka ekonomi të zhvilluar, kjo është fryma që sjell unë.

Pyetje – Ju keni drejtuar Shoqatën Atdhetare “Dibra” në SHBA”, përbën ky fakt një plus në konkurimin Tuaj?

I.Kolari: Shiko, unë jam dibran, jamë pjesë e popullit tim.Kjo ka qenë arsyeja që po u kërkoj votën qytetarëve të mi, por edhe mandatin që më patën dhënë dibranët e Amerikës për ta drejtuar shoqatën, përbën një besueshmëri Plus.

Sherbeva në Shoqatën Demokratike Dibrane në SHBA për dy mandate  të suksesshme. Unë do të jemë përherë në anën e dibranëve dhe askush nuk do t’më infektojë nga mikrobi i korrupsionit. Unë do të jem një avokat i fuqishëm i qytetarëve që përfaqësoj. Në fund të mandatit unë jam i bindur se do të jem po aq faqebardhë sa ç’jam para hyrjes në Parlament.

Pyetje:- Po formacioni i dr.Seles, që keni zgjedhur, sa ju ndihmon në mision tuaj për të qenë pjesë e Parlamentit?

I.Kolari: Se pari, kur une pranova ftesen nga dr.Sela qe te behem pjese LRPDSH, e Pyeta z. Sela per Platformen politike, për motivin e marrjes së tij me politikë, pashë rezymenë e tij, dhe u binda se une tek formacioni i tij gjeja veten dhe e pranova bashkëpunimin. Sot ne jemi në ALEANCE per Shqiptaret, kemi bërë bërë kualicion me dy partitë të tjera, UNITETIN që ka në krye Gjeneralin, Gezim Ostrenin, dhe RDK, me kryetar , Vesel Mehmeti. Kemi gjëra të përbashkëta dhe luftojmë me një Platformë që do të rikthejë shpresën e humbur të qytetarëve. Jemi një formacion politik qe besojmë se do të kurorëzohemi me fitore, natyrisht nëse do të respektohet ligji i zgjedhjeve, nëse zgjedhjet do të jenë të qeta dhe demokratike.

Pyetje: Çfarë mendoni Ju se i mungon Dibrës dhe çfarë do t’i jepni Ju asaj.

I.Kolari: Z.Editor i Diellit; Dibra per çdo dite po zbrazet nga nataliteti, por edhe po shkatrohet nga infrastruktura, ish,Myftiu i Dibres, sot Kryetar I Dibrës, po e drejton Dibren si mos më keq, po e keqmenaxhon qytetin, nuk respekton ligjin. Të gjitha premtimet e tij elektorale i ka marrë era, asgjë nuk ka realizuar. Ai po e drejton Dibrën sikur ta ketë çiflik të tij, nuk ka një plan urbanistik, nuk ka ujë në periudhën e Verës kur vijnë emigrantët, shumë punime në qytet nisin dhe nuk përfundojnë jo për një muaj e dy, por me vite, mbeten nëpër këmbë. Kur bashkëbisedoj me qytetarët, më thonë se janë shpresëhumbur, vetëm vizat për të ikur mund t’i shpëtojnë nga jeta mizerabël që bëjnë, ku mungon gjithçka. Duke qenë se unë vij nga Diaspora, e di se çfarë u duhet ofruar qytetarëve dibranë. Jam i bindur se Misioni im do të jetë i dobishëm për dibranët.Unë kam premtuar në elektorat se pagën time të deputetit do ta përdor për studentët e elitës dibrane, që nuk kanë mundësi financiare për t’u shkolluar.

– Cili është mesazhi Juaj për dibranët në prag të zgjedhjeve?

I.Kolari: Mesazhi im është i thjeshtë: Dibranë, ma jepni votën sepse do të jem zëri dhe shërbëtori Juaj në Parlament. Kam që në vitin 2003, që solla nga SHBA në Dibër investimet e mia, dhe nuk jam larguar edhe pse nuk kam pasë mbështetje, ç’ka tregon vendosmërinë time për të qenë pranë Jush.

Unë u bëj thirrje bashkqytetarëve të mi dibranë që së bashku ta largojmë me votë të keqen që është instaluar në Maqedoni që nga viti 2001, duke u bërë gangrenë e Demokracisë.Ju risjell në vëmendje dibranëve dhe të gjithë shqiptarëve, video incizimin që shpërndau në FB Gazmend Kërkuti, duke iu drejtue dibraneve, m’jaft  i duartrokitët ata qe ju shkatërrojnë per çdo dite, ata qe vendin e kane shnëdrrue ne Anarki.. Dibranet jane ata qe lotojnë jo vetem në morte, kur vajtojne, por fatkeqsisht edhe dasmat po i lajne me Lot…Le t’i themi ndal këtij relaiteti fatkeq të gatuar nga pushtetarët aktualë.MJAFT!

Partia Aleanca per Shqiptaret , me jep mbështetje te jashtzakonshme… Besoj se ketij vendi do i kthehet dinjiteti. Qytetarë, Ju garnatoj, ne nuk jemi Ata, Jemi Ndryshe..!

Zoti e bekoftë popullin shqiptar, Zoti i bekofte Shtetet e Bashkuar të Amerikes, dhe falenderim i veçantë per shpëtimin e Kosovës..!

-Faleminderit për Intervistën

Nju Jork-Dibër, 2 Dhjetor 2016

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, e maqedonise, Ibrahim Kolari, NJË VATRAN PËR PARLAMENTIN

Për kë po vriten shqiptarët e Maqedonisë

July 25, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Sa herë që afrohen fushatat zgjedhore në partitë e shqiptarëve të Maqedonisë, marrim njoftime grindjesh, sherresh e vrasjesh.
1)Më 9 maj të 2015 Kumanova u gdhi nën të shtëna dhe shkëmbime zjarri. Televizionet jepnin një mot gjysëm të grinjtë. Por me helikopterë të policisë që patrullonin. Asfalti i rrugëve me gëzhoja fishekësh. Rrugët me mjete të blindura. Madje që evakuonin edhe civilë. Nga ana tjetër vinin të paqarta lajmet e viktimave. Se çfarë ishin ata qytetarë, shqiptarë të Shqipërisë. Shqiptarë të Kosovës. Shkurt shqiptarë nën emrin e një tjetër UÇK-je. Vinin aludime për trazira të porositura nga Serbia deri dhe Rusia. Ndërkohë luhej edhe me Shqipërinë etnike. Shqipërinë e madhe. Shqipërinë e munguar të shqiptarëve. Atë që është pengu dhe frymëzimi. Ndaj pati edhe vërshime dialogësh, shkëmbime me inat dhe sharje mes njëri-tjetrit. Mes shqiptarëve. Palë që brohorisnin bijë liridashës. Dhe palë që u dukej një aventurë. Palë që ishin një me pushtetin. Dhe palë që i quanin tradhëtarë, të shitur etj. Shkurt një zallamahi.
Megjithatë, në protetstat e opozitës. Protestave të Zaevit. Pas ngjarjeve të Kumanovës. Shqiptarët marshuan si kurrë më parë. Përkrah maqedonësave opozitare. Madje lidhën dhe flamujt e kombësive. Duke dëshmuar në fund të fundit qënësinë në një shtet multietnik, por shtet i tyre.
Megjithatë prapë të vrarët, apo ish ushtarët e UÇK-ës. Nën sfondin e një Kumanove gri, çative të shqyera, erës së blozës, fishekëve të zbrazur, mureve të rrëzuar… grindjeve dhe deklaratave të liderëve me shkëlqim stemash partie… shtypistave, ashtu dhe kështu. Pra të vrarët, varrosen me nderime shembullore.
2) Në kushtet e sotshme që janë shqiptarët e Maqedonisë, shto edhe ato që ne dimë nga memoria, pyetjes mbi viktimat i është përgjigjur një gojë plot mllef. Shkjau. Qoftë ky serb, maqedon, malazes. Dhe njerëzit gjithmonë ishin të dijshëm. Të kujt janë këto viktima? Të shkjaut. Të maqedonit. Të serbit. Kaq. Dhe ne që ishim mësuar t’ia ngjeshim shkjaut.
Dhe për dreq, përsosmërisht, ndër breza, është mbrujtur një farë urrejtje sa ia kalon një kohe reale, njerëzore. Një urrejtje prej çeliku dhe betoni. Urrejtja ndaj shkjaut.
Urrejtja ndaj diskriminimit. Urrejte ndaj besimit. I quajmë serbë shqiptarët ortodoksë. I quajmë malazesë, grek, maqedonë. Dhe me një dashuri çmenduri për radikalizmin islam. Aq sa dhe synetllikun e shpallin me fushata suksesi. I quajnë arritje kërkesën e plotësuar ndaj Turqisë për të sjellë ca kirurgë që të bëjmë synet djemtë. Të gjitha për inat të shkjaut. Madje nën këtë inat mund të vritemi edhe me njëri-tjetrin. Të vrasim fiqinjin, vëllain. Ta quajmë tradhtarë, spiunë. Shkurt shkja. Shkurt zallamahi. Potere, për turkoshqiptarët e rinj. Dhe zhurmë për shqiptarët e vjetër e të rinj.
3)Kështu edhe në muajin maj. Një armatë shqiptarësh u ndesh me policinë dhe aty u vranë disa syresh. U tha nga policia maqedone, megjithëse aty në polici ka, kishte edhe shqiptarë. U tha ish ushtarët e UÇK-ës nga Kosova. Dhe rezulton që pjesa më e madhe janë e datlindjeve nga 71, 85, 91. Zoti të na mëshirojë që po i kujtojmë kështu. Por UÇK-ja vet u kurorëzua në Lap, në mars të motit 1991. Dhe e mbaroi misionin me çlirimin e Kosovës 1999. Dhe sot quhet Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. I bie të ndodhi përsëri, që për inat të shkjaut, të vënë në punë propogandën kundër vetes. Kundër njëri-tjetrit. Sa akoma shqiptarët e Kosovës grinden se kush është në fakt UÇK-ja. Ajo e ekzilit apo jo e Lapit. Kështu edhe në Maqedoni. Kështu edhe në Shqipëri. ndaj rezulton se përdorimi i UÇK-ës, në Maqedoni, në Kumanovë, është pjesë e kësaj zallamahie shqiptare.
Dhe ne me atë trumbetimin tonë prej flluskash patriotizmi prodhojmë dëshmorë.
4) Mirëpo nëse të ndjerët e kësaj natyre na i justifikon policia e shkjaut, mund edhe t’i quajmë dëshmorë. Edhe pse termi rrjedh nga një kohë tjetër. Uzurpimesh, pushtimet. Pra të natyrës pushtues, vatan. Por kur ka një qeveri, kur ka një bashkëqeverisje… dhe ne jemi pjesëmarrës në ‘të. Maqedonasve u lind e drejta t’i quajnë grupe terroriste etj.
Sidoqoftë, e çfarëdoqoftë, prapë me ndjesë për jetët e humbura. Le t’i justifikojmë kështu. Por si t’ia bëjmë këtyre vrasjeve tona? Dëshmorë të kujt do ta quajmë komandant Shqiponjën, Kumanovë? I vrarë dy ditë më pare nga shqiptarët. Dëshmorë të kujt do ta quajmë Artan Musliun, Strugë? I vrarë sot nga shqiptarët. Të kujt janë këta dëshmorë, shqiptarë të Maqedonisë? Po këta të vrarë mes shqiptarëve, përpara syve të shkjaut, si do i quajmë. Çfarë emri do uu vëmë?
Sillem e them, mirë me maqedonin, për shkak edhe të asaj urrejtje prej çeliku e betoni… që palësh ua kemi ngjizur edhe fëmijëve. Dhe ata më keq nga ne, me fëmijët e tyre. Nuk e kuptojë, përse po vriten tani me njëri-tjetrin? Mos kanë ngatërruar shkjaun? Pra na jepni një përgjgije. Dëshmorë të kujt do i quajmë.
Do i shpallim heronjë. Por të kujt?
5)Me që e nisëm me Kumanovën dhe për dëshmorët e saj. Duhet të ketë qënë data 26 maj. Kur ceremonisë së varrimit të heronjëve, iu kundërvu një analist i njohur me emrin Enver Robelli. Ai kumton me një titull të ashpër. ”Një vend që kriminelët i nderon si heronj, ardhmërinë e ka të errët” Më tutje ai vazhdon po me mllef. ”Në Kumanovë këta çlirimtarë të vetshpallur lanë pa shtëpi qindra banorë. Vendimin se me çfarë mjetesh duhet të luftojnë për të drejtat e tyre, e marrin shqiptarët e Maqedonisë, jo haraçmbledhësit e Kosovës”. Mirëpo shqiptarët kudo që janë, se shqiptarë janë, zakonisht më shumë dëgjojnë analistët brenda partive. Dhe lufta në emrin e shkjaut, të lirisë dhe Shqipërisë së madhe, bëhet pikërisht nga haraçmbledhësit e shumtë në Ballkan.
Ndofta edhe nga një fakt kokëfortë që hera herës del në në analet e memories sonë. Që ne e kemi të pamundur ta gjejmë me njëri-tjetrin. Sidomos në liri.

Filed Under: Analiza Tagged With: e maqedonise, Ilir Levonja, Per ke po vriten, shqiptaret

Ku janë shqiptarët e Maqedonisë?

May 21, 2015 by dgreca

Nga Emin Azemi/
Tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Tek shqipztarët ka politikanë, por nuk ka lidership. Kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, liderët politikë shqiptarë edhe sot e gjithë ditën ushqejnë iluzione të rreme se trajektorja e veprimit të tyre politik do të shkojë gjatë me një stil dhe metodologji të tillë pune. Një kryeministër maqedonas vlen sa tri parti shqiptare kundërshtare. Pse? Sepse asnjëherë, tri parti shqiptare nuk bëhen bashkë për të zgjedhur një kryeministër shqiptar, por gjithmonë një parti e vetme shqiptare rrotullon gurë e dru për të fituar një post zëvendëskryeministri.
Shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të jenë të vonuar politikisht dhe të hutuar kombëtarisht. Përpjekjet e deritanishme për të siguruar status të barabartë në politikëbërjen shtetformuese të këtij shteti kanë rezultuar të pasuksesshme. Elitat politike shqiptare që udhëhoqën dhe që aktualisht po udhëheqin, kanë një handikap të madh në formatimin e vullnetit politik të shqiptarëve. Ata edhe sot nuk kanë krijuar një konsensus minimal, ndërmjet veti, për problematikat nevralgjike, ndërkohë që gjithë karrierën e tyre politike e kanë ndërtuar duke bashkëqeverisur me faktorët politikë maqedonas, të majtë e të djathtë, liberalë e konservativë.
Kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, liderët politikë shqiptarë edhe sot e gjithë ditën ushqejnë iluzione të rreme se trajektorja e veprimit të tyre politik do të shkojë gjatë me një stil dhe metodologji të tillë pune.
Lidershipi politik shqiptar në Maqedoni ende mendon se ardhja në pushtet automatikisht heq nga rendi i ditës problemet që shqetësojnë popullatën shqiptare. Përkundrazi, praktika ka dëshmuar se jo gjithmonë ua sheh hajrin populli atyre që vijnë në pushtet. Kështu ishte në vitet ’90 dhe kështu vazhdon të jetë aktualisht. Vetëm te shqiptarët në Maqedoni ndodh që njerëzit të votojnë një strukturë të caktuar politike dhe pastaj të jenë të pakënaqur me pozitën e tyre politike, ekonomike e sociale. Vetëm në Maqedoni ndodh që partia shqiptare në pushtet, në situata të caktuara, të sillet si opozitë. Komunikimi përmes komunikatave, duke shprehur njëfarë pakënaqësie ndaj asaj çka ndodh në terren, e bën partinë shqiptare në pushtet qesharake në sytë e opinionit publik. Nga kjo kuptojmë se në bashkëqeverisje hyhet pa ndonjë marrëveshje të qartë dhe pa një plan konkret bashkëveprimi në fusha të caktuara që rregullojnë jetën e përditshme të njerëzve. Fundja, atë që e thotë aktualisht, përmes kumtesave, partia shqiptare në pushtet, lidhur me problemet rreth emërtimit të shkollave, bie fjala, e kanë thënë gazetat dhe mediat e tjera në gjuhën shqipe dhe na duket paradoksale sensi opozitar i këtyre reagimeve.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni janë të vetmuara në gjysmëkauzat e tyre. Ato kanë si synim marrjen e pushtetit, por nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të administruar deri në fund, përmes bashkëqeverisjes, kërkesat politike të shqiptarëve. Një gjysmëkauzë e tillë po e ndjek edhe partinë opozitare (PDSH) shqiptare, e cila assesi nuk po mund të lirohet nga sindromi i keqmenaxhimit të politikëbërjes nga lidershipi i saj. Në vend se opozitarizmi i kësaj partie të vendosej mbi parime afatgjate dhe të profiluara në pikëpamje të programit dhe doktrinës politike, ajo për çdo cikël zgjedhor reprodukon nga një teatër absurdi ku ardhja në pushtet premtohet ende pa u numëruar votat dhe ende pa filluar bisedimet për formimin e qeverisë së re. Duhesh të jesh në lëkurën e anëtarësisë së kësaj partie për ta kuptuar dhe duruar tmerrin që vjen nga kjo filozofi e çoroditur e politikëbërjes dhe për mendimin tim këta janë heronjtë e vërtetë të demokracisë, sepse pranojnë t’i harxhojnë nervat dhe vitet e rinisë pranë një lidershipi që nga viti në vit shtreson humbjet në topin e madh të borës që vjen duke u rrokullisur në greminën e bilancit politik negativ.
Shqiptarët kanë shumë arsye të mos votojnë në të ardhmen anarkinë dhe dezintegrimin që po i ngulfat nga viti në vit, por këtë nuk mund ta bëjnë pa u ndryshuar rrënjësisht mentaliteti i elitave që e prodhojnë këtë gjendje.

Shqiptarët – pa platformë dhe strategji për veprime afatgjata

Tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Emrat e politikanëve, që radhiten pas liderit partiak, tek shqiptarët, nuk shkon gjatë kohë dhe avullohen në punëtorinë a klonimin e lidershipit. Ata i bluan ambicia iracionale e liderit për të menaxhuar partinë me anonimusë, pa kurriz etik e qytetar, pa “background” profesional dhe pa përvojë në ndonjë fushë të caktuar jashtë politikës.
Politikat hermafrodite të shqiptarëve që ‘avullohen’ në paradhomat e politikës maqedonase, janë të destinuara të krijojnë surrogate të politikëbërjes gjoja pragmatike, që në fakt prodhojnë një boshësi pa kurrfarë tingëllime substanciale. Në mungesë të një “kompasi” strategjik e ideor, partitë shqiptare jo rrallë humben në planimetrinë politike maqedonase dhe për pasojë faturën e tyre e paguajnë zgjedhësit.
Si do të silleshim ne po të ishim në vend të Gruevskit? A do të kërkonim që të zgjatej kjo amulli dhe ky dezintegrim politik i shqiptarëve? A do të kërkonim që jetëgjatësia e liderëve të tillë shqiptarë të trajtohej me kujdesin më të madh, sepse vetëm me një filozofi të tillë politike të shqiptarëve, maqedonasit i arrijnë synimet e tyre perfide, që herët a vonë do të mund të prodhojnë edhe krizën më të madhe në periudhën mbi 20- vjeçare.
Një kryeministër maqedonas vlen sa tri parti shqiptare kundërshtare. Pse? Sepse asnjëherë, tri parti shqiptare nuk bëhen bashkë për të zgjedhur një kryeministër shqiptar, por gjithmonë një parti e vetme shqiptare rrotullon gurë e dru për të fituar një post zëvendëskryeministri.
Nëse politika e feudalizuar shqiptare në Maqedoni e injoron elektoratin e vet me sjellje të tilla arrogante, mospërfillëse, jokonsensuale, atëherë çfarë mund të presim nga politikanët maqedonas? Si do ta trajtojnë ata procesin e barazisë etnike në rrafshe të ndryshme institucionale, konstitucionale e praktike?

Këneta e bajraktarëve

Hermafrodizmi i partive politike shqiptare, sigurisht që e ka edhe koston e tij. Përfituesit më të mëdhenj nga ky hermafrodizëm janë kryeministrat maqedonas, të cilët punën e parë që e bëjnë kur i ftojnë në kabinet ministrat shqiptarë, është heqja e çfarëdo lloj “veshjeje” doktrinare-nacionale nga “gardëroba” e tyre partiake. Prandaj, me siguri iu ka rënë të shihni për këto 20 vite plot ministra shqiptarë, se si janë sorollatur nëpër kabinetet e kryeministrave maqedonas të “zhveshur” nga të gjitha nuancat identifikuese politike e ideologjike. Kjo “nudo” politike e shqiptarëve ka promovuar që herët një hedonizëm të veçantë në këtë kënetën tonë të madhe të bajraktarizuar nga bishti i aftësive dhe shterpësive.
Me këtë hermafrodizëm ideor e strategjik, partitë politike shqiptare në Maqedoni zor se do të arrijnë të ndërtojnë ndonjë strategji stabile veprimi, pikërisht në kohën kur po ndodh ballafaqim i fortë në mes të dy blloqeve të mëdha politike maqedonase. Pyetja e natyrshme që shtrohet me këtë rast është nëse politikanët shqiptarë do të pranojnë të bëhen “material” harxhues i këtij sanduiçi që të zë frymën, apo do të refuzojnë rolin inferior të sehirxhinjve. Kauza politike e opozitës së ardhshme maqedonase do të ndërlidhet drejtpërdrejt me fatet fondamentale të Maqedonisë, edhe si identitet, edhe si ardhmëri, edhe si konfiguracion gjeostrategjik, ndërkohë që askush s’e ka të qartë se cila është kauza e opozitës shqiptare në këtë vend të lodhur nga grindjet dhe antagonizmat. Pikërisht mbi këta antagonizma po projektohen edhe parametrat e veprimit institucional të Maqedonisë si shtet.

Interesat shqiptare në kontinuitetin e (bashkë)qeverisjes

Përderisa Marrëveshja e Ohrit arriti të amortizojë në masë të ndjeshme antagonizmat etnikë, janë antagonizmat politikë ata që do të trandin nga themelet këtë shtet. Kësaj radhe antagonizmi do të jetë në mes të vetë maqedonasve, por kjo assesi nuk u jep të drejtë politikanëve shqiptarë të ndjehen komod. Përkundrazi, mobilizimi i tyre politik do të duhej të orientohej në dy linja angazhimi – e para, në drejtim të konsolidimit të brendshëm për të projektuar dekalogun e interesave fondamentale kombëtare dhe, e dyta, për të ridizenjuar dhe fokusuar fuqinë politike brenda një blloku të madh e të pandashëm politik.
Shqiptarët nuk kanë llogari dhe interes që pafundësisht të paguajnë faturat e mosmarrëveshjeve të brendshme maqedonase. Stina e ardhshme politike do të duhej të ridimensiononte pikërisht krijimin e koordinatave në mes të qëllimit për të kontribuuar bashkërisht në zhvillimin e politikave eurointegruese të Maqedonisë, dhe të interesave mbipartiake dhe afatgjata kombëtare të shqiptarëve në kontinuitetin e (bashkë)qeverisjeve. Por, me një kusht që politika e shqiptarëve të mos ketë objektiv domosdoshmërisht pjesëmarrjen në bashkëqeverisje, madje edhe atëherë kur nga ajo nuk kërkohet që të heqë dorë nga parimet dhe doktrinat fondamentale nacionale. Sepse, pa këto të fundit, partitë politike shqiptare do të mund të ngelnin lakuriq nën diellin përcëllues të kuazi-bashkëqeverisjes.
Për pasojë, në sipërfaqe po del hapur tendenca maqedonase për ndarje të shtetit, duke i përjashtuar shqiptarët nga institucionet e përbashkëta të vendimmarrjes. Ky qëndrim maqedonas ndaj shqiptarëve është rrjedhojë e politikave të gabuara që kanë udhëhequr partnerët e koalicionit brenda këtyre 12 vjetëve pas 2001-shit, duke mos u dhënë përgjigje adekuate çështjeve të mprehta për të cilat edhe ndodhi konflikti. Tani kanë ngelë dy alternativa: ose shqiptarët të organizohen dhe të bëjnë një koalicion të përbashkët i cili do të përgatiste një platformë që do t’i jepej si ofertë faktorit politik maqedonas, ose t’u rikthehen ideve politike që ishin në qarkullim në prag të 2001-shit.
Përgjegjësia e forcave politike shqiptare për të koalicionuar me partnerët e ardhshëm maqedonas, nuk është e njëjta si ka qenë deri më tani. Kjo përgjegjësi tash e tutje do të duhej të mbështetet në një moral më të fortë njerëzor e kombëtar për të vendosur disa korniza brenda të cilave do të përfshiheshin do interesa më të gjëra, mbipartiake. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të evitohej epërsia agresive e politikave maqedonase kundrejt shqiptarëve, por edhe do të eliminoheshin lidhjet e nëndheshme klienteliste të politikanëve të caktuar shqiptarë me oborrin e lakmive maqedonase.

Kakofoni dhe mosbashkëpunim në shoqërinë shqiptare

Zëvendësimi i ideve me shantazhe publike e bën të kollajshëm zanatin e marrjes me politikë te shqiptarët, ndërkohë që maqedonasit po punojnë me të madhe për ta shndërruar Maqedoninë Lindore në parajsë të investitorëve të huaj, ose për t’i bërë krejt vendbanimet maqedonase sikur pjesa europiane-urbane (Zhdanec, Përzhino, Vodno, Taftaligje) e Shkupi. Pasqyra më e mirë e politikave që udhëheqin shqiptarët në shtetin e quajtur Maqedoni, janë lagjet e mjerimit migjenian të Serovës, Dizhonit, Shutkës, Gazi Babës në Shkup dhe ata politikanë shqiptarë që rrahin gjoks se e kanë menaxhuar mirë besimin e popullit, këtë duhet ta sprovojnë në këto dhe lagjet tjera suburbane të shqiptarëve, sepse vetëm atje jepet provimi i politikëbërjes.
Shtëpitë si kasolle, rrugicat e ngushta pa ndriçim publik, mungesa e asfaltit dhe kanalizimit, superdendësia urbanistike pa një metër katror hapësirë të gjelbër publike, janë pyetjet e vështira të cilave duhet t’iu përgjigjen politikanët shqiptarë, e jo të kërkojnë mandate angari, për punë të tyre personale që ata i kryejnë nëpër akçihanet, qebapqihanet dhe leblebiqihanet e Shkupit.
Vula e politikës shqiptare në Maqedoni ka rrezik të zbehet më shpejt se sa kohëzgjatja e mandateve politike të zgjedhurve tanë dhe, ata nuk mund t’i shpëtojnë as zgjedhjet e parakohshme. Sepse ajo që ngel si e paskohshme është llogaridhënia për dremitjet në kolltuqet qeveritare.
Një qendërsim i munguar i mendimit politik, që është edhe pasojë e kakofonisë së inteligjencisë shqiptare këtu, por edhe një mosbashkëpunim i skajshëm ndërmjet faktorëve relevantë shqiptarë, ka prodhuar kaos qëndrimesh në taborin politik shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: e maqedonise, Emin Azemi, ku janë shqiptarët

Skenarët e Gruevskit për shkatërrimin e Maqedonisë

May 10, 2015 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/
Nga ora 04 të mëngjesit e gjatë gjithë ditës së sotme forcat policore e forca tjera special kanë rrethuar lagjen e Trimave në Kumanovë, të banuar nga shqiptarët, duke krijuar një skenë horror të lakmueshme dhe për regjizorët e Hollivudit. Eshtë thënë se këto forca të krimit shtetëror maqedonas të Nikolla Gruevskit po luftojnë kundër disa uniformave të armatosura, “të ardhura nga një vend fqinjë” e që në fjalorin qeveritar ato konsiderohen si terroristë.
Se kjo ngjarje ishte e paralajmëruar, kjo tashmë dihet, sepse nuk është as e para dhe as e fundmja. Para disa javësh Gruevski tha se 40 “terroristë shqiptarë” linçuan një postë policie në rrethinat e Shkupit. I kishte numruar kryeministi me dylbi dhe nuk i dolën as 39, as 41, por plot 40 “terroristë” shqiptarë, të cilët nuk e dashkan Maqedoninë dhe stabilitetin e saj. Në fakt skenaristët, regjizorët dhe aktorët e ketyre sulmeve barbare mbi shqiptarët nuk kanë mundur ta ndërtojnë alibinë të besueshme. Nga ata 40 “terroristë” nuk iu mësua meri e mbiemri askujt. A mos kemi të bbëjmë me një provokacion shtetëror për destabilizimin e vendit dhe homogjenizimin e maqedonasve rreth një diktatori “modern”, Nikolla Gruevski?!
Policia dhe forcat special maqedonase sot vranë 5 shqiptarë të pambrojtur, civilë, midis tyre edhe një fëmijë 8 vjeç. Forcat shtetërore kudo në botë, nëse luftojnë, përballen me njerëz të armatosur, jo me civilë dhe fëmijë. Gruevski, ashtu si Milosheviçi bën përjashtim. Ai edhe fëmijët shqiptarë i ka klasifikuar si “terroristë”. Kjo është shumë e rëndë. Kjo duhet ta bëjë kryeministrin e presidentin e Maqedonisë të japin dorëheqjen. Kjo duhet ta bëjë Hagën dhe gjyqi n e saj të nisin proçedurën e ekstradimit të të gjithë përgjegjësve për vrasje fëmijësh e civilësh në Maqedoni, në krye të të cilëve gjendet Nikolla Gruevski.
Uniformat e shtetit nuk rrethuan terrotistë, por lagjen më të varfër të banuar me shqiptarë të një qyteti, i cili përmbledh brenda vetes disa data dhe ngjarje simbolike, duke filluar nga viti 1912 e deri më 9 qershor 1999. Dhe Gruevskit simbolikat i pëlqejnë më shumë sesa i pëlqenin Milosheviçit. Domethënë nuk u rrethuan “terroristët’, të cilët fare mirë mund të izoloheshin në kufi ose afër kufirit. Por u izolua, sulmua, torturua dhe u terrorizuan mijëra banorë shqiptarë të një lagjeje të qytetit të Kumanovës, ndërkohë që lagjet e banuara nga qytetarë të etnisë maqedonase pinin kafet e paradites rehat e të patrazuar. Kjo do të thotë se kjo ngjarje nuk ka kazus. Po ama ka motiv.
Motivi i Gruevskit e qeverisë së tij ,si dhe presidentit Ivanov është dëestabilizimi i Maqedonisë. Nuk janë ë nuk mund të jenë shqiptarët destabilizuesit e kësaj Republike ende të padefinuar, jo për fajin e shqiptarëve. Nëse ka e do të ketë qytetarë dhe njerëz të interesuar që Maqedonia të qëndrojë stabile, në paqe e në harmoni etnike, ata janë e do të jenë shqiptarët. Nuk flas për shqiptarët e llojit çfarë i kemi në drejtimin e politikës në Maqedoni, pra nuk flas vetëm për Ali Ahmetin, i cili erdhi në pushtet me flamurin e nacionalizmit dhe e përdori atë flamur për interesat e tij personale e klanore. Nuk flas as për Mënduh Thaçin, i cili ia mban besën shefit të shërbimit sekret të Maqedonisë dhe nuk e ka për gjë të bëjë pabesinë e radhës për shqiptarët. Flas edhe për kryeministrin e Shqipërisë, për drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sot e sa vite janë në pushtet, si dhe për të tjerë politikanë, të cilët e kanë përdorur dhe e përdorin nacionalizmin si kalë beteje për pushtetin e pasurinë e tyre të paligjshme, për të mbrojtur lidhjet me korrupsionin e krimin e organizuar, me trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore. Dikush prej tyre ka abuzuar me gjakun e dëshmorëve në Kosovë e Maqedoni, dikush tjetër me jetën e viktimave të vrara në protesta të dhunshme, si ajo e 21 janarit 2011. Ndryshe nuk ka si shpjegohen deklaratat e dy ministrave shqiptarë të Punëve të Jashtme, Thaçit e Bushatit, ku bëhet fjalë për “ulje tensioni”, sikur të ishte ballafaquar ndonjëlloj “intifade” midis policëve maqedonas dhe të rinjve e studentëve shqiptarë. Pea, sikur të mos kishte ndodhur asgjë më shumë, as gjakderdhje e njërezve të pafajshëm e të pambrojtur, jeta e të cilëve duhej mbrojtur edhe në kushte lufte. Nuk ka si shpjegohet pelegrinazhi i Thaçit, Ali Ahmetit dhe Ramës para tri-katër ditësh në Maqedoni, nuk ka si shpjegohet heshtja e tyre para masakrës së Kumanovës.
Kjo lidhje me krimin i bën udhëheqësit e sotëm në pushtet në territoret ku banojnë shqiptarët të pafuqishëm të reagojnë kundër një Milosheviçi të ri në Ballkan, i cili nuk ka asnjë qëllim tjetër, përveçse shkatërrimit e ndarjes së Maqedonisë, eleminimit të shtetësisë së saj dhe copëtimin e vendit sipas oreksit të Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë nën monitorimin e Moskës.Shpesh herë kjo që ka ndodhur sot shpjegohet me akuzat e Zaiev, shefit të opozitës maqedone, për qeverinë e Gruevskit përmes publikimit të përgjigmeve skandaloze. Por akuzat e Zaievit dhe protestat që kanë filluar në Shkup e kudo, janë motivi ndërmjetës, konjuktural, i dhunës kundër shqiptarëve. Ose më saktë, mjeti për të realizuar skenarin e shkatërrimit të shtetësisë së Maqedonisë.
Presidenti maqedon, Ivanov, u kthye nga Moska me instruksione të reja për destabilizimin e vendit e për ta shndërruar atë në një Ukrainë të Ballkanit, siç paralajmëronte para pak ditësh një zyrtar rus. Ai mblodhi Këshillin e Sigurisë, por përjashtoi pjesmarrjen e shqiptarëve në këtë mbledhje. Mesa duket Ali Ahmeti, pavarësisht shërbimit prej plebeu ndaj garniturës maqedone, nuk është ende aq i besueshëm sa të marrë pjesë në vendimmarrjen e shtetit të Maqedonisë për aksionet e tjera të planifikuara kundër shqiptarëve.
Kjo situatë e sotmja do ta ndryshojë rrjedhën e zhvillimeve në Maqedoni. Maqedonia nuk do të jetë më si më parë. Kush do ta fitojë atë dhe kush do ta humbë? Nëse e fiton Gruevski dhe politika e tij, atëherë shqiptarët do ta kenë humbur kryeqytetin e tyre të hershëm e të sotshëm, Shkupin. Nëse fitojnë forcat progresive, ato që duan integrimin dhe paqen, atëherë banorët e Maqedonisë, shqiptarë, maqedonë e të tjerë nuk do të vuajnë më trishtimin e sotëm, terrorin e dhunën e shtetit kundër shtetasve të këtij vendi.

Filed Under: Analiza Tagged With: e maqedonise, Enver Bytyci, Skenarët e Gruevskit për shkatërrimin

GREQI – Asnjë rezultat pas takimit të fundit mes Athinës dhe Shkupit për emrin e Maqedonisë

March 27, 2014 by dgreca

ATHINË, 27 mars /- Pa ide të reja dhe pa asnjë rezultat për çështjen e emrit të Maqedonisë u mbyll takimi mes Matthew Nimitz, i dërguar personal i sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon dhe përfaqësuesve të Greqisë dhe Maqedonisë, respektivisht Adhamantios Vasilaqis dhe Zoran Jolevski. Duke folur për ANA-MPA-në, Vasilaqis tha se ”shfrytëzuam rastin që të shohim se ku gjendemi. Unë kisha shansin para pak ditësh të takohem me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së dhe zotin Nimitz, të cilët i informova mbi vizitën e nënkryetarit të qeverisë greke, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Evengjelos Venizelos në Shkup. Kam përshtypjen se Nimitz ka ndërmend të bëjë një takim në Nju Jork, ndoshta në muajin maj, pas zgjedhjeve në FYROM (Emri i Maqedonisë nga vendet që nuk e kanë njohur, përfshirë Greqinë – shën. përkth.). Më pas, mendon ndoshta të bëjë një vizitë në rajon, nga fundi i qershorit”

Filed Under: Rajon Tagged With: Asnje rezulatat, athine, e maqedonise, per emrin

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT