HIDROCENTRALI AUSTRIAK QË HYN NË LOJËN SHOVENE TË MALIT TË ZI PËR SHPËRNGULJE TË SHQIPTARËVE ETNIK NË VUTHAJ TË GUCISË/
Nga Ramiz LUSHAJ/
Ambasadori Johan Frilih i Austrisë në Malin e Zi tepër vonë (6 shkurt 2015) e paska mësue rrugën për në krahinën e Plavë-Gucisë, tue pasë kësaj here me veti në suitën e tij dhe presidentin e një firme austriake, “Energy Eastern Europe”. Shkelqësia e Tij ka harrue apo duhet me ia kujtue se ka shkel në trevën komunare ma pro-austriake në krejt Malin e Zi, Kosovë e Shqipëri, pasi në fill shekullin e kaluar, në kohën e otomanizmit, në vitin 1909-‘10, mbi 80 për qind e saj, e shqiptarëve plavë-gucias vendali të atyhit, e kishte shtetësinë austriake. Vizita e Tij, në kit’ të ftohtë dimni e në acar malazez çetinë e gjukanoviç, pothuaj një shekull vonesë nga koha kur Hasburgët e Luftës së Parë Botërore qeverisnin si pro-shqiptar dhe në Plavë-Guci, nuk na ngrohë aspak. Shkelqësia e Tij kreu një vizitë (jo)diplomatike të errët.
Eh! Firma rreth 8 vjeçe: EEE (Energy Eastern Europe),e themelueme në vitin 2006 në një nga shtetet e Austrisë e me mbështetje nga kompani deri çerekshekullore, siç ia thotë dhe emni i vet, është një nga ato kompanitë që disa vende të Perëndimit i krijojnë enkas për vendet e ish-Europës Lindore, në rastin konkret për Ballkanin Perëndimor, përndryshe: Bosnje-Hercegovinë (2007), FYROM-Maqedoni (2008) dhe, së fundit, në Malin e Zi (2009) me përfaqësues të saj, Denis Hotin. Kjo EEE erdhi mbi 3 vjeçe në Podgoricën etnike shqiptare e, më duket, se ngriti aty nji hidrocentral me ujët e Moraçës që ende kullon gjak shqiptar shumshekullor.
Kjo firmë prej vitit 2009 ka pesë minihidrocentrale në ndërtim, nga të cilët tre në Bosnje-Hercegovinë e dy në Maqedoni. Ky në Vuthaj të Gucisë do të jetë i gjashti, ku puna proceduriale ka nis prej vitit 2010, tash pesëë vjet. Që kur kryekomunari i Plavës, Skënder Sharkinoviçi, iu dha leje me shkrim e tashti Qeveria MZ ua dha konçesionin EEE. Komuna e re e Gucisë tue pi Coco-Cola i dha “Okej” kësaj firme e ambasadorit austriak, që nuk e ngriti zanin një herë të vetme për hallet e mëdha etnike e gjithfarëshe të shqiptarëve në Plavë-Guci. Duhet me ua ba të ditun qysh herët dy komunave, asaj të Gucisë e të Plavës, që ky nuk do të jetë hidrocentrali i vetëm. Të tjerë do të ngrihen ma pas. Kjo u përfol dhe në takimin e 6 shkurtit 2015. Po të ish kanë firmë shqiptare do ta kishim “hangër të gjallë”, po meqë është firmë e juaja ndoshta do të presim të ndodhë e kundërta.
Gjithandej përflitet se ky hidrocentral në Vuthaj është “mini”, është “i vogël”. Po 4 MW nuk është pak. Të kujtojmë një fakt: në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore, ndër veprat e para në Shqipëri, u ndërtue me jehonë të madhe hidrocentrali “Lenin” në Tiranë, i cili ishte 5 MW.
Vlera e ndërtimit të projektit, me marrje uji direkt në burim me tubacione me diametër 1.6 m, parashikohet të jetë 4 milionë Euro. Nuk është pak, po as shumë. Kur të hyjnë në punë ky hidrocentral, i pari i rradhës energjitike, një miku im specialist kryesues apo në ekip të projektimit të 60 hidrocentraleve të tilla në Shqipëri më thotë se të ardhurat e tij vjetore do të shkojnë rreth 1 (një) milionë Euro. Kjo domethanë se në mbi 4 vjet ky hidrocentral do iu dalin “falë” austriakëve, përndryshe: do ta shlyejnë vetëveten. Kjo është çështje e “xhepit të tyre”. Çështja shtrohet” çka hyn në “xhepin” e vuthjanëve e të komunës së Gucisë?!! Pothuaj kudo në botë këto hidrocntrale të tilla i kalojnë një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre për njësitë vendore e komunitetin ku ndertohen ato. Po ajo çka mendojnë përfaqësuesit austriak është shumë pak, saç mund ta bante dhe një vuthjan në mërgim përtej Atlantikut. As fuqia punëtore për hidrocentralin e Vuthajve nuk mund të merret në konsideratë, pasi në të tilla raste teknologjia e përjashton “punësimin”, ndaj mund të mbahen aty në rastin ma ekstrem deri në dy-tre vetë.
Ngritja e këtij hidrocentrali në Vuthaj të Gucisë, i zyrtarizuar nga qeveria e kryeministrit antishqiptar Milo Gjukanoviç, i përkrahur dhe nga ambasadori i Austrisë në Podgoricë, me shtysë nga vet presidenti austriak i EEE, ka gjithato të këqija që i vijnë si “lumë” Vuthajve, Gucisë e Plavës, shqiptarëve etnik e të origjinës dhe gjithë komuniteteve të atyshme.
1. Në fillim të fillimit, pikësëparit, bie në kundërshtim me vet Kushtetutën e Malit të Zi, bash me nenin e parë të saj, që e quan Malin e Zi “shtet ekologjik”(!) Jo se austriakët nuk e duan e ruajnë ekologjinë, po vet ekologjia e Vuthajve e Plavë-Gucisë nuk e don e duron kit’ hidrocentral, që sjell e përcjell pasoja e rrjedhoja ekologjike (in)direkte.
2. Deri më tani nuk ka ndodhur kurrë në asnjë vend të Europës, që për shfrytëzimin e forcës së ujit të ndërhyhet direkt në zonën, nga ku buron uji – iu ankimon presidentit, kryeministrit e dissa ministrave të Malit të Zi, më 26 prill 2011, Dr. Marianne Graf Gössendorf, Konsulle Nderi e Shqipërisë në Austri, kryetare e Shoqatës Shqipëri-Austri, kandidate për Çmimin Nobel per Paqe më 2007.
3. Uji është Jeta. Ky hidrocentral e cenon vet ekzistencen e jetës së njerëzve në trojet e veta etnike, pasi uji i lumit që trupon përmjedis Vuthajve përdoret dhe për ujë të pijshëm për banorët, për bagëtitë dhe për ujitjen e tokave të tyre që prodhojnë të mira materiale për jetesë. Pra, kujt i intereson që t’i futin Vuthajt e banorët e saj në “krizën e Ujit” që po e kap botën e shek. XXI dhe t’iu rrezikojë atyne jetën e bukën e gojës, në tharjen e tokës, në denatyralizim të mjedisit përrreth hidrocentralit gangrenë.
4. Ky hidrocentral do të cenojnë dhe shenjtëritë shqiptare të Vuthajve dhe të Plavë-Gucisë, rrënjët mitologjike pellazgo-ilire dhe etnike të saj, pasi vendi i burimit të ujit që shfrytëzohet për hidroenergji është një “Sacred Place”. Aty gjenden “Ujëvara Gërla”, “Ujëvara e Zanave”, “Shpella e Shpirtit të Ujit”, “Burimi i Gruas së Bardhë”, “Krojet e Vuthajve” (ua kanë ngjit’ së vonit dhe “Krojet e Ali Pashë Gucisë”), etj. që vet personalitete austriake i vlerësojnë me vende të rralla si Ayers Rock në Australi, Kailash në Tibet, Geysire në Islandë, etj. Disa kanale ujitëse që marrin ujë nga ky lumë i krahasaojnë me kanalet e vaditjes në Tirolin Jugor, aq të lakmuara nga turistët, etj.
Ky vis shqiptar në vend që të merret në mbrotje nga UNESCO, do të shkatrrohet nga malazezët e Çetinës e austriakët e kompanisë EEE.
5. Ky hidrocentral gjatë ndërtimit dhe pas tij, me futjen e tubacioneve në zonën e burimit, etj. e shkatërron në një masë tejet të madhe e të rrezikshme ardhmërinë turistike të Vuthajve, të komunës së re të Gucisë dhe asaj të Plavës.
Pra, shteti i Malit të Zi po don shkatërrim gradual të kësaj treve me bukuri të rralla natyrore në vend që ta futin në hartat turistike të botës, ta marrin në mbrojtje nga vet shteti si “Monument Natyre”, “Monument Kulture”, etj.
6. Ky hidrocentral i Vuthajve e asgjeson randshëm dhe biosferën e kësaj treve
me florën dhe faunën unike të saj.
7. Ky hidrocentral i austriakëve po hyn në lojën shovene të Malit të Zi për shpërngulje të shqiptarëve etnikë të Vuthajve në komunën e Gucisë, pasi po rrezikohet ekologjia e saj sikurse me deponinë vdekjeprurëse në Martinaj të Gucisë, do të sjellin vështirësi jetese për shqiptarët e atyhit e damtojnë ardhmërinë e turizmit, etj. Vuthajt e Martinajt janë dy fshatra shumë të mëdha shqiptare në komunën e Gucisë, të cilat kanë mbi 90-99 për qind shqiptarë, të cilat kanë shekuj pa u asimilue, ndaj po synohet shpërngulja e tyre nga trojet e veta etnike.
Tiranë, më 21 shkurt 2015
_____________________________
Foto ilustruese e takimit te 6 shkurtit 2015 ne komunen e Gucise: nga Nuki Lucević në Guci
Kujtesa e shkurtër e shqiptarëve
Ne Foto:Pamje nga ish kampi i internimeve ne Gradishte te Lushnjes- Fotografia-Edi Salla/
nga Shpend Sollaku Noé/
Shqiptarët janë popull apo turmë? Nëse një bashkësi njerëzish jeton në të njëjtin truall që prej antikitetit, flet që atëherë të njëjtën gjuhë; mbi atë gjuhë ka hedhur themelet e ngrehinës së kulturës së tij të dallueshme lehtësisht nga të tjerët dhe, veçanërisht, ka arritur të ketë një ndërgjegje kolektive; atëherë kjo bashkësi mund të quhet popull. Nëpër kohëra që vazhdojnë deri në ditët e sotme, kjo bashkësi ka pasur tendencën të mblidhet në një shtet etnik: vendi ku populli përmblidhet e mbrohet politikisht e ekonomikisht nga kufijtë e veta etnike.
Në themel të këtij shteti qëndron kujtesa historike e popullit të tij.
Si paraqiten shqiptarët të vrojtuar në këtë prizëm?
Në këto pak rreshta nuk mund të pretendohet një revizionim sado i vogël i historisë së psikologjisë popullore shqiptare. Këto janë opinione dhe, si të tilla, pre e çakejve llafazanë të social-networkëve apo edhe të mediave zyrtare.
Si janë sjellë shqiptarët gjatë historisë? Si popull? Si turmë? Çfarë kanë pranuar si të pakundërshtueshme dhe çfarë kanë vënë vazhdimisht në diskutim? Çfarë kanë harruar shpejt e çfarë mbajnë mend pjesërisht?
Këtu unë nuk do të ndaj sjelljen e njeriut të thjeshtë që e quan veten popull sipas sjelljes së liderëve të tij nëpër kohëra, sipas logjikës: liderë të mirë – popuj të mirë; liderë të këqinj – popuj të këqinj. Në fund të fundit ata tipa udhëheqësish ky popull i ka merituar të gjithë, pasi, edhe nëse nuk i ka zgjedhur, i ka pasë duruar, i ka pasë pranuar, u është nënshtruar. Të paktën për njëfarë periudhe. Të shumtën për dhjetëra vjet. Me gjithë të drejtën për t’u vetëshpallur si popull i mirë apo popull i keq.
Sipas këtij arsyetimi, populli ynë ka ekzaltuar dhe ka mohuar vazhdimisht vetveten. Duke ekzaltuar liderin e porsaardhur, duke mohuar liderët e përmbysur. Duke bërë mishmash edhe historinë e tij. Në drejtim të lashtësisë së vet – pak të dokumentuar, shumë të turmëzuar, pa kërkuar më shumë informacion, pa u thelluar në studime – ky popull mbetet akoma peng i opinioneve. Edhe kur mundësitë për t’u dokumentuar nuk mungojnë, për shembull në drejtim të Rilindjes së vet, në lëmin e Pavarësisë, dhe aq më tepër në periudhën famëkeqe komuniste, ky popull sillet akoma si turmë: i nënshtrohet me shumicë liderit të porsangjitur mbi shalë. Duke bërë instinktivisht si të parën gjë, uljen në gjunjë para tij. Kjo ndodh edhe kur tentohet nga dikush të mbahen gjallë në kujtesë sidomos tragjeditë, që nuk duhen shlyer në asnjë mënyrë nga kujtesa e tij.
Dhe nuk ka tragjedi më të madhe që nuk duhet harruar sesa ajo e represionit komunist, që krodhi në gjak, në punë të detyruar, në burgime të panumërta që zgjatnin një jetë të tërë, në internime që zgjatnin edhe pas vdekjes, njerëz e familje të numëruara të paktën me gjashtë shifra; që zhveshi nga mendimi dhe injektoi ADN-në e skllavit edhe në pjesën e mbetur të shqiptarëve.
Të paktë janë ata që kanë ngritur si duhet zërin për moszhdukjen e dëshmive ngjethëse të diktaturës. Të shumtë për dreq, gjenden ata që janë të interesuar për zhdukjen e këtyre dëshmive, duke filluar nga të gjithë ata, që kanë qenë në krye të shqiptarëve në vitet e pas 1990-ës. Nuk po e quaj këtë periudhë postkomuniste, pasi, në të vërtetë, nëse komunizmi ra si sistem ekonomik, ai vazhdon të mbretërojë në Shqipëri si mënyrë të menduari e të vepruari. Ndryshe nuk ka sesi shpjegohen zhvillimet e sotme politike dhe kostumi shoqëror shqiptar i sotëm. Ndryshe nuk ka sesi shpjegohet qëndrimi ndaj ruajtjes së dëshmive më të prekshme të represionit: atyre të pazëvendësueshmeve, kampeve të internimit.
Dhe nuk ka vend me përqendrim më të madh në botë për to, sesa Lushnja.
I shtyrë nga ideja e njohjes së gjendjes reale të tyre, pak javë më parë vizitova ato kampe që, sipas meje, janë më përfaqësueset në atë arkipelag të dhimbshëm myzeqar: Savrën, Gradishtën e Çermë-Kampin.
Savra, lëngimi i mbetur pezull
Kur hyn atje, menjëherë të mbushen veshët me muzikë nga Përmeti apo Skrapari. Radiot apo stereot e kanë zërin të ngritur deri në fund, sikur konkurrojnë njëra-tjetrën. Një dukje normale. Me njerëz normalë, të cilët ngatërrojnë makinën tonë me atë të ndonjë qeveritari, që kush e di sa ka pa u kthyer atje. Dalin jashtë e fillojnë të paraqesin ankesat. Kur i themi kush jemi e përse kemi ardhur, ulin sytë përdhe. Na shpjegojnë se ku ndodhet rruga që kërkojmë, por askush nuk ofrohet si “ciceron”, edhe pas premtimit të një shpërblimi të vogël, që këtu do të thotë ndoshta një gjysëm pensioni, për ata fatlumë që mund ta gëzojnë. Kthehen në shtëpitë e tyre, ngrenë akoma më shumë volumin muzikës. Sikur ta përdorin si një “tobe estagfurllah” ndaj nesh që na konsiderojnë gjahtarë fantazmash.
Dhe fantazmat këtu duhet të gjenden me shumicë. Sepse ka patur shumë të vdekur të paqetësuar, larguar nga kjo botë të dëshpëruar e pa shpagim. Si ata që po shkojmë të rizgjojmë si turistë të pazakonshëm të krimit.
Një djalë i ri, që na shpjegon se nuk ka qenë internuar këtu, por që e njeh mirë atë zonë, ofrohet spontanisht, kur ne kemi marrë drejtimin për nga blloku i barakave të të internuarve. Quhet Gëzim Halili. Qëndroi me ne përgjatë gjithë kohës së hetimit, duke pyetur shpesh të tjerë rreth informacioneve që kërkonim. Informacione të cunguara, të dhëna me zor, nga njerëz të frikësuar prej zgjimit të fantazmave. Apo prej zemërimit të liderit aktual, që, si paraardhësit e tij, nuk ka dashur asnjëherë ballafaqimin me to.
Rruga e barakave ka një emërtim të ri, “Thoma Papano”, një emër që ua prish më shumë qetësinë fantazmave, të mohuara si qenie njerëzore gjatë të gjallit, të dënuara edhe pas internimit për të mbetur fantazma. Përpiqem të vjel në ajër shqetësimin e atyre. Dhe u dëgjoj zërin. I lehtë, por i mprehtë e revoltues: Ky që shihni si emërtim në rrugën tonë është askushi për ne. Pak mbiemra të shquar lënguan në këtë rrugë? Dhe nisin të m’i numërojnë: Deda, Hoxha, Markagjoni, Dine, Dukagjini, Kupi, Spahiu, Bajraktari, Mulleti, Mirakaj, Radi, Kolgjini, Plaku, Kulla… Kanë qenë shumë, por ne jemi fantazma, e na mbahet fryma nga lista e gjatë. Ah, shto këtu edhe mbiemrin Laholli… shto edhe Kokali… shto edhe…
Zyrtarisht kanë qenë shtatë baraka, tri në njërin krah dhe katër në tjetrin. Por në secilën prej tyre banonin vazhdimisht deri në gjashtëmbëdhjetë familje. Më e famshmja? Ajo me numër shtatë, atje ku edhe u martua i shumëvuajturi Ahmet Kolgjini, atje edhe ku u shua një nga figurat më të shquara çame, Rexho Plaku; atje ku u tret edhe Anton Dukagjini, atje kanë banuar edhe Vehip Hoxha, Mirakajt e sa të tjerë, të ndërruar në vite, sipas etjes gjakëse të më të zellshmëve të diktaturës. Dikush vinte nga burgimet e gjata, dikush kthehej pas hekurave, sipas një riti të kobshëm. Në cep të saj është përkthyer edhe “Orlando i çmendun”, vepër e Ludovico Ariostos e vitit 1532, prej mjeshtrit Guljelm Deda – çmim postum i vitit 2014.
U hedhim një sy barakave, ose më mirë të asaj që ka mbetur prej tyre. Sepse për mbetje mund të bëhet fjalë. Shumica, sidomos ato të pabanuarat, janë në grahmën e fundit. Dhe është një mrekulli që mbahen akoma në këmbë, falë kryeneçësisë së tyre dhe etjes për të dëshmuar. Por do të mjaftonte më pak se një tërmet, ndoshta edhe një erë e fortë, për t’i rrafshuar. Edhe ato pak që banohen akoma, nuk paraqiten më të shëndetshme: janë zënë nga njerëz të ardhur aq të varfër, që as nuk mundin t’i riparojnë. Për të mos përmendur ndërtimet e dikujt në mes të tyre, që do të jetë vështirë t’i shkulësh në rast se… në rast se…
Kjo gjendje mbetet e tillë deri në skaj të ish bllokut të të internuarve, atje ku dikur ndodheshin WC-të e përbashkëta, të rrafshuara që nga themelet. Të kthyera edhe ato në fantazma, me etjen për të dëshmuar diçka.
Çermë – turpi i fshehur
Prej të gjithë kampeve të Internimit, për atë të Çermës ndoshta është shkruar më pak. Ndoshta për faktin se atje nuk kish shumë baraka të mirëfillta që prej kohësh (kanë qenë vetëm tri, ndërtuar dikur, pas tharjes së Tërbufit, në mes të baltërave, si një vathë për të strehuar… ushtarakë), por të ashtuquajturat shtëpi të mbuluara në përgjithësi me tjegulla. Ndoshta sepse, në dukje, duke qenë më afër rrugës për në Divjakë, ishte më i dukshmi para syrit të popullit. Ndoshta…
Edhe pse në perëndim të tij ka qenë një karakoll i frikshëm, i lartë, syrit të të cilit ishte e vështirë t’i shpëtonte edhe zvarritja e urithëve.
Me gjithë këtë shëmbëllesë, ai nuk ishte më pak i tmerrshmi, jo vetëm për ndrydhjen e lirisë të familjeve të internuara, jo vetëm për demaskimet e turpshme dhe rrahjet e panumërta nga sigurimsat…
Zyrtarisht ka pasë qenë emërtuar Çermë Sektor nr. 2, në të vërtetë edhe nga banorët përreth është quajtur gjithmonë “Kamp”. Aty kanë pasë banuar pranë e pranë familje intelektualësh të internuar, fqinjësuar nga injorantë analfabetë bashkëpunëtorë të Sigurimit; emigrantë kosovarë të trajtuar si jugosllavë, përballë komunistësh që, edhe pas burgimeve, vazhdonin të donin komunizmin; poliglotë të dëgjuar pranë prostitutash.
Shumë kanë qenë të internuarit si individë, më pak familjet e internuara, të dërguara aty për t’u survejuar më imtësisht, jo vetëm prej atyre që u bënin apelin, por edhe prej bashkëpunëtorëve të padeklaruar të Sigurimit.
Kam pasë punuar si arsimtar në shkollën e mesme të Çermë-Shkumbinit dhe shumë prej të internuarve i kam pasë njohur personalisht, sidomos bijtë e tyre, që studionin në shkollën tonë. Janë të shumtë dhe nuk do të mjaftonin libra të tërë për të përshkruar vuajtjen, pasigurinë, frikën e përhershme në sytë e tyre, edhe pse, shpesh, ishin më të zgjuar e përgatiteshin më shumë sesa moshatarët e tyre pa “njollë” në biografi.
Lista e atyre që pësuan internimin më të rëndë në këtë kamp është e stërgjatë: Familja e Sefer Mujos – me Bajamen, Fatmirin, Eqeremin, Novruzin, gratë dhe fëmijët e tyre; Familja e Daut Sokolit – me Xhemilen, Kujtimin, Ritvanin, gratë e fëmijët e tyre; Familja e Islam Dobrës – me Xhemilen, dy djemtë Muhamet e Shefqet, gratë dhe fëmijët e tyre. Të gjitha këto familje i kanë pasur kryefamiljarët të arratisur jashtë vendit dhe djemtë nëpër burgje.
Më tej kujtojmë familjen fatkeqe Islami me Hajdarin, Nadiren, Klementin, Isabelën dhe Zamirën, të cilat më pas u arratisën në Amerikë; Familjen e Rrok Pjetrit – Nënë Nusha, Pjetri, Frani, Lazri, Lina, bashkëshortet e tyre, fëmijët; Familjen e Odise Tsollos – grek minoritar, me bashkëshorten dhe dy djemtë; Familjen e Theodhori Files – gruan dhe tre fëmijët; Familjen Kau – me plakun e urtë Xhemalin, Dejen, Paqon, bashkëshortja e djalit të tyre Shefqet Kau, i burgosur politik dhe fëmijët, Sajmirin e Flamurin; Familjen Gjuta – me Zaimin, Humën, Agimen, Avniun, bashkëshorten dhe fëmijët; Familjen e Gani Kodrës – me Ikbalen, dy djemtë, vajzën me dy fëmijë; Familjen e poliglotit në nivel ndërkombëtar Mitat Aranitasi; Familjen e poetit dhe intelektualit të shquar Ahmet Kolgjini, familjen e…, familjen e… Të gjitha familjet e mësipërme kanë pasur të paktën një person të familjes të burgosur politik.
Lista mund të zgjatet me “kosovarët” Hashim Toplica – 36 vjet burg, Nazmi Berisha – 20 vjet burg, autor i një libri me kujtime rreth burgimeve të tij; mandej me familjet e tjera prej Kosove: Mehaj, Prekllukaj, Çelaj, Hasa apo edhe me ato të “vendasve”: Bratko, Hoxha, Alla, Bezati, Kurti, etj., që, edhe pse zyrtarisht nuk qenë të internuar e nuk u nënshtroheshin apeleve, demaskimeve apo rrahjeve, nuk është se jetonin më mirë se “bashkëkampistët” e tyre. Nga koha në kohë aty kanë incizuar vuajtjet e tyre edhe të tjerë, që kujtohen më pak, si një farë Stavri, të cilit nuk i kujtohet mbiemri, por i mbajtur mend sidomos si një ish partizan që ka pasë pësuar rrahje të panumërta nga një demaskim në tjetrin. Ky personazh më kujton një tjetër minoritar të lagjes “Teqe” në Lushnje, që e pësoi vetëm pasi, kur dikush e kish pyetur “Ç’thotë puna?” ish përgjigjur: “Puna shuma, leka muta!”.
Të gjitha këto më vijnë ndërmend ndërsa vizitoj atë çfarë ka mbetur prej ish Kampit, pasi për mbetje mund të bëhet fjalë edhe këtu, ashtu si në Savër. Ajo çka shohim nga ish-banesat e të internuarve, mund të skedohet në dy grupe: njëri përbën atë të më të rrënuarave, shpesh të kthyera në magazina silazhi apo stalla; tjetri atë të të mbajturave më mirë, sipas mundësive të banorëve të rinj. Ish-banesa e Kolgjinëve për shembull nuk kish pësuar rrënime, edhe për shkak të kujdesit apo të mundësive të pronarëve të saj të ardhur nga Mokra. Kishte edhe më keq: Shtëpia e Dobrajve, dhe jo vetëm, ish kthyer në stallë të dikujt dhe kish filluar të rrënohej. Ajo e Islamëve, përndryshe, kish pësuar pak ndryshime, por ish në gjendje të mjeruar. Ndërsa po fotografonim pikërisht këtë shtëpi, dikush na u afrua dhe, pa u prezantuar, na the se kish qenë prezent kur, pas arratisjes së Isabelës, Klementit dhe Zamirës, policia kish bastisur banesën e tyre. Ndër të tjera, kishin gjetur rreth 800 mijë lekë të vjetra si edhe fotot e tre brezave të ruajtura me kujdes. “Ne i lamë në vend, na tha ai. Nuk morëm asgjë me vete.” Dukej se thoshte të vërtetën. Në fakt, qoftë prej atyre parave, qoftë prej fotove, Islamët më vonë nuk mundën të rekuperojnë asgjë. E dhimbshme, para së gjithash, ajo e humbjes së afekteve familjare.
Sidoqoftë, ajo që më bëri përshtypje më tepër, sidomos pas rrënimit të dëshmive historike, ishte ruajtja ende, jo vetëm në ndërgjegjen popullore, të emrit të kësaj skëterre të dikurshme: Kamp. Qe shkruar edhe në një emërtim pothuaj zyrtar: Qendra shëndetësore Çermë-Kamp. I ka shpëtuar censurës ky emërtim? Rastësisht? Qëllimisht?
Gradishta: një geyser rënkimesh
Për nga shtrirja, por sidomos për nga numri i shumtë i personave të kaluar nëpër sitën e internimeve të këtushme, pas 1969-ës e këtej, Gradishta mund të mbajë edhe një rekord, sa të trishtuar aq edhe tragjik. Një gulag tipik, ndërtuar në mes të baltës, shpesh po prej vetë të internuarve, pa kanalizime për ujërat e zeza (ato ishin gropa në qiell të hapur, që prisnin një qerre për t’u pastruar, që shpesh përziheshin me ujërat e mbetura prej larjeve të të internuarve, edhe kalonin nëpër kanale të cekët, mes barakave, por edhe anash rrugicës së ngushtë që ndante dy blloqet kryesore të banesave), pa ujë të rrjedhshëm (ai vinte i racionuar, me autobot, vetëm vonë u soll një çezmë e përbashkët, në radhën para të cilës nuk mungonin bërrylat, sherret dhe provokimet për të përçarë të dënuarit). Lista e emrave të familjeve të shquara të sjella këtu, të ripostuara gjetkë, apo të kthyera sërish, është e stërgjatë. Me pak, përjashtime, janë pothuaj ata që gjenden edhe në kampet e tjerë, por sidomos në Savër. Ndërkaq emrat që mungojnë gjenden në sektorët Plug, Gjazë, Çermë-Kamp e Savër. Ky i fundit, Savra, ka pasë qenë lëmi i grumbullimit dhe i shpërndarjes së “prodhimit armiqësor”, dhe mund të konsiderohet kampi mëmë. Që andej niste popullimi me skllevër i kampeve “bij”. Kjo mëmë sadiste i shpërngulte apo i rikthente, sipas ekzigjencave të survejimit, por edhe sipas nevojës së partisë për krahë pune në bujqësi.
Sapo mbërritëm në atë zonë, kërkuam të dimë se ku ishte kampi. Unë nuk kisha qenë atje qëkur ishim gjendur në kuadrin e një mitingu për demokracinë, në fillimin e vitit 1991, dhe e pata të vështirë të orientohem, edhe për shkak të degradimit të gjithanshëm të gjithë zonës përreth.
Këtu jemi në Ferras, më tha dikush, emërtimi kamp nuk ekziston. Dhe u përpoq të më shpjegonte diçka që në fakt e dija që më parë.
Ferras ka qenë quajtur ky vend para se të merrte emrin Gradishtë-Sektor. Ashtu siç u krijua emri Savër – Sektor, Çermë – Sektor (i mbetur pa emër tjetër edhe sot e kësaj dite), Çermë – Sektor nr.2, i mbetur me emrin që të fut drithmën “Kamp”; ashtu si Sektori – Grabian, Sektori – Plug, Gjazë etj.: kamuflim i vendeve të internimit si sektorë të ndërmarjes bujqësore.
Në ish sheshin kryesor të “sektorit” të degraduar, kërkuam dikë që të na shoqëronte. Kemi kryeplakun këtu, u hodh njëri prej frekuentuesve të klubit të atjeshëm. Edhe ai ka qenë i internuar. Unë iu drejtova grupit ku mund ta gjeja. Dikush prej tyre tha me zë të ulët: Do jenë gazetarë, nuk del gjë nga këta. Unë u prezantova dhe kërkova të flas me kryeplakun. Edhe ai u prezantua, ftohtë. Quhej Bajram Koloshi. Ishte pikërisht ai person që kish shprehur mosbesim në drejtimin tonë. I thashë përse kisha ardhur deri aty. Eh, sa gazetarë e qeveritarë kanë ardhur këtu, bëjnë intervista, premtojnë, e pastaj zhduken. Unë u përpoqa t’i them që nuk bëja pjesë në ato kategori, por ai ndërkaq ish larguar, por pasi t’i thoshte njërit prej burrave të pranishëm që të na ndihmonte. “Ciceroni” kësaj here quhej Agron Zaçe. Me të përshkuam të gjithë zonën e barakave të të internuarve.
Dhe dua të them që në fillim se në Kampin e Gradishtës gjendja ishte shumë më e keqe sesa në Savër apo në Çermë-Kamp. Këtu ishte kaluar nga mjerimi i barakave të dikurshme, në shkatërrim total. Përjashtuar ndonjërën nga barakat në të cilën jetonte akoma familja e Zenel Tërnakut, apo ndonjë tjetër bujtës, të gjitha të tjerat ishin vetëm mirazhe banesash të dikurshme, më të dhimbshme në këtë formë të re, si dëshmi në agoni. Sa më thellë të futeshe në atë realitet, aq më dramatik bëhej ambienti. Më të shpërfytyruarat baraka kishin në kujtesën e plagosur emrat e Lekë e Mojs Mirakës, Xhevdet e Bujar Kaloshit, Thanas Budës, Abdurrahman Kaloshit, Lek Pervizit… Menajt, Kupët, Dostët, Demajt, Herrajt… Staraveckët, Zevot, Resulët, Bylykbashët…
Gjithandej zot i vendit ishte degradimi: Çati eterniti duke rënë, mure prej qerpiçi e kallamash, të cilëve u kishin mbetur vetëm hunjtë e shtrembër, diku mbuluar nga barërat e këqija, diku shndërruar në stalla bagëtish, në magazina rrangullishtesh apo jonxhe, në strehë qensh.
Monumenti i dhunshëm i Lushnjes
Që shqiptarët e kanë kujtesën të deformuar, një shembull tipik e japin edhe lushnjarët. Nuk ka sesi të jetë ndryshe, kur durojnë, në sheshin e tyre kryesor – sa herë që bëjnë festa, sa herë që dalin nga klubet, apo në xhirot e mbrëmjes – monumentin më të lartë të këtij qyteti, atë të marrjes së tokave të fshatarëve. Duhej të ndërronin rrugë, por i sillen vërdallë indiferentë; duhet t’u vinin të vjellat para saj, por ata kanë stomakë të fortë, siç duket; duhet të ishin revoltuar për një kohë “no limits”, por ata heshtin.
Këtu e njëzet e tre vjet më parë, në gazetat “Ora e fjalës” dhe “Republika”, hodha idenë e dërgimit të atij monumenti në fonderi dhe ngritjen e një tjetri në vend të tij, atë të genocidit komunist. E meqenëse që atëherë asgjë nuk ka ndryshuar, po i përsëris të gjitha arsyet dikur prej meje të përmendura:
Ai monument i turpshëm është politikisht i dëmshëm, pasi kërkon të përjetësojë reformat më të përgjakura e tragjike të Myzeqesë. Pacipësisht është edhe quajtur “Toka jonë”. Toka e kujt? Ajo e atyre që ua morën? Ajo që e kolektivizuan? Ajo e atyre që zhveshën fshatarin deri në palcë? Që nuk ia shuan urinë as me bukë misri?
Duke qenë i ngritur nga komunistët atëherë kur po e kuptonin falimentimin e rendit të tyre antinjerëzor, pra shumë vonë, (në vitin 1987), ai monument u kuptua si tendencë e tyre për t’u përjetësuar. Sot, në një shtet të vërtetë demokratik, ai është edhe i rrezikshëm; është dhe, sa të jetë në këmbë, do të jetë burim tensionesh politike. Edhe pse për momentin të përgjumura.
Për arsyet e mësipërme, ai është edhe një monument historikisht i falsifikuar. Provoni të pyesni ata pak të mbijetuar të kohës së kolektivizimeve se me sa “gëzim” i kanë dhuruar tokat dhe bagëtitë! Shfletoni vetëm dokumentet e lëna pas po prej arkivave të diktaturës, lexoni shtypin shqiptar të atyre viteve, pyesni familjet e Fuat Kurtit, Demir Guberës, Hysen Bahos, Mitro Vulos, Hamdi Sefës, Veiz Kurtit, Rrap Qerretit, Naum Dajës dhe Jorgji Dajës, të dënuar me vdekje e sekuestrim të pasurisë. Nëse nuk ju mjaftojnë këto jetë të sakrifikuara, mund t’ju ofrojmë edhe ato të atyre me burg të përjetshëm… Të gjithë sepse ishin shpallur kulakë, pasi nuk u kish pëlqyer kolektivizimi.
Monumenti i turpshëm i Lushnjes duhet dërguar në fonderi edhe pse ai nuk është skulpturë me taban kombëtar (ky term i pëlqente shumë komunistëve). Përjashto bazamentin, ai kompleks në bronx është i punuar i gjithi sipas modeleve sovjetike. (Dhe kjo nuk është e vetmja skulpturë në Lushnje që vuan prej sovjetikërisë apo kinezërisë, shpesh edhe e kopjuar 100% prej “veprash” të atyre vendeve). “Toka Jonë” është edhe një vepër tipike sipas mësimeve të partisë: në njërën dorë kazmën e në tjetrën pushkën, apo sipas idesë standard të aleancës së “kllasës” punëtore me fshatarësinë kooperativiste.
Nga pikëpamja e realizimit artistik, kjo masë tre-figurëshe prej bronxi, me gjithë respektin për autorin Perikli Çuli, është tejet mediokre, prandaj me shkrirjen e saj nuk shoh as edhe më të voglën humbje për artin kombëtar.
Prandaj ky monument kaq poshtërues në përmbajtje, artistikisht mediokër, politikisht i dëmshëm dhe historikisht i falsifikuar, duhet zhdukur prej andej.
Me se mund të zëvendësohet? Me diçka të natyrshme, për të cilin Lushnjes duhet t’i njihet rekordi zyrtarisht: Me një kompleks monumental për persekutimin komunist.
Dhe jo vetë kaq. Lushnja ka nevojë edhe për një muze të këtij persekutimi të pashoq.
Po ashtu duhen bërë muzeale edhe kampet e internimit kudo që kanë qenë.
Sa nuk është vonë, sa mundet akoma të rekuperohen. Përveçse dëshmi të patjetërsueshme historike, ato fshatra – muze mund të jenë edhe burim biznesesh për popullsitë e atjeshme pasi, sigurisht, kanë për të tërhequr shumë vizitorë shqiptarë e të huaj.
Kryeqeveritari i sotëm, në premtimet e tij paraelektorale, sidomos në Amerikë, ka pasë premtuar që do të zgjidhte shumë probleme të ish të dënuarve e të persekutuarve politikë, madje e ka pasë paraqitur veten si i vetmi që mund t’i zgjidhte ato probleme. Pa asnjë paragjykim parafabrikat nga të tjerët, ai ka rastin të japë konfirmim edhe të këtyre premtimeve.
Le të shpallë një konkurs kombëtar më temën e monumentit të ri të Lushnjes, lë të përpiqet ta ndihmojë me fonde. Nëse do t’u kërkohet ndihmë edhe ish të persekutuarve, të ndodhur në Shqipëri apo diasporë, jam i sigurt që angazhimi i tyre nuk ka për të munguar.
Duhet rekuperuar kujtesa kombëtare, sa nuk është shuar akoma e gjitha. Pavarësisht nga partitë që mendojmë se përfaqësojmë. Që të mos vazhdojmë të mbetemi një gjysmëpopull, duke çnderuar vazhdimisht pjesët tona nga më të rëndësishmet. Që të arrijmë të bëhemi një komb i vërtetë, i plotë, që njeh tek lideri të gjithë vetveten, jo vetëm ndonjë gjymtyrë të saj.
(fotot nga Edi Salla)
Toleranca fetare, një vlerë e rrallë e shqiptarëve
Nga Bujar Nishani*/
Është një nder dhe një privilegj i madh edhe për mua të jem sot mes jush, e të marr pjesë në këtë Festë të Shenjtë. Dëshiroj të falënderoj nga zemra për ftesën drejtuesit e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, autoritet vendore dhe e mirëprita me lumturi të veçantë pjesëmarrjen në këtë festë, që po bëhet gjithnjë e më shumë mbarëshqiptare.
Gjatë këtyre ditëve festive, ky Mal i shenjtë pret krahëhapur e shtrëngon në gjirin e tij mijëra e mijëra besimtarë bektashianë, por edhe shtegtarë të devotshëm që vijnë nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, madje edhe nga Diaspora e madhe shqiptare nëpër botë.
Bukuria mahnitëse e këtij Mali, flora dhe fauna e këtyre rrethinave sa të ashpra, aq edhe magjike, trevat që e rrethojnë përqark si diamante të një kurore xhevahiresh shqiptare, njëra më e mrekullueshme se tjetra, të banuara nga njerëz bujarë, fisnikë e mikpritës – të gjitha këto kanë lindur, frymëzuar, ushqyer poetë, luftëtarë e atdhetarë shqiptarë ndër shekuj, por kanë ngjallur edhe ndjenjat krijuese të artistëve, piktorëve e shkrimtarëve të huaj përgjatë shekujve.
Dëshiroj që të përshëndes e të vlerësoj kontributin dhe veprën e drejtuesve të nderuar bektashinj që nga Baba Abaz Aliu, Vëllezërit Frashërlinj, e deri te i ndjeri Haxhi Dede Reshat Bardhin – por, veçanërisht sot Haxhi Baba Edmond Brahimajn, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, i cili vazhdon traditën e shkëlqyer të veprimtarëve të palodhur në konsolidimin e dialogut shoqëror dhe ndërfetar.
Këtu, është gjithashtu vendi dhe momenti të përkulemi me respekt dhe të përshëndesim kontributin e dhënë nga Andon Zako Çajupi dhe shumë rilindës të tjerë, kleriku Ali Turabiu, Perikli Ikonomi apo edhe piktori i madh anglez, Eduard Lir, të cilët me veprat e tyre kanë evokuar vlerat natyrore, historike, atdhetare, fetare dhe trashëgiminë kulturore të kësaj zone të mrekullueshme.
Ashtu siç tregon dhe një nga legjendat më interesante të kësaj zone, mal më të bukur Perëndia nuk ka ditur të bëjë, dhe kur deshi të bënte një më të bukur, iu prish balta në dorë.
Jo më larg se disa më parë, Papa Françesku duke shpjeguar arsyet pse do të vizitojë vendin tonë më 21 shtator, vuri në dukje se Shqipëria ka ditur të krijojë unitetin e saj kombëtar të bazuar në vlerat e tolerancës, harmonisë, bashkëjetesës dhe respektit fetar. Përfitoj nga ky rast i bekuar për të vënë në dukje e theksuar një vlerë sa të rrallë, aq edhe të natyrshme të popullit e vendit tonë: bashkëjetesën historike e tradicionale mes feve në Shqipëri, ku pasuesit e gjashtë feve ushtrojnë krejt lirshëm e në harmoni të plotë me njëri-tjetrin besimin e tyre shpirtëror.
Kombi shqiptar e ka mbrujtur, ushqyer, ruajtur dhe përsosur këtë bashkëjetesë, harmoni dhe tolerancë fetare përgjatë shekujve. Vërtet rilindasi ynë vizionar Pashko Vasa pat shkruar vargjet legjendare: ‘’Feja e shqiptarit është shqiptaria’’, por themelet e shëndosha të bashkëjetesës sonë fetare ne kemi ditur t’i ndërtojmë duke ndërthurur tharmin e besimit që i bashkon njerëzit, pavarësisht se si i falen Zotit tonë të përbashkët, me doket dhe zakonet më të mira shqiptare të besës, mikpritjes, nderimit dhe respektit për mikun dhe tjetrin që mund të jetë ndryshe nga ne.
Kjo bashkëjetesë, harmoni e tolerancë është kontribut dhe fryt i bashkësive fetare shqiptare, i përfaqësuesve dhe drejtuesve shpirtërore, të cilët predikojnë me urtësi dhe devotshmëri mësimet e shenjta dhe parimet e shëndosha të moralit njerëzor, por mbi të gjitha, këto vlera u përkasin qytetarëve shqiptarë, të cilët i ruajnë e i lartësojnë ato dita-ditës.
Këto vlera të patjetërsueshme, këto visare të çmuara të kombit tonë ne jo vetëm do t’ua lemë trashëgim brezave të ardhshëm, por do t’i përçojmë dhe eksportojmë edhe në mozaikun e vlerave të shumëllojshme të familjes së madhe evropiane, aty ku aspirojmë të bëjmë pjesë sa më shpejt e me merita të plota edhe zyrtarisht, e jo vetëm gjeografikisht.
Fati i shkruar nganjëherë na ka vënë krah për krah apo përballë njëri-tjetrit me ide, bindje fetare apo politike të ndryshme, por duke qenë se kërkohen sakrifica të përbashkëta dhe duke pasur parasysh se që të gjithë aspirojmë një jetë më të mirë në paqe e në harmoni, kam bindjen e palëkundur dhe optimizmin e pashtershëm që do t’ua dalim mbanë bashkërisht edhe sfidave të ardhshme të integrimit dhe zhvillimit të gjithanshëm për ta konsoliduar e lartësuar akoma edhe më shumë imazhin e Shqipërisë sonë të përbashkët në të gjithë botën.
Diktatura komuniste u përpoq me çdo mjet ta shkëpuste shqiptarin nga besimi e Zoti, duke vrarë, burgosur e syrgjynosur klerikët e duke shkatërruar objektet e kultit – përpjekje që arritën kulmin absurd në vitin famëkeq 1967 kur feja u ndalua me ligj dhe Shqipëria u vetëshpall i vetmi vend ateist në rruzull.
Por ja ku jemi sot, në Teqenë e Kulmakut, në majën e shenjtë të Malit hijerëndë e kreshtathinjur, në Tomorin e lashtë, që përpos madhështisë së tij karakteristike, ofron edhe një frymëzim të pakrahasueshëm shpirtëror, artistik e natyror.
Gjatë këtyre pesë ditëve të mirësisë bektashiane, kur faleni e bëni kurban për shëndetin tuaj, për familjet, për mbarësinë, për pjellorinë dhe kohë gjithnjë e më të mira për vete, jam i sigurt që lutjet dhe urimet tuaja shkojnë edhe për Shqipërinë e shqiptarët, për të ardhmen tonë sa më të sigurt, të begatë e krenare.
Prandaj urimi im i vetëm, sot, këtu, mes jush, urimi që më del nga thellësia e zemrës, krahas mirënjohjes edhe një herë për ftesën që më bëtë, është: Paçi përpjetë ditë të tilla të hareshme e të lumtura, plot shëndet e harmoni në këtë truall të bekuar shqiptar!
Zoti e bekoftë vendin tonë! Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe shqiptarët kudo ku janë! Gëzuar! Mbarësi në familjet tuaja!”
*Fjalimi i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në ceremoninë tradicionale të pelegrinazhit bektashian në Malit e Shenjtë të Tomorit, që u zhvillua në mjediset e Teqesë së Kulmakut.
LISTA NR 8- NJIHUNI ME KONTRIBUTIN E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS PËR SHPËTIMIN E SHQIPËRISË
NE LISTEN E SOTSHME-KONTRIBUES NGA : WORCESTER, MASS. CANTON, OH, WEST TORONTO, ONT, KANADA,/
(Vijon nga Dielli online, 30 korrik, 31 korrik, 3, 5-6, 9 ,11 gusht 2014)- Ja kontribuesit e dates 3 qershor 1917 (Fushata vijoi edhe ne vitin 1918).
Do te vijojme te publikojme edhe listat e tjera, jo me shume per shumat e dites se pare te fushates se sa per evidentimin e vatraneve te asaj kohe.
WORCESTER, MASS.
Shoqëria Kishëtare Fjetja $ 25
e Shën Marisë
Thoma G. Rëmbeci $ 10
Vëllazëria N. Pano $ 80
Stavre S. Sotir $ 100
Kristaq Mina $ 17
Mihal H. Adams $ 25
Loui George $ 10
Toli Kondakëi $ 10
Vëll. S. Kere $ 30
Isaak Gordin (një çifut) $ 5
Nuçi Sterjo $ 5
Joseph Christo $ 10
At Damiani $ 20
Nidhi V. Leno $ 10
Vasil Poçari $ 10
Azmi Çomo $ 20
Nebi Lib(o)hova $ 10
Koli Koki $ 10
Nuri Çomo $ 11
Thoma Polena $ 5
Musa Sali $ 5
Xhemal Lib(o)hova $ 5
Loni Koki $ 3
Vangjel Koci $ 10
Sotir Koki $ 10
Arun Filati $ 10
Dimitri Kotnani $ 10
Vasil Kosta $ 10
Kristaq Spiro $ 5
Nikollaq Janaq Korça $ 10
Vani G. Mageri $ 10
Xhuvi G. Koki $ 20
Ndreçi Krenxhi $ 10
Spiro D. Gostivishti $ 5
Dimitri Bala $ 10
Vëll. Niazi Çomo $ 20
Ali Ibrahim Babani $ 20
Zoj Bani $ 25
Sabri Zenun Backa $ 10
Neki Shahin $ 58
Spiro Kostandin $ 10
Veli Voskopi $ 20
Kostandin Bani $ 10
Kristo Cipku $ 10
Axhem Hasan $ 5
Riza Ysen $ 10
Refat Pipa $ 15
Thanas Geço $ 5
Të mbledhura që vjet $ 12
për delegatin
Vëll. Verdi $ 5
George Aleks $ 10
Koli Kolevica $ 10
Gon Mulaa $ 5
Andrea Zissi $ 5
Niko Aristidh (grek) $ 5
Qerim Backa $ 10
Sali Melçani $ 5
S(h)uma e ndihmave $ 1091
Numëri i ndihmëtarëve 82
Ndihma midisore $ 13.30
Rekordin e kollonisë e ka Z.. Stavre Sotir me $ 100.
CANTON, OH
Maksut Vinçani $ 12
Fejzo M. Vinçani $ 10
Rexhep S. Vinçani $ 15
Ahmet S. Vinçani $ 10
Xhafer A. Vinçani $ 11
Bahri A. Vinçani $ 10
Rexhep H. Vinçani $ 10
Bektash Xh. Vinçani $ 15
Abdyl Xh. Vinçani $ 5
Hajmak Xh. Vinçani $ 5
Ali H. Vinçani $ 15
Abidin A. Vinçani $ 10
Isuf J. Vinçani $ 15
Abdullah J. Vinçani $ 10
Muharem T. Nishani $ 10
Xhevdet J. Vinçani $ 5
Hasan A. Vinçani $ 5
Hasan D. Vinçani $ 15
Neim A. Vinçani $ 10
Qazim J. Vinçani $ 5
Riza M. Vinçani $ 5
Asllan A. Vinçani $ 5
Ali J. Vinçani $ 5
Rushan J. Vinçani $ 5
Haki J. Vinçani $ 5
Qerim Z. Vinçani $ 5
Xhamehmeti K. Vinçani $ 10
Adem J. Vinçani $ 2
Xhelal M. Vinçani $ 10
Hasan M. Porodina $ 5
Nuçi Balauri Korça $ 10
Qani Shehu Korça $ 11
Rustem Ah. Korça $ 10
Etem A. Gjançi $ 10
Rapo A. Senishti $ 10
Muharem J. Qatromi $ 5
Osman V. Qatromi $ 5
Mersin A. Qatromi $ 5
Tahir A. Damjaneci $ 10
Abdi J. Damjaneci $ 5
Hasan A. Damjaneci $ 10
Xhemal F. $ 10
Veiska J. Damjaneci $ 5
Rushan J. Goskova $ 3
Sherif H. Goskova $ 5
Hysen F. Turani $ 15
Xhevdet J. Turani $ 10
Haki Bej J. Çerava $ 10
Hysen H. Melçani $ 5
Hajdër J. Kamenica $ 7
Riza J. Ligaveci $ 5
Ismail Sh. Lumalasi $ 5
Mehmet M. Vashtëmija $ 5
Mehmet H. Voskopi $ 5
Nezir Lazhani $ 5
Sulejman Progri $ 2
Veli Semishi $ 2
Fike Bozi $ 1
S(h)uma e ndihmave $ 456
Numëri i ndihmëtarëve 58
Ndihma midisore $ 7.86
_______
WEST TORONTO, ONT., CANADA
Nazif Suleman Bitincka $ 53
Ramadan Dalip Bitincka $ 20
Qamil Sali Bitincka $ 15
Selim Halim Bitincka $ 20
Musa Hysen Bitincka $ 5
Rexhep Hysen Bitincka $ 10
Saliko Daut Bitincka $ 5
Hysen Jaup Bitincka $ 5
Ramadan Tahir Bitincka $ 15
Haki Hysen Bitincka $ 10
Vëll. Seitali Latif Bitincka $ 20
Rushit Hysen Bitincka $ 20
Hajdër Beqir Bitincka $ 20
Besim Haxhi Bitincka $ 10
Ismail Emin Bitincka $ 2
Besim Jonuz Bitincka $ 2
Muamer Abidin Korça $ 50
Nazif Hajridin Korça $ 10
Hasan Ibrahim Treni $ 20
Muharem Ahmet Zelengradi $ 10
Riza Shemshedin Manchurishti $ 5
Daliko Zëmblaku $ 5
Batiar Halil Braçani $ 10
Osman Haxhi Progri $ 5
Laho Taip Vidhova $ 10
Bedri Hysen Qatromi $ 10
Islam Rushan $ 5
Vëll. Refat Suleman Tresteniku $ 56
Sabri Tahir Tresteniku $ 20
Myhidin Oran Bilishti $ 10
Vëll. Hilmi Bilishti $ 52
Vëll. Izet Hasan Bilishti $ 25
Shaban Bajram Bilishti $ 5
Hakik Shain Bilishti $ 5
Emin Ali Bilishti $ 20
Faik Myrteza Bilishti $ 20
Demir Dajlan Bilishti $ 5
Feim Jashar Bilishti $ 10
Ramadan Suleman Bilishti $ 8
Hajro Nexhip Bilishti $ 5
Ibrahim Etem Bilishti $ 5
Galip Yzeir Suli $ 10
Xhevdet Ali be Suli $ 15
Ismail Musa Suli $ 15
Sherif Emin Vlora $ 5
Sherif Rakip Vishocica $ 20
Riza Pasho Arza $ 8
Mymin Ymet Oshanji $ 5
Halim Sherif Oshanji $ 5
Refat Hysen Oshanji $ 2
Ahmet Seit Oshanji $ 2
Sali Ymer Oshanji $ 2
Osman Ali Oshanji $ 2
Tahir Emin Revani $ 10
Refat Emin Revani $ 7
Sherif Suleman Shënëdjeli $ 5
Ismail Isuf Shënëdjeli $ 15
Islam Abdurahman Shënëdjeli $ 10
Ali Mehmet Shënëdjeli $ 5
Izet Demirshah Shënëdjeli $ 5
Arif Ismail Shënëdjeli $ 5
Abdyll Seit Shënëdjeli $ 3
Haxhi Suleman Shënëdjeli $ 2
Shefqet Jaup Shënëdjeli $ 2
Sinan Demirshah Prapacka $ 8
Mehmet Aziz Prapacka $ 2
Rushan Ibrahim Slivani $ 5
Bedir Qazim Slivani $ 3
Musa Shaqir Slivani $ 2
Suleman Yzeir Slivani $ 2
Shaqir Hysen Bilishti $ 15
Zyhridin Myhidin $ 15
S(h)uma e ndihmave $ 819 (bashkë me një ndihmë të veçantë)
S(h)umë e tërë $ 843.93
Numëri i ndihmëtarëve 72
Rekordin e ka Z. Nazif Suleman Bitincka me $ 53.(Vijon)
Pse Nikoliç “ndihëmon” për bashkimin e shqiptarëve?!
Nga Enver Bytyçi/
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka deklaruar se vendi i tij është i vendosur që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, edhe nëse e rrezikon hyrjen në Bashkimin Evropian.
“Serbinë tash e pret një periudhë e zhvillimit dhe prosperitetit, gjendemi në rrugën për hyrje në Bashkimin Evropian, dhe jemi këmbëngulës që të mos e pranojmë pavarësinë e Kosovës, saqë jemi të gatshëm ta rrezikojmë atë rrugë, e cila është ardhmëria jonë, por ekziston diçka që quhet krenari”, tha Tomisllav Nikolliq, gjatë takimit të sotëm në Beograd, me presidentin e fondacionit “Barack H. Obama”, Abongo Malim Obama.
Ky ishte lajmi i të shtunës dhe të dielës. Po a është dhe a do të mbetet një lajm i ri, fakti që Nikoliç refuzon kategorisht njohjen e Republikës së Kosovës, shtet të pavarur e sovran? Një retrospektivë e zhvillimit të ngjarjeve prej më shumë se njëzet vitesh na njeh me faktin se të gjithë presidentët e kryeministrat e Serbisë, të gjithë shefat e diplomacisë së saj, të gjithë krerët e Kishës Ortodokse Serbe, të gjithë emrat prominentë të Alkademisë së Shkencave dhe Arteve të Beogradit, pa përmendur çetnikët e të gjitha kohërave dhe rrymave, kanë refuzuar të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje. Këtë e ka bërë edhe Milosheviçi, edhe Koshtunica, edhe Tadiç, po e bën Nikoliç, pasuesi i Vojisllav Koshtunicës, i cili me platformën e tij antishqiptare të vitit 1995 rekomantonte shfarosjen e shqiptarëve përmes shpërnguljes, ushtrimit ekstrem të dhunës, deri edhe të infektimit të tyre me virusin e SIDE-s. Pra, shqiptarët janë mësuar me çmendurinë politike, ushtarake, paramilitare, policore, barrikaduese, shkatërruese e asgjësuese të Serbisë, çmenduri, të cilën e shohim çdo ditë të na shfaqet në veriun e Mitrovicës e kudo ku serbët kanë mundësi ta shfaqin.
Por ajo që bën përshtypje në këtë rast është se deklarata e presidentit të Serbisë i drejtohet vëllait të Barak Obamës, Abongo Malim Obama. Kjo i jep një dimension të ri konceptit revanshist të Serbisë për Kosovën. Kjo do të thotë se Nikoliç kërkon aleatë në SHBA për revanshin e tij politik në Kosovë. Ndoshta i shkon mendja se mund të tërheqë edhe presidentin e SHBA-ve në aventurën e tij, njehrësh të zakontë e njëkohësisht të pazakontë, për shkak të një marrëveshjeje që dy kryeministrat e të dy vendeve kanë nënshkruar më 19 prill të këtij viti në Bruksel.
Një deklaratë e tillë e shpallur në sytë e një prej personaliteteve më të njohur, me lidhje gjaku me presidentin Obama, duket edhe si një sfidë e llojit të veçantë, të cilën vetëm nacionalistët, ekstremistët dhe terroristët serbë dijnë, kanë guximin dhe vetëdijen e tillë që ta bëjnë. Një prej tyre, presidenti serb, Nikoliç, nuk bën përjashtim nga garnitura nacionaliste e Serbisë e gatuar me mentalitetin e doktrinave të shumta shoviniste si ajo e Naçertanies se Ilia Garashaninit, apo platformat e tjera të mëvonëshme, duke filluar me Cvijiçin, Pashiçin, Çubrilloviçin, Rankoviçin e deri te Sllobodan Milosheviçi. Breza të tërë të mëkuar me mitin për Kosovën kanë lënë pasardhësin e tyre të denjë në krye të shtetit të Serbisë, me emrin famëkeq, Tomisllav Nikoliç, për shkak të angazhimit të tij krah Shejshelit dhe Milosheviçit për asgjësimin dhe shfarosjen e shqiptarëve.
Pa bërë shumë histori, le të kthehemi te realiteti i sotëm në Kosovë, Serbi e në rajon, për të saktësuar sa reale dhe logjike është deklarata e Nikoliç. Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët për normalizimin e lidhjeve midis tyre. Kjo marrëveshje vazhdon të negociohet për zbatimin praktik të saj. Ajo ka në themel të saj njohjen e realitetit në Kosovë, dmth vendosjen e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, duke mbajtur parasysh faktin se tashmë Kosova funksionon si shtet i pavarur e sovran, i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së. Nëse i heq marrëveshjes midis Prishtinës e Beogradit këtë substancë të sajën, atëherë ajo bëhet e paqenë. Nëse e zhvesh marrëveshjen e 19 prillit nga pranimi i realiteteve të reja të krijuara me formimin e shtetit të Kosovës, atëherë vjen pashmangshëm dështimi i përpjekjeve të BE-së dhe baroneshës Eshton për vendosjen e paqes e të sigurisë në Europën Juglindore. Ndërkaq duket se Nikoliç është i pakënaqur me marrëveshjen në fjalë nënshkruar nga aleati i tij, Daçiç e kryeministri shqiptar, Thaçi. Ai luan rolin e kalit të Trojës në normalizimin e këtyre marrëdhënieve dhe bën diversion politik përkarshi SHBA-ve, Europës, Kosovës e shqiptarëve në Ballkan si dhe përkarshi disa udhëheqësve politikë në Beograd, të cilët preferojnë Brukselin në këmbim të Kosovës.
Një analizë e ftohtë e situatave që zhvillohen, çon në përfundimin e pakontestuar, sipas të cilit Serbia e ka të pamundur kthimin mbrapsht të proceseve integruese e bashkëpunuese rajonale, si kushti kryesor i hapave integruese në Bashkimin Europian. Por pengesa Nikoliç si dhe pengesa të tjera të kësaj natyre do të zgjasin procesin e integrimit jo vetëm për Serbinë, por edhe për të gjithë rajonin. Mësë paku deklarata e tij do të trimërojë serbët e veriut të Kosovës, me qëllim që ata ta refuzojnë projektin europian të normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Se do të ndodh kështu duket edhe në disa ngjarje të tjera të kohëve të fundit. Qeveria e Serbisë vendosi të krijojë strukturat e saj të ashtuquajtura legale aty ku jetojnë serbët në Kosovë. Ishte ky një vendim provokativ që i kundërvihet drejtpërdrejt marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 19 prill. Strukturat paralele në veri të Kosovës u mblodhën dhe vendosën gjithashtu që të refuzojnë zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, me të cilat do të njihej autoriteti i Prishtinës në këtë pjesë të Kosovës.
Po t´i shtojmë deklaratës së Nikoliç të gjitha ndodhitë kundraproduktive në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, atëherë duket qartë se nuk do të jetë lehtë zhvillimi komplementar i të gjithë rajonit e në veçanti integrimi në BE e në NATO. Prandaj Prishtina zyrtare si dhe strukturat joqeveritare, institucionet, njerëzit që kanë kompetencën të marrin vendime, të gjithë shqiptarët, madje dhe Tirana zyrtare, shqiptarët në Maqedoni, ata në Serbi, në Malin e Zi kanë detyrimin të përcaktojnë sjelljen e tyre në rrethana, të cilat Beogradi mund t´i imponojë. Derisa presidenti i Serbisë deklarohet kaq hapur kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj atëherë duhet marrë në konsideratë dhe duhet vlerësuar si serioze situata që mund të krijohet pas kësaj. Refuzimi i Beogradit do të çojë domozdoshmërisht në refuzimin e Moskës, pra legalisht do të pengohet jo vetëm përparimi e integrimi i saj, por edhe pranimi në OKB.
Tashmë statuskuoja në marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë do të shndërrohet në një pengesë serioze për të gjithë shqiptarët në rajon, sidomos për Shqipërinë dhe Maqedoninë, jo vetëm në kuptimin e krijimit të hapësirës “Shengen” të Ballkanit, por edhe më gjerë. Nëse Nikoliç është serioz në deklaratën për mosnjohjen “kurrë” të pavvarësisë së Kosovës, atëherë edhe shqiptarët duhet të bëhen më seriozë në reagimin e tyre të përbashkët. Një plan B është vërtet i domozdoshëm. Ky plan duhet të përfshijë në programin e tij një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. Kjo do të thotë se në të duhen planifikuar çeshtjet e risendërtimit të hartës politike të rajonit, jo më në bashkëbisedim me Serbinë e Nikoliçit e të Milosheviçëve të rinj, por më bashkësinë ndërkombëtare.
Nëse kemi parasysh diversionin serb të pandërprerë, atëherë duhet shkuar kah gjetja e një zgjidhjeje, e cila jo vetëm i jep Kosovës të drejtën e shtetësisë, por e bën të pamundur ndërhyrjen e Beogradit në punët e saj të brendshme. Zgjidhje të tilla nuk janë pak, ato janë disa. Një prej tyre është vendosja e rendit kushtetues në veri të Kosovës, pa i marrë leje Beogradit. Një tjetër zgjidhje është krijimi i një konfederate fillimisht Shqipëri-Kosovë dhe më pas bashkë me Maqedoninë dhe Malin e Zi, madje të hapur, nëse do të dëshironte, edhe për Serbinë. Unë po përmend këto dy opcione, të cilat nuk janë të lehta për t´u realizuar. Por në të vërtetë realizimin e tyre po e lehtëson vetë Serbia. Njësoj siç bëri Milosheviçi para vitit 1999. Nëse Milosheviçi nuk do të kishte hequr autonominë e shqiptarëve, nëse ai nuk do të kishte shkaktuar masakra e dhunë të tmerrshme që tronditi botën kundër shqiptarëve, zor se shqiptarët do ta kishin përkrahjen e botës për të patur shtetin e Kosovës. Pra, Milosheviçi mori jetë njerëzish, shumë jetë njerëzish, por është fakt se e lehtësoi qëndrimin e Perendimit në vendimmarrjen për Kosovën. Kështu po ndodh dhe do të ndodh edhe me udhëheqësit e sotëm e të ardhshëm të Serbisë, të cilët vijojnë ose do të vijojnë të udhëhiqen nga ideologjia fashiste e parardhësit të tyre. Qëndrimi i tillë çfarë ë shfq vazhdimisht presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, ka dy efekte pozitive, kompaktëson shqiptarët në idenë fikse të një zgjidhje radikale dhe përfundimtare të probllemit të tyre në dobi të lirisë e të demokracisë dhe mënjanon shumë prej vështirësive për t´u njohur ndërkombëtarisht kjo zgjidhje.
Zhagitja e mëtejshme e problemit të Kosovës dhe shtetësisë së saj të njëmendtë, kokëfortësia e Beogradit për të krijuar edhe më tej problem të panumërta, me idenë fikse të “neutralitetit ndaj statusit”, si dhe format e stërholluara të refuzimit të pavarësisë si ajo e logos së Republikës në fletët e votimit, vetëm se çojnë në radikalizimin e veprimeve në Kosovë. Nikoliç u përpoq në Beograd që ta bindë vëllain e presidentit amerikan për të mbështetur këto veprime të çmendura të tij dhe nëse Kosovës i hiqet bindja se “Amerika është me ne”, atëherë ky vend si dhe gjithë rajoni nuk do të kenë më qetësi. Kjo do të thotë që integrimi euro-atlantik të shtyhet për një kohë të gjatë, kjo do të thotë një cikël i ri i izolimit rajonal, kjo do të thotë hezitim i investimeve të huaja në Europën Juglindore. Dhe gjithë kësaj situate të padëshirueshme as për serbët vetë i kontribuon Tomisllav Nikoliç si dhe bëshkëpunëtorët e tij të ngushtë në qeverisjen e Beogradit.
Ndërkohë në Bashkimin Europian deklarata të tilla priten ftohtë e nuk vihet re asnjë shqetësim, ndonëse ndonjë deklaratë elektorale e politikanëve shqiptarë është interpretuar me forcë si “destabilizuese për rajonin”. Ky qëndrim i dyfishtë I Brukselit, pra kjo politikë proserbe dhe antishqiptare, duhet të marrë fund, ndryshe Stefan Fyhle me shokë nuk kanë pse akuzojnë viktimat e të shpërblejnë agresorët. Deklarata e Nikoliç ishte një aggression i ri kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Mësë paku ajo shërben si thirrje për të mos zbatuar marrëveshjen e nënshkruar më 19 prill 2013 për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Dhe kjo nuk është pak, nëse kemi parasysh që sponsor i asaj marrëveshjeje është Bashkimi Europian.
Por në Bruksel e kanë më të lehtë të bëjnë presion ndaj Thaçit, sesa ndaj Nikoliçit e Daçiçit. Prej këtej buron presioni që bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të mos përdorur simbolet e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 3 nëntorit. Nëse ndodh kjo, atëherë marrëveshja e Brukselit është ajo çfarë thonë serbët, shkurt një marrëveshje me parimin e neutralitetit ndaj statusit të Kosovës. Nëse është kështu, atëherë duhet të presim që nesër në Beograd të nisë iniciativa tjetër politike e diplomatike për të ridiskutuar për statusin e Kosovës. Dhe kur kjo të jetë pikë diskutimi, atëherë deklarata e pavarësisë, e lexuar me aq bujë nga Hashim Thaçi, do të rrëzohet, sepse do të duhet një deklaratë tjetër “pavarësie” apo “varësie”, e cila nuk do të jetë e formatit të deklaratës së 17 shkurtit 2008. Shkurt ka dy rrugë, ose duhet mbrojtur lufta e popullit shqiptar në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, ose duhet shkuar drejt një zgjidhje, të cilën e dëshirojnë serbët agresorë e për të cilën ata bëjnë presion të vazhdueshëm. Nëse udhëheqësit politikë në Prishtinë vihen përkrah ambicjeve të Beogradit, atëherë shqiptarët do të promovojnë një udhëheqje tjetër më dinjitoze për zgjidhjen përfundimtare të çeshtjes së tyre, në funksion të lirisë së pakushtëzuar nga askush.