(Sipas studiuesit Ilo Mitkë Qafëzezit dhe profesorit rumun Th. Kapidan)/
Përgatiti :Vepror Hasani/
Kur i sheh së largu këto kalive thua se po ke përpara ndoca kosherëza mizëbletësh apo kërpudha të mëdha (Th. Kapidan, Frasërotii, fq. 37-38)
Kur vemi që nga Korça për në fshatin Dardhë përtej grykës së Boboshticës, mbë të djathtë të rrugës së re, në rrëzat e malit Lisec ndën një sheshtirë të qarkuar prej malesh, që nuk e rrahin pothuajse fare erërat erëforta, syri i udhëtarit sheh me habi një shumicë kasollesh. Janë kalivet e vllehëve të Shqipërisë, nomadë, të cilët beharit verojnë bagëtinë në malet plot kullota të Korçës edhe, në dimër e shkojnë në vëri, pranë buzëdeteve të ngrohta shqiptare. Në muajin korrik të vjetëm, duke u ngjitur për në Dardhë, u kthyem dhe ne për një copë herë që të shohim këto kalive të çuditshme sa edhe të bukura. Janë lart nga 30 copë kalive në trajtën e një mullareje a të një qipiu të madh me bar së largu, këto kasolle të duken si ca të vërteta “koshka mizëbletësh”. Përveç këtyre, mbë një anë të të togut të kalibeve, është edhe një ndërtesë e vogël e gurtë, e cila shërben si depo e bulmetrave të zbritura prej malit, ku është “stani-fabrikë” e kaçkavallit prej kualiteti të shkëlqyer e të tjera. Në derë të depos na priti plaku “çobanbash”, xha Plasoti, (i ati i çobanbashit) – tregtar kaçkavallesh (Thoma Plasoti, i mirënjohuri si në Korçë, si dhe në tërë Shqipërinë). Plaku xha Plasoti me hapsin e madh të depos, ndër duar, të bën përshtypjen e një “Shën Pjetri” të vërtetë, si ruajtës e kujdestar i togjeve “të kuleçëve” kaçkavallë të bukur e fort të pastër, plaku çobanbash mban dhallin for të shijshëm, me të cilin “qiras” edhe vizitonjës korcarë, qoftë se psonisin apo jo nga bulmetrat e çkëlqyera të stanit të tyre. Me qetësinë të Shqipërisë xha Plasoti, plak 70-vjeçar, është tepër i kënaqur dhe hera-herës u kallëzon shtruar-shtruar çobanëvet djelmoshë se sa keq ishte në kohrat e Turqisë, kur s’kishte darkë e drekë prej perëndie që të mos xheremetisej me nga një e më shumë të pjekura kur e shkelte kapedani Ali Farmaqi dhe të tjerë hajdutë, të cilët pasi hanin mirë-mirë, kërcenin nga një valle rrotull stanit duke kënduar:
Mirëse të gjetëm
O çobanbash
Se darkë e drekë
O nga një dash
II
Përveç dy a tre çobenëve të kësaj kollonie pitoreske, të gjithë të tjerët ishin ndër malet me tufat e bagëtive. Njëri nga barinjtë na shpie ndër kalivet, përshkrimin e të cilave do ta japim gjerësisht më tej, ashtu siç e bën bukur profesori Kapidan i Universitetit të Kllushit të Rumanisë në librin e tij të titulluar “Frasërotii”. Përjashta kalibeve ishin të gjitha plakat çobanka, duke tjerur me furkë apo duke gatuar gjellën, edhe pranë tyre po luanin, rrëmeti i shumë kalamanëve të shëndetshëm e fytyrëpjekur. Përbrenda “kasolleve” ndë të gjitha ato gratë dhe vashat, po ujdisnin gropat e zakonshme (pranë hyrjes së kasolles, mbë të djathtë) për të storasur avëlmendet e tyre. Pyetmë dhe na thanë se ajo ditë ishte dita e caktuar, kur të gjitha këto shtëpresha, punëtore si mbletët, bënin po atë punë. Atë ditë bëhej më çdo kalive “instalimi” avëlmendeve, kurse, siç na thanë, gjer atëherë ishin bërë parapërgatitjet e tjera të kësaj industrie të bekuar shtëpiake, si lëvrimi i leshit, të tjerrurat, majë e hinit etj. Pothuajse gjithë këto kasolle prej purtekash të këtyre vëllehëve nomadë të Shqipërisë, që janë mbase “njerëzit më të lumtur të kësaj natyre, me gëzim të shihte syri edhe një a dy djepe të thjeshtë, ndë të cilët flinte apo rrinte zgjuar e të vështronte me ca sy të zez të mprehtë, voci lonjak vllah, vashë a djalë, bariu i nesërm i tufës së bekuar apo mbase “çobanbashi” dhe tregtari i bulmetrave të uruar e aq të mira të Shqipërisë. Voci e vocja e djepi ishte mbështjellur dhe lidhur në djepe porsi të gjitha foshnjat tona në Shqipëri, në qytete dhe fshatra, me mënyrën e qëmoçme, të cilën mënyrë një shëtitar ingliz Smart Hugher-i, sot e njëqind vjet të shkuar, e quan “të mbështjellur” e të lidhur si mumjet e Misirit”.
III
Këta vllehë ndënshtetas të urtë, të bindur sa edhe punëtorë, të çkathët e të fortë, kanë historinë e tyre fort të nderesaçme, (interesante), të përnguljes në vendin t’ënë dhe ndër viset e tjerë të Ballkanit Jugor. Mbi këtë pikë do të përshkruajmë një studim të shkurtër në këtë shtyllë, kur të vinjë radha. Kemi disa mijë vllehë shqiptarë të mirë që jetojnë bashkë me ne, një pjesë e tyre rrojnë veçuar, mirëpo një tjatër, mjaft i madh, si për shembull voskopojarët, korçarët e të tjerët, pasi u vendosën në qytetin tënë të ardhur këtu pas prishjes së Voskopojës u asimiluan aq mirë me ne, me anë të krushqive dhe janë çquar dhe po çquhen aq si tregtarë edhe si profesionistë të çdo dege në mes tonë, sa edhe si shqiptarë e qytetarë të mirë
* * *
Siç po sheh këndonjësi i nderuar, këtë radhë po bëjmë fjalë për atë pjesë vllehësh shqiptarë të cilët shkojnë një jetë natyrore të bukur për çudi: “jetë nomade”. Kjo jetë nuk është gjë tjetër veçse zakoni i dhënarëve vllehë që së bashku me të çuarit e tufave të gjësë së gjallë në mal apo në vërri, të këmbejnë edhe banesat e tyre fëmijare, (familjare), domethënë t’u venë pas bagëtive me gjithë fëmijë e plaçkë shtëpiake. Këtë zakon, që quhet “nomadizëm” e kanë patur edhe shqiptarët në kohët e moçme, kurse sot dhënarët tanë, si edhe vllehë të tjerë, që s’janë “nomadë” përcjellin vetëm bagëtinë me barinj, edhe vetë rrinë me fëmijën (familjen) atje ku i kanë shtëpitë: në mal apo në vërri. Këta blegtorë quhen vetëm “dhënarë nomadë”
IV
Të vazhdojmë temën e nisur, “Kolibet e Boboshticës”, pas përshkrimit të hollësishëm që na jep zotëria Profesor Kapidan, specialist në studimet e nomadizmit të vllehëve tanë. Zotëria e tij i vizitoi këto kalive në verën e vitit 1928, sot e katër vjet të shkuarë. (Ky material është botur në vitin 1932, shënimi ynë – V.H). Qëllimi i zotërisë Kapidan ka qenë, siç na thosh ai vetë, (në faqen 35 të volumit “Frasëriotii”), të vizitonjë veçanërisht edhe fshatin Boboshticë të Korçës, i banuar më tepër prej një fisi shqiptarë sllavësh, me qenë se pati marrë vesh që ata flasin një gjuhë bullgare “fort arkaike” dhe me veçorira, të cilat gjoja nuk i ka e folmja e sllavërve të Maqedonisë, kjo pikë e ka tërhequr dhe interesuar tepër studionjësin e ndrituar. “Përveç kësaj,- thotë zoti Kapidan, – ma kishte ënda ta shoh këtë plit edhe sepse aty është monastiri i Shën Kollit, (i ngrehur në vitin 1503, sot e 429 vjet të shkuar), në të cilin, në vitin 1709, Patriku Joasafi, voskopojari, është zgjedhur si i pari peshkop i Korçës, përpara se të bëhet patrik i Ohrisë, i prasmi, (i fundit) patrik i këtij qyteti, që më 1718-1745), siç thotë gjermani H. Gelzzer (në veprën Von Heiligen Berge und aris Makedonien Leipzig, 1904, f 1., 154). Kështu pra, mik i ndrituar i Shqipërisë, përpara se të vijë të shohë kalivet e vllehëve përtej grykës së Boboshticës, qëndroi së pari në fshatin Boboshticë, të cilin e viziton mbë të gjitha anët dhe bën një përshkrim mjaft me hollësi të vendit të fshatit të dëgjuar. Flet me fshatarët me gjuhën e tyre (pika që e intereson kryesisht profesorin e nderuar dhe i kupton fët-fët veçoritë që ka bullgarçja e këtyre, nga ajo e sllavëve të tjerë të Ballkanit. Tani po e lëmë të na kuvendojë vetë zotëria Kapidan: hem për Boboboshticën dhe vëllezërit tanë boboshtarë, hem për kalivet dhe vllehët nomadhë që verojnë përmatanë këtij fshati të bukur
V
“Fshati Boboshticë është i ngrehur tatëpjetë një bregu, i mbuluar me aq shumë blertëtirë e drunjëra, manash të shumta sidomos, që edhe pasi të afrohesh, shtëpitë nuk duken veçse kur të hysh në fshat”. “Posa arritëm në fshat, ia mbajmë drejt për në monastirin e Shën Kollit. Aty duallë na pritnë një plak dhe një plakë, të cilët na urdhëruan të hyjmë në manastir, duke na kuvenduar në gjuhën vllahishte të Vllahisë. Këta ishin sllavër të fshatit, të cilët patën bërë (jetuar) shumë kohë në Vllahi. Shumë nga këta sllavër dhe shqiptarë të Boboshticës jetojnë edhe sot në Rumani si tregtarë apo zi zanaqarë (zanatçinjë). Nga shqiptarët boboshtarë më të shumtit janë të vendosur në Bukuresht. Njëri nga këta ka qenë edhe i ati i shkrimtarit t’ënë Viktor Efthimiu (Ky shqiptar boboshtar është nga vjershëtorët dhe aktorët dramatikë më “fekundër” nga sa ka patur Rumania gjer më sot
Përpara katër vjetësh poeti Viktor Eftimiu ishte drejtor i përgjithshëm i theatrove të të gjithë Rumanisë. Veprat “ Feerik” më fort janë përkthyer dhe në gjuhë të huaja edhe luhen shpesh herë në Berlin , Paris , Budapest etj
VI
“Pasi vizituam kishën e manastirit, bëmë një shëtitje ndëpër fshat. Aty kuvendova bullgarçe me disa pleq duke marrë shënimet që më duheshin mbi veçoritë (partikularitë) e gjuhës së tyre, të cilat takohen më të folurit maqedhobullgar”. “S’po terjas të bënj këtë herë një shqiptim të hollësishëm mbi këtë pikë të vogël; këtu po mjaftohem të them se, nga sa munda të vë re unë, sllavët e Boboshticës dhe të atij që flasin bullgarët e Ohrisë “qëndron më pak në format gramatikore edhe më tepër në të theksuar. Sa për leksikun, domethënë fjalët e sllavishtes boboshtaro-drenovare, përveç disa trajtave (formave) shqipe që kanë hyrë rishmë në atë gjuhë, unë nuk munda të vë re asgjë më të ndryshme nga sllavishtja e bullgarëve të Maqedonisë…”
VII
Pakëz më poshtë, zotëria Kapidan do të flasë për kalivet e Boboshticës. Siç po dihet, në qarkun e Korçës dhe brenda në qytet kemi tri lloj vllehësh, të cilëve u themi edhe çobenër (fjalë turçe –bari ). Kështu i quajnë edhe në vise (vende) të tjera të Ballkanit, sepse rrënja e punës së tyre kryesore që nga kohërat më të moçme ka qenë puna “dhenare” e bekuar. U themi edhe “Cën-cërë” edhe vllahishtes së tyre “cërcarçe”. Kur drejtoja shkollën vllahe në Korçë, një nga nxënëset, “vashëzë myzeqare”, në mes të mësimit të historisë mbi fisin vllah të Shqipërisë, më ka bërë një pyetje më rëndësi në këtë pikë, duke më thënë: “Epo zoti mësonjës përse arbëreshët (shqiptarët), kur qeshin me ne, na thonë edhe “dënce” dhe “dacër?” Shpjegimi i këtij emri ironik ishte i zorshëm përnjëmend, po megjithatë, zë besë se munda ta jap fare mirë dhe të pagabuar: “Vllehët, ndër kohëra të moçme treqind e kusur përpara Krishtit, quheshin Dakër, kanë qenë fqinj të mirë me ilirët, shqiptarët dhe farefis madje, siç thotë historia dhe siç e dëshmon gjuha shqip e rumanisht me qindra fjalë të përbashkëta dhe, që në atë kohë, populli i Shqipërisë, siç e ka përdorur emrin dac për dakët, stërgjyshërit e të gjithë vllehëve të sotëm e thonë gjer më sot, ndonse për qesëndi.
VIII
Të tri “filirat” apo fiset e vllehëve pra, me të cilët bashkejtojmë vllazërisht në Korçë quhen; vllehë Frashërjotë, Voskopojarë dhe Myzeqarë. (këta të prasmit (të fundit) janë fort të pakë) Të parët përbëjnë numrin më të madh, mirëpo krushqëri me “Arbineshët” korçarë edhe me qarkun Frshërjoti bën vetëm rrallë e tek. Vllehët voskopojarë bëjnë “radhë” krushqi me shqiptarë po, nga sa dihet, kurrë me sy të mirë nga të dy fiset e parë, të cilët i heqin si më të poshtëm. Gjithashtu voskopojari vllah nuk e bën aq kabull të martohet me vllahun frshërjot por me korçarin “Arbinesh” u përzie duke bërë edhe krushqi që prej gjashtëdhjet vjet e tëhu, edhe u asimilua çpejt. Voskopojari zanaqar a tyxhar, duke u vendosur në Korçë zgjodhi për vend shtëpie mëhallën e quajtur e “Voskopojarëve” pranë pazarit edhe përveç kësaj u vesh me dollma e me xhybe si tyxhari shqiptar korçar i asikohe. Mirëpo Frashërjoti, dhëndër i djeshëm dhe terzi shajaku i sotëm, zgjodhi një tjatër vend në Korçë: pëlqeu rrëzën e bregun e Shën Thanasit, me erën më të pastër e të shëndetshme, dhe përveç kësaj nuk e këmbehu rrobën e stërgjyshëvet të tij; veshjen e bekuar të shajaktë dhe këmishë me kinda të dhënarisë. Sidoqë kështu është një gabim historik po të besohet se fiset vllehe që kemi në Korçë dhe kudo në Shqipëri gjoja nuk paskan lidhje gjaku në mes tyre dhe se, Voskopojari, për shembull, është më “i fismë” nga Frashërjoti dhe Myzeqari apo Frashërjoti “më i fismë” nga Myzeqari. Kjo gjë ngjet tani sikur të mburremi se cili prej nesh toskë e gegë që, njëri fis prej tjetrit, gjoja, të kemi më tepër sipërorësi fisnikërie.
IX
“As ndonjë ndryshim gjaku në rrënjët nuk është në mest të “Cëncarit” Frashërjot, Voskopojar apo Myzeqar. Që të gjithë kanë rrënjën dakë të vjetër të Dacisë së (Rumanisë së sotme) kushërinj jo të largët me Ilirët (stërgjyshërit e shqiptarëve), siç e dëshmon fare mirë historia. Siç thamë më përpara ngjarjen historike, se qysh janë gjendur vëllezërit vllehë shqiptarë në mest tënë si dhe në kusurin tjetër të Ballkanit përkëtej Tunës do ta shoshitim herë tjetër, hollësisht sa të jetë e mundshme. Për këtë herë po shënojmë vetëm se: “të gjithë vllehët e Shqipërisë, të Maqedonisë, Thrakës dhe Bullgarisë dhe Sërbisë qenkan Gramozllinj, domethënë që prej krehërit të malësisë Gramoz (përtej vargut Moravë të Korçës). Që nga Gramozi, pra barinjtë vllehë kanë ardhur me tufët e tyre të mëdha dhe janë vendosur qëmoti në qarqet e Korçës e të Dangëllisë (Frashër), që këtu rrjedh edhe emri i fisit: Frashërjotë). Gjithë po këta vllehë, duke shkuar pako gjë më tutje, populluan edhe Voskopojën e dëgjuar” (Faimoasa Noscopole, C.N, Burileanu, I., Romeni di Albania, 124 & Th. Capidan, Romani Nomazi, 61)
X
“Që të gjithë vllehët tanë pra, kanë një rrënjë e një gjak: si frashërjotët ashtu edhe Myzeqarët. Asnjëri nga këto fise nuk i bie të mburret veç e veç se është prej fisi të romanëvet që pat vendosur në Kandavi (qarku i Ilirisë), rreth Gjolit Lyknidies –Pogradec). Konsulli Kuint Fab Maxim (Quintus Fabius Maxemus), siç paskan dashur të heqin veten qëmoti vllehët voskopojarë (Puqvile) Voyage dans la Grece, (1820) f., 392-393, që të gjithë vllehët tanë të Shqipërisë janë të fisit të përzierë dake-roman, të çkëputur prej trungut të tyre dhe të hedhur ndër ne, nga njëra anë me urdhër të Romës si kollonistë të saja më përpara, edhe pas shkretimit të Shqipërisë prej gjaksorit çkatërronjës të madh, siç e quan Neibuhr-i, konsullin L. Aemilius Paullus, si edhe nga ca ngjarje historike të tjera, të cilat do t’i përshkruajmë në një studim të veçantë. Shkrimtarët e sotmë, që janë marrë me jetën e vllehëve të Ballkanit Jugor, të tërë vllehët e Shqipërisë i përmbledhin me një mbiemër të vetëm: vllehët gramozllinj (Gramusteni). Të gjitha këto nuk po i themi veçse të mbështetur mbi studime të stërholla specialistësh në këtë lëndë, evropianë dhe rumunë të çquar. U larguash pakëz nga tema, siç e kemi zakon shpesh herë, kur është fjala për ngjarje historike, të cilat e do puna, doemos, të lidhen edhe me historinë e kombit shqiptar prej historianit të arthmë
“Është koha pra që t’ia japim kuvendin zotërisë, profesor Kapidanit “Mbi kalivet e Boboshticës”, i cili me këtë rast, na jep dhe një konizmë (pikturë) të bukur të kalibeve. Në këtë duken vetëm dy copa nga të malit Lisec. Përpara këtyre kasollevet të mëdha është sërëndritur në vrak, si valle, një qym i madh nuse e vasha, çobanka të veshura me xibunet, linjët dhe këculat e gjata të pashkës”.
XI
“Jo shumë larg që prej Boboshticës, thotë zotëri Kapedan – gjenden edhe ca kolube frashërjote, ndër të cilat barinjtë nomadë shkojnë në muajt e verës. Të gjitha së bashku, nja 30 copë, përbëjnë një katund (fshat të vogël), “Catun” “katund” i thonë rumanisht. Përpara se t’u qasesh afër këtyre kolibeve, të cilat frashërjotët i quajnë “këlive”, kur t’i shohësh së largu, të duket se po lë përpara ndoca kosherëra mizë-bletësh apo ndoca kërpudha të mëdha të mbira prej dheu. Vetëm pasi të hysh në katund të dalin përpara njerëzit që rrinë ndër to, atëherë sheh se edhe ato janë banesa njerëzish. Të këtilla banesa nga të frashërjotëve nomadë, të cilët merren me rritjen e dhenve do të shohësh kudo ndër vise e malësira të Shqipërisë së mesme dhe të jugës”.
XII
“Një kalibe, ashtu siç duket në konizmët (fytyrë, e cila gjendet në faqen 37 të volumit “Frashëriotii” të zotit Kapidan), ka një gjatësi që prej 5 gjer më 6 metra diametër. Prandaj kur hyn brenda, lipset të kesh mendjen që të mos përpjekësh kokën pas muri. Deriçka e kalibes, si lartësirë është më e vogël se sa shtati mesatar i një njeriu, po-po trashësia e mureve nuk është më tepër se dhjetë apo pesëmbëdhjetë pond (centimetra). Orenditë dhe plaçkat e një kalibeje janë të pakta, vetëm nga ato që duhet me doemos; disa shkorsa e velenxa për t’u mbuluar, të vëna në tokë njëra mbi tjetrën, janë vendosur ndë një anë ndë hyrje të kasolles, po-po në anën tjetër është storasur avëlmendi. Në murin nga fundi i saj, në mes, është vatra në të cilën gjenden plot enë për zjerjen e qumështit apo për të gatuarit e gjellës. Një kusi e vogël e varur për një çengeli i ngulur ndë mbulesën e kalibes rri pothuajse ngahera përsipër vatrës. Mbërdhe, zakonisht, nuk ka asnjë të shtruar. Vetëm kur vjen ndonjë i huaj, ndonjë mysafir, si për nder, i shtrohet një velënxë, që të sheshohet të rrijë. Përndryshe, vllehët frashërjotë, të zënë afro mbë të gjitha anët me punën e shumë me tufat e tyre, edhe të mësuar që të shkoj në gjithë ditën përjashta në erën e lirë të malit e të vërrisë, nuku ndjejnë nevojën e gjërave të mira e të llusave me të cilat të janë mësuar vëllezërit e tjerë të tyre që janë vendosur ndër qytete të mëdhenj e të vegjël. Çobani frashërjot hyn ndë kalibe vetëm kur është kohë e keqe, po në kohë të mirë, ay ha, zbavitet, prehet edhe fle përjashta ditën si dhe natën, i shtrirur
Na vinim tock u harao!
K’askapam di jarnë greao!
I
Ne po vijmë të gëzuar!
Se nga dimri i keq shpëtuam!
“Me këtë këngë, e me të tjera si këtë, kanë ardhur për mot që nga vërria në Malin e Thatë dhe në malet e tjerë të bukur të Korçës vllehët shqiptarë me mijërat kokë bagëti: “Plot gëzim se shpëtuam nga dimri i keq”, siç thonë të dy vargjet “cëncarçe” që sërëndit në krye. Është kënga e tyre, por këndohet më tepër prej çunave vllehë, që e këndojnë kur na shkojnë përmes Korçës, të gëzuar se po u qasen maleve të tyre, të cilët i duan me shpirtin, aq sa u këndua t’i quajnë “malet e veta”, “muncili armaneshti”. Këngët gazmore të tyre të përziera edhe me dringëllimin e harmonishëm të këmborëve të tufëve, përbëjnë një koncert tepër të pëlqyer për ne korçarët kur i dëgjojmë ndaj të gdhitë të mëngjeseve të majit, kur na shkojnë përmes qytetit duke u drejtuar për në malet e tyre. Është tamam ajo kohë e mëngjesit kur shqiptarkat, nuse e çupa të Korçës, llërëpërveshura e kryelidhura me dylbenka të bardha, vaditin dhe fshijnë secila pjesën e sokakut të shtëpisë, një punë shtëpiake që i ka bërë aq evropianë shkrimtarë të lëvdojnë shtëpresën korçare dhe qytetin tënë ta numërojnë si më të pastrin e të gjithë qyteteve të tjerë të Shqipërisë. Pamja plot bukuri e vargut të pambaruar të tufëvet, si dhe xhallahia e dëndshme e koncertit të tyre i bën shqiptarkat korçare të lënë për një hop fshesën edhe të thërresin shoqja-shoqes:
Po vijnë vllehët, po vijnë stanet! Rend moj e bardhë t’i bëjmë sehir!… Edhe shoqja i përgjigjet: “ Po vinj, po vinj të shohim dhe çobankat, ato këculgjatat, me djepet në kurriz dhe duke thurur çorape”.
II
“Të gjitha tufët e bagëtive kur na vijnë nga vërria apo kur shkojnë për atje, kanë të pamët të hijshme, po jo aq sa kopetë të vllehëve nomadë, domethënë të atyre që venë e vijnë me gjithë fëmijë e plaçka të shtëpisë. Va-et-vient-i (vajtje e ardhja) e këtyre ka një bukuri të veçantë për syrin e sehirtarit, aq më tepër për një të huaj që i sheh për herë të parë
Me gjithë dimrin farmaq të hidhur të këtij viti, edhe me çvleftësimin, qesatin e madh, që është edhe për lloj pasuri kombëtare tonën prapë, por nga mot ashtu edhe këtë vit, javën që shkoi, i pamë përsëri këto tufë dhen të vëllezërve vllehë nomadë. Puna e donte që të ktheheshin nja dy-tri javë më përpara, mirëpo i paska penguar puna e pengimit të xhelepit. Nga rrëzimi i madh i çmimit të gjësë së gjallë i sivjetëm, të mjerët nomadë si edhe shokët e tyre jo nomadë, erdhën shumë ngushtë për pagesën e domosdoshme të mbretërisë. Mirëpo qeveria shqiptare, apo siç e kanë kuptuar këta dhenarë, më mirë të themi “vetë mbreti Zog të rronjë sa malet”. Siç tha nomadi çobanbash, si babë i vërtetë dhe i vllehëve shqiptarë, u paskan bërë një tog lehtësirash në pagesën e xhelepit një mirësi që i ka bërë t’u largohet mjaft “qederi” vreri i madh i qesatit të gjësë së gjallë edhe të na vijnë prapë “Ku mullt harao”, “me shumë gëzim” që të na gëzojnë malet dhe kodrat tona me tingëllimat e bukura të zileve të fyellit dhe të xhurasë, të cilat na i ka kënduar me aq hije, me zjarr dhe ëmbëlsirë vjershëtori kombëtar Naim Frashëri në “Bagëti e Bujqësi”.
Vllahinka e stanit
Porsi çobanbashi
Kur mbledh dhentë
Ndë strugë!
Moj çobankë e malit
Moj vllahinkë e stanit
Zoti më të bëftë
Turkë
Apo mirë je kaurkë?!…
(Këngë e kohës turke)
III
“Sa e çuditshme aq edhe e bukur, piktoreske është jeta dhe të gjitha zakonet e vllehëve tanë nomadë. Shumë prej jush këndonjës të nderuar i dini mbase, por më të shumtit nuku. Shumë vetë prej nesh na kanë pëlqyer ndonjëherë, të qesëndisni kur shkojnë me tufët e mëdha të bukura vllehët nomadë, çobenët siç u themi, me çobankat sokëgjata e këculëgjata. Sa faj i madh! Sa gabim i rëndë! Jo vetëm të mos qeshim me këtë fis punëmadh të popullit të Shqipërisë por bile t’u bëjmë nder, t’u gëzohemi për jetën që shjojnë dhe t’i lumturojmë. Këta nomadë dhënarë janë shumë më të lumtur se sa ne! T’i admirojmë, të çuditemi me jetën e tyre dhe t’i kemi kryesipër. Në një kohë varfërie të madhe si këtë që kemi arritur sot, kur ne të tjerët, qytetarë a fshatarë, pasi hoqmë dorë nga shajakët e gjyshërve, po na vjen festja (vërdallë) rrotull se nuk jemi të zotët të vishemi me një shajak kombëtar të hollë, të endur në Shqipëri (siç bën kombi bullgar trim dhe ikonom e të tjerë për të mirë të ekonomisë sonë kombëtare. Këta barinj të lumtur e kanë të rregulluar “pikë” rromjen (rrojtjen) e tyre, si hamjen shqeto të thjeshtë, si edhe të veshjes, vllehët nomadë i mbajtnë me shenjtëri, ashtu siç ua lanë stërgjyshërit e tyre, që kur u vendosnë në Gramoz, mbase që nga qindvjeti i gjashtë pas Krishtit e më tëhu.
Vllehët nomadë pra, janë njerëzit më të lumtur të botës dhe, kur na shkojnë përmes Korçës për në Mal të Thatë apo tekdo gjetkë, le të shohim vetëm me sy nderimi dhe dashurie vëllazërore. Qëllimi ynë këtu është që të përshkruajmë për këndonjësit e nderuar të kësaj gazete, një nga skenat (pamjet) më të bukura të jetës së vllehëve nomadë të Shqipërisë: “Të ngjiturit e tyre që nga vërria në mal”, pamje të cilën e shohim të përsëritur për mot në javët e para të majit. Një skenë tjetër e bukur dhe ajo është kur këta njerëz të mëmës natyrë zbresin me tufët në vërri në vjeshtë me ndryshimin që, atëherë shkojnë të qederosur që po i lënë malet sepse jeta e fushës nuk u pëlqen se atje nuk ka ujë të ftohtë si fjala vjen në malet korçare e të tjera
Kë-s vicac tu apa-arace
Se u këndua n’uj’ të ftohtë
Si-sh fakë këlivi n-afoare,
Të bëjmë kalibe jashtë
Pute kaplu s’-nu li doare…”
Kurrë koka mos t’u dhëmbë
IV
“Në mungesë të një klisheje prej fotografie do të mundohemi të bëjmë një përshkrim të konizmës së bukur të tufëve të vllehëve tanë nomadë, siç i pamë ditët e shkuara, posi edhe nga moti në këtë kohë. Ndë ballë të tufës së gjatë shkon një nga barinjtë, i cili me të hyrë në Korçë e vë ndë xhep fyellin apo xhuranë, së cilës i bie gjithë udhëve ndër fusha e male. Anëve të tufës janë të tjerë barinj, shokë të të parit; që të gjithë kanë përdore lidhur me zinxhir nga një “Balik” të madh, të keq, i cili vështron me sy prej ujku, që posa t’i shohësh këta qenër të nomadëve, përnjëherë të vete mendja tek qenërit e famshëm të Mollosve (Labro, Çamërve) që na bën fjalë historia e vjetër. Nja pesë a gjashtë çape më tej ballit të tufës, ecën me ngadalë “tradicionali” gomar, kafsha e pandarë e saja, i urtë, siç na thanë, figuron kurdoherë më tepër që të mos marrë mbësy kopeja e bekuar. Mbi njërin nga këta veshëgjatë pamë të hypur dhe një nuse çobankë, e cila qëndronte e storasur, sikur duke nusëruar. Qenka tepër i çuditshëm, po edhe fort i bukur, roli i kesaj nuseje vllahinkë e cila i hipka gomarit vetëm kur tufa ka për të shkuar përmes një fshati apo qyteti. Shkakun na e shqiptuan kështu: Kur Arbineshët dalën të bëjnë sehir tufët e vllehëve të mos i kenë aq fort sytë tek dhëntë e të mbësyshin, por të shohin më tepër nusen të hipur mbi gomar”
Linjën të gjatë
Xibunin të shkurtë!
Moj çobankë e malit
Moj vllahinkë e stanit
Zoti më të bëftë turkë
Apo mirë je kaurkë
(këngë e kohës turke)
V
Në arsyetimin tonë që: në këtë rast, atëherë do të jetë në të keqe, mbasi e mjera nuse, të bierë ajo mbësy, muarrëm shpjegimin fort të lezetshëm. Nusja vllahinkë s’është puna të mbësyshet, sepse ajo është e armatosur me një hajmali, të cilën e mban në gji të varur për qafe, përveç gjerdhanit që ka, me florinj, ndër të cilët figuron edhe një kostandinar (flori nga të Kostandinit të madh). Siç po dihet, hajmalia ka fuqinë të madhe që të prapsonjë çdo “sy të keq” me qenë se brenda ndë të na është qepur me kujdes një copëz kartë e cila përmban ja-se një stih ungjilli të shkruar në greqisht prej një prifti, ja-se po një ajet kurani, të shkruar arabisht prej një hoxhe. Sikur mezallah copa kartë të jetë shkruar gabimisht në gjuhën shqipe, hajmalia nuk bën, pasi edhe si kopeja si nusja e gjorë mbi gomar markan sy sakaqherë. Pas tufës së dhenëve vjen karvani i kafshëve, mushka e kuaj të ngarkuar me tërë plaçkat shtëpiake të nomadëve. Karvanin e kryeson doemos çobanbashi i hipur mbi kalë. Të gjithë të tjerët; burra, gra, fëmijë që përbëjnë një farë unafara ecin mbë këmbë, përveç ndo njëj plake të lodhur tepër, e cila çeku hipën mbi ndonjë kafshë të ngarkuar. Siç kemi parë, kur ka rastisur, të gjitha gratë plaka e të ra, duke ecur dhe sado të lodhura të jenë, nuk reshtin së punuari punën paragatitore të avëlmendit; të tjerurat me furkë apo dhe të thururit çorap; disa nga ato bile e bëjnë këtë punë duke patur të ngarkuar mbi kuriz edhe djepin ndë të cilin bën gjumë të lehtë voci lonjak çobanth, i bukur e sy-ulli (me sy të zez).
VI
“Sa thamë gjer tani, janë pamja e tyre e hijshme dhe nënshtypjet e këndshme që lënë në mendje të sehirtarit që di të çmojë bukurinë të jetës së këtyre vllehëve nomadë. Në radhët që vazhdojnë kemi për të parë se qysh gatiten dhe nisen që nga vërria, që nga fushat e ngrohta të anëdeteve të Shqipërisë, ç’rregulla kanë në udhëtimin e tyre gjer sa arrijnë ndër ne e të tjera të cilat janë të dobishme t’i çmojmë
Çobankat e kolonjës
Çobankat e Kolonjës
O leo Qicë Fërshiroatë,
Moj qicë pe Frashëri
Çihtisesh Kulonja toata!
Shastise Kolonjën
Qica mia, qica li-mame!
Qica ime, Qica e nënës
O llaj xhoni ku oklju llaj,
Djal’ more, o sy zi
Ce-i acel di tine graj?
Ç’këndon mor, ashtu ti?
Tri kulonja jo nu-nj hiu
Për Kolonjën unë nuk jam
Ma-nj hiu tri un xhone-armën!
Po jam për një trim çoban!
Xhone armen, xhone ka veara,
Djalë vllah, musi behari
d-in aushti-a nosht s’fitare
q’ atje kun a u lindnë pleqtë
Hajde xhone, – s’në fuxim
Hajde trim more të ikim
Ka dol’i në ujdisim
Se të dy ne ujdisim
(Këngë e vllehëve kolonjarë)
“Në krye të muajit maj, kur të gjithë dhentë janë mbaruar së qethuri në viset vërri të fushës, përbrenda Shqipërisë apo buzë Adriatikut, ngrohtësia zë e bëhet më e madhe. Atëherë, jo nomadë shqiptarë, si dhe vllehët shqiptarë, ashtu dhe fëmijarët nomadë nisin të bëjnë gati për të çuar bagëtitë në malt. Këto gatitje, si edhe të nisurit e tyre bëhen dhe çvillohen kështu: Nja shtatë a tetë ditë përpara se të shkojnë, vllehët nomdë, gratë të ndihmuara dhe prej burrave, zënë e mbledhin të tërë plaçkën e shtëpisë, të cilën e futin ndër harare (hërej-thasë) të mëdhenj të avëlmendit. Pasi mbarohen të gjitha gatitë edhe mbeten fëmijakët ndën kryesi e kumandës të çobanbashit (çelikut) së pari hanë drekë. Pas këtë, ngarkojnë plaçkën e shumë mbë kuaj, po më tepër mbë mushka dhe pastaj nisen për udhë duke uruar njëri-tjetrin, urimin vllaho-shqip: hajde kala- mbarë; d.m.th. paçim udhën e mbarë.
VII
Përpara të gjithëve ecin tufët me barinjtë të shoqëruar edhe prej qenëve besnikë të tyre. Pas këtyre vijnë fëmijë ( fumel’ le- graria me fëmijët) së bashku me të tërë nikoqirësinë e tyre si shtëpiakë nomadë. Nuk ka asgjë më impononjëse, që të frymëzon habi dhe nderim, na thotë profesori Th. Kapidan në veprën “Romëni Nomazi” nuk kanë njohtime mbi jetën nomade të këtyre barinjve, se sa pamja plot bukuri që na faqëson të shkuarit e këtij karvani madhështor kur ecën shushasë apo përmes një fshati a qyteti”. Që shumë së largu duken, duke ngritur lart mu- si retë të turbullta, pluhuri i madh që ngrihet përsipër dhe rreth e rrotull tufëve të dhënëve. Sa më tepër që afrohen kopetë dhe kusuri i karvanit të vllehëve, aq më kthjellët dëgjohen edhe tingëllimat e zileve si edhe kënga e çunave të tyre që ia thonë:
Ne vinim toc ku harao
Ne po vijmë të gëzuar
K’ askëpëm di iarnë greao
Se nga dimri i keq shpëtuam
Nga zërat e këtyre dhe në xhallahinë të madhe që bëhet, nga të gjitha fshatrat, katundet (katund-fshat i vogël), që janë shushavet, dalin plot njerëz, që të bëjnë sehir vllehët që po shkojnë me dhëntë për në mal.
VIII
Pas tufëvet të dhënëve në një larkëtirë prej disa qindra çapesh, ja tek jep krye e vjen vargu i gjatë i fëllkërëvet domethënë i familjarëve “Përpara shkojnë mbë këmbë kalamanët më të mëdhenj, të shoqëruar prej disa plakave të palodhura si burrnesha, po-po pastaj pas këtyre shkon i tërë fisi (tuti fara), i përbërë prej burrash, gra, vasha e djem. Që të gjithë ecjen ngadalë dhe afër-afër ndëpër kuajt dhe mushkat e ngarkuara gjer në xverkut. Rrallë e tek shihet nga ndonjë plakë tepër e shkuar nga mosha, e cila hipën nga pak mbi ndonjë mushkë
Se të kam rrëmbyer
(Folklori shqiptar)
M’u lodhe, çobankë
M’u lodhe!
Torbën të kuqe
Mbi supe ç’e hodhe
Moj m’u lodhe!
M’u lodhe çobankëzë
E bij’ e Maxharitë
Se të kam rrëmbyerë
E bijë e vllahinkësë
Të marça të keqenë
Të rrypit të opingësë
(Këngë e qëmoçme)
Nga ana tjetër, disa nga burrat hipin mbi binekë (kuaj atllarë) më tepër për qejf se sa nga të lodhurit. Fëmijët më të vegjël dhe lonjakët janë vendosur të parët ndër ca koshere të lidhur mbë të djathtë edhe mbë të mëngjër të samarit, po-po vocërit lurekë, ndër djepe të bërë kastile ndë mes të samarit, përsipër mbulesës që e thonë “sazmë” ( një farë mutafi) me të cilën, zakonisht, mbulojnë hararët (thasët e mëdhenj). Është e tepërt se këta vocër engjëllushë të ngarkuar mbi samarët e kafshëve të uruara, s’duan të dinë, s’kanë fare kasavet nga të troshiturit e gjatë të parreshtur, edhe se tingëllima e kuajve është për ata nani-nonua më e ëmbël.
IX
I radhitur kësifarësh, karvani madhështor ecën vetëm në mëngjes edhe mbrëmanet. Në mëngjes baret që posa zë të zbardhëllojë drita, gjer ndaj sahatit dymbëdhjetë, kur nuk ka nisur edhe të shtrengojë vapa. Në mbrëmje ecën që prej sahatit pesë (që në zemërherë) gjer më dhjetë të natës. Përpara drekës qëndrojnë pothuajse kurdoherë pranë një burimi me ujë të ftohtë; mbrëmanet më tepër bëjnë konak ku të rastisin. Përndryshe, posi të gjithë dhënarët e Shqipërisë, ashtu edhe vllehët nomadë i dinë me pëllëmbë të gjitha viset, burimet, udhët e monopatet nga shkojnë, pra zgjedhin viset më të mira për të bërë konak dhe gjithë po në ato qëndrojnë çdo vit. Posa arrijnë tek vendi ku do të qëndrojnë për t’u gdhirë, kuajt dhe mushkat çkarkohen dhe lëshohen pas barit; po ashtu edhe dhëntë i përhapin fushës që të kullosin. Pas këto, burrat përnjëherë zënë e ndezin një zjarr bubulak të madh. Rrotull zjarrit ngrehin tendat për t’u mprojtur nga shiu; anëve të tendës arëmojnë (rrëmihin) edhe një endek në të cilin lipset të kalojnë ujët, në rëntë ndonjë shi i madh. Vllahinkat më tjetër anë si shtëpresha, të çkathta, zënë e bëjnë gati darkën
X
Po kur koha është e mirë dhe nuk ka shumë shi, shumë prej ta as që i ngrehin fare tendat, po ja seç bëjnë: vendosin hararët (thasët) njëri mbi tjetrin duke bërë një farë shtrofke që ata i thonë “puravë”. Përpara kësaj shtrojnë degë gjethe dhe përsipër këtyre hapin një velenxë (cërcarçe: velenxë). Posa vjen koha e gjumit bien duke u shtritur të gjithë mbi velenxën, me kryet mbështetur përmbi anët e hararëve apo duke vënë ndën kresë një plaçkë çfarëdo dhe flenë duke bërë gjumin kështu në erë të pastër, gjer në mëngjes kur ngrihen dhe nisen përsëri për udhë. Gjella e tyre në udhë e sipër është më tepër bulmeti. Hanë edhe mish, të pjekur për helli, si dhe zarzavate të thata, fasule apo fierza (groshë), mirëpo qumështi, bulmetrat janë themelia e ushqimit të tyre udhës. Për këtë qëllim, kur nisen që nga verria, fëmijarët nomadë (fëllkërit) marrin me vete edhe një tufë më të vogël e quajtur “tufa e udhës” e pjellë dy-tre ditë përpara se të nisen. Qumështi i tufës së vogël përdoret për ushqimin e kalamanëve edhe, kudo, dhe në vendin e të veruarit, bulmetrat e kësaj janë vetëm për ushqimin e kollonisë nomade
Llaj Kole mërat
(Folklor cëncarisht)
O – llaj Kole, o llaj frate,
More Kole, more vëlla,
Kole mor i mjerë!
Des u sarka lla’ në parte
Verë gunën mënjanë
Llaj Kole mërat!
Kole mor’ i mjerë
O! Nj-u ded, llajhu, nj-u ded!
As-po e vura, i ziu, e vura!
Feotile mu pot s-li ved!
Po vashat nuk i shoh dot!
Njika ce u kaftu mine
E vogla që dua unë
Sh-va dul miç me ibrëshime
Do anteri me ibrëshim!
O-llaj Kole, o llaj frate
Kole more vëlla,
Fë-sh’ dulmio, tr’ ahtore vrutë
Bëj-i dh’ anteri të tillë mikeje
Ka vas ë-u-ai trë etë tutë!
Se me të ti do t’shkosh jetë
(këngë e vllehëve kolonjarë)
XI
“Kur bie puna që qëndrojnë për të bërë konak ndë çifligun e ndonjë beu apo ndonjë agai, atëherë janë të ngasur të paguajnë një pagesë të vogël për çdo kokë kali apo mushke. Kësaj pagese, vllehët i thonë “utllaqe”; ashtu i thonë edhe shqiptarët tanë (otllak). Por edhe shumë herë ata shpëtojnë nga kjo pagë me të gostitur pojakun e çifligut me qumësht, djathë apo me ç’të ngrëna që të kenë” (Th. Kapidan, Rom. Nomazi, 98). “Kështu udhëtojnë vllehët nomadë disa ditë me radhë gjer sa arrijnë në malt në banesat e tyre malësore që janë kolibet, të cilat i përshkruam në artikullin “ Kalivet e Boboshticës”. Në tërë qarkun e Korçës vëllezërit tanë vllehë nomadë apo jo nomadë, qëmoti, kur dhënëria e Shqipërisë ka qenë në vulkun e saj më të madh, kanë patur një qender të tyre nadhështore në malin e fshatit Plasë, në veri të qytetit tonë të bukur, (Korçës). Sipër këtij fshati, në një sheshtirë mali të hijshme, me ujëra nga më të mirat e burimeve të atdheut kishin afro njëqind kalive posi ato që shohim sot përtej grykës së Boboshticës si edhe gjetkë në malësitë rrotull Korçës, ku verojnë. Mirëpo pas kohe, kur këta nomadë duke shijuar tepër këta malet tanë plot lullotë të mirë vendosnë që duke mos patur nevojë ta këmbejnë vendin e të veruarit, Malin e Thatë të Korçës me tjatër malësi gjetkë, në vend të kolibeve si kosherëza mizëbletësh ndërtuan shtëpi të gurta të mira me dy kate si edhe shkollë edhe një kishë mjaft të bukur
XII
“Është “gusto” e madhe me këtë fis të uruar barinjësh se, edhe pasi i ndërtuan shtëpitë të gurta të bukura në mal të Plasës, duke i prishur kasollet me purteka dhe kashtë, prapë nuk na u vjen mbarë t’i thonë “fshat” kësaj qendre të tyre, po gjene “Kalivet e Plasës!” Kështu i thonë edhe sothem ata, si edhe gjithë ne. Sot fshati Kalivet e Plasës, i cili ka patur gjer shtatëdhjet shtëpi të gurta ka mbetur vetëm me pesëdhjetë shtëpi të banuara, sepse të gjithë vllehët e tjerë “Kalivjotë” emigruan në Vllahi dhe u vendosën ndër vende pranë kufirit rumano-bullgar në krahinat Silistrë edhe Durostar, atje ku kanë vajtur dhe të tjerë vllehë fërshërotë. Për kujtim të rrënjës (origjinës) së tyre vllahe Dangëlliase, atje ngrehnë edhe një fshat të ri të bukur, të cilin e pagëzuan me emrin “Frashër”.Po me gjithë këto, më gjithë që atje në Rumani u bënë zotër toke bujqësie mjaft të madhe (çdo fëmijak njëzet hektarë), këta vllehër shumë herë rënkojnë për malet e Shqipërisë së bukur që ngaha shkuan jo të varfër, por me qerret plot, edhe pa asnjë shtrëngatë të keqe nga an’ e popullit shqiptar. Plakat e nderuara çobanka bile, qajnë me vaj shumë herë për kalivet e Plasës e për bukurit e maleve korçare, për Malin e Thatë, ku u rritnë dhe u plaknë aq më tepër u shtohet ngashërimi të gjorave çobanka, plaka e të ra.
Varrosmëni në vathë
(Folklor cëncarisht)
Kara s’mor, karas’nu mor
Në vdekça, në mos vdekça
S’-nj-askulltaç un sigur zbor
Njerëz porosi t’më mbani
La turuste s’mi ngurpac!
Ndë vathët të më groposni!
Primavera kënd s’vë tarmac,
Që kur të ktheheni n’pranverë,
S’treakë oile, sin j-leakac!
Të shkojnë dhentë e mia t’i kap
Si-nj le akac si-nj-le mulgu,
Të miat t’i kap e të miat t’i mjel!
Shi ku mëma mia s’li tundu!
Dhe t’i qeth me dorën time
Flluera s-nj-o avdu dipriunë
Të dëgjoj fyellin papaushuar
Këndu oile va s’adunë!
Kur dhentë mblidhen të flenë!
(këngë e vllehëve shqiptarë)
Dera më e përmendur e fshatit të “Kalivet e Plasës” të Korçës paska qenë ajo e çobanbashit Bullamaç. Nga kjo derë çelnikësh është qytetari ynë Korçar z. Nikucë Bullamaçi, i ati i i të cilit, i ndieri Papa Llambro Bullamaçi është vrarë lemerisht në Korçë prej andartëve në prill të vitit 1914. Për kujtim të këtij prifti dëshmor, bashkia e Korçës ka pagëzuar një rrugë me emrin e të ndierit në krye të së cilës është shtëpia Bullamaçi.
XIII
Pasi u larguam përsëri, sado prej themës, gjë e cila nuk besonj ta ketë rënduar këndonjësin e nderuar, është koha të kthehemi tek karvani madhështor, të cilin e lamë udhës:
“Në të gjithë ditët e udhëtimit të gjatë, gjer arrijnë në mal, vllehët nomadë e shkojnë kohën me këngët e çunave edhe, natën me përralla dhe meseletë të pleqve e të plakave . pothuajse nuk ka mal apo breg, i cili të mos jetë i shkelur nga këta barinj nomadë, as edhe pllajë, përrua e lumë të kapërcyera prej tyre që të mos ketë lidhje me nga ndonjë ngjarje të jetës së tyre. Të gjitha këto ngjarje, pleqtë dhe plakat çobanka, ua tregojnë të rinjve dhe kalamanëve kur ecin udhës apo mbrëmanet kur prehen ndën tendat, pa-po këta kur rriten pastaj, ua kallëzojnë pasanikëve të tyre. “Vetëm kush ka qenë bashkë me ta në këto migracione të përvitshme të vllehëve nomadë, thotë zotëria Profesor Kapidani- vetëm ay është i zoti të kuptojë se sa hije e shije ka jeta e tyre e shkuar gjithmonë ndër male”. Posa u qasen kodrave, atëherë karvani i pasosur i këtyre, zë të firakset, të paksohet, fëmijakët duke patur në ballë çobanbashërit (çelnikët) e tyre, tani zënë e ndahen në vargje më të vegjël, duke marrë secili perin e udhës së malit ku gjenden fshatrat e tyre apo atje ku kanë menduar që të ngrihen kalivet e tyre. Disa nga këta që nuk kanë banesa të qendrueshme për kohën e verës, i këmbejnë vendet e të veruarit ku të gjejnë në mal me kullotë më të mirë dhe të bollshme. Fundja tani barinjtë nomadë arritnë të gjithë në malt. Gëzimi i madh që shihet ndër fytyrat e të gjithëve, burra, gra nuk mundet të përshkruhet. Sikundër edhe për shqiptarët dhënarë, të moçmë dhe të sotmë, gjithashtu edhe për vllahun shqiptar “ mali ” është është gëzimi dhe shija e jetës së tij. Mali për shqiptarin dhe për Vllahun është posi deti për grekërit dhe posi fusha e gjerë për bullgarët. Në mal ata gjejnë me bollësi ushqim për gjënë e gjallë, në mal kanë gjetur strehën dhe sigurimin për t’u mbrojtur nga çdo plaçkitje barbarësh në kohërat e qëmoçme, edhe prapë në mal rrojnë e shkojnë kohët e kthjellta të qeta, kur pas punës së lodhshme të gjithë ditës të mbledhur qyme-qyme, rrotull zjarrit bubulak ndë vathët, e shkojnë me këngë, përalla dhe plot qyfyre. Dashuria e madhe që ka bariu vllah i Shqipërisë për malin, rrëfenet fort bukur në këngët e tyre. Në atë sërënditmë dhe dje, në krye, bariu vlla, i cili lindet dhe vdes ndër male u lë porosi që, edhe kur të vdesë ndë malt të mbulohet pranë vathës së dhënëve
Shënim i Ilo Mitkë Qafëzezit: Përkthimi shqip këmbyerazi, i këngëvet cëncarishte, siç po shihet, nuk është bërë fjalë për fjalë, po në mënyrë që mesa na ishte e mundur t’i qaset pak a shumë stilit të shqipes sonë popullore
Shënimi ynë – V.H: materiali është marrë nga “Gazeta e Korçës” dt. 3, 4, 8, 11,14, 17 dhe 18 qershor 1932
Nga Vepror Hasani