• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ekrem Bardha përherë në shërbim të çështjes shqiptare

December 16, 2023 by s p

Prof. Elez Osmani/

Njeriu që i takoi shtatë Presidentë të SHBA-ve.

“Nësa ka diçka që më ka ndjekur gjithë jetën, edhe në kohë fatkeqësish, edhe në kohë suksesi, është pikërisht dashuria për Atdheun. Jeta në demokracinë amerikane më bëri të reflektoj mbi shumë gjëra. Kuptova që nuk duhet të hakmerremi për të shkuarën, por të punojmë për të ardhmen, të ndihmojmë në përparimin dhe mbarëvajtjen e Atdheut tonë. Çdo shqiptar duhet të pyesë veten ç’ka bërë dhe ç’duhet të bëjë për Shqipërinë dhe Kosovën. Së bashku kemi shumë për të bërë…” -Ekrem Bardha.

Në librin e fundit, “E vërteta, pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora” të z. Ekrem Bardha, një njeri që tërë jetën ia ka kushtuar çështjes shqiptare, lirisë së Kosovës dhe demokracisë së Shqipërisë, gjendjes së shqiptarëve nën Maqedoninë, si dhe jetës së shqiptarëve kudo që jetojnë, por në mënyrë të veçantë veprimtarisë atdhetare të Mërgatës shqiptare në SHBA për lirinë e Kosovës. Prandaj, vepra e tij, thuajse një kronikë jetësore e autorit Ekrem Bardha, në radhë të parë është një burim informacioni i pashtershëm, jo vetëm për rolin e secilit shqiptar, edhe si individ, por edhe të gjitha format e organizimit të mërgatës shqiptare atje, në shërbim të luftës për liri të shqiptarëve të Kosovës. Në veprimtarinë e tij për ta bërë të njohur çështjen shqiptare, edhe sot e kësaj dite e pa zgjidhur, Ekrem Bardha nuk është lodhur shumë, se cilët organizime , parti, shoqata, apo forma të tjera të organizimit kanë punuar, por është marrë me çështjen se si të ndihmohet çështja shqiptare nga administrata më e fuqishme në botë, ajo amerikane. Në mbështetje të te dhënave që ka botuar të libri i tij i fundit, del se gjatë gjithë veprimtarisë së tij nuk ka kursyer asgjë, jo vetëm ai, por edhe familja, që nga koha kur kishte migruar në SHBA. Një i ri, që kishte arritur të ikte nga shërbimi ushtarak në Shqipëri, një familjar, vëllain e të cilit, Sami Bardhën, e kishte pushkatuar sistemi, e kishte pasur të qartë se jeta e më tejshme në atdhe ishte e pamundur. Prandaj, mërgimi i tij, siç mund të kuptohej, edhe për shumë familje të tjera atdhetare, ishte diçka e domosdoshme, për të mos thënë e pashmangëshme, ngase në mënyrën si po ecnin gjerat, në Shqipërinë socialiste, mundësia për të bërë jetë normale dhe me dinjitet ishte e pamundur.

Në SHBA, kishte provuar të gjitha punët e mundshme, derisa kishte arritur të krijonte të mira materiale, për të krijuar mundësi që të bëhej vetë bartës i organizimit të punës dhe të familjes. Kishte arritur që të botonte gazetën Iliria, një kohë shumë të gjatë, por veprimtaria e tij themelore ishte angazhimi për të krijuar mundësi që administrata amerikane të vihej në mbështetje të çështjes shqiptare. Për herë të parë, në vitin 1986, e kishte takuar Presidentin e parë amerikan, Nikson, nga i cili kishte kërkuar që të mos lejonte copëtimin e mëtejmë të shtetit shqiptar, ngase qeveria e kolonelëve grekë, që kishte ardhur në pushtet në Greqi, kishte shfaqur hapur pretendimet e tyre për territoret shqiptare në jug të vendit. Presidenti Nikson, pasi e kishte dëgjuar me vëmendje, i kishte premtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk do ta lejonin një gjë të tillë. Ky ishte takimi i parë me një President amerikan në shërbim të interesave të Shqipërisë. Gjashtë Presidentët e tjerë të SHBA-ve, që i kishte takuar, para tyre kishte paraqitur gjendjen e Kosovës, jo vetëm gjatë Luftës së UÇK-së, jo vetëm pas përfundimit të kësaj lufte, por edhe në kohën pa filluar lufta e armatosur në mes shtetit serb dhe luftëtarëve të UÇK-së. Ekrem Bardha kishte njohuri të gjera të politikës së administratës amerikane, andaj jo rastësisht ai kishte pasur mundësi të takonte, siç u tha më sipër, shtatë Presidentë amerikanë, për të kërkuar nga ata ndërhyrjen e duhur në shërbim të çështje shqiptare në përgjithësi, por të Kosovës në veçanti. Siç del edhe në veprën e tij, pas gjenocidit që kishte kryer administrata e Millosheviqit në Bosnjë dhe Hercegovinë, ishte e mundshme që diçka e tillë do të ndodhte edhe në Kosovë. Por, siç dihet, Ekrem Bardha është ndër të parët që ka folur para Kongresit Amerikan, ku ka paraqitur gjendjen e rëndë, thuajse shpërthyese, jo vetëm në Kosovë, por kudo ku jetonin shqiptarët jashtë kufijve të shtetit amë, Shqipërisë.

Kujtimet e Ekrem Bardhës, botuar te libri “E vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora’’, në një mënyrë, ose në një tjetër, përmbush mirë atë thënien e mençur të shkrimtarit francez, Standalit, se ‘‘meriton të hidhet në letër vetëm ajo që mbetet interesante edhe pasi historia e ka dhënë fjalën e saj’’. Nëse diçka në jetën e njeriut, që ka zgjedhur rrugën për të qenë në shërbim të çëshjes së atdheut, pa marrë paraysh se çfarë padrejtësish të ka sjellë historia dhe njerëzit e asaj historie, atëherë ajo është lënia anash e hakmarrjes, ngase atdheu, edhe sipas Ekrem Bardhës, është kudo ku janë shqiptarët. Prandaj, në veprën e tij, ai ka të drejtë kur thotë, se pa lirinë e Kosovës nuk ka Shqipëri. Pra, këtë veprë lexuesi e konsideron ‘‘Një libër pa mllef, gjë e pazakontë, për ata që kanë pasur më shumë dhimbje! Me plot besim se e ardhmja e kombit fillimisht duhet të ketë lirinë e Kosovës. Pa këtë nuk mund të ketë Shqipëri etnike dhe as besim se një ditë do të ndodhë bashkimi i shqiptarëve’’.

Gjatshtë Presidentë amerikan, kanë pasur durimin ta dëgjojnë për çështjen e Kosovës, ta dëgojnë kërkesëne tij dhe të shqiptarëve, që të mos lejohet gjenocidi në Kosovë, që të mos bëhet pastrami etnik i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare jashtë shteti amë, që të bëhet diçka, ku prania e SHBA-ve të jetë e përhershme, si arma kryesore e sigurisë së paqes në atë pjesë të tokave shqiptare. Si gjatë angazhimit të tij, si gjatë udhëheqjes së gazetës Iliria, por shumë e theksuar në librin e tij të kujtimeve, të mbushur me aq shumë fakte, të dhëna, dëshmi, fotografi, që ndonjëheë flasin më shumë se njëmijë fjalë, me dokumente në të dy gjuhët, shqip e anglisht, Ekrem Bardha e ka ndjerë të nevojshme ta theksojë, pa ju dridhur çerpiku, si thuhet, se “unë i takoj së djathtës, por partia ime është Shqipëria”? Prandaj, jo vetëm i kishte hije, por edhe i takonte të reagonte në atë mënyrë, kur ambasadori Gelbart e quan UÇK-në organizatë terroriste, në njjë takim që kishte me veprimtarë të Këshillit Nacional Shqiptar. ‘‘– E dini ju se çfarë janë këta të UÇK? Këta janë terroristë! – tha Gelbard, prerë dhe me ton të lartë. Në atë moment më zuri gjaku i shqiptarit, nuk e përmbajta dot veten dhe iu ktheva me një gjuhë të drejtpërdrejtë, aspak diplomatike. – Shame on you! (Turp të kesh!), i thashë. UÇK nuk është terroriste! Ata djem dhe vajza luftojnë kundër një gjenocidi të pashembullt në qendër të Evropës dhe për të drejtat e tyre njerëzore’’.

Në jetë, siç e thekson edhe vetë, e kishte mbajtur mend një thënie të Abaz Ermenjit, i cili i kishte thënë, se një ditë Shqipëia do të ndryshojë, Shqipëria nuk do të zhduket, nuk do të zhbëhet, andaj çdo angazhim për të mirën e saj, është nderi dhe obligimi i secilit njeri, që e ka mundur hakmarrjen e mosmarrëveshjeve politke nga dashuria për atdheun.

Në rrëfimit e Ekrem Bardhës, ka momente shumë emocionuese, andaj është e kuptueshme se nga një letër, që e bija e Ekrem Bardhës, Donika ia dërgon të vëllait Ilirt nga Tirana, e prek aq shumë Presidentin amerikan Bill Klinton, sa i shkojnë lotët.

Këtu, ndoshta është rasti, të citoj letërn, qe e preku aq shumë Presidentin, por edhe një letër falenderuese të Presidentit, pasi përfundon Lufta e UÇK-së në Kosovë.

Letra e Donikës

Një ditë ajo mësoi për një ngjarje të llahtarshme. Për këtë i dërgoi një letër vëllait të saj, Ilirit.

I dashur Ilir!

Të falënderoj për fjalët e tua! E vërteta është se situata është thellësisht shqetësuese. Po të tregoj vetëm një ngjarje. Ti i ke parë kampet e refugjatëve kosovarë në televizion. Një nga këto kampe ndodhet edhe në Tiranë. Në një prej çadrave janë pesë vajza të mitura, të cilat refuzojnë të dalin përjashta si të tjerët. Vajza dhjetëvjeçare, e cila është e bija e arkëtares që kemi këtu në “Piazza”, i tregoi nënës së saj për vajzat e çadrës. Ajo, së bashku me shoqet e klasës shkonte në kamp për të luajtur dhe për të argëtuar fëmijët e refugjatëve kosovarë.

“E sheh atë çadrën atje?”, – e kishin pyetur vajzën dhjetëvjeçare. Ajo është çadra e vajzave që nuk duan të dalin nga aty.”

Asaj i kanë thënë se ato janë përdhunuar nga ushtarët serbë. Vogëlushja rrëfeu se serbët i kanë zhveshur vajzat në kazermat e ushtrisë. Vajzat thonë se ndihen aq të turpëruara, sa nuk pranojnë të dalin jashtë. Ato qajnë vazhdimisht me kujë, duke shkulur flokët, duke çjerrë fytyrën e duke thënë që donin të vrisnin veten.

Unë e porosita vajzën e vogël t’i pyeste nëse mund t’i takoja. Por fatkeqësisht, ato refuzuan. Situata këtu është e rëndë sa nuk mund të përshkruhet.

Me dashuri, Donika!

SHTËPIA E BARDHË

UASHINGTON

4 tetor 1999

FAMILJES BARDHA

3300 LONE PINE ROAD

WEST BLOOMFIELD, MI 48323T

E dashur Lumtëri, Ekrem dhe Ilir!

Dua t’ju falënderoj edhe një herë që u takuat me mua gjatë vizitës në Miçigan. Gjatë përpjekjeve tona për t’i dhënë fund kryqëzatës së tmerrshme të spastrimit etnik në Kosovë, tregimet tuaja na nxisnin fuqimisht dhe na mbanin parasysh urgjencën e misionit tonë. Ne tani po hyjmë në një fazë të re të përpjekjeve tona për paqe e drejtësi në Ballkan dhe, ndërsa gjendemi përpara vështirësive të mëdha, të jeni të sigurt se do t’i vazhdojmë përpjekjet për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës të rindërtojnë jetën dhe atdheun e tyre. Hillary dhe unë ju urojmë çdo të mirë juve dhe familjes suaj!

Sinqerisht,

Bill Clinton (d.v.)

Ekrem Bardha i tregon se si e kanë lënë vendin e tyre, atë jetë të braktisur dhe është i gatshëm të marrë përsipër shumë më tepër se sa mund të pritej. Ishte nguliturt hellë ne psikën e tij se Shqipëria nuk do të zhduket, nuk do të shpërbëhet. Do të vuajë, por do të mbijetojë. Kosova, pjesa tjetër e atdheut, është në fillin e perit. Nëse ky fill këputet, atëherë nuk do të ketë më Kosovë. Do të jetë një pjesë e harruar, ashtu si viset e tjera shqiptare. Komunizmi është armiku ynë, do i thotë Ermenji, por Serbia është dy herë e armiqësuar me shqiptarët. Nëse nuk do të ketë Kosovë, atëherë nuk do të ketë as Shqipëri. Ngaj duhet dalur në krah.

Presidentët Amerikanë

Në rrugën e drejtë që zgjodhi Ekrem Bardha do të takohej me shtatë presidentë të Shteteve të Bashkuara. Me gjashtë prej tyre do të bisedojë vetëm për Kosovën; në njërin takim, në takimin e parë me një president të shquar, Riçard Nikson, do të bisedojë për Shqipërinë.

Zbuluesi shqiptar Hasan Luçi do të jetë i pari që do të informojë për këtë takim shërbimin e tij të zbulimit të jashtëm. Ai do i shkruajë shefave në Tiranë se, “Ekrem Bardha, shqiptar i njohur, është takuar me presidentin Nikson. Tema e takimit të tyre nuk dihet, por, nga informacionet e ardhura, ka të dhëna se Ekrem Bardha i ka kërkuar Presidentit amerikan mbrojtjen e territorit shqiptar nga një agresion i mundshëm i Greqisë”.Presidenti i kishte premtuar:

, “unë nuk do të lejoj që pretendimet greke për territore shqiptare të realizohen”.

Një letër e Donika Bardhës bëhet shkak madhor për reagimin e presidentit Klinton dhe nis një rrugë e re, përmes një betimi që i bën presidenti i luftës: Serbët do e paguajnë këtë që po bëjnë në Kosovë.

Është një libër i veçantë. Ndoshta më i veçanti që do ta begatojë kujtesën e diasporës. Më domethënësi.

“Nësa ka diçka që më ka ndjekur gjithë jetën, edhe në kohë fatkeqësish, edhe në kohë suksesi, është pikërisht dashuria për Atdheun.

Jeta në demokracinë amerikane më bëri të reflektoj mbi shumë gjëra. Kuptova që nuk duhet të hakmerremi për të shkuarën, por të punojmë për të ardhmen, të ndihmojmë në përparimin dhe mbarëvajtjen e Atdheut tonë.

Çdo shqiptar duhet të pyesë veten ç’ka bërë dhe ç’duhet të bëjë për Shqipërinë dhe Kosovën. Së bashku kemi shumë për të bërë…”

Autori

Po përfundoj duke cituar prof.Dr Emin Kabashin shkrimtar nga Prishtina:

“Çdo studjues që merret me veprimtarinë e gjerë të sa e sa emigrantëve, do kuptoj se ata, prioritet e patën çështjen kombëtare , dhe ky fakt është një realitet me thellësi historike. Kështu studjuesit e kujdesëshem, në të njëjtën kohë, do gjenjë edhe gjurmët e të gjithë brezave të atdhetarëve shqiptarë, qoftë para Luftës së Dytë Botërore apo edhe pas saj. Atëherë del qartë, mendimi se asgjë në jetën tonë historike, e as në jetën e mërgatës shqiptare në Evropë ,në Azi,në Amerikë, nuk ka pikur nga qielli, as nuk ka ardhur vetiu, siç thuhet, nga një faktor i jashtëm, apo nga një dorë e padukshme, në mënyrë që të vë në vijë, jo vetëm veprimtarinë e tyre, por edhe përfundimin e asaj veprimtarie” A nuk eshte ky rast i sotëm shembulli më eklatant?

Filed Under: Opinion Tagged With: Ekrem bardha, Elez Osmani

Kujtime nga takimet me Sulejman Krasniqin

June 10, 2023 by s p

A group of people posing for a photo

Description automatically generated

A picture containing text, person, person, indoor

Description automatically generated

A picture containing text, floor, indoor

Description automatically generated

Prof. Elez Osmani/

Udhëtimet nuk janë gjithmonë të bukura. Nuk janë gjithnjë të rehatshme. Nga një herë gjatë atyre udhëtimeve, njeriu lëndohet. Thonë se udhëtimi ndikon në ndryshimin e njeriut, duke lënë gjurmë në kujtesën e tij, ngase përherë merrni diçka me vete. Te gjitha këto, u bënë bashkë te unë, kur e takova shkrimtarin e madh, Sulejman Krasniqin. 

Në shtator të vitit 1990, shkova në Tiranë me time shoqe dhe u vendosëm në Hotel Tirana.  Në Tiranë, kësaj radhe, përveç vizitave familjare, me ç’rast i vizitoja dajallarët e babait tim,  bëra edhe vizita të tjera. 

Ish kolegu im i Programit Dokumentar  të  TVP- es, Nezir Istrefi, më kishte porositur që ta takoja kushëririn e tij, shkrimtarin, Adem Istrefin. 

Shkova në selinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Ademi nuk kishte qenë aty. Më thanë se mund ta gjeja të redaksia e revistës Nëntori. Bëra një copë rrugë dhe shkova. E takova në redaksinë e revistës. Biseduam gjatë. I tregova për Strellcin, për Isterfajt, për Nezirin, për Kosovën. Adem Istrefi u gëzua dhe u përmallua shumë. Në fund te vizitës, kur po dilnim nga redaksia, erdhi një burrë shtatshkurtër, i buzëqeshur, duke u nxituar. Në Lidhjen e Shkrimtarëve i kishin treguar se kishte ardhur dikush nga Kosova që e kërkonte. Më treguan se ai ishte Sulejman Krasniqi. Unë, pa pritur, nga  para, ia prita: Ky qenka Mic Sokoli i kohës sonë. Ai kuptoi se isha i ndikuar nga romani i tij ”Mic Sokoli”. Më përshëndeti i përmalluar. Bëmë një bisedë rutinë në redaksi, dhe pa humbur kohë, me ftoi në banesën e tij. 

Gati tërë natën biseduam për aq shumë gjëra. Vërehej qartë, se jeta e tij nuk kishte qenë e qetë, përkundrazi kishte qenë e vështirë, plot shqetësime e brenga, si rrjedhojë e rrethanave tragjike të historisë së fatit tonë. 

Për t’i shpëtuar dhunës serbe, si i ri kishte “ikur” në Shqipëri. Gjatë bisedës që bëmë së bashkë, e kuptova se ai ishte një nga ata intelektualët e shquar, që nuk e thotë fjalën, sa për ta thënë. Për punën e tij krijuese ishte shpallur shkrimtar i lirë në profesion. Por, mua kurrë nuk më kishte shkuar mendja se ky shkrimtar, edhe  në Shqipëri kishte vuajtur dhe ishte përcjellë nga organet e shtetit. Këtë të dhëna nuk ma tregoi atë natë, që biseduam bashkë. Ishte një rast tjetër, kur e kuptova. Po shëtisnim në sheshin e Tiranës. Rastësisht, u takuam me Ferid Llujen, një shkodran nga familja Tepelia. Kur po provoj ta njihja me Bacën Sulë, ai ma priti: Dale, dale, unë e njoh këtë burrë. Kemi qenë bashkë në internim, në kampin e Tepelenës. U  shtanga. I hutuar, e pyeta, edhe ti ke kalua nëpër dyert e ferrit? Po, më tha, dhe jo vetëm unë, por shumica që vinin nga Kosova, përveç tre-katër njerëzve që ishin afër kupolës së shtetit.

Atë natë, në shtëpinë e tij, biseduam për tema nga më të ndryshmet, deri pas mesnate. Atij, Sylejman Krasniqit, i dukej sikur kishte ardhur në Kosovë, gjë që e tha disa herë. Më pyeste për gur e për dru, siç thonë fjalës, për Kosovën, për politikën aktuale. Diskutuam edhe për romanin.”Mic Sokoli”. I tregova se e kisha lexuar dy herë. Si, me shpoti, i fola:  Po t’i them dy qortime që i kam vërejtur. Urdhëro, më tha.  Në pjesën ku i denoncon fetarët, nuk ke sjellë fakte historike, kurse romani yt është me temë historinë. Ai ma preu shkurt. Kjo qëndron, por ndryshe nuk botohej romani! E dyta, vajza e Micit nuk e kishte emrin Bletë, por Mizë. Mirë që ia ke ndërruar emrin, se ia ke qëlluar. Qeshi të madhe. Nga e di ti, më pyeti. I tregova se shumë herë e kisha dëgjuar në odën tonë duke e përmendur këtë emër burrat e moshuar. Kemi qenë miq me familjen e Binak Alisë. U bë kureshtar. Por, më pyeti, ke edhe ndonjë vërejtje tjetër. I fola, pse e kishte sajuar personazhin e Shpend Dragobisë, kur në të vërtetë ai ishte Zeqir Halili, që e kishte pritur Isa Boletinin. Është i njohur për trimërinë e tij, për luftërat dhe për përpjekjet e tij për atdhe.  Kam qëndruar tre muaj në Tropojë, më tregonte, se më duhej ta mësoja të vërtetën dhe historinë e luftërave të asaj ane. Se pikërisht,  kur arrihet pa shumë mundimesh e vështirësish ta mësosh të vërtetën, aty qëndron edhe kënaqësia e madhe e punës. Duke qëndruar në Malësinë e Gjakovës, sa herë jam zgjuar, sytë i kam pasur nga Kosova, të cilën kurrë se kisha pasur më afër, por nuk mund ta vizitoja. E njoha Malësinë e Gjakovës dhe jetën e  Micit, por dihej se familja e Binak Alisë ishte ndarë në dy drejtime politike. Hisja e Binak Alisë, janë mbretëror, kurse hisja tjetër, ajo e Salih Manit e kanë përkrahur komunizmin. Dihet se familja e Zeqir Halili nuk është pajtuar me komunizmin, ndaj, pa dëshirë e kam zëvendësuar në roman me Shpend Dragobinë, se ndryshe nuk botohej vepra. 

Shkrimtari Sulejman Krsniqi, për veprat e tij artistike, përveç studimit të historisë, kërkimit nëpër arkiva, konsultimit të literaturës historiografike, në shumë raste, ka bredhur nëpër rrethe të ndryshme të vendit për t’u takuar me të moshuar, të cilin kishin qenë dëshmitarë të ngjarjeve. 

Unë, pasi i shpreha respektin tim të veçantë për gjithë atë punë të madhe që kishte bërë, e luta për një intervistë, që do të ishte fjala e parë publike në vendlindje pas largimit të tij. Për një moment ka hezituar. Çka u bë, e pyeta. Të rrezikoj, më tha. Keni regjim fashist.

 Po bëjmë përpjekje që të ndahemi nga sistemi politik i Jugosllavisë. Na kanë larguar nga puna, i fola. Do të provojmë ta botojmë në ndonjë revistë. E realizuam intervistën. Intervistën nuk ma dha mua. E përcolli në Gjermani. Pastaj nga Gjermani të afërmit e tij ma kanë sjellë në Prishtinë. Redaktori i atëhershëm i ‘‘Shkendisë’’, Jonuz Fetahaj, pas një redaktimi, ka arritur ta botojë.

 Më lejoni t’i sjellë para jush, dy-tri pjesë të shkurta nga intervista e botuar në “Shkëndija”, janar të vitit 1991.

 “Për lexuesin e Kosovës, që e dua më shumë se jetën, kam shkruar shumë. Mjerisht, ai nuk më njeh, nuk është faji im dhe as faji i tij. 

Dua t’u tregojë se e mësova historinë si romancier, për nevojat e mia letrare. Kam gjurmuar, kam hulumtuar e kam qëmtuar materiale historike që kanë të bëjë me tema që nga shekulli IV e deri në ngjarjet e fundit të Kosovës, për të cilat krijuesit duhet t’i peshojë pena sa gryka e topit që t’i pasqyrojë denjësisht, në nivel dhe besnikërisht. E çmoj se tepërmi atë që thuhet se historia është kujtesa e një populli. Nuk besoj të ketë popull si yni, që ta ndiejë domosdonë e ndriçimit të shekujve, të cilët kanë qenë (dhe janë në një pjesë të tij), të përmbushur me një tragjizëm të ndezur dhe heroizëm që nuk i gjendet shoqi për t’u matur as për së largu. Nëse ka një popull, apo një komb që është dënuar pa faj, është yni. Historinë e tij për shkaqet që dihen, e kanë shkruar të huajt. Ka kaq shumë boshllëqe, që e kërkojnë edhe fjalën e shkrimtarit, sa i jap vetës të drejtë ta quaj plëngprishës cilindo që ka aftësi dhe nuk shkruan. Aty ku mund të depërtojë historia, duhet të zhbirojë letërsia“.

 Kur po bisedonim atë natë të gjatë, në një rast më pyeti: E keni pasur një emision dokumentar, në TVP, me një të shpëtuar nga Tivari, me Hajdin Xanin  Po, i thashë, e kam realizuar unë. Ma keni prekur në “thembrën e Akilit”.  Këtë temë e kam trajtuar shumë më herët.

 Si i mitur, në ndejat nëpër oda, ku i ndjeri babai im, i jepte vetës të drejtë të më merrte, se me kishte djalë të vetëm, më ka rënë të shoh e të dëgjojë disa nga të paktët që i kishin shpëtuar gjenocidit të Tivarit. Nën pirgjet e kufomave, të shokëve te vrarë e të maskaruar, ishte edhe një djalë, i gjatë, nga Celina. E quanin Abyl. Ai e kishte krijuar një këngë për ato ngjarje rrëqethëse, që i kishte jetuar vetë. Pikërisht kur arrinte të gjysma e këngës, në vargjet: “Më qo ushtar në Tivar, moj nanë, në kasaphane… ”., e mbërthente epilepsia, e shkaktuar nga tmerri. Përfytyrojeni një të ri me  shumë plagë, që i kishin lënë mazgallat e përjetshme. E zgjata, por kam takuar disa nga këta fatkeq dhe rrëfimet e tyre më kanë mbetur thumb në tru”.

 Unë pikërisht për këtë, me të kryer universitetin iu kryeshtrova punës, shkrova romanin dhe e titullova “Njeriu dy herë i pushkatuar”. E dorëzova në vitin 1968, u aprovua për botim, në vitin 1969, por për shkaqe objektive nuk u botua. U botua pas proceseve demokratike, më 1991. 

Ndaj, ta kam përcjelle emisionin me vëmendje. Ishte guximi i djaloshit të ri atëherë, Hajdin Xani, që e aktualizojë rastin në organet më të larta të Jugosllavisë.

Kur u botua intervista, ia dërgova numrin e revistës. U gëzua shumë. Më dukej se po rilindej përsëri, andaj më tha. Është hera e parë që “flasë” publikisht në një revistë të Kosovës.

Filed Under: Kulture Tagged With: Elez Osmani

Duke i treguar botës të vërtetën e lirisë sonë…

April 28, 2023 by s p

Elez Osmani/

(Veprimtaria e Prof. dr. Nusret Pllanës për ta  bërë të ditur gjenocidin serb ndaj shqiptarëve)

Intelektuali Nusret Pllana është autor i dhjetëra veprave publicistike dhe shkencore që flasin për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I veprave që flasin për ecjen shekullore të popullit shqiptar në luftë për liri. I studimeve që flasin për Aleancën e Atlantikut, që i bëhet krahë luftës çlirimtare të Kosovës. Për herë të parë në histori, falë angazhimit të përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Evropa i kthen sytë nga përpjekjet e popullit shqiptar për të jetuar të lirë dhe në një shtet etnik. Studimi i tij për ndërhyrjen e NATOS gjatë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përherë të parë ushtrinë shqiptare e bën këmbësorinë e Aleancës më të madhe ushtarake të botës. 

Profesor Nusret Pllana është autor i dhjetëra filmave dokumentar që kanë për temë heroizmin e Dëshmorëve të Kombit, të cilët nuk kanë kursyer as jetën, vetëm për të jetuar të lirë. 

Prof. dr. Nusret Pllana përveç temave të tjera, është ndër të vetmit që është marrë edhe me gjenocidin serb ndaj fëmijëve shqiptarë të Kosovës. 

Në veprën e tij, ai ka shënuar me emër dhe mbiemër, me foto dhe me fjalë, tragjedinë e 1432 fëmijëve të Kosovës, të cilët do të ishin 1432 familje të së ardhmes së Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. 

Pra, popullit shqiptar, i mungojnë nga tmerri i gjenocidit serb 1432 familje dhe askush deri sot nuk është përballur as me drejtësinë e shqiptarëve, as me atë botërore. 

Kjo është njëra anë e veprimtarisë së madhe të veprimtarit, të luftëtarit dhe të intelektualit Nusret Pllana, për veprat e të cilit po flasim sonte këtu, në shtëpinë e madhe të VATRËS së shqiptarëve. Në të njëjtën kohë, ky folës i parë dhe e i paharrueshëm i Radios Kosova e lirë, me atë fjalinë hapëse të atij emisioni: Ju flet Kosova e lirë! Ju flet Kosova e lirë!, i ka dhënë zë luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ne një kohë kur nga Radio-Televizioni  i Pishtinës,  ishim të përzenë, nga forcat serbe, dhe çdo natë na drejtohej Hajrie spikerica siç e quanim ne .

Në anën tjetër, prof. dr. Nusret Pllana ka shumë vjet që është duke bredhur nëpër të gjitha kontinentet e globit për ta bërë të ditur përmasën e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, në një luftë të padrejtë dhe të pabarabartë, ngase asnjë institucion politik e shtetëror në Kosovë nuk e ka bërë këtë punë. Nusret Pllana ka dorëzuar veprat e tij për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve, edhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, edhe në bibliotekat e humë vendeve të tjera në SHBA, në Kanada, në Australi, dhe kudo nëpër Evropë, deri edhe në Parlamentin evropian. Një punë e këtillë, as nuk bëhet pa para, a nuk bëhet vetëm, por as nuk realizohet pa ju bërë krahë edhe të tjerët, ata që e vlerësojnë drejtë angazhimin  tij, ata që kanë dhënë diçka për luftën tonë për liri, si dhe ata që kanë dije dhe ia japin një ndihmë për të dalë sa më mirë një vepër e caktuar. 

Prof. dr. Nusret Pllana, po ashtu është organizator i disa ekspozitave ku shpalohet e gjithë tragjedia e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Mirëpo, ajo Evropë që ishte bërë aviacioni luftarak i UÇK-së, kur vinte puna për të hapur ekspozitën për gjenocidin serb, nuk lejohej nga administrata botërore e UNMIK-ut, me arsyetime banale, se tashti nuk duhet të merremi me të kaluarën, por duhet të shohim nga e ardhmja. Si mund të shihet e ardhmja, kur harrohet e kaluara. Bota e mençur ka thënë, se ai popull që e harron të kaluarën, ajo i përsëritet. 

Ky angazhim i Prof. dr. Nusret Pllanës, kjo punë e palodhshme e tij, ky vrap nëpër dyert e botës për t’ia bërë të ditur gjenocidin që ka ndodhur mbi shqiptarët, edhe mbi ardhmërinë e tyre, vrasjen dhe zhdukjen e fëmijëve, nuk mund të matet me asgjë. Sepse këtë angazhim, do të duhej ta bënte secila qeveri e Kosovës, do të duhej ta bënte Akademia e Shkencave dhe Institutet shkencore në Kosovë. 

Në mungesë të tyre, po e bën edhe sot e gjithë ditën, që sa e sa vjet, thuajse fill i vetëm Prof. dr. Nusret Pllana.

Kur i referohemi historisë kuptojme se pikërishtë nga Vatra kane buru ide per te mirën e shqiptarisë, kujtoj se është mirë, që edhe me këtë rast te bejmë një apel kundër  punës së pa kuptimtë qe behët në Hagë. Do ishte mirë qe e dhe ata qe kanë depozitua akuzat e tyre,ti terhjekin per te miren Kosoves .Po permendi rastin e z.Kabashi, tërhjekjen e tij, pikerishtë në Hagë,dhe doli faqebardhë  

Ta kujtojmë Pajtimin e Madhë te Verrat e Llukës, ku u falen mbi 1000 gjaqe. Kishte familje qe për të mirën e Kosovës fali kater gjaqe… . 

Kjo nuk do te thot, se ne nuk kemi respekt per viktimat tona, por burr i fortë është ai qe falë, dhe Pajtimi është hajr, thuhet ne Kuran.Ndërsa ne, për ta, ruajmë nderimin dhe respektin më te thellë.Ne do ti pleqnonim vetë ato raste,ashtu siç bëri i ndjeri Anton Çetta, e jo te na gjykojnë,sipas akuzave te prokurorit serb dhe Drecunit.

Edhe një here, respekt dhe nderim për punën, angazhimin dhe mundin e tij në shërbim të lirisë së Kosovës dhe në shërbim të së vërtetës historike të lirisë së Kosovës dr.Nusret Pllanës dhe të gjithve që punojnë në këtë drejtim!

New York, 27 prill 2023

Filed Under: Komente Tagged With: Elez Osmani

SI DHE KUR BASHKËSIA ISLAME E KOSOVËS U BË PJESË E KOMUNITETIT MYSLIMAN SHQIPTAR

January 18, 2023 by s p

Elez Osmani/

Pas pushtimit nga shtetet e Bllokut fashist (prill 1941), Jugosllavia e Vjetër u shpërbë dhe u copëtua, po ashtu edhe trevat shqiptare që ishin nën sundimin e saj. Pjesa më e madhe  e Kosovës, si dhe trevat veriperëndimore të Plavës, Gucisë, Rozhajës, Tutinit, Ulqinit, Tuzit, trevat lindore etnike shqiptare dhe pikërisht Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova e Struga u përfshinë në Zonën Italiane të pushtimit. Në bazë të Dekretit nr. 264 të Mëkëmbësit të mbretit, dt. 12 gusht 1941, këto territore iu rikthyen Shqipërisë. Kështu, me shtetin amë u bashkua një territor me një sipërfaqe prej 11.780 km katrorë me një popullsi prej 820.000 banorësh. Ndërsa pjesa tjetër e territorit të Kosovës u vu nën pushtimin bullgar dhe gjerman.  

Kosova nën administrimin italian u nda në tri rajone administrative (prefektura): Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Të gjithë banorët e Kosovës së pushtuar nga Italia, në bazë të dekreteve tetor 1941 dhe shkurt 1942, u bënë shtetas të Shqipërisë. Kjo gjendje zgjati deri në mbrëmjen e 8 shtatorit 1943, kur Italia kapitulloi.

Gjatë sundimit të tyre, italianët paraqiteshin si kujdestarë të secilës prej feve të shqiptarëve, dhe Islami për arsye të epërsisë numerike, në drejtimin italian të kulteve në Shqipëri, trajtohej, me një konsideratë oportune. Duke respektuar përpjesëtimet numerike, angazhimi më i madh i politikës fetare italiane në Shqipëri synonte, pra, të kënaqeshin kërkesat e përfaqësuesve myslimanë, të cilëve u referoheshin nga pikëpamja ideore më se dy të tretat e popullsisë shqiptare, dhe, pas krijimit të Shqipërisë së Madhe, pothuaj 80% e saj. Me fjalë të tjera, myslimanët shqiptarë gradoheshin në rangun e ruajtësve të ekuilibrave fetare shqiptare.

Kështu, ndryshimet e mëdha, të shkaktuara nga rrethanat politike shoqërore ndër shqiptarë, ndikuan edhe organizimi i ri fetar, ndaj në qershor 1941 bëhet një riorganizim i Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke zëvendësuar Këshillin e Përgjithshëm të Bashkësisë, organizëm i Shqipërisë së “vogël”, me një Këshill të Ylemave, pesë anëtarët e të cilit u emëruan që të gjithë nga qeveria e asaj kohe.

Myslimanët shqiptarë i shfrytëzuan me zgjuarsi kushtet e krijuara nga zhvillimi i luftës, sidomos ndryshimin e kufijve – forcuan lidhjet me myslimanët shqiptarë të Kosovës, të trojeve shqiptare të Malit të Zi, të trojeve shqiptare të Maqedonisë si dhe të popullsisë çame. Vajtje-ardhjet, bashkëpunimi i tyre, i forcoi tepër lidhjet dhe ndihmoi në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në ato zona. Një pjesë e literaturës islame në gjuhën shqipe, e panjohur më parë nga popullsia e zonave të pushtuara nga ish-Jugosllavia dhe Greqia, filloi të hynte në ato troje dhe të luante një rol të rëndësishëm në pikëpamje fetare.

Kjo ishte një mënyrë për të krijuar një hapësirë për të përfaqësuar myslimanët e territoreve të tjera, që deri në ato kohë ndodheshin jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, territore, të cilat, me situatën e krijuar, iu bashkuan atdheut mëmë. 

Meqenëse me Bashkësinë Islame në Kosovë udhëhiqte Ulema Mexhlisi me seli në Shkup (organizim në kuadër të Jugosllavisë), paria islame në Kosovë, duke iu përgjigjur rrethanave të reja, dhe me ndihmën e Tahir Kolgjinit riorganizohet.Ai në një shkrim të botuar te Koh Jonë ndër te tjera shkruan”

“….Pikë së pari iu drejtova të ndiemit Hafiz Abdullah Telaku nga Prizreni që ishte kryetar i imameve zyrtarë dhe njeri sa i dijshëm,aq edhe atdhetar, te cilin e kam pas njoftun qysh në  vje tin 1922.Bisedoj me te dhe ia shpjegoj çeshtjen. Më pranoi pikpamjen pa nji pa dy..Vendosem bashkë që ti thërrasim imamët zyrtar të vendeve të lirueme në nji kongres të klerit mysliman në Prizren dhe në këtë kongres, mbasi të diskutohej çështja, të demarshohet pranë autoriteteve në Tiranë…Data e kongresit u shënua fundi i nantdorit 1941 tue u shenue edhe vendi i mbledhjes. Gjithsejt ishin 52 imamë zyrtarë…Shkrova me daktilo pesdhejtë e dy letra,tue i ftuem imamët qi të paraqitën në Kongres.

Dhe kështu, për këtë qëllim, u mbajtë   Kongresi në nëntor, në të cilin morën vendimet e duhura për t’i integruar e për t’i bërë pjesë përbërëse të Komunitet Mysliman të Shqipërisë edhe strukturat e Bashkësisë Islame të Kosovë. 

Në procesverbalin e mbajtur nga punimet e Kongresit të Prizrenit, thuhet:

“Mbas bisedimesh të zhvilluara, si program punimi u arrit në vija të përgjithshme: 

1)Ky kongres ka për qëllim kryesor me i ardhe në ndihmë sa më mirë “Bashkimit Kombëtar”;

  2)Kongresi si interpret i popullit musliman kosovar, dëshiron me ndjekë qëllimin për me pasë, sa të jetë e mundur, të perfeksionueshëm një organizimin fetar për realizimin e parimeve të nalta islame;

  3)Përderisa të stabilizohet gjendja juridike e vendeve të çlirueme, kongresi e mendon të nevojshme që administrimi fetar në këtë vend të dirizhohet prej një Myftiu të Përgjithshëm dhe i përbërë prej 4 anëtarëve të zgjedhun nga ky kongres, me qendër funksionimi Prizrenin. 

Këshilli në fjalë ka për kompetencë me zgjedhë sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Naltë të Sheriatit…

Në harmonizim me përmbajtjen e këtij programi, prej shtatë pikash, të gjitha kompetencat e “Ulema Mexhlis-it” si dhe ato të Drejtorisë së Vakfeve të Shkupit, i mveshen Këshillit të Naltë të Sheriatit në Prizren. 

Nga të dhënë që disponojmë në Kongresin e parisë islame të Kosovës në Prizren morën pjesë: 1) Hafiz Abdullah Hizri; 2) Asim Lusha; 3) Hasan Islami; 4) Hafiz Qemali (kundër); 5) Hafiz Vejseli; 6) Hasan Sulejmani; 7) lmer Mustafa; 8) Ahmet Latifi; 9) Mehmet Ademi. 10) Sulejman Jakupi; 11) Qemal Hamiti; 12) Rexhep Bajrami; 13) Rexhep Arifi; 14) Fetah Haxhi Abdullahu; 15) Beqir Bajrami; 16) Mehmet Haxhi Hasani; 17) Bajram Shabani; 18) Bahtjar Neziri; 19) Salih Ramadani; 20) Xhemal Limani; 21) Faik Sherifi; 22) Hafiz Sadik Shporta; 23) Qemal Emini; 24) Qamil Hurshiti; 25) Beqir Hizri; 26) Sulejman Esati; 27) Abdyl Ahmeti; 28) Ejub Bajrami; 29) Maliq Sulejmani. Ndersa Tahir Kolgjini, më 10.02 1986 në Revistën  “Koha  Jonë”ftvgyfggyhuji  thekson se: U paraqitën pesëdhjet e nji,pasi nji prej tyre paska pas kenë i semute. Dhe në daten, kohën dhe vendin e caktuem u hap Kongrsi i Klerit Mysliman i vendve të lirueme.Kongresisn e kryesoi Hafiz Abdullah Telaku”

Kongresi mori vendim që, strukturat e Ulema Mexhlist tani e tutje t’i quante Këshilli i Naltë i Sheriatit me qendër në Prizren, si dhe emëroi strukturën e re drejtuese në krye me Hfz. Ali Krajën.  

“Ne të nënshkruemit, pjesëtarë të Kongresit të Klerit Musliman të Kosovës, në konformitet me programin e punimeve, redaktue me datë 22. XI. 1941, si përfaqësues të popullit musliman të Kosovës për me dirizhue veprimet e “Ulema Mexhlis-it”, me cilësinë si Këshillë i Naltë i Sheriatit, me qendër në Prizren dhe me kompetencat që akordojnë ligjet në fuqi, me unanimitet votash emërojmë personat e poshtëshënuar: 

1) Z.Hafiz Ali Kraja nga Shkodra, Myfti të Përgjithshëm;

2) Z. Haxhi Iljazi, nga Prishtina, anëtar; 

3) Z. Hasan Islami, nga Gjakova, anëtar;

4)Z. Hafiz Sulejmani, nga Tetova, anëtar;

5)Z. Abdullah Hizri, nga Prizreni, anëtar.

Me qëllim të funksionimit sa më efikas Kongresi për çdo anëtar të Këshillit i cili për çfarëdo arsye mund të mungonte në mbledhjet e Këshillit emërohen anëtarët rezervë-zëvendësues për secilin prej tyre. Me këtë rast, Kongresi emëron kryetarin e tij të përkohshëm, z. Hafiz Abdulla Hizrin (Telakun). Kështu që nga viti 1941 Kryesia ë Këshillit të Ylemave të Komunitetit Mysliman më seli në Tiranë ushtronte pushtetin e vet gati në tërë hapësirën shqiptare. Më rregullat e reja administrative fetare u formuan edhe kryemyftinitë, myftinitë, nënmyftinitë dhe imamët  e xhematit.

Kryetari i ri i myslimanëve shqiptarë, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Ulemave, ishte, nga 16 qershori i vitit 1942, Hafiz Sherif Langu, atdhetar që kishte marrë pjesë më 28 nëntor 1912 në ngritjen e Flamurit më rastin ë Shpalljes së Pavarësisë.

Më 16 tetor 1943 mblidhet Kuvendi Kombëtar. Ftohet të marrin pjesë kryetari i Këshillit të Ulemave dhe kryemyftinjtë: 

l) Muharrem Mullaj – kryemyfti i Tiranë, 

2) Hafiz Sabri Bushati –  kryemyfti i Shkodër; 

3) Hasan Islami- kryemyfti i Prizren,(lexo Dukagjinit)

4) Rexhep Remziu – kryemyfti i Prishtinë..

Ftesa këtyre u ishte bërë nga Ibrahim Biçaku.

Gjatë kësaj përudhe u bë edhe riemërimi i imamëve të xhematëve. Të gjitha dekretet e emërimit për nëpunësit fetarë islam lëshoheshin nga kryeqendra në Tiranë. Ata veprimtarinë fetare e gërshetuan më çështjen kombëtare shqiptare. Kjo shihet nga dokumentacioni i shumtë i kësaj kohë ku, pos tjerash, thuhej: “Imamët do të qëndrojnë kurdoherë në krye të detyrës që u është ngarkuar dhe njëkohësisht do të japin vaiz fetar dhe atdhetar”.

Të gjithë hoxhallarët dhe nëpunësit fetarë, shtetëror dhe fetarë që mund të ushtronin detyrat e veta, ishin të obliguar të posedonin dekretin e emërimit të Kryesisë të Këshillit të Ylemave të Komunitetit Mysliman në Tiranë, Para çdo dekretimi, kandidati ishte i obliguar të betohej në besnikëri ndaj fesë dhe atdheut 

Teksti i betimit ishte i njëjtë për të gjithë dhe ai kishte përmbajtje fetare dhe kombëtare mjaft domethënëse. 

“Betohem në emën të Perëndisë se do të jam besnik i shtetit Shqiptar, i Statutit, i Atdheut e se do të kryej detyrën t’eme me ndërgjegje të pastër Kombëtare, tue ruejt besnikrinë e urdhnavet fetare dhe tue respektue plotësisht statutin e gjithë Rregulloret e Komunitetit.”

Dhënia e betimit para organeve kompetente atë kohë bëhej sipas nenit 26 të Statutit të Komunitetit Mysliman dhe atë duhej ta kryenin-jepnin të gjithë nëpunësit fetarë, përfshirë këtu edhe imamët dhe myezinët.

Per organizimin dhe ideshmërinë e këtij integrimi mësojmë nga një shpjegim që e bën Tahir Kolgjini: 

Ai i shkruante Mustafa Krujës.

“Në Egjipt në “Revak el Etrak” ne konviktin e studenteve turq (lexo europianë ) të “Al Az-harit”, në Kajro, ndodhet hafiz Teufik Islami, nga Gjakova, llagapi i tij asht Xhehenemi. Në Kosovë ia njohë vëllain Hasan efendi Xhehnemi. Të dy janë nga të diplomuem në t’Ezherit. Hafiz Teufikun nuk e njoh drejtpërdrejt. Mirëpo e di që asht dijetar dhe orator, ndër njerëzit e penës e hoxhallarët e shekullit. Myfti Salihu e njeh. Ndonji here qenkan takuar me te. Ky djal i ri e me vlera asht kandidat qe ne të ardhmen të bahet kryetar i Bashkësisë Muslimane. 

Miku jem gjakovar, Beqir Maloku,qe gjendet në Izmir- nuk ka lidhje me Kristë Malokun-do t’i shkruej që të lidhet me ju..Edhe unë po të rekomandoj. Duhet ta shfrytëzojmë ndikimin e tij në Deçan. Edhe për Shqipninë e vjetër, edhe për Kosovën, ka shumë punë me ba. Njihu me te, që ta njohesh personalitetin dhe mandej, mendimet e bindjet e tua, t’i bajnë edhe atij dobi…  Nëse dëshiron t’i bash fjalë, për mua, para se të mberrijsh ne kryeministri, asht mirë që ti flasish për një kongres që u mblodh në Prizren, i përbamë prej pesëdhjetë klerikësh. Boshti qi lëvizi kët Kongres të njohun isha unë. Madje, edhe kur të pata vizitue në Kryeministri të dhash do spjegime… Qëllimi jem ish “Laicisme”,as qeveria te mos lidhet mbas fesë e as feja mbas qeverisë. Do me thanë, autonomia e fesë, sidomos për të ardhshmen në Kosovë, ishte nji gja shume e rendesishme “ 

Ndërsa në autobiografinë e tij, Tahir Kolgjini e shtjellon edhe me shume  këtë ngjarje:

“Ishte Nandori 1941. Shkova në Prizren-Gjakovë-Krumë dhe në ket rasë mora kontakte me klerin e Prizrenit dhe të Gjakovës. Dakord me ‘ta… dhe në marrëveshje me Hafëz Abdullah Telakun dhe me disa të tjerë, provokova mbledhjen e klerit mysliman të vendeve të lirueme dhe si erdhën të gjithë, me cillësinë t’eme si sekretar i këtij kongresi, mbajta nji bisedë mbi randësinë e çashtjes dhe u lshue nji vendim, i cilli, iu njoftue Tiranës se, elementi mysliman i vendeve të lirueme, do të vazhdojë në zbatimin e dispozitave të autonomisë fetare, pa marrun parasysh pjesën e legjislaturës shqiptare, qi vjen ndesh me to. Ky njoftim, iu ba Mbëkambësisë, Ministrisë së Drejtësisë, Kryeministrisë dhe Ministrisë së Mbrendshme.

Kur këthej në Kukës, gjej nji telegram të Ministrit të Mbrendshëm, qi thotë: -Kryetar’ i asaj Bashkije, të mos largohet nga qendra pa lejen e kësaj ministrije.

– Si duket, Komisari i Naltë për vendet e lirueme, Fejzi Alizoti, më kishte raportue randë. Zemrohem dhe kërkoj leje. N’ato ditë, kishte ardhun në fuqi Mustafa Kruja, i cilli, përveç kryeministrinë, kishte marrun përsipër dhe dikasterin e mbrendshëm.

 -Shkoj në Tiranë. Vizitoj dhe uroj Mustafa Krujën. Pyetja e parë, qi më bani, qe: “Ç’asht Kongresi i Klerit Mysliman në Prizren?” Ia shpjegova; U bind dhe m’u përgjegj: “Keni të drejtë!”…

Kush ishte Tahir Kolgjini

Ky ka lënë një autobiografi të titulluar “Jetëshkrimi i em shkurtimisht…” ku pos tjerash thekson:

-“Kam lemë në Lamshejtë të Lusnës më 24 Prill 1903. Jam i biri i Ali, Osman, Hasan, Sulë, Idris, Sulë, Bajram, Shahin Kolgjinit. Nana e eme, asht Qamile Kolgjini, e bija e Sadik Totës nga katundi Vilë po i Lumës.

Kam pasë vazhdue dy vjet mësimet në shkollën fillore të katundit Lusën, tue pasun si mësues nji farë mulla Ademin nga katundet e Shkupit. N’ato vjet, me ndërmjetësimin e të ndiemit Sulejman Laçit nga katundi Bardhoc i Lumës, Stambolli, kishte hapun shkolla fillore turkisht në katundet Lusën, Imisht, Vilë, Kalisë, Kolesjan, Bicaj, Shtiqën, Topojan e tjera të Lumës. Ende janë gjallë disa njerëz, që kanë pasë ndjekun këto shkolla, si Muharrem Bajraktari në Belgjikë e Aziz Isak Azizi në Ferizaj”.

Në fillim të vjetit 1913, dy javë ma para se ushtrija serbe, të pushkatonte shtatëdhet’e pesë vetë nga katundi Lusën Familja e Tahirit emigron në Turqi, por edhe atje nuk gjenë rehati. ” Mbas gjashtë muejsh, kur Luma, me përjashtimin e disa katundeve, i ngeli Shqipnisë, em atë, me përjashtimin tem, pjestarët e familjes krejtsisht i këthej për Shqipni. “

Ndersa Tahiri vazhdon mësimet në Stamboll: “Mbrenda dy vjetve, mbarova shkollën fillore të quejtun “Sultan Mahmut”. Mandej, baba, më regjistroi në Medresen Darulhilafetulaliyye. Në ket institut, vazhdova mësimet deri në vjeshtën 1924 dhe pastaj  u ktheheva në vendlindje.”

Prej vitit 1925 deri me 1932 kryen detyra te ndryshme arsimore, pedagogjike , shoqërore – politike dhe juridike gjithandej nëpër Shqipëri. Për të vazhduar kështu edhe me ardhjen e italianeve, siç shprehet edhe vet:

“Me 7 Prill 1939, shkarkuen italianët. Me 13 Prill 1939 erdh Konti Çiano në Tiranë dhe disi deklaroi se, Shqipnija, do t’ishte e pavarun, vetëm se kunorën mbretnore, ushtrinë dhe xhandarmërinë do t’i kishte të përbashkëta me Italinë. “Kur s’asht pula, hahet sorra”…

Mbas shkatrrimit të Jugosllavisë, me 15 Prill 1941, shkova në Prizren dhe mora në dorzim Bashkinë e qytetit, për të kthyem formalitetet në shqip, ku vazhdova si kryetar deri në fund të Tetorit t’atij vjeti dhe mandej ktheva në bashkinë e Kuksit…

Masandej Ministrija e Mbrendshme, me transferoi si prefekt i klasit të parë në Prishtinë.

Në Prishtinë, bana shërbim deri në vjeshtën e vjetit 1943. Erdhën gjermanët në Shqipni. Xhafer Deva, qi ishte ministër i mbrendshëm, më ngarkoi me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. E pranova…”

Tahiri si antikomunist

Autori i këtij shkrimi, si gazetar i Programit Dokumentar – Fejtonistik, në Televizionin e Prishtinës,  gjatë viteve 1980-89, ka takuar bashkëbisedues të ndryshëm të cilët e njihnin Tahir Kolgjinin dhe flisnin me simpati për punën dhe personalitetin të tij, si antikomunist dhe anti sllavist. Bile thoshin se ai ishte shumë i afërt për të biseduar me popullin dhe e njihte shumë mirë mentalitetin dhe hallet e tyre. 

Komunistëve dhe serbëve të ardhur- kolonistëve, të cilët u kishin marrë fshatarëve tokën shtëpitë, pyjet etj., me bekimin e Mbretërisë Serbe, u kishte shpallur luftë të hapur, thoshin ata. Këtë segment të veprimtarisë se tij e përmend edhe Fadl Hoxha në ditarin e tij të luftës “Kur pranvera vonohet”, fq.122-123, ku shkruan: 

“  13 Prill 1943 

Qysh dje Velku na tregoi se në Dobranjë gjenden dy mësues shqiptarë, simpatizues të LNÇ…Mësuesit na informuan gjerë e gjatë se si ishte situata  në Prishtinë, në Lipjan e në vende të tjera përreth Prishtinës. Treguan se si prefekti, Tahir Kolgjini, me atë demagogjinë e vetë djallëzore, me dua e sure dhe me Kuran në dorë, i ka shtie burrat e Kosovës që të betohen se do të luftojnë kundër partizanëve; se mban lidhje direkte me të gjitha kapobandat e vullnetarëve dhe i paguan mire; se këto banda janë të armatosura me pushkë dhe automatikë dhe kanë kontroll të plotë gadi në të gjitha fshatrat. Politika e Tahir e Kolgjinit ka për qëllim të asgjësoj LNÇ dhe te bëjë presion kundër të gjithë kolonistëve me qëllim që të largohen nga Kosova.

Kapobandave e vullnetarëve u ka premtuar tokën e kolonstëve, kurse shqiptarëve u thotë se italianët janë kundër asaj që kolonistët të dëbohen nga Kosova. Prandaj ata edhe  kundër dëshirës së italianëve , duhet të bëjnë presion mbi kolonistët, ndërsa serbëve vendës duhet shtuar zullumin dhe të shtërngohen qe t’ua japin bereqetin bejlerëve dhe agallarëve…..Njerit prej mësuesve që  mu duk më i vendosur, ia ngarkova për detyrë që ta vrasë Tahir Kolgjinin. I thash se po ia japim dy partizanë me vete qe t’ua bëjë te mundshme të kontaktojnë me Tahir Kolgjinin.

U prenë të dy, duke belbëzuar, zunë të më bindnin se, gjoja kjo punë është e pamundur, meqë prefekti ruhet prej një mori njerëzish”…

Me ardhjen e komunistëve ne Shqipëri Tahiri në Gusht 1944, largohet nga Tirana për në Shkodër. Më 24 Nëntor 1944 bashkë me kapedanin e Mirditës, Gjon Marka Gjonin, pas një udhëtimi te gjatë e të mundimshëm mbërrin në Vjenë, duke kalua nëpër vende të ndryshme në Jugosllavi.

“Me 3 Prill 1945, jam nisun nga Viena me tetë shokë, tue kalue Brenerin  me 19 Prill 1945.

Kam shkue në Milano.  Me kamiona amerikanë, u nisëm për Romë.

Në Romë, si u regjistruem në kampin “Cine Citta”, na nisën për “Santa Maria Di Leuca”  dhe në vjeshtën e vjetit 1945 ne shqiptarëve na çuen në  “Ex Casa Balila” në Reggio Emilia. Këtu kemi qëndrue shum vjet dhe mandej ata, qi ishin  regjistrue me emigrue për Turki, u nisën për Napoli.

Me 27 Qershuer 1948, me vaporin “Istanbul”  jemi nisun njimijë shqiptarë dhe me 30 Qershuer 1948, kemi mbërrijtun n’Istanbul.”

Tahir Kolgjini në Turqi fillon jetën e re, natyrisht me vështirësitë më të mëdha që e përcjellin çdo emigrant. Në një letër dërguar Mustafa Krujës i përmend disa nga vuajtjete tij. 

Por ky nuk ndalet se punuari për çështjen kombëtare dhe atë shkencore .Ai nga Stambolli ka botuar libra dhe shumë artikuj të karakterit historiko-kombëtar..

Tahiri edhe në emigracion ishte i percjellë nga UDB-j. Ja një shënim i shkurtër nga UDB-ja për Tahir Kolgjinin:  ”…Familja i ka mbetur në rrethin e Kukësit… Me të ardhur në Turqi, martohet përsëri. Gruaja e tij, këtu në Turqi është floktare dhe e ka punëtorinë e vet. Është simpatizant i Bllokut dhe shpeshherë ka marrë ndihma nga kryetari i Bllokut, Shevqet Verlaci. Ndërkohë, nga viti 1948 deri më 1952, ka marrë pjesë dy here në konferenca të mbajtura në Romë, si përfaqësues-simpatizant i Bllokut në Turqi. Në Jugosllavi e ka kushëririn, Rifat Kolgjinin, nga Luma, me të cilin ka letër këmbim. Ky gjendet tek ne si emigrant…”

Nipi i tij, Dr Mithat Gashi, i cili jeton dhe punon në Nju Jork , kur po e përgatitnim këtë shkrim, na tha se kemi arritur ta kompletojmë deri diku, por jo të tërën, publicistikën e tij dhe së shpejti do ta botojë, shtëpia botuese “Logos A” në Shkupit, që nënkupton një komplet prej disa veprave 

Betim

Nr. 1. Faksimil    procesverbalit të betimit të kryemyftiut të Prizrenit Hasan Islami

  Nju Jork, 2023

Filed Under: Histori Tagged With: Elez Osmani

Familja dhe komuniteti i dhanë lamtumirën e fundit Lul Bajraktarit

December 22, 2022 by s p

Elez Osmani/

Të nderuar anëtarë të familjes Bajraktari! Të nderuar miq!

Jam shumë i pikëlluar për këtë vdekje, andaj me ju sot e ndaj të njëjtën dhembje të madhe!

Me të ndjerin Haxhi Lulin, jemi njohur para shumë vjetësh. Por, nuk e kisha menduar kurrë më parë, një moment si ky, se do të vinte shumë shpejt, siç me duket mua në këto çaste. Por, siç e dini të gjithë, fshehtësia dhe momenti i vdekjes është vetëm në dijen e të Lartë Madhërishmit, dhe jo të njeriut.

Nuk e kisha dëshiruar kurrë në jetë se në një ditë, si kjo, Haxhi Lul Bajraktari, do të na “mblidhte” të gjithëve, jo siç e kishte zakon, për të na pritur në konakun e tij, me atë buzagazin e tij dhe mirëseardhjen që e kishte të veçantë vetëm ai. Por, sot na ka tubuar për t’i thënë lamtumirën e fundit dhe për t’u lutur për shpirtin e tij që të gjejë paqen e përjetshme që ia jep i Madhi Zot! Sot, në këtë ditë, të gjithë së bashku e kuptojmë, se shpirti i tij, me dëshirën e të madhërishmit, ka kaluar në botën e amshueshme! Kurse ne të gjallët, pikërisht sot e hetojmë boshllëkun e madh njerëzor që ka lënë për të gjithë ne. Sot, e kujtojmë ashtu siç ishte gjithmonë, i qeshur me të gjithë ne, plot jetë, human e ndihmëtar i madh. Ishte i vyeshëm e punëtor, ishte besimtar praktik, ishte modest e bujar. Prandaj, është e natyrshme, se këto veti të tij, e shtojnë pikëllimin tonë dhe dhembjen tonë për të.

Nuk e kisha menduar kurrë, që ky burrë, me atë gjallëri dhe me atë dashuri për jetën, me atë gjallëri të jashtëzakonshme, me atë dëshirë dhe me tërë atë dashuri për jetën, do të mësohej ngadalë, ashtu në qetësi të tij karakteristike, që të përgatitej për botën tjetër, që të bëhej gati të ndahej nga gjithë njerëzit që e donin aq shumë, ashtu siç i donte ai, që e respektonin sa herë përmendej emri i tij, ngase ai dinte t’i respektonte të gjithë, që u besonte njerëzve, njësoj siç i kishin besuar të gjithë gjatë tërë jetës së tij të ndershme!

Kur e kreu kushtin e pestë të islamit – haxhin, shkuam për ta uruar. Ai,vërtet, kishte bërë një transformim të brendshëm shpirtëror, ashtu si i kishte hije një Haxhiu. Në bisedë e sipër, ashtu qetë na tha: ‘‘kam mbresa të jashtëzakonshme, të mahnitshme, por shumë, shumë u kënaqa dhe u gëzova, sepse e mora një bedel për nënën, u luta për të dhe tërë familjen, kështu që ma mbërrini jeta ta vazhdojë traditën time familjare.

Haxhi Lul Bajraktari ishte një njeri i virtytshëm. Andaj, sot, në këtë ditë mortore, kur po ndahemi për herë të fundit, i themi me gojën plotë vlerat e tij, sepse këtë që e themi ne për ato vlera të tij, ai i ka merituar gjatë gjithë jetës së tij.

Padyshim, ky burrë do t’i mungojë familjes, do t’u mungojë fëmijëve të tij, do t’i mungojë bashkëshortes së tij, e cila ia dhuroi gjithë kujdesin e bashkëshortes së përjetshme, duke ia kushtuar një përkushtim të madh në ditët më të vështira të jetës, ashtu siç i ka hije një bije të traditës sonë dhe një gruaje fisnike. Haxhi Lul Bajraktari do të ju mungojë të gjithë të afërmve, miqve dhe bashkëqytetarëve të tij, që e vlerësonin dhe e respektonin e çmonin dhe e nderonin për karakterin e tij të rrallë dhe të fortë burrëror.

Familjaret, miqtë dhe kolegët, të gjithë ata që e kanë njohur dhe janë takuar në jetë me të, do ta ruajnë gjithmonë në kujtesë, si të qeshur, miqësor dhe të përkushtuar, do ta kujtojnë si vëlla, për të vetmuarit, si përkrahje për të pamundurit dhe si një shpresë për të dëshpëruarit.

Allahu e gradoftë me xhenet!

New York ,30 nëntor 2022

Filed Under: Komunitet Tagged With: Elez Osmani

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT