• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HYMNI I SHBA – FLAMURI I STËRPIKUR ME YJE

July 6, 2018 by dgreca

– Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ/

1 American-Flag-Eagle

O thuaj, a sheh ti, në agshol të dritës herët,
Sa krenarë atij iu falëm në të fundmen rreze dite?
Vijave të tij dhe yjeve të tij, mes betejës rrezikjete,
Mbi fortesa e shikuam, ku plot nur ai valvitet?

Dhe vezllimi i raketave, plasja e bombave mbi krye,
Na dëshmonin përmes natës se flamuri ynë lart qëndronte.
O, thuaj se prapë valvitet Flamuri i spërkatur me yje
Përmbi dhèun e njerëzve të lirë e mbi atdheun e dragojve.

Mbi bregdet i fanitur përmes mjegullave të largësisë,
Ku armiqtë e egër shtrihen në heshtjen lemeritëse,
Çfarë është ai që na flladit, sipër shkrepave të thikët,
Sa hap krahët, sa pulitet, sa prapë ai valvitet?

Tani ai kap të parën rreze që lëshon agu përmbi tokë,
Në lavdi krejt i praruar, tani ndrin mbi këto troje:
Ky flamur stërpikur yjesh. Sa të jetë jeta ai valoftë
Përmbi dheun e njerëzve të lirë e mbi atdheun e dragojve.

Pra ku është ajo skotë që me mburrje bëjnë bè
Se kërdia e betejës dhe e luftës janë bezdira,
Pa shtëpi dhe pa atdhe dashkan të na lënë ne?
Gjaku i tyre lau gjurmët e thundrave të tyre të ndyra,

S’ka strehë që mercenarin as dhe skllavin ta shpëtojë:
Nga tmerri i arratisë a nga terri i varrit gropë:
Dhe Flamuri i spërkatur me yje në triumf po valon
Përmbi dheun e njerëzve të lirë e mbi atdheun e dragojve.

O kështu të jetë gjithnjë kur njerëzit e lirë do qëndrojnë
Në mes shtëpive të dashura dhe furisë së betejës,
Të bekuar me fitore dhe me paqe, lavdi i qoftë
Gjithëfuqisë që e krijoi dhe na e fali ne atdheun!

Dhe sulmues do të jemi, në emër të drejtësisë,
Dhe kjo është motoja jonë: “Në Zot ne besojmë!”
Dhe flamuri i stërpikur me yje në triumf do të valvitet
Përmbi dheun e njerëzve të lirë e mbi atdheun e dragojve!

THE STAR- SPANGLED BANNER

O say, can you see, by the dawn’early light,
What so proudly we hail’d at twilight’s last gleaming?
Whose broad stripes and bright stars, thro’ the perilous fight,
O’er the ramparts we watch’d, were so gallantly streaming?

And the rockets’ red glare, the bombs bursting in air,
Gave proof thro’the night that our flag was still there.
O say, does that star- spangled banner yet wave
O’er the land of the free and the home of the brave?

On the shore dimly seen thro’ the mists of the deep,
Where the foe’s haughty host in dread silence reposes,
What is that which breeze, o’er the towring steep,
As it fitfully blows, half conceals, half discloses?

Now it catches the gleam of the morning’s first beam,
In full glory reflected, now shines on the stream:
‘Tis the star-spangled banner. O, long may it wave
O’er the land of the free and the home of the brave!

And where is that band who so vauntingly swore
That the havoc of war and the battle’s confusion,
A home and a country should leave us no more?
Their blood has wash’d out their foul footsteps’pollution,

No refuge could save the hireling and the slave
From the terror of flight or the gloom of the grave:
And the star- spngled banner in triumph doth wave
O’er tha land of the free and the home of the brave.

O thus be it ever when free-men shall stand
Between their lov’d home and the war’s desolation,
Blest with vict’ry and peace, may the heav’n- rescued land
Praise the Pow’r that hath made and preserv’d us a nation!

Then conquer we must, when our cause it is just,
And this be our motto: “In God is our trust!”
And the star-spangled banner in triumph shall wave
O’er the land of the free and the home of the brave!

4_July_1776a

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Elida Buçpapaj, HYMNI I SHBA

Mirupafshim nga Stratosfera!

June 25, 2018 by dgreca

2017-02-14_17-03-34
Nga Skënder Buçpapaj, Elida Buçpapaj/
Një Boeing 747 djeg rreth 10 – 11 ton karburant në orë, afërsisht 4 litra karburant çdo sekondë. Avioni mund të mbajë deri në 238 604 litra karburant. Një avion jumbo (Boeing 747- 400) që fluturon nga Londra në Nju Jork djeg rreth 70 000 litra ose 70 tonë karburant. Imagjinoni sa fluturime ka në ditë në 365 ditë të vitit. Imagjinoni se sa nevojë ka për lëndën djegëse me prejardhje fosilore që ndot ambientin, qiejt, detet, rrugët. Njeriu duhet të kthehet në zog që të jetojë e të ngopet me oksigjen të pastër nëpër pyje!

Por ka edhe një zgjidhje tjetër!

Është energjia e pastër që vjen prej perëndisë së Diellit!

Energjia diellore, e pakushtueshme, e pashterrueshme, eternel.

Zvicra është një nga vendet pioniere në kërkim të zgjidhjeve për zëvendësimin me energji diellore të llojeve dhe të rinovueshme të energjive të ndotura, shpesh shkatare të konflikteve, të padrejtësive apo katastrofave të tmerrshme natyrore dhe njerëzore.

Si pjesë e APES ne kemi patur fatin të takohemi me kokat e këtyre projekteve madhore që kanë tejkaluar edhe fantazinë e Zhyl Vernit. Ndërmjetësues të shkëlqyer kemi Presence Suisse.

Mediokriteti shqiptar krenohet kur takohet me politikanët e korruptuar të shtetin amë e rrethinë, ne krenohemi që jemi takuar me figura të gatshme për sakrificë sublime me qëllim që njerëzimi të hedhë hope gjigande!

Mendoni pak, sikur në një të afërme jo të largët, energjia diellore të përdoret në të gjitha fushat e jetës! Mendoni sa më të kaltër do të jenë qiejtë, sa më i pastër do të jetë ajri nga ndotjet që sot janë shkaktare të sa e sa sëmundjesh!

Destinacioni i grupit tonë të gazetarëve ishte Payerne, një aeroport ushtarak i Zvicrës, ku SolarStratos ka ekipin e vet për të vënë në jetë një ëndërr: Fluturimin me avion diellor në stratosferë në mbi 25 mijë metra lartësi!

Payerne nuk është i panjohur për ne, përkundrazi, kemi qenë këtu edhe disa vjet më parë, pikërisht në shtatorin e vitit 2014 për t’u takuar me ekipin e Bertrand Piccard dhe Andre Borschberg. Në atë reportazh kemi shkruar se të dy ata janë heronjtë e milenarit të tretë. Projekti u tyre njihej me emrin Solar Impluse dhe Solar Impulse 2 e synonte ushtëtimin e parë rreth botës me avion me energji solare, mision që do ta realizonin dy vjet pas takimit tonë, më 26 korrikun e vitit 2016!

Katër vjet më vonë ne u takuam në të njëjtin vend me një hero tjetër të njerëzimit. Ai është Raphael Domjan, zvicerani 46 vjeçar nga Neuchatel. Projekti i tij njihet me emrin SolarStratos dhe synon të fluturojë me avion solar në lartësitë mbi 25 mijë metra!

Kur u takuam bashkë, Domjan posa ishte kthyer nga Rusia, ku kish kontaktuar me një firmë që do të përgatisë kostumin e tij special për lartësi të tilla.

Projekti Solar Stratos ndahet në tri faza. Sivjet Raphael Domjan do të kryejë në shtator një fluturim në lartësitë deri dhjetë mijë m, në vitin 2019 deri më 16 mije m, ndërsa në vitin 2020 mbi 25 mije m.

Është një fluturim i pandodhur kurrë më parë.

Për të krijuar një idé le të sjellim disa të dhëna. Fluturimi me avionë bëhet në zonën e troposferës që shkon deri në 20 mijë metra lartësi. Bertrand Piccard ka fluturuar në vitin 2016 me Solar Impulse deri në 9420 metra lartësi; Avionët e linjave fluturojnë në troposferë në lartësi që shkon rreth 10 mijë metra, jetët privatë arrijnë të fluturojnë deri 12 mijë m, ndërsa Mig-25 dhe XB-70 Valkyrie janë avionë supersonikë ushtarakë përkatësisht rus dhe amerikanë që fluturojnë në lartësitë mbi 20 km me shpejtësi mbi 3000 km/orë.

Ndërsa Raphael Domjan me avionin e tij SolarStratos me energji të rinovueshme diellore në vitin 2020 do të fluturojë në lartësitë mbi 25 mijë m duke i sfiduar edhe avionët supersonikë ushrarakë!

Energjia diellore është energji e rinovueshme! Energjia e rinovueshme sigurohet nga burime të ripërtëritëshme, të pasosura, sikur energjia diellore është edhe era, shiu, nxehtësia gjeotermike etj

Po kush është Raphaël Domjan!

Raphaël Domjan është një eko-eksplorator, eksplorues ekologjist, ai është pilot avioni dhe helikopteri, zhytës, parashutis, alpinist, ëndërrimtar, aventurier.

Doni më të dini për të?

Në vitin 2001 ai është bashkëthemelues i Société Horus Networks Sàrl, të parit web me energji diellore në botë.

Bertrand Piccard dhe Andre Borschberg bënë një fluturim horizontal, rreth botës qark me avionin diellor, ndërsa Raphaël Domjan do të fluturojë vertikalisht drejt së panjohurës!

A nuk ngjan se ndërmarrja e tij është edhe më guximtare!

Në stratosferë nuk përdoret dot parashuta!

Gjithsesi në bisedimin tonë me të, kur erdhi puna e rrezikut, ne i thamë Raphaël Domjan se jemi shans për të sikur ishim edhe për Bertrand Piccard dhe Andre Borschberg!

Dhe urojmë me gjithë zemër që të jemi!

Më 2005 ai ishte i pari që lancoi projektin e tij me energji solare.

Midis 2010 deri më 2012 ai kreu të parin udhëtim rreth botës në 585 ditë duke përshkuar 60 mijë km me katamaranin PlanetSolar që lëvizte me energji diellore.

Më 2014 ka lançuar projektin e tij SolarStratos për të fluturuar me avion me energji diellore në stratosferë.

Raphael Domjan është një hero i njerëzimit, sepse ai riskon për të arritur dikund ku nuk ka arritur kush deri tani duke eksperimentuar një burim të pastër energjie që, kur të përdoret masivisht, do ta nxjerrë njerëzimin në dritë.

Në majin e vitit 2016, në kaudrin e projektit SolarStratos të Raphaël Domjan u lëshua nga Châtel-Saint-Denis (FR) për në stratosferë në lartësinë 35.5 mijë metra një balonë me panele diellore fotovoltaike me qëllim që të analizohej reagimi i stratosferës ndaj tyre. Balona u nis në orën 9:45 dhe u kthye pak pas orës 12:00 në distancë 23 km nga vendi ku u lançua. Në balonë ndodhej verë e bardhë nga Neuchâtel, disa matës për të kuptuar se në çfarë lartësie do të avullonte dhe një lopë Happy Lilly, simbol i Presénce Suisse.

Për të treguar shkallën e rrezikut po kujtojmë faktin se trupi i njeriut për shkak të presionit të ulët në lartësitë 19 mijë metra lartësi kthehet në lëng fluid, salivë, pa marrë parasysh se temperaturat janë minus 50 gradë Celsius. Në stratosferë temperatura shkon në minus 70 gradë celsius, prania e ozonit është masive, ndërsa radiacioni kozmik etj e shtyjnë avionin dhe pilotin në limite.

Sa për energjinë, energjia sigurohet edhe gjatë fluturimit ne sajë të paneleve te qelizave fotovoltaike, që thithin parreshtur energji diellore dhe shërbejnë si rezervuare për avionin SolarStratos.
Raphael Domjan në lartësitë stratosferike do të ndeshet me shumë të panjohura dhe vështirësi. Veshja e tij do të jetë e përshtatëshme për fluturime ndërhapsinore por nuk dihet ende se si do të reagojnë panelet diellore në lartësi të tilla me një ekpozim ndaj radiacionit kozmik!

Në majin e 2017 për herë të parë SolarStratos u ngrit nga toka në një lartësi 300 metra dhe çdo gjë shkoi për bukuri! Tani i mbetet të provojë lartësitë e vërteta në tri etapa, 10 mijë, 16 mijë dhe në vitin 2020 mbi 25 mijë metra!

Ngjitja vertikale në stratosferë dhe kthimi në tokë i SolarStratos drejtuar nga Raphaël Domjan nuk do të zgjasë gjatë, veç disa orë!

Nuk na mbetet vetëm që t’i urojmë sukses dhe ta takojmë në vitin 2020 për të na treguar projetet e tij të reja!

Në fund të fundit ai është një aventurier nga ata që hyjnë me emër të madh në historinë dhe zemrën e njerëzimit !

Photos: © Peter Kenny

Lopa me emrin Happy Lilly simbol i Zvicrës që u hodh me balonë në stratosferë dhe u rikthye.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Elida Buçpapaj, Mirupafshim nga Stratosfera!, Skender Bucpapaj

Pulëbardhat e Liqenit Léman

June 17, 2018 by dgreca

 – Nga Elida Buçpapaj & Skënder Buçpapaj/

1 Pulbardha

Ka shumë arsye për të vizituar qytetin metropol të Gjenevës, simbolin e harmonisë dhe multikulturalizmit.

Gjeneva është qyteti i Kalvinit, ku e ka qendrën Kryqi i Kuq.

Gjeneva, metropol ndërkombëtar i diplomacisë, ku ndodhen Kombet e Bashkuara, ku zhvillojnë aktivitetin e tyre mbi 22 mijë diplomatë e përfaqësues të misioneve permanente dhe një numër i pafund NGO dhe organizatash e organizmash ndërkombëtare, midis tyre edhe APES,L’Association de la Presse Etrangère en Suisse et au Liechtenstein, Asosacioni i Shtypit të Huaj në Zvicër dhe Lihtenshtejn, ku jemi anëtarë aktivë prej më tepër se 15 vjetësh, njëra nga shoqatat më të vjetra ndërkombëtare të gazetarëve profesionistë, themeluar në 15 Korrik 1928, që këtë vit feston 90 vjetorin e krijimit.

Gjeneva me një popullsi 50 % zviceranë e 50 % me komunitete nga 177 nacionalitete prej gjithë botës, një meltingpot i vërtetë, ku midis tyre jeton edhe një komunitet i madh shqiptarësh, pjesa më e madhe e natyralizuar.

Gjeneva e Liqenit Léman, medaljonit të qytetit, të shkrira e bërë një me njëri-tjetrin.

Për Liqenin ka një poezi të Henri Durand që e quante “Léman, roi de nos lacs”, “Léman, Mbreti i liqejve tanë!”

Emri Léman i Liqenit është përdorur sidomos në kohën e Iluminizmit dhe Revolucionit francez nga Jean-Jacques Rousseau dhe Voltaire. Jean-Jacques Rousseau, autori i Kontratës Sociale, figura më e rëndësishme e iluminizmit, ka frymëzuar me idetë e tij Revolucionin Frëng dhe Kushtetutën e SHBA për shkëputjen nga Kurora britanike.

Liqeni Léman ka formën e një trofte dhe ndahet 60 % me 40 % midis Zvicrës dhe Francës. Aty buron Lumi i Ronës që derdhet pastaj në Mesdhe. Përveç Gjenevës, buzë ujrave të tij shtrihet edhe qyteti i Lozanës, Vevejit, Montrësë etj.

Emri i Gjenevës dhe Liqenit Léman është i lidhur edhe me Shoqërinë Lundruese të Gjenevës dhe Kupën e Artë Mirabo

Shoqëria Lundruese e Gjenevës dhe Kupa e Artë Mirabo – Bol d’Or Mirabeaud

Société Nautique de Genève (SNG) – Shoqata Lundruese e Gjenevës e themeluar në vitin 1872 është e angazhuar me zhvillimin e sporteve të ujit dhe mbështetjen aktive të sportit elitar.
Société Nautique de Genève është një institucion historik, me mbi 3000 anëtarë me mosha dhe prejardhje të ndryshme, që i bashkon pasioni për sportet e ujit.

Shoqëria Lundruese e Gjenevës qëndron aty buzë Liqenit Léman dhe, ndërsa brezat ndërrohen e koha rrjedh, SNG (akronimi Société Nautique de Genève ) identifikohet me plot dinjitet me historikun e emrit që mban.

Shoqata Lundruese e Gjenevës zhvillon aktivitete gjatë gjithë vitit, duke përfshirë mbështetjen e sportit elitar për përfaqësimin e ekipeve të saj në gara për trofe e tituj kombëtare e ndërkombëtarë. SNG mbështet gjithashtu sportistët e rinj elitë për të siguruar vazhdimësinë për një përfaqësim sa më të mirë të ngjyrave të klubit. Për këtë, SNG ka një fond të veçantë për të ndihmuar të rinjtë të cilëve u mungojnë burimet e nevojshme financiare. Atyre u krijohet mundësia të stërviten në gara me vela, kanotazh, skijim ujor etj.etj

Si staf të përhershëm SNG ka 14 punonjës, por si mbështetje ka gjithë metropolin, sipërmarrjen, mediat, vullnetarët, fansat.

Aktiviteti më sinjifikativ i vitit që organizon SNG, si qershia mbi tortë, është Bol d’Or Mirabeau, Kupa e Artë Mirabeaud, që këtë vit festoi 80 vjetorin!

Bol d’Or Mirabeaud – Kupa e Artë Mirabeaud

SNG e organizon Bol d’Or, këtë garë sportive të anijeve me vela në Liqenin Léman, prej vitit 1939.Bol d’Or Mirabeaud është kompeticioni më i madh në rang botëror në një hapësirë ujore të mbyllur sikur janë liqenet. Gara çdo qershor nis në Gjenevë nga Port Noir deri në Bouveret dhe kthim Bouveret – Port Noir Gjenevë. Zgjat 123 km ose 66.5 milje detare. Anijet me vela janë monoskafë ose lloje të ndryshëm katamaranësh.

Në Edicionin e parë organizuar 80 vjet më parë morën pjesë në garë vetëm 26 anije, në Edicionin e 80 të Bol d’Or që u zhvillua prej 8 deri 10 qershor, ku ishim të pranishëm edhe ne, garuan 559 anije që drejtoheshin nga 3000 lundërtarë zviceranë e të huaj nga 14 vende të botës.

Eventi si një festë e madhe nisi të premten, më 8 qershor me konfirmimet e pjesëmarrësve në garë pranë SNG. Po të premten, pas një dreke të organizuar nga Grupi financiar Mirabeaud, prej 12:00 deri në orën 18:30 ishte edhe dita e medias, e kontakteve të gazetarëve me pjestarët e ekipeve, intervistave etj.etj. Një grup gazetarësh do t’i shoqëronin garuesit edhe gjatë garës në liqen. Në mbrëmje u ofrua koktej nga mikpritësi dhe një koncert live në anijen Neptun që gjatë gjithë kohës shërbeu si skenë. Qendra e mediave ishte vendosur në një hapësirë të SNG rrethuar nga xhamllëku nga ku shikohet e gjithë skela dhe po ashtu liqeni ku të nesërmen do të zhvillohej gara.

Në SNG, prej 8 deri 10 qershor, adrenalina kishte arritur kuotat më të larta. Fansat kishin shansin të takoheshin me Skippersat e famshëm, ritakoheshin miq të vjetër, gazetarët ose ishin në kërkim të personazhit ose fiksoheshin nëpër laptopët e tyre. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të sipërmarrjeve që mbështetën eventin. Pihej birre e verë, shkëmbeheshin kartvizita, krijoheshin grumbuj tifozësh rreth skudrave të zemrës, shkrepeshin fotot dhe selfiet nga celularët.

Në mëngjezin e 9 qershorit të gjithë ishin aty. Në orën 6:30, garues, gazetarë, vullnetarë, fansa, admirues të pafund dhe fanatikë të zjarrtë të Bol d’Or e të emrave që identifikohen me këtë garë, e cila, tashmë e kthyer në legjendë, formon një trinitet me qytetin e Gjenevës dhe Liqenin Léman, pasi është regata më e rëndësishme në botë e hapsirave liqenore, ku është në garë shpirti luftarak i lundërtarëve, i skippers-ave, ku solidariteti i ekipeve në grup merr kuptim domethënës, si një sfidë sportive për t’u përballur jo vetëm me lundërtarët e tjerë, por për t’u përballur edhe me shiun, stuhinë, me trillet e liqenit të harbuar prej tërbimit apo me një liqen vaj e të palëvizshëm kur Perëndia Eol bashkë me erën kanë marrë arratinë kush e di se ku.

Gara do të fillonte në orën 10:00 me tre të shtëna topi. Ishte një skenë magjike, kur nëpër Liqen u shpërndanë anijet me vela, si tufa gjigande pulëbardhash, duke shfaqur një spektakël të jashtëzakonshëm. Liqeni dremiste, dielli shndriste, ishte një ditë brilante qershori, por era mungonte çka nuk e favorizonte aspak garën.

Skena e e anijeve me vela që krijonin asosacion me pulëbardhat ishin një mrekulli ku merr pjesë natyra dhe njeriu, të gërshetuara me dashuri dhe pasion, që lancon bukurinë e garës, shpirtin sportiv dhe emrin e Bol d’Or.

Bol d’Or nuk do të ekzistonte nëse dashuria dhe pasioni garues nuk do të mbështetej nga qyteti dhe sipërmarrja private. Buxheti i kësaj gare tre ditore që kushtoi mbi 1 milionë franga zvicerane u financua nga sponsori gjeneral, Banka Mirabeaud por edhe nga firma me emër si Hublot, Faigle, BMV, Peroni, Hoteli i famshëm Le Richemmond që mikpriste të ftuarit dhe gazetarët, firma e taksive BMV që lehtësonte lëvizjen e të ftuarve e kështu me rradhë.

Nuk do të lemë pa përmendur 150 vullnetarët që u vunë në shërbim të eventit, që dalloheshin nga tshirt-i nga ngjyra gri në të rimtë me logon e aktivitetit dhe nga dëshira për t’i kontribuar mbarëvajtjes të aktivitetit.

Në garë u përfshinë 559 anije, të llojeve të ndyshme, monoskafë dhe poliskafë, nga ku 301 anije e braktisën garën

Ky është viti i 80 i kësaj gare të bukur në Liqenin Léman që është kthyer në një festë. Kjo garë që nisi 80 vjet më parë, evuloi nga viti në vit, edhe sa i përsa i përket perfeksionimit teknologjik, ashtu edhe shpirtit garues, pjesëmarrjes, duke tërhequr vemendjen jo vetëm të Gjenevës, por edhe të botës, sepse kësaj gare i janë bashkangjitur lundërtarët më të famshëm nga e gjithë bota sikur Ellen MacArthur, Russell Coutts, Loïck Peyron. Ky i fundit në Edicionin e 80-të ishte edhe i ftuar i nderit. Por janë së pari vetë ekipet zvicerane të Bol d’Or që kanë bërë histori dhe janë kthyer në histori, duke fituar trofe jo vetëm në këtë garë, por edhe nëpër kompeticione me famë botërore sikur Alinghi, me pronar dhe drejtues multimilionerin Ernesto Bertarellin, që garon nën flamurin e SNG dhe ka fituar 2 herë trofeun e America’s Cup, në vitin 2003 dhe 2007.

Bertarelli me Alinghin dhe motra e tij Dona Bertarelli me katamaranin Ladycat, seicili me skuadrën e vet, që kanë fituar disa trofe të Bol d’Or, luftuan edhe këtë vit për të fituar trofeun e Edicionit të 80të, por këtë vit fitues doli Mobimo, i drejtuar nga Christian Wahl në kohën 14 orë 14 minuta e 2 sekonda. Në Edicionin Bol d’Or 2017, fitues ishte Alinghi në kohën 5 orë e 11 minuta, ndërsa Ladycat powered by S zuri vendin e dytë, duke arritur një minutë e 34 sekonda më vonë, në kohën 5 orë 12 minuta e 34 sekonda.

E vendosëm kohën e dy edicioneve të fundit për të parë efektin që luan era. Në Edicionin e 80të të Bol d’Or Mirabeaud, që njihet ndryshme me akronimin BOM, era ishte inekzistente, çka bëri që gara të zgjatej dhe fitorja e Mobimo u shënua në orën 00:13 të mesnatës të ditës të djelë. Skuadrat e Okalys dhe Ylliam luftuan deri në fund për vendin e parë, por Mobimo ia doli. Në këtë garë Alinghi zuri vendin e katërt.

Ndërsa pritetej zbarkimi i lundërtarëve në SNG, gjatë gjithë natës vazhdonte festa e shoqëruar edhe nga një koncerti live në skenën e anijes Neptun me artistë të sponsorizuar nga Festivali i Xhazit në Montrë. ( Jazz Festival Montreux) . Dhe kështu zgjati deri në agim ndërsa vazhdonin e ktheheshin garuesit e fundit.

Gara u ndoq live nga mijra e mijra fansa që morën pjesë direkt, ose përmes internetit, në youtube dhe rrjeteve sociale. Në SNG ishte po ashtu një ekran gjigand që përcillte live.

Aktiviteti shkoi mrekullisht, me një mbyllje nostalgjike të djelën në mbrëmje ku u shpërndanë trofetë.

Trofenë e Bol d’Or, kupës së Artë, e fitoi Mobimo, ndërsa organzatorët, të hënën më 11 qershor, nisën të merren me organizimin e Bol d’Or81!

Mbyllja

Në qytezën ku jetojmë në pjesën gjermane të Zvicrës kalojmë shpesh pranë një vile ku na priste me të lehura miqësore një qenush. U bëmë miq edhe me qenushin edhe me të zonjën. Qenushi quhej Alinghi, për nder të skuadrës Alinghi që kishte sjellë trofetë e fitimtarit në Kupës të Amerikës dy herë në Zvicër. Zonja, një fanse e regatave dhe e Alinghit, prandaj ia kishte vënë emrin qenit të saj, ndërsa ne patëm fatin që të merrnim pjesë live në kompeticionin më të bukur të Liqenit Léman ku garuan ekipet aq të njohura si Alinghi, Mobimo, Zen Too, Ylliam, Phaedo2, Safram, Ladycat etj etj. Tani jemi edhe fansa të tyre. Në shtëpinë tonë kemi dy mace me emrat Sushi dhe Nori. Nëse do të mikpresim një maçok të tretë, padyshim që do t’ia vemë emrin Alinghi ose Bom-Bom!

Por e sigurta është se ne do të kthehemi përsëri në SNG, si fansa për të ndjekur gara të tjera.

Ka edhe një arsye më shumë se përse ia vlen ta vizitosh Gjenevën!

Alinghi

 

Fotot janë të fotografit Loris von Siebenthal dhe janë marrë nga faqja zyrtare e SNG.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Pulëbardhat e Liqenit Léman, Skender Bucpapaj

Fëmijëria ime ishte efemer…

May 22, 2018 by dgreca

eli8-1

Nga Elida Buçpapaj/

Fëmijëria ime ishte efemer, si një ëndërr, që zgjat sa zgjasin ëndrrat.

Ishte një fëmijëri e ndërprerë me dhunë dhe unë e kam për detyrë që t’i tregoj me gisht shkaktarët!

Është e drejta ime! E jetës time! Sepse çdo fëmijë i planetit tokë, kur vjen në këtë botë, ka të drejtë të jetojë një jetë me dinjitet. Kjo e drejtë është e patjetërsueshme, e paprekëshme, e pacënueshme! Është një e drejtë sublime e sanksionuar si e drejtë nga një fuqi supreme apo thjeshtë një e drejtë themelore e njeriut.

Kujtimet e mia që janë regjistruar në memorie datojnë prej kohës kur isha 4-5 vjeçare.

Më kujtohet kopshti 31 tek ish-Blloku, ku im at vinte për të më çuar në shtëpi, në pëllëmbën e tij të madhe mbante dorën time të vogël e, kur binte shi, më merrte në krahë nën çadrën e tij, që mua fëmijës më ngjante si një kërpudhë gjigande. Nganjëherë nga kopshti shkonim drejt e tek gjyshja, që e kishte shtëpinë ngjitur me Hotel Internacional, mbrapa ish-Shtëpisë së Oficerave dhe më vonë ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, në një rrugëz paralel me Rrugën e Kavajës dhe atë të Durrësit, që netëve të dimrit mbante erë tym, kështu e kam të fiksuar. Në atë rrugëz unë pashë për herë të parë në jetën time një lypse. Ishte e vetmuar, veshur me rroba të zeza të zhbojatisura në gri nga vjetërsia me një shami në kokë. Më mblidheshin lotët në grykë mua kopshtares sa herë e shihja dhe mendoja për të, më mblidhen dhe sot. Babi i linte gjithmonë diçka në pëllëmbën që ajo e shtrinte. Të dy ishim gati që ta merrnim në shtëpinë tonë të ngrohtë nga dashuria njerëzore.

Tek shtëpia ku banonte gjyshja me xhaxhain e vogël, kam lindur unë. Ishte një shtëpi e bukur me portën e madhe buzë rrugëzës. Aty babi më ka fiksuar në foto në bordurën e trotuarit me aparatin e tij fotografik, një – dy vjeçare me flokë krejt të verdha. Sa kaloje portën gjendeshe brenda një oborri të madh me dy shtëpi. Shtëpia kundruall portës kryesore ishte me një verandë në katin e sipërm të mbuluar gjithë hardhi rrushi ku jetonin të zotët e shtëpise dhe tjetra në të djathtë, sa kaloje pragun,  kishte disa shkallë në formë gjymë rrethi për tek hyrja. Shtëpia ku banonim ne ishte me të paktën tre kate. Bodrumet poshtë, që unë i kisha frikë nga miushët. Kati i parë ishte me një korridor të madh shtruar me dërrasa. Aty ishin dyert e dy dhomave që babi i kishte marrë me qira kur ishte beqar, ku jetonte me gjyshen dhe vëllain e vogël. Në atë shtëpi u martua me mamin. Aty linda edhe unë, vajza e tyre e vetme. Kur isha rreth dy vjeç, babit i dhanë shtëpi tek Pallatet e Aviacionit, buzë një rrugice të bukur me blire, në mes të Pallateve të Italianëve, ku jetonin gjeneralët dhe zyrtarët e lartë të shtetit, nga ku kopështi i fëmijëve me numër 31 dhe Blloku ishte shumë afër. Tek Pallatet e Aviacioneve banuam deri në fund të viteve ’70, ndërsa tek shtëpia ku linda unë, mbeti gjyshja me xhaxhain edhe disa vjet pas martesës së tij dhe lindjes të gocës së tyre të parë, se kanë dy vajza.

Gjyshen nga babi e quaja nëna, ndërsa prindërit e mi e thërrisnin nënë, gjyshen nga mami nënkë, mami i thosh mama, ndërsa babi sikur unë nënkë. Tek nëna vinim shpesh, pothuaj çdo ditë. Po ashtu shkonim por pak më rrallë edhe tek nënka, që e kishte një apartament në katin e parë në një pallat buzë rrugës Bardhyl. Aty ishte një treg i vogël fshatar. Nënka ime dilte çdo ditë e blinte zarzavate e frutat e stinës. Ajo gatuante mrekullisht. Ishte me nam. Vinte nga një nga familjet më të pasura të Pogradecit. Babai i saj, Abdulla Starova, kishte pronë të tij gjithë Drilonin e sotshëm. Vëllai i tij Sulejman Starova, gjyshi i futbollistit të njohur, ka qenë Ministër Finacash në disa qeveri të kohës para ardhjes së diktaturës. Nënka banoi aty me tezen deri sa ajo u martua. Jetonin me rrogën e tezes dhe mbështetjen që i jepte mami, pra nuk ishin mirë financiarisht, por gjyshja çfarëdo që gatuante e qante, do të thosha sot tek ajo hahej si në një restaurant me pesë yje. Më kujtohen patatet pa mish, që ajo i gatuante dhe i lezetonte me gjithë farë erëzash dhe me piper speci të kuq, e unë që i plasja shpirtin mamit për të ngrënë në shtëpi, tek nënka haja gjithçka.

Të dyja krushkat respektoheshin shumë. Nënka i drejtohej me “zonja Selime” nënës. Ato ishin njohur bashkë në Pogradec, kur gjyshi im nga babi ishte transferuar aty si kryeimam. Demir efendiu, gjyshi im ishte shkolluar në Stamboll dhe kish një bibilotekë të jashtëzakonshme. Pas luftës rrezikoi që ta shpallnin kuisling, nuk ishte fare e vërtetë. Ishte antikomunist si gjithë kleri shqiptar dhe njeri i dijes. Babin, duke ia parë vokacionin e dërgoi të studjonte në Medresën e Tiranës, ku jepnin mësim njerëz të shquar si orientalisti i mirënjohur Vexhi Buharaja, Profesor Shaban Demiraj, Profesor Mehdi Bushati, Hafiz Ismeti etj ndërsa xhaxhain e madh në shkollën e Fullcit në Kavajë. Sikur të mos vdiste herët, menjëherë pas luftës, e sigurt se do të kish patur probleme, pa marrë parasysh se im atë i braktisi studimet në Medrese dhe 14-15 vjeçar me një grup shokësh iu bashkangjit luftës antifashiste ku u plagos tri herë. Gjyshërit e mi të nga ana e mamit dhe babit duhet të jenë njohur në Pogradec nga mesi i viteve ’30, kur mami sa duhej të kish ardhur në këtë botë e babi po ashtu duhej të ishte shumë i vogël. Pas mbi çerek shekulli, jeta i kishte bërë prapë bashkë të dy zonjat, kësaj here me një lidhje të pazgidhshme. Nuk thuhet kot, mali me malin nuk takohen por njeriu me njeriun po. Të dyja kësaj here zonja të veja, që i kujtonin bashkëshortët e tyre orë e çast. Nënka, me peng që nuk e kishte dëgjuar për t’u kthyer në Amerikë, nga ku ai ishte vendosur që në rininë e tij të  herëshme dhe pasi kish krijuar pasuri  kishte ardhur në Pogradec, për t’u martuar me një vajzë shqiptare dhe kishin mbetur aty. Nënë Selimja nuk shfaqte ndonjë peng apo pendesë, mesa di unë, vetëm falej shtatë herë në ditë, por ishte një zonjë shumë liberale dhe falja ishte diçka personale e saj, që e mbante për vete dhe nuk kishte dëshirë ta ndante me të tjerët.

Tek shtëpia e nënës vinim më shpesh, se e kishim afër. Mamit i pëlqente të blinte kos të freskët për mua tek Demneri. Dyqani ishte aty ku më vonë do të  vendosej stacioni i autobusit për Institutin e Kamzës, përballë me rrugën e Kavajës. Unë vogëlushe mrekullohesha nga tasat e mëdhenj, si legenë gjigandë me ngjyra, sot mendoj se duhet të ishin prej porcelani, ku dallohej pastërtia nga garzat e bardha që i mbulonin, me kosin që pritej si me thikë, si thosh mami. Unë nuk mund ta imagjinoja prerjen e kosit me thikë, por më vonë kuptova se kjo do të thosh se kosi ishte shumë i mirë. Më vonë ky dyqan u mbyll dhe nga mami e babi dëgjoja bisedat e tyre nën zë kur ata ankoheshin dhe kujtonin me mall tregun privat dhe Pazarin e Vjetër, që nuk ishte më, ku ata blinin ushqime tradicionale të mrekullueshme, ku shitej bile edhe kajmak. Unë e kam të fiksuar kajmakun, pasi e kam pëlqyer shumë që fëmijë, ndryshe nga qumështin dhe kosin që i urreja. Haja kajmakun dhe çokollatat. Në krye të rrugës ku unë linda, ku ajo bashkohej me fillimin e Rrugës së Durrësit, ishte një Mapo ushqimore, ku për çdo ditë më sillnin për të blerë një çokollatë me qumësht 20 lekëshe. Unë i gëzohesha shumë çokollatës, ku më shoqëronin për ta blerë herë nëna, mami, babi ose ndonjëherë edhe halla Tatalja, kështu ia kisha vënë emrin hallës time që quhej Bukurie, por unë nuk e di se përse e thërrisja ashtu. Isha një fëmijë me plot naze dhe pa oreks dhe të mitë e kishin problem ushqimin tim. Mami më tregonte se, për të më tërhequr vemendjen që ajo të më fuste ndonjë lugë me supë në gojë, babi vendoste si helmetë në kokë një tenxhere dhe i binte pastaj me lugë si një vegle muzikore.  Në këtë moment unë habitesha aq shumë sa hapja gojën e mami rrinte gati me lugën në dorë. Ajo shtëpi ishte plot me kujtime të bukura që unë natyrisht nuk i mbaja mend, por duke m’i treguar prindërit e mij shumë shpesh, më janë ngulitur në kokë.

Babi shkonte në redaksi e pastaj kur kthehej në shtëpi i kushtohej letërsisë, poezisë dhe humbiste pas figurave. Një ditë kur isha rreth 11 muajsh, mami, pasi më kishte vënë në gjumë, i thotë babit të më ketë kujdes se ajo me një shoqen e saj do të shkonte të shihte një panair mobiljesh. Babi natyrisht që pranon me kënaqësi dhe vijon punën i përqëndruar, pa e patur idenë se si kishte rrjedhur koha. Shpërqëndrohet vetëm kur dëgjon nga jashtë zërin e mamit që klith dhe të qarën time. Del me vrap e më gjen në krahët e mamit që posa ishte kthyer nga panairi i mobiljeve dhe, ndërsa ajo hapte portën kryesore, unë bebka rrokullisesha nëpër shkallë. Në këtë situatë u ishte bashkangjitur edhe nëna, duke i qetësuar të dy që të mos bëheshin merak, se fëmijët i ruajnë meleqët. Unë pasi isha zgjuar nga gjumi isha tërhequr zvarrë nga krevati në dysheme dhe kisha nisur të hedh hapat e para përgjatë korridorit të madh deri tek dera përjashta ku edhe isha rrokullisur shkallëve. Pas asaj aventure të parë, nuk u tremba, sikur patën frikë të dy, se pas rrëzimit do ta zgjasja periudhën e ngritjes në këmbë, nuk ndodhi ashtu, unë nisa të ec e lumtur me prindërit e mi të shtrenjtë.

Kushdo që i lexon këto rreshta e kupton se ishim një familje e lumtur.

Lumturia nuk do shumë. Ajo ndërtohet lehtë, mjafton që aty të mos mungojë dashuria. Kur dashuria është e pamasë, merret me mend se sa e pamatë është lumturia!
(vijon)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Fëmijëria, VEHBI SKËNDERI

Tre Ministrat e Brendshëm të Edi Ramës

May 18, 2018 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Ministria e Brendshme në diktaturë ka qenë një nga organizmat më famëkeqe të regjimit, me hallkat e saj përmes të cilave mbante nën kontroll dhe frikë të gjitha strukturat e shoqërisë prej superstrukturës deri tek shqiptarët e thjeshtë. Syri vigjilent për të kapur çdo pakënaqësi që kulmonte me luftën e klasave kundër armikut. Kjo ministri gjithashtu merrej me trafikim të drogave dhe cigareve.

Edi Rama e ka të lidhur fatin e tij me tre Ministra të Brendshëm të Shqipërisë, njëri i kohës të diktaturës dy të tjerë të postdiktaturës.

Ministri i parë, është i fundit ministër i Brendshëm i diktaturës. Gramoz Ruçi, kryetari aktual i parlamentit të Shqipërisë, dora e hekurt e PS që i ka dhënë pushtetin dhe e ka mbajtur në pushtet Edi Ramën.
Pa Gramoz Ruçin, Edi Rama nuk e merrte dot drejtimin e PS.

Për të censuruar opozitën, duke ia mbyllur mikrofonat dhe nxjerrë jashtë salle, Edi Rama i ka dhënë në dorë Ruçit frenat e drejtimit të Parlamentit, siç shihet Ruçi e nxjerr menjëherë jashtë loje jo vetëm opozitën por edhe pluralizmin politik.

Ministri i dytë i Brendshëm i Edi Ramës është një nga vartësit e tij më të bindur. Saimir Tahiri, i njohur si një nga yesman-ët më fanatikë të Edi Ramës. E keni parë sot Erion Veliajn si i thur ditirambe Edi Ramës,  si i përgjërohet, si i gjunjëzohet, si i lëpihet. E njëjta gjë edhe me Saimir Tahirin. Dukej sikur Tahiri nuk merrte dot as frymë pa lejen e bosit të tij, kryeministrit të Shqipërisë. Edi Rama dhe shërbëtori i tij i bindur Saimir Tahiri e nisën mandatin e parë në luftë gjoja frontale me krimin e organizuar, duke eleminuar bastionin e drogës në Lazarat me të ardhura vjetore sipas Guardia di Finanza me rreth 5 miliardë Euro dhe nga ana tjetër duke e kanabizuar gjithë Shqipërinë me parcela droge.

Edi Rama ka qenë avokati mbrojtës i Saimir Tahirit kur polici i antidrogës Dritan Zagani doli me akuza direkte. Dritan Zagani u detyrua të largohet nga Shqipëria, sepse ishte e qartë se jeta e tij ishte në rrezik. Edi Rama nuk i ka ndalur asnjë çast sulmet kundër Zaganit, mbështetur në shpifje të ulta që mund t’i vërtetojë çdo hulumtues.

Rënia e Saimir Tahirit është rënia e Edi Ramës.

Ministri i tretë i Brendshëm është Fatmir Xhafaj, gjithmonë i përmendur për vëllain e tij të dënuar me 7 vjet e 2 muaj burg nga drejtësia italiane si trafikant, dënim i pakryer, sepse Agron Xhafaj i kishte shpëtuar duke u kthyer në Shqipëri, ku nuk i ka hyrë asnjë ferrë në këmbë deri në momentin kur opozita solli regjistrime ku ai shfaqej në bisedë me një trafikant droge.

Natyrisht, Agron Xhafaj mund të ekstradohej nga qeveritë Berisha. Gjithashtu Fatmir Xhafaj nuk duhej të priste deri sot, por do të duhej ta kishte ekstraduar të vëllain prej 2002 që kur ishte deputet apo ministër i qeverisë Majko. Nuk mund të pretendojë për Vetting të policisë Fatmir Xhafaj duke e patur të vëllain Agron Xhafajn një wanted nga shteti italian.

Normalisht, sapo opozita doli me regjistrimin, Fatmir Xhafaj do të duhej të jepte dorëheqjen menjëherë deri sa të zbardhej çështja. Nëse ai nuk e jepte dorëheqjen, do të duhej të ishte Edi Rama që ta shkarkonte. Por në vend të shkarkimit, Edi Rama u bë mbrojtës fanatik i Ministrit të tretë të Brendshëm.

Dorëzimi vullnetar i të vëllait të Ministrit të Brendshëm nuk e shfajëson Ministrin Xhafaj, përkundrazi i vërteton të gjitha akuzat e opozitës, ku akuza e parë themelore është se Agron Xhafa i kishte ikur dënimit, dhe kjo përbën një tjetër akt të dënueshëm të tij.

Ndërsa Edi Rama endet në qiellin e Europës nga njëri shtet tek tjetri, opozita sot deklaroi se Dëshmitari X është rrezikuar me jetë nga akt terrorist i njerëzve të Edi Ramës. Ky fakt nuk është vërtetuar, por kërcënimet që ka marrë me jetë Dritan Zagani janë vërtetuar. Dritan Zagani akuzohet nga Edi Rama dhe kërcënohet nga mafia. A nuk është e çuditëshme që  Zagani është nën shenjestrën e kryeministrit Rama dhe mafies.

Vetdorëzimi i Agron Xhafaj në drejtësinë italiane, është rënia e Fatmir Xhafajt dhe rënia e dytë e mbrojtësit të tij Edi Rama, i cili kërcënon me destabilizim, sa herë që ministrat e tij të brendshëm vihen nën akuza me lidhje të drejta apo të zhdrejta me krimin e organizuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, të Edi Ramës, Tre Ministrat e Brendshëm

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT