• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndjesa nuk ju mjafton zoti Kryeministër!

December 20, 2015 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/
Zoti kryeministër, në vend se të vinit në vend kërkesën legjitime të Prof. Sami Repishtit, ju shkuat në Shkodër e kërkuat ndjesë për dekoratën dhënë persekutorit të diktaturës.
Kur Prof. Sami Repishti, i mbijetuari i Holokaustit komunist i kërkoi ministres tuaj që të japë dorëheqjen, sepse nuk meriton të jetë ministre e NATO-s, ju nga ana juaj u mjaftuat me një ndjesë, kur persekutori i dekoruar prej Mimi Kodhelit veç At Zef Pllumit dhe Prof Sami Repishtit kishte torturuar edhe 92 viktima të tjera.
Kryeministri i vendit në vend që të reagonte energjikisht, flakë për flakë, mori rolin e protektorit të Mimi Kodhelit dhe, në vend që ta merrnit në telefon urgjentisht vartësen tuaj të kahmotëshme e t’i kërkonit të dorëhiqej, ju reaguat me sulm ndaj kundërshtarit tuaj, dhe nga Shkodra ju thatë: „Po, ne e dekoruam kriminelin, por Sali Berisha e ka privilegjuar me rrogën e veteranit.“
A nuk jeni anët e së njëjtës monedhë! Ju përdorët sulmin, sipas së njohurës – die beste Verteidigung ist der Angriff – se mbrojtja më e mirë është sulmi. Por gaboheni, fajet e Sali Berishës nuk ju shfajësojnë ju.
Sepse PS e ka rehabilituar nomenklaturën kriminale të diktaturës dhe këto dekorime janë në vazhdën e rehabilitimeve. Në 1997 Nexhmija Hoxha ishte në burg, Ramiz Alija ishte në burg, Manush Myftiu ishte në burg. PS i liroi dhe për çdo ditë të burgut të tyre ata u zhdëmtuan. Pra PS i nxori të pafajshëm. Si mendoni ju zoti kryeministër, a ishin të pafajshëm ?
Andaj ndjesa juaj nuk është mjaft. Ndjesa juaj është shplarje goje.
Kjo ndjesë ju vë në një pozitë shumë të vështirë përpara viktimave dhe martirëve të diktaturës e Prof.Sami Repishti që është një martir i gjallë.
Krimet e diktaturës komuniste nuk mund të harrohen kurrë. Kot lodhen historianët e regjimit komunist ta fshehin të vërtetën. Do të vijë një ditë shumë shpejt kur Shqipëria me një klasë politike të përgjegjëshme, jo si kjo që vetëm leh natë e ditë në Parlament, do të denoncojë genocidin e regjimit komunist të periudhës prej 1944-1992. Shqiptarët si komb kanë përjetuar tre lloj genocidesh, por genocidi komunist është më makabri, sepse shqiptari torturoi, persekutoi, internoi e vrau shqiptarin.
Ju nuk keni se përse të bëheni protektori i një ministre, e cila është kthyer në vegël qorre të atyre që i përpiluan ato lista. Një ministre e NATO-s nuk mund ta mbajë mirë edhe me persekutorët e viktimave të regjimit komunist edhe me homologët e saj të Aleancës Verio-Atlantike, sepse standartet janë të përcaktuara.
Prandaj ndjesa juaj nuk mjafton. Ju pas kësaj ndjese hipokrite nuk mund të dilni i palagur. Nuk e kaloni dot lumin zoti Kryeministër me këtë ndjesë. Sepse nuk është ndjesë. Është tallje.
Ju zoti kryeministër nuk e keni provuar kurrë ferrin e diktaturës, ju ka ecur fati. Keni studjuar ku keni dashur, keni zgjedhur vendin e punës sipas qejfit tuaj, po këto privilegje mos harroni jua siguronte regjimi. Ju në asnjë çast të jetës tuaj nuk keni qenë viktimë e monstrës kriminale, ju nuk e keni provuar të jesh adoleshent dhe diktatura të të burgoste prindërit , se çfarë ferri vinte pas kësaj, ju nuk keni provuar burgun, si Visar Zhiti apo Fatos Lubonja, që ju i njihni mirë; por kjo s’do të thotë se ju nuk duhet të keni sensibilitetin e mjaftueshëm që të futeni në lëkurën e viktimave, të të njohurve tuaj apo të atyre djemve të rinj, të edukuar në Perëndim, shokët e qelive të At Zef Pllumit dhe Prof Sami Repishtit që diktatura i torturoi barbarisht dhe pastaj i vrau. Po ju kujtoj Qemal Draçinin, një njëzet vjeçar brilant, që piu DDT – helmin në burg me qëllimin që t’i jepte fund torturave të këtyre kriminelëve që morën dekorata nga një Ministre e NATO-s. Një farsë e vërtetë. Prandaj ndjesa juaj nuk mjafton.
Është tallje ndaj viktimave, është provokim ndaj shoqërisë dhe Perëndimit dhe Perëndimi nuk ha bar.
Me të njëjtin stil si Mimi Kodheli, ministri juaj i jashtëm, Ditmir Bushati, i biri i një ish-eksponenti të diktaturës, jo vetëm që bën emërime nepotike nën hundën tuaj, por posa ka emëruar ambasador të jashtëzakonshëm e fuqiplotë në Izrael, të birin e Nimet Canit dhe të dhëndërin e ish-byroistes Lenka Çuko, që ka një pasuri prej 1.2 milionë Euro, ndërsa mesatarja e pensionit e gjysmë milioni pensionistësh që kanë punuar 45 vite rresht është vetëm 110 $ në muaj!
Cili do të jetë reagimi juaj ? Ju do të thoni se edhe Berisha i caktonte diplomatët nepotikë me vkm. Po nuk është kjo përgjigjia e duhur. Riciklimi i gabimeve dhe fajeve.
Ju jeni kryeministër i Shqipërisë dhe tregojeni se nuk jeni as protektor i Mimi Kodhelit, as bodyguard i Ditmir Bushatit e dhëndurit të Lenka Çukos dhe as riciklues i kundërshtarit tuaj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Ndjesa, nuk ju mjafton, Zoti Kryeministër

Letër e Hapur Edi Ramës: Zoti kryeministër shkarkojeni Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli

December 15, 2015 by dgreca

Nga Elida BUÇPAPAJ/

 Zoti kryeministër, ju me letrat e hapura të gazetarëve nuk e di se çfarë bëni, por gjithesesi, ato mbeten një dokument në historikun e periudhës tuaj kryeministrore.

Po ju drejtohem në lidhje me Mimi Kodhelin. Ju tashmë e dini historinë. Mimi Kodheli firmosi dekrete dekoratash për ish-eksponentë të diktaturës si dhe të persekutorëve të At Zef Pllumbit, Prof.Sami Repishtit dhe shqiptarëve të tjerë që diktatura i vrau. Mimi Kodheli po e sfidon qeverinë e Rilindjes duke firmosur rilindjen e kohës më kriminale për shqiptarët.

Unë nuk po them se ju keni lidhje morboze me enturazhin tuaj, sepse Mimi Kodheli njihet si vartësja juaj që nga koha e viteve të Bashkisë. Ju tani jeni në stadin më të lartë të shtetit. Mund të keni krijuar përshtypjen se Mimi Kodheli mund të jetë besnikja juaj, por me firmosjen e  saj ajo është demonstruar si armikja juaj, sepse me këtë historinë e dekoratave i diskredituari jeni ju. Që pas firmosjes, një vit më parë, Mimi Kodheli nuk ka më integritetin për të përfaqësuar institucionin që drejton, sepse ajo nuk është vetëm ministrja e Edi Ramës, por edhe Ministre e integruar në Aleancën Verio-Atlantike.

Që prej vitit të shkuar, kur Mimi Kodheli dekretoi dekoratat në fjalë, mediat e Tiranës, që betohen rrejshëm se iu shkojnë të vërtetave deri në fund, në vend që të hulumtonin, e mbajtën të fshehur skandalin, deri kur kjo histori plasi rishtas ku u zbulua se Mimi Kodheli kishte shpërblyer me dekoratë edhe një persekutor kriminel që kishte torturuar jo vetëm At Zef Pëllumbin por edhe Prof.Sami Repishtin dhe shumë shqiptarë të tjerë të vrarë nga diktatura. Njëjtas me ata 6000 viktima të zhdukura që qeveria juaj ka marrë përsipër që t’ua gjejë varret, dhe kjo vlen për t’u lavdëruar, sepse qeveritë e Sali Berishës, bashkë me të PS deri tani, i kanë lënë viktimat të mbeten pa varre dhe atje ku i ka fshehur diktatura.

Mimi Kodheli, sepse unë nuk e njoh më si Ministre të Mbrojtjes, i tha Ilva Tares disa netë më parë se ajo nuk e kishte idenë se, në mes të të dekoruarve, ishte edhe persekutori i At Zef Pëllumbit. S’mund të ketë përgjigje më të papërgjegjëshme për një Ministre të NATO-s. Ajo vendos firmën dhe nuk e di se për çfarë ka nënshkruar. Unë mendoj se ajo e ka ditur se për çka ka firmosur, por në të dyja rastet, edhe sikur të mos kishte ditur, përgjegjshmëria është njësoj, dhe ajo duhej të shkarkohej.

Mimi Kodheli ua ka komprometuar shtershëm Rilindjen. Ju e dini se gjatë 1997-ës, PS sa erdhi në pushtet i nxori nga burgjet ish-eksponentët e nomenklaturës, i rehabilitoi dhe i zhdëmtoi me rroga, ndërsa kalvari i ish-viktimave nuk po merr fund asnjëherë këta 25 vjet të diktaturës së tranzicionit.

Ju i keni justifikur manifestimet me portretet të diktatorit, sepse keni thënë se nuk i organizon qeveria; ashtu si edhe për nostalgjikët e regjimit, keni thënë se nuk keni lidhje me ta, paçka se keni hyrë në aleancë parazgjedhore, por Mimi Kodhelin nuk e justifikoni dot. Sepse është zgjedhja juaj dhe, nëse e mbani në qeveri, jeni ju përgjegjës i papërgjegjshmërisë së saj.

Ashtu si e dini ju zoti kryeministër, NATO u krijua si reagim ndaj diktaturave staliniste, për të mbojtur Perëndimin dhe vlerat e lirisë nga ata që i vrisnin e i shfarosnin viktimat e tyre, ndërsa Mimi Kodheli firmos dekretin për dekorimin e ish-persekutorëve të diktaturës.

Prof.Sami Repishti, viktimë dhe dëshmitar i krimeve të regjimit monstruoz dhe Ikonë e mbrojtjes të të drejtave të njeriut, me anë të një shkrimi botuar tek Panorama kërkoi dorëheqjen e saj, dhe ju zoti Kryeministër, do të duhej t’i kishit bërë thirrje menjëherë Mimi Kodhelit që të dorëhiqej.

„Dekorimi i kriminelëve të regjimit të kuq nga Ministria e Mbrojtjes e që përfshin edhe xhelatët e ish-Sigurimit ashtë nji fymje e randë për të gjithë popullin shqiptar, e sidomos për viktimat e komunizmit në Shqipëri e familjarët e tyne. Nji akt i këtill tregon mungesën e plotë të frymës së zhvillimeve në botën e lirë që na rrethon, mungesën e plotë të sensibilitetit të plafeve në vendin tonë dhe mungesën e plotë të ndërgjegjes së vrame nga krimi komunist“, shkruan Prof.Repishti.

„Sa për kriminelin “shoku Çoku”, thekson më tutje Prof.Repishti, „që më shkaktoi kaq dhimbje trupore e shpirtënore me drunin e tij të pagdhenun, e çizmen e tij të ndytë, unë nuk e falë, sepse tradhëtoj bashkë- vuejtësit e mi. Kjo nuk ashtë mëshirë, as falje! Kjo ashtë mospërfillje për vendin që akoma vuen, mospërfillje për viktimat akoma të përbuzuna, mospërfillje për rrezikun e ringjalljes së nji shoqënie shqiptare që kërkon të ngrihet si “e gjithë Europa”. Për kto arsye, Zonja Ministre, mbas aktit tuej të dënueshëm, ju keni vetëm nji rrugë të ndershme me marrë: jepni dorëheqjen, dhe sa ma shpejt!”

Apeli i Prof.Repishtit është i një njeriu luminar, ku dijet, humanizmi, toleranca dhe drejtësia janë një bashkë. Në Shqipëri nuk kemi njerëz luminarë, në qeverisje këta 25 vjet kanë munguar njerëzit luminarë, që i duan të mirën kombit, por kjo s’do të thotë se nuk ka njerëz me arsye. Dhe unë besoj se ju keni arsye, zoti kryeministër.  Dhe tash është rasti ta demonstroni, sepse Mimi Kodheli me dekretimin e saj vijon të mbetet armikja juaj, pasi ajo ka shkatërruar imazhin e Rilindjes dhe ideatorit të saj që jeni ju.

Prandaj, shkarkojeni Mimi Kodhelin nga posti që ajo mban, sepse ajo nuk i ka standardet për të qenë Ministre e Mbrojtjes e NATO-s. Mos prisni që ajo të japë dorëheqjen, sepse ajo do të duhej ta kishte dhënë një vit më parë apo menjëherë posa lexoi apelin e Prof. Repishtit.  Aq më tepër në Shqipëri  kultura e mosdorëheqjes është pjesë e dështimit eklatant të këtij tranzicioni traumatik për popullin e prosperiues për klasën politike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Kodheli, kryeminstrit, Leter e haur

Donika Kada Bujupi në burg, kriminelët të gjithë jashtë

November 26, 2015 by dgreca

Nga Elida BUÇPAPAJ/

Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë ankesën e avokatit për lirimin e deputetes të Kuvendit të Kosovës Donika Kadaj – Bujupi.Apeli ka vendosur ta mbajë Donika Kadajn në paraburgim, ndërsa gjithë kriminelët e Kosovës janë jashtë, të lirë,duke na bërë moral e duke justifikuar me ligj e kushtetutë se burgosja e Donikës është shprehje e shtetit ligjor.

Shteti ligjor i një regjimi kriminal, një qeverisje pazaresh të pista, që ka rregulla të hekurta për cilindo që rebelohet kundër diktaturës të një aleance monstrum, siç është aleanca PDK-LDK.

Donika Kadaj është kundër çdo lloj dhune. E kam intervistuar janarin që shkoi, dhe ma ka thënë shprehimisht. Donika është grua e nënë, dhe nuk ka nënë në botë që të ngrihet kundër shtetit kur shteti është i drejtë, sepse çdo nënë kërkon shtet ligjor për bijtë e saj dhe për gjithë bijtë e botës.

Arrestimi i Donika Kadajt është kërcënim dhe dhunë shtetërore. Që vjen nga një shtet burracak që arreston gratë dhe të gjithë kriminelët i ka lënë jashtë për të friksuar dhe terrorizuar shoqërinë.

Dy ditë më parë u kujtua 15 vjetori i vrasjes të Këshilltarit të Ibrahim Rugovës, intelektualit të shquar Xhamail Mustafa, vrasje e pastër politike. Deri sot vrasësit bredhin të lirë, ndërsa ideatorët e vrasjes na bëjnë moral për shtetin ligjor.

Xhemail Mustafa u kujtua sa me larë gojën nga partia që ka degjeneruar në një parti antirugoviste. Kjo është LDK-ja sot. Sepse janë dhjetra veprimtarë, gazetarë e personalitete të vrarë për motive politike që prej 1998, të krahut Rugovist dhe deri më sot asnjë vrasje nuk rezulton të jetë e zbardhur, asnjë ideator i krimeve i gjykuar, asnjë ideator i krimeve i përballur me drejtësinë, asnjë ideator i krimeve i burgosur; të gjithë ideatorët e krimeve bashkë me ekzekutorët nuk kanë paguar para drejtësisë dhe nuk janë pas hekurave, ndërsa kori i laraskave dhe i sorrave na bëjnë moral për shtetin ligjor, na bëjnë moral për ligjin dhe na justifikojnë burgosjen e një gruaje, e cila kundërshtoi një regjim i cili s’ka lidhje as me shtetin ligjor dhe as me demokracinë, sepse shtet ligjor ka kur drejtësia punon në favor të lirisë e sigurisë.

Kjo është Kosova e sodit. Të gjithë kriminelët jashtë hekurave dhe Donika Kadaj-Bujupi brënda në burg, se qëlloi me vezë dhe domate qeveritarë kukulla që kanë kapur shtetin dhe nuk kanë legjitimitet pasi qendrojnë  në krye të shtetit me këtë soj aleance në kundërshtim të hapur me verdiktin e popullit, që i votoi në zgjedhjet e qershorit 2014. Janë oligarkët e Kosovës, të pasuruar me paret e popullit, ndërsa populli vuan, populli ka marrë ikën sepse s’ka bukë, s’ka punë, s’ka siguri, s’ka drejtësi sepse regjimi lë jashtë kriminelët dhe brënda në burg fut një grua, e cila e kundërshtoi këtë regjim dhe u rebelua.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, kriminelet jashte

PSE E CENSUROI MEDIA E TIRANES INTERVISTEN E KRYPARLAMENTARIT META?

October 30, 2015 by dgreca

Intervista e Ilir Metës tek Zëri i Amerikës bujë në rrjetet sociale e censurë totale në gazetat e Tiranës/
Nga Elida Buçpapaj/
Ka qenë një hard talk intervista e gazetares të Zërit të Amerikës Ardita Simiçia me kryeparlamentarin e Shqipërisë Ilir Meta. Në fund të fundit gazetarja bëri veç detyrën e saj. Por me një stil krej ndryshe nga gazetarët në Shqipëri që me politikanët kanë lidhje interesash klienteliste. Intervista u prit me entuziazëm nga publiku. U duk sikur njerëzit u zgjuan. Në fund të fundit, këtë pret opinioni publik. Që politikanët shqiptarë të vihen me shpatulla pas murit. Dhe nuk është asfare vështirë. Por mediat në Shqipëri nuk duan, sepse janë bërë pjesë e kapjes së shtetit.
Intervista e Simiçisë u mirëprit nga shqiptarët dhe ktheu kohën kur Zëri i Amerikës ishte një nga faktorët kryesorë që ndikoi në rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri. Shqiptarët kanë nevojë për mediume të tilla të lirisë, sepse e kanë humbur totalisht shpresën dhe besimin tek televizionet dhe gazetat që përdoren për t‘i manipuluar shqiptarët sepse janë të shitura tek politika.
Por ndërsa kjo intervistë pati jehonë të madhe dhe u mirëprit nga opinioni publik dhe në rrjetet sociale, 180 gradë ndryshe ishte reagimi i gazetave të Tiranës, të cilat nuk i kishin kushtuar asnjë hapësirë dhe vend kësaj interviste, sikur kjo intervistë të mos ishte bërë fare. Do të mjaftonte titulli që kishte e botuar Zëri i Amerikës: Ilir Meta përballë pyetjeve për korrupsionin, për të tërhequr vemendjen e lexuesve dhe megjithëse Gazetat e Tiranës janë të etura për tituj skandalistikë për të shitur stoqet e tyre, ato e censuruan intervistën e Ilir Metës tek Zëri i Amerikës.
Lloji i censurës i ndau gazetat në tri grupe :
Në grupin e parë:
hynin ato gazeta që e kishin censuruar totalisht intervistën dhe i bënin jehonë suksesit të vizitës të Ilir Metës në Kongresin Amerikan. Këtë mbulim kishin bërë Gazeta Telegraf, Gazeta Koha Jonë dhe vetë Gazeta Integrimi, organ i LSI e cila për sfidë botonte edhe fragmente nga intervista tek Zëri i Amerikës.
Në grupin e dytë:
hynin ato gazeta që gjithashtu e kishin censuruar intervistën por kishin nxjerrë nga një theks në një kufizë të vogël që nuk lidhej asfare me thekset e vërteta të intervistës që ishin korrupsioni, lluksi i politikanëve, afera korruptive DIA-CEZ dhe ngecja e reformës në drejtësi:
Ja masakra e gazetave të Tiranës:
Gazeta Panorama: Vizita: Meta në Kongresin e SHBA, takim me liderët e demokratëve.
Gazeta Shekulli: Impulset e reja nuk lidhen me ndryshimet në qeveri
Gazeta Mapo: Impulset s’kanë të bëjnë me ndryshime ministrash
Gazeta Shqip: Impulset në qeveri: Meta: S’fola për emra ministrash
Gazeta Shqiptare: Impulset e reja nuk kanë të bëjmë me emrat por me rezultatet
Gazeta Sot: Kryetari i Kuvendit Ilir Meta gjatë një interviste tek Zëri i Amerikës ka sqaruar dje nënkuptimin e sintagmës „impulse të reja“. Sa i takon ndryshimeve në qeveri Meta theksoi.
Në grupin e tretë:
bënin pjesë ato gazeta që e kishin censuruar totalisht intervistën dhe nuk kishin shkuar asgjë, kur nëse do të ishin gazeta të opozitës si pretendojnë të jenë, do të duhej që ta botonin me okelio titujsh e nëntitujsh sikur edhe vetë Sali Berisha do të duhej që të shkruante editorialë gazetash dhe statuse në Facebook. Por jo, për intervistën e Ilir Metës tek Zëri i Amerikës, Sali Berisha e mbajti gojën të mbyllur dhe po ashtu censurë totale edhe Rilindja Demokratike e Gazeta 55.. Të njëjtën edhe Tema e Shqiptarja.com!
Këto statistika të trishta tregojnë qartas për situatën tragjike të shtypit në Shqipëri. Kur arrijnë të censurojnë Zërin e Amerikës, merret me mend se në shtypin dhe mediat e Tiranës gjithçka është nën censurë.
Por pa shtyp të lirë nuk ka as shtet demokratik dhe as demokraci. Pa shtyp të lirë ka vetëm shtet të kapur dhe diktaturë të mafies.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, INTERVISTEN, MEDIA E TIRANES, PSE E CENSUROI

Isa Mustafa de facto nuk është kryeministër i Kosovës

October 18, 2015 by dgreca

Isa Mustafa de facto nuk është kryeministër i Kosovës/
Nga Elida BUÇPAPAJ/
Titulli në dukje absurd tregon një realitet. Kosova nuk ka kryeministër dhe një qeveri pa kryeministër nuk qëndron dot në këmbë e nuk ka perspektivë. Prandaj parlamenti është kthyer në arenë të vezëve, bilbilëve e gazit lotsjellës. Isa Mustafa nuk gëzon autoritet tek asnjë palë. As tek LDK, as tek PDK dhe as tek opozita. Opozitën e tradhtoi, LDK-në e tradhtoi, ndërsa me PDK-në ka marrëveshje të interesit nëntokësor assesi kombëtar.
Aktualisht Isa Mustafa njihet si burri më gënjeshtar në Kosovë. Atij nuk i beson askush. As fëmija. Sepse çfarë thotë tani, e çthotë pastaj. Atë që thotë sot e përgënjeshtron nesër. De facto kryeministër i Kosovës – i paligjshëm – është Hashim Thaçi.
Isa Mustafa është bishti i Hashim Thaçit dhe nën diktatin e nëntokës së LDK-së.
Nëntoka e LDK-së është segmenti që ka uzurpuar LDK-në pas vdekjes së Rugovës, i dalë i humbur nga zgjedhjet e qershorit 2014, por që ka përfituar vende kyçe në bashëkqeverisje me PDK-në. Nëntoka e LDK-së është kapja e shtetit permes sistemit klientelist, nepotik, korruptiv, klanor e tarafor. Nëntoka e LDK-së janë një grusht njerëzish keqpërdorues të pushtetit në aleancë të fshehur e të hapur me PDK-në prej 2007. Ndajnë bashkë privilegjet, postet më të larta të shtetit dhe përfitimet si oligarkë.
Me një vështrim të shkurtër retrospektiv, në kohën e qeverisë në mërgim, Isa Mustafa ishte njeriu dhe bishti i Bujar Bukoshit. Ai mbante portofolin e ministrit të financave dhe kishte në dorë të gjithë milionat që rridhnin prej të ardhurave të 3%. Ne që jetojmë në Zvicër e dimë se sa vështirë e ka patur Rugova prej Bukoshit dhe njerëzve të tij që i krijonin shumë vështirësi dhe ishin në opozitë të hapur me Liderin Indipendentist që prej asaj kohe. Si qeveri në mërgim, ata përfitonin prej autoritetit të Rugovës, por përfitonin sidomos financiarisht. Deri sot askush nuk ka hetuar se çfarë është bërë me fondin e 3 %.
Pas konfliktit të 1998-1999 Isa Mustafa asnjëherë nuk ka shkëlqyer. Ka përfituar gjithmonë si pjestar i nëntokës së LDK-së. Edhe kreun e bashkisë të Prishtinës kështu e fitoi. Preferoi më mire të ishte kryetar i Bashkisë, sepse rolin e liderit të opozitës nuk e bënte dot më 2010, në kohën kur u zgjodh kryetari i LDK-së nga grupi i Llapit, ai afër Xhavit Halitit, që e bëri hara-kiri Fatmir Sejdiun, për të mashtruar elektoratin por edhe sepse Isa Mustafën si marionetë e përdorte më lehtë.
Prej këtyre marrëdhënieve okulte rrodhi edhe aleanca PDK-LDK në 19 nëntorin e 2014. Si deal midis padrinosh. Aleanca e tyre nuk është aleancë partiake, prandaj është e paqëndrueshme. Sepse aleancat dalin nga liderët në marrëveshje me partinë dhe elektoratin. Marrëveshjet në vetvete duhet të shprehin një konsensus të elektoratit.
Aq më tepër, në një demokraci politika nuk mund të jetë marrëveshje midis maskarenjve, por midis xhentëlmenësh (gentlemen agreement ) dhe përfaqësuesve më të denjë të popullit. Ndërsa Isa Mustafa është përfaqësues i interesave të një klani, atij më të urryeri prej vetë LDK-së dhe elektoratit të LDK-së. Prandaj Isa Mustafa nuk gëzon asnjë lloj autoriteti, as në Parlament, as tek PDK, as tek LDK dhe as tek opozita. Sepse është made in – prodhim i nëntokës.
Nëse faktori ndërkombëtar kishte vërtetë interes të mbante Hashim Thaçin dhe të krijonte një maxhorancë midis PDK-së dhe LDK-së, sepse në këtë parti ka vërtetë burime njerëzore me integritet, kjo aleancë do të duhej të ndërtohej mbi një themel të shëndoshë, që e përjashtonte kategorikisht përfshirjen në qeveri të Isa Mustafës dhe klanit të nëntokës, duke i hapur rrugën figurave të pastra të LDK-së dhe atyre më të votuarave, si Vjosa Osmani për shembull, që klani i Isa Mustafës nuk e lejoi as të kandidojë për kreun e LDK-së. Nëse në 19 nëntorin 2014 do të ishte vendosur që në krye të qeverisë të Kosovës të votohej Vjosa Osmani, dhe në rrang ministrash, LDK do të përfaqësohej nga emra me autoritet, padyshim që sot në Parlamentin e Kosovës nuk do të kishte as vezë, as domate të kalbura, as bilbila, as gaz lotsjellës.
Sepse de facto Kosova nuk ka kryeministër. Dhe qeveri pa kryeministër nuk mund të ekzistojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Isa Mustafa, Kryeminister

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT