• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEPUTETËT E LDK-SË SOZI DHE KLONE TË ISA MUSTAFËS

June 5, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Më gërditin deputetët dhe delegatët e kuvendit të LDK-së. Sepse ata e delegjitimuan sovranitetin e votës së lirë dhe në 31 maj votuan si të ishin në ajatullahland e jo në zemër të Europës.
Tash ata duken sikur i ka nxjerrë prej hunde e prodhuar në seri Isa Mustafa. Ca si sozi e ca si klone. Ca si dele e ca si derra Dolli të tufëzuara prej bariut dritëshkurtër.
Femrat deputete e delegate të LDK-së, tash ato janë Delet Dolli të Isa Mustafës. Të mbetura pa flokë, gjithë rrudha e me gojë të çaraveshun si Isa. Kot lodhen me u zbukurue. Sa ma tepër zbukurohen aq ma fort Isës i ngjasin.
Deputetët e delegatët e LDK-së janë si dy pika uji me babën e tyne që e votuan me aklamacion më 31 majin e vitit 2015, të shekullit XXI të mileniumit të tretë. Ata janë Derrat Dolli. Të Fermës Orwelliane.
Të gjithë, pa përjashtim, si kolektivitet bagëtish. Përveç Vjosa Osmanit!
Përveç Vjosa Osmanit e Donika Gërvallës. Dy femra që kanë shfaqur personalitetin e tyre e që janë kundra rrjedhës me qëllimin e përbashkët me e shpëtue LDK-në nga kapja dhe me ndërtue shtetin e së drejtës të barabartë për çdo qytetar të Kosovës.
Po kauza e këtyre dy grave duket si kështjellë rëre, sepse Delet e Derrat Dolli e kthyen 31 majin e vitit 2015, të shekullit XXI të mileniumin e tretë në disfatë të votës të lirë që duhej të ishte një proces liberator.
Sa kishim ëndërruar që 31 maji 2015 të mos ishte apokalipsi i LDK-së. Se LDK asht kthye në Sadomë e Gomorrë. Na zhgënjyen edhe ata tek të cilët e pati shpresën populli rugovist, që tash ka mbetur pa lider dhe pa asnjë formacion përfaqësues që t’i udhëheqë, përveç Vjosa Osmanit!
Sepse populli rugovist e ka dhënë votën gabimisht tek ata deputetë e delegatë që i tërheq për hunde e për kapistalli Isa Mustafa ose Grupi i të Pestëve e që e votuan bariun e tyre në një blegërimë aklamative të përbashkët, tribale dhe antidemokratike.
E tash paçka se ka çelë pranvera, kopeja e deleve dhe derrave kanë vijue gjumin letargjik, duke u këndue bariu i fermës Orwelliane nga një ninullë bukolike.
LDK e Ibrahim Rugovës nuk ekziston më. Prej vdekjes së tij brenda këtyre 10 viteve dhe tre Kongreseve, njëri më famëkeq se tjetri. Tani s’ka asnjë figurë që të identifikohet me idetë dhe elitarizmin e Ibrahim Rugovës. Kësisoj u mbyll përfundimisht kapitulli i LDK-së, partisë që bëri historinë dhe hyri në histori si lëvizja e parë demokratike që i hapi rrugën sistemit pluralist dhe që e ktheu në kauzë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Përfundimisht në Kosovë nuk ka parti të qendrës të djathtë, por është Vjosa Osmani që krijon shpresë se diçka duhet me pritë prej saj, diçka që duhet të shërbejë për të ndryshuar jo vetëm imazhin e klasës politike në Kosovës, por edhe zhvillimet në Kosovë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Isa Mustafa, LDK, Sozi

EDHE NJË HERË PËR ELHAIDËN

May 26, 2015 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Prezantimi i Elhaida Danit në Eurosong nuk dha atë që publiku priste. Elhaida e ka formatin vokal për të rrëmbyer jo vetëm zemrën e shqiptarëve, por edhe të gjithë Europës dhe botës. Shansi i Vjenës i shkoi dëm.
Elhaida u shfaq e kontraktuar dhe nuk arriti të eksplodojë me potencialin e saj.
E pra, i kishte të gjitha mundësitë. Nuk është faji i saj natyrisht. Por gjithsesi, ajo tani e ka moshën për të shfaqur personalitetin e saj edhe si artiste, edhe si njeri.
Thuhet rëndom se në Shqipëri, Artistët nuk kanë sukses. Kur kemi parasysh Rita Orën që ka pushtuar botën, por zhvillimin e saj e ka marrë në Britaninë e Madhe dhe jo në trojet shqiptare. Po të shohim edhe gjithë Artistët shqiptarë që kanë bërë emër në botë, këtë gjë e kanë arritur vetë dhe jo me ndërmjetësinë e shtetit amë, i cili duket si barrierë për talentet shqiptare. Dhe jo vetëm duket, por edhe është barrierë. Sepse e politizojnë artin. Ashtu si shfaqen dasitë në politikë, e njëjta gjueti shtrigash është edhe në art, ku meritokracia nuk njihet.
Edhe stafi që shoqëroi Elhaida Danin nuk ishte i duhuri, ishte një staf politik i përzgjedhur nga politika. Elhaida Dani do të duhej të shoqërohej nga një staf profesionistësh të klasit të parë dhe në Shqipëri e trojet shqiptare këta njerëz mund t’i gjesh, por shteti nuk do t’i gjejë. Sepse në RTSH dhe institucionet e kulturës shkojnë homos politicus, jo artistët. Ose edhe kur shkojnë artistët, ata duhet të tregojnë bindje partiake jo kulturore.
Problemi i paraqitjes të Shqipërisë në Eurosong 2015 nisi që tek kënga, e cila edhe kur u ndryshua, nuk ishte kënga sfiduese. Paçka se kishte një titull intrigues – I’m Alive – që rimonte dhe të kujtonte – I Will Survive, të kënduar nga Gloria Gaynor, por ishin shumë shumë larg me njëra-tjetrën e të pakrahasueshme.
Kur u vendos se Elhaida do të dilte me këtë këngë, atëhere stafi i specializuar, që do të duhej ta rrethonte këngëtaren, do të duhej që bënte gjithçka për ta shpëtuar këngën. Dhe kjo bëhej duke afruar dhe kërkuar ndihmën e kompozitorëve dhe kantautorëve më të mirë shqiptarë. Sepse në këtë rastin konkret flitej për një përfaqësim kombëtar.
Elhaida do të duhej të shoqërohej nga ekspertë të fushës, që t’i jepnin siguri dhe këshilla që ajo ta largonte stresin dhe të demonstronte aftësitë e saj, ashtu sikur u shoqërua nga Ricardo Cocciante që ishte mentori i saj tek The Voice of Italy. Pra duhej një staf elite profesionistësh, që Elhaida nuk e pati.
Një tjetër problem i saj ishte paraqitja skenike. Elhaida Dani, një vajzë shkodrane plot bukuri dhe hire, e cila me zërin dhe magjinë e saj prej artisteje do të duhej ta kishte tërhequr si me magnet publikun, duke e lënë në hije Gagarinën, u shfaq në skenë pa sharm dhe e zakonshme, kur i kishte të gjitha të dhënat që të ishte rock – në atë kuptim që e thotë Adriano Celentano, marramendëse dhe imponuese. Fustanet e saj linin për të dëshiruar, po ashtu edhe krehja e saj që e bënin atë të mos ndihej Zot i skenës. Edhe ky difekt i organizatorëve mund të evitohej mjaft lehtë, mjafton sikur stafit t’i ishte bashkangjitur, le të përmendim regjizoren Vera Grabocka, për shembull, dhe Elhaida Dani do të kishte shkëlqimin e një ylli, kur ajo është yll dhe nuk u shfaq ashtu si është
Votimi përfundimtar ishte i politizuar, por Elhaida Dani, do ta depolitizonte, nëse do të bënte një ekzibicion të jashtëzakonshëm, ashtu si ndodh me artistet e vërteta.
Edhe kur flasim për votimin e publikut, Elhaidën e votuan shqiptarët e diasporës, por jo publiku gjërësisht ashtu sikur votoi përfaqësuesit e Italisë me “Grande amore”, që do të duhej të ishte kënga fituese nëse do të ishte një garë e vërtetë artistike. Grande Amore e kënduar nga trioja pop Il Volo, me votën e publikut zuri vendin e parë, ndërsa për meritë të publikut patriot shqiptar të diasporës Elhaida të nëntin.
Sa i përket mediave shqiptare, ato nuk treguan dashamirësinë e duhur, u treguan cinike dhe ndofta u bënë shkak që Elhaida të gjunjëzohej dhe jo ta gjunjëzonte botën me zërin e saj, kur dihet se fuqia e Artit bën të heshtin armët.
Gjatë ditëve që ajo performonte në Vjenë, nëpër portale dhe Facebook qarkullonte një video, ku Elhaida këndonte këngë fetare e veshur me shami, diçka e papranueshme për formatin e një artisteje të vërtetë, e cila duhet të jetë e depolitizuar dhe larg çdo konotacioni fetar.
Suksesi apo mossuksesi i Elhaidës në Eurosong 2015 ishte kombëtar, në fund të fundit Elhaida përfaqësonte zyrtarisht Shqipërinë, dhe ajo në një farë mënyrë ishte e varur nga organizatorët e nuk mund të vendoste vetë për çfarë ajo do të deshte të ishte më e mira. Një gjë ajo mund ta bënte, që të mos pranonte të performonte. Për karrierën e saj gjithsesi pjesëmarrja në Eurosong është një arritje, por majat e vërteta të arritjeve janë garat e mëdha të tipit Grammy Award, Music World Awards etj.etj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, per Elhaida Danin

RREZIK PËR MAQEDONINË JANË ALI AHMETI DHE GRUEVSKI!

May 20, 2015 by dgreca

OPINION NGA ELIDA BUÇPAPAJ/
Në ditën e protestës të opozitës në Maqedoni, Ermira Mehmeti , deputetje e BDI-së, e partisë të Ali Ahmetit në koalicion me Gruevskin, do të shkruante në Facebook se „qeveria e Gruevskit e izoloi vendin nga partnerët nderkombëtare; se e rrënoi imazhin pozitiv të vendit; se nuk tregoi asnjë respekt për parimet e bashkëqeverisjes etnike; se pa ndalur e luftoi realizimin e Marrëveshjes së Ohrit; se vendosi autoritarizmin në vend te demokracise; se refuzoi dialogun; se rrënoi bashkjetesën, se prishi kohezionon e brendshëm. Mjaft më, thotë në fund Deputetja Mehmeti. Është koha për dorëheqje!“
Duhej të thoshte qeveria Gruesvki-Ahmeti, sepse Gruevskin e ka mbajtur gjithmonë në këmbë Ali Ahmeti, duke shkelur të drejtat legjitime të shqiptarëve. Por megjithatë zëra si i Ermira Mehmetit duhen. Vetëm duhet të mos e lënë kohën të rrjedhë shterpshëm dhe dëmshëm.
Kjo është Maqedonia sot, që me pak fjalë, që e përshkruan vetë deputetje e Ali Ahmetit. Përfshi këtu krimin në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Maqedonia sot është e rrezikshme për qytetarët e saj, e rrezikshme për fqijnët e saj, e rrezikshme për vetë Maqedoninë.
Dhe Maqedoninë e ka bërë të rrezikshme dhe e kanë vënë në rrezik për të ekzistuar Ali Ahmeti, Gruevski dhe kasta e vjetër.
Në titull e kam vendosur përpara emrin e Ali Ahmetit e pastaj të Gruevskit. Sepse pa Ahmetin, Gruevski do të ishte i paralizuar. Dhe tragjedia e Kumanovës nuk do të ndodhte nëse Ali Ahmeti nuk do të ishte qe djathtë i Gruevskit. Gjoja në mbrojtje të Maqedonisë!
Ali Ahmeti ka kohë që luan me kartën e ndarjes të Maqedonisë. Ose më mirë të themi po e kërcënon BE, NATO-n dhe SHBA me këtë kartë! Duke u shtirur si personi që siguron e garanton mosndarjen e Maqedonisë. Në fakt është një diktator i përfshirë në të gjitha krimet shtetërore që qeveria e Maqedonisë ka ekzekutuar kundër shqiptarëve, të cilët i ka vrarë me pretekstin se ata kanë vënë në rrezik integritetin territorial dhe shtetëror të Maqedonisë.
Edhe në 2001, edhe tani më 2015 qenësia e shtetit të Maqedonisë është duke në diskutim e rrezikuar nga VMRO-DPMNE bashkë me aleatin shqiptar.
Ali Ahmeti bën sikur harron se shkak për konfliktin e 2001 ishte diskriminimi etnik i shqiptarëve nga shteti sllavo-maqedon. Tani është Ali Ahmeti bashkë me Gruevskin që përsërisin historinë.
Sepse nëse konflikti i 2001 solli në skenën politike Marrëveshjen e Ohrit, Ali Ahmeti do të duhej të ishte garant i kësaj Marrëveshje, që kjo të implementohej gërmë për gërmë. Vetëm kështu do të bëhej garant i bashkëkzistencës etnike të shtetit multietnik.
Por në vend që të ishte garant i Marrëveshjes të Ohrit, Ali Ahmeti u bë garantues për mosimplementimin e Marrëveshjes së Ohrit, çka e ka kthyer Maqedonia e vitit 2015 në atë të pragshpërthimit të konfliktit të 2001.
Sot Ali Ahmeti është personi që në daljet e pakta publike po justifikon terrorin shtetëror të Gruevskit dhe vrasjen e dhjetë Komandantëve të UÇK-së në Lagjen e Trimave me të cilët ai luftoi në konfliktin e 2001, me pretekstin se i ashtuquajturi „grupi i armatosur“ kishte synim ndarjen e Maqedonisë, ndërsa masakra shtetërore u krye për të siguruar mos ndarjen e Maqedonisë.
Në fakt, Maksakra e Kumanovës, është një krim monstruoz i tipit stalinisto-sovjetik, që e ka vënë në rrezik të plotë ekzistencën e Maqedonisë. Dhe Maqedonia shpëton, nëse nga skena e saj politike largohen njerëz të tillë të papërgjegjshëm që shtetin e kthejnë në një makineri kriminale vrastare. Përgjëgjësit e krimit duhet të dalin sa më shpejt përpara drejtësisë, sepse vetëm kështu funksionon një shtet ligjor e demokratik.
Maqedonia shpëton, kur të largohen nga skena politike Gruevski me Ali Ahmetin, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për krimet e kryera në Maqedoni. Maqedonia nuk është e Gruevskit as e Ali Ahmetit, por e shtetasve të saj. Maqedonia është territor i Europës dhe integritetin e Europës e mbron NATO.
Nëse Ali Ahmeti sot pretendon se këtë krim do ta zbardhin personat e arrestuar, ky pretendim i tij është përpjekja e fundit e Ali Ahmetit për ta fshehur të vërtetën nga njerëz, të cilët Ali Ahmeti duhet t’i ketë infiltruar në të ashtuquajturin « grupin e armatosur », pikërisht ata, të cilëve Ali Ahmeti u shpëtoi jetën, ndërsa nga ana tjetër i la të vriteshin dhjetë djem trima, ish-Komandantë të UÇK-së dhe shtetes të Kosovës, që Maqedonia e Gruevskit dhe Ali Ahmetit u kishte përgatitur një kurth për t’i vrarë.
Vrasja e dhjetë ish-Komandantëve të UÇK-së dhe djegia e shtëpive të civilëve në Lagjen e Trimave në Kumanovë është preludi i djegjes të Maqedonisë dhe Maqedonia shpëton vetëm nëse, pa u vonuar më, Komuniteti Ndërkombëtar ndërhyn menjëherë duke larguar nga skena politike e Maqedonisë, shkaktarët dhe autorët e të vërtetë që e rrezikojnë integritetin territorial të Maqedonisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Gruevski, PËR MAQEDONINË, RREZIK

VRASJA E KOMANDANTËVE TË UÇK-SË NË KUMANOVË, KRIM KUNDËR NJERËZIMIT

May 15, 2015 by dgreca

VRASJA E KOMANDANTËVE TË UÇK-SË NË KUMANOVË ËSHTË KRIM KUNDËR NJERËZIMIT QË I ÇON IDEATORËT NË HAGË/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Tash Gruevski e ka kuptuar se çfarë i ka bërë vetes. Se nuk do të jetë si herët e tjera. Inskeno vrasje e akuzo shqiptarët. Edhe dorëheqja e treshes – e tre njerëzve më të afërt të Kryeministrit të Maqedonisë, e ministres të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe shefit të Shërbimeve Sekrete të Maqedonisë, Sasho Mijallkov, – nuk ka për ta shpëtuar Gruevskin nga Gjykata e Hagës nën akuzën për krime kundër njerëzimit. E kur Gruevski do të shkojë në Hagë, ai nuk do të pyesë më për të tjerët, sipas asaj të njohurës maksimë që e kanë si moto politikanët e Ballkanit, „après moi, le déluge“ se pas Gruevskit „u bëftë qameti“.
Së pari, dua të nënvizoj se shteti i Maqedonisë kreu një masakër, një krim shtetëror, sepse nuk bëri asnjë përpjekje për ta parandaluar konfrontimin dhe nuk njoftoi asnjë institucion ndërkombëtar me të cilët Republika e Maqedonisë mban kontakte permanente, që kur lindi si shtet më 1992, që janë NATO, BE, SHBA, OSBE, zyrat dhe zyrtarët e të cilëve janë në Shkup.
Tani kam përpara syve letrën informuese që Gruevski ua ka dërguar shteteve të Bashkimit Evropian, ku Qeveria e Republikës së Maqedonisë i ka njoftuar ato për rrjedhën e aksionit të armatosur të së shtunës në Kumanovë, ku thuhet se „Maqedonia nuk ishte në përleshje ndëretnike, por në një operacion kundër grupit terrorist“. „Grup terrorist“, kështu e etiketon qeveria e Gruevskit dhe e Ali Ahmetit, për të larë duart për ato gërmadhe dhe jetë të humbura.
Por tash duart e shtetit të Maqedonisë janë të përgjakura me jetë njerëzish dhe për këtë krim përgjegjësit duhet të paguajnë, edhe për policët, edhe për shqiptarët.
Etiketimi i Gruevskit me “grup terrorist” bëhet për të fshehur një krim shtetëror terrorist, siç është vrasja e njerëzve të pafajshëm, deri sa kundër tyre nuk vërtetohet asnjë akuzë.
Sepse deri sa u krye i shtuquajturi konfrontim, qeveria e Maqedonisë nuk ka patur në evidence asnjë krim terrorist të atyre djemve e burrave. Tash rezultojnë të vrarë Komandantët UÇK-së dhe policët, që sipas Gruevskit u vranë nga Komandantëve të UÇK-së! Logjikë të tillë kriminale ka vetëm Koreja e Veriut që udhëhiqet nga një xhuxh-barbar si Kim Jong-uni.
Aktorët kryesorë politikë shqiptarë në Maqedoni kanë konfirmuar se ata prej një viti kanë patur informacione dhe kontakte me personat që sot rezultojnë të përfshirë në përplasjen, po përse Ali Ahmeti dhe njerëzit e tij nuk kanë njoftuar SHBA dhe BE.
Po shteti i Maqedonisë vetë përse nuk mori masa parandaluese dhe përse e toleroi zbarkimin e një arsenali të vërtetë armatimi lufte në Lagjen e Trimave, përse nuk e ndali sjelljen e këtij arsenali nga burimi ose rrugës për të evituar një luftë me pasoja tragjike.
Ata njerëz të vrarë barbarisht të shtunën në mesnatë, siç pohon vetë Ali Ahmeti, kanë luftuar bashkë me të në konfliktin e 2001, që solli Marrëveshjen e Ohrit, e cila ka mbetur e paimplementuar dhe për këtë gjë ka përgjegjësi direkte vetë Ali Ahmeti, i cili prej 2001, pra për gati 15 vjet është në bashkëqeverisje me qeveritë e Maqedonisë. Duket sikur Marrëveshja e Ohrit u bë vetëm që Ali Ahmeti dhe klani apo partia e tij të përfitojnë privilegje, ndërsa shqiptarët e tjerë të vijojnë kalvarin e segregacionit dhe aparteidid antishqiptar.
Në letrën informuese dërguar shumë vonë shteteve të BE, të publikuar tek KD në Prishtinë thuhet se „Liderët kryesorë të këtij grupi, sipas Qeverisë maqedonase, janë: Muhamed Krasniqi, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Malisheva”; Mirsad Ndrecaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant NATO”; Sami Ukshini, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Sokoli”; Beg Rizaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Begu” dhe Demë Shehu, shtetas i Kosovës, i njohur si “Juniku”. Liderët, sipas letrës, figurojnë si themelues të strukturave paramilitare dhe kanë pasur tentativa të pasuksesshme për të siguruar mbështetje politike.“
Them shumë vonë, sepse kur qeveria e Maqedonisë ka dalë me konkluzione të tilla, se ka të bëjë me organizatorë strukturash paramilitare, e përse nuk i ka paraqitur me kohë këto prova tek partnerët strategjikë të Maqedonisë, që duhet të jenë BE, NATO, SHBA dhe OSBE?
Përse priti makineria ushtarake e shtetit të Maqedonisë të dërgojë blinda e tanke tek Lagjia e Trimave për të djegur e kthyer shtëpitë e civilëve në gërmadhë dhe nuk i neutralizoi ata njerëz duke i çuar në kohen e duhur përpara drejtësisë. Ose më mirë, kur ka patur prova kundër Komandantëve të UÇK-së si të përfshirë në grupe paramilitare përse nuk i paraqiti këto prova në NATO dhe përse nuk ua paraqiti qeverive përgjegjëse të Hashim Thaçit e Isa Mustafës?
Tani thuhet se Mirsad Ndrecaj, i njohur si “Komandant NATO” apo Beg Rizaj, i njohur “Komandant Begu” kanë patur lidhje me Ramush Haradinajn. Por ky fakt nuk përbën as krim dhe as terror, veç shpreh frikën e politikanëve shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë, që duan të përjetësojnë mbajtjen e pushtetit, duke eleminuar çdo kundërshtar që për ta përbën rrezik. Dhe këtu është tejkaluar çdo limit. Këtu ka arritur kulmi. Sepse sapo është ngritur sipari i riciklimit të krimeve politike, duke u kthyer në vitin 1998 e përtej kur krimet politike kanë mbetur ende të pazbardhura.
Si konkluzion, deri tani nuk ka asnjë provë që Mirsad Ndrecaj,“Komandant NATO” apo Beg Rizaj, “Komandant Bega” apo Komandantët e tjerë të vrarë, të jenë përfshirë në aktivitete terroriste, veç faktit se këta djem kanë luftuar në konfliktin e Maqedonisë më 2001 në krah të Ali Ahmetit për të çliruar Maqedoninë nga një regjim kriminal që i konsideronte shqiptarët si skllevër. Regjimi i Gruevskit bën të njëjtën gjë, edhe ai i konsideron shqiptarët të tepërt, „mish për top” dhe i djeg e i vret kur t’i shkrepet. Duke patur në krah për absurd kësaj here Ali Ahmetin.
Sepse, nëse shteti i Maqedonisë do të kishte prova kundër Komandantëve të UÇK-së, siç pretendon, këto prova do të duhej të ishin formuluar në akuza për hetim dhe asessi të përdoreshin që këta njerëz të eleminoheshin barbarisht pa gjyq me një skenar të përkryer permes terrorit shtetoror.
Unë do të hipotezoja se skenari ka qenë i tillë që të vriteshin nga shteti i Maqedonisë ata që janë vrarë, duke krijuar pastaj një tymnajë të madhe. Vrasja e policëve, që edhe ata janë viktimë, është pjesë e inskenimit por nuk është assesi kurrë akuzë për t’i shpallur terroristë ata që i vrau terrori i shtetit të Gruevskit dhe atyre që janë aleatë me të.
Komandantët e vrarë të UÇK-së, që Gruevski i akuzon të vderkur si terroristë, janë ata që do ta çojnë Gruevskin në Hagë si terrorist!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Hage, Krim, Kumanove, Vrasja e Koamndanteve

KUMANOVËN NUK KA SE KUSH TA MBROJË…

May 11, 2015 by dgreca

KUMANOVËN NUK KA SE KUSH TA MBROJË, PASI ALI AHMETI ËSHTË MERCENAR I GRUEVSKIT/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Nga Kumanova kanë mbërritur foto të terrorit shtetëror, shtëpi të djegura e të boshatisura e për rrjedhojë familje të zhvendosura. Prona dhe pasuria e banorëve të Lagjes së Trimave është kthyer në hi e pluhur, mundi, puna, djersa dhe jeta e tyre është kthyer në gërmadhë. Në Lagjen e Trimave ka patur luftë të vërtetë dhe këto rrënoja që po bëjnë xhiron e botës i ka shkaktuar shteti.
Në këto shtëpi, tashmë skeletë të nxirë prej tymit, kanë jetuar deri një javë më parë familje civile, nëna, gjyshe, gjyshër, burra e gra e fëmijë. Çfarë ka patur shteti maqedon me këta civilë? Nga burimet shtetërore të Maqedonisë thuhet se makineria ushtarake e këtij shteti ka luftuar me terroristë, ndërsa pasojat i kanë patur civilët e pafajshëm, ndërkohë që shteti maqedon ka vepruar në mënyrë unilaterale, etnikisht dhe po ashtu në kontekstin e bashkëredimit të veprimeve me Aleatët, duke i përjashtuar kësisoj edhe shqiptarët edhe NATO-n edhe BE-në, kur dihet se forcat e KFOR-it janë aty afër.
Veprimet e papërgjegjëshme të Gruevskit sot, të kujtojnë ato të qeverisë ish-kryeministrit Georgievski në krizën e 2001, kur ministri i tij i brendshëm Ljube Boshkoski, i akuzuar më vonë nga Haga për krime kundër njerëzimit, dërgoi tanket dhe blindat kundër popullsisë civile në fshatin Lubotin, me pretekstin se po luftonte me grupet terroriste, si tani.
Atëhere aleate e Georgievski ishte partia e Arbër Xhaferit, ndërsa sot partia e Ali Ahmetit, e dalë prej konfliktit të 2001, kur Shqiptarët nuk luftonin kundër Maqedonisë, sepse ata janë shkaku që ekziston Maqedonia, por luftonin kundër segregacionit, aparteidit dhe shqiptarofobisë së sllavëve të Maqedonisë që vijojnë të uzurpojnë gjithë pushtetin politik dhe i trajtojnë shqiptarët si qytetarë të dorës së fundit.
Si qytetetarë të dorës të fundit kanë mbetur shqiptarët edhe pas Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka mbetur në letër, sepse aleatët politikë shqiptarë të VMRO–DPMNE, që ishte në pushtet edhe në krizën e 2001, janë mercenarë dhe kuislingë, pasi, sa marrin privilegje individuale, i harrojnë premtimet, detyrat dhe detyrimet që kanë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, që në fakt janë një komb shtetformues, dhe duhet të kenë të njëjtat të drejta me sllavët e Maqedonisë. Dhe modelet i kanë. Shikoni se çfarë të drejtash ka pakica serbe dhe pakicat e tjera në Kosovë, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë nuk gëzojnë as të drejtat e pakicave. Standardet Perëndimore janë të njëjta, si për serbët, si për sllavët e Maqedonisë, ashtu edhe për shqiptarët. Nëse shteti i Maqedonisë do të vijojë e të mos i respektojë këto standarde, e do të vijojë t’i trajtojë shqiptarët si „terroristë“, duke e djegur bashkë me pronat e shqiptarëve të Kumanovës përfundimisht edhe Marrëveshjen e Ohrit, atëhere në Maqedoni nuk do të ketë qetësi dhe shkaktar për këtë është Gruevski dhe jo shqiptarët.
Sepse në Maqedoni ka pabarazi etnike, që ka në themel diskriminimin etnik dhe racor të sllavëve të Maqedonisë ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe shqiptarët natyrisht që nuk do të lejojnë të jetojnë në aparteid në zemër të Europës. As BE, SHBA dhe NATO nuk mund të tolerojnë më nëpërkëmbjen e shqiptarëve dhe kalljen në flakë të Marrëveshjes së Ohrit nga Gruevski, sepse atëherë nuk do të ketë stabilitet dhe paqe afatgjatë në Ballkan e rajon. Sepse sllavo-maqedonët nuk mund të vijojnë e të mbajnë geto me shqiptarët e Maqedonisë, të cilëve nuk u krijojnë asnjë kusht minimal për të jetuar, nuk u japin as punë dhe asnjë mundësi, por vetëm u tregojnë dhëmbët, duke u djegur shtëpitë dhe duke i lënë në mjerim e nën kërcënimin e shtetit policor i cili është ai që sillet si një makineri terroriste.
Prandaj duhet ndërhyrja e menjëhershme e SHBA, BE, NATO-s. Duhet po ashtu edhe reagimi i politikës shqiptare, jo për të larë gojën. Nga shteti amë dhe Kosova, politika i ka rrahur krahët si Gruevskit, ashtu edhe Ali Ahmetit, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë jetojnë në shtëpitë e tyre duke e patur shtetin kundër, e bashkë me të edhe politikanët shqiptarë për të cilët ata votojnë.
Nuk mund të tolerohet më tutje mercenarizmi i politikës shqiptare në Maqedoni, sot i partisë të Ali Ahmetit, që hesht përpara asaj që ka ndodhur në Kumanovë. Të paktën nëse kthehemi në kohë, Arbër Xhaferi protestoi menjëherë ndaj terrorit shtetëror të shtetit maqedon kundër civilëve në fshatin Luboten, ndërsa sot Ali Ahmeti, divizën e luftëtarit në kërkim të të drejtave legjitime të shqiptarëve, që mbante në vitin 2001 e ka ndërruar me atë të mercenarit.
Shqiptarët e Maqedonisë nuk duan luftë, duan, punë dhe barazi sociale me palën tjetër shetformuese, e cila i ka uzurpuar të gjitha privilegjet dhe shqiptarëve të Maqedonisë në vend të punës dhe jetës me dinjitet u djeg shtëpitë dhe i shpall terroristë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, KUMANOVËN NUK KA, SE KUSH, TA MBROJË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT