Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Prezantimi i Elhaida Danit në Eurosong nuk dha atë që publiku priste. Elhaida e ka formatin vokal për të rrëmbyer jo vetëm zemrën e shqiptarëve, por edhe të gjithë Europës dhe botës. Shansi i Vjenës i shkoi dëm.
Elhaida u shfaq e kontraktuar dhe nuk arriti të eksplodojë me potencialin e saj.
E pra, i kishte të gjitha mundësitë. Nuk është faji i saj natyrisht. Por gjithsesi, ajo tani e ka moshën për të shfaqur personalitetin e saj edhe si artiste, edhe si njeri.
Thuhet rëndom se në Shqipëri, Artistët nuk kanë sukses. Kur kemi parasysh Rita Orën që ka pushtuar botën, por zhvillimin e saj e ka marrë në Britaninë e Madhe dhe jo në trojet shqiptare. Po të shohim edhe gjithë Artistët shqiptarë që kanë bërë emër në botë, këtë gjë e kanë arritur vetë dhe jo me ndërmjetësinë e shtetit amë, i cili duket si barrierë për talentet shqiptare. Dhe jo vetëm duket, por edhe është barrierë. Sepse e politizojnë artin. Ashtu si shfaqen dasitë në politikë, e njëjta gjueti shtrigash është edhe në art, ku meritokracia nuk njihet.
Edhe stafi që shoqëroi Elhaida Danin nuk ishte i duhuri, ishte një staf politik i përzgjedhur nga politika. Elhaida Dani do të duhej të shoqërohej nga një staf profesionistësh të klasit të parë dhe në Shqipëri e trojet shqiptare këta njerëz mund t’i gjesh, por shteti nuk do t’i gjejë. Sepse në RTSH dhe institucionet e kulturës shkojnë homos politicus, jo artistët. Ose edhe kur shkojnë artistët, ata duhet të tregojnë bindje partiake jo kulturore.
Problemi i paraqitjes të Shqipërisë në Eurosong 2015 nisi që tek kënga, e cila edhe kur u ndryshua, nuk ishte kënga sfiduese. Paçka se kishte një titull intrigues – I’m Alive – që rimonte dhe të kujtonte – I Will Survive, të kënduar nga Gloria Gaynor, por ishin shumë shumë larg me njëra-tjetrën e të pakrahasueshme.
Kur u vendos se Elhaida do të dilte me këtë këngë, atëhere stafi i specializuar, që do të duhej ta rrethonte këngëtaren, do të duhej që bënte gjithçka për ta shpëtuar këngën. Dhe kjo bëhej duke afruar dhe kërkuar ndihmën e kompozitorëve dhe kantautorëve më të mirë shqiptarë. Sepse në këtë rastin konkret flitej për një përfaqësim kombëtar.
Elhaida do të duhej të shoqërohej nga ekspertë të fushës, që t’i jepnin siguri dhe këshilla që ajo ta largonte stresin dhe të demonstronte aftësitë e saj, ashtu sikur u shoqërua nga Ricardo Cocciante që ishte mentori i saj tek The Voice of Italy. Pra duhej një staf elite profesionistësh, që Elhaida nuk e pati.
Një tjetër problem i saj ishte paraqitja skenike. Elhaida Dani, një vajzë shkodrane plot bukuri dhe hire, e cila me zërin dhe magjinë e saj prej artisteje do të duhej ta kishte tërhequr si me magnet publikun, duke e lënë në hije Gagarinën, u shfaq në skenë pa sharm dhe e zakonshme, kur i kishte të gjitha të dhënat që të ishte rock – në atë kuptim që e thotë Adriano Celentano, marramendëse dhe imponuese. Fustanet e saj linin për të dëshiruar, po ashtu edhe krehja e saj që e bënin atë të mos ndihej Zot i skenës. Edhe ky difekt i organizatorëve mund të evitohej mjaft lehtë, mjafton sikur stafit t’i ishte bashkangjitur, le të përmendim regjizoren Vera Grabocka, për shembull, dhe Elhaida Dani do të kishte shkëlqimin e një ylli, kur ajo është yll dhe nuk u shfaq ashtu si është
Votimi përfundimtar ishte i politizuar, por Elhaida Dani, do ta depolitizonte, nëse do të bënte një ekzibicion të jashtëzakonshëm, ashtu si ndodh me artistet e vërteta.
Edhe kur flasim për votimin e publikut, Elhaidën e votuan shqiptarët e diasporës, por jo publiku gjërësisht ashtu sikur votoi përfaqësuesit e Italisë me “Grande amore”, që do të duhej të ishte kënga fituese nëse do të ishte një garë e vërtetë artistike. Grande Amore e kënduar nga trioja pop Il Volo, me votën e publikut zuri vendin e parë, ndërsa për meritë të publikut patriot shqiptar të diasporës Elhaida të nëntin.
Sa i përket mediave shqiptare, ato nuk treguan dashamirësinë e duhur, u treguan cinike dhe ndofta u bënë shkak që Elhaida të gjunjëzohej dhe jo ta gjunjëzonte botën me zërin e saj, kur dihet se fuqia e Artit bën të heshtin armët.
Gjatë ditëve që ajo performonte në Vjenë, nëpër portale dhe Facebook qarkullonte një video, ku Elhaida këndonte këngë fetare e veshur me shami, diçka e papranueshme për formatin e një artisteje të vërtetë, e cila duhet të jetë e depolitizuar dhe larg çdo konotacioni fetar.
Suksesi apo mossuksesi i Elhaidës në Eurosong 2015 ishte kombëtar, në fund të fundit Elhaida përfaqësonte zyrtarisht Shqipërinë, dhe ajo në një farë mënyrë ishte e varur nga organizatorët e nuk mund të vendoste vetë për çfarë ajo do të deshte të ishte më e mira. Një gjë ajo mund ta bënte, që të mos pranonte të performonte. Për karrierën e saj gjithsesi pjesëmarrja në Eurosong është një arritje, por majat e vërteta të arritjeve janë garat e mëdha të tipit Grammy Award, Music World Awards etj.etj.