• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA MARTIN LUTHER KING Jr. – I HAVE A DREAM – UNË KAM NJË ËNDËRR

August 25, 2013 by dgreca

E shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ/

Unë jam i lumtur që jam bashkuar me ju sot, në atë që do të hyjë në historinë e kombit tonë si shprehja dhe demonstrimi më të madh për lirinë.

Njëqind vjet më parë, një Amerikan i madh, në hijen simbolike të të cilit qëndrojmë ne sot, nënshkroi Proklamatën e Emancipimit. Ky dekret aq shumë i rëndësishëm erdhi si një fener i madhërishëm i dritës të shpresës për miliona skllevër Negër, të cilët ishin djegur në flakët e padrejtësisë përvëluese. Ai erdhi si një agim i gëzueshme për t’i dhënë fund natës së gjatë të robërisë së tyre.

Por njëqind vjet më vonë, Negri nuk është ende i lirë. Njëqind vjet më vonë, jeta e një Negri është ende dëshpërimisht e gjymtuar nga prangat e segregacionit dhe vargojtë e diskriminimit. Njëqind vjet më vonë, Negri jeton në një ishull të vetmuar të varfërisë në mes të një oqeani të prosperitetit material. Njëqind vjet më vonë, Negri është ende duke lënguar në qoshe të shoqërisë Amerikane dhe e gjen veten në ekzil në tokën e tij. Dhe ne kemi ardhur këtu ta nxjerrim në pah dramën e kësaj gjendje të turpshme.

Në një kuptim, ne kemi ardhur në kryeqytetin e kombit tonë për të kthyer në para një çek. Kur arkitektët e republikës sonë shkruan fjalët e mrekullueshme të Kushtetutës dhe të Deklaratës së Pavarësisë, ata kishin nënshkruar një dëftesë borxhi, ndaj të cilës çdo Amerikan ishte bërë trashëgimtar i kësaj. Kjo dëftesë borxhi ishte një premtim për të gjithë njerëzit, pikërisht ashtu, ku zezakëve si të bardhëve, do t’ju garantoheshin të drejtat e patjetërsueshme të jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë.

Sot është mëse e qartë se Amerika nuk e ka shlyer këtë dëftesë borxhi për deri sa qytetarët e saj me ngjyrë janë të shqetësuar.

Në vend të nderimit ndaj këtij detyrim të shenjtë, Amerika i ka dhënë popullit Negër një çek të keq, një çek i cili i është kthyer mbrapsht me shënimin ” fonde të pamjaftueshme për ta paguar”. Por ne refuzojmë të besojmë se banka e drejtësisë ka falimentuar. Ne refuzojmë të besojmë se fondet janë të pamjaftueshme për një vend si ky yni me thesare gjigande mundësish. Prandaj ne kemi ardhur këtu, për ta thyer këtë çek – i cili do të na japë sipas kërkesës të drejtën e pasurive për liri dhe siguri në drejtësi. Ne kemi ardhur edhe në këtë vend të shenjtë për t’i kujtuar Amerikës urgjencën e ashpër të së tashmes.Kjo nuk është koha për t’u angazhuar në luksin e ngrirjes, as për të marrë drogën qetësuese të përshkallëzimit të ngadalshëm. Tani është koha për t’i bërë reale premtimet e demokracisë. Tani është koha për t’u ngritur nga lugina e errët dhe e shkretë e segregacionit në rrugën e ndriçuar nga dielli i drejtësisë racore. Tani është koha për ta ngritur kombin tonë nga vorbullat moçalore të padrejtësisë racore drejt shkëmbit të fortë vëllazërisë.Tani është koha për ta bërë drejtësinë një realitet për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Do të jetë fatale për kombin dalja nga urgjenca e momentit. Kjo verë mbytëse prej pakënaqësisë legjitime të Negrit do të largohet vetëm kur të vijë vjeshta gjallëruese e lirisë dhe barazisë. Viti njëmijë e nëntë qind e gjashtëdhjetë e tre nuk është fundi, por një fillim. Ata të cilët shpresojnë se ajo që do të kishte nevojë Negri është vetëm që të shfryjë dhe se tani pas kësaj do të mjaftohet e kënaqet me këtë, do të zgjohen nga ky iluzion, nëse si zakonisht kombi kthehet në biznes. Nuk do të ketë më as prehje dhe as qetësi në Amerikë deri sa Negrit do t’i garantohen të drejtat e tij si qytetar. Shakullimat e revoltës do të vazhdojnë të shkundin themelet e kombit tonë deri në ditën të ndritshme e drejtësisë.

Por ka diçka që unë duhet ta them për njerëzit e mi të cilët qëndrojnë në pragun që të çon në pallatin e drejtësisë.Në procesin për të fituar vendin tonë të merituar ne nuk duhet të jemi fajtorë për veprime të gabuara. Le të mos kërkojmë të kënaqim etjen tonë për liri duke pirë nga kupa e hidhërimit, zemërimit dhe e urrejtjes.

Ne duhet ta përcjellim gjithmonë luftën tonë në rrafshin e duhur të dinjitetit e disiplinës. Ne nuk duhet të lejojmë që protesta jonë krijuese, protesta jonë e imponuar jo prej nesh, të degjenerojë në dhunë fizike. Përsëri dhe përsëri ne duhet të ngrihemi në lartësitë madhështore ku forcat fizike plotësohet me forcën shpirtërore.Militantizmi i ri i mrekullueshëm që ka përfshirë komunitetin Negër nuk duhet të na çojë në një mosbesim për të gjithë njerëzit e bardhë, sepse shumë nga vëllezërit tanë të bardhë, siç dëshmohet nga prania e tyre sot këtu, kanë ardhur për të treguar se fati i tyre është i lidhur me fatin tonë. Ata kanë ardhur për të demonstruar se liria e tyre është e lidhur pazgjidhshmërisht me lirinë tonë. Sepse ne nuk mund të ecim vetëm.

Ndërsa ne ecim, ne duhet të bëjmë një premtim që gjithmonë do të marshojmë përpara. Ne nuk mund të kthehemi prapa.

Ka nga ata që janë duke u kërkuar të përkushtuarve të të drejtave civile se, “Kur ju do të jeni të kënaqur?”

Ne kurrë nuk mund të jemi të kënaqur për sa kohë që Negri është viktimë e tmerrit të papërshkrueshme të brutalitetit policor.

Ne kurrë nuk mund të jemi të kënaqur, për aq kohë sa trupat tanë, të sfilitur nga lodhja e udhëtimit, nuk mund të gjejnë strehë as pranë moteleve të autostradave dhe as në hotelet e qyteteve.

Ne nuk mund të jemi të kënaqur për aq kohë sa lëvizja e një Negri kufizohet nga një geto e vogël në një më të madhe.

Ne kurrë nuk mund të jemi të kënaqur për sa kohë që fëmijët tanë janë të zhveshur nga individualiteti i tyre dhe kur dinjiteti i tyre grabitet nga kartelat ku është shënuar “Vetëm për të bardhët”.

Ne nuk mund të jemi të kënaqur për aq kohë sa një Negër në Misisipi nuk mund të votojë dhe kur një Negër në Nju Jork beson se ai nuk ka asgjë për të cilën ia vlen të votojë.

Jo, jo, ne nuk jemi të kënaqur, dhe ne nuk do të jemi të kënaqur deri sa drejtësia nuk do të rrjedhë si ujrat e një rryme të fuqishme në shtratin e duhur.

Unë nuk jam i shkujdesur dhe i pavemendshëm se disa prej jush kanë ardhur këtu për shkak të privimeve dhe vuajtjeve të mëdha. Se disa prej jush kanë ardhur këtu të sapoliruar nga qelitë e ngushta të burgjeve. Se disa prej jush kanë ardhur nga zona ku kërkesat tuaj për liri ju kanë lënë të goditur nga stuhitë e persekutimit dhe të tronditur nga erërat e brutalitetit të policisë. Ju jeni bërë veteranët e vuajtjes krijuese, e vuajtjes të imponuar. Vazhdoni të punoni me besimin se vuajtja e pamerituar është çliruese.

Kur të kthehemi në Misisipi, kur të kthehemi në Alabama, kur të kthehemi në Karolinën e Jugut, kur të kthehemi në Xhorxhia, kur të kthehemi në Luiziana, kur të kthehemi në lagjet e varfra dhe getot e qyteteve tona veriore, jemi duke e ditur se në njëfarë mënyre kjo situatë mund dhe do të ndryshohet. Andaj le të mos zhytemi në luginën e dëshpërimit.

Unë ju them sot, miqtë e mi, edhe pse ne përballemi me vështirësitë e të sotmes dhe të nesërmes, unë ende e kam një ëndërr. Kjo është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën Amerikane.

Unë e kam një ëndërr se një ditë ky komb do të ngrihet dhe të jetojë kuptimin e vërtetë të kredos së tij se: “Ne i mbajmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme: Se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.”

Unë kam një ëndërr se një ditë në kodrat e kuqërremta të Xhorxhias, bijtë e ish skllevërve dhe bijtë e ish-pronarëve të skllevërve do të mundin të ulen së bashku në tryezën e vëllazërisë.

Unë kam një ëndërr se një ditë edhe shteti i Misisipit, një shtet nën trysninë e ferrit të padrejtësisë, nën trysninë e ferrit të shtypjes, do të transformohet në një oaz të lirisë dhe drejtësisë.

Unë kam një ëndërr se katër fëmijët e mi të vegjël një ditë do të jetojnë në një vend ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga thelbi i karakterit të tyre.

Unë kam një ëndërr sot.

Unë kam një ëndërr se një ditë, poshtë në Alabama, me racistët e saj të mbrapshtë, me guvernatorin e saj nga goja e yndyrosur e të cilit dalin fjalë poshtruese dhe asgjësuese; një ditë, pikërisht në Alabama, voglushë e voglushe zezake do të mundin t’i bashkojnë duart e tyre si motra dhe vëllezër me vogëlushë e vogëlushe të bardha.

Unë kam një ëndërr sot.

Unë kam një ëndërr se një ditë çdo luginë do të lartësohet, se çdo kodër e mal do të bëhet lehtësisht i ngjitshëm, se vendet e ashpra do të zbuten dhe vendet e honta e torturuese do të bëhen rrugë të drejta dhe lavdia e Zotit do të zbulohet e ne të gjithë së bashku do ta shohim.

Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi që unë të kthehem në Jug. Me këtë besim do të jemi në gjendje që ta shndërrojmë malin e dëshpërimitë në një gur shprese. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje t’i transformojmë mosmarrëveshjet çjerrëse të kombit tonë në një simfoni të bukur të vëllazërisë. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje të punojnë së bashku,t’i lutemi Zotit së bashku,të luftojmë së bashku, të shkojmë në burg së bashku,të ngrihemi në emër të lirisë së bashku, duke e ditur se ne do të jemi të lirë një ditë.

Kjo ditë do të vijë kur të gjithë fëmijët e Perëndisë do të mundin ta këndojnë me një kuptim të ri, “Atdheu im, je ti tokë e ëmbël e lirisë, ty të këndoj. Toka ku etërit e mi vdiqën, toka e krenarisë së pelegrinëve, nga çdo anë, liria le të kumbojë.”

Dhe nëse Amerika do të jetë një komb i madh kjo duhet të bëhet e vërtetë. Le të kumbojë liria nga majat e kodrave të pafunda të New Hampshire. Le të kumbojë liria nga malet hijerënda të Nju Jorkut. Le të kumbojë liria në vargmalet madhështore Aligeini të Pensilvanisë!1)

Le të kumbojë liria nga Shkëmbinjtë me borë të përjetëshme të Kolorados!

Le të kumbojë liria nga shpatet e pjerrta të Kalifornisë!

Por jo vetëm aq; le të kumbojë liria nga Mali i Gurit2) në Xhorxhia!

Le të kumbojë liria nga Lukaut Mauntin3) në Tenesi!

Le të kumbojë liria nga çdo kodër dhe pllajë e Misisipit! Le të jehojë nga çdo anë, le të kumbojë liria!

Dhe kur kjo ndodh, kur ne e lejojmë lirinë të kumbojë, kur ne e lejojmë atë të kumbojë në çdo katund e në çdo fshat, në çdo qytet e në çdo shtet, atëher’ ne do të mundim ta shpejtojmë ditën kur të gjithë fëmijët e Perëndisë, të zinjtë e të bardhët, Hebrejtë dhe Jo-hebrejtë, Protestantët dhe Katolikët, do të mundin t’i bashkojnë duart për të kënduar këngën e vjetër të Negrit, “Të lirë më në fund! Falënderim Perëndisë së Plotfuqishme, ne jemi të lirë më në fund!”

———–

1) Allegheny Mountains – janë zinxhir vargmali pjesë e sistemit të Maleve Appalachian në lindje të SHBA që shtrihen në disa shtete nga Pensilvania deri në shtetin e Virxhinias

2)Mali i Gurit – Stone Mountain – ndodhet në shtetin Xhiorxhia të SHBA – këtu janë skalitur Tri figura të Konfederatës gjatë Luftës Civile që janë Stonewall Jackson, Robert E. Lee, dhe Jefferson Davis. Këtu i ka rrënjët edhe organizata famëkeqe e Ku Klux Klan

3) Lookout Mountain ndodhet gjithashtu në shtetin e Xhorxhias – Më 24 Nëntor 1863 këtu është zhvilluar Beteja që mban të njëjtin emër me malin – Te Battle of Lookout Mountain – e cila meqënëse u zhvilua në shkrepat e malit njihet edhe me emrin poetik “Beteja mbi re” – “Battle Above the Clouds”.

E Shqipëroi: Elida Buçpapaj

Filed Under: Kulture Tagged With: Elida Buçpapaj, I have e dream, Martin Luther King Jr

SHTETI E HARROI 25 VJETORIN E VRASJES TË HAVZI NELËS NGA DIKTATURA

August 12, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Shteti shqiptar që pretendon të jetë demokratik e harroi Havzi Nelën në ditën e tij të vrasjes, kur u mbushëm plot një çerek shekulli nga kur diktatura përbindëshe e vari në mes të qytetit verior. Pikërisht më 10 gusht 1988, disa muaj përpara rrëzimit të Murit të Berlinit dhe në prag të përmbysjes të sistemit komunist dhe një vit e ca se në Shqipëri të shpallej i ashtuquajturi pluralizëm.
Tranzicioni postkomunist ka mbushur 23 vjet, ndërsa 25 vjet më parë, në qytetin e Kukësit, kur posa kishte nisur agu i një dite vere, Ramiz Alia urdhëroi varjen e poetit, ndërkohë që edhe sot e kësaj dite, dy dekada e gjysmë pas atij akti makabër dhe barbar, familja e poetit është në mëshirë të fatit, ndërsa vetë poeti i harruar nga shteti.
Sepse nëse, shteti do të kujtohej për poetin Havzi Nela, dita e 10 gushtit do të duhej të ishte në kalendarët e kujtesës të kombit, dhe meqë ishte vit jubilar, shteti do të duhej ta kujtonte me dinjitet. Nëse shteti nuk e kujtoi Havzi Nelën, kjo do të thotë se shteti nuk ka dinjitet.
Shqiptarëve u duhet një shtet me dinjitet dhe ky duhet të jetë objektiv kombëtar. Krimet e diktaturës nuk mund të harrohen kurrë. Kriminelët që vranë poetin duhet të njihen si të tillë dhe historia e të vërtetës duhet të shkruhet, si është shkruar në të gjitha vendet e ish-bllokut komunist që patën të njëjtën eksperiencë si ne. Diktatorët nuk rehabilitohen, kush rehabiliton diktatorët është pasues i tyre.
Më 10 gusht 2013, kur poeti Havzi Nela i mbushi 25 vjet nga dita që regjimi monstruoz e vari në mes Kukësit, shteti heshti dhe e kaloi në heshtje këtë datë.
Kurse një poet kukësian shkruante „Dita e sotme e ka emrin e Havzi Nelës“.
Shteti nuk u kujtua as në Facebook ta kujtonte Havzi Nelën, ndërkohë që ishin me qindra shqiptarë ata që i mbushën muret e tyre me poezitë rebele të poetit  të varur nga diktatura. Poezitë e poetit i kanë mbijetuar harresës. Poezitë e Havzi Nelës bëjnë thirrje për kujtesë!
Më 10 gusht kryeministri shqiptar në Facebook i gëzohej 600 mijë miqve të tij që ka në rrjetin social. Një ditë më parë ai kishte uruar skuadrën e Kukësit për fitoren në futboll. Për Havzi Nelën kishte zgjedhur të shkruante asnjë fjalë.
Jozefina Topalli, kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, të premten më 9 gusht 2013, do të kujtonte 50 vjetorin e Whitney Houston, ndërsa të shtunën, ditën e vrasjes të poetit, në murin e saj ka të vendosur një thënie të poeteshës amerikane Maya Angelou, se „pa kurajo nuk do të mund të praktikojmë asnjë vyrtyt tjetër me koshiencë“. Maya Angelou, e cila në ditën e inaugurimit të mandatit të parë të Presidentit Clinton do të recitonte poezinë e saj „On the Pulse of Morning“, njihet si një aktiviste e shquar dhe ikonë e të drejtave të njeriut. Në krah të saj në murin e Kryetares të Parlementit të Shqipërisë, do të shkonte shumë bukur edhe një poezi e Havzi Nelës.
Pas Maya Angelou në vallin e saj zonja Topalli kishte vendosur „Puthjen“ e simbolistit Gustav Klimt, duke treguar ndjeshmërinë që kishte provuar kur e kishte parë „Der Kuss“ të Klimtit në Vjenë, e cila i ishte dukur më e bukur se Mona Liza, që ndodhet në Luvër në Paris. Për Havzi Nelën asnjë fjalë.
Për të ilustruar kopertinën e librit tim poetik „Unë jam e përjetëshme“ kam zgjodhur „Pemën e jetës“ të Gustav Klimt, pra gustot e mia paskan pika takimi me kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, por unë nuk e harrova Havzi Nelën. Dhe si unë, edhe plot shqiptarë të tjerë. Ndërsa shteti e harroi. Ne që e kujtuam nuk kemi pushtet politik, nuk kemi servila që na sillen rrotull, nuk kemi asnjë privilegj shtetëror, punë e madhe fort, nuk jemi kryeministra, nuk jemi numri dy i shtetit, nuk jemi shteti, por ne jemi shqiptarë me kujtesë dhe e kemi të ngulur në memorien tonë Havzi Nelën.
Natyrisht që nuk e kishin harruar as të ish-përndjekurit nga diktatura komuniste. Midis tyre Besim Ndregjoni, iniciues që Presidenti Bamir Topi t’i nderonte me titullin e lartë „Nderi i Kombit“ tre poetët e vrarë nga regjimi stalinist Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe avokatin e publicistin e shquar, të vëllain e Arshi Pipës, Myzafer Pipa. Me rastin e 25 vjetorit të varjes, Besim Ndregjoni kishte mbledhur të afërmit e poetit, bashkëvuajtës të burgjeve të diktaturës, midis tyre edhe Ministrin e Kulturës Visar Zhiti, i cili u kishte vënë në dispozicion sallën e mbledhjes, por shpenzimet i kishte marrë përsipër organizuesi i takimit.
Ndërsa po ndiqja kronikën e aktivitetit në TV e Tiranës, dëgjova shkrimtarin dhe intelektualin e shquar Agim Musta, 13 vjet i bugosur ne ferrin e burgjeve te sistemit çnjerëzor, që nuk ndalet kurrë së denoncuari krimet e regjimit komunist, i cili përpara kamerave shprehte indinjatën dhe revoltën e tij pasi mbledhja përkujtuese për Havzi Nelën ishte bërë në sallën e Ministrisë të Kulturës ku vazhdojnë të jenë si në diktaturë fotografitë e kupolës të shtetit komunist, të Ramiz Alisë e Manush Myftiut, pasi kanë qënë edhe ministra kulture.
Merni me mend fotografia e poetit Havzi Nela qëndroi në sallën e Ministrisë të Kulturës të Republikës të Shqipërisë, të të ashtuquajturit shtet demokratik, sa mbaroi aktiviteti, për një ose dy orë, ndërsa fotografitë e xhelatëve të tij vazhdojnë të mbeten aty! Kur do të duhej të ndodhte e kundërta, që në hollin e institucionit shtetëror të kulturës të zhdukeshin fotot e kriminelëve, dhe në vend të tyre të vendoseshin fotot e poetëve, shkrimtarëve dhe njerëzve të kulturës, si ata të vrarë nga regjimi, ashtu edhe ata me kontribute identifikuese për kulturën shqiptare.
Ju lutem, nuk them që të fshihet me fshesë gjithçka. Sepse ne e jetuam si komb diktaturën, e megjithatë në atë periudhë kemi shumë emra artistësh që ngritën në piedestal artin ku kontribuan me arritjet e tyre. Por them të hiqen eksponentët e krimit komunist dhe çdo figurë pa integritet moral e kulturor.
Më 10 gusht 1988 poeti Havzi Nela u var në litar, në mënyrë mesjetare, me firmën e Ramiz Alisë. Mijra e mijra familje shqiptare u internuan pa nam e nishan në Gulagët e diktaturës komuniste me firmën e Manush Myftiut, kryetarit të Komisionit të internimeve. Ndërsa shteti që pretendon të jetë demokratik fotot e këtyre xhelatëve i ka të vendosura në hollin kryesor të Ministrisë të Kulturë, ku fotografia e Havzi Nelës, viktimës së tyre qëndroi në atë holl aq kohë sa zgjati një aktivitet përkujtues . Zot i madh, ku je!
Dhe në vend që të tronditet nga këto fakte rrëqethëse, shteti i ashtuquajtur demokratik ua tregon dhëmbët të gjithë atyre që e kujtuan Havzi Nelën dhe ne gazetarëve që guxojmë të indinjohemi e ta denoncojmë harresën e tij!

Filed Under: Analiza Tagged With: 25 vjetorin, Elida Buçpapaj, Havzi Neles, shteti harroi

NË MINISTRINË E KULTURËS PËRBALLË FOTOS SË POETIT HAVZI NELA – FOTOT E ATYRE QË E VARËN POETIN

August 12, 2013 by dgreca

*Të kujtosh është e lehtë për ata që kanë memorie, të harrosh është e vështirë, për ata që kanë një zemër./
*Intervistë me z. BESIM NDREGJONI, President i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Pyetje: Zoti Ndregjoni sot ju kujtuat 25 vjetorin e varjes nga diktatura të poetit Havzi Nela, ky aktivitet ishte organizuar nga Ministria e Kulturës?
BESIM NDREGJONI: Pyetja e juaj me kujton thenien: …! |Gabriel Garcìa Màrquez| Të kujtosh është e lehtë për ata që kanë memorie, të harrosh është e vështirë, për ata që kanë një zemër.
Sot mbushen 25 vite qe ne qytetin e Kukesit diktatura komuniste do te ekzekutonte ne nje denim mesjetar, varje ne litar, Poetin disident, trimin zemerzjarrte, paqedashesin, martirin e lirise Havzi Nela… Nje denim qe kontinenti yne Europa e kishte hequr qe ne vitet 30… por diktatori i fundit komunist Ramiz Alia do ta vinte ne zbatim ne nje kohe kur sistemet komuniste po binin nje nga nje mbas shembjes se murit te Berlinit.
Ky akt i përbindshëm, i pashoq në llojin e tij, ndodhte në Shqipërinë e martirizuar vetëm një vit para përmbysjes së komunizmit në Evropën Lindore! Kujtimi ndaj Poetit disident per mua dhe shtresen qe perfaqesoj eshte obligim dhe detyrim moral per te kryer ndaj vepres heroike te tij, nderim dhe homazh.
Fatkeqesisht Ministria e Kultures vetem ka qene pjesëmarrëse dhe aspak kontribuese ne kete ceremoni… Ky aktivitet eshte bere nga une personalisht pa ndihmen e askujt!
Pyetje: Zoti Ndregjoni, pra shteti demokratik nuk organizoi asnjë lloj aktiviteti me rastin e 25 vjetorit të varjes së poetit?
BESIM NDREGJONI: Jo, shtetit demokratik shqiptar ne kete 25 vjetor nuk beri asnjë aktivitet ne kujtim te Havzi Neles. Por dhe kur i kam kremtuar 20 vjetorin e varjes ne litar, ne 10 gushtin e vitit 2008, qe ishin te ftuar Presidenti, Kryeparlamentarja, Kryeministri dhe ish Ministri Xhaferi, ata nuk muaren pjese dhe nuk dhane asnje kontribut ne kujtim te ketij heroi te fjales se lire… Vetem Kadareja dergoi nje mesazh shumë domethënës, dhe në mbyllje kujtonte: “Poeti i varun eshte i qete ne boten e amshuar, por shoqeria a e ka qetësinë e duhur!”
Gjate 23 viteve shteti dhe pushteti, te ashtuquajtur demokratik e kanë permendur Havzi Nelen vetem kur iu ka interesuar per lufte politike dhe aspak per vepren madhore qe kreu ndaj shoqerise duke sfiduar diktaturen.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, në aktivitet merrnin pjesë edhe bashkëshortja e poetit, Lavdie Nela dhe i vëllai. Si familje e një martiri, a kanë përfituar të paktën mbështetjen e shtetit demokratik?
BESIM NDREGJONI: Regjimi diktatorial ka kryer denim makaber, siç është varja ne litar e poetit Havzi Nela e qindra krime monstruoze ndaj familjeve qe e kundershtuan ate regjim… Sigurisht qe kjo pjese e shoqerise nuk e kundershtoi diktaturen qe nje dite te demshperbleheshin per kundershtite e tyre, por per idealet e lirise dhe vuajtjet e sakrificat.Bashkeshortja e Havzi Neles, qe ka vuajtur vetë burg politik bashkë me poetin qe ne moshen 18 vjeçare, apo vellai i tij, apo nipi i tij nuk kanë perfituar asgje nga pushteti “demokratik”. Në ceremonine e 25 vjetorit me thjeshtesine qe e karakterizon bashkeshorten e poetit, Lavdie Nelen, ne fjalen e saj protestoi ndaj shtetit, ndaj politikes, duke iu drejtuar drejtuesve te ketij shteti e duke deklaruar se keta shtetare gjate 23 viteve e lanë pa pune, pa strehe, dhe bustin e Havzi Neles akoma dhe sot mbas 23 vitesh nuk e kanë vendosur në Kukes… Revolta e saj ishte e natyrshme, demshperblimin e burgut nuk e perfiton se ligjevenesi Ilir Rusmali dhe banda e tij e PD pretendonin se poeti Hero Havzi Nela është dënuar për vepër terroriste, dhe ne baze te ketij ligji ata nuk perfitojne as demshperblimin e te burgosurve politike, me gjithe kerkesat dhe protestat e vazhdueshme tonat ndaj ketij ligji diskriminues klasor qe behet gjoja ne emer te demokracise ne vendin tone. Kam njoftime se keto dite ne ikje e kanë kaluar dhe kete ngerç per demshperblimin. Lavdia foli me pasion ndaj padrejtësive qe i kanë bere te ashtuquajturit demokratë te cilëve ajo iu jepte voten. Ky eshte realiteti i mbeshtetjes se shtetit te ashtuquajtur demokratike ndaj familjes se martirit!
Pyetje: Ndoqa kronikën e aktivitetit tuaj në televizor, dhe pashë se si shkrimtari Agim Musta, i cili ka qenë i burgosur politik për 13 vite gjatë diktaturës shprehu indinjatën e tij se takimi për poetin e varur nga diktatura bëhej në Ministrinë e Kulturës, në muret e të cilës qëndrojnë të varur fotografitë e ekzekutorëve të regjimit komunist, kupola e diktaturës, si Ramiz Alia e Manush Myftiu, të them të drejtën, ky fakt m’u duk shumë rrënqethës, çfarë mendimi keni?
BESIM NDREGJONI: Po eshte e vertete, zoti Musta eshte jo vetëm nje figure e shquar e të përndjekurve politike, por dhe nje studjues i mirfillte ndaj krimeve te komunizmit, nje mik dhe nje historian qe gezon respektin e shumices se shqiptareve qe u perndoqen nga diktatura.
Foton e Havzi Neles e kisha vene ne krye te auditorit te akademise perkujtimores. Ne fund te salles të Ministrisë të Kulturës, ne nje stende te madhe ishin te gjithe ministrat e diktatures qe kishin drejtuar kulturen komuniste si Bedri Spahiu, diktatori Ramiz Alia, Kryetari i komision internimeve xhelati Manush Myftiu… dhe perballja ne salle e fotove ishte kriminelet qe varen poetin dhe heroi i lirise me bukurine tij e pamjen fisnike qe erresonte figurat e krimineleve komuniste.
Perballe fotos se poetit Hero qendronte fotoja e krimineleve vrases, ç’ kontraste hipokrizie te politikes postkomuniste e ashtuquajtur demokratike ne Shqiperi… Kjo tregon se e ashtuquajtura politike postkomuniste eshte vazhdimesi e pushteti diktatorial.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, a jeni dakord me Ministrin e Kulturës, i cili është edhe vetë një ish-i burgosur politik, që shteti demokratik të tregojë humanizëm ndaj diktatorëve dhe kriminelëve, të cilët kanë persekutuar elitën e kulturës shqiptare ?
BESIM NDREGJONI: Realisht nuk eshte faji i Ministrit 2 mujor te Kultures ish i denuar politike poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti… Jo se Zhiti eshte dakort me ato foto, por nuk kishte fuqine qe t’i hiqte ata foto. Ai u be Minister per te fituar votat e te perndjekurve per PD, se ishin zgjedhjet paralamentare te 23 qershorit. Po te mos ishin zgjedhjet ai do te ishte nje nepunes i dobet i lene mbasdore ne Ministrine e Jashtme, siç e paten lene per 23 vite. Perkundrazi dua te shtoj se zoti Zhiti ka dhene nje kontribut te madh ne letersine shqiptare me veprat e tij, duke sfiduar letersine e realizmit socialiste. Ai dhe dje tha ne i sfidojme kriminelet jo me foto te vena por me moralin tone ndaj krimeve te tyre. Por fotografite e Ministrave kriminele komuniste jane ne çdo Ministri. Paskal Milo kur ishte Minister deshi te vinte edhe fotografine e diktatorit ne Ministrine e Jashtme. Por protestat tona e detyruan qe ta hiqte. Duhet te kuptojme dhe te jemi te vetedijtshem se kjo klase politike nuk eshte antikomuniste por vazhdimesi e diktatures dhe ka 23 vite qe e ruan statukone komuniste te padenuar..
Pyetje: Zoti Ndregjoni, ju jeni President i Unionit Mbarëkombetar të Integrimit të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, si ndihen të përndjekurit sot 23 vite pas rrëzimit të diktaturës?
BESIM NDREGJONI: Me lejoni t’iu jap bilancin tragjik te diktatures komuniste ne Shqiperi per 45 vite:
Te pushkatuar me dhe pa gjyqe 5577 burra dhe 450 gra
Te burgosur politike 26.000 burra e 7367 gra
Kanë vdekur ne burgje 1065 burra e gra
Kanë humbur aftesite mendore nga torturat 408 burra e gra
Internuar per motive politke 50.000 familje qe nga mosha 1 vjeç e deri ne moshen 90 vjeçare
Kanë vdekur ne internim 7022 qe nga femija nje mujorëshe sepse e jëma nuk kishe gji ua ushqente e deri tek plaku 90 vjeçar. E perserita kete bilanc tragjik ne intervisten me ju se dhe ju jeni pjese e ketij persekutimi. Po si ndihen te perndjekurit mbas 23 vitesh mbas rrezimit te diktatures do ta percaktoj me tri fjale: Trishtim, zhgenjim, shprese… Trishtim, se ne te perndjekurit politike shqiptare i besuam ne vitet 90 partise të parë opozitare PD dhe lidershipit te saje zotit Berisha e cila mori persiper te kryente misionin antikomunist. Kjo parti dhe ky lidership jo vetem qe nuk e kreu por e sabotoi ate ne menyre permanente, duke perdorur lojen e Kim Filbit, shaje komunizmin çdo dite, dhe pasuroje ne menyre marramendëse ate. Kjo PD shkatërroi te djathten, dhe forcoi ekonomikisht te majten. Nuk i denoi krimet e komunizmit, perkundrazi sot kriminelet dhe pinjollët e tyre krenohen me krimet qe kanë bere, dhe perbuzet viktima. Sot diktatori qe vari Havzi Nelen nderohet si President jo si diktator vrases, kurse Lavdia, bashkeshortja e Havziut, perbuzet nga keta politikanë qe e quajne veten antikomuniste. Ish superstruktura e komunizmit sot njihet si pronare qe u pasurua nga pushteti i Berishes, kurse pronaret e vertete quhen ish pronare. Nuk hapi dosjet, perdori ne menyre te ligë heshtjen ndaj viktimave te komunizmit. Po te ishte realizuar misioni antikomunist sot shoqeria shqiptare do te ishte e qete, pa konflikte, pa krime dhe do te ecte e sigurte drejt vendeve te demokracive europiane.
Zhgenjim. Kur beson dhe ajo force politike që t’i beson te tradheton. E voton per 23 vite rrjesht dhe ai te merr voten dhe qeveris me te majtet. Si mos me te kapë zhgenjimi kur shikon se si “antikomunisti” Berisha e filloi pluralizmin politike me studentet e dhjetorit dhe antikomunistet ish te perndjekur politike nga regjimi dhe gjate gjithë qeverisjeve te tij e ai qeverisi me Skender Gjimushin, Lufter Xhuvelin, djemte e bllokut me LSI dhe mbylli karieren e tij politike me Kastriot Islamin. Pra asnje dite qeverisje ai nuk i beri me antikomunistet, por vetem me ata qe i promovoi diktatori Ramiz Alia.. Shpresa.
Ne te perndjekurve politike shpresa na ka mbajtur gjalle gjate 45 viteve te diktatures, dhe i mbijetuam asaj diktaturës. Moren persiper trashgimtaret e diktatures qe te na sfidonin ne kohe paqje me pushtet dhe prape po deshtojne.. pra shpresa jone nuk mund te mposhtet nga horrat komunista qe jane shperndare neper partitë politike. Ne do te fitojme se ndjekim rrugen e drites se lirise, ata do te humbin se ndjekin rrugen e errësires komuniste.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, politika ju ka lënë në mëshirë të fatit. Vjeshtën që shkoi një grup të përndjekurisht organizuan një grevë urie, e cila u nëpërkëmb nga institucionet, tani çfarë planesh keni?
BESIM NDREGJONI: Plani i Katovices qe e ndertoi Gorbaçovi me shume se Shqiperi nuk u zbatua kerkund ne vendet e Europes Juglindore, pra komunistet qe muaren persiper kete mision sot mbas 23 vitesh ata e shkatërruan pluralizmin politik duke e bere monopol te tyre..Kjo u pa dhe ne greven e urise qe bënë nje grup te perndjekurish politike per te drejtat e tyre. PD dhe zoti Berisha çdo dite hidhni mllefe ndaj te drejtes se tyre, kurse PS tregonte se po i ndihmonte. Kjo ishte aventura politike e ketyre dy forcave politike qe ndryshojne vetem nga emri se ideologjine e kanë te perbashket.. Edhe sot mbas nje viti nuk e kuptoi se perse Berisha luftonte nje grup njerzish te cilët nuk donin t’ja rrezonin qeverine, perkundrazi kerkonin te dialogonin me te. Dhe pergjigja e tij ishte: ata jane instrumente te PS. Shtronja pyetjen: po ne cilin vend demokratik opozita nuk ndihmon shtresa te caktuara sociale kundra qeverisjes. Megjithëse hipokrizia e PS u duk ne parlament kur u kerkua te mbahej nje minute heshtje per Lirak Bejkon dhe ajo veproi si PD duke mos e mbajtur heshtjen per BEJKON qe u dogj per te drejtat e tij e te shtreses qe perfaqesonte… Vetem Deputetet e PD duartrokitnin vdekjen e Bejkos se per djalin e Bilbil Klosit, Ardianin mbajtën zi. Kjo ishte urrejtja klasore e kesaj klase politike ndaj ish te perndjekurve politike kundershtare te regjimit komunist.
Plani i jone eshte te detyrojme këta qe kanë marre pergjegjesine e qeverisjes dhe jane trashgimtare te partisë komuniste te denojne krime e komunizmit. Kete jua kerkojme ligjerisht ne baze te Kushtetus se vendit dhe konventave nderkombetare. Denimi i krimeve te komunizmit eshte imperativ i kohes dhe nuk bëjme më leshime. Te hapen dosjet pa perjashtim. Te kthehen pronat pronareve, te integrohen familjet e perndjekura nga regjimi komunist si ne administrate shterore edhe ne institucionet e tjera kushtetuese të shtetit shqiptar. Asnjë të drejte ligjore të te perndjekurve politike nuk do ta lejojmë më qe te çohet ne kalendat greke por të zbatohen menjëhere, qe nga demshperblimi e deri tek trajtim social per ate qe jane ne nevoje e nuk kanë patur mundesi të krijojnë as familje. Do t’i kerkojme qeverise, shtetit shqiptar krijimin e institucioneve ne sherbim te rehabilitimit te perndjekurve dhe jo institucione ne sherbim te politikave!
Pyetje: Zoti Ndregjoni, të përndjekurit e Shqipërisë janë të ndarë e përçarë. Janë disa organizata, ku krerët fitojnë privilegje nga politika duke i tradhëtuar idealet dhe vuajtjet e të përndjekurve, çfarë planesh keni ?
BESIM NDREGJONI: Fatkeqësisht Misioni Antikomunist qe u sabotua nga Berisha ishte qe e djathta, e ne veçanti te perndjekurit te ishin ne shume organizata te perçara. Kjo ndodhte, pa u lodhur shume për t’u kuptuar, se ishte nje shtresë e lodhur dhe e rraskapitur nga diktatura, të cilën i ashtuquajturi pushteti demokratik, përdori edhe urine ndaj tyre duke i lene pa pune. Jo me larg se nje muaj, para zgjedhjeve te 23 qershorit, ata i hoqen nga puna te gjithe femijët tane qe kishin fituar statusin me konkurs per te punuar ne administrate. Dhe ne mes atyre dhjetëra ish te perndjekur qe u hoqen nga puna nga PD ishte dhe vajza ime, që e kishte fituar vendin e punes ne Ministrine e Brendshme me konkurs, e cila gezon disa trajtime europiane dhe eshte me dy fakultete. E gjithe kjo reprezalje ndaj nesh ishte urrejtja qe kishte lidershipi i PD ndaj atyre qe e kritikonin per problemet e te perndjekurve. Ne PD eshte futur fryma e urrejtjes ndaj atyre antikomunisteve qe nuk i shkonin mbas avazit te Bersishes.
Planet jane te shumta, por ne do t’i detyrojme keta politikanë, se ka marrë fund koha e heshtjes dhe shurdhememecerisë së tyre ndaj shtresës të goditur nga diktatura komuniste dhe se ata nuk mund te mposhtin klasen antikomuniste. Nga goja e viktimave bota mbare do te mesojë gjithçka qe ngjau ne Shqiperi per gjysem shekulli  diktaturë dhe per 23 vite heshtjeje në postdiktaturë ndaj nesh.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, organizata që drejtoni ju, vjet mori një nismë shumë interesante, duke organizuar një ekspozitë me fotot e martirëve të vrarë nga diktatura, mbetur pa varr. Ekspozitën a e vizitoi ndonjë politikan ?
BESIM NDREGJONI: Ekspozita, të cilën e organizova me rastin e 100 vjetorit të pavaresise kushtuar 4500 te pushkatuarve me gjyqe dhe pa gjyqe ishte nje mesazh per shoqerine dhe ne veçanti per politiken..qe te kene idene e sakte te lartësisë morale te viktimes.. dhe degradimit te plote shnjerzor te xhelatit, e cila shkon paralele me indiferencën e tyre.. Ata sot nuk kanë një varr.. Kjo fotoekspozite tregonte se ndaj atyre njerëzve diktatura komuniste kishte kryer genocid dhe ato fotografi të atyre burrave dhe grave që sot nuk e kanë një varr ku të afërmit dhe populli t’u çojë nga një tufë lule ua hiqnin maskën politikës të ditës të këtyre 23 vite tranzicion. Do të vijë një ditë që shqiptaret e vertete do ta kuptojne rolin qendror te rezistences anti-komuniste, kur të shkruhet historia nga historianë, që bëjnë punën si shkencëtarë dhe që nuk janë shërbëtorë të politikës. Cili politikan do ta vizitonte ? Ajo fotoekspozite ishte 10 metra larg Kuvendit te Shqiperise dhe selise se Qeverise. Por nqs ndonje deputet apo zyrtar i lartë i shtetit do ta vizitonte, do te ndeshkohej nga udheheqesi i partisë. Shkrimtari i shquar Ismail kadare dërgoi telegram sepse nuk kishte mundësi të vinte. Adem Demaçi, Mandela i Kosovës erdhi dhe e vizitoi, edhe mijra shqiptarë, por politika jo.
Unë gjate këtyre 23 viteve kam punuar dhe ne gjetjen e eshtrave me familjaret e viktimave te komunizmit, dhe nje pjese i kemi gjetur… Te tjerat jo…
Pyetje: Zoti Ndregjoni, Shqipëria vendi që ka përjetuar një nga diktaturat më të egra staliniste, nuk ka asnjë muzeum të krimeve. Kush e ka fajin për këtë, dhe si do t’ja bëni, jemi komb pa kujtesë?
BESIM NDREGJONI: Kjo ka qene strategjia e PD dhe e Berishes qe krimet komuniste te futen ne harresë. Berisha krimet e komunizmit i permendte vetem kur donte te luftonte PS me retorikë. Por nuk lejoi as nuk dha asnje lloj ndihme per t’i memorizuar keto krime. Diskutohet ne letra te behet nje muze ne Spaç, dhe ate nuk e bejne e kanë vetem ne letra. Por une kam qene disa here ne Berlin ne konferencat qe organizonin gjermanet per të kujtuar krimet e komunizmit.. Ata kishin bere Ministrine e Brendshme muze te krimeve te komunizmit, m’u ne mes te Berlinit… Kurse ne Shqiperi dhe nje pllake qe vura ne sheshin Skenderbej, e hoqi Lul Basha se i prishte imazhin qendres… Ne kemi vene vetëm pllaka perkujtomore ne shume vende te Shqiperise, por keta jane bere vetem me financat tona familjare aspak nga shteti… Tirana, kryeqyteti i vendit me te persekutuar stalinist ne Europe nuk ka nje muze, por eshte luftuar qe te zhduken ato vende ku jane bere dhe gjyqe kundra antikomunisteve. Keshtu u prish ish kinemaja 17 Nentori ku u denuan ajka e elites shqiptare nga diktatura komuniste. Ne qe kemi bilancin me te madh te krimit komunist stalinist ne Europe per fryme, sot nuk kemi asnje muze per ta pasqyruar por perkundrazi harresa perdoret per ta fshire krimet e komunizmit… Te harrosh te kaluaren do te thote mos ndertosh dot te ardhmen. Nje nder pikat kryesore te organizates sone eshte dhe ngritja urgjente e nje muzeu ne Tirane te krimit komunist. Per kete do t’iu drejtohemi te gjithe bashkatdhetareve tane ne te gjithe boten qe te japin ndihmen e tyre! Komb pa kujtese nuk ka.
Pyetje: Zoti Ndregjoni, po të ishte gjallë sot Havzi Nela, si i burgosur politik, si mendoni se do të reagonte ndaj kësaj indiference kriminale të shtetit ?
BESIM NDREGJONI: Ja si i drejtohet poeti Hero Havzi Nela trupit gjykues ne sallen e gjygjit:
“Une i kam vu vetes per detyre te ruej nderin dhe dinjitetin tim si njeri, te ruej pastertine e shpirtit dhe te zemres dhe fytyren te paperlyeme, ashtu si dje jasht, edhe sot ketu mbrenda, te rroj dhe te vdes si njeri.”
Besoi se me dekleraten e tij ne sallen e gjyqit tregon se çfarë reagimi do te kishte heroi i fjales se lire kunder indiferences kriminale te ketij shteti!
Pyetje: Zoti Ndregjoni, ju ndërmorët inisiativën për dekorimin e martirit Havzi Nela nga Presidenti i Republikës.
BESIM NDREGJONI: Ishte viti 2008, viti i 20 vjetorit te varjes ne litar te Havzi Neles. Mora te dhena se çfarë dekorimi kishte poeti hero, dhe ai kishte nje medalje dhene nga ish Presidenti Berisha “Martir i Demokracise”ne vitin 1992… I bera kerkese Presidentit Bamir Topi për dekorimin e kater personaliteteve te vrare nga diktatura dhe kërkova që ky dekorim te behej me 10 maj Dita Kombetare e Drejtësise Shqiptare… Këto personalitete ishin:
1. Havzi Nela, poet i varur nga diktatura ne gusht te 1988 ne Kukes
2.Vilson Blloshmi, poet i pushkatuar nga diktatura ne korrik 1977 ne Librazhd.
3. Genc Leka, poet i pushkatuar nga diktatura ne korrik 1977 ne Librazhd.
4. Myzafer Pipa, publicist dhe Avokati i Pater Anton Harapit e elites kombetare, i vrare ne hetusi me tortura ne Shkoder ne vitin 1946.
Dhe Presidenti i dekoroi të katërt me medaljen e larte ”NDERI I KOMBIT”. Dhe sot ndihem krenar qe këto personalitete te letrave shqipte por dhe te qendreses antikomuniste morën nderimin qe iu takonte.
Faleminderit.
Elida Buçpapaj: Faleminderit ju i nderuari Besim Ndregjoni për këtë intervistë kaq të fortë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Havzi nela, Ndregjoni

NE E LAMË FJALËN ME HUMBË

August 9, 2013 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

fjalës ia morëm shpirtin/

fjalës ia morëm frymën/

fjalën e lame/

bosh/

zbrazur/

pa ajër/

e lamë pa afshin/

e frymëmarrjes/

fjalën e lame/

pa ah/

pa oh/

fjalën e lamë të humbë/

fjalën e lame/

vetëm/

si kaktuset në shkretëtirë/

fjalën

e lamë të uritur

pa bukë

të etur

pa ujë

fjalën e lamë

veç asht e koc

veç skeletë

e lëkurë

prej hipokrizisë

fjalën e lamë

të thahet

të shterret në mitingje

e lamë

të digjet

as hi të mbetet

prej inkuicionit

të rrenës

nga politikanë

surrogato

që nuk dinë

t’i lidhin hiç dy fjalë

qofshim

në mileniumin e tretë

në vitin 2013

fjala

shenjtorja

kur sa

hapim sytë

mrekullinë e ardhjes

e shprehim

me

babë e nanë

prej fjalësh

dhe ata që ngjizim

riciklojnë

prapë të njëjtin

binom

hyjnor

fjalës ia kemi marrë shpirtin

ia kemi prishur shtëpinë në tokë

e kemi lënë pa strehë

ia kemi prerë të gjitha lidhjet

me njerëzit

ia kemi hequr të gjitha

koordinatat

pikat për t’u takuar me të

e kemi lënë

pa qendër rëndese

ne e dëbuam fjalën

e bëmë refugjate

në mënyrën

më pikëlluese

e lamë të mbytej

në det

apo në qiell

sepse e përjashtuam

si banore

e planetit tokë

 

tani prej goje

na dalin veç

të dala boje

sepse

fjalës

ia kemi hequr

sytë e ballit

që të shohë

e kemi lënë shurdh

e kemi lënë

memece fjalën

shumë barbare

e kemi lënë të shitet

fjalën

sepse fjala tani

i bie rrotull e rrotull

sepse fjala tani

i fshihet fjalës

i fshihet

syve të saj

vetvetes

kur Zoti

e krijoi

atë

të parën

fjalën

përpara

Adamit dhe Evës

përpara

gjithçkasë

gjithësisë

detit

ajrit

krijoi fjalën

sepse me të

si tulla ndërtohen

të gjitha

piramidat

e dashurisë

njerëzore

 

fjalën

që sot ia kemi marrë shpirtin

e kemi lënë më keq

se heshtja

e kemi bërë zero

sepse e themi

sa për të larë gojën

e themi si pallavër

sa të kalojmë rradhën

e bëjmë të pabesë

fjalën

e bëjmë me i mbyll veshët

me dyll

më mirë

mos me e dëgjuar

sepse ne e mashtrojmë

njëri-tjetrin me fjalët

të cilave

ua kemi hequr

të gjitha tingujt

e harmonisë

njerëzore

dhe i shqiptojmë

fjalët

si të jemi robotë

e fjalët robote të jenë

duke u parë sy më sy

pa na u dridhur qerpiku

ne po flasim me fjalë

robotësh

të kundërtën e asaj

që mendojmë

sikur po çajmë me to dërrasa

për t’i shurdhuar tupanët e veshëve

paçka se po rrëzohemi

prej fjalëve

se po vritemi

nga rrokullisjet

e gurëve të fjalëve

sepse fjalës

ia kemi hequr

magjinë

që na lë me gojë hapur

kur e dëgjojmë

s’ka më fjalë të tilla

që të bëjnë me krahë

të fluturosh

që të bëjnë ta marrësh detin

me vrap

prej besimit

jo fjalët

tani janë

gjepura

nonsense

sepse me to

tani rrejmë

njëri-tjetrin

e shajmë pas krahëve

njëri-tjetrin

me fjalën

që Zoti e krijoi

të parën

përpara nesh

që fjalën

ta kishim si dritën

e Zotit

për të ngrohur me fjalë

me shëruar me fjalë

me lindur prej fjalës

si atëhere

kur themi

për herë të parë

babë e nanë

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Elida Buçpapaj, Ne e lame fjalen me hume

KUTËRBON NEPOTIZËM DIPLOMACIA E KOSOVËS

August 6, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Nga Ministria e Jashtme e Kosovës po njoftohet për çdo ditë nga një skandal. Në vend të njohjeve. Në vend që të dëgjojmë se Kosova për shembull u njoh nga filan shtet, nga shteti i kaq e aq, marrim vesh se numrin dy të Ambasadës së Kosovës në Zagreb e shtriu për tokë policia e vendit mikpritës, sepse voziste veturën me targa diplomatike në gjendje çmendurisht të dehur; një tjetër diplomate në Bernë, si e privilegjuara e ambasadorit, i pret e përcjell qytetarët e Kosovës me këmbët mbi tavolinë, pa i ulë hiç, ndërsa një tjetër diplomate e Kosovës, nga Berlini kësaj here kishte sulmuar fizikisht ambasadorin Vilson Mirdita dhe ky ishte ankuar në të thatë.
Diplomatja në fjalë quhet Fatmire Musliu. Ajo është motra e deputetes të PDK-së, Ganimete Musliu, të cilën disa javë më parë na e panë sytë në sallën e Kuvendit të Kosovës si amazonë e kryeministrit Thaçi, me këpucë në dorë, alla hrushovçe gati me iu sulë deputetit të Vetëvendosjes Liburn Aliu, sepse ky i fundit nga foltorja kishte shprehur rezervat e tij për shefin e saj.
Numri dy i Ambasadës të Republikës të Kosovës alias zvambasadori alias ministri këshilltar në përfaqësinë e Kosovës në Zagreb alias Urtak Hamiti, që u arrestua nga autoritetet vendase, kur kishte humbur totalisht kontrollin e veturës dhe të vetvetes, është i biri i Sabri Hamitit, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, i nipi i Sami Hamitit, zyrtar i lartë në qeverisjen lokale të Prishtinës, i akuzuar për korrupsion dhe prapë i nipi i Muhamet Hamitit deri vonë Ambasador i Kosovës në Londër! Edhe diplomatja në Bernë, që shtypi e njofton me sjellje aspak diplomatike duhet të ketë diku një lidhje gjaku a fisi, që e ka prurë në shtetin me komunitetin më të madh të shqiptarëve nga Kosova! Vura pikëçuditëse në fund të fjalive dhe ndonjë grafoman mund të më tërheqë vemendjen drejtshkrimore. Punë e madhe fort. Unë i devijova drejtësisë të shkrimit për të treguar grafikisht se kjo që tregova deri tani më ka tronditur emocionalisht, më ka zemëruar dhe nuk e di nëse dikush ndan me mua të njëjtin emocion, apo aq ju bën, le të transportohet në Afrikë Kosova, në botën e tretë apo të katërt! Apo snobizimi europian veç na gudulis emocionet sa për të shkëmbyer disa batuta në facebook dhe tung pastaj!
Tronditja dhe shqetësimi më vjen sepse prej këtyre skandaleve krijohet imazhi negativ i diplomacisë të Kosovës në Europë e botë, pasojat e të cilës i vuajnë direkt shqiptarët e Kosovës, sepse t’i vuanin diplomatët ku do ta gjenim, por ata i vazhdojnë privilegjet sa të jenë brenda rrezes së pushtetit.
Unë mendoj se nuk ishte asfare i mjaftueshëm reagimi i Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, sipas të cilit „kjo ministri pret nga stafi diplomatik dhe konsullor i Kosovës nëpër botë që të ketë sjellje shembullore“. Por Selimi harron të kujtojë se është pikërisht ky dikaster që e ka emëruar dhe përzgjedhur stafin e vet të këtij lloji, me nipa e bij, motra e miq të kastës udhëheqëse, e cila kutërbon nepozitëm, arrogancë, mungesë profesionalizmi dhe klientelizëm politik, kur do të duhej që niveli i përfaqësimit të ishte më i larti, më solidi dhe më me integritet, sepse diplomatët e Kosovës janë ura lidhëse të shtetit të ri me Europën dhe botën, me institucionet ndërkombëtare dhe me metropolet vendimmarrëse për të ndikuar në përshpejtimin e proceseve dhe procedurave që Kosova dhe qytetarët e saj të mos trajtohen si qytetarë të dorës të dytë të Europës. Sa më të shkëlqyer të jenë diplomatët e Kosovës, aq më i shkëlqyer është imazhi. Sa më të dalë boje diplomatët, aq më i dalë boje dhe i zgjyrosur imazhi. Ndërsa me diplomatë politikë dhe të skandaleve, të cilët karrierën e tyre e lidhin me pushtetin dhe jo me formatin e tyre profesional, shteti i ri i Kosovës transformohet në një kooperativë folklorike. Me shumë keqardhje, por po e them, se shteti i ri i Kosovës ngjan me një Republikë bananesh.
Ministri Enver Hoxhaj është një diplomat me karierë teknicieni, por duket nuk ka ndikim tek Hashim Thaçi i cili mjaftohet me llogaritë e çastit dhe as i shkon mendja fare tek strategjitë afatgjata shtetformuese dhe shtetndërtuese. Petrit Selimi që njihet si fans i Thaçit, krenohet me arritjet e tij personale, ndërsa që të gjitha këto skandale ndodhin nën hundën e tyre, përpara syve të tyre nga varësit e tyre.
Diplomatë të tillë surrogato janë ata që bëjnë imazhin e Kosovës përpara syve të botës. Me sjelljet e tyre të papërgjegjëshme ata janë „delja e zezë“ që e frikëson Europën dhe e bën dyshuese për t’i mbajtur shqiptarët e Kosovës të margjinalizuar. Kur do të duhej që diplomacia e Kosovës të përfaqësohej me elitën e saj, e cila ekziston, paçka se nuk është pjesë e klanit të kastës.
MPJ e Kosovës ezauron me sukses diplomacinë partiake, ndërsa ka dështuar sa i përket një strategjie kombëtare, e cila do të duhej të përfshinte të paktën edhe dy shtete të tjera në Ballkan, shtetin amë dhe Maqedoninë, ku shqiptarët janë palë shtetformuese. Strategjia kombëtare do të duhej të përfshijë edhe diasporën, sot më tepër se kurrë të margjinalizuar dhe përçarë.
Diplomacia e Kosovës merr eksperiencë negative padyshim edhe nga modeli i diplomacisë që ka ofruar shteti amë, brejtur dhe gërryer prej të njëjtave sindroma. Nepotizmi, klientelizmi, korrupsioni, trafiqet e mbajnë Kosovën në shenjestër si vend problematik dhe nuk e lejojnë të përparojë, ndërkohë që papunësia shkon deri në 60-70% dhe Kosova është vendi me popullsinë më të re në Europë, çka do të thotë se dramat sociale i vuan rinia e vendit, e cila ëndërron të bëhet ose si Rita Ora ose si Xherdan Shaqiri, por kjo arrihet vetëm jashtë e duke e braktisur Kosovën.
Shekullin e faktorizimit të shqiptarëve, diplomacia shqiptare po e kthen në disfavorin e shqiptarëve. Ky është skandali mbi të gjitha skandalet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, ne diplomacine kosovare, nepotizem

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT