Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Shteti shqiptar që pretendon të jetë demokratik e harroi Havzi Nelën në ditën e tij të vrasjes, kur u mbushëm plot një çerek shekulli nga kur diktatura përbindëshe e vari në mes të qytetit verior. Pikërisht më 10 gusht 1988, disa muaj përpara rrëzimit të Murit të Berlinit dhe në prag të përmbysjes të sistemit komunist dhe një vit e ca se në Shqipëri të shpallej i ashtuquajturi pluralizëm.
Tranzicioni postkomunist ka mbushur 23 vjet, ndërsa 25 vjet më parë, në qytetin e Kukësit, kur posa kishte nisur agu i një dite vere, Ramiz Alia urdhëroi varjen e poetit, ndërkohë që edhe sot e kësaj dite, dy dekada e gjysmë pas atij akti makabër dhe barbar, familja e poetit është në mëshirë të fatit, ndërsa vetë poeti i harruar nga shteti.
Sepse nëse, shteti do të kujtohej për poetin Havzi Nela, dita e 10 gushtit do të duhej të ishte në kalendarët e kujtesës të kombit, dhe meqë ishte vit jubilar, shteti do të duhej ta kujtonte me dinjitet. Nëse shteti nuk e kujtoi Havzi Nelën, kjo do të thotë se shteti nuk ka dinjitet.
Shqiptarëve u duhet një shtet me dinjitet dhe ky duhet të jetë objektiv kombëtar. Krimet e diktaturës nuk mund të harrohen kurrë. Kriminelët që vranë poetin duhet të njihen si të tillë dhe historia e të vërtetës duhet të shkruhet, si është shkruar në të gjitha vendet e ish-bllokut komunist që patën të njëjtën eksperiencë si ne. Diktatorët nuk rehabilitohen, kush rehabiliton diktatorët është pasues i tyre.
Më 10 gusht 2013, kur poeti Havzi Nela i mbushi 25 vjet nga dita që regjimi monstruoz e vari në mes Kukësit, shteti heshti dhe e kaloi në heshtje këtë datë.
Kurse një poet kukësian shkruante „Dita e sotme e ka emrin e Havzi Nelës“.
Shteti nuk u kujtua as në Facebook ta kujtonte Havzi Nelën, ndërkohë që ishin me qindra shqiptarë ata që i mbushën muret e tyre me poezitë rebele të poetit të varur nga diktatura. Poezitë e poetit i kanë mbijetuar harresës. Poezitë e Havzi Nelës bëjnë thirrje për kujtesë!
Më 10 gusht kryeministri shqiptar në Facebook i gëzohej 600 mijë miqve të tij që ka në rrjetin social. Një ditë më parë ai kishte uruar skuadrën e Kukësit për fitoren në futboll. Për Havzi Nelën kishte zgjedhur të shkruante asnjë fjalë.
Jozefina Topalli, kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, të premten më 9 gusht 2013, do të kujtonte 50 vjetorin e Whitney Houston, ndërsa të shtunën, ditën e vrasjes të poetit, në murin e saj ka të vendosur një thënie të poeteshës amerikane Maya Angelou, se „pa kurajo nuk do të mund të praktikojmë asnjë vyrtyt tjetër me koshiencë“. Maya Angelou, e cila në ditën e inaugurimit të mandatit të parë të Presidentit Clinton do të recitonte poezinë e saj „On the Pulse of Morning“, njihet si një aktiviste e shquar dhe ikonë e të drejtave të njeriut. Në krah të saj në murin e Kryetares të Parlementit të Shqipërisë, do të shkonte shumë bukur edhe një poezi e Havzi Nelës.
Pas Maya Angelou në vallin e saj zonja Topalli kishte vendosur „Puthjen“ e simbolistit Gustav Klimt, duke treguar ndjeshmërinë që kishte provuar kur e kishte parë „Der Kuss“ të Klimtit në Vjenë, e cila i ishte dukur më e bukur se Mona Liza, që ndodhet në Luvër në Paris. Për Havzi Nelën asnjë fjalë.
Për të ilustruar kopertinën e librit tim poetik „Unë jam e përjetëshme“ kam zgjodhur „Pemën e jetës“ të Gustav Klimt, pra gustot e mia paskan pika takimi me kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, por unë nuk e harrova Havzi Nelën. Dhe si unë, edhe plot shqiptarë të tjerë. Ndërsa shteti e harroi. Ne që e kujtuam nuk kemi pushtet politik, nuk kemi servila që na sillen rrotull, nuk kemi asnjë privilegj shtetëror, punë e madhe fort, nuk jemi kryeministra, nuk jemi numri dy i shtetit, nuk jemi shteti, por ne jemi shqiptarë me kujtesë dhe e kemi të ngulur në memorien tonë Havzi Nelën.
Natyrisht që nuk e kishin harruar as të ish-përndjekurit nga diktatura komuniste. Midis tyre Besim Ndregjoni, iniciues që Presidenti Bamir Topi t’i nderonte me titullin e lartë „Nderi i Kombit“ tre poetët e vrarë nga regjimi stalinist Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe avokatin e publicistin e shquar, të vëllain e Arshi Pipës, Myzafer Pipa. Me rastin e 25 vjetorit të varjes, Besim Ndregjoni kishte mbledhur të afërmit e poetit, bashkëvuajtës të burgjeve të diktaturës, midis tyre edhe Ministrin e Kulturës Visar Zhiti, i cili u kishte vënë në dispozicion sallën e mbledhjes, por shpenzimet i kishte marrë përsipër organizuesi i takimit.
Ndërsa po ndiqja kronikën e aktivitetit në TV e Tiranës, dëgjova shkrimtarin dhe intelektualin e shquar Agim Musta, 13 vjet i bugosur ne ferrin e burgjeve te sistemit çnjerëzor, që nuk ndalet kurrë së denoncuari krimet e regjimit komunist, i cili përpara kamerave shprehte indinjatën dhe revoltën e tij pasi mbledhja përkujtuese për Havzi Nelën ishte bërë në sallën e Ministrisë të Kulturës ku vazhdojnë të jenë si në diktaturë fotografitë e kupolës të shtetit komunist, të Ramiz Alisë e Manush Myftiut, pasi kanë qënë edhe ministra kulture.
Merni me mend fotografia e poetit Havzi Nela qëndroi në sallën e Ministrisë të Kulturës të Republikës të Shqipërisë, të të ashtuquajturit shtet demokratik, sa mbaroi aktiviteti, për një ose dy orë, ndërsa fotografitë e xhelatëve të tij vazhdojnë të mbeten aty! Kur do të duhej të ndodhte e kundërta, që në hollin e institucionit shtetëror të kulturës të zhdukeshin fotot e kriminelëve, dhe në vend të tyre të vendoseshin fotot e poetëve, shkrimtarëve dhe njerëzve të kulturës, si ata të vrarë nga regjimi, ashtu edhe ata me kontribute identifikuese për kulturën shqiptare.
Ju lutem, nuk them që të fshihet me fshesë gjithçka. Sepse ne e jetuam si komb diktaturën, e megjithatë në atë periudhë kemi shumë emra artistësh që ngritën në piedestal artin ku kontribuan me arritjet e tyre. Por them të hiqen eksponentët e krimit komunist dhe çdo figurë pa integritet moral e kulturor.
Më 10 gusht 1988 poeti Havzi Nela u var në litar, në mënyrë mesjetare, me firmën e Ramiz Alisë. Mijra e mijra familje shqiptare u internuan pa nam e nishan në Gulagët e diktaturës komuniste me firmën e Manush Myftiut, kryetarit të Komisionit të internimeve. Ndërsa shteti që pretendon të jetë demokratik fotot e këtyre xhelatëve i ka të vendosura në hollin kryesor të Ministrisë të Kulturë, ku fotografia e Havzi Nelës, viktimës së tyre qëndroi në atë holl aq kohë sa zgjati një aktivitet përkujtues . Zot i madh, ku je!
Dhe në vend që të tronditet nga këto fakte rrëqethëse, shteti i ashtuquajtur demokratik ua tregon dhëmbët të gjithë atyre që e kujtuan Havzi Nelën dhe ne gazetarëve që guxojmë të indinjohemi e ta denoncojmë harresën e tij!