• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VIKTOR MARTINI – PUSHTETARË TË DJESHËM E TË SOTËM, MOS LUENI ME PLAGËT TONA

July 18, 2013 by dgreca

…. SE EDHE HIJET E VORREVE TONA KANË PËR T’JU NDJEKUN E KURRË NUK DO T’IU LÂJMË TË QETË/
PYETJE:  Duke qenë se jemi edhe miq në Facebook, e di se momentalisht jeni në Shkodër, keni ardhur në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, e çfarë ndodhi me Shkodër locen që nuk votoi për PD ?
VIKTOR MARTINI: Zonja Elida. Ju falënderoj per mundesinë qe me jepni per vazhdimësi te kontributit tim ne sherbim te demokracisë e cila mungon ende ne truallin Shqiptar. Po, ndodhem ne mesin e Shkoder loces. Ndoqa me qetësinë ma te madhe votimet e 23 qershorit, bile nepermjet intervistave ne TV hodha mendimet e mia se si duhet te jete vota. Historia 23 vjeçare duhet te shikohet me synin e kritikave, sepse kjo histori nuk solli ate çka pritshin demokratet e vertetë.
Ah Shkoder locja! Gjithmonë ne kete qytet ndodhin gjana interesante e te bukura, keta qytetarë duhen shikuar me kujdes, ky popull i ketij qyteti qe provoi ditet ma te zeza te diktatures ishte i etur per liri e demokraci e ne keto rrethana e mbeshteti PDnë verbërisht pa shikuar se ne krye te saj po udhehiqte nje ish komunist. Por kur ketij populli nuk i jep ate çka i ishte premtuar, ai te zbret nga shpina e te hedh per toke. Kjo ndodhi ne zgjedhjet e 23 Qershorit.

PD NË KRYE TË SAJ I INSTALOI KOMUNISTËT – I ELEMINOI TË PERSEKUTUARIT

PYETJE: I nderuari Z.Viktor pse humbi PD?
VIKTOR MARTINI: PD humbi per shume arsye. Partia Demokratike qe ne krijimin e saj, ne frontin kryesor i instaloi te gjithë ata qe kishin nje prejardhje komuniste, vendosi dhe disa te persekutuar qe me kalimin e kohes i eleminoi, si Tomorr Dostin e ma vonë ne 2005 dhe Pjeter Arbrorin.
Une kam asistuar ne Shkoder ne tri dekadat e fundit ne zgjedhje. Ne 2005 Malësia e Madhe i prishi marrëdhaniet me Berishen, sepse Berisha hoqi nga lista per kanditaturë Gjovalin Bzheten. Mbas nje debati te ashper me nje komision te Malësisë ne zyren e Berishes, Berisha i acaruem iu tha malësorëve te Malsisë: Shkoni, se une e bëj demokraci edhe pa ju. Po ne kete vend te acaruar, dergoi Arbnorin per te kandiduar, ku humbja dihej se ishte e sigurt. Kjo krijoi pakënaqësi në Popullin Shkodran. I premtoi ta dergonte Ambasador ne Vatikan, por as kete nuk ia dha, PD nuk bëri reformat ne kthimin e pronave, nuk mbajti premtimet ne shperblimin e te persekutuarve te vendosura qe ne vitin 1991 ne parlamentin socialist…
Pushtetet 22 vjeçare zbatuan me dhelperinë më te madhe KATOVICËN qe tashti dihet edhe nga femijët. Aleancat e pamoralshme me politikanet e degraduar moralisht qenë të pranueshme ne PD per hir të karrikave. Kjo hoqi besimin ne njerëzit e ndershem se kemi te bëjmë me nje sistem moral ku s’ka per qëllim interesa ne sherbim te Popullit Shqiptar.

Gjuha e ashper e shume banale qe perdorej ne parlament acaroi çdo njeri te ndershem, sepse kjo gjuhe nuk është gjuha e Shqiptarit te vertetë.
Me nje fjale, zhgenjimi është faktor kryesor. Pushtetarët harruan se konceptet nuk jane nje vide e salduar qe nuk levizin, por nuk bën keshtu, ato duhet te levizin ne kohen e duhur me pjekuri per dobinë e Kombit Shqiptar. Them te kombit, sepse kombi perbëhet nga te gjtha partitë, te mire a po te keqij jemi vëllezer nga nana Shqiperi. Per mire apo per keq, kete do e shikojmë më vonë, populli zgjodhi RROTACIONIN. Dhe u tregoi me vote te gjitha partive: kujdes me popullin, se nuke luhet më me rrena nepërmjet premtimeve boshe. Shkoder loces i dhimbti shpirti, por demokracia e vertetë ka marrë rrugën e vet dhe uroj që të mos ndalet më kurrë. Këto ishin arsyet shkurtimisht.

SHKODRA ËSHTË DJEPI I ARTË I DEMOKRACISË DHE I KULTURËS

PYETJE: Z.Viktor, Shkodër locja është djepi i demokracisë dhe kulturës dhe prej këtij qyteti në Parlamentin e Shqipërisë gjatë këtij tranzicioni kemi patur Pjetër Arbnorin dhe Jozefina Topallin. Çfarë do të thoshit për Mandelën shqiptar dhe për zonjën Topalli ?
VIKTOR MARTINI:
Po Shkodra është djepi bile meriton te quhet djepi i artë. Pjeter Arbnori është nje bashkevujtes me dinjitet ku u perpoq me kontribue me devocion per demokracinë e per shtresat e te persekutuarve, por, mjerisht, e them me keqardhje se nuk pati rezultat, sepse ai nuk mujti me realizu ate çfarë kishte deshirë se mbi kry kishte pak a shumë diktatorin Berishian.

JOZEFINA DO TA NJOHË TË VËRTETËN – KUR VET KROKODRILAT E BERISHËS KANË PËR TA HJEDHUN MËNJANË SI TË PAVLEFSHME

Jozefina: Edhe kjo rrjedh nga shtresat tona. Me axhat e saj kam kalue disa dite te mjerimit ne burgun e Burreli, te cilet edhe mbas kaq vitesh i kujtoj me respekte. Por ajo nuk u diftue e pjekun si ata. Jozefina e te gjithë ministrat e Berishes ndihmuan ne krijimin e kultit te individit Stalinian: e quajten Berishen lider historik, e krahasuen me Skenderbeun e quajten kolosi i kombit Shqiptar. E kjo shkaktoi alergji tek njerëzit e arsyshem.

Populli Shqiptar ishte i velun me lajkat e diktatures, Partia e Enverit legjendar e tjera e tjera. Mos ta prejashtojmë se edhe kjo asht nje arsye qe PD humbi. Une ende besoj se Zonja Jozefina nje dite do ta njofi te verteten plotesisht. Por kjo ka me ndodhë kur vet krokodrilat e Berishes kanë per ta hjedhun menjanë si te pavlefshme. Por une do ta due gjithsesi perseri, sepse eshte nje pjesë qe nuk mund ta shkepus nga karvani i vujtejeve tona ashtu si dhe te tjeret.

DALJA E PJETËR ARBNORIT NGA PARLAMENTI ISHTE SKEMA E BERISHËS

PYETJE: Në zgjedhjet e 2005, Zoti Pjetër Arbnori doli jashtë parlamentit të Shqipërisë, si e komentoni këtë fakt ?
VIKTOR MARTINI:
Dalja e Pjeter Arbnorit nga parlamenti ishte skema e Berishes, sikur e thashë më sipër.

JAM PËR LUSTRACIONIN, NUK JAM PËR T’IA HAPË DOSJET POPULLIT

PYETJE: I nderuari Z.Viktor, Avokati i Popullit Igli Totozani ka dalë me iniciativën për hapjen e dosjeve dhe për votimin në Parlament të Ligjit të Lustracionit, ju çfarë mendoni.
VIKTOR MARTINI:
Avokati i Popullit del me iniciativen per hapjen e dosjeve. Per kete une kam rezervat e mia. Hapja e dosjeve ashte si thika me dy teha. Hapja e dosjeve asht kusht i domosdoshem per te gjithë ata qe jane ne politiken Shqiptare dhe per te gjithë ata qe merren me predikime morale deri tek une. Kurrsesi nuk jam i mendimit t’i hapen dosjet popullit te thjeshtë, sepse ashte punue shumë me e transformue moralin e kombit Shqiptar nepermjet imponimit diktatorial. HAVELI ka thanë: “Çdo gja ua fali diktatorëve, por jo kurrë prishjen e ndergjegjes se njeriut.’ Gjermania e provoi t’i hapte dosjet e Gjermanis Lindore, por e ndaloi menjeherë, sepse gjeti shemtimin moral. Lustracioni është i pranueshëm.

Sa per trajtimin e hapjes se dosjeve tek shtresat tona, mos te preokupohet kerkush.Ne nje interviste moderatori me pyeti: Çfarë asht mesazhi i juej per bashkëvujtesit tuej? Mesazhi im ishte ky: Ju uroj bashkevuejtesve te mi, me te cilet kaluem se bashku vuejtjet, ku ndame kafshaten e bukes e cigaren pergjysem, jete te lumtun ku do qe ndodhen me familjet e tyre.
Por shtova nje urim qe mbase dikuj mund t’i duket e çuditshme: Iu urova e po iu uroj jete te lumtun te gjith atyre qe rreshqiten nen presionin e diktatures jete te lumtun edhe atyne e familjeve te tyre, sepse ata janë me te persekutuem se ne. Ne, se ne na moren rininë, dikuj jeten e pasurinë. Atyre ua moren dinjitetin me dhune. A mund te quej kurve nje grua a po vajze te ndershme qe del ne ruge e dhunohet prej maskarejve. Keshtu ndodhi dhe me keta njerëz. Te bajmë nje anmisti morale per keta fatkeqij dhe t’ua lamë kete turp furrtarëve qe pregatiten kete buke kaq te zezë, Enverit, Mehmetit me karvanin e kuq.

PA PJESËMARRJEN E SHTRESËS SË TË PËRNDJEKURVE NË PUSHTET, NUK KA DEMOKRACI

PYETJE: Të flasim pak për fatin e të përndjekurve, që mendoj se të përndjekurit vazhduan të mbeten me këtë status edhe gjatë tranzicionit, si mendoni ju Z.Viktor? Në një intervistë tek Zëri i Amerikës me rastin e grevës së urisë ju Z.Viktor keni thënë se më 1991 i thatë Ramiz Alisë t’i vejë gishtin kresë . Me rastin e grevës të urisë më 2012, ju i përsëritët zotit Berisha i të njëjtën gjë « që t’i vinte gishtin kresë ».
VIKTOR MARTINI:
Per kete duhet folun shume e jo pak. Isha nje nga organizatore e greves se urisë qe u ba ne shkalle kombtare ne vitin1991 ne palestren 17 Nandori te basketbollit. Ne kete greve kerkonim me te madhe 5 kerkesat tona e ndër te tjera pafajësinë, shperblimin material e tjera.Kjo zgjati 11 dite. Ne nje nder keto dite zoti Berisha u ul ne batanien time dhe lexoi se çfarë do kerkonte ne mbeshtetjen tonë si opozitë e asaj kohe. Lexoi aq shume dhe, ne perfundim, ai tha: A keni per te shtue gja z.Martini.Jo i thashë, keni shkru ma shum se ne kerkojmë, me shkrue asht e kollajt, me realizue asht e zorshme. Ju premtoj, tha ai, ne nderin tim e te PD se do ju japim ma shumë se kerkoni. Ishalla, shtova une me dyshim. Ajo qe dihet tashti ma asht se ato premtime edhe sot kanë mbetun te zvarrituna ne menyren ma te turpshme. Por fajin e kemi ne, qe u perqendruem ne keto shperblime, qe e shendrruen kete shoqat ne shoqat makaronash dhe i lejueme te dy partitë te lozin me fatin tonë. Duhej kerkue me te madhe edhe sot, prezenca e kesaj shtrese ne pushtet. Pa pjesëmarrjen e kesaj shtrese ne pushtet s’ka drejtesi e as demokraci. Une ju them te djeshemve dhe te sotshmeve: kujdes mos lueni me plaget tona se dhe hijet e vorreve tona kanë per t’ju ndjekun hap pas hapi e kurrë nuk do ju lajmë te qetë. Kete mesazh ia pata dergue edhe dhelpres Ramiz Alia.

PYETJE: I nderuari Z.Viktor, para tri ditësh gazetari Mustafa Nano kishte ftuar Z.Niko Kirka, i dënuar politik gjatë diktaturës, i biri Kristo Kirkës, vdekur në burgun e Burrelit, i cili denoncoi disa emra tashmë të njohur si bashkëpunëtorë të sigurimit, si Preç Zogaj dhe Artan Hoxha, emra që i kemi natë e ditë në televizionet e Shqipërisë, si mendoni ju njerëzit me Dosje gjatë sistemit komunist, që kanë qënë të përkëdhelurit e regjimit, a duhet të vazhdojnë t’i japin mend opinionit publik edhe 23 vjet pas rrëzimit të diktaturës? Z.Kirka përmendi edhe emrin e Amik Kasoruhos, si spiun të nderuar me dekoratën “nderi i Kombit” nga presidenti Bujar Nishani.
VIKTOR MARTINI:
Çdo njeri asht i lirë te japin mendimin e tij ne çdo intervistë. Çdo njeri e njef keqbërësin e vet. Çdo njeri duhet te jetë i sigurt dhe i pergjegjeshem per çfarë flet ne drejtimin moral te tjetrit. Persa i perket dekorimit te personave te padenje: nuk ashte hera e pare qe Nishani dekoron njerëz te padenjë, por jo pa propozimin e qeverise. Kjo ndodhi me me presidentin Topi, por ama PD e vuni ne funksione te larta si gjykates. Ky njeri ishte ai prokurori qe denoi me vdekje Xhelal Koprencen. Por ama Topi doli e i kerkoi te falun opinionit Shqiptar duke shfuqizuar dekoraten.

ATA U FLIJUAN EDHE PËR NE, EDHE PËR TË DREJTAT TONA

PYETJE: Le të flasim pak për të përndjekurit, drama e të cilëve doli edhe një herë në pah gjatë grevës së urisë, e cila pati edhe viktima, sot Lirak Bejko nuk jeton më. Po ashtu edhe Shpëtim Karamuço, i cili nuk e la grevën, paçka se ishte në kushte të rënda shëndetësore, ju si një njeri që e keni provuar vuajtjen deri në asht nga diktatura, çfarë mendimi keni ?
VIKTOR MARTINI:
Po une i mbeshteta keta njerëz qe po flijonin jeten per te drejtat e tyne e, besa, dhe per te drejtat tona, sepse e quajta detyrim moral dhe jam i bindur se kam kryer nje detyrë humane. Bile kam shprehë rrevolten time për mosmbeshtetjen e atyne qe nuk i mbeshteten. Kete mbeshtetje e kemi ba para Organizates se Kombeve te Bashkueme. Jam befasue nga kleri katolik e mysliman, sepse vetflijimi denohet moralisht me fe. Perse nuk e shtrinen doren per ta ndalue kete mekat. Apo siç thonte i madhi Meshkalla: Detyra e shejtë ndaj Perëndisë nuk u len kohe me keqyrun plaget e njerëzis.I falnderoj grevistet te cilet me vlerësuen me nje flet falënderimit per mbeshtetjen morale qe ju bame.

RAMA TË  MOS I PËRSËRISË GABIMET E PARAARDHËSVE, SEPSE NDËSHKIMI NDAJ TIJ DO TË JETË FATAL

PYETJE: Tani në shtator do të ketë rotacion. Çfarë do t’i thoni Edi Ramës ?
VIKTOR MARTINI:
Persa i perket mesazhit tim per Z Rama asht ky. Duke kenun se ne pushtet vjen si kryeminister per herë te parë, e porosis qe te ketë kujdes e mos te perserisin gabimet e paraardheseve te tij 68 vjeçare, sepse ndeshkimi ka per te kenun fatal per te gjithe ata qe kanë deshirë te qendrojnë ne llogoret e vjetra.

Per popullin e shumëvuejtun Shqiptar, pa perjashtim, kam nje urim qe me del nga loçka e zemres. Pafshi dite te bukura jashtë politikes qe kerkon te na perçajë, gjeni vetveten atje ku te keni besim se e drejta qendron..Respekte per ju, o njerëz te ndershem, ku do qe ndodheni.

Intervistoi: ELIDA BUÇPAPAJ

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Interviste, me Viktor Martini

TRAUMAT E TRANZICIONIT TË ELIDA BUÇPAPAPAJ- NJË DËNIM I TRANZICIONIT 20-VJEÇAR

July 16, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në këtë përmbledhje artikujsh, të titulluar “Traumat e Tranzicionit”, Elida Buçpapaj publicistja e njohur në trojet shqiptare dhe në diasporë për shkrimet e saj jo konformiste, i paraqet lexuesit shkrime të pasura dhe tematika të ndryshme mbi jetën politike, mbi dështimet dhe mbi mundësitë e humbura, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, në periudhën pas-komuniste.

Me përgjegjësi dhe me bindje autorja eksploron përceptimin e saj, por edhe të tjerëve që mendojnë si ajo, se tranzicioni në Shqipëri ka dështuar. Në këtë libër ajo merret me një numër temash qendrore të jetës politike dhe shoqërore shqiptare, të cilat pasqyrojnë karakteristikat, sidomos të elitës politike shqiptare — shpesh të dyshimta, të koklavitura e nganjëherë të ngatërruara — por si gjithmonë të lidhura me njëra tjetrën, fatkeqsisht,  për keq –por që të bindin dhe të bëjnë të dëshirosh  se Shqipëria dhe Shqiptarët, pas më shumë se dy dekadash, meritojnë diçka më mirë –dmth., një konsolidim të vërtetë demokratik dhe jo një pseudodemokraci.

Ekspertët e shkencave politike argumentojnë se në një vend, tranzicioni demokratik konsiderohet të ketë përfunduar kur palët e ndryshme arrijnë në marrëveshje mbi “rregullat e lojës”, të cilat kanë të bëjnë, ndër të tjera, me zgjedhjen e lirë të një qeverie.   Kur qeveria të krijohet nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të pakontestueshme dhe kur pushtetet e ndryshme nuk detyrohen të ndajnë kompetencat me pushtetet e tjera, me fjalë të tjera, kur të arrihet pavarësia e institucioneve të ndryshme të shtetit dhe qeverisë — atëherë një vend mund të konsiderohet se ka kaluar tranzicionin me sukses, dhe që njëkohësisht, sipas ekspertëve,të quhet vend demokratik. 

Një element  tjetër për një shoqëri demokratike është besimi tek institucionet. Besimi ndaj organeve shtetërore duhet të zhvillohet nga shoqëria dhe si i tillë ai besim përforcohet nga puna që bëjnë institucionet politike dhe civile për të mirën e përbashkët dhe jo nga veprat ose vendimet e tyre në favor të një grupi ose  të një personi/ash me influencë, dhe në dëm të mirëqenies kolektive. Besimi në legjitimitetin e institucioneve shtetërore, siç janë prokuroria dhe gjykatat, i jep hov demokracisë dhe zhvillimeve të saj dhe njëherazi  avancon edhe efikasitetin e vetë institucioneve.

 

A ka besim ndaj institucioneve shtetërore dhe qeveritare në Shqipëri?Autorja thotë se jo. Ajo gjithashtu aludon se mungesa e besimit dhe rënia ekonomike, kanë përfunduar në një shtim të dukshëm të pakënaqësisë në përgjithësi ndaj elitave të të gjitha forcave kryesore politike në Shqipëri. Megjithëse, fajet e mëdha për mospërparimet e duhura dhe tepër të nevojshme gjatë këtij tranzicioni i ka mbi shpinë elita politike, përgjegjësi ka edhe qytetari i thjeshtë, i cili fatkeqësisht ende nuk është çliruar nga mentaliteti i varësisë së individit tek shteti dhe si i tillë është më pak kritik.

Në këtë botim, Elida Buçpapaj lë të kuptosh se Shqipëria ka bërë shumë pak përparim drejt demokracisë së vërtetë, ndërsa ajo paraqet shpjegime dhe shqyrtime për fusha të ndryshme, siç janë politika, shteti i së drejtës, liria e shtypit, e tjera. Në të gjitha këto fushë, ajo nënvizon dobësitë e sistemit post-komunist, duke venë në dukje trashëgiminë komuniste të vendit si dhe mentalitetin  e elitës së sotme politike, kulturore,  mediatike e tjera — trashëgimi kjo që ka bërë të mundur çimentimin dhe manipulimin e jetës politike nga këto elita pasardhëse të një ish-sistemi autoritar, siç ishte regjimi enverist, ku shteti dominonte mbi të gjitha aspektet e jetës së njerëzve.

Libri i Zonjës Buçpapaj  është një përmbledhje kritikash ndaj dështimeve sistemore dhe sistematike të qeverisjes nga një autore që e do atdheun e vet dhe kombin — qëndrime këto që lexuesin e bëjnë të mendojë dhe të pyesë se përse Shqipëria, si pothuaj asnjë vend tjetër në Evropë, nuk e ka plotësuar atë tranzicion transformimi që tanimë e kanë përfunduar shumica e vendeve ish- komuniste? Duke lexuar librin e E. Buçpapaj të mbetet përshtypja se Shqipëria, por edhe Kosova kanë ngecur në një periudhë ”transformimi ose tranzicioni të ngrirë”, të kontrolluara nga grupe të fuqishme oligarkike dhe me influencë, të cilat po keqpërdorin pasurinë e vendit dhe po shpërdorojnë ose po lënë pas doremadje edhe pasurinë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve. As Shqipëria fatkeqsisht nuk ka mundur t‘i ikë situatës, ku elitat e ish-regjimit komunist, gjatë këtij tranzicioni, janë pasuruar nga burimet shtetërore duke krijuar në këtë mënyrë,  korrpusion, ku individë dhe grupe interesash, përfshirë edhe mafian, kanë lëshuar rrënjë dhe kanë  zënë vende me rëndësi në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore të vendit, përfshirë edhe median. Ndoshta ky tranzicion po zgjatë me qëllim, sepse sa më i gjatë të jetë tranzicioni, aq më i madh kaosi, hutimet dhe pështjellimet, dhe si përfundim aq më të mëdha mundësitë për pasurimin e  individëve, grupeve dhe elitave që e mbajnë vendin në këtë gjëndje të ngrirë tranzicioni.
Ky koleksion artikujsh nga Elida Buçpapaj tregon se autorja ka aftësi analitike dhe mendje të mprehtë si vërejtëse e gjendjes aktuale në Shqipëri, ndërkohë që nganjëherë edhe me hidherim e zhgënjim shprehpikëpamjet  e saj ndaj një prej transformimeve ose tranzicioneve më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, periudhës së rënies së komunizmit në Shqipëri dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zonja Buçpapaj shpreh zhgënjimin e saj të thellë, dhekritikat nganjëherë të ashpëra por me vend, ndaj një situate që pas 20 e sa vjetësh pas rëniës së komunizmit,  pritej dhe duhej të ishte ndryshe. Lexuesi mëson se gjëndja e sotme politike, ekonomike por edhe në fusha të tjera të jetës së shqiptarëve –sipas saj tepër e pakënaqshme — është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave të ndërmarra ose jo nga klasa e politikanëve të sotëm, dhe jo nga kushtet e vendit. Ajo argumenton se Shqipëria është ashtu siç është sot, për arsye të trashëgimisë komuniste të elitës së sotme politike, e mbërthyer në inate me njëra tjetrën, dhe jo se i mungojnë reformatorët e aftë dhe të vendosur për të çuar vendin përpara, siç ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore.

Kjo nuk është e pamundur për  Shqipërinë, sipas saj.  Megjithëse e vogël, shoqëria shqiptare është tepër e koklavitur, por vetëm kur individët të jenë të aftë të përdorin të gjitha aftësitë dhe njohuritë e tyre, nepërmjet një tregu të lirë mallrash dhe ideshë, atëherë edhe Shqipëria dhe Shqiptarëtdo të shkojnë drejtë përfundimit të suksesshëm të këtij tranzicioni tepër të gjatë.

Në fund të fundit, është individi dhe shoqëria shqiptare ajo që do vendosë vet preferencat politike si dhe mundësitë për të zhvilluar marrëveshje shoqërore, shoqata dhe organizata që do t‘i shërbejnë më së miri realizimit të qëllimeve dhe nevojave të individit dhe të vendit. Në këtë kuptim, demokracia, megjithëse jo e përfeksionuar si sistem, është dhe mbetet  një model universal për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohërat, i zbatueshëm për të gjithë, në bazë të ligjit, pronës private dhe lirisë njerzore –duke bërë të mundur që individët dhe populli si tërësi shoqërore,  të rregullojnë lirisht punët e veta pa ndërhyrje, në një mënyrë që u shërben interesave më të mira të tij dhe rrethanave në të cilat jetojnë. Shpresojmë se kjo do të ndodhë në Shqipëri.

Libri  ‘‘Traumat e Tranzicionit‘‘, që është një përshkrim i disa fenomeneve të tranzicionit të 20 vjetëve të fundit të kombit shqiptar, e që autorja i ka quajtur me të drejtë “Trauma”, meriton të lexohet madje edhe nga ata që mund të mos jenë dakort me përfundimet dhe analizat e Zonjës Buçpapaj.

Është një kontribut i rëndësishëm në debatin e vazhdueshëm mbi dështimet ose siç i quan ajo ‚‘‘Traumat e Tranzicionit‘‘ shqiptar, i freskët për nga sinqeriteti dhe dashuria e autores për mirëqenien  dhe mbarvajtjen e kombit, për të gjithë ata lexuesë që janë të interesuar në analiza politike dhe historike.

Filed Under: Kulture Tagged With: Elida Buçpapaj, Frank shkreli, Traumat e Tranzicionit

DY FJALË PËR SHPIRTIN E BARDHË TË ANTHONY ATHANAS

July 10, 2013 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Ishte një lajm i papritur dhe shumë i trishtuar mbyllja e restorantit të famshëm Anthony’s Pier 4 të cilit i kishte dhënë këtë emër, djersë e famë një shqiptaro-amerikan me zemër patrioti. Ai që i mungon aq shumë diasporës shqiptaro-amerikane. Anthony Athanas. Shkrimi i Frank Shkrelit është shumë i plotë, në portretizimin e Anthony Athanas, për zemrën e tij të madhe, patriotizmin dhe atdhedashurinë për Shqipërinë, Kosovën, që në Amerikë të mbahej gjallë fryma e Konicës dhe Nolit.

Unë dua t’i shkruaj këto rradhë sepse fati dhe rasti na e dha mundësinë për ta njohur Anthony Athanas. Jemi takuar me të disa herë. Anthony Athanas ishte nga ata njerëz që Zoti i lë të mbeten përherë të rinj. Kur e takoje, nuk mund të thoshe kurrë se kishte përpara një të moshuar që i kishte kaluar të tetëdhjetë vitet e jetës. Elegant, gjithë vitalitet, dinamizëm të merrte me vete me energjitë e tij pozitive. Nga fytyra nuk i hiqej kurrë buzëqeshja e një xhentëllmeni të vërtetë dhe e një shqiptari të madh nga ata që i sjell Zoti rrallë dhe që ne na duhen aq shumë. 

Ajo që krijoi dhe që përfaqësoi Anthony Athanas është në një antitezë të plotë me kapitalizmin e ri shqiptar, barbar dhe të pangopur, që ka si qëllim në vetvete pasurimin individual me të gjitha mjetet, duke e zhvatur dhe rrjepur vendin tonë të dashur. Anthony Athanas ishte kategori tjetër, kategori e asaj që shpreh thelbin e shqiptarit, pa të cilin nuk do t’iu kishim rezistuar harrikanëve të historisë e do të ishim asimiluar me kohë, pa lënë as gjurmë as shenjë.

Njëherë udhëtuam bashkë nga Tirana në Romë. Zoti deshi të na takonte. Ishim në të njëjtin avion me Anthony Athanasin dhe At Artur Liolinin, të dy miq për kokë me njëri-tjetrin, të dy mezi i kishin pritur ato ditë të mira për mëmëdheun e tyre dhe vinin në Shqipëri për të shijuar erën e re të lirisë dhe demokracisë. Më përpara ishim takuar në raste zyrtare dhe gjatë atij fluturimi biseda ishte larg formalitetit. Ata  ishin kuriozë të mësonin më shumë për ne, ne për të mësuar sa më tepër për ata, që ishin dy emra të ndritur të shqiptarëve të Amerikës. Ne kishim me vete fotografinë e Prizrenit, asaj kohe dy-tre vjeçar. Endriti do të lindte disa vjet më vonë në Bernë. Ata e shihni foton e Prizrenit dhe kënaqeshin. Duhet të kishin parasysh e të merrnin me mend gjeneratat e reja që do të popullonin Shqipërinë, rininë shqiptare që do të duhej të gëzonte frutet e demokracisë. At Liolini mbante me vete fotot e fëmijëve të tij dhe na i tregoi. Të dy u entusiazmuan për emrin e djalit tonë, kur kihej parasysh Muri i Berlinit që na ndante ne shqiptarëve si komb. Të dy ishin gjithë shpresa tek e ardhmja e Shqipërisë dhe ndiheshin të lumturuar sepse gjenin arsye të plota për t’u gëzuar, sepse besonim se kishte ardhur koha e rimëkëmbjes, e ringjalljes, e të mirave, pas një diktature të egër dhe monstruoze.

U takuam rishtas me Anthony Athanas me rastin e sjelljes së eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri. Ishte bashkë me çiftin e nderuar Bytyçi, Hatixhen dhe Sabitin, që janë nga ato familje që përbëjnë ajkën e kombit dhe diasporës shqiptaro-amerikane. Ndejtëm bashkë edhe në koktejlin e organizuar me këtë rast në Pallatin e Kongreseve. Na pyeste si shkonin punët në Shqipëri. Nuk lodhej së pyeturi. E kam parasysh si sot, me sytë e tij të qeshur. Ishte i kënaqur që u takuam. Ne po ashtu. U ulëm të tre në bordurat e mermerta të hollit të madh të Pallatit të Kongreseve. Ishte rasti për të folur për Konicën e madh. Ne i thamë me çiltërsinë më të madhe se ai, Anthony Athanas ishte një xhentëllmen që mund të qëndronte pa iu trembur syri në krah të Faik Konicës, për kontributin e tij madhor si patriot. Ai qeshte, si gjithnjë me elegancën e tij si një xhentëllmen i vërtetë, dhe askush nuk mund ta besonte se kishte përpara një zotëri të moshuar, sepse puna e palodhur dhe shpirti i tij i bardhë kishte bërë që të mbetej përherë një djalosh.

Dhe kështu e kam parasysh, një njeri shpirtbardhë. Dhe u bëmë miq. Ka disa alkimi që të bëjnë miq me takimin e parë, me shkëmbimin e parë të fjalëve, sepse përshkoheshim nga e njëjta empathi. „Do t’ju ftoj në Pier 4 na tha, do t’ju ftoj e pres si miqtë e mij. Do ta bëj ftesën sa të kthehem në shtëpi.“ Dhe Anthony Athanas ishte nga ata burra që e mbante fjalën. Sa mbërriti në SHBA, na e dërgoi menjëherë ftesën dhe biletat. Zot i madh, ku t’i gjejmë ata shqiptarë të tillë si ai sot! Zot i madh kthejua shqiptarëve thelbin e tyre që do t’i bëjë të kenë të njëjtin brumë si Anthony Athanas apo Nënë Tereza.

Natyrisht që Anthony Athanasit nuk do t‘ia kishte marrë mendje kurrë që shqiptarët t‘ua bënin ashtu shqiptarëve, t’ia bënin vetvetes së tyre dhe Shqipërisë t’i kthehej si mallkim 1997. Kur do të niste një kalvar i ri dhe gjysmës së kombit do t’i duhej të mblidhte laçkë e plaçkë e me fëmijët në krahë të merrte rrugën aq dramatike të emigracionit. Ne u vendosëm në Zvicër dhe nuk u pamë më bashkë me Anthoni Athanasin. Kur morëm vesh për vdekjen, e qamë me lot, ashtu si qajmë për ata që na dhemb shpirti. Qamë për shpirtin e bardhë të Anthony Athanas.

Dhe lajmi për mbylljen e Anthony Pier 4 na mbushi plot trishtim. Pier 4 ishte një pikë referimi si për Amerikanët, ashtu edhe shqiptaro-amerikanët. Ishte një Shqipëri e vogël në zemrën e madhe të Amerikës. Ishte vetë zemra e bukur e Anthony Athanas. Edhe kur ai iku nga kjo botë. Pier 4 e tij mbeti. Pier 4 mund të kthehej në Muze, mund të vazhdonte të priste e të përcillte miq, por assesi të mbyllej. 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, shpirti i bardhe

Bëni si t’ju them unë, por mos bëni si bëj unë

July 9, 2013 by dgreca

Reagim nga Hajro Çini M.A. Economics/

Lexova me vëmëndje shkrimin e Zoti Skënder Buçpapaj, dhe, edhe pse shumë miq të mi të mënçur më sugjeruan ta injoroja, si shkrim që merret kryesisht me personin tim se sa me opinionet e mija, por duke menduar se është një shkrim që është shkruar nga një njeri, të cilit i kam pas çmuar urtësinë, vendosa ti përgjigjem. Për etikë unë, ndryshe nga ai, nuk do të merrem as me anën e tij personale as edhe me atë familjare, por do të sqaroj disa pika ku ai edhe pse njeri i urtë, dukshëm është irrituar shumë dhe kjo ja ka errësuar disi arsyetimin deri në perceptim jo të drejtë të shkrimeve te mia të mëparshëm në disktutimet me Zonjën Elida Buçpapaj.

Zoti Buçpapaj shkruan se unë mëtoj t’ia imponojë kësaj gazete politikën botuese. Kjo fjali është shumë larg të vërtetës, që për një gazetar profesionist, siç kanë dëshirë të paraqiten bashkëshortët Buçpapaj, duhet të jetë e pacënueshme. Pse?

Unë nuk i kam kërkuar kurrë askujt në jetën time ti imponoj diçka, aq më tepër një gazete, por në respekt të vetë Gazetës Dielli, të themeluesve të saj si dhe të lexuesve, jam shprehur se cilësia e disa shkrimeve të Zonjës Buçpapaj, ku në shkelje të plotë të etikës dhe profesionalizmit ajo denigron çdo kënd që nuk i shkon pas fillit, shkel konfidencën e këtyre njerëzve duke publikuar pjesë nga jeta krejt personale e tyre që nuk janë në interes publik. Konkretisht Zonja Buçpapaj shkruan:

“Më bëri përshtypje një koment nga Enver Bytyci për « replikën » e z. Çini i cili shkruan: «Une nuk e njoh autorin e ketij shkrimi. Por ky shkrim eshte profesional, ne nivelin e shkrimeve te gazetareve perendimore. Zj Bucpapa ne deklarimet e saj nuk shfaq ate profesionalizem, te cilin e shohim ne shkrimin e z. Cini.“ Nëse ky Enver Bytyçi është ai që njoh unë, po ju tregoj një histori. Rreth viteve 2003-2004, Enver Bytyçi shkon në Gjermani për të kërkuar statusin e azilantit politik dhe sa vendoset aty i dërgon një letër Skënder Buçpapajt, kryeredaktor për dhjetë vite i gazetës Bota Sot, që t’i krijohej mundësi bashkëpunimi dhe Skënderi për ta mbështetur e pranon menjëherë. Tani po na thotë se nuk e njeh këtë z. Çini, por i duket profesionist dhe ndërsa për mua nuk thotë fare më njeh a s’më njeh, punë e madhe fort, porse shkrimi im nuk i duket profesionist! Që më njeh, nuk ka dyshim, sepse kur Enver Bytyçi kërkonte të bashkëpunonte tek Bota Sot, unë botoja gati për çdo ditë editoriale, pra ai e di shumë mirë orientimin tim politik, dhe se si gazeta Bota Sot, me një tirazh prej 200 mijë kopje, e mbështeste opozitën e Shqipërisë dhe liderin e saj Sali Berisha! Ndërkohë nuk më intereson fare se çfarë mendon Enver Bytyçi për profesionalizmin tim” – See more at: https://gazetadielli.com/replike-me-te-gjithe-ata-qe-i-konsiderojne-lideret-shqiptare-te-pagabueshem/#sthash.Zw7WD9G1.dpuf

Për mua ky është nivel i papranueshëm etik, apo intelektual dhe për këtë unë jam shprehur:

Në liri e drejta e shprehjes, e drejta e përzgjedhjes, e drejta e vlerësimit, apo jo, dhe shumë të drejta të tjera janë vlera kaq themelore sa që ti imponohesh dikuj, qoftë edhe me dashamirësi, është e jashtkohshme. Kështu edhe me letrën që një djalë 16 vjeçar, plot ëndërra, i lutet Dr. Berishës të mos largohet nga politika dhe Dr. Berisha me shumë kulturë përgjigjet. Një akt i tillë ka shqetësuar jo pak një zonjën Buçpapaj, që e mban veten për gazetare, dhe përpiqet ti imponohet të tjerëve që të mos e lexojnë atë këmbim. – Apo Së fundi, të marrësh atributet dhe statusin e gazetarit, duhet në rradhë të parë duhet, mendoj unë, të mos jetë ithtar politik i cilido krahu qoftë, apo më keq, kur të prishen pazaret, të hidhet nga ithtar në kundërshtar të rreptë. Një rast i tillë tregon shumë edhe për integritetin professional apo etik të gazetarit dhe sipas standardeve ndërkombetare të gazetarit profesionist, të skualifikon direkt nga ai status. – See more at: https://gazetadielli.com/votimet-me-te-mira-te-organizuara-ndonjehere-ne-shqiperi-dhe-qejf-mbetja-gazetareske/#sthash.g4BsjO6g.dpuf

Për të cilin Zoti Buçpapaj, që e ka reputacionin e njeriut të urtë, por që në rastin konkret i mllefosur shprehet:

“shpreh pakënaqësinë prej arroganti ndaj shkrimit të zonjës Buçpapaj” – See more at: https://gazetadielli.com/sevdallinjte-manjake-te-partive-diversion-edhe-kunder-mediave-online/#sthash.aud5kTgv.dpuf

Lexues të nderuar ju lutem shikojeni qartë se kush është profesionali apo etiku dhe kush është arroganti.

Zoti Buçpapaj, duke mos e kontrolluar dot mllefin, e trajton shkrimin tim si diskutim organizate partie, duke më quajtur edhe sevdalli manjak. Shopenhauer është shprehur:

“Every man takes the limits of his own field of vision for the limits of the world.”

Njeriu e mat tjetrin me kutin e vet. Ndryshe nga Zoti Buçpapaj, që ka një ekperiencë të gjatë në mbledhjet e organizatave të partisë, nga ajo e PPSH, para 1990, tek PD 1991-2005, në pritje të ndonjë oferte të rradhës, dhe natyrisht jo të fundit, unë nuk kam qënë asnjë ditë antar i PPSH-së, as një ditë antar i PD-së dhe për integritet personal dhe intelektual nuk kam ndëmend të aderoj në asnjë parti politike. Asnjë nga prindërit e mi nuk kanë qënë kurrë antar të ndonjë partie.

Kam mbështetur Dr. Berishën, sepse e kam konsideruar zgjidhjen më të mirë kombëtare ashtu siç kam mbështetur në Kosovë Dr. Rugovën. Gjithnjë kam akuzuar PS, (dikur PKSH dhe PPSH) si një parti të themeluar nga Beogradi dhe me agjendë antikombëtare. Konsekuent i qëndrimeve të mia politike dhe kombëtare, ndryshe nga ata të Zotit Buçpapaj, kam qënë kritik ndaj ish Presidentit Topi, që në shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë, e kishte kthyer Presidencën në një partiçkë politike në favor të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Asnjëherë nuk e kam takuar personalisht Zoti Topi, as edhe kam komunikuar ndonjëherë me të, kështu që arsyet personale që aludon zoti Buçpapaj, janë vetëm haluçinacione të një njeriu që i mat të tjerët me kutin e tij.

Zoti Buçpapaj i jep të drejtën vetes të masë edhe aftësitë e mia profesionale në fushën ku unë kam studiuar, fushë që kam mbrojtur me sukses në Universitetin e Torontos edhe Titullin “Master of Arts”, që atë e ka shqetsuar deri sa edhe ta përmëndi në shkrimin e tij. Nuk i vë faj. Ai mund të ketë parë plagiaristë që i vjedhin punimet shkencore të tjerëve për ti paraqitur si të tyret. Kam pasur dikur një shok, që ka shërbyer edhe si ambasador ne Washington, të cilit ja morën punën shkencore me preteksin e redaktimit për të mos ja kthyer më. Por problemi nuk është këtu. Ai nuk arrin të kuptojë kodin elektoral të Shqipërisë, edhe pse e citon në favor të ish presidentit Topi. Ai nuk e kupton se numri i zgjedhëzve është përcaktues në numrin e deputetëve vetëm kur plotësohen disa kritere të tjera specifike. Unë jam shprehur se PS ka më pak deputetë se më 2009 edhe pse e pa konsumuar nga pushteti. Më 2009 PS arriti të marrë 66 deputetë, sot nuk arrin më shumë se 63, sepse 3 në listën e saj janë të LSI – së. Ai nuk kupton, nuk arrin të dallojë midis organizimit të zgjedhjeve, proçesit të votimit, numurimit të votës me shpejtësi dhe saktësi, për të cilat u arritën standarte të lartë dhe të respektuara në Perëndim, dhe shitbjerjes të votës, që u bë nëpër shtëpia, nëpër klube, në rrugë e kudo. Edhe pse kjo ishte dhunë finaciare mbi zgjedhësit, kjo nuk cënonte meritën e qeverisë në organizimin e zgjedhjeve më të mira në Shqipëri. Kaq ishte detyra e qeverisë. Ajo nuk mund të kontrollojë integritetin e çdo votuesi. Kjo është pjesë që duhet parë nga organet e hetimit.

Zoti Buçpapaj shprehet: “që në kuadrin e ndryshimit epokal që po pritet të ndodhë në Shqipëri” (rikthimit të komunistëve në pushtet – shënimi im) shpreson që të ndikojë edhe në “emancipimin” e mendësive të mia që unë të mos merrem më me Zonjën Buçpapaj. Qesharake. Unë nuk jam marrë për asnjë minutë me Zonjën Buçpapaj, por me mungesën e profesionalizmit, etikës dhe saktësisë së shkrimeve të saj.

Së fundi Zoti Buçpapaj e mbyll shkrimin:

“Ndërkohë, mendojmë se gazetari asnjëherë nuk duhet të konfondohet me lexuesin. Kjo lidhet me etikën profesionale dhe morale. Sepse nëse gazetarët guximtarë do t’i sulmonim rregullisht me taborret e militantëve, atëherë do t’ia marrim shpirtin së vërtetës. Zoti Çini është ekonomist, ai për arsyet e tij personale nuk i pëlqen shkrimet tona. Ok. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Për të shprehur mendimet e tij, ai ka spazion e komenteve si lexues, ku le të thotë çfarë mendon, pa fyer dhe pa cënuar integritetin e gazetarëve dhe të mediumit ku ata i botojnë shkrimet.

 – See more at: https://gazetadielli.com/sevdallinjte-manjake-te-partive-diversion-edhe-kunder-mediave-online/#sthash.aud5kTgv.dpuf

Ju lutem shikojeni edhe një herë inkonsistencën llogjike. I jep të drejtën vetes dhe së shoqes të sulmojnë personalisht këdo, dhe kërkojnë që të tjerët të mbyllin sytë para inkonsistencës llogjike, përpara mungesës së etikës, saktësisë, profesionalizmit dhe të vërtetës.

Hajro Çini M.A. Economics

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, Hajro Cini, reagim

GOOD MORNING, AMERICA – MIRËMËNGJES AMERIKË!

July 4, 2013 by dgreca

CARL SANDBURG (6.01.1878 – 22.07.1967)/

E shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ/
Në mbrëmje ka një sonatë perëndimi që bie mbi qytetet./
Ka një marsh të ushtrive të vogla me daulle dhe tam-tame të rralluara./
Rrokaqiellet e hedhin shtatlartësinë e tyre sipër, pingul mbi fortifikatat e zeza që bien mbi/
perëndimin e kuq./
Rrokaqiellet e mbërthejnë alfabetin e tyre perpendikular larg përtej duke ndryshuar trekëndëshat e argjendtë të yjeve dhe rrugëve./
Dhe kush i bëri ato ? Kush i bëri rrokaqiellet ?/
Njeriu i bëri ato, ai gaztori dy-këmbësh, Njeriu.
Prej mendjes së tij, prej ëndërrimeve të tij, duke projektuar copaqielli,
Duke skicuar skema të vogla dhe krenare që hidhnin valle lehtas në kokën e tij – Njeriu i bëri rrokaqiellat.
Me të dy duart e tij, me lopata, çekanë, karroca dore, makina, konvojerë, sinjale bilbilash; me me projekte, duke kalëruar skelat dhe bërë akrobaci ajrore dhe duke thirrur, Jepini, djem
Njeriu i bëri rrokaqiellet.

Faktet qëndrojnë të mbërthyera; faktet janë hije, fantazma.
Një kalë i vjetër që lëron tokën është një fakt.

Një traktor i ri ferme është një fakt.

Faktet qëndrojnë të mbërthyera; faktet fluturojnë me krahë zogjsh.

Gjaku dhe djersa janë fakte, dhe

Zotërimi i imagjinatës, përfytyrimit, të parët prapa dhe përpara,

Spiralet, boshti i rrutullimit, pistat e zbritjes që shuhen, treten

Sinjalet e dritave dhe yjet e errësuar të qytetërimeve.

Tani koka e një njeriu, sytë e tij janë fakte.

Njeriu sheh në kokën e tij, si në një pasqyrë,

Një katedrale, anije, urë, rrugë hekurudhore – një rrokaqielle-

Planet janë skicuar, projektet janë fiksuar,

Vizatimi dhe linjat, kanë marrë shtjellë të kjartë

Kështu fakti lëviz nga fakti tek fakti, duke u ndëthurur dhe ndërprerë.

Pastaj vjen më e shumta, pastaj vjen djersa dhe gjaku …

…..

5

Unë kam parë figura heronjsh të ngritur nëpër memoriale, si dëshmitarë të faktit-

Leif Ericson 1) prej bronxi të fortë të flaktë, qëndron si një hije e ngrirë, e përkulur, me sy kërkimtarë, mbi një kodër në Uiskonsin, duke soditur Liqenin Miçigan-

Kolombi prej bronxi është në qendër aty ku trafiku që vjen prej fundit të botës është më i rrëmujshëm duke u grumbulluar në Ishullin e Manhatenit-

Washingtoni qëndron në mermer duke pasur një shtjellë jete, mbi një tempull Romak në Kapitol Hill, në Riçmond, Virxhinia, me një të qeshur të ashpër dhe të zemruar, i rrethuar si në unazë prej rrokaqiellave-

Andrew Jackson 2) i bronxtë mbi një kalë bronxi, një kalë i vertetë shkëmbor me këmbët dhe putrat e parme në ajër, me bishtin përpjetë, sikur Gjenerali që heq nga koka e tij kokardën për të përshëndetur qytetarët dhe ushtarët e Republikës-

Ulysses S.Grant 3), serioz dhe i zymtë qëndron mbi një kalë të vogël bronxi duke dëgjuar pafundësisht hingëllitjet e kuajve të bardhë të Liqenit Miçigan që dëgjohen deri në

Ilinois-

Robert E.Lee 4), i shtrirë prej guri të bardhë, fle një gjumë fushimi në paqe midis njerëzve si ai të nderuar në Luginën Shenandoah 5)-

Memoriali i Linkolnit qëndron në një pikë nevralgjike, shumë të gjallë, ku kryqëzohen rrugët që të çojnë nga njëri breg tek tjetri, duke murmëritur, Bëhuni të mira me njëra-tjetrën motra; mos luftoni me njëri-tjetrin, vëllezër.

————-

1) Leif Ericson, lundërtar i shekullit të 10-të, pas Krishtit.

2) Andrew Jackson, presidenti i 7-të i SHBA (1767-1845)

3) Ulysses S.Grant, presidenti i 18 i SHBA (1822-1885)

4) Robert EdwardLee, Gjeneral i Konfederatës (1807-1870)

5) Luginë dhe Parku Nacional Shenandoah ndodhet në Shtetin Virxhinia.

 

Por a mund të pyesim ne – është lulja një fakt ?

Bima e brishtë që vyshket shpejt a do të

Mbijë në tokën e atdheut

Duke i dhënë frymën e saj gjetheve

Për një kronikë të fiksuar në pak ditë,

Për një simbol të mbajtur prej bletëve dhe erës ?

A do të mbjellë secili shtet lulet e tij më të dashura, që i do më shumë

Duke thënë Kjo lule jam Unë, Ne, kjo vjen nga toka e shkrifët, pjellore, kjo

do të thotë mikpritje e ngrohtë shtëpie për sytë tanë, këto gjethe prekin

rrënjët tona, fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë.

Lulja e kaltër e misrit përgjatë hekurudhës i ka gjurmët në Ilinois –

Nepërka e kuqërreme fshihet në pyjet e dëndur të Minesotës –

Preritë e trëndafilëve të egër kacavaren përgjatë udhëve të Ajovës –

Lulëkuqet e arta të Kalifornisë, kaktuset gjigande të Arizonës –

Lule-mollët e Miçiganit, pjergullat e Kentakit –

Shqopat e Uashingtonit dhe Virxhinias Perëndimore në çdo stinë të gjelbra –

Luletrumëzat Indiane të Vajoming-ut, rrënjët e panxharit të kuq të Montanës –

Luledelet e pafundme nëpër të gjithë Nebraskën –

Zambaku dhe tulipani i Utah-ut, lulet e pashkëve të Dakotës së Jugut –

Luleshqerrat sy-demi të Karolinës së Veriut, lulet e portokallit të Floridës –

Manjola e Luizanës, Lulepjeshka e Delauerit –

Përshëndetjet e heshtura dhe gazmore të lulediellit të Kansasit –

Bizoni i vjetër, tërfili dhe papagalli fytyrërremtë i Teksasit –

Pishat konike dhe xhufkat e kallinjve të misrit të Shtetit të vetmuar Main –

A do të jenë të gjitha këto, midis fakteve tona fantazma, hije ?

7

…….

Kombet lindin të vegjël si foshnjet.

Kombet pijnë gji dhe stërmundohen shumë; deri sa ata rriten;

Kombet sfiliten, luftojnë, qeshin, vuajnë, vdesin.

Kombet iu binden gjurmëve që lë trajektorja e hënës.

Ata ndjekin rendin kohor të natës, mëngjezit, mesditës, mrëmjes

dhe natës përsëri.

Kombet qëndrojnë në këmbë dhe e kanë ditën e tyre në pavionin e Katër Erërave.

Yjet e qiellit të natës i vëzhgojnë ata në fillimin e tyre, kur kapiten, kur shuhen,

veniten përpara atyre që posa kanë mbërritur, përpara heshtjes, përpara boshësisë së pavioneve.

Kombet lënë flamurët, sloganët, alfabetët, numrat, veglat e punës, rrëfenjat gjithë zjarr që flasin për ekzistencën e tyre; Kombet lënë kujtesën e grirë nga mola, dorëshkrimet, ditaret.

Dhe kështu, në pavionin e katër erërave

Erdhi në dritë edhe foshnja e vogël të cilën ata e thërritën Amerikë,

Amerika pinte gji, sfilitej, mundohej, qeshte dhe rritej.

Amerika e filloi jetën e saj njëlloj si foshnja.

Republika e re e vogël në fillim ishte në pelena,

Pastaj veshi një këmishë fëmije, me përpjekjet e saj për të bashkuar eshtrat.

Dhe kush mund të lexojë qarkun e hënës të saj tani?

Dhe kush do t’i tregojë së pari sekretet e

kripës dhe gjakut të saj?

…..

Po, ka pasur një ndërkohë,

Diçka ndodhi, gjithmonë diçka ndodh.

Historia është një kalë i gjallë që qesh me një kalë prej druri.

Historia është era që fryn atje ku dëgjohet.

Historia nuk të lejon që të vësh baste.

Historia është një kuti mashtrimesh që i ka humbur çelësi.

Historia është një labirint dyersh me pasqyra rrëshqitëse, një libër shifrash me

kodin e fshehur në një shpellë në detin e Saragozës,

Historia thotë, duke u lutur, Falmëni mua, Unë ju kërkojë ndjesë, unë kurrë më

nuk do të përsëris veten nëse unë do ta ndihmoj atë.

Po, ka pasur një ndërkohë,

Kur fantazmat lanin këmishët e tyre të bardha

Përsëri e përsëri në kovat e gjakut-

Dhe fantazma më e pikëlluar prej të gjithave qëndronte në këmbë në Gettysburg 6)

Duke u përpjekur që të ndante atë që duhej bërë nga ajo që s’duhej duke e lënë

të shumtën të pathënë, nëpër ajër.

———-

6) Beteja e Gettysburg-ut, një nga më të shënuarat gjatë Luftës Civile,

e cila u zhvillua më 1-3 Korrikun e vitit 1863. Më 19 Nëntorin e 1863,

kjo fushë-beteje u nderua prej Presidentit Linkoln si varrezë nacionale.

Atë ditë Linkolni në Gettysburg mbajti një fjalim të shkurtër disa minuta,

që mbeti i përjetësuar.

……..

14

Tani është Xhaxha Sami 7) duke u ulur në kulmin e rruzullit.

Jo shumë kohë më parë në kulmin e botës ishte Xhon Bull 8) dhe, pak më herët, ishte

Napoleoni dhe shqiponjat e Francës që i tregonin botës nga të nisej.

Spanja, Roma, Greqia, Persia, me topat e tyre, heshtat,

katapultat, anijet, e kanë pasur rradhën e tyre për të

udhëhequr qytetërimet e kësaj toke –

Një nga një ata e kanë hequr qafe njëri-tjetrin, ia kanë zënë vendin njëri-tjetrit, e kanë

mashtruar dhe lënë prapa njëri-tjetrin; ata vdiqën, humbën ose mbetën si relike, kjo s’është fort mirë, s’është fort mirë.

Njëri pas tjetrit, ata nuk janë më në kulmin e rruzullit – tani i Ardhuri

i Ri është Xhaxha Sami, është Amerika, andaj kënga thotë, “Yjet dhe

vijat përgjithmonë!”, edhe sikur kjo “përgjithmonë” do të jetë një

kohë e gjatë…

———

7) Uncle Sam, Xhaxha Sami, simbolizon SHBA

8) John Bull, simbolizon Britaninë e Madhe, sepse është krijuesi i Hymnit Kombëtar

15

Tek Zoti ne besojmë; kështu është shkruar.

“Tek Zoti ne besojmë” është shkruar edhe në çdo dollar të argjendtë.

Fakt: është se Zoti i Gjithfuqishëm na ka krijuar që të gjithëve.

Ne është ju dhe unë dhe të gjithë ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe të besosh Zotin do të thotë se ne i flijohemi,

të gjithë ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

Zotit, të Madhit Zot.

Po…ndoshta… a është kështu ?

…….

18

Dhe ne, ne populli,

Ne të cilët, natyrisht, nuk jemi somnambul, jerm

Ndoshta ne mund të murmurisim –

Ndoshta ndërsa pilotët shkasin në palltot e tyre të lëkurta,

Duke rrezikuar, me kohën që skadon përpara, dhe që i ngjan kafkës

të kryqëzuar me kocka, që do të thotë rrezik-vdekje,

Duke kalëruar me thasët e postës mbi shpinë përmes portokalleve gjatë lulëzimit,

shkretëtirave të kaktusit, Maleve Shkëmbore, Rrafshinave të Mëdhaja, Lumit Misisipi, atje ku mbillet dhe korret misri, Maleve Apalashe,

Kalëruar me thasët e postës mbi shpinë, duke mbërthyer me mish e shpirt timonin

nëpër sulmet me luftëthirrjen kalimtare, “Fat të Bardhë dhe Zoti ju bekoftë,”

Ndoshta, ndërsa ata kalërojnë dhe rrezikojnë nëpër rrugëtimin drejt qiellit përtejkontinental,

ndoshta ne mund të përshëndesim duke murmuritur –

Mirëmëngjez, Amerikë,

Mirëmëngjez, Zotëria Kush, Cili, Çfarë,

Mirëmëngjez, le të themi që të gjithë ne,

emrat tanë të vërtetë.

Mirëmëngjez Zotëri Dikushi, Askushi,

Kurrëkushi-që është Kurrëkushi krejt.

Mirëmëngjez, ju Larvat në Pluhur, Shqiponjat

në fluturim, dhe ju Pushtuesit e Kulmit të

Qiellit.

19

Ju i keni dhënë puthjen e lamtumirës një shekulli, një albumi të vogël të paçmueshëm.

Ju keni për t’i dhënë puthjen e lamtumirës dhjetë, njëzetë shekujve që do të vijnë. Ah ! ju

keni për të pasur kaq shumë albume !

Nëna juaj, Amerika ka punuar dhe ka mbledhur të korrat, frytet e gjeneratave –

Përtej kaskadës, vijnë të korrat e reja, gjenerata të reja të zhurmëshme,

të ardhur të rinj, që thërrasin, “Ja ku na keni ! Ne i përkasim Amerikës !

Shikona ne !”

MIRËMËNGJES, AMERIKË!

  Monroe dhe poeti duke pirë një koktejl…

E shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Elida Buçpapaj, Miremengjes Amerike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT