• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA: JO EMIGRIM SIPAS LIDHJEVE FAMILJARE- SIPAS MERITAVE

December 16, 2017 by dgreca

-Shtëpia e Bardhë synon të ndryshojë sistemin aktual të emigrimit drejt SHBA-së/

-Administrata e filloi fushatën e saj ditën e enjte nëpërmjet një blogu që nënvizon disa shifra kryesore, si: të dhëna të Departamentit të Sigurisë Kombëtare që tregojnë se gati 9.3 milionë nga rreth 13 milionë emigrantë të ardhur në SHBA në periudhën 2005 – 2016 janë tërhequr nga familjarët e tyre të vendosur në SHBA. Ndërsa vetëm 1 në 15 emigrantë u pranua në vend gjatë dekadës së fundit nëpërmjet kartave jeshile, bazuar mbi aftësitë e tyre./

1 Emigracioni

Shtëpia e Bardhë po fillon një fushatë për të kthyer opinionin publik amerikan kundër sistemit aktual të vendit për emigracionin, i cili bazohet përgjithësisht tek lidhjet familjare. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, synimi i fushatës është zhvendosja drejt një sistemi emigracioni të bazuar tek merita.Administrata kishte filluar madje përgatitjet përpara se një ekstremist i frymëzuar nga Shteti Islamik, i lindur në Bangladesh, të përpiqej të hidhte veten në erë në Manhatan. Administrata po mbledh të dhëna për të mbështetur argumentin se legjislacioni aktual për emigracionin jo vetëm që është i konceptuar keq, por se është edhe i rrezikshëm dhe i dëmshëm për punonjësit amerikanë.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, thotë se “ne besojmë që të dhënat drejtojnë politikat. Këto të dhëna do të ndihmojnë në mbledhjen e votave në Kongres për një reformim gjithëpërfshirës të emigracionit”.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë ia detajuan ekskluzivisht strategjinë e tyre agjencisë Associated Press, duke thënë se të dhënat tregojnë që ndryshimet duhen ndërmarrë menjëherë. Por, kjo përpjekje e tyre bëhet në një klimë të vështirë politike, pasi edhe vetë republikanët ngurrojnë të angazhohen në një debat madhor për emigracionin përpara zgjedhjeve të 2018-tës.

Çështja pritet të radhitet ndër pikat kryesore të fjalimit për gjendjen e kombit që Presidenti Donald Trump do të mbajë në Kongres më 30 janar. Shtëpia e Bardhë po planifikon edhe deklarata të tjera të Presidentit, të zyrtarëve të lartë të kabinetit qeveritar, si dhe një fushatë nëpërmjet mediave konservatore.

Administrata e filloi fushatën e saj ditën e enjte nëpërmjet një blogu që nënvizon disa shifra kryesore, si: të dhëna të Departamentit të Sigurisë Kombëtare që tregojnë se gati 9.3 milionë nga rreth 13 milionë emigrantë të ardhur në SHBA në periudhën 2005 – 2016 janë tërhequr nga familjarët e tyre të vendosur në SHBA. Ndërsa vetëm 1 në 15 emigrantë u pranua në vend gjatë dekadës së fundit nëpërmjet kartave jeshile, bazuar mbi aftësitë e tyre.

Të dhëna të tjera që do të bëhen publike përfshijnë një raport ku theksohet numri i emigrantëve në burgjet amerikane, një shqyrtim të mbingarkesës dhe vonesave në gjykata të dosjeve për azilkërkuesit, si dhe një studim që administrata thotë se provon lidhjet ndërmjet emigracionit dhe terrorizmit.

Kritikët kanë vënë në pikëpyetje përdorimin selektiv nga administrata të të dhënave që ndonjëherë kanë rezultuar se janë keqpërdorur.

Ky propozim për të braktisur sistemin e emigracionit të bazuar tek familja do të ishte ndryshimi më radikal i sistemit të emigracionit në Shtetet e Bashkuara gjatë 30 viteve të fundit. Kjo do t’i jepte fund asaj që kritikët dhe Shtëpia e Bardhë e quajnë “emigracioni zinxhir”, ku emigrantëve u lejohet të sjellin një sërë anëtarësh të familjeve të tyre në vend. Sistemi që do ta zëvendësonte, do të bazohej tek një skemë pikësh për arsimimin dhe potencialin e punësimit. Masa të tilla të bazuara tek meritat janë duke u përqafuar gjithnjë e më shumë nga vende të tjera, ndër to edhe Britania.

Publiku amerikan është i ndarë për këto ndryshime që shpreson të bëjë Presidenti Trump. Një anketim i Universitetit Quinnipac i zhvilluar në muajin gusht tregoi se 48% e votuesve kundërshtojnë propozimet e Presidentit Trump për të përgjysmuar numrin e emigrantëve të ligjshëm dhe për t’u dhënë prioritet emigrantëve bazuar tek aftësitë profesionale dhe jo më lidhjet e tyre familjare me SHBA-në. 44% e të anketuarve, ndër ta 68% e republikanëve, e mbështesin këtë ide të Presidentit.

Shtëpia e Bardhë shpreson që Kongresi të fillojë trajtimin e kësaj çështjeje në fillimin e vitit të ardhshëm, megjithëse zyrtarët thonë se nuk kanë filluar ende të diskutojnë strategjinë legjislative me udhëheqësit e Kongresit.(VOA- Associated Press)

Filed Under: Featured Tagged With: emigracioni, reforme e re, shtepia e bardhe

TË RINJTË SHQIPTARË , EMIGRACIONI DHE KRIMINALITETI

November 9, 2014 by dgreca

NGA KRISTO ZHARKALLIU
Jo njëherë kam shkrojtur për të rinjtë shqiptarë që dallohen në emigracion, sidomos në Greqi, si në shkolla ashtu dhe në punë, duke luftuar racizmin që ushtrohej kundër shqiptarëve akoma dhe në shkolla kur këta dalloheshin në mësime dhe, duhet theksuar, se nuk ishte aspak e rrallë dallimi i fëmijëve shqiptarë që na bënin të ndiheshim krenarë. Prindërit e tyre vuanin e rropateshin në punë shumë here të papërshtatëshme për moshën dhe atrsimimin e tyre duke u përpjekur që fëmijëve të tyre mos u mungonte asgjë dhe të mos dalloheshin nga fëmijët e vendasve, sidomos në veshje dhe në paraqitje të jashtme. Shumica e grave-dhe nënave- shqiptare, megjithse kishin në xhep një diplomë universiteti, u detyruan të bëhen pastruese në shtëpitë e grekëve madje shumë here duke pasur burrin papunë, kësisoj, ato mbajtën familjen me buke dhe fëmijët të rriten sa më mire. Por kjo pati dhe pasojat e saj negative në familje, sidomos në edukimin e fëmijëve që po rriteshin në një shoqëri të egër kapitaliste dhe aspak miqësore ndaj tyre si të huaj që ishin. Duke pasur si justifikim “mbrojtjen nga racizmi”gjënë e pare që bënë-dhe bëjnë- shumë nga këta ishte të “harronin”gjuhën e “memes” ( e cila shumë pak kohë kishte të mirrej dhe të fliste gjuhën e saj me ta) dhe të paraqiten si vendas me shpresë se kështu vendasit do t’i pranonin sit ë barabartë në mes tyre. Ndërkohë, duke mos pasur kontrollin ose kujdesin e duhur prindëror, po përqafonin përherë e më shumë dukuritë e pahijëshme të të rinjve të vendit, madje duke u përpjekur t’u a kalojnë atyre në këtë drejtim.
Masakra e një të riut në Tiranë i cili vrau katër veta, si pa të keq, sikur ishte e drejta e tij të mirte jetën e kaq bashkëmoshatarëve të tij, nuk duhej kurrsesi të shfrytëzohej politikisht por të vështrohej nga ana shoqërore të një sistemi “demokratike” që po lind e krijon përbindsha të tillë. Nuk mund të mos brengosë fakti se shumica e kriminelëve shqiptarë (të çdo krimi), janë të rinj që janë lindur e rritur në këtë shoqëri 25vjeeçare “demokratike”. Duke lexuar e dëgjuar kaq komente dhe “opinione” rreth këtij krimi, mendova se edhe njëherë po diskutohej më shumë për “politikë” se sa për një tatëpjetë të rrezikëshme që ka marrë rinia shqiptare e cila po rritet e edukohet se mund të bëjë ç’të dojë se demokracia kjo do të thotë: gjithsecili të jetë i lire të bëjë ç’të dojë! Nga ana tjetër u “shënjtërua” paraja: kushdo që mund të pasurohet në ç’do mënyrë, është i aftë! Brënda pak viteve, Shqipëria që në kohën e diktaturës nuk dinte ç’ishin lëndët nakotike, u shndërrua në një “Kolumbi” europjane, madje kjo me “bekimin” e pushtetarëve. Shqiptarët pra “furnizonin” me drogë të gjithë Europën dhe ngahera dëgjonin se si arrestoheshin të rinj shqiptarë që përpiqeshin të “transportonin” “kontrabandë” lëndë narkotike. Madje Llazarati, një fshat i vogël dhe i papërfillëshëm në jug të Shqipërisë u bë i famëshëm sepse prodhonte me mijra ton bimë narkotike, duke pasur edhe…mbrojtjen e shtetit (ose duke pasur imunitet të plotë nga qeveritarët se kaq vite asnjëherë nuk lejuan të ndërhynte policia…madje ka të ngjarë që pushtetarët e asaj kohe të krenoheshin me famën e Llazaratit!). Por dihet se droga krijon dhe kriminalitet. Këto të dyja nuk ndahen kurrë, ecin të kapur dorë më dorë! Sa të rinj shqiptarë u arrestuan dhe u dënuan për trafik droge në të gjitha vendet e Europës e më tej? Askush nuk ka marrë mundimin t’i numërojë. Tekefundit, kujt i intereson? Të tjerë vijnë pas këtyre…
Një dukuri tjetër po kaq e rrezikëshme dhe e vajtueshme, është prostitucioni- edhe kjo dukuri e panjohur në kohën e diktatutrës. Sa femra shqiptare u shpërndanë në botë të trafikuara nga të afërmit e tyre, shumë here të fejuar, bashkëshortë akoma dhe vëllezër, për të ushtruar “profesionin” më të lashtë në botë? Sa të rinj dhe të reja shqiptarë kanë humbur jetën, ose janë mbyllur në shumë burgje të huaj për këtë “trafikim”? Sa shqiptarë kanë mundur të lexojnë- nuk besoj të jetë përkthyer shqip se shtëpitë botuese mirren me shkrimtarë të “mëdhenj” librat e të cilëve “shiten”,- librin e tmerrëshëm të anglezes Sophie Hayes “Trafficked: The Terrifying Story of a British…” ku flitet për shfrytëzuesit shqiptarë të një vajze të re angleze, që u paraqit akoma dhe në OKB? Si dhe kur këta të rinj shqiptarë u edukuan dhe u mësuan me të gjitha të këqiat e botës perendimore kapitaliste? Pse kudo që ndodh diçka e keqe një shqiptar do të jetë domosdo brenda? Vetëm pak ditë më pare në qender të Athinës një shqiptar i ri duke vrapuar në mënyrë marramendese me makinën e tij, mori zvarrë disa makina të tjera duke vrarë katër veta një prej të cilëve ishte një vajzë 24vjçare shqiptare? Ku e mori patentën ky dhe ku i gjeti paratë për të blerë një veturë të tillë kur nuk dihej të kishte punuar gjëkundi? Dhe jo vetëm kjo…Shikoni dhe lexoni se kudo që ndodh ndonjë gjëmë e madhe patjetër një shqiptar do të jetë aty. Ku u rritën, ku po rriten të gjithë këta të riinj? A nuk duhet dikur shqiptarët ta marrin veten dhe të kuptojnë se fitimi i parasë nuk është mbi të gjitha, nuk është gjithçka? A nuk duhet kuptuar se kësisoj shoqëria shqiptare po kalbet përditë e më tepër?
Ndoshta jam pak i ashpër, por ka ardhur koha që të shqetësohemi dhe të kuptojmë se duhet të bëjmë diçka. Jo rrallë herë-si thamë më sipër, ndeshemi me dukuri të pahijëshme të të rinjve shqiptarë-kryesisht adolishentë- në rrugët e Athinës. Këta dallohen nga veshja ekstreme, nga prerja e flokëve në mënyrë qesharake dhe nga fjalori i tyre tepër i bezditëshëm, që të mos përdorim ndonjë shprehje më të rëndë. Të gjithë këta qarkullojnë me nga një celular-zakonisht model i fundit- flasin me zë të larttë, bezdisin femrat (fatmirisht vashat shqiptare akoma nuk janë dukur të shoqërohen me këta!) dhe ngahera janë në grupe nga tre katër e lartë. Jo njëherë kam qënë i detyruar t’u bëj vërejtje me rreptësi, por shumë here tallen me çdo njeri që guxon t’u bëjë ndonjë vrejtje. A e dine prindërit e tyre ku janë fëmijët e tyre? Apo i kontrollojnë nëpërmjet celularit? Sigurisht vitet e fundit është në mode “kontrolli” nëpërmjet celularit, madje prindërit justifikojnë pajisjen e fëmijës së tyre të mitur me një vegël të tillë komunikimi se gjoja e kontrollojnë. Por celulari ka një të metë të madhe: nuk të thotë vetë ku gjendet fëmija dhe çfarë bën kur prindërit e…kontrllojnë. Që të mos flasim për internetin që nënat shqiptare pajisin fëmijët e tyre që në moshën dhjetvjeçare, pa njohur vetë përdorimin e tij dhe pa mundur kurrë se si komunikon dhe me cilin fëmija e mitur akoma. Të gjitha këto duhet t’i kenë të rinjtë por në një moshë pak më të pjekur dhe, kryesisht, kur prindi është në gjendje ta kontrollojë. Ndryshe e mori ferra uratën…
Moskontrollimi i fëmijëve të emigrantëve- nga nevoja për të jetuar sigurisht- nuk e justifikon qëndrimi i prindërve ndaj tyre, të cilët u plotësojnë të gjitha kërkesat e tyre parakohe. Kohët e fundit dy ngjarje që më ndodhën mua më bënë të shqetësohemn seriozisht se diçka nuk shko mire me fëmijët e pakontrolluar nga prindërit kur këta janë në moshë të njomë. Një ditë udhëtoja me tramvajë dhe në një stacion u “sulen”pesë gjashtë djema, të gjithë të qethur keq dhe me tatuazhë në krah (këto nuk i shikojnë prindërit e tyre?) dhe, duke folur zëlatrtë nisën sharjet më banale here shqip here greqisht, duke bezdisur të gjithë pasagjeret.Në të kaluarën në raste të tilla kur u bënja ndonjë vërejtje, menjëherë mblidheshin dhe më kërkonin të falur, prandaj dhe kësaj radhe mendova t’i “qetësoj” pak. Veçse u tallën me vërejtjet e mia duke më quajtur…plak I mjerë dhe vazhduan sharjet dhe shëmtimet e tjera. Ç’të bëja? E ndieva veten keq se të gjithë pasagjërët, sidomos disa të moshuar,gjetën rastin të komentonin “shqiptarët e pacipë që po u prrishin…shoqërinë e tyre të…bukur!” Ajo që më brengosi më shumë ishte se të gjithë këta-më i madhi nuk i kalonte të pesëmbëdhjetat- kishin në duar celularë dhe paketa cigaresh. Rasti i dytë më ngjau disa ditë më pare. Pranë shtëpisë sime është një ndërtesë e re që akoma nuk ka përfunduar. Në hyrje ka një hapësirë për parking, ku ndërtuesi ka vendosur rreth e rrotull mermerë të bardhë dhe një ambjent për të mbjellur lule. Përkohësisht atje futej vetëm një automjet, madje më sa më thane në atë pallat banonte vetëm një familje. Çdo mbasdite deri natën vonë atje mblidheshin rreth dhjetë pesëmbëdhjetë adolishentë që punën e pare që bënë ishite të shkruanin të gjitha muret dhe mermerët me gjëra nga më të çuditëshme, por ajo që mbizotërone, ishin sharjet ndaj femrave në gjuhën shqipe. Një mbrëmje më mori telefon pronari i ndërtesës dhe m’u lut të ndërhyja se mos “ata rrugaçët shqiptarë”(ashtu më tha) do të më dëgjonin mua dhe do të largoheshin dhe të mos dëmtonin më ambjentin e pallatit. Ishin rreth pesëmbëdhjetë “fëmijë” (më i madhi nuk i kalonte të pesëmbëdhjetat dhe më i vogli të dhjetat) të cilët të gjithë tymosnin duhan, dhe shkruanin parrulla të fëlliqur. Njëri prej tyre ishte ngjitur çati të makinës dhe kërcente valle atje sipër! Unë u luta të largoheshin dhe të mos dëmtonin më ambjentin…por ata nisën të talleshin me mua, madje më kërcënuan me arrogance. Pasi u largova unë ata thyen të gjithë mermerët gjë që detyroi pronarin të ftojë policinë…
Ç’do të bëhen pra këta kur të rriten ose kur të kthehen në Shqipëri-në se dikur do të kthehen? Vandalistë, drogamanë, kriminelë… A ja vlen për prindërit e tyre të rrisin fëmijë të tillë duke u përpjekur të fitojnë para? Duke mbyllur këtë shkrim dua të theksoj se shumica dërmuese e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë në emigracion rriten miirë dhe na nderojnë kudo. Shqiptarët shkëlqejnë në shkolla, në profesione në jetën e përditëshme.Rrugaçët dhe vandalistët janë një pakicë, por gjithandej kjo pakicë duket, kjo dëmton emrin e shqiptarit se racistët tek ata mbështeten që të shajnë dhe të akuzojnë shqiptarët… NJë shqiptar kapet për drogë- të gjithë shqiptarët të tillë janë, thonë, një shqiptar kapet për vjedhje, akuza bie mbi të gjithë ashtu si akuzohen të gjithë për kriminelë kur dikush kryen krime. Prandaj kujdesi duhet të drejtohet ndaj asaj pakicë që në mënyrë të pavetëdijëshme dhe të papërgjegjëshme, lënë fëmijët e tyre pa kujdesin e duhur prindëror, duke krijuar kështu, rrugaçët, vandalistët dhe kriminelët e së nesërmes. Për fëmijët e mire-të tillë janë shumica dërmuese, si thamë- kemi shkrojtur dhe do të rishkruajmë në të ardhmen se këta na bëjnë krenare të gjithë se kur je në emigracion nuk mund ta ndash veten nga komuniteti i bashkatdhetarëve nuk mund t’u shpëtosh akuzave dhe sharjeve raciste sepse je një pjesë e atij komunitetit kombëtar, je një përbashkët me të gjithë. Prandaj besoj se duhet një punë e madhe që fëmijët e shqiptarëve-fëmijët tanë- të rriiten jo vetëm të shëndetëshëm por edhe të moralëshëm me ndienja të larta mëmëdhetare.

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE KRIMINALITETI, emigracioni, KRISTO ZHARKALLIU, TË RINJTË SHQIPTARË

Emigracionit shqiptar i survejuar nga shërbimet sekrete jugosllave

October 4, 2013 by dgreca

Nga Qerim Lita/

Emigracioni politik shqiptar, i vendosur në shtetet e Evropës Perëndimore, SHBA dhe në Turqi, pas Luftës së Dytë Botërore pati një rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së pazgjidhur shqiptare nën pushtimin e Jugosllavisë komuniste. Shërbimi sekret jugosllav, nëpërmjet rrjetit të vet mirë të organizuar të agjenturës, që shtrihej thuajse në të gjitha shtetet e sipërpërmendura, e përcillte me vëmendje çdo lëvizje ose aktivitet të organizatave të emigracionit politik nga federata e atëhershme jugosllave, në radhë të parë të organizatave shqiptare e kroate. Në prill të vitit 1973 shërbimi sekret maqedonas nëpërmjet një informate rreptësishtë të besueshme, e njoftonte kryesinë e KQ të LKM-së, për aktivitetin e organizatave politike të emigracionit shqiptar e atij maqedonas në fillim të viteve shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, pastaj për rolin e disa personaliteteve të atëhershme më me ndikim shqiptar, siç ishin Princi Leka I, Xhafer Deva, Mentor Qoku etj. Dokumenti gjendet në Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë, fondi 427, ndërsa me këtë rast po e publikojmë pjesën e dokumentit në të cilën përshkruhet aktiviteti i emigracionit politik shqiptar.
Rreptësishtë e besuar, Shkup, prill 1973
Ngjarjet e njohura në vend dhe jashtë në vitet e fundit (veçmas në vitet 1971-1972) të cilat drejtpërsëdrejti lidheshin me aksionet ekstreme të emigracionit armiqësor jugosllav, bukur mirë e kualifikojnë aktivitetin e emigracionit dhe rolin e saj që disa faktor të caktuar të Perëndimit gjithmonë ua caktojnë, varësisht nga marrëdhëniet konkrete momentale ndërkombëtare. Emigracioni politik jugosllav sipas përbërjes, strukturës, organizimit të vet, si dhe platformës dhe metodës politike të të vepruarit si tërësi, është shumë heterogjen. Mirëpo, ai është unik kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndaj RSFJ-së, sepse aktiviteti i tij është antikomunist dhe anti-jugosllav, i angazhuar në copëtimin e RSFJ-së, të sistemit të saj politiko-shoqëror. Në kuadër të aktiviteteve të emigracionit jugosllav një rol të caktuar i është dhënë edhe emigracionit politik maqedonas dhe atij shqiptar.
Emigracioni shqiptar /Pjesa armiqësore e emigracionit shqiptar në vitet e fundit zhvillon aktivitete më intensive për konsolidimin politik e organizativ dhe për kryerjen e veprimtarisë propaganduese e subversive kundër RSFJ-së dhe RP të Shqipërisë. Në këtë plan janë evidente edhe disa përpjekje për bashkëpunim me organizatat ekstreme ustashe dhe bullgare, për mbështetje reciproke dhe ndërmarrje të aktiviteteve konkrete. Janë prezente edhe përpjekjet për përfshirjen e të shpërngulurve dhe qytetarëve tanë të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme jashtë dhe shfrytëzimin e tyre për përcjelljen e aktiviteteve në vend. Krahas emigracionit të paraluftës e të pasluftës nga RP e Shqipërisë, në Perëndim gjenden rreth 4.000 emigrantë shqiptarë me prejardhje nga RSM-ja, prej të cilëve për 699 disponohet me të dhëna për aktivitete armiqësore para emigrimit. Numri më i madh i tyre janë në RFGJ (Republika Federale e Gjermanisë – Q.L.), Francë, Itali, Belgjikë, Turqi dhe SHBA. Grupe të caktuara të emigracionit ndërmarrin aktivitete më të gjëra për t’u freskuar me anëtarë të rinj nga mesi i të shpërngulurve pas luftës dhe nga punëtorët me punë të përkohshme. Në këtë periudhë nëpërmjet të ashtuquajturit komiteti i të shpërngulurve në Romë, Vjenë dhe në vende tjera, në SHBA janë shpërngulur 1.000 shqiptarë nga RSM-ja, ekzistenca e mëtejshme e të cilëve është e kushtëzuar me përfshirjen në aktivitete të emigracionit, ndërsa ndikimi propagandues kryhet edhe ndaj krahut tonë punëtor në diasporë, ku gjenden rreth 12.000 persona të kombësisë shqiptare.
Përkundër asaj se disa organizata të caktuara kanë dispozitat e veta programore, platforma e tyre e përbashkët politike është realizimi i bashkimit kombëtar e territorial nëpërmjet krijimit të “Shqipërisë së Madhe”, që do t’i përfshijë të gjitha viset të banuara me shqiptarë: RP e Shqipërisë, Epiri (bëhet fjalë për Çamërinë – Q.L), Kosova dhe pjesë nga Maqedonia Perëndimore. Një platformë të tillë e përhapin udhëheqjet qendrore të organizatave shqiptare në diasporë, selitë e të cilave gjenden në Nju-Jork, Romë dhe Paris, ndërsa e mbështesin edhe drejtuesit e degëve të shteteve evropiane. Orientimi politik deri para pak kohësh drejtohej nga “Komiteti Kombëtar Pan-shqiptar” në Nju-Jork, në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të deleguar nga organizatat përkatëse. Edhe pse nga viti 1971 ky komitet nuk funksionon për shkak të ndërprerjes së mjeteve financiare nga rrethe të caktuara reaksionare në Perëndim, përsëri përfaqësuesit e tyre ende marrin pjesë thuajse në të gjitha aktivitetet.
Roli i princit Leka Zogu I /Rolin e Komitetit në kohë të fundit gjithnjë e më tepër po e merr princi Lekë Zogu I dhe personalitete të tjera nga “Legaliteti”, “Lidhja e Prizrenit” dhe “Blloku Kombëtar Indipedent”, të cilët ngrenë iniciativa për tejkalimin e patolerancës ekzistuese dhe antagonizmat personale, me qëllim të bashkimit të emigracionit shqiptar në “Botën e Lirë” dhe pranimin e një platforme të vetme për veprimtari armiqësore. Për këtë qëllim nën udhëheqjen e Lekë Zogut, më 2-4 korrik të vitit 1972 në Madrid qe mbajtur tubim i përgjithshëm në të cilin morën pjesë përfaqësues të 9 organizatave më me peshë të emigracionit shqiptar. Edhe pse në të u shfaqën mospajtime të dukshme, tubimi solli një dokument programor për zgjerimin e aktiviteteve armiqësore ndaj RSFJ-së dhe RPSH-së (Republikës Popullore të Shqipërisë – Q.L.), të cilin e nënshkruan përfaqësuesit e 7 organizatave. Aty qe zgjedhur “Komiteti përgatitor” prej 9 anëtarëve në krye me Dr. Xhafer Devën (kryetar i KQ të “Lidhjes së Prizrenit”), i cili do t’i koordinonte dhe bashkonte aktivitetet e organizatave nënshkruese të “Marrëveshjes” deri në mbledhjen e ardhshme në Nju-Jork, e cila u mbajt më 23-26 nëntor 1972, ku gjithashtu nuk u arritën rezultatet e pritura në planin e bashkimit dhe krijimit të unitetit. Iniciativat më të reja kanë për qëllim ta përforcojnë aktivitetin ndaj RPSH-së dhe shtetit tonë (jugosllav – Q.L) në planin politiko-propagandues dhe subversiv në mesin e emigracionit dhe qytetarëve tanë të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme në diasporë, ndërsa nëpërmjet tyre të zgjerohet edhe këtu te ne. Konkluzionet e tubimeve të përgjithshme dhe të udhëheqjeve qendrore ndikuan edhe te udhëheqjet regjionale dhe ato lokale në shtetet evropiane, të cilat mbajnë tubime më të shpeshta, ndërsa në ta marrin pjesë edhe persona nga RS e Maqedonisë (emigrantë dhe disa me punë të përkohshme). Aktivitete më të shprehura kundër shtetit tonë (RSM dhe KAS Kosovës) zhvillojnë disa degë të emigracionit shqiptar në RFGJ, Belgjikë, Francë, Itali dhe Turqi. Emigrantë dhe individë me punë të përkohshme nga RSM janë anëtarë dhe tregojnë aktivitet në grupet “Lidhja Shqiptare” në Dyseldorf, “Lidhja e Vardarit” në Marsejë, “Kompania 4.000” në Kajzerslautern dhe në disa punkte të “Ballit Kombëtar” dhe “Lidhjes së Prizrenit” në Paris, Bruksel, Romë, Munih dhe Stamboll.
Punktet e emigracionit/Padyshim se punktet e emigracionit përbëjnë çerdhe të agjenturave të disa shërbimeve sekrete dhe të institucioneve tjera policore. Në këtë drejtim veçmas është aktiv “Balli Kombëtar”, në krye me Mentor Qokun në Romë, i cili mban kontakte me persona nga RSM dhe KAS të Kosovës, të cilët udhëtojnë nëpër Itali dhe nëpërmjet tyre grumbullon të dhëna për gjendjen dhe disponimin e kombësisë shqiptare në vendin tonë, përfshirjen e saj në organet e caktuara shoqërore dhe shtetërore, si dhe në udhëheqjen me ekonominë. I njëjti, si udhëheqës i Komitetit për Shpërngulje në SHBA, bashkëpunon ngushtë me policinë italiane dhe me Ambasadën e SHBA-së në Romë. Ai me secilin kandidat zhvillon bisedë më të gjerë nëpërmjet së cilës kryen kontrollin e personave, me qëllim që ashtu të pengohet “infiltrimi komunist”, e njëkohësisht bënë edhe grumbullimin e të dhënave me karakter zbulues. Propaganda e shkruar e emigracionit shqiptar në mesin e punëtorëve tanë me punë të përkohshme kryesisht zbatohet nëpërmjet shpërndarjes së gazetave të emigracionit “Flamuri”, “Dielli”, “Atdheu”, “Besa” dhe “Qëndresa Shqiptare”, prej të cilave një numër i vogël në mënyra të ndryshme futen edhe në vendin tonë. Shkrimet e këtyre gazetave kryesisht përfshijnë çështje organizative të emigracionit dhe bëhet paraqitja jo e drejtë e gjendjes së kombësisë shqiptare në Jugosllavi. Në mesin e emigracionit dhe punëtorëve tanë në Evropën Perëndimore bëhen përpjekje edhe për imponimin e ndikimit edhe nga ana e përfaqësive diplomatike shqiptare. Nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta, shpërndarjes së materialit propagandues, mbajtjes së tubimeve nëpër klube dhe nëpër hapësira të tjera grumbullohen të dhëna për gjendjen në RSFJ dhe ashtu synohet lidhja e tyre me politikën e RP të Shqipërisë, gjatë së cilës për bazë shfrytëzohet nacionalizmi…
Aksionet e Shërbimeve/SHSSH (Shërbimi i Sigurimit Shtetëror – Q.L), në kuadër të kompetencave dhe detyrave të veta ligjore, në mënyrë permanente ka zhvilluar aksione ofensive e të organizuara në pengimin e aktiviteteve armiqësore të emigracionit, në eliminimin e përpjekjeve të shumta për depërtimin e emigracionit në mesin e punëtorëve tanë jashtë dhe në mënyrë më të rreptë i ka prerë të gjitha përpjekjet për krijimin e çerdheve dhe lidhjen me vendin (mendohet për Jugosllavinë – Q.L.). Në këtë periudhë është rritur numri i vizitave të emigrantëve nga shtetet evropiane dhe SHBA-ja. Kështu në RSM kanë qëndruar mbi 150 emigrantë. Rreth 30 prej tyre kanë mbajtur kontakte armiqësore me persona armiqësisht të disponuar në vend. 15 prej tyre u është ndërprerë qëndrimi i mëtejshëm. Qëndrimi i të gjithë emigrantëve është siguruar në mënyrë operative, ndërsa me numrin më të madh të tyre është zhvilluar bisedë e drejtpërdrejtë. Përveç çerdheve dhe emigrantëve, masa të pengimit janë ndërmarrë edhe ndaj disa qytetarë tanë me punë në diasporë, të cilët në një farë mënyre janë përfshirë në aktivitete armiqësore të emigracionit. – Janë dhënë aktpadi penale për lidhje me emigracionin armiqësor dhe kryerjen e propagandës armiqësore kundër 5 personave dhe të gjithë janë dënuar; – Janë paditur 26 personave sipas ligjit për kundërvajtje. – Janë marrë 139 dokumente të udhëtimit për shkak arsyeve më të gjëra të sigurisë, ndërsa për shkak arsyeve të njëjta janë zgjidhur negativisht kërkesat për marrje të dokumentit të udhëtimit të 355 personave; – Janë dhënë vërejtje ndaj 281 personave për shkak paraqitjes dhe kontakteve armiqësore me emigrantët drejtues të veprimtarive armiqësore.
Këta dhe masa të tjera që i ndërmerr OPB-ja (Organi i Punëve të Brendshme – Q.L.) janë të orientuara në pasivizimin e grupeve, largimin e punëtorëve tanë nga ndikimi i emigracionit, diskreditimin e disa personave të caktuar drejtues dhe thellimin e përçarjes ekzistuese, me qëllim të paralizimit dhe pengimit të aktiviteteve armiqësore ekzistuese dhe atyre të paralajmëruara. Mirëpo, aksionet e OPB-së do të jenë edhe më efikase kur në ballafaqimin e drejtpërdrejtë me emigracionin armiqësor do të jenë të inkuadruar të gjithë faktorët nga vendi dhe jashtë, siç është nënvizuar në fakt në të gjitha dokumentet e kohës më të re.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Lajm”

 

Filed Under: Featured Tagged With: emigracioni, i survejuar, nga sherbimi jugosllav, Qerim Lita

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT