• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lufta ruse do të sjellë fundin e Carit të Kremlinit, Europa e përçarë për anëtarësimin e Ukrainës në BE

June 17, 2022 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/

Ukraina është shndërruar në arenë lufte për afro katër muaj, ndërsa makineria ushtarake e Rusisë po vret të pafajshëm duke cënuar të drejtën legjitime të ekzistencës së një shteti sovran, që ka miratimin e popullit. Duket se konflikti Rusi-Ukrainë nuk do të shuhet shumë shpejt, edhe pse lufta e hapur nga vetë Cari i Kremlinit, Vladimir Putin, do të shënojë fundin e tij dhe sistemit autokrat në një kohë të afërt, pas 23 viteve të mbretërimit në pushtet, për shkak edhe të sanksioneve shtrënguese që i ka vendosur Perëndimi. Konflikti Rusi-Ukrainë e ka ndarë botën sërish në dy blloqe ashtu si në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore; SHBA dhe Europa pro ruajtjes së sovranitetit të shtetit të Ukrainës, ndërsa shtetet si Kina, Kuba, Irani, Venezuela janë rreshtuar pro Rusisë. Turqia ka mbajtur një qëndrim neutral, por që ka shtuar deklaratat për paqe dhe konsensus mes dy vendeve. Populli i pafajshëm ukrainas po vuan në lëkurën e tij kapriçot dhe dalldisjet e fundit të Putinit, ku makineria ushtarake e “vdekjes” nuk po kursen as fëmijët, duke ua ndërprerë në mes të drejtën për të jetuar dhe duke minuar të ardhmen. Kjo situatë të kujton luftën e Kosovës, genocidin serb, kur makineritë ushtarake të Millosheviçit kryen krime nga më makabret mbi popullin e Dardanisë. Pasojat e ideologjive fashiste, komuniste, uzurpuese, gjithmonë i kanë vuajtur të pafajshmit.

Superfuqia dominuese, SHBA-të, garantja e demokracisë dhe sigurisë në botë, dhe kontinenti plak, Europa, ndihen në presion përballë një agresori të pabindur si Putin, i cili nuk njeh konsensus dhe limite, por u qëndron stoik pretendimeve të tij ndaj Ukrainës, duke kërcënuar botën me armët bërthamore në rast se do të hyjnë në luftë kundër Rusisë. Kjo situatë të kujton Luftën e Ftohtë pas Luftës së Dytë Botërore, ku SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik, si dy superfuqi, ndaheshin në shumë pikëpamje. Shkaku kryesor i kësaj lufte është siguria që ka kërkuar Putin për mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO. Madje, Putin ka qenë ai që ka akuzuar SHBA-të se janë ato që provokuan konfliktin në Ukrainë, pasi, sipas tij, NATO ka afruar infrastrukturën e saj ushtarake gjithnjë e më pranë kufirit rus. Por, Putin kërkon të vrasë me një “gur” dy zogj. Cari i Kremlinit përpiqet të gjejë një fajtor, në këtë rast SHBA-të, për t’ia atribuuar peshën e luftës, dhe ta nxjerrë jashtë loje si superfuqi, duke rikthyer BRSS dhe duke dominuar në Ballkan së bashku me Serbinë, një projekt i vjetër ky, por që do të mbetet veç një ëndër. Gjithashtu, edhe pse “Perdja e Hekurt” ka rënë në 1989, Putin kërkon t’i rikthejë peshën dominuese Rusisë si në kohën e ekzistencës së Bashkimit Sovjetik, i cili shërbeu si model frymëzimi për instalimin e regjimit komunist në vendet e Europës Juglindore. Përpos kësaj, lufta e Rusisë kërkon të zhvendosë SHBA-të si superfuqi botërore dhe Putin t’i rikthejë Rusisë “lavdinë” dhe “dinjitetin” e munguar. 

SHBA-të dhe Europa kanë dërguar në Ukrainë ndihma ushtarake për llogari të luftës, madje një paketë e re do të miratohet për Ukrainën, për të modernizuar ushtrinë e saj. Kjo ndihmë përfshin armë të rënda dhe sisteme raketore me rreze të gjatë. Gjithashtu, Gjermania ka dërguar shumë armë në Ukrainë. Konflikti Rusi-Ukrainë është një konfikt delikat, ndërsa SHBA-të dhe BE-ja po tregohen disi të pjekur për të mos zhytur botën në një luftë të tretë botërore. A duhet të vazhdojë SHBA-ja dhe BE-ja të mbajë këtë qëndrim duke parë se si makineria e “vdekjes” ruse po vret fëmijë?! Komandanti i Forcave të Aleancës në Europë, gjenerali Ëesley Clark, në një deklaratë u shpreh se pushtimi rus i Ukrainës nuk do të ndalet pa ndërhyrjen e NATO-s, duke sjellë në vëmendje konfliktin në Bosnje, i cili u shua vetëm me ndërhyrjen e NATO-s. Por situata nuk është e njëjtë, pasi Rusia mbetet një nga shtetet më të fuqishme bërthamore. “Nuk duhet të ketë dyshim për askënd se çdo agresor potencial do të përballet me disfatë dhe pasoja ogurzeza nëse sulmon drejtpërdrejt vendin tonë”, ka kërcënar Putin. Thyerja e Rusisë në konfliktin me Ukrainën do të shpëtojë shumë shtete të tjera që mund të kenë të njëjtin fat si Ukraina; shtetet satelite të Rusisë, shtete të tjera si Bosnja dhe Hercegovina, kur Millosheviçi kishte në plan të krijonte “Serbinë e Madhe”. Pra, dështimi i luftës ruse do të mbante të ngrirë edhe shumë konflikte të tjera, që do të mjaftonte vetëm një shkëndijë të sillte përfshirjen e gjithë Ballkanit në luftë. 

Përpos ndihmave për të modernizuar ushtrinë e Ukrainës, SHBA-të dhe Perëndimi i kanë vendosur sanksione shtrënguese Rusisë, ekonomia e së cilës shumë shpejt do të dobësohet. Së fundmi, Egjipti, Izraeli dhe Bashkimi Evropian nënshkruan marrëveshjen për të rritur shitjet e gazit natyror të lëngshëm për vendet e BE-së, të cilat synojnë të reduktojnë varësinë e tyre nga furnizimet nga Rusia. Edhe Presidenti Amerikan, Joe Biden, ka ndaluar të gjitha importet e naftës dhe gazit rus. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të ndalojë gradualisht importet e naftës ruse, deri në fund të vitit 2022. Por që kjo situatë ka sjellë rritjen e çmimit të gazit natyror dhe të lëngshëm në të gjithë botën. Pasojat e luftërave nuk janë të mira për asnjë vend, ashtu siç kemi eksperiencën me Luftën e Madhe 1914-1918, që solli shkatërrime, dëme materiale dhe ekonomike, e humbje të mëdha në njerëz. Megjithatë, këto sanksione do të ndikojnë negativisht në ekonominë e Rusisë, duke pasur parasysh edhe shëndetin jo të mirë të Putin, që, të gjitha, të marra së bashku do të sjellin dobësimin e pushtetit të tij. Dobësimi i Rusisë, ku ka pothuajse të gjithë botën kundër, është një moment i duhur për t’i ushtruar presion Serbinë për njohjen e Kosovës. Kjo është një çështje tjetër. 

Tashmë, për të normalizuar situatën dhe për të sjellë stabilitetin në Ukrainë, është hedhur ideja që Ukraina të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkimin Europian. Por, familja e madhe europiane është e përçarë sa i takon dhënies së statusit të vendit kandidat në BE, Ukrainës. Gjermania është pro zgjerimit, ndërsa Franca, si gjithmonë është skeptike në zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo vjen për shkak të demokracisë së dobët dhe problemeve të brendshme që kanë këto vende. Madje, Presidenti Francez, Emmanuel Macron, ka thënë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk mund të jetë e vetmja përgjigje për stabilitetin e vendeve fqinje si Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Derisa kjo situatë të normalizohet, ai që do të vuajë më shumë pasojat është populli i Ukrainës, ku përditë po shënohen vdekje, shkatërrime, dëme materiale dhe ekonomike. Arritja e një marrëveshjeje në tavolinë, mes Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësimin e zyrtarëve më të lartë të SHBA-së dhe BE-së, nëpërmjet dialogut dhe botëkuptimit, do të sillte paqen dhe stabilitetin. 

Filed Under: Komente Tagged With: Eneida Jacaj

Ja si e sulmonte regjimi komunist, Fondacionin Amerikan “Rockfeller”, në Shqipëri

June 1, 2022 by s p

Roli i SHBA-ve dhe Shqipëria, regjimi akuzon përfaqësuesit e fondacionit si agjentë amerikanë, jepnin bursa për arratisje.

Shkruan: Eneida Jaçaj

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të jenë aleatët strategjikë kryesorë për Shqipërinë, që prej periudhës pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. SHBA-ja është vendi mik më i çmuar për Shqipërinë, pasi e ka mbështetur në shumë procese të rëndësishme jetësore dhe integruese, si: çështja kombëtare shqiptare, roli vendimtar i Presidentit Amerikan, Udrou Uillson, i cili nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë në vitin 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, nga Fuqitë e Mëdha Europiane. Uillson u bë zëri i të gjithë shqiptarëve, duke mos lejuar që kufijtë e Shqipërisë të tkurreshin akoma edhe më shumë pas vendimit jo të drejtë të Konferencës së Londrës në vitin 1913. Gjithashtu, në të gjithë veprat e mira të SHBA-ve, duhet të rreshtojmë edhe hapjen e shkollave teknike amerikane në vitet 1920, liberalizimin e vizave, pavarësia e Kosovës, një rast historik për kombin shqiptar, ku SHBA-ja ia mbylli shtigjet imperializmit serb në Ballkan; mbështetja me fonde në shumë procese të tjera, etj; anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO, për “sigurimin në rajonin e Atlantikut të Veriut të stabilitetit e mirëqenies dhe ruajtja e lirisë, trashëgimisë së përbashkët dhe qytetërimit të vendeve anëtare”, është një tjetër pikë e rëndësishme që dëshmon miqësinë dhe partneritetin dypalësh strategjik mes dy vendeve.                 

               Nga ana tjetër, SHBA-ja, si vendi më demokratik në botë, e ka vlerësuar Shqipërinë se ka bërë hapa të mëdha drejt zhvillimit që prej vitit 1991, dhe, gjithashtu, zyrtarë të lartë amerikanë i vlerësojnë shqiptarët si njerëz punëtorë dhe shumë të aftë për të ndërmarrë sipërmarrje të rëndësishme në fushën e biznesit.  

Sulmi ndaj Fondacionit “Rockfeller”

             Pavarësisht gatishmërisë së SHBA, për të mbështetur Shqipërinë në shumë drejtime dhe projekte zhvillimore, marrëdhëniet dypalëshe miqësore shënojnë një pikë të errët gjatë periudhës së komunizmit, ndonëse populli shqiptar në pjesën dërrmuese të tij ruante respektin dhe dashamirësinë për një vend aleat, të plotfuqishëm dhe mbështetës në politika zhvillimore dhe ruajtjen e territoreve. Propaganda e udhëheqësit famëkeq diktatorial ishte tepër e ashpër ndaj SHBA-ve, edhe pse këto të fundit sërish ishin në mbrojtje të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kundër imperializmit jugosllav. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së regjimit komunist në vitin 1945, Shqipëria nuk kishte më marrëdhënie diplomatike me Uashingtonin. Diktatori Enver Hoxha e akuzonte SHBA-në, se pozicioni i saj dashamirës kundrejt Shqipërisë, ishte një qëndrim i kamufluar. Diktatori më gjakatar në gjithë Europën Juglindore e shihte SHBA-në si kërcënim për pushtetin e tij uzurpues, pasi, kjo e fundit mbështeste politikat demokratike të vendeve të Europës Perëndimore. Gjithashtu, Enver Hoxha e shikonte SHBA-në si një shtet, i cili kërkonte të sundojë botën. Madje, regjimi komunist pati zhvilluar luftë të ashpër ideologjike kundër “imperializmit amerikan”. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet. 

           Një rast tipik që dua të sjell në vëmendje, ku dëshmohet qartë dashamirësia e SHBA-ve për të ndihmuar Shqipërinë dhe, nga ana tjetër, sulmi që zhvillohet në vitet 1945 ndaj saj, pas instalimit të regjimit komunist në Shqipëri. Në dosjen nr. 9 “Historiku i Shkollave Amerikane në Shqipëri” e vitit 1945, tregohet se si Fondacioni Amerikan “Rockfeller” aplikonte programe ndihme në Shqipëri, që prej vitit 1920, ndërsa regjimi më pas, përfaqësuesit e tij, i akuzoi si agjentë të amerikanëve. Sipas dokumentit, në vitin 1926, fondacioni e ndihmoi Shqipërinë të luftonte malarien, duke dërguar në Shqipëri në tetorin e vitit 1926, doktor Hacket, që të bënte studime paraprake mbi përhapjen e malarjes në vendin tonë dhe të caktonte metodat më të mira në luftimin e saj.

              Në përfundim të kësaj vizite dhe me ndërhyrjet e vazhdueshme të ambasadorit amerikan dhe të një bamireseje amerikane, fondacioni autorizoi në vitin 1927 doktorin që të themelonte një Shërbim Antimalarik, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shëndetësisë. 

Kështu, në vitin 1929 u çelën stacionet e para antimalarike, një në Tiranë dhe tjetri në Durrës. 

“Në drejtim të Shqipërisë, zbulimi amerikan për një kohë deri në vitin 1943-44 ka ndjekur taktikën e një vendi dashamirës për të maskuar qëllimin e tij kundrejt vendit tonë. Si i tillë nuk na fut vetëm në çështje kulture, por edhe shoqërore”, thuhet në dokument. 

Sipas dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, Dr. Hacket, Drejtor i Përgjithshëm për Europën Qendrore dhe Ballkanin, ishte me origjinë latine, pasanik i madh, anëtar i Fondacionit Rockfeler, ka propaganduar shumë për Amerikën dhe ka qënë në kontakte të vazhdueshme me legatën amerikane dhe me Harry Fultzin. Pra, regjimi e akuzon si të infiltruar të shtetit amerikan, i cili fshihet pas këtij misioni, luftën kundër malaries. 

               Sipas dokumentit të ish-Sigurimit, Hacket adopton vajzen e Neki Radovickës, ish-maturant i shkollës teknike, i cili, me çlirimin e Shqipërisë fillon aktivitetin si agjent i amerikanëve, agjent me shumë rëndësi dhe në lidhje me Fultzin. Më pas kapet e vdes në burg. “Hacket ushtronte kontroll mbi personelin e huaj. Doktor Kenedi paraqitej me tendencë të majta dhe kur e ka kuptuar se i vinin letra marksise nga PK e Anglisë e ka pushuar nga puna. Hacket simpatizonte fashizmin, ka qenë italofil i kërkuar dhe të shumtën e kohës e kalonte në Romë”, thuhet në dokument. Ndërkaq, sipas dokumentit të regjimit, i gjithë personeli ishin agjentë amerikanë, duke i shërbyer zbulimit amerikan. Madje, thuhet se u jepnin bursa për t’u arratisur, dhe, një ndër të arratisurit ishte inxhinier Zini Buzo. Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA shënuan sërish një pikë kthese me rrëzimin e regjimit komunist. Periudha e komunizmit mbeti thjesht një ëndërr e keqe. U rivendosën marrëdhëniet diplomatike më 15 mars të vitit 191. Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit dhe në shumë procese të tjera historike e gjeopolitike, shteti amerikan ka luajtur një rol kyç dhe vendimtar, duke e mbështetur vendin tonë. Aleanca dypalëshe mbetet një aleancë e çmuar, shumë jetike dhe shumë e nevojshme për Shqipërinë. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Eneida Jacaj

Feliks Haxhija, shqiptari i suksesshëm në fushën e zbulimit, detektivi më i kërkuar në Dallas, pronar i një agjencie survejimi

May 24, 2022 by s p

Intervistoi: Eneida Jaçaj/

Shqiptarët, larg viseve të tokës amë, në çdo skaj të botës, njihen si njerëz punëtorë, arsimdashës dhe të suksesshëm. Pjesa dërrmuese e të rinjve shqiptarë janë diplomuar në shkollat më të mira jashtë vendit, duke shkëlqyer në profesione e tyre dhe mbajnë poste të rëndësishme në vendet ku jetojnë. Komuniteti shqiptar shkëlqen si drita e diellit, duke ndriçuar jo vetëm veten, por duke lartësuar edhe kombin shqiptar. Një ndër ata shqiptarë, që na bën të ndihemi krenarë, është Feliks Haxhiaj, i cili është mjaft i suksesshëm në fushën e zbulimit. Ai është vlerësuar me shumë çmime si detektivi më i kërkuar në Dallas. Feliks Haxhija jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej moshës 16 vjeçare, pasi fitoi lotarinë amerikane. Ai jeton tashmë prej 22 vitesh në Amerikë. Kreu studimet atje në fushën e Kriminalistikës; përfundoi Masters Degree in Criminal Justice and Minor Security në vitin 2012. Më pas filloi punë si detektiv privat për NWI Investigations, ndërsa në vitin 2017 hapi agjensinë e tij “All Açess Investigations”. Më pas, në vitin 2019 hapi Feliks Investigations Group LLC në 4 shtete. Puna, profesionalizmi, suksesi i çdo shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, na nderon si komb dhe na shtyn akoma më shumë për t’i dhënë prestigj emrit Shqipëri.-Përshëndetje Feliks! Ju tashmë jeni identifikuar si detektivi më i kërkuar në Dallas, dhe na vjen mirë të dëgjojmë kur shqiptarët shkëlqejnë në profesionet e tyre edhe jashtë vendit, duke u vlerësuar gjithashtu si njerëz punëtorë dhe të suksesshëm. Të ftoj të bësh një prezantim të shkurtër për veten, për të gjithë ata që ende nuk ju njohin. Unë, së bashku me familjen, kemi emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 22 vjet më parë. Pasi fituam llotarinë amerikane, ka qenë dhe mbetet ëndrra e çdo shqiptari, emigruam drejt “tokës së premtuar” për një jetë më të mirë. Pasi përfundova gjimnazin, vazhdova studimet në fushën e Kriminalistikës; përfundova Masters Degree in Criminal Justice and Minor Security në vitin 2012. Me përfundimin e studimeve dhe marrjen e diplomës, fillova punë si detektiv privat për NWI Investigations, ndërsa në vitin 2017 hapa agjensinë time “All Açess Investigations”. Më pas, në vitin 2019 hapa Feliks Investigations Group LLC, në 4 shtete. -Sa vite keni që ushtroni profesionin si detektiv dhe çfarë ju ka tërhequr t’i përkushtoheni fushës së zbulimit?Unë kam më shumë se 10 vjet që ushtroj këtë profesion. Zbulimi është një punë që e bëj me shumë pasion, më jep emocion, dhe e bëj me shumë përgjegjësi, duke u ardhur në ndihmë çdokujt që ka nevojë për një detektiv privat. Unë jam gjithmonë i gatshëm të ofroj ndihmën time, të jap maksimumin tim si një profesionist, me devotshmëri, punë dhe pasion. Dua të them se këtë punë e kam në gen, pasi edhe babai im ka punuar në polici në Shqiperi. Pasi bëra një kurs në Shkollën e Mesme për policinë, aty më lindi pasioni menjëherë për fushën e zbulimit. -Jeni detektivi më i kërkuar në Dallas, dhe për këtë jeni vlerësuar me shumë çmime. Cila është puna rutinë e një detektivi privat? Unë jam detektivi më i mirë në Neë Hampshire, edhe në zonën e Massachusets. Tashmë jam edhe një nga 5 më të mirët në Tampa, Florida. Unë kam punuar në shumë me agjensitë më të mëdha në Amerikë, dhe, gjatë punës kam mësuar shumë gjëra të reja, që më kanë bërë më profesional në punë time dhe të suksesshëm. Puna rutinë e një detektivi është çdo ditë survejim. Unë përgatitem një natë më përpara se çfarë do të bë, ndërsa në orën 6 të mëngjesit filloj survejimin. -Çfarë ju bën juve kaq shumë të kërkuar nga njerëzit si detektiv? Janë shtuar rastet që kanë nevojë për zbulim, apo është edhe profesionalizmi juaj që sjell rezultate?Uë kam prodhuar rezultatet më të mira për klientët. Nëse do të bëni një kërkim në NH dhe MA, unë dal i pari me 5 stars revieës. Njerëzit, zakonisht marrin në telefon detectivët me revieës më të mira ose janë të referuar nga avokatë. Sigurisht, pasioni për punën, dedikimi, profesionalizmi, më bën mua më të kërkuar si detektiv, dhe si rrjedhojë do sjellë edhe rezutate të mira. -A janë të mirëpaguar detektivët?Unë jam i kënaqur, është mjaftueshëm. Për çdo rast është minimumi 16 orë survejim. -Sa ua jep mundësinë Amerika individëve për t’u bërë të suksesshëm, apo është puna dhe këmbëngulja që të çon drejt rrugës së suksesit? Për të arritur suksesin dhe rezultate të mira, hapi i parë është shkollimi, pasi gati çdo shtet kërkon Bachelors degree in Criminal Justice për këtë fushë, edhe 4 vjet eksperiencë. Kjo fushë është shumë e vështirë, duhet edhe pak talent dhe aftësi, pasi 50% e njerëzve dështojnë. Shpesh herë ndodh që nuk munden të rrinë ulur në makinë për 10 orë në ditë, dhe kanë shumë frikë të ndjekin njerëzit, pasi mund të konfrontohen. -Cilat janë rastet më tipike që ju ndiqni? Shumica e rasteve që ndjek unë janë ëorkers compensation, infidelity, and child custody. Pra, për punëtorët që kërkojnë kompensim nga pronari, për incidente gjatë punës ose arsye të tjera, rastet e tradhtisë dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve, kur jetojnë me një prind. -A ka raste kur ju nuk e merrni përsipër një çështje, dhe pse?Po, në qoftë se shikoj që një rast nuk ka shumë informacion, fakte apo të dhëna, apo është ongoing investigation nga policia, nuk e marr përsipër pasi nuk më lejohet. -Sa e vështirë është puna në terren e një detektivi, dhe a mund të veçoni një rast kur u është dashur shumë mund për të arritur rezultatin?Është një punë e vështirë që kërkon sakrificë dhe shumë mund. Pothuajse çdo ditë mund të konfliktohesh me njerëzit; afrohen edhe të pyesin pse ndodhesh aty dhe çfarë pune bën. Shpesh herë nuk ua hap dritaren e makinës njerëzve që vinë e pyesin se çfarë po pres apo çfarë po bëj këtu, dhe kjo bën që ata të sjellin edhe policinë. Pra duhet durim, forcë brenda vetes dhe të mundohesh të shmangesh konfliktet me njerëzit, që përballesh gjatë zonave të survejimit. -Një nga çështjet më interesante që njerëzit presin të dëgjojnë, është tema e tradhtisë. Sa për qind të rasteve mbulojnë këto çështje?Gati 50% të rasteve janë raste të tradhtisë. Një nga rastet më të çuditshme ka qenë kur kam zbuluar një person nga Tampa FL në South Carolina, që shkonte me kunatën, gruan e vëllait. Vëllai i kishte vdekur, dhe kishte edhe fëmijë me kunatën. Takova detektiven tjetër, e ndoqëm për një orë. Kaluam Florida-n, hymë në Georgia dhe për tre orë të tjera vetëm po ecte. Nuk e dinim se ku do të përfundonim. Pasi kemi ngrënë darkë, thashë që duhet të kontrollojmë dhe njëherë sepse dukej e çuditshme pasi personi kishte ngarë shumë. E kapëm duke u puthur me një vajzë tjetër. Ishte errësirë, targetin nuk e shihja dot. I bëmë një background dhe doli që ishte kunata. Gruaja e vëllait që kishte vdekur para disa vitesh. Kur e mori vesh gruaja u habit pasi tha se kur i vdiq vëllai u afrua shumë me të por mendonte se e bënte për ta ndihmuar. Ka qenë një ndër rastet më të çmendura.-Cila është ëndrra juaj më e madhe që doni të realizoni sa i takon gjithmonë fushës suaj për të cilën jeni diplomuar?Pothuajse ëndrrën më të madhe e kam arritur! Tani kam një mundësi të takoj Dog The Bounty Hunter, me të cilin do të bëjmë disa bashkëpunime.-Cila është qasja që kanë amerikanët për të punësuar një detektiv?Amerikanët e kanë në kulturën e tyre të kërkojnë ndihmë te një detektiv privat. Për çdo problem që ata kanë, na telefonojnë dhe ne u ofrojmë ndihmën tonë si profesionistë. -Shoqëria amerikane e ka qasjen shumë të afërt dhe të pranuar ndaj një detektivi, siç edhe ju e thatë. Është shoqëria amerikane më e korruptuar, e pandershme, apo është bërë pjesë e kulturës së tyre për të mbledhur fakte me ndihmën e një detektivi, për të shkuar drejt një hapi më të sigurt?Unë mendoj se të gjithë mund të kemi nevojë për ndihmën e një detektivi, sipas rasteve, por amerikanët janë më të gatshëm për të telefonuar dhe për të kërkuar ndihmën tonë. Ata kanë shumë besim te ne, pasi edhe çdo rast mbetet kofidencial. -A kanë nevojë shqiptarët për një detektiv privat apo i zgjidhin vetë çështjet e zbulimit?Shqiptarët nuk janë shumë të gatshëm për të kërkuar një detektiv, ndoshta nuk na është bërë ende pjesë e kulturës. Unë jam i gatshëm të ofroj ndihmën time ndaj çdo qytetari, por kjo do të varet edhe nga rasti. -A do të donit që profesionin e detektivit ta trashëgonit te fëmijët tuaj?Jo! Unë kam 3 vajza, nuk do të doja t’ua trashëgoja këtë profesion, pasi është punë e lodhshme dhe e rrezikshme. -Sa të suksesshme janë detektivet femra në krahasim me meshkujt?Unë mendoj se femrat nuk janë shumë të afta për ta realizuar këtë punë, pasi kjo ka të bëjë edhe me natyrën e brishtë të tyre. Gjithashtu, survejimi të merr shumë kohë gjatë ditës, dhe femrave do t’u duhet të qëndrojnë shumë kohë jashtë shtëpisë, duke lënë pas dore gjëra të tjera akoma më të rëndësishme, siç është përkujdesi ndaj fëmijëve.

Filed Under: Politike Tagged With: Eneida Jacaj

Arben Llalla: Pronat çame do të rikthehen, Shqipëria t’i kërkojë sqarime NATO-s për Ligjin e Luftës me Greqinë

April 14, 2022 by s p

Intervistoi: Eneida Jaçaj

“Pas vitit 1975 e deri më sot, shtetit shqiptar kontrrollohet nga njerëz që i shërbejnë Greqisë”.

Fuqitë e mëdha dhe shtetet fqinje e kanë parë Shqipërinë një shtet të dobët dhe të varfër ekonomikisht, për ta shfrytëzuar për qëllimet e tyre të luftës dhe zgjerimin territorial. Sa i takon çështjes më të ndjeshme në Jug të vendit, me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në vitin 1913, pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha Greqisë; brenda kufijve të shtetit shqiptar mbetën disa fshatra me popullsi muslimane dhe ortodokse. Interesi i Greqisë ishte të aneksonte gjithë Çamërinë, dhe kjo bëri që të kryej masakra më e egër ndaj shqiptarëve, më 27 qershor 1944, nga ushtarët grekë në zonën e Paramithise, ku forcat e Ligës Republikane Greke (EDES) të gjeneralit Zervas hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë, burra, gra dhe femijë. Forcat më të errëta të nacionalizmit grek bënë spastrimin etnik të Çamërisë, ku këtu ka luajtur rol edhe kisha greke bizantine. Historiani i njohur, Arben Llalla, në një intervistë ekskluzive për Gazetën “Dielli”, New York, flet për pronat dhe pasuritë çame, si dhe Ligjin e Luftës me Greqinë. Llalla shprehet se Greqia e përdor ligjin si hanxhar ndaj fqinjësisë shqiptaro-greke, ndërsa thekson se pala shqiptare duhet t’i kërkojë sqarime NATO-s, pasi nuk ka kuptim që një vend anëtar i NATO-s t’i shpallë luftë një vendi tjetër po anëtar. Ai thotë se, që pas vitit 1975 e deri më sot, çdo qelizë e shtetit shqiptar kontrrollohet nga njerëzit që i shërbejnë Greqisë, pra antishqiptar, megjithatë beson se pronat çame një ditë do të rikthehen te i zoti.-Genocidi grek ndaj popullsisë çame arriti kulmin me masakrën e 27 qershorit 1944, ku forcat e Napolon Zervës vranë dhe torturuan qindra burra, gra dhe fëmijë. Forcat më të errëta të nacionalizmit grek bënë spastrimin etnik të Çamërisë, ku këtu ka luajtur rol edhe kisha greke bizantine. Kanë kaluar 78 vite nga një nga masakrat më të egra mbi njerëzimin. Unë doja t’ju pyesja për Ligjin e Luftës me Greqinë. Politika zyrtare greke është shprehur se ligji është rrëzuar që në vitin 1987. A ekziston ende një ligj lufte mes dy vendeve? Nëse Greqia e mban të fshehtë, çfarë e pengon të heqë Ligjin e Luftës me Greqinë?Greqia zyrtarisht është në gjendje Lufte me Shqipërinë, sepse që kur ajo i shpalli luftë Shqipërisë në 9 nëntor 1940 (fletorja zyrtare e mbretërisë së Greqisë 10.11.1940) sekuestroi dhe konservoi të gjitha pronat e shqiptarëve me shtetësi shqiptare dhe shtetësi greke. Ligji i Luftës, i shpallur njëanshëm nga Greqia me Shqipërinë, u rishpall edhe në vitin 1966. Janë bërë tentativa herë pas herë nga të dy vendet për heqjen e këtij ligji, por Kuvendi i Greqisë që nga vitet 1980 e në vazhdim ka votuar që Ligji i Luftës të ekzistojë.Qeveria greke me Kryeministër Andrea Papandreu dhe Ministër i Jashtëm, Karolos Papulias, në vitin 1987, qeveria e tyre majtiste e hoqi Ligjin, por shumica e deputetëve që i përkisnin partisë se tyre në Kuvendin e Greqisë e rrëzoi duke mashtruar Ramiz Alinë dhe Shqipërinë moniste. Pra mund të themi se rreth 27 herë qeveritë greke e kanë hequr Ligjin e Luftës dhe po kaq Kuvendi i Greqisë e ka rivotuar. Është një lojë e fëlliqur e politikës greke.Unë nuk besoj se Greqia do ta heqë Ligjin e Luftës, ky Ligj qëndron si hanxhar mbi kryet e fqinjësisë greko-shqiptare edhe pse ne jemi anëtarë të NATO-s, ky Ligj ekziston i njëanshëm. Ligji i Luftës hiqet brenda 24 orëve nëse Shqipëria i kërkon sqarime komandos së NATO-s se si është e mundur të jemi në një ushtri dhe një vend anëtar i NATO-s i ka shpallur luftë një vendi tjetër anëtar i NATO-s.-Ligji i Luftës e ka zanafillën, më 28 tetor 1940, kur Italia i shpalli luftë Greqisë, dhe, menjëherë pas fillimit të luftës, në Greqi u shpall gjendja e luftës me Italinë dhe Shqipërinë. Pse Greqia vendosi Ligjin e Luftës me Shqipërinë, kur kjo e fundit nuk e sulmoi? Konti Ciano, në Tetor 1940 përgatiti një ultimatum që do t’i paraqitej Ministrit të Jashtëm të Greqisë z.Metaksa. Ultimatumi i ngjante atij që kishte përgatitur dhe ia kishte paraqitur mbretit Zogu i I, të Shqipërisë, ku përmblidhej “ose pushtimi, ose Lufta”. Në këtë ultimatum, Greqisë i kërkohej të pranonte menjëherë pushtimin italian të disa bazave strategjike. Ambasadori italian në Greqi z.Grazzi, që ia paraqiti ultimatumin në orët e vona të mesnatës z.Metaksa, nuk qe në gjendje t’i përgjigjej pyetjes së Metaksasë, se për ç’baza strategjike bëhej fjalë. I nervozuar nga kjo heshtje, Metaksai iu përgjigj me një “Oqi” “Jo “ ultimatumit. Më 28 tetor 1940 –tetë divizione të përbërë nga 140000 ushtarë – nën një shi të furishëm, italianët filluan sulmin në një front prej 200 km. Duke u nisur nga ky fakt, mbreti i Greqisë, Konstandin, nxjerr Dekretin Mbretëror nr. 2636 i vitit 1940, sipas të cilit shpallte “ Shqipërinë shtet armik dhe pasuritë e shqiptarëve, pasuri armike”. Njëkohësisht, të gjitha pasuritë e shqiptarëve i vendosi në “sekuestro konservative”. Në deklaratën e saj zyrtare të sulmit nga Italia, Greqia rendiste si aleate të Italisë në këtë agresion edhe Shqipërinë. Sipas kësaj logjike, Shqipëria shfaqej “de jure” si pjesëtare e këtij agresioni. Për këtë dekret u morën për bazë, ekzistenca e qeverisë kuislinge shqiptare, dhe se në këtë luftë Italia kishte organizuar dy batalione mercenarësh shqiptarë, të rreshtuar bri armatave italiane, por të cilat dezertuan nga fronti përpara se të fillonte lufta. Duke u bazuar në këto fakte absurde, Greqia monarkiste e konsideroi Shqipërinë “ shtet armik” dhe shpalli ndaj saj “ gjendjen e luftës”. Por këto “ fakte” absurde bien vetiu sepse;1- Shqipëria në atë kohë nuk ishte një vend i lirë dhe sovran ku të ushtronte në mënyrë të pavarur vullnetin e saj politik.2- Shqipëria nuk gëzonte zotësinë juridike dhe aftësitë politike për të deklaruar lëvizjet e saj të pavarura në hartën politike të Evropës.3- Shqipëria nuk gëzonte me të vërtetë autoritetin e vërtetë dhe të plotë vetëveprues si një subjekt aktiv i së Drejtësë Ndërkombëtare.Ironike është fakti se Greqia e ka hequr Ligjin e Luftës me Italinë, ndërsa e mban me Shqipërinë që në vitin 1940, që ishte e pushtuar nga Italia fashiste.-Çfarë qëndrimi duhet të ndjekë politika e jashtme shqiptare sa i takon çështjes çame në pergjjithesi, tokave çame, varrezave çame? Sa serioze dhe e gatshme është treguar pala shqiptare lidhur me çështjet më të ndjeshme me Greqinë?Pas vitit 1975 e deri më sot, çdo qelizë e shtetit shqiptar kontrrollohet nga njerëzit që i shërbejnë Greqisë, pra antishqiptar. Fjala është nga kryetari i shtetit, kryeministra, ministra, deputet, drejtues fetar, etj. Kjo është e dhimbshme por e vërtetë, sepse, përndryshe nuk ka se si të shpjegohet që për çështjen çame Tirana zyrtare nuk flet fare, përveç zërave individualë të pavarur. Shikoni se si partinë PDIU, që ka në program çështjen çame, si e sulmojnë PS e PD të koordinuar. Në vitin 2017, Edi Rama vodhi mandantin e deputetit të Shpëtim Idrizit dhe përçau PDIU, kjo ishte porosia e Athinës, por nuk ia arritën qëllimit dashakeqës, sepse çështja çame ekziston ashtu siç ekziston dhe partia e këtij zëri është PDIU.Mos doni emra? Ato emra janë midis nesh, miq, shok të njohurit tanë.A e dini ju se sa ministra e deputetë me kombësi shqiptare kanë mohuar se janë shqiptarë vetëm e vetëm për të përfituar privilegje familjare? Dosja është e rëndë me të vërteta të politikës shqiptare si vasale e Greqisë. Politika shqiptare lejoi që ushtria e vdekur e Greqisë e vitit 1940-41 të ndërtojë rreth 8.000 vare bosh. Kujt ideologjie i shërbejnë këto varre bosh? Greqia në librat e saj shkollor edukon brezat se ato 8 mijë varre janë ushtarët grekë që u vranë për motrën e vogël Vorio Epiri, për ta çliruar nga shqiptarët. E kuptoni çfarë bëhet e çfarë mësojnë grekët në librat e tyre?Për çështjen çame jo vetëm grekët dridhen e kanë frikë, por kanë filluar dhe politikanët e Tiranës të tremben se mos kjo çështje fillon të hyjë në rrjedhjen e zgjidhjes ndërkombëtare. Për fatin e keq unë disa drejtues të Shqipërisë i shikojë në një linjë me Athinën për zgjidhjen e çështjes çame dhe më gjerë në Greqi që lidhet me pakicën kombëtare shqiptare, pronat dhe të drejtat e emigrantëve ekonomikë shqiptar.-Greqia vazhdon të shkelë sot “Konventën mbi Mosparashkrimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit”, hyrë në fuqi më 11 nëntor 1970, që konfirmon parimet e së Drejtës Ndërkombëtare, të njohura nga Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut. Çfarë vlerësimi keni? Greqia duke qenë një shtet i themeluar nën kujdesin e Rusisë, Britanisë, Francës e Gjermanisë gëzon privilegje duke u anëtarësuar në BE pa plotësuar asnjë kusht, duke gënjyer për ekonominë e saj prej vitesh. Kështu, kjo Greqi nuk njeh asnjë Konventë. Greqia kishte fat pas vitit 1944 që Britania dhe SHBA nuk e lanë nën kthetrat e Rusisë komuniste. 50 vite, Shqipëria komuniste shkoi pas, ndërsa Greqia duke qenë bazë e fortë e Britanisë dhe SHBA për 50 vite përfitoi privilegje në arenën ndërkombëtare. Por unë jam optimist, besoj se një ditë prona do shkojë tek i Zoti, e çdo gjë do zgjidhet me punë dhe diplomaci. Në Greqi, të gjithë bashkëpunëtorët e nazistëve gjermanë nuk u dënuan, por u bënë presidentë, kryeministra, ministra dhe deputetë, duke filluar nga Rallis, Zervas, Micotaqi, Karamalis, Meimaraqis, etj. Pa folur që pjesëmarrësit udhëheqës në gjenocidin në Çamëri u bënë kryepeshkopë e peshkopë. Këto akuza të mia bazohen në fakte shkencore të pamohueshme ende nga grekët.-Besoni se do të vijë dita që Greqia të kërkojë falje publike për 2900 viktimat, për 40.000 vetat e dëbuar me dhunë, për 68 fshatrat e qytetet e grabitura e të djegura, për grabitjen dhe shfrytëzimin e pasurive të tyre? Greqia është një shtet me racizëm të theksuar që nuk njeh asnjë pakicë kombëtare; shumica e besimit ortodoks ushtron dhunë dhe presion ndaj grekëve që kanë besim jo ortodoksë si ndaj myslimanëve, hebrenjëve, katolikëve, jehovah, etj. Prandaj, unë ende besoj se Greqia nuk e ka guximin të mundë vetveten raciste e të kërkojë falje ndaj shqiptarëve nga Çamëria për gjenocidin dhe përzënia me dhunë nga trojet e tyre. Ne po flasim sot vetëm për gjenocidin në Çamëri të ndodhur më 1944-1945, por nuk po flasim për gjenocidin dhe përzënien me dhunë që në vitin 1913, 1918, 1924, 1936. Pra që pas vitit 1912, Greqia sistematikisht ka përzënë shqiptarët nga Çamëria, nga Greqia e Veriut, etj. Greqia mohon njohjen e pakicës kombëtare shqiptare dalë nga Marrëveshja e Lozanës 1923-1924. Vetëm në Greqinë e Veriut, nga studimet e mia në vitin 1913, ka patur rreth 100 fshatra që flitej gjuha shqipe, ndërsa sot kemi rreth 40 fshatra që ende flitet shqip. Fjalën e kam për Kosturin, Follorinën, Edesën, Selanikun e deri në Evros në kufirin greko-turk të Trakës. -Së fundmi doja të ndalesha te identiteit i shqiptarëve dhe grekëve. Cila është prejardhja e tyre, gjuha, çfarë kanë të përbashkët, dhe kur nisi të ekzistojë kombi grek?Ne shqiptarët bëjmë gabim kur themi se me grekët jemi vëllezër, as kushërinj, por jemi fqinjë. Greqia e pas vitit 1827 e deri më sot banohet nga shqiptarët me emrin arvanitas, sllavë (ku hyjnë serbët, sllavë të Azisë së Vogël, bullgarët dhe maqedonasit), vllah, pomak, hebrenj, etj., të cilët pranuan emrin polik grekë. E thënë drejtë në Greqi ka rreth 4 milionë shtetas grekë me rrënjë shqiptare. Gjuhën shqipe mund ta flasin rreth 1.5 milionë grekë. E kam fjalën për gjuhë dialekte, arkaike. Grekët morën këngët tona dhe i përshtatën në gjuhën greke, morën fustanellën tonë dhe e bënë veshje kombëtare, etj. Të përbashkët shqiptarët, grekët dhe popujt e tjerë të Ballkanit kanë kulturën, zakonet, gatimet, muzikën që vjen e trashëguar që nga periudha e Perandorisë Osmane. Të flasim se grekët e sotëm janë ata grekët e lashtë është një mashtrim klasik sepse është vërtetuar shkencërisht se grekët e sotëm s’kanë asnjë lidhje me grekët e lashtë. Dhe gjuha e sotme greke, nuk është ajo gjuha e lashtë greke.

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, Eneida Jacaj

Fan Noli, aktivisti i shquar për njohjen e kombit shqiptar në botë

April 12, 2022 by s p

Përgatiti: Eneida Jaçaj/

Shqipëria ka njohur shumë burra trima, luftëtarë, strategë, dijetarë, intelektualë, patriotë të paepur, diplomatë, që nga Skënderbeu, Ismail Qemali, e me radhë. Një ndër burrat e kombit që i kanë kthyer faqen e lavdishme Shqipërisë, përpjekjet e të cilit ishin të mëdha po aq sa dashuria për atdheun, për t’i khyer lirinë e rrëmbyer deri në pavarësinë e trojeve etnike, duke lobuar në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është edhe personaliteti i shquar, Fan Noli. Diaspora shqiptaro-amerikane vlerësoi figurën e Fan Nolit, duke i dhënë vendin e duhur në altarin e nderit, i cili do të mbahet mend në histori dhe ndër breza, si një promete që solli dritën e besimit, lirisë, shpresës, njohjen dhe pavarësinë e kombit në botë. Tashmë, rruga në Morris Park në Bronx, në New York, mori emrin e burrit të ndritur të Kombit: “Fan Noli”! 

Fan Noli lindi më 6 janar 1882 dhe vdiq më 13 mars 1965, ishte prift, shtetar, diplomat, poet përkthyes, publicist, historian i njohur. Figura e tij lidhet ngushtë me çështjen shqiptare, pasi ai me diplomacinë e tij, fjalën e mençur, intelektin që e karakterizonte, loboi fort për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Gjithë jetën dhe veprën e tij, e vuri në shërbim të çështjes shqiptare. Lufta diplomatike, takimet me zyrtarë të lartë të huaj, krijimtaria e pasur, poemat, shkrimet, janë të gjitha përpjekjet e tij si një e tërë në shërbim të çështjes shqiptare. 

Fan Noli, më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të Shoqatës Pan-Shqiptare Vatra. Pa përpjekjet e tij dhe diasporës shqiptare, sot nuk do të ekzistonte kombi shqiptar. Noli do të mbahet mend për takimet dhe dialogun me ish-Presidentin Amerikan, Woodroë Wilson, i cili dha ndihmën e madhe për njohjen e shtetit shqiptar. Ishin përpjekjet e atdhetarit Noli, që arriti të flasë dhe të bindë Wilsonin për të dhënë ndihmesën e tij domethënëse për çështjen kombëtare. Ishte momenti kur, ai si ambasador i parë shqiptar në OKB, së bashku me Wilsonin shkuan në në Gjenevë, kur Shqipëria  u pranua në Lidhjen e Kombeve të Gjenevës dhe pavarësia e vendit tonë u njoh zyrtarisht nga bota. Ishin përpjekjet e tij dhe fjala e mbajtur nga Wilson, që Shqipëria të gëzonte pavarësinë e plotë.

Përpos lobimit për çështjen shqiptare, Noli gëzon edhe meritën e ndarjes së Kishës Autonime shqiptare, nga Kisha greke. Ai themeloi katedralen historike të Shën Gjergjit në Boston, që shërben tashmë si urë lidhëse mes emigrantëve të diasporës.  Ai vend përmban ndër vete shumë histori e përpjekje atdhetare, atje gjenden materiale të shumta nga krijimtaria e Nolit etj. Ne duhet të ndihemi krenarë për historinë e vyer ndërshekullore që mbart vendi ynë, për përpjekjet e dijetarëve shqiptarë, pa të cilët sot Shqipëria do të ishte zhdukur nga harta e globit.

Filed Under: Politike Tagged With: Eneida Jacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT