• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE NEN PESHEN E KRIMIT TE VET

April 1, 2017 by dgreca

Refleksione/2 grupi i te rinjeve Memishaj

–PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE RA E SHKËRMOQUR NGA PESHA E KRIMIT TË VET/

 –  Studiuesi  Enver Lepenica me një libër të arrirë ”Eleminimi i Grupit Komunist  të “Të Rinjve”/

 Nga Qazim Shehu/

Libri i sapodalë i autorit të mirënjohur Enver Memishaj –Lepenica, që mban edhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, është një histori e njohur dhe e panjohur e luftës së Dytë Botërore, atëhere kur kjo histori zë fill dhe vazhdon të tirret gjatë në historiografinë komuniste mbi Grupin Komunist të Të Rinjve, dhe  në këtë tjerrje nuk ka munguar asnjëherë një aktologji e përmbysur që renditej si e drejtë nga devijatorët e propagandës së asaj kohe.

Mbasi e mbarova librin, më solli përshtypje një faktologji e gjërë dhe e detajuar, renditur me kujdes nga Memishaj, një pasuri e madhe dokumentacioni,  studimesh dhe hulimtimesh që autori me zellin skrupuloz të një studiuesi të paepur i ka bërë dhe na ka dhënë kështu një libër të trajtuar me kujdes, me zell e me kritere të plota të shkencore, çka dëshmon për një punë këmbëngulëse dhe të gjatë të tij.

Edhe më herët autori ka shkruar dhe ka njohur sukses në zbulimin e perdes së asaj drame të absurdit që gjithë rrjedhën e historisë e çoi në mullirin e një propagande të sëmurë kurajoze në delirin e saj. Kjo është e veçanta e këtij libri në aspektin e metodologjisë dhe synimit të autorit, po vetëm kaq nuk do mjaftonte, sepse synimi i vërtetë nuk është këtu, por të na japë pa deformim dhe ndikim gjithë atë të vërtetë tragjike të luftës për eleminim të kundërshtarëve brenda të majtës shqiptare;  e nxitur kjo nga emisarët jugosllavë që gjetën në Shqipëri kukullat e tyre perfekte dhe dihet se kush ishin këto kukulla.

Po kush ishin këta pjesëtarë të këtij grupi dhe çfarë afronin ata? Sadik Premte, Anastas Lulo, Neki Ymeri, e të tjerë. Dhe çfarë kishin ata në platformën e tyre?Ata ishin komunistë, po komunistë të orientuar për shkak të bindjeve të tyre ideologjike të së majtës dhe që kërkonin të organizonin një partie të majtë disi ndryshe, larg ndikimeve jugosllave, ndikime që i shihnin si fatkeqësi kombëtare dhe me pasoja. Gjithashtu ishin njerëz me autoritet në popull, një fraksion patriotik i majtë dhe pjesëmarrës direkt në këtë luftë. Dhe cili është bilanci? Tragjik dhe i paarsyeshëm, po të kemi parasysh faktin se në këtë bilanc bie në sy, jo vetëm numri i të eleminuarve, po sidomos mënyra çnjerzore e eliminimit të tyre.

Nga ky grup: 32 veta u ekzekutuan në pritë pas krahëve; 8 të tjerë u vranë pas krahëve dhe u shpallën dëshmorë; 24 ranë dëshmorë në fushën e luftës; 1 u detyrua të vriste veten dhe një tjetër u zhduk pa nam e nishan; 32 u dënuan me burgime të rënda, dy të tjerë u bënë hyzmeqarë të Serbisë; 9 prej tyre u arratisën dhe jetuan në dhe të huaj, trembëdhjetë u harruan; për 15 të tjerë nuk dihet. Autori librit Enver Memishaj vjen me këtë vepër (e gjashtëmbëdhjeta në radhë) me një dokumentim të plotë, gati shterues duke sjellë sa informacionin nga burime të ndryshme, aq edhe trajtimin e tyre brenda këtij burimi, dhe kjo është një meritë e autorit; sepse në këtë punim voluminoz shquhet aftësia e tij jo vetëm për të ndjekur aspektin kronologjik të problemit po edhe atë hierarkik, për të kuptuar sesi gjërat në atë kohë zhvlerësoheshin përmes një hierarkie të përmbysur vlerash dhe, pikërisht, për të mos i duruar ato, duke pasë frikë prej tyre, vepronin metodat terroriste dhe fashiste ku, dredhia, cmira, shantazhi dhe intriga thureshin me një stërhollim të tmerrshëm, nga Hysni Kapua dhe Mehmet Shehu, me nofka dhe etiketime të padrejta. Në vazhdën e eliminimeve të projektuara nga Kapua dhe Shu pas Sadik Premtes dhe Anastas Lulos u vunë në shenjestër që në themelimin e PKSH-së, shumë anëtarë të tjerë të Grupit Komunist të Të Rinjve.

Është intersante të kuptohet baza e këtij terrorizmi  si vepronin “shokët”, kështu, ndërsa Neki Ymerin e kërkon fashizmi si luftëtar i lirisë, e asgjesojnë shokët e tij me urdhër të Hysni Kapos. Asgjësohet si tradhtar Anastas Lulo dhe vritet në pabesi Mustafa Gjinishi për t`u shpallur më pas hero. Enver Hoxha i kërkon Neki Ymerit që të vriste kunatin e tij, Sadik Premte. A nuk e vrau më pas Enveri kunatin e tij patriotin Bahri Omari? Grupi Komunist i Të Rinjve ishte një grup me ide të majta, po me qëndrime demokratike ndaj palëve të tjera që pranonin të luftonin fashizmin dhe që luftonin. Kështu ata përkrahnin Marrëveshjen e Mukjes, si një marrëveshje që nuk shihej me sy të mirë nga jugosllavët, prandaj dhe u prish.Gjithësesi, ky grup, përbën një vështrim sesi mund të ishte lufta nëse këto ide mund të vështroheshin me realizëm dhe pa cmirën e një klike të fshehur dhe të hapur që sponsorizohej e mbështetej dhe vepronte e ndihmuar nga misionarët jugosllavë, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.

Autori Lepenica u bën një prerje vertikale ngjarjeve, ndodhive apo aspekteteve të ndryshëme biografike duke ndërtuar portretin e personazheve reale në historinë e kohës  dhe këtë e ndërton pa iu larguar sfondit të kohës, rrethanave të kohë krijimit të PKSH, ndërhyrjen e huaj në të, dhe prej këtu, kur një foshnje mbytet që në djep dihet se çfarë mund të pritet prej saj. Del qartë mesazhi se komunistët nuk e donin lirinë thjesht për popullin, po për të çimentuar pushtetin e tyre ashtu siç edhe ndodhi, sepse ky pushtet u çimentua me gjak të pafajshmish të kundërshtarëve politikë, po jo vetëm kaq, vrasjet për eleminim në dobi të një klike të caktuar shkuan gjithnjë në një zinxhir të pafund eleminimesh për një kohë të gjatë, gjersa PKSH ra e shkërmoqur nga pesha e krimit të vet. Për partitë që e mbështesin zhvillimin e tyre brenda fanatizmit ideologjik dhe frikës së lëkundjes së pushtetit, frika dhe demonizimi i kundërshtarit, mbetet gjithnjë një simptomë e njohur që ta deguston dhe shkurajon shpresën që diçka më të mirë mund të bëhet e mund të arrihet. Sepse ato mbjellin psikozën e terrorit përmes të pamundurës për të bërë diçka tjetër që e tekalon këtë sjellje. Autori jo vetëm që sjell kohën me përjetimet detajuese, po në mënyrë konceprtuale dhe nëntekstuale ngërthen edhe këto ide sa të pritshme aq edhe të kuptueshme prej nga merr pamjen e plotë tabloja e paraqitjes hap pas hapi. Është për t`u theksuar si një meritë e autorit se plotësimi i dëshmive dhe radhitja e tyre, të hedhë dritë tek e vërteta, ajo e vërtetë e cila shpesh është mbuluar me hirin e harresës apo është trajtuar sipas ithtarëve dhe apogjetëve komunistë. Këtu nuk është se kemi të bëjmë me një qëndrim ideopraktik të autorit në shërbim të ndonjë nisme për të përmbysur diçka tjetër, po vetiu kjo e përmbys diçka tjetër dhe na sjell ne të plotë gjithë atë histori tragjike dhe domethënëse të këtij Grupi.

Autori thekson se qendrën ky grup e pati në Vlorë, me pjesën dërmuese  të të rinjve  komunistë, po ai e shtriu veprimtarinë e tij edhe më gjërë. Kjo veprimtari konturohet në aksione konkrete kundër fashizmit dhe me një vizion të qartë për luftën, e cila nuk mund të dilte, sipas tyre, nga elementi përbashkues, po pikërisht nga kjo PKSH kishte frikë, ashtu siç vërtetë ndodhi, sepse më vonë edhe pushteti duhej ndarë.

Shenjat, shfaqjet e një partie me prirje të theksuar diktatoriale u dhanë që gjatë luftës dhe erdhën duke u forcuar edhe më  sipas etapave historike kur na duhet të hetojmë se eleminimi i grupeve të njëpasnjëshme nuk nënkupron tjetër, veçse eleminimin e alternativave dhe sektarizmin ideologjik të kësaj force që mpiu edhe segmentet më jetësorë të një kohe e cila mbeti në vend. Këto ide autori i librit i shtjellohen nga shumë rrëfime, burime, kujtime, flasin dëshmitarë të gjallë të kohës, në kohë të ndryshme dhe sipas situatave të ndryshme, përshkruhet jeta e Sadik Premtes në Paris, atentati ndaj tij që dështoi, dhe mijëra relacione kohore të cilat vihen në një teatër të fshehtë dhe të vështirë veprimesh.

*      *     *

Duke marrë shkas nga portretizimi i veprimtarisë së këtij Grupi, autori Memishaj kalon në mënyrë    induktive nga një pjesë në të tërën dhe përmes kësaj metode metonimike ai na bën një skanim njohës për ngjarjet më pikante të asaj kohe dhe të kohës që vjen pas dhe kështu ky libër plotëson një boshësi të ndjeshme, në arritjen e së cilës autori ka meritë.

Kështu ai krijon hapa pas hapi, duke ndjekur edhe teknikën e ndërprerjes për të futur një element shtesë, gjithë atë panoramë ngjethëse që duket sikur shkëputet nga kronikat mesjetare e madje në mjaft raste ua kalon atyre. Dokumentimi i shumtë ka sjellë edhe mënyrën kompozuese të derdhjes së lirë  ku lexuesi mund të gjykojë vetë dhe të plotësjë kuadratin imagjinativ po vetë.

Ky libër lexohet si dokument, përshkrim, analizë, qasje dhe ballafaqim, po kurrë duke mos kaluar në vështrime subjektiviste as të copëzuara. Kjo se historiani Enver Memishaj është një autor serioz dhe i përmbahet së vërtetës përmes dokumentit e kjo nuk do të thotë se ai e harron ngjizjen e bërthamës së idesë, as vështrimet analitike dhe konkludimet sintetike në raste të veçanta, sepse dihen rezultatet, dhe bilancet janë dramatike.

Historia e arrestimeve, dënimeve, internimeve, inskenimeve  e sërish arrestimeve, burgimeve, internimeve, është një histori e pafund, siç ndodh në dramat e Shekspirit ku një ngjarje nuk mund të përfundojë, sepse në mbarim të saj fillon një ngjarje tjetër dhe kështu tensioni rritet dhe kjo skenë, Shqipëria, i ngjet një teatri absurd ku, si në romanet e Kafkës nuk e merr vesh as akuzën, as dënimin, po provon akuzën dhe dënimin.

Në këtë qasje reflektive nganjëherë libri ta krijon një tablo të prozës artistike e në mos tablo, një ndjesi të tillë prej nga mund të shkëpusësh, rast pas rasti, imazhe të trishta dhe të forta të fateve njerëzore që ndodhen në zgrip ekzistencial, afër shuarjes.

Mashtrimi komunist aq shumë e provoi “drejtësinë” e këtij mashtrimi, sa  edhe të dënuarit nganjëherë dhe, jo shpesh, pranonin se partia kishte të drejtë. Droga e idealit komunist ishte e tillë sa, vëllai mohonte vëllanë, gruaja burrin apo ati fëmijën, sepse, nëse dilej kundër partis, sikur dilje kundër jetës. Me një realizëm të mirëfilltë pa u interesuar se kjo sot duket si e pabesueshme për gjeneratat e reja, autori jep mikrofabula të tilla, ku megjithëse dënohej nga Enveri, ai komunisti sillej si shembulli i njeriut që nuk ishte dashtë me u sjellë kaq keq. Kjo farsë e një ideologjie shterpe, çuditërisht kishte një injektim trullosës e ngjashme me ideologjitë fashiste që çuan popujt në kasaphanë. Duke e dhënë këtë, autori sikur i nxjerr rrënjët një teatraliteti absurd me shumë akte,  para të cilt ndodhemi.

Në përfundim mund të themi se Enver Lepenica  me librin e fundit po i ngjit gjithnjë shkallët e prozës serioze historike dhe po e zgjeron dhe thellon metodën e vështrimit realist me një qasje të hapur ndaj historis, larg ekuivokeve ndjellakeqe apo dritëhijeve.

Ai tregon se historia jonë nuk ka qenë e lehtë, protagonistët e saj shpesh janë përmbysur në vështrimin e studimeve sipas interesave dhe të mosnjohjes, prandaj ka ardhë koha që kjo histori të rishkruhet me vërtetësi dhe të njihet, po njëherit ajo pranon edhe faktin e kundërt edhe qasjen tjetër, mjafton që gjithçka të vihet në dobi të forcimit dhe besimit tek e vërteta. Dhe kësaj ai ia ka arritur me vështrime që krijohen nga hapja dokumentare e këndeve të ndryshme, me përfshirjen e një materiali të bollshëm dhe kujdesin sistemues.

Pafundësia e emrave që përdor (sipas hierarkisë dhe rëndësisë) na jep në të njenjtën kohë edhe përfshirjen e madhe në këto ngjarje të sa e sa njerëzve, të cilët u bënë protagonistë të kësaj lufte të hapur dhe të heshtur, po edhe e sjellin prozën shkencore të Lepenicës në të vërteta tronditëse dhe afër fakteve shteruese kur na duhet të krijojmë një bindje sa më të plotë për atë kohë dhe me një mesazh të qartë se gjithnjë politika në Shqipëri është një histori e eleminimit dhe jo e përfaqësimit dhe bashkëpunimit.

Historia e grupacionit dhe e vështrimit të tjetrit si armik, është një psikozë mesjetare, ku fatkeqësisht klasa jonë politike rri brenda kësaj guacke të helmuar dhe nuk është shkëputur as sot me gjithë kohrat moderne që kanë ardhur. Kështu, edhe në këtë aspekt,ky libër përcjell mesazhe kuptimplote dhe të qarta, të cilat qarkullojnë dhe përmblidhen nëpër indet e një proze shkencore dhe të shkruar me dorë të lirë nga studiuesi i talentuar dhe punëtor Enver Lepenica.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Memishaj, PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE NEN PESHEN E KRIMIT TE VET, Qazim Shehu

Dosja e emigrantëve- MIKU I POPULLIT, NUK JETON MË

March 3, 2017 by dgreca

1 Ok TartariARANIT TARTARI, MIKU I POPULLIT, NUK JETON MË/

Mjeku gojë ëmbël, që të shëronte me fjalë, u mbulua në dheun e Filadelfias, të Shteteva të Bekuara të Amërikës. Ne mbuluam dhimbjen në zemrat tona.

1 ok emigranti

Nga Enver Memishaj/Në Vlorë e quanin: Miku i Popullit. I qeshur gjithnjë, i pa përtuar, i duruar, i arsyeshëm , i matur në fjalë e në veprime, por i pa tundur në qëllimin human që i kishte vënë vetes: tu shërbente njerëzve si asnjë tjetër. Ai ishte një magjistar i shpirtit njerëzor. Ishte alturist, i gatshëm për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi jetës së tij ishte: t’u bënte mirë qytetarëve të tij.

*     *    *

Babai i Aranitit Azbi Tartari ka punuar si nëpunës në Korçë,Tepelenë  dhe në disa fshatra të Vlorës. Me ardhjen në fuqi të komunistëve të cilët nuk i shikonin me sy të mirë nëpunësit e djeshëm, familja me katër fëmi të vegjël u detyrua të shiste shtëpinë në lagjen Karabash të Vlorës dhe u kthyen në fshatin e origjinës, në Vranisht, por në vitin 1950, u kthyen përsëri në qytet. Në vitin 1957, babai i Aranitit, në një moshë ende të re ndërroi jetë, kështu që Araniti u detyrua të futet në punë.

Pa mbaruar vitin e tretë të gjimnazit e morën ushtar. Eprorët e tij vunë re inteligjencën dhe aftësitë fizike dhe e regjistruan në një kurs për aviator. Kjo ka qenë një nga ditët e lumutra të jetës tij. Tashmë ai do të fluturonte lart në qiell, si shqiponjat e maleve të Vranishtit. Në vitet 1956 -1958 mbaroi  kursin dhe falë aftësive të tij, arriti te fluturonte edhe vetem ne qiellin shqiptar. Ky ishte pasioni më i madh i tij, dhe që do ta kujtonte përherë me nostalgji. Por ëndërrën për të fluturuar me avion ja prenë në mes.

Sigurimi i Shtetit vigjëlonte. Ndërsa ishte nisur të vazhdonte studimet e larta në Bashkimin Sovjetik, e kthyen mbrapsht nga Rinasi për disa verifikime! Kjo, tregonte më vonë Araniti, ka qenë një nga ditët më të zeza të jetës sime. Kështu ai e humbi dashurinë e parë, fluturimin në qiellin e kaltër, humbi shpresën, zogut i kishin prerë krahët…

Enderrën e prerë në mes për pilot nuk e harroi gjith jetën. Ai më von, ndërsa ndiqte Fakultetin e Mjekësisë në çdo faqe të leksioneve do të vizatonte aeroplanë dhe posht tyre shkruante:  Guxova dhe fluturova ne qiellin e kalter shqipetar.

Pas kesaj ngjarje ai nuk u dekurajua. Nuk donte që të ishte nën shokët e tij. U kthye në Vlorë, punoi dy vjet si punëtor dhe kreu natën gjimnazin dhe në vitin 1961, fitoi të drejtën për të ndjekur Fakultetin e Mjekësisë, në Tiranë. Studimet i kreu me sukses dhe në vitin 1966 u diplomua mjek. Në vitin 1967 u specializuar si mjek laborant dhe u emërua në spitalin e Vlorës. Që nga ai vit ai u shërbeu me përkushtim qytetarve të tij për gati 30 vjet. Ngritjen profesionale e arriti nëpërmjet studimeve individuale dhe fitoi vetitë e një shkencëtari. Ai diti të mësonte nga përvoja e mjekëve të vjetër të Vlorës që ishin diplomuar në perëndim: dr. Tepelenës, dr. Hysenbegasit, dr. Myzabegut, dr. Berberjanit etj.

E mbaj mënt, kur çdo ditë e gjeja në laboratorin e tij me dr. Tepelenën duke përkthyer nga revistat e huaja frëngjisht dhe italisht.  Botoi shumë shkrime për mjeksinë në gazetat dhe revistat shkencore.

Te qenurit mjek per te ishte nje mision dhe pergjegjesi e madhe, prandaj çdo pacienti i shërbente me devotshmëri, jo vetem si specialist, por edhe si njeri që dinte të hynte në botën shpirtërore të pacientit dhe gjente gjithmonë zgjidhje.

*      *     *

Dr. Aranit Tartari kishte lindur në qytetin e Vlorës më 16 shkurt 1938, në një familje me tradita atdhetare e qytetare. Ai ishte demokrat në shpirt dhe mendje dhe i priti me entuziazem ndryshimet demokratike duke marre pjese familjarisht në çdo manifestim të Partisë Demokratike në Sheshin e Flamurit.

Doli ne pension ne vitin 1993 dhe ne vitin 1996 emigroi familjarisht në Shtetet e Bekuara të Amerikës siç e quante ai këtë vend të bekuar.

Aranitit nuk i mungonte asgjë për të jetuar në Vlorë. Ai ishte një mjek i talentuar me të dhënat e një shkencëtari, Lutfija, e shoqja ishte mësuese e nderuar dhe e respektuar, Helidoni, djali, një inxhinjer i talentuar dhe Anila, vajza, një mjeke me perspektivë.  Atëhere përse Aranit Tartari emigroi në Amerikë?

Ai njeri adhuronte lirinë dhe ëndërronte të jetonte në vendin e lirisë por edhe pse donte të shëronte atë plagë të rinisë: fluturimin në qiellin e lirsë, që ja vranë  në moshën më të bukur.

Në vitin 2001, pasi kishte punuar e dhënë shembuj qytetarie ai mori nënshtetësinë amerikane. Kjo ishte një nga ditët më të gëzuara të jetës tij. Tani ai mund të fluturonte jo vetëm në qiellin shqiptar por edhe nëpër qiejt e botës.

*      *     *

Kur mora lajmin e hidhur të humbjes së Dr. Aranitit nuk më besohej. Ai njeri që kishte dalë fitimtar në të gjitha bejejat e jetës së tij, qysh ishte mposhtur. E ktheva kokën pas dhe pash si në një film udhën e jetës që kisha përshkuar me një mik të mirë, si Aranit Tartari…

Ai ishte qytetar dhe mjek me virtyte të rralla. Ishte njeri me shpirt të gëzueshëm, gjithnjë optimist, shakaxhi, bisedat e tij të bëra me hiperbola që veç ai mund  t’i sajonte, i përsërisnin të gjithë gojë më gojë dhe provonin ta imitonin, por pa sukses.

Ishte një nga njerëzit e rrallë të qytëtit tonë, që kishte shokë dhe miq të shumtë, për të mos thënë se qytetarët e Vlorës, por edhe fshatarët, ishin të gjithë miqtë e tij. Ai nuk lodhej duke i ndihmuar të gjithë, prandaj e quanin miku i popullit. Ishte gjithnjë i pranishëm, pranë mikut dhe shokut, në festë, në dasëm, qoftë edhe në mort,  dhe takimet me atë burrë mbaheshin mënt gjatë.

Edhe Lutfijen, bashkëshorten, e kishte gjetur si vetja. Ishin një çift i përsosur. Fati e kishte bashkuar me atë gruan që nga karakteri dukej më tepër si motra e tij. Edhe ajo, gjithnjë  qeshur, e gëzuar dhe që të bënte për vete që në takimin e parë . Rrallë çifte ngjajnë dhe shkojnë me njeri tjetrin si Lutfia me Aranitin.

Ajo me fisnikërinë dhe bujarinë e saji i siguroi atij një jetë të bardhë  dhe i dhuroi dy fëmijë, si vetja Helidonin, që ishte edhe ai Diell si i ati dhe Anilën, të bukur dhe të qeshur si i ati dhe e jëma.

Nga prindërit, si të gjithë ne, nuk trashëgoi pasuri, por ai kishte një shpirt të pasur si asnjë tjetër.Ishte alturist,  i gatshëm për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi për t’i bërë mirë tjetrit.Araniti, motra Teferia dhe i vëllai, profesori i njohur Teki Tartari, e shkundën blozën e shtëpisë së Vranishtit dhe hodhën themelet e shtëpisë qytetarëe në Tiranë dhe në Vlorë, duke e ngritur emërin e familjes dhe fisit më lart.Nga bindja Araniti ishte thjesht një shpirt i pastër demokrati. Ishte kundër dhunës. Miqëve dhe shokëve që kishin mbetur më atë anë të barikadës komuniste nuk ua ktheu shpinën. Jetoi me kokën lart, kishte një dinjitet të pa shembullt dhe askujt nuk pranoi t’i përulej.

Me Aranit Tartarin humba një shok të jetës sime, një bashkëqytetar nga më të vlefshmit, një burrë të qëndrueshëm, i cili gjatë gjith jetës tij kreu detyrën qytetare, duke u bërë shërbëtor i vlonjatëve, ditën dhe natën, nuk mungoi në asnjë çast t’u vinte në ndihmë njerëzve, pa asnjë kusht  dhe pa pyetur, si dhe cili ishte ai që vuante, ç’ ngjyrë kishte dhe ç’punë bënte.

Bashkë përshkruam udhën e jetës në të keqe dhe në të mirë, në gëzime dhe në hidhërime. Të kishe shok Aranitin ai ta bëntë diell e dritë, çdo çast të jetës, ta hiqte mërzinë, vujtjen dhe dyshimin, me buzëqeshjen, me pak fjalë dhe me magjinë që të pushtonte. Ai ishte një magjistar i shpirtit njerëzor.

Doktor Isuf Hysenbegasi që e kishja mësues në gjimnaz, thoshte se ç’farë të shkruaj unë në recetë ti nuk e kuptom, por ç’farë të them me gojë ti e kuptom shumë mirë. I tillë ishte Aranit Tartari, ishte nga ata mjek që të shëronte me fjalë. Të bënin më shumë efekt fjalët dhe këshillat e tij se sa barnat.

Më tha prof. Ëngjëll Saliu që Aniti ishte sëmurë. Shpresoja që të triumfonte mbi sëmundjen, sikundër kishte triumfuar në dallgët e jetës, por besoj se me të njëjtin durim, me të njëjtën burrëri që kishte treguar gjatë jetës për kapërximin e vështirësive do ta ketë përballuar edhe sëmundjen që nuk besoja t’i këpuste fillin e jetës.

Nuk e di, se nuk isha pranë tij, siç dëshëroja, por jam i bindur se ai burrë i rrallë nuk do t’i ketë dalë kurrë prej gojës ndonjë fjalë ankimi dhe nuk do të ketë trguar shenja tronditje sepse ishte trim dhe dinte ta përballonte vuajtjen. E di se e ka duruar dhimbjen.

E di se në çastet e fundit të jetës tij do të ketë përfytyruar malet, burimet dhe bukuritë e Vranishtit dhe bregdetin e Vlorës  tij, me ngjyra ylberi, e drita shumë, do ta ketë ndier mallin e pa shuar që brente zemrën e tij në tokën e ëmbël të Amerikës.

Pusho i qetë në tokën e Shteteve të Bekuara të Amerikës, miku im Aranit Tartari.Ti dhe Lutfia e kryet misionin tuaj në jetë, punuat  jo vetëm për vete por më shumë për vlonjatët, na latë dy fëmi që do ta ngrenë më lartë emërin tuaj.

Aranitin do ta kujtojnë të gjith ata që e njohën si njeri e qytetar model, mjek i talentuar, baba, vëlla, mik e shok nga më të mirët. Për Aranitin jeta ishte shumë e shtrenjtë  sepse ai dinte ta shijonte, dinte të gëzonte dhe këtë u la trashëgim dy fëmijëve të tij Helidonit dhe Anilës dhe dy nipërve: Rafaelit dhe  Brentonit. U la trashëgim dashurinë për njeri tjetrin për lirinë  e kuptohet për Shqipërinë.

I tillë qe Aranit Tartari ky mjek, njeri dhe shërbëtor i popullit të tij, të cilin e mbuluan në dheun e Amerikës më 7 dhjetor të vitit 2016 dhe unë shkrova këto radhë si shenjë e nderim të shërbimeve të shquara që i ka sjellë Vlorës, për miqësinë tonë të gjatë dhe të pa njollë, i hidhëruar që nuk iu gjenda pranë atij miku aq të vlefshëm, atij mjeku që shëronte si me magji plagët e qytetarëve vlonjat, atij qytetari të denj e të nderuar të Vlorës.

Prehu në paqe miku im i pa harruar.

Ai u largua në amëshim, por emërin, jetën, punën, mirësinë,  dashurinë dhe ëmbëlsinë e tij do t’i kenë si model në udhën e jetës, të gjith ata që e kanë njohur.

Ai iku po na la gjurmët, shembullin e një mjeku human, shërbëtor i popullit të tij, të një qytetari të denj, të një shoku të një miku.

Filed Under: Histori Tagged With: Dosja e emigrantëve-, Enver Memishaj, MIKU I POPULLIT, NUK JETON MË

PA DASHURI NUK DO KISH AS NJERI, AS PEMË AS BAR DHE AS GURË

November 14, 2016 by dgreca

1-sollomonRreth prozës dhe poezisë së Jakov Solomonit/

jakov-solomon Nga Enver Memishaj/

Njerës si Jakov Solomoni, që nga një cep i Izraelit shkruan me dashuri për Shqipërinë, duhen nderuar e respektuar. Me këtë dashuri përshkohen fund e krye dy librat e tij botuar në Tiranë: “Mirënjohja e maceve”, në vitin 2014, tregime, dhe poezi  “Dhe në shkretëtirë çelin lule”, në vitin 2016. Këta njerës nuk duhen lënë në harresë.Jakovi lindi në Vlorë, dhe që nga viti 1991, jeton në Izrael, por si ata mërgimtarët e moçëm shqiptar, mendjen dhe zemrën e ka lënë këtu në Shqipëri, në Vlorën e tij të dashur.

*    *    *

Tregimet dhe poezitë e tij, përshkohen nga malli dhe dashuria për Vlorën dhe Shqipërinë,  pasqyrojnë mallin, për vatrat, si dhe për njerëzit e tij, të ndarë për së gjalli nga diktatura naziste dhe komuniste, kështu që tregimet dhe poezitë e Jakov Solomonit të prekin në thellësi të shpirtit.Kryesisht tregimet e tij, herë drejtpërdrejt e herë me elegancë janë akuza për sitemin shoqëror ku ai lindi e ku jetoi deri në vitin 1990. Ai akuzon atë sistem shoqëror se liria, liria për të lëvizur, paqja dhe mirëqënia ishin drejtuar në dekadencë.Akuzon se ishte një diktaturë, ishte e huaj për shqiptarët, ishte mohuar nacionalizmi dhe kishte shkatërruar frymën e bashkëpunimit midis shqiptarëve .

Në atë sistem mungonte demokracia, liria dhe shansi. Ato i caktonte Partia, e veshuar me hekuar, e gatshme të të shtinta prangat në çdo moment. Kjo gjendje kishte asfikësuar një popull të tërë  dhe ashtu i asfikësuar nuk mund të kalonte barierat që i vinte përpara Partia. Shumë vonë, e ndoshta jo për faj të tij, populli e kuptoi tragjedinë që e kishte prekur, tragjedi që i ktheu në rrënoja arritjet  më të mira shqiptare. Por është për t’u vënë re se Jakov Solomoni nuk ngatërron sistemin shoqëror me atdheun e dytë të tij Shqipërinë të cilën e do pa kufi.Në tregimet dhe poezitë e tij ai zotron një perceptim të thellë të misterit të realitetit të kohës ku ai jetoi, deri kur sitemi filloi të tronditej për t’u përmbysur. Autori kap fijet e jetës së përditëshme, për të arritur në përgjithësime dhe emocione të fuqishme që zotrojnë mëndjen dhe zemrën e lexuesit.

Tema e tregimeve, ashtu si edhe poezia e tij, janë të jetuara, pra janë autbiografia e autorit.Teatri, ngjarjeve me përjashtim të “Mirënjohja e maceve” zhvillohen në Shqipëri, në Vlorë ku autori kaloi vitet më të bukura të jetës.Asgje s’ka ndryshuar në zemrën e tij: shokët dhe shoqet, zakonet shqiptare, shtëpitë e vjetra, rrugët dhe rrugicat, kodrat e Budakut dhe Kuzumbabasë, deti, gurët e Ujit të Ftohtë, Sazani dhe Karaburuni, çdo gjë… Bashkëjetesa e vëllazërore me vlonjatët dhe shqiptarët, ka lënë gjurmë në jetën e tij, çka gjen pasqyrim në veprën e tij.

Tregimi tij mbështetet në të dhënat reale, por në tregimin  “Mirënjohja e maceve” autori me një gjuhë të thjeshtë e kalon lexuesin në arsyetime filozofike. Ai përshkruan një njeri që ashtu si ai, është kthyer në atdheun e të parëve të tij dhe punë tjetër s’bën veç grumbullon mbeturina dhe ushqen macet e qytetit. Një shpirt i madh njerëzor që siç thotë populli i vjen keq dhe për mizat e dheut. Një ditë ky njeri gjendet i vdekur në një rrugicë të qytetit. Rreth tij ishin mbledhur macet dhe filluan të majullinë me klithma rrënqethëse, qanin me mirënjohje, atë njeri që i kishte ushqyer. Kështu pra autori ka ndërthurur bukur idenë e të qenit njeri me arsyetime filozofike.Tregimi “Kush ma vrau gjyshin”, është shembulli i dashurisë së autorit për paraardhësit dhe urrejtja për padrejtësinë. Gjyshi që ai përshkruan me një dashuri të pa kufishme, është një njeri i ndreshëm, një tregëtar i vogël manifakture, që shteti ia grabit burimin e vetëm të jetesës, sepse ai “kishte pirë”, gjakun e popullit!!!  Nga ai moment gjyshi nuk u ngrit më nga krevati dhe e dorëzoi shpirtin e tij të bardhë, në një spital të Beogradit, pa njeri pranë dhe që u varros nga një shoqëri bamirëse.

Tregëtia e lirë e basmave mund të mos jetë shkak për ndëshkim në botën e lirë, por jo në një sistem komunist, vetëm kaq mjafton për të grabitur një njeri për ta çmënduar atë dhe për ta hedhur tej e për të vdekur në një spial të huaj.Nëpërmjet gjyshit të tij autori shpegon mizorinë e atij sistemi, ndëshkimi i gjyshit të Jakov Solomonit është ndëshkimi i një populli të tërë.Në tregimin “Vrasës me duar të pastra”, autori kritikon plagët e shoqërisë dhe ngre akt-akuzën se si shoqëria nga indiferenca vret një njeri. Një vajzë gjimnazi hidhet nga taraca.“Atë e vrau kolektivi i klasës bashkë me mësuesit  që nuk morën një herë mundimin ta pyesnin  se çfarë e mundonte atë krijesë njerëzorë?”, përfundon akuzën e tij autori.Në tregimin “Leksion alla shqiptarçe”, duket se ai është njohës i mirë i historisë dhe mentaliteteve shqiptare. Këtu përshkruhet ndarja e dhimbshme, që izraelitët bënë me shqiptarët në vitin 1991, por pa i harrur kurrë shqiptarët  me të cilët kishin kaluar një pjesë të jetës tyre. Xhaxhai i autorit atje në Izrael, përsëriste shpesh: “më ka marrë malli për rrugët dhe rrugicat e Vlorës…”Në tregimin “Malli që çan gurët”, autori, përshkruan me nota nostalgjie mallin e pa shuar  për shokët e të tij shqiptar, mall që çan edhe gurët.Tregimin “Miq për kokë”, autori ia dedikon kujtimit të ndritur të prindërve të tij. Me nota emocionuese autori tregon bashkjetesën e shqiptarëve me izraelitët, nëpërmjet një ngjarje reale. Kur një oficer nazist i kërkon Ibrahimit, shokut të tij të shkollës, t’i bëjë një listë me izraelitët e qytetit, në numurin një të listës Ibrahimi shënon emrin e tij, pët t’i thënë nazistit se më parë duhet të merrete jetën e tij dhe pastaj atë të miqve të tij, izraelitë. “ Unë nuk jam jehudi, i thot Ibrahimi oficerit nazist, por mik i tyre. Ne shqiptarët… miqtë nuk i lëmë kurrë vetëm në fatkeqësi, nuk i shesim ata dhe t’i lëmë në baltë kur kanë nevojë”.  Në tregimin “Il conte d’Albania”, që autori ia dedikon gjyshes së tij, përshkruan historinë e izraelitëve të ndërthurur me historinë e shqiptarëve në një mirëkuptim të plotë, përshkruan zakone e tradita, duke na dhënë një enciklopedi të vogël të jetës shqiptaro – izraelite.

*       *      *

Poezinë e tij autori e ka përmbledhur në librin me titullin poetik “Dhe në shkretëttirë çelin lule”, çka do të thotë se në çdo dallëgë e furtunë të jetës së njeriut, shpirti njerzor, ndjenjat nuk shuhen, ato çelin edhe në shkretëtirë.

Poezia e tij është kaq larg dhe kaq pranë me Vlorës tij të dashur dhe të pa harruar:

Ëndërrimet flakërojnë nga Izraeli në Vlorë,

Mali dhe deti madhështor dhe hijshëm,

Deti është aty në përjetësi.

Atje poshtë, diku, autorit i kujtohet një syzezë, apo sykaltër si deti, një shoqe e rinisë që kishte pushtuar shpirtin e tij: Se dashuria moshë nuk ka, kur shpirti ndizet flakada,

Një shkrepse mund të bëjë aq zjarr, sa edhe dhjetra vetëtima,

Një zjarr që s’mund ta shuanin, as mijëra shira e suferina.

Poezia e Jakov Solomonit është pasqyra e shpirtit të tij, pasqyrimi i jetës e tij plot ngritje e ulje. Ngado shkon shpirti i autorit gjen qetësi e prehje vetëm në Vlorën e tij, te gjyshi e gjyshja, te vera e vaji ullirit. Tema dhe ngjarja e poezisë zhvillohen në Vlorë dhe të duket sikur autori kërkon rrënjët e fënijërisë dhe rinisë së humbur. Poezia ndjek linjat e poezisë moderne, e zhveshur nga figuracionet e tepërta për të shkuar në thelb të problemeve dhe idesë që ai trajton. Vargu tij të bën përshtypje dhe të shtyn për të menduar për kohën e kaluar duke mbajtur sytë nga e ardhmja. Autori vëzhgon, kujton e mediton.Por, thirrja e gjakut, e stërgjushërve, kushtrimi të parëve e larguan atë nga Vlora.

*       *      *

Rëndësia e veprës letrare të Jakov Solomonit, qëndron në faktin se  ai i bie këmbanës së kujtesës, pra bën deyrën e tij për të mos harruar. Me një porzë të thjeshtë, autori është munduar jo pa sukses, të na sjellë me sy kritik, botën e djeshme shqiptare ku ne jetuam e vuajtëm.Tregimet e tij lexohen edhe si një reagim ndaj mungesës së lirisë që instaluan komunistët në Shqipëri që mbyllën në burg një popull të tërë.Tregimet dhe popezia e tij shquhen për kthelltësinë e mesazheve që jep me një gjuhë të thjeshtë.Kuptohet lehtë edhe dashuria ndaj kulturës së vendit ku ai lindi dhe u burrërua.Autori ndien detyrimin që të shkruaj për atë sistem që nuk i solli tragjedi vetëm familjes së tij, por një populli të tërë, prandaj tregimet e tij mund të lexohen edhe si një thirrje për të shkruar për atë që hoqën shqiptarët nën diktaturën komuniste.Naracioni historike politik është gërshetuar përmes gjuhës artistike. Historik sepse me penën e tij ai kujton ngjarje tronditëse të atij sistemi, politik sepse ai i ngre akuzë sistemitPërfundimisht do të thonim se librat e tij me vulën e sinqeritetit janë një firmë e hedhur në peticionin kundër diktaturës komuniste.

***

Popullsia hebre, izraelite, u shpërnda qysh në antikitetin e vonë në trevat e Perandorisë Romake. Në mesjetë dokumentohen të paktën që nga shek.XIII në qytetet shqiptare, si në Durrës, Vlorë. Në fund të shek. XV grupe hebrenjsh të degës mesdhetare sefardine të ndjekur nga inkuizicioni spanjoll dhe portugez, u strehuan në Shqipëri, kryesisht në kohën e sulltan Bajazitit II. Ata krijuan në Vlorë, Artë dhe Prevezë bashkësitë e para e më vonë edhe në Berat, Janinë, Elbasan, Shkup, Prizren, Manastir etj. Hebrenjtë merreshin kryesisht me tregti dhe me dhënie faizi. Bashkësitë hebreje në Shqipëri krijuan si kudo institucionet fetare e administrative-gjyqësore të veta. Në qytete jetonin në lagje të veçanta. Në shtetin shqiptar nuk ka pasur diskriminim ndaj tyre, si ka ndodhur në shumë shtete të tjera të Ballkanit dhe të Evropës Perëndimore.

 

 

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Enver Memishaj, Rreth prozës dhe poezisë, së Jakov Solomonit

Kur u çmënda unë …Tani që u çmënd fshati, unë s’kam pse t’i vete pas!

October 11, 2016 by dgreca

*BARDHOSH MICI ZBULON VRASËSIT KOMUNIST TË VRANISHTIT TË VLORËS/

*Rreth librit të Bardhosh Micit “Vranishti përmes luftës së klasave 1943 – 1990”, Vlorë 2016/

Kur e pyetën Xhevit Lilën, që kishte qënë i sëmurë mendor,  në se do të futej në kooperativë, ai u përgjegj:Kur u çmënda unë, fshati nuk më mori pas, tani që u çmënd fshati, unë s’kam pse t’i vete pas!/

EnverLepenica1

Nga Enver Memishaj/

Bardhosh Mici, është një personalitet i njohur, ai spikat me aktivitetin shoqëror dhe shtetëror: arsimtar, drejtor shkolle, inspektor arsimi, luftëtar i vijës së parë për përmbysjen e diktaturës komuniste, i zgjedhur në organet e pushtetit lokal, por tani së fundi na shfaqet një anë e pa njohur e tij, ai spikat edhe si studjues me veprën: “ Vranishti përmes luftës së klasave 1943 – 1990”

Është një sfidë e re, jo pa sukses, që ai na bën, duke zbuluar vrasësit komunist të viteve të luftës të Vranishtit, vendlindjes së tij, si dhe luftën e klasave që projektoi e zhvilloi Partia Komuniste, luftë e cila e çau fshatin në dy grupe armiqësore për afro 50 vjet.

Elementët biografik, duken e perceptohen qartë në libër. Njerin prej personazhece simpatik të këtij libri, patriotin zëmadh Rrapo Meton autori e ka gjysh nga nëna.

Në këtë libër, autori na tregon zinxhirin e vrasjeve të pabesa,  pas shpinë të bëra nga komunistët e vendlindjes së tij Vranishtit, që kanë në themel krimin çnjerzor, padrejtësinëm, pabesinë.

*      *     *

“Në shtator të vitit 1943, Neim Xhevit Hasanaj, i zuri pusi, te Ura e Xhame, në Vranisht, Hysni Totos dhe e vrau”, me këtë vrasje hapet libri i Bardhosh Micit.

Më tutje autori na tregon, plagosjen në korrit të vitit 1943, të Rrapo Metos dhe pushkatimin e tij në nëntor të po atij viti, nga Liri Gega dhe Mehmet Shehu.

Në dhjetor të vitit 1943, Murat Demua udhëtonte nga Vlora në Vranisht. Në Brataj e arrestoi një skuadër partizane, e shoqëron për në Ramicë dhe e ekzekutuan në pyjet e këtij fshati.

Siç dihet, komunistët nuk kënaqeshin vetëm duke derdhur gjak vëllai, me vrasje në prita, por akti më kriminal, më asbsurd, se vetë pushaktimet pa gjyq, ishte persekutimi barbar i pasardhësve, gruas, fëmijëve, vëllezërve, motrave, kushërinjëve etj., me arsyetimin absurd se ishin të afërt të armikut të popullit dhe të partisë.

Djali i Rrapo Metos, Dilaveri vuajti 40 vjet burgje dhe internime, fëmijët e tjerë të tij vuajtën përjetësisht persekucionin komunist. Fëmijët e Murat Demos nuk u lejuan asnjë të ndiqte arsimin e lartë, e kështu me radhë për të gjithë “armiqtë e popullit”!

Me shumë rëndësi në këtë libër është edhe zbulimi i së vërtetës së masakrës që bënë Gjermanët në këtë fshat në dhjetor të vitit 1943 dhe në shkurt të vitit 1944.

Këtë masakër e projektuan dhe e sollën komunistët e Vranishtit. Ata për të marrë rrobabat dhe armët, vranë një patrullë gjermane prej 10 ushtarësh në kohën që ishin ulur në një lëndinë të fshatit dhe po hanin bukë, prandaj  gjermanët u hakmorën duke pushkatuar 58 fshatarë të pa fajshëm të këtij fshati.

E verteta e zbulimit të Bardhosh Micit, nuk mund të kundërshtohet, e pranohet lehtë po të

kemi parasysh se Gjermanët kur niseshin nga Vlora për të arritur në Vranisht përshkonin mes për mes disa fshatra: Babicën, Drashovicën, Vodicën, Kotën, Gjormin, Lepenicën, Bratin, Tërbaçin dhe në këto fshatra nuk prekën asgjë, por sapo mbritën në Vranisht për hakmarrje pushkatuan 58 fshatarë të pa fajshëm.

Pas pushkatimeve pa gjyq, që bënë komunistët gjatë luftës, ata u treguan më të egër, më çnjerzor,  në kohë paqje. Në vitin 1953, me këmbënguljen e sekretarit të Komitetit të Partisë Ymer Veshit, në Vranisht u shpall kulak Beqir Mete Shkurti, ndëshkim prej të cilit vuajti deri sa vdiq në vitin 1975. Jo vetëm kaq, por në vitin 1955, Beqirit i pushkatuan djalin e tij Telha Shkurtin.

Makabre, janë spiunimet brenda familjes dhe fisit: Sigurimi kërkone Sali Azemin, pasi kishte dalë në arrati për një vrasje për çështje morali. Dajua i tij Hito Majko, bashkëpunoi me Sigurimin dhe e fton Sali Azemin në shtëpin e rrethuar. Ai doli jashtë për të pritur Sali Azemin, ndërkohë, babai tij plak, brenda, kollitet me të madhe, mirëpo kjo ishte shenja, parulla që Hitua kishte lënë me Sigurimin. Kështu që forcat e Sigurimit qëlluan dhe vranë vetë Hito Majkon, dajon e Sali Azemit.

Më von Sali Azemi u vetdorëzua dhe pabesisht e pushkatuan, sepse ai ishte nipi i Rrapo Metos dhe komunistët e Vranishtit i trembeshin hakmarrjes së tij, si trim i çartur që ishte.

*      *     *

Më tej autori trajton thellimin e luftës së klasave në kohë paqje, në periudhën 1960 – 1990. Ai me mënçuri evidenton një fakt historik: pas vitit 1960, Partia dërgoi në fshatrat e Lumit të Vlorë, oficerë të latë të Sigurimit të Shtetit, gjoja “vullnetar”, për të komanduar dhe thelluar luftën e klasave, të cilët u emëruan kryetar kooperative: në Kuç Avdul Hakiu, në Vranisht Maman Saliu dhe Cobo Shakaj, në Smokthinë Gilo Lamja, shoqërues i Mehmet Shehut për 20 vjet, në Brataj Hajredin Meçe, në Tërbaç Islam Gjondeda, përsërisim se të gjith këta ishin oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit.

Si mundet që këta oficerë, të drejtonin ekonomitë bujqësore? Kjo dihej se ata nuk merrnin vesh nga ajo punë, por krimineli Enver Hoxha e blindonte Lumin e Vlorës me besnikët e tij, për të thelluar luftën e klasave, e për të mbajtur fshatarsinë nën thundrën e tij kriminale.  Autori thotë se “ishte frika e Enver Hoxhës, për shpirtërat e mijëra njerëzve të pushkatuar, që atij i ktheheshin në gjumë si fantazma në formë ujku…”

Në Vranisht thotë autori këta “vullnetarë” të Partisë “nxitën dhe organizuan një luftë klase të ashpër, duke tejkaluar përmasat e asaj lufte që u bë në zona të tjera, apo në gjith vendin, veçanërisht dsikriminuese qe organizimi i gjyqeve fshaçe!”.

Autori na përshkruan disa skena çnjerzore, tronditsese, kur  demaskohej e dënohej “armiku i popullit” edhe pas vdekjes. Kështu thotë ai, për faktin se kulaku Beqir Metja, u varros me arkivol dhe pllaka betoni, dy “vullnetarët” e Partisë, ish oficerë të lartë të Sigurimit, vendosën të bëjnë demaskimin fshaçe të Beqir Metes, pas vdekjes, si dhe të afërmve të tij të cilët e kishin varrrosur kulakun me nderime! Duhet thënë se dy “vullnetarët” e kishin të afërt kulakun: njeri e kishte dajo, vëllan e nënës dhe tjetri e kishte dajon e gruas, por komunistët nuk e njohin familjen dhe gjaksinë, ata kanë “Partinë mbi të gjitha”, kështu kur e duan interesat e partisë ata dorëzojnë apo spiunojnë edhe familjen edhe dajon edhe xhaxhanë, siç bënë në këtë rast komunistët “vullnetarë” të Vranishtit.

Për të larë duart si Pillati, dhe që proçesioni çnjerëzor, të kishte efektin e duhur, “vullnetarët”, thirrën nga Kuçi Abdul Hakiun edhe ky “vullnetar” dhe oficer i lartë i Sigurimit. “Prokurori” nga Kuçi mblodhi gjith fshatin në dhomën e kulturës dhe filloi demaskimin, duke thirrur:

  • Përse nuk e hodhët në përrua këtë kërmë?!

Demaskim publik iu bë nga vitet 80-të edhe fshatrit të ndershëm Azbi Lami sepse mbante fshehur tre

pula deti në katua të shtëpisë. Për këtë vepër, ata që dikur kishin akuzuar Ballin Kombëtar për

pula, tani po merreshin vetë me pulat dhe propozuan internimin e këtij armiku!

Në Vranisht thotë autori ishin 30 familje që ishin goditur nga lufta e klasave. Burrat e familjeve të

persekutuara u hoqën nga stërvitja ushtarake, po kështu edhe grave dhe vajzave të tyre nuk u jepnin

pushkë në çetat vullnetare, fëmijëve të tyre iu mohua shkollimi, etj.

Në vitin 1968, Mejdi Qerim Tartari nuk ishte futur në kooperativë. Për të treguar se kooperativa ishte

një “bashkim vullnetar”, kryetari i kooperativës A.M., dërgon tre tirma të tij, të cilët e lidhën Mejdiun

në trungun e një peme, pranë shtëpisë, i muarën qetë dhe i shpunë në stallën e kooperativës.

Kooperativat e Enver Hoxhës ishin mënyra më e mirë për t’i kthyer fshatarët në skllevër. Asnjë

tjetër nuk e bëri këtë eksperiment as fqinji ynë Titua, që Enveri e shau tërë jetë. Më mirë se të

gjithë, çmëndurinë e komunistëve për të bërë kooperativë e ka shprehur Xhevit Lila, një i sëmurë

mendor në Brataj të Vlorës. Kur e pyetën atë, në se do të futej në kooperativë ai u përgjegj:

  • Kur u çmënda unë, fshati nuk më mori pas, tani që u çmënd fshati, unë s’kam pse t’i vete pas!

Kjo është shkurtimisht përmbajtja e librit të Bardhosh Micit.

Pas vitit 1990, vrasjet gjatë kohës së luftës 1943-1944, janë denoncuar si krime të pabesa, të pajustifikuara edhe nga vetë komunistët.

Kështu Maman Saliu, një nga drejtuesit e Partisë Komuniste të Vranishtit, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit shkruan:  “Rrapo Metua mbeti një propagandist i palodhur i Ballit Kombëtar, jo vetëm në Vranisht, por dhe më gjerë. E vërteta është se fjala e tij kishte peshë, por asnjëherë nuk u pa te ai nxitje për krime e aq më pak të kryente vetë krime. Rrapo Metua qe një kundërshtar politik i vendosur dhe jo kriminel. Prandaj dhe pushkatimi tij nga forcat e Brigadës së Parë, nuk ishte i justifikuar. Po ashtu, i pajustifikuar qe edhe pushkatimi i Murat Demos, po nga forcat e Brigadës së Parë në Brataj në dhjetor të vitit 1943, pa i provuar asnjë krim që mund të kishte bërë”. (Shih: Maman Saliu “Trokitje në kujtesë”, Tiranë 2004, f. 68)

Të mos kuptosh sot përcaktimin e Maman Saliut se: “Rrapo Metua qe një kundërshtar politik i vendosur dhe jo kriminel?”, do të thotë të kesh mbetur skllav i Enver Hoxhës dhe Shefqet Peçit. Pra ky është gjykimi shkencor historik për Ballin Kombëtar se ishte një forcë kundërshtare e vendosur e Partisë Komuniste, një gjë krejt normale, në një vend normal dhe për gjykimin e njerzëve normalë.

*     *     *

Rëndësia e librit të Bardhosh Micit, qëndron në faktin se është një dokument i rëndësishëm dhe vjen si një mision, detyrë dhe provë për zbatimin e  Rezolutës 1481 të vitit 2006 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë datë 30 tetoe 2006, “Mbi domosdoshmërinë për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”.

Libri të lë përshtypje të thellë dhe mendoj se duhet nxjerrë në pah, për shkak të denoncimit të krimeve të komunistëve të Vranishtit, duhet të tërhiqet vëmëndja e lexuesit që vepra të marrë vëmëndjen që meriton jo vetëm prej lexuesit te thjeshtë, por edhe prej akademikëve.

Është një libër që  lexohet me ëndje dhe interes nga të gjithë, prandaj nuk duhet ta  lëmë të flejë në raftet e librarive.

Libri është variacion i së njejtës temë të krimeve të komunistëve. Kjo është një mënyrë shpalimi e asaj lemerie që vuajtën shqiptarët për shkak të luftës së klasave, atyre tmerreve që ngjanë gjatë luftës 1942-1944 dhe aq më keq në kohë paqje 1945 – 1990.

Kohët e fundit denoncimi i krimeve të komunistëve shqiptar po gjen nje shtrirje të gjerë, pavarësisht nga “mbrojtja” që u bëjnë krimeve komunistët e ditëve tona.

Në rastin e librit të Bardhosh Micit, kemi për bazë tregimin e historisë tragjike të fshatit Vranisht, të Vlorës, të treguar prej një intelektuali të atij fshati që ka lindur dhe është rritur atje dhe që i dhemb zemra jo vetëm për ato që ngjanë në kohë luftë, por edhe në kohë paqje, por më shumë për ata fshatarë të tij, apo komnistë te ditëve tona, që përpiqen që krimet t’i mbulojnë e justifikojnë, por jo të gjitha i mbulon gjethja e fikut.

Me ketë vepër Bardhosh Mici na paraqitet me nje penë të sigurt, sepse është mbështetur në dosjet e gjalla të vendlindjes së tij. E urojmë autorin për vepra të tjera më të mira.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Bardhosh Mici, Enver Memishaj, tani qe u cmend fshati

KLITHMAT KOMUNISTE TË VAGABONDËVE TË HISTORISË

September 26, 2016 by dgreca

Vazhdim i një polemike të vjetër dhe të re/

Nje letër që ndryshon historinë/

Nga Enver Memishaj/

    “Mos me u idhnu kur asht nevoja, asht marri”-Aristoteli/

  1. Klithmat e korbave Grillo/

Në vitin 2001, i ndieri Odise Grillo, shkruante kundër meje artikullin  “Z. Memisha mos gënjeni kaq paturpësisht!”, botuar në gazetën komuniste “Kushtrim Brezash”,  datë 20.7.2001.  Vura buzën në gaz dhe thashë me vete: punë pleqërie dhe urrejtje ndaj “armikut” të klasës!Por, kur çështjen e mori në analizë Organizata Bazë e Partisë Komuniste, gazeta  “Labëria”,  datë  15.10.2001, që  e ribotoi artikullin e sipërm me entuziazëm, në faqen e parë, vura re se çështja nuk ishte personale.

Heshtja e mëtejshme nga ana ime do të thoshte pranimi i shpifjeve dhe akuzave kundër luftëtarit antifashist Hysni Lepenica.

  1. Për çfarë më akuzonte mua Odise Grillua?

Në librin tim me dokumenta, “Hysni Lepenica…”,  faqe 37, ka një paragraf me këtë përmbajtje: “Njësiti gueril i Himarës nën drejtimin e Zaho Kokës i zuri pritë në Vishe dhe vrau komandantin e karabinierisë së Himarës toger Luigji Moretin, së bashku me ata që e shoqëronin. Ishte aksion me rëndësi sepse Moreti ishte oficeri i parë italian që vritej në Shqipëri. Sipas Albert Abazit, vrasja e Moretit është bërë me plan të përbashkët dhe me pjesëmarrje të Hysni Lepenicës”.

Për këto 6 rreshta profesori i Enverit zbraz ndaj meje një fjalor të denjë vetëm për rracën e tij komuniste  kundër  “armikut” të klasës punëtore të titulluar: “Z. Memisha, mos gënjeni kaq paturpësisht!”, ku ndërmjet të tjerave shkruante:

“U befasova nga një gënjeshtër me bisht, fabrikuar nga ju apo nga ndonjë tjetër që ua ka servirur… Ka edhe të tjerë që pretendojnë se e kanë vrarë! Të tillë janë mësuesi J.M. dhe ish-oficeri A.M. … Kjo tregon se të tre nuk jeni aq budallenj, por diabolikë… Po nuk keni për t’ia arritur asnjëherë atij qëllimi djallëzor…

Vrasjen e Moretit e ka organizuar çeta partizane e Vunoit, e përbërë nga Zaho Koka – komandant, Dhimitër Grillo, organizator i Partisë Komuniste për Bregdetin, komunist i 1941, Anastas Ziso, dhe Paskal Andoni…”.

(Shih: gazetat: “Kushtrin Brezash “ , dt. 20.7 .2001, f.3. “Labëria “ , dt. 15.10.2001, f.3. ) 

  1. Ja se si iu përgjigja unë komunistit Odise Grillo:

“Së pari profesor, nuk të lejohet të replikosh me iniciale sepse “armiku” i klasës gjen rastin t’u thotë se gënjeni, prandaj në se nuk i bëni publike ata emra që thua si dhe burimet prej nga i ke marrë pohimet e tyre edhe unë do të quaja një mashtrues.

Së dyti, për shkak të moshës nuk keni mundur të vini re se:-Në fund të paragrafit të parë të fragmentit të cituar prej librit “Hysni Lepenica…” është shënuar numri 15, që shpjegohet në faqen 470 të librit se burimi i këtij paragrafi është gazeta “Zëri i Popullit” datë 8.6.1969; që para ‘90-tës “armiqtë” e klasës thoshin se kjo gazetë veç datës nuk ka asgjë të vërtetë!

-Në fund të paragrafit të dytë, shënohet numri 16 burimi se citimi është marrë prej revistës “Mbrojtja”, nr.2,3 – 1994 dhe libri i Albert Abazi “Hysni Lepenica” Tiranë 1996, faqe 46.

Po ta kishit lexuar librin tim, siç pretendoni, do të kishit vënë re, gjithashtu, se qysh në kopertinë poshtë titullit është shënuar fjala: Dokumenta.

Pra, libri “Hysni Lepenica…”, botuar në vitin 2000,  është një përmbledhje dokumentesh historike, përfshi këtu edhe mendimet e komunistëve: Enver Hoxha, mikut tuaj familjar, Hysni Kapo, shokut Mehmet Shehut, Petro Marko, etj…

Libri ka firmën dhe është vlerësuar prej tre profesor doktorëve Hysni Mëzyri, Muharrem Dezhgiu dhe Beqir Meta, akademikë, recencat e të cilëve janë botuar në libër.

I mbrujtur me mësimet e Partisë dhe shokut Enver ju profesor keni guxuar të hidhni poshtë vlerësimet e tre profesor doktorëve të historisë, por historia nuk është si ato vjershat për fëmijë, që shkruani ju: Moj ti pula pikaloshe,/ që më bredh qoshe më qoshe…

Për vrasjen e toger Moretit, unë vetëm sa kam paraqitur burimet e sipër cituara. Asnjë koment dhe vlerësim nuk nuk kam marrë përsipër. Unë nuk konfirmoj dhe as i kundërshtoj këto burime si dhe të gjitha burimet dhe dokumente të tjera që përfshin ky libër. Atëherë, ku e shikoni fajin dhe mashtrimin tim, profesor i nderuar Odise Grillo?!

Nga ana tjetër një komunist si ju nuk mund të përdorë një fjalor rrugaçësh dhe s’mund të arrijë përfundime pa iu nënshtruar analizës dhe fakteve. Nëse ju Odise Grillo do të kishit seriozitetin për të thënë të vërtetën dhe paanësinë e gjykatësit do të debatonit dhe  do të hidhnit poshtë burimin e dokumentit, se unë nuk u kam ndonjë borxh që më quani mashtrues.  Pra ju i kalitur në kudhrën e Partisë si mund t’ua lejojë etika të shpifni publikisht, duke më quajtur: “mashtrues të paturp”?

Unë vetë s’kam asnjë lidhje me komunizmin, përveç plumbit, litarit dhe burgut që na dhatë ju komunistët e drapër çekanit për ta bërë Shqipërinë “fanar ndriçues në gjithë botën”, siç edhe bëtë në fakt! Për këto arsye as e njoh dhe as e përdor gënjeshtrën.

Meqenëse ju nuk merreni me burimin, por me autorin e librit, problemi del jashtë kufijve historik pasi profesori godet armikun e klasës: Hysni Lepenicën, pra merr ngjyrë të hapur politike, çka tregon qartë batakun e mjerimit ku keni rënë, ju dhe gazetat tuaja.

E vërteta është se unë e kuptoj pozitën e vështirë të Odisesë së mjerë. Ndërsa mundohet të luaj rolin e mashës, i mësuar si pionier komunist, i trajnuar në gjimnazin e Tiranës si i ri komunist kur rrihte “armiqtë” e klasës punëtore.

Profesor Odiseja, mundohet padenjësisht ta zbusë çështjen kur e shpall Hysni Lepenicën mik të familjes së tij, gjysh stërgjyshi, gjë që është e vërtetë, por shumë vonë është kujtuar për këtë miqësi. Gjethja e fikut nuk i mbulon dot të gjitha. Nëse atij do t’i kishte mbetur sado pakë burrëri dhe ndershmëri së pari do të hidhte poshtë atë paçavuren e tij me titull  “Pushkë në bregdet”, novelë e vitit 1967, në të cilën pa pikë turpi dhe pa asnjë bazë merr nëpër gojë  me shpifje të ndyra Hysni Lepenicën  që personifikohet te personazhi kryesor i librit Hysni Lepeni.

Do të ishte mirë që ju të flisnit për veprën nacionaliste të Hysni Lepenicës, veprën tërësore të tij nëse jeni i sinqertë kur thoni se ai ishte miku i familjes suaj. Veçanërisht për mbrojtjen burrërore që ai ju bëri interesave kombëtare në Himarë gjatë kohës si nënprefekt, atëhere njerëzit do të besonin se jeni i sinqertë kur deklaroni se Hysni Lepenica ishte miku i familjes.

  1. Kush është mashtruesi dhe bashkëpuntor i fashizmit?

Grillot para se të bëheshin komunist kanë qenë fashist:

-Doktor Athanas Grillo, xhaxhait të Odise Grillos, fashizmi i kishte lidhur një rrogë jetike prej 100 frangash në muaj. Fashizmi lidhte rroga jetike sepse ashu si komunizmi mendonte se do të ishte i përjetshëm

-Dhimitër Grillo, vëllai i madh i Odise Grillos, ishte zgjedhur prej fashizmit nënsekretar politik i Partisë Fashite për Bregdetin e Himarës.

(“Fletore Zyrtare”, nr. 127, dt. 10.11.1942; Asllan Loka “Shqipëria, Dibra dhe Aliajt”, Tiranë 2008, f. 79, 81; Gazeta “Fashizmi”, Tiranë, dt. 19.10.1939)

Më pas fashisti Dhimtër Grillo u bë komunist i plotfuqishëm i kësaj Partie në Himarë dhe përgjegjës  për shumë krime në këtë krahinë.

(Për replikën me odise grillon, shih gazetën “55”, Tiranë, dt. 6, 7 dhe 12.12.2001)

  1. Klithmat komuniste të Besnik Mesaplikut

Në vazhdim të klithmave të korbave Grillo, na vijnë klithmat e komunistit Besnik Mesapliku.

(Gazeta  “Dita”, dt. 22.9.2016, f. 15)

Në këtë artikull, pa iu referuar ndonjë dokumenti dhe llogjike historike, Besnik Mesapliku e akuzon Hysni Lepenicën si bashkëpuntor besnik të fashizmit dhe se nuk kishte asnjë rol në vrasjen e toger Moretit më 25 gusht të vitit 1942.

Besniku i Partisë nuk pati guxim të më përgjigjej për parashtresat  në artikullin “Atentati parë kundër Sadik Premtes…”, si dhe për artikuj të tjerë historik por sulmin e bëri sipas zakonit të vjetër të rracës: hidh gurin e mëshih dorën…,  me pseudonim: Me shpifje dhe falsifikime mundohet të errësojë  shkëlqimin e Hysni Lepenicës, “Nder i Kombit”.

I jap të drejtë për frikën që ka, sepse në artikujt e përmëndur, unë kam deklaruar se megjithse po ja heq petët byrekut, nuk po i tregoj të gjitha barishtet që ka brënda, pra as për vrasjet që janë bërë brënda fisit të tij, për arsye morale…Tani po shkëputemi, nga falsifikimet dhe mashtrimet e skllevërve të Koçi Xoxes dhe Kadri Hazbiut dhe po hyjmë në argumentat historike.

Që ta kuptojmë problemin duhet të kthehemi pak pas në kohë. Idetë komuniste në Bregdetin e Himarës, u përhapën nga komunistët e Lumit të Vlorës, ish anëtarë të Grupit Komunist të Të Rinjëve. Ndërmjet dokumentave të shumta, këtë fakt na e dëshmon edhe  Aleks Nikollori, fshatari i Odise Grillos dhe Zaho Kokës:                                                                                                                     “Qani Shenaj,i njohur me pseudonimin Xhaxhanezi, dekoruar me Medaljen e Artë të Shqiponjës, ishte caktuar nga Qarkori i Partisë Komuniste të Vlorës të punonte dhe propagandonte në zonën e Bregdetit.  Në mars të vitit 1942, Zaho Koka shkoi në Vranisht. Ishte përpjekja e parë për kontakte me Qarkorin e Partisë Komuniste të Vlorës… Në mars të vitit 1942 erdhën në Vuno të Himarës Sadik Premtja, Pali Terova dhe Qani Shenaj dhe në konakët e Stavro Trolës organizuan një mbledhje me 50 të rinj. Qëllimi i takimit: Partia Komuniste kërkonte një veprimtari më të ngritur ideologjike, politike dhe organizative… Atje u vendos rregullimi dhe vazhdimësia e kontakteve me shokët e Lumit të Vlorës për nevojat e punës si dhe dhënia dhe marrja e informacionit, veçanërisht lidhur me lëvizjet e xhandarëve dhe karabinierëve…

Kleanth Andoni u ngarkua me detyrën e ndërlidhësit me shokët e Lumit të Vlorës. Në fillim të muajt shtator 1942 në Vuno erdhi me mision të rëndësishëm i deleguari i Qarkorit të Partisë Komuniste, Qani Shenaj, “Xhaxhanezi”. Takimin me ilegalët e organizoi te Petazma e Madhe, [emër vendi] sepse nuk kishte kaluar shumë kohë nga vrasja e Moretit dhe fashistët qarkullonin, kontrollonin, vëzhgonin gjithandej. Këtu ai sqaroi misionin e vet: të krijohej celula e parë e Partisë. Ky fakt i gëzoi pa masë pjesmarrësit. Dhe jo më vonë se tri ditë, Zaho Koka,Dhimitër Grillua dhe Anastas Zisua shkuan vetë në Lumin e Vlorës për të marrë nga afër udhëzimet përkatëse. Kështu më 10 shtator 1942, në Vuno, në shtëpinë e Thoma Simos, dëshmor, u formua celula e parë komuniste e krahinës së Himarës: Anastas Ziso, Zaho Koka, Paskal Andoni. Sekretar u zgjodh Anastas Ziso…”                                                                                                                                                          (Aleks Nikollori “ Himara” , Himara press, Tiranë 2003, f. 126, 142, 148)

Mbi bazën e dëshmisë së komunistit Aleks Nikollori, duhet të pranojmë  faktin e njohur se çdo veprim, çdo lëvizje dhe çdo aktivitet që kryenin komunistët, apo antifashistët, gjatë luftës, në Bregdet, ishin të kordinuara ose të urdhëruara nga Komiteti Qarkor Komunist  i Vlorës.

  1. Një letër që ndryshon historinë

Hysni Lepenica pavarësisht se ishte në detyrën e nënprefektit të Matit dhe Himarës, ai ka qënë aktiv në Lëvizjen Antifashiste. Aktiviteti antifashist i tij  pasqyrohet e provohet në dokumente të shumta, të cilat nuk mund ti përmëndein në një artikull të vetëm. Lexuesi i interesuar mund t’i gjej ato në 16 librat e botuar nga autori këtij shkrimi.

Po u refereohemi sado shklurt dokumentacionit historik, të cilat qëndrojnë edhe pas analizës historike dhe llogjike.

Në promemorien e datës 14.8.1941, Maliq Bushati, Ministër i Punëve të Brëndshme i drejtohet  z. Meloni: “Duket se lidhjet brënda Mbretërisë dhe zonave të tjera … kanë ngritur krye kryesisht me të arratisurin Myslim Peza… Situata aktuale është disi e nderë… Ja si do të ishte radha e kundërshtarëve të kësaj lëvizje: Sektori i Matit.  Nënprefekti Hysni Lepenica, pasi u transferua nga Mati, është mbajtur gjatë në dispozicion të Ministrisë së Brëndshme. Të rikthehet në Mat pasi  vazhdon në mënyrë të tërbuar punën e tij propagandistike  anti italiane. Ministri i Punëve të Brëndshme Maliq Bushati”.

(AQSH F. 261, V. 1941, D.535, f. 20-21) 

Dhimitër Pilo Ziso nga Vunoi, ish sekretari i komunës së Himarës shkruan: “Mbaj mënt se në mesin e vitit 1942, patrioti trim Hysni Lepenica thirri në zyrat e nënprefekturës një mbledhje ku morën pjesë patriotë nga e gjith krahina, nacionalistë, demokratë etj., dhe ranë dakort me mendimin e Hysni Lepenicës për të luftuar pushtuesin dhe çlirimin e vendit… Ai thoshte se është detyrë e atdhetarëve shqiptarë të shpien në vend amanetin e Ismail Qemalit… nuk duhet të kursehemi edhe sikut të na çojnë në litar edhe sikur të na shkojnë në plumb. Ideali kombëtar i dallon shqiptarët nga pseudo shqiptarët. Dhe ai e dha vetë këtë shembull, duke rënë për lirinë e atdheut”:

Në vitin 2001, kur unë i përgjigjesha të ndierit Odise Grillo, nuk merrja përsipër të pohoja apo të kundërshtoja dijeninë, apo rolin e Hysni Lepenicës, nënprefektit të Himarës, në vrasjen e toger Moretit, më 25 mars të vitit 1942.

Më vonë, gjatë hulumtimeve të mia, në Arkivin e Shtetit gjeta një letër në formë urdhëruese, të shkruar në një flet blloku, të vogël, me 5 rreshta, të cilën po e bëj publike për herë të parë.

“I dashur Hysni!

Të lajmëroj që të mos udhëtosh me tenente Moretin asnjëherë në maqinë. Përqafime Nekiu. 9.VIII.42”

(AQSH, F. 18/AP V.1942, D. 1, f. 3. Letrën po e botoj edhe si faksimile)

Ishte një zbulim befasues dhe fort i gëzueshëm. Atë letër e shkruante Neki Ymeri, ish anëtar i GK të Të Rinjëve, anëtar i PK që më 8 nëntor 1941. Në atë kohë komandant i njësitit antifashist të Gjormit dhe sekreta i Qarkorit të Rinisë Komuniste për fshatin, themeluar më 14 mars 1942. Neki Ymeri u vra me urdhër të Hysni Kapos, pabesisht, në pritë nga komunistët Sadik Zotaj dhe Shyqyri Alimerko.

Hysni Lepenica ishte nga Lepenica 3 km larg Gjormit  dhe ishte në lidhje të afërta dhe të shumta, farefisnore dhe miqësore me Sadik Premten, Neki Ymerin, Qani Shenaj të tre nga Gjormi, etj. Jemi në mes të vitit 1942, kur marrëdheniet midis rrymave të ndryshme politike janë shumë të mira. Të gjith antifashistët e Gjormit dhe Lepenicës luftonin bashkarisht dhe s’mund të kishin sekrete me njeri tjetrin.

(Shih: Ymer Veshi “Kohë e paharruar”, Tiranë 2007,  f. 72-76)

Neki Ymeri, pra i shkruante Hysni Lepenicës në formë urdhëruese: “ të mos udhëtonte me tenente Moretin asnjëherë në maqinë”.  Dëshmitar të asaj kohe na kanë thënë se ishte vetë Zaho Koka ose nje fshtar tjetër nga Vunoi që i ka dorëzuar letrën Hysni Lepenicës. Përse ai e paralajmëronte Hysni Lepenicën?

Kjo letër, qartësisht, na bën me dije se njësiti i Bregdetit me në krye Zaho Kokën e kishte biseduar, dhe ishte miratuar të paktën që më 9 gusht 1942, eleminimi i tenente Moretit dhe për këtë arsye Neki Ymeri, lajmëronte Hysni Lepenicën të mbrohej, e të mos udhëtonte me makinën e tenente Moretit.

Kjo do të thotë gjithashtu se Hysni Lepenica të paktën ishte në dijeni të atentatit që do të ndodhte më vonë, dhe që e dëshëronte e miratonte eleminimin e këtij fashisti se përndryshe ai kishte njëmijë mënyra për të evituar atë që ndodhi, pa denoncuar atentatorët.

Eliminimin e toger Moretit e shpejtoi dhe e vendosi edhe një ngjarje tjetër tragjike: vrasja e Shaban Seferi më 21 gusht të vitit 1942, nga Milicia fashiste, në malin e Vunoit. Vrasja,  e trimit dhe poetit Shaban Seferi e hidhëroi pa mas Hysni Lepenicën dhe ndezi gjakun e tij për hakmarrje, pasi ai me fisin e Shabanit, kishte miqësi të herëshme dhe shqiptarët i kanë të shenjta miqësitë, jo si komunistët që mbi miqësinë vënë partinë.

Vrasja e Shaban Seferit, sjellja e trupit të tij në Vuno dhe kërcënimi i toger Moretiti se kshtu do ta pësonin të gjith ata që ngrinin dorën kundër fashizmit i ndezi gjakrat e Vunoit dhe shpejtoi atentatin kundër tij që të paktën ishte projektuar që më 9 gusht të atij viti.

(Shih: Shaban Seferi “Vallja e Labërisë”Triptik Vlorë 2009)  

Atentatin e toger Moretit  dhe aktivitetin e rolin e Hysni Lepenicës e ndriçojnë edhe dokumentat e  armikut:

Shërbimi sekret italian, vigjëlonte dhe ishte në ndjekje të veprimtarisë antifashiste të Hysni Lepenicës. Kuestura Mbretërore e Tiranës me shkresën nr. 03375. Datë 14.7.1942, Sekret, i drejtohet Degës së Përgjithshme të Policisë Tiranë:

“Bëhet e ditur se Kristo Dhima… komunist aktiv ka bashkëpunuar për politikë me Minella Kapon student në Liceun e Shtetit i cili është nisur ditë më parë për në Vuno, vendi i lindjes së tij…  Nga i njëjti burim vijnë referime që nënprefekti i Himarës Lepenica është në shërbim të Inteligjens Servisit  dhe drejtues i komunizmit të asaj zone. Në zonën e Himarës propaganda komuniste është shumë intensive.

Në fund bëhet e ditur që tenente i CC.RR., i Himarës nuk i intereson asgjë duke dhënë përshtypjen e një karte të paguar. Kuestori i Tiranës P.Papalilo”.

(AQSH, F.153, V.1942, D.103, f.185) 

Ndërsa në “Telegramin. Nr.02378 datë 2.12.1942. Bëhet e ditur se dje rebelët të pa konfirmuar në numur janë bashkuar në Gumenicë në praninë e avokatit Skënder Muço, doktor Ibrahim Dervishit dhe Hysni Lepenicës ish nënprefekt i Himarës. Ky i fundit ka dhënë edhe direktiva… Regjenti i kuesturës Nallbani”

      (AQSH, F. 153, V. 1943, D. 301, f.1)

“Nënprefekti i Himarës Hysni Lepenica është larguar prej qëndrës në drejtim të pa njohur … Nënprefekti në fjalë duket se është kundërshtar politik i qeverisë…”

      (AQSH, F. 249, V. 1942-43, D. I/, f. 442-443)

Me shumë rëndësi është dokumenti i oficerit të shërbimit sekret fashist që raporton nga Vlorë të cilin  po e citojmë italisht dhe shqip, që, në se Besniku i Partisë, nuk ka besim në përkthimin tonë le ta përkthejë vetë:

“Rapporto riservato per l’ispettore del PNF. Valona 26.1.1943.

… Quanto sopra valgo anche per la sotto prefettura di Himara, che e stata sempre trascurata pure avendo maggiormente risentito delle conseguenza dalla guera e per la quale le cose sono andate fino ad ora molto male perche il sottoprefeto HYSNI LEPENICA. (come avvevoprevisto e denunciato  in occasione dell’assassinio del comerata MORETI)  era d’accordo con i “partigiani” ed ora, passato ufficialmente  nelle loro file, ne e uno dei maggiori capi ed a lui sembra debba attribuirsi l’uccisione del console Clementi. F.21

*      *      *

Ritengo che nella scelta degli uomni per le cariche locali debbano essere tenuti in certa considerazione gli ortodossi e cio per i seguenti motivi:

Essi per le piu rifuggono dalla consorterie politiche dediti sopra tutto si loro  affari.  Inffati i copi dai partigiani: Mynyr Halili, Skënder Muço, Avdul Agalliu, Ibrahim Dervishi, HYSNI LEPENICA, Hysni Kapo, sono tutti myslymani e soltanto la gioventu studentesca ortodossa  correta dalla propoganda  comunista liberamente svolta nella scuola, ha aderito al mivimento partigiano pagando col propprio sangue… f. 21

 (Shih: AQSH, Fondi dëshmorëve, 555, V. 1942-1943, D. 66, f. 18-21)

 

Përkthimi i dokumentit në shqip:

“Raport sekret për Inspektorin e Partisë Kombëtare Fashiste. Vlorë 26.1.1943

Sa më sipër duhet të vlejë edhe për nënprefekturën e Himarës që ka qenë lënë gjithashtu  pas dore, ndosne ka ndier më tepër pasojat e luftës dhe për të cilën gjërat kanë shkuar deri më sot keq mbasi nënprefekti Hysni Lepenica sikundër kisha parashikuar dhe denoncuar me rastin e vrasjes së shokut Moreti, ishte dakort me “partizanët” dhe tashti pasi zyrtarisht ka kaluar në radhët e tyre është bërë një nga kryetarët me rëndësi dhe duket se atij duhet t’i atribohet vrasja e konsullit KLEMENTI:

*      *      *

Jam i mendimit që në zgjedhjen e njerëzve për poste lokale duhet të kisht marrë një fakt në konsideratë:  ortodoksët dhe kjo për arsyen e më poshtëme:

Ata më tepër qëndrojnë larg shoqërisë politike dhe janë të dhënë pas punë së tyre.

Në fakt kryesorët e partizanëve: Mynyr Halili, Skënder Muço, Abdul Agalliu, Ibrahim Dervishi, Hysni Lepenica, Hysni Kapo, janë që të gjith myslimanë dhe vetëm rinia e studentore ortodokse  janë korruptuar nga propoganda komuniste e zhvilluar lehtësisht në shkolla ka hyrë në lëvizjen partizane duke e paguar me gjakun e vet.

(Shih: AQSH, Fondi dëshmorëve, 555, V. 1942-1943, D. 66, f. 18-21)

Pra siç del edhe nga ky dokument Hysni Lepenica të paktën kishte qënë në dijeni të atentatit të 25 gushtit 1942. Po ashtu Hysni Lepenica akuzohet nga shërbimi sekret edhe për vrasjen e konsullit Franko Klementi në luftën e Gjormit 31.12.1942 deri 2.3.1943.

Në fund të fundit edhe sikur ta zëmë se Hysni Lepenica nuk kishte dijeni dhe nuk kishte luajtur ndonjë rol në eliminimin e toger Moretit, ky fakt nuk ndryshon asgjë dhe nuk errëson veprimtarinë antifashiste  të Hysni Lepenicës.

Është gjithashti i rëndësishëm qëndrimi i Hysni Lepenicës pas vrasjes së toger Moretit.

Ndërsa organet e larta fashiste kishin dhënë urdhër që gjith të dyshuarve tu digjeshin shtëpitë dhe të internoheshin. Hysni lepenica e shpëtoi Vunoin, u dogj vetëm një shtëpi dhe u internua në qytetin e Vlorës familja e Dhimitër Grillos.

Me inteligjencën dhe oratorinë për të cilat shquhej ai i vuri fashistët  në gjumë, duke e paraqitur vrasjen e Moretit si hakmarrje zakonore për pushkatimin në Dhërmi, të katër djemve të Vunoit: Niko Llagurit, Orest Mitros, Foti Gjinit, dhe Gogo Zhepos dhe aspak për motive politike, antifashiste. Hysni Lepenica ishte miku i nderuar i Vunoit dhe gjithë Bregdetit të Himarës, për veprën e tij atdhetare në atë krahinë, për aktivitetin e tij në grupin komunist të “Zjarrit” aq i shtrirë dhe me influencë në atë krahinë.

Për këto vlera të Hysni Lepenicës dëshmon edhe një komunist nga Dhërmiu, Petro Marko në librin e tij “Retë dhe Gurët “. Është ai Petro Marko që komunistët e Vunoit i vranë vëllanë, e burgosën, i hoqën të drejtën për të shkruar e botuar dhe në këtë vepër ka meritën e tij edhe Odise Grillo. Është ai Petro Marko që komunistët i burgosën djalin dhe vajzën ia lanë pa martuar…

Aktiviteti antifashist i Hysni Lepenicës vjen i pranuar edhe llogjikisht. Atentati kundët toger Moretit u krye më 25 gusht 1942, ndërsa në ilegalitet në shtator të atij viti Hysni Lepenica formi çetën antifashiste “Shqiponja”, vijushmëri historike dhe llogjike e veprimtarisë  së tij antifashiste .

(Shih: Paskal Milo “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, Vëll. I, Toena2014, f. 218)

Sipas Komandës së Lartë të Forcave të Armatosura Shqiptare, më 8 mars të vitit 1943, çeta nacionaliste “Shqiponja” e Hysni lepenicës numëronte 50 luftëtarë, pa llogaritur vullnetarët që merrin armët menjëherë sapo ti thërriste Hysni Lepenica.

(AQSH, F.160, V. 1943, D.69, f.1)

Që Hysni Lepenica gjatë kohës që ushtronte detyrën e nënprefektit në Himarë vazhdimisht ka qënë në lidhje në aktivitet dhe në ndihmë të Lëvizjes Antifashiste në Vlorë, na e konfirmon edhe Gjenerali Alberto Pariani, mëkëmbës i Perandorit në Tiranë, i cili flet për personazhet më të rëndësishëm gjatë Lëvizjes Antifashiste:

“Për Lepenicën [Hysni]. Ishte nënprefekt në Himarë. Në shpërndarjen e drithit për 9000 pjesë: 4000 ia dha popullit dhe 5000 rebelëve. Tani është kapobandë”.

(Dokumenti publikuar nga gazeta “Shekulli”, dt. 24.5.2004, f.3, etj.)

Në krahinën e Mesaplikut nga e ka origjinën Besniku i Partisë e dinë të gjith se Hysni Lepenica ka ndihmuar vazhdimisht forcat antifashiste në Vlorë dhe ishte në dijeni të plotë të veprimtarisë së tyre. Rëndësia e dokumetit të gjeneral Pariamit qëndron në faktin se:

  • Konfirmohet aktiviteti antifashist i Hysni Lepenicës prej autoritetit më të lartë fashist në Shqipëri
  • Vetë fashistët konfirmojnë bashkëpunimin e Hysni Lepenicës me Lëvizjen Antifashiste

Edhe në ditët më të vështira për Partinë Komuniste, kur doli i ashtuquajturi fraksion i Vlorës, Enver Hoxha në udhëzimet që dërgon më 3 maj 1943, urdhëron të merreshin masa “të pamëshirëshme, radikale dhe të menjëherëshme… Shtypja e gjarpërinjëve, duhet të bëhet shpejt… Xhepi [Sadik Premtja] dhe Pali [Terevoa] duhet të pushkatohen përnjëherësh si tradhtarë, fraksionistë, pa asnjë gjyq…

Më poshtë Enver Hoxha vazhdon: “Të shkojnë dy veta të flasin me Hysni Lepenicën dhe t’i japin arsyet e ta bindin për masat që janë marrë kundër këtyre tradhëtarëve…”.

(AQSH, F. 18/AP, V.1943, D. 1, f.4. Udhëzimi botuar në veprat e E. Hoxhës, i janë hequr fjalët: pa asnjë gjyq)

Në një shkresë së Prefekturës së Vlorës nr. 178/10 datë 23.7.1943, që i drejtohet Ministrisë së Brendëshme Tiranë mbi të arratisurit komunistë e nacionalistë ndërmjet të tjerëve renditen: Neki Ymeri, Sadik Premtja, Qani Shenaj, Xhafer Dalani, komunistë dhe Hysni Allush Lepenica  dhe vëllai i tij Safet Allush Lepenica, Hasan Brahimi etj…, nacionalistë.

(AQSH. F. 152/2, V. 1943, D. 806, f.56-58)

 

  1. Keqinterpretim i qëllimshëm i dokumentit historik: O Zyber, more Zyber u duket turpi hyner.

Besniku i Partisë në shkrimin që analizojmë na mahnit me një zbulim sensacional të një dokumenti që sipas tij provon se “sa i lidhur ka qenë me fashizmin dhe tenente Moretin, Hysni Lepenica” Fshatarët e Besnikut të Partisë do t’i thoshin, vënçe: “Morpo pse s’ke turp!”

Kur i ka rënë në dorë kjo shkresë atij i janë kujtuar citatet e Mao Ce Dunit, kur i propogandonte nëpër Tiranë me lot në sy dhe sipas metodës Maoiste edhe ai ka shkëputur prej shkresës prej dy faqe një citat, duke bërë kështu, zakonin e babës, një keqinterpretim të qëllimshëm të atij dokumenti.

Cila është e vërteta e këtij dokumenti ?

Siç del nga dokumentat e parashtruara dhe nga shumë të tjera që kufijtë e këtij artikulli nuk ka lejojnë t’i citojmë Shërbimi Sekret Italian, kishte rënë në gjurmët e aktivitetit  antifashist të Hysni Lepenicës dhe ishte në ndjekje të tij.

Për këtë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë me shkresën nr. O1459, datë 11.6.1942 “Tepër rezervate”, i kërkon Zyrës Policisë Vlorë, informacion për Hysni Lepenicën.

Zyra e Policisë Vlorë me shkresën nr. O1733 datë 19.6.1942,  prej dy faqesh dhe jo një citat sa ka publikuar Besniku i Partisë, përgjigjet me firmën e Kuestorit Dhimitër Bala.

Që të kuptojmë dhe interpretojmë drejt këtë shkresë duhet të dimë se cili ishte Kuestori Dhimitër Bala?

Dhimitër Bala ( 1888 – 1945), ishte nga Vunoi i Vlorës, fshatari i Zaho Kokës dhe Odise Grillos, dhe një nga miqtë e afërm dhe besnik të Hysni Lepenicës. Në shkresën në fjalë ai  shkruan se “Hysni Lepenicën, nënprefektin e Himarës e njohim personalisht prej gati më tepër se njëzet vjet…”                                                                                                                                      Dhimitri ishte emigrant në Amerikë, la rehatin dhe interesin atje dhe në vitin 1920, erdhi në Vlorë të luftonte kundër italianëve për lirinë e vendit të tij. Në frontin e kësaj lufte lindi edhe miqësia e tij me major Ahmet Lepenicën, Hysni Lepenicën etj.

Luftoi heroikisht në këtë luftë së bashkë me Hysni Lepenicën dhe për trimërinë dhe zotësinë e treguar në përfundim të kësaj lufte legjendare të dy u graduan oficera. Shërbyen në xhandarmëri në frontin më të vështirë në kufi me Greqinë, ishin nga udhëheqësit e revolucionit të vitit 1924 dhe me ardhjen në fuqi të Ahmet Zogut u arratisën në Itali.

Gjatë pushtimit fashist Dhimitër Bala, me propozim të mikut tij Theodhor Stamati, pranoi detyrën e kuestorit.

Shpirtin e tij atdhetar Dhimitër Bala e ka shprehur në poezi, ku shquan një himin që ai i ka ngritur luftës antifashiste, popullore të Gjormit, 31.12.1942-2.1.1943, të udhëhequar nga Neki Ymeri, Hysni Kapo e Hysni Lepenica, një perlë e vërtetë e poezisë shqiptare. Në këtë himn ai shquan Hysni Lepenicën për heroizmin e treguar në këtë luftë.

(“Mallëngjimi”, Reggio Emilia, Itali, 1945, f. 17)

Në vitin 1945, komunistët e Dhimitër Grillos e arrestuan dhe e akuzun se ka qenë bashkëpuntor i fashizmit, ka qenë në lidhje me Kolë Tromarën, Ali Këlcyrën, Qazim Koculin, Hysni Lepenicën, Skënder Muçon dhe Dhimitër Fallon!!!

Me një gjyq qesharak, pa asnjë fakt juridik, po atë vit, e shkuan në plumb,  ndërsa djalin e tij Foto Balën, lauruar në Francë dhe shok i Enver Hoxhës e klabën në burg për 20 vjet.

Shkresa ose dokumenti, që ka “zbuluar”  Besnik Mesapliku, fillon kështu:

“Po i përgjigjem shkresës “Tepër rezervate… Në paragrafin e dytë të kësaj shkrese këndojmë: “Ndër autoritetet shënohet Hysni Lepenica që u dalluaka për aktivitet antikombëtar e si një nga drejtuesit e parë”.

Në këto rethana Dhimitër Bala duhet të merrte përsipër pozicionin e avokatit për mikun e tij të besës, Hysni Lepenicën dhe të bënte apologjinë e tij. Për ta shpëtuar nga prangat e fashizmit atij i duhej të bënte punën e avokatit, pra të thoshte atë që nuk ishte e vërtetë se Hysni Lepenica ishte “besnik i fashiszmit”, prandaj ai vazhdon në këtë shkresë: “Tue marrë shkas e vetëm nga ky paragraf do të luteshim të na lejohesh të thoshim pa drojtje e pa nonjë farë rezerve që informatat e asaj Drejtorie janë në kundërshtim me të vërtetën…”

Në këtë shkresë Kuestori evidenton edhe fakte dhe ngjarje të vërteta:

“Fakti që nënprefekti sotëm i Himarës që kur shkoi atje i tillë, puna e parë që kreu ishte mbyllja e shkollave minoritare greke, vepër kjo që s’pajtohet as me parimet e me ideologjinë komuniste dhe as me ndjenjat grekofile, është provë bindëse për sa neve kemi nderin të radhitim më sipër. Dhe është ky shkaku, na duket , për të cilin ka tërhequr mënin e është lëftuar e po luftohet nga elementët tru mykur e disfatistë të asaj krahine…

Nga ana tjetër, disa prej atyre që figurojnë në listën si bashkëpunëtorë e të udhëhequr prej tij, si për shembull Qimo Qiriçi e Spiro Qiriçi, një muaj më parë janë burgosur prej këtij për një sjellje jo të përshtatshme kundrjet Peshkopit Imzot çamçes, me rastin e një vizite peskopale që ky pati bërë në Himarë dhe meshoi në gjuhën shqipe…”

Në fund të shkresës, kuestorit Dhimitër Bala, për të mbrojtur e shpëtuar mikun e tij, i duhet të pohojë edhe “bashkëpunimin” e Hysni Lepenicës me Komandantin e Xhandarmërisë Luigji Morretin, zbulim që e ka bërë dhe publikuar me entuziazëm Besnik Mesapliku, pra asgjë e vërtetë nga sa parashtron Besnik Mesapliku për Hysni Lepenicën.

(AQSH, F. 153, V. 1942, D. 306, f. 224-225)  

Mbrojtja e Dhimitër Balës me shkresën e datës 19.6.1942, nuk mund t’i vinte në gjumë fashistët, prandaj ata ngrenë akuza edhe kundrejt tij. Në mbrojtje tashmë të Dhimitër Balës vjen miku tij Theodhor Stamati. Ja çfarë shkruan ai në shkresën e datës 17.7.1942, pra vetëm një muaj nga shkresa e Dhimitër Balës:

“Situata politike në Himarë… Komunistët dhe një pjesë e të ashtuquajturve nacionalistë kanë bërë një front të vetëm kundër fashizmit… Ndër të tjera s’mund mos theksoj që kuestori i Tiranës në raportin e tij nr. 03387 në 3 të vazhduesit ka zbritur në vlerësime të karakterit personale kundër kuestorit të Vlorës. Dëshëroj të evitohet pa tjetër… ngritja e mosmarrëveshjeve të karakterit personal ndërmjet kuestorëve të Mbretërisë”.

(AQSH. F. 153, V.1942, D. 306, f.245-246)  

Përfundimisht akuzat e Besnik Mesaplikut përfundojnë si një fishek qorr.

*     *    *

Hysni Lepenica, pasi krijoi një nga çetat e para antifashisye në shtatotr 1942,  ka marrë pjesë apo ka komanduar shumë beteja gjatë Luftës Antifashiste  si në luftën e Gjormit 31 dhjetor 1942 – 2 janar 1943, lufta e Greshicës, Mallakastër shkurt 1943, lufta e Ruzhdijes 11-13  mars 1943, lufta e Selenicës 1 prill 1943, lufta e Gjinoqarit 18 qershor 1943, lufta e Luarit 18 dhe 25 qershor 1943, e të tjera …

Prof. Dr. Isuf Luzaj, dëshmitar dhe luftëtar antifashist e portretizon Hysni Lepenicën me këto fjalë: “Hysni Lepenica ishte atdhetar trim. Vetëm Skënderbeu mund të ketë qenë më trim se ai … Në pesë luftëra e kam parë me sytë e mi tek ecte në këmbë me pushkë në dorë, ballë pëe ballë me armiqtë. Në të djathtë e në të majtë vriteshin njerëz, mitrolozi korrte edhe barin  e atë nuk e kapte dot plumbi. Ngrihej në këmbë, thërriste luftëtarët që të shkojnë pas tij duke u thënë se plumbi italianit  nuk të qëllon dot”.

(Shih për më shumë: Enver Memishaj “Hysni Lepenica…”, Geer, Tiranë 2000. Recenca e librit: Prof. Dr. Hysni Myzyri, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, Prof. Dr. Beqir Meta, akademist)

Për interesa të atdheut dhe lirisë Hysni Lepenica ka qenë deri në fund të jetës tij bashkëpunues me të gjitha rrymat pra  edhe me Partinë Komuniste dhe për këtë dokumentat janë të shumta, mjafton të përmëndim vetëm dy momente:

E para: janë letrat e udhëheqësit të lartë të Partisë Komuniste Ymer Dishnicës pas Mukejs 2 gusht 1943, që ai i shkruan Enver Hoxhës dhe i thotë se Hysni Lepenica pranon të bashkëpunojë me ne por jo me Mehmet Shehun se ai është kriminel dhe ka dashur ta vrasë.

Këto letra janë bërë publike në shumë organe të shtypit dhe do të ishte e tepër t’i citonim.

E dyta: Pas Mukjes Hysni Lepenica u emërua Komandnat i Fuqive të Ballit Kombëtar të Jugut dhe anëtar i Komitetit për Shpëtimine Shqipërisë. Me këto cilësi ai pasi organizoi forcat luftarake në Vlorë, çliroi Gjirokastrërn, hyri në qytet dhe në zbatim të vendimeve të Mukjes më 11 shtator 1943 i shkruan Organizatës Nacionalçlirimtare në Cepunë, Gjirokastër: “Gjirokastra është në duar të shqiptarëve… Kemi kërkuar të vihemi në kontakt me juve, për të bashkëpunuar dhe kordinuar veprimet.  Sot, ju ftojmë që sa më parë të delegoni përfaqësuesit tuaj për këtë qëllim”.

(Shih: Enver Memishaj “Hysni Lepenica…”, vepër e cituar)

Në vend sa komunistët  t’i përgjigjeshin thirrjes tij atdhetare dhe shpëtimtare, i kurdisën komplotin me anë të bashkëpunimit me Divizionin fashist dhe ai ra duke luftuar përpara portës së këtij Divizioni më 14 shtator 1943, së bashku me 35 luftëtarë të tjerë dhe sot gëzojnë Statusin e Dëshmorit të Atdheut.

(Vendim i Këshillit të Ministrave, nr. 423 datë 23.9.1992. Në vendim janë 33 luftëtarë pasi 3 vetë janë të pa njohur)

Balli Kombëtar, 14 shtatorin  e shpalli si ditën e dëshmorëve.

 

  1. Zaten kështu ndodh në jetë, kulishi bëhet më i zellshëm se zagari.

Po e përfundojmë paraqitjen e Hysni Lepenicës si luftëtar antifashist me gjykimet që ka dhënë vetë shoku Enver Hoxha në Pleniumin e Dytë të Baratit, nëntor 1944: “Në Vlorë nacionalistët pranonin luftën, qoftë edhe në mënyrën e tyre. Kjo ishte pika ku mund të bashkoheshim. Ne kërkonim që ata të hynin në Front. Ata s’hynin në Front se për ata s’kish Front, por  kishte një Parti Komuniste… Kur ata filluan luftën kundër okupatorit në mënyrën e tyre, Partia duhej të kish kuptuar gabimin dhe të ndreqte pozitat, por asgjë s’u bë. Edhe nga ato pakë pushkë  që Hysni Lepenica  e Skënder Muçua  hodhën, në vend që të përfitonim për me i afrue ata edhe masat e tyre, ne i luftuam duke i përçmuar… Natyrisht Hysni Lepenica nuk mund të punonte dhe të kishte besim kur shoku Mehmet Shehu dhe qindra partizanë të tjerë thonin hapët se do të formonin Gardën e Kuqe  si në Spanjë dhe do t’i fshinin këto plehra. Po kjo gjë ngjau edhe në vende të tjera…”

(“Politikë Antikombëtarë e Enver Hoxhës”, Tiranë 1995, f. 20-21)

Këtë deklaratë shoku Enver e bënte në vitin 1944, se më pas Hysni Lepenicën ai e  shpalli bashkëpunëtor i fashiszmit, armik e i popullit, sikundër e paraqet edhe besniku i tij apo Besnik Mesapliku.

Ndërsa në vitin 2014,  Prof. Paskal Milos, pohon të vërtetën historike të thënë me gojën plotë në vitin 1944 nga Enver Hoxha dhe Hysni Kapua: ”Kishte nacionalistë liberalëe me formim bashkëkohor që kishin ide e pikëpamje të avancuara, që ishin shquar në vijën e parë të antifashizmit, që ishin antikomunistë, por që ishin të prirur që në emër të luftës kundër fashizmit të bashkëpunonin me komunistët e të kryenin veprime të armatosura. Të tillë ishin Hysni Lepenioca, Skënder Muço … etj. Krahu dinamik i Ballit Kombëtar i përbërë nga nacinalistë të rinj antifashistë ngritën çeta të armatosura që të luftonin pushtuesin. Çeta të tilla nga të parat u ngritën në Vlorë nga Hysni Lepenica… Shembulli i parë i bashkëpunimit ishte Lufta e Gjormit… kur çeta e Ballit e kryesuar nga Hysni Lepenica u kordinua me çetën partizane të Vlorës… Po të kishte më shumë mirëkuptim, më shumë dashamirësi e më shumë vullnet nga ana e Partisë Komuniste, unë besoj se Hysni Lepenica, Skënder Muço e ndofta edhe Safet Butka mund të ishin bashkuar në një front… Kjo është e vërteta historike, jo llustra me të cilën kjo histori është mbuluar për shumë e shumë vite”.

(Paskal Milo “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, Vëll. I, Toena, Tiranë 2014, f. 235, 287, 293 etj.;     

Intervistë në ”Gazeta Shqiptare”, Tiranë, dt. 9 – 10. 11. 2014, f. 14-15)

Pra shikoni se si ndodh më jetë: kulishi bëhet më i zellshëm se zagari?

 

  1. Historia do të na gjykojë jo vetëm kur flasim, por edhe kur heshtim.

Në vitin 2003, Besnik Mesapliku, organizoi dhe udhëhoqi disa skllevër të kriminelëve Koçi Xoxe dhe Kadri Hazbiu, të cilët të frymëzuar nga vepra e shokut Enver Hoxha i kërkuan qeverisë që t’i hiqej titulli dëshmorit të atdheut Hysni Lepenicës dhe 32 luftëtarëve të tjerë të rënë në betejën e Grehotit, pasi ata ishin ballistë!!!. Autori i këtij shkrimi iu përgjegj enveristëve në disa shkrime të gjata me dokumenta të shumta për aktivitetin antifashist të Hysni Lepenicës.

( Shih gazetën “55”, dt. 12.4. 2003 e në vijim, ku autori këtij shkrimi ka botuar në shumë numura dokumente të shumtë dhe dëshmi, që provojnë aktivitetin atdhetar të Hysni Lepenicës gjatë luftës 1939-1944. Gazeta “Balli i Kombit”, dt. 13.4.2003 etj.)

Edhe Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës çlirimtare, iu përgjegj komunistëve të ditëve tona që udhëhiqeshin nga  Besnik Mesapliku me shkresën zyrtare nr. 10/88, datë 14.3.2003, drejtuar  z. Fatos Nanos, Kryetar i Këshillit të Ministrave dhe z. Ilir Meta Kryetarit të Komisionit për Statusin e Dëshmorit të Atdheut.Shkresa është një protestë që kjo Organizatë bën kundër klithmave të korbave komunist  të udhëhequr nga Besnik Mesapliku, për t’i hequr titullin e dëshmorit të Atdheut Hysni Lepenicës.

Organizata e Veteranëve ndërmjet të tjerave në këtë shkresë shkruan:“Si veteren i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe një nga kuadrot drejtues të Qarkut të Vlorës gjatë luftës më duhet të pohoj për hir të së vërtetës historike se:

Komandanti i Forcave të Ballit Kombëtar për Jugun e Shqipërisë z. Hysni Lepenica  dhe çeta e tij janë vrarë nga plumbat e ushtrisë okupatore të Italisë fashiste në fushën e betejës, ashtu si gjith luftëtarët e lirisë për çlirimin e Atdheut kundra ushtrisë fashiste italiane.

Nga ana tjetër, z. Hysni Lepenica dhe forcat nacionaliste të komanduara prej tij edhe në të kaluarën, kanë luftuar disa herë së bashku me forcat partizane kundra fashistëve italianë e mercenarëve shqiptarë që ishin në shërbim të tyre. Kështu p.sh. do të veçoja Luftën e Gjormit, Luftën për çlirimin e Selenicës dhe asnjehërë ky nacionalist deri sa u vra nga fashistët italianë nuk është ballafaquar me luftëtarët e ushtrisë partizane, nacionalçlirimtare…

Ceta e Ballit Kombëtar me në krye nacionalistin e shqur z. Hysni lepenica në Grehot të Gjirokastrës është ballafaquar me ushtrinë okupatore fashiste italiane  për të njëjtat qëllime ushtarake si edhe përfaqësuesit  e ushtrisë partizane nacionalçlirimtare: për çarmatimin e Divizionit italian “Peruxhia” të dislokuar në gazermat e Grehotit dhe, në asnjë mënyrë, nuk duhet të akuzohet ndryshe dhe të spekullohet kjo e vërtetë historike…

Sot pas 6O vjetësh nuk është koha të rikthehemi në mëndësira të vjetra të së kaluarës “luftës së klasave” dhe të mbështetemi në filozofinë e diktaturës…

Zoti Kryetar i Këshillit të Ministrave!

Zoti Kryetar i Komisionit të Statusit të dëshmorëve të Atdheut!

Me shpalljen dëshmorë të Atdheut të komandantit të shquar nacionalist Hysni Lepenica dhe bashkëluftëtarëve të tij  të cilët u masakruan barbarisht në ngjarjen e dhimbëshme të Grehotit më shtator të vitit 1943, qeveria demokratike e ish kryemninistrit Aleksandër Meksi, vuri në vend një padrejtësi historike e cila në mënyrë të qëllimshme ishte lënë në harresë nga ana e diktaturës komuniste… Kryetari Rrahman Parllaku, gjeneral leitnant në pensin, Hero i Popullit”.

*     *     *

Hysni Lepenica ishte një atdhetar trim, një antifashist i orëve të para, një figurë pa njollë,  që ra duke luftuar për lirinë e popullit të tij. Askush deri më sot nuk ka ngritur asnjë akuzë të argumentuar, me përjashtim të korbave komunistë.

Për këto arsye Hysni Lepenica, pas vitit 1990,  është dekoruar nga të gjith presidentët e Shqipërisë dhe mban dekoratat më të larta të Republikës.

Kjo është e vërteta historike, por nëse ju korbat mendoni se duhet të vazhdojmë t’ju bëjmë akoma temena për meritat tuaja pse vratë e gjakosët, me gjak vëllai Bregdetin e Himarës, Mesaplikun dhe tërë Shqipërinë, duhet ta harroni edhe është gabim që se keni kuptuar akoma.

  1. Kujtimi dhe mbrojtja e Zaho Kokës do të përdhosej nëse avokatët e tij do të ishin korbat komunis si Besnik Mesapliku

Në shkrimin e vitit 2001, unë i drejtohesha të ndierit Odise Grillo:Ju duhet të sqaroni me “ndërgjegjen” e një komunisti, se cilët qenë në pritë ata që vranë fshatarin tuaj Pilo Zison? Cila është përgjegjësia e vëllait tuaj Dhimitrit për këtë krim të pabesë dhe vëllavrasës? Po e kushëririt të Pilos, Anastas Zisos? Përse Afroviti, e motra e Zaho Kokës, e qau të vëllanë me këto fjalë:

O Zaho Koka Vunoi

Hyre dhe në të këqija

Po të detyroi partia.

Dhe të mos harrojmë se partia në Vuno ishte Dhimitër Grillua. Afroviti më vonë u bë kryetare e kooperativës së Vunoit dhe mbajti kundrejt Dhimitrit ,djalit të vetëm të Pilos Zisos një qëndrim armiqësor.

Ju thoni se Zaho Kokën e vrau një ushtar gjerman, që kishte zënë pozicion në kishë të Vunoit! Por fshatarët e Vunoit çoç pëshpërisin vesh më vesh ! Unë po ju kujtoj dëshminë që ka dhënë përpara vdekjes bashkëfshatari dhe bashkëlutëtari i Zaho Kokës, komunisti nga Vunoi, Sofo Lazri , besniku i Enver Hoxhës, i cili u shpreh: “Thonë se Zaho Kokën e vranë”.  Këtë dëshmi Sofo Lazri nuk e kishte dhënë në librin e tij “Rikthim i dhimbjes”, por e tha në fund të jetës së tij, për lehtësuar shpirtin e tij, veprim njerëzor që u mungon Besnik Mesaplikasve të ditëve ton.

( Për më shumë shih gazetën “Dita”, dt. 23.12.2002, fq. 12 ;   Sofo Lazri, “Rikthimi i dhimbjes”,  Tiranë 2002.)

Dhimitër Grillo dhe shokët e tij duhet të shpjegojnë se ç’u bënë paratë që Zaho Koka kishte në gji? Ishin para që Partia ia kishte dhënë Zahos në Helmës dhe ishin aq shumë, sa për të blerë një anije për nevoja të lidhjes me aleatët në Itali. Kur u çua në shtëpi kufoma e Zahos, ato para nuk ju gjetën në gji! Kush e vrau dhe kush ia mori nga gjiri paratë  Zaho Kokës?

Besnikët e Mesaplikut,vuajnë nga  një sëmundje e pashërueshme; enverizmi, ndaj duke e ditur këtë fakt do të jem i kënaqur të vazhdoj replikën. Kësaj here mbajta shumë rezerva, herën tjetër do të paraqes anën e zezë dhe të panjohur të korbave komunistë të Smokthinës.

  1. Korbat dhe komunistët e ditëve tona.

Korbat ngjajnë me komunistët nga ngjyra, por ndërsa korbat e kanë ngjyrën në pupla, komunistët e kanë në shpirt. Korbat ndryshojnë nga komunistët se ndërsa korbat i gjejnë kufomat dhe ju nxjerrin sytë komunistët i krijojnë kufomat dhe ushqehen me to.

Skripta manet, verba volant! (Shkrimi mbetet, fjalët fluturojnë).

 AQSH, F. 18/AP V.1942, D. 1, f. 3.

 

 

 

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Memishaj, Grillo, Klithma komuniste

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT