• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përkujtimore-NJË VIT NGA NDARJA ME ELHAM SHARRËN

February 26, 2015 by dgreca

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe/
Dr. Bujar Leskaj/
Enver Memishaj/
Elhami Sharra, ishte një atdhetar i mirë, një trashgimtar i denj i familjes nga vinte, një nëpunës i përkushtuar, një njohës i mirë i shkencës, dhe ashtu si të parët e tij, nuk u kursye asnjëherë, për t`i shërbyer vendit, edhe në kushte shumë të vështira siç ishte viti 1992, kur sapo ishte rrëzuar diktatura komunite, apo viti 1997, kur komunistët rrëmbyen armët për të rimarrë me grykën e pushkës pushtetin që ua kishin marrë ”armiqtë e popullit”! . Ai nuk u tërhoq asnjëherë nga vështirësitë e jetës, por me guxim, me zgjuarsi por edhe me trimëri diti t`i kapërxente ato duke dhënë shembullin e një qytetari dhe intelektuali me vizion europian.
***
I sëmurë nga zemra në kërkim të një një mjekimi sa më të mirë ai shkoi në SHBA, por zemra e tij nuk mundi ti rezistojë vuajtjeve dhe persekutimit komunist, ajo pushoi së rrahuri në shkurt të vitit 2014, atje në Shtetet e Bekuara të Amerikës, të cilat Elhami i kishte ëndërruar gjithë jetën.
Vdekja e tij u përcuall nga shtypi i kohës. Gazeta ” 55 ”, shkruante: ”Shkoi në amëshim Elham Sharra, shërbestari i përjetshëm i Shqipërisë”
* * *
Trupi pa jetë i Elham Sharës mbriti në Shqipëri nga Amerika, më datën 27 shkurt 2014. Bashkia e Vlorës më datën 28 shkurt, organizoi homazhe në teatrin “Petro Marko” dhe u përfaqësua nga dy nënkryetarët e saj: Arben Beqiri e Ilir Banushi, të Partisë Socialiste. Bënë homazhe gjithashtu përfaqësues të institucioneve shtetërore: Kontrolli Lartë i Shtetit, përfaqësuar nga kryetari Dr. Bujar Leskaj, personalitete të shquara të Vlorës dhe të vendit tonë si Prof. Dr. Sali Berisha, struktura të Partisë Demokratike, qytetarë, miq e shokë të shumtë, etj.
* * *
Të parët e familje Sharra, së cilës i përket edhe Elhami, i kanë sjellë vendit e veçanërisht
Vlorës, shërbime të shquara:
Hasan Sharra ishte një nga luftëtarët e pare për Pavarësinë Kombëtare dhe mbështetës i
Ismail Qemalit. Gjithë ata që kanë marrë pjesë në Kuvëndin Historik të Vlorës më 28 nëntor
1912, tregojnë se: Hasan Sharra mbajti për tre muaj delegatët në shtëpinë e vet. Shpenzoi pa
kursim; më se 100 vetë hanin e pinin në shtëpinë e tij, u varfërua por me gjith qejf për Shqipërinë. Këta janë njerëzit e mëdhej me të vërtetë. Punojnë shkrinë pasurinë për çështjen kombëtare, por nuk flasin e as nuk kërkojnë shpërblim.
Ismail Qemali, një kohë ndenji në shtëpi të Hasan Sharrës, më pas në shtëpin e Xhemil bej Vlorës dhe më së fundi, caktoi si banesë ndërtesën e karantinës që ndodhet në Skelë, sot Muzeu i Pavarësisë Kombëtare.
Ceno Sharra, ishte oficer dhe ra dëshmor në Durrës, më 25 maj 1914, duke mbrojtur shtetin shqiptar.
Që nga 1912 deri në vitin 1915, për shumë kohë pallati Sharra në qendër të Vlorës, ishte selia e shumë zyrave të Qeverisë së asaj kohe.
* * *
Elham Sharra, si kanidat i Partisë Demokratike, u zgjodh kryetar bashkie në balotazhin e zgjedhjeve të 26 korrikut 1992. E filloi detyrën më 20 gusht 1992, dhe e ushtroi këtë detyrë deri më 14 nëntor 1996. Zgjedhjet i fitoi përballë ekonomistit të njohur Arben Malaj, në atë kohë drejtor i Bankës së Shtetit, në Vlorë.
Elham Sharra ka lindur në Vlorë në vitin 1942, ku kreu edhe arsimin para universitar.
Në vitin 1966, u diplomua në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Në vitin 1993, u trajnua nga USAID dhe Universiteti i Nebraskes, Sh .B .A., për Ekonomi Tregu dhe Menaxhim Biznesi.
Në vitin 1995, u trajnua në Instituti i Administrimit Publik, Finlandë: Administrim Publik dhe Menaxhim i Pushtetit Vendor. Në vitin 1999, u diplomua në Universitetin e Shkodrës në Fakultetin e Drejtësisë.
Në vitin 2001, fitoi diplomë për avokat nga Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Avokatëve, Tiranë.
Në vitin 2002, në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Natyrore ka fituar gradën: Doktor i Shkencave.
Pas diplomimit, në vitin 1966 deri në vitin 1990, ka punuar si inxhinjer prodhimi dhe teknollog në Ndërmarjen e Kripës dhe në Uzinën e Sodës në Vlorë.
Në vitin 1991 u emërua kryeinxhinier në Ndërmarrjen e Kripës Vlorë. Në vitin 1992 u zgjodh Zv/kryetar i Këshillit Pluralist të Rrethit Vlorë, si dhe kryetar i bashkisë së Vlorës.
Në intervistën e dhënë pas marrjes së detyrës ka deklaruar se: “Si kanidat i Partisë Demokratike… para elektoratit kam premtuar një platformë brenda programit të asaj partie… Në radhë të parë ngritëm administratën duke zgjedhur të rinj të guximshëm dhe ekspertë nga mosha 23 deri në 50 vjeç, ku harmonizohen profesionalizmi i lartë me ndershmërinë
qytetare, dy cilësi nga të cilat ka vuajtur administrata e mëparshme. Si kryetar Bashkie kam synuar të jem i xhveshur nga fanatizmi partiak, duke pëlqyer të jem i pari mes të barabartëve.
Në Këshillin e Bashkisë është arritur që shumë vendime të merren me mirëkuptim, duke i bashkuar forcat politike për të mirën e qytetit… Bashkia e kupton se privatizimi është rruga e shpejtë e përparimit ekonomik, prandaj po nxit hallkat e sajë për realizimin e këtij qëllimi… Kemi kërkuar bashkëpunim me personalitete të huaja nëpërmjet korespodencës në Zvicër, Manopoli, Itali, Tel-Aviv, etj.”.
Gjatë viteve 1995 – 1996, që Elham Sharra, ushtronte detyrën e lartë të kryetarit të Bashkisë, është zgjedhur edhe nënkryetar i Shoqatës Kombëtare të Kryetarëve të Bashkive të Shqipërisë.
Në vitin 1997, ai u emërua prefekt i Shkodrës, Malesisë së Madhe dhe Pukës.
Gjatë viteve 1999 – 2000, ka qënë Këshilltar i Kryetarit të Këshillit të Rrethit Tiranë.
Gjatë viteve 2001 – 2005, ka dalë në aktivitet privat.
Në vitin 2006 u emërua Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri – Tiranë, nga ku doli edhe në pension.
* * *
Gjate Luftës së Dytë Botërore, 1939 – 1944, familja Sharra, mbajti krahun nacionalist dhe ishte kundër ideve komuniste, për këtë arsye Azis Sharra u vra pabesisht me atentat nga komunistët vlonjatë.
Pushteti komunist, jo vetëm që i mohoi kontributet patriotike të kësaj familje, por ushtroi mbi të një persekutim të egër. Pas shpronësimeve tërësisht që iu bë kësaj familje, filluan për të burgjet dhe internimet. Shumë anëtarë të këtij fisi u pushkatuan, u burgosën dhe u internuan deri në vitin 1990.
Elham Sharra do të kujtohet gjithnjë me nderim nga qyetarët vlonjatë si dhe nga të gjithë shtetasit shqiptar ku shërbeu me përkushtim dhe ndërgjegje të lartë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bardhosh Gace, Elham Sharra, Enver Memishaj, nga-Bujar leskaj, Përkujtimore

SHEMBULLI I RESPEKTIT NDAJ NJERIUT

February 9, 2015 by dgreca

Rreth librit të Prof. dr. Bardhosh Gaçes “Xhevair Rexhepi, nje jete e prere ne mes”, Triptik, Vlorë 2014/
Nga Enver Lepenica/
1. Qajmë, për atë që s`kemi mundur të bëjmë, për të vdekurin.
Gjatë udhës së jetës, shumë shokë e miq, ndahen nga ne, për të mos u takuar kurrë më, me ta. Një pjesë, ikin para kohe, duke lënë tek familja dhe të afërmit plagë të rënda. Shumë prej tyre, lënë pas vetes, gjyrmë të pa shlyera, të cilat do të kujtohen gjithmonë nga shoqëria. Kështu, do të thoshim se të vdekurin e përcjell pas vepra e tij.
E ne të gjallëve s`na mbetet, veç tu japim lamtumirën e fundit, me dhimbje, shokëve dhe miqve tanë…
Por, më thoshte publicisti dhe aktivisti shoqëror Naun Kule: ç`bëjmë ne të gjallët pas lamtumirës, për të treguar respektin dhe vlerësimin për ata që lënë pas gjurmë të jetës në shoqërinë tone, por edhe për të treguar vlerat tona humanitare dhe qytetare?
Pyetje e një qytetari, që duhet të na vërë në mendime, se a e bëjmë detyrën tonë humanitare e qytetare, ndaj atyre që e bënë detyrën ndaj ne të gjallëve?
2.Shembulli i Profesor Bardhosh Gaçes për respektin ndaj njeriut.
Pyetjes së Naun Kules se ç`bëjmë ne të gjallët pas lamtumirës i përgjigjet Prof. dr. Bardhosh Gaçe me veprën e tij “Xhevair Rexhepi, një jetë e prerë në mes”, botuar në fund të vitit 2014.
Monografía “Xhevair Rexhepi…”, dekoruar “Nder i Qytetit të Vlorës”, është shembulli i respektit ndaj njeriut dhe modeli se si duhet shkruar pas vdekjes, për një njeri që sa qe gjallë në jetën e tij të shkurtës bëri shumë për të mirën e shoqërisë sonë, veçanërisht për Labërinë dhe Vlorën që e deshi kaq shumë dhe për të cilën shkruante: “Në hapsirat e reja të demokracisë shqiptare dhe integrimit europian, Vlora dhe Labëria, duke ringjallur traditat e veta historike dhe kulturore po jep një kontribut të vyer në krijimin e një fytyre të re, në zhvillimin ekonomik e turistik dhe përkrahjen e qytetërimit perëndimor.
Përherë shpresoj, që ky kontribut, i cili ka gjetur një mjedis të mbarë në tërë këto treva të ecë drejt një zhvillimi, edhe më të madh për rritjen e mirëqënies dhe begatisë së shqiptarëve dhe Atdheut, duke u bërë një vend i qytetëruar dhe europian ëndërr kjo e brezave të tërë njerëzish”.
Xhevair Rexhepi, lindi në Lepenicë të Vlorës më 13 maj 1961 dhe e dorëzoi shpirtin e tij të bukur në Tiranë më 20 qershor 2008, në një aksident automobilistik, në një moshë ende të re 47 vjeçare.
Pavarësisht se jeta e tij u pre në mes, ai la pas gjurmë të pa shlyera në udhën e jetës tij të shkurtër. Petagog i Universitetit Bujqësor, udhehëqës i Lëvizjes Demokratike për përmbyesjen e diktaturës komuniste, shembulli i një bisnesmeni që dha mésazhe se jeta duhet ndërtuar e jetuar këtu në dheun tonë, kanidat për deputet i Partisë Demokratike, prefekt i Vlorës, “Qytetar Nderi i Vlorës”
* * *
Si mjeshtër i vërtetë i artit të të shkruarit Profesor Bardhos Gaçe, na ka paraqitur një monografi e cila lexohet me kënaqësi dhe emocione nga të gjithë. Autori na tregon se Xhevair Rexhepi, ky bir i dashur i Lepenicës dhe Mesaplikut nuk lindi prej hiçit, por ai ishte produkt i kushteve e rrethanave hisoriko- shoqërore të vendlindjes dhe të familjes tij patriotike: gjyshi dhe vëllai gjyshit ishin luftetarë lirije dhe ranë dëshmor për lirinë e Atdheut.
Gjyshi nga nëna, Veledin Veshaj, ishte gjithashtu një luftëtar lirije, por që vdiq nga torturat e komunistëve vlonjatë në qelitë e Sigurmit të Shtetit. Këto ngjarje dhe shumë te tjera thotë Profesor Bardhoshi lanë gjurmë të thella në shpirtin dhe mëndjen e djaloshit Xhevair Rexhepi dhe ndikuan në formimin e karakterit të tij.
Monografía për Xhevair Rexhepin hapet me nje vështrim të shkurtër të historisë së Lepenicës vendlindjes së tij, pastaj autori na tregon vatrën familjare të familjes dhe fisit Rexhepaj të Lepenicës, duke evidentuar rolin e kësaj familje në historinë e Lepenicës dhe më gjerë.
Në kreun e dytë të librit autori ka kaluar në atë që përbën edhe themelin e hartimit të kësaj vepre, jetën dhe veprën e personazhit kryesor të pa harruarit Xhevair Rexhepi. Me inteligjencën që e karaterizon autorin, Profesor Bardhosh Gaçen, ai di të tregoi bukur dhe të vërë në dukje elementë me vlerë të jetës së heroit duke e bërë leximin interesant, por duke na dhënë edhe nje tablo të jetës që bëhej para viteve 1990, në fshat, në shkollën e mesme, në universitet dhe në mardhëeniet me punën, kur Xhevair Rexhepi sapo diplomohet emërohet me punë në rrethín e largët të Librazhdit.
Kështu vahzdon të na tregoi me një gjuhë të pastër dhe të bukur autori deri ditën fatkeqe të 20 qershorti të vitit 2008, kur jeta e tij u pre në mes.
Në një kapitull të veçantë autori ka paraqitur ngushëllimet që i janë drejtuar familjes nga personalitete të shquara të vendit tonë: Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, Kryeministri z. Sali Berisha etj., si dhe nga personalitete të shquara të Kosovës, çka nxjerrin në dukje vlerat intelektuale dhe atdhetare dhe shërbimet që Xhevair Rexhepit, i bëri vendit në jetën e tij të shkurtër.
Libri vazhdon me kujtime dhe mbresa për Xhevair Rexhepin, nga profesorët e Universitetit Bujqësor, nga shokë e miq të tij, personalitete të kulturës dhe të shkencës dhe mbyllet me poezinë popullore të krijuar sipas traditës nga krahina e vendlindjes pas vdekjes së tij.
3.Ç`farë mësojmë nga libri i Prof. Dr. Bardhosh Gaçes, Mjeshtër i Madh?
Në radhë të parë libri që analizojmë është një shembull i respektit ndaj njeriut, i atij respekti dhe vlerësimi që duhet t`i bëjmë njeriut pas vdekjes.
Libri është gjithashtu një shembull se si duhet kompozuar e shkruar një libar për një personalitet që ka jetuar midis nesh e që ka lënë gjurmë pas ikjes nga kjo jetë.
Libra të këtij lloji janë shfaqje e kulturës së autorit, por edhe e shoqërisë sonë në zhvillim edhe kulturor se ne duhet t`u lëmë brezave jetën tonë të shkruar sidomos për ata personalitete që kanë lënë gjurmë të jetës tyre.
Jetën e Xhevair Rexhepit, autori e ka parë nga të gjitha pamjet, duke evidentuar edhe origjinën e fisit, mbështetur mbi dokumenta, fotografi si dokumenta, poezinë etj, në këtë mënyrë ai na ka dhënë në fakt një enciklopedi të vogël me vlera të mëdha për një masë të gjerë lexuesish.
Gjuha e bukur me të cilën tregon autori, që kombinohet e ilustrohet me poezinë popullore e bën leximin të këndshëm dhe emocional.

Filed Under: ESSE Tagged With: Enver Memishaj, I RESPEKTIT NDAJ NJERIUT, SHEMBULLI

PARTI KOMUNISTE APO PARTI TERRORISTE

August 8, 2014 by dgreca

Mendime e vlerësime rreth librit me të njëjtin titull të Enver Memishaj – Lepenica/
Nga Petrit Derraj – Smokthina/
Në fund të vitit 2013, studjuesi i njohur tashmë në fushën e historisë Enver Memishaj – Lepenica nxorri në dritë librin e tij të trembëdhjetë “Parti komuniste apo parti terroriste”
Në këtë libri me afro 600, faqe autori ka përmbledhur dokumenta historike të Ballit Kombëtar, të nxjerra nga arkivat e Shtetit Shqiptar.
Libri hapet me gjykime dhe mendime të Prof. Dr. Beqir Metës, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiut, dhe udhëheqësit të Ballit Kombëtar Mid`hat Frashërit.
Sapo nis e shfleton këtë libër të bije në sy fakti se autori siç thotë edhe vetë ai, ia ka hequr të drejtën vetes që të mbaj qëndrim rreth dokumentave që botohen në libër, por ua lë këtë të drejtë lexuesve që të shfaqin lirshëm përshtypjet, mbresat dhe ndiesitë e tyre ndaj dokumentave që autori boton, në këtë libër.
Libri është i ngjeshur me dokumenta interesante që pasqyrojnë ngjarje të Luftës së Dytë Botërore 1939- 1944, me përplasje idesh, me deklarata të shumëllojta, me fakte, me argumenta, me kurthe, intriga, vrasje, tmerre, krime që u vunë re kur në gjirin e popullit tonë nisi vëllavrasja, një virus hibrid ky i ardhur nga jashtë, i cili bëri hatara të papara e gjëma të padëgjuara.
* * *
Siç dihet, nevoja e luftës për çlirim nga pushtuesit, nxorri në dritë si një domosdoshmëri imperative krijimin e dy forcave kryesore politike, të cilat i vunë detyrë vetes që ta orientonin e ta udhëhiqnin popullin tonë në luftë kundër armiqëve nazifashistë: atë të Ballit Kombëtar dhe të Partisë Komuniste, më pas doli edhe Lëvizja e Legalitetit. Të dyja forcat u shprehën për mobilizimin e popullit në luftë, por bazat ideologjike dhe mënyrat e organizimit të asaj përpjekje qenë krejtësisht të ndryshme.
Balli Kombëtar qe e para forcë që reagoi kundër ekspasionit fashist, ku nëpërmjet “Dekalogut”, të hartuar prej përsonalitetit të shquar të historisë sonë, Mid`hat Frashërit lëshoi kushtrimin dhe i bëri thirrje popullit për luftë, për mobilizimin e të gjitha fuqive të gjalla të kombit kundër armiqëve për realizimin e idealit kombëtar për një Shqipëri të lirë Etnike, demokratike me baza shoqërore moderne për flamurin kuq e zi , për një Shqipëri të drejtuar nga shqiptarët të cilët nuk ishin kursyer në çdo kohë e rrethanë për të mirën e shpëtimin e këtij vendi.
Edhe komunistët kishin në programin e tyre luftën kundër pushtuesve, por lanë jashtë vëmëndjes Shqipërinë Etnike e veçanërisht Kosovën, dhe për të realizuar qëllimin e tyre patën më shumë favore të ndihmuar prej disa faktorëve të brendshëm e të jashtëm. Komunistët u favorizuan nga fakti se pjesa dërrmuese e popullit ishte e pa rasimur, të varfër dhe, si pasojë të varfërit duke mos pasur mundësi për analiza të thella u besuan premtimeve boshe dhe ëndërrave të bujshme. Komunistët propoganduan se kasta e vjetër politike ishte plakur dhe e lodhur, ishte e paaftë të përballonte lëvizjen e re demokratike.
Edhe aleatët duke parë këtë lloj gjëndje pothuajse përkrahën komunistët. Po ashtu influencoi edhe përçarja e brendshme. Balli Kombëtar ishte për republikë, Legaliteti, veriorët, nuk qenë dakort me ta sepse shumica mbështesnin mbretërinë. Kjo gjendje lehtësoi udhën e komunistëve për të dalë hapur, kundër platformës së Ballit Kombëtar dhe udhës drejt marrjes së pushtetit. Edhe pse udhëheqësit e Ballit Kombëtari ftuan komunistët ose Nacionalçlirimtaren, për bashkëpunim e bashkërendim të forcave në luftë, edhe pse u bë Marrëveshja e Mukjes, komunistët të nxitur prej jugosllavëve: Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës e tradhëtuan Mukjen, minuan linjat e mirëkuptimit, mobilizuan çetat partizane dhe i shpallën luftë të hapur Ballit Kombëtar, u nxit vëllavrasja, e cila solli dëme të papara e pasoja fatale për vendin. Edhe pse udhëheqësit e Ballit Kombëtar u tradhëtuan pabesisht prej komunistëve, Nacionalçlirimtares, ata nuk bënë krime në popull, por vazhdimisht e ftuan popullin që të bashkohej pa dallim krahine për luftë për çlirimin e vendit. Ata kundërshtuan propogandën demagogjike të Nacionalçlirimtares se gjoja Balli Kombëtar lindi si reaksion i Frontit Nacionalçlirimtar, apo si një krijesë e pushtuesit dhe provuan se ata ishin një alternativë me një program për bashkimin e popullit në luftë kundër pushtuesit.
* * *
Këtë pamje të Luftë së Dytë Botërore 1939 – 1944, ka marrë përsipër ta tregojë Enver Lepenica në librin që analizojmë “Parti Komuniste apo parti terroriste”, në një formë të re: pa foluar ai vetë, por nëpërmjet dokumentave të Ballit Kombëtar, të nxjerra me mundim nga arkivat e Shtetit shqiptar.
Në këtë pikpamje libri paraqet interes për lexuesin dhe studjuesin e historisë, pasi kemi një vështrim të ri të historisë, e pa njohur për masën e gjerë të popullit shqiptar.
Autori librit vë të gjith potencialin mendor dhe i server lexuesit një libër me vlera, me fakte tronditëse, krime të papara çnjerzore, plane djallëzore, prapaskena të rrafinuara, kurthe të mirëkurdisura të udhëheqies komuniste kundër Ballit Kombëtar, duke vrarë e prerë këdo që nuk mendonte si ata.
Dokumente të shumta, që autori ka sjellë në këtë libër, pasqyrojnë skenën tragjike të Lëvizjes Antifashiste: vëllavrasjen e inicuar prej Jugosllavëve dhe e zbatuar në praktikë nga Nacionalçlirimtarja, shkakëtoi gjakderdhje në gjirin e popullit shqiptar, skenarë serial tragjik me vrasje primitive ta luftëtarëve të Ballit Kombëtar, vrasje që nuk ishin parë as në mugëtirat e shekujve të kaluar.
Dokumentat provojnë se ishin vënë në shënjestër intelektualë përparimtarë që e donin vendin e tyre dhe lirinë, por ishin kundër ideologjisë komuniste, për këtë “faj”, komunistët e Enver Hoxhës, të Hysni Kapos e Mehmet Shehut realizuan eleminimin fizik të tyre nëpërmjet atentateve të njëpasnjëshme. Kjo tragjedi e popullit tonë u pasqyruar edhe në vajet dhe këngët e popullit. Një nënë dukatase lëshon klithmën:
Vendin e mbuloi zija,
Se na u vra djalëria,
I vrau dhelpër Partia!
Dokumentat që ka publikuar në këtë libër Enver Lepenica, flasin me emra konkret dhe për krime konkrete: Më 29 janar 1944, Shefqet Peçi, një kriminel legjendar me urdhërtë Enver Hoxhës pasi kapi dhe vrau filozofin, që ishte shkëputur nga ideologjia komuniste, Zai Fundon, e lidhi pas kalit dhe e tërhoqi zvarrë, për të ngjallur frikë, tmerr, terror e panik në popull. As në zakonin e hershëm të gjakmarrjes nuk keqpërdorej viktima, përkundrazi para se të qëlloheshin u bëhej thirrje që të mos vriteshin në pabesi, pastaj kufomën e kthenin mbarë e i vihej diçka e but nën kokë. Këto ishin zakonet e popullit tonë, ndërsa terroristët komunistë me zakone dhe urdhëra të marra nga serbët u tregun të pa shpirt dhe shpërfillës të çdo lloj zakoni e traditë të mirë të popullit tonë.
Dokumentat që siell Enver Lepenica, autori librit, provojnë se politikanët e shquar të Ballit Kombëtar u përpoqën vazhdimisht që të mos prisheshin marrëdhëniet me komunistët, Nacionalçlirimtaren, dhe gjithmonë tentuan të shmangin konfrontimet, të ndalin gjakderdhjen, kështu kur kapeshin robër nga ana e Ballit Kombëtar, respektoheshin dhe liheshin të lirë, e kundërta ndodhte me komunistët ata i torturonin dhe i vrisnin ballistët.
Në këtë libër autori ka botuar dokumenta me fakte tronditëse kriminale, dëshmi të llahtarshme krimesh, krime të pa imagjinueshme kundër popullit të pafajshëm sipas urdhërave që komunistët merrnin nga padronët e tyre jugosllav.
Në dokumenta del qartësisht përçarja që me aq kujdes kanë mbjellë në tokën shqiptare Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, të sjelljeve të ulta çnjerzore që mbollën vazhdimisht urrejtje ndaj kundërshtarëve të tyre politik ballistëve dhe zogistëve, duke krijuar disa ndiesi çnjerzore dhe larg traditës sonë: djali partizan kërkonte të gjente baban t`i jepte një kokërr plumbi, sepse nuk qe partizan si ai!, vëllai partizan mohon vëllan sepse ishte luftëtar i Ballit Kombëtar!, motra partizane nuk qan për vëllan sepse ishte ballist!, Halim Xhelo, Dukati, mohon babanë dhe veten e quan Halim Stalini!, etj., etj.
Dokumentat e botuara, në këtë libër, flasin për emra dhe mbiemra konkret të vrarë pabesisht, në prita, si kundërshtar të komunistëve, apo pse ishin dëshmitar të veseve çnjerzore të Enver Hoxhës si: Skënder Çami, Veli Vasiari, Tasim Bishqemi, Daut Çarçani, Shyqyri Borshi, Gjysh Deda, Zefa Kadare, Javer Hrushiti, Kol Tromara etj., etj.
Në dokumentat e shumta del i qartë dhe pohohet nga vetë komunistët se qëllimi final i tyre ishte marrja e pushtetit me grykën e pushkës, nëpërmjet vrasjeve të kundërshtarëve të tyre, propogandës demagogjike se nën udhëheqien e tyre populli do të jetonte i lumtur dhe do të hanin me lugë floriri!. Për këtë qëllim komunistët luftuan më shumë për eleminonin pa gjyq të kundërshtarët e tyre politik, sesa luftën kundër pushtuesit.
* * *
Libri “Parti komuniste apo parti terroriste”, të shtyn në mendime të thella, leximi tij, e detyron lexuesin të kthejë kokën prapa dhe të shoh se ç`ka ngjarë të tokën e tij, në fshatin e tij, në fisin e tij, pra të reflektojë për atë që ka ndodhur, kështu më ngjau edhe mua: libri më futi në mendime të thella për vendlindjen time, Smokthinën, ku kuçedra komuniste hodhi kthetrat makabre dhe e përgjaku rëndë atë me gjak vëllai. Krahina jonë Smokthina, nëpërmjet këngëve, që për atë kohë ishin edhe shtyp, edhe kronikë, edhe arkiv, demaskoi e denoncoi pa mëshirë këtë gjakderdhje që erdhi si mallkim, si pasojë e vëllavrasjes. Tragjikisht shembujt janë të shumtë:
Djalin 20 vjeçar të Isak Metes, në pragmartese, e rrëmbejnë nga fshati, Ramica, dhe e torturojënë aq barbarisht sa ai dha shpirt në duar të komunistëve vlonjatë. Populli e përjetësoi në këngë:
Një kuje te xha Isaku,
Rëndë u godit oxhaku,
Si krua derdh lotët plaku,
Se nxinte brenda konaku…
Helmi për humbjen e jetës së këtij djaloshi, qe aq i madh sa nuk e nxinte brenda konaku, dhe shumë preks është amaneti që djaloshi 20 vjeçar u lë të afërmve të tij para se të largohet nga kjo botë:
Vëllezër, prindër mos qani,
Me gazep po më del xhani,
Dhe ti nënë mos u sëmur,
Se vuaj e heq torturë,
Jam kurban për diktaturë…
Po ashtu nëpërmjet këngës, populli ka gdhendur në kujtesë Fejzo Rukën, kundër të cilit komunistët derdhën plumba pabesije në një pritë, për të vetmin faj se ai ishte simpatizant i Ballit Kombëtar:
Mbi Ramicë të zunë pusinë,
Ktheu Fejzo me partinë,
Hiq shkabën dhe vur yll,
Ja lëshuan breshërinë,
Të dy çapokët ia grinë…
Një bir i denj i Smokthinës Edison Musaraj, në librin e tij “Smokthina dhe smokthinjotët”, akuzon rëndë komunistin e kësaj krahine Mevlan Dervishin me njësitin e tij gueril:
Se mohuan nënë e babë.
Dhe për prind njohën Dushanë,
Dhe për nënë partinë putanë…
Në dokumentat e librit të Enver Lepenicës, që analizojmë, janë evidentuar krimet e Njësitit gueril terrorist komunist të Smokthinës nën udhëheqien e Mevlan Dervishit dhe Bako Dervishit, që kanë vrarë pabesisht në prita, pa asnjë faj, mbi 25 fshtarë të tyre, vëllezër të tyre, sepse ata nuk u pajtuan me Partinë Komunistë që urdhërohej nga Dushan Mugosha, si: Halim Derraj, Hasan Osmën Deliaj, Muharrem Derraj, Mahil Shaban Leskaj, Qani Liçaj, Malo Zigur Lelaj, Hysni Jaupaj, Murat Sullaj, Hasan Muçohasani, etj.
Populli gjith zgjuarsi në krijimtarinë e vet lavdëron ata që nuk bënë krimë dhe derdh urrejtje ndaj atyre që bënë vëllavrasjen:
Smokthinë të treti meraku
Mxorre një celulë nga barku,
Të mbyti kërma e gjaku,
T`u nxi porta e oxhaku,
Dëgjuat ca popoviçër,
Ca rrufianë ca dobiçër
Në Tërbaç s`u vranë as qentë,
Ju smokthinjotë pse u çmëndët?!…
* * *
Libri i Enver Lepenicës “Parti komuniste apo parti terroriste”, Dokumenta të Ballit Kombëtar, është shumëvlerësh. Ky libër të tërheq për vërtetësinë e ngjarjeve, të provuara me dokumenta, ku ne disa raste trishtohe e ligështohe kur njihesh me krimet makabre të vëllavrasjes dhe pasi e mbaron së lexuari këtë libër me dokumenta bindesh plotësisht se Balli Kombëtar nuk u mund me argumenta e drejtësi, por me intriga, prapaskena, pabesi, hipokrizi e kurthe karakteristike për komunistët shqiptarë.
Nuk është hera e parë, që Enver Lepenica, të dallohet për studime të thelluara, të vlerësuara edhe nga personalitete të shquara të historisë.
Ai i ka vënë vetes si detyrë të çmontojë e të çvidhos mekanizmin e egër të diktaturës komuniste dhe të denoncojë krimet që ata ushtruan për afro 50 vjet ndaj popullit shqiptar.
Kur njihesh, nëpërmjet dokumentave të këtij libri, me krimet komuniste, del e qartë se Partia Komuniste e udhëhequr nga Enver Hoxha e Mehmet Shehu, nga Hysni Kapo e Manush Myftiu, e kupton se ata veç krimeve në luftë, ushtruan dhunë dhe terror edhe në kohë paqie. U pushkatuan dhe u shfarosën pothuajse të gjith komandantët e komisarët që udhëhoqën njësitet e armatosura gjatë luftës, eleminuan dhe mënjanuan gjith personalitetet e luftës, vranë aspirantët e vërtetë të demokracisë.
Në krye të kësaj bande për afro 50 vjet qëndroi Enver Hoxha, kriminel shumëplanësh, paranojak, diktator specifik, kësaj mostre i duhen faturuar edhe mëkatet që u bënë pas vitit 1990, sepse shumë elementë të atij sistemi “të kalitur në kudhrën e Partisë së Punës”, infiltruan në partitë e pas 90-tës duke i sjellë dëme të mëdha demokracisë së brishtë shqiptare.
Lexuesi shqiptar duke lexuar librin që analizojmë do të njohë nëpërmjet të dokumentave të vërtetat historike të asaj kohe, dhe kështu do të ndihmohet për të mësuar historinë e vendit të tij, sepse vetëm e vërteta i bën njerzit më të lirë fizikisht dhe moralisht dhe për këtë ka dhënë ndihmesën e tij edhe Enver Lepenica me veprën e tij.

Filed Under: Kulture Tagged With: APO PARTI, Enver Memishaj, Lepenica, Parti Komuniste, Petrit Derraj, terroriste

DHJETE VJETET E JETES SE ALI ASLLANIT, TE PA VLERESUARA

August 2, 2014 by dgreca

Nga Enver Memishaj *)
Ditët e fundit në gazetën “55” është botuar një autobiografi e Ali Asllanit (1882 – 1966) si dhe dy artikuj me kujtime në gazetën “Telegraf”, ku është pwrshkruar shwrbimi i shquar i kwtij burri qw i sjellw atdheut tw tij.
Në këto shkrime vetwm sa përmëndet qwnia e Ali Asllanit si kryetar bashkisë së Vlorës, nga 20.12.1918 deri më 30.11.1920 dhe nga prill i vitit 1934 deri në korrik të vitit 1939, po t`i shtojmë edhe kohwn si sekretar i Qeverisë së Ismail Qemalit në vitin 1913 dhe kohën e internimit nga pushtuesi italian, dalin mbi 10 vjet nga jeta e tij, një peiudhë mjaft e gjatë nw jetwn e njw njeriu dhe me shumë rëndësi në shërbimet që ai i ka sjellë vendit të tij.
Nisur nga sa sipër po paraqes sado shkurt vetwm kontributin e Ali Asllanit si kryetar i Bashkisë së Vlorës, pothuajse i pa njohur nga publiku i gjerë.
* * *
Kur në dhjetor të vitit 1918, në Durrës u krijua qeveria e Turhan Pashës, menjëher, më 20 dhjetor, e dekretoi, Ali Asllanin kryetar të administratës lokale të Vlorës. Në këtë detyrë ai qëndroi deri në 30 nëntor të vitit 1920 .
Në atë periudhë ai kontribuoi seriozisht në çështjen kombëtare. Është për t`u veçuar roli tij i rëndësishëm për mbrojtjen e çështjes kombëtare, lidhur me pretendimet italiane për territore shqiptare, përpara të dërguarit personal, të Presidentit Ullson, në Shqipëri, konsullit Josef Haven, i cili qëndroi 15 ditë në shtëpi të Qazim Kokoshit dhe 15 ditë në shtëpi të Ali Asllanit.
Ali Asllani kishte bashkëshorte mbesën patriotit të shquar vlonjat Qazim Kokoshit, gjë që e lidhte më shumë me Vlorën dhe me çështjen kombëtare shqiptare.
Në detyrën e kryetarit të Bashkisë, në shkurt të vitit 1919, Ali Asllanit i mbetet vlera dhe mirënjihja jonë për organizimin dhe nderimin e përcjelljes në përjetësi të Ismail Qemalit. Sipas tij: “Këshilli Bashkiak i qytetit, ku mbisundonin patriotët, propozoi që varri i Ismail Qemalit të vendosej në sheshin qëndror të qytetit, pranë shtëpisë ku kishte lindur Ismail Qemali dhe pranë selisë së Kuvendit Kombëtar, ku ai kishte shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Por komanda ushtarake italiane, nga frika e shpërthimit brenda në qyteti të manifestimeve patriotike gjatë varrimit dhe duke justifikuar se projekti i rregullimit të sheshit qëndror ishte ende i pa përfunduar, nguli këmbë që trupi të varrosej në Kalanë e Kaninës, të paktën përkohësisht, aty ku qenë varrosur paraardhësit e Ismail Qemalit”.
Adhurimi dhe respekti që Ali Asllani kishte për Heroin e Pavarësisë dalin qartë, jo vetëm në vargjet që ai krijoi për të, por edhe në ato pak kujtime që mundi të botojë në raste përvjetorësh të Pavarësisë. Në vargjet e poezisë “Ismail Qemali”, poeti i madh, me forcën e penës së tij përshkruan gjithë historinë e Plakut të Vlorës, apo “Plakut të pavdekshëm”, siç e quante ai; jetën e tij; vështirësitë që ai ndeshi për Shpalljen e Pavarësisë; rolin që ai lujajti në të; patriotizmin; sakrificat; dashurinë që kishte populli për të; e deri tek dëmi që i solli kombit vdekja e papritur e tij, duke e mbyllur me vargjet që sintetizojnë krejtësisht jetën dhe veprën e Ismail Qemalit:
Emr’i tija i vërtetë / është Nëntor njëzet e tetë…
Gjatë viteve 1919-1920, Ali Asllani, në bashkëpunim me një inxhinjer italian ndërtoi merkaton e qytetit në rrugën Vlorë –Skelë dhe rikonstruktoi dy trotuarët e kësaj rruge. Ai u interesua edhe për rikonstruksionin e kalasë së Kaninës, por ngjarjet rrodhën ndryshe, ai u largua nga Vlora dhe dëshira e tij mbeti vetëm dëshirë.

Më 1920, si kryetar i katundarisë, mbështeti Luftën heroike të Vlorë duke shkruar dhe himin e fuqishëm të kësaj lufte dhe disa poezi të tjera të njohura dhe të vlerësuara. Për veprimtarinë e tij atdhetare ai u burgos prej pushtuesve italianë dhe më pas u internua në ishullin e Sazanit me shumë patriotë të tjerë.
Në festimet madhështore që u organizuan pas fitores së Luftës së Vlorës, më 3 shtator 1920, ai mbajti para popullit një fjalim të nxehtë atdhetar, si dhe i bëri në emër të popullit një telegram urimi qeverisë së Sulejman Delvinës, që edhe iu përgjigj atij.
Gjendet gjithashtu një korespodencë ndërmjet “Komitetit Mbrojtja Kombëtare” dhe kryekatundarit të Vlorës Ali Asllani, ku del qartë angazhimi total i tij në luftën për çlirimin e Vlorës, nga pushtuesi italian.
Me rastin e festimit të 28 nëntorit 1920, Ali Asllani, ftoi në qytetin e Vlorës kryeministrin Sulejman Delvina të cilin edhe e shpalli “Qytetar Nderi të Vlorës”. Ishte i pari shqiptar që u shpall qytetar nderi i Vlorës.
Më 17 dhjetor 1920, nga Tirana, Ali Asllani dhe Qazim Kokoshi lajmërojnë me gëzim Shoqërinë “Mbrojtja Kombëtare” në Vlorë: “Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Urime nga zemra…”
* * *
Në prill të vitit 1934, ai u zgjodh për herë të dytë kryetar i Bashkisë së Vlorës, jo vetëm si një personalitet vlonjat, por edhe me veprimtari të gjerë në shërbim të atdheut e të kombit, detyrë që e ushtroi deri në korrik të vitit 1939.
Gjatë ushtrimit të detyrës, Ali Asllani bëri shumë shërbime të shquara për t`i dhënë Vlorës pamjen e një qyteti europian dhe me qëllim që qytetarëve t`u shërbente sa më mirë.
Kështu p.sh. në vitin 1937, bashkia, nxorri disa urdhëra sipas të cilëve: tregëtarët duhet të kalonin në vizitë mjeksore, për periudhën 1 maj deri më 15 shtator, dyqanet dhe aktiviteti tregëtar duhet të bënte pushim prej orës 12 deri në 15, kjo për arsye shëndetësore, si të tregtarëve edhe të popullit që të mos dilnin në kohën e nxehtë, etj.
Për herë të parë kur bashkia drejtohej nga Ali Asllani janë çelur shkolla foshnjore dhe kopshte.
Po kështu, bashkia shpërndau 2000 kv. misër dhe barna falas për të vobektit. U bë zgjerimi i rrugëve, u dha urdhër për lyerjen e dyqaneve, u ngritën banjo publike për gra dhe burra, u bë rregullimi i tregut, u ndanë veç shitja e druve, fruta zarzavateve etj, u ndërtuan bar – restaurante, u nxit shfrytëzimi banjove të detit etj.
Në një prononcim të bashkisë thuhet se: “Kjo bashki çështjen e ujit e ka në krye të programit të veprimeve të sajë dhe i ka kushtuar gjithë kujdesin e sajë që meriton… për herë të parë është bërë studimi me inxhinjer kompetent…”
Në vitin 1937, Ali Asllani u kujdes dhe bëri një punë të mirë, që gëzimi 25 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, të hynte në çdo vatër vlonjate në qytet dhe në fshat. Në Vlorë, ishte formuar komisioni i festimit të 25 vjetorit me këtë përbërje: Kryetar kapiten Kamber Qafmolla, komandant xhandarmërie dhe zëvëndës prefekt, Ali Asllani, kryetar i bashkisë, Aristidh Ruçi, Pandeli Bezhani, Hamza Isai, Asim Kokoshi, Skënder Muço, Sif Kedhi, Seit Qemali.
Po kështu nga çdo komunë u caktuan për të vajtur në Tiranë një grup valltarësh djem e vajza.
Gjatë vitit 1937, me interesimin e Ali Asllanit dhe nxitjen e tij, ka funksionuar edhe Shoqëria “Gruaja shqiptare”, e komunave, me këtë përbërje: Dukat: Nasybe Thanasi, Nartë: Zenepe Lepenica, Mesaplik: Arelbaj Deraj, Gërnec: Angjelina Shllaku, Drashovic: Rukie Qazimi, Sevaster: Zonja e Remzi Ramos
Si kryetar i Bashkisë, Ali Asllani bëri përpjekje për ngritjen e bibliotekës publike të qytetit. Dhe natyrisht një mëndje e ndritur si e tija, nuk mund të qëndronte indiferent kur mendnte se Vlora nuk kishte bibliotekë, për të ndriçuar mendjet e qytetarëve të sajë. Në një prononcim të tij në shtyp ai iu përgjigjet një grupi qytetarësh vlonjatë: “Në të ndershmen gazetë “Jeta e Re”, më datën 8.7.1937, bëhet fjalë për një bibliotekë në Vlorë.
Krijimi i bibliotekës në Vlorë, është brënda programit e veprimeve të kësaj bashkie, dhe nga ana e kësaj kryesie është propozuar që në vitin e kaluar, por për ngushticë financiare nuk u realizua; dhe tue qënë brenda programit sajë, me të parë mundësinë financiare do të propozohet rishataz në buxhetin e ri. Me nderime Kryetari i Bashkisë Ali Asllani”.
Pra si datë fillimi i bibliotekës publike të Vlorës mund të merret vitit 1938, me gjithë se edhe këtë viti, shtypi shkruan: “Në Vlorë nuk ka bibliotekë. Syrja bej Vlora ka nje bibliotekë dhe a nuk do të ishte mirë që t`ia falte Vlorës. Si një xhest patriotik?”. Pra në Vlorë biblioteka publike ka filluar të funksionojë vetëm në vitin 1939.
Përveç aktivitetit të tij politiko-atdhetar, si dhe krijimtarisë letrare, Ali Asllani do mbetet i njohur për qytetin e Vlorës edhe për ndërtimin e dy monumenteve:
“Shtylla e Flamurit Kombëtar”, në Sheshin e Flamurit, dhe “Kulla e Sahatit”, që u financua nga tregëtarët e këtij qyteti.
Skicë-idetë e këtyre monumenteve u përgatitën prej tij dhe inagurimet u bënë në vitin 1937, gjatë periudhës që ai vetë ishte Kryetar i Bashkisë së qytetit.
Për ndërtimin e Kullës së Sahatit, me vendim të Këshillit të Bashkisë datë 5.8.1937, u lidh kontratë me skluptorin e njohur Odise Paskali, për katër faqet zbukuruese të Kullës, ku do të realizoheshin: 1. Fytyra e Skënderbeut, 2. Fytyra e Mbretit, 3. Fytyra e Ismail Qemalit, 4. Shqiponja dy krenare. Fusha e Sahatit duhej bërë me numura romak. Sahati përveç anës funksionale ka edhe vlera artistike dhe për këto arsye është shpallur në vitin 2006 nga ish ministri i kulturës Dr. Bujar Leskaj monument kulture.
“Më 1 shtator 1938, u inagurua në Vlorë, tamam në vendin ku heroi i indipedencës shqiptare pat ngrehur Flamurin e Lirisë, Shtylla e Flamurit Kombëtar… Populli kishte ardhur nga të gjitha fshatrat… Turmat e mëdha… ishin të ekzaltuara nga një gëzim i jashtëmasëshëm. Në fytyrën e sejcilit shquhej një gas, që është i rrallë. Mori pjesë një përfaqësues i N.M. së Tij Mbretit, Xhafer Ypi dhe dërgata të qeverisë e parlamentit…
Është një inspirim poetik dhe një realizim i mbushur me mundime e sakrifica. E para i dedikohet kryetarit të sotëm të bashkisë z. Ali Asllani dhe e dyta sakrificave të Institutit të Bashkisë së vendit tonë”.
Ali Asllani mbajti lidhje të rregullta më Mbretërinë me qëllim që ai të përfitonte sa më shumë për qytetarët e tij, kështu me rastin e martesës së N.M. së Tij Mbretit Ahmet Zogu me N.M.e Saj Konteshën Apony, me fondet e bashkisë së Vlorës u martuan 10 vasha të varfëra.
Në atë kohë qytetet tona ishin të prapambetura, por Ali Asllani u kujdes për çdo gjë që Vlora tu ngjante qyteteve të Europës që kishte shëtitur, kështu në maj të vitit 1939, kemi një urdhëresë të bashkisë sipas së cilës “Llozhurat (plehrat) nuk do të hidhen në rrugë por në një teneqe…”
Gjatë viteve 1937 – 1938, Ali Asllani veç të tjerave u kujdes edhe për veprimtarinë e shoqatës kulturore sportive “Ismail Qemali”, organizimin e Bandës Muzikore të Bashkis, etj.
Për kontributin e tij të madh në ngritjen e pasurimin e Muzeut të Arkeologjik të Vlorës, qeveria e Francës, më 8 dhjetor të vitit 1937, i akordoi atij titullin “Oficeri i Akademisë Franceze”
Zgjedhja e Këshillit të Bashkisë, në shtator të vitit 1938.
Zgjedhjet e reja për Asamblenë e Bashkisë, qenë mbaruar dy javë më parë, dhe patën fituar këta zotrinj: Spiro Suli, Epaminonda Bezhani, Qazim Hamdiu, Menduh Sharra, Ali Çakërri, Hamza Isai, Tom Stamolla, Esheref Dano. Eqerem Sorra, Sabri Mezini.
Pardje këta zotrinj që do të formojnë Asamblenë e re, u mblodhën në sallën e bashkisë dhe votuan për kryetarin e Asamblesë dhe për anëtarët e këshillit. Për kryetar me shumicë votash fitoi z. Spiro Suli dhe për këshilltar: Spiro Suli, Qazim Hamdiu, Epaminonda Bezhani, Menduh Sharra.
* * *
Folëm shkurt vetëm për shërbimet e shquara që Ali Asllani i solli Vlorës dhe vendit të tij si kryetar i Bashkisë, në atë periudhë aq të vështirë të vendit tonë.

*) Nxjerrë nga libri autorit “Historia e Bashkisë së Vlorës 1912 – 1920”, që është në shtyp.
Botuar në gazetën “ 55 “, Tiranë, dt. 2.8.2014, f. 16-17

Filed Under: Histori Tagged With: DHJETE VJETET E JETES SE ALI ASLLANIT, Enver Memishaj, TE PA VLERESUARA

TREGIMI I HISTORISË NËPËRMJET LETËRSISË

November 5, 2013 by dgreca

Rreth romanit te Laureta Petoshti  “Rikthim në Ventotene” , Tiranë 2012/

Nga Enver Memishaj/

Laureta Petoshati, e njohur sot si përfaqësuese e femrës vlonjate ne fushën e kulturës dhe të artit, ka dalë para botës shqiptare me romanin voluminoz “Rikthim në Ventotene”, dedikuar: “Të gjithë atyre që u persekutuan nga diktaturat” me një parathënie vlerësuese të Dr. Alisa Velaj.

Laureta ka lindur  në qytetin bregdetar të Vlorës dhe është lauruar në Universitetin e Tiranës inxhiniere hidroteknike.

Ka provuar jetën e vështirë të emigrantes në SHBA, por vështirësitë nuk e mposhtën. Atje është një ndër themelueset e shoqatës kulturore –atdhetare “Bijtë e Shqipes” me qendër në Filadelfia, një nga nismëtaret e para për hapjen e shkollës në gjuhën shqipe. Aktiviste e çështjes kombëtare, për lirinë e Kosovës, në demonstrata, në intervista në radio, ABC, në gjuhën italiane. Aktivitetet e shoqatës, por dhe mendimet e idetë e saj i ka pasqyruar në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”. Në vitin 2005 u kthye në Shqipëri, por vazhdoi korrespodencën me këtë gazetë prestigjioze.

Sot, Laureta është një publiciste e njohur  me botimet në shumë gazeta e revista brenda dhe jashtë vendit si: “Jeta Arbëreshe” dhe “Rrënjët”në Itali, “Ndryshe”, “Nacional”, “Republika, etj., në Shqipëri. Në Vlorë ka qenë fillimisht  gazetare e më pas kryeredaktore e gazetës “Vlora” si dhe gazetare e televizionit Vlora Channel.

Letërsia dhe publicistika kanë qenë dhe mbeten jo vetëm pasion, por edhe në mision të jetës së saj.

Librin e sajë të parë “Perëndesha e Parajsës” e botoi në fillim të vitit 1997 një përmbledhje me poezi.

Laureta është e njohur edhe si përkthyese, njohëse e katër gjuhëve të huaja, ndër të cilat spikasin italishtja dhe anglishtja.  Ka marrë tre çmime të para kombëtare për përkthime të poezive në gjuhën shqipe nga italishtja dhe anglishtja, por dhe nga shqipja në anglisht.

Në vitin 2008 është vlerësuar nga Shoqata  kulturore mbarëkombëtare“Ismail Qemal-Vlora” me titullin “Personalitet i Shquar i Kulturës Mbarëkombëtare”.

Studimi sajë mbi rrymën e re letrare, të lindur në Shqipëri e të quajtur prej saj “Spiralizmi” është botuar në disa gazeta brenda dhe jashtë vendit.

Ka në proces botimi tre libra të tjerë: vëllimin poetik “Spirale”, kritikë letrare dhe arti për autorë bashkëkohore dhe publicistikë e reportazhe.

*       *       *

Romani voluminoz, historiko –letrar, që do të analizojmë, “Rikthim në Ventotene” , është botuar në fund të vitit 2012.

Ndërsa Dante Alighieri flet për personazhe realë që kanë shkuar në ferr për fajet e tyre, Laureta Petoshati në këtë roman flet të dënuarit e ferrit Ventotene se janë atje për motive të larta: për lirinë dhe drejtësinë shoqërore, luftën kundër shtypjes e shfrytëzimit.

Edhe pse romani flet për një shtrirje të madhe kohore në historinë e Shqipërisë, Laureta Petoshati ndalon në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe na njeh me ngjarje dhe personazhe realë që kanë jetuar në ato vite të vështira. Si pikënisje kemi vendlindjen e sajë, qytetin e Vlorës.  Bukuria e romanit qëndron në faktin se autorja nuk merr si pikënisje një personazh të vetëm, por një familje të tërë, familjen Leka, me origjinë nga Mbishkodra, me banim në Vlorë pasi kryetari i familjes Zef Leka, mësues i gjuhës shqipe është emëruar aty, nga Luigj Gurakuqi, dy vjet para Luftës heroike të Vlorës të vitit 1920. Familja e Zefit ishte shuar e tëra, nga shovinizmi serbo-malazez, në mbrojtje të trojeve tona, e kështu Zefi jetim u rrit dhe u edukua nga françeskanët.

Pali, djali i madh i Zefit, i rritur në një mjedis sa atdhetar, po aq edhe fetar, pa dallime raciale e fetare, merr pjesë aktive në demonstratat kundër  pushtimit fashist të Shqipërisë dhe arrestohet.

Pas proceseve gjyqësore ai internohet në ishullin e Ventotene-s në Itali, më pas në kampin e përqendrimit  Arezzo d’Angari e mbas këtij kampi merret nga gjermanët që e shfrytëzojnë atë dhe shumë shqiptarë e italianë për ndërtimet e tyre ushtarake. Pali kudo ku shkon mban të fshehur disa faqe të shkruara me dorë që ia dha një shok i tij shqiptar në Ventotene: Manifesti i Ventotenes, që flet për bashkimin e Europës, u përpilua nga disa intelektualë italianë në bashkëpunim me disa shqiptarë si Llazar Fundo e Stavro Skëndi. Intelektualët shqiptarë u bënë pjesë e debatit, rrahën mendime, por kushtet e vendit të tyre të pushtuar shtronin si detyrë kryesore çlirimin e vendit, vendosjen e demokracisë dhe pastaj realizimin e bashkimit të Europës.  Madje. për arsye të daljes në dritë të Kartës së Atlantikut që fliste për vetëvendosjen e popujve, Llazar Fundo që ishte shoku më i ngushtë në Ventotene i Altiero Spinelli-t që sot quhet si Babai i Europës së Bashkuar, nuk firmosi. Ai e parashikoi i pari atë që do të ndodhte në Kosovë e Çamëri, ndaj jo më kot Isuf Luzaj, që e kishte njohur herët në Francë e më pas në internim në Ventotene e quan “filozofin më të madh që ka pasur raca shqiptare.”

Libri të mbush me informacion të bollshëm, pasi Laureta ka ditur në mënyrë racionale dhe pa e lodhur lexuesin, të nxjerrë nga pluhuri i kohës ngjarje dhe personazhe interesantë dhe na i ka sjellë në ditët tona përmes një origjinaliteti befasues, çka ka shkaktuar një habi të jo të zakonshme për guximin e saj për ti treguar ngjarjet dhe njerëzit që i kanë përbërë ato ashtu siç kanë qenë.

Në Ventotene, Pali njihet me njerëz të tillë që më vonë do të bëheshin drejtues lufte , shteti, e idealesh humaniste si Sandro Pertini, Altiero Spinelli, Eugenio Colorni, Ernesto Rossi, Giorgio Braccialarghe, Luigi Longo, etj. Por ai nëpërmjet rrëfimit dhe kontakteve njihet dhe me shqiptarë të mëdhenj në mendje e vepra, pavarësisht bindjeve politike .

Autorja flet për epokën e fashizmit, nazizmit dhe madje komunizmit stalinist në mënyrë të tillë sa bota bëhet aq e vogël dhe njerëz me kulturë, gjuhë, kombe të ndryshme lidhin miqësi e njihen me njëri-tjetrin nëpërmjet luftës së përbashkët kundër këtyre mortajave të njerëzimit. Këta njerëz të vuajtjeve, zgalemë të lirisë i bashkon qëllimi përbashkët, njohja reciproke, pavarësisht se janë ndryshe nga njeri tjetri nga kultura, historia familjare e kombëtare.

Rëndësia, ose ç`farë të rejash na siell ky roman.

Dr. Alisa Velaj e shpreh idenë kryesore dhe rëndësinë e këtij romani të Laureta Petoshatit me këto fjalë, që janë botuar edhe si parathënie të romanit: “ Të përpiqesh të rindërtosh historinë e një kombi nëpërmjet letërsisë është pa dyshim një akt sa i lartë, po aq dhe tepër i ndërlikuar. Laureta Petoshati ka ditur ta realizojë në mënyrë mjeshtërore të gjith këtë proçes. Romani “Rikthim në Ventotene” është fryt i një pune të lodhëshme, hulumtuese, disavjeçare në lëmin e historisë dhe për më tepër në hulumtimin  dhe gjurmimin e përpjekjeve të intelektualëve shqiptarë të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, kryesisht atyre të internuar nga fashizmi në ishujt e Italisë, si pjesë e debatit për përpilimin e dokumentit historik të “Manifestit të Ventotenes”, që do të ishte bërthama e realizimit të ëndrrës së Europës së Bashkuar.

Ky mozaik i jetës shqiptare në bashkëveprim me kombe e popuj të tjerë, për më shumë se një shekull, ngërthen në vetvete dramën e madhe të kombit tonë përgjatë historisë, drama të shkaktuara nga gabimet e politike të kohës kur ndodhin, por edhe drama të shkaktuara nga vetë shqiptarët!

Laureta Petoshati e rimerr këtë temë duke e zhvendosur paralelisht në Ventotene dhe Renicci di Anghiari në Arezzo mes jetës së të internuarve me kombësi të ndryshme dhe në jetën qytetare të Vlorës, ku bashkëjetesa ndërmjet vendasve, italianëve dhe hebrejve ka qënë e shkëlqyer.

Diktatura komuniste në fillimet e sajë përbën një nga analizat më të thella të këtij romani”.

Kështu e përcakton Dr. Velaj idenë e këtij romani.

Po ta lexosh me vëmendje romanin sheh se kemi të bëjmë me një letërsi origjinale që shpreh një kulturë të thellë dhe shumëplanëshe.

Autorja zhbiron pa kompromis dhe i shkon së vërtetës deri në fund duke shfrytëzuar jo vetëm arkiva, libra e kujtime të personazheve historikë, por dhe aftësitë e saj si gazetare investigative dhe këtë të vërtetë mundohet ta japë nëpërmjet një stili tejet origjinal dhe një leksiku që ndërthur si të folurën e përditshme të njerëzve të thjeshtë e deri tek ngjyrat më të stërholluara e filozofike të personazheve të saj.

Vetë përshkrimi i jetës në Ventotene flet për një botë poliedrike dhe për mendje të hapura që përsiatin dhe reflektojnë mbi të ardhmen e tyre, por dhe të kontinentit.

Mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore të gjithë kthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa Pali jo. Historia e kësaj familjeje gërshetohet me jetën e disa familjeve të tjera në Vlorë dhe në Shqipëri dhe autorja i bën një përshkrim të hollësishëm regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, që u vendos me dhunë e banja gjaku.

Është një lloj rrëfimi që ka si qëllim kryesor nxjerrjen e të vërtetës historike në maksimumin e mundshëm dhe pikërisht këtë të vërtetë mund ta konsiderojmë si mesazhin e veprës, një mesazh i qartë për të gjithë lexuesit.

Hera-herës nga erudicioni i veprës autorja Laureta Petoshati i drejtohet një lexuesi të zgjedhur pasi kemi një vepër me një informacion të pasur,  kompleks dhe të thellë, të përshkruar hera-herës dhe me realizëm psikologjik.

Në të gjithë librin, në pothuajse të gjitha ngjarjet kemi si shoqërues dhe të pranishëm detin, natyrisht një vlonjate nuk mund ta kuptojë botën pa detin, pa fund e pa anë, siç thoshte Maksim Gorki, ai det që e ka bërë edhe shpirtin e autores të gjerë e të thellë.

Ngjyrat e detit transmetojnë gjendjet shpirtërore të personazheve dhe i japin gjallëri përshkrimit.  Tek deti shihet dashuria për jetën dhe lirinë, hapësira që jep qetësinë dhe lumturinë.

Peizazhe të magjishme, të rrëshqitshme si dritat në ujë, lutje që e lidhin njeriun me Zotin me dashuri, butësi dhe shpresë ku shumëkush mund drithërohet, madje mund të tronditet kur lexon romanin “Rikthim në Ventotene” të shkrimtares vlonjate Laureta Petoshati, e cila di ti thotë gjërat troç dhe pa frikë dhe di ti qëndrojë besnike historisë gërshetuar aq bukur me letërsinë moderne.

*     *     *

Përse, Laureta Petoshati e ka titulluar romanin e sajë  “Rikthim në Ventotene”?

Është rikthim tek ëndrra e vjetër e shqiptarëve për të hyrë në Europën e bashkuar, ëndërr e pasqyruar tek “Manifest i Ventotene-s”, që personazhi kryesor i romanit Pali, e kishte fshehur nga brenda atij xhubi të gjakosur nga plumbat, e që erdhi në Shqipëri pas rënies së diktaturës.

Cili ishte fati, personazheve historik, të të internuarve të Ventotenes?

Autorja  e përmbush edhe këtë kuriozitet të lexuesit me epilogun në fund të librit. Disa nga të internuarit në Ventotene gjatë viteve 1939 – 1943, jepen në fund të këtij shkrimi.

Romani ka afro 600 faqe. Kopertina paraqet statujën e njohur “Rrethi i jetës”, që gjendet në Oslo Suedi e që i jep kuptim përmbajtjes së romanit.  (Wheel of life, Monolith statue, Vigeland Park, Oslo Norvegji)

Disa nga të internuarit në Ventotene, gjatë viteve 1939 – 1943, që janë personazhe të romanit të Laureta Petoshatit “Rikthim në Ventotene”.

Të gjith të dënuar dhe persekutuar nga diktatura komuniste.

1.Llazar Fundo, i rrahur barbarisht dhe i tërhequr pas kalit nga krimineli legjendar Shefqet Peçi, i cili pushkatoi pa gjyq.
2. Stavro Skëndi, u shpallur armik populli nga komunistët, u arratis në Sh.B.A. ku punoi si profesor universiteti.
3. Isuf Luzaj,u shpall armik populli, u arratis Sh.B.A. ku punoi profesor universiteti.
4. Fazlli Frashëri, u pushkatua pa gjyq.
5. Selman Riza, shkencëtar, gjuhëtar i shquar u dënua me burg nga komunistët shqiptar dhe sllavë. U përndoq deri në fund të jetës së tij.
6. Safet Butka, nuk mund të shihte dhe të pranonte luftën vëllavrasëse që shpallën komunistët në vitin 1943,  dhe vrau veten.

7. Izet Bebeziqi, u dënua me burg dhe u përndoq gjatë gjithë jetës.

8. Abaz Ermenji , u shpall armik populli, u arratis në Francë ku punoi si profesor letërsie.
9. Ndue Pali, u pushkatua si antikomunist.
10. Myzafer Pipa, vdiq në tortura pa dalë në gjyq.

11. Sinan Gjoni, u pushkatua me urdhër të Enver Hoxhës.
12. Gani Kryeziu – torturuar e vdekur në burgjet e ish Jugosllavisë nga klika e Tito-Rankoviçit.
13. Hasan Kryeziu – pushkatuar nga klika e Tito-Rankoviçit.
14. Said Kryeziu – arratisur në Itali e pastaj Sh.B.A.
15. Zef Mala – i burgosur dhe i internuar disa herë me urdhër të Enver Hoxhës.
16. Maku Koçi, u dënua  me 30 vjet burg me urdhër të Enver Hoxhës. Nuk mundi të krijojë familje, vdiq në vetmi në një azil pleqsh.
17. Abdurrahman Kreshpa, ende djalë i ri u internua në Ventotene dhe që mbas moshës 20 vjeç është dënuar e burgosur disa herë nga komunistët vlonjatë. Etj…

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Enver Memishaj, Laureta Petoshati, Rikthimi ne Ventotene

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT