Nga Enver Memishaj *)
Ditët e fundit në gazetën “55” është botuar një autobiografi e Ali Asllanit (1882 – 1966) si dhe dy artikuj me kujtime në gazetën “Telegraf”, ku është pwrshkruar shwrbimi i shquar i kwtij burri qw i sjellw atdheut tw tij.
Në këto shkrime vetwm sa përmëndet qwnia e Ali Asllanit si kryetar bashkisë së Vlorës, nga 20.12.1918 deri më 30.11.1920 dhe nga prill i vitit 1934 deri në korrik të vitit 1939, po t`i shtojmë edhe kohwn si sekretar i Qeverisë së Ismail Qemalit në vitin 1913 dhe kohën e internimit nga pushtuesi italian, dalin mbi 10 vjet nga jeta e tij, një peiudhë mjaft e gjatë nw jetwn e njw njeriu dhe me shumë rëndësi në shërbimet që ai i ka sjellë vendit të tij.
Nisur nga sa sipër po paraqes sado shkurt vetwm kontributin e Ali Asllanit si kryetar i Bashkisë së Vlorës, pothuajse i pa njohur nga publiku i gjerë.
* * *
Kur në dhjetor të vitit 1918, në Durrës u krijua qeveria e Turhan Pashës, menjëher, më 20 dhjetor, e dekretoi, Ali Asllanin kryetar të administratës lokale të Vlorës. Në këtë detyrë ai qëndroi deri në 30 nëntor të vitit 1920 .
Në atë periudhë ai kontribuoi seriozisht në çështjen kombëtare. Është për t`u veçuar roli tij i rëndësishëm për mbrojtjen e çështjes kombëtare, lidhur me pretendimet italiane për territore shqiptare, përpara të dërguarit personal, të Presidentit Ullson, në Shqipëri, konsullit Josef Haven, i cili qëndroi 15 ditë në shtëpi të Qazim Kokoshit dhe 15 ditë në shtëpi të Ali Asllanit.
Ali Asllani kishte bashkëshorte mbesën patriotit të shquar vlonjat Qazim Kokoshit, gjë që e lidhte më shumë me Vlorën dhe me çështjen kombëtare shqiptare.
Në detyrën e kryetarit të Bashkisë, në shkurt të vitit 1919, Ali Asllanit i mbetet vlera dhe mirënjihja jonë për organizimin dhe nderimin e përcjelljes në përjetësi të Ismail Qemalit. Sipas tij: “Këshilli Bashkiak i qytetit, ku mbisundonin patriotët, propozoi që varri i Ismail Qemalit të vendosej në sheshin qëndror të qytetit, pranë shtëpisë ku kishte lindur Ismail Qemali dhe pranë selisë së Kuvendit Kombëtar, ku ai kishte shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Por komanda ushtarake italiane, nga frika e shpërthimit brenda në qyteti të manifestimeve patriotike gjatë varrimit dhe duke justifikuar se projekti i rregullimit të sheshit qëndror ishte ende i pa përfunduar, nguli këmbë që trupi të varrosej në Kalanë e Kaninës, të paktën përkohësisht, aty ku qenë varrosur paraardhësit e Ismail Qemalit”.
Adhurimi dhe respekti që Ali Asllani kishte për Heroin e Pavarësisë dalin qartë, jo vetëm në vargjet që ai krijoi për të, por edhe në ato pak kujtime që mundi të botojë në raste përvjetorësh të Pavarësisë. Në vargjet e poezisë “Ismail Qemali”, poeti i madh, me forcën e penës së tij përshkruan gjithë historinë e Plakut të Vlorës, apo “Plakut të pavdekshëm”, siç e quante ai; jetën e tij; vështirësitë që ai ndeshi për Shpalljen e Pavarësisë; rolin që ai lujajti në të; patriotizmin; sakrificat; dashurinë që kishte populli për të; e deri tek dëmi që i solli kombit vdekja e papritur e tij, duke e mbyllur me vargjet që sintetizojnë krejtësisht jetën dhe veprën e Ismail Qemalit:
Emr’i tija i vërtetë / është Nëntor njëzet e tetë…
Gjatë viteve 1919-1920, Ali Asllani, në bashkëpunim me një inxhinjer italian ndërtoi merkaton e qytetit në rrugën Vlorë –Skelë dhe rikonstruktoi dy trotuarët e kësaj rruge. Ai u interesua edhe për rikonstruksionin e kalasë së Kaninës, por ngjarjet rrodhën ndryshe, ai u largua nga Vlora dhe dëshira e tij mbeti vetëm dëshirë.
Më 1920, si kryetar i katundarisë, mbështeti Luftën heroike të Vlorë duke shkruar dhe himin e fuqishëm të kësaj lufte dhe disa poezi të tjera të njohura dhe të vlerësuara. Për veprimtarinë e tij atdhetare ai u burgos prej pushtuesve italianë dhe më pas u internua në ishullin e Sazanit me shumë patriotë të tjerë.
Në festimet madhështore që u organizuan pas fitores së Luftës së Vlorës, më 3 shtator 1920, ai mbajti para popullit një fjalim të nxehtë atdhetar, si dhe i bëri në emër të popullit një telegram urimi qeverisë së Sulejman Delvinës, që edhe iu përgjigj atij.
Gjendet gjithashtu një korespodencë ndërmjet “Komitetit Mbrojtja Kombëtare” dhe kryekatundarit të Vlorës Ali Asllani, ku del qartë angazhimi total i tij në luftën për çlirimin e Vlorës, nga pushtuesi italian.
Me rastin e festimit të 28 nëntorit 1920, Ali Asllani, ftoi në qytetin e Vlorës kryeministrin Sulejman Delvina të cilin edhe e shpalli “Qytetar Nderi të Vlorës”. Ishte i pari shqiptar që u shpall qytetar nderi i Vlorës.
Më 17 dhjetor 1920, nga Tirana, Ali Asllani dhe Qazim Kokoshi lajmërojnë me gëzim Shoqërinë “Mbrojtja Kombëtare” në Vlorë: “Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Urime nga zemra…”
* * *
Në prill të vitit 1934, ai u zgjodh për herë të dytë kryetar i Bashkisë së Vlorës, jo vetëm si një personalitet vlonjat, por edhe me veprimtari të gjerë në shërbim të atdheut e të kombit, detyrë që e ushtroi deri në korrik të vitit 1939.
Gjatë ushtrimit të detyrës, Ali Asllani bëri shumë shërbime të shquara për t`i dhënë Vlorës pamjen e një qyteti europian dhe me qëllim që qytetarëve t`u shërbente sa më mirë.
Kështu p.sh. në vitin 1937, bashkia, nxorri disa urdhëra sipas të cilëve: tregëtarët duhet të kalonin në vizitë mjeksore, për periudhën 1 maj deri më 15 shtator, dyqanet dhe aktiviteti tregëtar duhet të bënte pushim prej orës 12 deri në 15, kjo për arsye shëndetësore, si të tregtarëve edhe të popullit që të mos dilnin në kohën e nxehtë, etj.
Për herë të parë kur bashkia drejtohej nga Ali Asllani janë çelur shkolla foshnjore dhe kopshte.
Po kështu, bashkia shpërndau 2000 kv. misër dhe barna falas për të vobektit. U bë zgjerimi i rrugëve, u dha urdhër për lyerjen e dyqaneve, u ngritën banjo publike për gra dhe burra, u bë rregullimi i tregut, u ndanë veç shitja e druve, fruta zarzavateve etj, u ndërtuan bar – restaurante, u nxit shfrytëzimi banjove të detit etj.
Në një prononcim të bashkisë thuhet se: “Kjo bashki çështjen e ujit e ka në krye të programit të veprimeve të sajë dhe i ka kushtuar gjithë kujdesin e sajë që meriton… për herë të parë është bërë studimi me inxhinjer kompetent…”
Në vitin 1937, Ali Asllani u kujdes dhe bëri një punë të mirë, që gëzimi 25 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, të hynte në çdo vatër vlonjate në qytet dhe në fshat. Në Vlorë, ishte formuar komisioni i festimit të 25 vjetorit me këtë përbërje: Kryetar kapiten Kamber Qafmolla, komandant xhandarmërie dhe zëvëndës prefekt, Ali Asllani, kryetar i bashkisë, Aristidh Ruçi, Pandeli Bezhani, Hamza Isai, Asim Kokoshi, Skënder Muço, Sif Kedhi, Seit Qemali.
Po kështu nga çdo komunë u caktuan për të vajtur në Tiranë një grup valltarësh djem e vajza.
Gjatë vitit 1937, me interesimin e Ali Asllanit dhe nxitjen e tij, ka funksionuar edhe Shoqëria “Gruaja shqiptare”, e komunave, me këtë përbërje: Dukat: Nasybe Thanasi, Nartë: Zenepe Lepenica, Mesaplik: Arelbaj Deraj, Gërnec: Angjelina Shllaku, Drashovic: Rukie Qazimi, Sevaster: Zonja e Remzi Ramos
Si kryetar i Bashkisë, Ali Asllani bëri përpjekje për ngritjen e bibliotekës publike të qytetit. Dhe natyrisht një mëndje e ndritur si e tija, nuk mund të qëndronte indiferent kur mendnte se Vlora nuk kishte bibliotekë, për të ndriçuar mendjet e qytetarëve të sajë. Në një prononcim të tij në shtyp ai iu përgjigjet një grupi qytetarësh vlonjatë: “Në të ndershmen gazetë “Jeta e Re”, më datën 8.7.1937, bëhet fjalë për një bibliotekë në Vlorë.
Krijimi i bibliotekës në Vlorë, është brënda programit e veprimeve të kësaj bashkie, dhe nga ana e kësaj kryesie është propozuar që në vitin e kaluar, por për ngushticë financiare nuk u realizua; dhe tue qënë brenda programit sajë, me të parë mundësinë financiare do të propozohet rishataz në buxhetin e ri. Me nderime Kryetari i Bashkisë Ali Asllani”.
Pra si datë fillimi i bibliotekës publike të Vlorës mund të merret vitit 1938, me gjithë se edhe këtë viti, shtypi shkruan: “Në Vlorë nuk ka bibliotekë. Syrja bej Vlora ka nje bibliotekë dhe a nuk do të ishte mirë që t`ia falte Vlorës. Si një xhest patriotik?”. Pra në Vlorë biblioteka publike ka filluar të funksionojë vetëm në vitin 1939.
Përveç aktivitetit të tij politiko-atdhetar, si dhe krijimtarisë letrare, Ali Asllani do mbetet i njohur për qytetin e Vlorës edhe për ndërtimin e dy monumenteve:
“Shtylla e Flamurit Kombëtar”, në Sheshin e Flamurit, dhe “Kulla e Sahatit”, që u financua nga tregëtarët e këtij qyteti.
Skicë-idetë e këtyre monumenteve u përgatitën prej tij dhe inagurimet u bënë në vitin 1937, gjatë periudhës që ai vetë ishte Kryetar i Bashkisë së qytetit.
Për ndërtimin e Kullës së Sahatit, me vendim të Këshillit të Bashkisë datë 5.8.1937, u lidh kontratë me skluptorin e njohur Odise Paskali, për katër faqet zbukuruese të Kullës, ku do të realizoheshin: 1. Fytyra e Skënderbeut, 2. Fytyra e Mbretit, 3. Fytyra e Ismail Qemalit, 4. Shqiponja dy krenare. Fusha e Sahatit duhej bërë me numura romak. Sahati përveç anës funksionale ka edhe vlera artistike dhe për këto arsye është shpallur në vitin 2006 nga ish ministri i kulturës Dr. Bujar Leskaj monument kulture.
“Më 1 shtator 1938, u inagurua në Vlorë, tamam në vendin ku heroi i indipedencës shqiptare pat ngrehur Flamurin e Lirisë, Shtylla e Flamurit Kombëtar… Populli kishte ardhur nga të gjitha fshatrat… Turmat e mëdha… ishin të ekzaltuara nga një gëzim i jashtëmasëshëm. Në fytyrën e sejcilit shquhej një gas, që është i rrallë. Mori pjesë një përfaqësues i N.M. së Tij Mbretit, Xhafer Ypi dhe dërgata të qeverisë e parlamentit…
Është një inspirim poetik dhe një realizim i mbushur me mundime e sakrifica. E para i dedikohet kryetarit të sotëm të bashkisë z. Ali Asllani dhe e dyta sakrificave të Institutit të Bashkisë së vendit tonë”.
Ali Asllani mbajti lidhje të rregullta më Mbretërinë me qëllim që ai të përfitonte sa më shumë për qytetarët e tij, kështu me rastin e martesës së N.M. së Tij Mbretit Ahmet Zogu me N.M.e Saj Konteshën Apony, me fondet e bashkisë së Vlorës u martuan 10 vasha të varfëra.
Në atë kohë qytetet tona ishin të prapambetura, por Ali Asllani u kujdes për çdo gjë që Vlora tu ngjante qyteteve të Europës që kishte shëtitur, kështu në maj të vitit 1939, kemi një urdhëresë të bashkisë sipas së cilës “Llozhurat (plehrat) nuk do të hidhen në rrugë por në një teneqe…”
Gjatë viteve 1937 – 1938, Ali Asllani veç të tjerave u kujdes edhe për veprimtarinë e shoqatës kulturore sportive “Ismail Qemali”, organizimin e Bandës Muzikore të Bashkis, etj.
Për kontributin e tij të madh në ngritjen e pasurimin e Muzeut të Arkeologjik të Vlorës, qeveria e Francës, më 8 dhjetor të vitit 1937, i akordoi atij titullin “Oficeri i Akademisë Franceze”
Zgjedhja e Këshillit të Bashkisë, në shtator të vitit 1938.
Zgjedhjet e reja për Asamblenë e Bashkisë, qenë mbaruar dy javë më parë, dhe patën fituar këta zotrinj: Spiro Suli, Epaminonda Bezhani, Qazim Hamdiu, Menduh Sharra, Ali Çakërri, Hamza Isai, Tom Stamolla, Esheref Dano. Eqerem Sorra, Sabri Mezini.
Pardje këta zotrinj që do të formojnë Asamblenë e re, u mblodhën në sallën e bashkisë dhe votuan për kryetarin e Asamblesë dhe për anëtarët e këshillit. Për kryetar me shumicë votash fitoi z. Spiro Suli dhe për këshilltar: Spiro Suli, Qazim Hamdiu, Epaminonda Bezhani, Menduh Sharra.
* * *
Folëm shkurt vetëm për shërbimet e shquara që Ali Asllani i solli Vlorës dhe vendit të tij si kryetar i Bashkisë, në atë periudhë aq të vështirë të vendit tonë.
*) Nxjerrë nga libri autorit “Historia e Bashkisë së Vlorës 1912 – 1920”, që është në shtyp.
Botuar në gazetën “ 55 “, Tiranë, dt. 2.8.2014, f. 16-17