27 qershor 1913, dita kur Esad Pashë Toptani shpalli veten “Mbret të Shqipërisë”/
Nga Rafael Floqi/Ne Foto:Dorezimi i Shkodres/
“Nëse ngjarjet e raportuara janë të sakta dhe fakti, që Esad Pasha është larguar nga Shkodra me gjithë trupat, armët dhe pajisjet kjo mund të konfirmojë vetëm se ka pasur pazarllëqe të mbyllura në mes tij dhe mbretit të Malit të Zi. Atëherë ka vetëm dy fjalë, për ta përshkruar këtë akt: “Kjo është një tradhti ose një çmenduri!”
Një tradhti, sepse ajo i pret kreun Shqipërinë, duke braktisur Shkodrën, dhe për faktin, se ajo e bën virtualisht vendin tonë një aneks të Malit të Zi dhe të Serbisë.
Një çmenduri, sepse na vë ne, në gjendje më të vështirë për të vazhduar negociatat për caktimin e kufijve tanë, të nisura qysh në momentin e “Shpalljes të pavarësisë sonë”.
Ne Foto:Shkodra e shkaterruar/
Lufta për mbrojtjen e Shkodrës, 1912-1913, është lufta më e vështirë e popullit shqiptar për sigurinë e tërësisë tokësore. Ajo ka qenë tërësisht një luftë moderne dhe e mirorganizuar, që për nga kohëzgjatja nën një rrethim gjashtëmujor serbo-malazez, që përbën rastin më unikal të qëndresës heroike të shqiptarëve në Luftën e Parë Ballkanike e më gjerë, por roli që luajti Esad Pasha Toptani në këtë qëndresë dhe luftë është ende i diskutueshëm dhe flet shumë për personalitetin e dyzuar të tij. Ai ishte ai një patriot i pa kuptuar nga bashkëkohësit siç e cilëson gazetari i gazetës italiane Corriere Della Sera, Gino Berri “Armiku, kundër të cilit Esadi nuk mundi të fitojë, ishte dyshimi, dyshimi i përhershëm, nga i cili ai nuk shpëtoi dot. Kundërshtarët nuk i besuan kurrë patriotizmit të tij, por vetëm ambicies së tij”, apo ishte ashtu siç e njeh historia e Shqipërisë, vazhdon ta cilësojë tradhtar, madje si tradhtari më i madh në gjithë historinë e popullit shqiptar, apo siç e quante Mit’hat Frashëri, “foleja drejt së cilës rrodhën gjithë ç ‘mund të kishte të keqe në Shqipëri”, aq i urryer sa 6 muaj pas vrasjes mbeti në morg dhe u varros nga serbët në Paris, dhe kujtohet edhe sot me nderim nga ata, Ministri serb për Kosovën Vulin ka kujtuar se tërheqja e ushtrisë serbe (nga Fronti i Selanikut, nëpër Shqipëri ) nuk do të ishte e mundur pa përkrahjen e Esad Pashës, dhe këtë ai e ka paguar me kokë. “Ai e ka pa paguar me kokë dashurinë e tij ndaj popullit serb dhe ndaj Serbisë, nga ata që e kanë urryer Serbinë më shumë se sa e kanë dashur vendin dhe popullin e vet”.
Rrethimi i Shkodrës
Rrethimi i Shkodrës ka filluar më 20 tetor 1912 dhe ka përfunduar më 23 prill 1913. Ne pajtohemi me mendimin se për këtë ngjarje historike është shkruar shumë pak në tekstet bazë të Historisë së Shqipërisë, në dy botime akademike, si në atë të vitit 1965, edhe në atë të vitit 2002.Në këtë vështrim, qartazi mund të themi se historiografia shqiptare i ka një “borxh” kësaj ngjarjeje historike.
Si një kontribut për këtë çështje po ndalem në pasqyrimin e kësaj ngjarje pikërisht gjashtë ditë pas ngjarjes nga gazeta e pariziane Le Temps. ( Sot është më i lehtë hulumtimi në sajë të digjitalizimit, në fondet e Bibliotekës Kombëtare të Francës). Në këtë gazetë edhe pse është numri i vetëm i një dite, i 29 Prillit 1913, jepen aq shumë analiza, lajme dhe shkrime, sa të krijohet përshtypja se një moment i rrezikshëm i historisë sonë kombëtare ndodhet e shkruar mes atyre faqeve. Në ato faqe gazete kemi analizat e politikës të fuqive të mëdha, reagimet e malazezëve, rolin e politikës te Austro-Hungarisë, qëndrimin francez në ruajtje të interesave të sllavëve, dhe koklavitjen që shkaktoi në politikën e Fuqive të mëdha dorëzimi i Shkodrës.
Ismail Qemali në kohën e rënies së Shkodrës dhe largimit të ushtrisë së Esad Pashës, ndodhej në Paris për të shkuar në Londër në Konferencën e Ambasadorëve, por kur mori vesh për rënien e Shkodrës dhe largimin e Esad Pashës ai reagoi drejtpërdrejt.
Gazeta “Le Temps” e Parisit , duket shumë e angazhuar në problemet ndërkombëtarë të Ballkanit dhe i bëri atij një intervistë nga gazetari me iniciale L.G, në të cilën shkruhet. “Lajmi që “Le Temps” dha dje para arritjes së marrëveshjes ndërmjet mbretit Nikolla dhe Esad Pashës, lajmi që shtypi francez i mëngjesit, ka marrë ose me heshtje ose me mosbesim, është zyrtarisht i konfirmuar sot. Esad Pasha, në krye të një ushtrie prej 25,000 vetash, e shpalli veten Princ të Shqipërisë, në marrëveshje me Malin e Zi. Kjo marrëveshje e zgjuar dhe plotësisht e saktë, theksonte gazeta Le Temps me 29 Prill, do të shërbejë si një gur i rëndësishëm kundër diplomacinë Austro-Hungareze”, 1 “Le temps “29 Prill 1913 f 1
Katër muaj zgjati beteja e ashpër midis trupave malazezo-serbe në njërën anë dhe atyre shqiptaro-turke nga ana tjetër, për të përcaktuar se kujt do t’i mbetej Shkodra. Një betejë me shumë të vrarë, me lagjet myslimane krejtësisht të shkatërruara, por që përcaktoi se kujt do t’i mbetej qyteti.
Ndërsa përfaqësuesit e vendeve evropiane ne atë 15 dhjetor të vitit 1912 po Zinin vend në tryezën e bisedimeve të Konferencës së Paqes në Londër, që do të vendoste edhe kufijtë e Shqipërisë, në cepin verior të saj luftohej. Lufta në Shkodër kishte filluar qysh në tetor, me fillimin e Luftës Ballkanike. Në kohën që Konferenca e Londrës po çelej, Shqipëria kishte vetëm dy javë që kishte shpallur Pavarësinë, dhe një nga vendimet e para të qeverisë së Ismail Qemalit ishte mbrojtja e territorit. Lufta do të përqendrohej mbi të gjitha në mbrojtjen e dy skajeve: Shkodrës dhe Janinës.
Sigurisht, që është normale, madje e domosdoshme, që historia të trajtohet në vazhdimësi. Kjo lidhet më së shumti me kërkimet nëpër arkiva vendase e të huaja dhe, për një vend të mbyllur ku ka vepruar historiografia shqiptare, është e natyrshme të zbulohen në vazhdimësi dokumente të reja, në mungesë të dokumenteve arkivale shtypi perëndimor i Fuqive të mëdha, që mund të shërbejë si një bazë alternative informacioni, por duhet pasur gjithnjë kujdes edhe aposteriori, mbi interesat e secilës prej fuqive të mëdha, përkatësisht për ngjarjen me këtë sy, siç edhe e kemi parë edhe këtë paraqitje të këtij rasti nga gazetat perëndimore në fjalë. Këto informacione, duhet të shoshiten për të ndarë paraqitjen e fakteve nga informacioni kryesor, ndaj i kemi ballafaquar këto materiale me mediat e vendeve të tjera, apo me dokumente arkivore nga studimet shqiptare dhe të huaja.
Çdo njeri e ka për nder e detyrë të shkruajë të vërtetën, për njërën nga ngjarjet më të mëdha të saj Mbrojtjen e Shkodrës në rrethimin e vitit 1912-1913 dhe në mënyrë të veçantë për kryembrojtësin e saj Gjeneral Esad Pashë Toptanit dhe akuzat që i bëhen atij për dorëzimin e qytetit.
Kohët e fundi janë butuar shkrime që përpiqen ta revizionojnë figurën dhe rolin e Esad Pashës. Novruz Zejnati, Kolonel R. shkruan se “ Njeriu që me luftën e tij i ka bërë shërbimin më të madh Shqipërisë, vazhdon të cilësohet tradhtar, madje si tradhtari më i madh në gjithë historinë e popullit shqiptar. Pikërisht ai që gati për shtatë muaj rresht drejtoi qëndresën më heroike që është zhvilluar në historinë e popullit shqiptar, në truallin shqiptar dhe për llogari të Shqipërisë e të shqiptarëve duke mbrojtur Shkodrën nga sulmet e forcave luftarake malazeze e serbe në periudhën më kritike e më fatkeqe në historinë shqiptare, në kohën e Luftërave Ballkanike 1912-1913. 2. “Ky është Esad Pashë Toptani”, Novruz Zejnati, Kolonel R. Doktor i shkencave Novruz Zejnati, /portali DurresLajm/
Por fakti që ai mbrojti Shkodrën, ashtu siç duhet sqaruar, përse e mbrojti dhe përse e dorëzoi? A e mbrojti ai Shkodrën nga Mali i Zi , në emër të Shqipërisë apo të Turqisë?
Që në fillim duhet të pranojmë se luftës për mbrojtjen e Shkodrës duhet t’i dedikojmë faktin dhe fatin, meritën historike dhe nderin që Shkodra më 1913-ën, kur u vendosën kufijtë e shtetit shqiptar, mbeti pjesë përbërëse e këtij shteti. Në fakt konferenca e Ambasadorëve kishte caktuar drejt që Shkodra të mbetej nën Shqipëri, por a mjaftonte kjo për ta lëshuar Shkodrën apo dorëzimi i Shkodrës bënte pikërisht të kundërtën, siç duket dhe në komentet e gazetës franceze “Le Temps”.
Siç duket Konferencën e Paqes kishte vendosur ta shfrytëzonte edhe Mali i Zi. Pikërisht për këtë kishte vendosur që t’i intensifikonte sulmet kundër Shkodrës. Mbreti Nikolla kishte vendosur t’i vendoste Fuqitë e Mëdha përpara një fakti të kryer:- Shkodra e pushtuar duhej t’i ngelej Malit të Zi.
Mbreti Nikolla, me humbjet e rënda të pësuara, përfundimisht nuk kishte më shpresa që ta pushtonte Shkodrën vetëm me ushtrinë e vet. Në këto kushte ai iu lut përsëri mbretit të Serbisë që ta ndihmonte ushtarakisht. Serbia vendosi të dërgonte ne Shkodër, rreth 15 mije forca të tjera, që do të emërtoheshin “Korpusi bregdetar i Shqipërisë”, i cili, veç artilerisë së rëndë do të kishte edhe katër avionë luftarake, nga shtatë që kishte gjithsej ushtria serbe.
Ndërkohë, me 23 mars 1913, Konferenca e Londrës kishte vendosur që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë. Fuqitë e mëdha evropiane i kërkuan Malit të Zi dhe Serbisë që të tërhiqnin forcat e tyre nga rrethimi i Shkodrës. Por malazezët dhe serbët nuk donin të hiqnin dore nga plani për të pushtuar Shkodrën. Në marrëveshje me qeverinë greke nga Selaniku, nëpërmjet tri konvojeve, u transportuan ne Shëngjin deri nga fundi i marsit, rreth 15 mijë ushtarë serbë, të pajisur, përveç artilerisë, edhe me aeroplanë luftarakë. Njëkohësisht, ushtria malazeze u vu nën komandën e gjeneralëve serbë. Por humbjet e renda që kishin pësuar më parë në luftimet kundër Garnizonit të Shkodrës i bënin gjeneralët serbë, që të hezitonin e të zvarritnin sulmin kundër Shkodrës, derisa erdhi urdhri që ushtria serbe të tërhiqej nga rrethimi i qytetit. Të mbetur vetëm, forcat malazeze me 31 mars 1913, bënë edhe një sulm të dëshpëruar kundër Taraboshit, por pa sukses.
Gjendja ne Shkodër ndërkaq nuk ishte e thjeshtë, që në dhjetor njerëzit kishin filluar të vdisnin nga uria. Në kushtet e mungesës së ushqimeve dhe faktit se fati i Shkodrës ishte përcaktuar nga Fuqitë e Mëdha, Komanda e Garnizonit të Shkodrës vendosi të dilte nga qyteti. Me 23 prill 1913, u arrit një marrëveshje me palën malazeze me 24 pika, sipas së cilës Garnizoni i Shkodrës do të dilte nga qyteti me të gjithë armatimin, pajisjet, dokumentacionin, etj.
Esad Pasha dorëzon Shkodrën
Me 24 prill 1913, ne mëngjes, efektivi i Garnizonit “të pathyeshëm” të Shkodrës, i rreshtuar në kolonë marshimi, me flamujt luftarakë, së bashku me armatimin, mitralozat, topat dhe pajisjet e tjera, u nis për në drejtim të Lezhës. Pas një qëndrimi të shkurtër prej tri javësh të trupave malazeze, qyteti i Shkodrës i kaloi për një vit për administrim Komisionit Ushtarak Ndërkombëtar dhe pastaj u bashkua me pjesën tjetër të Shqipërisë.
Është fakt i pakundërshtueshëm se Esadi ka qenë komandant i trupave rezerviste shqiptare në mbrojtjen e Shkodrës, kur ushtritë serbo-malazeze e kishin rrethuar Shkodrën nga fundi i nëntorit 1912, duke iu shërbyer me devotshmëri interesave të shtetit turk. Faktet për këtë periudhë flasin se gjatë dhjetorit 1912 dhe janarit të vitit 1913 janë zhvilluar luftime të përgjakshme në malin e Taraboshit, në kodrat e Beltojës, të Bërdicës e të Bardhanjorëve, si edhe në fushën e Shtojit. Së bashku me gjeneralin Hasan Riza Pasha të divizionit turk, Esad Toptani ka drejtuar vendosmërisht qëndresën edhe pasi Turqia iu kërkoi armëpushimin shteteve ballkanikë, më 3 dhjetor 1912. Pas vendimit të Fuqive të Mëdha, të datës 22 mars 1913, për kufijtë e Shqipërisë së Veriut e të Lindjes, të cilat kërkuan nga Serbia dhe Mali i Zi që të pushonin luftën dhe të largonin forcat që mbanin Shkodrën të rrethuar.
Studiuesi Hamdi Bushati, i gjallë në kohën e vrasjes së Hasan Riza Pashës, duke shkruar të zezën mbi të bardhë në librin “Shkodra dhe motet” ka theksuar se:“Opinioni publik shkodran pat përshtypjen dhe bindjen se, Esad Toptani e kishte kurdisë planin e vrasjes së Hasan Riza Pashës me dorën e kriminelëve: Osman Bali nga rrethet e Tiranës, të Mahmutit nga Kavaja dhe të një të quejtunit Teofik nga Shqipnia e Mesme”. Në marrjen e vendimit për vrasjen e Hasan Riza Pashës ka pasur edhe nxitjen e shtatmadhorisë xhonturke, gjë të cilën Esadi e realizoi më tepër nga etja për pushtet. Fjalët e fundit të pashait luftëtarë: “Këto dy dekorata (plumba) do doja t’i merrja në luftë e jo kështu, dhe, mbasi vritem këtu, djemtë e këtij vendi duhet të ma marrin gjakun”, dëshmuan se ai u vra me pëlqimin dhe kontributin e Esad Toptanit, duke dalë nga shtëpia e tij, pabesisht. Këtë vrasje Esadi u përpoq t’ia vishte Ndoc Dedës prej Shoshit, sikur ky ka qenë i shtyrë prej Malit të Zi. Miku i tij Alush Lohja, një nga njerëzit më të shquar e më guximtarë të Shkodrës në ato vite, mori në mbrojtje Esad Toptanin. Më 16 prill 1913 Serbia, e trembur nga Austro-Hungaria, se do të hynte në sanxhakun e Novi-Pazarit, dhe e këshilluar nga Rusia, largoi rrethimin e Shkodrës. Në këtë kohë krajl Nikolla i Malit të Zi, ndonëse i kërcënuar nga Fuqitë e Mëdha, shfrytëzoi tradhtinë e Esad Toptanit”, 3 Përparim Rexhepi” Si mbeti Shkodra në kufijtë e Shqipërisë” nga K,lan, 10.07.2003 http://shkoder.net/shkodra-shqiptare/
Kjo ishte situata të cilën përshkruan gazeta “Le Temps” në kolonën “Lajme nga Jashtë” të datës 29 Prill ,nga Pierre De Touche, që jep një analizë domethënëse për të kuptuar se si shihej kjo situatë me syrin e Fuqive të Mëdha, veçanërisht, nga Franca në këtë rast, dhe aspak me të drejtën e popullit shqiptar mbi trojet e tij. Për politikën evropiane, akti i e Esad Pashës, pavarësisht kushteve dhe situatës kur u krye, lehtësonte zgjidhjet e divergjencave mes fuqive të mëdha për Ballkanin.
Qendrimi i Francës për fatin e Shqipërisë
“Cila ka qenë teza e kontit Berchtold që nga muaji tetor?, pyeste artikullshkruesi. A duhet të zbatohet për çështjen shqiptare parimi i kombësisë , ashtu si dhe për garat e tjera.( Vini re fjalën garë. RF) Kjo kërkesë e formuluar nga Ministri i Jashtëm i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, në të gjitha fjalimet e tij, që u përsërit në të gjitha komunikimet e tij, u mbështet nga aleatët e tij, si dhe u pranua edhe nga Evropa. Ambasadori Zislin me pamjen e tij të bukurqeshur si prej karikature që shpesh riprodhohen nga shtypi, tregon sesi Gjermania mbështet kërkesat për autonominë e Shqipërisë, ndërsa ia mohon ato Polonisë dhe Alsasë -Lorenës. Por pse ndodh kjo?
Me Shqipërinë, sipas tij, Fuqitë e Mëdha kanë dekretuar lindjen e një foshnje, por që ende nuk ka ardhur në botë, dhe për këtë si fakt i mjaftueshëm është vetëm shtatzënia dhe ka i kanë përcaktuar asaj edhe një shef. Ky lider është shqiptar, gjë që korrespondon edhe me përkufizimin e shtjelluar nga vetë konti Berchtold, në delegacionet e 18 nëntorit të kaluar( në Konferencën e Ambasadorëve R.F), kur tha: “Dëshiroj të theksoj se shqiptarët janë ndeshur me shekuj me kushte të pafavorshme, për ruajtjen e traditave të tyre kombëtare dhe veçorive të tyre etnike. Në parim, atëherë nuk mund të shihet e arsyeshme, që qeveria perandorake dhe mbretërore, e cila ka qenë kaq e gatshme të pranonte ofertat e Ismail Kemal Beut, kur ai ishte përpjekur të formonte një qeveri të përkohshme, pse duhet të ngrejë kundërshtime ndaj shpalljes së Shqipërisë, të pavarur nga shqiptari tjetër, Esad Pasha?”,4 “Le Temps,” Idem.
“Është e qartë se qeveria e Esad Pashës do të jetë ndryshe, nga ajo ç’ ka janë qeveritë normale evropiane. Por çdo qeveri shqiptare gjithmonë do të jetë qeveri, sui generis. Në funksion të paqes në Ballkan, që të gjithë do duhet të konsolidojnë një gjë, për të cilën Austro-Hungaria e ka treguar përkushtimin e saj, duke u përmbajtur, pavarësisht mobilizimit të gjitha nismave ushtarake dhe kombinimeve për pasur një avantazh.
Esad Pasha është për t’u mirëpritur nga fqinjët e Shqipërisë edhe për ta përjashtuar për momentin të paktën rreziqet e luftës nga Ballkani. Esadi më në fund, ka meritën e të pasurit me vete të një force të vërtetë ushtarake, lajm që u shpërnda edhe nga disa agjenci austro-hungareze”.
Pyes veten, shkruan artikullshkruesi, nëse vendosja vetos ndaj kësaj zgjidhjeje, për shkak, siç e dimë, Austro Hungaria e ka marrë përsipër me kaq zell elokuent interesat e shtetësisë shqiptare, apo se Monarkia Dyshe, mendon se Shqipëria autonome, do të duhet të konstituohet si një shtet kërcënues, kundër Shteteve të tjera të Ballkanit.
Kjo të bën të mendosh se për Austrinë Hungarinë, Shqipëria autonome ishte vetëm një mjet, dhe një mjet i drejtuar kundër Malit të Zi, kundër Serbisë dhe kundër Greqisë. Megjithatë ndershmëria e lartë e perandorit Franz Jozef na le të mendojmë se duhet ta përjashtojmë këtë hipotezë. Por do të ishte për të ardhur keq nëse, për një hap të pakujdesshëm, diplomacia austro-hungareze do ta realizonte këtë.
Çështja e Shkodrës, e cila po diskutohet sot, siç shkruhet në gazetë në Konferencën e Londrës, do të humbasë, për shkak të marrëveshjes shqiptaro-malazeze, në pjesën më të madhe për shkak të rëndësisë praktike të saj. Supozoni se, me ndihmën e trupave të huaja, Shkodra do të merrej përsëri, por çfarë do të ndodhte?
Ne do detyrohemi t’ia kthejmë Shkodrën Shqipërisë, dhe nëse fuqitë e mëdha do të tregonin më shumë respekt për fjalën e tyre, do të duhej që të mos vazhdonin me këtë dorëzim. Por Shqipëria deri në ndonjë zgjidhje mëtejshme të ndryshme, do të ishte e Esad Pashës, e të njëjtit Esad Pashë, që i dorëzoi Shkodrën Malit të Zi dhe që u pajtua sot ashtu si edhe dje, po me Malin e Zi. Kjo është me të vërtetë, një përpjekje e madhe për një rezultat të dobët dhe, nga e gjithë kjo duhet të mos lemë malin të pjellë një mi, për ndryshe do të duhet të vendosim kaq shumë topa në malin e Shkodrës?
Kjo është një vërejtje me këmbë në tokë, por që ka edhe çmimin e saj. Konferenca e Londrës duhet ta ndalojë atë. Megjithatë, qysh nga fillimi i krizës, me gjithë iniciativat e shteteve të Ballkanit, të cilat ata nuk dëshironin të besonin, se janë çliruar nga kërcënimi i fuqive të mëdha. Kur këto të fundit kishin hartuar një plan reformash të parealizueshme, deklarata e luftës u dha shteteve ballkanike mundësinë për t’i braktisur ato. Fillimi i armiqësive i bëri ballkanasit të ndiejnë peshën e parimit, të status quos-ë, ndërsa pas fitoreve vendimtare të Kirkilisë, Lule-Burgasit, Manastirit, Selanikut (Fuqitë Ballkanike) mundën të çliroheshin prej frikës nga fuqitë e mëdha. Kështu kur negociatat pas armëpushimit kulmuan në bllokimin e janarit, atëherë aleatët edhe një herë përfituan nga përpjekjet e tyre të mëdha, dhe nga ky bllokim, duke pushtuar edhe Adrianopojën, Janinën dhe Shkodrën. Ndaj fuqitë e mëdha duhet të japin dorëheqje ndaj zgjidhjes së çështjeve që s’janë në gjendje t’i zgjidhin” Nuk është detyrë e tyre, të futen në lojë as diplomatikisht, as ushtarakisht në një lojë, që nuk mund ta kontrollojnë as sot dhe as nesër, shkruante 5 “Le Temps”, Paris , Prill 29 , 1913., f 1
Lëvizjet e diplomacisë evropiane për fatin e Shkodrës
“Po në këtë gazetë, në një njoftim nga Viena bëhej me dije se z. De Giers ambasador i Rusisë , i kishte dorëzuar më 28 Prill Austro – Hungarisë një notë të re verbale, sipas termave të kësaj note, Rusia bënte me dije se ishte e gatshme t’u bashkohej fuqive evropiane, për të mundësuar që Mali i Zi të braktiste Shkodrën, por me kusht nëse kjo do të pranohej nga Mbreti i Malit të Zi, dhe se ishte e qartë, se për këtë do të kishte kompensime”. 6 Le Temps , idem.
Siç shihet edhe nga axhanset Ismail Qemali kishte takuar ne Francë, ministrin e jashtëm Pichon , ambasadorin e Austro-Hungarisë Kontin Szecsen, ambasadorin e Rusisë Isvolski dhe ambasadorin gjerman, baronin Scheon. Gazeta i linte vend të gjerë një interviste të momentit me Ismail Qemalin, që sqaron saktë, qëndrimin e tij ndaj aktit të Esad Toptanit, ai është i qartë dhe i prerë se gjoja “Heroizmi i Esad Pashës i ishte nënshtruar “egoizmit të tij” .
“Ismail Qemal Beu, kreu i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare, ndodhet aktualisht në Paris, shkruante gazeta ne faqen e 6-të, kur i dha deklaratat e mëposhtme gazetës “ Le Temps të Paris-it” ne datën 29 Prill 1913, vetëm 5 ditë pas njoftimit të dorëzimit të Shkodrës .
“Nëse ngjarjet e raportuara janë të sakta dhe fakti që Esad Pasha është larguar nga Shkodra me gjithë trupat, armët dhe pajisjet, kjo mund të konfirmojë vetëm se ka pasur pazarllëqe të mbyllura mes të tij dhe mbretit të Malit të Zi. Atëherë ka vetëm dy fjalë, për ta përshkruar këtë akt: “Kjo është një tradhti dhe një çmenduri!”
Një tradhti, sepse ajo i pret kryet e Shqipërisë, duke e braktisur Shkodrën, dhe për faktin, se ajo e bën virtualisht vendin tonë një aneks të Malit të Zi dhe të Serbisë.”
Një çmenduri, sepse na vë ne të gjithëve në gjendjen më të vështirë për të vazhduar negociatat tona për caktimin e kufijve tanë, të nisura qysh në momentin e “Shpalljes të pavarësisë sonë”.
Kjo gjë jo vetëm që rrezikon seriozisht pavarësinë, por akti i tij shkon kundër interesave dhe konventave ndërkombëtare të Evropës, që është duke punuar për konceptin e kombësisë sonë. dhe emri i mirë i të cilës, nuk mund të dekurajohet vetëm nga një “grusht shteti teatri” që sapo ka plasur.”
“Jam i sigurt se populli shqiptar, kur të kuptojë pasojat e qëndrimit të Esad Pashës, nuk do ta ndjekë pas atë.
Esadi, sigurisht, i përket një prej familjeve më të mira shqiptare, por ai nuk ka ndikim të mjaftueshëm në popull për të fituar. Sa për Xhavid Pashën, me të cilin ai është larguar, ai nuk është as shqiptar. Trupat e Esad Pashës nuk do t’i mbeten besnikë atij, veç ndonjë pjese që është e lidhur personalisht me të, por pjesa tjetër do të shpërndahet.
Qeveria e përkohshme që unë drejtoj proteston kundër këtij akti. Përpjekja për pavarësinë tonë që kemi filluar, mbështetet nga kontingjente tona ushtarake rreth Beratit dhe Elbasanit. Ndërsa për sa i përket Evropës, ajo nuk mund të përkulet përpara faktit të kryer, që minon interesat dhe konventat ndërkombëtare, ndërkohë që veprimet e saj synojnë të pajtojnë dhe të balancojnë situatat. Pavarësia jonë kërkon ruajtjen e integritetit tonë, të kërkuar nga Austria, për të cilin ne u jemi mirënjohës për ndërhyrjen e saj në emër tonë, sidoqoftë pa pranuar, ndonjë lloj kujdestarie të saj.
Ne duam që të jemi mirë me të gjithë, si me fqinjët tanë sllavë, me të cilët ne keni nevojë për të formuar një bllok solid dhe kompakt në interes edhe të pavarësisë sonë.”
Kështu e përfundoi ai intervistën e tij, duke na thënë se ishte nisur, sot për në Londër, për t’ia vënë dukje këtë pikëpamje të qeverisë së Përkohshme Shqiptare Konferencës së Ambasadorëve. L.G. 7 Le Temps, idem.
Marrëveshja u nënshkrua më 22 prill, dhe të nesërmen, më 23 prill, ushtria malazeze u përgatit për të hyrë në Shkodër. “Më 22 prill 1913 Esad Toptani nënshkroi marrëveshjen e kapitullimit dhe në krye të trupave turke e shqiptare u largua nga qyteti”.
Është fakt i pamohueshëm se më 23 prill 1913, Shkodra, kështjella madhështore e qëndresës së Veriut, iu dorëzua malazezve. Pas kësaj Esadi erdhi në Tiranë me ushtrinë e përbërë nga shqiptarë dhe turq, duke u pritur dhe përcjellë me nderime në Lezhë prej ushtrisë serbe.
Bazuar në marrëveshjen e nënshkruar atë ditë, afër mesnate, princi Danillo, në krye të ushtrisë malazeze, me 24 prill hyri në Shkodër, duke marrë çelësat e qytetit nga dora e Esad Pashë Toptanit. Në saje të kësaj Esad Toptani, u lejua të largohej me nderime ushtarake në krye të divizionit të tij. Ndërkaq, në Shkodër, agjentët e knjaz Nikollës filluan terrorizimin e banorëve, ndonëse Shkodra i bëri një refuzim të ashpër kësaj loje (tradhtie) të Esad Toptanit. Veprimi i Esadit e koklaviti edhe më tepër çështjen shqiptare, aq sa Austro-Hungaria dhe Italia kërkuan menjëherë jo vetëm tërheqjen e Malit të Zi nga Shkodra, por edhe largimin nga Shqipëria të trupave turke të komanduara prej Esad Toptanit.
Ne e zgjodhëm këtë gazete për të sqaruar vështirësitë e politikës së jashtme të qeverisë së Ismail Qemalit nga dorëzimi i Shkodrës prej Esad Toptanit, si për të ndriçuar sado pak, rolin e këtyre figurave dhe perceptimin e Fuqive Evropiane për Pavarësinë e Shqipërisë. Ja si e analizon gazetari Gabriel Louis Jaray në shkrimin e tij “Lufta e Orientit” këtë ngjarje nga pikëpamjet e fuqive të mëdha.
Veprimi diplomatik
“Takimi i ambasadorëve në Londër nuk do të jetë më një hipotezë, por një fakt i kryer. Esad Pasha, siç e parashikuam dje, shpalli veten Mbret të Shqipërisë. Përgjegjia e diskutimeve të Fuqive, erdhi edhe një herë nga Ballkani, ku u realizua germë për germë teza, që Evropa shpesh e citon, por që zbatohet shumë pak, “Ballkani për ballkanasit”.
Esadi, në krye të një ushtrie të fortë, u shpall në Lezhë, sundimtar i Shqipërisë, dhe la të kuptojë se në atë vend vetëm forca vlen, dhe sidomos forca e familjes së tij, që e ushtron për një kohë të gjatë me një ndikim mbizotërues. Një ditë, pasi sundimtari i ri i Shqipërisë, i dha Shkodrën Malit të Zi, dhe kur ambasadorët në Londër pretendojnë ta detyrojnë mbretin Nikolla t’ua lerë në dorë fuqive të përfaqësuar nga komandantët e trembëdhjetë anijeve. që ndodheshin para portit të Tivarit, Fuqitë po grinden për kompetenca se si ta ushtrojnë këtë kufizim mbi një territor që nuk është as i tyre, me synimin për ta përfshirë atë, në një shtet të ri, kufijtë e së cilit ata thjesht po i shënojnë në hartë. Ndërsa ky shtet u rrëshqet nga duart para se ata të bien dakord, për regjimin e tij politik, duke u shndërruar në diçka të kotë. Është e pakonceptueshme që Austria dëshironte qysh në fillim të thellonte dallimet ndërmjet Antantës Trepalëshe dhe Aleancës së Trefishtë, gjë që mund ta çojë të gjithë Evropën, në një aventurë të frikshme, për shkak se, më se një herë ” ajo kishte i ndërtuar planet duke u mbështetur me ndihmën e një mobilizimi shkatërrimtar, që tashmë ishte rrëzuar nga rrethanat. Funksioni i vërtetë i takimit të Ambasadorëve, të cilin mezi e kanë përmbajtur deri tani, ka konsistuar në ruajtjen brenda kuadrit të Antantës evropiane, të ambicieve dhe të padurimit austriak, gjë që do të ishte mirë, që ta shtynte zbatimin e vendimeve të tij në lidhje me Shkodrën, ku interesat e drejtpërdrejta të Malit të Zi dhe të Shqipërisë, tani ishin zgjidhur pa atë. Gjermania dhe Italia, nuk mund të dëshironin ndonjë ndërprerje të koncertit, dhe të rrezikonin një konflikt ndërkombëtar, për këtë vend të humbur në mes të maleve. Kështu ato shpresojnë, ta përmbajnë Austrinë nga këto veprime, në interes të të gjithëve, duke përfshirë atë të vetë monarkisë.
Kjo është arsyeja pse ne nuk u ndahet frika e atyre që u druhen rezultateve të shqyrtimit të Ambasadorëve në Londër, rezultate të cilat, si të gjitha ato të mëparshmet, do të tregojë pa dyshim, sot nëse marrëveshja Evropiane do të mbetet në fuqi. Ne nuk mund të besojmë, se Gjermania do të insistojnë në pretendimet që ambasadori i saj do të bëjë sot në takimin e Londrës, në mënyrë që t’i japë mundësi Austrisë për një urdhër ekzekutimi ushtarak kundër Malit të Zi, që do të integronte së shpejti pjesën tjetër në frontin e aleatëve të tjerë të saj, përfshirë ndoshta edhe vetë Esad Pashën. Udhëzimet që ajo i ka dhënë në këtë drejtim ambasadorit të saj, ndoshta kanë një kuptim të mundshëm dhe shpjegojnë, sidomos faktin, se si Mali i Zi nuk i është përgjigjur ende notës kolektive që fuqitë kishin vënë dje para Kryeministrit të Cetinës. Incidentet me Shqipërinë, me sa duket, kanë shkaktuar një vonesë në dhënien e përgjigjes ndaj fuqive, në lidhje me rezervat e aleatëve, për idenë e një propozim ndërmjetësimi. Kjo përgjigje e paralajmëruar, kuptimi i së cilës është i njohur, pritet në kryeqytetet e Ballkanit, të cilat do të duhet të koordinohen në lidhje me ketë çështje. Aleatët, pas marrjes së përgjigjes, do të duhet të marrin vendime të rëndësishme, të cilat, në këtë moment, mbeten domosdoshmërisht pezull. Veprimi i tyre do të paragjykohet dhe pengohet, ndërsa dëmi i shkaktuar nga kjo vonesë është i konsiderueshëm. Shpresohet se Shqipëria nuk do ta devijojë shumë vëmendjen e Evropës nga puna e ndërmjetësimit ndërmjet palëve luftuese në Ballkan”.8 Le Temps, idem f 6.
Shpallja e Mbretërisë së Shqipërisë të Esad Pashë Toptanit
Sikurse theksohet më lart, Esadi ëndërronte të bëhej sundimtari i Shqipërisë duke ndjekur rrugën më të lehtë, atë të bashkëpunimit me shtetet fqinjë dhe me përkrahësit e tyre. Është e vërtetë se pak ditë mbas vrasjes së Hasan Riza Pashës, pikërisht me 23 prill 1913, Esad Toptani i dërgoi njoftim komandantit të Krajl Nikollës se donte “me dorëzue Shkodrën, mbasi mungonte çdo gja”. Në të njëjtën ditë ai pati mbledhur parinë e Shkodrës në Zyrën e Doganave, të cilëve u njoftoi se “qytetin do ta dorëzonte derisa i ishin sosë ushqimet e nuk ishte ma në gjendje me qëndrue”. Duke kundërshtuar deklaratën e tij disfatiste, paria Shkodrës ofruan ndihma, sikurse ishin gjashtë të krishterë që premtuan sigurime, Sulçe beg Bushati ofroi ndihmë me 100 krerë lopë, Jakup Rroji ofroi ndihmë me bagëti të trasha dhe me të holla, tregtarë të tjerë garantuan për ndihmë me të holla, etj. Hamdi Bushati shkruan se Muharrem Gjylbegu, i pranishëm në takim, ka pohuar se Esad Toptani foli ashpër kundër shkodranëve dhe në fund “…doli nga mbledhja tue u sjellë krahët. Të pranishmit mbetën shtang, me krena të ulun e disave u shkonin lotët nga dëshpërimi”.
“Esad Pasha vlerësoi se po të mbështetej kryesisht tek Austro-Hungaria, kur Italia dhe Greqia po kishin pretendime të hapura për territorin e shtetit shqiptar, do të ishte fatale për mbijetesën e vendit të tij. Duke bashkëpunuar me qendrën e Aleancës Ballkanike – Serbi – dhe përmes saj me Malin e Zi, ai po kërkonte themelet për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm shqiptar me një shumicë myslimane, i cili do të mbështetej tek bejlerët e mëdhenj në pjesën qendrore dhe veriore të vendit”, shkruan historiani serb, 9 Dushan Batajcovic , në kumtesën e tij, “Serbian Government and Esad-pasha toptan. Serbs and the Albanians in the 20th Century, series of lectures May 7-10, 1990
Sipas tij Esad Pasha posedonte tiparet e një muslimani që i shihte me mosbesim bashkëkombësit e një feje tjetër. Sipas, Batajcovicit, ai kishte dëgjuar që fiset katolike veriore shqiptare, që synonin të ndaheshin nga Shqipëria dhe popullsia ortodokse në Epirin e veriut kishte orientim pro-helenik, ndaj këto ishin arsyet, pse ai pranoi të rregullonte kufirin në dobi të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. “Ai besonte se një Shqipëri më e vogël se ajo e përcaktuar në vitin 1913, homogjene në fe, do të ishte një vend shumë më i qëndrueshëm. Zhvillimi i rrethanave ndërkombëtari kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë me Serbinë për të cilën territoret shqiptare ishin një objekt aspirimi dhe kompensimi nga kabinetet e Fuqive Evropiane që kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore”10 Д. Т. Батаковић, Есад-паша Tornatiti, Србија и албанско питање (1916—1918), in: „Србија 1918“, Zb. radova Istorijskog instituta, 7, Beograd 1989, p. 346.
Ndaj në fillim të majit 1913, Esad Pasha e informoi mbretin malazez për qëllimet e tij për ta shpallur veten “Mbret të Shqipërisë” dhe shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me aleancën ballkanike. Ai tha se shqiptarët ia detyronin lirinë e vet popujve të Ballkanit dhe se ai do të vendoste me ta kufijtë e Shqipërisë pa ndërmjetësimin e fuqive të tjera.
Esad Pasha i tha diplomatit serb Zivojin Balugdiç në një takim në Durrës, “se donte një marrëveshje me Serbinë. Në fillim, qeveria serbe pranoi, duke vlerësuar se Pasha kishte treguar interesin e tij se ai me të vërtetë donte një marrëveshje me Serbinë, të cilën ai e konsideronte, citonte Balugdiç :” si bërthamë për të mbledhur forcat e Ballkanit.”11. Аокументи o спољној политици Краљевине Србије, VI-2, Doc. 135; Ж. Балугџић, ор. eit. 521—522
Ishte e rëndësishme për qeverinë serbe pak përpara sulmit bullgar për të neutralizuar përgatitjet në Shqipëri kundër bastisjeve në territorin serb – veçanërisht në Kosovë, Metohi dhe Maqedoninë perëndimore. Rreth 20,000 njerëz ishin në armë në territorin shqiptar, kryesisht refugjatë nga Serbia e Vjetër dhe Maqedonia, udhëheqësit e të cilëve, Hasan Prishtina dhe Isa Boletini, ishin bashkëpunëtorë të njohur të Ismail Qemalit. Ata u përpoqën të luftonin me ndikimin e Esad Pashës, duke agjituar një sulm ndaj Serbisë dhe duke nxitur një kryengritje të popullit shqiptar atje.
Esad Pasha përdori shkatërrimin e forcave pro-austriake për të shpallur veten (me mbështetjen e shefave fisnorë myslimanë dhe të bejletëve të mëdhenj në pjesët qendrore të vendit) guvernatorit të Shqipërisë në Durrës, në fund të shtatorit 1913. Viena vlerësoi aktin si dëshmi pozitive për orientimin e tij pro-serb. Serbi zyrtare në të njëjtën kohë ndihmoi një numër të shefave të tjerë fisnorë që i kundërvihen qeverisë së Qemalit, duke i drejtuar ata drejt bashkëpunimit me Esad Pashën. Aleanca mes qeverisë së Serbisë dhe Esad Pashës nuk ishte përcaktuar në një traktat të veçantë, megjithatë Pasiçi urdhëroi që pasuesit e tij të ndihmoheshin në para dhe armë. Për kryeministrin serb, Esad Pasha shërbeu si kundërbalancë me qarqet e mëdha shqiptare rreth Ismail Qemalit.
Pasi dorëzoi Shkodrën, Esad Toptani u vendos në Tiranë e në Durrës, me objektiv të qartë të mbajtjes të copëtuar të trojeve të Shqipërisë. Duhet theksuar se Esad pashë Toptani nuk e njohu realisht shpalljen e pavarësisë së vendit, duke pretenduar se dëshironte ngritjen e Flamurit Kombëtar në Shkodër, ndonëse nga krerët e saj iu bë thirrje për bashkëpunim me anën e një letre të njerëzishme. Gjithashtu, me këtë pretekst ai nuk njohu as qeverinë e Vlorës, të parën qeveri të Shtetit të Pavarur shqiptar dhe që në fillim luftoi me tërbim kundër saj. Esadi e ndjente se kishte kundër tij të gjithë rrymën e lëvizjes kombëtare, e cila lidhej me qeverinë e Vlorës, dhe përkrahej deri diku prej Austro-Hungarisë dhe Italisë, të cilat i kishin dalë zot shtetit shqiptar të pavarur, për të plotësuar qëllimet e tyre të kontrollit të Adriatikut. Gjithashtu, ai u detyrua të zbatonte kërkesën e Vjenës e të Romës për largimin e trupave turke nga Shqipëria. Në historinë e Shqipërisë është theksuar: “…monarkia e dyfishtë e përkrahur nga Roma kërkoi në mënyrë të vendosur nga Esad Toptani dhe Porta e Lartë që të jepej urdhri për riatdhesimin e ngutshëm të trupave turke të cilat ndodheshin ende në Shqipëri, nën komandën e Esadit ”.
Në një kabllogram nga Cetina thuhej se Esad Pasha e shpalli veten në Lezhë “Mbret të shqiptarëve”. Në një njoftim nga Beogradi nga gazeta Britanike ”Daily Mail, thuhet se Esad Pasha, me 26.000 burra, përmbushi planin e zhvilluar në Shkodër, në marrëveshje me Mbretin Nikolla. Ndërsa Xhavid Pasha, komandanti i ushtrisë turke në Maqedoni, do të bëhej ministër i Luftës i Esad Pashës në një aleancë mes Malit të Zi dhe Mbretit të Shqipërisë, sipas të cilit, përsëri sipas Daily Mail, thuhet se Mali i Zi do ta mbante Taraboshin dhe Luginën e Bunës, ndërsa qyteti i Shkodrës do të bëhej shqiptar.”, cituar, sipas 12 “Le temps , idem.
Shtypi anglez mirëpriti me një ironi të këndshme dhe me shqetësim, Shpalljen e Mbretërisë së Shqipërisë , me 27 Prill 1913 në Lezhë. Gazeta “Daily News” shkruante” Ndërsa Fuqitë diskutojnë seriozisht për kufijtë e Shqipërisë, malazezët dhe shqiptarët e kanë zgjidhur çështjen e tyre. Kjo është një shaka e shkëlqyer që e bën koncertin e Fuqive mjaft qesharak. Për fat të keq, kjo rezulton në një ndërlikim të ri në përplasjen e çështjes shqiptare dhe ndoshta është më seriozi i të gjithave”.
Demarshet e Fuqive kundrejt Cetinës
Në një njoftim të ri të zbuluar nga gazeta angleze “Daily Telegraph”, thuhej se Ministri i Rusisë kishte marrë dje në mëngjes udhëzimet e qeverisë së tij, se përfaqësuesit e fuqive të mëdha kishin rënë dakord të takoheshin në orën dhjetë tridhjetë, në ministrinë e Punëve të Jashtme, për të bërë demarshe në lidhje me ketë qëllim. Baroni Squitti, dekani i trupit diplomatik, i kërkoi qeverisë së Malit të Zi që një person duhej të gjendej në Ministrinë e Jashtme në kohën e caktuar për të pranuar notën e komunikimit të Fuqive të mëdha. Baronit Squitti malazezët u janë përgjigjur me gjithfarë justifikimesh, se si rezultat i Pashkëve (Ortodokse), nuk kishte njerëz, se ishin të sëmurë, etj. Përfaqësuesit diplomatikë pastaj kishin çuar një korrier për z. Voukotiç, me një deklaratë me shkrim në të cilën ata e detyronin Malin e Zi, të evakuohej nga Shkodrën pa vonesë dhe që qyteti t’i kthehej komandantit të anijeve mbledhura në Tivar. Në të kërkohej një përgjigje e menjëhershme. Menjëherë pasi, u kthye korrieri dhe informoi përfaqësuesit e Fuqive se ai e kishte përmbushur misionin e tij. Kështu, u arrit të paraqitej qasja e Fuqive, por unë mendoj dhe unë mund të them se reagimi i Malit të Zi për në dokumentin e dorëzuar do të jetë tërësisht negativ”.13 Les Temps , idem f. 6.
“Delegatët shqiptarë deklarojnë se, shpallja e Esad Pashës Mbret ishte rezultat i një intrige midis Malit të Zi dhe Serbisë, të nxitur nga turqit e rinj. Ndërsa shqiptarët dëshironin një princ evropian. Dhe e dorëzimi i “Shkodrës ishte thjesht vetëm një farsë. Ndërkohë në një njoftim nga Londra me 28 prill, Esad Pasha ishte pritur mirë në Lezhë. Kishte pasur madje shumë të shtëna festive të artilerisë. Është raportuar nga Serbia se Beogradi ishte palë zbatimin e planit të Esad Pashës për të hequr dorë nga Shkodra, në favor të malazezëve. Ndërkohë që mbreti Nikolla po i transportonte armët e rënda nga Shkodra në malet me pamje nga kufiri austriak” sipas, Telegraph.- Press Associatton.- 14 Independent më 29 prill, ora 11. Ndërsa nga ana tjetër Austro-Hungaria e kishte marrë seriozisht, në një njoftim nga Berlini më 28 prill , “korrespondent i Vossische Zeitung nga Trieste telegrafonte, se njësia detare kishte nisur lundrimin me 10.000 trupa, me synimin për të pushtuar Tivarin, Ulqinin, dhe Shëngjinin. Avancimi kundër Cetinës do të bëhej duke u nisur nga kodrat e Budës dhe Risanos. Gazetat i jepnin rëndësi telegrameve nga Vjena, me sa duket, të frymëzuar nga konti Von Berchtold, Ministri i Jashtëm, që kërcënonte në Londër për ditë Konferencën e Ambasadorëve, duke u rekomanduar që malazezët të evakuonin shpejt nga Shkodra, përndryshe Austro-Hungaria do të merrte menjëherë veprime ushtarake të pavarura”. 15 Vossische Zeitung, Trieste, prill 28 1913.
Kjo vërteton faktin, se nuk ishte në sajë të qëndrimit të Esad Pashës, që u ruajt Shkodra brenda trojeve tona, por për shkak se ky ishte qëndrimi dhe interesi aktual i Fuqive të Mëdha për të ruajtur të bashkuar koncertin dhe veçanërisht, për mbajtjen e Austro- Hungarisë aty. Kështu presioni austro – hungarez e bëri efektin e vet në shpëtimin e Shkodrës dhe jo dorëzimi i saj nga Esad Pashë Toptani.
Po të analizojmë një pasazh të fjalës që tha Esadi para parisë së Shkodrës, ashtu siç na e sjell gazetari Italian, Gino Berri në librin e tij “Rrethimi i Shkodrës”. “Dëgjoni: ajo çka ndodhi ndoshta nuk mund të ndodhte ndryshe. Por nuk e di nëse të gjithë e keni ndërgjegjen të qetë. Nëse Turqia humbet një krahinë, ju shikoni të mos humbisni atdheun tuaj. Unë do të nisem me mbeturinat e ushtrisë së lavdishme të rrethimit, por po u lë juve, atë që është më e shtrenjtë ‘të vdekurit’. Dhe toka më e pakapërcyeshme e Shtojit, Bardhanjorit, të Bërdicës dhe Taraboshit do të jenë për juve të shenjta, nga shumë kujtime të lavdisë e të sakrificave. Te ky atdhe duhet t’ju rrahë zemra e të gjithëve”. 16 Berri Gino, L’ assedio di Scutari – sei mesi dentro la città accerchiata – (diario di un corrispondente di guerra) Milano 1913 f.
Pra, siç duket edhe nga këto fjalë të Esad Pashës, ai edhe kur u flet bashkatdhetarëve u flet si gjeneral turk dhe jo si komandant shqiptar. Ndaj t’i veshësh vlera patriotike mbrojtjes së Shkodrës për aq sa zgjati, nuk është rrjedhojë e analizës të së vërtetës historike, por një abuzim dhe spekulim me historinë. Dorëzimi i Shkodrës i shërbeu më shumë ushtrisë së tij se fatit të atdheut.
Austria deklaroi se përderisa Shkodra të mos ishte evakuuar, ajo do ta merrte atë vetë nga malazezët, Fuqitë e mëdha i tërhoqën vëmendjen Malit të Zi, se të gjitha palët ballkanike ishin tërhequr nga qëllimet e tyre, Greqia nuk pushtoi Vlorën, Serbia e kishte braktisur Durrësin, Bullgaria kishte lenë sulmin ndaj Stambollit dhe Mali i Zi duhet të linte Shkodrën. Princi i kurorës Danillo la një numër të vogël ushtarësh në Shkodër dhe shkoi të mbronte Cetinën nga austriakët. Thuhet se Austria kishte dislokuar rreth 40 mijë ushtarë kundër Malit të Zi. Mali i Zi protestoi hidhur nën presionin e fuqive, por Mbreti Nikolla u detyrua ta linte zgjidhjen e fatit të Shkodrës në duart e fuqive, gjë që shkaktoi edhe rënien e qeverisë së tij më 5 maj 1913. Ai u detyrua ta linte Shkodrën dhe ushtari i fundit malazias u largua nga Shkodra më 11 Maj.
Edhe pse kundërshtimi i tyre ishte i suksesshëm, nuk ishte e qartë se çfarë dëshironin të arrinin malazezët në planin afatgjatë, pasi Fuqitë e Mëdha, duke përfshirë edhe mbrojtësin e Malit të Zi, Rusinë , kishin pranuar që Shkodra t’i mbetej Shqipërisë. Megjithatë, pushtimi i qytetit shkaktoi një shpërthim tjetër në krizën ballkanike. Duke dështuar në parandalimin e zgjerimit të Serbisë dhe Malit të Zi në Luftën e Parë Ballkanike, Austro-Hungaria nuk mund të pranonte më fyerjet ndaj prestigjit të saj dhe Partia e luftës, e udhëhequr nga shefi i stafit Conrad von Hötzendorf, po forcohej. Më 20 mars 1913, ambasadori gjerman në Vienë i tha Berburgut se Berchtold shihej me përbuzje nga zyrtari austriak për shkak të politikës e jashtme të tij të lëkundur. Presioni po shtohej mbi ministrin e jashtëm të pavendosur për të demonstruar forcën dhe vendosmërinë e Austro-Hungarisë për të përballuar rritjen e nacionalizmit sllav në Ballkan.
I ndjeshëm ndaj kësaj kritike – dhe ndoshta duke parë për herë të parë sesa e tmerrshme ishte gjendja e monarkisë së dyfishtë – Berchtold befasoi papritmas, duke adoptuar një qëndrim shumë më agresiv ndaj fqinjëve sllavë të Austro-Hungarisë. Më 29 prill Austria-Hungaria filloi marrjen e masave e shtimit të forcave pranë kufirit malazez dhe më 2 maj, Këshilli i përbashkët austro-hungarez i ministrave miratoi propozimin e Berchtold-it për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Malit të Zi nëse ishte e nevojshme, dhe Conrad ishte duke kërkuar aneksimin e plotë të mbretërisë problematike. Në Konferencën e Londrës, Austro-Hungaria kërkoi një bombardim të pozicioneve malazeze nga flota shumëkombëshe dhe kërcënoi të vepronte në mënyrë të njëanshme nëse fuqitë e tjera të mëdha do të refuzonin. Gjermania shprehu mbështetje për ndërhyrjen ushtarake dhe më 30 prill ambasadori francez në Berlin, Jules Cambon, i dërgoi një paralajmërim Gjermanisë në Paris, duke pyetur nëse Gjermania do të qëndronte pranë Austro-Hungarisë nëse ajo e fundit do të sulmohej nga Rusia. Perspektiva e një lufte të përgjithshme evropiane po e ngrinte kokën përsëri, dhe përsëri fuqitë e tjera të mëdha – Franca, Britania dhe Italia – u treguan të afta për ta parandaluar katastrofën.
Dy muaj më vonë pas këtyre ngjarjeve , gazeta e mirënjohur amerikane “ The New York Times, e datës 6 korrik 1913, botonte një korrespondencë me temë “E ardhmja e Shqipërisë nga sarajet e Esad Toptanit, datuar më 10 qershor. Mjafton vetëm përshkrimi për të kuptuar se Esad pasha ishte më shumë ushtarak turk se patriot shqiptar.
“Qysh nga koha që Esad pasha mbërriti në këtë qytet qysh nga koha kur e kish dorëzuar Shkodrën Mbretit Nikolla, disa korrespondentë kanë pushtuar banesën e tij, sarajin më të bukur në vend, për të parë se çfarë ai propozonte të bënte nën dritën e së ardhmes, që fuqitë parashtronin për Shqipërinë. Esad pasha sërish mbante veshur uniformën e gjeneralit të ushtrisë turke, një flamur turk valëvitej mbi shtëpinë e tij dhe trupa me uniformë turke e ruanin atë. Nga ana tjetër, në vend shihje kudo flamuj të Shqipërisë së pavarur, dhe trupat shqiptare çdo ditë stërviteshin para flamurit kombëtar, për më tepër qeveria lokale drejtohej alla shqiptarçe , me ndonjë shenjë nga Esadi aty-këtu, i cili nuk ka asgjë otomane në karakterin e tij.
Është vërtet një enigmë për gazetarë, ajo çka ata dëgjuan nga vetë goja e tij nuk ua kthjelloi mendimin .
Në një pikë ai është shumë i vendosur . Kur u pyet se mos kishte pasur ndonjë marrëveshje sekrete me Knjaz Nikollën, nëse ai i kishte dhënë para, apo i kishte premtuar mbështetje për t’u zgjedhur sundimtar i Shqipërisë , ai tha në mënyrë emfatike:
“Ishte e pamundur të vazhdonim rezistencën tonë. Nuk do të thosha me ditë, por madje vetëm me orë. Uria dhe asgjë tjetër nuk fitoi mbi ne”. Po kur u pyet në lidhje me ndonjë marrëveshje me Qeverinë Provizore me Qendër në Vlorë, ai tha me një buzëqeshje të lehtë qesëndisëse.
” Ju e shihni vetë, që unë jam një drejtues ushtarak, një farë ushtari. Si pretendoni ju, prej meje, që unë si një gjeneral turk, të ruaj marrëdhënie me të ashquajturën Qeveri të Vlorës. Është e vërtetë se konsulli austro-hungarez dhe ai italian më kanë njoftuar se kjo qeveri ekziston, por nga ana ime, unë nuk di asgjë për të. Nuk më intereson fare. Në lidhje me marrëdhëniet e mia me Qeverinë Turke, asgjë nuk është kaq e thjeshtë, unë veç pres që të më dërgohen urdhra nga Ministria e Luftës e Stambollit. Unë jam gati t’i dërgoj njerëzit e mi kudo që ata të më thonë, me kusht që të mos jetë larg, si në Bagdat, për shembull, apo në thellësi të Azisë së Vogël.
Unë nuk jam i vetëm. Unë kam miq dhe njohje në këtë vend. Unë mund t’i bashkoj drejtuesit e vendit që të gjithë së bashku dhe, ndoshta, mund të bëjmë ndonjë gjë të dobishme. Oh, natyrisht unë e di, që ne keni nevojë për ndihmën monetare dhe teknike të evropianëve. Por ajo ndihmë na duhet dhënë pa qëllime dytësore. Ajo çfarë dua unë dhe çfarë ne duam, është natyrisht të na lenë vetëm të qetë”.16 The Albania’s future, gazeta New York Times, July 6, 1913.
Për Esad Pashën forma e qeverisë duket se është e parëndësishme. Nëse sundimtari i Shqipërisë do të quhej “Princ” ose “Mbret” kjo pak ka rëndësi. Ajo ç’ka duket e fiksuar në zemrën e tij është, një kompromis besnik dhe i ndershëm me Turqinë, dhe pastaj organizimi i një vendi sipas traditave të tij. Po siç duket, nga ndërhyrja e vazhdueshme e Evropës, Esad Pasha, nuk do të jetë pjesë e ndonjë zgjidhje të mundshme . Tashmë duket se asgjë nuk ishte aq e largët, se sa ideja që Esad Pasha të aspironte për fronin”, e mbyllte korrespondencën në qershor nga saraji i Esadit me titull e “Ardhmja e Shqipërisë”. 17 NYT, idem
Por s’ishte e thënë. Esad Toptani pasi ia dorëzoi Shkodrën malazezëve me të gjithë trupat e Shkodrës, (shqiptare e turke), u largua nga aty duke kaluar nëpër Lezhë dhe Milot, ku u prit me nderime ushtarake nga trupat pushtuese serbe dhe u vendos në Tiranë e në Durrës. Një javë më vonë, nën presionin e Austro-Hungarisë dhe të Italisë, mbi 1800 ushtarë turq u larguan me anije për në Turqi, përkundër dëshirës së Rusisë dhe aleatëve të saj që ato trupa të mbeteshin këtu, për të krijuar sa më tepër pështjellim dhe për t’i shërbyer qëllimit rus, që shteti shqiptar të ngelte autonom nën varësinë e Sulltanit. Esad Toptani, meqë ishte i lidhur me Serbo-Malazezët pa u penguar fare filloi të ngrinte një administratë më vete. Ky veprim antikombëtar i Toptanit e koklaviti edhe më tepër çështjen shqiptare dhe Qeverisë së Vlorës po i paraqiteshin tashmë vështirësi të mëdha, që s’mund të zgjidheshin dot aq lehtë as edhe në kohë më të qeta. Kjo qeveri nuk kishte çka të bënte në atë rrëmujë të përgjakshme, kur Shqipëria e jugut, përveç Vlorës dhe Beratit, ishte e pushtuar prej Greqisë, Shqipëria e veriut, prej Serbo-Malazezëve, ndërsa në Shqipërinë e Mesme, pas tërheqjes së ushtrisë serbe, ngriti pushtetin e tij vetë Esad Pashë Toptani.
Fuqitë madje për të ruajtur interesat e veta, e kishin hedhur poshtë idenë e një i mbretëria efemere të Esadit, që sot ka mbetur vetëm si fakt historik pak i njohur, më vonë u shndërrua në Republikën e Shqipërisë Qendrore që ishte një shtet i jetëshkurtër, i panjohur, i themeluar më 16 tetor 1913 me qendrën e tij administrative në Durrës. Republika e Shqipërisë Qendrore u themelua nga Esad Pasha Toptani dhe përfundoi kur Wilhelm Wied, princ i Principatës së Shqipërisë, mori kontrollin mbi vendin pas mbërritjes në Shqipëri më 7 mars 1914. Territori i këtij gjoja-shteti kufizohej nga lumi Mat në veri dhe Shkumbin në jug.
Esad Pashë Toptani, i cili pasi dorëzoi Shkodrën u vendos në Tiranë e në Durrës, desh ta shfrytëzonte këtë ide, jo me qëllimin e bashkimit të tokave shqiptare, por për të nxitur dhe shfrytëzuar fanatizmin fetar ndër Myslimanët e Shqipërisë së Mesme. Synimi i parë i tij ishte që të përmbyste qeverinë e Vlorës, për të mbetur ai vetë zot i asaj copë Shqipërie, që do të caktonte Konferenca e Londrës. Prandaj u vu të bënte propagandën, shpifjet dhe intrigat më të dobëta kundër qeverisë së Ismail Qemalit. Për t’i dhënë gjoja pushtetit të tij një formë “legale”, Esadi mblodhi në Krujë, nga gjysma e Majit 1913, një farë “kongresi”, ku ishin thirrur ca krerë fanatikë prej Shqipërisë së Mesme dhe krahinave rreth e qark, si Dibër, Mat, Lezhë e Kurbin. Atdhetarët shqiptarë u munduan ta kundërshtonin këtë veprim antikombëtar të Esad Toptanit, që po iu ndihmonte armiqve të jashtëm dhe po vinte në rrezik edhe atë pjesë të Shqipërisë së njohur nga Konferenca e Ambasadorëve. Disa krahina, si Elbasani, nuk dërguan fare përfaqësues të vetë në Krujë; po edhe ata që vajtën prej anësh të tjera, nuk u bashkuan të gjithë me qëllimet ndjellakeqe të Esadit. Megjithatë, ky gjeti një rreth bejlerësh, agallarësh e klerikësh turkomanë, si soji i myftiut të Tiranës Musa Qazimi, për të formuar me ta një farë “këshilli”, i cili i lutej gjoja Esad Pashës që të merrte në dorë qeverimin e vendit deri sa të vinte prej Turqisë një princ mysliman.
Ismail Qemali realisht ishte i pafuqishëm ta ndalonte Esat Toptanin në këtë aktivitet përçarës, prandaj duke pasur parasysh shpëtimin e Shqipërisë u pajtua që ta ftojë Esadin në qeverinë e tij duke i dhënë Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ky e pranoi menjëherë këtë pozitë dhe vajti në Vlorë, por gjithmonë me synim që ta merrte kalanë nga brenda.
Kështu “Esad Pashë Toptani, thotë Mit’hat Frashëri, u bë foleja drejt së cilës rrodhën gjithë ç´mund të kishte të keqe në Shqipëri: tradhti, konservatorizëm, ambicion, lakmim, frikë prej dritës dhe të mirës. Ai u bë qendra e gjithë atyre që ndiqnin një qëllim kundër Shqipërisë. Fuqia e tij vinte sa prej shkaqeve të brendshme, aq edhe prej relacioneve të jashtme: mbi intrigat që kishte lidhur me Serbinë dhe Malin e Zi, pa vonuar shumë, u shtuan edhe ato me Greqinë”.
****