• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETRA EVËS – SIMBOL POETIK I VIZIONIT JETËSOR

April 17, 2015 by dgreca

Esse nga AGIM GJAKOVA/*
më merr në tokën e zjarrtë/
më merr atje/
rrëzë Çabratit majë Pashtrikut/
buzë Erenikut/
Të shkruaj Ty/
me fjalë të para/
të shqipes/
Letra janë fletë të shpirtit, të mendjes dhe të qëmtimeve artistike të Mazllum Sanejës Janë dëshmi e vetëdijes së ngarkuar me travajat e jetës, e qenies sa individuale aq shoqërore, e brumosjes së fisnikërisë nëpër fellutat e kësaj bote me njerëz të pamëshirshëm por edhe me të tillë të dashur, mirëkuptues dhe humanistë.
Eva është konkrete dhe simbolikë, ngacmuese dhe paqëtuese, joshëse dhe nxitëse e ëndërrimeve, zbardhje e ditës së jetës që tejpërmbushet me tërë gamën e përjetimeve. I përmbytur me shfrimin ndjenjave që bulojnë nga të katër anët, rreket njerëzimi të ekzistojë në realitetin e përdhosur nga shumë shtrembërime
në këtë
oqean të botës

përplot
ndodhi të papritura

mbërthyer me dredhi

kurthe
dhe komplote

dhe uni poetik i Mazllum Sanejës është ky njerëzim, që rropatet në shumë aspekte dhe as nuk mposhtet, por as nuk del fitues., vazhdon në luftën e përjetshme.
Letra Evës, në kontekstin e përshkrimit të ndjenjave, përbën një mostër për një analizë psikologjike të njeriut të sotëm, i cili është i vetmuar, i braktisur, i përbuzur, i marrë inat, i shtyrë në zgrip të greminës, por me dashurinë që zmbraps gjithë këto, duke dalë në rrahun e së vërtetës së thelbit njerëzor.
Cilat janë aspiratat e këtij uni poetik? Për ta kuptuar më mirë duhet të njohim jetën e Mazllum Sanesë, një jetë tërë peripeci ekzistence, vuajtje mërgimtare, por punë të palodhshme sizifiane në rrahun e letrave. (të pranishmit pothuajse e dinë), prandaj mos të rreket askush të thotë se jeta e tij nuk është vepra e tij.
Të shkruaj Ty
për net të pagjumë

i tretur
në mendime

i mbërthyer nga ëndrrat
ankthi vetmia pritja
të shkruaj ty
të vish të paktën në ëndërrime
Ky unë poetik nuk rreket të ndryshojë botën si Don Kishot, nuk përpushet të hyjë në kalibrin e atyre që shkaktojnë plagë njerëzore dhe gremisin çdo virtyt në humbellë se
loti i një fëmije
nuk vlen
sa tërë bota
ndaj
qaj,

nuk vrapon pas materiales, pasi i gjithi është përfshirë dhe madje mund të them është sunduar nga bota shpirtërore, artistike. Shpresa dhe realizimi, humbja dhe këndellja, konflikti i përjetshëm i kontradiktave përshkohen në prizmin e vargjeve të hedhura me tërë forcën e ndjenjës diku në hapësirë, por që kjo hapësirë është shoqëria, është njerëzimi.
Autorin nuk e ndjek askush, pasi nuk ka frikë nga vetja për rrugën që ka zgjedhur, nuk pendohet se është e tillë dhe se ka bërë këtë jetë të stërmunduar dhe që e stigmatizon në vargje me forcë e bukuri. Ideja se njeriu është i përkohshëm nuk e tremb të thotë se ia ka kushtuar mundin dhe djersën së vërtetës jetësore dhe artistike.
Dashuria për Evën është monument i ndjenjës, jo stil jete i rëndomtë, por i mbrujtur me sinqeritet dhe thellësi shpirti njerëzor, është pasqyrë e vetvetes, dhe reflektim i veprimtarisë, jehonë kumbuese e thelbit të qenies. Hedonizmi u nënshtrohet të gjitha këtyre:
Të shkruaj Ty
për mëkatin

vjedhur
nga qielli

dhe të fal
gjithë të mirat

fjalë të bukura
të mira fjalë
që zemrën shërojnë
si balsam
Nuk ngërthen urrejtje, smirë, xhelozi, mashtrim, lakmi, zili, vese njerëzore, por ka përmbledhur virtytet e së mirës dhe të madhërishmen, ardhmërinë, besimin, karakterin, optimizmin… Poeti nuk i shfaq ndjenjat për t’u mburru, as për të vajtuar. Ai siguron njerëzimin se është i pavdekshëm në shpirtin e tij, se është aleat dhe luftëtar i paepur kundër së ligës dhe poshtërsive njerëzore.
Me sa ethe artistike dhe dashuri të vërtete i lëshohet vargut na shtyn të mendohemi se çka vlon brenda poetit. Është një gamë e gjerë subjektesh e temash, ngjarjet e të cilave e kanë goditur poetin, e kanë fryrë si lumë të rrëmbyeshëm. Rrjedhin dëshirat, zemërimet, melankolitë e pashmangshme ndaj vendlindjes.
Të shkruaj Ty
që të përshkruaj
një fotografi
nga fëmijëria
vendlindja
Madhështia nuk është brumë i qenies së tij. Ai niset nga përkorja, nga thjeshtësia dhe ne e vlerësojmë se arrin aty. Nuk ka dëshirë të duket, nuk përton të stigmatizojë gjithë negativët, nuk heshtë përpara së vërtetës kudo, në çfarëdo rrethane dhe me guxim e rrebesh për ta shkulur gjithë shëmtinë e jetës.
Dhe këto e shumë të tjera i hedh, i shkruan në letra, i skalitë në vargje dhe ia drejton një personazhi që është Eva, simboli poetik i vizionit jetësor për të gjithë ne.

Filed Under: ESSE Tagged With: Agim Gjakova, esse, Eves, Letra, Mazllem Seneja

Një Poete e bukur që kërkon t’i thuash “Diçka të bukur”

March 18, 2015 by dgreca

Libri me poezi i VLLASOVA MUSTËS “Më thuaj diçka të bukur”/
Nga Përparim Hysi/
Kushdo që pëlqen poezinë,nuk ka se si mos njoh Poeten e bukur, Vllasova Musta.Kur përdor epitetin:e bukur, ky epitet merr vlerë të dyfishtë.Është në sinkron portreti i poetes, me poezinë cilësore të saj.
Vllasova Musta ka hyrë në fushën e letrave, o rastësisht.Ajo vjen nga një familje ku libri ka patur një peshë dhe dimension të veçantë. I ati,sado ushtarak, ka qenë i lauruar nga një Akademi ushtarake në Itali dhe dy të tjera në Rusi, njëra pas tjetrës. Jo vetëm kaq, por dhe e ëma,deri në moshën tetëdhjetëvjeçare ka qenë me libër në dorë. Parë, pak më gjërë, edhe i vëllai i Vllasovës, oficeri Roland Musta (tani në pension), është një nga poetët e mirë që ka Shqipëria.
Vllasova Musta ka hyrë me këmbë të mbarë në letërsi, sidomos në gjininë e poezisë, që kur ka qenë në bankat e shkollës së mesme dhe, ca më shumë, kur qe stundente. Faqet letrare të “Zëri i rinisë”, faqet e gazetës letrare “Drita”( e vetmja në kohë të diktaturës), shpesh do mbushej me poezi të saj. Aq pëlqeheshin këto poezi dhe aq muzikalitet kishin, sa shpesh kompozitorët vargjet e saj, i kthenin në këngë. Që studente, poezia “Xhaketa e kuqe” jo vetëm u bë këngë, por mori dhe çmimin e parë.

* * *
Po t’i hedhësh një sy, vetëm kalimthi, poezisë së saj në vite, nuk është vështirë të vëresh këtë muzikalitet dhe kumtin e bukur që mbart poezia. Këtë vlerë cilësore të kësaj poezie, mandej e tregojnë dhe çmimet, të cilat nuk kanë munguar në adresë të saj.
Ajo që dua të theksoj, në këto përshtypje modeste të mia, është fakti tjetër: për tridhjetë vjet me radhë ajo ka punuar pranë Kinostudios,si skenariste për filma dokumentarë dhe ato vizatimorë. Duke qenë skrupuloze në punë, ajo është vlerësuar me çmime edhe si skenariste. Pa numëruar çmimet si skenariste, nuk mund të rri pa nënvizuar: dy herë është fituese Kupës “Për skenarin më të mirë”. Po të bësh një analizë të punës së saj në Kinostudio, vëren se ajo ka dalë, e “ngopur”, nga vlerësimi i punës atje.
Por objekti i shkrimit tim është tek poezia e saj dhe , për të qenë më i drejtpërdrejtë, tek libri i fundit me poezi “Më thuaj diçka të bukur”.
Poezinë e Vllasova Mustës (dhe jo vetëm të saj) e kam dashur dhe e dua. Rastësisht, më ra libri në dorë, dhe, kur e lexova, u mbusha me emocione. Sado që shkruaj dhe vet poezi, jam bërë paksa qibar kur lexoj vëllime të shkruar nga poetët. Vet kam bindjen e paluajtshme: kurrë nuk mund të shkruash një poezi të bukur, po nuk e ndjeve. Unë mendoj që poezia e mirë dhe e bukur ( poezia e Vllasovës është e tillë), del nga shpirti. Vetëm një shpirt i brishtë mund të shkruaj poezi të bukur. Unë e lexova librin e saj dhe, nga që më pëlqeu, iu riktheva. Tani, në rikthim, mbresa u bë më prekëse dhe nuk mund të rrija pa shkruar qoftë dhe dy fjalë.
Ky “rikthim imi” ndodhi në një kohë, kur krejt “Bota letrare”, në mund të shprehem kështu, shtron pyetjen sugjestive: ” Çfarë po ndodh me poetët?!” Kjo pyetje që është kaq alarmante, nuk është dhe aq subjektive. Përkundrazi: poezia e ka humbur atë “hierarkinë” në letërsi, dhe, siç është vënë re, është zhdukur nga libraritë. Është zhdukur dhe, sado që lirikat kanë vendin e vet në shtëpitë e mëdha botuese, e, megjithatë, lirikat nuk luajnë ndonjë rol në jetën shoqërore. Këtë e vë re fare lehtë: fakit që ka dalë nga moda të mësuarit përmendësh të lirikave në shkolla. Ka dhe një fakt tjetër domethënës: fituesi i çmimit në Panairin e Lajpsingut,Jan Wagner, sado që ka marrë 28 çmime e bursa, megjithatë, për të jetuar si poet në profesion të lirë, i duhen angazhime të tjera, si: leksione, përkthime, reportazhe radiofonike dhe në gazeta. *

* * *
Por le t’i lëmë poetët në “hallet e tyre” dhe të kthehemi tek poetja, Vllasova Musta.
Libri “Më thuaj diçka të bukur” është botuar në vitin 2014. Libri është përkthyer në gjuhën italiane nga Profesore-Doktore Klara Kodra. Të gjitha poezitë e Vllasovës sikur qëndrojnë mbi një bosht: atë të dashurisë. Kumtojnë dashuri. Japin dashuri, Dhe presin dashuri. Poezitë, sado të shkurtëra, janë shumë domethënëse. Japin një kumt. Ose ngrishin lexuesin drejt një kumti të bukur e të bardhë. Poezitë e këtij vëllimi, autorja i ka shkruar në vend të ndryshme, dhe, në se vargjet kan lindur jashtë Shqipërisë, atëherë mesazhet janë më të ngrohtë dhe të inspirojnë,si: “Po patë diku/ në pemë a në strehë/folezë pa tinguj brenda/ ajo nuk është vetëm/ kam lënë në të zemrën/ mbështjellë me ëndrra/. A ka vallë si mos mbushesh emocione me poezinë “Kalon një grua”. Nuk ka se si mund t’i këndohet gruas-nënë, burim i jetës. Është,- thotë poetja, dhe kodra, dhe mali. Është foleza për gjithë zogjtë apo shkëndija e çdo zjarri. Dhe, mandej, portreti i gruas zë dhe merr përmasa të tilla që të befasojnë: “… lëviz e mban në këmbë gjithë Galaktikat qiellore. Më tej se kaq, nuk ke se ç’thuaj më.
Ose sa e drejtpërdrejtë është poetja, kur e grryen malli për Atdhenë. Sado larg dhe nuk njeh njeri, ajo ndejn diçka që e thërret “… ky rit që më thërret/vjen nga larg e quhet mall/.
* * *
Një nga poezitë që do veçoja, në optikën e shijes sime, pa dyshim që është “Dielli im”. Nuk është vështirë që kjo poezi, nga më të bukurat, i kushtohet të shoqit, të ndjerit dhe të bukurit Kujtim Spahivogli. “… si një rrëkezë me diell e hënë/ deri sa mbrriti ajo ditë, kur erdhe ti dhe më bëre nënë/. Dhe tek ndalem tek kjo poezi, pak më gjatë, nuk kam si mos e bie të plotë strofën e fundit të poezisë:
” Ky diell je ti,
Kjo dritë je ti,
Si ëngjëll jete je për mua
Ndaj është pak,
Fare pak
Kur përsëris:
Sa shumë të dua! ”
Komentet do të ishin të tepërta, por unë ngulmoj tek kjo poezi jo pa qëllim. Për ata që nuk e dinë, Vllasova Musta e Kujtim Sahivogli, si çift nga më të bukurit e atyre viteve, kanë jetuar atë Golgotën që, për fat të keq, nuk qe ponteciale, por reale. Ata qenë martirë të një dashurie të vrarë në atë regjim mesjetar që vriste dashuritë. Nuk janë veç këto vargje si një përmasë dashurie të madhe, por janë disa syresh që përmjet vargjesh, të bëjnë që të lëshosh dhe lotë. Tek shkruaj kështu, lotimi im, është shumë më i drejtpërdrjetë nga mijëra lexues e dashamirë të këtij çifti, që “vranë në gjumë”. Vrasjet në gjumë janë më tragjike nga gjithë vrasjet në histori. Në gjumë dhe, kur pi ujë, nuk të ha as gjarpëri. Po gjarpëri Enver nuk njihte as etikë dhe as moral. Kënaqësia e tij qe perverëse: kënaqej tek shihte të “vrarë” a të martirizuar të gjithë ata që i përfshinte në emërtimin e zi: armiq të partisë. Të quaje armik Kujtim Spahivoglin, një nga Debatikasit e parë, ish më tepër se miopi. Në ndalova gjatë, tek kjo poezi, kam dhe një shkak tjetër: Kujtim Spahivoglin e dënuan, duke e përzënë nga Tirana dhe e sollën në Fier. Punonte në poligonin e bonifikimit qe vetëm lumi e ndante nga fshati im, Mbrostar-Ura. Një ditë, tek kthehesha nga Fieri për në shtëpi (tri km larg është Fieri nga Mbrostar-Ura), shoh dikë aty tek poligoni që jepte e merrte të hidhte një platformë betoni mbi një reportabël. Ndalova biçikletën dhe i shkova në ndihmë. Kur hodha sytë nga “punëtor” që mundohej, pashë që ishte Kujtim Spahivogli.
-Hamlet,- i thashë,- ti në Mbrostar-Ura?
-Pse më njef?
-Po kush nuk të njeh ty?
E pashë që u përlot, por, sa hodhëm së bashku atë platformën e betonit, pashë që u afrua një nga ata “sytë e veshtë e mbretit” dhe, mjerisht, biseda nuk vazhdoi më tutje.
Shkova në shtëpi dhe shkrova ” Hamleti në Mbrostar-Ura”. E shkrova, po tani them: sa të drejtë ka Kadareja kur thotë” autocensura” ku e ku ka qenë më e frikshme se censura. E shkrova vërtet si një pamflet, po, kur të nesërmen po nisesha në shkollë, u ktheva nga rruag dhe e grisa. Frika më hyri në palcë. E kam rishkruar, në vitet e postdemokracisë, po nuk pati atë “vlagën” e njëhershme. Dhe, pse e sjell si një “antipastë” këtë, për të thënë edhe diçka: veç tjerash, në shkrimin tim, qortoja dhe Vllasovën. Si të brishtë që e ndau. Lexoj tani poezinë (veç kësaj dhe disa të tjera ku dashuria për Kujtimin lakohet në të gjitha rasat e shqipes) dhe them: populli me të drejtë thotë: ” E sheh tjetrin me një pallë, po nuk e di se si e ka hall”. Për të shpëtuar familjen, bën divorc. Por thellë në zemër, Kujtimi ka qenë dhe është. ende pranë saj; pranë të bijës, Anit dhe si një përjetim i bukur: vet emri i të nipit, Tim është një fshat që duket dhe nuk do kallauz. Me dashurinë për Kujtimin ajo është mar me disa poezi. Në poezinë “Në Venecia” ajo, thotë mes tjerash: i dashuri im, endet në qiell.

* * *
Për t’ju dëshmuar,sado pak, se sa e kanë dashur njëri-tjetrin ky çift, do mjaftonte t’ju silja një poezi të hershme të Vllasovës. Më ndiqni:” Nëma ta thith, i dashur, llullën tënde/Nëm të pi me të një grusht duhan/Kur të dua ty, dua gjithë botën/ dhe nuk ka forcë që nga ty më ndan/.
Nëma ta thitih, i dashur, llullën tënde/ Nëm të pi duhani që dua/ Le të marë bashkë me nikotinën/ Dashurinë e buzëve të tua/ Vetëm kaq dhe fare lehtë del në përfundimin, seç vrasje makabre i bën këtij çifti të bukur.
Mund të vazhdoja që të sillja për lexuesin dhe një varg poezishë të tjera, por dhe me kaq, mund të them, se me këtë vëllim poetik, Poetja e bukur, Vllasova Musta, bën apel dhe aspiron për kumte të bukur poetik. Sado e “vrarë” nga jeta, ajo nuk është ai “shelgu i trishtuar me sytë nga prapa”, por një shelg i gjelbër e vital që me poezitë e saj ta ngrohë gjakun dhe të mbushë me optimizëm.

* Për Panairin e Laipsingut me “Çfarë po ndodh me poetët” jam bazuar tek gazeta “Standard” 18 mars 2015.

Tiranë, 18 mars 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, perparim Hysi, poetja e bukur, Vllasova Musta

Murat Gecaj,me shpirt Atdhedashurie

March 9, 2015 by dgreca

Esse nga Përparim Hysi/
Për t’i thënë gjërat më hapur: kushdo që do shohë shkrimin, do shtrojë pyetjen e drejtpërdrejtë: kush është Babushi? Dhe fill pas kësaj vjen pyetja tjetër: si paska mundur të “zhvendosë” moshën? Për të mos lënë lexuesin që të futet në hulli të panjohura, po shpjegohem.
Babushi është Profesor Murat Gecaj. Dhe ky titull “Profesor” nuk është honorofik, por i mbrojtur me djersën e ballit si një diturak në fushën e pedagogjisë dhe në atë të publicistikës. Sado me tituj shkencorë ( doktor i shkencave pedagogjike qysh nga viti 1992 dhe më 1996 “Profesor i asociuar), ai është më i thjeshtë se thjeshtësia dhe i kudondodhur në të gjitha eventet: shkencore, publicistike, artistike, kulturore. Ka një përkim të çuditshëm tek Murat Gecaj: sado që është 75-vjeç, ai është aq dinamik sa të jepë përshtypjen e një mesoburri aq vital, sa zë i beson një thënieje të tij: nuk jam 75, por 57-vjeç. Dhe vërtet: kushdo që e sheh për herë të parë, kështu e çmon.Prag gjashtëdhjetave dhe aq. Unë që e njoh, disi më më mirë, ia di sekretin kësaj “zhvendosjeje moshe”. Burimi është diku tjetër: tek Katrina, bashkëshortja e Muratit.
Mos më kujtoni se jam pak i njëanshëm. Po dua të jem i saktë: thotë Gëtja diku:” Nëse një burrë i moshuar (Babushi është i tillë sipas datëlindjes), është i mbajtur mirë dhe nuk e tregon moshën, merita është e gruas së tij: ka grua të mirë. Nga kjo anë, Babushi, ka patur fat. Tek them kështu, nuk shkruaj me apriori, por nisem nga fakte.
Unë, zonjën e nderuar Katrinën e Babushit, nuk e kam takuar asnjëherë. Vetëm kam folur në telefon dhe, megjithëse nuk e kam takuar, e kam formuar opinionin tim për të. Dhe ja përse:

– Alo! Jam Përparimi.
-Urdhno!
-A mund të flas me Babushin?
– Babushi ka ik.
– Ku?
-Në tubime.Dikush po promovon një libër a ka një takim në shkollë.
-Po a gjithmonë kështu bën?
-Po, mor. Nuk ka ditë a mbassditet.
Pas këtyre bisedave që janë bërë të zakonshme, kur e kërkoj Babushin, si “ngacmues” që jam, një ditë i them Katrinës:
– Po pse nuk e bën “dalje” mor atë burrë?
– Po e du,se asht i mirë “dreqi”.
E solla për lexuesin, për ta njohur më mirë këtë “dreq” që vërtet është i mirë. Po në këto replika që sjell, nuk është vështirë që të ravijëzohet portreti i një zonje të nderuar si Katrina, të cilës i kërkoj ndjesë që e citoj në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa i marr lejen.
E mendoj ndonjëherë Babushin si një element kimik dhe them: në vetitë kimike do ishin të tilla që të përcaktonin dinamikën e një njeriu, Babushin, Mendeljevi do ta fuste tek zhiva. Se zhiva nuk mbahet në dorë. I tillë është Babushi: dinamik, i mpulsiv dhe i gjendshëm si askush. Me karakter burrëror, trashëgues i geneve nga Nikaj-Mërturi i Tropojës.
Ka një biografi të pasur pune: gati 60 vjet me shtypin që nga “Pionieri”, “Bashkimi” dhe për 22-vjet me radhë në gazetën “Mësuesi”. Siç lexuat dhe më lart, nuk ka qenë një gazetar dhe aq: ka qenë diturak që ka ngulur kokën në shkencën për të cilën punonte dhe,ndaj ka mbrojtur ata tituj shkencorë. Sado që ka kohë që ka dalë në pension, ky “zhvendosës i moshës” është aq aktiv sa të çudit. Po ta ndjekësh në veprimatritë ku merr pjesë, në shkrimet që boton, atë nuk e ndjek dot. Sikur të qe objekt i gjeografisë, atë nuk e hedh dot në hartë. Shkrimet e tij i gjen në tërë botën. Është “internetist” që nuk ka shok. Në Evropë e gjen në Angli, Itali, Zvicërr dhe,sidomos, në Suedi ku me bashkëshokun e tij të penës, shkrimtarin Viron Kona, sikur janë bërë “suedezë”. Me gjithatë, këtij atributi”suedez”, do t’i kthehem sërishmi.E gjen në Amerikë e Kanada dhe kudo ku ka adresa “online në internet.
Po para se të vijë tek objekti i essesë sime, dua t’ju them që Profesor Murat Gecaj ka në biografinë e tij letrare të botuar deri tani 13 libra (të gjinive të ndryshme) dhe të 14-tin e ka në procesbotimi. Dhe mos kujtoni se ai ndalon me kaq: nga një “57-vjeçar” priten plot libra të tjerë,që flenë në “ordinator” për arsye financiare. Shteti dhe minsitria e kulturës qoftë dhe për një diturak si Profesor Murat Gecaj, deri tani nuk është bërë e gjallë.

* * *
Shkrimi im modest i kushtohet një eventi të gëzueshëm për Babushin. Miqtë e tij në Suedi, Bahtir Latifi dhe Sokol Demaku bën të mundshëm botimin e librit të Babushit “Me shpirt Atdhedashurie”
Libri ka 8-pjesë.
Në pjesën e parë, janë përshtypje për kolegë e miq nga Suedia. Padyshim, kur e lexon shikon jo vetëm ato lidhje aq miqësore e Babushit dhe “suedezit tjetër”, Viron Konës, me shqiptarët në Suedi, por dhe atë alkimi miqësie,sa të zjarrtë aq të ngrohtë. Pa dyshim, kjo “alkimi” nuk ka ndodhur për sytë e bukur, por qoftë Babushi dhe qoftë Viron Kona jo vetëm kanë kontriubuar me shkrime, por dhe kanë “shkëmbyer tepsitë” me shqiptarë që banojnë sa në Boras të Suedisë,aq dhe në ndonjë qytet tjetër. Kjo miqësi reciproke bëhet më inkadeshente se ka dhe suedezë që janë dëshmitarë të këtij kontributi.

Në pjesën e dytë, ka skica e reportazhe miqësore. Si lexues, nuk ke si mos ndalesh në “dymbretëreshat”: njëra- mbretëresha e Suedisë dhe tjetra: hipotetike . Është shqiptarja Teuta Halili (ka emrin e mbretëreshës ilire). Po kështu njihesh me “sozinë” e Vaçe Zelës aliaz Pagarusha që për fat të mirë është ende gjallë. Po këtu njohesh me vajzën që i ka shkruar presidentit Bush jr dhe ka marrë letër nga ai(Fjala për vogëlushen Sara Titka).
Pastaj, Babushi, hynë në fushën e tij: me ishgazetaren Albana Melyshi(tani në Amerikë). E gjen në “Ditën luleve” në shkollën Dora D’Istria. Shkruan me mirënjohje për 5 çupat e mësuesit veteran Elez Gashi.
Në pjesën e tretë:
Shkruan për tubimin kulturoro-shkencor të profesor Alfred Uçit për “Estetikën e Migjenit”.Mandej kujton përmjet shkrimit të Mësueses së Popullit,Urti Osmani, për mësuesin e merituar Shefki Osmani.
Për Kolec Traboinit që ka tri gëzime në një ditë. Për komandantin e aviacionit,Edip Ohri.Për Ali Ibër Nezaën,sipas poetes Ganimet Thaçi.
Në pjesën e katërt:
Për mësuessen Lumturi Vladi dhe libra të saj. Për poeten Reshite Çoba dhe librin esaj “Unë gruaja R…”.Për Merita Gjonin që na rrethon me “duar dashurie”; me Nafie Saliun me” Mos e vrisni dashurinë” dhe më e veçanta, sipas meje, është poetja Mimoza Agalliu.Ka mbaruar për histori e gjeografi; për biokimi; për infermieri dhe është dhe poete.
Mandej, ka një varg poetesh të tjera, që Babushi i ka përfshirë në këtë pjesë,si: Lida Lazaj, Enkelenda Kondi,Zyba Hasa,Shpresa Vreto,Enkelenda Tahiri, Mirëvjen Ilazi e të tjera. Një vend të veçantë ka dhe për dy poete ulqinake:Albana Rrashi e Flutura Mustafa.
Në pjesën e pestë ka shkrime përkujtimore,si: për “Papa Klemenitn XI-Albani”: për aktoren Besa Imami. Për të pavdekshmin dhe buzagazin, Riza Lahi; për mikun e tij të shtrenjtë, shkrimtarin e ndjerë,Skënder Hasko; për të ndjerën dhe të bukurën Rozi Theohari.
* * *
Në pjesën e gjashtë ka portrete miqësh e shokësh,si: Dritëroi është dhe “Tropojan”: për këngëtaren Dila Gecaj që ” ka lindur bashkë me këngën”;me një shok që e ka takuar pas 60-vjetësh(GJeto Vocaj); pë mësuesin dhe gazetarin të porsadalë në pension, përmetarin,Sejdo Harka.
Në pjesën e shtatë, ka një skicë” Nderim për mësuesët dhe pedagogët tanë” dhe, veç kësaj, një shkrim për një mësues veteran Rexhep Demi që ka hapur shkollë shqipe në Çamëri në vitin 1899.
Ashtu si “bakllavaja” që hahet në fund, dhe në librin e Profesor Muratit, në pjesën e tetë, ka diçka të “ëmbël”: janë katër poezi të tij dhe ca sentenca të tij. Kur thosha që Babushi me Viron Konën janë “suedezë” nuk është se trilloja. Ja “suedezi” Babush i ka kushtuar një poezi sinjifikative Suedisë. Aq mbresa ka prej Suedie,sa dhe poezinë e ka titulluar: “Suedi, e bukura Suedi!” ( Suedi.e bukura Suedi/ dua të jem zog, të vij të shikoj…/.Poezia tjetër është “Dy koburet e Isë Boletintit”,.E treta për nënën”Silueta e nënës” dhe e katërta” Ah, ky mars 1991″ (sa dhimbje e kujtime më sjell…). Në fund fare, meditime që kanë vlerë sentencash.
Duke e mbyllur shkrimin tim, pyes veten: ku e gjen këtë energji kaq brilante ky, Babushi? Dhe përgjigjen e gjej: Babushi dhe Katrina janë të lindur në mars. A nuk është marsi -mbret i luftës. Ndaj Babushi është kaq i gjallë e dinamik.I hanë “brirët” për “luftë”, po jo për luftë militare e kobëndjellëse, po për jetë të gjallë e luftarake. Si marsianë ( datëlindjte i kanë aq afër me njëri-tjetrin,sa kanë gjetur një të mesme:datën 20 mars si datëlindje) unë ju uroj jo vetëm jetë të gjatë që të dy, por vetëm gëzime e suksese. Rrofshë Babush për kontrbutin që jepë në gjithë këto evente me kaq vlerë.
Tiranë, 9 mars 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Murat Gecaj, perparim Hysi

Ekzistencë si hije e pakuptimtë

October 19, 2014 by dgreca

Shkruan: Dr. Ilir Muharremi/
Nga e si mund të them që njoh veten: gjakun, muskujt, egon, të gjitha që më shtyjnë të mendoj apo t’i zhvesh ngadalë. Ato që mund t’i pohoj e argumentoj janë momenti i vdekjes, ombrellat e përjetësisë. Këtu lind shumimi dhe krijohet diçka për të vazhduar. Në esencë këtë diçka prapë e kap me mëdyshje, sepse mendja, inteligjenca, vetëdija zhvillohen me kohën, ose koha nuk mund t’i zërë të zgjedhurit. Nuk dua t’i ik vetes, nuk jam hije e vetes, nuk më kërcënojnë hijet, të cilat si ofshama me dihatje puqen mbi mua. Shushunja është kërcënim për individin egoist, i cili nuk ndikohet nga kënaqësitë e instinktit. Unë jam instinkti im, ndjenja ime, egoja, peneli i shpirtit, por prapë dyshoj në atë që më kërcënon. Ato që ma bëjnë më të lehtë për të jetuar janë e mira dhe dashuria, por jo dhimbja, e cila kërcënon lartësitë. E vështira për të ngritur gurin në majë sprovon ekzistencën time absolute, që vështrohet nga absurdi. Unë dhe bota, unë dhe fryma lirshëm aterojmë. U zgjidhëm, ngaqë kështu dëshiruam. Po për çfarë? Askush nuk gjen përgjigjen. Vërtitet si një palaço, bën skena, teatër fjalësh e shprehjesh, por prapë pyetje, enigmë, pa përgjigje. Dhe çka ndodh? Pyetje nga të cilat lind pafundësia dhe krijohet ngjyra mbi përjetësinë, e cila nuk ka faj ndaj asaj që e kërcënon. Përse duhet të lindim ne? Përse duhet të luajmë në jetë? Përse nuk ishim? Por, ndodhemi tash. Aksidentalisht. Ndoshta si pasojë, por jo si kënaqësi. Apo si kënaqësi që viktimizohet e aspak nuk shërohet. Ne jemi këta, shfrytëzojmë frymën, ushqejmë trupin, urinojmë, e kthejmë atë që hamë, prapë duhet të kthehemi, aty nga kemi ardhur, ose humbasim rastësisht. Por, po të ishim rastësisht, do të jetonim rastësisht në këtë univers enigmatik, i cili në shpirt ka zinxhirin e vlerave që nuk mund ta këpusësh. Shprehje budallenjsh, filozofësh, të cilët përpiqen të ikin, por prapë janë shembje e vlerave ideale. Vdekja. Ajo është armiku, perandoria e pakohë, që nuk ka shpartallim. E, në momentin kur u përcaktova, edhe vdekja ngriti dolli me jetën time si një figurë a imazh, që jeton diku thellë në kokën time. Çdo gjë mbaj me vete, por nuk ia di arsyen. Por, kuptim do të kishin të gjitha vlerat sikur të dinim se çfarë janë. Kjo është ajo që na obligon të jetojmë në oazën e përjetësisë enigmatike. Dhimbje, enigmë, përjetësi. Asgjë dhe gjithçka, por prapë pyetje. Lehtësisht shkruaj, por prapë nuk e paraqes atë që e ndjej në thellësi, sepse diçka tjetër është ajo që thellë dhe zbehtë del në letër e pëlhurë, apo në ndonjë material tjetër arti. Unë shndërrohem në një viktimë, në një skllav të ndjenjave, të shpirtit e të trupit. Diçka tjetër isha dje, diçka tjetër jam sot, por prapë jam ky i njëjtë që shkruaj, nuk ndryshoj për asgjë në thellësi. Ajo kujdeset për veten. Jeton qetësisht. Jeta është një faqe e historisë, e shkurtër për ta jetuar gjatë, e pamenduar për të ardhur, ose asgjë momentalisht, predikim për të menduar, gjykim për t’u përballuar, ose piun i dirigjimit të përjetësisë. Përjetësisë egoiste, individuale, që ec dhe prapë ec mbi atë ose nën atë që duhet, por duhet. Çfarë ndodh duhet të ndodhë, ndoshta ka ndodhur, do të ndodhë, sërish do të ndodhë, andaj unë interpretoj vetveten, ekzistencën ndoshta absurde, postmodernen, shërimin e vetes. Shërimi nuk ndodh nga përvoja apo nga ndonjë terapi, por kuptimi dhe zëvendësimi i asaj që kërcënon. Ajo shtypet e pafuqishme e sërish jeton. Sido që të jetë, prapë jeta ec, e ajo, vdekja merr në mënyrë procedurale. Ne dergjemi si kufoma të gjalla mbi jetën. E dimë vdekjen dhe frikësohemi, sepse më e bukur, më pragmatike na duket fryma, pra jeta. Prapë jemi të huaj, vetmitarë dhe hije për jetën tonë. E duam të përjetshme, por nuk dimë kuptimin e gjakut, të zemrës, të frymës e të trupit, të cilat na shoqërojnë. Mbase edhe ato nuk kërkojnë përgjigje. Përgjigja më e kthjellët është lozja me atë që na vjen, ngaqë duhet të vijë ose nëse nuk vjen, duhet ta ndryshojmë. Po sikur ta ndryshojmë, nuk do ta zotërojmë dhe prapë do të jemi viktima të aksidentit që duhet të jetojmë si sakrificë e jetës për të ardhur në finalen vdekje. A mund të konstatojmë se jetuam dikur dhe jetojmë prapë, ishim dhe më nuk jemi, me një shenjë libri, pikture, poezie, e cila jeton me emrin tonë. Po ne ku ikëm?! Pse erdhëm për të ikur?! Pse nuk qëndruam absolutisht mbi absoluten, por u shpikëm si relativë, asimetrikë ndaj simetrisë, e cila është reale. Jemi simetrikë, për të shpikur asimetrinë. Ndoshta e tëra duhet të ndodhë. Edhe ky shkrim është planifikuar të vazhdojë, apo të vë pikën e fundit për të më lexuar dikush. Të vulos ekzistencën time për të cilën edhe pas vdekjes do të kërkoj shpjegime. Por prapë nuk do ta di se për çfarë isha në këtë tokë. Nuk do ta quaj lavire, e cila vazhdon të prodhojë fëmijë pa arsye, vetëm për të vazhduar dhe për të na shfrytëzuar neve si materie, qenie të gjalla, që kanë humbur kujtimin e lindjes. Ndoshta asnjëherë nuk ka ekzistuar ndonjë realitet për t’u kujtuar tashmë. Çdo gjë fillon nga fillimi, por edhe ai fillim nuk është fillim. Zemra ime nuk rreh për herë të parë në lindjen time. Jam hije, i panjohur, i huaj për zemrën, trupin, vlerën, ekzistencën time në tërësi, e cila qëndron e bashkuar me të gjitha forcat lëvizëse. Nga mendja nuk mund ta nxjerr të pamundurën, sepse e mundura është në këtë botë. Ajo është vijëzuar në kokën time të kthjellët. Dhe kështu jemi egoistë, të ditur, të vendosur ndaj vetes, por prapë pa ndonjë përgjigje për veten. Nuk na duhet fama, sepse ajo shkatërron individualitetin tonë. Të mëdhenjtë nuk janë të famshëm për veten, edhe pse prodhojnë mendime të ëmbla sikurse fiku që bie nga pema. Unë do të jem gjithnjë akull i ftohët, qetësisht i zhytur në qenien time, e cila nuk më tregon asgjë për të vazhduar. Përpiqem, përpiqem ta hulumtoj atë thesarin që e posedon gjithkush, ngaqë jemi familje në këtë univers të brishtë, të paarsyeshëm, të palogjikshëm ndaj logjikës, të paarsyeshëm ndaj arsyes, të etur ndaj etjes, të ftohtë ndaj nxehtësisë, të zinj ndaj të bardhës. Pra, gjithnjë e kundërta për t’u relaksuar dhe për të krijuar atë që nuk mund ta krijojmë, por vetëm ta kuptojmë. Jemi ujëra të zeza në ujërat pa ngjyrë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ekzistenca, esse, Ilir Muharremi, si hije

BRITMA UNIVERSALE E ENTELA KASËS

October 14, 2014 by dgreca

Esse nga Novruz Xh Shehu/
Një britmë e llahtartë, dhimbje në kufijtë e padurimit, ankh e tmerr në lakuriqësinë tronditëse të një realiteti, që vështirë të besohet nga ndonjë banor tjetër i planetit, ku jetojmë, është romani „Të Korrat e Krishtlindjeve“ të Entela Kasës.
Dje, data 11 tetor, në Bibliotekën Kombëtare, takova prof Bardhosh Gacen i cili kish ardhur për një arsye të pazakontë:Kërkonte dy viza në ambasadën Italiane, për të shpurë dy mbesat në një fondacion në Gadishullin tjetër!!!!…Pse?!, lind pyetja në natyrshmërinë e dialogut dhe përgjigja është:Në datën dy shkurt të vitit 2014, babai i tyre ja preu kokën nënës 9bashkëshortes) me thikë në orën 2 00 të natës, e ngriti pastaj nga flokët dhe e vendosi mbi tavolinë, e shikoi nëse kish vdekur patjetër, i futi një grusht hundëve, mbylli derën me celës dhe iku…!!! (I dënuar për disa vite burg, po luan në qeli domino për cdo natë,… sipas të dhënave)
Film horror?…Produkt i një mëndjeje të sëmurë?…Jo…është realiteti ynë…i vendit dhe komunitetit ku ecim e marrim frymë, ku lindëm e lindim, ku na rritën e rrisim…
Po cfar ka të përbashkët Britma e vajzave para kokës së prerë të nënës dhe Britma e Entela Kasës?
Natyrisht pa e lexuar, vështirë se mund të kuptohet e përbashkëta dhe e vecanta.Por në Shqipëri ashu si harrohet tragjikja, e neveritshmja, e llahtarta, ashtu kalohet thuajse pandjerë e madhërishmja, e mrekullueshmja, ajo që mbart si dhe nobelisti francez i këtij viti, Modiano,- Kujtesë artistike të njeriut ndaj historisë.. Kur kujtesa cekuilibrohet, kombi e gjithë kombet padyshim që marrin rrukullimën.
Të Korrat e Krishtlindjeve shihen atje larg, në fundin e veprës, atje në mbytjen e dhimbjes, trishtimit, në dëshirën për të shkruar e harruar, për të nxituar, për të mjekuar më magjinë e dashurisë viktimën e një monstruziteti fatal, në një sistem fatal, në një kohë fatale, me njerëz pantera e pantera që s’mund të arrijnë tek krimet e Njeriut, në një tokë të vogël, me hartën në formën e një vaporri të ankoruar në gadishullin grindavec, prodhues i tragjedive dhe Dashurive të mëdha.
Klea, Kasandra, Edipi, është trinia mbi të cilën ngrihet subjekti i romanit, ose më sakt është trinia që ngrihet për të marrë pjesë në dramën dhe tragjedinë e një monumeti që sic thotë autorja ka për piedestal një mur më të madh se sa ai Kinez, e më të fortë se sa ai i Berlinit…
Pa këtë trini, s’do të merrnim vesh kurrë se cfar jetë njerzish kish marrë ankthi për ngritjen e këtij monumenti, në një shoqëri të sëmurë nga Kolera e Komunizmit, ku mjekët komunistë mundohen ta kurojnë, por s’mund ta harrijnë fatkeqësisht..Dhe të vdekurit vazhdojnë…Dhe Kasandra parashikon apo thërret kujtesën e flet për atë që ka ndodhur, Klea gëlltet lumenjë dhimbjeje të vdekjes së të dashurit të saj në emigrimin biblik,…Edipi (Ezopi) mundohet e stërmundohet të paraqes filozofinë e tij duke carë në këtë oqean ndjesishë, dramash, tragjedishë, me tmerrin e lindjes së tij nga dy prindër monstra të gatuar mjeshtërisht në magjen e Njeriut të Ri të asaj që quhet diktaturë…
Cfar është ky monument, që sa nis të ngrihet vendosen në themelet e tij njerëz, që duan Lirirnë të përjetëshme, të afërm të atij, që do të ngjitet në piedestal apo fëmijë të atij që do të ngrihet mbasi ende nuk i janë gjetur eshtrat mbas pushkatimit diku, dikur, por jo në mijëvjecarët e shoqërisë primitive, jo në mesjetën e fanatizmit, që prodhoi tragjedi, por pikërisht në ditët që jetojmë?!…(.Se jo më kot qëllohet përfaqësuesi i popullit në parlament, jo më kot vritet gjersa gjashtë plumba nuk mund ta permbysnin dhe tani fshihet realiteti nga kujtesa se nuk e vrau një deputet tjetër injorant apo kriminel i lindur, por psikologjia e antinjeriut, psikologjia e krimit e ngjizur, e pllenuar, e lulëruar në njëgjysëm shekulli e vazhdon të lulërojë me aq bujë..A shtu si monumenti i Të Korrave…, monumeti Azem Hajdarit qëndroi në haur, dhe tani që e nxorrën vendosën ti shpinin lule dhe vrasësit duke qarë tërë britma!!!)
„ Monumentin duket sikur e kanë harruar, ndoshta e keni parë murin prej betoni në shesh, deshën t’i vinin dhe eksploziv…Ka mbetur atje si gur varri…“(f.98)
Dhe Klea vëzhgon, dashurohet edhe nga ata që se meritojnë dashurinë e saj.Por Ajo të tërëve ju jep Dashurinë si të vetmen kurë shëruese, duke ndjerë domosdoshmërinë e shpëtimit të këtij komuniteti të sëmurë për vdekje…“
. ..“ajo që mbetet njëkohësisht me frymën e ikur është Dashuria… ajo dashuri që asnjëherë nuk ngopen jetët tona të mundimëshme, ku dhimbja është mbretëresha e përsosjes së qënies…“(f,52)
… „Thuhet se historitë përsëriten si vet historia e njerëzimit, ndoshta në vënde të ndryshme…“f.19.(A nuk janë të gjitha simotart e tragjedive të përbotëshme në të gjitha shtresat kohore, pikërishtësot në vendin tonë të shtrenjtë?)
„Sikur njerizit të shkonin më shpesh në vorreza, nuk do të kishte kaq krime“(f.28)…(Thirrja e shkrimtares vështirë se dëgjohet në shurdhënajën e krimit.)
„Liria qëndron mes dy rrugëve si një zgjdhje e vetme e në varësi të zgjedhjes ajo bëhet e përjetëshme“(f,64)..Një mesazh filozofik që përshkon palcën e romanit, një përkufizim brilant i saj, si të kemi të bëjmë me një zonjë njëmijëvjecare e jo me një vajzë të re që merr përsipër të sjell me tër fuqinë e mundëshme të fjalës artistike Kujtesën, për atë që shkoi e që ende përsëriten në mënyra moderrne, në vrasje më telekomandë që nga mijëra kilometra larg, ndoshta dhe nga hëna…Por ama i vdekuri është i vdekur…Po a kanë arritur bashkombasit përzgjedhjen e duhur të Rrugës së Lirisë?..Vështirë të thuhet Po dhe s‘dihet se kur do të thuhet ndonjëherë!
„Vdekja vetë është sosje materjale e lëndës, ngrirje e saj, e kështu jeta i largohet formës së njeriut, por shpirti i ikur diku, jeton rrugëtimin e tij të pasosur“(f.77)..(Shpirti i hedhur në shkronjë nuk mund të largohet në qiej me komunitetin e të vdekurve.Kujtesa në shkronjë tmerron kriminelët, politkanët, fshehësit e historisë…Ndaj autorja deklamon përjetësinë e shpirtit nëpërmjet Kujtesës që ta jep vetëm shkronja.
Është një tragjedi filozofike dhe Filozofi tragjike, romani i Entela Kasës…I vështirë për t‘u lexuar nga dramaciteti, ankthi gjer në tmerr që mbart në cdo faqe, por i domosdoshëm për një shoqëri që kërkon të shërohet mbas një sëmundjeje të gjatë, në një vënd të shndërruar në eksperimet pavllovian, ku njerzit në metamorfozë ushqyen me tërë forcat e ndërgjegjësuara instiktet e një specieje tjetër…
Kujtesa artistike është i vetmi shpëtim për komunitetin njerëzor, është anamneza para nisjes së kurimit të një sëmundjeje fatale…Ndaj dhe fitoi cmimin Nobel hebreu i Francës, por Entela Kasi kish shkruar një vit më parë Të Korrat e Krishtlindjeve.
A do të lind një ditë Krishti për shqiptarët?..

Tiranë, Tetor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: britma universale, ENTELA KASI, esse, Nuvruz Shehu

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT