• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONFERENCA E PEZËS,QËLLIMI KULMOR DHE PSE U TRADHËTUA AJO NGA KOMUNISTËT SHQIPTAR

September 17, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/

 Është tejet e rëndësishme të rizbulosh sot idetë,vendimet dhe qëllimin kulmor të Konferencës së Pezës,e  cila ndonëse u mbajt shtatë decenie më parë,ka vlerat e saj permanente.Kjo rëndësi nuk matet askurrë me vlerat e relikeve të historisë së kombit tonë,përkundrazi është një nga segmentet më të rëndësishëm të lëvizjes kombëtare shqiptare kundër pushtuesit italian dhe si e tillë vlen të ndriçohet deri në skutën më të errët të ngjarjeve apo fakteve.Ndriçimi i plotë i saj,anipse do të nxirrte në shesh të vërteta të mëdha,të fshehura deri më sot,do t’i bënte nder krejt shqiptarëve. Mendoj se shkoj pak më përpara se 16 shtatori i vitit 1942 ( ditë kur nisi punimet Konferenca e Pezës) duke dashur t’u risjellë lexuesve të mij,truallin që shpinë në dëmosdoshmërinë e këtij kuvendi

Agresioni fashist italian,bëri që mjaft prej atdhetarëve shqiptarë të rroknin armët për të mbrojtur vatanin.Heroi i kësaj rezistence kombëtare ishte major Abaz Kupi,i cili ndonëse i zbrapsi dy herë ushtarët italian në Durrës,nuk mundi gjithsesi të ndalte vërshimin e 40 mijë ushtarëve italian,të paisur me armatim e paisje luftarake moderne.Sidoqoftë,edhe pas prillit të zisë shqiptare,rezistenca kundër okupatorit nuk u shua.E vërteta është se kjo rezistencë,përgjithësisht drejtohej nga elementë nacionalist,të cilët patën organizuar disa çeta të vogla luftëtarësh dhe kryenin aksione ndaj formacioneve të vogla luftarake italiane,duke mos patur mundësi për të hapur vija fronti të rregullta.Sipas të dhënave të komandës së Lartë Italiane në Tiarnë,në vitet 1940-1942,këto çeta që vepronin në mënyrë periodike,nuk i kalonin të 100 vetat dhe armatimi e paisja luftarake e tyre linte shumë për të dëshiruar.Të parët udhëheqës të këtyre çetave ishin :Muharrem Bajraktari,Gani Kryeziu, Ram Mujo,Myslim Peza,Ismail Petrela,Kristaq Peshtani,Mestan Ujaniku,Pëllumb Dishnica,Hysni Lepenica,Bexhet Mema etj. Prej këtyre udhëheqësve,vetëm 2-3 u bashkuan më pas me lëvizjen nacionalçlirimtare.Të tjerët mbetën deri në fund të jetës,heronj të lëvizjes antifashiste dhe idhtarë të shquar të bashkimit të krejt viseve shqiptare.Por ndërsa nacionalistët shqiptarë kishin një lloj organizmi dhe udhëheqjeje ( kuptojmë këtu traktatin mbi nacionalizmin shqiptar të firmosur nga Mid’hat Frashëri,Hasan Dosti,Faik Quku dhe Fuad Dibra në prillin e vitit 1939) Komunistët shqiptar prisnin ndihmën sllave për organizimin e tyre.Në fillim të vitit 1941,shkon në qytetin e Shkodrës,Miladin Popoviqi si dërguari personal i Titos,i cili do të krijonte lidhjet e para të komunistëve jugosllav me ato shqiptare.Në këtë mision kaq të rëndësishëm komunist,ai shoqërohej nga Fadil Hoxha,edhe ky komunist nga Kosova,mbi supet e të cilit rëndojnë mëkate dhe krime prej disa deceniesh.Menjëherë pas këtij takimi,dy komunistët shkodran Qemal Stafa dhe Vasil Shanto,i shkruajnë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave një letër me anë të së cilës i kërkonin që ajo ti ndihmonte për organizimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri.Letra u dërgua në Beograd prej Fadil Hoxhës dhe pazaret e para midis bollshevikëve jugosllav dhe atyre shqiptarë,nuk vonuan.

Më 11 tetor 1941,në Vitomiricë,janë takuar Koço Tashko,Elham Nimani,dhe Xhevdet Doda ( nga pala shqiptare) me komunistët jugosllav Boro Vukmiroviq,Dushan Mugosha,Pavle Joviçiq dhe Ali Shukriun,të cilët kanë diskutuar rreth organizimit të komunistëve të Kosovës.Madje nga ky takim siç pohohet gjërësisht në dokumentat jugosllave,është folur gjatë për organizimin dhe krijimin e Partisë Komuniste edhe në Shqipëri.Dy javë më pas,ka qenë Miladin Popoviqi,i cili me anë të një letre i drejtohet Vukmiroviqit që të shpejtohet puna për krijimin e Partisë Komuniste në Shqipëri. Tekstualisht,në këtë letër,pos të tjerave thuhet ; “Dikur shoku Tito ka thënë se P.K.Sh.,nëpërmjet partisë sonë mund të lidhej me internacionalen Komuniste.Tani egzistojnë kushtet për krijimin e PKSh dhe të lidhjes së shokëve nga Shqipëria,nëpërmjet Komitetit Krahinor të Kosmetit.Për këto arësye, kërkohet lidhja,edhe për arsye të dërgimit të informacionit të nevojshëm Komitetit tonë Qendror,për direktivat e punëve të mëtejshme”.(Gazeta “Rilindja”-Tiranë,Rreth formimit të PKSH” më 2 korrik 1995 ).

Që komunistët jugosllav u shtruan këmbëkryq në Shqipëri dhe Kosovë,kjo u duk edhe në traktet e para të krijimit të P.K.Sh. Ndonëse janë quajtur “historike” këta trakte do të mbetetn në historinë tonë kombëtare si turpi i radhës së komunistëve shqiptarë.Në këto trakte të shpërndara si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri,nuk shkruhej asnjë rresht për problemin madhor të bashkmit të trojeve etnike shqiptare por vetëm i bëhej thirrje popullit të merrte armët e të luftonte duke patur si busull orientuese “mësimet” e Titos dhe të Stalinit.Që nga vjeshta e vitit 1941 e deri në dimërin e vitit 1944,të dërguarit e Titos në Shqipëri,kanë asistuar në të gjitha takimet,konsulltat vendimet apo edhe luftime të komunistëve shqiptarë.Asistenca e tyre.ka qenë kurdoherë në rolin e “të madhit”,të pjekurit i cili kurdoherë ka të drejtë për të drejtuar e vepruar. I solla jo rastësisht këto fakte,pasi pikërisht në Konferencën e Pezës,komunistët jugosllav dualën hapur si ideatorë të shquar prapaskenash duke mbjellë jo vetëm farën e ndyrë të komunizmit bollshevik por edhe mëritë e para midis udhëheqësve komunist dhe atyre nacionalistë shqiptarë.

Në të kundërt Balli Kombëtar,si përfaqsues i vërtetë i nacionalizmit shqiptar,kërkonte organizimin e lëvizjes kundër okupatorit,vetëm mbi baza të udhëheqësve shqiptarë,pa u futur kursesi në tutelën e të huajve.Kredoja e prijësve kryesorë të Ballit Kombëtar,ishte që shqiptarët vetë të ngriteshin dhe të udhëheqnin luftën kundër pushtesve,duke luftuar vetë për fatet e tyre.Vetëm nëse ndodhte kjo,vetëm nëse i madh  e i vogël,pa dallim do të ngrihej nga thirrjet kushtrimtare,vetëm athëherë evropa do të kujtohej për të vënë në vend padrejtësitë e saj të bëra në vitin 1913.Ndërsa lidhur me problemin e Kosovës,përkundër slloganeve komuniste për internacionalizëm proletar,Balli Kombëtar,që në rezulltatet e para të tij të bëra publike,shprehej  qartë “ Çdo formë çlirimi që të mos kurorizohej me bashkimin me mëmedheun,është padyshim një zgjedhje e dytë “.

Në këto kushte u thirr Konferenca e Pezës.Në te muarën pjesë nacionalistë e komunistë të bindur se bashkimi i forcave të tyre do të ngrinte në një staf tjetër,më të lartë,luftën vendimtare kundër pushtuesit italian.U zgjodh pikërisht Peza për këtë kuvend pasi çeta e udhëhequr prej nacionalistit Myslim Peza,kishte krye disa aksione të shkëlqyera kundër italianëve.Rreth 20 kilometra në perëndim të Tiranës,vendi ishte krejtësisht i hapur dhe lejonte mundësinë e largimit të menjëhershëm të njerëzve,në rast të ndonjë sulmi italian.Midis të tjerave në Pezë,si përfaqsues të nacionalizmit shqiptar,shkuan Hysni Lepenica,Skender Muço,Ramazan Jarani,Azis Çami, Halim Begeja,Abaz Kupi,Myftar Kaloshi,Muharrem Bajrakatari,Kamber Qafmolla etj,ndërsa nacional-çlirimtarët me në krye Dushan Mugoshën,përfaqsoheshin prej Haxhi Lleshit,Ymer Dishnicës,Enver Hoxhës,Gogo Nushit,Liri Gegës etj.E shoh të udhës të sjell në këto radhë,një dokument me rëndësi ku bëhet fjalë për ndërhyrjen jugosllave në idetë dhe vendimet që do të merreshin në Pezë.Kështu,në letrën që Koço Tashko i drejton Kominternit në vjeshtën e vitit 1942,posaçërisht për Pezën shkruan: “Një ditë përpara konferencës,në mbledhjen e delegatëve komunist,shoku Miladin tregoi përsëri majtizmin e tij,tregoi dëshirën t’i maje nacionalistët në lidhje me partinë si individ,që të mos mundin nacionalistët të marrin një personalitet politik të organizuar pak a ashumë “ e nëse te na tradhëtojnë si Mihajlloviqi”… Me ate qëllim shoku Miladin propozon që konferenca të mos ketë të drejtë të krijojë këshillin e  përkohshëm Nacionalçlirimtar.”Ky këshill duhet të dalë nga lufta” dhe jo nga konferenca.Këtë e kundërshtuam të gjithë ne,përveç një antari të K.Q.Të drejtën s’mund tua marrim nacionalistëve të formojnë një Këshill,ata mund të formojnë edhe pa ne,po të bëhemi kokëfortë,se janë mbledhur dhe s’duhet të ikin duarbosh.Kur u detyrua të pranoje krijimin e  këshillit,shoku Miladin bën një tjetër propozim,po me atë qëllim : Këshilli të mos ketë të drejta gjersa të formohet shtabi madhorë i cili do të dalë nga lufta,të mbajë lidhje me çetat partizane e vullnetare,domethënë çetat vullnetare të mos lidhen përmes Këshillit,por përmes komisarëve tanë politik,përmes Partisë Komuniste Shqiptare.mbledhja s’e pranoi as këtë propozim “. ( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë . Fondi 14 , dosja 5 , fleta 12 ).

Mbas këtyre pohimeve të njërit prej krerëve kryesorë të komunistëve shqiptarë argumentet janë të tepërt.Ndonëse Miladin Popoviqi ka përdorur çdo  mjet për të vënë luftën mbarëkombëtare të popullit tonë,nën tutelën komuniste,ai nuk ja doli dot pasi u ndesh në rezistencën e nacionalçlirimtarëve shqiptar për bashkëpunim imediatë me forcat nacionaliste.Në këtë rrafsh është lehtë të miret me mend se udhëheqësit e nacionalizmit shqiptar,asesi nuk mund të bashkëpunonin me komunistët shqiptar,duke marrë urdhëra nga Beogradi.Për më tej nuk duhet harruar se udhëheqësit nacionalistë në ato momente shiheshin me respekt jo vetëm në popull,por edhe në pjesën dërmuese të komunistëve.Luftëtarët e të dy krahëve,kundër pushtuesit italian patën mbjellë farën e sinqertë të solidaritetit midis tyre dhe këtë llogari s’e kish bërë dot Popoviqi. Në Rezullucionin e paraqitur që në ditën e parë të Konferencës së Pezës,pasqyroheshin qartë luftërat e formacioneve politike shqiptare.Pa asnjë mëdyshje,aty pohohej se “grushti i fshizmit ka goditur dhe po godet me rreptësi,të gjithë ata,qofshin nacionalistë apo komunistë,që luftojnë me vepra zaptuesin dhe tradhëtarin”. ( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi 14 , dosja 1, Rezullucioni i Konferencës së Pezës ).

Pra deri në ato momente gjithshka ishte e barabartë,në kontekst të luftës kundër pushtuesit italian.Madje po në këtë rezullucion,thuhet tekstualisht “se vetëm në luftë kundër okupatorit janë hedhur dhe do të hidhen bazat e vërteta të bashkimit kombëtar”.Pra krerët e lëvizjes politike shqiptare,parashihnin në luftën e tyre të përbashkët kundër armikut,edhe bashkimin e shenjtë për ardhmërinë e kombit të tyre.Motoja e kësaj lëvizjeje mbarëkombëtare do të ishte ;Të gjithë në luftë kundër okupatorit,pa dallim feje,krahinë,ideje dhe rryme politike.Ngase ishte konceptuar e tillë që në fillim,në Konferencën e Pezës,ku muarrën pjesë nga kleri edhe dy baballarë bektashinj,të cilët ishin vënë në krye të çetave të luftëtarëve dhe patën zhvilluar disa luftime kundër okupatorit.Këta ishin Baba Faja Martaneshi dhe Baba Ahmeti.Nëse rryma nacionaliste mbisundoi në idetë dhe vendimet e marra në Konferencën e Pezës,duhet thënë se mjaft prej vendimeve u arritën përmes debateve të zjarrta nga përfaqsuesit e të dy rrymave politike.Udhëheqësit nacionalistë kundërshtuan që formacionet e tyre luftarake,të bashkoheshin me nacionalçlirimtarët dhe të quheshin çeta partizane.Azis Çami me të drejtë vinte në dukje se çetat partizane janë të partisë,ndërsa e mira ishte që ato të quheshin thjeshtë çeta të lirisë,ashtu siç  qen quajtur që në fillim të shekullit,kudo në trevat shqiptare.Formacionet nacionaliste asesi nuk mund të quheshin tani partizane pasi ato njiheshin nga populli qysh në qëndresën heroike të prillit të vitit 1939,atëherë kur partia komuniste shqiptare nuk pat lindur akoma.Po kështu ngjalli interes edhe debati i Hysni Lepenicës me Enver Hoxhën,lidhur me yllin e kuq që duhej të vendosej në kapele dhe në Flamur.Heroi i Gerhotit,Lepenica,me ate fjalën  e tij plotë elokuiencë e logjikë,kundërshtoi vendosjen e yllit të kuq,si simbole të komunizmit botërorë.Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet grupimeve politike shqiptare,ishin në rrafsh të çlirimit kombëtar dhe për këtë simbolet e shqiptarëve ishin të shenjta të ruajtura madje edhe gjatë sundimit pesë shekullorë të perandorisë osmane.Ndërsa vendosja e yllit të kuq mbi këto simbole,jo vetëm i përdhoste ato,por krijonte idenë e rreme se populli shqiptar zhvillonte luftë ideologjike,jo patriotike.Madje komunistët në Pezë,provuan të matin pulsin e nacionalistëve edhe lidhur me formën e regjimit që do të ndiqte Shqipëria.Ata nuk i kursyen lavdet e tyre për “lumturinë” e pakufishme në vendin e sovjetikëve,duke bërë thirrje të hapura që të përqafohej komunizmi ortodoks rus.Ata provuan atje lidhjet e ngushta me Kominternin si edhe ndihmesën e madhe që ky u kish dhënë,duke mbajtur kontakte me njerëz të ndryshëm,apo duke marrë ide dhe vendime “ të rëndësishme”,por kjo çështje u mbyll menjëherë pas fjalës që mbajti Abaz Kupi.Kjo fjalë,tejet e shkurtër por kuptimplotë,do të përfundonte ; “Më parë të çlirojmë atdheun,pastaj do të vendosim për regjimin politik”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë,Fondi 14 , dosja 1 , fleta 24 ).

Logjika nacionaliste triumfoi në Konferencën e Pezës,për vetë faktin se krerët e nacionalizmës shqiptare,ishin të prirë të mbanin mbi supe fatet e kombit,jo për kapitale politike të nesërme,por të zhduknin njëherë e përgjithmonë pushtuesin e të fillonin mbrothësinë kombëtare.Ata kërkonin dhe ëndërronin t’a shihnin vendin  e tyre,të shkonte drejt Evropës së qytetëruar dhe jo drejt diktaturës famëkeqe staliniste.Ata kishin ideuar dhe do të jepnin edhe jetën e tyre për shenjtërinë e Shqipërisë Etnike.Të gjitha këto çuan në një entuziazëm të rallë në Pezë,ku populli hapi dyert dhe zemrat për bijtë e vetë nacionalistë e komunistë.Kuptohet se edhe në këto momente,nuk ka heshtur për asnjë grimë ndërhyrja jugosllave.”Po Miladini s’u mjaftua me kaq,ai desh të sigurohej që si antarët e çetës,si Myslimi,të mos gaboheshin e të kujtonin që ndonjë tjetër ishte “kryetari” i Partis.Urdhërat kritikat, levdatat,qortimet që jepte shoku miladin s’lanë asnjë dyshim,as tek katundari më i humbur,përsa i përket kryesis së partisë”.(Arkivi Qendror i shtetit –Tiranë,fondi 14, dosja 5 , fleta 27 ).

Në këtë mënyrë  Peza po tradhëtohej që në djep.Ajo jo vetëm që po kontrollohej nga Beogradi,por krejt kundërshtimi që u bëhej nacionalistëve shqiptarë,buronte prej armiqësisë shekullore serbe ndaj kombit tonë.Ata që më vonë u rreshtuan me nacionalçlirimtarët shqiptarë,siç ishin Myslim Peza,Baba Faja Martaneshi,Haxhi Lleshi e ndonjë tjetër,sigurisht e kanë ndjerë peshën e madhe të përgjegjsisë ndaj kombit.Por nganjëherë komfortet dhe lukset e jetës në karakteret e dobët, dominojnë mbi moralin.Ata nuk vonuan të venë yllin e kuq në kapelet e tyre dhe në flamuj,duke dashur t’i servilosen Popoviçit e Mugoshës për të zënë vende në qeverinë e ardhshme shqiptare.Për më tej akoma,këta nacionalistë të dikurshëm,nisën të luftojnë çdo frymë kombëtare në formacionet që drejtonin,duke ecur verbërisht pas ideve bollshevike.E vërteta është se pas Konferencës së Pezës,u zhvilluan disa luftime të përbashkëta të partizanëve dhe nacionalistëve,kundër okupatorit italian.Por këto veprime luftarake,vlen të shihen më shumë se organizime të udhëheqësve lokalë midis tyre,të shtërnguar nga nevojat që paraqisnin situatat. Ndjenjat kombëtare,i bashkuan këto formacione,të luftonin duke dhënë jetën,në betejat e Gjormit,në Vlorë,në Barmash të Kolonjës,në Devoll,Pogradec etj.Ndërsa lidhur me funksionimin e këshillave popullorë që do të shërbenin më pas si baza të pushtetit demokrat,ndërhyrja jugosllave ishte e menjëhershme.Në këto këshilla ( të cilat dy muaj pas konferencës së Pezës u quajtën nacionalçlirimtare) u inskenua me mjeshtëri mëria e verbër e cila çoi në luftën civile.Veçanërisht në jug të Shqipërisë,aty ku gjenin terren,në fundvitin 1942 e vijim të 1943-shit,këshillat nacionalçlirimtare u shëndrruan në organe të diktaturës komuniste.Parimi i njohur leninist ;”O me ne,O kundra nesh “,u zbatua reptësisht në mjaft fshatra.nacionalçlirimtarët shqiptarë i komandonin këto këshilla sipas parimeve të tyre dhe jo rallë,këta shqiptarë që kërkonin të jetonin “si vëllezër” me serbosllavët,therrnin me bajoneta vëllezërit e tyre të një gjaku.Është kjo aryseja që në këtë periudhë,u ndje domosdoshmëria e fuqishme e lëvizjeve  nacionaliste shqiptare.Balli Kombëtar,po afronte reth vetes njerëz nga më patriotët,të cilët ishin në gjendje të gjenin,organizonin dhe bashkonin energjitë e kombit tonë.Madje kjo lëvizje nacionaliste u gjallërua nëpërmejet nacionalizmës edhe në Kosovë e Maqedoninë Shqiptare si dhe në Luginën e Preshevës.Prijësit e Ballit Kombëtar e shihnin se vendimet e Konferencës së Pezës,sa vinte dhe përdhoseshin prej komunistëve të beogradit dhe Tiranës,ndaj duke ndjerë përgjegjsinë historike mbi supe,bënë çështë e mundur për realizimin e ideve kombëtare,në luftë kundër okupatorit.E pandarë nga kjo lëvizje,është edhe ajo mbretërore e udhëhequr nga Abaz Kupi. Alternativa mbretërore,me vrullin e saj,donte të risillte në jetën politike shqiptare,pikërisht një nga periudhat fatlume të zhvillimit të shtetit shqiptar.Abaz Kupi,ndonëse u zgjodh në kryesinë e Këshillit të Pezës u distancua menjëherë prej tij,sapo ndjeu të nëpërkëmbeshin idetë e larta kombëtare.Ai u përpoq madje deri në Mukje,të ruante frymën e bashkëpunimit të sinqertë midis forcave politike shqiptare.Një shkëndijë shprese edhe në Mukje për t’u fikur pas dy javësh edhe kësaj radhe nën udhëheqjen e  drejtëpërdrejtë të beogradit.Peza ende sot akuzon.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Konferenca e Pezes, tradhetia komuniste

AROGANCA E SHPËRTHYER SLLAVOMAQEDONASE

September 12, 2013 by dgreca

Shkruan: Eugen SHEHU/

 Po të rrokullisesh ndonjëherë nëpër labirintet e historisë së kombit tonë,lehtësisht do të vrejsh,se tek ne nuk kalon decenie pa u përsëritur historia,ani se shum vetë thonë se ajo nuk përsëritet,madje edhe këmbëngulin se ajo që ndodh njëherë s’ka se si të ndodhë së dyti.Megjithatë rrethimi i kombit tonë madje dhe nga mbrendësia,me azhderët serbosllav,mbetet për tu dëshiruar paqja dhe progresi, madje dhe integriteti atje ku synojnë shum forca politike shqiptare.Le të kthehemi shkurtë për një çast në retrospektivë.

Viti i mprapshtë 1943,atëherë kur u arit marrveshja e Mukjes mes dy fronteve atij të djathtë “Ballit Kombëtar” dhe atij të majtë Frontit Nacionalçlirimtar,për luftë të përbashkët për një Shqipëri me Kosovë e Çamëri,ose thënë më mirë për Shqipërinë Etnike,plasi sheri,dhe shergjinjtë ishin Miladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha,dy misionarë serb të infiltruar në radhët e FNC-së,kështu kjo marrveshje u tradhëtua nga ana e Komunistëve shqiptaro-sllav,dhe plasi lufta civile po ashtu e inicuar nga Milani e Dushani,por duke përdorur me mjeshtëri ambiciet për pushtet të komunistëve shqiptarë,thën më drejt të Enver Hoxhës,Mehmet Shehut dhe Shefqet Peqit,pasi kta të tre më parë eleminuan krahun më atdhetar në radhët e tyre që nënshkruan marrveshjen e Mukjes.Kështu që Enver Hoxhës iu premtua pushteti apsolut mbi shqiptarët dhe Shqipërinë Londineze,ndërsa  Mehmet Shehut dhe Shefqet Peqit ofiqet më të larta në ate pushtet,por me kusht që të vazhdonin të “eleminonin” dhe mëtej forcat nacionaliste shqiptare.Dhe ndodhi që Mehmet Shehu,Shqipërinë e mesme dhe ate të jugut e bëri tym e hi,ndërsa gjakpirësi Shefqet Peqi përgjaku deri në gjunj verilindjen e Shqipërisë madje duke kaluar dhe në viset e Mqedonisë shqiptare,Kosovës e Kosovës Lindore,gjithmonë në gjah kundër forcave”Balliste”,por në fakt ishte shuarja e rezistencës shqiptare për ti hapur rrugën bandave pushtuese serbosllave.Kështu për të ardhur deri tek mbledhja e AVNOJI-t,ku kaçiku i tokave të pushtuara shqiptare nga bandat e titos  do të ndahej sipas vllezërisë sllave.Për mos të mbetur të vetëm serbia dhe mali i zi,mbase do të ndesheshin në reagime nga “sojuznikët” e tyre,djallëzia sllave nxori në dritë një republikë  fantazmë tjetër që u quajt në ate mbledhje Republika Socialiste e Maqedonisë,pra thJesht  për të ndarë tokat e pushtuara shqiptare në tre dylime,dhe shqiptarët për ti pasur më mirë nën kontrollin pushtues të tyre.Kjo republikë Avnojiste,gjatë gjysëm shekulli në kërkim të identitetit të saj,thën më mirë me nënë e pa babë,filloi gjithonë të vjedhi nga diçka nga të tjerët,pak nga grekët,pak nga bullgarët pak ma shumë nga serbët krijoi një identitet reublikan(shtetëror) në bashkim me republikat tjera të ish-jugosllavisë,por e vetmuar dhe pa identitet nacional të vetin kjo ishte dhe më agresivja gjatë shtatë decenieve  të kaluar,madje dhe ma kriminalja ndaj popujve të tjerë e sidomos ndaj shqiptarëve etnik në trojet e veta.Kulmi i çmendurisë të shovenizmit sllavomaqedonas shpërtheu pikërisht pas viteve 92 e deri në ditët e sotme,me mënyra e metodat më të perfeksionuara të shërbimeve sekrete ajo arriti të mbajë gjallë  pushtimin absolut,madje dhe të privojë shqiptarët nga gjdo e drejtë e tyre jetsore.

Emrin e vet kjo kreaturë ishjugosllave e ka Fyrom,e njohur ndërkombëtarisht nga 125 vende,por metodat dhe format e saja jan po ato si në ish jugosllavinë titiste e millosheviqiane,gjithshka përmes sigurimit shtetëror policisë dhe proceseve gjyqsore të montuara.

Viti 2001 ishte kulmi i durimit për popullin shqiptar në këto troje etnike,dhuna dhe terrori shtetëror kishin shtrirë rrënjë,mohimi i simboleve kombëtare,mohimi i arsimimit,mohimi i gjuhës,gjygjet e montuara politike,terori psikologjik e fizik,prunë në një gjendje të padurueshme dhe eksplosive për kombin shqiptar,kështu lindi dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare, e cila tek e fundit i dha një leksion të mirë krimit shtetëror sllavomaqedonas.Marveshja e Ohrit,ani se “çudibërëse” që len për të dyshuar sidomos kur kam parasysh rolin e francës në te,për shqiptarët tek e fundit ishte një shkëndi shprese se ndoshta nga hiqi diçka do të arrihej,mirëpo ardhja në pushtet e nacionalshovenistëve  në krye me  Gruevski një albanofob  filoserb, shpresat e një pjese të shqiptarëve i la në dyshim se diçka ndoshta do të lëviste në të mirë,me gjithë atë  sa ma shumë duket në sipërfaqe racionaliteti i shqiptarëve,aq ma agresif  dhe arogant shfaqet pala sllavomaqedonase me pengjet që ka rrotull qeverisë së vet.E tërë kjo ka dhe spjegimet e veta,politikisht të zhveshura por në mbrendësi  mbulohen me konspiracione djallëzore që di ti ushqejë qendra e shovenizmit antishqiptar sllavoortodoks e beogradit.Fyromi ka qenë dhe mbetet dhe më tej një zonë e eksperimentimit të tyre djellëzive të albanofobisë Ballaknike.

 

PROVOKIME JEZUITE

 

Ca ditë më parë “qeveria”sllavomaqedonase vuri një far embargoje ndaj Republikës së Kosovës duke e sanksionuar më tej dhe me pagesa shtesë për lëvizjen e lirë të qytetarëve apo mjetëve të udhëtimit gjë që bie ndesh me të gjitha marrveshjet e nënshkruara gjer më sot mes R.K dhe Fyromit.Reagimi nga pala e Qeverisë shqiptare të Republikës së Kosovës,gjegjësisht të Ministres znj.Mimoza Kusari me plot të drejtë vendosi masa reciprociteti ndaj aventurave provokuese të qeverisë albanofobe të Fyromit.Tek e fundit masat e reciprocitetit janë thyerje e një tabuje për të përgdhelur me gjdo çmim kopilët e rajonit.Republika e Kosovës duhet patjetër të ndjejë vehten dhe të demonstrojë atë si për opinionin kombëtar shqiptar dhe për atë ndërkombëtar se mer përgjegjësi

në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të saj si në aspketin diplomatik e politik ashtu edhe në ate ekonomik,pamvarsisht presioneve të jashtme që mund të pasojnë “në emër të fqinjësisë së mirë” apo të misionarëve jezuit të qeverisë sllavomaqedonase.Tek e fundit gjdo shtet ka të drejtë të mbrojë si prodhuesin ashtu dhe konsumatorin e vet,dhe kjo tek e fundit asht një sinjal shum i shëndoshë për orientimin dhe fuqizimin e një tregu të përbashkët me Shqipërinë,duke iu shmangur kësisoj labirinteve vetëvrasëse ballkanike.Dorzënët shqiptarë të “qeverisë” sllavomaqedonase do të duhej më mirë të reflektonin më veti,se sa të vëhen në rolin e misionarëve jezuit,duke duke imituar përhapjen e paqës dhe tolerancës,por që në fakt janë vetëm pijun të një tablloje shahu.

Jan bërë të shpeshta provokimet sllavomaqedonase në forma dhe mënyrat më të vrazhda ndaj shqiptarëve të Iliridës dhe Kombit Shqiptar në përgjithsi,e sidomos shpërthimi i albanofobisë vjen në rritje e sipër,me gjithë përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare për të gjetur një formulë për egzistencën multietnike të kësaj krijese,por në veçanti pas nënshkrimit të marrveshjeve të bashkëpunimit mes Fyromit dhe Serbisë si në nivel të ministrive të punëve të mbrendshme ashtu edhe në ate të gjyqsorit kjo sinjalizoi dhe më fuqishëm duke e vënë në veprim tërë arsenalin shoven srëbosllavomaqedonas,për të kalkuluar me dredhitë e dominancës ballkanike.Se cilat formula janë në sprovë koha do ta vërtetojë,por sidoqoftë inferioriteti apo mos syqelsia shqiptare në moment apo dhe në të ardhme mund të shkaktojë pasoja të rënda për kombin shqiptar sizmika e së cilës nuk mund të parashikohet.Komb i Bashkuar nën qiellin e Europës së Bashkuar,përballë sfidave dhe rreziqeve permanente që shfaqen nga fqinjët grabitqar të shqiptarëvet,mbeten vetëm utopi që burojnë nga një grusht politikanësh nostallgjik të ishjugosllavëve apo dhe më herët në histori të ideve të konfederatave ballkanike që buronin nga projektet sllavogreke.

 

SHTATZANIA E POLITIKBËRJES SHQIPTARE

 

Po të analizosh rrjedhën e politikbërjes shqiptare gjatë fushatave zgjedhore gjithmonë ngjall shpresat e një fundi tragjikomedie që na përcjell pandërprerë dhe gdhirjen e një dite lumturie,por fatkeqsisht në momentet më të nevojshme të relaksimit kombëtar rishfaqen remishencat e së kaluarës komuniste të cilat asesi nuk marrin guximin të distancohen nga pararendësit e tyre.Madje jo vetëm kaq por edhe vrullshëm u ngjiten pushteteve me komoditet të pafrenuar,madje,madje dhe me shtytjen edhe të disa institucioneve ndërkombëtare si të hapura po ashtu dhe të fshehta,mjafton që të jenë në shërbimin e tyre,për të goditur sa më fortë konstitucionin moral të kombit shqiptar, atë institucion që mban në këmbë vetë egzistencën e kombit,Nacionalizmin Shqiptar.

Qasja dhe spjegimi institucional dhe politik mbi Nacionalizmin Shqiptar,tregon qartë shigjetat e parapregaditura në drejtim të saj për të zhveshur shqiptarët nga ndjenjat e tyre nacionale,qoftë edhe për vetë  gjenezën e të qenurit shqiptar,aq e paturpshme asht sa që hedhet në lojë dhe vetë historia për të demitizuar shqiptarin të krenohet me para ardhësit e tij që bënë historinë,aq brutale asht sa që tentohet të zhvleftësohet dhe gjaku i derdhur për liri e ardhmëri kombëtare,sa që arrin kulmin për të kriminalizuar edhe viktimizimin inidividual e familjar për Atdheun dhe Lirinë kombëtare,këtë detyrë dhe këtë mision e kanë filluar dhe marrë mbi supe element të kalbur mbeturinash nga sistemet e së kaluarës diktatoriale komuniste,si në trupin Shqipëri ashtu dhe në gjymtyrët e saja të cunguara.Identiteti Nacional i një kombi mbrohet nga Nacionalizmi i vet,për aq kohë sa ai gjendet i rrezikuar apo i goditur qoftë në gjeografinë,historinë apo kulturën e saj.Sot edhe “nën qiellin e Europës së Bashkuar” gjallërojnë Nacionalizmat e kombeve që e përbëjnë këtë qiell,madje ata kanë edhe vetë burimin pikërisht atje nga dhe u kërkohet racionaliteti shqiptarëvet,shtatëzania ka fazat e saja.Historitë janë të dhimbshme kur përsëriten ata lanë gjurmë të pashlyera,dhe populli ynë nuk haron.Gjdo ide  binjakëzimi ballkanik të shqiptarëvet me sllavogrekët hap rrugë rreziqeve permanente për zhvillimin kombëtar shqiptar,ndaj gjithmonë mbetet komb shqiptar i bashkuar i zhvilluar drejt Europës së bashkuar.Por të flasësh sot si nesër të aderosh në europë është miopi politike, kur dihet se ato procese zgjasin dhe decenie të tëra jetësh,Kombi Shqiptar ka nevojë emergjente drejt bashkimit gjeografik të vetin institucional dhe ekonomik,mandej koha e rivendos në pozicionin që e ka merrituar,shqiptarët e mbyllën shekullin e njëzetë me tre lufta për lirinë dhe ardhmërinë e tyre.

Bern-Zvicër

Filed Under: Analiza Tagged With: arrogance, Eugen Shehu, shperthim, sllavo-maqedonase

FEJZI ALIZOTI,KOMISARI I TOKAVE TË LIRUEME SHQIPTARE

September 8, 2013 by dgreca

Ne Foto: Fejzi bej Alizoti – 1874-1945/

 Shkruan:Eugen SHEHU/

Kanë qenë me qindra e mijëra bij të shqipes,në shekullin e kaluar që ngase nuk patën mundësi shkollimi,u larguan për në viset  e largëta.Lanë shtëpitë e shtrenjta,vatrat e dashura,prindërit e tyre me dëshirën dhe shpresën  e madhe se një ditë do të ktheheshin patjetër në dheun ku “balta asht më e ëmbël se mjalta”.Se zogjtë e shqipes kurdoherë kur kanë ngarendur hapsirave,shpirtin e kanë patur kurdoherë tek nana e vet.Jeta e Fejzi Alizotit ngjau dhe u jetua pikërisht në këtë vazhdë trimërore të bijve të Shqipërisë.Fejzi Alizoti ka lindur në qytetin e Gjirokastrës në qershorin e vitit 1874.U rrit në kujdesin e madh të prindërve,sidomos të Hasan Beut,të jatit,i cili nisi të mësonte Fejziut të vogël,mësimin e gjuhëve të huaja.Në krejt qytetin e Gjirokastrës,kjo familje ish e njohur,veçanërisht emër të mirë ka pasë lënë Alizot Pasha (gjyshi i Fejziut) i cili falë pasurisë dhe atdhetarisë ka pas ndihmuar mjaft patriotë të tjerë,në rrafsh të zgjimit dhe përhapjes së ideve kombëtare,në disa raste, familja e Alizot Pashës,pat kundërshtuar ashpër vendimet e Portës së Lartë lidhur me taksat që i viheshin shqiptarëve.Kur pat mbushur tetë vjet,Hasan Beu e dërgoi të birin në qytetin shqiptar të Janinës dhe e vendosi në një prej shkollave më të dëgjuara të qytetit.Qyteti i bukur,i banuar në masën mbi 90 përqind prej shqiptarëve,me liqenin e hijshëm me kalanë dhe legjendat për Ali Pashë Tepelenën,do të nxiste më tej fantazinë fëmijënore të Fejziut.Me urtësinë që e karakterizonte ai do të merrte këtu dijet e para në ç’rast do të formonte edhe idetë e para mbi rrjedhat e historisë së vendit të vet.Pas mbarimit me rezulltate të larta të shkollës fillore,Fejzi Alizoti shkon në gjimnazin klasik të Selanikut ku edhe aty shquhet ndër shokë për vëmndje të thellë dhe rezulltate konkrete në përvetsimin e dijeve.Truplartë,me një vështrim kurdoherë depërtonjës,jo rrallë në Selanik,Fejzi Alizoti do të mblidhte miqtë  e vet shqiptar duke shetitur aty në malin  e vjetër të qytetit,do të ja merrnin këngëve trimërore të vendlindjes,ata që  e patën njohur Fejziun,kanë treguar se ai kishte një zë mjaft të bukur.Pasi ka mbaruar shkëlqyeshëm gjimnazin klasik të Selanikut në vitin 1890  ka shkuar në Gjirokastër.Pas kësaj,ai është nisur për në Stamboll,në ndjekje të studimeve të larta,në bangat e Universitetit “Mylkije”.Edhe këtu u shqua për vullnet të lartë,me çrast ka marrë njohuri të thella në rrafsh të ekonomisë dhe administrimit civil.Stambolli i fundit të shekullit 19-të gjallonte prej shqiptarëve të cilët duke paraparë rrjedhat e ngjarjeve patën nisur të bashkoheshin në ide  e mendime.Në këto rrethe patriotësh u përfshi edhe Fejzi Alizoti duke ecur në gjurmët e gjyshit dhe atit të tij.Ai ka qenë dhe mbeti deri në fund miku i shtëpisë së Naim Frashërit dhe veprën e këtij kolosi të Shqiptarizmës,bëri çmos jo vetëm ta vlersojë por edhe ta përhapë në radhët e studentëve shqiptarë të Stambollit.Me komplimente të shumtë të autoriteteve të Universitetit,mbas përfundimit të studimeve të larta,Fejzi Alizoti dërgohet me shërbim administrativ në Siri.Plot tri vjet punë atje, bënë që emri i djaloshit nga Gjirokastra të dëgjohej deri në zyrat e larta të perandorisë.Për këtë “Në bazë të shërbimit të jashtëzakonshëm,të kryer me sukses,Fejzi Alizoti u gradua Prefekt në Humes të Tripolit dhe së andejmi përsëri  me gradim u transferua në Bilesia të Azisë së Vogël”.(Arkivi Qendror i shtetit –Tiranë.Fondi Këshilli Ministruer 1941,dosja 4,karkatreistike e Fejzi Alizoti si Ministër Shteti).

Një prefekt i Perandorisë Osmane,vetëm 23 vjeçar,do t’i bënte nder më shumë atdheut të vet.Fejzi Alizoti u shqua ndërkohë jo vetëm si administrator i plotfuqishëm por edhe si atdhetar. Bashkëkombasit e vet,në Azinë e Vogël,do t’i ndihmonte jo vetëm me të holla e vende të mira pune,por sidomos me fjalën e ngrohtë,me dëshirën e tij se “kudo ku jemi,kudo ku jetojmë,mendjen duhet ta mbajmë gjithmonë se kur do të ikim në Shqipni,per ti sherbyer asaj”.

Në vitin 1906 ai i dërgon një shkresë Portës së Lartë,ku e bën me dije për çështë arritur në Bileciq të Azisë së Vogël,dhe në fund shpreh dëshirën se do të ishte tejet mirënjohës Portës,nëse e dërgonte me detyrë në viset shqiptare.Disa muaj më pas i përkrahur edhe nga disa miq të tij në Stamboll,Fejzi Alizoti emërohet me detyrën e prefektit të Korçës,me ç’rast gëzimi i tij ishte tejte i madh.Korça e viteve 1906-1907,askurrë nuk duhet nënkuptuar si një qytet i veçuar e vetëm piktoresk.Mendoj se nuk duhet haruar se këtu ishin ngritur të parat çeta të udhëhequra prej Sali Butkës,Qamil Panaritit,Bajo Topullit etj.Të mos harrojmë se në Korçë e rrethina pat filluar ajo levizje  e   madhe e shkollës shqipe me Petro Nini Luarasin dhe Gjerasim e Savasti Qiriazin.Të mos harrojmë gjithashtu se çetat e kaçakëve shqiptarë të Strugës,Resnjës e deri ato të Kërçovës,gjenin çerdhe të ngrohtë në qytetin e korçës kur përndiqeshin nga bashibozukët turq.Në pamundësi për t’u ndalur më gjatë në këto radhë për Fejzi Alizotin,unë vetëm mund të pohoj rolin e madh të tij në zgjimin  e vetëdijes sonë nacionale.Nëse dita,këtij djaloshi të shkolluar,i shkonte në zyre,në punët e prefekturës,netëve ai do të ishte kurdoherë në shoqërinë e patriotëve shqiptarë.Vendimet e komnadës së lartë të Manastirit në disa raste,prefekti Alizoti nuk i pat pranuar.Këto lidheshin sidomos me ndjenjën dhe internimet e patriotëve shqiptarë.Mandej në disa raste,ka qenë Fejzi Alizoti i cili lajmëronte Cerçizin dhe Bajo Topullin për rreziqet që u kanoseshin nga xhandarmëria osmane.Në vitin 1908, turqit e rinj u përpoqën të merrnin pushtetin në duart e tyre dhe ja arritën kësaj duke deklaruar pos të tjerave edhe lejimin e disa të drejtave për popujt e prangosur të perandorisë,pati shum shqiptarë që përkrahën ardhjen e tyre në pushtet duke paraparë natyrisht një sërë reformash të domosdoshme në atdheun e tyre.Fejzi Alizoti ndërkaq,është emëruar pas konstitucionit turk,në detyrën e Prefektit të Prizërenit,në vitet 1908-1909,në këtë qytet,vetëdija kombëtare qe gjallëruar së tepërmi dhe këto ndjenja çdo ditë e më shumë po binin ndesh me veprimet e Turqve të Rinj.Duke qenë njeri i pjekur dhe me kulturë të thellë,duke u dalluar si administrator i aftë,Fejzi Alizoti u dërgua aty pikërisht për të gjetur një “të mesme të artë”  midsi krerëve kryengritës në Kosovë dhe shtabit ushtarak të Portës së Lartë.Por kjo e “mesme  e artë” askurrë nuk u gjend pse vetë Fejzi Alizoti,ishte rritur me shqiptarizmën e madhe me shpirt.Gjyshi e babai i vet patën luftuar kurdoherë për pavarsinë e Shqipërisë dhe vet Fejziu asaj kohe punonte e vepronte nën devizën ;T’i shërbejmë Turqisë,por jo aq sa të shkatëroj interesat e nalta të kombit tim !”.Është kjo arsyeja që mjaft krerë të lëvizjes së armatosur shqiptare gjejnë prehje në Prizëren,madje konsuj të huaj këtu bëjnë me dije se këta kryengritës,në mënyrë të fshehtë bashkëpunojnë me prefektin shqiptar të Gjirokastrës.Për më tej,Fejzi Alizoti doli hapur kundër ekspeditave ndëshkimore të Xhavid Pashës i cili disa herë kërkoi bashkëpunim me prefektin e Prizërenit.Kur Xhavid Pasha pa tek Fejzi Alizoti një kundërshtar të vendosur,atëherë ai sigurisht ka bërë me dije Portën e Lartë.Kësisoj,me urdhër të Portës së Lartë,në marsin e vitit 1910,Fejzi Alizoti e len vendin  e prefektit të Prizrenit dhe shkon në Stamboll.Ai pritet me dashamirësi aty ku autoritetet e larta,duke i fshehur qëllimin i thonë se e kanë larguar ngase do ta çojnë në Rumuni ku do të studiojë më tej për administrim të komunave.Pas gjashtë muaj kualifikimi aty Fejzi Alizoti shkon me detyrën e administratorit të qytetit Urfa në Azinë e Vogël. Lidhur me qëndrimin e tij si administrator,natyrisht që flasin gradimet e Portës së Lartë.Ndërsa lidhur me atdhetarinë e tij,unë do të përmendja ç’ka u tha në vitin 1941 në emërimin e tij si Ministër shteti shqiptar ; “Në Urf,të Azisë së Vogël,zoti Alizoti,çliroi nga burgjet atdhetarët shqiptarë,shokë të tij.Pastaj gjithnjë tue perfitue nga rrethanat,dhe i brymosur prej rrethanave nderkombëtare, propozoi pranë qevresië së Stambollit dhe siguroi prej saj njohjen e gjuhës shqipe,që të mësohej në shkollat fillore.Gjithashtu siguroi që rekrutët shqiptar të mos merreshin me sherbim ushtarak në vise të largëta si Jemeni dhe njëkohësisht që taksat lokale të pagueme nga populli shqiptar,të përdoreshin për nevoja të popullit”. ( Arkivi Qendror  i  shtetit – Tiranë . Dosja  Këshilli Ministruer 1941 , faqe 7 ).

Më pas me fillimet e luftës italo-turke ( për sundimin  e Libisë),Porta e Lartë e emëron Fejzi Alizotin,si guvernator i ishujve në Dodekanez.Këtu sigurisht,Fejzi Alizoti vendosi si kur dohere një rregull dhe admnistratë të përsosur duke siguruar jo vetëm qetësinë por edhe begatinë e banorëve të këtyre ishujve.Nga ana tjetër ai ndiqte me vëmnedje ngjarjet e rënda që patën plakosur Perandorinë.Brenda këtyre ngjarjeve,Fejzi Alizoti në çdo mënyrë analizonte veprimet e lëvizjes kombëtare shqiptare duke u përpjekur t’u paraprinte atyre.Një letër këmbim i shumtë,hedh dritë në faktin se prej ishujve të Dodekanezit,Fejzi Alizoti ishte i lidhur me mjaft atdhetarë shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Stamboll,Sofje dhe Kostancë.Qe fatin e atdheut të vet,ai e sheh kurdoherë të lidhur ngushtë me veprën e atdhetarëve, e dëshmon edhe vajtja e tij në Shqipëri,si i dërguar i Turqisë ndaj rebelimeve të atdhetarëve në Jug të Shqipërisë.Populli i labërisë,duke paraparë masakrat e Xhavid Pashës në Kosovë,i revoltuar në kulm prej sjelljes së turqve të rinj të cilët renden të mbyllin edhe ato shkolla e klube të pakta shqiptare,u mblodh në vendin  e quajtur Cepo në Gjirokastër,duke dhënë besën për të rrokur armët e për të  luftuar për  autonominë  e Shqipërisë. “Kryengritja e labërisë e tronditi aq thellë Turqinë, e cila dërgoi një delegacion nën kryesinë e Fejzi Alizotit,me qëllim që të qetsonte shqiptarët”(Arkivi qendror i shtetit –Tiranë, Fondi 270 , dosja 49 , fleta 62 ).

Pak kush ka besuar se Fejzi Alizoti ka shkuar në Labërinë e vet për të qetsuar gjendjen.Vajtja e tij në Gjirokastër u prit me entuziazëm të madh jo vetëm nga dashamirët e popullit,por edhe vetë atdhetarët shqiptarë.Fejzi Alizoti,duke u njohur nga afër me kryengritësit e punët e tyre,u përpoq të spjegonte rëndësinë e një bashkëpunimi më të madh të kryengritësve të jugut me ato të shqipërisë së mesme e sidomos me trimat e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare.Ngase pat njohur burrat si bajram Curri,Ded Gjo Lulin e Isa Boletinin,kur ishte prefekt në Prizren,Fejzi Alizoti dërgoi prej kryengritësve të labërisë dy-tre vetë të cilët do të jepnin mesazhin e bashkëpunimit në viset Veriore shqiptare.Dy javë qëndrimi në Labëri,bënë që biri i Gjirokastrës të shamllej sadopak me vendlindjen e vet të dashur e për më tej,t’u jepte fjalën gjirokastritëve se shumë shpejt,në rastin më të parë,ai do të kthehej aty,për t’u vënë në krye të punëve të lëvizjes kombëtare shqiptare.Dhe fjalën e mban.Menjëherë pas largimit nga Shqipëria,ai kërkon prej portës së Lartë disa kohë të shlodhet kinse është lodhur nga detyrimet  e mëdha.E vërteta është se prej ishujve të Dodekanezit,ai le fronin e shtrenjtë të Governatorit,për tu futur menjëherë në gjirin e lëvizjes kombëtare shqiptare.Shkon në Konstancë të Rumunisë dhe vjen në kontakt me atdhetarët shqiptarë aty.Mbron në kuvende të shumta,tezën e luftës së popullit shqiptar për pavarsi por gjithmonë çon mesazhin që me turqit të jemi të matur,me qëllim që prej fuqive të Portës së Lartë të përfitojmë sa më shumë,duke patur parasysh sidomos,agresivitetin e shfaqur prej monarkive ballkanike.Ka qenë pikërisht në konstancë në rrethet e shqiptarëve që mblidhnin ndihma në të holla për lëvizjen kombëtare kur është ftuar të shkojë menjëherë në Shqipëri,prej plakut të vlorës,Ismail Qemalit.”Mbas një telegrami që mori nga zoti Ismail Qemali,i cili ishte në dijeni të plotë dhe i dinte ma mirë se kushdo tjetër shërbimet e nalta por të heshtura të tij,Fejzi Alizoti erdhi në Vlorë”.( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi “Këshilli Ministruer “ 1941 ).

Një udhëtim plot peripeci ka kaluar më pas Fejzi Alizoti për të hyrë në Shqipëri.Gjandarmët turq patën urdhëruar arrestimin ngase Perandoria Osmane e njihte prej kohësh influencën e vet në rrethet patriotike shqiptare.Me ndihmën e miqve të vet mund të hyjë ilegalisht në Gjirokastër e prej andej udhëton për në qytetin e Vlorës ku ishte ndërkaq qeveria e përkohshme shqiptare.Së pari aty merr takim me Ismail Qemalin e më pas takohet me personalitete të tjera shqiptare të cilët nuk munguan të shpallin përmes atyre rrebesheve,pavarsinë e Shqipërisë.Ngase njihet si ekonomist i zoti dhe personalitet i cili nuk mund të abuzojë me pushtetin që i jep popullit,caktohet nga Qeveria e Përkohshme shqiptare si ndihmës i parë i Ismail Qemalit për financat dhe problemet e tjera ekonomike.Menjëherë pas emërimit në detyrën e sekretarit të përgjithshëm të financave,në kabinetin e Ismail Qemalit,biri i Gjirokastrës u vu në krye të punëve tejet të vështira.Shqipëria e sapo dalë prej natës së gjatë osmane jo vetëm trashëgonte një varfëri të skajshme por edhe i mungonin elementet e domosdoshëm të organizimit të ekonomisë.Të gjithë e dimë tanimë,se askush nga Evropa nuk e ndihmoi me të holla Qeverinë e Vlorës,përveç një grupi atdhetarësh nga Rumunia,Bullgaria dhe Amerika.Po të marrësh parasysh se që në ditët e para të punës së saj, Qeverisë së Përkohshme shqiptare,atëherë lehtësisht mund të kuptohen vështirësitë ekonomike të vendit.E vërteta është se me vullnetin që e karakterizonte,Fejzi Alizoti punoi asaj periudhe ditë  e natë duke organizuar ekonominë shqiptare,madje duke përpiluar krejt aktet ndërkombëtare të qeverisë së Vlorës me vendet Evropiane.Duke njohur nga afër burokracitë e mëdha të aparatit administrativ turk,si edhe mentalitetet e rrënjosura të shqiptarëve,Fejzi Alizoti bëri ç’ish e mundur të vendoste në administrimin e ekonomisë shqiptare,ligje të kohës dhe njerëz me mentalitete të reja.Një varg urdhërash e udhëzimesh të qeverisë së përkohshme,të karakterit ekonomik,të cilat janë të firmosura prej Ismail Qemalit,natyrshëm janë pregaditur prej Fejzi Alizotit i cili në orët e vona të mbrëmjes i kalonte kurdoherë në shoqërinë e plakut të Vlorës.Për më tej,me insistimin e Fejzi Alizotit,iu dha një fond i konsiderueshëm,Ushtrisë Kombëtare Shqiptare e cila drejtohej prej Mehmet Pashë Derallës dhe merrte përsipër barrën e rëndë të mbrojtjes së kufijve shqiptare të kërcënuar prej serbo-malazezëve,bullgarëve dhe grekërve.Puna dhe veprimtaria atdhetare e Fejzi Alizotit,kanë zënë vend të veçantë në kujtimet e kryetarit të shtetit të parë shqiptar Ismail Qemali.Në verën e vitit 1913,u duk sheshazi se Esat Pashë Toptani ( i cili mbante postin e ministrit të ekonomisë shqiptare) pati bërë shkelje mjaftë të rëndë kundrejt programit të qeverisë.Ai mundi të abuzojë me disa fonde duke paisur me armë e veshmbathje disa reparte në Durrës me preteksin e rrezikut serb,por në fakt ai përgadiste dhe armatoste gardën tradhëtare të tijën.Kur ai doli hapur kundër Qeverisë së Vlorës,këshilli i Pleqësisë i Kuvendit historik,vendosi që financat shqiptare të lihen në dorën e Fejzi Alizotit i cili me ç’rast u ngarkua me detyrën e Ministrit të ekonomisë,edhe në këtë funksion ai dha prova ndershmërie e përkushtimi të thellë.Mendoj se është tepër interesante të njihet qëndrimi i Fejzi Alizotit në ardhjen e Princ Vidit,në vitin 1914.Komisioni Ndërkombëtar i Kontrrollit i përbërë prej fuqive evropiane,për të ulur sa më lehtësisht Princin në fron,kërkoi që Ismail Qemali,të paraqiste pranë këtij komisioni,dorëheqjen e vet të parevokueshme.Vetë Fejzi Alizoti,këtë rast e spjegon më vonë,publikisht.Pos të tjerave ai thotë ; “Propozimin e komisionit internacional të kontrollit për dorheqje,Ismail Qemal Beu,me dy nga pjestarët e qeverisë,zotërinjtë Luigj Gurakuqi dhe Fejzi Alizoti vendosën ta pranojnë me konditë që për unifikimin e administratës,të hiqej edhe Esat Pashë Toptani nga qyteti i Durrësit.Komisioni e pranoi këtë propozim”.( Fejzi Alizoti , Gazeta “Drita” më 13 dhjetor 1936 ).

Nga viti 1914 e deri më vitin 1920,Fejzi Alizoti ka patur funksione të larta në admnistratat shqiptare që ja linin vendin njëra tjetrës.Ai akurrë nuk u kursye të vihej në detyrat e vështira të ekonomisë shqiptare,madje për shumë kohë ka marrë një shpërblim tejet modest,përballë funksioneve që kryente.Miq të tij në Stamboll i dërgojnë lajme se qeveria turke ka urdhëruar faljen e tij dhe i ka kërkuar Alizotit të shkojnë në Stamboll ku e presin funksione të larta shtetërore.Këtyre miqve,me plot respekt,Fejzi Alizoti u shkruan se mjaft ka punuar në rininë  vet për Perandorinë Osmane,tash e tutje,energjitë dhe aftësitë e veta,ai do tia falte Shqipërisë deri në vdekje.

Duke njohur aftësitë e mëdha të tij,qevreia shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës i vitit 1920,i jep atij detyra të rëndësishme në riorganizimin e sektorëve ekonomike të vendit.Më tej,duke paraparë se ekonomia shqiptare do të kishte ndërthurje të shumta me interesat italiane,Fejzi Alizoti dërgohet në Romë si përfaqsues fuqiplotë i Shqipërisë.Periudha 1922-1925,do të jetë për Fejzi Alizotin në Romë,një periudhë e ngarkuar me punë mjaft voluminoze e të vështira.Por pjekuria e një ekonomisti dhe administratori të talentuar,bënë kurdoherë,në çdo firmë të hedhur,Fejzi Alizoti,të shihte se çfarë fitimi do të kishte populli i vet,pavarsia dhe e ardhmja e tij.Një numër i pafund letrash e telegramesh të viteve 1922-1925,të dërguara prej Alizotit në Tiranë,flasin për kujdesin e vazhdueshëm të tij në forcimin e ekonomisë shqiptare,si edhe atdhetarizmin për të mos lënë shtigje për keq interpretime politike.Gjithmonë i vetëdijshëm për resurset e mëdha natyrore të Shqipërisë,edhe në vitet e mëvonshëm kur punoi në Tiranë,Fejzi Alizoti u përpoq të organizojë e planifikojë një ekonomi me karakter tërësisht kombëtar,ai ishte dhe mbeti armik i huave në para duke thënë shpesh kolegëve se shqiptari s’e ka patur traditë të lype borxhe.

Pushtimi fashist  e 7 prillit,Fejzi Alizoti e priti me ndjenjën e thellë të revoltës si krejt shqiptarët. Duke qenë në dijeni të shumë traktativave ekonomike me Italinë,ai thirret të marrë përsipër,të drejtojë ekonominë shqiptare.Por Fejzi Alizoti nuk pranon.Ekonomisti me përvojë gjysëm shekullore nuk mund të viret nën tutele të italianëve.Ngase nuk pranon aty,e çojnë në verën e vitit 1939 në qytetin e Korçës,në detyrën e prefektit.Këtu rri vetëm 3-4 muaj.Në 28 nëntorin e vitit 1939, në Korçë organizohet një demonstratë shumë e madhe e nacionalistëve dhe rinisë korçare.Në krye të demonstratës ishte flamuri kuqezi i Skenderbeut si edhe disa të rinj të veshur me kostume kombëtare.Të nesërmen,gjandarmëria italiane në Korçë,arrestoi rreth 70 vetë dhe për këtë Fejzi Alizoti iu drejtua ashpër autoriteteve të larta italiane.Kur këta nuk e përfillën burrin shqiptar, atëherë Fejzi Alizoti dhe menjëherë dorheqjen si prefekt,me ç’rast ky akt u përshëndet prej nacionalistëve shqiptarë.Më 17 maj të vitit 1941,me vendim të këshillit Ministror të Shqipërisë,vendoset ;”Emnimi i zotit Fejzi Alizoti,Ministër shteti,komisar civil i Qeverisë Shqiptare për të ushtrue në viset e Kosovës, Dibrës e Strugës, pushtetet civile qe i janë dhanun Qeverisë”.(Fletore  zyrtare  shqiptare,numër 85, datë 9 qershor 1941 ).

Menjëherë pas kësaj detyre,Alizoti,filloi të punojë me energji të pasura,ngase shihte të realizohej një prej ëndrrave të hershme të shqiptarëve,bashkimi i trojeve në një shtet të vetëm.Peja,Prizreni, Prishtina, Prehseva,Kumanova,Tetova,Gostivari e Struga,u bënë më pas kësaj date,vendet më të dashura për ekonomistin dhe atdhetarin Fejzi Alizoti.Si komisar i Tokave të Lirueme,ai e ndjen përgjegjsinë e madhe morale që kishte funksioni i tij,ndaj nuk u kursye të linte pas dore gruan dhe katër fëmijët në Tiranë,për t’iu kushtuar lulëzimit të viseve etnike Shqiptare.Organizon kudo administratën shqiptare në këto treva që ende rënkonin prej dramës serbo-sllave, bullgare. Bashkëpunon ngushtësisht me patriotë të tillë shqiptarë si ;Fuad Dibra, Ibrahim Lutfiu, Asllan Boletinin, Xhevat Kallajxhiun,Kadri Saliun,Jup Kazazin,Ernest Koliqin,Xhafer Devën,Xhem Gostivarin,Hasan Dostin etj.duke u përpjekur si për vendosjen e rregullimit,ashtu edhe funksionimin e plotë të administratës civile dhe përhapjen e arësimit shqip në këto treva.Mbase nuk duhet harruar se veprimtarinë e tij të gjithanshme si Komisar i Tokave të Lirueme Shqiptare,ai e konceptoi kurdoherë të përbashkët me luftën e tij në parllamentin shqiptar të atyre viteve.Shtypi shqiptar i asaj kohe,duke u ndalur në figurën e Fejzi Alizotit,pos të tjerave theksonte ; “Figurë politikani e provueme,i palodhur dhe energjik,ka lënë kujtimet më të mira gjatë karrierës së tij si përfaqsues i popullit.Fjalimet e tij në Parlament kanë lujtur kurdoherë një rol të parë… ka luftue injorancën dhe abuzimet për të shpëtuar me çdo mënyrë prestigjin e racës dhe ka përkrahun marëvajtjen shoqnore ekonomike-financiare të vendit për t’i dhënë Shqipërisë ate hov e përparim,që lejon pozita e saj gjeografike, e shkuemja historike dhe vetë vlera e këtij populli të etun për naltësinë shpirtërore”.( Gazeta “Kosova” më 18 korrik 1941 ).

Veçanërisht popullsia e Maqedonisë shqiptare,nuk do të harrojë ndihmesën e Fejzi Alizotit në forcimin e pushtetit shqiptar në këto treva.Me urdhër direkt të tij,në vendet kyçe të administratës së asaj periudhe,u vendosën shqiptarët e vërtetë,ata që ishin të zotë të udhëhiqnin por edhe të pafriguar nga propaganda maqedonosllave-bullgare.Në një prej tubimeve të Tetovës,ndërsa ra fjala për Shqipërinë etnike,Alizoti kumtoi ; “Për mue,shqiptaret janë një,si ai në Prevezë ashtu edhe në Mitrovicë e Shkup.Tash që rrëzojmë gardhet që në vu Evropa me 1913,duhet me u dash ma fort sho-shoqin e me u dal zot fateve qe na kanë trokitë”.Natyrisht tragjedia e madhë kombëtare që përfshiu shqiptarët në vitet 1944-1945,do të ishte edhe tragjedia e krejt komunistëve serbo-malazez që kishin lëshuar metastazet e kancerit në Partinë Komuniste Shqiptare,nuk mund të prisnin as gjykimin e ftohtë dhe as vlersimin real të jetëve njerzore.Më parë se për jetët njerzore,ata mendonin për  internacionalzmin proletar.Kështu në grupin e parë të “armiqve të pushtetit popullor” u projektua pos të tjerave edhe dënimi me vdekje i Komisarit Civil të Tokave të Lirueme Shqipatre, term i cili paradoksalisht,u fshi menjëherë prej  klikës së Tiranës.Për rreth dy muaj,kryetari i gjyqit special të Tiranës,i drejtuar nga teneqexhiu-komunist Koci Xoxe,u mundua të hedhë baltë e të shpif sa të mundi,duke e akuzuar Alizotin në mënyrë nga më absurdet.Janë rreth 120 faqe pyetje-përgjigje ku pas çdo shpifjeje komuniste,del qëllimi i pastërt dhe i ndershëm i burrit nga Gjirkostra.Ndonëse në moshën gati 70 vjeçare,gjatë gjykimit,ate nuk e lanë të takohet asnjëherë,as me gruan dhe as me katër fëmijët e vet.Dënimin me vdekje e pret qetësisht.Fjala e fundit e tij,është një aktakuzë e fuqishme ndaj komunizmit që pat plakosur Shqipërinë.Ndërsa këta burra të vyer të kombit e prisnin të qetë vdekjen,në sallën e kinema “Kosova” ku zhvillohej gjyqi,disa mjeranë thërrisnin të etur për gjak se donin t’i shihnin në litar “kriminelët”.Ndërsa shtypi i Tiranës shkruante ;”Kryesia e këshillit Antifashist,në mbledhjen e pardjeshme,refuzoi kërkesën që kishin paraqitur 17 kriminelët  e luftës,të dënuar me vdekje nga gjyqi special i kryeqytetit.Pas rrëzimit të tij,mbrëmë në darkë,ora 19/19`, të 17 të dënuarit u egzekutuan.Të egzekutuarit janë ; Fejzi Alizoti,Terenc Toci,Aqif Permeti,Gustav Murdez,Koço Kote,Hilmi Leka, Reshit Merlika,Beqir Valteri, Javer Hurshiti, Dik Cami,Isamil Golemi, Zef Kadarja, Tasim Bishqemi, Shyqyri Borshi,Daut Carçani, Kol Tromara dhe Bahri Omari” ( Gazeta “Bashkimi “ më 15 prill 1945 ).

  Kështu kish nisur tashmë,në shtetin amë të binte nata e zezë e komunizmit serbosllav, e cila fuqishëm ishte i zgjatur dhe në tokat tashmë të pushtuara shqiptare nga serbosllavët,ajo natë e tmerrshme e trishtueshme për kombin tonë që zgjati jo ma pakë se gjysëm shekulli.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Fejzi Alizoti, tokat e lirueme

Dredhitë Greke për kufijtë dhe vrasja e gjeneralit Italian Tellini

September 5, 2013 by dgreca

Foto;Gjeneral Tellini dhe Ushtarakët Italian të vrarë nga grekërit më 27 gusht 1923/

Shkruan:Eugen SHEHU/

Për shkak të një qëndrimi tejet konsekuent të qeverisë shqiptare të dalë nga Kongresi i Lushnjës, diplomacia evropiane dhe në mënyrë të veçantë Këshilli i Lidhjes së Kombeve, u detyruan të njihnin shtetin e pavarur shqiptar. Për rrjedhojë ata do të njihnin në këtë mënyrë edhe kufijtë e Shqipërisë të cilët ndonëse të vendosur disi në Konferencën e Londrës të vitit 1913, sërish patën ngjallur debate midis shtetit shqiptar fqinjit grabitqar helen.Pikërisht këto mosmarrveshje, të nxitura sa prej grekërve dhe aq prej serbëve, bën që Lidhja e Kombeve, të marrë në konsideratë sa më parë caktimin në mënyrë të përhershme të kufijve shqiptarë.

  Përcaktimi përfundimtar i vijës së kufirit shtetëror shqiptaro-grek,iu caktua një komision ndërkombëtar, i cili do të ishte i paanshëm dhe do të vendoste në mënyrë të veçantë në lidhje me rreth 14 fshatra në Perfekturën e Korçës, të cilët ç’prej vitit 1913 ishin quajtur zonë asnjanëse.Këtu duhet theksuar se, krejt këto fshatra, sikundër edhe 3-4 të tillë në Sarandë, banoheshin prej shqiptarëve etnikë ( për më tepër të besimit mysliman) por ata u quajtën si zonë asnjëanëse, në mënyrë tepër flagrante prej diplomacisë evropianë në Londër.
Vendimi i Lidhjes së Kombeve për dërgimin në këto treva të Komisionit Ndërkombëtar të kufijve, në vitet e 1921-1922 u shoqërua me një diplomaci e një veprim dhelpërak të Athinës.Meqënëse këto territore,kontrolloheshin asaj kohe nga bandat e mynxyrshme të andartëve grekë,qeveria helene brenda pak muajve mundi të dërgojë në këto fshatra me qindra familje greke duke u dhënë aty toka shqiptare padrejtësisht të përvetsuara, si dhe shpërblime të mëdha në para për ndërtimin sa më shpejtë të shtëpive.Komisioni Ndërkombëtar i kufijve,nisi nga puna në vjeshtën e vitit 1922, por delegacionet greke dhe serbe nxuarrën një mal me pengesa, me ç’rast komisioni në fjalë mbeti në pritje. Pas tentativash diplomatike në Lidhjen e Kombeve, më në fund, në pranverën e vitit 1923,pjestarët e komisionit kishin përcaktuar qartë modalitetet dhe nisën nga detyrat e ngarkuara. Në krye të këtij Komisioni, ishte caktuar gjenerali italian Tellini, sekretar kapiteni Frenk de Limperan, ndërsa antarë ; koloneli Britanik Gills, ai francez Ordion. Ndërsa pala shqiptare fillimisht u përfaqsua prej Ali Riza Kolonjës, e më pas prej Bajram Fevziut dhe prefektit të Korçës, Dhimitër Beratit,pala greke nga prefekti i Follorinës Modhi dhe nënkolonel Boçari, ndërsa ajo serbe gjenerali Panoviç dhe koloneli Stojanoviç. Por vetëm dy tri javë që pati filluar veprimtaria e këtij komisioni, u ravijëzuan qartë manovrat e qeverisë Helene.Ajo i tërhoqi përfaqsuesit e vet në Athinë, nën preteksin so do t’u jepte udhëzime,ndërsa një çetë e andartësh grekë e mbante në rretjina të Korçës,si kërcënim të hapur që i bëhej gjeneralit italian Telini.Madje në ndonjë rast, kur Telini nuk denjonte as të dëgjonte zërraat e çjerrura të tyre,ata nuk mungonin as me kërcënime.Lidhur me këtë shtypi shqiptar i kohës shkruante : „Për të shtrënguar Komisionin e Kufijve që Korçën ta kalonin nën zgjedhën e tyre, 50 ushtarë grekë u dyndën me pahir në ndërtesën ku qëndronte komisioni në Korçë.Gjeneral Tellini, i vetëm, i flaku jashtë ndërtesës“.(Gazeta„Dielli“Boston,22.03.1923).
  Kthimi i palës greke në krye të detyrës,sigurisht kish të bënte me vendosmërinë e kryetarit të komisionit, Tellinit, i cili në mungesë të tyre, vazhdonte eksplorimin e zonës dhe vendosjen përfundimtare të kufijve. Ndër të parat përpjekje të grekut Boçari, ishin për të futur brenda kufijve helenë dy fshatra shqiptarë të njohur për ujërat termale të tyre ; Probickë dhe Radat.Me ndihmën edhe të palës serbe Boçari u përpoq të bindëte komisionin që këto ujëra termalë kishin pronarë grekë, por mashtrime të tilla nuk pijnë ujë.Ndërsa Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve nisi nga ngritja e piramidës, andartët grekë nuk i ndalën në dhunën e tyre shovene.Një mëngjes të qershorit 1923, komisioni u gjend përballë faktit të kryer, piramida e sapongritur ishte rrëzuar.Në mënyrë urrgjente Tellini njoftoi për këtë precendent të rrezikshëm Lidhjen e Kombeve dhe urdhëroi në mënyrë të prerë Athinën të tërhiqte nga ai territor një kompani të kufitarëve grekë, të cilët kinse ishin roje kufiri,por sigurisht kishin dorë direkt në rrëzimin e piramidës.Kanë qënë më tej autoritetet dhe vendosmëria e Lidhjes së Kombeve me ç’rast „kufitarët“ grekë u larguan nga viset thjeshtë shqiptare.Nisur nga një varg pasaktësish të vendimeve të Protokolit të Firences si edhe atyre të Konferencës së Ambasadrovë,pala greke kërkonte me çdo mjet dhe mënyrë të rrëmbente sa më shumë të ishte e mundur prej trojeve shqiptare.Në mënyrë të veçantë në fundqershorin e vitit 1923, Boçari dhe shpura e topografëve të tij,donin të shtynin kufirin grek sa më shumë drejt Libohovës, duke patur pas kësaj në duar, nga pikpamja strategjike, vetë qytetin e Gjirokastrës.Por gjenerali Telini, tepër i vendosur në misionin e vet, duke i shkelur pëllëmbë për pëllëmbe ato male, duke biseduar vetëm e vetëm me shqiptarë etnikë, caktoi realisht kufirin thellë, e në lindje të qytetit të Libohovës e deri në vargun e kodrave të Kakavijës. „Ky veprim linte të kuptohej sheshit se gjeneral Tellini synonte ta shtrinte vijën e kufirit shtetëror shqiptar, në tërë Camërinë veriore me kryqendër Filatin dhe masivin malor në lindje të tij, Shtrungarë,Murganë-Vigël,masiv ky që kishte me vete Janinën,Korfuzin dhe tërë ujëdhezat pranë tij.Në kushte të tilla,pushtetarë të shtetit grek u mbeteshin dy rrugë ; ja të linin Janinën,Korfuzin dhe tërë ujëdhesat Jonike nën Shqipëri, ja në këmbim të masivit në fjalë t’i kthenin këtij shteti Camërinë deri në gjirin e Prevezës“.(I.Hoxha „Viset kombëtare shqiptarenështetingrek„–Tiranë999,faqe59).
  Përballë këtyre zhvillimeve Athina asesi nuk mund të rrinte duarkryq.Ajo improvizoi kinse mallkimet e kishës greke, kundër atyre që kërkonin zvoglimin e kufijve helenë.Protestuesit nuk vonuan „t’i kërkonin“ qeverisë së tyre në Athinë që t’i vinin fre punëve të komisionit.Madje vetë shtypi grek i atyre ditëve do të shprehej tekstualisht : „Ky nën kryesinë e gjeneral Telinit do të jetë një katastrofë për interesat greke“(Gazeta „Elefteron Vima“ 2. korrik. 1923), pikërisht këto inskenime të „revoltës“ së grekërve,bënë që nga pjestarë të Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve, në mënyrë të veçantë nga ai britanik dhe serb, të këmbëngulej për të dëgjuar sa më shumë palën greke pasi po „shkeleshin“ disa nga parimet e LidhjessëKombeve.
 Në të vërtetë,disfata greke në Turqi,ajo aventurë helene ku lanë eshtrat e tyre me mijëra helenë, pati bërë që Athina të ndihej disi kokëulur përpara diplomacisë evropiane.Ajo e shihte se brenda Lidhjes së Kombeve,nuk mund të mbështetej në politikat e saja shovene kundruall trojeve Etnike Shqiptare, dhe për këtë vendosi të pezullojë me çdo kusht veprimtarinë e Komisionit të Kufijve, duke ideuar deri edhe zhdukjen fizike të gjeneral Telinit.Rreth tij , në mënyrë të veçantë në muajin gusht 1923, u mblodhën një dyzinë kriminelësh që paraprakisht donin ta trembnin përmes gjithfarë shantazhes. Të nxitur nga koloneli grek Boçari ( i cili padyshim furnizohej me flori ,armë dhe ushtarë nga Athina) keta kriminelë të lindur,ndiqnin në çdo hap punët e Komisionit, duke vënë atë jo rrallë përballë situatash të rrezikshme.Natyrisht këto ka parasysh Tellini, i cili në letrën e fundit ( një ditë përpara vrasjes) që i dërgonte Lidhjes së Kombeve,post ë tjerave shkruante tekstualisht ; „Gjithë kjo atmosferë e krijuar më bën të dyshoj se mos e gjithë puna e bërë do të shkatërrohet nga koloneli grek Boçari,i cili gjithmonë shpik pretekse dhe incidente që të mos i bindet vendimeve të komisionit, që është i paanshëm dhe kryen detyrën e tij duke u bazuar në ndërgjegjen e vet e drejtësinë e s’duhet të na kundërshtojë me zjarr në gojë e plumb në zemër siçbënai“(Gazeta„Panorama“Tiranëmë12.nëndor.2003).
Mjerisht,ndërsa niste këtë letër për në Lidhjen e Kombeve, Tellini nuk dinte se plani i Athinës për vrasjen e tij ishte tanimë i përfunduar.Në mëngjesin e 27 gushtit të vitit 1923, ndërsa komisioni la Janinën për t’iu drejtuar Kakavijës, makina e palës greke, e cila ishte në krye, befasndali.

  Pas saj vinte makina e gjeneral Telinit, i cili ndaloi të pyeste çkish ndodhur,por Boçari i tha se kish difekt dhe hapi rrugën duke lënë Telinin të ecte në krye.Vetëm njëzet minuta më pas në vendin e quajtur Zhepë, shoferi i Telinit ndalon pasi rruga ishte e zënë me trungje lisash,sapo ai del prej makinës së bashku me përkthyesit shqiptarë, breshërit e automatikëve grek nuk ndalen,kështu që mbrenda 10-12 minutave vriten 3 oficerë italianë e mes tyre edhe gjeneral Tellini.Ka qenë ora 9 e mëngjesit e 27 gudhtit 1923.Me pretendimin kinse janë prishur linja telöefonike,vetëm pas 8 orësh u njoftuan për këtë ngjarje konsulli italian në Janinë,i cili brenda pak minutash njoftoi kryetarin e shtetit, Benito Musolinin. Kjo vrasje do të trondiste thellë krejt opinionin italian dhe ate shqiptar.Këta të fundit ishin përpjekur ta ruanin me çdo mjet e mënyrë mikun e tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri,por e patën të pamundur ta ruanin atë mbrenda kufijve administrativ grekë. Të nesërmen e vrasjes, Roma , i paraqiti qeverisë greke një notë ultimative ku parashtronte ;

„ 1- Qeveria greke nëpërmjet pushtetarëve më të lartë civilë dhe ushtarakë të kërkonte ndjesë pranë përfaqsisë qeveritare italiane në Athinë.

2- Ceremonial madhështor në kishën katolike në Athinë për nder të të vrarëve.

3- Nderim i flamurit italian nëpërmjet flotës luftarake greke në Pire,ku do të udhëtonte për këtë qëllim një njësi avulloresh italiane. Luftanijet greke duke mbajtur në direkët e tyre flamurin italian duhej të shpraznin 21 të shtëna topi.

4- Hetime të përpikta në vendin e vrasjes, në prani të të dërguarit ushtarak italian, për jetën e të cilit do të ishte përgjegjës dretpërsëdrejti qeveria greke.Hetimet duhet të kryeheshin brenda 5 ditëve nga data e asaj kërkese.

5- Fajtorët të dënoheshin me vdekje.

6- Brenda pesë ditëve qeveria greke të paguante një dëmshpërblim prej 50 miliom liretash.

7- Të bëheshin nderime ushtarake kur avulloret italiane do të mbartnin kufomat e të vrarëve“
( Gazeta „Politika“ – Vlorë , 20 shtator 1923 ).

  Metë marrë notën në fjalë,Athina nisi sërish nga dinakëritë tradicionale të saja.Në fillim ajo nuk e mori përsipër vrasjen,madje krejt shtypi grek akuzoi për këte shqiptarët.Pas kësaj Athina kërkoi edhe ndihmën e francës dhe të Anglisë, për t’a detyruar Romën të rishikonte notat e ultimatumit.Por Benito Musolini,duke dashur të verë në vend nderin e ushtarëve të tij, nuk i përfilli aspak këshillat e diplomacisë evropiane.Mëngjesin e 30 gushtit të vitit 1923, një grup luftanijesh italiane iu drejtuan Korfuzit dhe pas disa bombardimesh të lehta e pushtuan atë. Brenda 7-8 orësh ata mundën të hyjnë pa luftë dhe në disa ishuj të tjerë pranë Korfuzit.Qeveria helenike e ngriti lartë zërin në Lidhjen e Kombeve, për kinse pushtimin italian, por aty dhelpëria greke nuk mundi të depërtonte thellë. Opinioni ndërkombëtar,duke dënuar ashpër Athinën,parashtroi idenë se vetëm një falje publike e saj si dhe nderimi i të rënëve, do të mund të ndryshonte disi imazhin gjakatar të krimit pervers.Përballë kësaj gjendjeje,si edhe frikës për luftanijet italiane që patën pushtuar ishujt,Athina nxitoi të vinte në jetë sa më parë, kërkesat ultimative të palës Italiane. Por edhe në këtë rast,Athina do të vazhdonte me dinakërinë emblematike të sajën, që të mbillte mjegull dhe erësirë, dhe për më tej të kalonte krimin në anën e shqiptarëve.Ka qenë kjo arësyeja që Konferenca e Ambasadorëve në Paris, ngriti një komision të posaçëm hetimor për vrasjen e gjeneral Telinit dhe bashkëpuntorëve të tij Italian. Kryetar i këtij komisioni u caktua një prej ekspertëve më në zë të drejtësisë japoneze,Shiboja, ndërsa anëtarë ishin anglezë,francezë dhe italianë.Detyrimisht në këtë komision do të merrnin pjesë dhe përfaqsues të Greqisë dhe Shqipërisë.Athina në këtë rast caktoi përsëri kolonel Boçarin, ndërsa Tirana, atdhetarin dhe juristin e zot, Mehdi bej Frashërin, i cili më pas do të ishte përfaqsuesi shqiptar në Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve.Pas një vargu të gjatë dhe të hollësishëm të hetimeve më 29 shtator 1923, komisioni hetimorë u dha fund kërkimeve duke bërë plotësisht me faj qeverinë greke, madje duke e akuzuar drejtëpërsëdrejti atë si autorë të krimit.Komisioni hetimor urgjentisht njoftoi për këtë Konferencën e Ambasadorëve në Paris, madje u shpreh se në asnjë drejtim nuk ka vend për dyshime.Veçanërisht, ajo që „vulosi“ hetimin ishte fakti që jo më shumë se 500 metra larg vendit të krimit, ishte një repart kufitarësh grekë. Ditën e krimit, ata as që ishin dukur fare andej kur dihej se detyra e përcaktuar ishte të ruante rregullin dhe qetësinë në vendin e dislokimit dhe më tutje.Njëri prej shqiptarëve, prezent në ato momente rrëfen ; „Met ë arritur komisioni në vendvrasje të gjeneral Enriko Telinit dhe shoqëruesve të tij, koloneli japonez Shibo,nxori koburen dhe qëlloi dy herë në ajër.Ushtarët e një njësie greke që ishin vendosur aty afër,brenda pak minutash u gjendën atje dhe rrethuan pjestarët e komisionit.Atëherë koloneli japonez tha : Hetimi mbaroi ! Kur pjestarët e tjerë të habitur e pyetën tha ; Kur krismat e dy të shtënave të revolverit u dëgjuan nga ushtarët,si është mundur që qindra të shtëna pushkësh nuk u dëgjuan prej tyre ?“ ( I.Hoxha,“Viset Kombëtare shqiptarenështetingrek“Tiranë1999,fq.71)
  Sa i përket shqiptarëve,ata e nderuan plo respekt figurën madhore të gjeneralit italian. Met ë marrë vesh lajmin e vrasjes së tij parlamenti shqiptar në shenjë zie ndërpreu punimet për 24 orë. Vetë kryeministri shqiptar Ahmet Zogu u dërgoi telegrame ngushëllimi personaliteteve të larta të politikës italiane, si edhe familjarëve të ushtarëve të vrarë. Ndërkaq populli i Vlorës në ditën e 3 shtatorit ( atëherë kur duhej të festonte 3 vjetorin e luftës-epope kundër forcave ushtarake italiane më 1920) në formë kortezhi të përmortshëm iu drejtuan konsullatës italiane në Vlorë, duke bërë ngushëllimet e rastit.Ky akt bëri përshtypje të madhe jo vetëm në Romë,por në krejt Evropën e qytetëruar, çka dëshmon se shqiptarët nuk ishn një popull i egër sikur propagandonin qarqet antishqiptare sllavo-helene,por përkundrazi ndër ta kishte plot vend edhe për paqë,mirësi e respekt ndaj miqve të tyre.Si rrallëkund në botë për Telinin u bënë përshpëritje jo vetëm në kishat katolike të shqiptarëve,por edhe në objekte të tjera të kultit siç ishin xhamitë dhe teqetë e bektashinjëve.
Lidhja e Kombeve ndërkaq,për të mos ndërprerë misionin e saj në përcaktimin e plotë të kufijve shtetërorë midis Greqisë dhe Shqipërisë ngarkoi një tjetër ushtarak italian në krye të Komisionit Ndërkombëtar të kufijve.Edhe këtë ushtarak, shqiptarët e rrethuan me dashurinë dhe mikpritjen tradicionale të tyre. Por, tanimë,ekspertë anglezë dhe francezë po demonstronin hapur simpatinë e tyre për Athinën dhe ushtaraku i lartë Italian, nuk gjente forc¨üe të përballej me ta. Në këtë mënyrë, rruga e nisur prej gjeneral Telinit u la në mes, ndërsa përpjekjet e përfaqsuesit shqiptar në këtë komision, Mehdi bej Frashëri jo rrallë u shpërfillën prej palëve greke apo britanike.Për shkak kinse të disa parregullsive në jugun shqiptar, andartët grekë nisën sërisht të prishnin piramidat e vendosura prej Telinit, por kryeminstri shqiptar Ahmet Zogu me ndihmën e Ushtrisë Kombëtare si edhe çetave atdhetare të jugut,mundi t’u bëje ballë këtyre reprezaljeve, deri edhe me sakrificën e disa dëshmorëve.Në këtë mënyrë dëshmon edhe një herë se do të luftonin me jetën e tyre jo vetëm kufijtë shtetërorë të mos rudheshin,por njëherësh të njiheshin dhe të mbroheshin edhe kufijtë etnike të tyre,sidoqoftë injoranca dhe perversiteti diplomatik i disa shteteve perëndimore kishin veç të mprehur “shpatën diplomatike“

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Histori Tagged With: dredhite greke, Eugen Shehu, per kufijte, vrasja e Telinit

KUSHTETUTA E MBRETERISE SHQIPTARE

August 30, 2013 by dgreca

Roli  i   Kushtetutës 1. Shtator. 1928 për konsolidimin  e shtetit shqiptar

Shkruan:Eugen SHEHU/

 Vera e vitit 1927 dukej e mbarë,si për shqiptarët në përgjithsi edhe për Presidentin Zog në veçanti, i cili kish mundur të shmangte disa turbullira të brendshme.Ndërkaq ai mendonte për një lidhje sa më të qëndrueshme dhe komplekse me Italinë për të balancuar rrezikun Jugosllav.Pamvarsia e kombeve të vegjël,në rrafsh të aleancës të Lidhjes së Kombeve,dukej se ishte kurdoherë e rrezikuar për shkak të interesave madhore që paraqisnin Fuqitë e Europës,veçanërisht për Shqipërinë territoret e së cilës,lakmoheshin nga fqinjët,vlente një kujdes më i madh si në diplomaci ashtu edhe në paktet e ndryshme ushtarake.Sidoqoftë ajo çfar shpejtoj një lidhje më të ngushtë të Shqipërisë me Italinë,ishte nënshkrimi në Paris,më 11 nëndor 1927 i Traktatit të Bashkëpunimit midis Jugosllavisë dhe Francës.Në këtë traktat u përfshi edhe një marrëveshje e fshehtë ushtarake.Sipas burimeve të shumta diplomatike kjo marrveshje e fshehtë nxiste akoma më tej veprimin e ekspansionit serb,në dëm të interesave të kombeve të tjera të ballkanit.E thënë më shkurt,ky Traktat i firmosur në Paris,riste më tej rreziqet e sovranitetit të Shqipërisë.Shtypi europian këtë ngjarje e përcillte me idenë se „Frika prej Jugosllavisë e detyronte Shqipërinë t’i zgjaste më shumë dorën Italisë dhe ky ishte një rrezulltat logjik i paevitueshëm“( Gazeta „The Near Earth „ më 17 nëndor 1927 ).

Në këtë mënyrë me ndërhyrjen e drejtëpërdrejti të Presidentit Zog në 22 nëndor 1927, ministri i jashtëm shqiptar Iljaz Vrioni dhe ministri italian në Shqipëri Ugo Sola,nënshkruan Traktatin e Aleancës Mbrojtëse:pos të tjerave në këtë Traktat shprehën në mënyrë të vendosur ideja që të dy palët në mënyrë të ndërsjelltë do të angazhoheshin së bashku për ruajtjen e paqës.Nëse njëra palë do të kërcnohet nga një luftë, e cila nuk ishte provokuar prej saj,pala tjetër do të përdorte të gjitha mjetet në dispozicion për të ndaluar operacionet luftarake.Ndërsa në rastin kur përpjekjet për pajtim do të përfundonin pa sukses secila palë ishte e detyruar të ndiqte fatin e tjetrës dhe të vinte në dispozicion të aleates së vetë të gjitha burimet ushtarake në rastin më të parë.

Ky Traktat i Mbrojtjes, i quajtur më vonë Pakti i Dytë i Tiranës në thelb nuk cënonte asnjë liri të shqiptarëve përkundrazi nenet e tij vireshin në roje të pavarsisë kombëtare.Asnjë lloj ndërhyrjeje të Italisë,në punët e brendshme të Shqipërisë nuk favorizohej përmes këtij Tarkti,përkundrazi pala Italiane njoftonte Romën se presidenti Zog në këtë marrveshje kishte shfaqur dukshëm dilplomacinë e hollë dhe zgjuarsinë tipike shqiptare.Në janarin e vitit 1928,ky Traktat,pas ratifikimeve të bëra nga Roma dhe Tirana u regjistrua në Organizatën e Lidhjes së Kombeve.Ende pa dërguar Traktatin në këtë Lidhje,ishte Beogradi që shfaqi dukshëm shqetsimin e tij.Ministri Jugosllav në Tiranë,bëri me dije qeverinë shqiptare me anë të një note se ky Traktat ishte i panevojshëm,pasi Shqipërisë nuk i kërcnohej asnjë rrezik ushtarak.Ndërsa qeveria shqiptare i kujtoi Beogradit se në të njejtën kohë mund të ketë qenë i panevojshëm edhe Traktati i Jugosllavisë me Francën.Kjo ishte pak a shumë situata politike në Shqipëri në fund të vitit 1927 dhe në fillim të vitit 1928.Ndërkaq gjatë vitit 1927,me nismën personale të Presidentit Shqiptar,një grup ekspertësh shqiptarë po punonin për Kushtetutën e re të Republikës Shqiptare.Në krye të këtyre ekspertëve ishin vendosur dy burra të ditur,të shkolluar dhe me përvojë në administratë.Për më tej ata shquheshin edhe si njohës të thellë të mentalitetit të popullit të tyre,këta ishin Mehdi bej Frashëri dhe Kol  Tromara.E vërteta është se përpjekje për hartimin e Kushtetutës,ishin bërë edhe më parë në Shqipëri.Kështu në 10 prill 1914, ekspertë të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit,kishin hartuar një dokument bazë juridik,mbi të cilin duhej të mbështetej qeveria shqiptare e asaj kohe.Në të vërtetë ky dokument juridik,nuk luajti ndonjë rol të ndjeshëm,po të kemi parasysh se në vitet e Luftës së Parë Botërore,Shqipëria u shëndrrua në arenë përleshjesh politike dhe ushtarake të fuqive europiane.Ajo çka mund të merret si përpjekje e parë serioze për vendosjen e shtetit juridik,është padyshim kushtetuta e dalë prej Kongresit të Lushnjës,në janar të vitit 1920.Me rastin e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve,u pranua gjithashtu  edhe Kushtetuta në fjalë,mund të themi se ajo nuk mundi t’u rezistojë ndryshimeve të reja,pasi mjaft prej kodeve u përkisnin modeleve osmane dhe sidomos për faktin që mbante ligjërisht të bashkuar pushtetin ligjvënës me ate egzekutiv.Pikërisht ka qenë kjo arsyeja  që në marsin e vitit 1925,Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë,miratoi një Kushtetutë tjetër,me disa ndryshime nga ajo e dalë prej kuvendit të Lushnjës.Ndonëse këto ndrashime ishin të pakta,në themel ato preknin dy prej shtyllave të rëndësishme të konstitucionit të shtetit shqiptar.

Së pari,Kushtetuta e marsit 1925,ndalonte të gjitha format e mbrojtjes prej ushtrive të huaja dhe së dyti,ndante përfundimisht legjislativin nga egzekutivi.Mandej kjo kushtetutë parashihte zgjedhjet për Dhomën e Deputetëve dhe të Senatit,gjdo ligj i miratuar në Dhomën e Deputetëve do të shqyrtohej në Senat,për t’ia përcjellë më pas Presidentit.

Në kushtet e një konfiguracioni të ri politik në Ballkan,Presidenti Zog,me ndihmën e Mehdi Frashërit,Kol Tromarës dhe ekspertëve të tjerë shqiptarë,ndikuan drejtëpërsëdrejti në ideimin dhe hartimin e Kushtetutës së re shqiptare.Në themel të kësaj Kushtetute,do të ishte sistemi i ri i ligjeve,sipas modelit të shtetit perëndimorë.Për këtë,u thirrën edhe ekspertë të ndryshëm nga Italia, Franca,Zvicra dhe Austria,të cilët dhanë ndihmesën e tyre në ideimin e një kushtetute të re,perëndimore,që nuk mund të ishte diçka e lehtë:Nëse Europa perëndimore nuk kishte kulturën e vet shekullore,universitetet dhe avantazhe të tjera ekonomiko-sociale,në Shqipëri,në pjesën më të madhe të vendit,marrëdhëniet shoqërore rregulloheshin kryesisht mbi parimet e pleqësive apo Kanunet e Lekë Dukagjinit.Një prapambetje e tillë,i kish lënë të çuditur mjaft nga ekspertët e huaj,të cilët kërkonin adaptimin „enbloc“ të ligjeve të tyre kushtetuese.Pikërisht për të krijuar një harmoni sa më të ndjeshme,midis ligjeve perëndimore dhe realitetit shqiptar,hartuesit e Kushtetutës së vitit 1928,punuan plot vullnet e këmbëngulje,duke patur parasysh jo vetëm çfarë ndodhte në marëdhëniet shoqërore të Shqipërisë së atyre viteve,por edhe si mund të udhëhiqej ky komb drejt dyerve të qytetërimit.Është kjo aryseja që më 18 janar 1928,me dekret presidencial u abrogua kodi i vjetër osman dhe hyri në fuqi kodi i ri penal shqiptar.Më pas më 1 mars 1928, parllamenti shqiptar abrogoi kodin civil osman dhe në vend të tij zyrtarizoji kodin civil shqiptar,i cili në mjaft prej neneve të tij mbështetej në kodet civile të Francës dhe të Zvicrës.

Me zgjedhjen e qeverisë së re në qershorin e vitit 1928,presidenti Zog mendoi se ishte i domosdoshëm miratimi në Kuvendin kushtetues i Kushtetutës së re, e cila u referohej sidomos zhvillimeve të brendshme.Është për t’u përmendur fakti që kuvendi i Kushtetutës,pasi të njihej me Kushtetutën e re,kishte të drejtë jo vetëm të diskutonte por të vendoste mbi çdo nen të kësaj Kushtetute.I mbledhur në 5 gusht 1928,kuvendi në fjalë diskutoi gjërë e gjatë në detaje,për ditë me radhë duke sjellë argumenta pro dhe kundër për nene të ndryshëm.Tendencat e vendosjes së ligjeve sipas modeleve perëndimore u panë dhe ripanë disa herë,shumë prej tyre madje u ndryshuan në përputhje me situatat që kalonte vendi.

Në këtë mënyrë,Kushtetuta e Re u aprovua në mënyrë unanime në 1.IX.1928,prej Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë.Pos të tjerave aty sanksionohej ;

„-Shqipëria është një shtet i pavarur me tërësi tokësore të pandarë,të pacënueshme dhe të patjetërsueshme.

 -Kjo shpallet Mbretëri Demokratike Parllamentare dhe e trashëgueshme,me Mbret të Shqiptarëve, naltmadhërinë e tij Zogu i Parë.

-Flamuri kombëtar ka ngjyrë të kuqe me një shqiponjë të zezë dy krenare në mes.

-Gjuha zyrtare është shqipja,ndërsa kryeqyteti i vendit Tirana.

-Shteti shqiptar ka karakter ateist,por fetë dhe besimet e ndryshme fetare,gëzojnë lirinë e ushtrimeve të tyre që sigurohen me ligj,por që nuk ndërhyjn në punët e brendshme të shtetit.

-Pushteti Egzekutiv i përket Mbretit që  e ushtron atë me anë të qeverisë.

-Pushteti legjislativ ushtrohet bashkarisht nga Mbreti dhe Parllamenti që përbëhet nga një dhomë.

-Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykatat dhe vendimet e tyre jepen të bazuara në ligj e zbatohen në emër të Mbretit“.(„Shqipnia më 1937“,faqe 7-8 ).

Deri më sot,në pejsën më të madhe të historiografisë shqiptare shpallja e kësaj kushtetute është interpretuar si një vendim i Mbretit Zog për të „legjitimuar“ diktaturën e tij.Faktet provuan të kundërtën.Kompetencat vërtetë të mëdha si në politikën e brendshme ashtu edhe atë të jashtme,askurrë nuk u shfrytëzuan prej tij që të zgjatin jetën,apo të instalonin diktatura.Përkundër këtyre,duke qenë i paisur me një frymë demokratike,Mbreti Zog krijoi marrëdhënie të sinqerta dhe reciprokisht respektuese si me miqtë e shumët ashtu edhe me armiqtë e paktë.Mentaliteti me të cilin ishin ngjizur shqiptarët,anarkia e lindur e tyre,ndjenja kundërshtuese ndaj ligjeve bënë përgjithsi si shteti, por edhe një sërë rreziqesh të jahstëm kërkonin udhëheqjen me „dorë të fortë“ të vendit.

Krijimi i institucionit të Mbretit me anë të Kushtetutës së vitit 1928 në të vërtetë donte të ringjallte tek shqiptarët,imazhin e prijësit trim e bujar,të mençur.Vetë realitetet shqiptare shekullore patën vërtetuar se në vorbullën e ngjarjeve më të rëndësishme prijësi i vërtetë kish qenë ai që pati mbajtur në supe hallet e popullit,sado të mëdha të ishin ato.Në kujtesën nacionale shqiptare sado që patën kaluar shekuj,kujtimi i kryetrimit Gjergj Kastriot Skenderbeut,jo vetëm që nuk venitej,por përkundrazi fitonte shkëlqim të ri.Pikërisht tek Mbreti i tyre pjesa më e madhe e shqiptarëve të asaj kohe parashihte prijësin e ri i cili në vend të kalit dhe të shpatës,do t’u printe me urtësi me ligj,me drejtësi dhe maturi për në dyert e civilizimit perëndomorë.Kushtetuta sanksiononte fuqinë e Mbretit por jo despotizmin e tij.Një tipar i veçantë që jep dimensione aktuale Kushtetutës së vitit 1928,është padyshim karakteri thellësisht kombëtar i saj.Emërtimi i Mbretit,si Mbret i Shqiptarëve,është mjaft domethënëse,në kushtet kur në shtetin amë jetojnë vetëm një e treta e shqiptarëve,ndërsa dy të tretat dhunoheshin barbarisht nga Beogradi dhe Athina.Mesazhi,i Kushtetutës shqiptare në këtë rast ishte i qartë ,nëse Europa e quante të mbyllur kapitullin e coptimit barbarë të trojeve shqiptare,Mbreti Zog nuk mund të pajtohej me këtë qëndrim.Fjala e tij në parllament në 1 shtator 1928,do të duartrokitej nxehtësisht ndërsa deklaronte ; „Nuk është aspak e vërtetë që shqiptari i ka humbur cilësitë e tij dhe s’meriton të kzistoj,siç kanë kujtuar e kujtojnë disa.Ndërsa kombeve të tjerë kur krijuan shtetet e tyre,s’u mungoi ndihma e jashtme,kombi ynë e fitoi lirinë e tij me mundim,sakrifica e gjak.Shqiptari në kohë të lashta  dhe të afërta ka treguar se në çastin e duhur është bashkuar për mbrojtjen e atdhuet.Kjo u vrajtua edhe pas Luftës Botërore kur kombi ynë në vitin 1913 u cungua me një vendim që ne s’e kemi njohur e s’do ta njohim kurrë“ ( „10 vjet mbretni shqiptare „ faqe 26 ).

Kushtetuta e shtatorit e vitit 1928,me nen të veçantë të saj ndalonte shitblerjen e trojeve shqiptare prej shtetasve të huaj.E vërteta është se shteti shqiptar i asaj kohe dispononte sipërfaqe të mëdha toke,të cilat mund t’i shiste për të mbledhur para.Por atdhetarët shqiptare,ata që ideuan dhe votuan Kushtetutën e kërkuan ndalimin e shitjes së tokës shqiptare,duke parë pangopshmërinë e ekspansionit serbosllavo grek,dhe sidomos rrezikun që mund të vinte prej këtyre pazareve.Është për të ardhur keq,por 66 vjet më vonë,në Kushtetutën shqiptare të vitit 1994 u lejua shitja e  tokës për shtetasit e huaj.Ndërsa vula e kësaj tragjedie  kombëtare u vendos në miratimin e Kushtetutës së vitit 1998.Është shumë e trishtueshme të mendosh se sot,në shtetin amë,janë qindra e mijëra hektarë në jugun e vendit,të cilat u janë shitur grekërve,a thua se nuk na mjafton ne shqiptarëve tragjedia e madhe çame. Tepër largpamës në rrafsh të politikave të jashtme,Kushtetuta shqiptare e vitit 1928,parashihte lidhjen e vendit tonë përmes traktateve të ndryshëm,për sigurimin e qetësisë dhe të paqës,jo vetëm në territoret shqiptare por dhe më gjërë.Nisma e Francës,për të patur një pakt të përhershëm miqësie me SHBA-të,u pasua prej praktikave të reja të diplomacisë europiane.Kështu në mbarim të vitit 1928 ishte kristalizuar Pakti Kellog,i cili,i mbështetur në Kartën e Lidhjes së Kombeve,forconte qëndrimet e shteteve apo bashkimeve politike për shmangien e konflikteve të armatosur dhe vendosjen e paqës midis popujve.Në këtë mënyrë këshilli ministrorë shqiptar,në vjeshtën e vitit 1928,“autorizon ministrin e Shqipërisë në SHBA,Faik Konicën,që t’u dorëzonte amerikanëve aktin e aderimit të shtetit shqiptar në Paktin Këllog“ ( Arkivi  Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi Ministria e Punëve të Jashtme, dosja 144,fleta 43 ).

Duan apo nuk duan historiografët kalemxhinj të diktaturës perverse 50 vjeçare komuniste, Kushtetuta Mbretërore e vitit 1928,ka qenë përshkruar nga një frymë thellësisht demokratike dhe kombëtariste. Për më tej ka qenë nisma fatlume e mbretit Zog,si dhe pjestarëve të kabinetit ministrorë,që çdo nen i kësaj Kushtetute,jo vetëm të mos përdhosej prej nënpunësve të thejshtë,por të respektohej deri në fund,me çdo çmim.Në mënyrë të veçantë,sistemi juridik ka qenë tejet i pavarur dhe pushteti i tij garantohej në mënyrë permanente nga Kushtetuta.Demokracia e institucionalizuar në këtë Kushtetutë,gjente shprehje veprimi dhe për aktin se vetë Mbreti i Shqiptarëve,ishte paisur me elementë demokratë në karakterin e tij.Janë me dhjetra rastet,kur ai sillej me kundërshtarët personal me butësinë më të madhe,duke i respektuar ata për ato çfar bënin për shoqërinë,dhe jo çfar komplotonin kundër tij.Në këtë mënyrë,demokracia,në vitet e qeverisjes së mbretit Zog,ishte në parametra të tilla,që u afrohej gjithmonë e më shumë demokracive perëndimore.Ajo linte shumë mbrapa,të ashtuquajturat demokraci,në vendet ballaknike e më gjërë.Brenda kësaj demokracije,jetonte sidomos liria e madhe njerzore.

Për të gjitha këto që thamë më sipër,mendojmë se Kushtetuta e vitit 1928,jo vetëm që i ka rrezistuar kohës,por është tejet e dobishme edhe në ditët e sotme,në milleniumin e ri.Në të vërtetë kjo Kushtetutë nuk e ka humbur legjitimitetin e vet.Në fillim ajo u godit dhe humbi vlefshmërinë prej pushtimit fashist italian në vitin 1939.Së dyti,u hodh poshtë prej regjimit po aq të ngjashëm me fashizmin,siç ishte diktatura komuniste.Pikërisht për këto arsye shqiptarët kudo ku janë,duke balancuar zhvillimet e kombit dhe jetën e tyre,prej Kushtetutës së vitit 1928 e deri tek ajo e vitit 1998,kanë të drejtën morale të mburren me Kushtetutën Mbretërore.Për më tej, nëse shohim pas kësaj  të drejte morale,mendoj se bashkëkombasit e  mij, e sidomos ata në shtetin amë,kanë të drejtë të kërkojnë afrimin e kësaj Kushtetute në realitetet e sotme shqiptare.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Featured Tagged With: Eugen Shehu, Kushtetuta e 1928, Mbreti Zog I

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 18
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”
  • Zhvillimi e përdorimi i Gjuhës Shqipe në diasporë
  • Diaspora, kapitali kombëtar që ende nuk dimë ta vlerësojmë
  • HOMAZH E NDERIM PËR TË GJITHË ATA QË NDIHMUAN TË BËHEJ SHQIPËRIA
  • FEDERATA VATRA DHE RIKRIJIMI I SHTETIT SHQIPTAR 1920-1921
  • Kolë Idromeno, “parganjoti” që u bë artist i madh në Shkodër
  • KRIJIMTARIA POETIKE E DRITËRO AGOLLIT
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN
  • Ja pse Venezuela e Maduros nuk është viktimë, dhe pse SHBA po vepron ?
  • Rizza Milla: Radio “Zëri i Shqiptarëve” në Chicago, 3 dekada në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare
  • Promovohet filmi dokumentar “Shaban Murati-diplomati antitabu”
  • SHKRIMTARËT, LEXUESIT, KRITIKA…
  • REZISTENCA ANTIFASHISTE SHQIPTARE NË KONTEKSTIN E KOMBEVE TË BASHKUARA KUNDËR NAZIZMIT GJERMAN NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT