• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KAOS NË KABUL, FUNDI MË I KEQ

August 22, 2021 by s p

Nga MASSIMO GAGGI

“Corriere della Sera”, 17 gusht 2021  Përktheu Eugjen Merlika

            Që tërheqja nga Afganistani do t’ishte njëdështim i lajmëruar ishte e qartë që kur Donald Trump-i e vendosi vetë duke shtyrë pastaj sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, t’u jepte talebanëve patentën e bashkëbiseduesve të besueshëm. Presidenti republican gënjehej se mund të binte perdja mbi konfliktin me goditje tweet-esh, duke ruajtur miratimin e brëndshëm e duke mos mbajtur parasysh qortimin ndërkombëtar. Pasuesi i tij demokrat, i bindur dhe ai prej 12 vitesh për dështimin e një lufte të cilën e kishte votuar ai vetë më 2001, ka ripohuar zgjedhjen e Trump-it, edhe se i vetëdijshëm për çmimin e lartë të lëshimit ndaj talebanëve. Joe Biden, presidenti me tipare atërore, simpatinë u a ruan mbi të gjitha bashkëqytetarëve të tij: mbi Afganistanin ka zgjedhur, e jo që sot, një cinizëm prej America First.

            Më 2009, sapo u bë zëvendës i Obamës, i tha të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë n’Azinë Qëndrore, Richard Holbrooke, që Amerika duhej t’ikte nga Afganistani, pa u kushtëzuar nga lidhje njerëzore e nga të drejtat e grave. Simbas ditareve të diplomatit të ndjerë, as edhe fantazmae një tërheqjeje kaotike si ajo e vitit 1975 nga Saigoni e frikësonte shumë Biden-in, i bindur se Nixoni e Kissingeri kishin bërë një zgjedhje të drejtë e të guximëshme, edhe se të dhimbëshme.

            Por mënyra në të cilën kriza u rrokullis në pak orë – qeveria Ghani në ikje, avullimi i në ushtrie afgane të ndërtuar e të stërvitur në njëzet vite nga SHBA me një investim prej 83 miliard dollarësh, pamjet e civilëve që i kacavirren aeroplanëve ushtarakë amerikanë dhe bien në zbrazësirë – hap skenare shumë më dramatike se se ato që ishin vënë në llogari nga presidenti demokrat kur, 6 prillin e shkuar, urdhëroi tërheqjen e përgjithëshme në kohë të shkurtëra, duke mos pranuar kërkesën e drejtuesve ushtarakë për një zbrapsje më të shkallëzuar, duke biseduar sërish kushtet me talebanët.

            Alergjik ndaj shtyrjeve të Pentagonit, Biden-i ishte megjithatë i bindur se tërheqja mund të vinte në një mënyrë më të rregulltë. Por hija  e  Saigonit u lëndësua një herë tjetër, 46 vite më pas: një dështim politik, ushtarak e i spiunazhit amerikan me analistët që sot ndahen ndërmjet atyre që quajnë më të rënda rreziqet e kthimit të një terrorizmi skajor xhihadist që pushton një territor në të cilin krijohet një emirat islamik e atyre që gjykojnë më tërëndë humbjen e besueshmërisësë Shteteve të Bashkuara e të gjithë Perëndimit: hapet një zbrazësirë që mund të shfrytëzohet nga Irani, nga Rusia e nga Kina. Me Pekinin që sheh në tërheqjen kaotike të këtyre orëve një ripohim të tezës së tij: rënien e pakthyeshme amerikane, një kusht që mund të shtynte regjimin kinez të futej në ndonjë aventurë të rrezikshme. Ndoshta në të tjera fusha si ajo e Taivanit.

            Asgjë nuk është e sigurtë: brezi i ri i talebanëve, edhe duke mbajtur një qëndrimskajor përbrënda, mund të tregohet më i matur jashtë kufijve për të shmangur konflikte të rinj, e jo vetëm me SHBA. Të përfytyrohet një rikthim në lojën e madhe të ndërtuar nga fuqi të ndryshme për më shumë se një shekull përqark Afganistanit rrezikohet vetëm të jetëvetëm një frymëzim historik që nuk mban parasysh realitetet e reja: Kina për shembull, do të jetë e interesuar të mbushë zbrazësirën e lënë nga amerikanët, por si një Vend që shtyp në mënyrë mizore pakicën myslimane të ujgurëve, vështirë se do të jetë e lumtur të ketë një shtet islamik skajor në kufijtë perëndimorë.

            Dështimi i vërtetëështë mënyra në të cilën njëzet vite pune – më parë për të ndërtuar një digë kundër terrorizmit, më pas me synimin për të eksportuar demokracinë e për të siguruar respektin e të drejtave të grave – janë zhdukur në pak orë. Dalin copa copa shërbimet e fshehta që, edhe se të vetëdijshëm për dobësinë e qeverisë afgane, kishin përjashtuar mundësinëe një shëmbjeje tësaj para 18 muajsh. Në një epokë kur Amerika nuk dërgon më ushtarë nëpër botë dhe ushtron mbikqyrjen  e saj nëpërmjet besimit tek teknologjia e dronëve, përgjimeve telefonike dhe algoritmeve, inteligjenca është mjeti kryesor i mbrojtjes: ky dështim është pra rrënqethës. Por ka edhe më: një lloj vështrimi vetëparaqitës i botës në të cilin të gjithë – politikanë, diplomatë, ushtarakë – duket se kanë kryertë njëjtat gabime vlerësimi.

            Rënia e Kabulit është një goditje vdekjeprurëse për besueshmërinë ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara: një ngjarje nga e cila edhe Biden-i del me kryqe të thyera, në mos për tjetër sepse vetëm pesë javë më parë kishte përqeshur me tone të pakundërshtueshëm gazetarët që e pyesnin mbi tërheqjen kaotike n’atë që, e riparë sot, duket si një nga konferencat e shtypit më të sikletëshme që janë mbajtur në Shtëpinë e Bardhë. I zgjedhur si president nga amerikanët edhe për përvojën e tij të gjatë ndërkombëtare, Biden-i po jeton një çast të vështirë, por nuk është e thënë që do të humbasë besimin e amerikanëve: duke u bazuar mbi hulumtimet, shumica bashkëndan zgjedhjen e braktisjes së Afganistanit e nuk është shumë e shqetësuar për fatin e atij populli. Nëse nuk do të ketë një ashpërsim të terrorizmit (ose nëse SHBA nuk do të jenë shënjestra kryesore e xhihadizmit) presidenti, me të kaluar stuhia, mund të kërkojë meritën e mbylljes së luftës më të gjatë të historisë amerikane, një pushtim i zgjatur më shumë se ai britanik në Tetëqindin, dyfishi i atij sovjetik në vitet Tetëdhjetë.

            Në një gjë Biden-i ka të drejtë: nëse nuk mësohen t’a bëjnë vetë, afganët nuk mund të mëtojnë që të jenë fuqi të huaja t’i mbrojnë pafund nga skajshmëria islamike. Nuk është për t’u përjashtuar që xhihadistët, kompaktë në luftën kundër bashkëkohësisë perëndimore, mbasi të kenë përzënë të huajin të ndahen ndërmjet betejave teologjike e kundërshtive fisnore. Qoftë edhe me ndërhyrjet e të tjera fuqive rajonale, të tmerruara nga lindja e një kalifati sunit skajor. Për tani vetëm hamëndje e skenarë gjeostrategjikë me rrugëdalje të paparashikueshme.

            “Corriere della Sera”, 17 gusht 2021  Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Afganistan, Corriere Della Sera, Eugjen Merlika

E ARDHMJA E PLANETIT ËSHTË TANI

August 21, 2021 by s p

Nga PAOLO LEPRI

“Corriere della Sera”, 14 gusht 2021  Përktheu Eugjen Merlika

Skenari është i përsosur, montimi është i ngjeshur, efektet e veçanta të sendërtuara mirë. Por nuk bëhet fjalë për një film katastrofik, janë pamje të prodhuara nga një realitet në të cilin, secili prej nesh është viktima e, në një farë mase, edhe fajtori. Jemi spektatorë të ngatërruar në çdo vend, e nuk ka vlerë të fiket ekrani e të shihet diku tjetër.Toka është në një alarm të kuq.

Ky është realiteti (që nuk është një film). Pak ditë mbas shpërndarjes së raportit të gjashtë  të Intergovernmental Panel on Climate Change – studimi i përgatitur nga një grup ekspertësh të OKB e të miratuar nga 195 qeveri të gjithë botës, në të cilin është vërtetuar se ngrohja e përgjithëshme i shkakton”dëme të pakthyeshme” planetit, përcakton valët e temperaturave të larta e ndihmon shirat me rrebeshe – një të nxehtë rekord ka minuar qëndresat tona, të vëna në një provë të rreptë nga pandemia, duke dërguar shënja alarmante të një spikame të vërtetë që kushtëzon stilet e jetës, kërcënon “normalitetin” për të cilin kemi nevojë, na bën të kuptojmë domosdoshmërinë për të ndryshuar qëndrimet tona. E nuk mund të ngushullohemi duke ngritur ledhe mendore n’emër të largësisë. Shtylla e zhivës pothuajse u çmënd pikërisht   këtu, n’Italinë tonë të ndezur.

E ardhmja është tashmë e sotmja e jonë. Nuk duhet më të pyesim nëse jemi të bindur për nevojën e shpëtimit të planetit që mund të vrapojë drejt rrënimit të tij. Ky është një fakt i sigurtë. Duhet të pyesim nëse jemi ende në kohë për të shmangur katastrofën. Një shkrimtar i madh si amerikani Jonathan Franzen, prej vitesh i zotuar mbi problemet e mjedisit, mendon se është tepër vonë. Më mirë të shpresojmë se ai gabon.

Në të vërtetë, raporti i Ipcc i jep pjesërisht të drejtë autorit të Korigjimet kur ai ve në dukje se nuk jemi në gjëndje, aktualisht, të ndalojmë ngrohjen e përgjithëshme dhe kur siguron se shtimi i temperaturës do të vazhdojë në çdo rast deri në gjysmën e shekullit tonë. Një tjetër përkeqësim i mëtejshëm është i pashmangshëm “nëse nuk do të ketë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm pakësime të thella në shlirimin e gazit karbonik dhe të gazeve të tjerë të efektit serra”. Duhet të dijmë se çdo vonesë është e barabartë me një rrezik vetëvrasjeje kolektive. Asnjëherë si tani nuk është aktuale thënia latine”nihil difficile volenti”. Vullneti mund të mos mjaftojë, nëse nuk është vullnet i të gjithëve.

Duhet thënë (si për fushatën e vaksinimeve, pavarësisht vonesave fillestare) që veprimi i Bashkimit evropian po tregohet bindës, në mos për tjetër për seriozitetin e synimeve të paracaktuara. Paketa “Fit for 55”, e paraqitur në korrik, parashikon pakësimin me së paku 55 % të gazrave në krahasim me nivelin e vitit 1990 brënda vitit 2030, për t’arritur “carbon neutrality” në 2050. Plani parashikon ndërmjet të tjerave një vepër viganore pyllëzimi (tre miliard pemë të mbjella në dhjetë vitet e ardhëshme) dhe ndalimin e shitjes së makinave me benzinë dhe diezel që nga 2035. “Ekonomia e bazuar mbi lëndët djegëse fosile ka arritur caqet e saj – ka nënvizuar kryetarja e Komisionit të BE, Ursula fon der Leyen – e jemi të parët që po paraqesim një tabelë ecjeje konkrete”. Është e qartë, natyrisht  që Evropës i takon edhe detyra të shtyjë Kinën dhe Hindinë të bëjnë pjesën e tyre. G20 e Romës dhe Cop 26 e Glasgow janë në program mbas pak muajsh.

Duke u kthyer tek Italia, dhe tek jeta e jonë e çdo dite, agresiviteti i klimës (dhe pasojat e tij shkatërruese) që kemi njohur nga afër na kujton se sigurisht nuk jemi në rradhën e dytë nga dora e shkujdesur e fajtore e njeriut për çfarë ndodh e për prishjet e shkaktuara mbi territorin tonë. Madje ekspertët na kanë shpjeguar se Mesdheu është një katror shumë i brishtë i fushës së shahut  botërore, në kufi të zonave të ndryshme, në të cilat temperaturat shtohen gjithënjë e më shumë e reshjet janë të paracaktuara të pakësohen duke u rritur si intensitet. Nëse kjo e gjitha është e vërtetë nuk na mbetet veçse të përveshim mëngët. Përveç asaj që secili prej nesh mund të bëjë për mjedisin, që nga veprimi më i vogël, duhet të mëtojmë të mos mbetemi mbrapa.

Një piskamë e kësaj madhësie duhet përballuar, në muajt e ardhshëm e në vitet e ardhëshme, me të njëjtën frymë bashkëpunimi që kishte zotëruar në fazën e parë të pandemisë. Politika duhet të gjejë mbi këto tema bashkësinë sa më të gjërë të mundëshme. Si atë që ka lejuar lindjen e qeverisë së kryesuar nga Mario Draghi. N’Itali nuk ka një parti të fuqishme “të gjelbër”, në të kundërt t’asaj që ndodh në Gjermani. Arsyet janë të ndryshme, por bëhet fjalë për një fakt që mund të shtyjë forcat e pranishme në Parlament të marrin përsipër problemet mjedisore me vetëdijen se duhet punuar për të mirën e të gjithëve.

Një utopi? Ndoshta. Por vlera e saj është aq e lartë sa që leverdis të luhet. E të provohet për të mos e humbur.

“Corriere della Sera”, 14 gusht 2021  Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Corriere Della Sera, E ardhmja e planetit, Eugjen Merlika

MISTERI I VERËS GREKE: SI VDIQ NË EGJÊ HEROI QË SFIDOI KOLONELËT?

August 18, 2021 by s p

Nga PAOLO VALENTINO

            Është kthyer në misterin e verës greke. Vdekja, në dukje aksidentale, e një ish ministri socialist, pak jashtë portit të Eretrias, n’ishullin e Eubesë, Negroponti i lashtë venedikas, është një mister I pazgjidhur që prej muajsh rrëmben dhe ndan Vendin. Pak ditë më parë, edhe vetë ish Kryeministri Jorgos Papandreu e ndjeu për detyrëtë ndërhynte në Parliament, përballë mospranimit të autoriteteve hetues për të filluar hulumtime të reja në të gjithë drejtimet, në vënd që të këmbëngulnin për të mbrojturtezën e pagjasë të një krize të papritur, të kundërshtuar nga shumë dëshmi.

            Sifis Valirakis, 77 vjeç, ishte nisur vetëm mbi një gomone të vogël për të peshkuar, në mesditën e një të djele të fundit të janarit. Trupi i tij u gjënd nga roja e bregut pak mbas orës tetë të mbrëmjes, dy kilometra larg varkës me motorrin ende të ndezur, mbasi që gruaja kishte dhënë alarmin, duke mos e parë që të kthehej. Kishte plagë të thella në fytyrë e në kokë. Një gisht i ishte prerë. Hamëndja e parë e besuar nga policia qe se Valirakis kishte patur një infarkt e kishte rënë n’ujë, ku ishte goditur nga elika. Autopsia përgënjeshtroi shpejt krizën e zemrës, duke përfunduar se ish ministri ishte mbytur si pasojë e plagëve. Si kishte rënë në det nuk u sqarua kurrë.

            Qe gruaja, piktorja e njohur Mina Papatheodorou, që drejtoi gishtin kundër një grupi peshkatarësh kundërvajtës që ishin gjendur me varka të ndryshme në zonën ku lundronte Valirakis në çastin e fatkeqësisë. E veja sillte dëshmira të njerëzve të bashkësisë së vogël të Eretrias, simbas të cilave,varka të ndryshme kishin rrethuar gomonen e tij, duke e kërcënuar e duke ngritur valë të larta për t’a detyruar të ikte. Ish ministri kishte humbur barazpeshimin , duke rënë në det pa u ndihmuar nga njeri. “Hipoteza e një vrasjeje me dashje është e sigurtë. Në të vërtetë Sifis është goditur edhe me një shtizë, siç ka thënë njëri prej dëshmitarëve. E kanë goditur” thotë në telefon nga Athina zonja Papatheodorou. Një tjetër dëshmitar ka thënë në një tv lokale se peshkatarët kanë patur një zënie të tërbuar me Valikaris para aksidentit. Por dëshmitë e tyre, të dhëna vetëm pak orë mbas faktit nuk kanë patur asnjë pasojë.

            Tetë muaj më vonë rasti Valirakis është në hava: “Nuk kanë dashur të bëjnë hetime serioze – thotë zonja Papatheodorou – kanë dëgjuar fajtorët vetëm javën e shkuar, por nuk i kanë paditur as në gjëndje të lirë. Ka qënë një veprim mbulimi nga ana e Rojes Bregdetare që ndihmon peshkatarët kundravajtës.Është shkandullore që nuk hidhet dritë mbi vdekjen e një heroi kombëtar si Sifis”.

            Në të vërtetë Sifis Valirakis nuk ishte vetëm një drejtues historik i Pasokut, lëvizja socialiste panhelenike e themeluar nga Andreas Papandreu, ku kishte hyrë fshehtas, pa mbushur ende tridhjetë vjeç, gjatë diktaturës ushtarake. Ishte një legjendë e vërtetë e qëndresës ndaj regjimit fashist të kolonelëve. Kishte qënë edhe stërvitur në një kamp të Organizatës për çlirimin e Palestinës dhe kishte marrë pjesë në shumë atentate eksplozive kundër regjimit, ku nuk pati kurrë viktima. Shok i Alekos Panagulis, poet e mik i Oriana Fallaçit, edhe ai i vdekur në një aksident të pa sqaruar kurrë, Valirakis u arrestua dhe u torturua më 1971, arriti të ikte nga qelia duke sharruar hekurat e dritares e duke shkaktua një prerje të korrentit, nëpërmjet një lidhjeje të shkurtër. U kap n’afërsi të kufirit me Jugosllavinë dhe u soll në një burg të Korfuzit, por iku përsëri, këtë herë nëpër det duke notuar për kilometra të tëra deri në brigjet shqiptare. Nuk qe me fat, sepse regjimi komunist i Tiranëse arrestoi si spiun, duke e dënuar me tre vjet punë të detyruar. Qe Andreas Papandreu, nëpërmjet një ndërmjetësimi të qeverisë kineze, që arriti të nxjerrë lirimin e tij.

            Kur më 1981, mbas kthimit të demokracisë, Papandreu arriti në pushtet, Valirakis që nga fillimi qe njëri ndër ministrat më të besuar: u muar me Trasportet, me Komunikacionet, me Sport deri në postin qëndror të Rendit Publik, përgjegjës edhe i shërbimeve të fshehta e të inteligjencës, detyrë që e mbajti deri në vitin 1996, kur u tërhoq për arsye shëndeti. Por mbeti deputet i Pasokut, i zgjedhur në ishullin e Kretës, deri më 2012.

            Në vitet e fundit, ish ministri, ishte tepër i angazhuar të padiste peshkimin ilegal dhe rrënimin mjedisor që po shkakton n’arqipelagun e Detit Egjé. Simbas një gazetari grek, Dimos Verykios, ai i Valirakisit mund të ketë qënë “krimi i parë me sfond ekologjik në Greqi”

            “Corriere della Sera”, 7 gusht 2021  Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika, Koloneli, Misteri i Veres

PËRPARIMI I TALEBANËVE DHE SYNIMET E KINËS

August 17, 2021 by s p

 Nga ANGELO PANEBIANCO

Më 1993 shumë mendonin se ishte politikë e përfytyruar. Po bëhet politikë e vërtetë në vitin 2021. N’artikullin e vitit 1993 të botuar në revistën Foreign affairs që parapriu librin e shquar e të diskutueshëm mbi “ndeshjen e qytetërimeve”, politologu amerikan Samuel Huntington hamendësoi një aleancë t’ardhëshme ndërmjet fuqisë në ngjitje kineze dhe forcave më skajore t’Islamit, të lindura nga aktuali “zgjim islamik”. Ndërsa talebanët vazhdojnë përparimin e tyre të papërmbajtshëm ushtarak e janë pak hapa larg nga pushtimi i Kabulit e të gjithë Afganistanit, hamendësia/profeci e Huntingtonit po kthehet në realitet. Është bërë e qartë se Pekini mbështetfitoren e armatosur në Afganistan. Ka arsye të ndryshme e të qëndrueshme gjeopolitike t’a bëjë. Nëse, duke i besuar edhe ndihmës kineze talebanët do t’a fitojnë lojën, atëherë aleanca (në funksion kundër-hindian, veç qëllimeve të tjera) që tashmë ekziston ndërmjet Pakistanit dhe Kinës, do të shndërrohet nënjë trekëndësh Kinë – Pakistan- Afganistan me Kinën, natyrisht, në pozita zotëruese. Në pjesën lindore të kontinentit euro-aziatik mund të hynte atëherë  në funksion njëmagnet i madh, në gjëndje të ushtrojë një tërheqje të fuqishme mbi forcat e skajshmërisë islamike, kudo të vendosura. Është natyrisht e mundëshme që kjo ujdi mes kinezëve dhe talebanëve të ruajë një karakter e një përmasë vetëm rajonale. Por është e mundëshme që të jetë prova e përgjithëshme, hershimi i diçkaje shumë më të gjërë, simbas hamëndjes së Huntingtonit. “Parisi e vlen një meshë”: një aleancë e tillë do t’i detyronte forcat islamike të braktisnin në fatin e saj pakicën myslimane të përndjekur nga kinezët, ujgurët e Hsinjangut. Do të flijoheshin n’altarin e një “të mire” më të lartë, duke mos qenë realpolitika një shpikje perëndimore por një element përbërës i politikës në çdo kohë e vënd. Interesi i përbashkët do tëçimentonte aleancën. Kina, duke mbështetur skajshmërinë islamike, mund të ndihmonte forca në gjëndje të dobësonin  institucionet e Vendeve, myslimane ose me pakica të fuqishme myslimane në brëndësinë e tyre (nga Kaukazi në Lindjen e Mesme, n’Afrikë), ku ndikimi kinez është i munguar, idobët e i paqëndrueshëm.  Skajshmëria islamike do të gëzonte mbështetjen e një fuqie të madhe.Është mirë që perëndimorët, amerikanë dhe evropianë, në këtë pikë të shqetësohen. Sepse nga çështja afgane dhe roli që ka marrë Kina mund të rridhnin një kërcënim e një beleg i përhershëm për Perëndimin. Një aleancë kino-islamike do të dobësonte (apo do të orvatej t’a bënte) lidhjet perëndimore me Vëndet e Azisë, të Lindjes së Mesme e të Afërt. E do të kërcënonte vetëEvropën. E vetmja pasojë pohenike mund të qëndronte në kohë afatmesme, si kundërpeshë, një aleancë ndërmjet Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Por Rusia do të duhej të mbante në fre  kundërperëndimorizmin e saj të hershëm e të qëndrueshëm. Parabola politike dhe dështimi përfundimtar i të vetmit udhëheqës, në gjithë historinë e Rusisë bashkëkohore, qëështë orvatur në kohë paqeje të krijonte një aleancë të këtillë, Mihail Gorbaçovit, nuk janë ogurmirë. Ne evropianët mund të shtiremi edhe për pak kohë, se e gjithë kjo nuk ka të bëjë me ne por jemi një shënjestër e dukëshme, jemi të zbuluar e me pak mbrojtje. Nëse talebanët(por ndoshtaështë më mirë të themi “kur”) do t’a marrin Kabulin, jehona propagandistike mbi të pafetë do të jetë shumë e fuqishme, do të pjellë një valë goditëse që do t’arrijë kudo. Terrorizmi do të kthehet tëkërcënojëEvropën. Duhet mbajtur parasysh se rreziku për shoqëritë e lira evropiane nuk varet vetëm nga terrorizmi në vetvete, por edhe nga efektet politike që ai mund të ushqejë. Veprojnë n’Evropë forca skajore, kulturalisht e ideologjikisht të papajtueshme me parimet e një shoqërie të lirë, të cilat në ndryshim nga xhihadistët,  nuki drejtohen më dhunës. Do të jetë e lehtë për këto forca, në prani të kërcënimeve terroriste, t’i propozoheshin evropianëve si flamurtarë të “maturisë” duke marrë kështu lëshime e dobira të papajtueshme me rregullat politike e juridike mbi të cilatjanë ngritur ose janë mbajtur deri tani shoqëritë perëndimore. Për atë qëështë i pambuluar kërcënimet janë të shumta e jo të gjitha tëditura menjëherë. Sidoqoftë do tëdilte një Evropë e dobësuar, kulturalisht e politikisht. Ky do t’ishte një lajm i mirë për Pekinin dhe planet e tij rish imperiale, njërregull me rënie e dobi ekonomike e politike, në garën për parësinë ndërkombëtare me Shtetet e Bashkuara. Në çdo rast, aleanca e mundëshmekino-islamike do të vinte në lëvizje një manovër afat mesme, “si darë”: fuqia ekonomike kineze që bashkërendohet për të kënaqur leverditë e ndërsjellta, me fanatizmin fetar. Kur Evropa të zgjohet, nëse do të zgjohet, do t’i kushtojë shumë takime të nivelit të lartëfaktit se çfarë duhet bërë para  gjëndjes së re ndërkombëtare. Ndërkaq, ndoshta shumëëngjëllori Joe Biden duhej të na jepte të gjithë neve ndijimin se mund të mbështetemi ende tek Shtetet e Bashkuara. Amerikanët do të plotësojnë tërheqjen e trupave nga Afganistani brënda këtij muaji. Spiunazhi i tyre llogarit që talebanët do të hyjnë në Kabul për rreth tre muaj. Më parë me Trump-in kurdët, tani me Biden-in afganët: në fillim të mikluar, të përdorur, e pastaj të braktisur në fatin e tyre. Një çift i hatashëm. Kush e në ç’pjesë të botës do t’i besojë më premtimeve të amerikanëve? Nuk kuptohet nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara mendon me të vërtetë apo jo se është ende leverdia e vëndit të tij të ruajë drejtimin e botës perëndimore, me privilegjet por edhe detyrat që ajo pozitë përmban. Mund të jetë, siç thonë shumë, se tre administratat e fundit, të Obamës, Trump-it e Biden-it, përfaqësojnë, me stile të ndryshëm, madje shumë të ndrysëm, një Amerikë që, jashtë retorikës, tashmë e lodhur në atë rol nuk mundet, nuk din ose nuk dëshiron më t’a ushtrojë. Nëse gjërat qëndrojnë me të vërtetë kështu, ne evropianët do të paguajmë çmimin. Por hesapi së fundi do të jetë i kripur edhe për Amerikën. Po kufizohemi të themi se bota që n’a pret e që përfytyrohet do të jetë sidoqoftë më pak miqësore e mikpritëse për ata institucione, të farkëtuara prej shekujsh n’Evropë, prej të cilëve varet shoqëria e hapur që na ka siguruar mirëqënie e liri. Në tiganin e Trump-it jemi djegur të gjithë nga pak. Shpresojmë të mos duhet të zbulojmë se mbas pak kohe të kemi përfunduar në prush.

            “Corriere della Sera”, 11 gusht 2021   Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Featured Tagged With: Eugjen Merlika, Kina

PAKËSIMI I BLETËVE VË NË RREZIK JO VETËM MJALTIN E TYRE

August 15, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO  

“Corriere della Sera”, 5 gusht 2021   Përktheu Eugjen Merlika

            Zhdukja e bletëve, për të cilën flitet shumë, do t’ishte një humbje e pamasë për njerëzimin. Si ajo e fluturave dhe e të tjerë insekteve nga ana tjetër. Nuk janë vetëm arinjtë polarë që meritojnë të mbrohen. Gjithshka do t’ishte më e trishtueshme e më e keqe nëse do të zhdukeshin (por nuk po ndodh). Pohimi se zhdukja e bletëve do të shpinte mbas pak vitesh në shuarjen e njerëzimit duket megjithatëi zmadhuar. Edhe në skenarin teorik të skajshëm dhe jashtë mase të pamundur të zhdukjes së plotë të insekteve, jeta e grave dhe burrave të planetit me gjasënuk do t’ishte në rrezik: më pak e larmishme e më e trishtuar, sigurisht, por jo e paracaktuar në shuarje.

            Për të përcaktuar rolin e insekteve mbi qënien tonë, shihet më shumë në aftësinë e tyre të polenizimit, veçanërisht për bletët, grerëzat, flatrafortët, mizat, milingonat, fluturat në llojet e nënllojet e ndryshme të tyre. Fao – Food and Agriculture Organization e Kombeve të Bashkuara llogarit se 75 % e të vjelave botërore varet nga insektet polenizues. Kjo llogari ka të bëjë me numërin e llojeve të të vjelave. Nëse merret për bazë prodhimi i përgjithshëm në tonelata, kuota ulet në35 %, nënvizon në një botim të fundit ourworldindata.com e universitetit të Oxfordit. Kjo ndodh sepse të vjelat më të përhapura, si për shembull orizi dhe gruri, nuk varen nga polenizimi. Jo vetëm aq: pjesa m’e madhe e të vjelave ka vetëm pjesërisht nevojë për polenizim. Ndërsa drithërat, zhardhokët, bishtajorët, bananet, marulet e shumë të tjera rriten pa polenizimin e insekteve, ky i funditështë i domosdoshëm për kungujt, shalqinjtë, farat e kakaos, në kuptimin që pa atë do të humbiste më shumë se 90 % e prodhimit të tyre. Nga agrumet dhe bizelet do të merrnim 10 % më pak, nga farat e sojës, kafeja, luleshtrydhet, fiqtë e patllixhanat do të kishim një pakësim nga dhjetë deri në40 %; m’e madhe, nga 40 e 90 % do t’ishte humbja e mollëve, dardhave, pjeshkëve, kumbullave, qershive, arrave. Një botë pa insekte do t’ishte një botë pa çokollatë e shumë më pak e pëlqyeshme.

            Llogaritë e sjellura nga ourworldindata.com tregojnë se, në tërësi, pakësimi i prodhimeve do t’ishte 8 % në Vendet më të varfër dhe 5 % në ata më të pasur. Bëhet fjalë përllogari(më të fundit) të një dhjetëvjeçari më parë: sot me gjasë përfytyrohetse janë ngritur në10 %. Nuk është pak, si sepse dietat priren të drejtohen gjithënjë e më shumë drejt prodhimeve të ndjeshme ndaj polenizimit, ashtu sikurse sepse humbja e t’ardhurave të kultivuesve do t’ishte e pallogaritëshme. Shpesh mbi pasojën e zhdukjes  së bletëve ka një tepri alarmizmi. Por të sigurohet biodiversiteti e të përdoren helme e plehra të mira do të shpëtonin shumë më tepër se sa mjalti i mëngjezit tonë.

            “Corriere della Sera”, 5 gusht 2021   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Mergata Tagged With: Bleta, Corriere Della Sera, Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT