• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DHE SHQIPËRIA ZBARKOI NË BARI

August 14, 2021 by s p

Tridhjetë vite më parë u bregëzua në Puglia anija “Vlora” me

njëzet mijë të mërguar në bord.

Nga GIAN ANTONIO STELLA

            “Un limuzinë!”thirri atë ditë nëatë turmë të pabesueshme, i çmëndur nga gëzimi, njëri ndër djemtë shqiptarëtë qullur deri në palcë, që duke rrezikuar zverkun ishin hedhur në det  për t’arritur ledhin e portit të Barit. “Un limuzinë” Ajo ishte ëndrra e tij, të hiqteleckat e trupit dhe këpucët e grisura, të gjente ndonjërin që t’a ndihmonte, të fitonte pasuri, të blente një makinë të bukur për t’a treguar një ditë kur të kthehej në Vendin e tij Shqipeve.

            Njëëndërr e marrë, e njërit që kishte shikuar fshehurazi (ishte tepër i ndaluar) shumë seri të televizionit italian, më gazmoret e më të lehtat si Drive-in, Ata të natës, Tele Mike dhe ishte gënjyer se Italia ishte vëndi i bollëkut, ku me një të kërcitur të gishtave e me pak fat mund t’i mblidhnje paratë me lopatë. Pak a shumë si gjyshërit tanë, të bindur se rrugët e New Yorkut, shkruante Çarles Dickens,ishin të shtruara me ar.

            Ishte 8 gushti 1991. Atë ditë të tridhjetë viteve më parë shfaqja e papritur dhe mbresëlënëse eVlorës, e mbuluar nga një qylym prej njëzetmijëburrash, grash, djelmoshash që kishin rrëmbyer anijen në Durrës për të zbarkuar në Puglia, shënoi për Italinë një kthesë epokale. Kalimin përfundimtar nga Vend emigracioni, nga i cili ishin larguar në një shekull e gjysmë, më shumë se 27 milionë njerëz, në Vend pritjeje i një mërgimi të fuqishëm. Sigurisht kthesa “teknike” (një i ikur më pak në ikje, një më shumë në mbrritje) ishte bërë prej pesëmbëdhjetë vitesh. Madje në marsin e atij 1991 kishin arritur në Brindizi pesë anije dhe dhjetë varka për një shumë prej 23.000 të mërguarish në një qytet prej 80.000 banorësh, të cilët duke lexuar në sytë e shqiptarëve urinë, shpresën, pështjellimin e atyre që dilnin nga një Vënd të katandisur në mjerim prej 41 vitesh nën diktaturën buro-komuniste të Enver Hoxhës, ishin bërë më katërsh për t’i ndihmuar të gjithë. Duke mbetur të turbulluar: ishin shumë të gjithë së bashku. Vlora më pas qe një fshikullim kamxhiku.

            Në janar, më të parët reportazhe nga Tirana, ndërmjet të cilëve një i Rai-t i Isabella Stasi Castriota Skanderbeg (që mbante në vetë mbiemrin lidhjen shekullore me heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotin Skënderbeun, i vdekur më 1468, mbasi ishte përpjekur t’i kundërshtonte pushtimit të turqëve), kishin treguar një Shqipëri të raskapitur. Një palë këpucë kushtonin një javë pune, një kostum një muaj (70 mijë lira italiane të epokës, 68 euro e pak qindarka të sotmet), një televizor gjashtë muaj. Reformat e trashëgimtarëve të despotit komunist, megjithëse kishin kaluar gjashtë vite nga vdekja e tij, ishin aq të ndrojtura saqë ishte hapur vetëm një restorant privat veç ndonjë qebaptorje shëtitëse. I liruar mbas njëzetegjashtë vitesh burgimi për krime të opinionit, shkrimtari disident Fatos Lubonja jetonte së bashku me pjesën tjetër të familjes “në shtëpinë e vjetër të gjyshit”, ish funksionar, një kohë besnik i regjimit: “Banonim të gjithë së bashku: xhaxhai im me gruan në një dhomë; biri i tyre në një dhomë tjetër së bashku me gruan dhe tre fëmijë, babai imdhe nëna ime në dhomën e tretë; vëllai im me të shoqen dhe dy djem në koridorin e shtëpisë, i mbyllur si një dhomë. Për mua dhe familjen nuk kishte më vënd, pra u vendosëm në qilar. Gjithsej ishim shtatëmbëdhjetë vetë”. Quheshin me fat. Të tjerë ishin më keq.

            Italia për shqiptarët qe një zgjedhje e natyrëshme. Ishte larg në rrugë detare sa Venediku nëGrado, kishte një prodhim të brëndshëm për frymë prej 21.956 dollarë amerikanë (të dhënat e bankës botërore), kundrejt 336 të shqiptarëve, por mbi të gjitha Jugu i ynë strehonte nga shekulli XV një bshkësi të fuqishme arbëreshësh, të vendosur në brigjet tonapikërisht mbas pushtimit turk të Shqipërisë. Një lidhje shumë e fuqishme. Aq sa njëri ndër më të mëdhenjtë poetë në gjuhën shqipe ishte Jeronim de Rada dhe Risorgimento italian pa shqiptarët ndërmjet aktorëve kryesosë. Ishte arbëresh Agesilao Milano që i bëri atentat mbretit borbonas të Dy Siçilive, Ferdinandi II, arbëresh udhëheqësi i ardhshëm i së majtës historike, Francesco Crispi, arbëresh zëvendësi i Giuseppe Garibaldit Domenico Damis, arbëresh gjimnazistët e kolegjit shqiptar të Shën Dhimitër Koronës, të cilët u bashkuan të dalldisur duke valëvitur trengjyrëshin me garibaldinët në kalimin e tyre drejt Napolit.

            Të mbërriturit e rinj, të plumbosur në masë e n’atë mënyrë në Vendin tonë qenë një goditje për një pjesë të madhe të italianëve. Nuk dukej se vinin nga pak milje detare, por nga një Itali mjerane e shekullit të mëparshëm, asaj të përshkruar nga Stefano Jacini nëHulumtimin parlamentar mbi mjerimin: “Në luginat e Alpeve e të Apenineve, dhe në fushat, veçanërisht të Italisë Jugore, madje edhe në disa provinca ndër më të kultivuarat të Italisë së Epërme, ngrihen kolibe të tymosura e pa ajër e dritë në të cilat jetojnë së bashku njerëz, dhi, derra e pula. Të tilla shkatërrina numërohen ndoshta me qindra mijra.” Një Itali e herëshme dhe e dhunëshme e parë nga “e reja” me tromaksje e mospranim.

            Aq sa qeveria e Giulio Andreottit, i shtati i serisë, nuk gjeti tjetër alternativë veçse të kthente sa më shumë shqiptarë që ishte e mundur mbrapsht atje nga kishin ardhur. Qe tejet e lodhëshme marrëdhënia e fillimit. Gjatë viteve u ashpërsua edhe për gabimet e pafalëshme të shumë të mërguarve që, të mjerë, anarkistë dhe të shtazëruar nga një diktaturë e veçuar nga bota, në të cilën çdo ligj binte erë shtypjeje e padrejtësie, dukeshin shpesh kryeneçë kundrejt normave më fillestare. Deri sa të tërhiqnin mbi vetefushata urrejtjeje të skajshme, që arritën kulmin në një thirrje të legistit Marco Formentini në zgjedhjet vendore të 1997: “Një votë më shumë për Formentinin, një shqiptar më pak në Milano”. Për disa vite u takuan në pjesë bijve të Vendit të Shqipeve, të gjitha sharjet, mallkimet dhe paditë më poshtëruese që një shekull më parë ishin hedhur nga ksenofobët zviceranë, britanikë, francezë, amerikanë, australianë atyre gjyshërve tanë që kishin bërë më shumë mundim për t’u futur në Vendet në të cilët kishin mërguar.

            Tridhjet vite më pas atij zbarkimi të paharruar vetë numërat (sipërmarrës të suksesëshëm, punonjës privatë me llogari Iva, studentë universitarë, pashaporta italiane, dërgim parash jashtë shtetit, prania në burgjet e rënë në 11%…..) mjaftojnë për të thënë se sa shqiptarët janë futur në realitetin italian më mirë se të tjerët dhe për të përgënjeshtruar shumë prej stereotipeve të hershme. Si ka përfunduar ai djali që ëndërronte limuzinën nuk e dijmë. Por ndoshta, kush e di, mund t’i ketë shkuar mirë edhe atij.

            “Corriere della Sera”, 7 gusht 2021    Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Opinion Tagged With: anija Vlora, Eugjen Merlika, Shqiperia dhe emigrimi masiv

NDËRMJET SHBA DHE RUSISË NJË NDESHJE E RE NË AFGANISTAN

August 9, 2021 by s p

Nga FRANCO VENTURINI

“Corriere della Sera”, 3 gusht 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Afganistani është I njohur për kartvizitat e tij vdekjeprurëse. Shumë e quajnë “Varri I perandorive”, sepse ka mundur anglezët, sovjetikët e tani amerikanët. Të tjerë kujtojnë Lojën e Madhe (The Great Game) që gjatë gjithë shekullit XIX vuri në kundërshtim Britaninë e Madhe me Rusinë cariste. Britanikët, që deshën të krijonin një Shtet-jastëk në Afganistan, pësuan humbje të mëdha e i u desh të braktisnin Kabulin më 1842. Po mirë, Loja e Madhe ka rifilluar. Protagonistë janë Rusia e Putinit dhe Amerika e Biden-it. Ky i fundit është në vështirësi më të mëdha. Jo sepse opinion public i ShBA është kundër tërheqjes, por më shumë sepse i duket e papranueshme një humbje shumë e bujëshme, shumë afër palosjes. Biden-i duhet të fitojë së paku një vit në të cilin talebanët të mos hyjnë ushtarakisht në Kabul dhe dhunimet e sigurta të të drejtave njerëzore (mbi të gjitha kundër grave) duhet të largohen sa më shumë të jetë e mundur.

Ndërsa talebanët përparojnë gjithandej dhe rrethojnë qytetet (edhe Heratin, ku ishin italianët), është e dukëshme që trupat afgane nuk janë në gjëndje të qëndrojnë për kohën që i duhet Biden-it. E vetmja zgjidhje, atëherë do të jetë sigurimi i një mbështetje të gjërë ajrore. Por nga do të nisej, mbasi është braktisur baza e stërmadhe e Bagramit? Ndoshta nga Emiratet. Ndoshta nga Katari. Por do të shërbente një bazë e re m’e afërt. Në Uzbekistan, në Kirgizi? SHBA janë në ndjekje të rrezikut të zemërimit të një tjetër lojtari. Putini don të përfitojë nga tërheqja amerikane, megjithë kujtimin e shëmtuar të tërheqjes sovjetike nga vetë Afganistani më 1989. Lëviz në të gjithë zonën për të fuqizuar ndikimin e tij, për të thënë se Rusia, jo Amerika në ikje, duhet të jetë garanti i sigurisë së rajonit. E ndërkaq miklon talebanët, për t’i përdorur kundër Islamit fondamentalist që kërcënoka Azinë Qëndrore të “tij”. Ne evropianët shohim nga larg.

“Corriere della Sera”, 3 gusht 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Rusia, SHBA

ÇËSHTJA E TUNIZISË DHE PLOGËSHTIA E KUSHTUESHME EVROPIANE

August 7, 2021 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO

“Corriere della Sera”, 2 gusht 2021       Përktheu: Eugjen Merlika      

Çfarë do të duhej të na këshillonte kriza në vazhdim në Tunizi, Një Vend që, nga një çast në tjetrin, mund të zhytet në pështjellimin e luftës civile? Kriza tuniziane duhej të na shtrëngonte të hapnim sytë. Evropa ka një problem serioz të sigurisë, por nuk duket se e kupton. E dijnë profesionistët që në Vendet evropiane,në rangje të ndryshme, merren me të, por nuk e kanë kuptuar opinionet publike. Problemi i sigurisë s’Evropës mund të përmblidhet kështu: Nëna Amerikë duket se ka si synim t’i braktisë këlyshët e saj në fatin e tyre, nuk duket më e gatëshme t’i mbrojë nga rreziqet kërcënuese. Ka ndryshuar Amerika e kanë ndryshuar dhe rreziqet. Të shqyrtojmë Italinë, Vëndin më në pah të gjithshkaje ndodh në anën Jugore të kontinentit të Vjetër. Vizita në Libi e ministrit të Jashtëm Di Maio, që ndjek atë të kryeministrit Draghi të pak kohëve më parë, tregon kujdesin dhe shqetësimin e qeverisë sonë. Jemi në mëshirën e valëve të mundëshme mërgimtare të mëdha (nëse me të vërtetë lufta civile do të shpërthejë në Tunizi, do t’a marrim vesh shpejt) dhe Mesdheu është gjithënjë e më shumë një det i kontrolluar nga fuqi armike: Rusia, Turqia. Do të jenë ato në vitet e ardhëshme që do të mbikqyrin / mbarështojnë trafikun e qënieve njerëzore ndërmjet Afrikës dhe Evropës. Pas saj është rreziku terrorizëm: në Magreb, Tunizi e Libi në krye, si dhe në anë të tjera t’Afrikës, nuk numërohen xhihadistët që presin një rast për të futur duart. Prova që Italia, duke përjashtuar natyrisht qeverinë, nuk ka asnjë njohuri për rreziqet kërcënuese është lehtësisht e vërtetueshme: a ju duket se qoftë edhe vetëm një parti, të ketë rrjeshtuar, me bekimin e kryetarit, një politikan me autoritet dhe ekspert, t’aftë t’i flasë Vendit për problemet ndërkombëtare e të sigurisë, pa rënë në parulla  dhe në propagandë të një shkalle t’ulët? Nuk do të gjeni asnjë. Nëse opinioni publik do t’ishte i alarmuar, nëse vetëdija e rrezikut do t’ishte e përhapur, partitë do t’ishin të shtrënguara të pajiseshin për të biseduar zgjuarësisht me zgjedhësit. Pjesa tjetër e Evropës nuk është më mirë. Për vite të tëra është zbavitur me parulla pa asnjë kuptim. A kujtohet ndonjeri për refrenin mbi Evropën “fuqi civile”? Ideja ishte që ne evropianët, në krahasim me pjesën tjetër të botës, ishim një shembull virtyti: “civil”, pra paqësor, e kundërta e atyre kawboysve të pagdhendur e të dhunshëm amerikanë. Ishte një përfytyresë vetëngushulluese. Evropa mund t’i lejonte vetes të zëvendësonte shpatën me diplomacinë dhe tregëtinë, sepse përdorte mbrojtjen amerikane, një mbrojtje që nuk qëndronte vetëm në çadrën atomike. Amerika na mbronte edhe sepse mbikqyrte të gjithë vëndet strategjike e, me gjasë, të rrezikshme për Evropën, në Lindje drejt Rusisë dhe Lindjes së Mesme. Pavetëdijshmëria evropiane për  si qëndronin në të vërtetë faktet, arrinte deri aty sa ndërsa përfitonin nga mbrojtja e tyre, shumë prej nesh qortonin amerikanët sepse nuk kishhin krijuar një Shtet social të fuqishëm të tipit evropian. Duke lënë mënjanë ndryshimin e traditave kulturore, kishte një hollësi të vogël që Evropa, mbas luftës së Dytë botërore, kishte mundur të kishte lluksin e zhvillimit të sistemeve shoqërore të kushtueshme pikërisht në sajë të mbrojtjes amerikane, që i jepte mundësi të kishte burime t’ardhurash të cilat përndryshe do t’i kishte investuar në armatime e mbrojtje. A ka ende ndonjë gjë që me arsye mund t’a quajmë Perëndim? Duke e kuptuar në kah politik, natyrisht. Këshilloj të lexoni në Foglio, sa i përket Amerikës së re, syzimin e shkëlqyer e të dhimshëm, të frymëzuar nga ndërkombëtarizmi wilsonian, të Leon Wieseltier. Polemikave t’ashpra të Trump-it kundër Evropës, i a kanë zënë vëndin buzëqeshjet, shtrëngimet e duarve dhe rrahja e shpatullave e Biden-it. Po e pastaj? Në çastin nuk ka asnjë shenjë që të lerë të kuptohet (me përjashtim të një rifillimi të mundshëm të bisedimeve SHBA / Iran mbi bërthamoren) ndonjë ndryshim politike në krahasim me kohët e Administratës Trump përsa i përket Lindjes së Afërme e të Mesme. Zbrazësia e pushtetit e lënë nga amerikanët – e për të cilën Biden-i nuk duket i gatshëm t’a mbushë – është plotësuar nga të tjera fuqi (Rusia, Kina) që përforcojnë çdo ditë që kalon vendosjen e tyre dhe i lënë lirinë më të madhe të veprimit rish imperializmave, (Turqia, Irani). Nëse do të pranonim se përgjigja e pyetjes “a ekziston më Perëndimi?” është negative,  nëse do të bëhej e qartë që as Biden-i nuk është në gjëndje të riafrojë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën (së paku në lëndën e sigurisë), nëse do të vërtetonim pamundësinë për të patur një zotim të vendosur e të përtëritur amerikan në krahun tonë të Jugut në këmbim të një mbështetje evropiane në shemërinë ndërmjet amerikanëve e kinezëve, atëherë nuk mbetet tjetër veçse të shpresohet tek Evropa. Qeveritë e Vendeve më të rëndësishme, Gjermania, Franca por edhe Italia, duhet të marrin shënim për kushtet e ndryshuara ndërkombëtare, të zgjojnë opinionet publike përkatëse e të marrin vendime të bashkërenduara për të përballuar rreziqet e rinj. Por ka një por, madje shumë por. Nuk është vetëm fakti që Gjermania, Franca, e shpejt a vonë edhe Italia kanë fushata zgjedhore për të përballuar, gjë që priret të paralizojë nismat e qeverive. Nuk është vetëm që Gjermania, ende e burgosur e fantazmave të së shkuarës, nuk është e gatëshme të marrë vendosjen e drejtimit që i takon në lëndën e sigurisë. Ka edhe një tjetër faktor që ndihmon plogështinë evropiane, ose fakti që evropianët e përceptojnë rrezikun në mënyra të ndryshme. Me ndonjë përjashtim të rrallë: ndërhyrja italiane në Sahel në krah të Francës lind nga vullneti i përbashkët për të ndaluar, më parë se të përfaqësojë një kërcënim për të gjithë neve, rrënjosjen e skajshmërisë islamike. Por vendimi i papritur i Macronit për të tërhequr kontigjentin ushtarak francez nga Mali ngre dyshime mbi t’ardhmen e atij misioni. Zakonisht nuk ka një vlerësim të përbashkët të rrezikut: është m’e lehtë që sot në kryeqytetet e tjera evropiane të pëshpëritet: ”Lufta eventuale civile nw Tunizi mund të kërcënojë Italinë? T’a zgjidhin vetë italianët. Punë e tyre”. Duke mos patur një përceptim  të njëjtë të rrezikut, prirja për më të shumtit është: secili për vete. Natyrisht, nëse në afate të mesme, një Vënd i rëndësishëm evropian do të binte në telashe, edhe pjesa tjetër e Evropës do të pësonte pasojat. Por demokracitë nuk interesohen për atë që mund të ndodhë në kohë afatmesme. Është vetëm afatshkurtëri që peshon. Ndoshta duhet shpresuar se, pavarësisht dukjeve të kundërta, përgjigja pyetjes “a ekziston Perëndimi?” të mbetet ende pozitive.

Filed Under: Uncategorized Tagged With: -Bashkimi Evropian, Eugjen Merlika, Tunizia

RREZIQET E VARFËRISË “ENERGJITIKE”

July 31, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO

“Corriere della Sera”, 28 korrik 2021    Përktheu: Eugjen Merlika

Nëse nuk keni elektricitet, dita juaj mbaron kur të perëndojë dielli. Por edhe në orët me diell nuk mund të përdorni frigoriferin, elektroshtëpijaket, kompiuterin. Nëse nuk keni as gazin, të gatuarit bëhet një veprimtari me rrezik të lartë. Një nga arsyet e vdekshmërisë në vendet me “varfëri energjitike” është që 40 % e popullsisë botërore nuk ka hyrje në burimet relativisht bashkëkohore të energjisë dhe është e shtrënguar të gatuajë ushqimet me lëndë djegëse që mbushin guzhinat e shtëpitë me tymra të rrezikëshme për shëndetin: dru, mbeturina të të korrave, bajga të thara. Instituti for Health Metrics and Evaluation e Washingtonit vlerëson se çdo vit vdesin nga ndotja shtëpiake 2.3 milion njerëz. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ngre shifrën në 3.8 milionë. Për të bërë krahasimin, të vdekurit nga Covid 19, në një vit e gjysmë pandemia kanë qënë pak më shumë se katër milionë.

Shfaqja kronike ndaj gazeve shtëpiake të dëmëshme shkakton polmonite, tumore në mushkëri, shton rreziqet e kataratës, rrit numurin e fëmijëve të vdekur. 

OBSH ka përpiluar një “shkallë të energjisë”, në bazë të së cilës janë Vëndet me t’ardhura shumë të ulta që përdorin për të gatuar vetëm mbeturina; më sipër ata me t’ardhura t’ulta e mesatare që djegin dru, qymyr, vajguri, etanol; më lart janë më të pasurit që punojnë me gaz dhe rrymë elektrike. Në Burundi, në Republikën e Afrikës Qëndrore, në Liberi – ku t’ardhurat për frymë janë nga 600 deri në 800 dollarë në vit – më pak se 1% e popullsisë përdor rrymë elektrike ose gaz për të gatuar. N’Evropë, në Amerikën e Veriut e në Vendet e përparuara 100 % e guzhinave nuk kanë këtë problem. Por simbas studimeve të Ourworldindata.com – pjesa m’e madhe e Vendeve me t’ardhura më të ulta vjetore se dhjetëmijë dollarë nuk arrin në 60 % të shtëpive të shëndetëshme. Kina është në 59 %, Hindia 41 %. Mesatarja botërore është 59 % (të dhënat e vitit 2016). Kjo gjëndje nuk ka pasoja vetëm mbi shëndetin: gati 50 % të lëndëve drusore të nxjerra nga pyjet shërben për të prodhuar energji, pjesa m’e madhe e së cilës për të gatuar ushqimet. Në fakt pyjet zgjerohen në Vendet e pasura e ngushtohen n’ata të varfëra. Zgjidhjet? Më e rëndësishmja: një rritje ekonomike që t’i japë t’ardhura Vendeve të varfëra për të hyrë në energjitë e hijshme dhe popullsive t’ardhura  për t’u çliruar nga ndotja shtëpiake.

Filed Under: Analiza Tagged With: Corriere Della Sera, Eugjen Merlika

PËRSE BIDEN-i TREGON MUSKUJT ME KINËN (MË SHUMË SE SA TRUMP-i)

July 31, 2021 by s p

Nga JAN BREMMER

“Corriere della Sera”, 9 korrik 2021    Përktheu: Eugjen Merlika   

Ishte një opinion I përhapur në Shtetet e Bashkuara se presidenti Donald Trump kishte zbatuar një përballim shumë t’ashpër me Kinën, por çuditërisht të butë me Rusinë. Kritikët e tij e kanë paditur se lufta e taksave doganore e vërsulur kundër Kinës, do të kishte qënë aq sulmuese sa që do të përfundonte në një vetëplagosje. Të tjerë thonin se Vladimir Putin e kishte në dorë Trump-in për arsye të panjohura. Me zgjedhjen e Biden-it në Shtëpinë e Bardhë, të njëjtët opinionistë kanë parashikuar se presidenti I ri do t’I kish përmbysur këto qëndrime. Simbas tyre Biden-I do të kishte kërkuar një afrim me Kinën për të gjetur mundësinë e një bashkëpunimi më të frytshëm, ndërsa do të kishte fshikulluar Putinin për ndërhyrjet e tij në politikën amerikane e për lejimin e kriminelëve informatikë rusë të mbanin peng ndërmarrjet amerikane me qëllim mitmarrjeje. 

Por nëse shkojmë për të shqyrtuar me hollësi zgjedhjet politike të kryera nga adminisrata e re, duke lënë mënjanë retorikën e rastit dhe twitet kërcënuese të dy kryetarëve të qeverive në vetë të parë, zbulojmë se ai përimtim është përmbysur krejtësisht. Biden-i u tregua shumë më i papajtueshëm me Kinën se sa ka qënë ndonjëherë Trump-i, dhe nuk ka fshehur simpatitë e tij për Putinin e Rusinë. Le të shkoqisim provat. Mbasi e kish ftuar për drekë udhëheqësin kinez Xi jinping në residencën e tij  të Mar-a-Lago-s, për t’u njohur me njëri tjetrin, Trump-i kishte ndjekur udhëzimet e këshilltarëve të tij që e shtynin të tregohej më luftarak kundrejt fuqisë në ngjitje. Por interesat e tij kufizoheshin në dy sektorë. I tmerruar nga defiçiti i peshores tregëtare amerikane kundrejt Kinës dhe i tërhequr nga mundësitë politike që i paraqiteshin, Trump-i nuk nguroi të shpërthente një luftë tregëtare. Ka mbështetur gjithashtu veprimet më energjike të qeverisë së tij për të ndaluar zhvillimin teknologjik të Kinës – dhe kërcënimet e sigurisë kombëtare që rrjedhin prej tij – duke praktikuar shtrëngesa mbas shtrëngesash kundër Huaweit, gjigandit të teknologjisë kombëtare kineze. Trump-i e të tijtë kanë folur shumë pak për dhunimin e të drejtave njerëzore kundër popullsisë myslimane të rajonit kinez të Xiniangut, megjithë ndonjë sanksion pa rëndësi dhe kontrollit mbi eksportimet – po ashtu sikurse edhe mbi krizën e demokracisë në Hong Kong. Shumë pak është bërë për të ftuar së bashku aleatët evropianë e aziatikë për të përpiluar një strategji të bashkërenduar që të synonte ndalimin e ndërhyrjeve gjithënjë e më agresive të Kinës përtej kufijve të saj.

Presidenti Biden, nga ana e tij, sheh në Kinën kërcënimin kryesor për demokracinë dhe liritë vetiake, po ashtu sikurse edhe për sigurinë kombëtare amerikane. Qeveria e tij nuk ka bërë asnjë hap mbrapa në luftën tregëtare të nisur nga Trump-i. Taksat e sanksionet mbesin në vëndet e tyre, për të shfrytëzuar skajshmërisht fuqinë negociuese të SHBA me Kinën në të tjerë sektorë e për të ngritur nivelin e lojës janë vendosur edhe kontrollet mbi eksportimet. Nëse takimi i parë ndërmjet Trump-it dhe Xi Jinping-ut është zhvilluar në një pritje në atmosferën e ngrohtë të Jugut të Floridës, qeveria Biden ka organizuar një takim të nivelit të lartë të Vendeve të Quad-it që i kundërvihen Kinës – Japonia, Hindia dhe Australia – më parë se të ngrinte një tryezë bisedimi me funksionarët kinezë në Alaskën e akullt.  Presidenti i ri u zotua gjithashtu të përputhë qëndrimet amerikane mbi Olimpiadën dimërore të Pekinit 2022 me ata të Bashkimit Evropian, të Mbretërisë së Bashkuar, Australisë dhe Kanadasë . Ndërsa Trump-i ankohej se Kina i kishte rrëmbyer Shteteve të Bashkuara vënde pune në industri, Biden-i ka lëshuar programin “Blij amerikane”, pikërisht për të nxitur ndërmarrjet amerikane të rikthejnë vëndet e punës n’atdhe. Nëse Trump-i ka paditur Kinën se ka infektuar botën me “virusin kinez”, Biden-i ka kaluar në veprim dhe ka kërkuar një hetim për të ndriçuar t’ashtuquajturën teori të aksidentit të laboratorit, që do të shpiegonte prejardhjen e pandemisë. Kush priste që Biden-i do të kishte riqepur marrëdhëniet  me Kinën, pashmangmërisht ka mbetur i zhgënjyer. Era e bashkëpunimit ka mbaruar, ky është komenti i fundit i një këshilltari të ngushtë të Biden-it për gjëndjen aziatike.

Edhe zgjedhjet politike të Trump-it dhe të Biden-it kundrejt Rusisë kanë pështjelluar pritjet dhe parashikimet. Trump-i ka shprehur shpesh fjalë lëvduese për Vladimir Putinin, por si  qeveria e tij e po aq antarët e partisë republikane në Kongres, kanë mbajtur një qëndrim diametralisht të kundërt me të përsa i përket sjelljes luftarake të Rusisë. Gjatë viteve të Trump-it sanksionet janë ashpërsuar. Ish presidenti ka kundërshtuar projektin e gazsjellësit rus Nord Stream 2, me një rëndësi të madhe strategjike. Qeveria e tij ka miratuar shitjen e raketave kundërtanke Ukrainës, duke e ditur mirë se shënjestrat kryesore të tyre do të kishin qënë tanket ruse. Trump-i ka përforcuar praninë e trupave amerikane n’Evropën Lindore, një nder i posaçëm në dobi të presidentit polak Andrzej Duda, gjithmonë i rrjeshtuar me Trump-in kundër Putin-it. Qe Trump-i ai që tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga traktati Inf me Rusinë (mbi armët bërthamore me rreze të mesme veprimi), duke mos pranuar të zgjaste as marrëveshjen Start mbi pakësimin e armëve strategjike).

Joe Biden, edhe se e kishte përcaktuar Vladimir Putinin “një vrasës”, kundrejt Rusisë ka vepruar me më shumë maturi se sa Trump-i. Duke synuar të krijojë një marrëdhënie më të qëndrueshme me Rusinë, për të mundur t’i besojë politikës së jashtëme detyrën për të përballuar kërcënimet kineze, Biden-i nuk ka humbur kohë për të zgjatur traktatin Start dhe për të shfuqizuar sanksionet që rëndojnë mbi ndërmarrjen ruse të zotuar në ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream. Kur Putini u ul në tryezën e bisedimeve me Biden-in në Gjenevë me ftesën e këtij të fundit, Biden-i mbajti një qëndrim të përzemërt, pavarësisht nga sulmet informatike ruse kundër një naftësjellësi amerikan dhe miratimit të heshtur të Rusisë ndaj ndërhyrjes së Bjellorusisë në uljen e një aeroplani të linjës evropiane për të arrestuar një disident.

Nga e gjitha kjo duhen nxjerrë tre mësime. I pari, fjalët janë një gjë, veprimet një tjetër. Duhet kujdes kur të parat zëvendësojnë të dytat! Dy: kryetarët e Shteteve dhe qeveritë e tyre, jo detyrimisht bashkëndajnë të njëjtën vijë politike. Trump-i do të kishte dashur të krijonte marrëdhënie më të përzemërta me Rusinë, por nuk ka marrë asnjë mbështetje nga bashkëpuntorët e tij. Së fundi, ndryshimet në politikën e jashtëme shpesh pasqyrojnë ndryshimet që ndodhin në botë.

Është më e dukëshme sot, në krahasim me katër vite të shkuara, se Xi Jinping synon të ndjekë një politikë të prirur nga një kombëtarizim i egërsuar. Përparimet e Kinës në fushën teknologjike, sulmet e saj kundër demokracisë së Hong Kongut, provat e fundit të përndjekjes në Xiniang dhe trysnia ushtarake mbi Taivanin kërkojnë një përgjigje të vendosur nga ana e Washingtonit e aleatëve të tij. Për çastin, qeveria Biden synon të shuajë reflektorët mbi Rusinë, për të përballuar drejt për së drejti marrëdhëniet gjithënjë e më kundërshtuese me Kinën. 

Filed Under: Politike Tagged With: Biden, Eugjen Merlika, Kina, USA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT