• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HESHTJA E PAPËRLIGJUR

October 5, 2015 by dgreca

Nga Eugjen Merlika/

Duke lexuar gazetën “Corriere della Sera” të datës 29 shtator, në faqen 44, në rubrikën “Lettere al Corriere”, të mbarështuar nga ish diplomati, studjuesi i historisë dhe politologu i njohur italian Sergio Romano, hasa një argument interesant të trajtuar, më së fundi, thjesht e qartë. Nuk kishte në të atë mjegullnajë që, shpesh, ngatërron fillin e arsyetimeve, duke i ardhur vërdallë një problemi, pa hyrë në thelbin e tij, që me shumë fjalë nuk thohet asgjë. Është kjo një karakteristikë e shumë politikanëve, kudo në botë, por jo rrallë edhe e gazetarëve apo analistëve vështirë të kuptueshëm.

Zakonisht Sergio Romano nuk parapëlqen t’u përgjigjet letrave “të vështira” të lexuesve por, kur e merr përsipër, ka meritën të jetë i sinqertë, duke mos e fshehur mendimin e tij, edhe se mund të jetë i pakicës n’opinion. Argumenti i letrave të dy lexuesve ishte vizita e fundit e Kreut të Vatikanit në Kubë dhe SHBA-ës.

“Kam kuptuar tërthorazi se në Kubë kanë shpënë në shesh ata të një mëndjeje, ndërsa të kundërtit janë lutur njerëzisht të qëndrojnë në shtëpi. Duket gati si ana tjetër e një medaljeje të çuditëshme. Komunistët që hymnizojnë Papën! Dhe pyes veten se përse pasardhësi i Shën Pjetrit nuk ka thënë : më sillni këtu kundërshtarët, mbasi ndoshta zëri i tyre është më i fortë se i imi! Çudí! Ndoshta globalizimi dhe mashtrimi mbretërojnë pa kufizim edhe në Vatikan.”   Firma e shkruesit

Kjo ishte letra e parë që ka një kah të prerë këndvështrimi e paraqet një lloj shqetësimi që shkon duke u shtuar. Është kjo arsyeja që edhe Romano e zgjedh për t’i u përgjigjur. Ja edhe letra tjetër, me një ndryshim të madh nga e para, qoftë si interpretim ngjarjesh, qoftë si mendësi e prirje arsyetimi politik.

“Nuk mund të mos jesh i kënaqur për heqjen e embargos Kubës, të zgjatur bukur shumë 52 vjet e për shkëmbimin e të burgosurvet të ndërsjelltë. Edhe vizita e Papës Françesku dhe takimi i tij me Fidel Kastron i anëshkrohen një kthese paqtuese. Kam vënë re se shumë mjete informacioni nuk kanë mbetur të kënaqur dhe do të kishin mëtuar më shumë nga kubanët. Do të donja që ju të flisnit për marrëveshjet e përfunduara dhe çfarë do të kishin dëshiruar më shumë kundërshtarët e kastristëve.”

              Firma e shkruesit

Ja edhe përgjigja e Sergio Romano-s

OBAMA, KASTRO, FRANCESCO  NJË PAKT TRIPALËSH

Të dashur lexues,

Kur  një gazetar e pyeti Papën se pse nuk priti disidentët në seline e Ambasadës papnore, Françesku u përgjigj se, në atë rrethanë nuk ishte qëllimi i tij të bënte pritje, madje as edhe të një Kryetari Shteti. Do t’i shihte disidentët, ndërmjet besimtarëve të tjerë, n’atë katedrale. Të përkthyera më qartë ato fjalë donin të thonin se Papa, gjatë udhëtimit të tij në Kubë, nuk do t’i jepte hapësirë opozitavet. Hipokrizí ? Oportunizëm ? Apo më thjesht realizëm ? Mbrapa rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet SHBA-s dhe Kubës, ka një shkëmbim. Amerikanët, më së fundi, dalin nga një rrugë pa krye dhe mund të kthehen në Kubë me të gjitha levat politike dhe ekonomike që zotërojnë. Kisha, me gjasë, do të mundet të zgjerojë hapësirat e kufizuara dhe të kontrolluara që ka gëzuar në dhjetëvjetorët e shkuar. Regjimi zyrtarisht njihet si titullar i ligjshëm i pushtetit pra, i vetmi bashkëbisedues i besueshëm për këdo që kërkon të përballojë probleme që lidhen me t’ardhmen e ishullit. Shtetet e Bashkuara kanë një interes të dukshëm të nxisin ndonjë ndryshim thelbësor të regjimit kuban, por me vendosjen e marredhënieve, kanë treguar se nuk mëtojnë t’i detyrojnë vëllezërit Kastro për kohët dhe mënyrat e veprimit.

Nuk është një shkëmbim i keq. Askush në Perëndim dëshëron që kalesa të dalë nga duart e të marrë një prirje revolucionare. Është më mirë që regjimi i Kastros të shuhet për arsye regjistri të gjendjes civile. Disidentëve në këta çaste i leverdis të kenë durim. Të paduruarit nuk do të priteshin as në Uashington, as në Romë.”

Kjo është përgjigja sintetike e mbarështuesit të rubrikës së letrave të gazetës më të madhe italiane. Përgjigja është mjaft e qartë, madje tepër e saktë përsa i përket filozofive politike të dy fuqive të botës së sotme, njëra fetare e morale e tjetra, mbetur e vetme në majë të piramidës së fuqive ekonomike e ushtarake. Nëse Presidenti amerikan nuk paraqet ndonjë të papritur në këtë drejtim, Kryetari i Kishës katolike, me shfaqjen e një pragmatizmi të skajshëm, kryesisht në një drejtim, habit e lë për të dëshiruar.

Që Kuba të dalë nga izolimi ku e ka futur veten mbas dhjetëvjeçarësh eksportimi të teorive e praktikave komuniste në Amerikën Latine e n’Afrikë, është në dobi të saj, por edhe të botës me sa më pak përplasje. Që diktatura kubane të fitojë të drejtën e qytetarisë me nderime në Uashington e Vatikan, është një dukurì që, së paku, le në mëdyshje të gjithë ata që, në këta vite të gjata, nuk kanë miratuar metodat e praktikat e saj. Që ata që vuajnë ende përndjekjet politike në Kubën e vëllezërve Kastro  dhe posterave të Çè Guevarës, të bëjnë durim deri sa të vdesin të gjithë drejtuesit komunistë, pa asnjë shpresë, mbasi askush, as personalitetet më të larta e karizmatike të botës së lirisë, nuk duan të dijnë për ta, është një gjë shumë e hidhur. “Kjo është politika” më tha im bir, kur i dhashë të lexonte përgjigjen e Romanos. Do të shtonja se kjo lloj politike, që nuk mban parasysh dhunën policore mbi kundërshtarët në botkuptim, që nuk ka në ADN e saj kahun e së drejtës, që nuk ze në gojë viktimat e komunizmit të cilat, çuditërisht, mbeten jashtë çdo liste viktimash, për të thënë pak, është një krijesë e cunguar.

Është ajo politikë që ka shoqëruar lodrat tona fëminore, të reduktuara në një top lecke, që ka thyer ëndërrat tona për të studjuar, që na bëri të rriteshim jetimë, mbasi prindërit dergjeshin burgjeve dhe internimeve, që na kishte dënuar të ishim qytetarë të kategorisë së fundit në tokën në të cilën lindëm. Pakicat e flijuara në altarët e shumicave janë një dukuri e zakonëshme, sidomos në shekullin që shkoi. Me rënien e komunizmit,  trajtimi i atyre pjesëve të shoqërisë, të luftuara për vdekje prej tij, me indiferentizmin dhe heshtjen apo, së shumti, me një pasaportë të një të mërguari të thjeshtë, mbetet e vërteta e periudhës së kalesës në ish vëndet komuniste. Dyshimet e kohëve të para mbi vërtetësinë e ndryshimit sa i përket ish të përndjekurvet, u pasuan nga shfaqja e dukurive të hapura që dëshmonin se ata mbeteshin gjithmonë qytetarë të fundit. Përgjigja e Romanos ndihmon në shpjegimin e arsyeve të kësaj të vërtete sepse, siç thotë ai “askush në Perëndim don një prirje revolucionare”. Çuditërisht “prirjet revolucionare” u vishen atyre që kanë vuajtur gjithë jetën si “kundërevolucionarë”! Ndërsa revolucionarët e hershëm janë bërë paqësorë, afaristë, politikanë ithtarë të SHBA-s dhe Evropës, miq të thekur të imperialistëve të dikurshëm edhe se në raftet e tyre fshihen male kufomash. “Duket gati si ana tjetër e një medalje të çuditëshme” shkruan lexuesi.

Parimet bazë të shoqërive të lira, qoftë ata të liberalizmit iluminist, qoftë ata të doktrinës sociale të Kishës katolike, vihen në ngrirje, sepse “marrëveshjet” historike dhe “epokale” kërkojnë pjesën e tyre të flive. E provuam ne, shqiptarët, këtë lloj kompromisi katovician ramizist një çerek shekulli më parë. Po e provojnë sot kubanët të cilëve Obama i u blaton si një fitore historike, jo domosdoshmërinë e të persekutuarvet për t’u kthyer në një jetë normale me të gjitha të drejtat e tyre të shpërblimit moral e material, por një farë “shprese” që lidhet me gjendjen civile të “heronjve” të diktaturës….

Por nëse politika, në tërësi, nuk na befason më me veprimet e saj “të papërceptueshme” për mëndjet e zakonëshme, ngrirja e shpresave të të përndjekurve politikë në Kubë, nëpërmjet një “marrëveshjeje” që mban edhe vulën e Zëdhënësit të Krishtit në tokë, le një hidhësirë në gojë. I akuzuar nga ndonjë gazetar si “komunist” Papa Françesku hedh poshtë  etiketimin, duke vënë në dukje se ai zbaton gjithmonë vetëm doktrinën sociale të Kishës. Para klerit amerikan ai u shpreh : “ Zemra e Papës, e Zëvendësit të atij që mbi kryq  ka përqafuar gjithë njerëzimin, zgjerohet për t’i futur të gjithë.”

Ne nuk dijmë se çfarë ka biseduar kokë më kokë Papa me vëllezërit Kastro, por zyrtarisht ka heshtje për disidentët dhe të përndjekurit e diktaturës. Nga burime zyrtare, jo të shtypit mësohet se ndërhyrja e Papës ka sjellë lirimin e rreth tremijë te dënuarvet politikë. Urojmë që proçesi i filluar të shkojë përpara. Real politika kërkon që të kryhet në heshtje, sepse regjimi nuk dëshëron të pranojë hapur natyrën e tij. Shumë vite më parë kur Nënë Tereza shkoi në Kubë e i kërkoi qeveritarëve të saj lejen për të hapur shtëpi për të varfërit, ata i u përgjigjën se atje nuk kishte të vobekët. Ishte e njëjta përgjigje që mori misionarja shqiptare në atdheun e saj nga zonja Nexhmije.

Tani heshtja ndihmon regjimin të vazhdojë mashtrimet e tij të zakonshme e hedh një pluhur harrese mbi viktimat, të cilat meritojnë një rikthim, me të gjitha të drejtat në shoqërinë kubane. Prandaj është e rëndësishme të flitet, prandaj  ajo heshtje më duket e papërligjur, për më tepër kur e krahasoj me nderimin e dëshmuar haptas, një vit më parë, ndaj martirëve të kishës katolike shqiptare.  Nuk dua të pranoj në vetvete se pakti tripalësh, që shërben si titull i pergjigjes së Romanos, është një e vërtetë e dukëshme, sepse e kam të vështirë si besimtar katolik e si ish viktimë e diktaturës, të pranoj se ai pakt interesash hyn në doktrinën sociale të kishës.

Tetor 2015                                     

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, HESHTJA E PAPËRLIGJUR

ËNDËRRA SHQIPTARE DJE DHE SOT

September 22, 2015 by dgreca

Nga  Eugjen Merlika/

Tema që dua të trajtoj sot me këtë shkrim të thjeshtë mbart në vetvete lashtësinë e një shekulli dhe shqetësimin e çdo dite, dikur në qendrën e jetës politike, kulturore e shpirtërore të një populli për tre dhjetëvjeçarë, më pas e lënë në harresë, madje e quajtur “dalë boje” dhe “e rrezikëshme” edhe për t’u menduar në pjesën tjetër të shekullit, e kushtëzuar nga rrethanat ndërkombëtare, fatkeqësisht gjithnji të kundërta, por edhe nga një mungesë vullneti e guximi nga ana e jonë, kryesisht në sferën politike.

Problemi ynë kombëtar lindi pak më shumë se një shekull më parë, në prag të Shpalljes së Pavarësisë, me pushtimin e tokave tona nga aleatët ballkanas, si pasojë e paaftësisë së Perandorisë Otomane për të përballuar sulmin e tyre, paaftësi në të cilën kishim dhënë edhe ne ndihmesën tonë me kryengritjet e vitit 1912, e duke u ligjëruar nga Konferenca e Londrës e pranverës së vitit 1913. Vullneti i shteteve fqinjë, i përkrahur nga Fuqitë e Mëdha, përcaktoi kufijtë e cunguara të Shqipërisë, duke lënë jashtë saj më shumë se gjysmën e trojeve shqipfolëse.

Njëqind vjet në historinë e Evropës kanë sjellë kaq shumë ndryshime në fizionominë e saj, sa që nuk mund të krahasohen me periudha shumë shekullore të së shkuarës. N’Evropë u kryen dy luftëra botërore, më shkatërrimtaret e historisë së njerëzimit, kaluan diktatura mizore, të shkurtëra në kohë, si fashizmi e nazizmi e më të gjata si komunizmi, por që sollën  pështjellime të mëdha në jetën e qindra milionë njerëzve, ndërmjet tyre edhe të tre milion shqiptarëve, sa ishin në mbarim të luftës së dytë botërore.

Rrëzimi i Murit të Berlinit, si simbolikë e shëmbjes së komunizmit, i dha shkas të tjera ndryshimeve epokale, të cilat duhen mbajtur parasysh në lidhje me gjëndjen tonë. Një çerek shekulli më parë Gjermania, e ndarë në fillim në katër pjesë e më pas në dy, fill mbas mbarimit të luftës së dytë botërore, me një vendim të Qeverisë e të Parlamentit të pjesës perëndimore të saj dhe me miratim të drejtuesve të mbifuqive të kohës, SHBA dhe BRSS, u bashkua në kufijtë e vendosura në Konferencën e Paqes së Parisit 1946.

Shkërmoqja e “perandorisë” komuniste të projektuar në Teheran dhe Jaltë nga tre fituesit e luftës, si pasojë e dështimit të ekonomisë e të kalbjes së sistemit, ndryshoi hartën e Evropës dhe të një pjese t’Azisë. Jugosllavia, krijesa e Versajës, si pasojë e prirjeve shkëputëse të popujve e qeverive të përbërësve të saj, nëpërmjet një proçesi relativisht të shpejtë e të dhimshëm, përsa i përket humbjeve njerëzore e krimeve të kryera, u kthye në një grumbull shtetesh të pavarura, përfshirë këtu, fatmirësisht, edhe Kosovën. Bashkimi Sovjetik, bashkësi e popujve sllavë të Lindjes e jo vetëm të tillë, i ngjizur nga vullnetet shumë shekullore të Carëve dhe i plotësuar nga duart e hekurta të bolshevikëve dhe Carëve të rinj të tyre, Leninit e më shumë Stalinit, nuk është më. Në vënd të krijesës së stërmadhe janë shtete të pavarura, në marrëdhënie miqësore apo armiqësore ndërmjet tyre dhe Rusisë. Republika Çeke dhe Sllovakia vendosën paqësisht ndarjen  në dy shtete të Çekosllovakisë. Sot prirjet shkëputëse janë ende të pranishme në Vende si Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Belgjika e ndonjë tjetër. Të gjitha këto ndryshime të statu – quos së Evropës, që u kryen në pajtim me vullnetet e popujve të ndryshëm të saj, nuk sollën “kataklizmat” e pritëshme, por ndihmuan në sjelljen e një ere të vërtetë lirie në kontinent e në përmirësimin e jetës së atyre popujve.

Në gjithë këtë përmbysje konjukturash, vendimesh e traktatesh ndërkombëtare, populli shqiptar pati një “mrekulli” në anën e tij, shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe pavarësinë e mëpastajme të saj. Të vetëdijshëm për përmasat e kësaj mrekullie, duke e quajtur atë si hapin e parë të madh në rrugën e gjatë të bashkimit të kombit, duhet të ngremë stekën e mëtimeve tona. Këtë mund t’a bëjmë nëse arrijmë të ndërgjegjësohemi si shoqëri e si komb se bashkimi i shqiptarëve nuk duhet të mbetet vetëm si ëndrra që përkundim që prej njëqind vitesh dhe gjithashtu se vendimet e diplomacive, qofshin këta edhe të Fuqive të Mëdha, nuk janë tabu të përjetëshme.    

Sot para nesh shtrohet pyetja : a jemi në gjendje t’a ringjallim, nëpërmjet një projekti largpamës e në ujdí me rrethanat bashkëkohore, strategjinë kombëtare për të hyrë në institucionet e kontinentit, jo si pakica kombëtare të shteteve të ndryshme, por si një shtet i vetëm ? A jemi të gjithë të një mëndjeje, qoftë edhe me sfumatura të ndryshme, se misioni ynë kryesor, krahas zhvillimit ekonomik, është ai i bashkimit ?

Para se të arrijmë në ftillimin e hollësive të atij projekti, duhet të shqyrtojmë e të mbajmë parasysh prirjet e vërteta  kombëtariste të shoqërive tona. Mbas njëqind vitesh nga vendimet e Konferencës së Londrës dhe 70 vjetësh të parantezës së shkurtër të Shtetit të Bashkuar shqiptar të kohës së luftës së dytë botërore, e gjysmë shekulli komunist, krejtësisht i pandjeshëm ndaj konceptit bashkim kombëtar, të pasuar nga një mërgim biblik i një shumice të shqiptarëve, shumë gjëra  kanë ndryshuar edhe në mendësinë e tyre. Ky fakt na detyron  të njohim prirjen e përgjithëshme të tyre për t’u bashkuar, në caqet e saj të vërteta. Kësaj mund t’i arrihet nëpërmjet hulumtimit të opinioneve nga institutet e posaçme. Nëse përgjigja e shqiptarëve, në të gjitha trevat e banuara prej tyre, do të jetë miratuese mund të fillohet hartimi i projektit dhe të ravijëzohen hollësitë e tij.

Pa hyrë në thelb të padrejtësisë historike që na detyruan të pranojmë diplomacitë e Evropës, tek të cilat sot janë varur shpresat tona, mendoj se nuk është rasti të rigjallërojmë prirjen për t’u hequr si viktimë, jo sepse nuk kemi arsye për t’a shpallur, por se duhet të dëshmojmë se jemi në gjëndje t’a kapërxejmë e të gjejmë forcat për t’i parashtruar kërkesat tona, duke u mbështetur në të drejtën tonë si popull e në të drejtën ndërkombëtare.

Ideja e Shqipërisë së bashkuar qé, deri në mbarimin e luftës së dytë botërore, flamuri i nacionalizmit shqiptar i cili, për t’a sendërtuar atë, nuk nguroi të bashkëpunojë edhe me pushtuesit italianë e gjermanë, gjë të cilën historiografia komuniste nuk i a fali kurrë edhe sot e kësaj dite. Por kundërshtarët e nacionalizmit, komunistët shqiptarë, që kishin si parim udhëheqës “internacionalizmin proletar”, nën drejtimin e Moskës apo të Beogradit, nuk nguruan asnjë çast që të shkatërronin krijesën nacionaliste, duke i rikthyer Jugosllavisë së Titos të gjitha krahinat të bashkuara me Shqipërinë në prill 1941 e në muajt e mëpastajmë.

Kjo është historia e mbajtur në sirtare për gati gjysmë shekulli, në të cilin shumica e qytetarëve të Shqipërisë as nuk e dinin se kishte qënë një periudhë gati katërvjeçare, prill 1941 – janar 1945, në të cilën administrata shqiptare kishte patur përfaqësuesit e saj në të gjitha trevat shqipfolëse me përjashtim të Çamërisë, të cilën italianët nuk deshën t’i a bashkojnë Vendit tonë. Ishte i vjeshtës së dytë 1943 i vetmi kuvend i zgjedhur me përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare, atëherë të bashkuara, në gjithë historinë tonë, së cilës komunistët i u përgjigjën me gjuajtjet e topave, veprim për të cilin mburren edhe sot.

Për t’a bërë të mundshëm sendërtimin e projektit duhet jo vetëm vullneti i popullit por edhe gatishmëria e institucioneve dhe e politikës në përgjithësi për të marrë përsipër rolin e saj drejtues në përçuarjen e aspiratës së shqiptarëve në tryezat e vendimeve. Por a kemi ne një klasë politike me shtatin moral e profesional të përshtatëshëm për të çuar përpara çështjen kombëtare në ballafaqimin me diplomacitë e botës dhe me kundërshtimet skajore të fqinjëve ? A është ajo në lartësinë e detyrës që shekulli i ri, me të gjithë problemet e tij të ngatërruar, i ngarkon ? Ndoshta kjo është pika më e brishtë e projektit, sepse përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk ngjallin optimizëm edhe për faktin se me ndonjë përjashtim të rrallë drejtuesit e politikës shqipfolëse kujdesen më tepër të ruajnë “korrektësinë” me të huajtë se sa të bëhen zëdhënës të interesave të kombit të tyre. Teza e përdorur gjërësisht se hyrja në Evropë do të zgjidhë të gjithë problemet tona është një formë hashashi për të qetësuar shpirtërat e trazuar. Prandaj bëhet e domosdoshme që shtysa nga poshtë të jetë tepër e fuqishme dhe këtë shtysë mund e duhet t’a japin kryesisht të rinjtë e viseve shqiptare nëse janë të bindur se ëndrra e gjyshërve të tyre ka qënë domosdoshmëri edhe në të mirë të s’ardhmes së tyre.

Përtej termave “Shqipëri e madhe” apo “Shqipëri etnike”, që janë bërë gogoli që tundin para botës fqinjët tanë, sa herë flitet për kombin tonë, ne duhet të dëshmojmë, me vullnetin tonë mbarëpopullor, se nuk paraqesim rrezik për askënd, se asnjëherë nuk kemi patur synime grabitqare kundrejt fqinjëve, se duam të jetojmë së bashku në atë hapësirë toke në të cilën kemi qënë prej mijëvjeçarësh, sepse na bashkon gjuha, traditat, trashëgimia zakonore, historia e përbashkët, etj.

Këtë duhet t’a bëjmë nëpërmjet dokumentavet, që duhet t’i dërgohen organizmave ndërkombëtare, por edhe qeverive të Vendeve fqinjë me të cilët ndajmë problemet, ashtu sikurse atyre të Vendeve mike, të cilët   shpresojmë të tregojnë një farë mirëkuptimi. Mendoj se filozofia ndriçuese e kësaj përpjekjeje për të pohuar aspiratën tonë kombëtare, duhet të jetë ajo e ish Kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Rruga e tij paqësore, krijimi i institucioneve paralele, bojkotimi i votimeve, pohimi kudo e para kujtdo të së drejtës sonë si komb, mendoj se përbëjnë një pasuri të çmuar, të vlefshme edhe për sot edhe për t’ardhmen. Koncepti i binjakëzimit të lirisë me luftën, i drejtë në pjesën më të madhe të historisë sonë, në kontekstin gjeopolitik të sotëm, nuk më duket frutdhënës. Po sjell këtu  një shprehje të një shkrimtari gjerman të shekullit të shkuar, Peter Rosseger (1843 – 1918), me të cilën pajtohem plotësisht : “ Un dua jo aq atë atdhetarí që nxjerr bijtë tanë në fushat e betejave e i thërret të vdesin, por atë që u mëson atyre të jetojnë për Atdheun.” E thënë me fjalë të tjera, kemi nevojë kryesisht për qytetarë të vetëdijshëm e të pregatitur për problemet kombëtare, më shumë se sa për luftëtarë me armë në dorë.

Duhet mobilizuar populli, sidomos rinia, që duhet të dalë në manifestime, jo me flamuj partish,  por me atë të Skënderbeut, e me pankarta, ku të shkruhet me gërma të mëdha : “DUAM BASHKIMIN PAQËSOR TË TROJEVE SHQIPTARE.” Këta manifestime duhet të jenë krejtësisht paqësorë e të zhvillohen të ujdisur njëherësh në qytetet e të gjitha trevave ku flitet gjuha shqipe. Në ta nuk duhen lejuar elementë skajorë që do të duan të përfitojnë nga rasti, nën shkakun e rremë të “zellit atdhetar”, për t’i dhënë tjetër drejtim apo të tjera qëllime. Vija paqësore e kërkesave duhet të jetë ngulmuese e na duhet të armatosemi me durim, sepse do të duhen vite për të arritur synimet tona. Ata tubime, në rregullsinë e vazhdimësinë e tyre do të jenë armët më të fuqishme për të vrarë tabunë e politikës botërore kundrejt kombit tonë. Nëse do të shfaqim vullnetin dhe dashurinë për çështjen tonë, pa u epur e pa dëgjuar sirenat gënjeshtare të ndryshme, do të mundemi t’i a arrijmë qëllimit, sepse “Në të gjitha sipërmarrjet njerëzore, nëse jemi në një mëndje për qëllimin, sendërtimi është një çështje e dorës së dytë.”, nëse më lejohet të parafrazoj një burrë shteti e historian gjerman të shekullit 19, Friedrich Cristoph Dahlmann (1785 – 1860), një nga hartuesit e Kushtetutës gjermane.

Në këtë projekt e strategji madhore të rilindjes së kombit të bashkuar në Evropën e shekullit XXI, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, në një të ardhme të afërt, mund të jetë një synim i arritshëm, nëpërmjet një referendumi në të dy shtetet. Një rezultat i lartë, me një pjesëmarrje shumë të gjërë të votuesve, do të ishte baza më e fuqishme për të kërkuar bashkimin. Madje do të ishte një gjë shumë e rëndësishme që në këtë shprehje të mendimit mbarëpopullor të merrnin pjesë on line të gjithë shqiptarët që jetojnë nëpër botë. Të gjithë argumentat e rendit etnik, kulturor, gjuhësor e historik janë në anën tonë, nuk ka asnjë motiv të shëndoshë që dikush, në diplomacinë ndërkombëtare, t’i kundërshtonte një vullneti të shprehur hapur e pa mëdyshje. Duhet të jemi të gjithë të një mëndjeje, që nga populli, sidomos mosha e re, deri tek institucionet e dy Vendeve. Do të ishte një ripërtëritje, në formë tjetër, në kah bashkëkohor, e përvojave më të arrira të shprehjes së  synimit përbashkues të shqiptarëve në shekuj, e kohëve të Gjergj Kastriotit e të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.

Duhet të jemi të bindur gjithashtu, se ikjet përpara, nxitimet, ultimatumet apo iluzionet e forcës nuk i shërbejnë strategjisë sonë. Shumë kush sot në botën shqiptare i vesh luftës së U.Ç.K.-së meritën kryesore të pavarësisë së Kosovës. Pa e përjashtuar atë meritë dhe as sakrificat që lidhen me të, jam i mendimit se një përsëritje e asaj përvoje në proçesin e bashkimit, do t’a dëmtonte shumë synimin tonë e, ndoshta, do t’a varroste për jetë atë. Rrethanat e vitit 1999, që përcaktuan kahun e ngjarjeve në dobinë tonë, nuk përsëriten më, prandaj çdo iluzion i këtij tipi do të ishte shumë i dëmshëm për çështjen tonë kombëtare.

U mundova të skicoj shkurt një kuadër të problemeve tona madhore si komb. Mendoj se për të duhet hapur një diskutim i gjërë, nga i cili duhet të dalë një strategji e menduar mirë e, si e tillë, edhe fituese. Kritikat, mallkimet e sharjet e atyre që nuk e duan bashkimin e shqiptarëve, nuk duhet të na e fashitin vullnetin. Edhe se është shumë e vështirë, edhe se i kemi paguar shtrenjtë në të shkuarën pasojat e mosmarrëveshjeve me njëri tjetrin, edhe se sot nuk jemi ende të shëruar nga ajo sëmundje e rëndë, duhet të bëjmë një mundim të madh për të gjetur gjuhën e përbashkët. Është një detyrë e jona kundrejt së shkuarës e brezave të saj, që i vunë themelet shtetit tonë, por është më tepër një detyrë kundrejt s’ardhmes e brezave që do të vijnë, sepse jeta e tyre do të jetë më e bukur në një atdhe të bashkuar e të mirëqeverisur.

Shtator 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: DJE DHE SOT, ËNDËRRA SHQIPTARE, Eugjen Merlika

EVROPA PARA PASQYRËS DHE POLITIKA EMOTIVE

September 11, 2015 by dgreca

“Jemi kaq shumë të mësuar të jemi hipokritë me të tjerët, sa që përfundojmë të jemi hipokritë edhe me veten.”- LA ROCHEFOUCAULD/

Shkruan:Eugjen MERLIKA/

Vera e vitit 2015 vuri para një prove të vështirë Evropën, kontinentin e djepeve të qytetërimit të lashtë e të ri. Ajo provë nuk qe një luftë e jashtëme që rrezikonte drejtpeshimet e saj, por një valë e madhe mërgimtarësh, të ardhur nga zona të “nxehta” të Afrikës apo Lindjes së Mesme, troje dhe ata të tjerë qytetërimesh të shkuar. Valët e gjata të të ikurve janë në kërkim të një jete të re e të qetë, larg krismave të armëve që, prej vitesh, janë simfonia e vetme që luhet në Vende si Iraku, Siria, Afganistani, Libia, Nigeria, Sudani, Eritrea, Jemeni, etj. duke arritur tone tmerri në t’ashtuquajturin shtet islamik të Mërgimet masive të ditëve të fundit janë një nga këto pasoja të drejtpërdrejta dhe janë “maja e ajsbergut” e një dukurie që, simbas Pentagonit, “do të zgjasë rrreth njëzet vite”. Globalizimi, në kompleksin e tij, veç ndryshimeve të dukëshme në sferën ekonomike të botës, sjell edhe pashmangshmërinëe e përfshirjes së pjesës më të rëndësishme të bashkësive politike ndërkombëtare në ngjarjet më tronditëse të panoramës së sotme botërore. Bota e sotme, me shumë qendra të ndryshme interesash e fuqish ekonomike, ushtarake e politike është shumë më e ndërlikuar se sa ajo e shekujve të fundit, që nga Westfalia 1648, Vjena 1815, Versaja 1919 – 21, Parisi 1946, Berlin 1989, që përcaktuan ecuri, të gjata në kohë, të barazpeshave botërore. Ky ndërlikim situatash që shpesh ka sjellë, sidomos në vitet e fundit, daljen dore të tyre nga mbarështimi tradicional, për më tepër shkallmimin e njësive shtetërore, dikur me peshë në Lindjen e Mesme apo Afrikën e Veriut, ka prodhuar dukuri të reja e të papërfytyrueshme deri tre vjet më parë.

Këta ndryshime të shpejta e jashtë skemave të njohura klasa politike, në nivel botëror, është treguar krejtësisht e paaftë t’i parandalojë e t’i mbarështojë, për të shmangur pasojat tragjike të miliona njerëzve, që bëjnë të skuqen nga turpi vetë specien njerëzore. “Pranverat arabe”, me befasitë dhe paparashikueshmëritë e tyre, kanë vënë në vështirësi të mëdha politikat evropiane dhe amerikane. Por nëse këto vështirësi kanë qenë objektive, përsa i përket ndërhyrjeve të mundëshme në kanalizimin e ngjarjeve, nuk mund të quhen të tilla në parashikimin dhe përballimin e pasojave të tyre, kryesisht të mërgimeve masive të kohëve të fundit. Këto valë mërgimtarësh kanë nxjerrë, në tërë lakuriqësinë e tyre, mungesat e theksuara të impiantit Evropë në kompleksin e tij. Ato kanë zbuluar mungesën e një plani të studjuar në imtësi, në nivel bashkësie, për përballimin e dukurisë e hartimin e një strategjie afat mesme e afatgjatë në lidhje me të. Skenat e ditëve të fundit të turmave të të ikurve me familje të tëra që largohen nga Siria, Iraku, Afganistani, Pakistani etj., duke kaluar detin me mjete të rastit, të drejtuar nga profesionistë të trafiqeve njerëzore, duke kaluar kufinj shtetesh, duke u përballur me forca policore e mure telash, në kërkim të “tokës së premtuar”, Gjermanisë apo Vendeve skandinave, kanë ngritur para secilit qytetar t’Evropës pyetje të natyrëshme. Duke i bashkuar atyre skenave simotrat e tyre në brigjet e Italisë apo Greqisë, të shoqëruar me tragjeditë masive të vdekjeve të rreth tremijë krijesave njerëzore në muajt e fundit, kuadri që kemi përpara na befason me diletantizmin e theksuar në përballimin e situatave dhe mungesën e ideve të bashkërenduara në nivel politik e administrativ të institucioneve të Bashkësisë evropiane.

Jo shumë larg në kohë, më 16 maj të këtij viti, kur t’ardhurit nëpërmjet detit në brigjet e Siqilisë ishin grumbulluar në Ventimiglia, në përpjekje për të shkuar në Francë, kërkesës italiane për të caktuar “kuota” shpërndarjeje të refugjatëve në të gjitha Vendet e Bashkësisë, Kryeministri francez, Manuel Walls, i përgjigjej se “Franca ishte kundër caktimit të kuotave të imigrantëve.” Ndërsa n’Evropë prej muajsh diskutohet, pa gjetur marrëveshje, për të shpërndarë disa dhjetra mijra t’ardhur në brigjet e Italisë apo Greqisë, sirianët dhe irakenët kanë vërshuar me qindra mijra, për t’i shpëtuar masakrave të IS-it në Liban, Jordani e Turqi, të pritur brënda mundësive nga ata shtete. Trafiku i qënieve njerëzore drejt Evropës është bërë një mjet fitimi i majmë i një ushtrie prej 30.000 vetësh, që gjejnë n’ato zona kushtet e përshtatëshme për të zhvilluar veprimtarinë e tyre. Ajo industri fitimprurëse, që nuk nguron të shkaktojë çdo ditë edhe krime të përbindëshme jo vetëm në Mesdhe, por dhe në zemër t’Evropës, siç ishte rasti i autotrenit me viktima në një autostradë të Austrisë, shtron para opinionit publik botëror, kryesisht evropian, një pyetje besoj më se të ligjëshme : a nuk ka mundësi të rregullohet me llogari, projekte e strategji të mirëmenduara një dukuri e tillë e pashmangëshme? A nuk mund të bëhet kjo me marrëveshje shtetesh e organizmash ndërkombëtare, pa vënë në rrezik çdo ditë jetë njerëzish e pa i lënë ata në duart e trafikantëve të paskrupull, që u rrëmbejnë edhe qindarkën e fundit të mundit të një jete të tërë ?

Ditët e fundit opinioni publik botëror u trondit nga një fotografi e marrë nga një gazetare turke në plazhin e Bodrumit, ku tregohej një fëmijë tre vjeç, i nxjerrë nga dallgët në bregun e detit duke fjetur gjumin e përjetshëm. Aylan Kurdi, ky ishte emri i fëmijës martir të detit, kishte ikur me vëllanë 5 vjeç dhe prindërit nga Kobane, qyteti simbol i qëndresës ndaj barbarisë së shtetit islamik. Ajo familje kishte muaj që priste vizën e hyrjes në Kanada, ku punonte prej njëzet vjetësh halla e tij, por burokracia turke dhe kanadeze, ashtu sikurse dhe ajo e vendeve evropiane, nuk ndihmonin bashkimin e familjeve të gjymtuara nga lufta me njerëzit që punonin rregullisht n’ata Vende. Mungesa e durimit të babait përcaktoi dhe fatin e vogëlushit, që u kthye në një simbol, edhe n’emër të një numuri të pafund sivëllezërish e simotrash të tij, të martirizuar në ujrat e Mesdheut, në kërkim të një tjetër jete n’Evropën e ëndërruar.

“Një foto shëtit nëpër botë dhe shkakton një emocion të përgjithshëm : një fëmijë pa jetë në një plazh të Turqisë, i mbytur sepse familja e tij donte t’arrinte n’Evropë. Ajo fotografi na ve para përgjegjësisë të gjithëve.” Kështu u shpreh Francois Hollande, Kryetari i shtetit francez. David Cameron, Kryeministër i Anglisë, mbasi kishte shpallur me forcë, nëpërmjet ministres Tereza May, se n’Angli duhej të hynin vetëm të huajtë që kanë kontrata pune, duke përfshirë këtu edhe evropianët, e mbasi kishte përdorur edhe qentë në Calais, për të ndaluar kalimin e refugjatëve, u shpreh se “është i tronditur si baba” dhe premtoi të “përballohet me përgjegjësitë morale”, duke pranuar mijra refugjatë më shumë,

rreth 16.000, të marrë në kampet e refugjatëve t’atij rajoni, kur gjatë një viti numuri i atyre që kishin hyrë n’Angli kishte qenë vetëm 216.

Ndërkaq Gjermania, me një vendim të papritur për të pritur rreth 800.000 refugjatë sirianë, shpëtoi nderin e kontinentit, duke u treguar jo vetëm kryeqendra ekonomike e tij, por edhe ajo morale. “Nuk do të ketë kufizime për azilkërkuesit nga Siria” deklaroi Kancelarja gjermane Angela Merkel. Ndërkaq Vëndet e Lindjes ish komuniste, në tërësi u shprehën kundër pranimit të refugjatëve, sepse simbas Kryeministrit hungarez, Viktor Orban, “Mwrgata myslimane ve në rrezik rrënjët e krishtera t’Evropës”. Ndërsa Papa Françesku urdhëron të gjitha famullitë evropiane të strehojnë nga një familje refugjatësh.

Siç shihet, kemi të bëjmë me kundërveprime emotive të çastit e jo me strategji e politika të menduara mirë e të miratuara, në nivel Bashkësie. Të shohim se cilët do të jenë vendimet e mbledhjes së kryetarëve të shteteve e qeverive të Bashkësisë më 14 shtator, por një gjë është e qartë. Problemi është shumë i mprehtë, më i vështiri që shtrohet sot në tryezat e Brukselit, sepse luftërat, diktaturat, keq qeverisjet dhe mjerimi e mungesa e shpresës do të shtyjnë drejt Evropës gjithënjë e më shumë njerëz nga Azia dhe Afrika.

Dukuria duhet mbarështuar me shumë përgjegjësi, për të pajtuar parimet me mundësitë reale të Evropës për t’u dhënë shpresë atyre që besojnë në të. Kriteret e caktuara duhet të jenë të studjuara mirë, të bazuara në llogari shkencore ekonomike e jo në sajime politikanësh në kërkim të votave, në një krah apo në një tjetër. Ata kritere duhet të kthehen në ligje të pranuara nga të gjithë shtetet, në përputhje me mundësitë që ka secili, e të zbatohen me të njëjtën ecuri kudo. Përndryshe Evropa do të ketë krisjet e saj, të cilat urojmë të mos kthehen në çarje që do të vinin në rrezik vetë qënien e saj.

Ka edhe një vështrim tjetër të problemit që, me pak fjalë, një djalë 13-vjeçar sirian, duke biseduar me një ushtar hungarez të kufirit, e shtroi thjesht e bindshëm. “Ndihmoni Sirinë, ndaloni luftën në Siri dhe ne nuk vijmë n’Evropë.”ishte kërkesa sa e arsyeshme aq edhe naive, sa e ligjëshme aq edhe e vështirë për t’u sendërtuar. Problemet e kundërshtive të interesave të ndryshme të shteteve e popujve, t’atyre politike, ekonomike, gjeostrategjike, etnike, tani së fundi edhe fetare që përdoren vënd e pa vënd, me pasoja shkatërruese, nuk gjejnë përgjigjet e duhura e të përshtatëshme, bëhen të pazgjidhëshme, duke u kthyer në luftëra me tragjedi të panumurta që sjellin, për më tepër mbi popullsitë civile. Politika botërore, shpesh herë, është në rolin e vëzhguesit pasiv, duke ruajtur interesat e ngushta të Vendit, të pjesës politike, të rrethit të ngushtë të cilit i përket, të lakmisë për pushtet. Ajo luhatet mes prirjeve ndërhyrëse e mos ndërhyrëse, pa gjetur çastin e përshtatëshëm për të kryer njërën apo tjetrën, madje shpesh duke i gabuar të dyja. Për të kryer zgjedhjen e duhur në kohën e duhur duhet jo vetëm kundërveprimi emotiv i çastit, por largpamësia e parashikimit të s’ardhmes, një dhuntí e rrallë e cila është ende më e rrallë, ndoshta e paqenë në fushën e sotme botërore të politikës. Kjo pavendosmëri, pasqyrë e mungesës së ideve e të kurajës, i krijojnë shtratin e ngrohtë atyre fuqive shkatërrimtare të qytetërimit tonë të përbashkët me përfundimet që shohim çdo ditë, në të cilët spikasin për forcën e tyre rrënqethëse Aylanët e ditëve tona…

Ndalimi i luftërave në Siri, në Irak, ku sot arqipeshkvi i Erbilit jep alarmin për rrezikun që i kërcënohet popullsisë së krishterë nga një pushtim i mundshëm nga ana e Kalifatit, por edhe në Libi, në Bririn e Afrikës, në Jemen, asgjësimi i t’ashtuquajturit shtet islamik, me të gjithë mizorinë e tij të pashembullt kundrejt njerëzve e trashëgimisë kulturore të botës, është detyrë ë parë e “aleancave” që drejtues të lartë të botës i valëvisin si triofe të “aftësive” të tyre ndërmjetësuese, duke sendërtuar pak ose aspak konkretisht.

Djaloshi sirian dhe milionë të tjerë si ai kanë varur një shpresë tek Evropa, tek parimet dhe idealet tona, për të jetuar në një botë më të mirë. Me hipokrizi dhe luhatje në ruajtjen e vlerave kjo shpresë nuk do të sendërtohet dhe n’atë rast do të kemi humbur të gjithë, sepse fatet tona në këtë botë, që bëhet gjithënjë e më e vogël, mbeten të lidhura e

Shtator 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE POLITIKA EMOTIVE, Eugjen Merlika, EVROPA PARA PASQYRËS

19 – VJEÇARI I PËRJETSHËM NË DITËN E LINDJES

August 31, 2015 by dgreca

Në kujtim të Atjon V. Zhitit/
“ Pa një ide eprore nuk mund të jetojë një njeri, as edhe një komb. Ka vetëm një ide eprore mbi tokë : ideja e pavdekësisë së shpirtit njerëzor, sepse të gjitha të tjerat me të cilat mund të jetojë njeriu, burojnë vetëm nga kjo ide”- Fjodor Dostojevskij/
SHKRUAN: EUGJEN MERLIKA/
Po sjell nëpërmënd këtë shprehje të gjeniut të letërsisë ruse e botërore sot, në ditën kur dua të kujtoj lindjen, njëzet vjet më parë, më 30 gusht 1995, të një fëmije, për të cilën u gëzova shumë atëherë, sepse ishte biri i një shoku të vuajtjeve, e të cilin e kujtoj me shumë dhimbje sot, kur Ai nuk arriti t’a festojë ditëlindjen më të bukur të jetës njerëzore në familjen e Tij. Të shkruash për jetën e një njeriu që ndalet papritmas mes 19 e 20 vjetëve, të cilit i ke uruar ardhjen në këtë botë para njëzet vitesh, qënka jo më pak e dhimbëshme se sa të pranosh, në caqet tona njerëzore, të pakuptueshmen e misterin e kësaj gjëme….
Koncepti i shtjelluar nga Dostojevskij, që ishte edhe një nga autorët më të pëlqyer të Djaloshit, i shpallur thjesht e fuqishëm nga themeluesit e doktrinave fetare, i shprehur në format më të ndryshme nga shumë mëndje të ndritura të njerëzimit në shekuj, i pranuar apo i mohuar nga rryma të ndryshme të mendimit e përfaqësues të tyre, mendoj se mbetet një e vërtetë që duhet të ndriçojë botën tonë të brëndëshme edhe në çastet më të errëta të saj, kur provohen dhimbjet më cfilitëse, edhe para ngjarjesh të pakuptueshme e të papranueshme për logjikën tonë njerëzore.
Një e tillë ishte, para disa muajsh, humbja tepër e parakohëshme e Atjon Zhitit, një biri të rrallë e të paharruar, jo vetëm të prindërvet të nderuar e rrethit të Tij familjar, por edhe të mjedisit shkollor e shoqëror në të cilin u lind e u rrit, madje të gjithë Shqipërisë, me të cilën e kishte lidhur shpirtërisht jetën e Tij rinore e për të cilën, me formimin njerëzor e intelektual, me karakterin e personalitetin e spikatur jashtë të përgjithëshmes, përbënte një shpresë për t’ardhmen, një pikë riferimi tejet pozitive.
Përvjetori i njëzetë i lindjes së “19 – vjeçarit të përjetshëm” i sjell lexuesit shqiptar dhe dashamirësvet të Tij në atdhe një dhuratë të çmuar, librin “Për atë që dua(m)…..”, i Autorit më të ri të publiçistikës shqiptare, të botuar nga UET Press, që nderohet me emrin e Atjon Zhitit në botimet e saj. Uroj që ky libër të ketë vëndin e tij në çdo bibliotekë të cilitdo që flet shqip e të jetë si një busull drejtuese për të gjithë të rinjtë shqipfolës. Ai libër, me të gjithë shkrimet e Tij, shumica e të cilëve të botuara në këtë vit e një pjesë, me gjallje të Autorit, na jep portretin e plotë të personalitetit të jashtzakonshëm të djaloshit.
Mosha e re , në të cilën u nda nga jeta tokësore studenti i “Sacro Cuore-s”, e bën të pabesueshëm përceptimin e saktë të individualitetit të vërtetë, në të gjithë shtrirjen e tij e në lartësitë e arrira. Atjoni ishte “bir arti”. Trashëgoi humorin e hollë dhe pavarësinë e mendimit të Gjyshit artist, së bashku me aftësinë për të vëzhguar botën, duke pësuar mbi shpinë padrejtësinë dhe dhunën, për t’a paraqitur atë, në vërtetësinë e saj rrënqethëse, pa nxitur urrejtjen, cilësi këto të babait, Visarit, njërit ndër më të shquarit e letrave të këtij Vendi. Këtyre dhuntive u shtoi kulturën klasike, të marrë në liceun “Giulio Cesare” të Romës dhe një aftësi të rrallë për të depërtuar në thelbin e sendevet e të dukurive, së bashku me guximin e moshës për të shprehur thjesht e qartë mendimin e Tij, edhe kur ai ishte kundër rrymës, edhe kur mund të shkaktonte kundërshtí, edhe kur nuk ishte “politically correct”.
Djaloshi Zhiti ishte një personazh poliedrik me prirje të shumta dhe interesa të gjithanëshme intelektuale. Prirjet u shfaqën shpejt, që në moshën e fëmijërisë kur, tre vjet e gjysmë, pikturoi një skicë për Nënë Terezën që u fut në një vëllim kushtuar Asaj, e të cilën e riprodhoi “L’Osservatore Romano”, gazeta më e rëndësishme e hierarkisë së krishterë. I dhënë mbas pikturës që në moshë të njomë, ka lënë disa vizatime në stilin e impresionizmit bashkëkohor, të cilët zbukurojnë muret e dhomës së Tij, ku ndoshta shpirti kthehet shpesh për t’u shmallur me atë mjedis familjar, nga i cili u nda aksidentalisht papritmas në një agim dite fundi dhjetori…
Me rrjedhjen e viteve interesat intelektuale u shtuan duke krijuar përfytyresën e personalitetit që njohim. Në të bashkëjetojnë delli artistik me prirjen vëzhguese e përsiatëse që e shtyn drejt studimit të filozofisë, shkencës së mendimit njerëzor, që i paraprin fushave të tjera të dijes, kryesisht të disiplinave humaniste. Që në vogëli mëndja e Tij priret të vëzhgojë e të bluajë, të arrijë në përfundime, të shprehë opinione, të japë përcaktime tepër larg nivelit të bashkëmoshatarëve. “Flake para se të të flakë” i thotë babait kur e sheh të tymosë një cingare. Ishte gjashtë vjeç.
Pesëmbëdhjetë vjeç në Durrës shkruan një ese me titullin “Në kërkim të përsosjes”. Duke u endur nëpër rrugët e qytetit bregdetar, përfytyron të shkuarën dhe qytetërimet që kanë kaluar mbi të, duke u ndalur me mendim mbi një mit të lashtë, të Agarthit, të mbretërisë së nëndheshme të njerëzve të përsosur. Për djaloshin miti ishte kërkimi i vazhdueshëm i njeriut mbi kuptimin e qënies. Kujton Sokratin, idhullin e Tij, por edhe Diogjenin, që kërkonte njeriun me qiri në dritë të diellit.
“Të mendosh do të thotë të endesh në hapësirën e pafundësisë” shkruante Lacordaire, një murg filozof francez. Pafundësia ishte bota e brëndëshme e Djaloshit që projektohej jashtë me leximet e etëshme e të larmishme, me udhëtimet e njohjet e njerëzvet, që i lehtësoheshin nga mjediset e punës e të veprimtarisë së babait, tashmë të shquar në kulturën shqiptare. Një forcë e çuditëshme e brëndëshme, apo një frymëzim i jashtëm jashtë kohës e hapësirës sonë, e nxisnin të “digjte etapat”. Formimi intelektual i djaloshit ishte i shpejtë, i qëndrueshëm, i thellë. “Sa më tepër të zgjerohet njohja e jonë e librave të mirë, aq më shumë ngushtohet rrethi i njerëzvet, shoqëria e të cilëve është e pëlqyer.” vërente filozofi gjerman Ludwig Feuerbach. Për Djaloshin student të filozofisë kjo thënie u zbatua plotësisht. Rastet dhe rrethanat bënë që të njihej me poetë, shkrimtarë, sociologë e filozofë, të cilët gjetën tek Atjoni i ri një shok të tyre, me të cilin mund të bisedonin lirisht për çfarëdo argumenti. Njohu e krijoi lidhje me shkrimtarë e artistë shqiptarë, miq të babait, me piktorin e shquar Ibrahim Kodra, me Shënjtoren shqiptare Nënë Terezën, u miqësua në Itali me poetin Sebastiano Grasso e, nëpërmjet tij, me Jevtushenkon, Adonisin, Paolo Coelhon etj. Më parë kish njohur poetin e moshuar Mario Luzzin, ishte takuar me Nobelistët Dereck Walcott dhe Tomas Tranströmer. Marredhëniet e Tij me përfaqësues të shquar të kulturës botërore bashkëkohore, miqësia e konsiderata e ndonjerit prej tyre për Djaloshin shqiptar, ende të parritur mirë, tregojnë katërcipërisht se cili ishte brumi, me të cilin ishte gatuar Studenti i Universitetit Katolik të Milanos.
Ai brumë, i mbruajtur me miellin e fisnikërisë së trashëguar të familjeve të dy prindërvet, do të punohej e do të merrte formë në atdhe apo në Itali, ku punonin ata, fatmirësisht, jashtë atmosferës mbytëse të diktaturës, në mjedise e rrethana që lejonin zhvillimin e lirë të mendimit. Nga ky kompleks u ngjiz e u formua personaliteti i Djaloshit që qe përfaqësues shqiptar në forumet rinore të Europarlamentit në Riga, Barcelonë etj. Ai përfaqësoi denjësisht e cilësisht Atdheun në botën e sotme, në sajë të formimit kulturor të jashtzakonshëm e të krenarisë që ushqente për trashëgiminë më të mirë të traditës së tij.
Atdheu për Të nuk ishte vetëm toka ku u lind, ishte historia, më shumë dhimbje se gaz, ishte trashëgimia kulturore, jetësore, doket, zakonet, morali. Përfytyresa e Tij për Atdheun i ngjan asaj të një njeriu të moshuar, që ka kaluar përvoja të ndryshme, por që gjen drejtpeshimin e duhur ndërmjet vlerave të së shkuarës së largët për t’u ringjallur dhe “paragjykime, tabu e budallalliqe të tilla”, “në disa relike të paafta dhe hipokrite të diktaturës komuniste”, për t’u hedhur në koshin e historisë si mbeturina të dëmshme që pengojnë përparimin e fitimin e kohës së humbur.
Tepër kritik ndaj politikës shqiptare nga pozitat e qytetarit mëndjendritur, idealist, vizionar e largpamës, nuk nguron të bëjë pyetje e të ngrejë çështje, i aftë të gjejë zgjidhjet e të japë recetat. Larg idesë së politikës aktive, edhe se jo i pandjeshëm ndaj ndonjë nxitjeje të veçantë që i bëhej drejt për së drejti, por tepër i gjallë në shpalosjen e parimevet të drejta, të domosdoshme për të shkuar përpara si shoqëri e si komb, themeloi gazetën elektronike “Mesi radikal”, “një idealizëm pa iluzione”, siç e përcaktonte Ai. Ajo qe krijesa e Tij, ndoshta më e dashura, sigurisht më frytdhënësja në rrjedhë të kohës, që do të kishte patur një rol, besoj shumë të dobishëm, në jetën intelektuale shqiptare, sidomos të rinisë e të rrjeteve sociale por, për fat të keq nuk pati vazhdim…
Është tepër prekës njoftimi që jep në të për organizimin e forumit të ardhshëm rinor të Europarlamentit në Korçë. Entuziazmin e Tij, të bashkuar me vullnetin e fortë që karakterizonte çdo hap të jetës, e gjejmë në një njoftim të thjeshtë : “Kam filluar punë dhe shpresoj që Europa të gjejë Europë tek ne.” Është synimi i shkëlqyer i të riut idealist, por edhe objektiv e realist, për të sendërtuar me brezin e Tij t’ardhmen evropiane të Shqipërisë. Kujtimi i Tij i ndritur na bën të gjithë të detyruar t’a rrokim atë mesazh e secili të bëjë punën e tij. Ai kujtim duhet të jetë veçanërisht një shtysë e fuqishme për brezin e Tij, i cili, në fjalët e shkrimet e Tij, gjen jo vetëm modelin për t’u imituar, por edhe projektin e nisur për të sendërtuar Shqipërinë, vërtetë demokratike dhe evropiane.
“Unë besoj në rrugën e nisur, unë besoj në idealet e demokracisë, unë besoj në ndryshimet e bëra…” Ishte kjo besojma e shpallur e Atij Djaloshi të shkëlqyer që, nga bota e dritës e së vërtetës, vazhdon të hedhë vështrimin e Tij mbi “ata shumë të rinj, më të aftë, më me shumë ëndërra, dije…”, të cilët do të kishin qenë bashkudhëtarët dhe shokët e Tij të luftës për të ndryshuar për mirë Atdheun e tyre. Çuarja përpara e projekt-idesë së Atjonit mendoj se është për ta detyra urdhëruese e brezit, i cili mbetet e vetmja shpresë në shkretëtirën e idealeve të vyshkura të politikës shqiptare.
Duke shkruar me dhimbje të thellë këta rrjeshta për një Djalosh që e mbylli shumë shpejt rrethin e jetës së Tij tokësore, e cila qe aq intensive e prodhimtare, pa krahasim me shumë të tjera që mbartin dhjetëvjeçarë të shumtë në vetvete, por asgjë për t’u kujtuar veç dashurisë e mirënjohjes së familjarëvet.
Nëse vullneti hyjnor, që përcakton lindjen dhe vdekjen e njeriut, herë herë është i pashpjegueshëm për vendimet e Tij të pakapëshme nga mëndja e jonë, drejtësia zyrtare, që e ka për detyrë të hetojë e të nxjerrë përfundime në raste të tilla, më duket shumë e vonuar në punën e saj. Shpresoj që kjo vonesë mos të jetë e tillë që të ngjallë dyshimin e mungesës së dëshirës për të nxjerrë përgjegjësitë e, madje, edhe fajin eventual të ndonjerit. Familja, së pari e shoqëria kanë të drejtë të njohin të vërtetën e zotërinjtë prokurorë e hetues duhet të kishin plotësuar me kohë atë kërkesë të ligjëshme.
Frederiku i Madh i Prusisë, në fund të shekullit 18 shprehej kështu : “Ne nuk e masim jetën e njerëzvet me kohëzgjatjen e saj, por me përdorimin që i kanë bërë kohës në të cilën kanë jetuar.” Atjon Zhiti meriton, në këtë vështrim vlerësimin më të lartë, për mënyrën se si e ka mbushur, në të gjitha drejtimet, jetën e Tij, të familjes, të shoqërisë e të Atdheut. Meteori i Tij qe tepër i shkurtër, por drita e tij do të mbetet gjatë në qiellin e hirtë të jetës shqiptare. Si e tillë, nëpërmjet atij libri, do të mbetet e gjallë në kujtesën e kombit.
Çifti i shquar Kadare thotë se “Ai ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë”. Duke e përqafuar me bindje të plotë këtë pohim të vlertë, i mbyll këto konsiderata të thjeshta e të dhimbëshme me një thënie të një tjetër Perandori, kësaj here të Romës, filozofit Mark Aureli : “Sheh mbrapa teje një përjetësi pa fund dhe një tjetër përjetësi para teje. I vënë kështu në mes, çfarë ndryshimi sheh ti mes një jete tri ditëshe dhe një tjetër tre shekujshe ?”
Gusht 2015 Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Atjon V. Zhiti, Eugjen Merlika, ne kujtim

SHFLETOJME LIBRIN E EUGJEN MERLIKES

August 24, 2015 by dgreca

Fragmente*/
Një jetë nën diktaturë/
Një ditë nëntori të vitit 1949, na hipën në një kamion e na nisën për një rrugë të gjatë, të gjatë, që kalonte fusha, lumenj e male dhe përfundonte në Tepelenë. Tepelena…e famshme ne historinë shqiptare si vendi nga nisi veprimtaria e njërit nga personalitetet më komplekse e më të diskutueshme të kombit shqiptar, Ali Pashës, Vezirit të Janinës, do të bëhej në gjysmën e dytë të shekullit XX, simboli më i gjallë dhe më rrëqethës i tmerrit që vetëm stalinizmi shqiptar mund të shpikte.
Tepelena, zyrtarisht kampi i Dëbimit, në fakt ai i shfarosjes së njerëzve, padyshim barabitej me Mathauzenin, Aushvicin, Bukhenvaldin. Është e vërtetë që nuk pati krematoriumet e tyre, por puna e detyruar, mungesa e ushqimit, mizoria e aparatit policor e bënin vdekjen çdo ditë e më të dëshiruar se jetën. Vdekja qëndronte pezull mbi kampin tonë, e kishte pothuaj çdo ditë prenë e vet mes një turme të larmishme shqiptarësh, nga të gjitha moshat e nga të gjitha krahinat, të futur në pesë kazerma të mëdha ushtarake, me qindra vetë në secilën.
Tepelena dhe kampet e tjera të punës ishin varrezat e hapura mbi trupin e Shqipërisë, dëshmitë më të fuqishme, më tronditëse e më të pakrahasueshme të diktaturës së komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut etj. Tepelena është një njollë turpi e pashlyeshme në ndërgjegjen e kombit.
Është detyrë e demokracisë shqiptare t’i kujtojë me një përmendore madhështore viktimat e pafajshme të asaj tragjedie të madhe. Është një detyrë e letërssië së lirë shqiptare t’i jape botës një “Arqipelag Gullag” të markës shqiptare.
Tepelena ka aq shumë lëndë nga kujtimet e njerëzve, sa një pendë e fuqishme do të krijonte një vepër madhore me përmasa botërore Tragjeditë shpirtërore e jetësore që janë zhvilluar në atë kamp, nuk kanë të numuruar.(f. 9/)
f.11
Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndienin këta ish-partizanë në marrëdhëniet me të internuarit e çfarëdo moshe, njerëz të pafajshëm, krimi i vetëm i të cilëve ishte se u përkisnin familjeve të të arratisurve ose të kundërshtarëve të diktaturës së kuqe. Emrat e toger Hakiut, aspirant Syrjait, kapitenëve Selfo e Tomi, policit Ismail e sa e sa të tjerëve janë shëmbëlltyra të së keqes njerëzore në mëndjet e ish-banorëve të kampit dhe kujtohen ende pas dyzetë vitesh, kur jeta ka fshirë nga kujtesa emra kryetarësh shtetesh e qeverish.

f.24
Ta ndjesh veten të huaj në vendin tënd, pa i bërë të keqe askujt, është një gjendje që nuk ja uroj askujt në botë. E tillë ishte gjendja jonë, që zvarritej kështu me dhjetëra vjet, me batica e zbatica, sipas tekave të “Zeusit”. Dallimi, urrejtja, pabesia mbilleshin e kultivoheshin në të gjitha drejtimet, kudo, në rrethin shoqëror, por edhe në farefisni, brenda familjes, deri në ndërhyrjet në marrëdhëniet dashurore. Ne nuk kishim të drejtë të dashuronim vajza me tjetër origjinë shoqërore, dhe as të mendonim të lidhnim jetën me to.

f.46
Familja Tase, mbas një demaskimi (publik në vendin e internimit), vetëm sespe një pjesëtar i saj nuk i përplasi duart për Enver Hoxhën, u qëllua me gurë nga gjithë ata njeërz të pranishëm, fëmijë e të mëdhenj. Një skenë biblike që vazhdoi mjaft, një njollë turpi në ndërgjegjen e asaj popullsie që ishte e pranishme në ato skena, pa reaguar aspak, një shembull tronditës i skajshmërisë së institucioneve të diktaturës së kuqe në Shqipëri.

f.61
Sa familje të prishura, sa jetimë, sa gra me shami të zeza peshojnë mbi ndërgjegjen e shpirtit tënd të keq, o vendi im! Sa tragjedi njerëzore brenda kufijve të tu, kufij gjithnjë e më të ngushtë, pasojë marrëveshjesh të pandershme të të Mëdhenjeve në kurrizin tënd!

f.77
Ne nuk jetuam, ne mbijetuam si zvarranikët që tërhiqen në kërkim të një qosheje me diell. Ne humbëm vitet më të bukura të rinisë sonë, duke gërmuar me kazma malet e fushat, sepse malet do t’i bënim si fushat. Ne, skllevërit modernë të shekullit XX, në ndryshim nga ata të botës së lashtë, nuk kishim të drejtë as që t’i mbanim flokët sikur dëshironim. Pantallonat dhe fundet duhet të kishin përmasat e përcaktuara e të miratuara nga “Faraoni” dhe vartësit e tij.
Ne shkrimë gjithë talentin e aftësitë tona për t’i kënduar madhështisë së “Sulltanit”, me vargje, me këngë, me piktura, me gdhëndje, madje duke gdhëndur edhe malet, që emrat e dyshes (ENVER HOXHA) me nga pesë shkronja të shiheshin së larti nga qielli, mbasi “Dielli” ynë ishte më i shndrritshmi i gjithësisë.

f.95
Nga intervista e Nexhmije Hoxhës dhënë një gazetari italian
Gazetari Purgatori, me një notë të lehtë ironie, vë re se “ajo tregonte një ëndërr krejt të sajën, ku nuk ka kujtesë për 600 mijë bunkerët prej betoni, të mbjellë që nga Greqia e deri në Mal të Zi dhe për gjysmë milioni kundërshtarë politikë, që i lashti Enver zhdukte ose riedukonte”.

Mjafton që ajo të marrë mundimin të lexojë kujtimet e atyre që regjimi i saj u grabiti rininë e jetën, jo pse ishin kriminelë, por se ishin ajka e kombit. Burgu i “massima sicurezza” ( ku ishte Nexhmija) i Tepelenës është një vend verimi në krahasim me Burrelin, Vloçishtin, Maliqin, Orman-Pojanin, Gjirokastrën e kampe e burgje të tjera, ku dergjeshin, vegjetonin e ndërronin jetë, në kushte të papërfytyrueshme, ata që konsideroheshin “armiq të popullit”.

“Në kohët tona skafistë zero, jetohej në mënyrë spartane”- deklaron zonja Hoxha.

Z. Pëllumb Kulla i përgjigjet: Klika komuniste e Hoxhës dhe e atyre që ai la pas, ka qenë dhe mbetet organizata më e fuqishme e trafikut dhe e kontrabandës në të gjithë globin tokësor. Është e pamundur që një organizatë tjetër t’ia dalë të vihet në krye të një shteti, të ketë ushtrinë, flotat ajrore e detare, të tëra nën këmbët dhe shërbimin e saj…

Përballë opinionit të huaj, shtetet komuniste vetëparaqiteshin si shoqëri pa papunësi, pa taksa, pa kriminalitet, pa konflikte të brendëshme, me arsim dhe shërbim shëndetsor falas, me qira simbolike, me kampe verimi e shtëpi pushimi të paguara nga shteti etj. Për çudi, zonja Hoxha nuk i radhit të gjitha këto në dobi të sistemit, ose gazetari i ka shkurtuar..Pas ballinës mozaik që përbëhej nga të gjitha këto arritje, fshihej e vërteta rrëqethëse që rëndoi mbi shqiptarët për gati gjysmëshekulli. Papunësia zyrtarisht nuk ekzistonte, por 70 % e popullsisë vazhdonte të përjetonte epokën e bujkrobërisë, ku vendin e skllavopronarëve e kishin zënë kryetarët dhe sekretarët, ajo punonte “që teksa lind e perëndon”, për t’u shpërblyer, në rastin më të mirë, me një bukë gruri dykilëshe. Për sa i përket “klasës punëtore” apo “inteligjencës popullore” mjafton të kujtohet se, për të blerë një televizor të thjeshtë nuk mjaftonte rroga e 7-8 muajve ose edhe më shumë.
Konfliktet shoqërore dhe krimiunalitetin e administronte vetë Partia- shtet, nëpërmjet ideologjisë së vet enveriste dhe praktikës së saj staliniste. Lufta e klasave ishte motori kryesor që lëvizte makinën e përbindëshme të partisë-shtet, ishte kundërvënia e përjetshme ndëmjet dy pjesëve të të njëjtit trung, të banorëve të Shqipërisë. Diktatura e proletariatit ishte shprehja më e shëmtuar dhe më ogurzezë e krimit të institucionalizuar në pushtet, ishte mynxyra më e madhe që populli shqiptar kishte provuar në historinë e tij mijëvjeçare. Arrestimet, ekzekutimet, dënimet me punë të detyruar, internimet gjysmëshekullore janë shfaqjet më makabre të krimit komunist, por për to zonja Hoxha nuk shprehet.

f.150
Stalini
Në sa milionë viktima llogaritet kasaphana njerëzore në “atdheun e socializmit”? Sipas historianit Roi Medvedjev “asnjë tiran në histori nuk kishte masakruar një numër kaq të madh bashkëatdhetarësh”, “së paku 15 milionë”- thotë Andrej Zaharov. Kurse Sollzhenicini thotë 60 milionë!
…Diktatura e proletariatit- thoshte Lenini- është një pushtet pa kufizime, pa ligje, pa rregulla, që mbështetet drejtpërdrejt mbi detyrimin…

f.153
Supozohet se komploti kundër Stalinit u organizua, sepse ai kishte në plan një fushatë arrestimesh në radhët e udhëheqjes, sipas modelit të gjyqeve të Moskës, e së fundi, studiues amerikanë mbrojnë tezën e një projekti për një konflikt të armatosur me SHBA, që do të shpinte botën në një katastrofë bërthamore.

f.270
Lazër Shantoja

Shantoja hyri me tërsëllim në hullinë e gjerë të klerikëve intelektualë katolikë, të cilët, që nga Buzuku, Bogdani, Bardhi e deri te Fishta, Mjeda, Gjeçovi, Marlaskaj etj zotëruan me personalitetin dhe veprimtarinë e tyre fetare e kulturore, në harkun kohor të shekujve, në sferën e qendresës shqiptare ndaj rrezikut thërmues të pushtimit, duke përfaqësuar shtyllën kurrizore të kulturës e të idesë kombëtare….Kisha katolike shqiptare në mesjetën tonë që u zgjat deri në shekullin XX, mbajti mbi shpatulla elementët themelorë të ringjalljes së kombit shqiptar.

f.273
Shqipërisë –thosh Shantoja- i duhen mësues që të jenë të vetëdijshëm për misionin madhor që i pret, e që punën e tyre ta shohin në prizmin jo të fitimit të çastit, por të dobisë së të ardhmes.

f.277
Ai ishte i pozicionuar në krahun e opozitës antizogiste. Idhulli i tij ishte Luigj Gurakuqi që “me një duresë e një palodhësi shembullore shkrini jetën për idealin e një Shqipërie të lirë, të madhe, të lume”.

f.279
Pushtimin e vendit Shantoja nuk e quajti tragjedi, përkundrazi si një mjet për t’u bashkuar me Italinë, e, nëpërmjet saj me Evropën e qytëruar, ku ai ëndërronte ta shihte edhe vendin e tij me të gjitha atributet. Shkrimet e kësaj periudhe ndoshta kanë qenë aktakuza më e fortë që drejtësia komuniste i ka bërë martirit të parë të ligjeve të saj….
*Eugjen Merlika
Përsiatje
Njerëzore, letrare, shoqërore, historike
387 faqe
OMSCA-1
2011

Filed Under: LETERSI Tagged With: Eugjen Merlika, Nje jete en diktature

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT