• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË PROTOKOLL ME “PATERICA!”

May 27, 2016 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

“Nëse helbete në Maqedoni, shihni ndonjë njeri të buzëqeshur, apo të lumtur, qëndroni larg tij. Bën vaki që ky të jetë i rralluar nga truri…” tha Skënderi, vëllai i avokat Naserit, nga Shkupi. Edhe unë kohë pas kohe buzëqesh. A thua vallë edhe unë jam rralluar…, mbase bën vaki, jo inshallah, jo tani në vigjilje të muajit të bekuar të Rama-zanit!?

Sa herë që kam bërë përpjekje të ndërtoj shkrime a opinione (di-sa ndër ethe) për gazeta, aq herë jam paragjykuar nga ca njerëz të cilët nuk kanë fare haber nga kjo sferë dhe, lëre që nuk kanë idenë se ç’është shkrimi, por edhe hiç nuk bëjnë përpjekje të tjerrin lesh të eksportuar nga kontinenti i kangurëve!? Sa herë që janë lexuar a edhe rilexuar shkrimet e mia, aq herë (padrejtësisht) janë kontestuar. Sa herë që jam munduar të mos marr “tarafe” a anë, aq herë ma kanë goditur “tarafllëkun”. Sa herë që kam tentuar të “llafos” ndryshe, aq herë më kanë dështuar a më kanë shkuar huq mendimet dhe ca ide të tjera, sa herë që kam heshtur, aq herë më kanë akuzuar për oportunizëm, sa herë që nxirrja britma të zgjatura, aq herë më kanë “denoncuar për autizëm”, sa herë që jam munduar ta humanizoj qoftë edhe në një masë fare të vogël fjalën e lirë, aq herë më kanë thënë se je duke shpikur fjalë të paqena, sa herë që kam mëtuar ta emancipoj mendimin ndryshe, aq herë më kanë thënë kinse ushqej urrejtjen e tërbuar, inatin dhe neverinë ndër shqiptarë, sa herë që kam shkruar për të vërtetat shqiptare, aq herë më kanë konceptuar si narcisoid, megaloman, somnambul, makiavelist, gjumash, diletant dhe provincialist, sa herë që kam shkruar “mes reshtash”, aq herë më kanë thënë se jam i paqartë, sa herë që në shkrimet e mia kam devijuar nga standardi i gjuhës së sotme shqipe, aq herë më kanë thënë se turqizmat i “ke për xhan”…, sa herë që në shkrimet e mia predikoja për paqen shpirtërore, aq herë më kanë akuzuar për laicizëm…, sa herë kam shkruar për mbeturinat e moralit të së kaluarës si dhe për moralin fetar, aq herë jam kundërshtuar nga ana e pronarit të shtëpisë publike! Dhe, kur dikur (herën e parë dhe të fundit), u përpoqa të njihem me “abetaren e politikëbërjes shqiptare”, miqtë e mi të mençur dhe të mirë më thanë: “…, ik dhe sikterise politikën…, sepse ti nuk je për politikë dhe nëse do vendosësh të ngelësh aty, atëherë lëre që djalli do ta rrëmbejë arsyen, por ndoshta një ditë do të detyrohesh të “veshësh së prapthi brekë Stambolli pa llastik!” dhe, së fundi, hesapet do të dalin si puna e qelqpunuesit nga Gazi Baba e Shkupit, në punëtorinë e të cilit futet elefanti ashtu pa e ftuar!?”. Unë me atë inatin tim homerik, kundërshtova këshillat dhe sugjerimet e miqve. Toptan me axhamillëkun tim u shndërrova në dele të zezë dhe ashtu duke u ndarë nga vatha e dhenve, degdisa në gojë të “ujkut” të uritur!?… dhe “ujku m’i hëngri edhe ato pak mend që i kisha dhe ca gjëra të tjera”…, në fund, puna më vajti ters…, njësoj si hesapet e shefit për protokoll të një ministri si dhe truprojës së tij (se ishte truprojë ushtarake a edhe truprojë e kryetarit të shteteve të Obamës, një dreq e di), të cilët disa ditë më parë rastisa t’i takoj në një eveniment të organizuar “me a pa sebep”, diku në hapësirat e shkollës së dajallarëve të mi. Para se të vazhdoj ta ndërtoj këtë paragraf gazete, më duhet ta lakoj një fabul të cilën gjyshi im na e shpjegonte me ëndje…, njësoj si mësuesit e Dibrës dhe Elbasanit, ku thoshte se dikur “dovleti” e kapte lepurin me qerre…, e kapte ashtu toptan edhe për veshi, edhe për bishti, edhe për…, asnjëherë nuk e përfundonte fabulën në fjalë, sepse sipas tij kaptina e fundit e fabulës qenka shumë denigruese për moshën tonë prej kalamajsh.

Sot, mua më duhet të parashtroj një pyetje paksa lakonike, si vijon: Kush është ai bir nëne që mundohet ta kapë me qerre protokollin e ministrave dhe kryeparëve të partive politike shqiptare…, më intereson të di se cili është ai “ideator” provincialist që ndërton protokollin e ministrit, jam kureshtar të di se cili është ai njeri, që ndërton praptazi agjendën e vizitave të ministrit dhe deputetit, dua të di se kush është njeriu që prokuron a këshillon kryeparin e partisë politike, se si duhet ai të lëviz në hapësirat diplomatike, në hapësirat e mëhallës së tij, në hapësirat e kasabasë a fshatit të tij…, pse duhet ta mbrojnë politikanin e zgjedhur me votën deliberative të popullit, të fshatarit, bujkut, mësuesit, të motrës e të nënës shqiptare, të bariut, të akademikut e të tjerëve. Cili është ai kokëkrisur që e udhëzon politikanin, po edhe ministrin, se si nuk duhet ta përshëndesë ish-mësuesin e tij, se si “(nuk) duhet të futet në turmë”, se si “nuk” duhet të ulet pranë fshatarit për të qarë bashkë hallet, se si (nuk) duhet t’i përcjellë një përshëndetje premtuese studentit a nxënësit, pse këta “protokollistë” nuk e lejojnë politikanin të ulet në një sofër me hallexhinjtë, pse nuk i lejojnë që t’ia shtrijë dorën fshatarit dhe fukarait, pse këta “truproja”, orë e çast i rrinë mbi kokë politikanit a ministrit, edhe kur pinë ujë e kur hanë bukën e popullit, pse i rrinë mbi kokë edhe kur bëjnë a lexojnë duanë në varrimin e familjarit…, pse i rrinë mbi kokë edhe kur falet, pse i rrinë afër edhe kur vallëzojnë në dasma…, pse nuk i lënë rehat politikanët dhe ministrat tanë të lëvizin lirshëm dhe natyrshëm mes miletit, pse prej tyre “krijojnë karaktere krejt ndryshe”, pse na detyrojnë që pa nevojë t’i paragjykojmë e t’u ngjisim bishtin e dhelprës dhe çakallit, pse nuk i lënë rehat edhe kur shkojnë atje ku “mbreti shkon në këmbë”, pse gjithë kjo mendjemadhësi e truprojave analfabetë të ministrave dhe politikanëve tanë, pse gjithë ky cirk për fëmijë, pse gjithë ky cirk i panevojshëm shëtitës, pse krijojnë antipati, neveri e madje edhe primitivizëm, provincializëm, anadollizëm, bolshevizëm, enverizëm, stalinizëm e tjerë. Pse e frikësojnë politikanin a ministrin tonë të sinqertë, pse prej tyre “krijojnë haxhiqamilista”, pse e ushqejnë atë proverbin popullor ku, pos të tjerash, thuhet: “Në nuk je fajtor, unë të bëj me faj!?” Pse nuk krijojnë dhe nuk ofrojmë imazhe më humane dhe më emancipuese sa i përket politikanit dhe  ministrit tonë…, pse nuk u mundësojnë që ata të ndihen komod…, a mos vallë e gjithë kjo është një sajesë e radhës…, apo pjellë e mendjes sime të rralluar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fadil Lushi, ME “PATERICA!”, NJË PROTOKOLL

Greku pinte Metaksë, shqiptari-Skenderbeg, serbi- Shlivovicë, maqedonasi… Mastikë

May 10, 2016 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

POLITIKA, KJO LAVIRE HYJNORE!/Ky daja, një ditë sërish erdhi te zyra ime. Mu duk se rradakja a fiqiri i kishte dalë toptan nga terezia. Ishte bërë i tëri hundë e buzë. U ul në kolltuk, ashtu rehatshëm…, njësoj si ai mysafiri i paftuar që të vjen në “zijafet”. Ata që nuk e njohin nga afër, e konceptojnë si “derdimen”, por ama ai nuk është i tillë. Në fakt është një njeri që i ka të gjitha haberet sa u përket vakive këtejpari. E përshëndeta me gjysmë goje. Edhe ai ma ktheu njësoj dhe paksa si me inat. I parashtrova  pyetjet: Ç’kemi? Si i ke punët dajo…? Kurse ai ma ktheu me çallëm dhe ashtu korçarçe: “Punët i kam xham fare!?” Nuk i besova. Duke ia paragjykuar përgjigjen, thash se si mundet një njeri, me gjithë atë “surrat të shëmtuar dhe paksa të shtrembëruar”, me gjithë atë ulërimë të gjatë, të dhembshme, të thekshme e me kokën rrëmujë, t’i ketë punët “xham fare”. Sikur kishte ardhur të më “bëjë me faj”. Vazhdova me pyetje: Me ç’sebep u duke këtejpari. Sikur “hazërxhevapin” e kishte në xhep. “Erdha të të tregoj se sot herët në sabah, te apartamenti im plasi poterja!” E pyeta se kush e filloi këtë potere dhe kush ishte kryeshamataxhiu… “Kush tjetër, pos meje. E nisa me dajeshën tënde!”. Po ç’të bëri kjo dajeshë e ngratë që me ty heq të zinjtë e ullirit! “Eh, ajo t’u pi çaj rusi, filloi të më lakojë ca broçkulla. Duke mos i duruar këto andralla të saj, fillimisht theva derën e dhomës, mandej dëmtova ashensorin dhe, së fundi, ua prisha gjumin gjumashëve dhe ca zonjave të rënda që hiqen pak shtatzëna!”. E ndërpreva duke i thënë: O shkurtoje, o mbylle këtë muhabet. “Jo ore, qerrata, kush je ti të më bësh urdhrin…, mu tani do ta ndez muhabetin për do çështje politike!” Hë, ç’më zuri belaja me dajën dhe me politikën ditore, me atë politikë, që ka humbur rrugën, shijen, freskinë dhe cilësitë…, politikës që i ka dalë boja…, që ka humbur vlerën nga përdorimi i tepruar dhe është bërë e mërzitshme nga përsëritja e shpeshtë në kohë dhe në vend të gabuar!

Ky daja, më dha urdhër të prerë: ”…, kësaj radhe, këtë shkarravinë,  do e nisësh me kryeparin e shtetit në veçanti me vendimin e tij absurd dhe aspak juridik sa i takon abolimit të njerëzve në faj, mandej do të shkruash për ca politikanë të dovletit biblik që shtrihej diku në hapësirat e Gadishullit Ilirik (si thoshte poet Aliu nga Podrimja e Kosovës)…, do të shkruash për ca politikanë të cilët, sot e gjithë ditën e Allahut, më duken si ato çavot romë (çdo respekt për ta), që te semaforët përballë një ambasade atje diku në Topana të Shkupit, ushtrojnë zanatin e xhamlarësve të veturave…, do të shkruash për ata politikanë që nuk kanë apo nuk njohin kanun, për ata që nuk dinë se ç’është morali, për ata që nuk dinë për fukarenj dhe për fukarallëk…, do të shkruash për ca politikanë që dikur opingat e tyre i zëvendësuan me këpucë të kuqe dhe allafrënga…, do të shkarravisësh për politikanët e moderuar, të përdalë, politikanë të cilët duke ngatërruar rrugët krijuan ngatërresa mes miletit, shtetit dhe pushtetit…, për politikanët ziliqarë, për politikanët të cilëve u është shkurtuar e drejta e të menduarit ndryshe…, politikanë të cilët prodhojnë politika të mbrapshta që më pas i grumbullojnë  dhe i sistemojnë bythëpraptas…, politikanë që prodhojnë megalomani, provincializëm dhe biçimsëz politikë…, për politikanët të cilëve nuk u mungon buka e gojës, për njerëz me halle ulëritëse, për politikanët që kanë rënë në hall me fëmijët e tyre, të cilët natën e kalojnë në kafeteritë prestigjioze dhe të shtrenjta të kryeqytetit, për politikanët të cilët deri pak kohë më parë ishin hem lypsarë, hem qibarë, hem kopukë, hem komunistë, hem nazeqarë që dikur qanin orë e çast dhe pa ndonjë shkak, hem qerosë e fodullë, hem të papërmbajtur e çallëmxhinj, kryekërrusur e të neveritshëm…, do të shkruash për politikanët individualistë, për ata që sot e gjithë ditën janë kryeustallarë të kështjellës së kusarisë, korrupsionit, krimit të organizuar, për pushtetarët që nuk e kanë frikë shtetin, për miletin gjegjësisht për taksapaguesit që i frikësohen pushtetit, për miletin që vuan nën kërbaçin e pushtetarëve jomeritorë…, do të shkruash edhe për ata politikanë të cilët nuk vjedhin vetëm pasurinë e prindërve dhe kalamajve të tyre…, do të shkruash në veçanti për ata politikanë, të cilët sot me gojën plot gjetën a morën guximin t’u thonë diplomatëve evropianë: sikter dhe ikni nga vendi ynë, ndërkaq agababës Amerikë, i thanë pezdeveng!?”. Të gjitha referimet e dajës i kuptova, përpos informacionit në lidhje me këpucët e kuqe dhe me zonjat e rënda që hiqen pak shtatzëna!???

Ky dajkoja, aq shumë më lodhi saqë u detyrova t’i them, ashtu troç, a mos vallë ke ngatërruar zyrën time, me atë të ofiqarit të gjendjes civile a edhe me atë të kryeimformatorit të  ShIK-ut…, a mos vallë mua më ngatërrove me fallxhoren e Shutkës, a mos vallë ngatërrove zyrën time me supermarketin e bllokut tënd, pronari i të cilit shet kikirikë, a mos vallë zyrën time dhe të hiqimetit e ngatërrove me atë zyrën e komitetit dhe me postën e policisë, o ti dajko, a mos vallë zyrën time e ngatërrove me atë të qoftexhiut Yillmaz, aty në hyrje të Kapalli Çarshisë së Stanbollit…! Sikur dajkos, desha t’i them se hiç fare nuk më shkojnë shkrimet me porosi, qofshin ato dedikuar edhe politikanëve, dhe ca të tjerëve…, të cilët në emër të  makiave-lizmit provincial, preferojnë po edhe mëtojnë ta pushtojnë pushtetin, qoftë edhe për Neronin e Debar Maallo-s, që me budallallëkun e tij, parapëlqen ta djegë Shkupin…, dhe të tjerat kasaba dhe katunde përreth tij…

Që unë ta humanizoj dhe emancipoj sadopak këtë shkrim, do ta përmbyll me një barsoletë ku protagonistë do të jenë popujt, të cilëve u kishte ra hiseja të jetojnë në një vend të mallkuar nga padishahu. Do të shkruaj për historinë e Gadishullit Ballkanik, për popujt të cilët në mënyrën e tyre i dalin zot gadishullit, ata që kërkojnë të drejtën e pronësisë. Dikur moti në një mejhane orientale, ishin tubuar ca njerëz, i pari ishte grek, i dyti shqiptar, i treti hiqej serb, i katërti maqedonas, i pesti bullgar dhe i gjashti turk me kod osman. Secili fliste në gjuhën e vet dhe njëkohësisht pinte rakinë e vet të flamosur (jo të gjithë pinin rakinë me terbie). Greku pinte Metaksë, shqiptari-Skenderbeg, serbi- Shlivovicë, maqedonasi pinte Mastikë, bullgari-Mustak dhe turku pinte Yeni raki të përzier me ujë. Toptan ishin bërë tapë, jo nga rakitë, sa nga nacionalizmi dhe folk a kiç-patriotizmi i tyre. Greku tha se Gadishulli Ballkanik është antik, shqiptari tha se është Ilirik, serbi tha “To je nashe”, maqedonasi tha se është Biblik, bullgari tha se është i Car Borisit, turku lëre që tha se Gadishulli është Otoman, por tha se të gjithë ju që i dilni zot këtij vendi, të tërë jeni minoritarë!

Në momentin që isha duke e përcjellë dajën, më ra telefoni, andej matanë u dëgjua zëri i ashpër i dajeshës, e cila më tha se a e ke dajën atypari… Unë iu përgjigja me pyetjen se ç’të duhet. “Mua nuk më duhet, u duhet lugëve të sofrës… dhe kalamajve të padëgjueshëm e zevzekë, të cilët kanë marrë në dorë shkrepësin… dhe po kam frikë se mos ia vënë flakën shtëpisë, hajt të mos them shtetit!?”.  Atëherë daja iku me rrëmbim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, lavirja Hyjnore, Politika

CA DËSHPËRIME ME (PA)”SEBEPE”

May 4, 2016 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/Të nderuar miq të mi. Sa herë që më mungon ideja për të shkarravitur ndonjë opinion a vështrim gazete, po thuaj edhe përrallë për fëmijë, aq herë më ikën fiqiri te Sulo çavo, nga  mëhalla ime, i cili në çdo “karasabah”(herët në mëngjes ), mbledh a nxjerr skrapin nga koshat, aq herë më shkon mendja te duart  dhe te “biçaku” i tij i mprehtë të cilin e shfrytëzon si mbrojtje që çavot e tjerë të mos ia vjedhin skrapin nga oborri i tij…, aq herë më ikën fiqiri a mendja te vithet a tulet e prapme të Maros, e cila me bukurinë e saj i la beqarë sot e mot çunat e mëhallës së saj…, sa herë më “mungon një dërrasë”, arsyeja, durimi po edhe vullneti për të shkruar, aq herë më zapton ajo dembelia anadollake që ashtu pamëshirshëm të kap për fyti e nuk të lejon të shkruash për ndonjë mesele, qoftë ajo të jetë e vjetër, e koklavitur, e sajuar apo edhe për ndonjë lajm që e ka marrë “havaja”…, sa herë mundohem që ta “sikteris” dembelinë time prej anadollaku…, aq herë më kaplon paragjykimi. Sa herë që më mungon durimi “për të tjerrë lesh të bardhë a lesh prej arapi”, aq herë më ik rradakja te njerëzit që nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e botës…, sa herë që dëshpërohem, aq herë më ik mendja te njerëzit me “koqe” si të miut, te njerëzit të cilëve po nuk ua ktheve “selamin”,” e shndërrojnë surratin” e tyre në “çehre prej hajduti”…, sa herë që më ikën rradakja te nocioni i moralit tonë kolektiv, aq herë më mërgon mendja a fiqiri te hajduti me damkë, i cili dikur moti, zaptoi shtëpinë e jetimit…, një shtëpi në rrënim e sipër…, sa herë që kam “telashe” me vetveten, aq herë më vete mendja te Faiku nga Konica, i cili në një shkrim të tij, pos të tjerash, kishte thënë: “I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është çervish…”

Të nderuar lexues, nëse nuk ju “bezdisa” me këto përrallisje në paragrafin e parë të këtij shkrimi gazete, besoj se do të më lejohet të vazhdoj të them…, sa herë që nuk pajtohem me unin tim, aq herë më mbetet mendja te një vaki nga koha e mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogollit…, tek ai pasaniku të cilit ia kishin vjedhur në vijimësi shtëpinë hajdutët. I ndodhur në siklet, pasaniku kishte angazhuar “rojtarë me pagesë të majme” për t’u kujdesur për pasurinë e tij. Megjithëkëtë, hajdutët prapëseprapë ia kishin “bastisur” shtëpinë dhe çekmexhenë ku kishin gjetur lekët e vjedhur nga arka e shtetit. Pasaniku, i zhgënjyer nga “rojtarët”, kishte kërkuar ndihmë nga oborri mbretëror…, por as kjo nuk ia zgjidhi problemin. Një “kumarxhi” nga një mëhallë e hajdutëve e kishte dëgjuar këtë “haber”, i ishte drejtuar pasanikut me fjalët: “…, ti, miku im i nderuar që ke prapanicë të dhjamosur, për ta ruajtur shtëpinë tënde, duhet të angazhosh një hajdut…”. Vërtet ky sugjerim i kumarxhiut zuri vend!

Sa herë që nuk merrem vesh me moshën mentale timen, aq herë më ikën rradakja te Mitro Çeloja, i cili në një shkrim satirik të tij, dikur moti me plot gojën kishte “përfolur” gënjeshtrat e kumarxhinjve tirons…. Para ruletit qëndrojnë dy mesoburra. Mbajnë fishat e fundit në dorë. Dilemë. Ku t’i vendosin? I pari parashtron pyetjen: “Sa herë në javë bën seks me gruan”? “Katër herë”, “Unë një herë më pak”. Pasi i mblodhën numrat, vendosën 7-tën. “Zari qëndroi te zeroja”. “Do të kishim fituar, po të mos kishim gënjyer”! Vërtet kishin gënjyer njëri-tjetrin, po jo ama edhe ruletin dhe shqiptarët gjithandej ku jetojnë dhe veprojnë…, pavarësisht se rrenat e tyre ishin simpatike dhe gjithsesi të këndshme.

Sa herë që mundohem të ndërroj mendje dhe bajrak, aq herë më shkon fiqiri te njerëzit që pa të drejtë parapëlqejnë a mëtojnë të paragjykojnë çdo gjë me vlerë…, më shkon mendja te njerëzit të cilët hë për hë, me a pa sebep, bënë “hyxhym” për ta paragjykuar Fatimenë, atë gocën thatanike nga Negotina e Gostivarit, e cila me retorikën, sintaksën dhe morfologjinë e saj, lëre që i sfidoi hapur intelektualët dhe akademikët e mirëfilltë maqedonas, por edhe i habiti…, i la gojëmbyllur. Sa herë që më shkon mendja te “didaktika shqipe”, aq herë ngatërroj mendjet e intelektualëve me ato të folkpatriotëve respektivisht të ca provincialistëve shqiptarë të cilët ashtu jerm, mëtuan të paragjykojnë përgatitjen profesionale të ish-nxënësve dhe studentëve tanë të cilët kohë më parë u zgjodhën për ministra në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Të anashkalosh këta të rinj, do të thotë të paragjykosh arsimimin e tyre fillor, atë të mesëm dhe së fundi universitetin, tok me pedagogët e tyre. Hajde mendje, hajde!

Tek nuk di si ta “harxhoj” kohën e lirë, më shkon mendja te sejmenët dhe sekserët e politikës ditore, të cilët sot e gjithë ditën e Perëndisë, do të sillen vërdallë kazinove të Shkupit, të Prishtinës dhe të Tiranës për të gjetur ndonjë politikan diletant a “axhami” për të luajtur bixhoz me mallin e shqiptarëve.., politikanë të cilëve toptan u mungon komunikimi i mirëfilltë, të cilëve u mungon ajo filozofia e politikëbërjes së moderuar, të cilëve u mungon leksiku profesional, leksiku politik .., ca të tjerëve u mungon shtylla kurrizore  e të menduarit ndryshe, ca të tjerë të duken si ai plaku i katundit me dy lek tru… Dhëntë Zoti që ky komunikim zero (politik) ngatërrestar dhe i kërrusur shqiptar, të mplaket para kohe dhe përfundimisht sa më shpejtë të shporret prej aty ku mundohet të mbijetojë me paragjykime të vjetra, me hile dhe me naze!

Një ditë, një lajmëtar solli haberin e “ligë”. Haberi i tij kishte të bëjë me ikjen e politikës grabitqare nga dynjaja e saj dhe jona. Iku nga ne pa e shkëmbyer “buzëqeshjen e saj të fundit premtues, human dhe emancipues”, iku kokulur, iku me bishtin ndër shalë, pa përmbushur premtimet e bujshme. Ata që kishin qëndruar pranë saj, thanë se “çehrja” e saj fillimisht kishte marrë bojë jeshile dhe në fund atë të verdhën. “Kryepeshkopi” që i qëndronte mbi kokë, nuk donte ta vriste heshtjen prej varri, sepse po ta bënte atë, atëherë do të vriste shpresën e fundit të saj për të mbijetuar…, për t’i shpëtuar lemerisë trishtuese. Dhe politika, mbylli sytë dhe iku pa kthim. “Inshallah “ asnjëherë nuk kthehet më! Unë nuk do të iki, sepse kam ca punë që s’i lë dot pa i bërë me huamarrës të vjetër!

Filed Under: Opinion Tagged With: CA DËSHPËRIME, Fadil Lushi, ME (PA)”SEBEPE”

“BERBERI QË NUK ZBATOI URDHRIN E BABAXHANIT!?”

February 18, 2016 by dgreca

Shkruan: Fadil Lushi-Tetovë/

Këto llafe të kryetitullit të shkrimit, i takojnë një shokut tim, me të cilin dikur në vitet e shtatëdhjeta, kërkonim “katër kalemat” (!?). Një fundjavë ai më erdhi në zyrën për të marrë mendimin tim për një punë a çështje që kërkon zgjidhje të drejtë, mbase edhe të shpejtë. Që në fillim të bisedës më tha se punët i ka “tërkuzë dhe çorap” dhe se sa do zgjaste kjo “rrëmujë” edhe vetë nuk e dinte. “Çehren e kishte qymyr”, njësoj si “çehrja” e atij minatorit nga Bulqiza. Kinse ia kishin zhvatur votat e partisë së tij që e ka për xhan, kinse furtuna ia kishte fundosur gjemitë e ngarkuara me kripë, me lesh dhe me të tjera ngarkesa. Para se të ulej e pyeta se me “ç’sebep” u duk këtejpari. Ma ktheu: “Lëre sebepin, se unë kam dertet dhe hallet e mia. U duka këtu, që të më japësh ca mend e ca udhëzime…, më thuaj se ç’nasihate duhet t’i jap nipit tim, i cili nuk është në rrugën e hairit!?”. Kur e pyeta sa mote i kishte nipi, ai më tha: “Jo më shumë se njëzetë e dy vjet”. Ia ktheva: Nëse deri në moshën 18 vjeç nuk është pjekur…, nuk i ndihmojnë edhe njëqind të tjera, andaj do mbetet axhami në mendje a në fiqir. Ky miku im, sikur kishte ardhur të më sjellë tri habere; i pari haber ishte i lig, i dyti haber human dhe emancipues, kurse haberi i tretë paksa i kripur. Pra, ky shoku im sikur kishte ardhur të më shpjegonte ca “mesele a vaki taze” nga Shkupi.

Para se të dërdëlliste më tha: “Ore, ti qerrata, ore ti, shehërli, ti që më mban kokën e mendjen herë nga Tirana, herë nga Stambolli e herë nga Prishtina, të lus që fillimisht të më dëgjosh shqip…, a mos vallë tellalli ta solli atë haberin e lig se përtej Urës së Gurit të Shkupit kishte ndodhur hataja…, ç’hata se jo mahi…, halis hata…, hataja që u ngrit në hava!?”. Aq shumë e kishte ngatërruar mendjen, saqë të krijonte përshtypjen se ishte shndërruar në lëmsh kundërshtish. Pos të tjerash, më tha se shpejtonte, se duhej të shkonte në një synetllëk!? Kur e pyeta se kë do të synetojnë, ashtu si me inat ma ktheu përgjigjen: “Qytetarët e kumunitetit turk, që jetojnë në Gazi Babë, në Bit Pazar dhe në Çair, kanë vendosur që pa lek a badihava t’ia rrethpresin lafshën e organit mashkullor një vampiri, një njeriu që i takon racës së prishur, i cili disa ditë më parë në një medium pamor proqeveritar, turqit i kishte ofenduar dhe i kishte paragjykuar si jallanxhij anadollakë, ai vampiri që kur lexon lajmet, të duket sikur thith gjakun e shqiptarëve dhe kësaj radhe edhe gjakun e komunitetit turk…, ky lugat që kur i mungojnë haberet humane dhe emancipuese, bën lëvizje të pakontrolluara, vampiri, i cili herë pas herë, shovinizmin e tij shtetmadh dhe të tërbuar parapëlqen ta shprehë me mimikë, fërkon faqet, hundët dhe së fundi bën k..qen e qejfit me ata me të cilët ka lidhur inat, ky vampiri, që ka për qejf lajmin ta lexoj bythëprapthi, ashtu gërditshëm, ashtu ngatërrueshëm, sa që ta rrezikon shëndetin e mendjes, nga jashtëqitja e tij prej serbi!”.

Ky miku im e kishte fjalën për një kryeredaktor, për një “kalemxhi” a për një biçim gazetari që shkruan kuturimthi…, për “kalemxhiun” i cili që prej ditës që ka filluar t’i marrë inat shqiptarët, ka marrë atë hijen prej “surrat bostani”, ka shikim të ashpër, shikim të turbullt, hetues, shikim të akullt dhe të thartë. Meqenëse ky miku im, lëre që nuk e kishte ndërmend ta përfundonte “muhabetin” dhe lëre që nuk ma respektonte orarin tim zyrtar, së fundi filloi të ma shpërdorojë edhe durimin tim. Më detyroi t’i them, ore, ti e ke ndërmend të heqësh mënjanë këtë “muhabet dhe të shporresh!”. Para se unë t’i mbaroja “llafet” e mia, dikush e mori në “celular”…, duke i thënë se berberi tok me çirakun e tij kishte kundërshtuar t’ia heqë lafshën e organit të vampirit edhe përtej urdhrit të një “babaxhani” me kombësi turke!? I thashë: Hë, mor ti, miku im, a “të rehatoi ky haber” dhe nëse për njëmend të qetësoi, atëherë ç’të duhet të vrasësh mendjen karshi kundërshtimit të berberit, andaj “qepe” gojën, ul kokën dhe mos u “sikletos”, pasi që ty nuk të bëjnë synet. Para se të ikte nga zyra ime, m’i la “ndërhide” edhe ca habere të tjera të “sajuara” që i kishin mbetur nën dhëmballë. Duke e përcjellë, i thashë: “Unë nuk e kam ndërmend të të besoj, po sikur edhe prapanicën pa brekë ta vësh mbi prushin e mangallit!?”

Haberi i dytë human dhe emancipues, i mikut tim, ka të bëjë me somnambulizmin, thashethemet si dhe me xhelozinë profesionale të ca folk-patriotëve shqiptarë, të cilët ditë më parë kishin parapëlqyer ta vënë në përdorim a në vepër mendimin e gabuar dhe të pambështetur ndaj një nëne, ndaj një intelektualeje, që e flet gjuhën maqedonase më mirë se vetë maqedonasit, ndaj një femre të bukur, të mençur, thatanike dhe mbi të gjitha ndaj një zonje e cila me përkushtim bëri punën e saj. Ç’është e vërteta, edhe unë personalisht nuk e njihja Fatimenë nga fshati i Bogovinës (unë besoj se edhe të tjerëve u kishin munguar provat sa i përket personalitetit të zonjës në fjalë). Dhe sot, të humbasësh kohë ditë e natë nëpër çajtoret e fshatit dhe të thuash se nga na “doli kjo katundare anonime!?”, hiç fare s’është korrekte.

Haberi i tretë i kripur i mikut tim, ka të bëjë me prokuroren speciale, zonjën Katica Janeva. Edhe këtë zonjë që në fillim e paragjykuan duke ia shtrembëruar toptan përgatitjen profesionale. Disa qytetarë, nënës së “krye-speciales” i kishin çuar ca habere, se e bija e saj ishte një grua sojleshë…, se është një zonjë namusqare, sikur është një zonjë e bukur, karizmatike, e buzëqeshur, një zonjë që hë për hë, mund të “të fusë në haps” dhe mbi të gjitha është një zonjë “kallaballëk” (këtë shprehje e përdorin tetovarët turkfolës, për femrat që janë paksa të trasha)…, se kjo grua kinse do t’ua “ngulë” ca politikanëve të korruptuar, se ata do t’i “degdisë” në Shutkë, gjegjësisht në mëhallën e Amdiut, nipit të “çavo” Bajramit. Edhe miku im, që ka “një çerek mend dhe një ortek fjalësh a shprehjesh fyese”…, sikur kishte ardhur tek unë për të më thënë se me “delikatesë ia kishte marrë masën zonjës” Kate…, sikur kishte merak që Katja, “t’i hedhë një shikim me sherr”…, sikur deshi të thotë: “Eh, sa qejf kam që kjo Katja “të ma ngulë një vjet burg (!?)”, sikur i pëlqente ta parafrazojë atë thënien erotike të peshkatarëve të vjetër vlonjatë, ku, pos të tjerash, thuhet: “Eh, more qerrata, në do të përfundosh si burrë…, hip në vapor, haje çorbën, shaja mamanë dynjasë, mbyll sytë dhe sikterisi të gjithë ata që nuk i takojnë takëmit tënd kombëtar dhe fetar” (!?). Ky miku im, në fund të bisedës më tha: “Sikur këto thashetheme t’i shkarravisësh për gazeta…, mos i redakto…, sepse të dalin popullorçe”(!?) Ec e merre vesh!

Filed Under: Opinion Tagged With: “BERBERI, E BABAXHANIT!?”, Fadil Lushi, QË NUK ZBATOI URDHRIN

CA VLERA TONAT “MEDIOKRE”

February 12, 2016 by dgreca

Nga Fadil Lushi/
Të nderuar lexues, besoj se edhe kësaj radhe do të bëj përpjekje që kuptimin e përmbajtjes së këtij vështrimi të gazetës të mos e shtrembëroj, pavarësisht se do të ndërtohet me një fjalor paksa denigrues dhe me një nëndialekt krahinor.
Para shumë vaktesh një shqiptar mendjendritur, dhomën e miqve a të burrave e kishte “trajtuar gjegjësisisht e kishte karakterizuar si një shkollë të parë të brezave të rinj për të hyrë në jetë, si parlament të tyre të parë…, si një mejtep, si një xhami, si një manastir, si një teqe, si një kishë a edhe si një kuvend ku rrëfehej e kaluara jonë heroike përmes episodesh të ndryshme trimërie nga gjyshërit, xhaxhallarët tanë, nga mysafirët e ndryshëm, që gjithmonë ishin të mirëseardhur në odat tona…, aty ku hidhej fara e dashurisë për vendin, për njerëzit…, aty ku hidhej fara e besnikërisë, bujarisë, trimërisë, guximit, durimit, mikpritjes etj.”. 
Në vaktin e Ahmet Zogollit, kur monarkia e tij u shpall mbretëri kushtetuese, parlamentare dhe e trashëgueshme dhe kur fukarallëku i skajshëm kishte prekur a kapur për fyti popullatën shqiptare sidomos atë provinciale, diku në një fshat përreth Shkodrës, një varfanjak kishte filluar të ndërtoj një odë burrash dhe me të përfunduar të saj kishte parapëlqyer t’i ftojë miqtë e tij më të afërt, për t’u shtruar një darkë. Një rrugëtar nga një vend i largët, e kishte zërë nata. Ky fshatar fisnik ia kishte hapur dyert duke e strehuar dhe vendosur në krye të odës së burrave. Pasi darkuan, dikush e pyeti pronarin se ç’madhësi kishte oda. Përgjigjja e tij ishte jo “tamam”…, dhe njëri, këmbëngulte në kërkim të përgjigjes së saktë. Meqenëse asnjëri nuk kishte asnjë provë karshi përmasave të odës, atëherë “jabanxhiu” duke bërë zë, tha: “…, ja po jua them unë, kjo hapësirë ka tridhjetë palë prapanicash!?”. Një plak mendjefemër, duke e kuptuar fare mirë këtë “xhevap të mysafirit të paftuar të kësaj ndeje”, i tha: “si bëhet që e gjithë kjo hapësirë të matet me b..thë…, dhe të lus që edhe njëherë ta lakosh këtë filozofi të kësaj shprehjeje popullore a proverbiale, që edhe të tjerët ta kuptojnë me tamam!”. Ky ia ktheu, “eh, ç’më ngushtove, he burrë, aman xhanëm ç’më vure në siklet…, por para se të të jap shpjegime plotësuese më duhet të them se kur pronari i odës së burrave më vendosi në kryemindenderin e odës, thash sikur ky njeri kinse më bëri nder, por njëkohësisht me pahir më turpëroi mes për mes mexhlisit…, sikur m’u duk vetja si një njeri që nuk e meritoja atë vend, sikur mendova se nuk do të kem takatin shpirtëror dhe mental t’i dal zot këtij muhabeti të gjatë, thash se këtë muhabet do ta bëj tërkuzë e lesh e li dhe së fundi do ta prish si të tillë…, sikur e dija se disa axhaminj, prej meje do bëjnë ardhacak me by..thë prej pambuku, sikur e dija se ashtu pahiri do ma ndërrojnë vendndejën, sikur paragjykoja se vendin e kam jangllësh…, sikur ndihesha i pasajdisur e të tjera!?”. Plaku sikur filloi ta humbë gjakftohtësinë a durimin karshi përgjigjes së vonuar dhe tha: “pa më thuaj se si e bëre këtë matje!” Mysafiri tha: “shumë thjeshtë…, sa herë që futej një nga njerëzit e ftuar, unë detyrohesha që të lëviz nga vendi për një palë b..thë, për t’u liruar vend njerëzve të shtëpisë, dhe ashtu nga kryekolltuku (nuk ishte kolltuk berberhane-nënvizim ynë) u detyrova të zë vend në fund të odës së burrave…, toptan ishin njëzetë e nëntë palë b..thë, hiq mënjanë prapanicën e pronarit të odës i cili padrejtësisht u turpërua nga burrat e fisit të tij”. Ata që e kishin lakuar këtë mesele thonë se “mysafiri” kishte dalë nga oda e burrave pa përcjellje dhe ishte humbur pa nam e nishan.
Dikur moti, njerëzit e mençur nuk uleshin dot kollaj në kolltukun e odës së burrave, në odën e Kanunit, në odën e malësorëve fisnikë, sepse i frikësoheshin fjalës së dhënë, fjalës së nderit, fjalës së burrit, i druanin forcës së fjalës, kulturës së fjalës, kishin druajtjen se mos u ngecë fjala në buzë, në fyt e në gojë, frikësoheshin se mos bën vaki e nuk e mbarojnë a përfundojnë fjalën, frikësoheshin se ndoshta mos vallë nuk do e presin fjalën me sëpatë, frikësoheshin se ndoshta mos vallë nuk e gdhendin fjalën para se t’u dalë nga goja, frikësoheshin se ndoshta me fjalë mund të mjerojnë kalamajtë jetim, ndoshta mjerojnë fukaranë, sakatin, ndoshta fjalët ua merr era, ndoshta fjala e tyre u bie përdhe, ndoshta fjalët u thartohen…, ndoshta fjala e tyre merr “havanë!”
Duke mos e kontestuar dhe duke mos e nëpërkëmbur a anashkaluar vlerën e odës së burrave sipas atij shqiptari mendjendritur, i cili atë odë e kishte perceptuar si një institucion shpirtëror, neve na duhet të themi se ky institucion sot mbase është shndërruar në vlerë denigruese, në një kështjellë në rrënim e sipër, në një “mejtep pa talebe”…, në një shkollë pa mësues, në një manastir dhe kishë pa kambanë, në një teqe pa dervish, në një odë mëhallësh ku bëhen muhabete “jallane nga jallanxhinjë”, muhabete të cilët sot meritojnë t’i vrasësh me pushkën e gjahtarit të cilit zagari nuk ia gjen dot kollaj gjahun…, këto oda burrash sikur janë shndërruar në tabela për qitje, këto hapësira janë shndërruar në oda për fëmijë, për gra, për pseudo-“sevapçinj, për tyxharë”, për thashethemexhinj dhe për pseudo-intelektualë të cilët në “sabah” bëjnë hunjtë e në “aksham” i djegin, të cilët ulurinë, bërtasin dhe vajtojnë në kor të kaluarën e tyre…, si dhe kërkojnë lirinë e vonuar të vatanit!??
A mos vallë, sot shqiptarët detyrimisht kanë nevojë të ndërtojnë një odë burrash si të atij varfanjaku që jetonte në fshatin përreth Shkodrës, a mos vallë shqiptarët e shkapërderdhur si dhentë nëpër kodra, nuk kanë nevojë të ndërtojnë një odë intelektualësh, a mos vallë nuk na duhet një odë për shqiptarët që janë ndarë në pikë e pesë…, një odë të përbashkët për toskë, për gegë, për myslimanë, katolikë, ortodoksë, për bektashinj, për kosovarë, për jabanxhinj a mysafirë dhe për të tjerë shqiptarë të harruar e të lënë pas dore. A mos vallë shqiptarët nuk kanë nevojë për një odë politikanësh me mendje të trazuara, me mllefe dhe inate homerike, a mos vallë nuk kemi nevojë për një odë autoritetesh, për një odë ku do të qortohen politikanët inatçorë…, a mos vallë kemi nevojë për një odë nënash shqiptare, a mos vallë shqiptarëve u duhet një odë për njerëz të arsyeshëm, një odë për familjen shqiptare “namusqare”…, për njerëz që do t’i dalin zot çështjes kombëtare…, a mos vallë shqiptarëve u duhet një manual krejt i ndryshëm karshi filozofisë së politikëbërjes më humane dhe më emancipuese. Dhe nëse nuk do të kemi nevojë për odat e mësipërme, atëherë na mbetet ta “gëzojmë” odën e shpifjeve, odën e gënjeshtrave dhe së fundi na mbetet ta “urojmë” odën e varfanjakut që kishte strehuar atë rrugëtarin që e kishte zënë nata në vend të gabuar dhe te njerëz të gabuar, rrugëtari që iku a u zhduk nëpër terr…, rrugëtari që qe i detyruar ta maste me bythë hapësirën “jallane” të fukarait…, njerëzit e të cilit odën ia shndërruan në “vend ku mbreti shkon në këmbë!?”

Filed Under: Opinion Tagged With: CA VLERA TONAT “MEDIOKRE”, Fadil Lushi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT