Shkroi:Faik Konica/
Këtu e nj’a dhietë viet më parë, isha duke hyrë në Shqipëri me udhë të Sërbis.Në Zibefçe – emëri i kufirit – zbritme. Me një herë na rethuan zaptienj e meëmurë me fytyra të kungullta e t’egëra, e, duke na përmbledhur përpara, po-si dhën, na kallnë në një katua, ku, pas pakë, na suallnë edhe plaçkat e vogëla që kishim. Pastaj, me një “tullumbë” plot me ujë të fenikuar zunë të na lagin e të na çpëlajnë. Në protestime t’udhëtarëve të qullur, të ndotur e të zëmëruar, një “bash-meëmur” thosh me rëndësi: “Irade var. Karantëna-nun nëzamnamesënë idshra idiorëz”. Do me thënë, në gjuhë shqipe: “Kemi lejë të viedhim udhëtarët, se diku ka dalë kolera”. – Kolera kish dalë tre viet më parë… në Turqi, dhe Turqia kish urdhëruar karantinë për ata që vijin nga jashtë. Kolera kish shkuar, urdhëri kish mbetur.
Si na lagnë e na “qëruan”, na shpunë në një shtëpi të drunjtë e aty na lanë gjer të nesërmen. Tre a katër rogosë, e nj’a dhietë ndenjëtore të kalbura: aty duhet t’a shkojim natën. Ishim nj’a dy mbë dhietë veta, nër të cilët një Frënk me të shoqen, edhe gruaja e një ish-ministori bullgar në kabinet të Stambullofit, pshatarake me një bark si kade e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të piekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit. “Zonja ish-ministoreshë”, në mënyrë bullgare, kthehej në pshat të saj në “Maqedoni” bashkë me të birin e saj gjashtë-mbë-dhietë vietsh e me një vajzë dy vietsh. Nuk më bie nër mëntt në kish shërbëtore.
Kjo katundare e shkretë e shihte me frikë të qasurin e natës: jo vetëm nuk kish kamare për gratë, por s’kish as vënt për të fietur. Çoj pra fialë te meëmurët, që ish gati të jipte një lirë për të gjetur vënt për të fietur; po, nga që kish thënë këtë me zë të fortë dhe sicilido kish dëgjuar, Turqtë nukë deshnë të duken se janë njerës të ergjëndit. Pra, e mira grua u-shtrëngua të rijë tërë natën më këmbë.
Për të shkuar kohën, diali i saj, i cili dinte pakë frëngjisht, nisi të flasë me mua. Më thosh që, sikur të veja në Bullgari, do t’më mirjin për pakryetar (anarkistë), se në Bullgari si duket të gjith’ ata që i lënë leshërët të gjata i marin për pakryetarë. Një Turk që hiqte çibukun këmbë-kryq afër nesh, e që kuptonte pakë zuri të qeshë: “Ojle-më? Hajr, hajr: uzun saç birakan felesofdur”. D.m.th., kush i ka leshërat e gjata është filosof.
Ashtu, duke dëgjuar gomarërira të tilla, e pashë të gdhirët. Me mëngjes, erdhi, që të na shohë mos kishim kolerën, mjeku, i veshur vetëm me këmishë të natës e me brekë. Zonja frënge, duke parë këtë Turk aqë çuditërisht të veshur, zu të skuqet nga turpi, e burri i saj u-qas të më pyesë në ish zakon në Turqi të dalin ashtu përpara botës.Thashë se, me të vërtet, moda e lartë në Turqi është të dalin përpara botës me këmishë të natës.
Si e pa mjeku se s’ishin të sëmurë – do me thënë si e lozi lodrën që loste që nga tre vjet për të zhveshur udhëtarët – nxuarmë të paguajmë “visitën”, e zotëria e tij u-hoq i kënaqur. Aherë na qitnë nga kësolla e na shpunë në “jumryk” që të na vështojnë plaçkat dhe “pasaportin”.
* * *
Me të parë se kisha libra, një “meëmur” u-mvrejt dhe më tha: “Puna jote ësht’ e ligë; ne këto libra nuk i kuptojmë; do t’i dërgojmë pra në Stamboll, e ti do të presh këtu. Dale të shohim ç’ke tiatër”. Zura të bie në çdo farë mendimesh; më kishin shkruar se një fjalë nga an’ e Valiut te kryetari i kufirit do t’më kish çliruar edhe nga të tilla punë edhe për pasaport që s’kisha; ç’ishin këto tani, e ç’më duhej të lëja vëndet e lira që të vete të bije në duar t’egërsirave? … Isha duke menjtuar ashtu, kur meëmuri më thotë me një zë t’egër t’i rëfej pasaportin: si s’kisha, i rëfeva “nufus-tesqerenë”. – “Bu ne?tha duk’ e marë. Para etmez”. Po me të parë emërin t’im u-habit: “Hata-olldu” thiri, e, me një herë, libra, plaçka e gjithë ç’kisha i mblodhi, e, duke më rëfyer udhën, më shpuri tek kryetari i jymrykut. Këto u-bënë në më pakë kohë se sa duhet për t’i shkruar, aqë shpejt sa s’pata kohë të mar vesh. Atie, meëmuri më kërkoj prapë ndiesë, duke thënë se kishin shkruar për mua, e se, sikur të më kish njohur, as do të kish hapur plaçka as do të kisha ndënjur me të tierët.
Turku përpara të cilit isha, ish një Anadollak në mënyrë të vietër, do me thënë njeri baba e i mirë, i egër po e ngave në fe, po në të gjitha të tierat i urtë. Më priti fisnikërisht, e, duke pirë kafenë që, si në pralla magjish, erdhi me një herë, po shikoja këtë fytyrë të gjerë me miekër të gjatë e me një palë sy gjithënjë si të hapura këtë çast nga gjumi.Po hiqte çibuk, duke menjtuar.Zumë të flasim.I thashë se, në mes t’udhëtarëve, ndodhej edhe e shoqia e një ish-ministori në kabinet të Stambullofit, e cila hoqi shumë në kësollë të karantinës. Si e pashë, Anadollaku ynë kish një mendim të math për Stambullofin, se, me të dëgjuar këtë emër, çoj e thiri zonjën e i dha një ndënjëtore (në funt të kamares). “Vaj, vaj, biçare kadën!” vente duke thënë. Mierisht, gruaja e shkretë kish një vajzë dy vietsh, e cila i a dha të qarit. “Artek senda… Gjel” thret Anadollaku më në funt, e, shërbëtorit që vien, “nxir-e këtë jashtë”, i thotë.
* * *
Kish rënë fjala përmi Europë (Avropa), – kur, me një herë, Anadollakut i qeshi buza, e duke lënë çibukun, më pyeti me interest: “Bëzum Abdullah ne ollijor?” – Abdullahu ynë ç’bëhet?
Mbeta një çast, i habitur. Ç’do të jetë ky Abdullah?
Pa fjalë nonjë i njohur e që ndodhet n’ato vise ngaha vij. Po t’i rëfej se nukë di ç’ësht’ Abdullahu, do t’më marë për njeri të humbur… I u-përgjigja, pra: “Shumë mir’ është. Ju dërgon selam”.– “Falem nderies, tha Anadolloku i mierë, sa-do-mos i habitur. Po ay s’më njeh: si më dërgoj selam?” Eh dreq, rashë në grackë! po shpejt e mora veten, e: “Vërtet, i thashë, nuk ju njeh, po më tha që sa Turq të mirë të gjej udhës, t’u thom selam nga an’ e tija”. Në këto fjalë, u-kënaq shumë.Po mua s’më jipte dorë t’i zgjat fjalët përmi Abdullahun, zura pra të flas për të tiera.Lumtisht, erdhi edhe koha për t’ u-ndarë, e e lashë Anadollakun duke hipur në tren t’udhës-së-hekurtë.
Në qerre ku hipa unë, hynë edhe dy veta tierë: Njëri, kryepolici i kufirit; tiatëri, mjeku, po këtë herë i veshur. Vejin gjer në Shkup. U-hap fjala me një herë, e kryepolici nukë më çuditi pakë duke nxierë një librë turqishte për të mësuar frëngjisht! Një njeri i policës turke të mësojë gjuhë të huaja! Dhe nuk dinte pakë fjalë.“Ne, më tha, kemi nevojë të mësojmë gjuhë të huaja, që të dimë se ç’thonë Avropada për ne”. Në këto e sipër, zuri të qeshë si një njeri të cilit i bie nër mentt një gjë për t’u-gëzuar, e më pyeti: “Bëzum Abdullah ne ollijor!” – Abdullahu ynë ç’bëhet?
Me të vërtet dita nisi liksht për mua!… Ç’është ky Abdullah që s’më lë në paqe, i vërtetë mundim, e vërtetë persecution! Isha i shtrënguar të gjej një udhë për të shpëtuar nga Abdullahu.
“Po ngaha e njihni Abdullahun?”, i thashë, – “E kush nuk e njeh Abdullahun t’onë? Ay ka bërë aqë punë të mbëdha”, m’u përgjigj kryepolici. Do me thënë, thashë me vete, Abdullahu unë s’ësht’ një mik i veçantë i këtyreve, po qënka një njeri botërar, homme public. Mirë “Vërtet, vërtet. Ka bërë, ka bërë.Po jo dhe punë aqë të çuditshme”.U-hoth polici; -“Ne demek!Abdullahu ynë i ktheu Inglizët me mijëra n’islamësi.Abdullahu ynë ësht’ njeri i math”. E, duk’ e lënë të flasë, menjtohesha: Do me thënë, Abdullahu ynë qënka një njeri që ka vajtur t’islamësojë Inglizët. Mirë. Po nga ç’vent është? Këtë të kuptojmë. “Ka kthyer e do të kthejë. Abdullahu ynë është njeri me mënt, thashë. Po do të kish bërë edhe më tepër punë sikur t’a dinte më mirë inglishten”. – “Po s’i s’e ditka?më tha polici. Abdullahu ynë është Ingliz. Si e dini, e si e di gjithë bota, ay u-bë musliman kur ish një-zet-e-pesë vjetsh”. E prisha punën pakë, e, kur përpiqesha t’a ndërtoj, qëndroj treni në çast, e hyri një mylazim në kamare t’onë. Me të mësuar se vija nga Perëndimi: “Allah ashkëna, thirri duhe u-qasur, bëzum Abdullah ne ollijor?” Për dashuri të Perëndisë, Abdullahu ynë ç’bëhet?
“Për atë flisjim, thashë. Evropa e tërë Abdullahun ka në gojë”. – Hamd ollsun, tha mylazimi. Inshallah e kthen Evropën e tërë”.– “Inshallah.Po kam frikë se mos vonojë sado-mos ajo dit’ e madhe”.– “S’vonon, thotë polici, s’vonon.Siz korkmainiz.Japar bëzum Abdullah”.– “Mutllak japar bëzum Abdullah”, tha mjeku.– “Uallaha japar bëzum Abdullah, tha mylazimi.Po në sa vjet, pas mëndies s’uaj?” më pyeti, pa pakë.“Në nj’a pesë-dhjetë vjet, Inglizët do të jenë të gjithë muhamedanë”, thash unë.“Ne demek?i’ a bëri polici. On sene-de japar bëzum Abdullah!…” D.m.th.: Në dhjetë vjet e mbaron atë punë Abdullahu ynë.
“Në Shkup, më thotë mylazimi, mos harro, në u pjeksh me Ferikun, t’i zësh në gojë Abdullahun t’onë, se edhe atij shum’i k’ënda Abdullahu ynë”.
Udhëtimi u-mbarua. Pashë Shkupin. Vajta në shumë vise të Shqipëris: e, kudo që gjeja një Anadollak, e para fjalë qe: “Bëzum Abdullah ne ollijor?”; aqë sa, më në funt, zunë të më tingëllojin në vesh nat’ e ditë ato fialë. Zura të shoh Abdullahun n’ëndër, herë nënë fytyrë të nonjë hoxhe që, me çallmë të gjelbër të lartë sa një minare, falej duke kënduar; herë, nënë fytyrë të nonjë shehu të hipur me një kalë të zi e të rethuar prej Arapësh me kama të zhveshura… U-bë nevojë, për shëndetin t’im të largohesha sa më shpejt nga një qark i tillë; punë q’ e bëra pa pritur.
Mësova më tutje se “Abdullahu ynë” ish një Ingliz i Mançesterit i kthyer n’islamësi, e besonj të jet’ ay që, sot për sot, u bë “Sheh-Islam” i Inglizëve e për të cilin u-bë fjalë, më sipër, në këtë numër t’Albanies.
Kur u ktheva, shkova prapë me atë udhë me të cilën kisha ardhur. Në Zibefçe, treni qëndroj vetëm pesë minute: pra, me-zi pata kohën të përshëndoshem me efendijtë. Por kur u-ngrit treni, kryepolici më briti me një herë: “Bëzum Abdullaha selam!”.
Sqarime:
Meëmurë – turq.mehmurë, nëpunës osman
Ujë i fenikuar – përzierje e acidit fenik me uthull dhe kolonjë, përdorej dikur si antiseptik.
Jymryk – turq.gjymryk, doganë.
Nüfus teskere – turq.çertifikatë lindjet.
Ferik – gjeneral divizionit.
Abdullah Henry Quilliam (1856-1932) – avokat anglez nga Liverpool-i, u kthye në besimin islam dhe bëri prozelitizëm duke patur një farë suksese. Me vdekjen e tij pasuesit pothuajse u shpërndanë.
*Revista “Albania”, tetor 1903. Titulli origjinal i shkrimit është: Kuitim.
CA KUJTIME MBI AT GJEÇOVIN
“Sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”/
NGA FAIK KONICA/
At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet, nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër, takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t’a dëgjonte njeriu. Asì kohe At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mbi udhë nga Shkodra n’Orosh. A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat’ a tet’ orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí, veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s’pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj’ a dy mile më tej, as që dukej.
Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm’ e zbrazur nga plaçka por e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t’afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t’ Assisit, në pastërí e në vobësí të zëmrës tij, e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j’a kushtonte studimit.
Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t’ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t’i afrohej At Gjeçovit në diturín’ e këtíj Kanuni. Na tregói një dorëshkrìm nj’a dy-mij faqesh, sudiím i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme.
Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur “lacrumatorium” lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t’i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t’ona për At Gjeçovin…
Bir i përulët i Shën Franciskut, e ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípja dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuara janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.
Po, At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shënjtëruar të Shqipëtarësisë.”
(Marrë nga gazeta “Dielli” e Federatës Panshqiptare Vatra, 18 Mars 1930, nr. 5156, fq. 2.)
KOMEDIA E PARTIVE
SHQIPERIA, U NGJALL NGA IDEALISTËT/U RUAJT NGA RASTET\ U VRA NGA POLITIKANËT/
SHKROI: Faik KONICA/
Korrespondenca e mikut t’one të kthiellt, Francesco Argondizza, që “Dielli” boton në numër të sotmë, na heq përsëri vërejtjen mi reziqet që e rethojnë Shqipërinë. Kur popujt dëshërojnë paqe dhe kërkojnë marëveshje e mëiqësi në mes tyre, aventurierët e politikë nërkombëtare si Mussolini dhe Pashicci e shkojnë kohën duke bërë plane për të turbulluar qetësin e botës, për të derdhur përsëri gjak, dhe për të shtuar mjerimet që rendojnë si plumb i nxehtë në kurriz e në shpirt të njerëzisë. Nuk është punë aq e lehtë të prishet një Shtet i vendosur, dhe s’duhet të na trembet aqë shumë syri. Atë lakmi ccakalle që kanë sot, fqinjtë t’anë e kishin dhe die. Ish më lehtë të prishej die se sa sot Shqipëria; më lehtë në kohë të Konferencës së Parisit, kur Shqipëria nuk ish edhe e njohur si Shtet dhe armiqt’ e saj flisjin si shokë dhe aliatë të nderuar të Fuqive të Mbëdha mundëse, se sa sot që Shqipëria jo vetëm është një Shtet i njohur po mer pjesë dhe në Lidhje të Kombeve. Pastaj, ka sot n’Evropë burra si Radicc-i i Kroatisë dhe Morel-i i Inglisë, fytyra fisnike që përfaqësojnë ndërgjegjjen e njerëzisë dhe zëri i të cilëve, i shtrënguar të heshtë gjer die nga gishtërinjt’ e hekurt të despotismave e të censurave të lindura nga lufta, dëgjohen tani anë mb’anë të botës dhe janë të zotët të bashkojnë për veprim gjithë forcat morale të dheut.(Lexo me shume ne Dielli on Line www.gazetadielli.com
Jo. Nuk besoj se Shqipëria është në rezik, – të pakën jo dhe për shumë kohë. Po kjo s’do të thotë se jemi të siguruar në ccdo rast dhe në ccdo mënyrë.
Asnjë Shtet nuk është i siguruar plotësisht dhe pa konditë. Nuk është nevojë të kërkojmë shëmbëlla në histori të shkuar, arrin të hedhim një sy në historin’ e sotme, për të kuptuar se Shtetet, si njerëzit, lindin, riten dhe vdesin, – dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet. Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s’ka vent dhe trëmbem se dicc do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vetë-qojturve “udhë-heqës” do t’u vijnë
menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere munt pa ccpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj:
U NGJALL NGA IDEALISTËT
U RUAJT NGA RASTET
U VRA NGA POLITIKANËT
Po. S’ka dyshim se politikanët – turma e erët e njerësve që e përdorin politikën jo si një udhë po si një qëllim – kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. Unë që s’këndoj kurrë gazetat e Shqipërisë (e kam ccfaqur arësyen tjatër herë), zura këto javët e fundit t’i këndoj me regull që të kuptoj rrjedhjet politike të vendit, dhe gjer tani nuk arrita të zbuloj gjësendi. Këtu këtje, nonjë artikull i veccuar ccfaq te bërësi një ndienjë të problemeve të mbëdha që janë shtruar përpara Shqipërisë; po përgjithësisht s’duket gjëkundi filli i pakëputur i mendimeve të përgjithëshme, po vetëm një bisedim i rëmbyer hollësirash, detajesh.
Për shembëll, le të marrim reformën e kodit. Pse duan t’a reformojnë dhe me cc’frymë do t’ reformohet? S’meret vesh mirë. A duan t’a shkurtojnë kodin dhe t’i përmbledhin gjithë kanunet në një pakicë faqesh, sicc bëri tani shpejt Japoni, gjë për të cilën ky vent u lëvdua nga juristët, se shumësia e kanuneve është një sëmundje dhe një pengim? Po të kishin një ide t’atillë reformatorët t’anë, ahere ja një fill udhëheqës, një mendim i përgjithëshm: arsyeja e reformës do t’ish simplifikimi. – A duan t’i lënë më tepër liri njeriut dhe të shkurtojnë gjer në kufirin më të ngushtë nërhyrjen e Shtetit në punët individuale, dhe jo si në Prusi ku për të ndruar odë duhet të kërkosh leje nga opolicia, sistem skllavërie i kopiuar gjer më një pikë dhe nga Turqia? Ja përsëri një fill udhëheqës: zgjerimi i lirive individuale dhe pakësimi i pengimeve të vëna nga Shteti. – A duan të kenë kanune më elastike, më t’ epëshme, dhe jo rigide pa nevojë, – si për shembëll në Skolland ku ka shumë forma martese: përpara një njeriu feje, ose përpara registar-it, ose përpara miqsh të thirur si dëshmonjës në shtëpi, etj., të gjitha forma legale, kurse në Francë ka vetëm një formë legale dhe do s’do je i shtrënguar t’i bindësh asaj forme? Ahere, ha bhë thatër fill udhë-heqës: të reformuarit e kodit për të kallur ane mb’anë një epërsi më të madhe në formalitetet. Munt të vazhdojmë duke dhënë shembëlla të tjera. Këto arrijnë për të treguar se një reformë, që të jetë reformë e dobishme, duhet të ketë një fill udhëheqës, një frymë përmirësonjëse të re. Në këtë reformë të kodit, s’shohim për kundrë veç se një ndryshim. Po çdo ndryshim nuk është doemos një përparim. Dhe po të përmbledhim fjalët e reformonjësve dhe fjalët e kundërshtarëve do të gjejmë këto mendime: Reformonjësit duan t’a reformojnë kodin e sotmë se s’janë mësuar me të, kundërshtarët e mprojnë se janë stërvitur pas tij. As gjë tjatër.
Që Shqipëtarët, në çdo çap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendimi i përgjithëshëm; dhe nga ana tjatër, që Shqipëtarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim: – ato janë dy fakte që duhet t’i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e shvillimeve në të katër vjetët e fundit. Patmë këto ditë një provë tjatër në të “themeluarit” e dy “partive” të “ra”. Asnjë nga këto të dy “parti” s’ka nonjë gjë të re brenda, as njerës të
rinj as parime të ra: njerëzit jan’ ata që i kemi njohur në disa partira të tjera, – parti “‘nacionaliste”, “popullore”, “përparimtare”, “liberale” dhe s’di se ç’emëra të tjera me -ore, -are, -ale ose -atre: po kurdohere ”the same old damned thing”, një grup njerëzish që nuk i lith as një e shkuar e përbashkm: as dashuria për një ideal të përbashkët, po vetëm ca inate e ca interesa të çastit. E vetëma gjë e re ketu jan’ emërat e “partive”, emëra që s’kan’ asnjë kuptim të caktuar: fjala “demokrat” ësht’ aq’ elastike, sa ka ngjarë shumë herë të meret për flamur mbulonjës nga reaksionarët më të tërbuar; sa për fjalën “radikal”, kjo ësht edhe me elastike, -aq’ elastike sa më Sërbi “radikale” një kohë quhej partia rusofile, në Francë “radikale” ka qenë partia që lëftonte lidhjen e Shtetit me Kishën Katholike, n’Ingli “radikale” jan’ ata liberalë që anojnë nga partia e punëtorëve, dhe n’Amerikë më në fund fjala “radikal” është një emër i mbuluar për të thënë socialist. Aqë kuptime sa edhe vende. S’munt të mohojmë se në të dy “partitë” që u themeluan ka njerës të mirë; përveç kësaj, sekretarët që të dy partive janë miqatë t’anë, dhe nukë munt të vënë në dyshim kthiellësin’ e qëllimeve të tyre. Po dhe njerës të mirë shumë herë bien viktima të rrethit e të rasteve. Themelimi (i cili do të mbetet themelim në kartë vetëm) i të dy partive të ra, nuk është veç se një lodrë fjalësh, – një ndryshim etikete, ndryshim që Shqipëtarët pas zakonit të tyre e kujtojnë përparim. Po a do t’ gënjehet Populli? Besoj që jo.
Besoj që Populli kur të shohë se gjith’ ata njerës që i kanë dalë një mot më parë n’emër të një partie tjatër dhe tre vjet më parë n’emër të një partie tjatër prapë, do të thotë me vete të tij se këta njerës tallen me të, dhe do t’u kthejë kurrizin. Dhe do t’ votojë pas mendjes tij, – do t’votojë për njerëzit e “ndershëm”, pa vënë re maska, etiketa, dhe emëra. Kemi shvilluar shumë herë në këto shtylla mendimin që një vent nukë munt të qeveriset mire po s’pati dy parti t’ organizuara, po parti në kuptimin e vërtetë të fjalës, do me thënë parti që kanë një parim udhëheqës të kthiellt, një program me hollësira të caktuara mirë, me anëtarë besnikë e të patundur, dhe me një kryetar të njohur e të dëgjuar. Që të gjitha këto mungojnë në Shqipëri. Dhe kur na çfaqen dy parti pa kokë, pa trup, dhe veçan pa frymë, besojmë se nuk do t’gënjehet njeri me etiketa, – etiketa që janë dhe fallse, se etiketa e vërtetë e që të dy partive në fjalë duhej t’ish “konservative e matur”; që t’i çquajme duke marë hua një fjalë nga jargoni i parlamentit të Francës, njëra munt të quhet “parti centre-gauche” dhe tjatëra “parti centredroit’: S’shohim, gjë tjatër n’ato “partira”.
Po pse te humbasim kohën? Populli u ngop me gënjeshtra. Ka humbur besimin në politikanët. Dhe Populli s’ka aspakë faj, se politikanët më të vërtet s’meritojnë aspakë besim. Aherë ç’do të dalë nga zgjedhjet? Hiç gjësendi. Populli shqipëtar – si popujt e tjerë të Ballkanit, si Grekët për shembëll që një-qint vjet me radhë s’kanë patur veç se partira personash, “Trikupiste” dhe “Delijaniste”, “Venizeliste” dhe “Kostandiniste” – do t’ grupohet pas personave. Populli Shqipëtar do t’votojë për njerëzit “më të ndershëm”, dhe Perëndia e di se ç’farë njerës jan’ ata që Populli i gjykon të ndershëm.
Përpara një kauzi ballkanik si ky, është më kot të thajmë gurmazin duke predikuar në shkretëtirë. Besojmë se detyra e vatrës është paskëtaj të rij’ e paanëshme, duke stërvitur Popullin për një të nesërme më të kthiellt dhe duke përkrahur, çdo guvernë që të japë ca garantira të paka ndërgjegjjeje dhe pune, pa kërkuar nga ky brez i korruptuar gjëra të pamundura.
Botuar në DIELLI më 1924
Nga Trashegimia e Faik Konices: ZAKONI I SKLLAVERISE….
Vetëm të larkmët duhet të dinë një gjë: skllevët që përmentmë, spiunë të mbetur nga regjimet e shkuara të Shqipërisë, s’kanë të bëjnë fare me VATREN. Vërtet lehin, lëpijnë, futin hundën në çdo deriçkë, – po as një në dhjetë s’ësht’ anëtar i Federatës që kam nderin të kryesoj. Dhe në qofshin shtat’ a tetë gjithsej, jan’ asish që hyjnë të pavënë re nga dera kur e gjejnë të hapur, po dalin me elegancë nga penxheria kur zbulohen prej kujdestarëve të shtëpisë…/
SHKROI: Faik KONICA/
Skllavëria, si çdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në funt një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mi xverk e durojnë me gëzim. Veçan atyreve që lindin skllav, u është skllavëria si një natyr’ e dytë dhe ata jo vetëm s’marin vesh çdo me thënë liri, po ndiejnë një farë urrejtje për mprojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit.
Këto që thomi s’janë theori të thata. Kemi fakte historike që i provojnë. Dini të gjithë se që më 1861 e gjer më 1865, u-bë n’Amerikë një luftë civile e madhe në mes të Shteteve të Veriut e të Shteteve të Jugës. Veriu, me Lincolnin si President, i qojti gjithë skllevët të lirë. Juga nuk pëlqeu këtë veprim. Juga deshi t’a mbajë skllavërinë si një institutë legale, dhe u-nda nga Veriu duke u-prokllamuar një republikë më vete me Jefferson Davis-in si President. Fundin e di çdo njeri: Juga u-munt, Amerika u bashkua përsëri, dhe skllaveria u-çduk për gjithënjë. Lincoln-i u-vra në mbarim të luftës. Davis-i rojti gjer më 1889, si njeri prevat, -dhe bukuria është se çngjau kur vdiq ky njeri që kish derdhur aqë gjak për të mprojtur skllaverinë: ngjau kjo gjë e çuditshme, që dymij ish-skllev vazhduan duke qarë qivurin e Davis-it! Shikoni forcën e zakonit: skllavi i çliruar kish zemrën dhe dashurinë të lidhur me armikun e çlirimit.
Kur qenka ashtu natyra e njeriut, a është çudi që një shumicë Shqipëtarësh të kenë në shpirt të tyre adhurimin e zgjedhës? Bij, nipër, stërnipër skllevësh, skllev vetë, fjala liri nuk është për ta veç se një gjë misterioze dhe e rezikshme, e cila duhet ose lëftuar ose pritur me të ftohtë. Çudia është se kemi dhe n’Amerike një shumicë nga këta skllev qesharakë dhe të poshtër. Të lirë nga krahët, truri i tyre është i lidhur me zinxhirë. Dhe është bukuri të vazhdojë njeriu sielljet e kësaj kopeje. Posa u tepëron pakë kohë nga puna, ata nukë dalin të marrin erën e paqme që të qërojnë mëlçit’ e tyre nga mikrobi i oftikës, – po venë si gjërpërinj nga “konak” në “konak” dhe nga dyqan në dyqan dyke bërë propagandë kundër Fushatës.
– “Ç’ësht’ ajo parti liberale?” thonë skllevët.
“Ne kemi një guvernë, dhe duhet t’a mprojmë. Ato që bën guverna janë të mira. Populli në Shqipëri ësht’ i kënaqur. Mos dëgjoni çpifjet, se paratë do t’ju venë humbur”. Dhe fjalët e tyre gjejnë përkrahje nga një turm’ e errët spiunësh dhe larosh, – pseudotregëtarë gjysmë t’egër që janë në të dhënë faliment e sipër, batakçinj t’ardhur në mes të Shqipëtarëve s’dihet nga ku dhe me ç’porosi, varangjelistë të paqytetëruar me kurrizin “den-baba-den” të zbutur nga shkopi, kumarxhinj, dembelë, etj. Kjo turme, e palarë në gjithë kuptimet e fjalës, ka disa qëllime të fshehta, – dhe një qëllim sheshit, që është: të mos bëhet Shqipëria një Shtet modern i shtënë në themele të shëndosha, po të mbetet një vent i turbull dhe i dobët, i lehtë për të përmbysur kur lakmia e fqive të gjejë rastin.
Vetëm të larkmët duhet të dinë një gjë: skllevët që përmentmë, spiunë të mbetur nga regjimet e shkuara të Shqipërisë, s’kanë të bëjnë fare me VATREN. Vërtet lehin, lëpijnë, futin hundën në çdo deriçkë, – po as një në dhjetë s’ësht’ anëtar i Federatës që kam nderin të kryesoj. Dhe në qofshin shtat’ a tetë gjithsej, jan’ asish që hyjnë të pavënë re nga dera kur e gjejnë të hapur, po dalin me elegancë nga penxheria kur zbulohen prej kujdestarëve të shtëpisë.
Puna është sheshit. VATRA ka lëftuar dhe lëfton për një Shqipëri moderne, serioze dhe të nderuar. Partia liberale që u-organizua në Shqipëri, do t’mundohet të fitojë shumicën në zgjedhjet, që të vërë në veprim idealet e VATRES. Ju pëlqen ky mendim? Përkraheni me sa ju mundet Partine Liberale duke mos u vënë veshin larove, të cilët pa fjalë do të bëjnë zanatin e tyre.
DIELLI- Botuar më 1923
Abetari shqip
Nga Faik KONICA/
Në pak fjalë, – me qëllim por pa shpresë që t`u mbushim kokën hamajve, zaptieve, të shtrembërve e t`egërve, – duam të shkoqitim çështjen e abetares gjer më sot. I pari libër në gjuhën tonë dolli në 1635, d.m.th. 256 vjet më përpara, në Romë, prej Frengut të Bardhë (Dictionarium Latino-Epiroticum). [Autori më vonë do zbulonte duke gërmuar në arkivat e bibliotekës kombëtare të Francës, veprën e Pjetër Budit “Speculum Confessionis” ose “Pasqyra e të rrëfyemit” të shkruar, me të njëtin alfabet, në vitin 1621, pra 14 vjet më parë]. Ky libër përdori një alfabet, i cili ka të ngjarë se përdorej edhe më parë, se, po ta kish bërë Frengu i Bardhë, do ta kish thënë në parathënie të librit të tij; pra duke heshtur, na rrëfeu se alfabeti i tij nuk qe i ri. Me atë alfabet duallën gjer më sot shumë libra, më të shumtët përmbi fe, një fjalor shqip e italisht disa mijëra shtyllash, e me atë mëson gjithë pjesa e Gegërisë katolike. Të metat e atij alfabeti janë kryesisht dy: 1) Ka disa gërma të veçanta që nuk gjenden në shtypshkronjat; 2) S`është i mjaftueshëm për toskërishten.
Që të mos e ngarkoj tepër artikullin, shkoj e vij te viti 1879. Në atë mot, Sulltani, për të ndezur në Shqipëri një zjarr kundër sllavizmit, cpoi disa “Meemure” shqiptare të mblidhen që të bëjnë një alfabet shqip. Këta, me leje të qeverisë (turke), u mbluadhnë. Në mes tyre, hyri si thonë e si do të mund të provojmë një ditë – një anëtar i Moskovit, i cpuar me udhë nga patriarku grek. Kjo mbledhje kishte për detyrë: 1) O të merrte alfabetin e Frengut të Bardhë, si 300 e sa vjetësh më të vjetër; 2) O të bënte një të ri, duke treguar të metat e alfabetit të vjetër; 3) O të mos i përsëritte ato mangësi.
Mjerisht, mbledhja turko-moskove: 1) Nuk e mori alfabetin e Bardhit. 2) Nuk tha pse s`e mori. 3) I përsëriti të keqiat e alfabetit të Bardhit. 4) Shtoi shumë gabime të reja.
Që të marrin vesh atdhetarët e kulluar se ç`është ai alfabet i Stambollit, le të venë re këto: Alfabeti i Stambollit ka 36 gërma. Ndër këto janë: 1) shtatë shkronja cirilike (sllave). 2) Pesë shkronja greke. 3) Një shkronje cirilike (sllave) kokë-tatëpjetë. 4) Një shkronjë latine e vërtitur. 5) Dy shkronja latine kokë-tatëpjetë. 6) Një shkronjë latine e tredhur. Të tjerat janë latine. Lexuesi që ka pakë mendje, i sheh vetë ndyrësinë e këtij alfabeti: 1) I bërë me spica të Moskovit, na vë në rend të popujve sllavë. 2) I përzier me shtatë mënyra shkronjash, është i ndyrë në të parë, e i jep gjuhës një hije të egër. 3) Nuk mund të botosh libra asgjëkundi në Evropë, veç po të blesh shkronjat përkatëse dhe të paguash shumë më shtrenjtë. Kur desha të filloj një të përkohshme shqipe gjashtë vjet më parë, dëshirova pikë-së-pari të përdor o alfabetin e vjetër të Shkodrës, o alfabetin e Stambollit – të cilat do t`i rrëfej ndoshta një ditë gjatë e gjerë, e atëherë le të gjykojnë shqiptarët ç`janë ata njerëz e ç`jam unë – nuk më tunden fare.
Më 1899, disa atdhetarë të flaktë të Shkodrës u mblodhnë, për të themeluar një shoqëri të madhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Këta shqiptarë krijuan një alfabet, të cilin, edhe pse qe i arsyeshëm edhe nga dëshira e bashkimit, e muarëm edhe ne dhe po e përdorim që prej dy vjetësh tek revista “Albania”… Alfabeti i “Bashkimit” jo vetëm shtypet lehtazi kudo, po është edhe i arsyeshëm në shumë anë. Këto edhe njëqind të tjera tregojnë se me alfabet të “Bashkimit” mbahet mirë rrënja e fjalëve.
Tani cilat janë kundërshtimet e meemureve kundër këtij alfabeti. Janë pesë: 1) “Alfabeti i Stambollit është më i vjetër” -“Bashkt-ustuna, efendem!” Por alfabeti i Bardhit është 300 vjet më i vjetër. Pse nuk e mbajtët? Pra, edhe ju vetë rrëfyet se vjetërsia nuk është argument i mjaftueshëm për të mbajtur një gjë të ligë. 2) “Alfabeti i Stambollit është më i përhapur”. -Ato gënjeshtra t`ia shisni një tjatëri, por jo mua. A e mirrni vesh? Ndër 100, 90 ndër shqiptarët e jashtëm e përdorin këtë alfabet që përdorim ne, a me disa ndryshime. Atë të meemureve e përdorin 7 a 8 meemure, e nja 10 zaptienj këmbë-qelbur të Toskërisë. Po, si thotë Frengu, “qui n`entend qu`une cloche n`entend qu`un son”. “Kush dëgjon vetëm një këmbanë, dëgjon vetëm një zë”. E ju, duke folur gjithnjë me ata 10 a 15 meemure e zaptienj, “u-hazdis” e kujtoni se kini me vete gjithë Shqipërinë. 3) “Shkronjat e “Bashkimit” janë të shumta e nuk i mëson dot populli”. -Përgjigje: Alfabeti i “Bashkimit” ka 23 ose 24 shenja, kurse juaji ka 36, d.m.th. 12 më tepër. 4) “Populli s`merr vesh se si dy shenja bëjnë një tingull. I duket më lehtë një shenjë për çdo zë”. -Përgjigje: “Evet efendem, vallah bil`lah! Jini të mësuar me “xhin-cim-sin-shun”, o mor të zinj, e jo populli po juve vetë ju duket e vështirë të mblidhni dy shkronja për të treguar një tingull. Se arabishtja e turqishtja që ju kanë hyrë në palcë e në gjak, për çdo tingull kanë një shenjë. Fshataraku i Gjermanisë pse mëson, p.sh. katër shkronja -tsch- për të treguar tingullin ç? Fshataraku i Shqipërisë pse të mos mësojë dy shkronja? Fshatarët e Shqipërisë kanë mend, po Bashstenete s`mësoni dot ndoshta. 5) Më në fund Meemuret na pyetnë shumë herë: Pse “Albania” edhe “Bashkimi” nuk u muarnë vesh ta kenë alfabetin një e të përbashkët? -Me të vërtet, në nja dy a tre shkronja kemi ndryshim, por ai ndryshim nuk prish punë. Fundi alfabeti një është. Rumania ka një Akademi, e, megjithatë, bota është ndarë në dy pjesë për një ndryshim të dy a tri shkronjave. Më vonë edhe ky ndryshim do të pushojë. Alfabeti i “Bashkimit”, për lirinë që i dha shqipes të shtypet apo të botohet kudo, për hijen europiane që i dha shkrimit të gjuhës sonë, për shërbime të tjera që ka për të bërë në sy të botes, meriton me të vërtet emrin ALFABETI KOMBETAR I QYTETERUAR. Alfabeti i Moskoveve e i Turqeve, i Meemureve e i zaptieve, i harbuteve e i ulefexhijve, me hijen aziatike e të ndyrë që ka, me pengesë e botimit që u sjell librave shqipe, s`meriton tjatër emër përveç ALFABETI I EGER I HARBUTEVE. U bë nevojë t`u thyejmë hundën një herë harbutëve. Në kanë për të thënë gjë, të re, do t’u përgjigjemi. Po, në zënçin të këndojnë për të mijtën herë këngën e zaptieve, nuk kemi kohë për të humbur.
- « Previous Page
- 1
- …
- 8
- 9
- 10
- 11
- 12
- …
- 15
- Next Page »