• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Abetari shqip

August 26, 2014 by dgreca

Nga Faik KONICA/
Në pak fjalë, – me qëllim por pa shpresë që t`u mbushim kokën hamajve, zaptieve, të shtrembërve e t`egërve, – duam të shkoqitim çështjen e abetares gjer më sot. I pari libër në gjuhën tonë dolli në 1635, d.m.th. 256 vjet më përpara, në Romë, prej Frengut të Bardhë (Dictionarium Latino-Epiroticum). [Autori më vonë do zbulonte duke gërmuar në arkivat e bibliotekës kombëtare të Francës, veprën e Pjetër Budit “Speculum Confessionis” ose “Pasqyra e të rrëfyemit” të shkruar, me të njëtin alfabet, në vitin 1621, pra 14 vjet më parë]. Ky libër përdori një alfabet, i cili ka të ngjarë se përdorej edhe më parë, se, po ta kish bërë Frengu i Bardhë, do ta kish thënë në parathënie të librit të tij; pra duke heshtur, na rrëfeu se alfabeti i tij nuk qe i ri. Me atë alfabet duallën gjer më sot shumë libra, më të shumtët përmbi fe, një fjalor shqip e italisht disa mijëra shtyllash, e me atë mëson gjithë pjesa e Gegërisë katolike. Të metat e atij alfabeti janë kryesisht dy: 1) Ka disa gërma të veçanta që nuk gjenden në shtypshkronjat; 2) S`është i mjaftueshëm për toskërishten.
Që të mos e ngarkoj tepër artikullin, shkoj e vij te viti 1879. Në atë mot, Sulltani, për të ndezur në Shqipëri një zjarr kundër sllavizmit, cpoi disa “Meemure” shqiptare të mblidhen që të bëjnë një alfabet shqip. Këta, me leje të qeverisë (turke), u mbluadhnë. Në mes tyre, hyri si thonë e si do të mund të provojmë një ditë – një anëtar i Moskovit, i cpuar me udhë nga patriarku grek. Kjo mbledhje kishte për detyrë: 1) O të merrte alfabetin e Frengut të Bardhë, si 300 e sa vjetësh më të vjetër; 2) O të bënte një të ri, duke treguar të metat e alfabetit të vjetër; 3) O të mos i përsëritte ato mangësi.
Mjerisht, mbledhja turko-moskove: 1) Nuk e mori alfabetin e Bardhit. 2) Nuk tha pse s`e mori. 3) I përsëriti të keqiat e alfabetit të Bardhit. 4) Shtoi shumë gabime të reja.
Që të marrin vesh atdhetarët e kulluar se ç`është ai alfabet i Stambollit, le të venë re këto: Alfabeti i Stambollit ka 36 gërma. Ndër këto janë: 1) shtatë shkronja cirilike (sllave). 2) Pesë shkronja greke. 3) Një shkronje cirilike (sllave) kokë-tatëpjetë. 4) Një shkronjë latine e vërtitur. 5) Dy shkronja latine kokë-tatëpjetë. 6) Një shkronjë latine e tredhur. Të tjerat janë latine. Lexuesi që ka pakë mendje, i sheh vetë ndyrësinë e këtij alfabeti: 1) I bërë me spica të Moskovit, na vë në rend të popujve sllavë. 2) I përzier me shtatë mënyra shkronjash, është i ndyrë në të parë, e i jep gjuhës një hije të egër. 3) Nuk mund të botosh libra asgjëkundi në Evropë, veç po të blesh shkronjat përkatëse dhe të paguash shumë më shtrenjtë. Kur desha të filloj një të përkohshme shqipe gjashtë vjet më parë, dëshirova pikë-së-pari të përdor o alfabetin e vjetër të Shkodrës, o alfabetin e Stambollit – të cilat do t`i rrëfej ndoshta një ditë gjatë e gjerë, e atëherë le të gjykojnë shqiptarët ç`janë ata njerëz e ç`jam unë – nuk më tunden fare.
Më 1899, disa atdhetarë të flaktë të Shkodrës u mblodhnë, për të themeluar një shoqëri të madhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Këta shqiptarë krijuan një alfabet, të cilin, edhe pse qe i arsyeshëm edhe nga dëshira e bashkimit, e muarëm edhe ne dhe po e përdorim që prej dy vjetësh tek revista “Albania”… Alfabeti i “Bashkimit” jo vetëm shtypet lehtazi kudo, po është edhe i arsyeshëm në shumë anë. Këto edhe njëqind të tjera tregojnë se me alfabet të “Bashkimit” mbahet mirë rrënja e fjalëve.
Tani cilat janë kundërshtimet e meemureve kundër këtij alfabeti. Janë pesë: 1) “Alfabeti i Stambollit është më i vjetër” -“Bashkt-ustuna, efendem!” Por alfabeti i Bardhit është 300 vjet më i vjetër. Pse nuk e mbajtët? Pra, edhe ju vetë rrëfyet se vjetërsia nuk është argument i mjaftueshëm për të mbajtur një gjë të ligë. 2) “Alfabeti i Stambollit është më i përhapur”. -Ato gënjeshtra t`ia shisni një tjatëri, por jo mua. A e mirrni vesh? Ndër 100, 90 ndër shqiptarët e jashtëm e përdorin këtë alfabet që përdorim ne, a me disa ndryshime. Atë të meemureve e përdorin 7 a 8 meemure, e nja 10 zaptienj këmbë-qelbur të Toskërisë. Po, si thotë Frengu, “qui n`entend qu`une cloche n`entend qu`un son”. “Kush dëgjon vetëm një këmbanë, dëgjon vetëm një zë”. E ju, duke folur gjithnjë me ata 10 a 15 meemure e zaptienj, “u-hazdis” e kujtoni se kini me vete gjithë Shqipërinë. 3) “Shkronjat e “Bashkimit” janë të shumta e nuk i mëson dot populli”. -Përgjigje: Alfabeti i “Bashkimit” ka 23 ose 24 shenja, kurse juaji ka 36, d.m.th. 12 më tepër. 4) “Populli s`merr vesh se si dy shenja bëjnë një tingull. I duket më lehtë një shenjë për çdo zë”. -Përgjigje: “Evet efendem, vallah bil`lah! Jini të mësuar me “xhin-cim-sin-shun”, o mor të zinj, e jo populli po juve vetë ju duket e vështirë të mblidhni dy shkronja për të treguar një tingull. Se arabishtja e turqishtja që ju kanë hyrë në palcë e në gjak, për çdo tingull kanë një shenjë. Fshataraku i Gjermanisë pse mëson, p.sh. katër shkronja -tsch- për të treguar tingullin ç? Fshataraku i Shqipërisë pse të mos mësojë dy shkronja? Fshatarët e Shqipërisë kanë mend, po Bashstenete s`mësoni dot ndoshta. 5) Më në fund Meemuret na pyetnë shumë herë: Pse “Albania” edhe “Bashkimi” nuk u muarnë vesh ta kenë alfabetin një e të përbashkët? -Me të vërtet, në nja dy a tre shkronja kemi ndryshim, por ai ndryshim nuk prish punë. Fundi alfabeti një është. Rumania ka një Akademi, e, megjithatë, bota është ndarë në dy pjesë për një ndryshim të dy a tri shkronjave. Më vonë edhe ky ndryshim do të pushojë. Alfabeti i “Bashkimit”, për lirinë që i dha shqipes të shtypet apo të botohet kudo, për hijen europiane që i dha shkrimit të gjuhës sonë, për shërbime të tjera që ka për të bërë në sy të botes, meriton me të vërtet emrin ALFABETI KOMBETAR I QYTETERUAR. Alfabeti i Moskoveve e i Turqeve, i Meemureve e i zaptieve, i harbuteve e i ulefexhijve, me hijen aziatike e të ndyrë që ka, me pengesë e botimit që u sjell librave shqipe, s`meriton tjatër emër përveç ALFABETI I EGER I HARBUTEVE. U bë nevojë t`u thyejmë hundën një herë harbutëve. Në kanë për të thënë gjë, të re, do t’u përgjigjemi. Po, në zënçin të këndojnë për të mijtën herë këngën e zaptieve, nuk kemi kohë për të humbur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Abetari shqip, Faik Konica

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT