• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UNË, FAIK KONITZA, PROTESTOJ!

November 13, 2013 by dgreca

PËR FRONIN E SHQIPËRISË KËRKOHEJ MBRET QË MË 1912/*

Në këtë Botë s’paska gjë që s’duhet ta presë njeriu. E papritura është ajo që duhet pritur më tepër, dhe kjo fjalë u vërtetua në cështjen e zgjedhjes së Mbretit për Fronin e Shqipërisë. Pas Dukës s’Abruzzit, Princ Akse’lit të Danimarkës, Princit të Ëirtemburg-ut, Princit të Rumanisë, edhe princ Victor Napoleonit, na doli edhe një kandidat…arap!

Vatra mori nga kolonia e Shqiptarëve të Misirit një letër në të cilën përkrahet me nxehtësi kandidatura e Princit Ahme’t Fuat.

Që Kandidatura e këtij princi është serioze, e marrim vesh edhe nga shtypi i Evropës. Gazeta “Zeit” e Vienës, pas një telegram në Transcript të Bostonit, thotë që Ahmet Fuati, këmbeu tani shpejt vizita me kontin e Berchtold-it, dhe që ky këmbim vizitash, provon se kandidatura e princit të Misirit është e pëlqyer dhe ka të ngjarë që të vejë mbarë.

Atdhetarët shqiptarë të Misirit i luten Federatës Vatra të përkrahë dhe kjo kandidaturën e Princ Ahme’t Fuat, të cilin e lëvdojnë me nxehtësi si të mirë dhe të zotin.

Pa mohuar cilësitë e njeriut, të cilin as që e kishim dëgjuar më parë, pa vënë re se ka të ngjarë se mund të zgjidhet, si i pëlqyer nga Austria, i përkrahur nga fanatizmi i fshehur i Muhamedanëve, dhe nga moskuptimi e ftohtësia e të krishterëve-unë, Faik Konitza, protestoj kundër zgjedhjes  së një princi musliman për Fronin e Shqipërisë, edhe u lutem bashkadhetarëve të mij të mos bëjnë që në krye një lajthim politik të trashë, i cili do të ëvrë, tërë të pritmen e Shqipërisë në rrezik. Mbaroj një detyrë të shenjtëduke u thirrur:”Qëndroni”!( Botuar ne Dielli, 5 Dhjetor 1912.Të plotë e lexoni në Diellin e printuar)

Filed Under: Histori Tagged With: Faik Konica, proteston

KUR FAIK KONICA, I NERVOZUAR, I SHKRUANTE ISMAIL BEJ VLORËS

October 30, 2013 by dgreca

Ekselenca e Tij/

Ismail Qemal Beu/

Kryetar i Guvernës Provizore të Vlonës,/

VLONË/

Sado Ju luta Zotërisë s’Uaj të mirni në sy të mirën e Kombit edhe të zeni një udhë tjatër, nukë vutë aspak veshin. Shqipëria u plackit prej kapitalistëve të huaj, ushtarët serbë dhe grekë janë në tokë t’onë, guvernë nuk kemi, populli i hidhëruar bërtet dhe po ndizet përditë më tepër, të gjitha këto jua kam thënë. Edhe dy ditë më parë jua përmenda. Po Zotëria Juaj prapë mbani udhën që nistë. Prita miaft, prita shumë. Është rrezik për vendin të pres më tepër. I shplava duart dhe’ Ju dërgoj demisionin për të mos marrë asnjë hise në fajet t’uaja. Ju bëj të njohur se Shqipëria e Mesme, e mbledhur sot në Kuvend në Durrës, formojë Shkumbinin(më… përtej…) Koha e fjalëve shkoj. (Te plote mund ta lexoni ne Diellin special me shume faqe te 28 nentorit 2013)

Filed Under: Histori Tagged With: Faik Konica, i nervozuar, i shkruan, ismail Bej Vlores

Faik Konica, aristokrat edhe kur shau

October 23, 2013 by dgreca

Nga ARSHI PIPA/

Faik Konica! Kush nuk e njeh? Emni i tij asht njeni prej ma të dashunvet. Po mbushet afër nji gjysë shekulli qysh kur ky emën tingëlloi për herë të parë në veshët e Shqiptarëvet. Vinte që larg, nga nji vënd i huej dhe delte për me mprojtë të drejtat e Atdheut. “Albania” quhej ky za, dhe ishte, në shkretin e kulturës shqiptare,nji “vox clamans in deserto”. Ç’atëherë nami i Konicës u vendos në fronin ma të naltin e mendjes shqiptare. Dhe si hypi nji herë nuk luejti ma. Gjatë gati nji gjysë shekulli fjala e tij erdhi ndër veshët tonë, ndër mendjet tona, me intervale herë ma të shkurta here ma të gjata. Jo e shumtë, jo e shpeshtë, ma fort e rrallë,,, rrallë e për mall. Dhe gjithherë e ndrrueshme, gjithherë e freskët. Dhe kur vinte, mbassi kishte shkapërcye kontinente e oqeane, kishte tinguj të nji mendësije së ndryshme, perëndimore, ma të qartë, e qi ma se nji herë i u-dukshin të çuditshme botës së vjetër shqiptare. E sigurisht Konica qe mendja ma e ndrituna e gjithë historis sonë letrare. Noli punoi shumë ma tepër e ma me fryt. Por Konica qe për cilsin. Të tjerë dhanë punën: ai dha tonin. Aristokrat i lindun. Sugjeroi, drejtoi, zakonisht i ndjekun me nderim. Por ndodhi shpesh qi nuk e kuptuen. Atëherë u ¬idhnue, talli ashpër, shau.Aristokrat edhe kur shau, ashtu si vetëm ai dinte të shante! Po pse mos me i thanë qysh tash të metat e tija njerzore? Ai nuk qe shembull mase e drejtsije. Pasjoni e verboi shum herë. Kishte nji faj sidomos (faj tamam aristokrati!): nuk mund të shifte tjetër kënd sipër vehtes, bile as pranë vehtes. Por në të vërtetën cili mund t’i afrohej? Çka tjerët kishin veç e veç a mangut, aj pat të gjitha së bashkut e në mënyrë të plotë. Kurrgjë s’i mungoi, nga kultura e madhe shkencore te ndjesija e imtë artistike, nga magjija e rrallë e bisedimit te shëndeti e hijeshija fizike. I vetëdijshëm për epërsin e vet nuk duronte qi ndokush të mos ia njifte. Të kishte pasë rrufena, si Zeusi, do të kishte shigjetue ata qi nuk e adhurojshin. Por fjalën: nuk e kurseu me e përdorë, kur u inatos, si armë, ma keq se armë. Mos të ngutemi me thanë se bani keq. Të kujtojmë pak se me ç’njerëz e me ç’koka pati punë. Ndërmjet “anadollakëvet” e “sharllatanëvet” ai ishte nji fenomen anakronik. Kuej me i folë për art, “anadollakut në mësallë”?Çdo njeri qi dinte me shkarravitë dy harfe shqip na mbahej për reformator gjuhe! E atëherë aj u idhnue e drodh kamxhikun e satirës..Pamje njimend e kureshtme ishte kjo me pa “gentleman-in” ma të përsosun tue i u-vërsulë me shamjet ma të ndyta kundërshtarit! Sed quod non facit indignalio? Ishte nji shpirt i çuditshëm ky Faiku, privilegjet e atij i u-dukshin të natyrshme! U a kishte zili të tjerëve mallin për Shqipni! T’ishte e mundun, do të donte t’i shërbente asaj aj vetëm, si nji grueje të dashun! Dhe qe kështu – ndonji herë i padrejtë, ashtu si mund të jetë ai qi ka zilin e dashunis.
Njeri ekstremesh! Njeri pasjonesh të mëdhaja. Këndej nuk “begendiste”, andej nuk falte. E kështu shkroi e foli mbi art me delikatesën më të madhe me ndijimin ma të thellë. Por kur shau u mori hua rrugacavet fjalorin e tyne.Nuk shkroi vepra të plota? A muejtë me i shkrue nji njeri me kto huje? Ai nuk qe nji shkrimtar i profesionit, i lidhun mbas tryeze; qe nji “shijues”. Kur shkroi, shkroi për endjen me shkrue. Estet. Aristokrat deri n’art. Ç’ishte për të me mbledhë ndër disa volume ato qi shkroi gjatë jetës së vet? JO, nuk e bani. Kjo nuk i ka hije zotnis së madh qi asht msue me hjedhë mendime e humor “par dessus le marche”! Të tjerë le t’i mbledhin, në dacin! Zotnija i madh shpenzon në të djathtë e në të majtë, falë e darovitë, nuk ep me fajde.Nji herë vetëm mori mundimin me botue nji libër. Dhe ky olibër qe nji përkëthim prrallash arabe nga “Njimij e nji netët”. Asht kjo mënyra e ndonji lordi anglez qi kujdeset për punë të votës dhe të vetat i len mbas dore.Ç’ndryshim midis tij e Nolit! Noli punoi, me vullnet hekuri, gjithë jetën. Noli qe demokrati i madh i letërsis sonë. Krahazoni Nolin qi bahet prift për t’u shërbye bashkatdhetarvet të vet, me Konicën qi bahet ministër tue e kalue kohën ndër “soirees” diplomatike dhe ndër andjet e holla t’artit e të muzikës. Nji aristokrat i tillë a mund të pajtohet me nji demokrat si Nolin? E shkurtë qe prandej miqsija e tyne.Pat thanë një herë Ëilde: “Kam vue të gjith gjenialitetin tim në jetën teme, por vetëm talentin tim në letërsin teme”. Kto fjalë i përshtaten mjaft Konicës. Larg nesh mendimi më e krahazua jetën e tij me atë të “dandi-t” Ëilde! Por kush mund të mohojë se luksi e fama atij nuk i pëlqejshin? Ata qi e njofton tregojnë se shijet e tija epikureane ishin fort të pasuna. Ishte nji burrë i pashëm, me nji shëndet për t’i pasë zili. I pëlqente pra “jeta”, kuptohet. I pëlqente edhe me u-veshë mirë. Ndonjiherë ngjeshte edhe fustanellat e delte ashtu nëpër kremte e gostina, ose edhe nëpër “Hyde Park”.Jemi të mendimit se personaliteti i shkrimtarit asht gjithmonë çelsi i artit të tij. Nuk arrijmë me kuptua se si arti e jeta mund të jenë te artisti dy anë të ndryshme, të kundravendosuna. Dhe në qofshin këto nji herë të vërteta te artisti i zakonshëm, qi e idealizon jetën e vet n’ art, janë dhetë herë të vërteta të ata të rrallë qi, tue ndrrue mardhanien, e sjellin artin e tyne në jetë, tue e ba jetën e tyne poezi, tue e artistizue. Baudelaire! D’Annunzio! Konica u përngjet pak, për së largu.Portreti fizik i Konicës, ashtu si e shikojmë në fotografin e tij tipike të riprodhueme shum herë, asht pasqyrë shum e qartë e karakteristikavet të tija shpirtnore. Na duket Konica këtu në moshë të pjekun, medje të shtyme, njeri qi ka jetue dhe qi din ç’asht jeta. Fëtyra e tij e mbushun, plot shëndet e gjak, rrëfen nji shpirt të knaqun nga vehtja. Vijat janë të hajthëta, me lakime elegante të nji fëtyre fisnike. Dhe në kët fëtyrë dy gjana bijnë në pah me nji herë: sytë e goja. Sytë kanë nji shkëlqim të jashtëzakonshëm, nji shkëlqim të prehtë e të ftohtë, sy çeliku. Inteligjenca e madhe e Konicës vezullon çiltaz ndër kta sy. ‘Por kur zbresim ma poshtë ndeshim dy buzë “fine”, jo të trasha jo të holla, të lakueme në nji mënyrë qi nuk mundesh me dallue me shpejt a asht gaz i ambël apo ironi. Por në se ke lexue ndonji shtyllë nga “Dr. Gjilpëra”, ose nga “Gaspariano”, nuk ke ma dyshim: ajo buzëqeshje asht ironi. Gjithë ajo inteligjencë qi ndriçon nga sytë e Konicës vjen e del nëpër ato dy buzë të lakueme, natyrshëm; për tallje. Inteligjenca asht ba “humour”: ke njoftë njeriun.Inteligjenca asht cilsija e madhe e Konicës. Ndër tjera rrethana, ndër tjera kushte shpirtnore do të kishte muejtë t’ushtrohej me fryt të ndryshëm. Edukata frënge, me traditën e saj të satirës, nga D’Aubigne te Voltaire, trajtoi Faikun pamfletar. Anglija, atdheu i humorit, i zhvilloi edhe ma tepër sensin e ironis. N’Amerikë mandej ato gjetën trollin e përshtatshem për me u-ushtrue.Pamfleti shkatrron, dhe ironija, vetëm, a mund të krijojë? Ironija asht nji “forma mentis”, asht trajtë, asht stil. Kur nuk asht e shoqnueme me fantazi krijuese ajo mbetë në planin e fragmentavet e të vijosjevet të shpejta, “essai” a përshtypje e rasës. Ironija pa peshën e landës asht fluturake: asht ndër hujet e erës qi e shëtitë për pak, herë këndej herë andej.Inteligjenca nuk krijon: ndritë, sqaron, e shum shum ndryshon: asht themelisht kritike. Konica pati të gjitha vetitë për me qenë nji “essayiste” i shquem: kulturën filologjike-estetike, shijen e artit, prehtësin e gjykimit. Ato prova qi kemi prej tij e dëshmojnë qartaz këtë. Por aj kishte ma tepër se kaq: kishte ironin. E përdorun me masë e me takt ironija, kjo dhuratë hyjnorësh, mund të krijojë vepra madhështore kur asht e drejtueme nga nji qëllim serioz, nga nji dëshirë universale. Ndonji herë Konica ja arrijti ktij ideali. Përshkrimet e tija te “Shqipërija si m’u duk” mbi ata “memurë” anadollakë e mbi ata tjerët, paljaço të qytetnimit europjan, “robotë” e “levantinë”, janë të nji humori të shëndoshtë: dhe kjo, pse Faiku frymëzohej jo ma nga marazet e ngusha vetjake por nga nji ideal kombtar. Por shpesh zotnuen te aj edhe inatet politike, pasionet e pezmatueme. Dhe ironija, u-ba atëherë sarkazëm, dhe sarkazëm vetjak.Por gjindej, te Konica, edhe nji mall i fortë për bukurin e pastër. Aj, shijues aq i hollë i muzikës dhe artit, përpara disa qneave natyrore ngashërehej. Ose kur vinte “dita e verës” dhe mendimi i fluturonte tek kohnat e bardha pagane, ose kur shkonte “anës liqenit”. Shpesh ishte malli i Atdheut. Herë tjera ishin kujtimi i kohnavet të fëminis kur i rrëfejshin përralla si “e bija e mbretit dhe trandafijë”, ose ato qi tregohen “në hijen e humave”. Ky tel minor i Faikut tingëlloi ma rrallë e “in sordina”. Zakonisht e mbyti tingulli i ashpër e larkjehues i satirës. Por kur tingëlloi qe plot magji. Piktura ma të përsosuna, ndjenja ma t’imta nuk ka përshkrue deri sot penda shqiptare. Qe nji shembull:“Nata po afrohet. Drita e ditës tretet dalë nga dalë; e, mbi tjegullat e shtëpive, mbi drrasat e rrugëve, mbi fletët e pemëve, mbi trupat e epila të çupave që shkojnë, një ngjyrë manushaqeje-një ngjyrë gushë pëllumbi, si thonë në ca male t’ona- shtihet, e i mpështjell. Mbasandej, pakë nga pakë, manushaqet çfletohen. Hijet bëhen më të dëndura, më të zeza. Njëri mbas tjetrit, yjtë çpojnë qiellin, e pikëlojnë dritë. Nata u afrua. (“Albania” v.II. n.6, fq 92).Por Konica nuk u kujdes me i lanë të shkruese të gjitha përshtypjet e veta. Ndoshta prej përtacije! Shënojmë se veprën e tij të madhe, koleksionin dymëdhjetë vjeçar t’ “Albania-s” (1897-1909), e bani sa qe i ri, në hovin e atij entuziazmi djaloshar qi krijon zakonisht gjanat e reja, e ndonji herë të mëdhaja. Sigurisht i nji tjetër kalibri ishte vullneti i Nolit, qi punoi pa u-lodhë, vazhdimisht. Konica përkundrazi e ndali hovin mbas botimit t’”Albania-s”. Çka shkroi prej këndej deri sa vdiq, gjatë një periudhe gati tri herë ma të madhe se ajo e “Albania-s”, asht relativisht e paktë në krahazim me punën qi derdhi te revista. Ishte orvatë me ngul ndërmjet sa vështirsish për të mbajtun rivistën. Kur i erdhi fama e bashkë me atë edhe mirëqenja ekonomike e rehatija, u-duk shpirti i tij prej aristokrati qi e ban letërsin për qejf, kur nuk e ban për huj.Në të vërtetë kjo pat qenë ma vonë, kur Konica, mbas nji periudhe gjithaq të gjatë sa ajo e “Albania-s” (1909-1921), u vendos n’Amerikë për mos me luejtë ma, përveç nji vizite së shkurtë qi i bani Shqipnis në 1929. Kjo periudhë e dytë asht periudha politike e Konicës, sa e frytshme për rilindjen tonë kombëtare, aq e vorfën në prodhimin e tij letrar. Mbas këndej Konica qe i lirë e mueti me ba jetën qi deshi. I njohun si përfaqësuesi i gjithë shqiptarvet t’Amerikës, ma parë prej Qeveris së përkohëshme e më vonë prej Monarkis, aj kishte tash kohë e mundësi për me punue me nge në fushën e letravet. Gjatë kësaj kohe, dyfish ma të madhe se ajo e periudhavet të para (1921-1943), Konica, do të kishte muejtë të prodhonte shum ma tepër se shtyllat e “Dr. Gjilpërës”, reportazhin e “Shqipëria si m’u duk” dhe përkëthimin e prrallavet arabe.Shkaqet duhen kërkue jo aq te ambienti i rafinuem diplomatik ku shpirti prej natyre përtac i Konicës nuk gjeti nxitje për punë (ka pasë edhe tjerë diplomatë qi kan dijtë me përfitue nga rehatija e jetës diplomatike në dobi të poezis), se sa te vetë struktura etike e Konicës. Kjo strukturë ishte e tillë sa nuk mund të prodhonte vepra të plota. Konica ishte nji estet, dhe cili estet nuk asht i lidhun ngusht me ego-n e vet? I munguen Faikut ato ideale qi e derdhin njerin në nji humanitet ma të gjanë se bota e vetvehtes. Nuk gjejmë në të hove dëshirash altruiste, zell apostulli. Konica rroi e vdiq i pamartuem, nuk e njofti pra familjen si vlerë etike. Popullin aj s’ e ndjeu afër tue qenë ariostokrat. Fen e injoroi. Ndër idealet etike qi mund t’i epshin landë krijimit të Faikut, vetëm nji ngelte, atdheu. Atdheut aj i shërbeu si ma i madhi bir i tij. Vepra e tij atdhetare imponon nderim. Por tue lanë mënjanë shërbimet diplomatike qi s’kan të bajnë me poezi, puna atdhetare e Faikut qindron ma tepër te kritika e anës së dobët se sa te lavdimi i anës së mirë të shqiptarit. Vuni në dukje të metat pa cinue virtytet t’ ona. Dhe kjo, kujtojmë, rrodhi prej se Faiku u-shmang nga tradita. I dalun jashtë vendit qysh herët, e i edukuem me kulturë prendimore, aj qe i pari njeri modern i vërtetë ndër shqiptarë. Kjo mendësi moderne, qi i dha prehtësi e guxim me vue në satirë mbeturinat anadollake arnautishte, e lergoi Konicën nga kuptimi i atyne rrajëvet të forta e të shëndoshta qi qenë gjallnija e Shqiptarit gjatë shekujvet. Shembull domethanës në kët pikpamje: moskuptimi i tij rreth Naimit.Kto vlera etike, familja, tradita, humaniteti, feja, janë ato qi i japin ushqim poezis së madhe. Dhe kto Konica nuk i pat fort të zhvillueme. Por për me qenë poet mjafton shpesh herë me i besue Artit, tue ja dhurue jetën kultit të tij. Kështu arti fiton humanitet dhe, nga nji luks shndrrohet në nji nevojë, nga nji punë qejfi bahet vlerë etike e epërme. Konica nuk ja flijoi jetën e vet poezis. Aj bani të kundërtën: ja flijoi jetës poezin e vet. Arti ishte i vetmi shkamb ku do të mund të ngulej. Aj nuk e mori seriozisht, nuk u-pengue mbas tij. E bani “me shaka”, kur i u-tek. T’i kishte besue artit do të kishte qenë Heine i letërsis sonë. Kurgja sa “Shqipëria si m’u duk” nuk përgjasohet me “Reisebilder”.Ky qe Konica dhe kjo vepra e tij. Rrallë herë shprehja e famshme: “Le sytle c’est l’homme”, gjen nji trupzim ma të përshtatshëm se te Konica. Pse ai qe i tani stil. Njofti të gjitha të mshehtat e stilit, të gjitha kthesat. Stili i tij qe në thelb satirik. Të tana gamat e satirës ai provoi, prej ironis ma s’ambël deri në sarkazëm, prej humorit deri në pamflet. Por qe edhe i kthjellët e i ambël kur deshti.
Ndikimi i tij mib letrat shqipe qe i madh e i vijueshëm në kët vështrim. Proza toske i detyrohet Konicës. Të gjithë shkrimtarët toskë morën mësim prej tij. Prandej sot proza toske asht e njitrajtëshme, ndërsa gegnishtja nuk asht kristalizua ende pse nuk ka gjetë nji mjeshtër stili njësoj të madh sa Konicën.
E jo vetëm stilin e shkrimit mësoi Konica, por edhe vetë gjuhën. Kultura e tij filologjike, me baza të gjana shkencore, u-shoqnue me shijën e tij në të folun dhe të dyja bashkë përftuen at gjuhë të pastër qi sot rrjedh aq bukur ndër shkrimarët toskë ma të mirë.Stili n’art asht gjaja kryesore. Nuk ka letërsi të vërtetë pa stil. Me pasë mësue mjetin e mënyrat e shprehjes: ky është lavdi i pavdarshëm i Faik Konicës. Asht lehtë me kritikue tue gjetë të meta e gabime. Por cili, sa do i madh qoftë, nuk i ka? Të mdhajvet t’u harrojmë mungesat dhe t’u çmojmë virtytet. Të mos kërkojmë ndër ta ma tepër se ç’na kanë dhanë. Qenë prisa, qenë pionerë ndër shtigje të parrahura, ndër pyje të ngatrrueme. Sot na ecim pa vështirsi sheshit, harrojmë shpejt se ktë nuk e kemi nga mundi i tyne. Të falenderojmë pra shkrimtarin për sa na ka dhanë dhe të përkulemi me respekt përpara fëtyrës së ma të madhit stilist shqiptar, Faik Konicës.Na duket, ndërmjet atyne dy poleve të kombit qi janë gega e toska, sa i pari përban ma tepër landën, brumin e shqiptarit dhe i dyti trajtën, frymën. Dhe në se gjejmë ma të madhin përfaqsues të gegnis te Fishta, ndeshim kulmin e faqes tjetër jo te Naimi, jo te Noli, por te Konica. Botuar më 1944

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Arshi Pipa, Faik Konica

Ahmet Zogu në Hotelin Mayflower, Ku pat sherbyer 13 vjet Ministri i tij, Konica

September 8, 2013 by dgreca

Nga Agron ALIBALI/
Takimi i 17 gushtit 1951 në Hotelin e famshëm Mayflower në kryeqytetin amerikan, pikërisht aty ku Faik Konica kishte shërbyer për 13 vjet si diplomat i mbretërisë shqiptare në SHBA, shënoi fillimin e njërit ndër operacioneve më të sofistikuara për përmbysjen e Enver Hoxhës, çka u kthye sikurse dihet në dështim të plotë.
Në bisedën me personazhin misterioz amerikan Ahmet Zogu parashtroi planin e tij strategjik-operacional, por prej thelbit të saj mund të deduktojmë edhe disa piketakime të rrallam e krejt të veçanta, midis tij dhe Enver Hoxhës.
Dihet, fillimisht, se të dy këta personazhe që vunë në krye të shtetit shqiptar në periudha të ndryshme dhe tejet delikate, kishin kundërshti të jashtëzakonshme me njeri tjetrin. Ato përgjithësisht njihen dhe ishin së pari ideologjike e politike, por edhe krahinore, në formimin kulturore e arësimor, etj.
Kurse pikëtakimeve midis tyre u është kushtuar pak rëndësi deri më sot.
Së pari, edhe Mbreti Zog, edhe Enver Hoxha ushqenin mosbesim të thellë ndaj politikës britanike ndaj Shqipërisë. Mosbesimi i Enver Hoxhës del gjerësisht në kujtimet e tij, por përmendet edhe në dokumentet amerikane të OSS të publikuara së pari nga Peter Lukas. Aty permendet, për shembull, një moment kur Frederik Nosi, ndihmës dhe përkthyes personal i Enverit në malet shqiptare i raporton shefit të vet për një koment përçmues të një oficeri të lartë britanik, i atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ.  Po ashtu, në kujtimet e tij Enver Hoxha përmend me hollësi përplasjet e shumta me oficerët e tjerë të zbulimit anglez, që përqëndrohsehin kryesisht në mbështetjen që këta të fundit i jepnin Ballit Kombëtar e Legalitetit. Në fakt, mosbesimi lidhej edhe me sinjalet që kishte Hoxha për pazarllëqet e mundshme të Çërçillit me qeverinë greke në mërgim për copëtimin e Shqipërisë.
Ky mosbesim ndaj britanikëve, sikurse u përmend, del edhe në bisedën e Ahmet Zogut me bashkëbiseduesin amerikan. Natyrisht, edhe Zogu kishte hatërmbetje të vjetra ndaj britanikëve, qysh me reagimin e shurdhët ndaj pushtimit të Shqipërisë me 7 prill 1939, dhe më pas me injorimin për vite me rradhë të Zogut në Londër.
Së dyti, edhe Enver Hoxha edhe Ahmet Zogu ishin të shqetësuar për rrezikun që mund t’i vinte vendit nga pretendimet e pabaza të Greqisë, të mbështetura në mënyrë absurd nga politikanë britanikë.  Zogu ia shprehu fare qartë këtë shqetësim bashkëbiseduesit amerikan. Prandaj,  ai edhe kërkonte deklaratën paraprake të mosndërhyrjes, dhe e shprehu haptaz frikën e tij për   pazaret nsaj Shqipërisë së Jugut.  Po ashtu, edhe qëndrimi i Hoxhës në këtë drejtim dihet: ai ishte krejti qartë dhe i prerë.
Por ndërsa Hoxha nuk ngurroi të deklarojë botërisht se, po qe se do të shkelej qoftë edhe një pëllëmbë e kufirit shqiptar, do të derdhej gjaku deri në gju, Zogu përmendte “mekanizmat” e OKB-së. Ndofta Zogu llogariste se atij i nevojitej ndihma greke për përmbysjen e Hoxhës dhe deri aty ishte maksimumi i kompromisit të tij. Në këtë drejtim ndofta duhet parë edhe mendimi i Zogut për nevojën e një force ushtarake prej 10,000 burrash për të ndërhyrë në Shqipëri. Praktikisht, një forcë e tillë ushtarake, besnike e Mbreti dhe me pikëpamje detyrimisht nacionaliste,  e vendosur në territorin grek pranë kufirit shqiptar dhe e gatshme për t’u future në Shqipëri, do të mund të shërbente edhe si deterrent për çfarëdo ideje apo përpjekje të Athinës për të copëtuar vendin.
foto: Dy faksimile nga dokumentet sekrete ku dëshmohen takimet e tij sekrete për të organizuar aksionin për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës në 1951)

Së treti, Zogu dhe Enveri – edhe pse në rrethana të tjera kohore – takoheshin në një pikë tjetër; atë të të qënit në krahun e fitimtarëve. Zogu ia tha copë bashkëbiseduesit amerikan: në pritje të Luftës III Botërore, do të duhej që Shqipëria të ndodhej në krahun e Perëndimit fitimtar, sepse vetëm kësisoj do ta ruante integritetin e vet tokësor. Natyrisht që kjo analizë e Zogut doli e gabuar, dhe koha e hodhi poshtë, pasi nuk plasi luftë. Mirëpo këtu ai me siguri do të kishte patur ndërmend faktin kokëfortë se Lufta Nacional Çlirimtare dhe çlirimi i vendit në nëntor 1944 e vuri Shqipërinë përfundimisht në krahun e Aleancës së madhe antifashiste SHBA – Britani e Madhe – Bashkim Sovjetik, dhe kësisoj bllokoi çdo pazarllëk për copëtimin e mundshëm të Shqipërisë në Konferencën e Paqes.

Madje, në një ndër seancat plenare të kësaj Konference Enver Hoxha botërisht përcolli sakrificat e pashembullta dhe gjakun e derdhur të popullit shqiptar për liri, dhe hodhi poshtë çdo insinuatë që e fuste Shqipërinë ndër vendet humbëse. Gjejmë rastin të theksojmë se në atë fjalim, Enver Hoxha jo pa qëllim nuk e përmendi asfare Mbretin Zog, edhe pse e kishte rastin për ta denigruar botërisht. Arësyeja për këtë “harresë” të qëllimshme të Enverit ishte se, me siguri, ai e kishte parasysh praktikën e vazhdimësisë së shtetit në të drejtë ndërkombëtare, dhe prandaj Ahmet Zogu, edhe pse u largua nga vendi pa lavdi në 7 prill 1939, ishte udhëheqës i ligjshëm i vendit të paktën deri në momentin e agresionit fashist ku Shqipëria humbi pavarësinë dhe sovranitetin.

TAKIMI I DYTË – NJU JORK, 30 GUSHT 1951

Po le të hidhemi tek takimi i dytë midis Ahmet Zogut dhe bashkëbiseduesit misterioz amerikan, që në dokumente, ritheksjomë se kishte detyrën e Shefit të Drejtorisë 1 të Evropës Lindore. [Chief, EE-1].  Takimi u krye gati dy javë më pas, në Hotelin Delmonico në Nju Jork. Personazhi misterioz u paraqit atje në orën 19:30 dhe menjëherë i deklaroi Zogut se “ne e kemi vrarë shumë mendjen  [had given serous thought] për diskutimet tona të përparëshme për operacionet shqiptare”.
Vërejmë këtu përdorimin e shumësit, çka nënkupton se dy personazhet tona ishin takuar dhe kishin rrahur mendime edhe përpara takimit në Mayfloëer. Sipas raportit dyfaqesh të gjendur në arkivat amerkane, ku bashkëbiseduesi amerikan i referohet Ahmet Zogut gjithmonë si “mbreti”, biseda u vazhdoi pak a shumë kështu:
Amerikani fillimisht tha se “nëse Zogu do ta quante të vlefshme, ne do t’ju japim të gjithë asistencën e mundshme materiale për infiltrimin a një grupi të vogël agjentësh të nivelit të lartë që do të siguroheshin prej tij me qëllim kryerjen e misonit të rikonjicionit në Shqipëri dhe për vendosjen e kontaktit me njerëz që janë miqësorë ndaj Zogut, të cilët ndodhesibn në ushtrinë dhe qeverinë shqiptare, si dhe me grupe të rezistencës që njerëzit e tij do të mund të takonin”.
Pra, amerikanët konfirmonin mbështetjen e plotë materiale. Po ashtu, në bashkërendim të plotë me Ahmet Zogun, ata përcaktonin edhe objektivat kryesore të misionit “Molla”, që ishin: (i) njohja e gjendjes në terren; (ii) kontakti me personalitete të larta miqësore ndaj Zogut në ushtri dhe qeveri, dhe (iii) kontakti me grupe të tjera të rezistencës antikomuniste.  Se cilët do të ishin këto “kontakte të larta” do ta shikojmë më pas.  Amerikani shtoi se “ne do të zgjedhim edhe një operator radist [Ë/T operator] që do të shoqërojë grupin”.
Ish-Mbreti u përgjigj duke thënë se ishte i gatshëm të vendoste njerëzit e tij në dispozicion. Ai sugjeroinjë grup prej dy ish- oficerësh, që tani jetonin në Egjipt, sëbashku me dy shoqërues apo udhërrëfyes, që do të ndihmonin oficerët për të lëvizur nëpër zonat kritike. Radisti i ofruar nga amerikanët do të ishte pjestari i pestë i grupit. I gjithë operacioni duhet të kryhet në mënyrën më të fshehtë dhe njerëzit e tij duhet të silleshin në Greqi në rrugë sekrete. Ndofta ata fillimisht mund të transferoheshin në ndonjë vend tjetër Evropian ku pala amerikane mund t’i takonte dhe të organizonte transferimin e tyre klandestin në Greqi. Zogu do të urdhëronte ndihmësin e tij, Kolonel Selmanin, që të ndihmonte palën amerikane në instruktimin e këtyre njerëzve në Greqi.
Mandej bashkëbiseduesi amerikan pyeti nëse Zogu mund të bënte me dije emrat e agjentëve të zgjedhur prej tij.
Ish Mbreti u përgjigj se  “Do të më duhet njëfarë kohe për të zgjedhur individët e posaçëm, por do t’ju njoftojmë me t’i caktuar ata”. I rrahur si gjithnjë, ma vaj e me uthull, Zogu nuk harroi të shmangë përgjegjësinë nga radisti.  “Po ju paralajmëroj, tha ai, se unë mund të mos kem njohje për radistin e zgjedhur prej jush, prandaj përgjegjësia është tuaja sa i takon besnikërisë [trustiërothiness and reliability] së tij.”
“Shpresoj, shtoi ai, se ju do të përdorni materiale kriptografike, të cilat të mos lexohen nga rusët, që janë shumë të aftë në thyerjen e kodeve dhe të shifrave”. Ai natyrisht kishte parasysh dështimet e misioneve të mëparshme në Shqipëri.
Sipas raporti, biseda zgjati edhe një orë më shumë, me një diskutim të përgjithshëm për tema të nxehta të ditës të rrahura edhe më parë midis tyre.  Ato kishin të bënin me “arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë të problemit izraelo-arab në Lindjen e Mesme, nevojën për veprim të fuqishëm kundër komunistëve në Kinë, etj”.
Në fund, Zogu përmendi edhe faktin se ai “kishte takuar gjeneralët MacArthur dhe Clay, dhe kishte mbetur me mbresat më të mira lidhur me kuptimin që ata kishin për çështjet që Zogu u kishte paraqitur”.

Filed Under: Histori Tagged With: agron alibali, Ahmet Zogu, Faik Konica, ne Mayflower

FAIK KONICA PËR GJENERAL PANGALOS

September 7, 2013 by dgreca

Në rubrikën”Shtylla e Faik Kontizës”, gazeta Dielli e së shtunës të 10 prillit 1926, botonte kronikën me titull”Politika e Gjeneral Pangalos”. Në të shkruhej: Masat e Gjeneralit Pangalos për të mbyllur klubet epirote dhe për të njohur të drejtat e pakicave shqiptare në Greqi, kanë bërë një përshtypje të madhe në mes të shqiptarëve si përtej ashtu edhe këtu n’Amerikë. Pemët e para të kësaj politike të re dhe mirëdashëse nisnë të duken. Një anëtar i Vatrës nga Çamëria, i cili është edhe anëtar i “Komisionit për të Mprojtur të Drejtat e Popullit të Çamërisë”, z. Abdul H. Abas, vizitoi pardje zyrat e Federatës dhe na lajmëroi se disa Çamër, që ndodheshin në burgjet e Greqisë për ndjenjat e tyre, u liruan dhe u kthyen në shtëpitë e tyre.

Veprimi i Gjeneral Pangalos është guri i parë në të themeluarit e një miqësie të kthjellët në mes të Greqisë e të Shqipërisë, dy vende të lidhura nga shumë interesa të përbashkëta.

Nëqoftë se politika e tij zë rrënjë dhe bëhet paskëtaj politika e vendosur e Greqisë kundrejt Shqipërisë dhe elementit shqiptar, fitimi do të jetë i madh për të dy kombet.

Zoti Kondulis, ministri i Greqisë në Shqipëri, është për t’uruar për mbarëvajtjen e një politike të cilën besojmë se e ka dëshiruar prej kohësh. Pa Zotësinë e një Burri Shteti si Gjenerali Pangalos, një politikë e këtillë do t’ishte e pa mundur, por dhe roli këshillonjës i një diplomati të vyer si zoti Kondulis do të ketë patur rëndësi.

Nga ana e Shqipërisë, duhet të mos harrojmë se udhën e një marrveshjeje e kthjellët e hapi politika e hollë dhe e gjallë e Guvernës së President Ahmet Zogu, i cili është përpjekur kurdoherë për një afrim; afrim i pamundur nën demagogjinë e Fan Nolit.

Në këtë çast kur një rreze shprese po ndrit mi fatin e Shqiptarëve të pakët që rrojnë nën Greqinë, më vete mendja tek ata njerës me kurajë që janë përpjekur, pa frikë, për të përmirësuar gjendjen e popullit në ditët e errta, dhe i pari që shoh është Musa Demi- një shqiptar i kthjellët që s’ka kursyer asnjë rrezik për veten e tij, ka pësuar dëme, ka ngrënë burgje, por ka mbetur i patundur. Një njeri si ky duhet të nderohet jo vetëm nga ne po edhe nga grekët me karakter.

KOMPLOTI I SELANIKUT PËR RRËZIMIN E PANGALOSIT

Në ditët e para të prillit 1926 në Greqi u organizua një komplot që mori formën e një kryengritje me qëllim përmbysjen e Gjeneral Pangalos. Kryengritja kryesohej nga tre oficerë të ushtrisë ; majorët Bakerxhi, Karakufa, dhe Xhavella. Qendra e kryengritjes ishte në Selanik dhe shumë shpejt u shtyp nga Pangalos. I lidhur me kryengritësit ishte edhe Gjenerali Panagjotopulos, ish Ministër i Punëve të Brendshme, i cili u arrestua bashkë me të tjerët. Xhavella ishte një bashkfshatar dhe mik i ngushtë i Gjeneralit Plastiras. Të arrestuarit u dërguan në Athinë,  për t’u gjykuar më pas nga një Gjykatore ushtarake.

Çfarë kërkonin kryengritësit?

Korrespondenti i Associated Press në Beograd njoftonte se sipas lajmeve të mbërritura direkt prej Selanikut, kryengritësit numëroheshin lart mbi  5,000 vetë dhe ishin të armatosur me armatime të rënda, përfshi edhe Topa. Çfarë kërkonin ata: E para, gjenerali Pangalos të hiqej nga fuqia, e dyta të formohej një Guvernë neutrale, e treta- të bëheshin zgjedhje të lira; e katërta , të merrte përsëri presidencën Admirali Kundurriotis; që kishte humbur në garën presidenciale përballë Pangalosit, e pesta të bëhej amnisti e përgjithshme për të gjithë ushtarët dhe udhëheqësit e depërtuar.

Filed Under: Histori, Kulture Tagged With: Faik Konica, per Gjeneral Pangalos

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI
  • “E DREJTA ZAKONORE E ÇERMENIKËS. KANUNI I MUST BALLGJINIT” 
  • Retorika e Serbisë si agresion psikologjik: narrativa e rrezikshme e Aleksandar Vuçiçit në Ballkan
  • Çfarë “shteti” deshi Mehmet Ali pashë Misiri në luftën e tij kundër sulltanit osman?
  • 1939 / AUDREY SHAH : JU RRËFEJ TAKIMIN ME MBRETIN ZOG NË HOTEL RITZ (LONDËR)
  • Ndalimi i investitorëve nga tregu i shtëpive: a është zgjidhja reale?
  • “Pse ShBA nuk e pushtuan por e çliruan Venezuelën nga Maduro/t”
  • SPEKTËR…
  • ME SA POLITIKA SHIGJETON SERBIA NË DREJTIM TË KOSOVËS?
  • VENDI IM / 7th Annual Concert
  • ZOTI, SHPIRTI, BIBLA, DOGMA DHE MENDIME FILOZOFIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT