Faik Konica mbetet një nga figurat më të shquara të historisë së Shqipërisë dhe veprat e tij mbeten po kaq aktuale sot e asaj dite. Më poshtë, gazetari i Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi ka publikuar një tekst ku Konica flet në Romë për vizionin e tij mbi qeverinë e ardhshme të Shqipërisë. Bëhet fjalë për qershorin e vitit 1919, 97 vite më parë. Që prej atëherë, shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Ashtu sikurse tani kur flitet me të madhe për gjyqësorin, edhe atëherë, Konica kërkonte emërimin e njerëzve të ndershëm në drejtësi.
Konica: Në Shqipëri do të ketë popullaritet vetëm ajo qeveri që do t’i japë vendit atë që i mungon: një administratë të matur, aktive dhe të shkathët, që sillet me respekt dhe jo me dhunë ndaj qytetarëve, sepse pas drejtësisë, populli shqiptar nuk vlerëson asgjë tjetër përveç mënyrave të buta të sjelljes.
Gabimi më i madh që bëjnë disa qeveritarë është kur mendojnë se brutaliteti tregon energji, ofendimi tregon forcë. Përkundrazi, këto janë shenja të dobësisë.
Një rëndësi e veçantë u duhet kushtuar gjykatave. Atje ku do të emërohen gjyqtarë vërtet të ndershëm, të paanshëm dhe të zotë, qeveria do të fitojë menjëherë zemrat e popullit. Për gjyqtarë të tillë, asnjë rrogë nuk do të ishte tepër e madhe, asnjë shpenzim nuk do të ishte i kotë.”