Shqiptarët e Filadelfias festojnë ngritjen e flamurit dhe 103 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Nga Petrit ZANAJ-Filadelfia/
Pas ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar në sheshin para bashkisë së Filadelfias, në një festë madhështore me pjesmarrjen e qindra bashkëatdhetarëve, drejtuesve të shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe përfaqësuesve të qytetit të Filadelfias, në traditën e shqiptarëve të Filadelfias u mbldhëm përsëri bashkë ne restorantin Cannstatter V. V. për të festuar 103 vjetorin e pavarësisë të Shqipërisë sonë të shtrenjtë, dhe 71 vjetorin e çlirimit të saj nga pushtuesit nazi fashistë në luftën e dytë botërore. Preokupimi i drejtuesve të shoqatës dukej maksimal dhe salla e madhe e restorantit fliste vetëm shqip. Në sfondin e skenës dy figurat më të mëdha të kombit tonë, Skënderbeu dhe Ismail Qëmali, kryelartë e hijerëndë, sikur na ftonin të respektonim këto festa të mëdha, të nderonim nënën tonë Shqipëri, bijtë e saj që dhanë jetën për lirinë e pavarësinë e saj, mëndjet e ndritura të këtij kombi që vunë dijet e pasurinë e tyre, për ta bërë Shqipërinë siç e meritonte, zonjë të rëndë, me burra të mënçur e trima, që kurrë nuk i kishin munguar asaj. Në pjesën e lartme të skenës një banderolë kuq e zi “Shoqata Bijtë e Shqipes, Filadelfia” na kujtonte të gjithëve se edhe pse larg Atdheut ne jemi përsëri bashkë, kemi shoqatën tonë që na bën të mblidhemi e t’i festojmë bashkë këto festa të mëdha. Dhe në të dy krahët e skënës zbukuronin festën tonë dy flamujtë më të shtrenjtë, që i japin kuptim jetës sonë këtu në USA. Në një krah Flamuri Amerikan, flamuri i këtij vëndi të madh, mikut më të shtrenjtë të Shqipërisë, atdheut tonë e të fëmijve tanë, ku ne ndërtojmë e gëzojmë jetën tonë, dhe në krahun tjetër Flamuri Kombëtar Shqiptar, flamuri i kombit tonë e tokës amë, me ngjyrën e kuqe nga gjaku i bijve e bijave më të mirë të saj.
Kryetari i shoqatës zoti Tajar Domi përcillte me merak e kujdes çdo përgatitje dhe mirëpriste e takonte të gjithë pjesmarrësit në këtë festë. Llazari me Vlashin punonin që portretet e Skënderbeut e Ismail Qemalit, si dhe flamujtë në krah të tyre të vendoseshin sa më mirë. Bashkimi si gjithmone i kudo gjëndur për ti dhënë një dorë të fundit përgatitjeve. Nënkryetar Bujari, Erblina e Orela kontrollonin përgatitjen e tavolinave e kontaktonin punonjësit e restorantit në mënyre që si shërbimi edhe ushqimi të ishte në lartësinë e kësaj festë, si dhe saktësonin edhe një here radhën që do ndiqej në prezatimin e elementëve të ndryshëm të kësaj feste. Me tej nënkryetari tjetër Dritani, në mes të ketyre punëve, shikonte edhe një here fjalën që do mbante në ketë rast. Salla filloi të mbushet pak nga pak nga njerezit tanë të mirë e atdhetare. Fierakë e kuksianë që bëjnë një pjesë të konsiderueshme të komunitetit shqiptar në Filadelfia, por edhe korçarë e dibranë, vlonjatë e kosovarë, tiranas e durrsakë, çamër dhe librazhsit, të gjithë për të gëzuar ne festën tonë të përbashkët.
Për të nderuar komunitetin tonë në ketë festë morën pjesë si të ftuar Zonja Daniela Kristo Nesho, Konsulle në ambasadën shqiptare në Ëashington DC, Zoti Artan Didi, atashe policor, si dhe Zoti Eduart Bala, atashe ushtarak në ambasadën tonë.
Në një atmosferë të ndezur gëzimi filloi festa për ditën e madhe të Flamurit. Të gjithë të pranishmit në këmbë respektuam e nderuam të parin himnin e shtetit Amerikan. Kur filloi himni ynë i Flamurit salla e mbushur plot gjëmoi. Pjesa më e madhe e të pranishmëve këndonin së bashku duke u drejtuar të tëre në drejtim të flamurit që shpalosej pranë burrit të madh që e ngriti atë vjeshtë të 1912 në Vlorë.
Mbrëmjen ceremoniale e hapi kryetari i shoqatës zoti Tajar Domi. Me emocionin që i jepte kjo ngjarje, ai uroi pjesmarrësit, e bashkë me ta të gjithë shqiptarët kudo nëpër botë për festën e madhe të pavarësise. Duke falënderuar edhe të pranishmit e ftuar nga ambasada e shtetit shqiptar në Ëashington dhe nga Këshilli i Qytetit të Filadelfias, ai theksoi entusiazmin e bashkëatdhetarëve tanë për ti pritur sa më mirë këto festa, si dhe deshirën e të gjithrëve për ta patur sa më pranë shtetin amë, për të ndihmuar shkollën e fëmijet tanë. Mes duartrokitjeve të të pranishmëve ai ja dha fjalën zotit Dritan Matraku, nënkryetar i shoqatës për të bërë përshendetjen e rastit. Dhe fjala e Dritanit nisi me urimin më të mirë.” Gëzuar 103 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – përshendeti ai – ju, dhe të gjithë shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Çamëri, Malin e Zi, dhe kudo që ndodhen nëpër botë. Njëqind e tre vjet më parë plaku i mënçur dhe patrioti i shquar Ismail Qëmali, krah për krah me delegatët e tjerë nga të gjitha trevat e Shqipërisë ngritën Flamurin Kuq e Zi dhe i treguan gjithë botës se ky vend është i pavarur, dhe ka zot popullin e tij”.
Duke u theksuar të pranishmëve se eshtë detyrimi ynë si shqiptarë, si prinder të fëmijeve të cilëve duhet tu përcjellim gjuhën, kulturën e traditat tona, dhe ne si shoqatë e kemi misionin tonë themelor, ai u bëri thirrje gjithë pjestarëve të komunitetit shqiptar, “të dashur motra dhe vëllezër. Bashkohuni dhe antarësohuni në shoqatën “Bijtë e Shqipes”. Të dashur prindër, sillini fëmijët tek shkolla shqipe të mësojnë dhe të ruajnë gjuhën e bukur shqipe, të kultivojnë traditën dhe kulturën shqiptare, të mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar”. Duartrokitjet e gjata të të pranishmëve sikur ishin një zotim e detyrim për të qënë të gjithë bashkë, e të bashkuar me shoqatën tonë, ta çonin më tej misionin e saj fisnik.
Dhe festa filloi, gjëmoi muzika jonë aq e bukur popullore, ku një grup vajzash të reja me Suelen në krye e ndjekur nga Erblina e vajza të tjera e ndezën sallën e sikur ftonin të gjithë të kërcenim e të këndonim në këtë ditë. D.J Ervinit sikur i këndonte zemra me muzikën që luante dhe pas pak sekondash pista e salles u mbush plot, bashkatdhetarë që kërcenin e këndonin se bashku duke i dhënë kuptimin e vërtetë kësaj festë. Ardhja e këngetarit Vedat Ademi, Hermesit dhe këngetares Alida Duka e ndezi me shume sallën, rinia gjeti muzikën që donte e ndjente. Për katër ore rresht ata e mbajtën sallën në këmbë.
E në këtë atmosfere feste kuptohej se gëzimi nuk njeh moshë e lodhje. Krenaria për festat e atdheut tonë i jepte këtij gëzimi atë energji e dinamizëm që vetëm ne kurbetlinjtë në perëndimin e largët e dimë më mirë se kushdo tjetër se nga buron. Eshtë malli e dhimbja për tokën tonë, gjuhën e traditat tona që përpiqemi mos t’i humbasim, për prindërit, vëllezërit e motrat tona që i kemi aq larg e që na mungojnë në këto ditë feste.
Në mes të këtij gëzimi, erdhi për të festuar bashkë me ne, e për të respektuar komunitetin shqiptar në Filadelfia, zoti Mark F. Squilla, Këshilltari i Distriktit të Parë të qytetit të Filadelfias. Pas prezantimit që zoti Tajar i bëri te bashkëfestuesit, zoti Squilla përshendeti në emër të Këshillit të qytetit të Filadelfias. Në fjalën e tij ai theksoi se komuniteti shqiptar në Filadelfia është një komunitet i nderuar e punëtor, qytetarë të nderuar të Filadelfias. Njëkohësisht ai bëri thirrje që të ruajmë traditat tona të mrekullueshme e të punojmë fort për të ruajtur gjuhen shqipe tek fëmijet tanë.
Festa vazhdonte dhe rinia e shumtë që këtë vit e kishte mbushur sallën i jepte shkëlqimin e bukurinë kësaj feste. Por në tortën e rinise se kësaj feste ishte edhe qershia mbi të. Grupi muzikor i fëmijeve të shkolles “Gjuha Jonë” pranë shoqatës “Bijtë e Shqipes”, nën drejtimin e mjeshtrit të muzikës zotit Hamdi Gjana, kënduan dy këngë për Atdheun tonë Shqipërinë. Zërat e tyre të bukur ju përcollën të pranishmëve këngën e bukur shqipe të krijuar, orkestruar e drejtuar nga mjeshtri Gjana. Me kostumet tradicionale popullore të veshura ata rrezatonin bukurinë shqiptare. Dhe po ta shihje sallën në këto momente ndihej krenaria në sytë e të gjithëve, prindërve të tyre, vellezërve e motrave, por edhe ne të gjithëve. Janë gjaku, geni ynë, të cilët do ta çojnë akoma më lart emrin e shqiptarit këtu në Amerikën e largët.
Festa herë-herë arrinte pikun, e herë pas here organizuesit ndërhynin për të zbukuruar këtë festë. E veçanta e këtij vit festiv ishte se për here të parë shoqata “Bijtë e Shqipes” prezantoi aktivitetin më të ri të saj, në ndihmë të komunitetit. Që prej këtij viti e në vazhdim shoqata do japë bursa për disa studentë shqiptarë që plotësojnë kriteret e vendosura e miratuara nga një komision i shoqatës. Këtë vit bursën prej 500 dollarësh e fitoi studenti i Kolegjit të Komunitetit të Filadelfias zoti Sokol Hasa. Shumë nga të pranishmit e vlerësuan këtë veprim të shoqatës dhe zoti Dritan Matraku që prezantoi këtë bursë ju bëri thirrje bizneseve të ndryshëm të kontribuojnë që shumat e dhëna të jenë më të mëdha e numri I studentëve fitues të jetë më I lartë.
Por përveç valleve e këngëve që mbanin gjalë entusiazmin rinor të salles, kjo mbrëmje i kishte pafund surpriza e vlerësime për shumë nga bashkëatdhetaret tanë të mrekullueshëm.
Në një moment përballe skenës del sekretari i shoqatës Vlashi Fili, se bashku me të, kryetari e dy nënkryetaret. Me ton deklamues ai njofton të pranishmit për ndarjen e disa mirënjohjeve e vleresimeve të dhëna nga Keshilli Drejtues i shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
Dhe më e veçanta ishte se mirënjohja e pare “Njeriu i Vitit 2015” që ka ndihmuar më shumë komunitetin shqiptar në Filadelfia, me libra për fëmijët e kostume popullore, ju dha bashkëatdhetarit tonë me banim në Tiranë, zotit Androkli Kokthi. Prindërit e tij, e ëma Shega dhe i ati Kicua, jetojnë në Filadelfia dhe janë nga anëtarët më aktivë të shoqatës. I ndodhur pranë tavolinës se tyre, në momentin që Vlashi lexonte motivacionin për këtë mirënjohje, sytë e tyre u përlotën. Nuk ka gëzim e krenari më të madhe për një prind se sa kur shikon që fëmija i tij mendon e punon për kombin e vet, e sidomos kur mendjen e energjitë i drejtojnë në ndihmën për fëmijet e emigrantëve, për tu përciellë atyre merakun e një kombi për të ruajtur gjuhën, kulturën e traditat e tij. Me hap të ngadaltë Shega shkon e merr mirënjohjen për të birin, e cila ju dha nga zonja Daniela Kristo Nesho, Konsulle në ambasadën tonë në Ëashington. Zonja Daniela e uroi këtë nënë për birin e saj në emër të Ambasadores sonë zonjës Floreta Faber.
Menjëhere pas kësaj zoti Tajar lexon përshëndetjen e veçantë që zonja ambasadore e Shqipërisë, i kishte derguar komunitetit shqiptar në Filadelfia me rastin e festës së madhe të 103 Vjetorit të Pavarësise e të Flamurit tonë. “Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikes – theksonte në përshendetjen e saj zonja ambasadore – si një nga diasporat më të fuqishme të Shqipërisë në botë, dhe organizata “Bijtë e Shqipes” kanë dhënë e japin një kontribut të paçmueshem në mbrojtje të çështjes kombëtare, në mbrojtje të lirive dhe të të drejtave të kombit Shqiptar”.
Me mirënjohjen “Nderi i Komunitetit” u nderua zoti Bujar Cela. Me një emocion të veçantë ketë mirënjohje ja jep nënkryetari i shoqatës Zoti Bujar Gjoka, duke e falënderuar zotin Çela si një bashkatdhetar e baba shëmbullor që sakrifikon çdo javë e sjell tri fëmije në shkollën shqipe dhe është i papërtuar në çdo veprimtari të shoqatës .
Mes këtyre emocionesh, zoti Vlashi thërret një nga anëtaret më të vjetër të shoqatës, një nga themeluesit e saj zotin Llazar Vero. I takon këtij njeriu të nderuar të komunitetit tonë që ti japë mirënjohjen “Nderi i Komunitetit” zotit Haki Collaku. Ky bashkëpatriot, duarartë e zëmërbardhe i përgjigjet shoqatës sikur është punëtor me kohë të plotë i saj, e jo si vullnetar. Stenda e mrekullueshme e kuptimplotë që bëri, kur ngritëm flamurin në Bashkinë e Filadelfias, ishte frut i mëndjes e duarve të tij të pashoqë. Me emocion Llazari e përgëzon dhe e falenderon këtë burrë atdhetar duke u treguar të gjithëve se kanë ç’japin për shoqatën e komunitetin nëse duan ta ndihmojnë atë.
Në vazhdim Bujari lexon emrat e donatorëve që kanë kontribuar më shumë ketë vit në shoqatë me fonde. Binte në sy që ketë vit lista ishte më e gjatë e shumë prej tyre me shuma të konsiderueshme. Këtu mund të përmëndim zotërinjtë Korab Parllaku-$1,000, “Aida Corporation” me pronar Kalosh Kupa-$500, Bujar Aliaj-$500, Nuri Kupa-$500, Jakup Domi-$500, Leonidha Rapi-$300, restorant “Bellini” me pronar Shpëtim Daku-$300, Kimet Hasa-$200 e shumë e shumë të tjere.
Pas ketij momenti këngëtarja Alida Duka fton pjesmarrësit të kërcejnë se bashku napoleonin. Salla ndizet nga muzika e vallja. Rinia është gjithë kohën në pistë dhe Artani me organon si dhe Flori me xhazin duket sikur kërcejnë e këndojnë bashkë me ta. Kur i sheh këta të rinj e të reja, të bukur e fisnike, gjaku e geni ynë, të shkolluar e edukuar këtu në Amerikë, të krijohet ndjesia se Shqipëria do të rrojë e përparojë. Bijtë e saj ketu në Amerikë do i ruajnë e çojnë më tej traditat e saj, do punojnë që të lartësohet më tej emri e fama e saj.
Po afronte fundi i mbrëmjes dhe siç është në traditën e shoqatës u luajt llotaria për të fituar disa dhurata. Orela me Bujarin thërrasin numurat e biletave fituese që ishin shitur më parë të pranishmëve në sallë. Këtë vit dhuratat ishin nje I-Pad 400 dollare i blerë nga Shoqata, 2 karta nga 100 dollare për ti shpenzuar në dyqanët më të mira të Filadelfias, 2 aparate marrës të kanaleve shqiptare me abonim 6 mujor të dhuruara nga Jorgo Xhori, si dhe 2 çifte biletash për të ndjekur ndeshjet e basketbollit të skuadrës “Sixers” të Filadelfias. Dhe si gjthmonë humori e urimet për fituesit nuk mund të shmangeshin edhe në këtë festë. Ndoshta ishte pak, por ne si shoqatë po punojmë që brënda mundësive t’u kthejmë sa më shumë bashkatdhetarëve tanë të mirë e punëtore.
Mbrëmja vazhdon dhe duket sikur Vedati me qëllim e ndez më shumë atmosferën në këto minuta të fundit. Kënga shqiptare e amerikane të përziera bashkë që këndohen në kor nga rinia në pistë e në sallë.
Mes pjesmarresve të shumtë janë edhe miq nga Shqipëria apo vende të tjera ku kanë emigruar. Fjalët e urimet e tyre na prekin më shumë. Spontanisht kryetari i shoqatës, Tajari, fton një nga ata, zotin Sotir Goxhaj, ish emigrant në Greqi, por tani anëtari më i ri i shoqatës Bijtë e Shqipes. I rrahur me jetën e me përvojë të gjatë në aktivitetet me emigracionin atje. Me atë zë të plotë e timbër emocional ai përcolli në sallë lavdinë e heroikën e festës se pavarësisë. Me vargje të goditura, por të interpretuara me mjeshtërinë e një artisti ai përcolli te të pranishmit lavdinë e Vlorës heroike, dhe pavdekësinë e festës se pavarësisë të atdheut tonë të dashur Shqipërise.
Muzika e kënga e kanë një fund, dhe njerëzit të lodhur por të gëzuar largohen pak nga pak me urimin që u del nga shpirti: Gëzuar vëllezër e motra Festat e mëdha të Nëntorit të Nënës Shqipëri,
Gezuar 103 Vjetorin Atdheu ynë i dashur,
Përjetë i kalofshim bashkë të tilla gëzime.
Filadelfia 2 Dhjetor, 2015