• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MINISTRJA GERVALLA NË KËSHILLIN E SIGURIMIT: LE TË FILLOJË EPOKA E RE!*

April 14, 2021 by dgreca

Periudha e raportit aktual të UNMIK-ut përfundoi vetëm një javë para se Kuvendi i ri të zgjidhte qeverinë e re e Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve historike. 

Për herë të parë, në vendet e Ballkanit deri më tani, shumica e popullit votoi për t’u çliruar nga korrupsioni dhe krimi.

Republika e Kosovës po hyn në një epokë të re. Ne jemi në një rrugëtim për të përmbushur vullnetin dhe kërkesën e popullit tonë; përkatësisht ta bëjmë vendin tonë të ri anëtar të plotë dhe të respektuar të familjes së kombeve, ku zotëron sundimi i ligjit, demokracia dhe mundësia e barabartë për të gjithë.

Si Ministre e Jashtme dhe Zëvendës Kryeministre e Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin, që t’ju drejtohem me shumë sinqeritet. 

Do t’i referohem detajeve të raportit pak më pas, por si fillim ështe e rëndësishme të kuptojmë cilësitë e reja të kësaj qeverie dhe qasjen e saj.

Është e qartë se Kosova, si gjithë vendet e tjera, ende po lufton me pandeminë. Këtu do të doja të falenderoja miqtë dhe partnerët tanë, që po na ndihmojnë për të siguruar vaksinat për Kosovën.

Por, në të njëjtën kohë jemi duke përgatitur masat vënë në jetë këtë epokë të re. Kemi të bëjmë me një gamë të gjerë të çështjeve, lënien prapa të një epoke të korruptuar dhe transformimin në një shtet me sundim të vërtetë të ligjit. 

Çështjet e ngutshme fillojnë me reformat në drejtësi dhe vazhdojnë me investimet si dhe krijimin e vendeve të punës – investimet e huaja dhe sundimin e ligjit në vend të korrupsionit; të gjitha këto në një vend me popullsi të re, vitale dhe me vështrim nga Evropa.

Për shumë vite kemi luftuar për këto ndryshime, brenda partive, në OJQ ose si qytetarë. 

Tani njerëzit na kanë besuar këtë ndryshim historik, dhe ne jemi të përkushtuar që ta vëmë në jetë.

Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO – gjë që mund ta kuptoni fare thjesht edhe nga flamujt, që gjenden prapa meje. Për shumë ky është gëzim i madh, e për disa shqetësim. 

Ne po mundohemi gjithashtu, që në një moment të caktuar në të ardhmen, të bëhemi edhe anëtarë të Kombeve të Bashkuara.

Ne po i shtrijmë dorën të gjithëve me mirëbesim, pasi të gjithë jemi të lidhur së bashku në një fat të përbashkët në planetin tonë të vogël dhe të brishtë. 

Me trashëgiminë tonë kulturore prej më shumë se 3000-vjeçare, së bashku me Grekët jemi një nga dy kulturat më të lashta në Evropë.

Vendi ynë i vogël, por shumë i veçantë, nuk ka frikë. Përkundrazi, jemi të gatshëm që të hyjmë në diskutime substanciale dhe serioze edhe me ata që janë përgjegjës për shumicën e konflikteve në dekadat e fundit, e edhe për gjenocidin në Bosnjë dhe Kosovë.

Në këtë qeveri të re të Republikës së Kosovës do të gjeni njerëz të guximshëm, mendjehapur dhe me përvojë ndërkombëtare, të cilët nuk i shmangen as edhe trajtimit të çështjeve të dhimbshme për të gjetur një zgjidhje. 

Ne jemi të hapur, jemi krenarë dhe nuk kemi frikë nga asgjë dhe askush.

Ne jemi pro pajtimit, megjithëse kemi shumë njerëz, që kanë histori të tmerrshme me Serbinë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës është gjykuar si student në një gjykim, që ishte shfaqje politike e orkestruar nga regjimi autoritar serb dhe më pas është keqtrajtuar rëndë në burg për më shumë se dy vite.

Nënkryetarja e sapo zgjedhur e Kuvendit të Kosovës i ka mbijetuar, kur ishte vetëm 13 vjeçare, masakrës së të forcave serbe kundër civilëve, ku nëna e saj, gjyshja, dy vëllezërit më të vegjël dhe të afërmit e tjerë të familjes kishin mbetur të vrarë. Ajo vajzë e pafajshme ishte gjetur me 16 plagë dhe mezi mbijetoi.

Një nga anëtarët e rinj të kuvendit tonë, me më së shumti vota nga populli, është përdhunuar nga ushtarët serbë kur ishte vetëm 16 vjeçe. Ajo mori guximin që të tejkalojë barrën e dhimbshme të të folurit në publik për këto krime. Ajo u jep zë të gjithë 20,000 viktimave të përdhunimit dhe admirohet gjerësisht për bartjen e kësaj barre. Deri më tani, asnjë nga përdhunuesit serbë nuk është mbajtur përgjegjës për të gjitha këto raste.

Raporti aktual i UNMIK-ut, diku nga fundi, prek një temë e cila renditet në mesin e pesë prioriteteve kryesore në vendin tonë. 

Të gjithë këtu kanë një nënë – kolegu im amerikan, homologu im serb, kolegu im norvegjez, homologu im rus, pra të gjithë. Unë jam vetë nënë dhe atë nënë krenare.

Nuk ka asgjë, në kuptimin e plotë të fjalës, asgjë mbi këtë tokë, që është më e dhimbshme, më e tmerrshme dhe më e papërballueshme sesa humbja e fëmijës.

Unë do t’ju ftoja të lexoni dhe të dëgjoni grupin e nënave, që quhet “Nënat e Gjakovës”. 

Këto gra të guximshme, që kanë humbur fëmijët e tyre të pafajshëm nga një fushatë e pamëshirshme dhe vrasëse e regjimit serb, janë tejet të pikëlluara dhe kanë dhimbje. Megjithatë, që prej shumë vitesh, ato qëndrojnë kokëlartë dhe nuk dorëzohen. 

Vazhdimisht ato kërkojnë vetëm t`ju tregohet se ku janë fëmijët e tyre, e asgjë më shumë. Ato janë të vetëdijshme se duhet të presin edhe më të keqen.

Nuk do të duhej të kthehej në problem, që t’ju tregohet këtyre nënave se ku janë varrosur fëmijët e tyre pasi ishin vrarë. 

Prandaj pyetja jonë është: Pse Serbia duket e paaftë të tregojë ndjeshmëri ndaj këtyre nënave, që kërkojnë trupat e fëmijëve të tyre?

Është e rëndësishme të theksohet: Këtu nuk po flasim për ngjarje të shekullit të 19-të. 

Nuk po flasim për krimet brutale, të egra dhe të papërshkrueshme të kryera gjatë Luftës së Parë botërore ose Luftës së Dytë botërore në Ballkan, Evropë dhe në shumë vende të tjera të globit. 

Këtu po flasim për një kujtesë të gjallë. Viktimat, që kanë mbijetuar, shumica janë ende gjallë.

Gjithashtu, shumica e atyre që kanë kryer këto krime të papërshkrueshme, të cilët shkaktuan më shumë se 15,000 vdekje për vetëm disa muaj në vendin tonë të vogël, janë ende gjallë. Ata e shijojnë jetën e tyre në Serbi dhe gjetiu, e shpesh madje përgëzohen për këto masakra.

Për ta vendosur këtë dimension në perspektivë, imagjinoni këto shifra për vendet tuaja. 

Këto viktima do të ishin më shumë se 1,2 milion rusë të vrarë në Rusi në vetëm një vit. Do të thoshte 2,6 milion Amerikanë të vrarë në Amerikë brenda një viti. Do të thotë më shumë se 11,6 milion kinezë të vrarë në Kinë në vetëm një vit.

Bota është duke e parë që vetëm disa nga këta kriminelë lufte po gjykohen dhe në shumicën e rasteve në gjykime që më shumë janë shfaqje ku ata pastrohen nga çfarëdolloj faji. 

Serbia i bën të gjitha këto. Ajo madje nuk pranon, që krimet më të mëdha kundër njerëzimit në tokën evropiane, pas Gjermanisë naziste, janë kryer në emër të Serbisë së Madhe në dekadat e fundit.

Udhëheqësit serbë madje i lavdërojnë kriminelët e luftës dhe akoma refuzojnë të bashkëpunojnë plotësisht me institucionet ndërkombëtare të Kombeve të bashkuara – madje, kriminelë të dyshuar të luftës, ulen në parlamentin e tyre.

Të gjitha këto shkelje eklatante të normave më themelore të Kombeve të Bashkuara – dhe për më tepër: të njerëzimit – nuk janë diçka ku mund të thuash: ”Thjesht kapërcejini”.

Këtu kemi të bëjmë me vlerat themelore të njerëzimit, kemi të bëjmë me vendin tonë i cili kurrë, asnjëherë,  nuk do të jetë nën kontrollin dhe komandën e atyre që i kanë kryer këto masakra dhe që nuk i pranojnë këto. 

Serbia duhet ta dijë dhe të pranojë se do t’i duhet të paguajë çmimin e mizorive të saj vrastare. 

Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj, të çlirohet nga rrënjët e saj gjenocidale dhe të përpiqet të bëhet një vend evropian, me të vërtetë i civilizuar. 

Serbia ishte mbyllur në të kaluarën – në një të kaluar të errët. Ishte mendësia mesjetare, duke qëndruar në errësirë ​​dhe në të kaluarën, brenda elitave serbe, që edhe e ka shtyrë Serbinë drejt racizmit, dhe në fund fashizmit dhe gjenocidit në vitet 1990.

Vetëm 80 vjet më parë, Gjermania naziste kishte filluar bombardimin e Beogradit dhe kishte bërë gjenocid ndaj serbëve, hebrenjve dhe të tjerëve, përfshirë këtu edhe popullin shqiptar, që u ngrit kundër fashizmit.

Më lejoni të pyes sinqerisht: Çfarë është ajo që i shtyn viktimat e gjenocidit dhe fashizmit, që edhe vetë të bëjnë gjenocid, të përfundojnë në fashizëm dhe nåe fund të mos përballen me përgjegjësitë pas kësaj?

Ne jemi të bindur: Sapo Serbia të njohë faktet dhe nëse adreson historinë e saj të rrezikshme të agresionit dhe destabilizimit të rajonit, nëse ndërpret ndërhyrjet agresive në vendet e saj fqinje, nga Bosnja në Mal të Zi e në Kosovë, ajo ka potencialin të normalizojë sjelljen e saj dhe të bëhet një vend normal, të cilin fqinjët e saj nuk do të kenë nevojë ta konsiderojnë si bombë të kurdisur. Sapo Serbia ta arrijë këtë, ajo do të shndërrohet, nga të qenit kërcënimi më i madh për paqen dhe stabilitetin në rajon, në një partner ndoshta të ndërlikuar, por jo më të rrezikshëm.

Ne, si vend fqinj, jemi të interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne jemi të interesuar për një Serbi me mendësi evropiane, jo të prapambetur. Ne jemi të interesuar për një dialog të hapur për të kaluarën tonë të përbashkët dhe shpresojmë edhe për të ardhmen tonë të përbashkët.

Zonja dhe zotërinj, ne jemi një vend i vogël, por shumë i veçantë. Ne jemi të vegjël, por qëndrojmë kokëlartë. Ne kemi shumë miq të besueshëm dhe jemi vetë të besueshëm.

Babai im, një disident, një intelektual, një shkrimtar, një muzikant dhe një gazetar, është vrarë nga regjimi i Beogradit, madje edhe në tokë të huaj, në Gjermani, ku ne kishim ikur nga brutaliteti i atij regjimi të Beogradit.

Unë u them fëmijëve të mi se nuk ka të bëjë me serbët në përgjithësi, dhe se duhet bërë dallimi. 

Por, mbi të gjitha, Serbia duhet ta bëjë këtë dallim. Ajo duhet të identifikojë kriminelët e luftës, t’i sjellë para drejtësisë, të bashkëpunojë med Kombet e Bashkuara dhe me ne për të gjetur varrezat masive të atyre që akoma janë të pagjetur, të luftojë fashizmin në Serbi, të ndërpresë lojrat, të vijë në tavolinën e bisedimeve dhe të flasë me seriozitet.

Vetëm atëherë do të mund të gjejmë një zgjidhje historike, jo vetëm për problemet tona bilaterale, por me qëllim të një pajtimi të përgjithshëm në Ballkan.

Bota e di, madje shumica e kundërshtarëve dinë: Pavarësia e Republikës së Kosovës është një punë e mbaruar. 

Sa më parë që Serbia ta pranjë realitetin, aq më shpejt mund të kalojë nga e kaluara e errët në një të ardhme të ndritur.

Ne nga ana jonë qëndrojmë të hapur, pavarësisht të gjitha dëmeve që Serbia i ka shkaktuar popullit tonë, për të zgjatur dorën, për të biseduar dhe për të njohur njëri-tjetrin.

Le të fillojmë një epokë të re.

* Fjalimi i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, 13 Prill 2021

Filed Under: Featured Tagged With: Donika Gervalla, Fjalimi, Keshilli i Sigurimit

Presidenti Trump mban fjalimin për gjendjen e vendit

January 30, 2018 by dgreca

2 TrumpNë fjalimin mbi gjendjen e vendit, Presidenti Donald Trump thekson situatën e mirë ekonomike dhe do të bëjë thirrje për përpjekje dypalëshe lidhur me emigracionin.

Fjalimi i tij përpara të dyja dhomave të Kongresit, që po transmetohet drejtpërdrejt në televizion, vjen një vit pasi zoti Trump mori detyrën e Presidentit dhe rreth një javë pas debateve mbi buxhetin dhe politikën që duhet ndjekur ndaj një grupi emigrantësh që kanë ardhur në Amerikë ilegalisht në moshë të mitur. Debatet çuan në mbylljen për tre ditë të qeverisë.

Në fillim të fjalimit, Presidenti tha: “Gjatë vitit të fundit, bota ka parë atë që e kemi ditur gjithmonë: se asnjë popull mbi Tokë nuk është aq i patrembur, aq i guximshëm apo i vendosur sa amerikanët. Nëse ka një mal, ne ngjitemi. Nëse ka një kufi, ne e kalojmë atë. Nëse ka një sfidë, ne e përballojmë atë. Nëse ka mundësi, ne nuk e lemë të na ikë. Pra, le të fillojmë sonte, duke pohuar se gjendja e vendit tonë është e fortë, sepse njerëzit tanë janë të fortë. Dhe së bashku, po ndërtojmë një Amerikë të sigurt, të fortë dhe krenare. Që nga zgjedhjet, ne kemi krijuar 2.4 milion vende të reja pune, duke përfshirë 200,000 vetëm në prodhim. Pas viteve të stanjacionit në paga, më në fund po shohim paga në rritje.”

Presidenti Trump foli për punësimin, zhvillimin e ekonomisë dhe reformën e taksave, të miratuar kohët e fundit.

“Ne shkurtuam normën e tatimit mbi biznesin nga 35 për qind në 21 për qind, që kompanitë amerikane të mund të konkurrojnë dhe të fitojnë kundër çdokujt në botë. Vetëm këto ndryshime vlerësohet se do të rrisin të ardhurat mesatare të familjeve me më shumë se 4.000 dollarë. Bizneset e vogla do të kenë gjithashtu një shkurtim masiv të taksave dhe tani mund të zbresin 20 përqind të të ardhurave të tyre të biznesit,” tha Presidenti.

Ai u kërkoi ligjvënësve të miratojnë planin e tij prej triliona dollarësh për infrastrukturën. Ky plan parashikon riparimin e rrugëve dhe urave, si dhe modernizimin e aeroporteve.

Presidenti Trump foli për planin e tij të reformës së emigracionit duke thënë se ky plan ofron një rrugë për marrjen e shtetësisë nga 1.8 milionë emigrantë të paligjshëm të sjellë në SHBA nga prindërit e tyre në një moshë të re. Sipas këtij plani, tha Presidenti, ata që plotësojnë kërkesat për arsim dhe punë dhe shfaqin karakter të mirë moral, do të mund të bëhen shtetas amerikanë.

Presidenti Trump tha se pjesë e këtij plani është ndërtimi i një muri në kufirin jugor, si dhe dhënia fund e lotarisë së vizave, një program që ofron kartat e gjelbra pa marrë parasysh aftësitë, meritat ose sigurinë e popullit amerikan. “Është koha të fillojmë të lëvizim drejt një sistemi imigrimi të bazuar te merita – një sistem që pranon njerëz të aftë, që duan të punojnë, cilët do të kontribuojnë në shoqërinë tonë dhe që do ta duan dhe respektojnë vendin tonë,” tha Presidenti Trump.

Ai pritet të flasë gjithashtu për çështje të sigurisë kombëtare, si aktiviteti bërthamor dhe programi i raketave të Koresë së Veriut, si dhe nevojën për politika të drejta tregtare, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nën administratën Trump, nga Marrëveshja e Partneritetit të Transpaqësorit, TPP, dhe nisma për rinegociimin e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë të Vendeve të Amerikës Veriore me Meksikën dhe Kanadanë, të njohur si NAFTA.

Viti i parë në detyrë i Presidentit Trump është karakterizuar nga sulmet e tij të vazhdueshme në Twitter kundër kundërshtarëve të tij politikë, ligjvënësve demokratë dhe ndaj atyre republikanëve që kanë ngjallur zemërim tek ai, ngaqë nuk kanë qenë dakord me disa politika të tij.

Shtëpia e Bardhë thotë, se edhe në kushtet kur Uashingtoni është i përçarë, zoti Trump do të mbajë një fjalim optimist, ku do të bërë thirrje për bashkëpunim si ndaj republikanëve, edhe ndaj demokratëve, për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se Presidenti Trump do të mbajë një fjalim unifikues për vlerat dhe patriotizmin amerikan.

Zoti Trump po e mban fjalimin e tij për gjendjen e vendit, në kushtet kur mbështetja e vouesve për të është në nivelin më të ulët, krahasuar me presidentë të tjerë amerikanë në të njëjtën periudhë të mandatit 4-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë. Sipas anketave të zhvilluara kohët e fundit nga firma Gallup, 58 për qind e amerikanëve nuk janë dakord me drejtimin prej të tij të vendit. Pas 9 muajsh në Shtetet e Bashkuara do të mbahen zgjedhjet për në Kongres, ku do të votohet për 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të tretën e 100 vendeve të Senatit.

Nuk është e qartë, në se zoti Trump do të diskutojë në fjalimin e tij për gjendjen e vendit, për çështjen e procesit hetimor mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe kontaktet e fushatës së zotit Trump me operativë rusë. Hetimi po zhvillohet nën drejtimin e prokurorit special Robert Mueller, i cili është duke hetuar gjithashtu në se Presidenti Trump është përpjekur të pengojë drejtësinë, kur shkarkoi nga puna ish drejtorin e FBI-së James Comey, në kohën kur ai drejtonte hetimin nga agjencia e zbulimit për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë.

Për muaj me radhë, zoti Trump ka mohuar të ketë patur një marrëveshje të fshehtë me Rusinë dhe javën e kaluar ai tha se nuk bëhet fjalë për “pengim të drejtësisë”. Presidenti tha se ai do që t’u përgjigjet pyetjeve të juristëve të zotit Mueller nën betim, por deri tani nuk është caktuar ndonjë datë për intervistë.

Sipas traditës, të martën në mbrëmje, në fund të fjalimit të Presidentit, disa ligjvënës demokratë do të mbajnë fjalime të shkurtra, si reagim ndaj fjalimit të Presidentit.

Të paktën 14 anëtarë demokratë të Kongresit thanë se do ta bojkotonin fjalimin e presidentit.

Filed Under: Featured Tagged With: Fjalimi, Presidenti Donald Trump

Koha që jetojmë shtron sfida të mëdha për Federatën

November 28, 2017 by dgreca

2 DritaniFjala e Kryetarit të Federatës Panshqiptare Vatra z. Dritan Mishto, mbajtur në darkën e Festës së Pavarësisë/

1 Kryetari

Të nderuara Zonja dhe Zotërinj!/

Të Nderuar Klerikë!/

I Nderuar Z. Mark Gjonaj, Anëtar i zgjedhur i Këshillit Bashkiak të NY/

Të nderuar Përfaqësues të Organizatave dhe Shoqatave pjesëmarrëse!/

Me lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare Vatra të uroj secilin prej Jush, Diasporën shqiptare dhe Shqiptarët kudo në botë  “Gezuar Festën e Pavarësisë”.

 Ne vijmë në këtë festë me një ndjenjë të madhe krenare, kur shohim se në këto 105 vjet, nuk ka pjesë të historisë së Shqipërisë dhe cështjes shqiptare, që nuk gjendet prania mendore, fizike, materiale dhe shpirtërore e Federatës Panshqiptare Vatra. Kjo na bën sot të jemi më të përunjur dhe jashtëzakonisht mirënjohës për gjithë punën kolosale të korifenjve të kombit, njëkohësisht edhe të Federatës sonë, Konicës e Nolit dhe të gjithë drejtuesve të saj ndër vite.

Koha që jetojmë shtron sfida të mëdha për Federatën tonë, ka cështje kombëtare të cilat kërkojnë zgjidhje, ka cështje arsimore dhe kulturore që kërkojmë praninë tonë, ashtu sic ka edhe cështje të tjera të fuqizimit të kapaciteteve ekonomike të diasporës. Sot nuk gjendet asnjë zë tjetër më i fuqishëm dhe me më shumë moral se Federata Jonë për të ngritur dhe mbrojtur këto cështje me rëndësi jetike, ndaj Ne jemi të vendosur për të qenë dhe mbetur në krye të punëve të mira.

Të dashur anëtarë të Federatës,

Ne e garantojmë me solemnitet Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Trump se veprimtaria e Federatës Panshqiptare Vatra do të jetë gjithnjë në përputhje të plotë me programin e tyre qeverisës. Me këtë rast, në emër të Federatës Panshqiptare Vatra dhe më gjerë dua të falenderoj Presidentin Trump për të gjithë përpjekjet e tij titanike për ngritjen e autoritetit të Shteteve të Bashkuara në botë. Federata Vatra ka qenë është dhe do të jetë gjithnjë në krah të cdo nisme që do të ndërmarrë Qeveria Amerikane dhe Ne do të kryejmë me seriozitet të plotë detyrat tona si një shtyllë e fuqishme e forcimit të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara.

 Zonja dhe Zotërinj!

Të gjithëve na shqesojnë rezultatet e ulta qeverisëse në trojet tona. Federata Panshqiptare Vatra ndjek me vëmendje të madhe veprimtarinë e qeverive të atjeshme dhe deklaron me përgjegjësi të plotë se ne do të jemi kritikë të ashpër të situatave të krijuara dhe nuk pajtohemi me këto situata.

Ndaj, i bëjmë thirrje klasës politike në Shqipëri, Kosovë e kudo që Ditën e Pavarësisë, ta shohin si Ditën e Përgjegjësisë, përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe mbarë kombit.

Në mënyrë të pandërprerë, Federata Panshqiptare Vatra ka festuar Ditën e Pavarësisë për 105 vjet. Kushdo që kthen kokën pas mahnitet nga vitaliteti I Federatës sonë. Festa të tjera do të vijnë. Do të kalojnë dekada dhe shekuj, e sërish, Vatra do të jetë aty, stoike, e fortë dhe e lartë si Zeusi i Kombit shqiptar, sepse rrënjët e saj janë atdhedashuria, mencuria, ndershmëria dhe trimëria. Ndaj këto ngjarje historike le të na shërbejnë si shtysa për më shumë energji pozitive, bashkëpunim dhe mirësi, që ta bëjmë diasporën shqiptare dhe mbarë kombin shqiptar më të fuqishëm dhe më të begatë.

 Rroftë Kombi ynë,

Rroftë Federata Panshqiptare Vatra,

Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured Tagged With: dritan Mishto, Fjalimi, ne Darken e Flamurit

FJALIMI QË PO TRONDITË BALLKANIN: NA MBYTI KORRUPSIONI!

March 22, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto:Seherzada Deliq, arsimtarja boshnjake që ua tha “të gjitha” në sesionin e hapur palamentar./

Korrupsioni dhe Ballkani janë dy fjalë sinonime. Korrupsioni në të gjitha nivelet e jetës shoqërore anë e mbanë Ballkanit ka krijuar një atmosferë ku interesat e qytetarëve po injorohen e shpesh shtypen nga interesat e atyre që, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry ka cilësuar si, “oligarkë të korrutuar”. Është kjo një tendencë shqetësuese që, pas shëmbjes së komunizmit dhe pas luftërave në ish-Jugosllavi, është përhapur dhe ka lëshuar rrënjë të thella në shumë shoqëri të vendeve ballkanike. Zyrtarët e korruptuar përdorin pasurinë dhe influencëne tyre politike për tu mbyllur gojën dhe për të frikësuar kundërshtarët dhe këdo tjetër që merr guximin të kritikojë korrupcionin që ka kaplluar vendet e Ballkanit. Arsimtarja boshnjake Seherzade Deliqe cila punon në sektorin shtetëror, pikërisht si arsimtare në një shkollë boshnjake, gjatë një seance të Kuvendit, ka mbajtë një fjalim kritik kundër qeveritarëve dhe veprave korruptive të tyre duke thënë se “unë nuk kam frikë, pasi ka shumë që mendojnë si unë” – fjalim i cili është përhapur në internet, përfshirë edhe disa portale në shqip.Për nga përmbajtja, ky është një fjalim që mund të ishte mbajtur në cilindo sesion parlamentar të Ballkanit.Ja fjalimi i plotë – me plotë zemërim e sinqeritet – marrë nga youtube i arsimtares boshnjake Seherzada Deliq, përkthyer nga autori.

***

Arsimtarja Seherzada Deliq:“Mirëmbrëma! Unë jam Seherzada Deliq, jam para “pranverës Boshnjake” për ndryshe përpiqem të ndihmoj dhe të edukoj të rinjtë e të rejat, të mençurit, ata me perspektivë dhe inteligjentë të këtij vendi.

Nuk jam këtu të flas në emër të gjeneratës time, sepse ju jeni ata që e keni shkatërruar gjeneratën time, gjë për të cilën turpërohem kudo që shkoj.

Ju duhet të më falni që unë po flas me kaq emocione. Unë jam kështu plot emocione sepse ky është vokacioni im. Këjo është puna ime. Ndonëse mu dha rasti t’u drejtohem ju, jo për veprat dhe veprimet e juaja. Jo të flaspër veprat e mira, por veprat dhe veprimet e juaja të këqia.Kur mjeku shkon të operojë një të sëmur ai mund edhe të gabojë gjatë operimit dhe si rrjedhim, mjeku mund të shkaktoj vdekjen e një njeriu. Ndërsa ju me deklaratat tuaja, me veprimet që bëni gjatë zgjedhjeve dhe votimeve, duke blerë e shitë votat, me lobimin tuaj, vetëm për një herë në një moment me një vendim, ju vrisni 1000 njerëz, pasi ju nuk i përfaqësoni interesat e tyre, ose i shisni e bleni interesat e tyre, pasi edhe turpi ijuaj ka një qëllim. Dihet mirë se cili është çmimi i turpit tuaj. Kur tradhëtoni edhe vet popullin tuaj, para të cilit jeni betuar ta mbroni, ta mbështesni dhe ta drejtoni në rrugën e duhur. Herë në njerën parti e herë në tjetrën parti, tani në njërën parti, tani në partinë tjetër. Shitblerje votash! Dihet shumë mirë për këtë fenomen. Dihet sakt shuma e të hollave që i është paguar një personi nga një parti me qëllim që të votojë për një parti tjetër.

Këtë gjë populli e di mirë! Mos mendoni se ne jemi si ulurima e çakallit në hënë — siç thotë fjala popullore –dhe mos mendoni se ju jeni të paprekshëm për veprimet tuaja dhe të pa-arritshëm si hëna, sepse as ne nuk jemi dele dhe çakaj që uluritin në hënë.

Siç deklaroheni ju shpesh, lere popullin, populli s’di gjë, vetëm flet, thoni ju. Ne, populli, në këtë rast jemi tampon zonë, gjegjësisht një tamponë, si tampona që përdorë mjeku për të ndaluar gjakderdhjen e mëtejshme të një plage – një zonë midis ju politikanëve dhe masës së popullit që don t’ju gëlltitë. Dhe ju, urdhëroni, nëse nuk keni frikë. Nuk është vetëm partia SDP që është fajtore. Çfarë ka bërë partia SDA për 15 vjetë në pushtet. Partia SDP po zhdukë, po e shterrë edhe atë pak durim që na kishte mbetur. Siç kam thënë më parë, po na pini gjakun për 20 vite.

Populli thotë mjaft! Ju duhet të jeni të vetdijshëm të kësaj situate të krijuar, por për fat të keq ju nuk jeni të aftë të vlerësoni se sa e rëndë është situata. (Ndërhynë një deputet duke kërkuar fjalën dhe ajo i përgjigjet). Më fal, më vjen keqë që nuk më ndëgjove. Përsëris, Partia SDA na ka pirë gjakun për 15 vite dhe partia SDP gjatë këtyre katër viteve të fundit.

Presidentin e kam dëgjuar të ketë thënë me një rast (si përçmim) se ai është president i atyre që kanë tetë vjetë shkollë fillore dhe atyre me tre vjetë shkollë të mesme. Nuk e di se për çfarë arsyeje intelektualët e këtij qyteti nuk kanë dalur nepër rrugët e këtij qyteti për të protestuar. Ose nuk duan ose mendojnë se as me protesta nuk arrihet gjë dhe se nuk mund të ndryshohet asgjë as tani,ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve.

Në këtë vend ka shumë njerëz të mençur dhe ju mund të thoni tani, ku ka më të mençur se ne? Ka shumë!Ka të mençur, por të papunësuar, të cilët ju nuk i leni të vijnë në ndonjë pozitë. Ata janë të aftëtë bëjnë punën dhjetë mijë herë më mirë se ju. Ka zotërinjë, ka njerëz të mençur dhe intelektualë ky vend. Më pyesni mua. Si arsimtare, unë të tillë njerëzish përgatis çdo ditë. Shkoni ju në shkollë dhe shihni se cfarë edukimi kanë të rinjtë, cfarë të rinjshë briliantë që kemi. Ka një mori të rinjshë, të mençur, të talentuar, intelektualë, shkencëtarë, për të cilët dihet se nuk kanë mundur të punësohen nëqeveri, nuk kanë mundur të shprehin idetë e tyre, pasi ju keni zhvilluar falangat dhe spiunët tuaj nga të cilët vareni. Ju nuk i keni mundësuar intelektualët që të marrin detyra në qeverisje, pikërisht nuk i keni mundësuar as qëtë shprehin mendimet e tyre mbi çështjet e ditës.

Seria televizive, “Do të bëhet, do të bëhet”, nuk është një program komik vetëm për tu qeshur, por është një parodi drejtuar juve, politikanëve.Pse, ju nuk dëgjoni dot, nuk kuptoni?! Kjo seri televizive është një kritikë ndaj qeverisjes tonë. Si mund të ndodhë që nuk e shihni dhe nuk e njihni vetëveten në atë emision. Ju duhet të qani me lotë kur shikoni atë program. Turp të kini! Ka një numër të madh intelektualësh të rinjë dhe akademikë të zotët, për të cilët dihet mirë se nuk janë përfshirë në qeveri sepse në vend të tyre ju kini punësuar njerëzit tuaj dhe përkrahsit politikë. Diku është humbur njeriu, nuk ekzistojnë më vlerat njerëzore.Haxhi Pashiqi fletë për interesin kombëtar, duke thënë se kjo është një çështje jetike e sigurimit kombëtar. O njerëz!Ai thotë se e ka një detyrë të rëndë e të vështirë pasi tani ai thotë se përfaqëson serbët, kroatët e myslimanët, jevrejtë dhe komunitetin roma si dhe të gjithë tëtjerët që jetojnë këtu.

Dua tu them se unë për veten, përfaqësoj xhepat e mi bosh megjithëse punoj për 20 vite tani. Unë jam larguar nga lufta me dy fëmijë dhe tani jam duke u kujdesur për tre fëmijt e mi dhe edukoj çdo vit mbi 200 studentë të tjerë. Ju mund ta shihni zotërinjë se jam tepër e emocionuar. Më thotë hoxha që të mos jem aq e emocionuar duke folur për këto çështje, pasi popullit nuk i pëlqejnë shprehje të tilla emocionuese dhe mund të reagojë. Populli duhet të hapë sytë e të shikojë se midis nesh ka njerëz të ndershëm dhe të sinqertë, të cilët ia duan të mirën Bosnjës. Njerëz të cilët dinë ta udhëheqin Bosnjën. Bosnjën ne nuk e kemi shitur. (Pas një zhurme në audiencë ajo shprehet) Tregohuni të respektueshëm, pasi unë u kam dëgjuar ju. Ky është komision parlamentar, a po jo?

Nuk është e vështirë për të gjetur individë të kualifikuar. Ka njerëz, por atyre u duhet dhënë mundësia. Dhe ata duhet të dinë se si të përfshihen në qeverisje. Unë u them studentëve çdo ditë: luftoni kundër njerëzve të këqi. Çdo ditë, fëmijve u flas keq për ju, sepse nuk më kini dhënë mundësinë të flasë para jushë siç duhet. Po si të luftohen njerëzit e ligshtë e të korruptuar? Me dituri! Le t’u skuqen ju veshët tani. Por siç kam thënë me heret, ju e kini çmimin edhe për turpin.

Populli me të vërtetë është lodhur. Mjaft më! Ne i kemi shterrur të gjitha energjitë dhe mënyrat demokratike të protestave, duke filluar nga uria, peticionet, deklaratat televizive, shkrimet, filmat që përhapen nepër botë, ndërkohë që nepërmjet të gjitha këtyre botimeve, bota po informohet se çfarë qeverie kemi ne sot. Por ju nuk u djeg fare, nuk çani kokën hiç. Sepse diplomat tuaja ju i kini blerë masovisht andaj nuk dini as të lexoni dhe as për çfarë shkruhet. Ju nuk jeni në dijeni të vuajtjeve të popullit. Populli po qanë e vajton dhe dëshiron që të mos qajë më, ti ndalojë lotët.

Të rinjtë për të cilët po flas unë nuk janë kurrfarë huliganësh. Këta janë të zemëruar dhe janë të frikësuar dhe të shqetësuar se sot ka një markë dhe nesër ose pasnesër nuk do të kenë as një gjysëm markë. Ata janë të shqetësuar dhe të hidhëruar se prindërit e tyre nuk mund të gjejnë punë, megjithse si të gjithë ju këtu kanë deri në 30-vjetër stazh, por nuk kanë rrogë mujore prej 15.000 markash, sikurë ju. Ishim marrë vesh më parë që gjatë këtij sesjoni, secili prej nesh do të zbulonte se cilat janë të ardhurat tona. Ja, rroga ime është 899 marka me 20-vjetë punë. Sa janë të ardhurat tuaja mujore? (Heshtje në sallë). Më thoni kur të dalim jashtë nëqoftse ju vjen turp të thoni tani publikisht.

Mjaftë më! Unë nuk jam e vetmja që shprehem kështu. Unë kam dalë para jush si përfaqsuese e atyre që mendojnë si unë, pasi nuk kam frikë, ndonëse punoj në sektorin qeveritar. Unë punoj në shkollë. Le të më ndëshkojnë. Ju kini hequr nga detyra personin që ka ngritur me një përqindje të lartë nivelin e shkollës ku jepte mësim. Juve nuk u pëlqejnë ata që punojnë. Ju doni nga ata që nuk punojnë. Nëqoftse mendoni se partia SDA do të shkatërrojë partinë SDP ose cilëndo parti tjetër, jeni të gabuar pasi ne nuk do të lejojmë që mbi shpinën tonë ju të siguroni karrigët tuaja. Kët nuk do të mund ta bëni. Asnjë prej jush nuk meriton më të flasë nga ky podium. Dhe presidenti i kantonit, i cili thotë se nuk dëshiron të japë dorëheqjen, ne nuk i kërkojmë atij të japë dorëheqjen. Ne ia marrim atij mandatin, pasi ishim ne ata që ia dhamë atij mandatin. Ne nuk e duam atë, populli nuk e do.

I thashë të gjitha. U falemnderit!

Seherzada Deliq në fjalimin e saj, shprehu zemërimin e bashkqytetarëve të saj por edhe më gjërë se korrupsioni ka uzurpuar jetën politike dhe ekonomike të vendit. Se kjo atmosferë e padurueshme korrupsioni, sipas arsimtares boshnjake, i ka zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj ekonomik dhe demokratik, një atmosferë kjo që falë oligrakëve të korruptuar politikë, kanë helmuar jo vetëm politikën por edhe median e kontrolluar prej tyre. Kjo gjëndje korruptive, për të cilën flet Zonja Deliq, përkeqsohet edhe më shumë kur të merret parasyshë se sipas ekspertëve ballkanikë dhe medias së huaj, oligarkët e korruptuar vendas, kanë marrëdhënje të ngushta bashkpunimi me oligarkët e korruptuar të ardhur aty nga shtete të tjera, veçanërisht ata nga Rusia, Turqia dhe nga Lindja e Mesme.  Shtypi i huaj shkruan shpesh për këta oligarkë të korruptuar të Ballkanit dhe për influencën e tyre negative në zhvillimet demokratike të vendeve ballkanike.Por jo vetëm shtypi perëndimor, por edhe udhëheqës dhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe europianë janë shprehur se për derisa nuk përmirësohet kjo situatë korruptive që i ka zënë frymën politikës, zhvillimeve ekonomike dhe demokratike anë e mbanë Ballkanit – nuk do të ketë një partneritet serioz politik, ekonomik dhe ushtarak, por as zhvillim të mirëfilltë në vendet e Ballkanit të vlerave përendimore dhe universaletë dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, lirisë, demokracisë, barazisë dhe shtetit të ligjit.

Por në fund të fundit, deklaratat e perëndimorve dhe shqetësimi i tyre mbi korrupsionin në Ballkan mund të kenë ndonjë influencë pozitive të përkohshme në ato shoqëri por ato nuk do sjellin ndryshimet e nevojshme rrënjësore politike dhe ekonomike në ato vende. Është zemërimi i qytetarve të thjeshtë ndaj korrupsionit të përhapur në të gjitha nivelet e shoqërive ballkanike, siç është reagimi i arsimtares boshnjake Deliq ai i cili shpresojmë se do të sjellë eventualisht ndryshime themelore dhe afatgjatë — reagimi dhe angazhimi serioz i qytetarëve si Zonja Deliq të cilët më në fund duket se kanë humbur durimin dhe të cilët kanë filluar t’i thonë mjaft këtij fenomeni korruptiv shkatërrues në të cilin është zhytur kjo klasë politike anë e mbanë Ballkanit Perendimor.

Filed Under: Analiza Tagged With: ballkanin, Fjalimi, NA MBYTI KORRUPSIONI!, QË PO TRONDITË, Seherzada Deliq

FJALIMI QË DO TË KISHTE SUKSES….Aspiroj të jem deputet

March 16, 2015 by dgreca

ROBERTO ARLT (Argjentinë, 1900 – 1942)/
Ja teksti i fjalimit:
«Zotërinj! Aspiroj të jem deputet, sepse dua të vjedh sa më shumë dhe të “rregullohem” sa më mirë. Qëllimi im nuk është të shpëtoj vendin nga rrënimi ku e kanë zhytur paraardhësit, bashkëpunëtorët e mi të pacipë; jo, zotërinj, nuk është ky qëllimi im kryesor; unë, me lakmi dhe babëzi të papërmbajtur, dëshiroj të marr pjesë në veprimtarinë plaçkitëse për të boshatisur arkën e shtetit, aspiratë fisnike kjo, që ju duhet ta kuptoni se, për çdo kandidat për deputet, është më e fuqishme dhe më zjarrtë se mbajtja pastër e shpirtit të tij.
Zotërinj, të vjedhësh nuk është e lehtë. Për të vjedhur e grabitur nevojiten kushte të caktuara, që besoj se nuk i kanë rivalët e mi. Para së gjithash, nevojitet të jesh një cinik i përsosur, dhe ju siguroj se jam i tillë. Zotërinj qytetarë, mos e vini në dyshim këtë. Në radhë të dytë, duhet të jesh tradhtar, dhe unë i tillë jam, zotërinj. Duhet të dish të shesësh në kohën e duhur, jo në mënyrë të paturpshme, po në mënyrë “evolutive”. Jam i aftë të sajoj edhe termin që do të zëvendësojë fjalë tradhti, që është aq i nevojshëm në këto kohë; t’i shesësh vendin ofruesit më të mirë, është një punë sa e mbrapshtë aq edhe e vështirë, sepse e kam kuptuar, zotërinj, që pozicioni ynë, domethënë, pozicioni i vendit tonë është i tillë që nuk gjen dot blerës as për pesë lekë, sidomos në këtë moment historik dhe tejet të rëndësishëm, në të cilin ndodhemi. Kini besim, zotërinj, unë do të jem një hajdut, por, para se të shes vendin për një pjatë groshë, besomëni, preferoj të jem i ndershëm. Mbështetni madhështinë e sakrificës sime dhe do ta shikoni se unë jam kandidati më i përsosur për deputet.
Është e vërtetë se dua të vjedh, por, më thoni: cili nuk do të vjedhë? Më thoni, ju lutem, kush është ai i pafytyrë që në këto kohë të turbullta nuk dëshiron të vjedhë? Nëse më gjeni një njeri të tillë të ndershëm, unë do të vrasë veten. Edhe shokët e mi duan të vjedhin, këtë s’e luan as topi, por ata nuk dinë të vjedhin. Ata do ta shesin vendin për hiçgjë, dhe kjo nuk është e drejtë. Kurse unë do ta shes atdheun tim, ashtu siç duhet. Ju e dini se arka e shtetit është katandisur mosmëkeq, domethënë, ka mbetur pa një kacidhe dhe s’ka me se të paguhen borxhet e jashtme; epo, mirë, unë do ta nxjerr vendin në ankand për njëqind rroga mujore, që nga jugu në veri, dhe jo vetëm do të tregtoj shtetin, por do të bie në ujdi me biznesmenë të fuqishëm, me falsifikatorë ushqimesh e ilaçesh, me koncesionarë; do të siguroj armë të paefektshme për shtetin, gjë që është shumë efikase për të shmangur luftën, sesa kur ke armë ofensive, domethënë të efektshme; do të blej tagji të mirë për kalin e drejtorit të burgjeve dhe gjellë-lëtyrë për të burgosurit, do të blej afishe për spote, do t’u vendos taksa mushkonjave dhe qenve, taksa për tullat dhe kalldrëmet…
Po çfarë nuk do të vjedh unë, zotërinj? Ja, më thoni ju, zotërinj të nderuar, çfarë nuk do të vjedh unë. Nëse ju jeni në gjendje të më thoni qoftë edhe një gjë materiale të vetme që unë nuk jam i aftë ta vjedh, atëherë, unë “ipso facto” heq dorë nga kandidatura ime…
Mendojeni për një minutë, qytetarë të nderuar. Mendojeni. Unë di të vjedh. Jam një hajdut i madh. Dhe në qoftë se nuk besoni në fjalën time, shkoni në Drejtorinë e Policisë dhe kontrolloni dosjen time. Do të shihni se ç’performancë kam. Kam qenë i ndaluar për hetim bëmash të tilla nja tridhjetë herë; ndër të tjera për trafik armësh, që natyrisht nuk ishin të miat, po ashtu jam aktivizuar dhe kam kryer detyrën e konkurrentit të rremë në tendera e ankande, domethënë, duke ulur çmimin kot; kam bërë punën e sekserit, të lojtarit hileqar, të zhvatësit, të fshehësit; edhe kur më kanë hequr si zbulues apo hetues, kam bërë punën e ndihmës hetuesit apo ndihmës hileqarit; pastaj kam shkuar si agjent gjyqësor apo edhe si president i komitetit të famullisë, me kusht; kam shitur loto, ka pasur raste që kam qenë edhe baba të varfërish e nënë jetimësh; kam pasur biznes dhe kam dështuar, madje, kam qenë i akuzuar për djegie të qëllimshme të një klubi nate që pata…
Zotërinj, nëse nuk më besoni, shkoni dhe verifikoni dosjen time… dhe atëherë keni për të parë se jam i vetmi midis tërë atyre hipokritëve që duan të shpëtojnë këtë vend, absolutisht i vetmi që mund të shesë qoftë edhe pëllëmbën e fundit të kësaj toke… Kam ndërmend ta shes edhe Kuvendin, ndërsa Pallatin e Drejtësisë do ta kthej në një banesë kolektive apo hotel, sepse, po të mos ketë fare drejtësi, atëherë unë jam më i lirë, zotërinj qytetarë…»
Dhe keni për të parë se me një fjalim të tillë ose ju vrasin, ose ju zgjedhin në postin më të lartë të vendit.
Buenos Aires, 1936.
Perktheu nga Spanjishtja:BAJRAM KARABOLLI

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bajram Karabolli, Fjalimi, Robert Alt, sukses

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT