Nga pershendetja e zv/kryetarit te Vatres, Agim rexhaj me 24 Nentor 2014, ne presidencen e Republikes, me rastin e dekorimit me titullin “Nderi I Kombit”/
I nderuar Shkelqësia Juaj,President Nishani,
Të nderuar zonja dhe zotërinj, vëllezër, motra, Bashkatdhetarë, miq!
Një jetë me përpjekje, sakrifica, ëndrra, zhgënjime, suksese, e kaluar për të arritur clirmin e Kosovës ku kam lindur dhe demokratizimin e Shqipërisë time Nënë, nuk mund të kishte një ditë më të bukur sesa kjo e sotmja.
Qindra mijëra kilometra udhëtime, netë e ditë në dispozicion të cështjes tonë kombëtare, përpjekje të paepura të bëra në një jetë që ndodhej midis dy botëve: Atë të dashurisë dhe dhimbjes për atdheun, për Shqipërinë në njërën anë dhe për Kosovën në anën tjetër.Te dya të ndara prej një kufiri të vendosur në mes të një populli, të një kombi, të një gjaku, të një dheu – dhe një jete me të gjitha të mirat në vendin më të bukur në botë, Ameriken, por…gjithesesi,në mërgim.
Një jetë me shqetësimin e pandarë për fatet e njerëzve të gjakut tim, të vëllezërve, të të afërmve të bashkëkombasve tanë deri në ditën e lirisë;
Dhe të gjitha këto në një vend, në një Vatër, ku u ruajtën fatet e atdheut tonë këtej kufirit e ku u mbrojtën ato matanë kufirit në Kosovën tonë të dashur.
Ishte VATRA ajo që me ngrohtësinë e saj, me idealet e saj, me frymëzimin e saj në një vend të madh ku u vendosen fatet tona më mori pranë vetes për të bërë një udhëtim jo të shkurtër, por plot tridhjetë vjecar që nga ajo ditë kur si emigrant i ri në Shtetet e Bashkuara iu bashkangjita për të mos u ndarë kurrë më prej saj.
Sot është një ditë e madhe për VATRËN.
JU zoti President si një drejtues vizionar i Shtetit tonë Amë keni nderuar vatranët, jo thjesht Ing. Agim Karagjozin, Dr Gjon Bucajn dhe mua, por tërë ata burra që e filluan këtë udhëtim të gjatë që nga celja e tokave të Ulsterit, nga fabrikat e Bostonit, nga dera e Kishës së Nolit, nga zgjuarsia e Konicës, nga përpjekjet e Panaritit deri tek figura eminente e inteligjences shqiptare,Prof. Arshi Pipa, dinjiteti i Ing. Agim Karagjozit e urtësia e Dr Gjon Bucajt.
Unë ndjehem I lumtur, i nderuar, i prekur, i detyruar deri në pikën e fundi të qenjes time për kombin tim.
Zoti President!
Nuk ka fjalë që ta përshkruajë mirënjohjen time për Juve, për Institucionin që Ju Përfaqësoni, për nderin që na keni bërë.
Por ka një mënyrë për tua shpërblyer këtë:
Ta cojmë më pëprara punën e Vatrës për të mirën e Shqipërisë, Kosovës dhe tërë shqiptarëve në botë.
Faleminderit shumë
Zoti e bekoftë këtë vend, Shqipërinë tonë, Kosovën tonë , trojet tona shqiptare popullin shqiptar!
Zoti i bekoftë Shtete e Bashkuara të Amerikes
Zoti ju bekofte juve!
Faleminderit
Tirane,24 Nentor 2014.
Kryeministri Rama në OKB: Vizioni për Shqipërinë
Në Nju Jork, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara po vazhdon sesionin e 68-të, ku po marrin pjesë udhëheqës nga mbarë bota. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama iu drejtua asamblesë para disa orësh. Kryeministri shqiptar u ndal tek imazhi i vendit të tij dhe problemet kryesore si korrupsioni. Ai tha se kjo ndikon tek investimet dhe përparimet e vendit të tij.
Korrupsioni mund dhe duhet të mundet nëse ne kërkojmë të ndërtojmë ekonominë dhe sundimin e ligjit për të cilat kemi nevojë, për investimet dhe nxitjen e turizmit. Zoti Rama shprehu angazhimin në luftën kundër korrupsionit.Kryeministri shqiptar u ndal po ashtu edhe tek aspiratat e vendit të tij drejt Bashkimit Evropian.
Zoti Rama shprehu bindjen se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë ka shënuar fillimin e një epokë të re në rajon. Dialogu Prishtinë-Beograd është një akt kuraje dhe mençurie si nga Kosova dhe Serbia dhe sfidon vendet e rajonit për të mobilizuar përpjekjet për mënyra të reja bashkëpunimi që i sherbejnë ripërtëritjes ekonomike të Ballkanit drejt rrugës për në Bashkimin Evropian.
Zoti Rama shprehu angazhimin e vendit të tij për paqen dhe begatinë në rajon. Zoti Rama u bëri thirrje vendeve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin atë. Vizioni im për Shqipërinë, përfundoi zoti Rama, është po ashtu një vizion bashkëpunimi në Ballkan, duke sfiduar të kaluarën historike të luftrave dhe konflikteve(VOA)
“Vatra” synon të jetë një zë i fortë kombëtar, objektiv, i pavarun nga rrymat politike
Nga Dr. Gjon Bucaj*/
Asht nderë e kënaqësi për vatranët dhe për të gjithë neve, t’ju përshëndesim me nderime e dashamirësi sonte në mesin tonë. Përshëndetje të përzemërta klerikëvet tanë dhe mirëseardhje Ambasadorit të Shqipnisë në Washington, zotit Gilbert Galanxhi që ju përcjell gjatë kësaj vizite në Shtetet e Bashkueme, Sekretarit të Shërbimit Diplomatik zotit Besnik Konçi, dhe Konsullit të Përgjithshëm zotit Dritan Mishto me zonjën, i cili asht shumë i afërt me Vatrën dhe me komunitetin në përgjithësi. Jemi mirënjohës të gjithëvet që na nderoni me prezencën tuej.
Familja vatrane po ju pret bashkë përfaqësuesit e institucionevet fetare që, krahas me shërbimet fetare përkatëse, zhvillojnë edhe aktivitete të dobishme me karakter kombëtar.
Vizitën tuej sot në selinë e “Vatrës”, si dhe takimin në këtë darkë familjare, i shohim si vlerësim nga ana e juej, për kontributin që kjo organizatë e shqiptarëve t’Amerikës i ka dhanë kombit për ma se një shekull. E shohim, gjithashtu, si mbështetje për vatranët e tashëm dhe për komunitetin shqiptar të Amerikës në përgjithësi, në përpjekjet për t’a shtri “Vatrën” në të gjithë Amerikën dhe në Kanada, tue sjellë në gjinin e saj brezin e ri, për t’a projektue me besim drejt së ardhmes, në frymën kombëtare të trashigueme nga themeluesit e saj. “Vatra” synon të jetë një za i fortë kombëtar, objektiv, i pavarun nga rrymat politike.
Për zgjedhjet e 23 qershorit të kaluem, shumica e vatranëvet patën shprehë mendimin që proceset e integrimit dhe planet ekonomike të vazhdonin pa u ndërpre nga ndërrimi i administratës. Megjithate, në përgjithësi u vlerësue pozitivisht zbatimi i normavet demokratike me njohjen e rezultatit dhe me dorëheqjen e ish Kryeministrit Berisha nga drejtimi i Partisë Demokratike, si kontribut i randësishëm për krijimin e klimës së bashkëpunimit paszgjedhor.
Administratës së re i dëshirojmë qeverisje të drejtë, në frymë demokratike, me suksese në interesin e Shqipnisë dhe të popullit shqiptar. Pozitës dhe opozitës u dëshirojmë bashkëpunim konstruktiv, tue mos lejue rivalitetet partiake të cenojnë interesat e përbashkëta të kombit e të atdheut. Konfliktualiteti politik asht i damshëm për vendin dhe i dobishëm për askend.
Në takimet e së kaluemes me zyretarët e lartë të Shqipnisë, kemi vlerësue arritjet në periudhën e tranzicionit, si në ndërtimin e infrastrukurës, në procesin e integrimit në NATO dhe të liberalizimit të vizave, në përkrahjen e fuqishme të Kosovës për pavarësi, si dhe në ecjen drejt integrimit në Europë. Vazhdimisht kemi sjellë në vemendje nevojën e thellimit të matejshëm të reformavet dhe zgjidhjen e problemevet që shqetsojnë shqiptarët si: integrimi dhe damshpërblimi i shtresës së të përndjekunvet, këthimi i pronave të konfiskueme nga regjimi komunist, hapja e dosjeve të diktaturës, ligji i lustracionit dhe korrupsioni i lartë. Kemi besim se me ju, zoti President, në krye të shtetit dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, realizimi i këtyne dhe tjera reformave të nevojshme, do ta ketë rrugën ma të lehtë për të kalue, në se ato arrijnë mbi tavolinën tuej. Këtë herë po përqendrohemi tek randësia që harmonia ndërfetare e shqiptarëvet ka për stabilitetin dhe për mirëqenjen e kombin tonë. E shohim nevojën që, organet shtetnore e kulturore, të tregojnë ma shumë vlerësim, përkrahje dhe mbrojtje, për institucionet fetare dhe për klerikët të cilët, shërbimin shpritnor, e ushtrojnë me përkushtim për besimin përkatës dhe, në të njejtën kohë, ia njofin vleren dhe i dalin zot vëllaznimit të gjakut shqiptar. Asht krenari dhe kënaqësi për ne që shembullin e klerikëve të tillë e kemi këtu bashkë me, në pritjen e Presidentit të Republikës së Shqipnisë.
Ju urojmë sukses në takimet e rëndsishme të këtyne ditëve, në Nismën Globale Klintoni 2013.
Ju urojmë shëndet e të mira familjare dhe energji e suksese në krye të Shtetit Shqiptar.
*Përshëndetja e kryetarit të Vatrës gjatë darkës me presidentin Bujar Nishani me 24 shtator 2013
DON FRAN KOLA: I JEMI MIRËNJOHËS PRESIDENTIT DHE DEGËS SË VATRËS QË PROPOZOI NDERIMIN E INSTITUCIONEVE FETARE*
I nderuar President i Republikes se Shqipërisë, Bujar Nishani!/
I nderuar Ambasador Galanxhi,/
I nderuar Konsull i Nderit, Bardha,/
Te nderuar klerikë,/
Motra dhe vellezer te pranishem,/
Ju përshëndes në emër të Komunitetit Katolik të Shën Palit, duke falenderuar Zotin dhe gjithë anëtarët e kësaj Famullie të njohur që, me në fund, Dega e Detroitit e Federates Panshqiptare te Amerikes “VATRA” u kujtua të propozoi nderimin e kësaj bashkësie nga më vitalet në Diasporën Shqiptare.
Duke ju uruar mirëseardhjen në Komunitetin tone, i nderuar President dhe përsonalitete që e shoqëroni Presidentin në këtë vizitë, deshiroj t’u falnderoj sinqerisht dhe të vë në dukje disa nga vlerat e Komunitetit Katolik të Shën Palit , këtu në Detroit.
Kisha e Shen Palit u themelua vonë, por kjo nuk do të thotë aspak se nuk ishte e themeluar në zemrat dhe mendjet e katolikëve shqiptar që kishin lënë Aatdheun dhe, sidomos, të malësorëve besimtarë e bujarë, të cilët kishin lëshuar trojet e tyre masivisht për një jetë më të lirë e më të mirë, me mendimin se diçka po ndryshon, me shpresen për t’u rikthyer prapë.
Ishin vitet e vrullshme të nëpërkëmbjes masive të të drejtave të shqiptarve të Kosovës,kur u hodhen themelet e kesaj qendre, bash në vitin 1980. Demostratat e përgjakura nga makineria ushtarake Jugosllave, vitet e dhunimit të besimit, të lirisë së fjalës e pronës në Shqipërinë komuniste, nxiten disa besimtarë katolikë këtu në Michigan të ndërtonin Qendren e Shën Palit, e cila ka një kontribut të pakrahasueshëm me asnjë Qendër tjetër në veprimtarinë atdhetare, kombëtare dhe fetare.
Inaugurimi i sajme 29 Qershor të vitit 1981 u kthye në një festë të vërtetë, me pjesëmarrjen e mijëra vetëve për tri ditë radhazi. Që në fillim u profilizua atdhetarizmi i kësaj Qendre të vërtetë shqiptare, si një vyrtit moral i rëndësisë së veçantë, mishëruar edhe në veprimet konkrete të famullitarit të parë të saj, Dom Prek Camaj e vazhdimin e mëpasëm nga Don Anton Kçira. Roli i Qendres së Shën Palit ishte i papërshkrueshëm, falë shpirtit patriotik të malësorëve legjendarë , si dikur i kishte përshkruar i pavdekshmi At’Gjergj Fishta, shqiptarë të devotshëm, besimtarë të mrekullueshëm, trima e të vendosur si çmos kush tjetër.
Në Qendren e Shën Palit e kanë nismën të gjitha veprimtaritë patriotike dhe atdhetare, duke filluar nga dhjetra e qindra demostrata për lirinë e Kosovës nga zgjedha serbe, për lirinë e shqiptarëve nga komunizmi më i egër dhe ekseprimental, grevat e urisë në përkrahje të minatorëve të Trepçes e deri tek demostratat e fundit për lirimin e të burgosurve politik të Malësisë, njohur me emrin famëkeq “Fluturimi i Shqiponjës” dhe levizjet e tjera për barazi dhe të drejta njerëzore të malësorëve nën Mal të Zi.
Në të gjitha këto veprimtari, kjo qendër është mbështetur edhe nga Teqja Bektashjane e vet Baba Rexhepi, nga Xhamia dhe përsonalisht Imam Vehbi Ismaili, nga patriotët Ferdin Toptani, Petrit Butka, Viktor Çako, Tajar Shaska, Ekrem Bardha e shumë e shumë të tjerë, pamarrë parasysh besimin, mjafton të punohej në të mirë të Shqipërisë.
Qendra e Shën Palit është dalluar në përkrahjen dhe njohjen e gjithë vendimeve në të mirë të Shqipërisë e Kosovës, duke i festuar ato, e duke ndihmuar për të arritur deri te realizimi i tyre në të gjitha format. Prej këtu nisen ndihmat financiare të Luftës Çlirimtare të Kosovës, ndërtimi i Institucioneve të besimit në Shqipëri, dhjetra raste sëmundjesh e ndihma të tjera humanitare. Po kjo Qendër, është ndër më të organizuarat për mësimin e gjuhës shqipe, për aktivitetet kulturore dhe grupet artistike, për ndihmën e botimeve e aksioneve të tjera kombëtare, si përkujtimin e ngjarjeve historike, që në vitet 80 e këndej, pa asnjë ndërprerje. Në këtë Qendër gjinden simbolet kombëtare më të spikatura, si Memoriali i Gjergj Kastriotit-Skenderbeu, Nënë Terezës, salla me emrin e Gjergj Fishtes etj.
Po kështu, këtë Qendër e kanë vizituar e vlerësuar të gjithë përsonalitetet e politikës së lartë shqiptare dhe të Kosovës, si dhe senatorë e kongresmenë amerikanë nga më të njohurit, heronj te demokracisë e lirisë, si të ndjeret Ibrahim Rugova, Pjeter Arbnori e Azem Hajdari.
Të gjitha këto e shumë veprimtari të tjera, që ndoshta nuk është vendi as koha t’i themi në detaje, janë realizuar falë dashurisë së madhe për atdheun tonë, në respektim të Institucioneve Demokratike dhe në mbështetje të vazhdueshme të bërjes së Shqipërisë Evropiane, në rindërtimin e Kosovës Institucionale, si një shtet i mirëfilltë, në kërkimin e vazhdueshëm të të drejtave të vëllezerrve tanë, që jetojnë në tokën e tyre, por nën shtetin malazez, në kërkesat e pareshtura për Çamërinë Shqiptare, si dhe të bashkimit e të njojhes, të ndihmes e përkrahje së çdo shqiptari kudo që ndodhet në botë.
Faleminderit!
Don Fran Kola
Famullitar i Kishës së Shen Palit
*Fjala pershendetese ne takimin festiv me Presidentin e Shqiperise, z. Bujar Nishani
Troy, Michigan, Hotel Marriot, 22 Shtator 2013
PRESIDENTI NISHANI:FLAMURIT TI DALIM ZOT!
Ditëlindja e 100-të e shtetit shqiptar është ngjarja më e bukur për çdo bashkëkombës, kudo ku jeton, në Shqipëri dhe jashtë saj. Të gjithë, pikërisht sot, e festojmë mes nesh të bashkuar, të lirë, të fortë dhe me miq të shumtë. Kam nderin dhe privilegjin t’i ndaj me ju këto çaste me anë të këtij mesazhi. Çaste që ndoshta zgjasin vetëm pak minuta, por që janë ndër më të veçantët për mua, ashtu sikurse për çdonjërin prej të gjithë atyre që kanë lindur në këtë vend dhe në trevat shqiptare; për të gjithë bashkëkombësit kudo qofshin; për çdonjërin që krenohet me rrënjët e familjes shqiptare; për çdonjërin që shpalos me dinjitet dhe krenari shenjat më sublime të kombit tonë: flamurin. Prej luftërave të Kastriotëve kundër otomanëve, e deri më sot, simboli ynë, shenja jonë bashkuese, ky flamur të cilin sot në këtë 100-vjetor jemi mbledhur ta nderojmë, ka bërë rrugë të gjatë. Gjatë kësaj rruge të mundimshme, ia kemi arritur nga flamuri ynë të mos ndahemi, flamurit tonë t’i dalim zot. Na e kanë rrëmbyer flamurin dhe ua kemi marrë përsëri e na është bërë më i dashur. Kanë provuar të na e çjerrin, të na e grisin flamurin dhe s’i kemi lejuar. Janë përpjekur të na e zhdukin flamurin duke u munduar të na bindin ta harrojmë dhe ia kanë arritur ta zhdukin për ca kohë, por e kemi nxjerrë përsëri ne nga hiri i harresës. Kanë arritur të na e ndotin duke e ndryshuar dhe e kanë e ndryshuar për ca kohë, por përgjithmonë nuk kanë mundur ta ndotin e ta mposhtin, as ne e as flamurin tonë. Dhe ja ku e kemi sot atë krenar duke u valvitur. Historia e vendit tonë në faqet e saj të shkruara e të pashkruara dëshmon qartë dhe bindshëm për gjakun e derdhur, për sakrificat e pafundme dhe mundin për të mbërritur në ditën e lavdishme të mëvetësisë, kur ëndrrat do të fillonin të bëheshin realitet. Kur shpresat e shqiptarëve do të fitonin të drejtën e jetës. Dhe sot, më shumë se kurrë, ne po jetojmë ditën kur kujtojmë dhe nderojmë punën, vlerën, kontributin e burrave të 1912-ës. Me respekt, me mirënjohje të thellë, me kurajë për të pranuar çdo kontribut të çmuar, të çdo atdhetari e patrioti që bëri të mundur mbërritjen e ditës së madhe, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ne kujtojmë dhe nderojmë ata që na bënë shtet të lirë, që na falën dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e të qenit shqiptar. Sot, njëqind vjet më vonë, më në fund, ne i njohim një për një të gjithë emrat e firmëtarëve të aktit të madh të Pavarësisë, pa turpin e fshehjes së qëllimtë të një pjese syresh. Janë dyzet patriotë, intelektualë, atdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare që firmuan aktin e shpalljes së rrugëtimit në liri të Shqipërisë. Është nder dhe krenari për ne që sot të nderojmë secilin prej tyre dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm që nuk u prapsën nga rreziqet, që i mposhtën dasitë fetare e krahinore, që besuan në ëndrrën e tyre të madhe e të guximshme dhe që me përkushtim, iu përgjigjën thirrjes të atij viti të madh. Sot, ne kemi me çfarë të krenohemi. Nuk është më një vend i boshatisur nga vlerat dhe kujtesa historike apo me fotografi dhe dokumente të fshehura dhe të falsifikuara. Ne nderojmë Ismail Qemal Bej Vlorën, burrin e madh të kombit shqiptar dhe fisnikët trima që u mblodhën kokë më kokë me të. Nderojmë çdo dëshmor që flijoi jetën e tij për Shqipërinë. Në këtë 100-vjetor të lavdishëm të zgjimit tonë dhe të flamurit tonë, përulemi thellë para tyre duke kujtuar me respekt të madh sakrificat sublime që prej shekujsh për këtë flamur shqiptarët kanë bërë. Përpjekjet e papërfytyrueshme të mijëra e mijëra martirëve tanë; lodhjet e tyre, syrgjynosjet e tyre, pasuritë që shkrinë, jetët që dhanë, për këtë flamur. Ka qenë rrugë e gjatë, e vështirë. Një vend i vogël si Shqipëria, pothuaj i papërfillshëm në hartat e fuqive të mëdha, pre e synimeve shoviniste të shteteve fqinje lakmitare, nuk u rrëzua, nuk u shua, u mbajt fort, u ngrit në këmbë, ushqeu me gjakun e vet ëndrrën për liri; shpresën e madhe për pavarësi. Sepse pati bij të mirë që asnjëherë nuk u ngritën kundër një vendi tjetër. Thjesht deshën dhe mbrojtën trojet e tyre. Sot, ne kemi ëndrra dhe shpresa të mëdha. Shqipëria e sotme dhe ajo e nesërmja janë vazhdë e ngritjes së flamurit në Vlorën e 1912. Si krijesa të zjarrta të lashtësisë, energjikë dhe shpërthyes, ne shqiptarët dhe flamuri ynë, nuk mund të ekzistojmë ndryshe veçse në simbiozë me simbolin tonë, me flamurin tonë. Si të tillë, ne dhe flamuri ynë jemi të pandarë dhe të pandashëm; si materia dhe mendimi, ideja dhe veprimi, toka dhe qielli, trupi dhe shpirti jemi një. Flamuri ynë është nga më të pastrit; në asnjë rast të historisë, flamuri ynë nuk i priu asnjë pushtimi, asnjë shkatërrimi. Flamuri ynë na është dashur ne dhe ne i jemi dashur flamurit tonë, si simbol mbijetese, si çimento bashkimi. Aspak për t’i rënë kujt në qafë. Vetëm për të ndihmuar njëri-tjetrin; flamuri ne, ne flamurin, edhe ne edhe flamuri, Shqipërinë dhe shqiptarinë. Të vazhdojmë ta mbajmë të pastër e të paprekur flamurin tonë, simbolin tonë të shenjtë udhëndriçues dhe bashkues. Ashtu si dielli ndrit dhe ngroh botën dhe mban gjallë jetën, ne na ndrit, na bashkon, shpirtrat na i ngroh, rrugën na e tregon, ky flamur. Me pamje frymëzuese, me ngjyra ekzaltuese. Nga më të vjetrit, më krenarët, më madhështorët, më të bukurit në botë, është flamuri ynë. Si President i një vendi të lirë dhe demokratik, më shumë se kurrë pranë familjes evropiane, ju uroj: Gëzuar festën, të gjithë shqiptarëve që në këto 100 vjet një pjesë të jetës së tyre e kaluan të privuar nga e drejta e parë themelore, nga liria! Gëzuar festën të gjithë shqiptarëve, në Kosovë, në Maqedoni e Malin e Zi; kudo ku janë në botë, që kanë shijuar ditën e madhe të lirisë kur u shemb muri i lartë i diktaturës! Gëzuar festën të gjithë djemve dhe vajzave njëzetvjeçarë që lindën në liri dhe sot jetojnë ëndrrën që nuk e jetuan dot të parët tanë! Gëzuar festën Vlorës heroike! Gëzuar festën të gjithë shqiptarëve në të gjitha trevat! Qoftë e bekuar kjo ditë për të gjithë shqiptarët kudo ku janë! Rroftë Vlora! Rroftë Shqipëria! Rroftë kombi shqiptar!