• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Roli i Diasporës Shqiptare në SHBA për çështjen kombëtare!

February 16, 2023 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Drejtor per Çeshtjet e Rajonit dhe Diasporen ne Bordin e Drejtoreve te Keshillit te Ambasadoreve Shqiptare

Në kapërcyell të shekullit të kaluar mërgata shqiptare ishte promotori i Lëvizjes Kombëtare, së pari i Rilindjes sonë Kombëtare, e pastaj edhe i Pavarësisë së Shqipërisë së sotme zyrtare.

Mërgata jonë e fillim shekulli të kaluar janë në themelet e zhvillimeve kulturore dhe politike të kombit tonë, atëherë kur fatet e tij ishin në zgrip të ekzistencës.

Nga takimi me Mërgatën shqiptare të Rumanisë dhe me ndihmën financiare të tyre, Ismail Qemaili shkoi në Vlorë dhe ngriti flamurin e Skënderbeut si dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Po aty u shkrua edhe “Himni i Flamurit” nga Asdreni.

Mërgata shqiptare është në themelet e çdo vlere të lartë kombëtare që kemi sot, si në gjuhë, kulturë, arte, politikë dhe shtet-formim.

Pa rolin e Mërgatës shqiptare në botë, e kryesisht të mërgatës shqiptare në SHBA, sot fatet e kombit tonë do të ishin krejt ndryshe.

Qe nga themelimi i Organizatës Pan-Shqiptare “VATRA” dhe gazetës “DIELLI” (e cila dje kishte 114 vjetorin e themelimit), e deri në ditët e sotme të gazeta “ILLYRIA”, radiot dhe televizionet, si dhe mediat e tjera, shoqatat e organizatat shqiptare, klubet sportive dhe shkollat për mësimin e gjuhës shqipe, mërgata jonë në SHBA qëndron në ballë të lëvizjeve kombëtare.

Mërgata jonë botoi librat, gazetat dhe revistat e para në gjuhën shqipe, shkroi librat e parë për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeu, solli bandën e parë muzikore nga Amerika dhe krijoi grupin patriotik e kulturor “Lira” në Korçë, krijuan fondin e parë për shtetin e pavarur shqiptar, por ata erdhën dhe kapën armët në dorë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Shqiptarët e Amerikës, në këtë vend të madh të lirisë dhe demokracisë, që nga shqiptari i parë i cili u vendos zyrtarisht në Shtete e Bashkuar të Amerikës në vitin 1889, Kolë (Nikola) Kristofori nga fshati Katund i Korçës, jo vetëm që u zhvilluan materialisht dhe ekonomikisht, por ata u bënë qytetar të denjë amerikan me kontribute të veçanta në të gjitha fushat e jetës. Ata morën pjesë edhe me armë në dorë në forcat ushtarake amerikane që nga Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore, Lufta në Vietnam, Irak, Afganistan dhe Siri, shumë prej tyre duke dhënë edhe jetën.

Shqiptarët e Amerikës u bënë emra të shkuar në gazetari, art, kulturë, mjekësi, avokati, shkencë e sporte, kohëve të fundit po angazhohen çdo ditë e më shumë edhe në institucione dhe politiken amerikane si, nobelisti Ferid Murati, Sejfi Protopapa, Nexhmije Zajmi, Skender Xhilaga, Sami Repishti, Nikolla Cako, Bardhyl Tirana, Isuf Luzaj, Qemal Butka, Nexhat Peshkëpie, Arshi Pipa, Van Kristo, Villiam Gregori, Vëllezërit Belushi, Sten Dragoti, Pjeter Malota, Nikolla Pano, Peter Prifti, Bill Kovaç, Rose Dosti, Eliza Dushku, Emine Cunmulaj, Toni Dovolani, dr. Rifat Latifaj, Dr.Sylejman Çelaj, vëllezërit Ylli e Ylber Bajraktari, i mirënjohuri Fadil Berisha dhe shumë të tjerë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë strehë për patriotët shqiptarë të cilët përndiqeshin nga sistemi diktatorial komunist në Shqipëri dhe ai pushtues komunist në ish-Jugosllavi. Në SHBA gjetën strehë dhe zhvilluan veprimtarinë e tyre patriotike që nga Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Hasan Dosti, Xhafer Deva, Ago Agaj, Luan Gashi, Rexhep Mitrovica, Vëllezërit Mulosmanaj, dr.Fuad Myftia, Xhemal Laçi, Jonuz Ndreu, Rasim Sina, Hysen Tërpreza, Ismet Berisha dhe shumë e shumë patriotë dhe veprimtarë të tjerë…

Në SHBA gjithashtu u vendosën shumë pjesëtarë të familjeve të njohura dhe të dëshmuara patriotike që ishin në kundërshti me sistemet komuniste në Shqipëri dhe në trojet e tyre nën pushtimin ish-Jugosllav, si familjet: Ndreu, Balaj, Mirakaj, Kupi, Gjonmarkaj, Dine, Kaloshi, Perolli, Mulosmanaj, Biberaj, Zherka, Bajraktari, Berisha dhe familje të tjera patriotike të dëshmuara…

Shqiptarët e Amerikës punuan natë e ditë për rrëzimin e sistemit diktatorial dhe demokratizimin e Shqipërisë, por edhe për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e tyre amtare në Maqedoninë e Veriut, Medvegjë, Bujanovc, Preshevë e Mal të Zi, por edhe për të drejtën e kthimit të pronave të shqiptarëve dhe shtetësinë e tyre në Çamëri.

Një kontribut të veçantë në mbajtjen gjallë të frymës kombëtare dhe të mos asimilimit në kombe të tjera për shkak të fesë të njëjtë me to, në SHBA gjatë gjithë historisë sonë dhanë edhe komunitetet fetare që u organizuan nga mërgata jonë, si:

Komuniteti Orthodoks Shqiptar me prijësit fetar që nga, At Fan Noli, At Vani Çani, At Stefan Lasko e deri të vëllezërit At Nikon dhe At Artur Liolini.

Komuniteti Katolik Shqiptar me prijës fetar që nga Imzot Zef Oroshi, Imzot Rrok Mirdita,Dom Pengë Ndrevashaj, Dom Anton Kçira e deri të prijësit e sotëm të Kishës Katolike Shqiptare kudo në Amerikë si, Dom Pjetër Popaj e të tjerë.

Komuniteti Mysliman Shqiptar, që nga Salih efendi Myftiu, Rexhep Kumbarçe, Imam Isa Hoxha, Imam Vehbi Ismaili, e deri në ditët e sotme të Imam Tahir Kukaj dhe shumë drejtues të tjerë fetar kudo në SHBA.

Komuniteti Bektashi Shqiptar, me prijës fetar të shquar si, Baba Rexhepi, Baba Arshiu e deri në ditët e sotme të Baba Eliton Pashaj.

Të gjitha komunitetet fetare shqiptare në SHBA kishin në krye të tyre burra të zgjuar, besimtarë të denjë por edhe patriotë të vërtetë.

Një rol të veçantë në lidhjen shpirtërore dhe politike të shqiptarëve në gadishullin Ilirik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka luajtur ra dio“Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe, që nga themelimin e deri me sot.

Radio “Zëri i Amerikës” për shqiptarët kudo që jetojnë në trojet e veta etnike, ishte zëri i shpresës dhe i lirisë, zëri i së vërtetës. Nuk mund të mos i përmendim disa nga emrat e shquar të gazetarisë të “Zërit të Amerikës” që u bën pjesë e çdo familje shqiptare patriotike, që nga Nexhmije Zajmi, Elez Biberaj, Frank Shkreli, Shaqir Salihu, Isabela Çoçoli, Laura Kondo, dr.Faton Gashi, Idriz Lamaj,

Ilir Ikonomi, Vehbi Bajrami e deri në ditët e sotme të Arben Xhixho, Mirela Milori, Klejda Kostreci dhe shumë të tjerë.

Një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe po luajnë në prezantimin e realitetit që po ndodh në trojet tona gazetarët Beqir Sina, Halil Mulaj, Dalip Greca, Muhamet Mjeku, Sylejman Gashi, Hys Shkreli, Ruben Avxhiu, Rafael Floqi, Sokol Paja dhe të tjerë gazetarë të shumtë shqiptar në mediat në gjuhën shqipe dhe atë angleze, në dhjetëra gazeta online, portale, radio dhe televizione në gjuhën shqipe në të gjithë SHBA-në.

Roli i Mërgatës Shqiptare në SHBA, në 100 vjet të Marrëdhënieve diplomatike në mes të Shqipërisë dhe SHBA, por edhe në 15 vite të Pavarësisë së Kosovës, ka shumë emra të përveçëm të cilët me lidhjet e tyre personale krijuan miqësi të mëdha jo vetëm për vete por për të mirën e kombit tonë në përgjithësi.

Është rasti të përmendim disa nga emrat e përveçëm me kontribute të mëdha në ketë drejtim, si: Fan Noli, Faik Konica, Antonio Athanasi e deri në ditët e sotme si, Xhim Xhema, Harry Bajraktari, Elez Biberaj, Ekrem Bardha, arbëreshi Jozef Dioguardi, vëllezërit Osmani, vëllezërit Bytyqi, Rexhë Xhakli, Bruno Selimaj, Rrustem Geci, vëllezërit Gojçaj, Turhan Rusi me te bijtë (Sal, Ilirian, Benjamin), Ricard Lukaj, Bruno Ceka, Din Derti, Dino Hasanaj, Ramadan Gashi, Martin Shkreli, Ramiz Tafilaj, Skënder Perolli, Albert e Lui Fundo, Nazar Mehmeti, Ilir Zherka, Avni Mustafaj, Mark Gjonaj, Elmi Berisha, dhe shumë e shumë personalitete të cilët nuk po i përmendim të gjithë me emër, jo për shkak të rëndësisë së tyre, por për shkak të listës së gjatë të këtyre emrave dhe të kohës së shkurtër në dispozicion. Të gjithë ata kanë dhënë shumë për demokratizimin e Shqipërisë, pavarësinë e Kosovës, të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike, si dhe lidhjet me kombin dhe shtetin amerikane.

Një rol të veçantë dhe të jashtëzakonshëm gjatë më shumë se një shekulli në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ka luajtur Organizata Pan-Shqiptare “Vatra” dhe veteranët pa përjashtim, që nga themelimi i saj nga Fan Noli e Faik Konica me shokë, kryetari i përjetshëm i nderit Antonio Athanas, e kryetarët e “Vatrës” në vazhdimësi deri të Agim Karagjozi, dr. Gjon Buçaj e kryetari i saj aktual Elmi Brerisha.

Për rolin e “Vatrës”, të gazetave “Dielli” e “Illyria”, si dhe të Lobit Shqiptaro-Amerikan, Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, si dhe dhjetëra organizatave, shoqatave dhe mediave të tjera duhet të mbahet një simpozium i veçantë shkencor që të mund të shterohet pjesërisht kontributi i tyre në SHBA, për çështjen kombëtare shqiptare.

Pa kontributin e emrave dhe organizatave të sipërpërmendura, si dhe qindra e mijëra shqiptarëve të tjerë të Amerikës, emrin shqiptar, Shqipëri dhe Kosovë, asnjëherë nuk do ta mësonin dhe nuk do të ishin kaq të informuar dhe të interesuar dhe dashamirës për fatet e kombit tonë, që nga Presidenti Wilson, senatoret dhe kongresment si, Bob Dole, Alfons D’Amato, Benjamin Gilman, Cak Shumer, Ted Kenedy, Eliot Engel e Tom Lantos, të dy Presidentet Bush, Presidentet Klinton e Baiden, sekretaret e shtetit Ollbrajt e Klinton, Gjenerali Klark, Ambasadoret Wolker e Wisner, e deri ne ditët e sotme të kongresmeni Torres. Si dhe shumë e shumë personalitete të tjera të rëndësishme të Kongresit, Senatit, Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit, Pentagonit, dhe në të gjitha nivelet e tjera të politikë bërjes, të sistemit të sigurisë dhe vendimmarrjes në SHBA.

Rezolutat e shumta në Kongres dhe Senat, qëndrimet e Departamentit të Shtetit, qëndrimet dhe veprimet e Ambasadorëve, Kongresmeneve, Senatoreve, Sekretareve të Shtetit e deri të Presidenteve të SHBA. Vizitat e Kongresmenëve dhe Senatorëve në Kosovë të udhëhequr nga miku i madh i kombit tonë Robert Dole, vizita e Sekretarit të Shtetit Xheims Bejker, e deri të vizita e Presidentit Xhorxh W. Bush në Tirane, që solli lajmin e madh se më në fund është koha që, Kosova të jetë shtet i pavarur (enough is enough), në themel e kanë kontributin e madh të shqiptarëve të Amerikës e në ballë të kësaj pune çdoherë ishte patrioti i madh dhe i dëshmuar nga Tupalla e Medvegjës, z. Xhim Xhema.

Dëshmia më e freskët dhe kuptimplote e kontributit të mërgatës shqiptare të Amerikës për çështjen kombëtare është pjesëmarrja në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftërat e fundit që ndodhën në trojet tona. Shqiptarët e Amerikës jo vetëm që kontribuuan materialisht dhe financiarisht, por ata ishin pjesëmarrës aktiv në luftën e UCK-së me Batalioni “Atlantiku”, ku dhanë edhe dëshmorë si vëllezërit Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyqi.

Siç nuk imagjinohej dot fati i kombit tonë në kapërcyell të shekullit të kaluar, atij XX-të, as sot nuk konceptohet e sotmja dhe e ardhmja jonë pa kontributin e mërgatës sonë kombëtare.

Pa rolin parësor dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të kishim Shqipëri të pavarur, demokratizim të Shqipërisë në vitet ’90-të as anëtarësim në NATO, nuk do të kishim as çlirim dhe pavarësi të Kosovës dhe njohjen e saj nga shumica e shteteve të botës demokratike. Për të gjitha këto si djepër lidhjet e thella dhe miqësore me popullin dhe institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thellësisht mirënjohës duhet ti jemi mërgatës sonë.

Presidenti historik i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova thoshte: ”Shtëpia nuk mbahet pa miq…”.

Shqiptarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më së miri e kanë dëshmuar dhe vërtetuar më vepra ketë gjë.

Filed Under: Fejton Tagged With: Flamur Gashi

Urime 53 vjetori i Universitetit të Prishtinës

February 15, 2023 by s p

Flamur Gashi/

“Çdo shqiptar i shkolluar është një armik më shumë për Jugosllavinë!” – Millosh Cërrnjinski, shkrimtar dhe diplomat serb.

Hapja e Universitetit të Prishtinës ju hapi syt, zemrat dhe mendjen të gjithë shqiptarëve nën ish Jugosllavi.

Me këtë rast, kujtojmë me nderim dhe respekt të gjitha përpjekjet që çuan në themelimin e këtij Universiteti, veçmas kontributin e madh që kanë dhënë demonstratat e vitit 1968 dhe plejada e patriotëve shqiptarë që sakrifikuan çdo gjë për përparimin tonë kombëtar.

Me respekt të thellë, duhet të kujtojmë themeluesit e Universitetit dhe disa nga profesorët që kontribuan ndër vite në forcimin e Universitetit të Prishtinës si, Dervish Rozhaja, Gazmend Zajmi, Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Esat Mekuli, Musa Haxhiu, Muslim Mulliqi, Hajredin Hoxha, Fehmi Agani, Syrja Pupovci, Minir Dushi, Feriz Krasniqi, Ali Hadri, Zekirja Cana, Anton Çetta, Hasan Mekuli, Osman Imami, Mehmet Begraca, Gazmend Shaqiri, Eshref Ademaj, Ejup Statovci, Zejnel Kelmendi, Nexhat Daci, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Hivzi Islami, Isuf Krasniqi, Sabri Hamiti, Anton Berisha, Arsim Bajrami, Ramadan Zejnullahu, Marian Demaj, si dhe një plejadë të tërë intelektualësh dhe patriotësh të vyer, që u bënë pishtarë të dijës dhe të kulturës sonë kombëtare.

Pa dyshim, rol të pazëvendësueshëm në të gjitha përpjekjet tona kombëtare kanë dhënë studentët e këtij Universiteti, të cilët krahas studimeve, janë përfshirë edhe në zhvillimet politike të Kosovës dhe kudo në trojet shqiptare nën ish Jugosllavi.

Themelimi i Universitetit të Prishtinës është një ngjarje që e ndan historinë e Kosovës në dy epoka: periudha e shoqërisë së saj pa universitet dhe me universitet.

Para universitetit, niveli i analfabetizmit në Kosovë mezi ishte zbritur në 40 për qind, pas organizimit të kurseve kundër analfabetizmit në vitet 1950.

Pas universitetit, përhapja e ndikimit të tij ishte bërë e pakontrollueshme, gjë kjo e paparashikueshme.

Universiteti i Prishtinës ka një histori të vrullshme që e parë bashkë duket e habitshme të ketë ngjarë në vetëm 50 vjet. Madje jo vetëm histori, sepse Universiteti i Prishtinës ka edhe një “parahistori” – e kaluara që e solli atë.

Paradoksalisht, disa nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës janë më të vjetra sesa vetë ai.

Fakulteti Filozofik së pari, si më i vjetri, i themeluar që më 1960, apo Fakulteti Juridik-Ekonomik, që ishte hapur një vit më pas. Por të dy këto fakultete funksiononin si pjesë e Universitetit të Beogradit, atë kohë kryeqytet i Jugosllavisë.

Do të duhej të kalonte fiks një dekadë nga fakulteti i parë në Kosovë, për të ardhur tek universiteti i parë: 10 vjet nga Fakulteti Filozofik tek Universiteti i Prishtinës.

Në vitin 1968, kur në rrugët e Parisit dhe Pragës ishin dyndur mijëra njerëz për të protestuar, në Prishtinë mijëra shqiptarë do të protestonin po ashtu kundër diskriminimit politik dhe social të tyre në Jugosllavi. Parullat përmbanin kërkesa: “Duam Flamur Kombëtar”, “Duam Kushtetutë”, “Duam Republikë” dhe “Duam Universitet”…

Një kontributë të veçantë në zhvillimin e Universitetit të Prishtinës gjatë viteve ’70 kanë dhënë edhe profesorët nga Tirana të cilët nuk kursyen asgjë, me aq sa lëjohej në kushtet që ishin për zhvillimin dhe konsolidimin e Universitetit të Prishtinës….

UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969.

Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtiu shpall “Ditë e Universitetit të Prishtinës”.

Filed Under: Rajon Tagged With: Flamur Gashi

Kujtese hisorike…Gazeta “RILINDJA” – Prishtine- Datelindja: 12 shkurt 1945

February 13, 2023 by s p

Flamur Gashi/

Kontributi i gazetareve, bashkepunetoreve dhe e shumices se atyre qe punuan dhe u angazhuan, qe nga dita e pare e deri ne diten e fundit ne kete gazete, eshte me vlera te pazevendesueshme per kulturen, emancipimin dhe ngritjen e vetedijes kombetare te shqiptareve ne trojet e tyre nen ish-Jugosllavi…

Gazeta dhe Shtepia Botuese “RILINDJA”, jane gur te medhenj ne themelet e PAVARESISE dhe SHTETESISE se KOSOVES!

– Gazeta “RILINDJA”, per here te pare eshte botuar me, 12 shkurt 1945 ne Prizren.

– “RILINDJA”, eshte gazeta e pare ne gjuhen shqipe ne ish-Jugosllavin komuniste.

– Gazeta “RILINDJA”, fillimisht u shtyp ne Shtypshkronjen Shteterore ne Prizren, nga numri 1 deri ne 60-te.

– Numri 61 i gazetes faqoset dhe shtypet ne Prishtine ne Shtypshkronjen Krahinore te Frontit Popullor.

– Ne fillimet e saj, Gazeta “RILINDJA” ishte e perjavshme vetem me kater faqe, deri me 27 qershor 1948 kur fillon te shtypet dy here ne jave, diteve te diela dhe te enjteve.

– Nga nentori i vitit 1958 nis te shtypet si gazete e perditshme (nuk dilte vetem diteve te premte).

– Nga viti 1964 del çdo dite standard në 20 faqe, ndersa te shtunave dhe gjate festave 24-32 faqe.

– Me 5 shtator 1990, nga pushtetit pushtues serb u ndalua botimi i Gazetes “RILINDJA” ne Kosove.

– Per nje periudhe kohore pas ndalimit te botimit te saj ne Prishtine, Gazeta “RILINDJA” u botua ne Tirane dhe ne Zvicer.

– Pas hyrjes së forcave të NATO-s, më 12 qershor 1999, Gazeta “RILINDJA” filloi perseri botimin ne Prishtine.

– Gazeta “RILINDJA”, ka pushuar se botuari qe nga viti 2009.

– Gazetaret e Redaksise se Kultures ne “RILINDJE”, por edhe te redaksive te tjera te saj, jane bartesit kryesor te jetes politike dhe kulturore ne Kosove gjate vite ’90 e deri ne LIRINE dhe PAVARESINE e KOSOVES!

Filed Under: Komente Tagged With: Flamur Gashi

Delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), gjatë vizitës në Kosovë u pritë në takime të veçanta pune në zyrat e Grupeve Parlamentare të opozitës në Parlamentin e Kosovës

December 19, 2022 by s p

Prishtinë, 17 Dhjetor 2022.

Në vijim të vizitës zyrtare në Prishtinë, delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), zhvilloi takime të veçanta pune me Kryetaret e Grupeve Parlamentare dhe anëtarë të G.P të opozitës parlamentare në Parlamentin e Kosovës.

Delegacioni i KASH u prit nga z. Arben Gashi, kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), z. Abelard Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe z. Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Kryetarët e Grupeve Parlamentare të LDK, PDK dhe AAK, në këto takime ishin të shoqëruar nga deputetët e partive përkatëse anëtar dhe drejtues të Komisonit të Jashtëm, të Integrimeve Europiane dhe Komisionit të Sigurisë të Parlamentit të Kosovës.

Gjatë këtyre takimeve, u shkëmbyen mendime e vlerësime në lidhje me zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe në rajon, gjithashtu u dhanë sugjerime për bashkërendimin e përpjekjeve dhe iniciativave, në funksion të zgjidhjes së situatës së krijuar në veriun e Kosovës, si dhe të avancimit të përmbushjes së objektivave eurointegruese të vendeve tona.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) vlerësoi zhvillimin e proceseve të brendshme demokratike në Republikën e Kosovës, si një shembull për të gjithë rajonin. Nga ana e KASH u vlerësua lart se si zhvillohen zgjedhjet dhe procesi demokratik si dhe respektimi dhe moskontestimi i rezultatit të tyre nga ana e qytetareve, por edhe nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Në konteksin e zhvillimeve të fundit në Kosovë, u vlerësua si një ngjarje sa historike, aq edhe e argumentuar e plotësisht e mbështetur në arritjet e standarteve të kërkuara evropiane nga ana e Republikës së Kosovës, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Anëtarët e delegacionit të KASH në badhkëbisedim me kryetarët dhe anëtarët e Grupeve Parlamentare të LDK, PDK dhe AAK, theksuan rëndësinë e përqëndrimit të të gjitha përpjekjeve në drejtim të negociatave Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuara nga BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkundër përpjekjeve te Beogradit, edhe nëpërmjet veglave të tij në veriun e Kosovës, për të përshkallëzuar artificialisht tensionet, me qëllim bllokimin e negociatave për normalizimin dhe njohjen reciproke të dy vendeve, që do të shërbenin për forcimin e mëtejshëm të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të të gjithë rajonit.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) beson se unifikimi i faktorit politik shqiptar dhe kapërcimi i ndasive politike të momentit, për përballimin e situatës së krijuar me Serbinë, janë me një rëndësi themelore kombëtare.

Gjatë bashkëbisedimit të delegacionit të KASH me kryetarët e G.P të Parlamentit të Kosovës, me theks të veçantë u diskutua për rolin e pazëvendësueshëm të Diplomacisë Parlamentare, e cila po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishem kudo në Europë dhe botë, si një instrument i mirë për lidhje direkte dhe plasimit të vërtetës për Kosovën dhe zhvillimeve rreth saj.

Kryetarët e Grupeve Parlamentare të LDK, PDK dhe AAK, u shprehën se përcjellin me vëmendje veprimtarinë e KASH dhe vlerësuan rolin e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) në këto momente delikate për Kosovën. Gjithashtu u shprehë gatishmeria dhe angazhimi i plotë intyre për koordinim dhe bashkëpunim në mes të Grupeve të tyre Parlamentare dhe KASH.

KASH u shpreh se eshtë i gatshëm për të ndihmuar me të gjitha kapacitetet e veta, si me përvojën dhe kontaktet diplomatike dhe miqësore kudo që ka mundësi, por edhe me vlerësime gjeopolitike, në mbështetje të anëtarësimeve të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare, sidomos edhe me angazhim me lidhjet që ka KASH në shtetet mosnjohëse të Kosovës.

P.S.

Delegacioni i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë :

1. Prof. Edmond Panariti, Ish Ministër i Punëve të Jashme – Anëtar i Asamblesë së KASH.

2. Amb. Genci Mucaj, Anëtar Bordi – Drejtor Ekzekutiv i KASH.

3. Amb. Flamur Gashi, Anëtar Bordi – Drejtor për Rajonin dhe Diasporën në KASH.

4. Amb. Spiro Koçi Anëtar Bordi – Sekretar i Përgjithshëm i KASH.

5. Ambasador Avni Spahiu, Koordinator i KASH për Kosovën – Anëtar i Asamblesë së KASH.

6. Skender Thaci – Anëtar i Bordit Këshilldhënës të KASH.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Flamur Gashi

2 korrik 1990 – Prishtinë, Shpallja e “Deklaratës Kushtetuese”!

July 2, 2022 by s p

2 korrik 1990 – Tiranë, Fillimi i fundit të diktaturës komuniste!

AMBASADOR FLAMUR GASHI

“DEKLARATA KUSHTETUESE” Gurthemel i PAVARËSISË së KOSOVËS !

Teksti i plotë i Deklaratës:

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA (Akademisë së Shkencave dhe Arteve) të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:

DEKLARATËN KUSHTETUESE MBI KOSOVËN SI NJËSI TË PAVARUR DHE TË BARABARTË NË KUADËR TË FEDERATËS (KONFEDERATËS) TË JUGOSLLAVISË SI SUBJEKT I BARABARTË ME NJËSITË E TJERA NË FEDERATË (KONFEDERATË)

1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.

2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.

3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).

4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.

5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq.

Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).

Teksti burimor, i hartuar nga akademiku Gazmend Zajmi, ka pasur edhe pikën 6, me këtë përmbajtje: “Me këtë Deklaratë abrogohet Rezoluta e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e 10 korrikut të vitit 1945 nga Kuvendi i Prizrenit, e cila u nxor në emër të vullnetit të popullsisë së Kosovës, e pa vullnetin e saj”, mirëpo komisionet përkatëse të Kuvendit konsideronin se me vetë miratimin e kësaj Deklarate abrogohej automatikisht edhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit.

Me këtë ndryshim u pajtua edhe autori, tash i ndjeri Gazmend Zajmi.

………………………………………………………………

Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.

Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Moment politik me rëndësi në ato rrethana ishte fakti se në Kosovë tashmë po vepronte një lëvizje e fuqishme demokratike shtetformuese në krye me LDK-në. Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e qartë e ish-RSFJ-së, krijesë kjo artificiale dhe krejtësisht antishqiptare e dominuar kryesisht nga ambiciet dhe politika hegjemoniste serbe.

Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.

Por, sikundër pritej edhe në ato momente dramatike, Serbia fill pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga Kuvendi e Këshilli Ekzekutiv i tij dhe deri tek të gjitha institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore.

Nuk ka asnjë dyshim se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut, të vitit 1990, shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës, që do të shpjerë deri në ditët e sotme, kur Kosova tashmë është shtet i pamvarur dye sovran, i njohur nga mbi 115 shtete në botë.

Në rrethanat e tashme dhe pas përfundimit të luftës, të masakrimeve, të eksodit masiv të popullit të Kosovës e të shkatërrimeve të tmerrshme, mund të thuhet se ekziston një kontinuitet i fuqishëm i përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri, për pavarësi e për shtetësi.

Ky kontinuitet nuk mund të mohohet nga askush dhe kjo që po përjeton tash Kosova është meritë e popullit, e atyre që për lirinë e Kosovës u angazhuan politikisht dhe ushtarakisht, e atyre që u sakrifikuan dhe që dhanë jetën për lirinë, për demokracinë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Deklarata na bashkoi në rrugën e pavarësisë !

Kanë kaluar 32 vite nga 2 korriku i vitit 1990. Shumë ngjarje kanë pasuar pas saj, por duhet të kujtojmë se në atë kohë kishin filluar të shihen shenjat e para të dekompozimit të ish-Jugosllavisë dhe siç bënin të gjitha ish-republikat e ish-Jugosllavisë edhe ne aspironim për njësi federale, edhe ne ishim të detyruar të ndërmerrnim hapa mbrojtës kushtetues, juridikë e politikë, në mënyrë që të jetësohet vullneti i popullit shqiptar.

Qysh atëherë ishte fare e qartë që Kosova duhet të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Ishte kohë e karakterizuar edhe me një lëvizje jashtëzakonisht të fuqishme politike, që rrjedhimisht ka filluar në Kosovë me paraqitjen e partive të reja politike, konkretisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të partive të tjera, të cilat e artikulonin vullnetin e popullit të Kosovës.

Natyrisht, delegatët e Kuvendit të Kosovës e përcjellin në mënyrë shumë të përpiktë vullnetin e popullit për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Ishte kjo faza e parë e një veprimi të tillë legal të institucioneve legale, në mënyrë që vullnetit të popullit t’i jepej forma kushtetuese juridike.

Nuk duhet harruar se fillimisht është paraqitur Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës me rezolutën për pozitën kushtetuese juridike të Kosovës dhe me pozitën e shqiptarëve në kushtet e reja të krijuara.

Në rezolutën e ASHAK-ut ishte e formuluar shumë qartë pozicioni politik dhe kushtetues e juridik, që kërkohej për Kosovën dhe për popullin e saj.

Mund të themi se rëndësia e Deklaratës Kushtetuese për atë kohë ka qenë se ka filluar përfundimisht që Kosova ta marrë një rrugë të mëvetësisë, për ta përcaktuar fatin e saj dhe të popullit të vet.

Të gjitha ngjarjet, që kanë ndodhur më pas, kanë një lidhshmëri dhe janë pjesë e një procesi…

Deklarata Kushtetuese atëherë dhe sot e ka një rëndësi të veçantë, sepse e definon shumë qartë vullnetin e popullit të Kosovës.

Ky ishte mesazh shumë i qartë sa i përket faktorit ndërkombëtar dhe ishte një akt, që i bashkoj qytetarët e Kosovës në rrugën e tyre për pavarësi dhe për krijimin e shtetit sovran dhe të pavarur.

Deklarata, ishte dhe mbetet projekt i pavarësisë !

……………………………………………………………..

2 korriku 1990, për shtetasit e Shqipërisë zyrtare, është data e fillimit të fundit të zhgarrnimit të diktaturës komuniste…

Mijëra të rinj dhe të reja “pushtuan” ambasadat e huaja të akredituara në Tiranë, si mundësi e vetme e momentit për të krijuar hapësira të lirisë për vehte por edhe për mbarë vendin…

Me 2 korrik 1990, u vra frika dhe lindi shpresa për liri dhe demokraci!

2 korriku 1990, për të gjithë shqiptarët do të memorizohet si dita e madhe e shpresës për liri…

…………………………………………………………….

#JamShqiptar…🇦🇱❤️🇽🇰

Filed Under: Fejton Tagged With: Flamur Gashi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT