• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT NËN SERBI “NA JEMË SHQYPTARË, BRE BIR”

December 2, 2016 by dgreca

1-frank

Nga Frank Shkreli/

Është e pa mundur të mbetesh indiferent pasi të keshë shikuar programin, Shqipëria Tjetër – Gjurmë Shqiptare — pikërisht segmentin mbi Shqiptarët e Sanxhakut, të gazetarit të njohur shqiptar, Marin Mema. Këtu më poshtë mund të ndiqni dokumentarin e plotë: https://www.youtube.com/watch?v=2PPx9diQKs0……..Në dokumentarin e gazetarit të guximshëm Mema bëhet fjalë për shqiptarët e Sanxhakut,  të cilët sot mbeten të vetëm dhe të harruar, në dorë të fatit dhe të Serbisë.  Në dokumenta vihet në dukje se gjatë historisë, shqiptarët e Sanzhakut, i janë nënshtruar presioneve të tmerrshme asimiluese — shpesh të përgjakshme — me popullësinë sllave boshnjake.  Serbia e sotëme i njeh ata zyrtarisht si boshnjakë dhe si rrjedhim shqiptarët nuk eksiztojnë në ato troje dhe nuk njihën si të tillë nga shteti nën të cilin jetojnë, Serbia.  Por, realiteti më i dhëmbshëm, siç thotë edhe gazetari shqiptar Marin Mema në programin e tij, ata nuk njihen si shqiptarë madje as nga Shqipëria dhe as nga Kosova.  Por, megjithëkëtë, gazetari Mema sjellë prova të forta se megjith përpjekjet serbe gjatë dekadave për të ndryshuar identitetin e shqiptarëve të kësaj zone ku kanë jetuar stërgjyshërit e tyre, aty ka ende një histori shqiptare dhe ku dallohen qartë gjurmët e identitetit shqiptar të banorëve të Sanxhakut.  “Na jemë shqyptar, bre bir!  Na jemë kenë Shqyptar, pse ashtë rrotullue koha, ajo ashtë diçka tjetër”, shprehet një grua shqiptare e Sanzhakut, në dokumentarin e gazetarit shqiptar, Marin Mema.

Shqiptarët, raporton Mema, identifikohen si “boshnjakë” megjithëse nuk janë të tillë, dhe shton se në Sanzhak, përsa i përket identifikimit kombëtar, është gjithëçka me e lehtë përveç se të jeshë shqiptar.  Duke qenë dëshmitarë i frikës së atyre banorëve për t’u idenifikuar si shqiptarë, gazetari Mema me të drejtë pohon se prania e tij atje, “Ndoshta për pak momente, ne u dhuruam diçka që ata nuk e kanë: lirinë për të qenë vetvetja, për të ndjerë se po flasim mes veti, për hallet e dertet që s’kanë mundur t’ia shprehin kujt. Të tregon për gjithçka tjetër që i mungon në jetën këtu, në tokën e tyre, që i përket dhe s’i përket. I përket se këtu i ka rrënjët dhe s’i përket sepse dikush kërkon t’ua këpusë.”   Gazetari Mema thotë se në rajonin e Sanxhakut, me një popullsi prej mbi 400.000 banorësh, ishte ndeshur me mbiemra krejt shqiptar, por që gjatë dekadave janë sllavizuar, si për shembëll, familjet Makajt të këthyer në Makiq, Gjekajt janë këthyer në Gjekiq, Nikajt janë bërë Sahaliloviq, fisi Gjokaj janë bërë Selmanoviq,e ashtu me rrallë, thekson Mema.  Ai ka intervistuar banorë të atyre fshatrave të cilët rrëfehen se deri në moshën 20-vjeçare, nuk kanë folur aspak të ashtuquajturën“boshnjaçke”, por kanë komunikura në gjuhën shqipe. Gazetari Mema ka vizituar fshatra të Sanzhakut të banuara nga shqiptarë të fiseve të njohura të historisë së kombit, Shkreli, një ndër fiset më të mëdha atje, thotë gazetari. Pastaj fiset e përmendura Këlmendi, Dukagjini, Shala, Lekaj, Fetahu, Zogaj, Kurtaj, Camaj e të tjera.

Në dokumentarin e gazetarit Mema shihet qartë se përsonat me të cilët ka folur dhe të cilët e identifikojnë veten si shqiptarë ose me origjinë shqiptare, ata shprehin nostalgjinë për çdo gjë shqiptare dhe i ankohen gazetarit Mema për mos kujdesin që bota shqiptare ka treguar dhe tregon ndaj tyre, ndërsa pohuan se gazetari nga Shqipëria ishte i pari që po interesohej për ekzistencën e tyre.  Shqiptarët e Sandxhakut jetojnë në frikë të përhershme, thuhet në dokumentarin e korrespondentit Mema, por megjith frikën që kanë nga autoritetet serbe për identifikimin e tyre kombëtar, ata prapseprap i shprehin ndjenjat e tyre për gjuhën, kulturën  dhe traditat, për të cilat nuk guxojnë të flasin publikisht ose edhe me njëri tjetrin, por që u janë kaluar atyre brez pas brezi nga të parët e tyre dhe për të cilat shprehin krenarinë e vet ndajë përkatësisë kombëtare.

“Nuk guxojna m’u kallzu se jemë shqiptarë… nuk guxojna me bajtë plisin këtu në Serbi… shumë e dua gjuhën e shqiptarëve, e po më vjen barre (turp) se nuk di me folë mirë shqip.”  Këtë realitet të dhimbshëm, thotë gazetari Marin Mema, e gjeti në pothuaj çdo fshat të Sanxhakut që ai vizitoi.  Pyetjes së gazetarit nëse i dhëmb humbja e gjuhës shqipe, një nga banorët e moshuar i përgjigjet me lotë në sy. “Po qysh s’më dhëpet,(dhimbet) more burrë? Të tanë, tanët kanë folë shqip.  Plakanët kanë dekë, tashti vetëm boshnjaçke”, flitet.  Një tjetër banor shprehet se babai i tij nuk ka dijtë hiç serbisht.  Po më dhepet (dhemb) shpirti që po hup (humb) shqipja.  Na e hupem (humbëm) shqipen”.  “Unë i kam në zemër shqiptarët prej Kosove e Albanie”, thotë një tjetër , “Ama kurrë s’kem kontakt”, me ta.  

  1. Mema thotë se të jeshë sot shqiptar në Sanxhak është tepër e vështirë, në mos e pamundur.  Historikisht, periudha e artë nëqoftse mund të quhet si e tillë për shqiptarët e Sanxhakut, konsiderohet të ketë qenë në fillim të viteve 40-a, kur ishte hapur shkolla e parë shqipe atje, si pjesë e programit arsimor të Ministrit të atëhershëm të Arsimit në Shqipëri, Ernest Koliqit, për Kosovën dhe trojet shqiptare nën ish-Jugosllavinë.   Ja si shprehet për atë periudhë për gazetarin Mema njëri prej banorëve të moshuar të asaj zone, i cili në vitin 1941 kishte ndjekur shkollën shqip. Ishte kjo një periudhë që gazetari Mema e cilëson si një kohë kur qyteti i Pazarit të Ri, ndryshe nga tani, “Frymonte shqip pa patur detyrim të fshihej.”  Të rinjt e asaj kohe, u shpreh njëri prej shqiptarve të intervistuar “Këndojshin kangë, shkojshim rresht nepër çarshi tue knue:                 

                     besa-besë unë jam shqiptar,

                     por çka më ndodhi unë nuk kam fjalë,

                     po të më lidhni me zinxhir

                     unë i këpusi, jam i lirë.

Knojshim kangë, njerzit delshin prej dugajve e brohoritshin, bravo, bravo. Ishim të veshur me këmisha të kuqe e pantollë të shkurtëra të zeza, simbolet e flamurit të kombit”, shprehet shqiptari nga Sanxhaku.

Por luftën për zhdukjen e shqiptarëve në rajonin e Sanxhakut që e kishin filluar çetnikët e Drazha Mihailoviçit e përfunduan komunistët jugosllavë duke vrarë e prerë shqiptarë të pafajshëm, duke mbjellur frikë dhe duke detyruar shumë prej tyre të largoheshin nga trojet e veta, për të shpëtuar jetën, a po siç shprehet edhe korrespondenti Mema që, “të gjejnë mënyra të ndryshme për të qenë gjithëçka, përveçse shqiptarë”.

Gazetari Mema rrëfehet në fund të dokumentarit se për ‘të, “ishte e dhimbshme të prekësh këtë realitet.”  Shumë e vërtetë! Duke parë dokumentarin e ndjeva veten sikur jam duke shikuar një film për një grup shqiptarësh të izoluar nga historia diku në pjesë tjera të botës, e jo aty në Sanxhak, si të të thuash “një vrap pele” nga Prishtina e nga Tirana.  Mos interesimi për shqiptarët e Sanxhakut nga Prishtina dhe nga Tirana zyrtare është i pakuptueshëm në këtë periudhë historike në të cilën jetojmë sot.  Të drejtat themelore bazë të njeriut, si liria për të përdorur gjuhën, kulturën dhe identifikimi kombëtar, janë të garantuara edhe nga konventa dhe marrveshje të ndryshme europiane dhe ndërkombëtare.  Është e drejtë dhe përgjegjësi e dy shteteve shqiptare që të mbrojnë si vëllëzrit e vet dhe të drejtat e tyre, përfshirë lirinë e identifikimit kombëtar, përdorimin e gjuhës dhe të flamurit të shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës. Është e pafalshme që sot shqiptari kudo qoftë në trojet autoktone të veta, ta ndjejë veten të frikësuar ose të rrezikuar nga ushtrimi i të drejtës së tij – e sanksionuar ndërkombtarisht — për të mbrojtur identitetin, gjuhën dhe kulturën e vet.  Është e pafalshme që sot shqiptarët e Sanxhakut, ose kudo tjetër në Ballkan, në fillim të shekullit 21, të të kenë frikë të identifikohen si të tillë ose të fshehin flamurin e kombit të vet nën kolltuk.  U takon dy shteteve shqiptare që të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve kudo, përfshirë edhe të shqiptarëve të Sanzhakut. Ata janë shqiptarë, e jo “boshnjakë” dhe si të tillë të drejtat e tyre duhet të mbrohen aty ku jetojnë si edhe në nivele ndërkombëtare.  Nëqofste Serbia kërkon të drejtat e një dyzinë serbësh që thuhet se jetojnë diku në afërsi të Fierit, pse mos të kërkojnë Tirana dhe Prishtina zbatimin e të drejtave të njeriut për 400.000 shqiptarët e Sanxhakut të identifkuar zyrtarisht si “boshnjakë”?  Sepse, siç u shpreh në fund të programit edhe gazetari Marin Mema, “Kur nuk ka një mbështetje serioze, si mund tu kërkojsh këtyre njerëzve të deklarojnë rrënjët e tyre”, nën rrethanat e vështira shtypëse nën të cilat jetojnë. Nëqoftse vazhdohet kështu me mos interesim zyrtar për fatin dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta autoktone, fatkeqsisht nesër do të flitet për “sanxhaqe” tjera anë e mbanë trojeve shqiptare, disa prej të cilave i ka venë dukje me mjeshtri në dokumentare të tjera   gazetari Marin Mema, i cili duhet të përgëzohet për punën që po bën.  Apeli i shqiptarëve që kanë mbetur në Sanxhak (por edhe i shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Preshevë) është, siç bëri thirrje njëri prej të moshuarve shqiptarë në dokumentarin për shqiptarët e Sanxhakut: “Mos na harroni! Të djegun jemë për Shqipni, por badihava. S’po kemë gja në dorë, hiç.”

Filed Under: Analiza Tagged With: "NA JEMË, BRE BIR", Frank shkreli, SHQIPTARËT NËN SERBI, SHQYPTARË

VDEKJE FASHIZMIT, RROFTË FASHISTJA!

November 29, 2016 by dgreca

1-djalli-ne-histori

Nga Frank Shkreli/

1 Frank shkreli (2)

Historiani shqiptar Kastriot Dervishi ka botuar ditët e fundit një dokument, sipas të cilit provohet se Nexhmije Hoxha, bashkshortja e diktatorit komunsit shqiptar, Enver Hoxha, në rininë e saj, para se të behej komuniste e devotshme, na paska qenë e regjistruar në Partinë Fashiste.  Megjithëse dokumenti konsiderohet original, disa janë shprehur se Nexhmije Hoxha nuk ka qenë fashiste por vetëm e regjistruar në Rininë Fashiste.  Ky pretendim është sikur të thuash se “pionerët e Enverit” nuk ishin komunistë dhe nuk mbështesnin regjimitin e tij brutal. Dihet se organizata të tilla kishte nën fashizëm dhe nën komunizëm.  Më kujtohen zgjedhjet e para “pluraliste” të vitit 1991, kur isha në Tiranë me delegacionin e parë të Departmentit të Shtetit për të hapur ambasadën e parë amerikane atje dhe për të marrë pjesë si vërejtës në ato zgjedhje.  Kujtoj rastin kur për herë të parë, me të arritur në Tiranë, na ra në dorë lista e partive të regjistruara që do të merrnin pjesë në zgjedhje, ku përveç Partisë së Punës, Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane ishin të renditura edhe Fronti Demokratik, Bashkimi i Grave, Bashkimi i Rinisë, Partia Agrare, Komiteti i Veteranëve dhe kandidatë të “pavarur”.  Reagimi i parë i kolegëve të mi amerikanë ishte pozitiv se në sipërfaqe dukej si një garë elektorale me të vërtetë pluraliste, por entuziazmi i tyre u shua shpejt kur u thashë se këto organizata ishin satelite të Partisë së Punës dhe se garonin me të njëjtit kandidatë koalicioni të PPSH-së dhe si të tilla ishin krejtsisht të varura nga PPSH-ja.  Me këtë dua të them se në këtë mënyrë vepronte edhe fashizmi në rininë e Nexhmijes, ndërsa krijonte organizata të ngjashme satelite si këto të Partisë së Punës së Shqipërisë më vonë për tu dukur më “demokratike” dhe më “gjithëpërfshirëse”. Nuk ka aq shumë rëndësi nëse Nexhmije Hoxha e pranon vërtetësinë e dokumentit që provon antarësimin e saj në Partinë Fashiste, ose jo. Është e natyrshme që ajo do të përgnjeshtrojë një gjë të tillë. Ç’pret tjetër. Por ajo nuk mund të mohojë gjërat e përbashkëta që, sipas studiuesve dhe historianëve perëndimorë, ekzistojnë midis komunizmit dhe nacizmit.  Me Nexhmijen dhe me antarsimin e saj në Partinë Fashiste le të merren historianët, por deshta vetëm të ve në dukje atë që me qindra historianë dhe ekspertë perëndimorë, të cilët me librat, me dokumentarët, me studime dhe analiza të ndryshme kanë dokumentuar historikisht dhe shkencërisht, se këto dy regjime ekstremisht brutale të shekullit të kaluar, kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe si diktatura, pavarsisht se përpiqen të dallohen nga njëra tjetra, në të vërtetë janë njësoj, sidomos për nga brutaliteti qqë kanë përdorur ndaj kundërshtarve të vet dhe të tjerëve.  Prandaj nga ky këndveshtrim nuk është vështirë të shihet se kalimi i Nexhmije Hoxhës nga Partia Fashiste në Partinë Komuniste, duhet të ketë qenë një vendim jo vetëm oportunist, por edhe krejtsisht i natyrshëm për të, kur të merren parasyshë ngjashmëritë midis dy ideologjive totalitare, komunizmit dhe fashizmit.  Siç thashë më lartë, në botën perëndimore ka një literaturë të pasur, librash, studimesh dhe analizash mbi baraz-vlerat dhe ngashmëritë – si në teori ashtu edhe në praktikë — midis këtyre dy ideologjive radikale të cilat gjatë shekullit të kaluar sollën pasoja të tmershme katastrofike për Europën dhe për mbarë botën, me pasoja të cilat shihen edhe sot e kësaj dite në shumë vende ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë.  

Një ndër këto studime akademike është edhe libri i botuar para dy tre vitesh nga Profesori i Shkencave Politike të Universitetit Maryland këtu në Shtetet e Bashkuara, Vladimir Tismeanu, me titull, “Djalli në Histori – Komunizmi dhe Fashizmi”.  Në këtë studim, Profesori amerikan Tismeanu, me origjinë nga Rumania, krahason komunizmin me fashizmin, si dy sisteme garuese me njëri tjetrin, por gjithashtu edhe si dy sisteme që për nga zhvillimi dhe ushtrimi brutal i pushtetit, puqen në ideologjinë e tyre të totalitarizmit djallëzor, në emër të parimit të një nështrimi të përgjithshëm skllavërues të njeriut ndaj regjimit.   Profesori Tismeanu krahason ngjashmëritë midis këtyre dy sistemeve politike më të përgjakshme që ka njohur historia.  Në librin e tij, “Djalli në Histori”, Profesori i Universitetit Maryland shqyrton, ndër të tjera, se si është e mundur që frymëzimet utopike që u propaganduan nga regjimet komuniste dhe fashiste në Europë fillim shekullin e kaluar për një revolucion botëror dhe rilindje kombëtare, të këtheheshin në regjime vrasëse.  Si është e mundur që një gjë e tillë të ndodhte?  Si është e mundur që dy sisteme, që në sipërfaqe dukeshin si krejtsisht ndryshe nga njëri tjetri, të bënin krime të përmasave të tilla kundër njerëzimit, duke krijuar Auschwitzin nazist dhe gulage komuniste anë e mbanë Europës.   Libri në fjalë u përgjigjet disa pyetjeve themelore mbi moralin dhe politikën, që do e s’do, janë pyetje që rrjedhin nga krahasimi i ngjashmërive midis nacizmit dhe komunizmit, dy sisteme që më në fund, nënvijon autori, dështuan mizorisht ekonomikisht dhe politikisht, por që përfunduan në humbje të mëdha në jetë njerzish të pafajshëm.  Një ndër shqetësimet e tij është përballimi ose mungesa e përballimit me historinë.  Profesori Tismeanu shkruan se është me rëndësi të përballohemi me të kaluarën.  Për tu marrë me të kaluarën, sado e vështirë të jetë ajo, është një lloj terapie për individët dhe për shoqërinë, thotë ai. Tismeanu thekson se nuk mund të ketë heshtje ose të ndërtohet një mur që të ndajë të tashmen nga e kaluara e turbullt, nëqoftse një shoqëri  është seriuoze dhe dëshiron t’a distancojë veten nga tmerret e nacizmit dhe të komunizmit.  

Profesori Tismeanu shkruan se megjithëse regjimet totalitare të shekullit të kaluar identifikohen me emërat e Leninit, Hitlerit, Stalinit dhe adhurueseve të tyre komunistë anë e mbanë Europës dhe ndonëse këta ishin të pa moral dhe vrarës psikopatë, është e vështirë, thotë ai, të shpjegohet mbështetja ndaj këtyre diktatorëve të cilët konsideroheshin si perendi nga turma të mëdha të popullit.  Është vështirë të shpjegohej, jo vetëm atëherë, por edhe sot, përkrahja që vihet re nga një numër nostalgjikësh, sidomos ndaj komunizmit dhe ndaj këtyre diktatorëve të mëdhej dhe atyre më të vegjël, si Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha.  Për të kuptuar barbarizmin e këtyre dy regjimeve – komunizmit dhe nacizmit – profesori Tismeanu thotë se është e nevojshme që sot të përballemi me teoritë dhe praktikën e këtyre regjimeve si dhe me mendimet dhe ideologjitë që frymëzuan një shkatërrim të tillë në masë, nga dy sisteme: komunizmi dhe nacizmi, njëri i të majtës ekstreme dhe tjetri i të djathtës ekstreme, por të cilët në fund të fundit, kanë aq shumë gjëra të përbashkëta midis tyre.

Prandaj, debati aktual nëse Nexhmije Hoxha ishte anëtare e Partisë Fashiste, e Rinisë Fashiste a po e Partisë Komuniste, nuk ka asnjë rëndësi fare, pasi këto sisteme nuk dallohen shumë nga njëri tjetri. Njëri sistem nuk ishte më i mirë se tjetri, përkundrazi, ata puqen me njëri tjetrin për nga brutaliteti dhe për nga krimet kundër njerzimit.  Shoqja Nexhmije duket se e paska ndjerë veten rehat si në njërën ashtu edhe në tjetrën.  Më rëndësi ka zhvillimi i një debati serioz se si të shkëputet Shqipëria dhe shqiptarët njëherë e mirë nga trashëgimia e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe Nexhmije Hoxhës. Kur do të marrë marrë fund periudha e ashtuquajtur “post-komuniste”?  Kur do të ndahet kjo klasë politike, qeveritë dhe autoritetet post-komuniste shqiptare të 25-viteve të fundit nga sjelljet autoritare të para-ardhësve të tyre komunistë?  Kur do të hapen dosjet, që e vërteta të dalë në dritë, që e bardha të ndahet nga e zeza, më në fund. Njëri nga deputetët socialistë shqiptarë u shpreh ditët e fundit se anti-fashizmi është një vlerë perëndimore, gjë që është e vërtetë.  Por deputeti socialist dështoi të thonte njëkohsisht se edhe anti-komunizmi është një vlerë perëndimore. Pa vlerat perëndimore anti-komuniste dhe anti-fashiste dhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, zor se ishte fituar lufta kundër fashizmit dhe komunizmit. Vlerat perëndimore nuk mund të pretendohen duke ruajtur me fanatizëm trashëgiminë e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës.  Për hir të vlerave perëndimore, kemi nevojë për pak më shumë dritë nga ajo periudhë e errët, ju lutem!  

 

                                Ballina e librit “Djalli në Histori” e autorit amerikan me origjinë rumune, V. Tismeanu

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, RROFTË FASHISTJA!, VDEKJE FASHIZMIT

POST SCRIPTUM I “SAMITIT” TË DIASPORËS

November 23, 2016 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

1-frank-shkreli-300x150

Nuk dua të komentoj mbi suksesin ose dështimin e pjesëshëm ose të tërë të “samitit” që u cilësua si i pari i diasporës që u mbajtë javën e kaluar në Tiranë, pasi nuk isha i pranishëm dhe nuk dua të bëjë gjykime ose vlerësime nga kjo anë e oqeanit, megjithse në median shqiptare janë shfaqur vlersime në favor dhe kundër.  Vetë Kryeministri Rama kërkoi falje për mungesat që mund të kenë ndodhur në organizimin e samitit.  Por, pa marrë parasyshë përfundimet në të cilat kanë ardhur organizuesit a po edhe kritikët mbi suksesin ose jo të “samitit” të diasporës në Tiranë, unë siç e kam theksuar edhe më heret, besoj gjithnjë se organizimi i një takimi të tillë ishte më se i nevojshëm, ndonëse i vonuar, për derisa takimi   – për nga qëllimi dhe përmbajtja – do të ishte mbarë kombëtar dhe gjithpërfshirës, pa dallime, sidomos pa dallime politike midis diasporës së vjetër dhe asaj të 25-viteve të fundit.

“Samiti” i ashtuquajtur i parë, nuk është një ide e re dhe as i pari.  Pa dashur të tregohem kritik ndaj këtij takimi në kryeqytetin e shqiptarëve, deshta të  ve në dukje një fakt historik dhe të shënoj se “samiti” i Tiranës, në të vërtetë, nuk është takimi i parë i diasporës, ashtu siç u cilësua nga organizuesit dhe nga disa prej folësve në tubimin e Tiranës.  Në një dokumentar që u shfaq në fillim të punimeve të “samitit” në Tiranë, u pohua në një referencë në kalim dhe shkurt, se “Krerët e diasporës shqiptare u takuan në audiencë solemne me Papa Palin e VI, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, prillin e vitit 1968.   Por nuk u tha se kush ishin këta krerë, ose kush ishte organizatori i kësaj nisme, megjithse dokumentarit nuk i mungonin emëra të njohur dhe të panjohur, të rëndësishëm dhe jo aq të rëndësishëm të diasporës së vjetër dhe të re dhe nuk u tha se kush në fakt e organizoi atë takim të parë nga mbarë mërgata e atëhershme, përfshirë Arbëreshët e Italisë, e që u mbajt 48-vjetë më parë në kryeqytetin italian.  Duket se ishte tepër e pa pranueshme që nismëtarët e “samitit” të diasporës në Tiranë të përmendnin në dokumentarin e tyre për mërgatën, emërin e Profesor Ernest Koliqit, nismëtarit dhe organizatorit të takimit të përfaqsuesve të mërgatës në Romë.

Fatkeqsisht, duket gjithashtu se hendeku i thellë ideologjik është vështirë të ngushtohet, lere më të zhduket në Shqipërinë tonë të sotëme, bile edhe 70-vjetë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, influencoi edhe organizimin e “samitit” të fundit në Tiranë.   Sa për dijeni të lexuesit, krye-organizatori i kësaj nisme, në të vërtetë të takimit të parë të mërgatës”, ishte Profesor Ernest Koliqi, por të cilit nuk iu përmend emëri në dokumentarin e shfaqur në “samitin e diasporës” në Tiranë, si nismëtari i takimit të parë të mërgatës shqiptare.  Ernest Koliqi,  ishte ai i cili me punë të rëndë dhe me mbështetjen e Vatikanit dhe të një grusht shokësh të tij të ngushtë bëri të mundur grumbullimin e parë të mërgimtarëve të atëherëshëm në Romë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skenderbe.   Jo vetëm që ai takim u organizua shumë mirë, por nga të gjitha vlerësimet e pjesëmarrësve, bazuar në rrethanat dhe mundësitë e kohës, mërgata e vjetër shqiptare, ndonëse “pa plang e pa shtëpi, pa dallim partie a krahine” — siç do t’i përshkruante Karl Gurakuqi pjesëmarrsit në atë tubim të parë të mërgatës – me atë tubim i tregoi botës me dinjitet se kush në të vërtetë ishin shqiptarët dhe kush ishte Heroi i tyre Kombëtar.  Ernest Koliqi me bashkpuntorët e tij,  organizuan takimin e parë të diasporës në Romë në prill të vitit 1968, në frymëm dhe në kujtimin e të, “Gjithëmonshmit të fisit tuaj, (Gjergj K astriotit Skënderbe) i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka venë vlerat  e trashëguara të besës, të nderit e të burrënisë”, siç është shprehur në tubimin e parë të mërgimtarëve shqiptarë nga bota e lirë, Papa Pali i VI, në pritjen që u pat bërë  mërgimtarëve shqiptarë në Vatikan.  

Do të ishte mirë që faktet historike të mos nepërkëmbën dhe të mos injorohen, vetëm e vetëm, se disave për arsye ideologjike dhe politike nuk u pëlqejnë  protagonistët e këtyre fakteve.  Organizimi i takimeve si ai i “Diasporës Shqiptare” që u mbajt në Tiranë duhet të ishin larg ndikimeve dhe prapaskenave politike.   Vet i ndjeri Profesor Koliqi do të thonte në lidhje me këtë, ndoshta edhe me pak cinizëm, se gjithçka në botë lëvizë e ndryshon, veç në Shqipni mjerimi mbetet i njëjtë, madje edhe kur ai ndryshon ngjyrën.  Me këtë nuk besoj se Koliqi kishte në mend mjerimin ekonomik!  Nuk është për tu habitur se Shqipëria komuniste kishte refuzuar të dërgonte ndonjë përfaqsues të saj në kremtimet e 500-vjetorit të vdekjes së Fatosit të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skëndërbeut në Romë, por sot 25 vjetë post-komunizëm në Shqipëri nuk duhet të ketë dallime dhe paragjykime të tilla.

Në të vërtetë, në mbledhjen e parë të mërgatës në vitin 1968 në Romë, takimi me Papa Palin e VI në Vatikan ishte vetëm një pjesë e ceremonive me rastin e këtij përvjetori të madh për shqiptarët dhe ishte rasti i parë që Arbëreshët e Italisë dhe pjesëtarë të mërgatës shqiptare nga e mbarë bota e lirë, kryesisht të pas Luftës së dytë Botërore — nga Amerika e deri në Australi – ishin mbledhur në Romë për të përkujtuar heroin e madh të shqiptarëve.  Takimi me Papa Palin e VI dhe fjalimi i tij drejtuar shqiptarëve me atë rast, ishin kulmi i festimeve kastriotjane prej katër ditësh të diasporës shqiptare, por nuk munguan as ceremonitë, ligjëratat akademike dhe shfaqjet kulturore që u mbajtën me këtë rast, anë e mbanë Romës.   

Duhet të theksohet se ndonëse edhe mërgata e asaj kohe ishte e ndarë në disa parti dhe organizata politike të ndryshme, takimi i parë i saj në Romë të Italisë, në kujtim të 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skënderbe, nuk përbënte ndonjë  pengesë politike që ndër pjesëmarrësit në atë takim historik të përfshiheshin përfaqsuesit më të dalluar, të djathtë e të majtë të politikës së diasporës së atëhershme shqiptare.  Në një shkrim të Karl Gurakuqit mbi pjesëmarrjen në takimin e parë të mërgimtarëve shqiptarë në Romë më 1968, botuar në revistën  “Shëjzat” e Ernest Koliqit, shënohet se në kryeqytetin italian kishte shkuar ajka e mërgatës shqiptare të pas luftës.  Merrte pjesë Dhimitër Berati, njëri prej nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë, publicisti dhe politikani i njohur shqiptar i fillim shekullit të kaluar.  Nga Amerika, përfaqsues të Federatës Pan Shqiptare Vatra, Anthony Athanas, Christo Thanas, Peter Chikos, Prof Nelo Drizari, Dr. Hamdi Oruçi, e të tjerë.   Komiteti Shqipëria e Lirë përfaqsohej ndër të tjerë, nga Dr. Nexhat Peshkopia.  Aty ishin gjithashtu përfaqsuesit e Ballit Kombëtar, profesorët Abaz Ermeni e Vasil Andoni, Zef Pali e Sulejman Meço.   Natyrisht, organizatori i tubimit të parë të diasporës, Prof. Ernest Koliqi, Kapidan Ndue Gjomarkaj, Profesor Martin Camaj, dr. Ismail Verlaci, dr. Vehbi Frasheri, dr. Ragip Frasheri, piktorët Ibrahim Kodra e Lin Delija dhe Tahir Zajmi, ish-sekretar i Bajram Currit, e shumë e shumë të tjerë.  Burra të tillë të kombit ishin me dyzina nga radhët e intelektualëve të mërgatës politike shqiptare të pas luftës që morën pjesë në takimin e parë të diasporës shqiptare, të gjithë së bashku në ceremoninë fetare në Kishën e Madhe të Shën Pjetrit për të nderuar Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin, megjithse dihesh se mosmarrveshjet politike midis tyre ishin të dukshme dhe shpesh tepër të theksuara.  Por të përbashkët kishin jo vetëm Gjergj Kastriotin Skënderbe dhe vlerat e tija kombëtare, por edhe vuajtjet nepër të cilat përshkohej Shqipëria komuniste e atyre viteve dhe familjet e tyre atje.  Karl Gurakuqi shkruante se gjatë takimit të parë të mërgatës shqiptare në Romë, në vitin 1968, “Mendja e jonë fluturonte atje larg në Shqipni. Na u përfytyrojshin kishat e rrenueme e të djeguna, shërbëtorët e Perendisë të përndjekun, të vramë, të pushkatuem, të kalbun nepër burgje, të tallun e të nepërkambun…na dilshin përpara vuejtjet e të pafajshëmve, lotët e nanave të mbetuna pa djelm.  Shifshim Atdheun në futa të zeza.”

Fatbardhësisht,  me shëmbjen e Murit të Berlinit, shumë gjëra kanë ndryshuar për më mirë ç’prej takimit të parë të  mërgatës shqiptare në Romë.   Diaspora shqiptare sot anë e mbanë botës, është shumë më e madhe dhe më e përhapur dhe në shumë aspekte edhe më e zhvilluar se kurrë më parë.  Shkon e vjen lirisht në Atdhe dhe kryesisht e ndjenë veten si një degë e pandarë e trungut të kombit shqiptar.  Si të tillë besoj se shumica e jonë dërmuese ia duam të mirën Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithsi, pa marrë parasyshë se kush udhëheqë atje.  Besoj se flasë për shumë pjesëtarë të diasporës shqiptare, të vjetër e të re, kur them se mbi të gjitha duam ta shohim Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë shqiptarët në trojet e veta, të nderuar dhe të respektuar në botë, por edhe të përparuar shoqërisht, politikisht dhe ekonomikisht në trojet e veta, ashtu që ata të jetojnë sa më të lumtur në tokën e vet në Ballkan.  Ne nuk duam që të na shtohen radhët në mërgim se jemi mjaft në diasporë dhe nuk duam të boshatisen trojet shqiptare.  Bota e re shqiptare e shekullit 21 — Shqipëria, Kosova dhe Diaspora — në nismat e tyre duhet të jenë të pandashme dhe gjithpërfshirse, pa marrë parsyshë dallimet midis tyre, madje edhe mosmarrveshjet politike   midis brezave të ndryshëm.  Nuk duhet patur frikë nga njëri tjetri, sepse as Shqipëria, as Kosova dhe as Diaspora, si njësi të vetme nuk do të mund të krijojnë botën e re shqiptare të shekullit 21.  Bota e re shqiptare nevojitë  një kulturë të re politike, nevojitë bashkpunim dhe tolerancë ndaj njëri tjetrit në trojet shqiptare dhe në diasporë.  Nevojitet një bashkjetesë vëllazërore midis shqiptarëve, pa marrë parsyshë ku jetojnë ata dhe cilat janë pikpamjet e tyre politike, në përputhje kjo me frymën e kohës moderne të fillim shekullit 21.   Nëqoftse në këtë botë të re, objektivi është ringjallja e kombit shqiptar, atëherë, nevojitet bashkpunimi me forcat më të shëndosha të tija, kudo qofshin ato dhe çfardo pikpamjesh te kenë.  Prandaj, “samiti” që sapo u mbajt në Tiranë dhe “samitet” e diasporës shqiptare që mund të mbahen në të ardhmen, do të konsiderohen të suksesshme — jo për nga investimet që mund të bëjë diaspora në trojet shqiptare, ndonëse edhe ato janë të nevojshme dhe të rëndësishme — por për nga aftësia e organizatorëve, që me respekt  dhe tolerancë për mendimet e njëri tjetrit dhe të tjerëve, të bëjnë të mundur harmonizimin e pikpamjeve të rrymave të ndryshme politike të pjesëmarrësve në ato takime, për të mirën e përbashkët të kombit.  Me qëllimin për të pasuruar dhe për të lartësuar emërin e shqiptarëve në botë, ashtu siç bëri takimi i parë i diasporës shqiptare me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në prill të vitit 1968 në Romë.  “Kjo dëshirë, me e pa vendin tonë mirë të mbarshtruem e të maturuem politikisht mbi baza drejtësie shoqënore, do të mbette ndiesi e thatë, po nuk u shëndrrue në shkas përpjekjeje e vrull veprimtarie që shëndërron dëshirën në realitet”, ka thënë organizatori i takimit të parë të diasporës shqiptare, Profesor Ernest Koliqi.  Shpresojmë që “samitet” e ardhëshëm të bëjnë realitet faktin se mërgata shqiptare, pa dallime dhe paragjykime politike, do të bëhet pjesë e pa ndarë e botës së re shqiptare të shekullit 21.  Kjo është në dorë të Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare.  Ka ardhur koha pra që, sidomos në Shqipëri, të zhduken paragjykimet enveriste mbi “mërgatën e qyqeve” të Nasho Jorgaqit.  Pa marrë parasyshë se ç’mendojnë jorgaqët e kësaj bote, atëherë dhe sot, Diaspora Shqiptare ishte dhe është pjesë e pa ndarë e trungut të kombit shqiptar. Si gjithmonë gjatë historisë, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për të.  Ato kanë nevojë për mbarë diasporën shqiptare në përgjithësi dhe jo për individë ose grupe të caktuara që nuk përbëjnë as nuk përfaqësojnë pjesën dërmuese të mërgatës si një njësi të vetme.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, POST SCRIPTUM I “SAMITIT”, te diaspores

NATO–TRUMP DHE MARRËDHËNIET TRANS-ATLANTIKE

November 20, 2016 by dgreca

1-frank-300x212Nga Frank Shkreli/

Aleanca e Atlantikut Verior, NATO njoftoi të premtën se Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, Jens Stoltenberg komunikoi me telefon me Presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump.  Në njoftim thuhet se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e uroi Zotin Trump për fitoren dhe se pret me padurim që të punojë me ‘të dhe me grupin e tij të sigurimit kombëtar.

Në njoftimin e Aleancës Perëndimore thuhet gjithashtu se zotërinjtë Trump dhe Stoltenberg theksuan rëndësinë e vazhdueshme të NATO-s dhe biseduan mbi mënyrat se si organizata NATO po i adaptohet atomosferës së së re të sigurisë, përfshirë edhe masat kundër terrorizmit.  Njoftohet se në bisedën telefonike me presidentin e zgjedhur amerikan, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, falënderoi Z. Trump për ngritjen, gjatë fushatës elektorale, të çështjes së shpenzimeve më të barabarta nga vendet anëtare të NATO-s, çështje kjo që sipas njoftimit, ka qenë një ndër prioritetet më me rëndësi të mandatit të Z. Stoltenberg.    Dy udhëheqsit e lartë ranë dakort se është shënuar përparim në këtë fushë por mbetet ende shumë për t’u bërë, thuhet në njoftimin e NATO-s, mbi bisedën telelefonike Trump-Stoltenberg të javës që kaloi.

Gjithashtu të premtën e kaluar, shefi i NATO-s Stoltenberg, në konferencën e organizuar nga Fondi Gjerman Marshall i Shteteve të Bashkuara në Bruksel, foli për këtë çështje si dhe për sigurinë transatlantike, mbrojtjen europiane dhe për bashkpunimin midis NATO-s dhe Bashkimit Europian, marrëdhënie këto që ai i cilësoi si lidhje të forta transatlantike, në kohë të pasigurta.  Ai e filloi fjalimin e tij duke deklaruar se “Europa ka nevojë për Amerikën dhe Amerika ka nevojë për Europën”.  Fjala e Shefit të NATO-s Stoltenberg në Bruksel javën që kaloi ishte një deklaratë e fuqishme për lidhjet e forta historike dhe të marrëdhënieve aktuale politike dhe ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës, për të gjithë ata që mund të dëshirojnë ftohjen e këtyre marrëdhënieve.

Udhëheqsi i NATO-s u tha të pranishëmve se, “Dy Luftërat Botërore dhe Lufta e Ftohtë na kanë mësuar se sigurimi i Europës varet nga Shtetet e Bashkuara dhe se si rrjedhim edhe Shtetet e Bashkuara kanë një interes të madh strategjik, në një Europë të sigurt.”   Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vazhdoi duke thënë se Shtetet e Bashkuara edhe sot e kësasj dite  demonstrojnë angazhimin e tyre të thellë ndaj sigurisë në Europë, por në të njëjtën kohë, theksoi ai, edhe vendet europiane u janë gjëndur  pranë amerikanëve në kohë të vështira dhe kur e ka kërkuar nevoja, duke përmendur sulmet terroriste të 11 shtatorit në New York.  “Ç’prej themelimit të NATO-s në vitin 1949, Amerika nuk ka patur ortak më të besueshëm dhe më të vendosur se Europë”, theksoi shefi i Aleancës së Atlantikut Verior. Europa, është miku më i ngushtë i Amerikës, nënvijoi shefi i NATO-s.  Përveç lidhjeve politiko-ushtarake, Stoltenberg tha se Europa dhe Shtetet e Bashkuara gëzojnë lidhje të ngushta ekonomike dhe tregtare.  “Një Europë më e fuqishme, më e fortë dhe më e begatë, do të thotë gjithashtu edhe një Amerikë më e fuqishme, më e sigurt dhe më e begatë, tha ai. Stoltenberg u përpoq të përq[ëndronte vëmendjen e të pranishëmve se, “Ky është mësimi që na ofron historia e shekullit të 20-të dhe këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë, veçanërisht në kohë të pasigurta, si sot”, nënvijoi ai në fjalën e tij në konferencën e Fondit Gjerman Marshall të  Shteteve të Bashkuara mbajtur në Bruksel të premtën që kaloi.

Shefi i NATO-s përmendi, si çështje që e bëjnë botën e sotëme të pasigurt: në rend të parë shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga ana e Rusisë, trazirat dhe luftërat në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën veriore, kriza e refugjatëve, terrorizmi ndërkombëtar dhe sulmet hibernetike, ndër të tjera.  Këto janë sfida urgjente të cilat nevojitin bashkim dhe vendosmëri por edhe lidhje të forta transatlantike.  Ai tha se, “Ne europianët jemi të vetdijshëm se duhet të bëjmë më shumë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe se një pjesë e rëndësishme e këtij objektivi është bashkpunimi më i ngushtë midis NATO-s dhe Bashkimit Europian”, dhe jo krijimi i një force të re ushtarake europiane, e cila po diskutohet tani në disa qarqe të Europës.  Z. Stoltendberg, tha në lidhje me këtë se në bisedimet që ka patur me ministrat e mbrojtjes të Bashkimit Europian në Bratisllavë dhe Bruksel, ata nuk kanë në plan të krijojnë një ushtri europiane, ose themelimin e një kryeqendre ushtarake si ajo e NATO-s.  Por sidoqoftë, në fjalimin e tij në Bruksel, Z. Stoltenberg paralajmëroi se në këto diskutime duhet të ketë transparencë dhe pjesëmarrjen e plotë të vendeve që janë anëtare të NATO-s por jo anëtare të Bashkimit Europian, siç janë Shtetet e Baskuara dhe Kandaja në perëndim, Islanda dhe Norvegjia në veri dhe Turqia e Shqipëria në jug-lindje – vende të cilat së bashku me vendet e Bashkimit Europian, janë jetike për sigurinë në kontinentin europian dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla, ka thënë Shefi i Alencës së NATO-s.  Thjeshtë, Shtetet anëtare të NATO-s dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk mund të përballojnë, shtoi Z. Stoltenberg, shpenzimet e pasjes së dy forcave të armatosura: NATO dhe forca europiane.

Siç duket, në reagim të shqetsimeve që disa kanë venë në dukje, sidomos në Europë, por edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, në lidhje me thirrjet e kandidatit Trump gjatë fushatës, që vendet anëtare të NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e përbashkët, Z. Stoltenberg u shpreh se kjo nuk është as e re dhe as një gjë sekrete.  Z. Trump, tha ai, nuk është i vetmi që ka bërë thirrje për shpenzime më të mëdha ushtarake nga europianët, për mbrojtjen e përbashkët.   Këtë kërkesë, shtoi ai, e kemi dëgjuar shpesh edhe nga një numër udhëheqsish të tjerë amerikanë dhe antarë të Kongresit.  Në lidhje me këtë, Shefi i NATO-s tha se përveç Shteteve të Bashkuara, vetëm katër vende të tjera të NATO-s shpenzojnë 2% të buxhetit për mbrojtje, ashtu siç parashikohet nga rregulloret e NATO-s.   Nëqoftse të gjitha vendet aleate të NATO-s do të shpenzonin 2 për qindshin detyrues për mbrojtje, kjo do të thotë një buxhet prej 100-miliardë dollarësh ekstra për forcimin e aleancës ushtarake perëndimore, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg.

Përballë kësaj shifre, duhet të kuptohet edhe shqetësimi që ka shprehur presidenti i zgjedhur amerikan, Z. Trump si dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë para tij, në lidhje me kontributin që vendet anëtare të NATO-s duhet të japin për mbrojtjen e përbashkët.  Në këtë frymë duhet të kuptohet edhe shqetsimi i Z. Trump dhe i shumë amerikanëve në lidhje me kontributet e detyrueshme që kanë marrë përsipër anëtarët e NATO-s për mbrojtjen e përbashkët.

Në fjalimin që mbajti natën e zgjedhjeve, duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar, Presidenti i zgjedhur Donald Trump u shpreh se për të interesi i Amerikës është në rend të parë — për ta baërë Amerikësn të fortë mbrenda dhe jashtë vendit – por njëkohsisht u angazhua se do të punojë ndershmërisht dhe me pa-anshmëri me të gjithë popujt dhe me të gjitha kombet.  “Ne kërkojmë të punojmë me të gjithë, bazuar në gjërat që na bashkojnë dhe jo bazuar në armiqësi – duam të veprojmë në partneritet dhe jo në konflikt me vendet e tjera.”

Sekretari i Përgjithëshëm i Aleancës së NATO-s, Z Jens Stoltenberg në fjalimin e tij të premtën q kaloi në Bruksel theksoi se në “Këto kohëra të pasigurta kemi nevojë për udhëheqjen e fortë amerikane, por mbi të gjitha duhet të njohim vlerat e partneritetit midis Europës dhe Amerikës.”  Presidenti i zgjedhur Donald Trump është angazhuar se administrata e tij e ardhëshme do të punojë në partneritet me të gjitha vendet, përfshirë Europën, dhe jo në konflikt me botën. Donald Trump i ka të metat e veta, disa prej të cilave do të vihen në dukje edhe gjatë mandatit të tij si president, siç ka qenë rasti edhe me presidentë të tjerë të Amerikës.  

Por dashakeqsit e Z. Donald Trump të cilët e kanë shpallur atë si të rrezikshëm për Amerikën dhe për botën – madje edhe pa filluar ende nga detyra – bëjnë mirë të ndjekin këshillën e njërit prej kritikëve më të fortë të Z. Trump — Presidentit të tanishëm të Amerikës, Z. Barak Obama, i cili gjatë vizitës së tij në Europë javën që kaloi – ndërkohë që i siguroi aleatët se Z. Trump do të mbështesë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s – Z. Obama, njëkohsisht  i këshilloi kritikët europianë të presidentit të ardhëshëm amerikan, Z. Trump: “Mos u nxitoni të dilni në përfundime. Bëni pak durim”.  Dhe në një takim me udhëheqsit latino-amerikanë në Lima të Perusë në fund të javës, Presidenti Obama përsëriti të njëjtën këshillë, “Mos mendoni që në fillim më të keqen.  Pritni derisa administrata e re të zërë vendin e të fillojë nga detyra dhe të parashtrojë politikat e saja, pastaj të nxirni perfundimet e tuaja.”

Këshillë e mirë kjo nga Presidenti Obama për të gjithë ata udhëheqës të cilët  jo vetëm dëshirojnë marrëdhënie të ngushta transatlantike ushtarako- ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës, por edhe për ata udhëheqës që duhet të  punojnë për marrëdhënie miqësore e të ngushta midis vendeve të tyre individuale dhe Shteteve të Bashkuara, pa marrë parasyshë se cili president ose cila parti politike amerikane udhëheq vendin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, NATO–TRUMP DHE MARRËDHËNIET, TRANS-ATLANTIKE

KUVENDI I SHQIPËRISË MIRATON KOMISIONIN PËR HAPJEN E DOSJEVE

November 17, 2016 by dgreca

Kryetare e Komisionit është caktuar Gentiana Sula, e propozuar nga qeveria.  Katër anëtarët e tjerë janë Altin Hoxha, Mariglen Kasmi, Daut Gumeni dhe Simon Mirakaj./

1-frank

Nga Frank Shkreli/Miratohen anëtarët e Autoritetit për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit shqiptar.   Në portalin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë njoftohet se të ënjtën, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi dhe miratoi kandidaturat e propozuara nga deputetët, anëtarët e Autoritetit për Informimin me dokumentet e Ish-sigurimit të Shtetit.Parlamenti shqiptar votoi autoritetin për informim me dosjet e ish Sigurimit të Shtetit.  Sipas burimeve nga Tirana, ky Autoritet përbëhet nga 5 persona të caktuar sipas ligjit: një e ka propozuar Shoqata e ish të përndjekurve politikë, një nga Shoqëria civile e të drejtave të njeriut, një qeveria dhe dy janë emëruar nga parlamenti.  Komisionit të ligjeve iu paraqiten 11 kandidatura  për kosniderim dy prej te cilëve u skalifikuan nga komisioni.  Shoqëria civile e të drejtave të njeriut propozoi ish të përndjekurin, Z. Simon Mirakaj dhe drejtoreshen ekzekutive zj.Ballauri dhe Drejtorin Ekzekutiv të qendrës se reabilitimit për shkak të torturës, z.Adrian Kati, ndërsa Daut Gumeni, ish i burgosuri intelektual u propozua nga ish të perndjekurit politikë.Kryetare e Komisionit është caktuar Gentiana Sula, e propozuar nga qeveria.  Katër anëtarët e tjerë janë Altin Hoxha, Mariglen Kasmi, Daut Gumeni dhe Simon Mirakaj.

Shqyrtimi  i kandidaturave për këtë komision ishte në rendin e parë të ditës të punimeve të parlamentit, ndërkohë që u njoftua se partitë politike parlamentare kishin dhënë mbështetjen e tyre për kandidaturat e paraqitura për anëtarë të Autoritetit për Informimin me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.  Relatorja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, njoftoi se tre partitë kryesore politike,  konkretisht Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i Partisë Demokratike dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë mbështetur me 28 deputetë, kandidaturat dhe i kanë propozuar Kuvendit të Shqipërisë emërat e kandidatëve për këtë komision.Ajo bëri të ditur se në bazë të nenit 8, kandidaturat që propozohen janë: dy kandidatura nga Kuvendi i Shqipërisë, një përfaqësues propozohet nga shoqata e të përndjekurve politikë dhe mbështetet nga jo më pak se 28 deputetë, ndërsa një përfaqësues propozohet nga shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kandidatura duhet të mbështetet nga jo më pak se 28 deputetë dhe një anëtar propozohet nga Këshilli i Ministrave, informoi znj. Hysi.

Ajo informoi deputetët se kandidaturat që u propozuan nga Shoqata e të Përndjekurve, nga Shoqata e të Drejtave të Njeriut dhe që u mbështetën nga 28 deputetë janë, kandidatura e z. Daut Gumeni, kandidatura e vetme e propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politikë dhe që është mbështetur nga 28 deputetë të Grupit parlamentar të PS.  Kandidatura e dytë është  ajo e Z. Simon Mirakës,  që është kandidatura e vetme e propozuar nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut që   njëherazi është mbështetur nga 28 deputetë të grupit parlamentar të PD.  Z. Simon Mirakaj rrjedhë nga njëra prej familjeve më të përndjekura anti-komuniste, jo vetëm në veriun e Shqipërisë, por në mbarë vendin. Pra këta kandidatë, kandiduan dhe mbështeten për pozicione që konkretisht i kanë të përcaktuara në ligj, shtoi relatorja e Kuvendit shqiptar.

Kandidaturat që propozohen dhe zgjidhen nga Kuvendi janë tre. I pari është z. Altin Hoxha, është kandidaturë e propozuar nga Grupi parlamentar i LSI dhe ka marrë mbështetjen nga 28 deputetë, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë.  Z. Maringlen Kasmi, është kandidatura e propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, kandidaturë e cila propozohet dhe zgjidhet nga Kuvendi dhe është mbështetur nga 28 deputetë. Kandidatura e tretë është z. Selami Zalli, kandidaturë e propozuar nga Grupi parlamentar i PD-së, ndërkohë që edhe kjo kandidaturë votohet nga Kuvendi i mbështetur nga 28 deputetë”,- shpjegoi znj. Vasilika Hysi.

Është ky një hap i vonuar nga Kuvendi i Shqipërisë por i mirëpritur.   Por, siç thonë, më mirë vonë se kurrë. Uroj që anëtarët e ri ta marrin punën me seriozitetin më të madh dhe tu rezistojnë presioneve të ndryshme.  Hapja e dosjeve e Sigurimit të Shtetit shqiptar është kërkuar vazhdimisht gjatë 25-viteve post-komunizëm, jo vetëm nga ish-të përndjekurit politikë të cilët e kanë pësuar keq me familje dhe farefis nga Sigurimi i Shtetit të regjimit të Enver Hoxhës, por edhe nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës kanë bërë presion për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, ashtuq siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste në Europë.  Mbetet për tu parë nëse Kuvendi i Shqipërisë e mbështetë Komisionin me financimin e nevojshëm dhe me fuqinë e ligjit të Kuvendit  për Autoritetin e ri për hapjen e Dosjeve të Sigurimit, a po do të jetë edhe ky një angazhim me fjalë boshe për qëllime propagandistike të radhës, si deri tani: një ushtrim sa për sy e faqe, i pa kurrfarë vlere, duke u hedhur pluhur syve ish të përndjekurve të shkretë, të gjallë e të vdekur.

Filed Under: Analiza Tagged With: E DOSJEVE, Frank shkreli, KUVENDI I SHQIPËRISË MIRATON KOMISIONIN, PËR HAPJEN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT