• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HARMONIA FETARE NË SHKOLLËN JEZUITE, “ATË PJETËR MESHKALLA” NË SHKODËR

November 3, 2016 by dgreca

1-frank_shkreli

Nga Frank Shkreli/Fjala është për ish-kolegjin saverian, sot gjimnazi privat “Atë Pjetër Meshkalla” – Shkodër.  Me titullin, “Shqipëria: Si Shën Injaci bashkon të Krishterët dhe Myslimanët”, gazeta e njohur italiane, La Stampa e Torinos shkruan mbi bashkjetesën paqësore midis të krishterëve dhe myslimanëve shqiptarë, mbi edukimin që ofron ky gjimnaz klasik që drejtohet nga jezuitët, mbi entuziazmin e studentëve, mbi rolin e Papa Françeskut si dhe për lumturimin, këtë fund jave, të 38-martirëve shqiptarë.

Korrespondentja e gazetës La Stampa, Kristina Uguccioni njofton nga Shkodra lexuesit e vet se ndër 38-martirët e regjimit komunist të Enver Hoxhës që do të lumturohen janë edhe tre jezuitë, Atë Gjon Fausti, Atë Daniel Dajani  dhe vëlla Gjon Pantalia.  Mbrëmjen e datës 31 dhjetor, 1945, Atë Gjon Fausti (zëvendës provincial) dhe Atë Daniel Dajani (Rektor i Kolegjit Saverian dhe i Seminarit) u arrestuan.  Pas një procesi të rremë u pushkatuan të dy më 4 mars, 1946.  Disa muaj më vonë u burgos edhe Vëlla Gjon Pantalia, përgjegjës i Shtypshkronjës “Zoja e Papërlyer”, i  cili pasi u torturua mizorisht, vdiq në shtator të vitit 1947.   Ndër të tjera, At Gjon Fausti njihej edhe si studiues i Islamizmit i cili i kishte kushtuar vëmendje të posaçme dhe kohë të konsiderueshme dialogut midis të krishterëve dhe myslimanëve, ndërkohë që kishte botuar edhe një numër shkrimesh në lidhje me këtë subjekt.

Gazeta La Stampa shkruan se pas periudhës së zezë të regjimit komunist, shkolla e mesme u rihap nga Jezuitët në vitin 1998 dhe mori emërin,”Pjetër Meshkalla”, është emri i një jezuiti shkodran i cili për shkak të përballjes së tij të guximshme me regjimin komunist, u bë simbol feje, kulture dhe lirie. Shkolla e mesme “Pjetër Mëshkalla”, e cila, sipas gazetës italiane konsiderohet si një qëndër e shkëlqyeshme arsimi me standarde europiane, ka gjithsejt 500 studentë të moshave 15-18 vjeçare që i përkasin fesë katolike, myslimane, evangjeliste dhe ortodokse.

Ndonëse shkollë katolike, në radhët e 48 arsimtarëve të saj ka edhe të tillë që i përkasin fesë myslimane, shkruan La Stampa, si për shembëll 30-vjeçarja Alda Laska e cila jep biologjinë, si edhe 28-vjeçarja Dorela Smajli e cila jep matematikën.  Alda shpreh respektin e thellë që ka për jezuitët që drejtojnë shkollën, “për frymën dhe entuziazmin e tyre që është shëmbëll… për kushtimin e tyre ndaj përhapjes së diturisë, përfshirë njohuritë shkencore, por edhe për jetën shpirtërore të studentëve.”   Ndërsa Dorela shprehet për gazetën italiane se, “Ne vlerësojmë metodat e mësimdhënjes të kësaj shkolle si dhe regullat e mira dhe disiplinën të cilat ndihmojnë në formimin e studentëve të bëhen burra dhe gra të përgjegjëshme për familjen dhe shoqërinë në të cilën jetojnë…Ne vlerësojmë objektivat e etërve jezuitë në përpjekjet e tyre për të edukuar rininë tonë në kultivimin e aftësive të tyre, ashtuqë ata të mund t’u shërbejnë të tjerëve dhe të ndihmojnë njëkohsisht edhe përparimin e shoqërisë”, ka thënë mësuesja Dorela Smajli.    

Ndërsa Drejtori i gjimnazit, “At Pjetër Meshkalla”, 42 vjeçari At Roni Alessio tha se programi arsimor i shkollës bazohet në parimet e Shën Injacit, themeluesit të Jezuitëve, e që fokusohet në të gjitha fushat e zhvillimit personal të studentëve, për të siguruar sipas tij, që studentët të kenë një bazë të fortë dhe solide intelektuale, por që të jenë gjithashtu të balancuar nga pikpamja emocionale dhe që të jenë të aftë të gjykojnë, të jenë të përgjegjëshëm ndaj vetes dhe të tjerëve dhe që të përdorin talentet e tyre në shërbim të tjerëve, ka thënë për La Stampa drejtori i shkollës, At Roni Alessio.  Ai ka theksuar gjithashtu se studentët e kësaj shkolle, çdo vit, marrin pjesë në aktivitete shoqërore për të ndihmuar më të nevojshmit e shoqërisë, përfshirë edhe pjesmarrjen në projektin që mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë, projekt ky në të cilin marrin pjesë edhe shkollat myslimane, me qëllim identifikimi të praktikave që mund të promovohen për të ndihmuar shoqërinë shqiptare të zgjidhë problemet me të cilat ajo përballet sot. At Roni Alessio shtoi se studentët e krishterë dhe myslimanë, në gjimnazin që ai drejton,  shkojnë jashtzakonisht mirë me njëri tjetrin dhe interesohen të mësojnë për fenë dhe traditat fetare të njëri tjetrit.  Ne të rriturit, tha ai, përpiqemi tu ndihmojmë atyre të kuptojnë më mirë besimet dhe fenë e të tjerëve, duke shtuar se, “Mësuesit shqyrtojnë karakteristikat themelore të secilës fe dhe gjatë këtij procesi identifikojnë elementët që mund të formojnë bazën për një dialog të frutshëm dhe pozitiv” midis tyre.

Arsimtaret Alda dhe Dorela kanë thënë për gazetën La Stampa se marrëdhëniet ndërfetare në Shkodër dhe në mbarë vendin në përgjithësi janë shumë të mira dhe karakterizohen nga një frymë respekti dhe bashkpunimi të ndërsjellët. Ne besojmë, u shprehën ato për gazetën italiane, se gjimnazi At “Pjetër Meshkalla”, ku ato japin mësim, “Si një institucion që është,  luan një rol kyç në këtë atmosferë bashkjetese paqësore”, midis shqiptarëve.Ndërsa Drejtori i shkollës jezuite në Shkodër, At Roni Alessio i dha La Stamapës vlerësimin e tij të harmonisë fetare midis shqiptarëve duke thënë se, “Këtu në Shqipëri, atmosfera paqësore që dallon marrëdhëniet midis burrave dhe grave që i përkasin feve të ndryshme të këtij vendi, nuk janë as fals as nuk janë formalitet, por ato rrjedhin nga pranimi i diversitetit dhe ndryshimeve që ekzistojnë, ndërkohë që dallimet që ekzistojnë nuk mohohen, por njihen dhe pranohen si të tilla… Ndryshimet nuk nënkuptojnë medoemos abuzimin dhe dhunën, por janë fillimi i një realizimi të një objektivi për të gjetur rrugë të reja bashkpunimi që garantojnë përparimin e komuniteteve të ndryshme, në një mënyrë të drejtë dhe bashkarisht duke komunikuar dhe duke dëgjuar me respekt pikpamjete e njëri tjetrit.”

Në lidhje me vizitën e fundit të Papa Françeskut në Shqipëri shtatorin e vitit 2014, Drejtori i gjimnazit jezuit të Shkodrës, Atë Roni u shpreh për gazetën La Stampa se, “Megjithse ishte një vizitë e shkurtë, vizita e Atit të Shënjtë tregoi kujdesin dhe interesimin e tij të madh për këtë vend.  Papa Françesku po ndihmon këtë Shqipërinë që të njoh rolin që ky vend mund të luaj jo vetëm në rajonin e Ballkanit por edhe në Europë. Duke u gëzuar për harmoninë dhe bashkjetesën fetare që ekziston midis feve të ndryshme dhe duke konsideruar këtë bashkjetesë si një përfitim me shumë vlerë për vendin, Papa Françesku mbështetë fuqishëm dialogun ndërfetar dhe rrugën që ka ndërmarrë kombi shqiptar”, përfundoi komentet e tija për gazetën italiane La Stampa, At Roni Alessio.  Ndërsa mesueset e gjimnazit jezuit të Shkodrës, Alda dhe Dorela e vlerësuan vizitën e fundit të Papa Françeskut në Shqipëri si një vizitë që u mirëprit nga i mbarë vendi, ndërsa u shprehen se lumturimi këtë fund jave në Shkodër i 38-martirëve të Kishës Katolike është për ‘to një burim frymëzimi, i thanë ato gazetës La Stampa. “Për faktin se ne vazhdojmë të besojmë në këtë vend dhe se njëkohsisht po përpiqemi të bëjmë më të mirën q[ mundemi për vendin tonë, për këtë ne i kushtojmë pjesërisht falënderimet dhe mirënjohjen tona këtyre burrave si dhe dëshmisë së tyre të sakrificës, mëshirës dhe guximit”.

Kjo ndodhë vetëm në Shqipëri. Një deklaratë e tillë, nga dy protagonistet kryesore të artikullit të gazetës italiane La Stampa, Alda Laska dhe Dorela Smajli, shqiptare të fesë myslimane dhe mësuese në gjimnazin jezuit, “Pjetër Meshkalla” në Shkodër, na bën krenarë dhe na frymëzon se Shqipëria dhe shqiptarët si gjithmonë gjatë historisë, do të kenë burra dhe gra si Alda dhe Dorela, se megjithë vështirsitë e momentit, me sakrifica dhe guxim, do të vazhdojnë të punojnë për të mirën e përbashkët kombëtare, në harmoni dhe bashkjetesë me njëri tjetrin, megjithë dallimet fetare dhe politike që ekzistojnë. Ah, sikurë harmonia dhe bashkjetesa fetare të transferohej edhe në fushën politike!  Për kombin shqiptar nuk do të kishte dhuratë më të madhe në këtë etapë të historisë së tij!

Filed Under: Komente Tagged With: Ate Pjeter Meshkalla, Frank shkreli, HARMONIA FETARE NË SHKOLLËN JEZUITE

“PSE NA VRATË O VËLLAZËN SHQIPTARË?”

November 1, 2016 by dgreca

Lumturimi i heronjve martirë të Kishës Katolike dhe të kombit shqiptar të shtunën që vjen, shënjtërimi i bijës së kombit Nënë Tereza fillim shtatorin që kaloi dhe emërimi kardinal nderi i Dom Ernest Troshanit kohët e fundit, janë një njohje nga ana e Vatikanit e vuajtjeve çnjerzore dhe e shfarosjes së një numri të madh të viktimave të pafajshme të regjimit komunist në Shqipëri. /

1-lumnimi2

Nga Frank Shkreli/

1 Frank shkreli (2)Siç është njoftuar tanimë nga Vatikani si edhe nga Kisha Katolike Shqiptare, ceremonia e lumturimit të 38-martirëve katolikë do të celebrohet në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër më 5 nëntor 2016.    Aktivitete të ndryshme kulturore dhe fetare prej pothuaj një jave, po i paraprijnë ceremonisë solemne.  Ceremonia fetare do të kryesohet nga përfaqësuesi i posaçëm i Vatikanit, Hirësia e Tij Kardinali i Kongregatës për Çështjen e Shenjtërve, Angelo Amato.  Në këtë ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët do të marrin pjesë zyrtarë të lartë të Kishës Katolike nga Europa dhe mbarë bota.  Në një shënjë ringjalljeje të Kishës Katolike shqiptare, do të jenë të pranishëm në ceremoni mbi 300 meshtarë nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan si dhe nga diaspora.  Në shënjë simbolike të unitetit kombëtar janë ftuar të marrin pjesë në këtë ceremoni edhe udhëheqsit më të lartë politikë dhe shtetërorë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës.  Kisha do të jetë e hapur për të gjithë pa dallim dhe përveç mediave të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare që do të mbulojnë këtë ngjarje, pritet që i gjith ky kremtim të transmetohet aty për aty nga televizioni publik shqiptar, TVSH.

Lumturimi i këtyre heronjve martirë të Kishës Katolike dhe të kombit shqiptar të shtunën që vjen, shënjtërimi i bijës së kombit Nënë Tereza fillim shtatorin që kaloi dhe emërimi kardinal nderi i Dom Ernest Troshanit kohët e fundit, janë një njohje nga ana e Vatikanit e vuajtjeve çnjerzore dhe e shfarosjes së një numri të madh të viktimave të pafajshme të regjimit komunist në Shqipëri.  Këto tre vendime historike të Vatikanit ndaj Kishës Katolike shqiptare, në të vërtetë, janë një njohje edhe nga mbarë bota e dhunës dhe e shkeljeve që i janë bërë këtij kombi të vogël  për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, pa dallim feje ose krahine, megjithëse proporcionalisht, kleri katolik e pësoi rëndë  nga ky regjim duke pasur numrin më të madh të viktimave.

Në të vërtetë,  me njohjen dhe me kurorërzimin e heroizmit fizik dhe shpirtëror të këtyre klerikëve katolikë shqiptarë duke i shpallur të lumtur, Kisha Katolike si një institucion botëror, siç thuhet edhe në një njoftim të Radio Vatikanit, akordoi këtë njohje të merituar jo vetëm martirëve katolikë, por është njëkohsisht edhe një shënjë simbolike mirënjohjeje nga ana e Vatikanit për të gjithë ata burra, gra, pleq e fëmijë, të cilët, si pasojë e një ideologjie ateiste, krejt të huaj për botën shqiptare, u dënuan padrejtësisht gjatë pothuaj një gjysëm shekulli, duke pësuar si pasojë torturat nga më çnjerëzoret që kishte njohur shekulli i kaluar.  Si të tillë, këta të lumtur nuk i përkasin vetëm Kishës Katolike por janë edhe heronjë të Kombit shqiptar, të cilët trimërisht, në heshtje dhe plot dinjitet i qëndruan dhunës së bishës së kuqe komuniste sllavo-aziatike të imponuar mbi shqiptarët.  Ata ishin dhe janë simbol i qëndresës kombëtare — atëherë dhe sot — ndaj të keqes që i është kanosur këtij kombi të vogël të shumë-vuajtur, i përbuzur dhe i sulmuar gjithmonë nga të huajt, por i cili dijti që përballë sfidave të mëdha historike gjatë shekujve të ruante vlerat dhe virtytet më të larta njerëzore, traditën, gjuhën dhe kulturën, jo vetëm në fushën fetare por edhe atdhetare.

Por megjith këtë histori të tmerrshme dhune, madje edhe sot 25-vjetë post-komunizëm, në nivelet më të larta të institucioneve të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, ka ende individë, përfshirë pseudo-historianë dhe grupe të ndryshme të shoqërisë, të cilët vazhdojnë të fshehin të vërtetën dhe ex-catedra arsyetojnë gjithnjë viktimizimin e këtyre të pafajshëmve dhe të tjerëve si këta se gjoja, sipas tyre, ata kanë na paskan bashkpunuar me pushtuesin dhe si rrjedhim i meritonin mundimet dhe vuajtjet dhe asgjë më pak se zhdukjen e tyre fizike nga shpellarët e ish-regjimit komunist.   Është thekësuar shpesh, por më kot, nga shumë vërejtës vendas dhe ndërkombëtarë gjatë 25 viteve të kaluara, sidomos nga miqtë e Shqipërisë dhe të shqiptarve, se autoritetet shqiptare dhe shoqëria në përgjithsi duhet pa tjetër të përballen me të vërtetën e kësaj historie tragjike duke u ërë thirrje që të hapin dosjet e ish-Sigurimit famëkeq të shtetit, me qëllim që të mësohet e vërteta e kësaj historie tragjike.  

Para disa ditësh, Zëri i Amerikës, nepërmjet korrespondetit Ilirian Agolli, në një kronikë nga Tirana raportoi se apeli më i fundit drejtuar pushtetarve të Tiranës në lidhje me këtë çështje, erdhi nga Kryetari i Zyrës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt.  Në takimin, “Hapja e dosjeve të Sigurimit – Sa më shpejt aq më mirë”, organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, ambasadori Borchardt u shpreh se vetëm zbulimi, trajtimi dhe diskutimi i padrejtësive të shkuara, nuk lejon që e kaluara të bëhet barrë për të ardhmen.   Çfarë të ardhme duan për vendin e vet, autoritetet shqiptare që për 25 vjetë tani kanë refuzuar hapjen e dosjeve të komunizmit për të zbardhur krimet e komunizmit, përfshirë vrasjet e 38-martirëve që do të lumturohen këtë fund jave në Shkodër.   Zëri i Amerikës njoftoi gjithashtu nga konferenca se “Politikanë dhe zyrtarë, socialistë dhe demokratë, morën fjalën për të bërë një mori sqarimesh ligjore dhe procedurash parlamentare, pa mundur të shpjegojnë se si ka ndodhur që pas 25 vjetësh demokraci, përsëri ka mbi një vit që nuk zbatohet as ligji i moderuar i hapjes së dosjeve, që i ofron ato vetëm për studime dhe jo për lustrime”.   Një shënjë tjetër  kjo e arrogancës dhe e mos-veprimit të autoriteteve shqiptare për një çerek shekulli post-komunizëm, në lidhje me hapjen e dosjeve të komunizmit. Ky nuk është vetëm një qëndrim arrogant i Tiranës zyrtare, por është edhe një sjellje fyese dhe përbuzëse ndaj të gjitha viktimave të komunizmit në veçanti dhe ndaj publikut shqiptar në përgjithësi dhe është një faqe e zezë në biografinë e këtyre pushtetarëve të cilët kanë patur përgjegjësinë,  mundësinë dhe autoritetin për të bërë një gjë të tillë.

Prandaj për derisa autoritetet shqiptare nuk hapin dosjet ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të Europës Lindore dhe për derisa disa pseudo-historianë shqiptarë vazhdojnë të hedhin baltë mbi viktimat e pafajshme të një regjimi kriminal të cilit ata i shërbyen gjithë jetën, Shqipëria as shqiptarët nuk do të ecin përpara.  Por ama, duan a s’duan këto mbeturina të regjimit komunist, bota po e zbulon të vërtetën.  Këta martirë shqiptarë që sot i njeh bota si të tillë, si dhe pasardhësit e tyre të gjallë, janë vëllezër e motra, pjesëtarë të denjë të një Atdheu të përbashkët i të gjithë shqiptarëve pa dallim.  Publiciteti që u jepet në media mendimeve të këtyre nostalgjikëve të shëmtuar dhe të diskredituar të komunizmit në këtë kohë, nuk është diçka e rastit.   Këta apologjetë të regjimit vëllavrasës, madje edhe 70-vjetë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, vazhdojnë të mbjellin urrejtje dhe inate midis shqiptarëve duke e mbajtur shoqërinë shqiptare peng dhe në një konflikt të përhershëm, trashëgimi e një regjimi diktatorial dhe të një ideologjie të vdekur.  Por këta nostalgjikë të komunizmit ende nuk e kanë kuptuar se e vërteta dhe idetë e mëdha nuk mund të mbahen të mbyllura për gjithmonë në çmendurinë e metalitetit të Enver Hoxhës, ku ata gjithnjë mendojnë, veprojnë dhe jetojnë.  Mos mashtroni veten se ju nuk jeni aspak më të mirë e më të denjë të Shqipërisë së Gjergj Kastriotit Skënderbe, të Shqipërisë së Ismail Qemalit, të Fan Nolit, Bajram Currit, të Luigj Gurakuqit e shumë të tjerëve — në krahasim me këta martirë dhe të persekutuar të tjerë të atij regjimi komunist diktatorial që ju gjithnjë gjeni forcën morale ta mbroni.  Jo, jo mos e gënjeni veten se nuk jeni aspak më të mirë.  Përkundrazi, me qëndrimet tuaja, me shkrimet dhe deklaratat tuaja, ju nuk i bëni nder as vetes as kombit shqiptar, por jeni duke mbajtur pengë Shqipërinë e mjerë, ndërkohë që viktimat e komunizmit po i vrisni për së dyti, për së treti e për së katërti, në të vërtetë sado herë që hapni gojën. Dhe jo vetëm këta të lumtur të Kishës dhe të Kombit, por të gjitha viktimat e komunizmit në Shqipëri të cilët nëpërmjet historisë së këtyre 38 martirëve, tani kundër vullnetit tuaj, bota e njeh sadopak më mirë të vërtetën e krimeve të tmerrshme të burgut të regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet të pafajshëm, në përgjithësi.  

Jo vetëm historia e kombit shqiptar pret përgjigje për 25 vjetë tani prej autoriteteve zyrtare të shtetit dhe mbështetësve të këtyre krimeve të insitucioneve të dhunës komuniste, por presin përgjigje edhe martirët që do të lumturohen në Shkodër këtë fund jave.  Ata duan dhe kërkojnë të dinë psehen.  Duan të dinë se pse u vranë atëherë nga regjimi enverist dhe institucionet e tij të dhunës dhe pse vazhdojnë të vriten edhe sot nga  autoritetet e vendit dhe nga nostalgjikët e regjimit enverist. E gjithë kjo në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe i cili mburret me anëtarsimin në Aleancën Ushtarake të Atlantikut, NATO.  Vet martirët e Kishës Katolike Shqiptare por as pasardhësit e tyre, ditën e lumturimit të tyre më 5 nëntor në Shkodër, nuk kërkojnë as hakmarrje as dënime kundër askujt, pasi në prak të martirizimit të tyre, ata i kishin falur xhelatët komunistë. Por u kërkojnë autoriteteve shqiptare zbulimin e të vërtetës të së kaluarës komuniste dhe njëkohësisht – para Kombit dhe para botës –kërkojnë njëzëri nga bashkatdhetarët e tyre sot, një përgjigje ndaj këtyre pyetjeve:

“Pse na vratë, o vëllazën shqiptarë; cila ishte e keqja që ju bâmë me misionin tonë, o stërnipa të Kastriotit, ku ua shkelëm doket e zakonet tueja, ku e përdhosëm kanunin tuej, o mbasardhës të Lekës; thue gabuem që ju mësuem ‘Hymnin e Flamurit’ të ngritun në bjeshkët e Dedë Gjo’ Lulit; gabuem, thue, se ecëm ndër gjurmë të opangëve të tija për me mbledhë ushtarë për Krishtin? … Me ruejtë fenë e Tij në tokën tonë të Arbënit? Thue nuk i ndejëm besës suej ndër votrat e sofrat e shtrueme e të çueme prej atyne burrneshave fisnike, që në djep druni përkunden dikur foshnje Nanë Terezën?  Gabuem, thue, se kënduem në ‘Lahutë të Malcís’, kangën e Atë Gjergjit e diftuem si vdes shqiptari për Fé e Atme, ashtu si vdiq Gjeçovi? … Por nuk ka gjâ… mbasi na jemi këtu… këtu âsht toka jonë, këtu âsht trupi ynë, këtu âsht edhe gjaku ynë, që u derdh për jú, për idealin ma të naltë, për të cilin vdes shqiptari. Një ditë kemi për t’u ringjallë  s’bashkut!  (Shënim nga vepra “Çinarët” e Françeskanit shqiptar Konrad Gjolaj, marrë nga Radio Vatikani)

Ka ardhur koha për veprim.  Mjaft më me rezoluta dhe projekt-rezoluta boshe që nuk çojnë askund. Tregojeni veten burra se më në fund pas 25 vjetë post-komunizëm jeni gati — institucionalisht dhe moralisht – të zbuloni dhe të njoftoni të vërtetën mbi krimet çnjerzore të regjimit të Enver Hoxhës, duke hapur dosjet e regjimit famkeq.  Sepse për shqiptarët, trajtimi i krimeve të komunizmit, sipas ish-ambasadorit gjerman Helmut Hoffman në Tiranë, është një doemosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist— të gjallë e të vdekur – në mos asgjë tjetër, të paktën – “T’u këthehet një pjesë e dinjitetit të tyre.”

Këthejani pra dinjitetin dhe nderin jo vetëm viktimave të komunizmit, por mbarë kombit shqiptar.  Hapni dosjet e Sigurimit famkeq!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, prifterinjte martire, pse na vrate o vellezer, shqiptare

PAJTIMI KOMBËTAR!

October 27, 2016 by dgreca


1-a-man-knows-a-man
Z. Bujar Nishani dekoroi 67 nacionalistë të ekzekutuar nga ajo, që Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë e konsideron si, “Dora kriminale e një grupimi të bolshevikëve shqiptarë të orientuar nga të dërguarit jugosllavë”/1-franku

                                   Nga Frank Shkreli/

Ende nuk kanë pushuar debatet dhe komentet në lidhje me deklaratat e vizitës së fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Z.  Edi Rama në Serbi – debate këto shpesh të ashpëra, të pasqyruara jo vetëm në median e shkruar dhe vizive midis gazetarve dhe analistëve në të dy anët e kufirit, por edhe në nivelet më të larta politike të dy qeverive shqiptare.  Ishin këto debate dhe komente që disa i cilësuan si një përplasje politike, e pa parë deri më tani midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në lidhje me raportet midis Shqipërisë me Serbinë dhe rolit që duhet të luaj ose jo Shqipëria në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.  I gjithë ky debat ka lënë një shije shumë të hidhur në radhët e shqiptarëve që mendojnë se komente dhe debate të tilla nuk kontribojnë aspak në krijimin e raporteve vëllazërore dhe pajtimit midis shqiptarëve të rajonit, debate që fatkeqsisht kam frikë se mund të kenë pasoja negative afatgjata për konsolidimin e interesave të përbashkëta kombëtare të shqiptarëve në Ballkan.

 Ndërkaq, një debat tjetër i ashpër u shkaktua ditët e fundit në nivelet më të larta të politikës shqiptare, ndërkohë që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani dekoroi 67 nacionalistë të ekzekutuar nga ajo, që Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë e konsideron si, “Dora kriminale e një grupimi të bolshevikëve shqiptarë të orientuar nga të dërguarit jugosllavë”, duke theksuar në të njëjtën kohë se dekorimi i atyre martirëve, “Eshtë një detyrim dhe përgjegjësi historike e Shqipërisë së sotme euro-atlantike.”  Ndërsa ka mbrojtur vendimin e tij si të merituar përballë kritikave të ashpra — në mendimin tim të pa arsyeshme dhe të pa nevojshme nga qarqet më të larta të qeverisë së sotme në Tiranë për dekorimin e këtij grupi — Presidenti Nishani arsyetoi vendimin e tij duke thënë se, “Ata u ekzekutuan në mënyrën më kriminale të mundshme pasi ishin kundër shitjes së trojeve shqiptare tek të huajt” dhe se, “Ata u ekzekutuan se kërkonin orientimin perëndimor të Shqipërisë”.

Unë mendoj se vendimi i Presidentit të Republikës për dekorimin e këtyre martirve për të cilët vet ish-udhëheqsit komunistë kanë thënë se ishte gabim të vriteshin se ishin të pafajshëm – është plot me vend dhe si i tillë duhet të shikohet si një hap tjetër i Presidentit Nishani drejtë pajtimit kombëtar aq të nevojshëm për shqiptarët dhe shërimit të plagëve —  trashëgimi këto të një regjimi që edhe sot duket se e ruan hijen e vet, dhe jo vetëm hijen, në institucionet qeveritare dhe në mbarë shoqërinë shqiptare.  Presidenti Nishani, është i vetmi udhëheqës shqiptar i këtyre 25-viteve të fundit, i cili gjatë mandatit të tij, në kapacitetin e tij si kryetar i shtetit shqiptar, që është përpjekur të sjellë sado pak pajtim e harmoni në shoqërinë shqiptare, duke kujtuar viktimat e komunizmit dhe duke njohur dhe duke shprehur keqardhje dhe mirëkuptim për vuajtjet e të përndjekurve të pafajshëm të regjimit komunist.   

Prandaj reagimet e ashpra ndaj vendimit të Presidentit Nishani për të dekoruar një grup shqiptarësh të ekzekutuar nga regjimi enverist, shkaktojnë që të bëhet pyetja se kush dhe pse mund të jetë dikush kundër pajtimit kombëtar?  Kujt i intereson dhe kush i frynë erës së grindjeve të përhershme dhe frymës së mos-pajtimit dhe të urrejtjes të vëllait me vëlla? Në interes të kujt është ringjallja e urrjejtjes që regjimi komunist kishte ndaj kundërshtarëve të tij për pothuaj gjysëm shekulli?  70-vjet pas mbarimit ë Luftës së Dytë Botërore, në asnjë vend të Europës, të lindjes ose të perëndimit, nuk vihet re ky fenomen si një vazhdim i kësaj lufte gati të thuash civile dhe urrejtjesh ideologjike në radhët e një kombi, ashtu siç dëshmojnë debatet dhe komentet aktuale në shoqërinë shqiptare.  Duke qenë se besoj që pajtimi kombëtar i shqiptarëve është i doemosdoshëm, jo vetëm për një të ardhme më të mirë, por edhe për ekzistencën dhe identifikimin kombëtar të shqiptarve, më habiti shumë reagimi i ashpër ndaj vendimit të Presidentit të Republikës, fillimisht nga Zëvëndës Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Petro Koçi si dhe debati për “ballistët” dhe “partizanët” i zvilluar në Kuvendin e Shqipërisë të ënjtën, midis Kryeministrit Rama dhe përfaqsuesve të opozitës.   Petro Koçi është shprehur se dekorimi nga Presdienti Nishani i atyre që ai cilëson si “bashkpuntorë të pushtuesit fashist” , “Deshmon që e djathta nuk po distancohet dot nga ish bashkpunëtorët e fashizmit, ndryshe nga e majta që është distancuar qartazi dhe prerazi nga fajet dhe krimet e komunizmit”, ka shënuar ai.  I nderuari zëvendës ministër, po të ishte e vërtetë se jeni distancuar nga krimet e komunizmit, besoj se nuk do ta zhvillonit këtë debat sot për ballistët.  Ju e dini fare mirë se krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës nuk kanë të bëjnë asgjë me luftën kundër pushtuesve të vendit.   Si pjesëtar i një qeverie të një vendi antar i NATO-s, ju duhet ta dini mirë se vendi juaj si asnjë vend tjetër ish-komunist, nuk është përballur as nuk kini në mend të përballeni me krimet e regjimit komunist. Si rrjedhim, përçarjet dhe mosmarrveshjet që kanë pllakosur politikën dhe shoqërinë shqiptare do të vazhdojnë duke ua lënë trashëgimi brezave të ardhëshëm urrejtjen e përhershme ndaj njëri tjetrit.  Është kjo një trashëgimi që me të vërtetë doni tua leni fëmijve tuaj, që të urrejnë gjithë bashkatdhetarët e tyre që mund të mendojnë ndryshe, për hir të një të kaluare të tmershme?  Fatkeqsisht duhet të konstatohet se pajtimi kombëtar nuk është në interesin dhe as në agjendën kombëtare të shqiptarëve.

Por udhëheqsit e mirëfilltë duhet ta dinë se mos pajtimi kombëtar, madje edhe 70-vjet pas mbarimit të Luftës së Dyrtë Botërore, ka pasoja tragjike për një popull, si kombi shqiptar.  Natyrisht se pajtimi nuk është i lehtë dhe paraqet sfida, pa marrë parsyshë se cili është ose mund të ketë qenë konflikti.  Por pajtimi është i doemosdoshëm, sepse në mungesë të pajtimit kombëtar, sidomos kur konfliktet midis palëve janë tepër të acaruara në një shoqëri me institucione politike pa tradita demokratike siç është shoqëria shqiptare, gjëndja përkeqësohet mëtej, duke çuar, Zot ruajna, në konflikte të reja.  Prandaj është detyrë dhe përgjegjësi madhore e udhëheqsve më të lartë të vendit që me deklaratat e tyre të papërgjegjshme të mos i fryjnë erës së konfliktit dhe të mos-pajtimit, por të punojnë drejt vendosjes së besimit dhe bashkpunimit midis palëve në konflikt dhe shoqërisë në përgjithsi.  

Pajtimi kombëtar është diçka që nuk mund të imponohet nga jashtë.  Por duhet të ndërmirret nga vet shoqëria dhe institucionet e saj.  Shoqëria shqiptare nuk është përballur me të vërtetën e së kaluarës së saj komuniste, megjith pretendimet e zëvendës Ministrit të Mbrojtjes, Petro Koçi se e majta shqiptare “është distancuar qartazi dhe prerazi nga fajet dhe krimet e komunizmit”.  Kjo Nuk është e vërtetë!  Peshkopi afrikano-jugor Desmond Tutu ka thënë se e vërteta është thelbi i pajtimit. “Nevoja për të zbuluar të vërtetën mbi historinë e tmershme, bën që ajo histori të mos përsëritet më.”   Pa pajtim, ka thënë Peshkopi Tutu, “Njerzit nuk kanë sigurinë e nevojshme dhe as besimin në të ardhmen…Qëllimi i pajtimit duhet të jetë, që të krijohet një e ardhme e përbashkët më e mirë për të gjithë nga një e kaluar përçarse dhe konfliktuale”, ka thënë peshkopi Desmond Tutu, duke shtuar se përveç pajtimit nuk ka alternativë tjetër për sigurimin e paqës dhe stabilitetit të shoqërisë. Vendimi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të dekoruar një grup nacionalistësh të masakruar nga regjimi komunist është një hap drejtë pajtimit kombëtar.  Merrni kurajo si burrat, jepni dorën njëri tjetrit dhe thoni të vërtetën, për hir të pajtimit kombëtar!

Frank Shkreli

   

                                            

Burri e njeh Burrin – “Ma jep dorën shok.  Të dy kemi humbur nga një këmbë për një kauzë të mirë, por falenderojmë Zotin se nuk kemi humbur zemërat tona, bartëset e ndjenjave njerëzore.”

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, PAJTIMI KOMBËTAR!

SUZANNA SHKRELI DY JAVË PARA ZGJEDHJEVE PËR NË KONGRESIN AMERIKAN

October 24, 2016 by dgreca

*Gazeta Detroit News shkruan e cila thekson se Kongresisti i mandatit të parë  nga zonë elektorlae e shtetit Michigan, Mike Bishop i Partisë Republikane — i cili konsiderohej se kësaj radhe do të fitonte lehtë mandatin e dytë për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara – tashti dy javë para zgjedhjeve të 8 nëntorit, përballet me një sfidë agresive nga një politikane e re në fushatën për në Kongresin Amerikan, kandidatja e Partisë Demokrate, 29-vjeçarja Suzanna Shkreli, prokurore në lagjen Macomb./

1-suzana-640x349

*Megjithse shqiptaro-amerikania Suzanna Shkreli merr pjesë për herë të parë në një fushatë politike dhe megjithse ajo ka filluar vonë fushatën vonë, pas tërheqjes për arsye shëndetsore të kandidates së parë të nominuar nga Partia Demokrate,“Cook Political Report” një organizatë e pa-anëshme e cila analizon fushatat dhe zgjedhjet anë e mbanë Amerikës, njoftoi se demokratët po tregojnë një entuziazëm të papritur dhe të dukshëm ndaj kandidaturës së Suzanna Shkrelit për të përfaqësuar zonën elektorale numër 8 të shtetit Miçigan, në Kongresin Amerikan./

1-frank_shkreli

Nga Frank Shkreli/

Po ngushtohet hendeku në fushatën për Kongres në lagjën elektorale numër 8 të shtetit Miçigan ku po bën garë shqiptaro-amerikania, Suzanna Shkreli.  Kështu shkruan Gazeta Detroit News shkruan e cila thekson se Kongresisti i mandatit të parë  nga zonë elektorlae e shtetit Michigan, Mike Bishop i Partisë Republikane — i cili konsiderohej se kësaj radhe do të fitonte lehtë mandatin e dytë për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara – tashti dy javë para zgjedhjeve të 8 nëntorit, përballet me një sfidë agresive nga një politikane e re në fushatën për në Kongresin Amerikan, kandidatja e Partisë Demokrate, 29-vjeçarja Suzanna Shkreli, prokurore në lagjen Macomb. Gazeta thotë se ajo ka mbledhur më shumë fonde dhe është duke shpenzuar më shumë në krahasim me kundërshtarin e saj, ç’prej kohës që njoftoi kandidaturën e saj në korrik.  Por kongresisti republikan Bishop, shton gazeta e Detroitit, konsiderohet ende në avantazh me një sasi më të madhe fondesh, në përgjithësi.

Në një takim javën që kaloi në New York, Suzanna Shkreli tha se kishte filluar transmetimin e reklamave politike në televizion, ndërsa gazeta Detroit News njoftoi të premtën se kandidatja demokrate po transmeton një seri reklamash politike duke e lidhur kundërshtarin e saj Mike Bishop me kontribute nga korporata të ndryshme si dhe me komentet e vitit 2005 jo të hijshme për femërat, të kandidatit republikan për president, Donald Trump.  Sipas analistëve ka mundësi që problemet me të cilat përballet fushata e Trump-it për president të ndikojnë negativisht anë e mbanë vendit, jo vetëm në fushatën presidenciale, por edhe në fushatën e kandidatëve republikanë për Senatin dhe Dhomën e Përfaqsuesve, duke shkaktuar humbjen e tyre ditën e zgjedhjeve në një numër më të madh se ç’pritej, duke humbur kështu shumicën që tani gëzojnë republikanët në të dy dhomat e Kongresit.

Gazeta shkruan se megjithse kandidati republikan Bishop se në një përpjekje për tu disntacuar nga Trump, u ka thënë votuesve se, “është i zhgënjyer nga komentet agresive seksuale” që Trump-i ka bërë rreth femrave në vitin 2005, po ai, shton gazeta, nuk e ka tërhequr mbështetjen e tij ndaj kandidatit republikan për president, duke thënë se ai dëshiron të përqendrohet në çështjet ekonomike.  Ndërsa kandidatja e Partisë Demokrate, Shkreli është shprehur, sipas gazetës, se kritikat ndaj mbështetjes së kundërshtarit të saj për Donald Trump për president janë me vend.  “Votuesit duan të dinë”, ka thënë Shkreli, “nëse kundërshtari i saj do të vazhdojë të mbështesë kandidatin republikan për president i cili ka denigruar një hero të luftës, i cili është tallur me një gazetar me aftësi të kufizuara, a do të vazhdojë të përkrah ai njeriun i cili ka fyer familjen e një ushtari të rënë në luftë dhe i cili tani tallet me sulme seksuale sikur nuk janë asgjë.”

Megjithse shqiptaro-amerikania Suzanna Shkreli merr pjesë për herë të parë në një fushatë politike dhe megjithse ajo ka filluar vonë fushatën vonë, pas tërheqjes për arsye shëndetsore së kandidates së parë të nominuar nga Partia Demokrate,“Cook Political Report” një organizatë e pa-anëshme e cila analizon fushatat dhe zgjedhjet anë e mbanë Amerikës, njoftoi se demokratët po tregojnë një entuziazëm të papritur dhe të dukshëm ndaj kandidaturës së Suzanna Shkrelit për të përfaqësuar zonën elektorale numër 8 të shtetit Miçigan, në Kongresin Amerikan.

“Cook Political Report” cilëson se hendeku i përkrahjes për të dy kandidatët po ngushtohet në këtë zonë elektorale që përfshinë lagjen demokrate Lansing, por përfshinë gjithashtu edhe shumë republikanë të edukuar të cilët mund të jenë të zhgënjyer për faktin se kundërshtari republikan i Suzana Shkrelit përbën një pengesë për kandidatin republikan Mike Bishop, i cili vazhdon të mbështesë Donald Trumpin për president dhe si rrjedhim, thuhet se kjo mund të shkojë në favor të kandidates demokrate Suzana Shkreli.   Redaktori dhe botuesi i Rothenberg&Gonzales Political Report, Nathan Gonzales citohet të ketë thënë se, “Në përgjithsi, demokratët besojnë se kësaj radhe do ta mundin republikanin Bishop”, dhe se deklaratat e Donald Trumpit mund të ndihmojnë për ta mundur Mike Bishop.  Suzana Shkreli shkruan në faqen e saj facebook se komentet e fundit të Doland Trump janë më tepër se ofenduese dhe se kongresisti Bishop duhet t’i denoncojë ato menjëherë dhe të tërheqë mbështetjen e tij për kandidatin republikan për president.

Ndërsa zyrtarët e fushatës së kongresistit Bishop thonë se janë të sigurt se kandidati i tyre do të fitoj përsëri në zonën elektorale ku ai fitoi me mbi 12 për qind të votave në krahasim me kundërshtarin e tij demokrat në vitin 2014.

E vërteta është se sipas disa shënjave, fushata në këtë zonë elektorale për në Kongresin amerikan po zhvillohet në një mënyrë që ka tërhequr vëmendjen e udhëheqësve më të lartë të dy partive kryesore, Partisë Demokrate dhe Partisë Republikane. Pak kohë më parë në atë zonë ishte ftuar të bënte fushatë në mbështetje të kongresistit republikan Bishop, Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve në Kongres, Paul Ryan.

Ndërsa ditët e fundit, duke parë ngushtimin e hendekut të mbështetjes për Suzana Shkrelin, në zonën elektorale numër 8 të Kongresit, në Miçigan kishin vajtur për të bërë fushatë me Suzana Shkrelin, tre senatorë demokratë të njohur të Shteteve të Bashkuara, Senatori Gary Peters, Senatoria Debbie Stabenow, të dy këta nga shteti i Miçiganit dhe Senatori Cory Booker i shtetit Nju Xhersi, gjatë një mitingu elektoral në Univerisitetin e shtetit Miçigan, javën që kaloi.

Suzanna Shkreli ka siguruar mbështetjen e Senatorit Peters, Senatores Stabenow, të dy nga shteti i Miçiganit dhe Senatorit Booker i shtetit Nju Xhersi, gjatë një mitingu elektoral në Univerisitetin e shtetit Miçigan, javën që kaloi.

Në një nga komentet në facebook të kandidates demokrate, një komentues shkruan se Suzanna Shkreli më në fund e detyroi kongresistin Bishop që të mësojë se si të shqiptojë mbiemërin Shkreli, duke sugjeruar se edhe kandidati republikan po e merr tepër seriozisht kandidaturën e shqiptaro-amerikanës për në Kongres.

Sidoqoftë, Suzanna Shkreli është duke zhvilluar një fushatë të fortë dhe dinjitoze, pa fyerje dhe inate, por duke u përqëndruar në zgjidhjen e problemeve dhe të sfidave me të cilat përballen qytetarët amerikanë të zonës 8 elektorale të Kongresit.  Gjatë një takimi me ‘të javën që kaloi në New York, Suzanna Shkreli u zotua se nuk do të pushojë së bëri fushatë deri në momentin e fundit të kësaj gare me qëllim që gjatë dy javëve të fundit të kësaj fushate, të informojë bashkqytetarët e saj mbi planet dhe programet që ajo ka në plan të sjellë në Washington, plane dhe programe për përmërsimin e jetës së tyre të përditshme, në përgjithësi.

Tani është në dorë të votuesve të kësaj zone elektorale që të vendosin më 8 nëntor, nëse do të dërgojnë një fëtyrë të re në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në personin e shqiptaro-amerikanes Suzanna Shkreli duke bërë kështu dy herë histori.  Nëqoftse ndodhë një gjë e tillë, Suzanna Shkreli, jo vetëm që do të ishte e para femër shqiptaro-amerikane e zgjedhur në Kongresin amerikan, por do të ishte edhe femëra në moshën më të re në historinë e Amerikës që ka shërbyer ndonjëherë në Dhomën e Përfqsuesve të Shteteve të Bashkuara.

 

Filed Under: Featured Tagged With: 2 Jave para zgjedhjeve, Frank shkreli, Suzana Shkreli

LETËR DREJTUAR Z. DONALD TRUMP

October 18, 2016 by dgreca

Donald Trump duhet të refuzojë kriminelët e luftës që e mbështesin dhe të qartësojë pikëpamjet e tij për Luftrat në ish-Jugosllavi dhe ndërhyrjet e NATOs/

1-vojislav-seselj-donald-trump

Javën e kaluar, Donald Trump u akuzua, mbase pa të drejtë, se “kishte kërkuar ndjesë” për ndërhyrjet që ndaluan dy herë vrasjet masive, që përfshijnë krime të genocidit, të më shumë se 100,000 civilëve të pafajshëm në ish-Jugosllavi. Incidenti tërhoqi vëmendjen nga kritika e hershme e zotit Trump për fushatën e bombardimit nga NATO që ndali luftën e Kosovës, duke shpëtuar mbase dhjetëra mijë jetë njerëzish. Për më tepër, është e pamundur të injorosh ngurrimin ofendues të zotit Trump për të refuzuar mbështetjen nga një prej kriminelëve më të njohur të atyre luftrave, Vojislav Seselj.

Si qytetarë amerikanë që u shpëtuan atyre luftrave, dhe si ish përfaqësues të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, autorë, aktivistë të drejtash të njeriut dhe akademikë që studiojmë shpërbërjen e Jugosllavisë dhe pasojat e saj, deklaratat e zotit Trump për këto çështje na duken thellësisht shqetësuese.

Në 1999, zoti Trump ishte në favor të ndërhyrjes nga toka dhe pushtimit të mundshëm të Serbisë, në vend të bombardimeve objektive, ndonëse jo të përkryera të NATO-s.  Këtë verë, ai sinjalizoi se si President nuk do të ndërhynte kur regjime dhunuese masakrojnë qytetarët e tyre.  Është e rëndësishme të shënohet se Boshnjakët (myslimanë) nga Bosnia dhe Hercegovina si dhe shqiptarët nga Kosova dhe kroatët u vunë në shënjestër dhe u vranë në mënyrë sistematike gjatë luftërave të Ballkanit.  Për ata mes nesh që kanë shpëtuar e që janë myslimanë, deklaratat e zotit Trump për një ndalim të hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, nëse do të zbatohej kur ishim ne që u detyruam të braktisim shtëpitë, do të kishte sjellë padyshim vdekjen tonë.

Më së fundi, ai nuk është distancuar nga Vojislav Seselj, që është paditur për krime lufte nga Gjykata Kriminale e për Ish-Jugosllavinë.  Gjatë Luftës së Bosnjes, Seselj nxiti tmerrin në zemrat dhe mendjet e burrave, grave dhe fëmijët gjatë invazioneve të fshatrave nga milicia e tij e dhunshme, duke kryer vrasje, përdhunime dhe tortura, në Bosnjen Lindore.

Sot, Seselj është anëtar i parlamentit të Serbisë dhe besohet se do të kandidojë për president të vendit në 2017.   Në shtator, Seselj ‘mirëpriti’ zëvendës-presidentin Joseph Biden në Beograd me një tubim politik shumë të reklamuar në mbështetje të zotit Trump.   Ai u kishte bërë thirrje më herët serbo-amerikanëve që të votonin për zotin Trump.   Platforma e tij vazhdon të përqendrohet në retorikën e dhunshme, krijimin e “Serbisë së Madhe”, ngadalësimin e përparimit të Serbisë drejt Bashkimit Europian dhe kërkon lidhje me të ngushta me Rusinë.   Në mënyrë të rregullt, ai djeg flamujt e NATO-s në publik.   Ai ka shfrytëzuar gjithashtu politikisht çështjen e pazgjidhur të vrasjes me mbështetje të shtetit të Ylli, Agron, dhe Mehmet Bytyqi, tre shqiptaro-amerikanëve nga Kosova, të cilët u ekzekutuan dhe u hodhën mbi një varr masiv, në 1999.

Me sa duket, Vojislav Seselj sheh Donald Trump si një aleat për kauzën e tij. Zoti Trump nuk ka bërë asgjë që të refuzojë mbështetjen nga Seselj.

Për shkak se zoti Trump po kandidon për një nga pozitat më të fuqishme të botës, përfitojmë nga kjo mundësi për ta kujtuar atë se politikat e tij do të kishin qenë katastrofike për të gjithë Europën Juglindore.   Shtetet e Bashkuara dhe NATO vepruan si një forcë për të mirë në këto ndërhyrje, ndonëse mbase tragjikisht vonë në Bosnje.   Vërtetë, akoma më alarmuese për ne është se qendrimi i zotit Trump ndaj NATO-s përputhet me atë të Federatës Ruse, e cila kundërshton NATO-n dhe zgjërimin e saj në rajon, duke përfshirë Maqedoninë dhe Malin e Zi.   Për ata mes nesh që u kanë mbijetuar luftrave të tmerrshme të drejtuara nga udhëheqës autokratë, admirimi që zoti Trump ka shprehur për Vladimir Putinin është alarmues, sidomos kur mendon angazhimin në rritje të Putinit me ata udhëheqës të Serbisë dhe njësisë serbe të Bosnjës, të cilët refuzojnë të pranojnë përgjegjësitë për krimet e të kaluarës, përfshi edhe genocidin.   Rusia ka bllokuar në mënyrë aktive anëtarësimin e Kosovës në OKB. Shpërfillja që tregon Putini për të drejtat e njeriut flet vetë kur shikon sulmin mbi shoqërinë civile ruse.  Prandaj një presidencë me Donald Trump që mban anën e Rusisë dhe të ekstremistëve të Ballkanit nuk do t’u shërbente interesave të SHBA-së dhe mund të shtynte një rajon edhe kështu të brishtë, drejt një krize të plotë.

Prandaj, bëjmë thirrje që Donald Trump të refuzojë mbështetjen nga Vojislav Seselj, dhe deklaratat e tij të kaluara për ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugollavi. Ai duhet të përqafojë politikat që shpëtuan shumë prej jetëve tona dhe që mund të ndalojnë në të ardhmen katastrofat njerëzore.

Sinqerisht,

Ajla Delkic, Bosnian American Human Rights Advocate

Richard Lukaj, Philanthropist and Public Policy Advocate

Tanya Domi, Adjunct Professor, Columbia University; former Spokesperson, OSCE Mission to Bosnia and Herzegovina

Praveen Madhiraju, Human Rights Attorney

Amb. (ret.) Robert L. Barry, former Head of the OSCE Mission to Bosnia and Herzegovina

Amb. (ret.) Richard D. Kauzlarich, former U.S. Amb. to Bosnia and Herzegovina;

Adjunct Professor, Schar School of Policy and Government, George Mason University

Amb. (ret.) John K. Menzies, former U.S. Amb. to Bosnia and Herzegovina; former U.S. Chief of Mission in Kosovo

Shawn M. Byrnes, Senior Foreign Service Officer and chief of the U.S. Diplomatic Observer Mission in Kosovo (1998–99) and of the U.S. Diplomatic Mission to the Republic of Montenegro (1999–2002).

James Zogby, President, Arab American Institute

Kurt Bassuener, Founder and Senior Associate, Democratization Policy Council

Ken Biberaj, Public Policy Advocate

Mirsad Hadzikadic, Professor, University of North Carolina at Charlotte

Valbona Karanxha, Ed.D. New Haven Public Schools, Yale University Research Fellow

David L. Phillips, Institute for the Study of Human Rights, Columbia University

Shinasi Rama, Ph.D. Clinical Professor of International Relations NYU

Grid Rroji, Lecturer of International Relations NYU, Editor for Bletashqiptare.com

Gerard Toal, Virginia Tech, National Capital Region

Samuel Totten, Professor Emeritus, University of Arkansas, Fayetteville

Sarah Wagner, Associate Professor of Anthropology, George Washington University

Martin Shkreli, former Chairman of the Board for the National Albanian American Council

Frank Shkreli, former Eurasian Division Director of the Voice of America

Adisada Dudic, Attorney, Human Rights Advocate, Srebrenica Genocide Survivor

Meto Koloski, Macedonian American Human Rights Advocate

Elmina Kulasic, Human Rights Advocate

Steve Rukavina, Croatian American Activist

Klara Buda, former Head of the Albanian Department of Radio France Internationale, Paris, March 1999–2010.

 

Filed Under: Komente Tagged With: David Philips, Frank shkreli, LETËR DREJTUAR Z. DONALD TRUMP

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT