• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË NDARË DHE TË PËRÇARË?!

October 18, 2016 by dgreca

…Kam drojë se takimi Rama-Vuçiq, sidomos duke marrë parasyshë edhe komentet e kryeministrit serb gjatë dhe pas vizitës, jo vetëm që nuk kontriboi aspak drejt pajtimit midis popujve, por nga ky takim nuk përfitoi as paqa dhe stabiliteti në rajon./

1-frank

Nga Frank Shkreli/

Ditët e fundit është ndezur debati në Shqipëri dhe në Kosovë në lidhje me deklaratat që bëri Kryeministri i Shqipërisë gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd.  Kryesisht debati përqëndrohet në faktin nëse Kryeministri Edi Rama gjatë takimeve të tija me serbët, kishte të drejtë të fliste në emër të Kosovës ose për Kosovën.  Komentet dhe interpretimet mbi prononcimet e Z. Rama në Beograd vazhdojnë të jenë të ashpra nga komentues, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, madje me akuza të ashpëra se kush po i frynë erës së ndasive dhe përçarjeve midis shqiptarëve, dashtë e pa dashtë, duke hedhur më shumë benzinë në flakët e kësaj gjëndjeje të krijuar, krejtsisht pa nevojë.  Reagimeve të komentuesve të ndryshëm u praprinë deklaratat e qeverisë së Republikës Kosovës dhe të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Z. Enver Hoxhaj.  

Qeveria e Kosovës, nepërmjet zëdhënsve të saj, përfshirë edhe Këshilltarin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bajram Gecaj, citohet nga media të ndryshme të ketë thënë se problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhen zgjidhur midis nesh, duke shtuar se “Ne mirëpresin angazhimet e të gjitha shteteve mike rreth shtensionimit të marrëdhënieve në mes Republikes së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, posaçërisht angazhimet të cilat vijnë nga Shqipëria.  Megjithatë, Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga shumica e shteteve të botës, posaçërisht nga shtetet me demokraci të zhvilluar, prandaj në emër te Kosoves flasin institucionet e shtetit tonë.   Ne jemi në dialog për normalizimin e marrëdhënive në mes Republikës së Kosoves dhe Repbulikës së Serbise, dhe ato probleme duhen zgjidhur kryekëput në mes nesh”, është cituar të ketë thënë këshilltari Kryeministrit të Republikës së Kosovës.Ndërsa Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama duke reaguar ndaj atyre që disa i cilësuan si “përplasje” midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në lidhje me ato që u thanë e që nuk u thanë në Beograd, u shpreh se në takimet me Kryeministrin serb Vuçiq ai, “Nuk kishte folur në emër të Kosovës, por për Kosovën.”   Në rregull, sepse gjatë një vizite zyrtare në Beograd, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk kishte si mos të fliste për Kosovën, ndonëse deklarata e Z. Rama për njohjen e Kosovës nga Serbia nuk është asgjë e re.  Ai e kishte thënë këtë edhe gjatë vizitës së parë në Beograd, ndërkohë që edhe udhëheqsit perëndimorë në çdo takim me zyrtarët serbë bëjnë thirrje për një gjë të tillë, që Serbia ta njohë Kosovën, shtet të pavarur. Kjo është një thirrje drejtuar Serbisë ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian.

Ndërsa edhe Prishtina zyrtare, qeveria dhe ministri i jashtëm Hoxhaj kishin të drejtë të shpreheshin – sidomos për faktin që të mos kishte ndonjë keq kuptim nga ana zyrtare e Beogradit – se janë ata që flasin në emër të shtetit të Kosovës dhe jo Kryeministri i Shqipërisë. Kaq e pranoi edhe vet Z. Rama, se ai kihste folur për dhe në emër të Kosovës.

Por, cilat do qofshin interpretimet e deklaratave të Z. Rama në Serbi, në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe të reagimeve zyrtare nga Prishtina, një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, se askush nuk i njeh serbët më mirë së shqiptarët e Kosovës.  Gjithashtu duhet thënë se Z. Rama ka të drejtë kurë thotë se shqiptarët, për një jetë më normale duhet të ndërtojnë ura midis serbëve dhe shqiptarëve.  Por urat duhet të ndërtohen midis serbëve dhe të gjithë shqiptarëve, dhe jo vetëm gjysmës së shqiptarëve.  Shpesh ëshë dhënë shembulli i pajtimit midis gjermanëve dhe francezëve pas Luftës së Dytë Botërore, ndoshta si model për pajtimin midis shqiptarëve dhe serbëve. Në rregull, historikisht, shqiptarët kanë qenë gjithmonë dhe janë për pajtim.  Por ndryshimi është se shqiptarët e Kosovës, as shqiptarët në përgjithsi anë e mbanë trojeve shqiptare, nuk kanë qenë kurrë agresorë kundër asnjë populli dhe nuk kanë pushtuar tokat e askujt, përfshirë tokat serbe.  E vërteta ëshët anasjelltas.  Duhet kuptuar gjithashtu se serbët nuk janë si gjermanët.  Gjermanët, jo vetëm kërkuan falje për krimet e tyre gjatë luftës, por ata madje edhe kompensuan materialisht dhe financiarisht shumë prej viktimave të tyre anë e mbanë Europës.  Fatkeqsisht, shqiptarët dhe serbët janë shumë larg pajtimit dhe për këtë nuk janë fajtorë shqiptarë dhe as Tirana as Prishtina zyrtare. Për këtë, faji i duhet lenë të dera Serbisë. Por për mua në këtë moment historik kanë më shumë rëndësi marrëdhëniet dhe avancimi i tyre midis shqiptarëve – në radhë të parë midis Prishtinës dhe Tiranës zyrtare — se sa marrëdhiet midis Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë, ndonëse të nevojshme.  Sepse nëqoftse nuk ka bashkim dhe marrëdhënie vëllazërore midis shqiptarëve kudo, nuk na duhet gjë hiç as ndërtimi i urave me Serbinë, në kurrizë të bashkpunimit dhe të bashkimit të shqiptarëve.  Të gjitha këto komente gjatë ditëve të fundit në lidhje me këtë situatë të krijuar pa nevojë, vetëm çojnë ujë në mullirin serb dhe përkeqsojnë edhe më shumë, ato që disa vëretjës po i cilësojnë si “ndasi dhe përçarje” në rritje midis shqiptarëve, si rezultat i kësaj vizite në Beograd nga kryeministri shqiptar.  Duket se të gjitha reagimet, zyrtare dhe jo-zyrtare ndaj kësaj vizite, tregojnë se nuk kishte asnjë bashkrendim të ideve dhe qëndrimeve të përbashkëta në lidhje me takimin shqiptaro-serb që Serbia e kishte cilësuar si një të ashtuquajtur, “Dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon”, ku fillimisht pritej të ftoheshin të merrnin pjesë edhe përfaqsues politikë të Republikës së Kosovës, gjë që nuk ndodhi.  Ose nëqoftse ka patur këshillime zyrtare midis Tiranës dhe P rishtinës, atëherë qëndrimet mund të kenë qenë diametrikisht të kundërta në lidhje me takimin midis kryeministrit shqiptar dhe atij serb.

Në mendimin tim, gjëja që duhet të kritikohet më shumë me këtë rast, nuk është vizita e Edi Ramës në Serbi, por është mungesa e bashkpunimit, e këshillimeve dhe e koordinimit të qëndrimeve midis Tiranës dhe Prishtinës, në muajt dhe javët para vizitës së Kryeministrit Rama në Serbi. Me një bashkrendim të tillë, besoj se gjithë ky debat krejtsisht i pafrutshëm për interesat shqiptare në Ballkan do të ishte mënjanuar.

Prandaj, në vend të akuzave dhe kundër akuzave të analistëve që njellin zi, duke fajësuar njërn ose tjetrën palë, do të ishte më mirë të bëhej pyetja: Kishte koordinim midis Prishtinës dhe Tiranës ndërkohë që planifikohej vizita në Beograd?  Nëqoftse nuk kishte këshillime, pse nuk kishte një bashkrendim të qëndrimeve për një vizitë që në sipërfaqe dukej si e rëndësishme?  Për më tepër dhe më me rëndësi, a është ky gjithmonë “modus operandi” — mungesa pra e këshillimeve dhe bashkrendimit të pikëpamjeve midis dy kryeqyteteve shqiptare — sidomos kur kemi të bëjmë me çështje madhore të interesit kombëtar, siç janë marrëdhëniet shqiptaro-serbe?  Këto pyetje nuk kanë të bëjnë aspak me nacionalizëm primitiv siç e quajnë disa, por kanë të bëjnë me ekzistencën e kombit, pikëspari me identitetin komblëtar dhe me interesat afat shkurtëra dhe afat gjata të të gjithë shqiptarëve, historikisht të ndarë në pesë shtete nga të huajt, por aktualisht të përçarë nga vetja e tyre, fatkeqsisht.  Në fillim të gushtit, në artikullin “Punë Ballkanasish, Hesapi”, duke shkruar për vizitën e lajmëruar të kryeministrit Rama që mori fund disa ditë më parë në Serbi, kisha shënuar se, “Përsa i përket takimit shqiptaro-serb, dialogu është i mirë në çdo kohë dhe për gjithçka, por është procesi të cilit duhet t’i kushtohet kujdes dhe vëmendje e veçantë.  A do të jetë takimi i Nishit një hap i parë dhe tepër i nevojshëm drejtë pajtimit dhe drejtësisë midis dy popujve – e vetmja mënyrë për paqë dhe stabilitet në rajon – a por do të jetë një rast i radhës për të dëgjuar retorikën tashmë të mërzitshme serbe mbi “Kosovo-Metohinë”, gjë që nuk ka ndihmuar as nuk i ndihmon zhvillimit normal të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan”.

Kam drojë se takimi Rama-Vuçiq, sidomos duke marrë parasyshë edhe komentet e kryeministrit serb gjatë dhe pas vizitës, jo vetëm që nuk kontriboi aspak drejt pajtimit midis popujve, por nga ky takim nuk përfitoi as paqa dhe stabiliteti në rajon.  Dihej se pa pjesëmarrjen e përfaqsuesve legjitim të shqiptarëve të Kosovës në takimin, “për një dialog midis shqiptarëve dhe serbëve”, dialogu midis dy palëve kësaj radhe, ishte i pre-destinuar të dështonte.  Përkundrazi, kjo vizitë duket se pati efektin e pa dëshirueshëm të acarimit për të mos thënë përçarje të marrëdhënjeve Tiranë-Prishtinë, siç po e cilësojnë disa komentues.   Tashti është në duarë të dy palëve, Tiranës dhe Prishtinës zyrtare — që sa më shpejtë të zgjidhin çdo mosmarrveshje që mund të ekzistojë midis tyre ose në përceptimin e mendjes së popullit në lidhje me këtë çështje – me qëllim për të ndaluar një debat të dëmshëm dhe të pa nevojshëm nga të dy shtetet shqiptare, zyrtar dhe jo-zyrtar, ashtuqë sutuata të mos degjeneroj më keq, në një përçarje më të thellë midis shqiptarëve. Sepse në fund të fundit, qëllimi i vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në Serbi ishte për të përmirësuar atmosferën në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe jo për ndarë dhe për të përçarë shqiptarët.

Filed Under: Politike Tagged With: DHE TË PËRÇARË?!, Frank shkreli, te ndare

MESAZHI I KARDINALIT DHE HISTORIANËT REVANSHISTË

October 11, 2016 by dgreca

MESAZHI I KARDINALIT TË RI SHQIPTAR DHE HISTORIANËT REVANSHISTË/

1-kardinal-troshani

Ne Foto:Papa Françesku duke përqafuar dom Ernest Troshanin në Kishën e Shën Palit tnë Tiran, 2014/

1-frank_shkreli

Nga Frank Shkreli/ Të djelën që kaloi, Papa Françesku njoftoi emërat e 13 kardinalëve të atij që quhet Koncistor i ri dhe emëroi 4 kardinajë të tjerë, por të cilët për arsye moshe nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjen e Papës.Ndër këta është edhe kardinali ri shqiptar dom Ernest Simon Troshani nga Kryedioqeza e Shkodër-Pultit.

Papa Françesku i shpalli  botës emrat e kardinajve të ri,  përfshirë priftin shqiptar, dom Ernest Simoni Troshani, i cili për vite me radhë ka vuajtur dhe është torturuar nën diktaturën ateiste të komunizmit shqiptar.  Viktimizimi  i dom Ernestit, nën diktaturën komuniste, nisi natën e Krishtlindjes të vitit 1963, kur vetëm pse ishte prift, u arrestua dhe u burgos nga komunistët, pastaj u fut në një qeli izolimi, u torturua dhe qe dënuar me vdekje.  Pas shumë vuajtjesh dhe torturash, dënimi i tij me vdekje shëndrrohet në 25-vjet pune të detyrueshme në kampet komuniste, ku vazhdojnë vuajtjet dhe torturat kundër tij.  Por dom Ernesti, qëndroi si martir i vërtetë, duke gjetur fuqinë e qëndresës në besimin në Zotin, thuhet në një koment të Radio Vatikanit në gjuhën shqipe.    

Më në fund, më 5 shtator 1990 mbërrijti dita e lirisë për dom Ernestin i cili rifilloi misionin e tij meshtarak të cilin, siç ka rrëfyer ai vet në disa raste, përfshirë   deklaratat e tija për programin shqip të Radio Vatikanit, se megjithë torturat dhe vuajtjet që pësonte në burgjet e Enver Hoxhës, megjithë rrethanat çnjerzore të jetës — si i përjashtuar nga shoqëria dhe i përndjekur nga regjimi komunist — ai nuk e kishte ndërprerë asnjëherë misionin e tij, “por vetëm e kishte jetuar dhe përjetuar në një kontekst krejt të veçantë”, ka pohuar dom Troshani.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014, Papa Françesku dëgjoi dëshmi nga histori të tmerrshme gjatë dekadave të krimeve komuniste ndaj klerikëve dhe një pjese të madhe të popullësisë.   Gjatë asaj vizite, udhëheqsi i Kishës Katolike pat mbetur tepër i prekur personalisht nga rrëfimet e shumë të mbijetuuarve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, por në veçanti ai duket se qe prekur rëndë nga dëshmia e dom Ernest Troshanit i cili kaloi 28-vjet në burg dhe kampe përqendrimi.  Dom Troshani, ashtu  në moshë të shkuar, i vuajtur dhe i torturar, i paraqiti Papës jo vetëm vuajtjet dhe torturat që pësoi ai personalisht por i mbarë populli shqiptar.  Papa Françesku, i prekur thellë në shpirt nga vuajtjet e tija, e përqafoi dom Troshanin në Katedralen e Shën Palit në Tiranë gjatë vizitës së tij në Shqipëri, më 21 shtator, 2014.  E pasi dëgjoi historinë e persekutimit të tij, të Kishës katolike dhe të mbarë popullit shqiptar, Papa Françesku u përlotë para mbarë botës për vuajtjet që kishte pësuar ky popull nga regjimi komunist.  

Sipas Radio Vatikanit shqip, me këto emërime Papa dëshiron të vejë në dukje se Kisha Katolike është e të gjithë popujve dhe se si institucion shprehet në gjuhë dhe kultura të ndryshme të botës dhe se është Kisha ajo që përhap tek popujt dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë për të gjithë.  Në këtë frymë,  veprimi i parë i dom Ernest Troshanit, pas lirimit nga kampet enveriste të punës dhe të përqendrimit në vitin 1990,  ishte deklarata e tij se i kishte falur të gjithë ata që e kishin akuzuar fals si dhe personat që e kishin dënuar dhe e kishin torturuar për 28 vjetë — 18 vjet në minierat e burgut të Spaçit dhe 10-vjetë duke punuar nepër kanalet e ujërave të zeza.   

Dom Ernest Troshani, kardinali i ri Shqiptar, porosinë që pat dhënë pas lirimit të tij 26 vjetë — duke i falur të gjithë ata që e kishin burgosur dhe torturuar — e përsëriti edhe para disa ditësh me rastin e emërimit të tij si kardinal.  Në një intervistë për radio Vatikanin shqip, i pyetur se cili është mesazhi i tij për popullin shqiptar në këtë rast, dom Troshani theksoi fillimisht falënderimet ndaj Papa Françeskut për emërimin e tij si kardinal, duke thënë se emërimi, “Është një nder që Papa i bën kombit shqiptar – është një nder që më bëhet mua personalisht megjithse i pa denjë, por është edhe një nder për opinionin dhe historinë e gjatë të popullit shqiptar.  Ne si popull shqiptar e kemi pasë zakon besën, burrërinë dhe besnikërinë….ku mbi të gjitha pasqyrohet fjala dashuri, me dashtë njëri tjetrin si vetveten…të lutemi për njëri tjetrin, të mbrojmë njëri tjetrin e të ndihmojmë njeri tjetrin”.

Ndërsa pyetjes ndaj bashkjetesës fetare midis shqiptarve, kardinali i ri shqiptar pohoi se,  “Një gjë është që ia rritë zërin popullit shqiptar, të gjithëve. Dmth toleranca, dashuria vëllazërore e fetare që nuk ka as një frymëzim tjetër veç të duam njëri tjetrin, katolikë, myslimanë e ortoodoksë, një trup i vetëm të bashkuar për lumturinë e Zotit, dashurinë ndaj familjeve dhe rinisë tonë…. Dhe për të paqsyruar gjithmonë buzqeshjen, gëzimin… pra me kenë të gjithë atdhetarë të lumtur në këtë botë.  “Mësimi i Krishti” theksoi dom Troshani për radio Vatiknain, “Është që të duani armiqët tuaj…falni ata që u kanë bërë keq, lutnju për ata që u kanë bërë të këqia”.  Ndërsa për përfaqsuesit e ish-regjimit komunist që e konsideronin si armik dhe të cilët e tortoruan për pothuaj tre dekada, kardinali i ri shqiptar ofroi si përpara gjithnjë falje për ata që shkaktuan torturat dhe vuajtjet   kundër tij, duke u shprehur: “Zoti i ruajt e i bekoftë të gjithë, se ne jemi për dashni të gjithanshme  në mbarë botën, kështuqë të jemi të gjithë të bashkuar vetëm në dashni, paqë , vëllaznim e harmoni me lutje dhe bekim nga i Madhi Zot.”   Ndërsa në mesazhin e tij drejtuar familjeve dhe rinisë shqiptare ai bëri thirrje, “Përhapni dashurinë vëllazërore” dhe uroi që “I Madhi Zot e bekoft mbarë popullin shqiptar, në dashuri me Zotin, në harmoni, në paqë dhe lumturi me njëri tjetrin.”

Krahasoni këtë reagim të një kleriku shqiptar të përsekutuar nga regjimi enverist për pothuaj 30-vjetë dhe i cili jo vetëm që i ka falur satrapët komunistë për të gjitha vuajtjet dhe torturat ndaj tij, por madje tashti edhe lutet për ta.  Krahasoni reagimin e kardinalit të ri me reagimet e vazhduesshme të apologjetëve komunistë të djeshëm dhe të sotëm shqiptarë ndaj klerit katolik shqiptar, pothuaj të zhdukur nga regjimi I Enver Hoxhës.  Reagime si ndër ato të fundit se gjoja këta nuk u gjëndën bashkë me forcat “përparimtare” komuniste gjatë Luftës së dytë Botërore, ose për “bashkpunim” me fashistët.   Është interesant sulmi i fundit kundër At Gjergj Fishtës dhe klerit katolik në përgjithsi.  Në sytë e këtyre, nuk mjafton zhdukja e tyre fizike, nuk mjafton fakti se shumicës së klerikëve nuk u dihet as varri, përfshirë At Gjergj Fishtën, i cili është subjekti i sulmeve të fundit.  Këta nuk janë dënuar mjaft!

Njerëzit serioz duhet të pyesin, more janë këta njerëz që nuk kanë të ndalur së kritikuari klerin katolik shqiptar të eliminuar nga regjimi komunist edhe sot e kësaj dite, ndërgjegja e kombit shqiptar? A janë këta të cilët me të vërtetë flasin në emër të kombit.  A janë këta me të vërtetë ata që edhe sot shkruajnë historinë dhe reflektojnë historinë e pas luftës?  Vaj medet!

Në vend që të kërkojnë falje – për krimet, për vuajtjet dhe torturat ndaj klerit katolik, përfshirë kardinalin e ri Ernest Troshanin – në emër të një regjimi gjakatar të cilin këta pseudo-historianë e kanë mbështetur sa ishte në fuqi dhe vazhdojnë ta përkrahin edhe sot – fatkeqsisht, në vend që të predikojnë falje e harmoni,  ata vazhdojnë të përhapin një frymë revanshiste ndaj disa prej figurave më të spikatura të historisë dhe të kulturës shqiptare, përfshirë At Gjergj Fishtën.  Ç’tu themi sllavëve, grekëve e turqëve kur vet shqiptarët bëjnë punën e tyre, në dëm të kombit dhe historisë shqiptare?

Sfida serioze para të cilës gjëndet sot kombi shqiptar është nëse shqiptarët do të vendosin të dëgjojnë porosinë dhe mesazhin e  kardinalit të ri shqiptar Ernest Troshani, për një rrugë faljeje  madje edhe për armikun dhe kundërshtarin, për një rrugë mëshire,  dashurie e mirëkuptimi, për një jetë të përbashkët me respekt dhe harmoni me njëri tjetrin — a po shqiptarët do të vazhdojnë të zgjedhin rrugën e atyre që gjithnjë — madje edhe në mbarim të çerek shekullit të 21-të — përpiqen të përhapin frymën revanshiste të shekullit të kaluar, sidomos kundër klerit katolik, duke përplasur shqiptarin kundër shqiptarit.  Kjo është rruga që këta apologjetë komunistë kanë zgjedhur, por  “Udha e vetme që ka populli shqiptar është udha e dashurisë dhe vëllazërimit”, është shprehur dom Ernest Troshani.

Unë besoj se ardhmja e kombit shqiptar duhet të gjejë rrugën e mesazhit të kardinalit të ri Ernest Troshanit — rrugën e faljes e të vëllazërimit midis shqiptarëve dhe jo rrugën e frymës revanshiste që kanë zgjedhur komunistët e ri dhe të vjetër si dhe pseudo-historianët revanshistë.  Jam i bindur gjithashtu se mbështetsit dhe apologjetët e një regjimi që ka vrarë pa dallim një pjesë të elitës së pafajshme dhe më të mirë kombit të vet, ashtu si edhe regjimi të cilit ata i kanë shërbyer, si dhe “kontributi” i tyre që ata pretendojnë se i kanë dhënë e po i japin historisë shqiptare – më në fund do të mbarojnë, siç është shprehur dikur ish-presidenti amerikan Ronald Reagan, “në koshin e plehrave të historisë”.

                    

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Mesazhi i kardinalit Troshani, revanshizmi i historianeve

VACLAV HAVEL ME RASTIN E 80-VJETORIT TË LINDJES

October 7, 2016 by dgreca

2-frank-shkreli-c1200x600Nga Frank Shkreli

Në Republikën Çeke, në disa vende europiane dhe këtu në Shtetet e Bashkuara u shënua këtë javë — më 5 tetor — 80-vjetori i lindjes së ish-disidentit dhe ish-presidentit të fundit të Çekosllovakisë dhe presidentit të parë të Republikës Çeke post-komuniste, Vaclav Havel.  Pas largimit nga detyra e presdientit, Havel ia kushtoi jetën promovimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. 

Në Shtetet e Bashkuara u organizuan me këtë rast ceremoni përkujtimore në New York, në Washington, në Florida dhe në shtete të tjera me rastin e 80-vjetorit të lindjes së disidentit të famëshëm anti-komunist, i 1-havelhavel-day

Pas takimit që kishte zhvilluar Presidentin Xhorxh Bush në Shtëpinë e Bardhë, ku i kishte folur atij mbi rolin e rëndësishëm të transmetimeve të Zërit të Amerikës në luftën për t’u çliruar nga këthetrat e komunizmit anë e mbanë Evropës Lindore, Zoti Havel ishte nisur për në një vizitë personale që kishte kërkuar të bënte tek kryeqendra e Zërit të Amerikës.   Me të ardhur në ndërtesën e VOA-s, Zoti Havel u përshëndet me drejtorin e përgjithshëm të asja kohe, Riçard Karlson dhe me zyrtarë të tjerë, por mezi priste të takohej me staffin çekosllovak, ku pata fatin të isha edhe unë i pranishëm si këshilltar i programeve drejtuar Evropës Lindore.  Haveli na habiti të gjithëve kur filloi të thërriste emërat e folësve dhe të gazetarëve çekosllovakë, përfshirë edhe ata që përdornin pseudonime, të cilët i kishte dëgjuar rregullisht nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës.  Megjithëse nuk njiheshin me njëri tjetërin, takimi i Zotit Havel me stafin Çekosllovak të Zërit të Amerikës u këthye me të vërtetë në një takim tepër emocional për të gjithë.   Natyrisht, si disident kundër regjimit komunist, regjim të cilin ai e kishte cilësuar si, “absurdistan”, Havel-i jo vetëm besonte por ishte ndër mbështetsit më të rreptë të lirisë së fjalës dhe të shtypit si edhe promovues i vendosur i rolit të rëndësishëm që media duhet të luaj në një shoqëri demokratike.  

 Pasi kishte qenë dëgjues i rregulltë i Zërit të Amerikës gjatë luftës së ftohtë, ai ishte njëri prej përkrahsëve më të zellshëm të transmetimeve ndërkombëtare, sidomos atyre amerikane.  Duke iu drejtuar stafit të Zërit të Amerikës gjatë asaj vizite më 1990, Zoti Havel tha, “Ju të Zërit të Amerikës na keni informuar të vërtetën, jo vetëm mbi ngjarjet anë e mbanë botës, por edhe mbi ato që po ndodhnin në vendin tonë dhe në këtë mënyrë ju keni ndihmuar në realizimin e revolucionit anti-komunist paqësor, për të cilin kemi pritur aq shumë kohë.’’

Kujtim nga vizita e parë e Vaclav Havel-it në kryeqëndrën e Zërit të Amerikës, Shkurt, 1990

 Vdekja e Vaclav Havel-it në vitin 2011 ishte një humbje e madhe për mbarë botën, pasi bota humbi zërin e ndërgjegjes dhe mbështetsin e fortë të të drejtave të njeriut, dhe jo vetëm në vendin e tij.  Ai fliste kundër shkeljes së të drejtave të njeriut në Rusi e në Kinë, në Kubë dhe kudo që ato të drejta abuzoheshin nga diktatorët brutalë dhe udhëheqsit autokratë.Vaclav Havel ishte gjithashtu dijeni të plotë edhe për vuajtjet e shqiptarëve nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe gjatë viteve 90, aktivisht kritikoi politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë dhe ka qenë mbështetës i vendosur i sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës.  “Edhe më parë kam mbrojtë qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë Vaclav Havel, në lidhje me sulmet ajrore të NATO-s kundër regjimit kriminel të Sllobodan Millosheviçit të Serbisë. 

 Në këtë 80-vjetor të lindjes së Vaclav Havel-it është me vend të kujtojmë se kauza e lirisë për të cilën ai luftoi gjithë jetën, më në fund triumfoi.   Por siç tha edhe gjatë ceremonive në New York me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Vaclav Havelit, Kryetari Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke, Jan Hamacek gjithnjë, “Ekziston nevoja për të kujtuar trashëgiminë e tij sepse sot bota nuk është hiç e sigurt dhe se liritë dhe të drejtat e njeriut nuk janë ende aspak të garantuara për të gjithë.”  Megjithkëtë, në këtë 8-vjetor të lidnjes së tij, mund të konstatohte se bota në përgjithsi është sot më mirë, falë sakrificës dhe kontributit të Vaclav Havelit në mbështetje të dinjitetit njerëzor dhe të lirive bazë për çdo individ dhe në çdo vend.  Pa dyshim se trashëgimia e tij –për të cilën foli kryetari i Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke — do të përjetësohet nga shembulli dhe vendosmëria e tij i cili gjithë jetën punoi dhe veproi për të mirën e përbashkët të njerëzimit dhe i cili, nepërmjet revolucionit moral, i tregoi njerëzimit fuqinë e popullit për të ndryshuar botën.  Ai, sipas ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright gjithashtu me origjinë çeke dhe mbështetse e fortë e të drejtave të shqiptarëve — gjë që ajo e provoi gjatë luftës për çlirimin e Kosovës — ka thënë mbi trashëgimisë morale dhe politike të Vaclav Havelit se me veprimtarinë e tij, “Ai ka treguar se një vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqsin e duhur me parime morale”.  

 Eh, po ta kishte pasur Shqipëria — si një vend i vogël që është — një udhëheqës me parimet morale të Vaclav Havel-it?

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, Nju Jork, Vaclav Havel

Mundësitë për fitore të Suzanna Shkrelit janë reale

October 5, 2016 by dgreca

Dr. Gjon Buçaj njofton se në Kryeqëndrën e Vatrës në Bronx të New Yorkut, organizata më e vjetër shqiptare në Amerikë, organizon të djelën me 9 tetor nga ora 3-6 një takim me qëllim për të mbledhë fonde për fushatën e Suzanna Shkrelit./  

1 Suzana shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Ja, kanë mbetur edhe katër javë deri në zgjedhjet e përgjithshme këtu në Shtetet e Bashkuara, ku pritet që më 8 nëntor votuesit amerikanë të hedhin votën, në nivel kombëtar, për president, për të gjithë anëtarët e Dhomës së Deputetëve dhe për një numër antarësh të ri të Senatit amerikan.   Një kandidate që synon anëtarësimin e saj në Dhomën e Përfaqsuesve të Kongresit të ri amerikan, është edhe Prokurorja shqiptaro-amerikane, Suzanna Shkreli.   

Ajo e filloi fushatën në fillim të korrikut, dhe tani gjëndet në kulmin e një fushate që duket gjithnjë e më shumë si një fushatë serioze dhe bindëse, se mundësitë për një fitore të Suzanna Shkreli ditën e zgjedhjeve, janë reale.  Fushata e saj dhe mbështetja që ajo ka gjetur tek votuesit e distriktit ose të zonës elektorale të saj, në të vërtetë, ka habitur analistët politikë të zgjedjeve dhe njëkohsisht suksesi i deritanishëm i fushatës së saj ka shqetësuar aq shumë kundërshtarin e saj republikan, sa që ditët e fundit, ai është detyruar të sillte në atë distrikt Kryetarin e Dhomës së Përfaqsuesve, Z. Paul Ryan, personin numër një të republikanëve, për të bërë fushatë në favor të kandidatit republikan,  kongresistin e tanishëm Mike Bishop.  Vizita e republikanit numër një të këtij vendi në zonën elektorale të Suzanna Shkrelit, në përpjekje për të shpëtuar kandidatin e Partisë Republikane nga një humbje e mundëshme, nënvijon seriozitetin me të cilin republikanët e konsiderojnë kërcënimin që vjen nga kandidatura e Suzanna Shkrelit, ndaj  kandidatit të tyre.

Kur Suzanna filloi fushatën e saj për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në fillim të korrikut që kaloi – megjithse filloi vonë sepse kandidatja e mëparshme e demokratëve u tërhoq për arsye shëndetsore — Shkreli deklaroi se ishte gati për një ndërmarrje të tillë megjithë punën e rëndë që nevojitej dhe me gjithë ashpërsitë me të cilat karakterizohen normalisht fushatat politike këtu në Shtetet e Bashkuara dhe sidomos fushata për zgjedhjet e këtij viti.   Ajo është duke zhvilluar një fushatë të fortë dhe gjithëpërfshirëse, me një program të qartë në mbështetje të interesave të qytetarëve të zonës elektorale ku jeton, e të cilët ajo shpreson që tani e deri më 8 nëntor, t’i bindë që të votojnë për të.   Fatbardhësisht, Shkreli ka siguruar mbështetjen e fortë të Partisë Demokrate dhe ka marrë tanimë mbështetjen e organizatës më të madhe në Amerikë, e cila veprimtarinë e saj ia kushton zgjedhjes së më shumë femërave në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit amerikan. Njëkohsisht, Suzana Shkreli është duke llogaritur edhe në ndihmën dhe mbështetjen e pa kursyer të komunitetit shqiptaro-amerikan anë e mbanë Shteteve të Bashkuara.  

Andaj, ky shkrim është edhe një apel, drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan në veçanti, por edhe shqiptarëve kudo që të ndihmojnë fushatën e saj.   Sot është dita dhe ky është momenti për komunitetin shqiptaro-amerikan që ta tregojë veten si gjithmonë më parë i gatëshëm për të marrë pjesë masive, jo vetëm në përpjekjet  e tyre për të ndihmuar kur e lypte nevoja, shqiptarët dhe të drejtat e tyre në trojet anë e mbanë Ballkanit Perëndimor, por të tregojnë gjithashtu se janë të gatëshëm të mbështesin komunitetin e vet në këtë vend, duke mbështetur kandidatët, si Suzanna Shkreli, për poste të ndryshme shtetërore dhe federale.

Në këtë frymë mbështetjeje për të cilën është dalluar deri tani komuniteti, kandidatja shqiptaro-amerikane për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara është takuar para dy javësh me një grup aktivistësh të komunitetit në New York dhe të djelën më 9 tetor – siç mund të shihet në njoftimin më poshtë — ajo ka në plan të marrë pjesë në një takim fond-mbledhës për fushatën e saj, në Kishën Katolike Shqiptare të Shën Palit në Detroit, të sponsorizuar nga Shoqata Malësi e Madhe, Shoqata Kosova, Shoqata Dukagjini, Shoqata Vatra dhe nga Komuniteti Shqiptaro-Amerikan i shtetit Miçigan.

Ndërkaq, gjithashtu, Dr. Gjon Buçaj sapo njoftoi se në Kryeqëndrën e Vatrës në Bronx të New Yorkut, organizata më e vjetër shqiptare në Amerikë organizon të djelën me 9 tetor nga ora 3-6 një takim me qëllim për të mbledhë fonde për fushatën e Suzanna Shkrelit.           

Sot, komuniteti shqiptaro-amerikan është një komunitet shumë vital dhe tepër aktiv në një numër fushash të aktivitetit shoqëror, ekonomik, kulturor e madje edhe shkencor, si dhe në fushën e informacionit teknologjik, ndër të tjera.  Nuk besoj të ketë ndonjë fushë me rëndësi zhvillimi në këtë vend që të mos ketë shqiptaro-amerikanë të përfshirë në të.  Fusha ku ne mungojmë është pjesmarrja në arenën politike, në proceset zgjedhore, sidomos në nivel federal, por edhe shtetëror dhe vendor.  Brezi i ri që përfaqëson Suzanna Shkreli është gati për të marrë pjesë në këtë proces.  A është gati komuniteti që të angazhohet seriozisht për të marrë pjesë dhe për t’i mbështetur këta të rinjë e të reja në proceset zgjedhore, ashtu siç kanë bërë e bëjnë shumë grupe etnike në këtë vend?  Shpresojmë që edhe komuniteti ynë këtu në Shtetet e Bashkuara të inkurajojë dhe të mbështesë në mënyrë aktive pjesëtarët e komunitetit shqiptar në Amerikë, siç është kandidatura e Suzanna Shkrelit.  Megjithëse të suksesshëm në shumë fushë të veprimtarisë dhe të jetës amerikane, komuniteti shqiptar nuk do të arrijë kurrë nivelet e suksesit dhe të integrimit të plotë që meriton   në jetën politike të këtij vendi në veçanti dhe në jetën shoqërore të Amerikës në përgjithësi.  

8 Nëntori pra paraqet rastin dhe mundësinë që komuniteti shqiptaro-amerikan, me mbështetjen e pa kursyer morale dhe financiare për kandidaten Suzanna Shkreli – të bëj histori duke treguar seriozitetin më të madh në angazhimin e tij për të mbështetur Suzana Shkrelin dhe kandidaturën e saj për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.  

Shpresojmë, lutemi dhe urojmë që Suzanna Shkreli, me ndihmën pa rezerva të komunitetit shqiptar në Amerikë dhe me fushatën e saj serioze për të bindur votuesit e zonës së saj elektorale se ajo është personi më i mirë për t’i përfaqësuar në Kongres – të dalë ftuese, duke shënuar kështu një moment historik e triumfues në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan, ndoshta të vogël në krahasim me grupet e tjera etnike – por gjithmonë krenar!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, mundesite e fitores, Suzana Shkreli

BASHKIMI KOMBËTAR NUK ËSHTË IDE ABSTRAKTE

October 3, 2016 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Tre tetori shënon Ditën e Bashkimit Gjerman.  Çdo vit në këtë datë, Gjermania feston ditën kur në vitin 1990 Gjermania lindore dhe Gjermania perëndimor u bënë një. Bashkimi paqësor i Gjermanisë pas ndarjes prej disa dekadash nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e vendosur të “miqëve tanë amerikanë”, thuhet në portalin e misioneve diplomatike të Gjermanisë, në Shtetet e Bashkuara.Në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, Presidenti gjerman Joachim Gauck theksoi se në këtë ditë, ne kujtojmë të gjitha ato që kemi arritur gjatë disa viteve të kaluara të historisë tonë.  “Ne festojmë”, shtoi ai, “dëshirën për liri, të kërkuar nga qytetarët në Leipzig, në Plauen, në Berlin dhe në shumë qytete dhe lokalitete të tjera të Gjermanisë lindore.  Ishte Revolucioni i tyre Paqësor që e bëri të mundur bashkimin e dy shteteve gjermane”, nënvijoi presidenti Gauck.  Presidenti gjerman theksoi gjithashtu se sot “festojmë arritjen e një shteti, në të cilin miliona qytetarë, me një ndjenjë vet-besimi, iu përveshën punës dhe realizuan objektivin kombëtar, që ishte bashkimi.”

 Udhëheqsi gjerman, në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, përmendi edhe gjëndjen aktuale në Gjermani që ai i cilësoi si “të turbullët dhe të vështirë”, ndërsa përballemi rishtas me detyrën për të siguruar bashkimin e mbrendshëm të vendit tonë, nënvijoi ai.  Duke folur për krizën aktuale të refugjatëve si një sfidë e veçantë për mbarë vendin, Presidenti Gauck u shpreh se ai është i vetdijshëm ndaj shqetsimeve të shumë qytetarëve në lidhje me gjëndjen e krijuar nga refugjatët, por theksoi se, “është me rëndësi që konfliktet të zgjidhen haptazi dhe me mënyra paqësore duke u bazuar në ligjet bazë të vendit”.  Gjermania, tha me këtë rast presidenti Gauck, megjith sfidat me të cilat përballet, është e fortë dhe stabile.  Në lidhje me situatën në radhët e Bashkimit Europian, udhëheqsi gjerman tha se qëllimi është që të rivendoset bashkimi i mbrendshëm dhe diversiteti.  “Në duhet ta bëjmë Europën më të fortë, me qëllim që të ruajmë paqën, lirinë, sigurinë dhe begatinë”, në mbarë kontinetin, tha ai.

 Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, në emër të Presidentit Obama dhe të popullit amerikan i uroi popullit gjerman, Ditën e Bashkimit të Gjermanisë.  Në mesazhin e tij, kryediplomati amerikan kujtoi jetën e tij në Berlin në vitet 1950-ave, duke thënë se ishte vet dëshmitar i efekteve të dëmshme që kishte sjellur ndarja e dy gjermanive gjatë luftës së ftohtë.  Në atë kohë, shtoi ai, shumë besonin se Gjermania nuk do të bashkohej kurrë më dhe se qytetarët e dy gjermanive nuk do të lejoheshin kurrë më të jetonin së bashku nën flamurin e demokracisë.  Në mesazhin drejtuar kombit gjerman me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, kryediplomati amerikan shprehu mirënjohjen e tij për miqësinë e thellë që ekziston midis dy vendeve, duke venë në dukje lidhjet që ekzsitojnë midis dy shteteve, në fushën e sigurisë si dhe për vlerat dhe interesat që ndajnë këto dy vende në fushë të ndryshme, përfshirë marrëdhëniet ndërkombëtare.  Çdo ditë, theksoi John Kerry, në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, “Ne konsultohemi mbi mënyrat për të shënuar përparim drejtë objektivit tonë të përbashkët për një botë më stabile, më në paqë dhe më të begatë.”  Në këtë Ditë të Bashkimit të Gjermanisë, le të ritheksojmë angazhimin tonë të fortë ndaj aleancës midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, përfundoi Sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerry.

Është e pamundur që me një rast si ky, siç është Dita e Bashkimit të Gjermanisë, të mos na pështillet në mend edhe endërra e shqiptarëve për bashkim kombëtar.  Gjermanët i dhanë fund ndarjes artificiale më 3 shtator, 1990 dhe bënë që kombi i tyre, megjith historinë e vështirë për veten dhe për të tjerët, e bënë shtetin gjerman që përsëri të respektohej në botë.   Edhe kombi shqiptar është artificialisht i ndarë, për më shumë se një shekull tashti.  Arsyet e ndarjes se Gjermanise pas Luftës së Dytë Botërore ishin të ndryshme dhe ndoshta të justifikueshme, në krahasim me ndarjen e tokave shqiptare, ku fqinjët e pangopur kërkonin dhe morën me dhunë tokat e Arbërit me miratimin e fuqive te mëdha evropiane te kohës. Të gjithë njerezit e vullnetit të mirë e dinë se nuk ka Shqipëri të madhe e as Shqipëri të vogël — ka vetëm një Shqipëri — atje ku flitet shqip, mbrenda territorit me homogjen në Evropë.  Ndjenjat dhe shpresat e Shqiptarëve për një shtet për të gjithë Shqiptarët në Ballkan e kanë zanafillën tek Gjergj Kastrioti, ndjenja këto që me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të parët e shqiptarëve — në prag të rrezikut të copëtimit të mëtejshëm të kombit — i thanë Evropës dhe botës, ndal se këtu ka Shqiptarë që I dalin zot këtij trolli.

Ka njerez që thonë se për shqiptarët nuk ka ardhur koha ende për bashkim.  Madje udhëheqsit më të lartë shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, kur pyeten në lidhje me këtë temë, thonë se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në kuadër të antarësimit të dy shteteve shqiptare në Bashkimin Europian. Mrekulli, por ama këtu qëndron problemi për shqiptarët, pasi antarësimi në Bashkimin Europian nuk ka të ngjarë të ndodhë në një të ardhme të afërt, për arsye të një numri mos plotësimit të një numri kritiresh të kërkuara nga Bashkimi Europian për të gjitha vendet që kërkojnë antarësim, përfshirë zhvillimin e mirëfillët të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe në Kosovë.  Fatkeqsisht, pa konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe pa zbatimin e ligjeve që duhet të jenë të barabarta për të gjithë dhe ku të drejtat e njeriut të mos konsiderohen si të shënjta për të gjithë, është vështirë të merret me mend se Shqipëria dhe Kosova do të antarësohen së shpejti në Bashkimin Europian, ashtu siç pretendojnë disa zyrtarë në të dy anët e kufirit.  Frika është se pa konsolidimin e këtyre kërkesave nga të dy shtetet shqiptare, nuk do të ketë as antarësim në Bashkimin Europian dhe as bashkim e integrim të shqiptarëve në Bashkimin Europian.  Ndërsa pa bashkim dhe bashkrendim të qëndrimeve dhe të mendimeve të shqiptarëve, të të gjitha trojeve, për një jetë të përbashkët në të ardhmen me respekt për njëri tjetrin, fatkeqsisht nuk do të ketë as bashkim eventual të trojeve shqiptare.  Si rrjedhim, statuskoja do të vazhdojë, falë vet shqiptarëve.

Megjithëkëtë, bashkimi i shqiptarëve nuk është dhe nuk duhet të jetë një ide abstrakte, e pa arritshme.  Dihet se për shqiptarët kudo, bashkimi kombëtar mbetet ende një ëndërr që nuk shuhet.  Ashtu edhe duhet të jetë.  Kështuqë, ndërsa kombi gjerman feston bashkimin e Gjermanisë me 3 tetor, ashtu edhe shqiptarët  shpresojnë që të festojnë një ditë bashkimin kombëtar– nën flamurin e Gjergj Kastriotit Skëndërbe — mbrenda kufijve të vet natyror,  në paqë dhe bashkpunim me fqinjtë e tyre dhe si pjesë e integruar dhe e pandarë e Europës, aty ku historikisht e ka vendin kombi shqiptar, krah për krah edhe me kombin e bashkuar gjerman.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Bashkimi Kombetar, Frank shkreli, si opsion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT