Në Republikën Çeke, në disa vende europiane dhe këtu në Shtetet e Bashkuara u shënua këtë javë — më 5 tetor — 80-vjetori i lindjes së ish-disidentit dhe ish-presidentit të fundit të Çekosllovakisë dhe presidentit të parë të Republikës Çeke post-komuniste, Vaclav Havel. Pas largimit nga detyra e presdientit, Havel ia kushtoi jetën promovimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.
Në Shtetet e Bashkuara u organizuan me këtë rast ceremoni përkujtimore në New York, në Washington, në Florida dhe në shtete të tjera me rastin e 80-vjetorit të lindjes së disidentit të famëshëm anti-komunist, i
Pas takimit që kishte zhvilluar Presidentin Xhorxh Bush në Shtëpinë e Bardhë, ku i kishte folur atij mbi rolin e rëndësishëm të transmetimeve të Zërit të Amerikës në luftën për t’u çliruar nga këthetrat e komunizmit anë e mbanë Evropës Lindore, Zoti Havel ishte nisur për në një vizitë personale që kishte kërkuar të bënte tek kryeqendra e Zërit të Amerikës. Me të ardhur në ndërtesën e VOA-s, Zoti Havel u përshëndet me drejtorin e përgjithshëm të asja kohe, Riçard Karlson dhe me zyrtarë të tjerë, por mezi priste të takohej me staffin çekosllovak, ku pata fatin të isha edhe unë i pranishëm si këshilltar i programeve drejtuar Evropës Lindore. Haveli na habiti të gjithëve kur filloi të thërriste emërat e folësve dhe të gazetarëve çekosllovakë, përfshirë edhe ata që përdornin pseudonime, të cilët i kishte dëgjuar rregullisht nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës. Megjithëse nuk njiheshin me njëri tjetërin, takimi i Zotit Havel me stafin Çekosllovak të Zërit të Amerikës u këthye me të vërtetë në një takim tepër emocional për të gjithë. Natyrisht, si disident kundër regjimit komunist, regjim të cilin ai e kishte cilësuar si, “absurdistan”, Havel-i jo vetëm besonte por ishte ndër mbështetsit më të rreptë të lirisë së fjalës dhe të shtypit si edhe promovues i vendosur i rolit të rëndësishëm që media duhet të luaj në një shoqëri demokratike.
Pasi kishte qenë dëgjues i rregulltë i Zërit të Amerikës gjatë luftës së ftohtë, ai ishte njëri prej përkrahsëve më të zellshëm të transmetimeve ndërkombëtare, sidomos atyre amerikane. Duke iu drejtuar stafit të Zërit të Amerikës gjatë asaj vizite më 1990, Zoti Havel tha, “Ju të Zërit të Amerikës na keni informuar të vërtetën, jo vetëm mbi ngjarjet anë e mbanë botës, por edhe mbi ato që po ndodhnin në vendin tonë dhe në këtë mënyrë ju keni ndihmuar në realizimin e revolucionit anti-komunist paqësor, për të cilin kemi pritur aq shumë kohë.’’
Kujtim nga vizita e parë e Vaclav Havel-it në kryeqëndrën e Zërit të Amerikës, Shkurt, 1990
Vdekja e Vaclav Havel-it në vitin 2011 ishte një humbje e madhe për mbarë botën, pasi bota humbi zërin e ndërgjegjes dhe mbështetsin e fortë të të drejtave të njeriut, dhe jo vetëm në vendin e tij. Ai fliste kundër shkeljes së të drejtave të njeriut në Rusi e në Kinë, në Kubë dhe kudo që ato të drejta abuzoheshin nga diktatorët brutalë dhe udhëheqsit autokratë.Vaclav Havel ishte gjithashtu dijeni të plotë edhe për vuajtjet e shqiptarëve nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe gjatë viteve 90, aktivisht kritikoi politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë dhe ka qenë mbështetës i vendosur i sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës. “Edhe më parë kam mbrojtë qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë Vaclav Havel, në lidhje me sulmet ajrore të NATO-s kundër regjimit kriminel të Sllobodan Millosheviçit të Serbisë.
Në këtë 80-vjetor të lindjes së Vaclav Havel-it është me vend të kujtojmë se kauza e lirisë për të cilën ai luftoi gjithë jetën, më në fund triumfoi. Por siç tha edhe gjatë ceremonive në New York me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Vaclav Havelit, Kryetari Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke, Jan Hamacek gjithnjë, “Ekziston nevoja për të kujtuar trashëgiminë e tij sepse sot bota nuk është hiç e sigurt dhe se liritë dhe të drejtat e njeriut nuk janë ende aspak të garantuara për të gjithë.” Megjithkëtë, në këtë 8-vjetor të lidnjes së tij, mund të konstatohte se bota në përgjithsi është sot më mirë, falë sakrificës dhe kontributit të Vaclav Havelit në mbështetje të dinjitetit njerëzor dhe të lirive bazë për çdo individ dhe në çdo vend. Pa dyshim se trashëgimia e tij –për të cilën foli kryetari i Dhomës së Deputetëve të Republikës Çeke — do të përjetësohet nga shembulli dhe vendosmëria e tij i cili gjithë jetën punoi dhe veproi për të mirën e përbashkët të njerëzimit dhe i cili, nepërmjet revolucionit moral, i tregoi njerëzimit fuqinë e popullit për të ndryshuar botën. Ai, sipas ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright gjithashtu me origjinë çeke dhe mbështetse e fortë e të drejtave të shqiptarëve — gjë që ajo e provoi gjatë luftës për çlirimin e Kosovës — ka thënë mbi trashëgimisë morale dhe politike të Vaclav Havelit se me veprimtarinë e tij, “Ai ka treguar se një vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqsin e duhur me parime morale”.
Eh, po ta kishte pasur Shqipëria — si një vend i vogël që është — një udhëheqës me parimet morale të Vaclav Havel-it?