• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TAKIMI I NISHIT- PUNË BALLKANASISH, HESAPI

August 25, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Është njoftuar se qeveria e Republikës së Shqipërisë do të takohet me qeverinë serbe në Nish. Është folur njëkohsisht edhe për pjesëmarrjen e  mundshme të qeverisë së Republikës së Kosovës, por deri tashti nuk është e qartë pjesëmarrja e qeverisë së Prishtinës, ose në çfarë niveli mund të përfaqësohet Kosova, në atë takim.

Sidoqoftë, duket se ky takim është një nismë e Serbisë dhe Beogradi duket se po bën të gjitha përgatitjet dhe planifikimet, përfshirë edhe faktin se kush do të ftohet dhe kush jo.  Ndonëse cilësohet si një takim, jo doemosdosmërisht midis qeverisë serbe dhe asaj shqiptare, por si një takim, Radio Europa e Lirë (REL), e cilëson atë si  një “dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon.Për këtë arsye edhe do të ftohen përfaqësues politikë të shqiptarëve nga Kosova”, thotë REL.Dialog për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në rajon, por pa përfaqsuesit legjitim të nivelit më të lartëtë strukturave të qeverisë dhe shtetit të Republikës së Kosovës së pavarur, e njohur tanimë nga 111 shtete anë e mbanë botës???!!!

Mbetet për tu pa se në çfarë niveli do të përfaqsohet Kosova, por Kryeministri serb Vuçiq citohet të ketë thënë se, “Do të mirëpresim edhe disa nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë, do të mirëpresim shumë njerëz në forumet e biznesit, në takime”, në takimin e ardhëshëm shqiptaro-serb të Nishit. E ku do ulen këta “përfaqsues të shqiptarëve të Kosovës e Metohisë”, në tavolinën e përbashkët apo në karrigat pas delegacionit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si “paper boys”, dhe si do të identifikohen ata në takimin e Nishit, si përfaqsues shqiptarë të “Kosovo-Metohisë”? Si mund të ketë një takim për “dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon”, pa përfaqësinë legjitime të niveleve më të larta politike të Republikës së Kosovës, në një takim ku merr pjesë Kryeminsitri i Shqipërisë dhe ai i Serbisë?A nuk janë shqiptarët e Kosovës, shqiptarë të rajonit? A mos vallë edhe ky takim është një vazhdim i përpjekjeve të vjetëra nga ana e Beogradit për të përçarë shqiptarët në Ballkan, në ata që sllavo-serbët i kanë cilësuar historikisht si “albanci”, ose “dobri albanci” shqiptarët e mirë–pra shqiptarët mbrenda kufijve të Shqipërisë londineze — dhe shqiptarët (e këqij) irridentista dhe problematikë nën ish-Jugosllavi, me epitetin ofendues “shiftari”, përfshirë shqiptarët e Kosovës?

A do të jetë ky një takim midis serbëve dhe shqiptarëve ku të gjithë pjesmarrësit konsiderohen dhe trajtohen si të barabartë? Në sipërfaqe duket se ky takim nuk do të jetë asgjë tjetër veçse një rast ku serbët, për interesa të veta, do të përpiqen ti tregojnë botës, sidomos asaj perëndimore, se ata janë të gatëshëm për dialog dhe bashkjetesë me shqiptarët e rajonit.  Sidomos kur të merret parasyshë se kryeministri serb e njoftoi këtë takim gjatë vizitës së fundit të Zëvëndës Presidentit amerikan Joe Biden në Beograd.  Serioziteti i këtij propozimi për takimin serbo-shqiptar dhe prapaskenat e përgatitjes së një takimi të tillë, duhet të shikohen nga këndveshtrimi se kush janë përfaqsuesit serbë, me të cilët do të takohet në Nish, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me delegacionin e tij dhe mepërfaqsuesit e tjerë të“shqiptarëve nga rajoni”.

Në krye të delegacionit serb do të jenë trashëgimtarë dhe gjithnjë mbështetës të pandëshkuar të politikave kriminale të Sllobodan Millosheviçit, përfshirë, Kryeministrin e tanishëm Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i informacionit në administratën e Millosheviçit nga fundi i 1990-ave.Marr me mendë se ndër të tjerë do të jetë, Ministri i jashtëm serb dhe zëvëndës kryeministër, Ivica Daçiq dhe ministri i punës Aleksandër Vulin, të cilët edhe pas kaq vitesh dhe provash, me këmbëngulje vazhdojnë të thonë se Millosheviqi nuk ishte fajtor për gjenocidin dhe për krimet kundër njerëzimit në ish-Jugosllavi.Përball këtyre përfaqsuesëve serbë, do të qendrojë delegacioni i Shqipërisë dhe me këta do të bisedojë për “marrëdhëniet e shqiptarëve me serbët” në rajon.

Bazuar në të kaluarën,  Serbia nuk e ka ndër mendë të përballet dhe siç duket nuk ka të ngjarë se do të përballet me krimet e tmershme ndaj popujve të Ballkanit si dhe me rolin e Milllosheviçit dhe ish-bashkpuntorëve të tij në ato luftëra, etë cilët sot janë në krye të shtetit serb.  Ata sillen sikurë nuk ka ndodhë gjë fare në territorin e ish-jugosllav. Ndërkombëtarët kanë insistuar se Serbia ka nevojë për zbatimin e një ligji të lustracionit që do pastronte trashëgiminë e Millosheviqit dhe që do të largonte nga detyrat e larta të shtetit dhe qeverisë serbe mbështetsit e tij dhe njerëzit e inkriminuar në luftërat e ish-Jugosllavisë, përfshirë krimet kundër shqiptarëve të Kosovës.  (Edhe Shqipëria ka nevojë për një ligj lustracioni, por për arsye të tjera që i përkasin një periudhe tjetër).

Këta njerëz jo vetëm që nuk dënojnë krimet e së kaluarës, por për ta është i pranueshëm madje edhe reabilitimi i ish-udhëheqsve kriminelë, ndërkohë që disa prej tyre kërkojnë shpalljen e tyre heronjë. Kjo bëhet në përpjekje për tëjustifikuar duke reabilituar jo vetëm politikat diktatoriale të së kaluarës, por si rrjedhim përpiqen të arsyetojnë dhe të justifikojnë edhe qëndrimin e tyre në pozita të larta udhëheqjeje në qeveri dhe në shtet.

Udhëheqsit e Ballkanit të gjysëm shekullit të kaluar e deri më sot, përfshirë kasapin e Ballkanit, Millosheviçin dhe trashëgimtarët e tij,nuk janë heronjë, përkundrazi janë mbetje e ish-regjimeve të deskrekidituara komuniste dhe si të tillë duhet të trajtohen.

Përsa i përket takimit shqiptaro-serb në Nish, dialogu është i mirë në çdo kohë dhe për gjithçka, por është procesi të cilit duhet t’i kushtohet kujdes dhe vëmendje e veçantë. A  do të jetë takimi i Nishit një hap i parë dhe tepër i nevojshëm drejtë pajtimit dhe drejtësisë midis dy popujve – e vetmja mënyrë për paqë dhe stabilitet në rajon – a por do të jetë një rast i radhës për të dëgjuar retorikën tashmë të mërzitshme serbe mbi “Kosovo-Metohinë”, gjë që nuk ka ndihmuar as nuk i ndihmon zhvillimit normal të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan.

E kaluara historike nuk mund të përgnjeshtrohet as nuk duhet të harrohet. Kriminelët dhe mbështetsit e tyre nuk mund dhe nuk duhettë reabilitohen si heronjë. Pa një angazhim serioz për pranimin e gjenocidit dhe të krimeve kundër njerëzimit në territorin e ish-Jugosllavisë nga ana e Serbisë dhe pa një pajtim midis popujve, takimi në Nishose kudo tjetër — midis serbëve dhe shqiptarëve –nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e kotë, sa për sy e faqe, me premtime alla ballkançe dhe pluhur syshë botës, se ja po zhvillojmë dialog.

Prandaj, pa një zotim të tillë nga Beogradi — si hap i parë minimal –takimi në Nish, sidomos në mungesë të përfaqsuesëve më të lartë të shtetit dhe të qeverisë së Kosovës, pjesëmarrjen e vet në atë takim, delegacioni shqiptar në krye me Kryeministrin Rama, duhet ta konsiderojë jo vetëm si dështimdhe përgnjeshtrim të historisë dhe të realitetit politik sot, por mbi të gjitha si një ofendim ndaj mijëra viktimave shqiptare të regjimit të Millosheviçit dhe bashkpuntorëve tij në territorin e Republikës së Kosovës. Pa një pranim të tillë ose pa një shprehje gatishmërie për një pohim të tillë nga ana e Beogradit – pa marrë parsyshë se sa takime dhe ku mbahen – nuk do të ketë as paqë të mirëfilltë midis shqiptarëve dhe serbëve dhe si rrjedhim as stabilitet e siguri në Ballkan.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, pune ballaknasish, takimi i Nishit

Palazzo Scanderbeg – Rome

August 23, 2016 by dgreca

1 Pallati i skenderbeut

PALLATI KU DIKUR QENDRONTE GJERGJ KASTRIOTI SKENDËRBEU GJATË VIZITAVE TË TIJA NË ROMË PËR TAKIMET ME PAPËT E ROMËS, ËSHTË KËTHYER TASHTI NË NJË HOTEL LUKSOZ, SIÇ MUND TË SHIHET EDHE NGA FASADA E RE E NDËRTESËS.

KUR ISHA NË ROMË SI REFUGJATË POLITIK MË 1970, PASI JETOSHA ATY AFËR, KALOJSHA SHPESH ASAJ RRUGE.  NDËRTESA NË ATË KOHË ISHTE NJË GËRMADHË, POR RUANTE MBI DERË FOTOGRAFINË HISTORIKE TË HEROIT TË KOMBIT SHQIPTAR, ATY KU SIÇ MUND TË SHIHET EDHE NË KËTË FOTO, RUHET EDHE SOT ME MBISHKRIMIN: “GEOR CASTRIOTA SCANDERBEG PRINCEPS EPIRI –AD FIDEM ICONIS REST AN DOM MDCCCXLIII”.

MË THONË SE HOTELI, NDONËSE I RI, KA TËRHEQUR MENJËHERË VEMËNDJEN E TURISTËVE TË SHUMTË NË ROMË, KU PËRVEÇ KOMODITETIT QË U OFRON ATYRE HOTELI SCANDERG, ATA NJIHEN EDHE ME HISTORINË E HEROIT TË SHQIPTARËVE DHE SHPËTIMTARIT TË EUROPËS, GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDËRBEU.  KRENARI!

TË JETOJË PËRGJITHMONË KUJTIMI I TIJ. NË RADHË TË PARË, NDËR SHQIPTARË!

FRANK SHKRELI

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, Palazzo Scanderbeg, Rome

NË TIRANË DO TË MBAHET TAKIMI I PARË I DIASPORËS SHQIPTARE

August 22, 2016 by dgreca

…unë e shikoj si një hap të parë mjaft pozitiv njoftimin për këtë të ashtuquajtur “samit” në Tiranë, “pa dallim e pavarsisht nga origjina”, siç cilësohet në ftesë.  Një samit, i cili nëqoftse nuk drejtohet dhe nuk keq-përdoret për interesat politike të momentit, por i cili udhëhiqet vërtetë nga interesat kombëtare, politike dhe ekonomike afat-shkurtëra dhe afat-gjata, të vlerësojë pa dallim rolin dhe angazhimin historik të diasporës shqiptare të vjetër e të re gjatë dekadave, në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, pa marrë parasyshë zhvillimet politike aktuale në trojet shqiptare./

Nga Frank Shkreli/

Javët e fundit, anë e mbanë komunitetit shqiptaro-amerikan janë përhapur ftesa në adresë të organizatave të ndryshme dhe individëve të dalluar shqiptaro-amerikanë nga Ambasada e Shqipërisë në Washington, për të marrë pjesë në atë që cilësohet si “Samiti i Diasporës” që do të zhvillohet në Tiranë, më 18-20-nëntor të këtij viti.   Ftesa është e nënshkruar nga Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, i cili pat njoftuar këtë iniciativë gjatë vizitës së tij të fundit, prillin që kaloi, në Shtetet e Bashkuara.

Me atë rast, duke folur në New York para disa përfaqsuesve të komunitetit, kryeministri shqiptar e përcaktoi objektivin e këtij “samiti” duke u shprehur se, “Do të jetë një Samit ku qeveria dhe aktorë të tjerë kombëtarë do të diskutojnë me diasporën. Të ndërtojmë sa më shumë ura dije”, ka thënë Z. Rama.  “Samiti, një moment për të treguar se ne mund të jetojmë në pjesë të ndryshme të botës, por gjithmonë të bashkuar rreth vlerave tona, gjuhës dhe identitetit tonë unik shqiptar.  Një moment për të diskutuar mbi rrugët dhe mënyrat e bashkëpunimit me shembuj suksesi nga heronjtë e diasporës”.

Unë e kam përshëndetur dhe e kam vlerësuar këtë nismë ç’prej fillimit si historike, si e para e këtij lloji që duhet të përshëndetet nga të gjithë pa marrë parasyshë dallimet politike që mund të ekzistojnë midis nesh, sidomos po të merret parasyshë trajtimi i deri tanishëm i diasporës nga Tirana zyrtare, e veçanërisht nëqoftse takimi organizohet edhe në bashkpunim me Ministrinë e Diasporës së Republikës së Kosovës. Ky fakt  në vet vete i jep këtij takimi një domethënje edhe më të rëndësishme kombëtare.  Me thënë të drejtën, dhe duke mos dashur të futem në polemika boshe, mua nuk më intereson nëse ky takim organizohet nga kjo ose ajo qeveri, por e shikoj këtë rast si një mundësi nga e cila duhet të përfitojë kombi shqiptar. Si një rast jo vetëm për të njohur kontributet e vyera prej dekadash të diasporës në përgjithësi dhe komunitetit shqiptaro-amerikan në veçanti, të cilin e njoh më mirë, në krahasim me diasporat e tjera shqiptare anë e mbanë botës.  Ndoshta më shumë se një “samit”, në të vërtetë takimi në Tiranë duhet të jetë fillimi i një dialogu të mirëfilltë kombëtar, dialog i cili ka munguar për një kohë të gjatë.   Fatkeqsisht, 100-vitet e fundit kanë njohur vetëm ndasi e përçarje në radhët e kombit shqiptar, ndërsa diaspora shqiptare, sidomos ajo në Amerikë, historikisht më aktivja në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, është konsideruar madje edhe si armiqësore dhe tradhëtare nga ish-regjim komunist i Shqipërisë.  Në kohën e komunizmit, kjo diasporë luftohej me të gjitha mjetet, si nga regjimi i Enver Hoxhës ashtu edhe nga regjimi slavo-komunist i Beogradit.  Ndoshta jo me të njëjtin koordinim, por të dy palët luftonin për të njëjtin qëllim: për ta përçarë dhe për ta shkatërruar diasporën shqiptare si një forcë që luftonte në interes të të drejtave të shqiptarëve kudo.  Ishte krijuar një atmosferë e fenomenit “ne dhe ata”, e cila fatkeqsisht as sot 25 vjetë post-komunizëm nuk është zhdukur krejtësisht në marrëdhëniet ose në mungesën e marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me diasporën shqiptare në Amerikë.  

Ishte një kohë fatzezë, kur përfaqsuesit e regjimit enverist pranë Kombeve të Bashkuara, për dekada me radhë, në krye të aktivitetit të tyre “diplomatik” nuk bënë gjë tjetër veç mbollën frikë, mosbesim, grindje, ndarje dhe përçarje në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, në një kohë kur ky komunitet, me dinjitet dhe plot atdhedashuri – dhe në mungesë të një përfaqësie diplomatike shqiptare — përpiqej të luante rolin e ambasadorit ose të ambasadës shqiptare në Washington.  Diaspora shqiptare në Amerikë e ka treguar, historikisht, se ashtu siç është shprehur edhe Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerry në konferencën e vitit të kaluar mbi rolin e diasporës, përfaqsuesit e këtyre komuniteteve në Amerikë, “Janë ndër ambasadorët më të mirë që mund të kemi.”

E vërteta është se edhe gjatë periudhës post-komuniste ka patur prirje nga partitë politike ose politikanë të veçantë shqiptarë që të ndikojnë negativisht në komunitet, duke pasqyruar fatkeqsisht — edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan të kohëve të sotëme — ndasitë dhe përçarjet që ekzistojnë në politikën aktuale zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës.  

Samiti do të merrte me të vërtetë një pamje mbarë kombëtare dhe tolerance politike, nëqoftse përveç Kryeministrit dhe përfaqsuesve të tjerë të qeverisë aktuale — përfaqsuesve të diasporës do tu drejtoheshin edhe Presidenti i vendit dhe opozita.  Një gjë e tillë, do të pasqyronte vlerat më të mira stërgjyshore të shqiptarëve, por edhe vlerat  perëndimore të tolerancës politike dhe do të shërbente si një rast për të, “bashkuar forcat e për të ndërtuar një bashkpunim në të mirën e përbashkët”, siç thuhet në ftesën e Kryeministrit Rama.  Për ndryshe, në mungesë të kësaj, samiti i nëntorit do të konsiderohet si një dështim i radhës i një përpjekjeje me qëllim të mirë, por që e mbyti politika. Një dështim i objektivave të shprehura të samitit për avancimin e bashkpunimit do të ishte një dështim për të gjithë.

Kjo është arsyeja që unë e shikoj si një hap të parë mjaft pozitiv njoftimin për këtë të ashtuquajtur “samit” në Tiranë, “pa dallim e pavarsisht nga origjina”, siç cilësohet në ftesën.  Një samit, i cili nëqoftse nuk drejtohet dhe nuk keq-përdoret për interesat politike të momentit, por i cili udhëhiqet vërtetë nga interesat kombëtare, politike dhe ekonomike afat-shkurtëra dhe afat-gjata, të vlerësojë pa dallim rolin dhe angazhimin historik të diasporës shqiptare të vjetër e të re gjatë dekadave, në interes të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, pa marrë parasyshë zhvillimet politike aktuale në trojet shqiptare.   

Në ftesën dërguar përfaqsuesve të diasporës shqiptare në këtë “samit”,   Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama shprehet se “samiti” duhet të shërbejë si një rast për “promovimin e imazhit dhe vlerave tona më të mira”.  Për nga fakti se shumë prej nesh jetojmë në Shtetet e Bashkuara, për pothuaj gjysëm shekulli ose më shumë, ne u jemi përshtatur vlerave politike dhe morale të këtij vendi.  Andaj vlerat tona janë vlerat perëndimore të gërshetuara me vlerat, historikisht, më të mira të kombit shqiptar.  Njohja e këtij fakti në vet vete nga organizuesit e këtij “samiti” — si hap i parë — do të ndihmonte sado pak në vendosjen e urës dhe të lidhjeve të munguara për një kohë të gjatë mes Atdheut dhe diasporës shqiptare, sidomos asaj në Amerikë dhe do të kontribonte njëkohsisht   drejtë zhdukjes së mentalitetit “ne dhe ata”, gjithmonë kundër njëri tjetrit, mbrenda dhe jashtë trojeve shqiptare.

 

Filed Under: Mergata Tagged With: Frank shkreli, SAMITI I DIASPORES

STOP KËRCËNIMEVE NDAJ LIRISË SË MEDIAS!

August 17, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli /

 Të Mërkurën, gazeta Telegraf e Tiranës kishte botuar një lajm tepër shqetësues për të gjithë ata që besojnë në lirinë e shtypit dhe në lirinë e fjalës, si pjesë e pandarë e një shoqërie demokratike.  Në deklaratën e botuar nga Telegraf thuhet se “Organizatat më të mëdha të gazetarëve në Shqipëri janë njohur sot me nenin 13 të projektligjit, ‘për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar’, si pjesë e paketës për reformën në drejtësi.”   S’do mend se ky nen me të drejtë ka shkaktuar shqetësime dhe reaagime të ashpëra në radhët e gazetarëve të cilët e konsiderojnë këtë masë nga ana e autoriteteve shqiptare si një “censurë të re” të sanksionuar me ligj, nëqoftse miratohet nga parlamenti shqiptar.   Në deklaratë thuhet se sipas këtij neni, “Çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete publike, mediave  apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyyre me ligj”. 

Propozuesit e këti neni duket se mendojnë që korrpucioni dhe krimi i organizuar duhen luftuar duke i mbyllur gojën medias dhe duke shtypur fjalën e lirë.   Mos vallë media dhe fjala e lirë e kanë fajin për korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri!? 

 Në deklaratën e botuar në gazetën Telegraf thuhet se në nenin e propozuar, “Specifikimi për mediat është një akt i pastër censure  dhe me rrezik për demokracinë.   Është një këthim pas, kur fjala dhe mendimi i lirë konsideroheshin agjitacion dhe propagnandë”, thuhet në deklaratën e shoqatave të organizatave të gazetarëve shqiptarë, botuar në gazetën Telegraf.  Ato me të drejtë theksojnë se, termi i përdorur në nenin 13,  “Influencë e papërshtatshme, krijon hapësirë për çdo lloj interpretimi për të kërkuar dënimin e gazetarëve.   Mjafton që një prokuror ta cilësojë si të papërshtatshme raportimin e  një media dhe gazetari të gjendet përpara bankës së të akuzuarit”, thuhet në deklaratë.

A duhet të binden ende autoritetet shqiptare sot, pas 25 vjetë post-komunizëm në Shqipëri, se ushtrimi i fjalës së lirë dhe liria e shtypit janë vlerat thelbësore të një shoqërie që e quan veten demokratike, ose që pretendon të jetë e tillë, vlera këto cilat njëkohsisht janë edhe themeli i vendeve dhe organizmave euroatlantike, të cilëve Shqipëria pretendon se dëshiron t’u bashkohet.   

Liria e fjalës dhe e medias është ndër vlerat thelbësore të Bashkimit Europian, ndërsa këtu në Shtetet e Bashkuara liria e shtypit mbrohet nga artikulli i parë i kushtetutës, ndërkohë që mund të ketë edhe ndonjë kufizim si në Europë ashtu edhe në Amerikë, siç është për shëmbull ligji kundër shpifjeve.   Edhe në këto vende ka patur raste abuzimi me të drejtën dhe lirinë e medias dhe ushtrohet trysni ndaj medias nga politikanët, madje e dhe sot. Por gazetarët janë të mbrojtur nga artikulli i parë i kushtetutës amerikane.     

Edhe në Shqipëri, ashtu siç thuhet në deklaratë, kodi penal përcakton të gjitha rastet në të cilat një indidvid ka të drejtë të padisë këdo, përfshirë edhe gazetarët.  Prandaj lindë pyetja pse autoritetet kanë vendosur të propozojnë tani një nën i tillë.   Fatkeqsisht, politikanët shqiptarë, tani dhe në të kaluarën, në marrëdhënjet midis tyre dhe në takime me përfaqsues të medias shpeshëherë kanë venë në dukje të zëmëruar se përsa u përket pikëpamjeve të tyre mbi fjalën e lirë dhe lirinë e medias, ata fatkeqsisht janë më afër qëndrimeve të “putinëve”, “erdoganëve” dhe “ajatollahëve” të kësaj bote, se sa ndaj vlerave perëndimore mbi lirinë e fjalës dhe të medias.  Nuk kanë munguar, sfidat, kërcënimet dhe as fyerjet e udhëheqsve më të lartë shqiptarë ndaj  përfaqsuesve të medias në të kaluarën duke e cilësuar median shqiptare, ndër të tjera, si një “kënetë mediatike”,  madje edhe Zërin e Amerikës si një radio “kafeneshë”.

 Në çdo shoqëri demokratike media ka rolin dhe përgjegjësitë e veta, që ndër të tjera, të mbikqyrë veprimtaritë e qeverisë dhe të zyrtarëve të saj, duke raportuar faktet përgjithësisht dhe objektivisht, përfshirë edhe përspektiva të ndryshme por pa munguar edhe pikpamjet që mund të mos jenë në përputhje me politikat zyrtare të qeverisë.  Kjo, në të vërtetë është detyra kryesore e medias së lirë dhe të pavarur dhe që njëkohsisht të mundësojë edhe qytetarët e thjeshtë të jenë më mirë të informuar, ashtuqë ata të jenë më në gjëndje të influencojnë pozitivisht aktet dhe veprimtaritë qeveritare në përgjithësi dhe punën e zyrtarëve të lartë në veçanti.   Për ndryshe, siç ka thënë dikur Xhorxh Washingtoni, “Nëqoftse na mohohet liria e fjalës, atëherë si memecë në heshtje, do na çojnë si delet në kasaphane.”

Liria e shtypit është baza e vlerave universale të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe e rëndësishme për të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ka theksuar Presidenti amerikan Barak Obama me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.  Ai ka lavdëruar profesionin e gazetarit, duke nënvijuar se në punën e tyre gazetarët, “ekspozojnë padrejtësitë dhe mbajnë përgjegjës udhëheqsit si unë”, ka thënë ai.  Z. Obama theksoi me atë rast se, “Ajo që është gjithashtu me rëndësi është fakti se duhet folur haptazi dhe shpesh në mbështetje të këtyre vlerave të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta jonë dhe nga të drejtat themelore që ajo përmban, por që ne besojmë se këto vlera nuk janë thjeshtë vlera amerikane.   Ne besojmë se disa vlera themelore, siç është liria e fjalës dhe e ndërgjegjes, është një e drejtë njerzore, por njëkohsisht është edhe e drejtë universale — një liri, zbatimi i së cilës më në fund e bën këtë botë më të mirë dhe më të fortë për të gjithë ne”, ka thënë udhëheqsi amerikan.

Por ti këthehemi nenit 13 të projektligjit “për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” në Shqipëri. Në deklaratën e shoqatave të gazetarëve shqiptarë botuar në gazetën Telegraf, u bëhet thirrje, “deputetëve shqiptarë të heqin menjëherë këtë nen regresiv nga projektligji dhe mos ta kalojnë për votim në Kuvend.”  Ata thonë se ky nen “përbën një kërcënim të hapur për lirinë e shprehjes dhe si i tillë nuk mund të diskutohet e aq më pak të votohet në një vend që synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian.”

Liria e shtypit dhe e fjalës, si për të gjithë popujt e përparuar, ashtu edhe për shqiptarët, duhet të jetë një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet dhe të kultivohet me çdo kusht dhe çdo ditë.   Është detyra e shoqërisë në përgjithësi dhe e Kuvendit në veçanti — e përfaqsuesve të popullit pra –që të sigurojnë dhe jo të kufizojnë zbatimin e plotë të lirisë së shtypit duke sanksionuar me ligj shkeljen e kësaj të drejte themelore universale të njeriut.  Prandaj mos votoni nenin kundër lirisë së medias dhe lirisë së fjalës! Stop kërcënimeve ndaj lirisë së medias!

Filed Under: Editorial, Featured Tagged With: "STOP", Frank shkreli, KËRCËNIMEVE NDAJ, LIRISË SË MEDIAS!

NJË FEMËR PËR UDHËHEQSE TË KOMBEVE TË BASHKUARA?

August 16, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Kjo është dëshira e Sekretarit të Përgjithshëm (të tanishëm) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB) Z. Ban Ki Moon, i cili përfundon mandatin e tij të dytë pesë-vjeçar më 31 dhjetor të këtij viti. Udhëheqsi i OKB-ës u shpreh gjatë një interviste javën që kaloi në Kaliforni se do të dëshironte që – për herë të parë në historinë mbi 70-vjeçare të OKB-së — vendet anëtare të organizatës botërore të zgjedhnin një grua në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet fushata elektorale për president për zgjedhjet e nëntorit, në të cilat njëri prej dy kandidatëve kryesorë, për herë të parë në historinë e këtij vendi është një grua, Hillary Clinton, e cila duket se dita ditës po i përmirëson mundësitë për një fitore ndaj kundështarit të saj republikan Donald Trump — edhe OKB-ja po zhvillon një fushatë prapa skene dhe publike, siç lë të kuptohet edhe deklarata e Ban Ki Moon, në përpjekje për të zgjedhur një femër në krye të organizatës botërore.

Vendimi për këtë nuk i përket ta marrë Ban Ki Moon-i por 15-vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-ës të cilat në fund të këtij viti do të zgjedhin kandidatin e tyre për t’ia rekomanduar 193-vendeve anëtare të Asambalesë së Përgjithshme për aprovim.  Gjatë një takimi me deputetin republikan dhe kryetarin e Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve për punët e jashtme, Z. Ed Royce, Z. Ban Ki Moon citohet nga agjencia e lajmeve AP të ketë thënë se femërat përbëjnë gjysmën e popullësisë botërore dhe si të tilla, ato duhet të gëzojnë të mundësi të barabarta me meshkujt.  Ai ka shtuar se, “Kemi shumë femra e gra udhëheqse të dalluara në qeveritë e vendeve anëtare, ose në organizata të ndryshme, madje edhe në komunitetin e biznesit, komunitete politike dhe në pjesëmarrëse në çdo aspekt të jetës njerëzore.”  Si rrjedhim shtoi ai, nuk ka asnjë arsye që Kombet e Bashkuara të mos marrin në konsiderim kandidate femra për tu emëruar në detyrën më të lartë të organizatës botërore.  

Këtë vit, për herë të parë në historinë e Kombeve të Bashkuara, Asamblea e Përgjithshme ka mbajtur dhe do mbajë deri në fund të vitit debate publike me kandidatët e interesuar në postin më të lartë diplomatik botëror.  Në këtë proces transparent, si asnjë herë më parë, kandidatët paraqesin idetë dhe objektivat e tyre para përfaqsuesve të 193-vendeve anëtare të OKB-ës dhe u përgjigen pyetjeve nga indidvidë dhe organizata të shoqërisë civile nga mbarë bota.  Siç dihet, në të kaluarën, zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara bëhej me dyerë të mbyllura dhe në fund vendosej me kompromis nga fuqitë e mëdha në Këshillin e Sigurimit dhe pastaj emri I kandidatit i paraqitej Asamblesë së Përgjithshme për votim.  Historikisht, emërimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara ishte një kompromis gjeopolitik midis palëve në Këshillin e Sigurimit të OKB-ës.

Por këtë vit shpresohet që procesi i zgjedhjes së kandidatit për të zevëndësuar Ban Ki Moon-in në krye të organizatës botërore, të jetë më transparent dhe më gjithë-përfshirës.  Sipas një sondazhi, edhe nëpunësit  dhe burokracia e OKB-së dëshirojnë një proces transparent në zgjedhjen e liderit të tyre, gjë që përveç tjerash, shton edhe presionin ndaj  vendeve anëtare të organizatës botërore për një konsiderim serioz të kandidateve femëra.

Megjithë vullnetin e mirë në OKB për një transparencë më të madhe këtë vit, në krahasim me të kaluarën, në procesin e zgjedhjes së Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, gazeta britanike the Guardian shkruan, se më në fund dhe pas të gjitha debateve, pyetjeve e përgjigjeve, Këshilli i Sigurimit i OKB-ës prap se prap është ai që do të vendosë për kandidatin/ten të cilin do ia paraqesë Asamblesë së Përgjithshme për votim. Gazeta citon Sam Daws, një ekspert për Kombet e Bashkuara pranë universitetit Oxford të jetë shprehur se, “Janë anëtarët kryesorë dhe permamentë të Këshillit të Sigurimit, ata të cilët do të luajnë gjithnjë rolin vendimtar në emërimin e kandidatit me të cilin ata presin që të punojnë së bashku pa ndonjë problem të madh.”  Por, ai shton se si pjesë e këtij procesi më transparent se në të kaluarën, pritet që në mos asgjë tjetër, kandidati kryesor të pakën të jetë më i aftë në fushën e negocitave politike, në drejtimin e një organizate aq të madhe dhe të tregojë aftësinë për të komunikuar në mënyrë efektive nepërmjet medias globale, në krahasim me kandidatët e tjerë.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara u shpreh për agjencinë e lajmeve AP se ndonëse nuk është në dorë të tij për të zgjedhur sekretarin e ardhëshëm të OKB-së, pasi kjo është e drejtë e Këshillit të të Sigurimit për t’ia rekomanduar  kandidatin Asamblesë së Përgjithshme për aprovim, ai mendon se kandidati ose kandidatja për këtë detyrë të lartë, duhet të ketë, “një vizion të qartë për të ardhmen e botës”, si dhe të posedojë “integritet dhe angazhim” për përparim drejtë paqës, promovimit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut” anë e mbanë botës dhe që  njëkohsisht kandidati të jetë i aftë ose e aftë të artikulojë rëndësinë dhe të mbrojë dinjitetin njerëzor pa dallim.   Ban Ki Moon u shpreh gjithashtu se pasardhësi/ja e tij të ketë aftësi që të merret – nepërmjet dialogut gjithëpërfshirës dhe një politike elastike — me probleme botërore të cilat në sipërfaqe mund të duken të pazgjidhëshme.

Zgjedhja e një femre në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të dërgonte një simbol të fuqishëm anë e mbanë botës, një bote ku sot shkelja e të drejtave të grave dhe vajzave si dhe përdorimi i dhunës kundër tyre – në familje dhe jashtë familjes — konsiderohen si dhuna më brutale e të drejtave të njeriut, pasi siç ka thënë Hillary Clinton, të drejtat e njeriut janë gjithashtu edhe të drejta e grave. (Human rights are women’s rights).   Ndoshta edhe në Kombet e Bashkuara ka ardhur koha për ndryshim në favor të barazisë midis burrave dhe grave edhe në nivelet më të larta të diplomacisë botërore.  Anë e mbanë botës, patjetër duhet të ketë femëra të dalluara dhe të afta për të shërbyer në postin diplomatik numër një në botë, si Sekretare  Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.  Por mbetet për tu pa nëse në nëntor, Shtetet e Bashkuara do të bëjnë histori duke zgjedhur një grua presidente në personin e Hillary Clinton dhe nëse edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara do të zgjedhë një femër për të udhëhequr organizatën botërore, gjithashtu për herë të parë në historinë e saj mbi 70-vjeçare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, NJË FEMËR PËR UDHËHEQSE, TË KOMBEVE TË BASHKUARA?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • 115
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT