• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Takimi i sulltanit të Turqisë me carin e Rusisë

August 10, 2016 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Këtë javë u takuan në Shën Petersburg – kryeqyteti i carëve të Rusisë — Presidenti rus Vladimir V. Putin dhe Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan për të biseduar mbi përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike midis dy vendeve, si dhe mbi gjëndjen në Siri, ku të dy vendet luajnë rol kyç në atë konflikt.  Duke marrë parasyshë se deri këtë javë marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Moskës konsideroheshin si tepër të acaruara, si rrjedhim, ky takim u cilësua nga media dhe analistët ndërkombëtarë si një takim i papritur që habiti të gjithë, për kohën në të cilën u mbajtë, menjëherë pas grusht-shtetit të dështuar në Turqi.   Por, megjithëkëtë ishte një takim që sipas presidentit rus Putin, “kishte një rëndësi të veçantë për fatin e marrëdhënieve ruso-turke”, ndërkohë që megjith armiqësitë e deritanishme midis tyre, gjatë një konferencë me shtypin ai iu referuar vazhdimisht Erdoganit si, “mik i dashur”.   Ndërsa udhëheqsi turk u shpreh se takimi në Shën Petersburg me presidentin Putin do të forcojë marrëdhëniet ekonomike dhe politike, ndërkohë që të dy u zotuan se janë gati të rivendosin të ashtuquajturin “boshtin e miqësisë” midis dy vendeve të tyre.

Ky takim u mbajtë gjithashtu në një kohë kur marrëdhëniet e Moskës dhe të Ankarasë me vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se janë keqësuar në mënyrë të dukëshme.  Aneksimi i Krimesë nga Rusia ka shkaktuar më heret venjen e sanksioneve kundër Moskës nga vendet perëndimore, ndërkohë që në lidhje me zhvillimet e fundit politike dhe ushtarake në Turqi nuk kanë munguar kritikat e udhëheqësve perëndimorë ndaj burgosjes dhe spastrimit në masë të dhjetëra mijëra ushtarakëve, zyrtarëve civilë dhe gazetarëve turq, si rrjedhim i grushtshtetit të dështuar në atë vend.  Nga ana e tij, presidenti Erdogan ka kritikuar reagimin e vendeve perëndimore ndaj përpjekjeve për grusht-shtet në Turqi.   Të dy vendet, Rusia dhe Turqia, për shkak të politikave të tyre autoritare, sipas analistëve, janë të izoluara në nivel rajonal dhe ndërkombtar.

Por kur diktatorët — për arsye të politikave të tyre të mbrendshme dhe ndërkombëtare — e ndjejnë veten të izoluar sidomos në fushën diplomatike, megjithë kundërshtimet dhe armiqësitë midis tyre, ata gjejnë mënyra dhe përpiqen t’i tregojnë botës së në të vërtetë nuk janë të izoluar – se ata kanë njëri tjetrin dhe kanë mbështetjen e njëri tjetrit.  Si të tillë, ata nuk çajnë fortë kokën ndaj kritikave që mund tu bëhen nga jashtë politikave të tyre të mbrendshme ose të jashtme, as për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe as për shtypjen e lirisë së fjalës dhe të medias.

Ky është edhe vlerësimi i takimit Putin-Erdogan të martën, nga shumë analistë ndërkombëtarë.  Ata thonë se të dy këta udhëheqës kanë shumë gjëra të përbashkëta – mbi të gjitha, mënyrën autoritare të qeverisjes, ndërkohë që të dy këta nuk kanë fshehur aspak admirimin, ndjenjat dhe ambiciet nacionaliste dhe imperialiste për historinë e kaluar të vendeve të tyre.  Nuk është sekret se bazuar në politikat e ndjekura gjatë disa viteve të kaluara, Putini dhe Erdogani dëshirojnë të rivendosin atë që ata e konsiderojnë si  “madhështinë” e së kaluarës historike të kombeve të veta, në kurriz të kombeve të tjera dhe kundër vullnetit të tyre:  Putini dëshiron të rivendosë influencën ruse mbi ish-vendet e orbitit komunist sovjetik, ndërsa Erdogani synon përhapjen e influencës fetare, kulturore dhe ekonomike të Turqisë në rajonet që dikur ishin të pushtuara nga perandoria osmane, në përpjekje për të ringjallur perandorinë osmane.

Por, ëndërrat e Putinit për të rikapur influencën e perandorisë komuniste sovjetike dhe ambiciet e Erdoganit për të ripushtuar ekonomikisht dhe fetarisht pjesë të Europës lindore që dikur sundoheshin nga perandoria osmane — përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën — shikohen si shënja tepër shqetësuese nga politika perëndimore.   Konsiderohet se Turqia nën udhëheqjen e presidentit Erdogan dhe Rusia e Putinit po shkojnë drejtë krijimit të regjimeve gjithnjë e më autoritare mbrenda vendit po se po, por edhe në relacion me vendet e tjera të rajonit, gjë që kërcënon paqën dhe sigurinë rajonale.

U tha se në takimin ruso-turk në Shën Petersburg u bisedua gjithashtu edhe mbi çështje të mbrojtjes dhe mbi çeshtje europiane, por nuk u dha ndonjë hollësi se cila mund të ketë qenë përmbajtja e bisedimeve mbi këto çështje.

Nuk ka asgjë sekrete rreth ambicieve të Rusisë së Putinit dhe Turqisë së Erdoganit se duan që me çdo mjet të rivendosin influencën e tyre, sidomos në në vendet e Ballkanit Perëndimor.  Turqia përpiqet të rivendosë “madhështinë” osmane në vendet me shumicë myslimane si në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë, ndërkohë që Rusia nga ana e saj ka vazhduar të përkrahë politikisht dhe ekonomikisht Serbinë dhe serbët e Bosnjës.  Me përpjekjet e tyre diplomatike, si Rusia ashtu edhe Turqia, po përpiqen ta paraqesin veten para udhëheqsve politikë të rajonit të Ballkanit, si partnerë të pazëvendsueshëm ekonomikë dhe gjeopolitikë në përgjithsi.  Kjo është e qartë nga politika e këtyre dy vendeve ndaj Ballkanit Perëndimor gjatë viteve të fundit.  Sidomos kohët e fundit vihet re një rritje e aktiviteteve të ambasadave ruse dhe turke në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat duket se kanë bërë përpjekje të dukshme për të rritur nivelin e propagandës së tyre në krahasim me të kaluarën, në orvatje që duke angazhuar dhe duke siguruar mbështetjen e politikanëve, të influencojnë jo vetëm politikën por edhe median vendase, në një nivel të pa parë deri tani.

Ndërkaq, mbetet për tu parë nëse takimi Erdogan-Putin në Shën Petersburg të martën që kaloi, ishte një manovër e përkohshme politike e dy udhëheqsve apo një partneritet strategjik afatgjatë midis dy vendeve të tyre.  Por një gjë është e sigurt.  Rivaliteti historik midis Rusisë dhe Turqisë në rajonin e Ballkanit Përendimor — pa marrë parasyshë nëse u arrijtë gjë ose jo në takimin Putin-Erdogan — do të mbetet siç ka qenë gjithmonë historikisht.  Është në dorë, sidomos të dy shteteve shqiptare (Shqipërisë dhe Kosovës) që të zgjedhin alternativat: Përendimin apo politikat autoritare të Erdoganit e Putinit.

Si me të gjitha kombet e tjera, Shqiptarët kanë nevojë për marrëdhënie të mira të një respekti të pëbashkët me popullin turk dhe me popullin rus, por jo me carët dhe sulltanët modernë të cilët kanë kërkuar haptas rishkimin e historisë dhe të cilët kanë venë në pikëpyetje madje edhe identitetin kombëtar të shqiptarëve.  Gjatë historisë, carëve dhe sulltanëve, shqiptarët ua kanë ngrënë çorbën, duke u parë sherrin me pasoja katastrofike, të cilat shihen kudo edhe sot nepër trojet e përçara dhe të ndara shqiptare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, me carin e Rusisë, Takimi i sulltanit të Turqisë

KURRË NUK ËSHTË VONË PËR DREJTËSI!

August 2, 2016 by dgreca

Rumania njoftoi se ka vendosur të gjykojë katër ish-zyrtarë të lartë komunistë, përfshirë edhe ish-shefin e Policisë sekrete të regjimit komunist të Nicolae Ceausecu-t, Tudor Postelnicu…/ 

Nga Frank Shkreli/

Duke lexuar lajmet ndërkombëtare në internet të hënën në mengjez, më tërhoqi vëmendjen një lajm nga Rumania i botuar në dhjetëra gazeta amerikane online.  Sipas këtij lajmi — fillimisht i përhapur nga agjencia e lajmeve Associated Press – Rumania njoftoi se ka vendosur të gjykojë katër ish-zyrtarë të lartë komunistë, përfshirë edhe ish-shefin e Policisë sekrete të regjimit komunist të Nicolae Ceausecu-t, Tudor Postelnicu.  Prokurorët ushtarakë rumunë njoftuan se Tudor Postelnicu, ish-shefi i Policisë sekrete rumune, Securitate nga viti 1978 e deri në vitin 1987 dhe tre ish-zyrtarë të lartë komunistë rumunë përballen me akuzën për vrasjen e disidentit Gheorghe Ursu, i cili vdiq në burg nga rrahjet dhe mundimet, dy muaj pas arrestimit të tij, në vitin 1985. Disidenti Urdu ishte burgosur nën akuzën se mbante një ditar, i cili sipas policisë sekrete rumune, përmbante kritika ndaj regjimit të ish-diktatorit Nicolae Ceausecu. 

Sipas ekspertëve dhe organizatave që merren me krimet komuniste, ky vendim nga ana e autoriteteve rumune të drejtësisë është me rëndësi dhe mund të quhet si historik, për faktin se duket se Rumania — madje edhe një çerek shekulli pas shëmbjes së komunizmit — ka vendosur  të vazhdojë me identifikimin, gjykimin dhe dënimin e ish-zyrtarëve të lartë komunistë, të cilët janë përgjegjës për krime të rënda dhe abuzime ç’njerëzore gjatë diktaturës komuniste.  Krimet e regjimit të diktatorit komunist rumun, Ceuasescu ishin ndër më çnjerzoret e botës komuniste.  Sipas Institutit Rumun në Mërgim për Hetimin dhe për Kujtimin e Krimeve Komuniste, gjatë sundimit dhe shtypjeve të regjimit komunist të atij vendi janë vrarë, janë burgosur dhe janë shpërngulur anë e mbanë vendit, afër dy milionë rumunë.  Historianët kanë pohuar se lartë nga 600,000 disidentë,individë ndër më të dalluarit e shoqërisë rumune të asaj kohe, përfshirë politikanë, priftërinjë, avoketën, mjekë, shkrimtarë, edukatorë dhe studentë, janë burgosur të akuzuar për krime kundër shtetit, duke filluar që nga fundi i viteve 1940 e deri në fund të regjimit.  Thuhet se rreth 100,000 prej tyre të kenë vdekur  në burg.

Prokurori rumun Marian Lazar njoftoi të hënën se përveçish-shefit të Policisë Sekrete (Securitate) të regjimit komunist të Nicolae Ceausecu-t, Tudor Postelnicu, me akuzën e rëndë për krime kundër njerëzimit,përballen edhe ish-Ministri rumun i Punëve të MbrendshmeGeorge Homosteanu si dhe ish-agjentët e sigurimit sekret rumun Marian Parvulescu dhe Vasile Hodis.

Fatkeqsisht, si Rumania ashtu edhe Shqipëria – dy vende  ku krimet komuniste ndaj kundërshtarëve politikë llogariten si ndër më çnjerzoret në Europë lindore — ndryshe nga ish-vendet e tjera komuniste, vazhdimësia në pushtet këto 25 vitete e fundit, e elitës komuniste dhe asaj post-komuniste e kanë bërë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, përballjen me krimet e regjimeve komuniste në këto dy vende.

Nga kjo pikëpamje dhe përballë rezistencës së vazhdueshme nga klasa e sotëme politike për tu ballafaquar me të kaluarën komuniste, vendimi i prokurorëve rumunë për të gjykuar katër ish-zyrtarë të lartë të regjimit komunist të Nicolae Ceausescu-t, është një vendim i mirëpritur dhe jep shpresë se mos heret vonë, vendet ish-komuniste të Europës, përfshirë edhe Shqipërinë, ndoshta do të përballen më në fund me të kaluarën e tyre tragjike, duke kërkuar përgjegjësi dhe ndëshkim për personat që kanë marrë pjesë në krimet më të shëmtuara kundër njerëzimit, gjatë një periudhe prej pothuaj gjysëm shekulli të pushtetit komunist.  Kjo mbi të gjitha është një çështje drejtësie për të cilën, fatkeqsisht,pothuaj askush nga politikanët e sotëm shqiptarë nuk flet.

E ashtuquajtura “reformë në drejtësi” — për të cilën është folur dhe debatuar aq shumë e aq gjatë kohët e fundit në Shqipëri, për të  cilën duket se më në fund është arritur njëfarë marrveshjeje nga palët kundërshtare politike, jo me vullnetin e tyre por si rezultat i presioneve të vazhdueshmendërkombëtare –ka për qëllim rritjen e pavarësisë së sistemit juridik nga influenca politike dhe çlirimin e sistemit gjyqësor nga korrupsioni.   Por nuk është e qartë nëse dhe si do të prekë çështjet e lustracionit dhe pjesëmarrjen e ish-zyrtarëve komunistë dhe ish-agjentëve të sigurimit të shtetit të cilët, si përfaqsues dhe në emër të regjimit komunist mund të kenë kryer krime kundër njerëzimit dhe për të cilët dyshohet se në përgjithësi kanë dhunuar brutalisht të drejtat bazë të njeriut të bashkombasve të vet të pafajshëm.

Shumica e vendeve ish-komuniste, dikush më shumë e dikush më pak,  janë përballur me të kaluarën e tyre komuniste duke miratuar ligje lustracioni, duke hapur dosjet dhe duke ndalur ish-agjentët dhe ish-zyrtarët e lartë komunistë që të vazhdojnë në detyra të larta juridike dhe qeveritare.  Si përfundim, gjatë çerek shekullit të kaluar, shumë prej vendeve europiano-lindore kanë hapur gjyqe dhe kanë ndërmarrë procedura ligjore kundër ish-zyrtarëve të regjimeve komuniste dhe ish agjentëve dhe zyrtarëve të lartë të këtyre regjimeve, të dyshuar për krime kundër njerëzimit.

Ekspertë dhe analistë të ndryshëm janë shprehur se mos ndëshkimi i krimeve të komunizmit dhe rezistenca zyrtare për t’u përballur me të kaluarën komuniste, është rezultat i drejtë për drejtë i korrupsionit që mbretëron sot në pothuaj të gjitha sferat e jetës në Shqipëri. S’ka dyshim se është në interesin e kësaj elite politike dhe ekonomike,e cila gjithnjë dominohet nga ish-komunistë dhe të afërmit e tyre, që krimet e komunizmit të mos zbulohen kurrë, ndërkohë që ata të cilët mund të kenë patur gisht në ‘to të mos ndëshkohen për ato krime.

Përpjekjet për reformën në drejtësi thuhet se përfshijnë, mbi të gjitha,çlirimin e sistemit gjyqësor të Shqipërisë nga korrupsioni.  Si rrjedhim,a ka mundësi të shpresohet se miratimi dhe zbatimi përfundimtar i reformës në drejtësinë shqiptare të përbëjë gjithashtu një pikëkëthesë ndoshta historike — megjithëse të vonuar — në dënimin e krimeve të komunizmit dhe qëtë çojë në një përballje të sinqertë me të kaluarën komuniste?  Besoj se pa një angazhim të tillë serioz nga forcat e mbrendshme politike dhe ato ndërkombëtare, nuk do të ketë reformë as zbatim të mirëfilltë të kësaj reforme në drejtësinë e tranzicionit të tej-zgjatur post-komunist në Shqipëri.Njoftimi i prokurorve rumunë të hënën se ata kanë vendosur të qesin para gjyqit ish-udhëheqës të lartë të sigurimit të shtetit komunist, të akuzuar për krime kundër njerëzimit, tregon se kurrë nuk është vonë që drejtësia të çohet në vend.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, KURRË NUK ËSHTË, VONË PËR DREJTËSI!

DITË TË ZEZA PËR LIRINË E SHTYPIT NË TURQI DHE RASTI I KOSOVËS

July 26, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Gjatë viteve, Turqia është cilësuar nga ente të ndryshme ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e lirisë së shtypit, si një prej vendeve kryesore në botë që njihet për abuzimin dhe shkeljen e lirisë së fjalës, si dhe për burgosjen e gazetarëve që konsiderohen si kritikë ose kundërshtarë të regjimit.  Autoritetet turke kanë zhvilluar edhe më parë fushata kundër gazetarve dhe lirisë së shtypit në Turqi,  por masat kundër gazetarve dhe medias në përgjithësi, po intensifikohen dhe po ashpërsohen gjithnjë e më shumë ditët e fundit.  Regjimi turk po përdor dështimin e përpjekjeve për grusht-shtetin ushtarak kohët e fundit në atë vend, si një pretekst për t’i mëshuar lirisë së medias dhe përfaqësuesve të saj, sidomos në këtë kohë krize politike dhe ushtarake për Turqinë.   Sipas analistëve ndërkombëtarë, ky është një rast i përshtatshëm, for fatkeq, për presidentin Erdogan që ta pastrojë vendin nga elementë që ai i konsideron të rrezikshëm për regjimin e tij, jo vetëm në radhët e ushtrisë dhe qeverisë, por nga të gjithë sektorët e shoqërisë, përfshirë edhe median.  Historikisht, në raste të tilla krizash, liria e fjalës dhe e medias është viktima e parë dhe si e tillë, i prinë humbjes së lirive të tjera dhe të drejtave të njeriut, në përgjithësi.

Në lidhje me masat e fundit anti-media dhe shkeljen e lirisë së fjalës dhe të medias në Turqi, në një deklaratë të hënën që kaloi, njëri prej enteve ndërkombëtare që mbështet lirinë e medias anë e mbanë botës, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, u bëri thirrje autoriteteve turke që të mos përdorin dështimin e grusht-shtetit ushtarak për të spastruar gazetarët kritikë nga media e shkruar dhe nga ajo elektronike.  Ndërkohë, organizata në fjalë citon burime turke se autoritetet e atij vendi kanë lëshuar fletë arrestime për të pakën 42 gazetarë turq.   Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarve u bëri thirrje autoriteteve të Turqisë që të ndalojnë fushatën që kanë ndërmarrë për burgosjen e gazetarve, vetëm e vetëm, sepse ata nuk janë dakort me pikëpamjet e tyre.

Por autoritetet turke nuk janë të kënaqur në përpjekjet e tyre që të kufizojnë dhe të luftojnë lirinë e shtypit vetëm mbrenda kufijve të vet.  Ata dëshirojnë ta shtrijnë influencën dhe trysninë e tyre kundër lirisë së fjalës madje edhe përtej kufijve të vendit duke mos i kursyer as gazetarët e huaj, të cilët mund t’i konsiderojnë si kritikë ndaj politikave të Presidentit turk Erdogan.  Një rast specifik për këtë fenomen!  Zëri i Amerikës në gjuhën shqip citon një letër të botuar nga agjencia e lajmeve Reuter, letër kjo e ambasadës turke në Prishtinë drejtuar Ministrisë së Jashtme të Kosovës, në të cilën u kërkohet autoriteteve të Kosovës që të ndëshkojnë gazetarin Berat Buzhala për shkak të disa komenteve që kishte bërë në rrjetin social Facebook, në kohën e grusht-shtetit ushtarak në Turqi.

Sipas Zërit të Amerikës, në letrën që u publikua të martën nga agjencia e lajmeve Reuters, ambasada turke i shkruante Ministrisë së Jashtme të Kosovës për ta informuar se, “Pronari dhe drejtori i përgjithshëm i portalit Gazeta Express, Berat Buzhala, më 15 korrik derisa vinin lajme për përpjekjet për grusht shtet në Turqi, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ndodhen në Turqi, të vihen në anën e grupit që bëri përpjekje për grusht shteti”.   Siç duket ky ishte një status ironik nga ana e gazetarit Buzhala, por që ka zemëruar aq shumë autoritetet turke sa që të urdhëronin ambasadën e tyre në Prishtinë të kërkojë ndëshkimin e Z. Buzhala.  Gazetari Buzhala citohet të ketë thënë se nuk është informuar nga autoritetet e Kosovës për kërkesën e ambasadës turke në Prishtinë, por shtoi se, “është e pa-imagjinueshme që një qeveri e huaj bën një kërkesë të tillë për shkak të disa komenteve satirike.”

Gazetari Buzhala nuk është i vetmi gazetar i huaj që është bërë objekt i zemërimit të autoriteteve turke për shprehjet e tija satirike në rrjetin social Facebook.  Gazeta amerikane New York Times njofton se media të huaja, përfshirë BBC-në dhe vetë gazetën New York Times — ndër të tjera ente mediatike ndërkombëtare — janë sulmuar dhe kritikuar gjithashtu për atë që autoritetet turke thonë se është, “mbulesë në favor të grusht-shtetit”, nga këto media ndërkombëtare.

Mediat e njohura ndërkombëtare perëndimore siç janë New York Times dhe BBC, historikisht, kanë mundur tu rezistojnë përpjekjeve dhe ndërhyrjeve si këto të autoriteteteve turke tani, por lind pyetja nëse mediat shqiptare do të mund tu rezistojnë trysnive dhe presioneve të ndryshme në të ardhmen, nga autoritetet turke ose burime të tjera. Për më tepër, a do ta kenë mediat shqiptare dhe përfaqsuesit e tyre në raste të tilla sulmesh, mbështetjen e qeverive në Prishtinë dhe në Tiranë, duke kundërshtuar ndërhyrje të tilla flagrante në ushtrimin e lirë të gazetarisë në trojet shqiptare?

Sipas medias, ende nuk është e qartë nëse qeveria e Kosovës i është përgjigjur letrës së ambasadës turke në Prishtinë. Në të vërtetë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës  duhet t’i përgjigjet letrës së ambasadës turke me një notë-protestë të vetën duke e cilësuar atë si një ndërhyrje të papranueshme në punët e mbrendshme të Republikës së Kosovës dhe një shkelje të rëndë të lirisë së shtypit në shtetin e ri të Kosovës.  Kosova e ka dëshiruar për një kohë të gjatë lirinë e shtypit, lirinë e fjalës dhe të drejtat e njeriut në përgjithsi, të drejta këto që janë shtypur dhe janë mohuar nga regjime të ndryshme terroriste sllavo-serbe.  Nuk besoj se është në interesin e Kosovës dhe bile as të Shqipërisë, që për disa interesa të përkohshme ekonomike, të zëvendsojnë diktaturat e vjetra me diktatura të reja, duke humbur liritë themelore të njeriut në këtë proces.  Kërkesa e ambasadës turke për të ndëshkuar një gazetar të Kosovës për shkak të disa komenteve satirike është një precedencë e papranueshme ndërhyrjeje në punët e mbrendshme të një vendi të lirë e të pavarur siç është Kosova.  Njëkohsisht, shënon një ditë e zezë edhe për lirinë e shtypit dhe të fjalës së lirë në Kosovë, kur një vend si Turqia konsideron se ka të drejtë të kërkojë ndëshkimin e një gazetari  shqiptar të Kosovës për shfaqjen e lirë të pikpamjeve të tija, pa marrë parasyshë se cili dhe kush është subjekti. Fatkeqsisht, siç u citua edhe vet gazetari Buzhala nga agjencia Reuters, kërkesa e qeverisë turke, nepërmjet letrës së ambasadës së saj në Prishtinë drejtuar Ministrisë së Jashtme të Kosovës, “Demonstron arrogancën e qeverisë turke ndaj vendeve të vogla siç është Kosova, duke dashur që pas nënshtrimit  ekonomik, t’a nënshtrojë atë politikisht dhe juridikisht”, është shprehur gazetari Berat Buzhala.

Filed Under: Analiza Tagged With: DITET TE ZEZA, Frank shkreli, PER LIRINE E SHTYPT, RASTI I KOSOVES, Turqi

DERI KUR MË KËSHTU!

July 21, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Sot, thirrjet e shqiptarëve të 25-vjetëve më parë, “Liri, Demokraci” dhe e “Duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, duken tani si një ëndërrë, e cila as nuk u interpretua as nuk u realizua gjatë çerek shekullit të kaluar.   Përkundrazi, kjo ëndërrë është këthyer një një zhgënjim absolut për shqiptarët dhe për kombin në përgjithsi, falë kësaj klase politike që ka sunduar dhe që sundon vendin.   E ashtuquajtura “reformë në drejtësi” që debatohet për pothuaj dy vjet tashti midis dy palëve kundërshtare — është prova më e mirë se në çfarë niveli ka arritur mos funksionimi i shtetit dhe i qeverisjes në të gjitha nivelet e sidomos në fushën e drejtësisë, në Shqipëri.  Është kjo një lojë kote nga politikanët shqiptarë e cila fatkeqësisht duket se argëton vetëm këta që e luajnë këtë komedi, por që pengon seriozisht ecjen e kombit shqiptar përpara, në udhën që i ka caktuar historia dhe gjeografia.  Kjo nismë nuk është një kërkesë dhe as debat akademik por është një nevojë e thellë për çdo shqiptar dhe për të gjithë shqiptarët kolektivisht.

Politika shqiptare për kaq kohë ka angazhuar Evropën dhe Amerikën, si ndërmjetës midis pozitës dhe opozitës për të arrijtur një marrveshje për reformën në drejtësi, me standarde perëndimore.  Pjesëmarrja e ndërmjetësuesve amerikanë dhe evropianë gjatë viteve, për të arrijtur marrëveshje midis palëve politikës shqiptare, është aq qesharake, por që të kujton diplomacinë ecejake të diplomatëve perëndimorë gjatë shekullit të kaluar në nivel ndërkombëtar për zgjidhjen e konflikteve serioze dhe me përmasa botërore — dhe jo të një përpjekjeje thjeshtë politike të mbrendshme që duhej të ishte zgjidhur me kohë dhe pa ndërmjetësimin ndërkombëtar.

Situata e i krijuar sot në Shqipëri për arrijtjen e një reforme në drejtësi është absolutisht e pa precedencë në një vend që pretendon të jetë dhe e quan veten demokratik.  Është e pa-imagjinueshme që shqiptari me shqiptarin — vëllai me vëlla — nuk merren vesh për çështjet madhore që janë në interesin jetik të vendit dhe të kombit, ndërkohë që secili mundohet t’ia lë kundërshtarit, kopilin te dera.  Mbas 25 vitesh, kjo klasë politike ka bindur tanimë popullin shqiptar dhe miqtë ndërkombëtarë se është e paaftë të zhvillojë një politikë të mbarë dhe serioze që është në interesin afatgjatë dhe afatshkurtë të shqiptarëve.  Kohët e fundit, gazeta e njohur gjermane Sudddeutsche Zeitung shkroi një artikull mbi gjendjen në disa vende të botës, si Ukraina e Jemeni dhe Shqipëria e cilësoi Shqipërinë si një vend, i cili sundohet gjithnjë nga, siç e quajti ajo, “klika e Enver Hoxhës”.  Gazeta gjermane shkruan se fati i Shqipërisë drejtohet ende nga klika e dikurshme e Enver Hoxhës, që paradoksalisht, prej saj pritet që të ndërmerret edhe lufta kundër korrupcionit dhe të bëhen reformat që do ta çonin vendin drejtë integrimeve të plota euro-atlantike.   Fatkeqsisht, janë këto klika që po pasurohen në kurriz të të gjithë të tjerëve, shkruan gazeta Suddeutsche Zeitung.

Është vështirë të thuhet nëse kjo klasë politike është e vetdijshme për pasojat e veprimeve dhe mosveprimeve të saj në këtë periudhe të historisë së kombit shqiptar.  A janë të denjë ata të këtij momenti historik — dhe me këtë nuk e kam fjalën vetëm për reformën në drejtësi, megjithëse kjo e ka rëndësinë e vet tepër të madhe.  Një çerek shekulli post-komunizëm, a janë përcaktuar interesat jetike dhe qëndrimet dhe vlerat e kombit shqiptar, përball zhvillimeve të mbrendshme dhe të jashtme? Cilat janë ato dhe ç’po bëhet për realizimin e interesave kombëtare?  A e dëshirojnë këta njerëz Shqipërinë një vend të mbarë dhe të pjekur politikisht, bazuar në drejtësi shoqërore, në liri dhe në demokraci, a por diçka tjetër?  Nëqoftse ia dëshirojnë të mirën vendit dhe bashkqytetarëve të vet, ç’po bën vetë kjo “klikë politike” siç e quan atë gazeta gjermane — në bashkpunim me njëri tjetrin — për ta shëndërruar dëshirën në realtitet?

As liria, as demokracia dhe as reforma në drejtësi sado që të duan ata, nuk mund të imponohen nga ndërkombëtarët, madje as nga miqtë më të mirë të shqiptarëve.  Nëqoftse liria, demokracia dhe reforma në drejtësi do të konsolidohen dhe të përparojnë në cilindo vend, ato duhet të pranohen dhe të mbrohen nga vet populli, por sidomos nga përfaqësuesit e tij politikë.   Ky është në obligim moral, për të cilin ata janë betuar që të mbrojnë interesat madhore të vendit.  Besimi në të drejtën, sigurinë dhe në dinjitetin e çdo shqiptari, pa dallim, duhet të jetë baza e punës dhe e veprimit të ligjvensëve dhe e të gjithë institucioneve shtetërore dhe qeveritare shqiptare. Liria, demokracia dhe drejtësia do të realizohen vetëm për ata që i duan dhe i mbrojnë këto vlera me çdo kusht.  Fatkeqsisht, deri më sot, në Shqipëri janë të pakët ata që i kanë mbështetur dhe që i mbrojnë këto kauza të shënjta.

Mund të jetë e vështirë për klasën politike shqiptare — që siç shkruante gazeta gjermane Sudddeutsche Zeiting — e ka bazën dhe e nxjerrë përvojën nga regjimi komunist që kontrollonte çdo aspekt të jetës së njerëzve — që të jetë e vetdijshme e nevojës, se në një vend të ashtuquajtur demokratik, ajo duhet t’i shërbejë interesave dhe nevojave të popullit dhe mbi të gjitha t’i besojë atij dhe njëherazi të përpiqen të zgjidhin problemet serioze me të cilat po ballafaqohet sot bota shqiptare. Mendimi i shumicës së popullit është barometri më i mirë.

Populli shqiptar dhe kombi në përgjithësi gjëndet para një këthese me rëndësi historike për të ardhmen e vet.  Sot për sot, në të gjitha trojet shqiptare vihet re një zhgënjim përmasash historike me klasën politike që sundon gjithandej kur të merret parasyshë se ç’mund të ishte po të veprohej ndryshe.  E vërteta është se shqiptarëve po u soset durimi.  Gjithkund ndëgjohet britma drejtuar politikanëve, mjaftë më se na lodhët,  ndërkohë që vihet re dëshira e madhe e shqiptarëve kudo për një ndryshim historik nga kjo rrugë e gabuar, e ndjekur tash 25 vjetë.  Është një dëshirë që pret një angazhim dhe përkushtim krejt të ri ndaj vlerave etike dhe shpirtërore të kombit shqiptar.  Është një dëshirë e flaktë për një rrugë të re që të çon drejtë prakut të një jete të re, në drejtësi dhe barazi për të gjithë, pa dallim, në përputhje me vlerat dhe vetitë e vjetra kombëtare, por edhe në përputhje me vlerat e botës së përparuar në të cilën jetojmë dhe pjesë e të cilës politikanët shqiptarë pretendojnë të bëhen.  Askush nuk duhet të ketë frikë nga kjo, përfshirë edhe klikat e sotëme politike.  Duke marrë parasyshë historinë e 25-viteve të fundit, fatkeqsisht është e vështirë të merret me mendë se klasa e sotëme politike është e aftë të zgjedhë udhën që duhet marrë dhe rrugën që kërkojnë shqiptarët.  Por, më në fund, siç u shpreh edhe gazeta gjermane Sudddeutsche Zeitung në artikullin e saj të ditëve të fundit, klikat politike janë të afatizuara dhe si të tilla nuk mund të zgjasin. Si rrjedhim, mund ketë shpresë edhe për të ardhmen e Shqipërisë, ndryshe nga kjo e sotmja.

Filed Under: Editorial Tagged With: DERI KUR MË KËSHTU, Frank shkreli

DY VËLLËZËR SHQIPTARO-AMERIKANË NË ZYRAT MË TË LARTA TË PENTAGONIT

July 18, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Organizata amerikanePartneriteti për Shërbimin Publik (PSHB) ose anglisht The Partnership for Public Service,është një ent jo fitimprurës me qëndër në Washington, misioni i të cilit është për të frymëzuar një brez të ri nëpunsish civilë në punën e tyre në qeverinë federale,me qëllim për të përmirësuar duke transformuar mënyrën se si funksionon tani qeveria federale e Shteteve të Bashkuara në kryerjen e përgjegjësive që ka ndaj taksa-paguesve amerikanë.

Një artikull në faqen e kësaj organizate më dha shkas që të mdaj me lexuesin nnjë tregim tepër të jashtzakonshëm mbi suksesin e dy vëllëzërve shqiptarë nga Kosova, të punësuar në nivelet më të larta të Pentagonit.  Ky është një tregim që më gëzoi pamasë kur e lexova në faqen “Facebook” të Partneritetit për Shërbimin Publik. Unë jam përpjekur që gjatë viteve, modestsisht, të ve në dukje sukseset e komunitetit shqiptaro-amerikan në tërësi dhe të disa individëve në moshë të re, në veçanti.  Ditë më parë solla një shkrim për shqiptaro-amerikanën Suzanna Shkrelin e cila po bën fushatë si kandidate e Partisë Demokrate për një vend në Kongresin amerikan, në zgjedhjet e nentorit.

Shkrimi i sotëm i bazuar në artikullin e PSHB-ës është gjithashtu tepër interesant pasi kemi të bëjmë me dy vëllëzër shqiptaro-amerikanë nga Kosova, të cilët u larguan nga ai vend në moshë të re dhe ia mësynë mërgimit duke ardhur në Amerikë dhe tani punojnë në zyrat më të larta të Pentagonit.  Madje, në artikullin e entit Partneriteti për Shërbimin Publik dy vëllëzrit nga Kosova, Ylli dhe Ylber Bajraktari, jo vetëm që punojnë në Pentagon, por cilësohen si dorë e djathtë e zyrtarëve më të lartë të Pentagonit, përfshirë Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter.

Vëllëzërit Bajraktari, në punën e tyre të përditshme, merren me çështje të politikës së mbrojtjes dhe politikës së jashtëme dhe si të tillë ata udhëtojnë, anë e mbanë botës, me udhëheqsit më të lartë të mbrojtjes amerikane gjatë vizitave të tyre zyrtare jashtë vendit.

 Në artikullin kushtuar vëllëzërve Bajraktari thuhet se në shikim të parë duket si diçka tepër e pabesueshme që dy vëllëzër shqiptarë të shpërngulur nga Prishtina e shkatërruar nga lufta, do të arrinin pozita të njëjta të nivelit të lartë duke punuar për dy zyrtarët më të lartë të Pentagonit.  Por kjo është e vërteta, Ylli dhe Ylber Bajraktari, në rrugën e karierës së tyre të jashtzakonshme, falë aftësive dhe dedikimit të tyre, pëfunduan në rrethin më të ngushtë dhe më të besueshëm të Pentagonit.

Vëllëzërit Ylli (majtas) and Ylber (djathtas) Bajraktari në hyrje të Pentagonit, ku ata punojnë në fushën e politikës së mbrojtjes dhe të jashtëme për zyrtarët më të lartë të Ministrisë Amerikane të Mbrojtjes, Pentagonit.  (Fotot nga Pentagoni)

Vëllëzërit Bajraktari emigruan në Shtetet e Bashkuara, ndonëse në moshë të re ata morën rrugë të ndryshme me të arritur këtu, ndërkohë që u regjistruan në universitetet amerikane për të ndjekur studimet e larta.  Me kohë, ata morën edhe shtetësinë amerikane dhe tani merren me çështjet më të rëndësishme botërore, duke iu paraqitureprorëve të tyre  informacionin më të freskët mbi ngjarjet më të fundit në botë.  Në artikull citohet Carl Woog, ish-këshilltari i lartë i Sekretarit të Mbrojtjes për Komunikime Strategjike dhe tani anëtar i Këshillit të Sigurimit Kombëtar, i cili thotë se vëllëzërit Bajraktari, “Janë zotuar dhe të dedikuar se do të ndihmojnë në përcaktimin e rolit të Amerikës në botë nepërmjet punës dhe kontributit të tyre, në fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes”.Zyrtari i lartë i Këshillit të Sigurimit Kombëtar amerikan shtoi se ai, “Ai nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për një rast si ky, ku dy vëllëzër të kenë luajtur një rol kaq me rëndësi”, nëzyrat më të larta të punës në fushat përkatëse të mbrojtjes dhe të politikës së jashtme, në Pentagon.”

Ylberi i cili është diplomuar nga universiteti i njohur Princeton shërben tani si zëvëndës kryetar i stafit për çështjet politike në zyrën e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter. Më parë, ai ka punuar në zyrën e ish-Drejtorit të CIA-s, David Petraeus duke u marrë gjithashtu me gjëndjen politike dhe ushtarake në Irak dhe me përpilimin e politikës amerikane ndaj Iranit, herë në Pentagon e herë në Shëpinë e Bardhë.

Ndërsa Ylli shërben si Ndihmës i Posaçëm i Zëvëndës Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Robert Work në Pentagon, që njëkohsisht është edhe enti më i madh i qeverisë federale, për nga numëri i nëpunësve dhe për nga buxheti i përgjithshëm.I diplomuar nga Universiteti Harvard, gjatë karierës së tij, Ylli është marrë me çështje politike që kishin të bënin me Afganistanin dhe me Indinë, ndërsa më heret ka shërbyer si këshilltar i ish-Kryetarit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralit Martin Dempsey.  Ylli Bajraktari u shpreh se puna që ai bën tani në Pentagon është tepër interesante, pasi sipas tij, çdo gjë që përfundon në tavolinën e tij ka një element krize diku në botë.

Por nuk ka shumë rëndësi se ç’thonëvetë vëllëzërit Bajraktari për punën e tyre, rëndësi ka vlerësimi i punës dhe i dedikimit të tyre ndaj detyrës nga të tjerët, nga kolegët dhe nga zyrtarët e lartë të Pentagonit me të cilët ata punojnë çdo ditë. Njëri prej tyre, Eric Rosenbach, Kryetari i stafit të Sekretarit Carter, i cilëson dy vëllëzrit Bajraktari si “Dy indidvidë më të dedikuar ndaj punës së tyre, që ai ka njohur”, duke shtuar se, “Ata po mbrojnë interesat e Shteteve të Bashkuara dhe duke bërë një gjë të tillë”, me punën e tyre shtoi ai, “ata sjellin një përspektivë më të qartë mbi rolin e Amerikës në botë.”Ndërsa nga ana e tyre vëllëzërit Bajraktari, në artikullin kushtuar atyre në faqen e organizatës amerikanePartneriteti për Shërbimin Publik, shprehën falenderimet dhe mirënjohjen e tyre ndaj ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, “Për rolin kritik që luajtën forcat ushtarake amerikane në shpëtimin e Kosovës”, shumë prej të cilëve, anëtra të të kësah ushtrie tha Ylberi, tani i takojnë në korridoret e Pentagonit.  Nuk kalon asnjë ditë që nuk takojmë ushtarakë amerikanë të cilët kanë qenë pjesë e misionit të NATO-s kundër Serbisë, pohoi Ylli, duke shtuar se, “Angazhimi dhe zotimi që ndjejmë ndaj këtij vendi, është një obligim për ne. Ne e ndjejmë vetën të privilegjuar dhe të nderuar që punojmë këtu” në Pentagon, përfudnoi ai.

 Edhe ne jemi të nderuar dhe të privilegjuar që të rinjët shqiptaro-amerikanë si vëllëzërit Bajraktari të cilët me punën e tyre nderojnë veten dhe kombin e origjinës, me suksesin e tyre personal dhe profesional, duke bërë krenarë jo vetëm komunitetin shqiptaro-amerikanë, por shqiptarët kudo. Si shumë të tjerë shqiptaro-amerikanë, edhe vëllëzërit Bajraktari me të drejtë e ndjejnë si obligim për ato që ka bërë Amerika për kombin shqiptar, ashtu që me punën e tyre të kontribojnë — në nivelet më të larta të qeverisë amerikane — për këtë vend ku kemi gjetur strehim dhe liri – duke bërë diçka në shënjë falenderimi e mirënjohjeje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Jam i sigurt se ata e kryejnë këtë obligimme cilësi dhe stil të lartë moral e politik, jo vetëm në emër të tyre dhe të familjes, por edhe në emër të të gjithë shqiptarëve në Amerikë dhe kudo të cilët mund të ndjejnë të njëjtin obligim, por të cilët ndoshta nuk kanë fatin ose mundësitë të arrijnë nivele të tilla suksesi në punën e tyre me një ndikim dhe influence të tillë si vëllëzërit Bajraktari.   Lartë e më lartë!

Filed Under: Editorial Tagged With: dy velelzerit Bajraktari, Frank shkreli, ne zyrat e larta, te Pentagonit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 112
  • 113
  • 114
  • 115
  • 116
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT