Nga Frank Shkreli/
Sot, thirrjet e shqiptarëve të 25-vjetëve më parë, “Liri, Demokraci” dhe e “Duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, duken tani si një ëndërrë, e cila as nuk u interpretua as nuk u realizua gjatë çerek shekullit të kaluar. Përkundrazi, kjo ëndërrë është këthyer një një zhgënjim absolut për shqiptarët dhe për kombin në përgjithsi, falë kësaj klase politike që ka sunduar dhe që sundon vendin. E ashtuquajtura “reformë në drejtësi” që debatohet për pothuaj dy vjet tashti midis dy palëve kundërshtare — është prova më e mirë se në çfarë niveli ka arritur mos funksionimi i shtetit dhe i qeverisjes në të gjitha nivelet e sidomos në fushën e drejtësisë, në Shqipëri. Është kjo një lojë kote nga politikanët shqiptarë e cila fatkeqësisht duket se argëton vetëm këta që e luajnë këtë komedi, por që pengon seriozisht ecjen e kombit shqiptar përpara, në udhën që i ka caktuar historia dhe gjeografia. Kjo nismë nuk është një kërkesë dhe as debat akademik por është një nevojë e thellë për çdo shqiptar dhe për të gjithë shqiptarët kolektivisht.
Politika shqiptare për kaq kohë ka angazhuar Evropën dhe Amerikën, si ndërmjetës midis pozitës dhe opozitës për të arrijtur një marrveshje për reformën në drejtësi, me standarde perëndimore. Pjesëmarrja e ndërmjetësuesve amerikanë dhe evropianë gjatë viteve, për të arrijtur marrëveshje midis palëve politikës shqiptare, është aq qesharake, por që të kujton diplomacinë ecejake të diplomatëve perëndimorë gjatë shekullit të kaluar në nivel ndërkombëtar për zgjidhjen e konflikteve serioze dhe me përmasa botërore — dhe jo të një përpjekjeje thjeshtë politike të mbrendshme që duhej të ishte zgjidhur me kohë dhe pa ndërmjetësimin ndërkombëtar.
Situata e i krijuar sot në Shqipëri për arrijtjen e një reforme në drejtësi është absolutisht e pa precedencë në një vend që pretendon të jetë dhe e quan veten demokratik. Është e pa-imagjinueshme që shqiptari me shqiptarin — vëllai me vëlla — nuk merren vesh për çështjet madhore që janë në interesin jetik të vendit dhe të kombit, ndërkohë që secili mundohet t’ia lë kundërshtarit, kopilin te dera. Mbas 25 vitesh, kjo klasë politike ka bindur tanimë popullin shqiptar dhe miqtë ndërkombëtarë se është e paaftë të zhvillojë një politikë të mbarë dhe serioze që është në interesin afatgjatë dhe afatshkurtë të shqiptarëve. Kohët e fundit, gazeta e njohur gjermane Sudddeutsche Zeitung shkroi një artikull mbi gjendjen në disa vende të botës, si Ukraina e Jemeni dhe Shqipëria e cilësoi Shqipërinë si një vend, i cili sundohet gjithnjë nga, siç e quajti ajo, “klika e Enver Hoxhës”. Gazeta gjermane shkruan se fati i Shqipërisë drejtohet ende nga klika e dikurshme e Enver Hoxhës, që paradoksalisht, prej saj pritet që të ndërmerret edhe lufta kundër korrupcionit dhe të bëhen reformat që do ta çonin vendin drejtë integrimeve të plota euro-atlantike. Fatkeqsisht, janë këto klika që po pasurohen në kurriz të të gjithë të tjerëve, shkruan gazeta Suddeutsche Zeitung.
Është vështirë të thuhet nëse kjo klasë politike është e vetdijshme për pasojat e veprimeve dhe mosveprimeve të saj në këtë periudhe të historisë së kombit shqiptar. A janë të denjë ata të këtij momenti historik — dhe me këtë nuk e kam fjalën vetëm për reformën në drejtësi, megjithëse kjo e ka rëndësinë e vet tepër të madhe. Një çerek shekulli post-komunizëm, a janë përcaktuar interesat jetike dhe qëndrimet dhe vlerat e kombit shqiptar, përball zhvillimeve të mbrendshme dhe të jashtme? Cilat janë ato dhe ç’po bëhet për realizimin e interesave kombëtare? A e dëshirojnë këta njerëz Shqipërinë një vend të mbarë dhe të pjekur politikisht, bazuar në drejtësi shoqërore, në liri dhe në demokraci, a por diçka tjetër? Nëqoftse ia dëshirojnë të mirën vendit dhe bashkqytetarëve të vet, ç’po bën vetë kjo “klikë politike” siç e quan atë gazeta gjermane — në bashkpunim me njëri tjetrin — për ta shëndërruar dëshirën në realtitet?
As liria, as demokracia dhe as reforma në drejtësi sado që të duan ata, nuk mund të imponohen nga ndërkombëtarët, madje as nga miqtë më të mirë të shqiptarëve. Nëqoftse liria, demokracia dhe reforma në drejtësi do të konsolidohen dhe të përparojnë në cilindo vend, ato duhet të pranohen dhe të mbrohen nga vet populli, por sidomos nga përfaqësuesit e tij politikë. Ky është në obligim moral, për të cilin ata janë betuar që të mbrojnë interesat madhore të vendit. Besimi në të drejtën, sigurinë dhe në dinjitetin e çdo shqiptari, pa dallim, duhet të jetë baza e punës dhe e veprimit të ligjvensëve dhe e të gjithë institucioneve shtetërore dhe qeveritare shqiptare. Liria, demokracia dhe drejtësia do të realizohen vetëm për ata që i duan dhe i mbrojnë këto vlera me çdo kusht. Fatkeqsisht, deri më sot, në Shqipëri janë të pakët ata që i kanë mbështetur dhe që i mbrojnë këto kauza të shënjta.
Mund të jetë e vështirë për klasën politike shqiptare — që siç shkruante gazeta gjermane Sudddeutsche Zeiting — e ka bazën dhe e nxjerrë përvojën nga regjimi komunist që kontrollonte çdo aspekt të jetës së njerëzve — që të jetë e vetdijshme e nevojës, se në një vend të ashtuquajtur demokratik, ajo duhet t’i shërbejë interesave dhe nevojave të popullit dhe mbi të gjitha t’i besojë atij dhe njëherazi të përpiqen të zgjidhin problemet serioze me të cilat po ballafaqohet sot bota shqiptare. Mendimi i shumicës së popullit është barometri më i mirë.
Populli shqiptar dhe kombi në përgjithësi gjëndet para një këthese me rëndësi historike për të ardhmen e vet. Sot për sot, në të gjitha trojet shqiptare vihet re një zhgënjim përmasash historike me klasën politike që sundon gjithandej kur të merret parasyshë se ç’mund të ishte po të veprohej ndryshe. E vërteta është se shqiptarëve po u soset durimi. Gjithkund ndëgjohet britma drejtuar politikanëve, mjaftë më se na lodhët, ndërkohë që vihet re dëshira e madhe e shqiptarëve kudo për një ndryshim historik nga kjo rrugë e gabuar, e ndjekur tash 25 vjetë. Është një dëshirë që pret një angazhim dhe përkushtim krejt të ri ndaj vlerave etike dhe shpirtërore të kombit shqiptar. Është një dëshirë e flaktë për një rrugë të re që të çon drejtë prakut të një jete të re, në drejtësi dhe barazi për të gjithë, pa dallim, në përputhje me vlerat dhe vetitë e vjetra kombëtare, por edhe në përputhje me vlerat e botës së përparuar në të cilën jetojmë dhe pjesë e të cilës politikanët shqiptarë pretendojnë të bëhen. Askush nuk duhet të ketë frikë nga kjo, përfshirë edhe klikat e sotëme politike. Duke marrë parasyshë historinë e 25-viteve të fundit, fatkeqsisht është e vështirë të merret me mendë se klasa e sotëme politike është e aftë të zgjedhë udhën që duhet marrë dhe rrugën që kërkojnë shqiptarët. Por, më në fund, siç u shpreh edhe gazeta gjermane Sudddeutsche Zeitung në artikullin e saj të ditëve të fundit, klikat politike janë të afatizuara dhe si të tilla nuk mund të zgjasin. Si rrjedhim, mund ketë shpresë edhe për të ardhmen e Shqipërisë, ndryshe nga kjo e sotmja.