• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇIFTI REAGAN DHE NËNË TEREZA

March 10, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të premten varroset në një ceremoni private Nancy Reagan, e veja e ish-Presidentit amerikan Ronald Reagan dhe njëra prej femërave më të njohura dhe më me influencë në shekullin 20, e cila ndërroi jetë të djelën që kaloi në moshën 94-vjeçare.   Ajo do të varroset pranë bashkshortit të saj në mjedisin ku gjëndet Biblioteka Presidenciale e ish-presidentit të 40-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Luginën e bukur Simi të shtetit Kalifornia.  Presidenti Obama urdhëroi që flamuri amerikan të valvitet gjysëm shtizë anë e mbanë vendit, për të kujtuar dhe për të nderuar ish-zonjën e parë të Amerikës, e cila deklaroi ai, do të mbahet mend si një zonjë e parë e këtij vendi plot mirësi dhe meshirë.  Presidenti Obama shtoi duke thënë se, “Dashuria e saj për Presidentin Reagan është e dokumentuar mirë siç është edhe fakti se ajo i është gjëndur pranë bashkshortit të vet në periudhat vërtetë më të vështira të jetës dhe karierës së tij politike”.

Ndonëse fillimisht ka pasur edhe karierën e saj si aktore në Hollywood, Nancy Reagan kishte deklaruar në një intervistë kohë më parë se, “Në të vërtetë jeta ime ka filluar kur jam martuar me bashkshortin tim”, duke vërtetuar atë, që tani gjithkush e di, se për 52 vjetë martesë, Nancy dhe “Ronnie”, siç e quante ajo, ishin plotësisht të përkushtuar ndaj njëri tjetri.  Ish-Presidenti George W Bush i dërgoi ngushëllimet e tija familjes duke theksuar se Nancy Reagan, me jetën dhe veprat e saj,“ishte krejtësisht e dedikuar ndaj bashkshortit të saj dhe ndaj Athdeut”.   Ndërsa kryetari i Komitetit Kombëtar të Partisë Republikane, Reince Priebus u shpreh se ish-Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, “ka frymëzuar mbarë Amerikën me sjelljet e saj dinjitoze dhe të ngrohta”.

 

Për ata që e kanë njohur atë për së afërmi, Nancy ishte një grua e jashtzakonshme dhe sipas disa ish-ndihmësve të Presidentit Reagan, ajo ishte njëkohsisht edhe këshilltarja e tij më e ngushtë dhe më e besueshmja.  Madje, njëri prej këshilltarëve të tij kryesor, Ed Rollins tha me rastin e vdekjes së Nancy Reagan, se “Ajo kishte instinkte politike të mirëfillta, ndoshta më të spikatura se vet Presidenti Reagan”, shkruan Rollins dhe shton se Z. Reagan i kishte thënë atij me një rast se, “Ai nuk do të ishte bërë kurrë president pa inkurajimin dhe këshillat e saja.”  Ish-këshilltari Rollins e cilësoi Nancy Reagan kur ishte në Shtëpinë e Bardhë, si një “Zonjë shtëpie e mrekulluesheme dhe pritëse, e cila kishte rivendosur dinjitetin në Shtëpinë e Bardhë”, pasi siç shprehet ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, “Ajo e konsideronte Shtëpinë e Bardhë si ‘shtëpinë e popullit’ dhe si e tillë”, theksonte ajo shpesh, “meriton që ajo të trajtohet dhe të ruhet me respektin më të madh.”

Ndër qindra prononcime nga zyrtarë të lartë amerikanë të dy partive kryesore amerikane si dhe nga udhëheqës botërorë të cilët shprehën ngushëllimet e tyre me rastin e ndarjes nga kjo jetë e Nancy Reagan, ishte edhe Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, i cili u shpreh se, “Dedikimi dhe dashuria e saj për familjen, ishin një frymëzim për të gjithë ne.”  Krye-diplomati amerikan e cilësoi me këtë rast Presidentin Reagan si, “Njërin prej optimistëve më të mëdhej të këtij kombi, i cili me guximin dhe me mençurinë e tij ndihmoi në fitoren e Luftës së Ftoftë, ndërkohë që Nancy ishte ortakja dhe këshilltarja më e besueshme e tij, që e këshilloi atë gjatë gjithë kësaj periudhe dhe mëtej.”   Duke shprehur ngushëllimet e tija, John Kerry përfundoi duke pohuar se, “Nancy Reagan ka lënë përshtypje pozitive të pashlyeshme anë e mbanë Amerikës”.

Një prej këtyre mbresave të pashlyeshme, për të cilat flet Kerry, sidomos për ne shqiptaro-amerikanët, por edhe për të tjerë ishin takimet në Shtëpinë e Bardhë dhe veçanërisht ftesa që çifti Reagan i kishte bërë Nënë Terezës për të vizituar Shtëpinë e Bardhë më 20 qershor,1985, me qëllim për ta dekoruar atë me medaljen më të lartë civile të Shteteve të Bashkuara, “Medalja Presidenciale e Lirisë”, për humanizmin dhe për veprimtarinë e saj në mbështetje ndaj më të varfërve të botës, sidomos më të varfërve të Indisë.  Me atë rast, Presidenti Reagan e përshëndeti Nënë Terezen duke thënë se, “Në këtë shtëpi të madhërishme kanë ardhur shumë vizitorë, por asnjë nga ata që kanë vizituar nuk është më i veçantë, në krahasim me mysafiren tonë të dashur që ka ardhur sot këtu, Nënë Terezën”.

“Disa persona, shumë pak në të vërtetë”, ka theksuar Presidenti Reagan, “Janë në kuptimin e vërtetë të fjalës, qytetarë të botës.  Nënë Tereza është një prej tyre. Ne e duam atë aq shumë, sa që i kërkuam asaj të pranonte dekoratën tonë, gjë që ajo e pranoi menjëherë me përvujtëninë që e dallon atë”, u shpreh Reagan.   Me bashkshorten Nancy pranë tij, Presidenti Reagan ka thënë se, “Dekoratave të shumëta që ka marrë Nënë Tereza gjatë viteve, përfshirë edhe Çmimin Nobel për Paqë, me dashuri të thellë dhe respekt të madh ia shtojmë edhe një tjetër duke i dorëzuar asaj edhe Medaljen Presidenciale të Lirisë”, që është çmimi më i lartë që Presdienti amerikan u dorëzon personave me merita dhe kontribute të jashtzakonshme ndaj sigurimit dhe interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, ndaj paqës në botë dhe për arritje të veçanta në fushën e veprimtarisë publike ose private.

Në fjalimin e rastit në ceremoninë e dorëzimit të dekoratës së Medaljes Presidenciale të Lirisë Nënë Terezës, Presidenti Reagan e ka karakterizuar murgeshën me origjinë shqiptare si, “Heroinën e kohëve tona.”  Ai tha me atë rast se ndonëse kjo medalje tradicionalisht u jepet shtetasve amerikanë, Z. Reagan shpjegoi se në shënjë nderimi dhe admirimi të thellë për punën e saj, po i akordohet kjo dekoratë Nënë Terezës, pasi “Shpirtmirësia në zemrat e disa individëve, i kapërcen të gjithë kufijtë kombëtar dhe tejkalon të gjitha konsideratat e vogëla nacionaliste”, u shpreh ish-presidenti amerikan Reagan duke folur për Nënë Terezen.

Me atë rast, Nënë Tereza falenderoi Presidentin Reagan dhe bashkshorten Nancy, për nderimin që i bënë duke u shprehur se, “Unë nuk jam aspak e denjë për këtë dhuratë bujare që më akordohet nga Presidenti ynë, nga bashkshortja e tij dhe nga populli i Shteteve të Bashkuara. Por e pranoj për lumturinë e madhe ndaj të Madhit Zot, si dhe në emër të miliona njerëzve të varfër…ndonëse duke ma dhënë mua këtë dekoratë, ju në të vërtetë po ua jepni atyre, me dashuri dhe interesim të madh”, ndaj më të varfërve.

 

“Por, dashuria” i ka thënë Nënë Tereza çiftit Reagan, “fillon në shtëpi, në familjen tuaj dhe fillon duke u lutur së bashku. Lutjet pastrojnë zemërat dhe zemërat e pastëra shohin Perëndinë.  Dhe nëqoftse ju shikoni imazhin e Perendisë në njëri tjetrin, ju do të kini edhe dashuri për njëri tjetrin dhe paqë me njëri tjetrin. Veprat e dashurisë janë vepra paqeje dhe dashuria fillon në familje”, është shprehur Nënë Tereza para çiftit Reagan, qershorin e vitit 1985.

Janë absolutisht të pa zakonta marrëdhënjet që Presidenti Reagan dhe bashkshortja e tij Nancy – të cilët konsideroheshin si njëri ndër çiftet më aristokrate në Amerikë dhe ndoshta në botë — kishin vendosur me Nënë Terezen, përfaqsuesen e më të varfërve në botë.   Anë e mbanë botës, Nënë Tereza kishte takuar me shumë udhëheqës politikë e fetarë.  Por dalloheshin marrëdhënjet e saja me Presidentin Ronald Reagan dhe me Papa Gjon Palin e dytë, sidomos gjatë dekadës së luftës së ftoftë të 1980-ave.  Ishin këta të dy, protagonistët kryesorë të luftës kundër komunizmit, Presidenti Reagan dhe Papa Gjon Pali i dytë, me të cilët duket sikurë Nënë Tereza kishte lidhje të ngushta.

Për Papën Gjon Palin e dytë, ish-udheheqsi sovjetik Mikhail Gorbachov është shprehur se shëmbja e komunizmit do të kishte qenë e pamundur pa kontributin e Papa Gjon Palit të dytë.  Ndërsa për Presidentin Reagan, Nënë Tereza ka thënë kur presidenti amerikan që plagosë në një atentat kundër tij — se ajo ishte e bindur se shpëtimi i jetës së Presidentit Reagan nga plagët që kishte marrë nga atentati, në të vërtetë ishte “Një akt hyjnor”.  Lind pyetja se çka dinte kjo bijë shqiptare për këta dy burra të mëdhej të shekullit 20-të dhe çfarë frymëzimi prisnin këta të dy prej kësaj murgeshe të thjeshtë me origjinë shqiptare — kujdestarja e më të varfërve në botë — gjatë një periudhe historike dhe aq vendimtare për fatin, e jo vetëm Europës, por të mbarë njerëzimit?

Filed Under: Featured Tagged With: cifti Regan, Frank shkreli, Nene Tereza

FAMILJA JASHARI: ÇELNI SYTË, BASHKOHUNI!

March 6, 2016 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Kosova dhe mbarë kombi kujtuan me manifestime 18-vjetorin e fillimit të luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të sakrificave të mijëra dëshmorëve të kombit, luftë e cila me ndihmën dhe me ndërhyrjen ushtarake të aleancës së NATO-s dhe miqve perëndimorë të shqiptarëve, çoi në çlirimin e trojeve dardane, duke dëbuar nga Kosova  forcat terroriste të ushtrisë dhe policisë serbe. Ka shumë për tu festuar, pasi  për 8 vjetë tani Kosova gëzon pavarësinë dhe është njohur mbi 100 shtete anë e mbanë botës.  Sido që ta merresh, kjo është një arritje historike dhe një fitore e lavdishme për kombin shqiptar.  Kjo luftë u ndërmor në një kohë kur popullit shqiptar të Kosovës po i rrezikohej vetë ekzistenca e tij në trojet e veta shekullore.  Lufta dhe diplomacia e Kosovës gjatë 30-viteve të fundit, lehtë mund të krahasohet me arritjet historike të kombit shqiptar, siç është Kuvendi i krerëve të të gjitha krahinave shqiptare nën udhëheqjen e  Gjergj Kastriotit Skendërbe në Lezhë të vitit 1444 dhe me Lidhjen e Prizrenit më 1878, ku përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, me në krye Abdyl Frashërin, u mblodhën aty në Prizren, në një çast historik për të shpëtuar tërësinë e tokave shqiptare.  Çlirimi dhe pavarësia e Kosovës është një periudhë që ashtu si edhe dy datat e mësipërme të luftërave historike, përgjithmonë do të pasurojë historinë e Shqiptarëve.

Për nga rëndësia historike, çlirimi i Kosovës nuk ishte aspak më pak i rëndësishëm se dy ngjarjet e lavdishme të lartë përmendura të historisë shqiptare, i rëndësishëm sepse, ndonëse pas luftërash të gjata shekullore për liri e pavarësi, lufta dhe çlirimi i Kosovës — 18-vjetori i së cilës po festohet këtë fund jave — më në fund çoi në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.  I tregoi botës se shqiptarët vetëm donin të udhëhiqnin veten, në liri dhe të pavarur në trojet e veta stërgjyshore, me qëllim për të qenë të bashkuar në një shtet të tyre.  I treguan botës se trojet shqiptare nuk ishin pa zot. Ishte një luftë dhe një qëndresë shekullore kundër pushtuesve sllavë për lirinë, për përparimin dhe për bashkimin e kombit shqiptar.  

Por, fatkeqsisht këto 25 vitet e fundit kanë treguar se nuk ka përparim as bashkim pa bashkimin e kokave të politikanëve.  Si rrjedhim, fatkeqësisht, ky përvjetor i kësaj epopeje po shënohet as në përparim as në bashkim e duhur, por në një atmosferë tepër të acaruar politike midis pozitës dhe opozitës dhe jo vetëm në nivele politike – një situatë kjo që sipas vrejtësve politikë të mbrendshëm dhe miqëve të jashtëm, është më e vështira ç’prej çlirimit të vendit.  Një aktualitet politik ky – i cili me grindjet dhe dhunën politike që mbartë, madje edhe në nivelet më të larta të  shtetit siç është parlamenti – ka krijuar një atmosferë, e cila nëqoftse vazhdon kështu, po e çon Kosovën drejtë një humnere me pasoja të pa parashikueshme, për veten dhe për rajonin.  Atmosfera aktuale politike e krijuar në mbarë trojet shqiptare në fillim të shekullit 21, që duhej të ishte qindvjetori i ri i Shqiptarëve është  këthyer me të vërtetë në një tragjedi mbarë-kombëtare. Për këtë situatë, përgjegjësinë kryesore e kanë vet shqiptarët, e sidomos klasa politike dhe partitë që i udhëheqin ata në këtë moment.

I vetdijshëm për gjëndjen aktuale të grindjeve dhe mosmarrveshjeve politike në Kosovë, përfaqësuesi i Familjes Jashari,  Z. Rifat Jashari, familje e cila ka sakrifikuar më shumë se çdo kushtjetër për lirinë e Kosovës,  paralajmëroi në mesazhin e tij me këtë rast,  politikanët shqiptarë dhe partitë që ata përfaqësojnë, që për të mirë të Kosovës dhe për hir të lirisë dhe pavarësisë së vendit së vendit për të cilën u derdhë aq shumë gjak, të gjithë të bashkëpunojnë me njëri tjetrin për një të ardhme më të mirë për Kosovën.  Ai u kujtoi të pranishëmve se në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, ishin mbledhur jo vetëm për të “për t’i kujtuar ata që sakrifikuan për ne dhe gjeneratat e reja” që vinë më pas, por theksoi se në nderim të dëshmorëve të rënë, të gjithë duhet të jenë vigjilentë dhe të bashkuar për arritje të reja.  Për këtë, shtoi ai,  “Ne duhet të jemi sy çelë, të punojmë dhe të veprojmë, të ruajmë gjakun e bijve dhe bijave tona. Ta çojmë amanetin ku ata dëshiruan. Nëse punojmë së bashku, çdo gjë do ta kalojmë më lehtë.  Ushtarë të nderuar, mua po më kënaqet zemra, kur po u shoh juve këtu para nesh, se dikur në këtë vend këtu, është rreshtuar dhe ka komanduar ushtria serbo-sllave e Beogradit”, është shprehur Rifat Jashari.

 

Me këtë rast, temën e bashkimit ose të mungesës së unitetit të aktorëve kryesorë të politikës, e theksoi edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duke thënë se kjo, “Është dita që simbolizon bashkimin e qytetarëve të Kosovës rreth një synimi të përbashkët për ndërtimin e një vendi të përparuar dhe demokratik”.  Është një ditë, theksoi ajo, në të cilën duhet të “Mendohet për të ardhmen e gjeneratave të reja duke lënë anash dallimet politike.” 

 

Foto nga VOA — Z. Rifat Jashari, përfaqësues i Familjes Jashari me udhëheqsit më të lartë të Kosovës gjatë manifestimit

 

Po, kush po mendon për të ardhmen e gjeneratave të reja, jo vetëm në këtë ditë në Kosovë por edhe në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.  Gjenerata e re po voton “me këmbë”, jo se po detyrohet të arratiset prej vendlindjes nga diktatura e një regjimi komunist ose nga politika terroriste shpërngulëse e diktatorit serb Millosheviç, por nga grindjet dhe shpesh nga dhuna politike që rezulton në mungesën e përspektivave për një jetë më të mirë, në liri dhe pavarsi për të gjithë.  Kjo gjëndje e tmershme e largimit të shqiptarëve nga trojet e veta është pasqyruar nga një raport i fundit i Eurostat-it ku Kosova dhe Shqipëria, radhiten në vendin e katërt dhe të pestë respektivisht, të vendeve me numrin më të madh të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian – pas vendeve që janë përshumë vite tani janë kaplluar nga një luftë shumë e egër, siç janë Siria, Afganistani dhe Iraku.   Në çfarë lufte gjënden sot Kosova dhe Shqipëria që po shkakton largimin e rreth 120-mijë shqiptarëve nga vendlindja, (nga Kosova 66,885 dhe nga Shqipëria 65,935 gjatë vitit 2015).  Këto shifra janë vetëm për ata shqiptarë që kërkojnë azil në Europë e jo për ata të shumtë që në mënyrë legale ose ilegale emigrojnë në Amerikë dhe në vende të tjera demokratike.  Janë grindjet politike dhe politika në vend numro e diskursit politik të pa kurrfarë përspektive dhe pa bashkim qëllimi ose mendimesh, arsyet që po shkaktojnë këtë largim në masë të shqiptarëve nga Kosova dhe nga Shqipëria.  Në mos e vetmja arsye, atëherë është një nga arsyet kryesore të arratisjes nga vendi i tyre.

 

Me rastin e manifestimit për të kujtuar përvjetorin e luftës në Kosovë, temën e bashkimit, ose mungesës së tij, në radhët e aktorëve kryesorë të politikës e theksoi edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duke thënë se “Sot është është dita që simbolizon bashkimin e qytetarëve të Kosovës rreth një synimi të përbashkët për ndërtimin e një vendi të përparuar dhe demokratik”.  Është një ditë, theksoi ajo, në të cilën duhet të “Mendohet për të ardhmen e gjeneratave të reja duke lënë anash dallimet politike.”  Kush po mendon për të ardhmen e gjeneratës së sotëme dhe të gjeneratave të ardhëshme të shqiptarëve për të ndërtuar një jetë më të mirë në trojet e veta?

 

Kjo është pyetja që klasa politike shqiptare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, por edhe në trojet shqiptare anë e mbanë Ballkanit, duhet t’ia bëjë vetes, dhe të gjejë përgjigjen e nevojshme, — sidomos në data historike, siç është kujtimi i përvjetorit të Epopesë të luftës në Kosovë dhe të kujtimit të flijimit të Familjes Jashari dhe të dëshmorëve të tjerë të vendit.  Në këtë periudhë historike, në fillim të shekullit 21, kombi shqiptar ka nevojë — jo për një revolucion, as për politikanë që janë më të interesuar të grumbullojnë pasuri për veten dhe të cilët mbrojnë interesat e veta politike e partiake mbi interesat e përbashkëta – por për një brez të ri politikanësh të cilët bashkpunojnë me njëri tjetrin, për të mirën e përbashkët. Ka nevojë urgjente për një brez të politikanësh që mbi të gjitha vlerësojnë dhe mbrojnë lirinë, dinjitetin, mirëqenjen dhe përkujdesjen materiale dhe pse jo edhe atë shpirtërore, të çdo shqiptari në trojet e veta.  Politikanët e mirëfilltë dhe patriotë, nderojnë dhe përkujtojnë dëshmorët, sidomos në përvjetorë të tillë, duke pasur parasyshë mirëqenjen e mbarë kombit dhe jo “sa për sy e faqe”.  Kombi shqiptar ka nevojë për një klasë politike, të vendosur dhe të bindur për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët, sepse doni s’doni, fati i një shqiptari kudo në trojet e veta, është fati i të gjithë shqiptarëve në mbarë hapësirën shqiptare në Ballkan.  Politika shqiptare ka nevojë për një brez të ri politikanësh me një krenari të lartë kombëtare,  të paisur me nder, besë e burrëni, veti këto që e kanë dalluar kombin gjatë gjithë historisë. 

 

 Rifat Jashari, si përfaqsues i një familje të flijuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, lëshoi kushtrimin e tij për bashkim ashtu si në kohën e Lidhjes së Prizrenit dhe të Besëlidhjes së Gjergj Kastriotit në Lezhë. Andaj, nëqofte kjo klasë politike me të vërtetë dëshiron të nderojë luftën çlirimtare dhe sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që kanë dhënë jetën për lirinë dhe për pavarsinë e Kosovës, lirinë që kjo klasë politike e gëzon sot, por nuk duket se e çmon.  Nder më të madh nuk do të kishte për kujtimin e dëshmorëve në këtë ditë dhe gjithmonë, se nëqoftse klasa e sotëme politike do të reflektonte seriozisht dhe t’i përgjigjej kushtrimit për bashkim të zëdhënësit të familjes Jashari,  Rifat Jasharit, i cili i paralajmëroi të gjithë se duhet  “Të jemi sy çel, ta ruajmë gjakun e bijve dhe bijave tona dhe ta çojmë deri në fund amanetin e të gjithë të rënëve për liri dhe pavarësi.  Nëse punojmë së bashku, çdo gjë do të kalojmë më lehtë”, ka thënë ai. 

 

Ishte kjo një thirrje me dhëmbje në zemër i zëdhënsit të Familjes Jashari për bashkpunim në radhët e politikës, në traditën më të mirë historike të burrave shqiptarë, kur kombi gjëndej përballë sfidave të mëdha – duke përcjelljur porositë e të gjithë dëshmorëve, ashtuqë amaneti i tyre të mos harrohet dhe që gjaku i tyre të mos tradhëtohet nga grindjet dhe mosmarrveshjet politike personale të këtij brezi politikanësh.

Filed Under: Analiza Tagged With: bashkohuni, FAMILJA JASHARI: ÇELNI SYTË, Frank shkreli

SHQIPTARËT DHE HOLIVUD-I

March 1, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të djelën që kaloi në Holivud të Los Angjelesit në Kaliforni u shpërndanë çmimet Oscar për të 88-in vit me radhë. Para se të shpërndaheshin çmimet, u përfol se komuniteti afrikano-amerikan do bojktonte ceremoninë e organizuar nga Akademia e çmimeve Oscars – megjithëse nuk u raportua ndonjë bojkot masiv – si përfundim se disa kritikë pretendonin se të nominuarit nga Akademia për çmimet Oscar, këtë vit, ishin të gjithë aktore dhe aktorë të bardhë, ndërkohë që në listën e të nominuarve mungonin aktorët afrikano-amerikanë. Si përfundim i këtyre ankesave, Akademia premtoi se do të ndërmarrë një seri masash, siç i quajti ajo, “historike”, në përpjekje për të mënjanuar akuza të tilla në të ardhmen.

Historike në ceremoninë e çmimeve Oscar të këtij viti ishte edhe pjesëmarrja e filmit Shok nga Kosova, film i cili ishte nominuar nga Akademia për Çmimin Oscar në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër. Është ky një film që pasqyron dramën njerëzore, pikërisht portretizon një pjesë të dramës shqiptare gjatë luftës në Kosovë, por që sipas regjisorit Jaime Donoghue të filmit Shok, i rëndësishëm është edhe mesazhi që përcjellë filmi, që sipas tij, “hedhë dritë edhe mbi ato që po ndodhin sot në botë”. Filmi zhvillohet bazuar në miqësinë e dy djemëve shqiptarë nga Kosova gjatë një periudhe të vështirë të luftës në fund të 1990-ave në atë vend, duke nënvijuar problemet dhe dhunën e forcave ushtarake dhe policore të regjimit serb me të cilën përballeshin dhe shqiptarët në përgjithësi, gjatë asaj kohe në Kosovë.

Nuk ka asnjë dyshim se vet nominimi i këtij filmi për çmimin Oscar është një sukses i madh për kinematografinë — pothuaj jo ekzistuese — të Kosovës dhe të Shqipërisë. Është ky një vlerësim prestigjioz ndërkombëtar, për të cilin të gjithë shpresojmë të jetë hapi i parë drejtë një zhvillimi dhe përparimi më të madh të kinematografisë shqiptare në përgjithësi, ashtuqë që ky vlerësim i Akademisë së çmimeve Oscar i filmit Shok — i realizuar nga ky grup i vogël protagonistësh shqiptarë — të shërbejë si një frymëzim për brezat e ardhëshëm të aktorëve shqiptarë si dhe për industrinë shqiptare të kinematografisë, në përgjithësi. Për këtë arritje ata meritojnë lavdërime dhe vlerësime nga të gjithë, ashtu siç edhe ndodhi. Ata duhet të konsiderohen si të parët në këtë fushë, të cilët hapën rrugën e aktorëve dhe aktoreve të ardhëshëm shqiptarë për të konkuruar në nivelet më të larta të krijimtarisë në fushën e kinematografisë botërore, e pse jo edhe në Holivud.

E them këtë edhe me një shpresë tjetër, se pjesëmarrja e shqiptarëve në konkurime dhe vlerësime të tilla të kinematografisë ndërkombëtare e posaçërisht në Holivud, është e rëndësishme edhe për një arsye tjetër – për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në fushën e filmave po se po, por edhe të imazhit kombëtar në përgjithësi. Është vështirë të gjëndet ndonjë film me subjekt shqiptar ose ndonjë film ku portretizohen shqiptarët nga Holivudi, që të mos i paraqesë ata në dritën më të keqe që është e mundur — si “çobanë dhishë” e deri tek filmi i kohëve të fundit Taken, në të cilin shqiptarët karakterizohen si “rrëmbyesë, përdhunues, trafikantë drogash dhe qenjesh njerëzore”. Nuk mund të thuhet se në këtë pikë Holivudi ka bërë ose bën diskriminim vetëm ndaj shqiptarëve, pasi historikisht pothuaj të gjitha grupet etnike janë portretizuar në filmat e Holivudit në dritën më të keqe që është e mundur. Madje, në filmat e Holivudit, fatkeqësisht edhe vet Amerika shpesh pasqyrohet në mënyrën më negative që është e mundur, gjë që bindë shikuesit e këtyre filmave anë e mbanë botës, se Amerika me të vërtetë është ashtu siç e portretizon Holivudi, gjë që nuk është e vërtetë. Fatbardhësisht, as tërësia e tipareve të shumicës së shqiptarëve nuk janë ashtu siç karakterizohen nganjëherë në disa filma të Holivudit.

Portretizimi i Amerikës, i shqiptarëve ose i ndonjë kombi tjetër në filmat e Holivudit, me siguri që shpeshëherë nuk janë në tërësi një pasqyrim i vlerave njerëzore dhe të karakteristikave të këtyre kombeve, cilat do qofshin ato. Kritikët e kanë akuzuar Holivudin se nëpërmjet industrisë së filmave ka promovuar vlera të cilat kryesisht nuk përputhen me vlerat amerikane dhe se cilësia e filmave që prodhohen sot ka rënë shumë. Ndërkohë që sipas tyre, mungesa e moralit në filma dhe e ashtuquajtura kulturë e Holivudit që shfaqet në ata filma po shkatërrojnë familjen, rrjetin e kulturës dhe të identitetin amerikan.

Prandaj, në këtë eufori që me të drejtë u shpreh nga të gjithë shqiptarët kudo ndaj vlerësimit që iu bë filmit shqiptar Shok nga Akademia Oscar, duhet të reflektojmë mbi të mirat dhe të këqiat që mund të vinë nga asocimi me Holivudin. Të marrim të mirat, e të lëmë të këqiat. Megjithëse filmi shqiptar Shok nuk mori çmimin kryesor në kategorinë e tij, mund të thuhet se ishte një natë historike plot pritje dhe entuziazëm në radhët e shqiptarëve kudo për radhitjen e filmit të parë nga Kosova, në një nivel aq të lartë të industrisë botërore të filmave. Por më habiti fakti kur pashë në tapetin e kuq dy aktorët e rinjë nga Kosova me një pamje që dukej ndryshe nga ato të mëparshmet: kishin ndrequr flokët, siç mund të shikoni në fotografinë më poshtë, në një stil afrikan, ose afrikano-amerikan: njëri e kaçurrela e tjetri me flokë të lidhur bishtalecë, alla afrikançe. Nuk e di se pse mund ta kenë bërë këtë ndryshim identiteti dhe kush mund t’i ketë shtyrë ata të bëjnë një gjë të tillë. Nëqoftse me stilin e flokëve “afro”, dëshironin të dërgonin ndonjë mesazh para botës, atëherë besoj se si për herë të parë që paraqitej Kosova ose shqiptarët në një ceremoni të tillë, duhej që të promovonin kulturën ose ndonjë karakteristikë shqiptare.

Nuk mund t’ia shpjegoj vetes se pse e kishin bërë një gjë të tillë, veçse ndoshta kishin ndërmend të protestonin mungesën e afrikano-amerikanëve në atë ceremoni. Por, nëqoftse kjo ishte arsyeja, kishte kush i mbron afro-amerikanët nga kjo “pa drejtësi”. Në të vërtetë, komediani afro-amerikan dhe drejtuesi i ceremonisë, Chris Rock dhe të tjerë pjesëmarrës nga podiumi kritikuan gjithë natën Akademinë, për mungesën e afrikano-amerikanëve në listën e të nominuarve.   Besoj se Akademia e çmimeve Oscar nuk kishte nevojë që të merrte ndonjë mesazh në lidhje me këtë nga dy aktorë të rinjë shqiptarë që ndodheshin aty për herë të parë nga Kosova, të cilët duke ndryshuar identitetin e tyre ndoshta u përpoqën të protestojnë mungesën e afrikano-amerikanëve në atë ceremoni. Besoj se ka kush i mbron afrikano-amerikanët.

Jo se duhej të dalloheshin në ndonjë mënyrë të veçantë nga pjesëmarrësit e tjerë në atë ceremoni, qoftë me veshje qoftë me stilin e flokëve, por nëse aktorët e rinjë nga Kosova kishin vendosur të bënin një gjë të tillë, atëherë më mirë të kishin promovuar diçka shqiptare, që t’i tregonin botës se ishin shqiptarë dhe përfaqsues të një kombi i cili gjithashtu ka vuajtur shumë gjatë historisë se tij, ashtu siç bënë me filmin e tyre. Por duket se ishin tepër të entuziazmuar dhe u ngutën, gjë që kuptohet. Protagonistët e filmit, në një mesazh-video kanë falënderuar mbështetsit e tyre duke thënë se me këtë rast, “Ishte me rëndësi që mbarë bota foli për Kosovën” dhe shprehen se, “Do kishim dashur të sillnim trofenë por shpresojmë që herën tjetër, ne të tre do e sjellim Oskarin në Kosovë”. Ashtu qoftë!

Të gjithë shqiptarët kudo ndjehemi krenarë për arritjet dhe për vlerësimin e filmit të këtyre aktorëve dhe njëkohësisht dëshirojmë që këta protagonistë shqiptarë të filmit Shok dhe të tjerë në të ardhmen të vazhdojnë të ekspozojnë para botës aftësitë krijuese të tyre në Holivud dhe gjetkë. Dëshirojmë gjithashtu që së shpjeti të shkoni përsëri në Holivudduke shënuar suksese të mëtejshme në fushën e kinematografisë shqiptare por si përfaqsues të kombit shqiptar edhepër të promovuar vlerat e mira të kombit si dhe identititetin shqiptar, para një bote që ende nuk e njeh ashtu si duhet.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, Shqiptaret dhe Hollivudi

PROTESTAT SI INDUSTRI, POR EDHE MË KEQ

February 23, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë trojeve shqiptare vetëm protesta e demonstrata, ndërsa populli shqiptar i mërzitur e plot me halle nuk sheh rrugëdalje, tjetër tani për tani, veç i dëshpëruar të marrë rrugat e gurbetit për një grimë paqë e për një copë bukë.  Kjo situatë e krijuar është sa e mjerueshme aq edhe e vajtueshme!  Është një situatë, që ende pas një çerek shekulli të shembjes së komunizmit dhe tetë vjetë pavarësi të Kosovës, shqiptarët nuk po gjejnë paqe as marrëveshje me njëri tjetrin, askund nepër trojet e veta, as në Shqipëri, as në Kosovë, as në Maqedoni dhe as në Mal të Zi.  Në Shqipëri opozita ka paralajmëruar, “betejë dhe bojkot”, dhe në Kosovë u njoftua se protestat do të zhvillohen, “natë e ditë”.   Është interesant fakti se kërkesat janë të njëjtat: rrëximi i qeverisë.E drejta e protestës dhe demonstratës është një drejtë e shenjtë në çdo vend demokratik dhe si e tillë duhet të mbrohet nga të gjithë ata që besojnë në liri dhe demokraci.  Ashtu duhet të jetë edhe në trojet shqiptare.  Por këto nuk janë demonstrata ose protesta nga grupe të ndryshme qytetarësh për ti bërë presion qevefrisë dhe politikës në përgjithsi e të cilët mund të kenë ankesa legjitime ndaj zhvillimit të politikave dhe jetës në përgjithësi, për të cilat është detyra e qeverisë dhe e opozitës për të bashkpunuar së bashku për zgjidhjen e tyre.  Këto janë demonstrata dhe protesta të organizuara nga parti politike dhe politikanë kundër njëri tjetrit e të cilat në sytë e popullit shikohen si përpjekje, jo për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por si një luftë për të siguruar karrige të përjetëshme në pushtet.  Në vend që politikanët e zgjedhur nga populli të ulen së bashku në tavolinë ose në parlament për të biseduar dhe për të zgjidhur problemet me të cilat përballet sot kombi shqiptar, ata me papërgjegjsi marrin rrogat e tyre të majme — në krahasim me taksa-paguesit e rregulltë — duke protestuar rrugëve.  Protestat dhe demonstratat e organizuara nga politika anë e mbanë trojeve shqiptare, si qëllim dhe mjet për të rrëxuar njëri tjetrin nga pushteti, janë këthyer në të vetmen industri që fatkeqsisht po përparon sot në Shqipëri dhe në Kosovë. Por kjo nuk është si gjithë industritë e tjera, pasi nga kjo “industri” nuk përfiton askush.  Mos harroni se si shkon Shqipëria, ashtu shkon edhe Kosova. Disa mund të thonë se dy situatat nuk janë të ngjashme për nga përmbajtja e kërkesave të protestuesve, por ato janë të njëjta për nga qëllimi – me qëllim ose pa qëllim, krijimi i kaosit në shoqërinë shqiptare si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, pasojat e të cilit nuk dihen. Kërkesat mund të jenë legjitime por duhet të ketë forume dhe rrugë të tjera për zgjidhjen e mosmarrveshjeve dhe të ndryshimeve në pikëpamje.  Nëqoftse nuk ka paqë, bashkpunim dhe marrveshje politike në Tiranë, ashtu do të ndodhë edhe në Prishtinë.  Për këtë, fajin e ka gjithë kjo klasë politike e sotëme dhe e djeshme, gjithandej dhe për këtë votuesi shqiptra duhet të mbajë këta përgjegjës.

Kush përfiton nga kjo gjëndje e krijuar, duhet ta pyesin veten politikanët shqiptarë! Nuk është e nevojshme që të lodhni trurin se kush përfiton nga zgjatja e kësaj sage historike. Nga pikëpamja historike, patriotët e vërtetë dhe ata që ia duan të mirën kombit të vet, duhet ta dinë se kush përfiton nga ujërat e turbullta në Ballkan, nga përçarjet dhe nga mosmarveshjet e vazhdueshme ndër-shqiptare, si rrjedhim i gjëndjes së krijuar. Kujdes trojet shqiptare, kujdes Ballkanin!  A është koincidencë kjo që protestat dhe bojkotet kanë ndezur flakë Tiranën dhe Prishtinën gjatë të njëjtës periudhë?

Është kjo një situatë që pikëspari pasqyron dështimin e qeverive qendrore dhe vendore për të mirë-qeverisur dhe të kësaj klase politike në përgjithësi për të bashkëpunuar me njëri tjetrin për gjetjen e zgjidhjeve më të mira ndaj sfidave politike dhe ekonomike përballë të cilave gjenden sot shqiptarët.  Është  njëkohësisht edhe një mos aftësi e grupeve opozitare për të ofruar zgjidhje të zbatueshme të problemeve në fusha të ndryshme të jetesës, qofshin ato në nivel kombëtar ose ndërkombëtar. Ekziston jë mungesë ideshë e propozimesh dhe një boshllek vlerash qytetare për të mos thënë burrënore dhe kombëtare për të dalur nga ky qorrsokak politik ku e kanë katandisur kombin shqiptar. Në vend të dialogut  dhe ideve të reja për zgjidhje serioze të problemeve, ofrohen protesta, demonstrata dhe bojkote, ndërkohë që as pozita nuk angazhon si duhet opozitën për ta bërë atë ortake dhe pjesëmarrëse të mirëfilltë në vendimet për fatin e kombit.  Kjo gjendje e sotme politike plot rrëmujë, pasqyron gjithashtu edhe një dështim të palejueshëm nga ana e votuesit shqiptar, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Zgjedhësit shqiptarë duhet të jenë të vetdijshëm dhe të ndërgjegjëshëm për përgjegjësitë e tyre për t’i mbajtur përgjegjës partitë dhe përfaqësuesit e tyre politikë në qeveri dhe në parlament, të cilët ata vet i kanë votuar duke u besuar atyre se — mbi të gjitha — gjatë mandatit të tyre ata do të kenë parasysh përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe që njëkohsisht do të mbrojnë dhe do të punojnë për miqëqenjen e tyre  në mbështetje të interesave të përbashkëta të vendit.   Nëqoftse sot duhet të ketë protesta dhe demonstrata, ato duhet të organizohen dhe të bëhen nga vet votuesit dhe qytetaria shqiptare kundër politikave të pozitës dhe opozitës, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Qytetari i thjeshtë ka më shumë arsye të dalë në rrugë për të protestuar situatën në të cilën gjëndet ai sot, se sa kanë politikanët.  Votuesi shqiptar duhet të theksojë hallet e veta dhe mos-zbatimin e premtimeve të politikanëve dhe partive që ata përfaqsojnë për zgjidhjen e tyre. Zgjedhësit shqiptarë – të punë e të pa punë — kanë më shumë arsye të dalin në rrugë se sa politikanët të cilët megjithëse nuk janë duke kryer detyrën dhe përgjegjësitë e veta të përcaktuara nga kushtetuta dhe në bazë të cilave janë zgjedhur, atyre rroga gjithnjë u vazhdon.

Por mbi të gjitha, qytetaria duhet të protestojë mos aftësitë, dështimin dhe mos vullnetin e kësaj klase politike për të bashkëpunuar me njëri tjetrin për zgjidhjen e problemeve të përditshme me të cilat përballet aktualisht shqiptari, sidomos me sfidat ekonomike dhe politike të dy vendeve.  Por, votuesit shqiptarë të të gjitha pikëpamjeve politike duhet të shfaqin njëherë e mirë mos aprovimin e tyre ndaj dështimit fatal të kësaj klase politike dhe të partive në pushtet dhe në opozitë, për të bashkërenduar politikat afat-shkurta dhe afatgjata, në mbështetje të realizimit të interesave madhore të kombit.  Të kërkojnë që në vend të demonstratave dhe protestave të pa mbarim,  klasa politika e sotme anë e mbanë trojeve shqiptare, të përcaktojë se cilat janë objektivat afat gjata dhe afat shkurta të interesit kombëtar dhe për përmirsimin e jetës së përditshme të sqhiptarëve.  Kjo është detyrë dhe e drejtë e çdo qytetari e një vendi të lirë, që të kërkojë nga politika përcaktimin e prioriteteve të vendit si dhe zbatimin e tyre bazuar në mendimin e shumicës.  Është e natyrshme dhe krejt normale pastaj që grupet dhe partitë politike të kenë qëndrime dhe pikëpamje të ndryshme, madje edhe të kundërta, për realizimin e tyre, ashtu siç ndodhë midis partive dhe politikanëve të ndryshëm në botën e përparuar demokratike.

Përballë kësaj situate të krijuar në trevat shqiptare, edhe miqtë e kombit shqiptarë kanë paralajmëruar se — po të vazhdojnë protestat, bojkotet dhe demonstratat ashtu siç është njoftuar të martën në Tiranë dhe në Prishtinë — ngërçi aktual politik po i çon shqiptarët në një qorrsokak me pasoja të pa parashikueshme.  Ka ardhur koha që të gjitha këto energji shkatërruese të përdoren më në fund për ndërtimin e jo për shkatrrimin e kombit shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, POR EDHE MË KEQ, PROTESTAT SI INDUSTRI

AT ANTON HARAPI: “T’a bajmë monumentin kombëtar – Bashkimin e Shqiptarëve.”

February 18, 2016 by dgreca

(70-vjetori i pushkatimit të At Anton Harapit(1946) dhe 100-vjetori i rënjes së Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit, 1915)

Nga Frank Shkreli/

Shkurti shënon 70-vjetorin e pushkatimit nga regjimi komunist të At Anton Harapit, njërit prej atdhetarëve dhe dijetarëve më të dalluar të kombit shqiptar.  70-vjetë më parë, At Anton Harapi dënohet me pushkatim nga “gjyqi i popullit”, si “armik” dhe “tradhëtar”, trupi i vdekur i të cilit u hodh diku në afërsi të Tiranës, ndërkohë që as pas 70-vjetësh nuk i dihet as varri i tij.  Hapni dosjet! Ashtuqë në këtë 70-vjetor të pushkatimit të këtij personaliteti të shquar të kombit, të zbulohet se ku është varrosur, jo vetëm Anton Harapi, por edhe patriotë të tjerë të kombit, eshtërave të të cilëve u janë humbur gjurmët nga regjimi komunist. Të zbulohet varri i tij dhe varret e shënjta të të gjithë atyre që u pushkatuan nga regjimi enverist i nxitur, për zhdukjen e patriotëve dhe intelektualëve më të dalluar të kombit shqiptar, nga sllavo-komunistët armiqët historikë të shqiptarëve.  Ishte amaneti i tij që, “Eshtënët e mi në tokën e Parëvet të jenë testamendi em.”  Por, ai nuk dinte se, për regjimin komunist nuk mjaftonte që ai si kundërshtar tij të pushkatohej, por duhej që edhe eshtërat t’i treteshin.

At Anton Harapit i kishte falë Perendia shumë dhunti morale dhe talente të shumëta në fusha të ndryshme që e dallonin atë. Ndër të tjera, ai njihej edhe si orator i spikatur jo vetëm në Shkodër por edhe anë e mbanë Shqipërisë.

Ishte viti 1915 kur ushtria malazeze kaloi kufirin dhe pushtoi Shkodrën. Ushtria sllavo-malazeze u detyrua të zhvillonte luftime me malësorët shqiptarë. Ndër të tjerë, atyre iu ishin bashkuar në mbrojtje të trojeve shqiptare nga pushtuesit serbo-malazez edhe patriotët e kombit, Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli.  Pushtuesit sllavë organizuan menjëherë vrasjet, ndjekjet dhe internimet kundër patriotëve shqiptarë, duke vrarë, Isa Boletinin, Ded Gjo Lulin, Mehmet Shpendin, por edhe Çerçiz Topullin e Mustafa Qullin, të cilët thuhet se kishin shkuar në Shkodër për t’iu bashkuar lëvizjes për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimi sllav.  Për një periudhë prej 20-vjetësh thuhet se eshtërat e Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit nuk kishin varrë të tyre në fshatin Shtoj të Shkodrës, por zbulohen në vitin 1936. Eshtrat e dy dëshmorve dërgohen në Gjirokastër, por jo më parë se Shkodra tu jepte këtyre patriotëve një lamtumirë madhështore dhe me fjalime prekëse nga ndër të tjerë, edhe At Anton Harapi.  Fjalimi i At Anton Harapit para mijëra qytetarëve të Shkodrës me rastin e përcjelljes së eshtërave të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit për në vendilindje më 1936, është cilësuar si një fjalim klasik, i pa krahasueshëm me ndonjë tjetër në historinë e oratorisë shqiptare.  Në kujtim të 100-vjetorit të rënjes së dëshmorëve Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli, vrarë nga forcat serbo-malazeze (1915) dhe duke shënuar 70-vjetorin e pushkatimit të At Anton Harapit shkurtin e vitit 1946 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ia vlenë të kujtohemi se çfarë burrash dhe çfarë  atdhetarësh kishte dikurë kombi shqiptar.

Fjalimi i At Anton Harapti në ceremoninë e përcjelljes së eshtërave të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit nga Shkodra në vendlindjen e tyre:

 “DY LOTË E NJË BETIM

Ndalnju! Ku veni, o burra ?!…
Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të ndaheni.
Doni t’a leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari patë t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shëndoshë, gëzueshem e rritet shtatin, atje prej kah Shqipnija u qiti edhe u ndriti !
Le të lëvdohen po, për ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grimë ma pak s’do të gezohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët për atdhe.

Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrëshme, por ju tashma, nuk jeni njerëz të zakonshem, nuk jeni çfardo shqiptarësh, jeni kreshnikë, jeni burrat shqipëtarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të tillë sot me gëzim u përcjell Shkodra, lama e nana e kreshnikisë s’uej .
Jo, nuk u lëshon ju Shkodër lokja, ambël pa u puthun në të dyja faqet, thekshëm pa u lëmuem të dy krahët, permallshem pa u derdhun dy pika lotesh, lote gezimi e pikllimi, mbi eshtënt t’uej.
Eshtën të pamort, u falem ! Të pavdekshëm, po, pse ndër veme t’ueja rueni një visar të çmueshëm, njat ide e cila e patrandun do të jesë ndër ne deri sa të jetë Shqipnija.
E udha e mbarë u qoftë !
Veç, o burra, që vdekun, flitni ; të mbetun, ngjalleni; të hupun, sot ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqipnisë, dhe, lëshonje një za, at zanin t’uej kumbues si të luajvet, diftoni djelmënisë shqiptare shka ua ushqeu idealin, shka u a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshem.
Diftoni, po, se ka e do të ketë Shqipni deri sa të kemi e të mbajmë nji Zot mbi vehte; ka, po, Shqipni deri sa të dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipni derisa gjaku i juej i kërthnesët e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të Shqiptarvet, deri që në Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen themeluesat e atdheut.
Kemi pse te jemi e të mbahemi Shqiptarë, deri sa të shënjta të ruhen besë e burrni.
Me të tanë fuqinë t’uej vigane m’i a bani një urim Shqipnisë; m’i ndillni të mbarë e perparim, pagjë e ngadhnim.

 Por dhe nje namë, si rrufeja, m’i a lëshoni kulshedres së re, rrymvet dërrmuese, që po e brejnë jetën shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na shkatërrojnë: lëvdohen për dashuni, e na qesin mëninë e fitmen, duen te na mesojnë e po na zhburrnojnë.

 Heu! Ata mos qofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilët duen t’i lanë Shqiptarët pa besë ndër vehte, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familja e historia.
Nuk po u pyes kush jeni e kah po veni. Kudo shkojshi, të bardhë qofshi ; ku ndejshi, flori ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, vdekja e juej më dishmon se ku dueni. Nuk me duhet gja kush u vrau, por knaqëm, kah marr me mend atë per shka ju ratë preja e dorës mizore. Nuk marr parasysh ç’ krahine ishit e ç’ besim patët, më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dejt t’uej gjaku shqiptar.

Ju mësytë Shkodrën për strehe atdhetarije, për lamë veprimi, për strofull sigurie. Edhe Shkodra me kënaqësi iu priti e iu dha nderimin që ju përkitte: pa ndryshim ju rreshtoi nder fatosat e vet, ndër të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë Gjo’ Lulë e tjerë sokola.

Eh, moj Shkodër, moj mizore ! Si s’u ngine ma njiherë me gjak ? Deri kur ma do të m’i a këndojsh kangën vdekjes e shemtimit?
Shka asht në ty, që dukesh si të ngadhnojshesh ma fort mbi vdekje se sa në jetë, si të gezojshesh ma fort për të mbetun se për të gjallë? Me shka ma mund do të shuhet ajo etja e jote, që tashma sot të rreshkë e të përvlon?…

Ti, mizore njimend, por fatose, pse sikurse në djep t’and përkunde burrat e maleve, ashtu në prehën t’and mblodhe, ne votren t’ande rreshtove kreshniket e kombit. Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpëtimin; në therori, fitimin; në burrni, forcën. Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate gjithmone për piri.
Zotnijë të ndritshëm ! Nuk due t’u ndali ma. Keni udhë të gjatë. Mirrni kto visare të çmueshme, e shkoni. Por para se të niseni, ejani këtu, e mbi këta eshtën, shëmbull ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijme dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhemdanë e të krishtenë, e me besën e burravet, me besën Shqiptare, të lidhemi per t’i a mbajtë Shqiptarit të pa prekun një Zot të vertetë, një atdhe të lumtun, për të bamë Shqipninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skenderbeun.

T’i diftojmë, po, botës, se Shqiptaret janë njimend burra; se mund te jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtenë, e njiheri Shqiptarë të njimendët.
Zoti i vërtetë e Atdheu le të na bashkojnë, Zoti e Atdheu të na mbajnë;
Me Zot e me Atdhe të lumnojmë ! “   
 (Teksti i fjalimit ishte botuar në revistën e françeskanëve shqiptarë, ” Hylli i Drites”, Shkoder 1936.)
At Anton Harapi nuk ishte as “tradhëtar” as “armik i popullit” dhe as një “Klerik që shiti atdheun”, siç e akuzonte jo vetëm regjimi anti-kombëtar i Enver Hoxhës, por edhe apologjetët e tij edhe sot e kësaj dite — por ishte dhe mbetet një atdhetar i cili me besimin në Zotin dhe me dashurinë për kombin e vet, edhe sot në këtë 70-vjetor të pushkatimit të tij, i fton Shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre aktual – duke u bërë thirrje, ashtu siç u kërkoi shqiptarëve të kohës së tij në fjalimin që mbajti si anëtar i parlamentit shqiptar në vitin 1944:   “T’a bajmë monumentin kombëtar – Bashkimin e Shqiptarëve.”

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: At Anton Harapi, bashkimi i shqiptareve, Frank shkreli, Monumenti Kombetar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 117
  • 118
  • 119
  • 120
  • 121
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT