• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT DHE HOLIVUD-I

March 1, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të djelën që kaloi në Holivud të Los Angjelesit në Kaliforni u shpërndanë çmimet Oscar për të 88-in vit me radhë. Para se të shpërndaheshin çmimet, u përfol se komuniteti afrikano-amerikan do bojktonte ceremoninë e organizuar nga Akademia e çmimeve Oscars – megjithëse nuk u raportua ndonjë bojkot masiv – si përfundim se disa kritikë pretendonin se të nominuarit nga Akademia për çmimet Oscar, këtë vit, ishin të gjithë aktore dhe aktorë të bardhë, ndërkohë që në listën e të nominuarve mungonin aktorët afrikano-amerikanë. Si përfundim i këtyre ankesave, Akademia premtoi se do të ndërmarrë një seri masash, siç i quajti ajo, “historike”, në përpjekje për të mënjanuar akuza të tilla në të ardhmen.

Historike në ceremoninë e çmimeve Oscar të këtij viti ishte edhe pjesëmarrja e filmit Shok nga Kosova, film i cili ishte nominuar nga Akademia për Çmimin Oscar në kategorinë e filmave me metrazh të shkurtër. Është ky një film që pasqyron dramën njerëzore, pikërisht portretizon një pjesë të dramës shqiptare gjatë luftës në Kosovë, por që sipas regjisorit Jaime Donoghue të filmit Shok, i rëndësishëm është edhe mesazhi që përcjellë filmi, që sipas tij, “hedhë dritë edhe mbi ato që po ndodhin sot në botë”. Filmi zhvillohet bazuar në miqësinë e dy djemëve shqiptarë nga Kosova gjatë një periudhe të vështirë të luftës në fund të 1990-ave në atë vend, duke nënvijuar problemet dhe dhunën e forcave ushtarake dhe policore të regjimit serb me të cilën përballeshin dhe shqiptarët në përgjithësi, gjatë asaj kohe në Kosovë.

Nuk ka asnjë dyshim se vet nominimi i këtij filmi për çmimin Oscar është një sukses i madh për kinematografinë — pothuaj jo ekzistuese — të Kosovës dhe të Shqipërisë. Është ky një vlerësim prestigjioz ndërkombëtar, për të cilin të gjithë shpresojmë të jetë hapi i parë drejtë një zhvillimi dhe përparimi më të madh të kinematografisë shqiptare në përgjithësi, ashtuqë që ky vlerësim i Akademisë së çmimeve Oscar i filmit Shok — i realizuar nga ky grup i vogël protagonistësh shqiptarë — të shërbejë si një frymëzim për brezat e ardhëshëm të aktorëve shqiptarë si dhe për industrinë shqiptare të kinematografisë, në përgjithësi. Për këtë arritje ata meritojnë lavdërime dhe vlerësime nga të gjithë, ashtu siç edhe ndodhi. Ata duhet të konsiderohen si të parët në këtë fushë, të cilët hapën rrugën e aktorëve dhe aktoreve të ardhëshëm shqiptarë për të konkuruar në nivelet më të larta të krijimtarisë në fushën e kinematografisë botërore, e pse jo edhe në Holivud.

E them këtë edhe me një shpresë tjetër, se pjesëmarrja e shqiptarëve në konkurime dhe vlerësime të tilla të kinematografisë ndërkombëtare e posaçërisht në Holivud, është e rëndësishme edhe për një arsye tjetër – për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në fushën e filmave po se po, por edhe të imazhit kombëtar në përgjithësi. Është vështirë të gjëndet ndonjë film me subjekt shqiptar ose ndonjë film ku portretizohen shqiptarët nga Holivudi, që të mos i paraqesë ata në dritën më të keqe që është e mundur — si “çobanë dhishë” e deri tek filmi i kohëve të fundit Taken, në të cilin shqiptarët karakterizohen si “rrëmbyesë, përdhunues, trafikantë drogash dhe qenjesh njerëzore”. Nuk mund të thuhet se në këtë pikë Holivudi ka bërë ose bën diskriminim vetëm ndaj shqiptarëve, pasi historikisht pothuaj të gjitha grupet etnike janë portretizuar në filmat e Holivudit në dritën më të keqe që është e mundur. Madje, në filmat e Holivudit, fatkeqësisht edhe vet Amerika shpesh pasqyrohet në mënyrën më negative që është e mundur, gjë që bindë shikuesit e këtyre filmave anë e mbanë botës, se Amerika me të vërtetë është ashtu siç e portretizon Holivudi, gjë që nuk është e vërtetë. Fatbardhësisht, as tërësia e tipareve të shumicës së shqiptarëve nuk janë ashtu siç karakterizohen nganjëherë në disa filma të Holivudit.

Portretizimi i Amerikës, i shqiptarëve ose i ndonjë kombi tjetër në filmat e Holivudit, me siguri që shpeshëherë nuk janë në tërësi një pasqyrim i vlerave njerëzore dhe të karakteristikave të këtyre kombeve, cilat do qofshin ato. Kritikët e kanë akuzuar Holivudin se nëpërmjet industrisë së filmave ka promovuar vlera të cilat kryesisht nuk përputhen me vlerat amerikane dhe se cilësia e filmave që prodhohen sot ka rënë shumë. Ndërkohë që sipas tyre, mungesa e moralit në filma dhe e ashtuquajtura kulturë e Holivudit që shfaqet në ata filma po shkatërrojnë familjen, rrjetin e kulturës dhe të identitetin amerikan.

Prandaj, në këtë eufori që me të drejtë u shpreh nga të gjithë shqiptarët kudo ndaj vlerësimit që iu bë filmit shqiptar Shok nga Akademia Oscar, duhet të reflektojmë mbi të mirat dhe të këqiat që mund të vinë nga asocimi me Holivudin. Të marrim të mirat, e të lëmë të këqiat. Megjithëse filmi shqiptar Shok nuk mori çmimin kryesor në kategorinë e tij, mund të thuhet se ishte një natë historike plot pritje dhe entuziazëm në radhët e shqiptarëve kudo për radhitjen e filmit të parë nga Kosova, në një nivel aq të lartë të industrisë botërore të filmave. Por më habiti fakti kur pashë në tapetin e kuq dy aktorët e rinjë nga Kosova me një pamje që dukej ndryshe nga ato të mëparshmet: kishin ndrequr flokët, siç mund të shikoni në fotografinë më poshtë, në një stil afrikan, ose afrikano-amerikan: njëri e kaçurrela e tjetri me flokë të lidhur bishtalecë, alla afrikançe. Nuk e di se pse mund ta kenë bërë këtë ndryshim identiteti dhe kush mund t’i ketë shtyrë ata të bëjnë një gjë të tillë. Nëqoftse me stilin e flokëve “afro”, dëshironin të dërgonin ndonjë mesazh para botës, atëherë besoj se si për herë të parë që paraqitej Kosova ose shqiptarët në një ceremoni të tillë, duhej që të promovonin kulturën ose ndonjë karakteristikë shqiptare.

Nuk mund t’ia shpjegoj vetes se pse e kishin bërë një gjë të tillë, veçse ndoshta kishin ndërmend të protestonin mungesën e afrikano-amerikanëve në atë ceremoni. Por, nëqoftse kjo ishte arsyeja, kishte kush i mbron afro-amerikanët nga kjo “pa drejtësi”. Në të vërtetë, komediani afro-amerikan dhe drejtuesi i ceremonisë, Chris Rock dhe të tjerë pjesëmarrës nga podiumi kritikuan gjithë natën Akademinë, për mungesën e afrikano-amerikanëve në listën e të nominuarve.   Besoj se Akademia e çmimeve Oscar nuk kishte nevojë që të merrte ndonjë mesazh në lidhje me këtë nga dy aktorë të rinjë shqiptarë që ndodheshin aty për herë të parë nga Kosova, të cilët duke ndryshuar identitetin e tyre ndoshta u përpoqën të protestojnë mungesën e afrikano-amerikanëve në atë ceremoni. Besoj se ka kush i mbron afrikano-amerikanët.

Jo se duhej të dalloheshin në ndonjë mënyrë të veçantë nga pjesëmarrësit e tjerë në atë ceremoni, qoftë me veshje qoftë me stilin e flokëve, por nëse aktorët e rinjë nga Kosova kishin vendosur të bënin një gjë të tillë, atëherë më mirë të kishin promovuar diçka shqiptare, që t’i tregonin botës se ishin shqiptarë dhe përfaqsues të një kombi i cili gjithashtu ka vuajtur shumë gjatë historisë se tij, ashtu siç bënë me filmin e tyre. Por duket se ishin tepër të entuziazmuar dhe u ngutën, gjë që kuptohet. Protagonistët e filmit, në një mesazh-video kanë falënderuar mbështetsit e tyre duke thënë se me këtë rast, “Ishte me rëndësi që mbarë bota foli për Kosovën” dhe shprehen se, “Do kishim dashur të sillnim trofenë por shpresojmë që herën tjetër, ne të tre do e sjellim Oskarin në Kosovë”. Ashtu qoftë!

Të gjithë shqiptarët kudo ndjehemi krenarë për arritjet dhe për vlerësimin e filmit të këtyre aktorëve dhe njëkohësisht dëshirojmë që këta protagonistë shqiptarë të filmit Shok dhe të tjerë në të ardhmen të vazhdojnë të ekspozojnë para botës aftësitë krijuese të tyre në Holivud dhe gjetkë. Dëshirojmë gjithashtu që së shpjeti të shkoni përsëri në Holivudduke shënuar suksese të mëtejshme në fushën e kinematografisë shqiptare por si përfaqsues të kombit shqiptar edhepër të promovuar vlerat e mira të kombit si dhe identititetin shqiptar, para një bote që ende nuk e njeh ashtu si duhet.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli, Shqiptaret dhe Hollivudi

Artikujt e fundit

  • “Dialogu Kosovë–Serbi”, një interpretim politik
  • At Zef Valentini, ndër emrat më të ndritur të albanologjisë dhe historiografisë shqiptare
  • QË DRITA E DITURISË PËRPARA TË NA SHPJERË…
  • Në 44 vjetorin e rënies se Tahir e Nebih Mehës
  • Çfarë përmban projektligji i madh i Trump? Triliona në ulje taksash, ndryshime në Medicaid…
  • Në Philadelphia u organizua panairi shqiptar
  • “Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës”
  • 63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH
  • Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE: “Së bashku në rendin e ri botëror”
  • “Le të ulërijmë”
  • SHËNIMI NDËRKOMBËTAR I 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË MAUTHAUSENIT
  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT