• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HUMBI ZGJEDHJET, POR DOLI FITUES

June 25, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të dielën që kaloi në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet vendore anë e mbanë vendit, por ajo që tërhoqi vëmendjen më të madhe ishte natyrisht konkurenca për Bashkinë e Tiranës midis kandidatit të Partisë Demokratike, Dr. Halim Kosova dhe rivalit të tij socialist, Z. Erion Veliaj. Pas një fushate agresive progandistike në ekran dhe mbështetjes së fortë nga partia e tij — gjë që i mungonte kandidatit demokrat Dr. Halim Kosova — kandidati i Partisë Socialiste shënoi një fitore dërmuese në kryeqytetin shqiptar.

Por, ajo që më bëri përshtypje duke e ndjekur fushatën nga larg, është fakti se Dr. Halim Kosova ishte një kandidat ndryshe nga ç’kemi parë në Shqipëri këto 25-vitet e fundit.  Duke pranuar humbjen, ai falenderoi përzemërsisht qytetarët e kryeqytetit, siç u shpreh ai, “pa asnjë dallim partiak, veçanërisht ata që votuan me besim në platformën time që kishte themel punën dhe dinjitetin, punë jo fjalë”, për mbështetjen që i dhanë atij dhe platformës së tij. Njëkohësisht ai uroi kundërshtarin e tij për fitoren në postin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ishte kjo një shfaqje qytetërimi politik dhe njerëzor ndaj një kundërshtari politik, që i ka munguar dhe vazhdon t’i mungojë politikës shqiptare të 25-viteve të fundit.  Fenomeni tjetër pozitiv i fushatës së tij ishte se si një kandidat i cili nuk konsiderohet si politikan i karierës, në vend që të zhvillonte fushatën nga studiot e freskëta të televizionit, “Unë zgjodha kontaktin me qytetarin dhe jo fushatën e luksit në ekran”, tha Dr. Kosova në fjalën e tij pas humbjes së zgjedhjeve për kryebashkiakun e Tiranës.

Ndonëse Dr. Kosova i humbi zgjedhjet për kryetar bashkie në Tiranë, ai duhet ta ndjejë veten krenar sepse me kulturën e tij politike që tregoi gjatë kësaj fushate, ai mund të ketë sjellur një frymë të re në zhvillimin e fushatave politike në vend si dhe një shembull për tu ndjekur në të ardhmen, sidomos në relacionet midis humbësit dhe fituesit në zgjedhje, gjë që deri tani ka munguar — në nivel vendor dhe kombëtar.   Madje edhe rivali i tij politik, Z. Veliaj vlerësoi zhvillimin e fushatës duke i njohur meritën Dr. Kosovës, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, siç tha ai, “Kundërshtarit tonë, Dr. Halim Kosovës, i cili meriton respektin tonë, për përpjekjet që bëri për tu ndarë nga linja zyrtare e partisë së tij me kulturën e shpifjes, përgojimeve e goditjeve nën brez që e helmojnë politikën tonë.”

Kjo është gjysma e së vërtetës, sepse po të ishte i sinqert Z. Veliaj do ta pranonte se edhe partia e tij ka ndjekur të njëjtën kulturë politike, duke u  angazhuar në të njëjtat “shpifje, përgojime e goditje nën brez që e helmojnë politikën tonë”, për të cilat ai akuzon partinë rivale në opozitë.  Atmosfera dhe kultura politike që  mbizotëron në Shqipëri është “meritë” e të dy partive kryesore të Shqipërisë. Por në të vërtetë, qe Dr. Halim Kosova ai i cili me fushatën e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës u përpoq ta ndryshonte këtë kulturë politike dhe atmosferë shpifjesh e akuzash politike dhe personale, me vend e pa vend.

Është pozitiv fakti se Dr. Kosova u premtoi tiranasve se do të mbetet i angazhuar  në shërbim të interesave të tyre, edhe në të ardhmen.  Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë për udhëheqës të cilët vendosin interesat e qytetarit dhe të vendit mbi interesat politike, partiake, personale dhe financiare.   Mbi të gjitha, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një politikë të qytetëruar për ta nxjerrur vendin nga moçalet politike të Ballkanit ku ka mbetur tash një çerek shekulli.  Kandidatura e Dr. Halim Kosovës, ndonëse humbi në zgjedhjet vendore, mund të shënojë fillimin e diçkaje ndryshe.

Erion Veliaj është fitues i zgjedhjeve për kryebashkiak të Tiranës, por Dr. Halim Kosova, me fushatën e tij tregoi se ai ishte i interesuar në diçka më tepër se në postin e Kryebashkiakut të Tiranës. Se, siç ka thënë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Uashingtoni në inaugurimin e tij si president i kombit të ri amerikan, ai ishte për “një angazhim të ri për të realizuar premtimet e kombit nepërmjet qytetërimit politik, guximit, mëshirës dhe karakterit moral.”  Dr. Kosova u përpoq të tregonte respekt për të gjithë qytetarët e Tiranës pa dallim partiak ose dallime të tjera,  duke i konsideruar rregullat e fushatës dhe të qytetërimit politik, njëkohsisht edhe si rregulla të moralit.  Mungesa e qytetërimit civil e politik në një shoqëri, ka thënë një ekspert amerikan,  simbolizon jo vetëm një krizë politike, por për më tepër pasqyron një mungesë më të madhe morale shoqërore.

Në një shkrim disa vite më parë mbi nevojën për një politikë më të qytetëruar zhvillimet politike dhe në fushata elektorale nënvijohet ato që cilësohen si qytetërim ose sjelljet të mira politike, për të cilat në anglisht përdoret fraza, “political civility” dhe në frëngjisht përdoret fjala, “civilite” e që e ka të njëjtën rrënjë etimologjike me fjalët “qytetërim”, ose i “qytetruar”, e që me fjalë të tjera nënkupton  një grup njerëzish të shtëpisë, ose pjesëtarë të një familjeje.  Normalisht, në jetën e çdo familjeje ka disa rregulla që mundësojnë anëtaret e familjes të jetojnë në paqë e harmoni me njëri tjetrin.   Edhe në sistemin dhe jetën politike të çdo vendi, ekzistojnë disa rregulla të qytetërimit politik që, nëqoftse zbatohen, duhet të bëjnë të mundur të jetuarit në paqë me dhe në respekt për njëri tjetrin, si dhe duke treguar tolerancë për mendimet e ndryshme të njeri tjetrit, qofshin ata edhe kundërshtarë politikë dhe sidomos për rivalët politikë.   Ashtu siç ka përgjegjësi çdo anëtar i familjes për mirëvajtjen e familjes së vet në terësi, në të njëjtën kohë, secili prej nesh si pjesëtarë të shoqërisë ku jetojmë, kemi përgjegjësi dhe obligime jo vetem karshi njëri tjetërit, por edhe ndaj shoqërisë, kombit dhe shtetit ku jetojmë. Kjo vlenë sidomos për klaësn politike.

Xhim Liç, një ish-kongresmen republikan i cili ka shërbyer 30 vjetë ne Kongresin amerikan, thotë në një artikull mbi këtë subjekt se, “qytetërimi politik nuk ka të bëjë vetëm me sjellje të mira dhe nuk do të thotë se debatet e ashpëra duhet të shmangen.  Përkundrazi, ajo që nevojitë qytetërimi politik është gatishmëria nga ana e një individi ose grupi individësh, për të dëgjuar me respekt pikëpamjet dhe qendrimet e të tjerëve, duke qenë të vetdijshëm se të gjithë ne jemi të lidhur dhe varemi nga njëri tjetri”, pa marrë parasyshë dallimet ose ndryshimet në pikëpamje.   Ky siç duket ishte edhe mesazhi i fushatës që zhvilloi Dr. Kosova, por fatkeqsisht ishte një zë që nuk u dëgjua nga elektorati. Ishte një zë që u duk se mund të ishte një fillim të ri në diskursin politik shqiptar jo vetëm gjatë fushatës por edhe në jetën demokratike në përgjithësi, duke lënë pas armiqsitë politike të së kaluarës dhe frustrimet e shumëta të popullit me proceset politike në vend.  Procese këto që gjatë viteve kanë përfunduar vetëm në fortifikimin e mëtejshëm të dy kampeve politike të vendit, të cilat suksesin e kërkojnë në debate dhe argumente për të poshtëruar kundërshtarin dhe jo në gjetjen e zgjidhjeve të problemeve me të cilat përballen Tirana dhe e mbarë Shqipëria.  Është pjesë e demokracisë dhe është krejt normale që udhëheqsit politikë dhe votuesit të kenë mendime të kundërta me njëri tjetrin përsa u përket kandidatëve dhe partive, por këto mosmarrveshje zgjidhen më në fund  me anë të votës së lirë.

Zgjedhsit e kryqytetit e kanë thënë fjalën e tyre.  Mbetet për tu pa nëse kandidati dhe partia që fitoi Bashkinë e Tiranës kanë seriozitetin e duhur dhe kurajon e nevojshme për të ndjekur shembullin që tregoi Dr. Kosova gjatë fushatës elektorale, për tu angazhuar për një bashkpunim me të gjithë pa dallim politik ose partiak, për të mirën dhe në favor të interesave të përbashkëta madhore të qytetarëve të kryeqytetit shqiptar dhe të mbarë kombit.

Dr. Halim Kosova zhvilloi një fushatë politike ndryshe nga e kaluara dhe ndryshe nga shumë kandidatë të tjerë në zgjedhjet e fundit dhe më parë.  Ai dha shembull duke evituar debatet e ligshta politike dhe duke mos ra në kurthën e sulmeve të dobëta personale ndaj kundërshtarit dhe partisë së tij, sulme të cilat janë bërë tani pjesë e debatit të përditëshëm politik .  Dr Halim Kosova humbi zgjedhjet, por jo reputacionin që gëzon si mjek dhe si indidvid dhe tani edhe si politikan.  Si i tillë, ai doli fitues!   Xhorxh Uashingtoni ka thënë, “Bën shoqëri me burra me cilësi të mira nëqoftse vlerëson reputacionin tënd, sepse është më mirë të jeshë vetëm se sa të jeshë në shoqëri të keqe” politike.  Edhe për Dr. Kosovën, humbja në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës të djelën që kaloi duhet të jetë më e lehtë se humbja e reputacionit të tij dhe besoj se e ndjenë veten se është më mirë të jetë vetëm, se sa në një shoqëri të keqe politike.  Dr. Halim Kosova kishte thënë gjatë fushatës elektorale se po të fitonte postin e kryebashkiakut ai do të bashkpunonte me Kryeministrin Rama. Pa marrë parasyshë meritat ose jo të qeverisë Rama, besoj se ishte hera e parë që një politikan shqiptar i periudhës post komuniste të ketë deklaruar një gjë të tillë për bashkpunim me një kundërshtar politik.  Fushata e Dr. Halim Kosovës vlerësohet në përgjithësi se shënoi një hap të ri përpara në diskursin midis kundërshtarëve politikë në Shqipëri. Si i tillë, megjithë humbjen në zgjedhjet e së dielës që kaloi për Bashkinë e Tiranës, Dr. Kosova doli fitues me kontributin e tij ndaj një diskursi më të qytetëruar politik midis palëve rivale,  për të cilin ka aq nevojë Shqipëria.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Halim Kosova, HUMBI ZGJEDHJET, POR DOLI FITUES

PËRPARËSITË E POLITIKËS SË JASHTËME AMERIKANE NDAJ BALLKAN

June 17, 2015 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Administrata e Presidentit Obama i ka paraqitur Kongresit prioritetet dhe planet e politikës së jashtëme amerikane karshi Europës dhe Euroazisë, prëfshirë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, për vitin e ardhëshëm financiar. Kërkesa e Administratës së Presidentit Obama për buxhetin e vitit 2016 për këtë rajon është $953.3 millionë dollarë. Është ky një ritual që bëhet çdo vit, pasi Kongresi, sipas kushtetutës, duhet të miratojë buxhetin për financimin e shpenzimeve për realizimin e prioriteteve të politikës së jashtëme amerikane për zona të ndryshme gjeografike të botës. Ndonëse ky është vetëm fillimi i procesit dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë si përfundim i ngjarjeve në rajon, dëshmia të martën e kësaj jave e Koordinatores së Departamentit të Shtetit për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski para Nën-Komisionit të Kongresit që merret me çështjet europiane dhe euro-aziatike –mund të shërbejë si një tregues i përparësive të politikës së jashtëme amerikane ndaj Europës dhe Euro-Azisë në përgjithësi dhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në veçanti, për vitin që vjen.

Përfaqsuesja e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) fillimisht falenderoi anëtarët e nën-komisionit të Kongresit për Punët e Europës dhe të Euro-Azisë për mbështetjen që ligjvensit e të dy partive — republikanë dhe demokratë – që sipas saj i kanë dhënë përpjekjeve të administratës për të zgjëruar dhe për të forcuar, “Një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë”. Ajo u tha ligjvënsve se për arsye të agresionit të Rusisë në Ukrainë, ky vizion tani gjëndet përball një kërcënimi më të madh se çdo herë tjetër ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë. Ajo falënderoi gjithashtu kongresistët për interesimin dhe vizitat e tyre që bëjnë në Europë, përfshirë Ballkanin, gjë që tha ajo, “ka ndihmuar për të siguruar aleatët tanë atje për angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit, demokracisë, paqës dhe begatisë, si gurthemeli i interesit dhe sigurimit tonë kombëtar.”

Ajo vlerësoi ndihmat e SHBA për Europën Lindore ç’prej shëmbjes së komunizmit (me një vlerë prej $27.5 miliardë dollarësh) gjatë 25 viteve të kaluara, duke thënë se ato kanë provuar fuqinë transformuese të SHBA-ave, në forcimin e lirisë, sigurisë dhe të begatisë anë e mbanë një rajoni që ishte mbërthyer nga totalitarizmi, armiqësitë ideologjike dhe nga shkatërrimi ekonomik. Ajo vuri në dukje se ç’prej

vitit 1990, 12 prej vendeve ish-komuniste që merrnin ndihma gjatë asaj periudhe, tani janë anëtare të NATO-s dhe 11 prej tyre bëjnë pjesë në Bashkimin Europian. Për më tepër, shtoi Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski, 11 prej vendeve të Europës Qëndrore që dikurë merrnin ndihma amerikane, tashti ato japin ndihmë në mbështetje të demokracisë, të tregjeve të lira dhe të dinjitetit njerëzor, vendeve në nevojë nga Ukraina e deri në Afganistan.

Por megjithë sukseset e dukshme të çerek shekullit të kaluar në Europë, zyrtarja e lartë e DASH i tha Kongresit se, harta e një Europe “të lirë, demokratike dhe e bazuar në tregje të lira”, nuk është ende e plotë. “Korrupcioni, papunësia e lartë, zmbrapsjet në zhvillimet demokratike, shtypja e medias, tensionet etnike dhe konfliktet e tejzgjatura prekin gjithnjë shumë shtete të këtij rajoni.” Ajo posaçërisht theksoi influencën e rrezikshme të Rusisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, si një prej faktorëve që po pengon antarësimin e këtyre vendeve në Bashkimin Europian dhe në NATO, duke sjellur si shembull krizën e fundit politike në Maqedoni.

Alina Romanowski përqëndroi një pjesë të madhe të kumtesës së saj para Kongresit, duke folur për ndihmat dhe politikën e SHBA-ve ndaj Ukrainës, ndërsa theksoi përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të shkelur dhe zhdukur vlerat mbi të cilat janë bazuar marrëdhënjet ndërkombëtare pas Luftës së Ftohtë, por ajo nuk mungoi të fliste edhe për prioritet e politikës së jashtëme amerikane me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.Ajo i tha Kongresit se ndërsa SHBA janë në krye të përpjekjeve për integrimin e këtij rajoni në organizmat Euro-Atlantike, “Ne duhet të vazhdojmë tu ofrojmë të gjithë atyre që aspirojnë zbatimin e standardeve Euro-Atlantike, ndihmën politike, ekonomike dhe morale në përpjekjet e tyre për t’ju bashkuar këtyre organizmave.” Ajo u tha ligjvënsve amerikanë, të cilët eventualisht duhet të miratojnë fondet ndihmesë për vendet e Ballkanit Perëndimor se, “Ndihmat e SHBA-ave do të përqëndrohen në bërjen e reformave që janë të nevojshme për të përshpejtuar antarësimin e tyre në Bashkimin Europian, dhe në zbatimin e marrveshjeve për normalizimin e marrëdhënjeve midis Serbisë dhe Kosovës”, ndër të tjera. Ajo theksoi gjithashtu se, “Në Kosovë, ndihmat tona janë një investim i vazhdueshëm për zhvillimin e një demokracie me të vërtetë multi-etnike, ku të gjithë qytetarët e saj kanë besim në qeverinë e vet dhe ku siguria e pajisjes me energji është e garantuar.”

Në buxhetin për ndihmat e jashëtme që po i kërkohet Kongresit për miratim për vitin e ardhëshëm, përfshihen edhe projektet në sektorin e drejtësisë, si dhe ndihmat për organizatat e shoqërisë civile në mbarë rajonin, si një mjet për të luftuar korrupcionin. Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski, përmendi Shqipërinë si shembëll, ku ne tha ajo, “Jemi duke mbështetur një projekt në sektorin e drejtësisë i cili ka për qëllim të shtojë transparencën dhe përgjegjësinë në këtë fushë, me instalimin e mjeteve për inçizimin e procedimeve gjyqësore në gjykatat krahinore dhe në ato të apelit anë e mbanë vendit”, theksoi ajo. Por, zyrtarja e lartë e DASH u shpreh se ndihma të tilla nuk mund të kenë sukses pa mbështetjen politike në radhët e qeverive, të shoqërive civile dhe të qytetarëve të këtyre vendeve. Ne, vazhdoi ajo, jemi duke u përpjekur të pengojmë prirjet në rritje e sipër në rajon që synojnë për t’i, “mbyllur hapësirën pluralizmit politik, debateve publike dhe kundërshtarëve politikë”. Në një numër gjithnjë e më të madh vendesh në Europë dhe Euroazi, theksoi Alina Romanowski, udhëheqës të ndryshëm politikë kanë kufizuar hapësirën e veprimtarisë së organizatave të shoqërisë civile dhe të medias së pavarur, me qëllim për t’u mbyllur gojën kritikëve dhe në përpjekje për të këthyer mbështetjen publike në favor të tyre. Në përgjithësi, nënvijoi ajo, “Ndihmat tona kanë për qëllim të aftësojnë qytetarët që të angazhohen me qeveritë e tyre, qoftë nepërmjet organizatave të shoqërisë civile, qoftë nepërmjet medias së pavarur, sektorit të drejtësisë, ose nepërmjet aktiviteteve të partive politike demokratike”. Shtetet e Bashkuara, theksoi zyrtarja e DASH, mbështesin organizatat e shoqërisë civile dhe median e pavarur, ndërkohë që ato përpiqen të informojnë publikun dhe të hedhin pak dritë mbi sfidat me të cilat përballet demokracia dhe qeverisja e mirë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Më në fund, ajo foli edhe për ndihmën ushtarake të SHBA-ave, “në fushën e sigurisë, të mbrojtjes, të modernizimit ushtarak, të doktrinës dhe taktikave ushtarake amerikane si edhe për bashkpunimin dhe bashkveprimin e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.” Është interesant fakti se duke folur për ndihmat dhe bashkpunimin në fushën e mbrojtjes, Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski, përmendi Kosovën ndër vendet ku, tha ajo, ” Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të bëjnë investime strategjike në fushën e mbrojtjes me Aleatët dhe me partnerët tanë, kryesisht me Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë, me Kosovën dhe shtetet Baltike”.

Ajo theksoi edhe kontributin e Bashkimit Europian për ndihmat që i akordon vendeve të këtij rajoni duke thënë se ndihmat amerikane dhe europiane përputhen

me njëra tjetrën dhe se të dy palët janë duke bashkpunuar për të sjellur përvojën dhe praktikat më të mira ekonomike të vendeve ish komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore, në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në hapësirën e vendeve post-sovjetike.

Koordinatorja e DASH për Ndihmat Amerikane për Europën, Euroazinë dhe Azinë Qëndrore, Alina Romanowski përfundoi dëshminë e saj para Nën-Komisionit të Kongresit për Punët Europiane dhe Euro-Aziatike, duke thënë se, “Ndihmat tona kanë përmirësuar jetën e miliona njerëzve dhe se buxheti i kërkuar për vitin që vjen për këtë rajon, është një vazhdim i këtij misioni” u angazhua ajo para Kongresit. “Ne”, përfundoi, zyrtarja e lartë e DASH, “megjithë kufizimet me të cilat përballet buxheti për ndihmat e jashtëme, zotohemi se do punojmë me zell, efektivisht dhe me imagjinatë, ashtuqë burimet financiare të dhëna nga populli amerikan, të përdoren në shërbim të forcimit të vlerave tona si dhe në mbështetje të interesit tonë kombëtar, për të forcuar demokracinë, stabilitetin dhe begatinë anë e mbanë rajonit”, të Europës dhe Euroazisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkan, Frank shkreli, Jashtme, Perparsite e Politikes, SHBA

BESOJMË NË SHQIPËRI DHE NË VIRTYTET E KOMBIT SHQIPTAR

June 15, 2015 by dgreca

(Me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së Ernest Koliqit)/

Nga Frank Shkreli*/

Këtë vit janë mbushur 40-vjet nga koha kur ndërroi jetë Ernest Koliqi, njëri prej shkrimtarëve më të njohur shqiptarë për periudhën që jetoi, pjesën më të madhe e të cilës ai e kaloi në mërgim, në Romë të Italisë, ku pat botuar edhe rëvistën Shëjzat për një periudhë 20-vjeçare.  Nepërmjet revistës Shëjzat si dhe veprave të tjera në perëndim, Ernest Koliqi vazhdoi të bart trashëgiminë e autorëve dhe shkrimtarëve më të njohur shqiptarë të para Luftës së Dytë Botërore, të cilët para se të vriteshin ose të detyroheshin të merrnin rrugën e mërgimit, qenë kritikuar dhe denigruar nga mbështetsit fanatikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës.  Me veprimtarinë e tij letrare në mërgim, përfshirë botimin e revistës Shëjzat, Koliqi jo vetëm që u siguroi një platformë shkrimtarëve kundërshtarë të regjimit komunist shqiptar, por sipas albanolugut të njohur Robert Elsie, Ernest Koliqi, “shërbeu edhe si një zë i largët opozitar ndaj shkatërrimit kulturor të Shqipërisë nën qeverisjen staliniste”.

Mbledhës dhe studiues i njohur i traditave kulturore dhe folklorike të shqiptarëve, Ernest Koliqin, për fat të mirë, e kisha takuar disa herë në Romë gjatë qëndrimit tim atje si refugjat, por edhe në Amerikë në fillim të 1970-ave, ku vinte për tu takuar me komunitetin shqiptaro-amerikan, para se të ndërronte jetë në vitin 1975.

Për mua dhe për ata që e kanë njohur për së afërmi, profesor Ernest Koliqi ishte atdhetar i flakët, njeri i thjeshtë, i ndershëm dhe i afrueshëm me të gjithë.  Këtë atdhetarizëm ai nuk hesitonte ta ndante me të tjerët në biseda shoqërore të rastit, nepërmjet komunikimit me letra dhe në artikujt e botuar, sidomos kryeartikujt e tij në revistën Shëjzat, por edhe me anë të librave dhe veprave të ndryshme letrare, përfshirë edhe poezinë.  Veprat e Koliqit janë një trashëgimi e pasur kulturore dhe me vlerë atdhedashurie për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve, sepse Ernest Koliqi i përkiste atij grupi patriotësh shqiptarë, të urtë e të shkolluar në perëndim, të cilët nuk kursyen asgjë dhe bënë çdo gjë të mundur për të lartësuar vlerat shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve, jo vetëm në radhët e vet shqiptarëve, por edhe në arenën ndërkombëtare.  Ai i përkiste atij brezi patriotësh që besonte se jeta shqiptare përmbante në gjirinë e sajë një bukuri shekullore që e bën të denjë jetesën.  Por, sipas Koliqit, duhej që këto bukuri morale të shqiptarit të viheshin në dukje nga dikush për vet shqiptarët dhe për botën rreth tyre. Ai pohon se Fishta, Naimi dhe Mjeda ishin ndër ata që bënë një gjë të tillë duke pasqyruar këto velar shekullore të trashëgimisë shqiptare.  Koliqi ka shkruar se, “Fishta kërkoi nji gozhdë ku me varë arsyen-qenjeje (ubi consistam) të kombësisë shqiptare.  E gjeti ndër vetitë stërgjyshore të malsorvet.  Naimi na paraqiti Skanderbegun e bashkluftarët që e rrethojshin si bosht të nji Shqipnije gjallnike, motër me kombet europiane.  Mjeda e valviti kreninë e fisit n’avullime të prarueme të lashtësisë illyre”, ka shkruar profesor Ernest Koliqi.

Është kjo lashtësi mijavjeçare e kombit shqiptar, të cilës Koliqi i ka kushtuar poemthin me titull, “Symfonija e Shqipevet”– një prej veprave të tija që frymëzon atdhetarizmin dhe lartëson shpirtin e lexuesit edhe sot.  Aty ai parashtron në këtë hartim poetic, “vargun e ngjarjeve ma të spikatuna, nga zanafilla e largët e deri në Rilindje të vonë, nepër të cilën u përshkue gjindja e gjakut shqiptar”.   Ngjarjet në këtë poemth fillojnë me kohën e Ilirëve e përfshijnë periudhat deri në ngritjen e flamurit në Vlorë.  Koliqi shkruan se qëllimi i këtij poemthi — të cilin e kishte hartuar së pari heret në jetën e tij, gjatë 1930-ave, “në një moshë entuziazmi”, e të cilin e ka korigjuar më vonë në mërgim siç shprehet ai, “në muzg të jetës s’eme ku prej flakës e prushit të entuziazmit rinuer gjithnji tepruan do gaca nepër shpuzë”, është për të forcuar besimin në atdhe me një krijim mitesh shqiptare, të cilat sipas tij, dëshmojnë se asnjë pengesë dhe shkatërrim gjatë historisë nuk mundi të shuante palcin gjallnues të rodit tonë.  Qëllimi tjetër i botimit të kësaj simfonie valvitëse fjalësh fantastike, sipas autorit, ishte “për të ndjellë agime ma të këthjellta popullit shqiptar”, në të ardhmen.

Kur fliste e shkruante për Shqipëri, Ernest Koliqi nuk kishte në mend vetëm Shqipërinë e kufijve të sotëm, por një Shqipëri që përfshinte shqiptarët e të gjitha  trojeve autoktone në Ballkan. Nepërmjet tre poetënve imagjinarë në “Symfoninë e Shqipevet”, ai shprehë besimin e tij në një Shqipëri e cila megjithë, “errësitë e natës” — ndërkohë që ky besim në Shqipërinë dhe në kombin shqiptar mungonte në kohën e tij dhe disa mund të thonë se mungon edhe në ditët e sotëme – ai prapseprap shpreson dhe beson se virtytet e mëdha të kombit shqiptar, do t’i mbeten trashëgimi brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm anë e mbanë trojeve shqiptare, duke shprehur besimin e tij me tre poetënit e “Symfonisë së Shqipevet” për një Shqipëri të lirë dhe me drejtësi, në vëllazërim dhe hare, drejt agimeve të reja dhe më të drejta, duke deklaruar se:

“BESOJMË në Shqipni edhe në virtytet e mshefta që ruen gjaku illyro-thrak i bijve të saj.
BESOJMË në misjonin e naltë që Perendia, siç do kombit në botë, i shënjoi edhe kombit të vogël shqiptar, mot e sot në vallen e shekujve të palindun.
BESOJMË në vëllaznimin e madh të Shiptarëve që tue u forcue, ka me i falun fisit t’onë agime ma të drejta.
BESOJMË në punën e Shqiptarëve të vëllaznuem e në lumninë që ka për t’i sjellë kombit parmenda e bujkut, veli i detarit, penda e dijetarit, kullma e farkatarit, buza e poetit, spata e druvarit, mësimi i fetarit, kur këto të lëvizin e të kumbojnë tue veprue n’emnat e ngjitun e të pandamë të Perëndisë e të Shqipnisë.
BESOJMË në fisnikinë e gojdhanave stërgjyshore dhe në lulzimin e ri të këtyne, ndër breznina që ecin prej territ kah drita.
BESOJMË në Flamur t’onë edhe në frytin e vuejtjeve që për Të u bajten në dobinë e gjakut, që për Të u derdh.
BESOJMË në drejtësinë vëllaznore që Flamuri i Shqipnisë ka me sugurue tue rrah i lirë në qiejt që presin diella ma të ndritshëm and’e kand n’atë tokë, ku na përkundi në djep kanga e nji nane arbnore dhe në gji të së cilës shpresojmë me u dhanë pushim këtyne eshtënave të lodhun.”

Në këtë 40-vjetor të vdekjes së Ernest Koliqit kujtojmë njërin prej pjesëtarve më të shquar të një “çete të re” të shkrimtarëve më të dalluar të kombit shqiptar të fillim shekullit të kaluar, të cilët ka shkruar ai, mendonin se vetëm duke njohur vetveten dhe duke zbuluar vlerat etnike dhe duke zgjuar fuqitë e fshehta në gjirin e thellë  të kombit shqiptar, mund të përgatitej sheshi për rindërtimin e atdheut mbi themele të shëndosha drejtësie dhe lirie.  “Symfonija e Shqipevet”, thotë vetë Koliqi, është një poemth që nuk përpiqet të bëjë gjë tjetër veçse të jetë një përpjekje për të “këndue lavditë e motshme” në kohët e sotëme, me shpresë dhe me lutje “për nji ngadhënjim të ndiesisë së vëllaznimit arbnuer” të rindërtimit të të atdheut, sidomos për shqiptarët  e brezit të sotëm, në këtë periudhë të historisë vendimesh shpëtimtare dhe historike për kombin shqiptar, të cilin ai e donte shumë dhe të cilit ia kushtoi gjithë jetën dhe veprat. I vetdijshëm ndaj  historisë kobzezë të shqiptarëve gjatë historisë, autori pranon se ndjesitë e tija për një të ardhme më të ndritur për kombin shqiptar, mund të jenë një ëndërrë krenare e shprehur me trajta letrare të ekzagjeruara, dhe i kërkon më në fund fund lexuesit se “Nëqoftse nuk i pëlqen trajta” e paraqitjes së këtij poemthi, atëherë i lutet lexuesit që “Të mos përbuzet ndiesia që më nxiti me ia hy hartimit të këtij poemthi. Kaq mujta, kaq bana”, përfundon ai.

Për trajtën për të cilën fletë autori, unë si lexues nuk mund të gjykojë pasi nuk kam përgatitjen as aftësinë të vlerësoj një vepër të tillë nga një letrar i këtij kalibri, por  për ndjenjat atdhetare të Ernest Koliqit unë nuk kam asnjë dyshim.  Këtë e dëshmojnë të gjithë ata që e kanë njohur dhe të gjithë ata që kanë lexuar shkrimet dhe veprat e tija.  Mendoj se është me vend që në këtë 40-vjetor të vdekjes së Ernest Koliqit ka ardhur koha që jo vetëm të mos përbuzen ndjesitë e tija atdhetare, por që vepra e tij të studjohet dhe kontributi i tij në letërsinë dhe në kulturën e kombit shqiptar të bëhet pjesë e programeve mësimore anë e mbanë trojeve shqiptare, me qëllim rëngjalljeje të idesë kombëtare të shqiptarëve e cila gjatë shekullit të kaluar u shpartallua nga influencat e ideologjive të huaja dhe nga fqinjtë, pasojat e të cilave fatkeqsisht shihen edhe sot e kësaj dite.

Faqja e parë e Symfonisë së Shqipeve, dedikuar nga vet Ernest Koliqi –një kujtim dhe dhuratë e paçmueshëme!

* Ne Foto:Ernest Koliqi

Filed Under: ESSE Tagged With: 40 vjetori, Frank shkreli, Symfonia, vdekjes Ernes Koliqi

RESPEKT PËR PUNËN E AMBASADËS GJERMANE NË SHQIPËRI

June 9, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli?
Javën që kaloi Ambasada Gjermane në Tiranë dhe Zyra e OSBE-së në kryeqytetin shqiptar njoftuan financimin nga qeveria e Gjermanisë të një projekti për nixtjen e dialogut publik rreth të kaluarës komuniste në Shqipëri. Në një deklaratë për media thuhet se, “Veprimtaritë e projektit do të nisin me një sondazh në shkallë vendi për të matur njohuritë e publikut, perceptimet dhe pritshmëritë e tij për diskutimet rreth të shkuarës komuniste në Shqipëri. Thuhet se “Rezultatet e sondazhit priten të ofrojnë një panoramë të qartë të nivelit të njohurive të segmenteve të ndryshme të shoqërisë rreth të shkuarës, si dhe një thellim drejt shpresave dhe shqetësimeve në trajtimin e trashëgimisë të regjimit të mëparshëm.Gjithashtu, rezultatet e sondazhit do të ofrojnë një bazë të qëndrueshme për nisma të mëvonshme në këtë fushë”, theksohet në deklaratën e përbashkët të ambasadës gjermane dhe Zyrës së OSBE-së në Tiranë.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se OSBE-ja në Tiranë, si enti përgjegjës që do të zbatojë këtë projekt, do të veprojë në bashkëpunim me organizata të ndryshme të shoqërisë civile shqiptare dhe do të organizojë takime nëpër shkolla të mesme dhe në komunitet, për të nxitur, sipas saj, shqiptarët që të diskutojnë mënyrat për të trajtuar historinë e shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, të cilat do të kulminojnë, sipas njoftimit, në një debat të madh televiziv në fund të këtij viti.
E gjithë kjo veprimtari nga ana e Gjermanisë për tu përpjekur që të zbardhet sadopak e kaluara kriminale e regjimit komunist shqiptar, është meritë e ambasadort të saj në Tiranë, Hellmut Hoffman dhe e fondacioneve gjermane, përfshir edhe fondacionin Konrad-Adenauer-Stiftung. Kjo nuk është hera e parë që Ambasadori Hoffman — ndryshe nga ambasadorë tjerë perëndimorë në Tiranë — ka bërë deklarata dhe ka marrë pjesë në veprimtari të cilat kanë për qëllim nxitjen e dialogut në radhët e elitës politike dhe të shoqërisë shqiptare për një transparencë mbi këtë kapitull të zi të historisë së kombit shqiptar si dhe për hapjen e dosjeve të regjimit komunist. Duke njoftuar projektin në fjalë, Ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffmann, ofroi përvojën gjermane në këtë fushë, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën dhe shtoi se, “Përballja me të shkuarën e vështirë nuk është një detyrë e thjeshtë, por ne e dimë gjithashtu se nëse bëhet në mënyrë të frytshme, kjo mund t’i shërbejë njerëzve dhe shoqërisë në tërësi.” Por, ambasadori gjerman paralajmëroi se ndonëse gjermanët me përvojën e tyre mund të ndihmojnë, përballja me të kaluarën e regjimit komunist në Shqipëri është një detyrë që, nëse do të dalë me sukses, duhet të ndërmerret nga vetë shqiptarët, duke theksuar se, “ndërsa ne jemi të lumtur që mund të japim mbështetjen tone në këtë mes, u takon vetë shqiptarëve të vendosin saktësisht se si dëshirojnë ta trajtojnë këtë detyrë”. I vetdijshëm për një mungesë të vullnetit të mirë të klasës politike shqiptare të këtyre 25-viteve të fundit për tu përballur me historinë dhe me krimet e regjimit komunist si dhe të një mungese debati të mirëfilltë mbrenda vendit në lidhje me këtë periudhë të errët të historisë shqiptare, Përfaqsuesi i OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Florian Raunig, ndonëse kujtoi se ndihet një interesim i ri për të trajtuar shkeljet e të drejtave të njeriut nën regjimin komunist në Shqipëri, ai theksoi se nevojitet diçka më shumë në këtë drejtim. Ndërkaq, ai citohet të ketë thënë se, “Ne po fillojmë këtë projekt sepse besojmë se ka nevojë për dialog kombëtar gjithëpërfshirës rreth qëllimeve dhe pritshmërive të shoqërisë në përgjithësi, rreth nismave të ndryshme që janë propozuar për të trajtuar këtë histori të vështirë”, ka thënë Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Raunig.
Autoritetet shqiptare tani dhe gjatë këtyre 25 viteve, vazhdimisht janë shprehur se përvoja gjermane është dhe mbetet si më tërheqse nga përvojat e vendeve të tjera, për tu përballur me të kaluarën e hidhët komuniste të Shqipërisë. Por përpjekjet e Tiranës zyrtare në këtë fushë kanë mbetur të tilla përfolje, vetëm propozime, deklarata, fjalë boshe për konsumim publik të mbrendshëm dhe të jashtëm, pa asnjë vullnet as veprim konkret për tu përballur me të kaluarën, përfshirë dhe miratimin kohët e fundit nga Kuvendi i Shqipërisë të një ligji për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit komunist shqiptar, i cili organizonte dhe drejtonte shtypjet mbi popullatën.
Për të theksuar rëndësinë e përballjes me të kaluarën komuniste, ambasada gjermane në Tiranë kishte sjellur ditët e fundit në Shqipëri të ngarkuarin Federal të Gjermanisë për dosjet e sigurimit të shtetit, Z. Roland Jahn, një aktivist i njohur në procesin e rrëzimit të diktaturës komuniste në ish-Gjermaninë Lindore, e të cilit sipas Deutsche Welle, (DW) me 93 përqind të votave në parlamentin gjerman, i është besuar mbikqyrja dhe trajtimi i inventarit të dokumentacionit sekret të STASI-t famëkeq të Gjermanisë lindore ish komuniste.
Në seminarin e organizuar në Ambasadën gjermane në Tiranë javën që kaloi, ku u tha se hapja e dosjeve është në interesin e publikut në përgjithësi, ish-gazetari Jahn duke u bazuar në përvojën gjermane, sipas DW, u tha të pranishëmve se procesi i hapjes së dosjeve duhet të jetë një ndërmarrje e hapur dhe multidimensionale, duke theksuar se, trajtimi i së shkuarës nuk është thjesht punë shqyrtimi dosjesh, pasi në qendër janë njerëzit, janë viktimat e prekura — që atyre t’u garantohet një impakt pozitiv nga procesi. Nëse nuk bëhet kjo, atëherë lind natyrshëm pyetja: përsa na vlen hapja e këtij dokumentacioni. Duke folur për përvojën gjermane ai u shprehur tekstualisht kështu: “Bëhet fjalë për rreth 2 milion njerëz të prekur nga sjellja dhe qëndrimet e STASI-t. Ne duhet t’i jepnim akses këtyre njerëzve për të njohur më mirë të shkuarën e tyre, në shumë raste edhe të tmerrshme e të paimagjinueshme.Kjo ishte një sfidë shumë e madhe për zbatimin e ligjit të dosjeve.Në hedhjen dritë mbi dosjet është dhe qasja shkencore, vënia në dispozicion për hulumtuesit, por dhe për mediat e prodhuesit kinematografikë. Pra, ka një trajtim multidimensional në bërjen e transparencës, që njerëzit të mësonin sa më shumë nga padrejtësitë e bëra nën diktaturë”.
Në raportin e DW thuhet se për të ngarkuarin federal gjerman me Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, trajtimi i së shkuarës vlen dhe për pastrimin e administratës dhe shërbimit publik nga njerëzit me të kaluar kriminale. Kjo krijon besim te qytetarët për institucionet dhe rendin demokratik, që të mos depërtojnë në shërbimin publik ish-anëtarë të policisë sekrete. “Kjo përbën ende një objektiv madhor në punën tonë.Sa më mirë ta kuptojmë diktaturën aq më mirë formësojmë demokracinë”, citohet të ketë thënë, i ngarkuari gjerman me dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në një intrevistë me DW, i ngarkuari Federal i qeverisë së Gjermanisë për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit në ish-Gjermaninë lindore komuniste, Roland Jahn, gjithnjë duke folur për përvojën gjermane u shpreh se, “Hapja e dosjeve të STASI-t mundësoi ndërrimin e elitave politike e shoqërore”, ndërsa në lidhje me seminarin dhe takimet në ambasadën gjermane, Roland Jahn vlerësoi se: Ishte një takim shumë interesant, që tregoi se në Shqipëri ka probleme lidhur me trajtimin e diktaturës komuniste, por rruga e zgjidhjes do të ishte biseda dhe dialogu mes palëve, pasi zbardhja e së shkuarës komuniste mund të realizohet vetëm duke qenë me njëri-tjetrin dhe jo kundër njëri-tjetrit”, përfundoi ai intervistën me DW.

Filed Under: Analiza Tagged With: ambasada Gjermane, Frank shkreli, respekt, Tirane

FIFA E KORRUPTUAR!

May 28, 2015 by dgreca

…Drejtori i FBI-së James Comey thekosi nga ana e tij se të “akuzuarit nxitën një kulturë dhe atmosferë korrupsioni në sportin më popullor të botës.” Ryshfeti dhe pagesat ilegale ishin si diçka e zakonshme mbrenda organizatës FIFA./
Nga Frank Shkreli/
Ministria e Drejtësisë e Shteteve të Bashkuara njoftoi të Mërkurën në Gjykatën Federale në Brooklyn të New Yorkut,  padinë me 47-akuza kundër nëntë zyrtarëve të lartë dhe pesë drejtorëve ekzekutivë të organizatës ndërkombëtare të futbollit, FIFA. Ndër të akuzuarit që gjithsejt janë 14, përfshihen dy zëvendës presidentë të tanishëm të FIFA-s.  Padia me 47-kundërvajtje, ndër të tjera akuzon të pandehurit, për korrupsion dhe për konspiracion për pastrim parashë, thuhet në njoftimin e Ministrisë amerikane, në lidhje me pjesëmarrjen e të akuzuarve në një intrigë prej më shumë se dy dekadash, për të pasuruar veten dhe në këtë proces duke korruptuar futbollin ndërkombëtar.  Disa prej tyre, thuhet në njoftim, pranuan se ishin fajtorë ndaj akuzave të ngritura kundër tyre.
  Të akuzuarit, thotë Ministria amerikane Drejtësisë, janë zyrtarë ë lartë të “Fédération Internationale de Football Association” (FIFA), që është organizata përgjegjëse për manexhimin dhe promovimin e lojës së futbollit anë e mbanë botës. Përveç zyrtarëve të lartë të FIFA-s, ndër të akuzuarit thuhet se përfshihen edhe zyrtarë të lartë të organizatave që veprojnë nën ombrellën e organizatës FIFA, përfshirë këtu zyrtarë të FIFA-s edhe nga Amerika Veriore dhe nga Amerika Latine.  Të akuzuarit, thuhet në njoftim, gjatë asaj periudhe kishin pranuar të jepnin dhe të merrnin ryshfet që arrinë shumën e mbi 150-milionë dollarëve, gjatë procesit për të vendosur mbi të drejtën të drejtën se ku, kur edhe kush dhe nën çfarë rrethanash merr pjesë në turne dhe ndeshje ndërkombëtare të futbollit.  Këto akuza u njoftuan Në New York nga Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara Loretta E. Lynch përkrah së cilës gjëndej edhe Drejtori i FBI-së James B. Comey dhe zyrtarë të tjerë të lartë të drejtësisë federale dhe shtetërore.
  Ndërkaqë në Zurich të Zvicrës, autoritetet e atij vendi, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe në bashkpunim me to, arrestuan më heret dje shtatë prej të akuzuarve: Jeffrey Webb, Eduardo Li, Julio Rocha, Costas Takkas, Eugenio Figueredo, Rafael Esquivel dhe  José Maria Marin.  Prokurorja e Përgjithshëme e Shteteve të Bashkuara, Loretta Lynch tha duke njoftuar arrestimet — përfshirë  ndër të tjerë edhe ish-përfaqsuesin amerikan pranë organizatës FIFA, Charles Blazer — se akuzat kanë të bëjnë me “një korrupcion të përgjithshëm që ishte bërë pjesë e sistemit dhe i cili i kishte rrënjët e thella, si jashtë vendit ashtu edhe këtu në Shtetet e Bashkuara.  Ajo tha se në këtë korrupcion janë përfshirë, “të pakën dy breza zyrtarësh të futbollit ndërkombëtar, të cilët sipas akt-akuzës kanë abuzuar me pozitat e tyre duke përvetësuar padrejtësisht miliona dollar nga ryshveti.” Krye- Prokurorja amerikane, Loretta Lynch, megjithëse sapo ka filluar nga detyra në këtë post, tha se kjo valë e korrpucionit për një kohë kaq të gjatë, ka “Dëmtuar rëndë një numër të madh viktimash, duke filluar nga skuadrat e futbollit për të rinjët në vendet në zhvillim e sipër, të cilat duhej që të përfitonin nga të ardhurat që mblidheshin duke shitur të drejtat comerciale të këtyre organizatave, e deri tek tifozët në këtë vend dhe në vende të tjera të botës, të cilët me pjesëmarrjen e tyre në këtë sport, bëjnë që këto të drejta komerciale të kenë vlerë dhe të përdoren për të gjithë për të promovuar lojën e futbollit në mbarë botën.  Loretta Lynch pohoi se, “masa e njoftuar sot e bën të qartë se Ministria e Drejtësisë e Shteteve të Bashkuara angazhohet që këtyre praktikave të korruptuara tu jepet fund dhe që fajtorët njëkohësisht, të sillen para drejtësisë”. Ajo shtoi duke thënë se presim që në këtë përpjekje të vazhdojmë bashkpunimin tonë edhe me vendet e tjera, duke falënderuar autoritetet qeveritare të Zvicrës si edhe ortakë të tjerë ndërkombëtarë për ndihmën e tyre të shkqëlqyeshme që ato kanë dhënë gjatë këtyre hetimeve, që çuan në akt-akuzat kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve më të lartë të orgnaizatës FIFA. 
  Ndërsa, Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Kelly Currie gjatë të njëjtës konferencë me shtypin e mbushur me gazetarë, në New York ku u njoftuan arrestimet, theksoi në lidhje me akuzat se, “Njoftimi i sotëm dërgon mesazhin e nevojshëm kudo: se mjaft është mjaft! Pas një korrupcioni të gjithanshëm që mbulon disa dekada, futbolli i organizuar ndërkombëtar ka nevojë për një fillim të ri – për një mundësi të re që institucionet e tija të jenë të afta të mbikqyrin nderëshmërisht një sport aq të dashur për të gjithë anë e mbanë botës.” Z. Curry u angazhua duke e bërë të qartë se kjo akt-akuzë nuk është kapitulli i fundit i hetimeve tona, ky është vetëm fillimi, tha ai.
Ndërsa Drejtori i FBI-së James Comey thekosi nga ana e tij se të “akuzuarit nxitën një kulturë dhe atmosferë korrupcioni në sportin më popullor të botës.” Ryshveti dhe pagesat ilegale ishin si diçka e zakonshme mbrenda organizatës FIFA. Ndërkaq, ai dhe falenderoi hetuesit dhe prokurorët anë e mbanë botës të cilët e ndoqën kët rast korrupcioni ndërkombëtar për shumë vjetë dhe me aqë përkushtim, shtoi ai.
Organizata ndërkombëtare FIFA përbëhet nga 290 shoqata, ndërkohë që secila përfaqëson futbollin e orgnaizuar në një shtet ose territorr. Përveç këtyre, FIFA njeh gjithashtu edhe gjashtë konfederacione kontinentale të cilat duhej të ndihmonin në zhvillimin dhe në promovimin e futbollit anë e mabnë botës.
 
Përveç këtyre akuzave zyrtare që o njoftuan të mërurn nga zyrtarët amerikanë të drejtësisë kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të organizatës FIFA, gazeta New York Times shkruan sot se kritikët e organizatës ndërkombëtare të futbollit kanë venë në dukje shpesh mungesën e transparencës në lidhje me pagat dhe me burimet financiare të organizatës, ndërsa ka pranuar vet se të ardhurat prej vitit 2011 e deri më 2014 ishin pothuaj një shume marramendëse prej pothuaj 6 miliardë dollarësh.
Gazeta e New Yorkut citon kritikët e FIFA-s të kenë thënë se vendimet politike të kësaj organizate shpesh merren pa debat dhe pa ndonjë shpjegim nga një grup i vogël zyrtarësh që njihen si Komisioni Ekzekutiv. Gazeta thotë se FIFA, për vite me radhë, kjo organizatë është drejtuar pa asnjë kontroll të jashtëm dhe me pak ose aspak transparencë.New York Times citon eskperten Alexandra Wrage ta ketë etikuar FIFA-n si një organizatë, “bizantine dhe e padepërtueshme”.
Në këtë ndërkohë, FIFA reagoi ndaj këtyre akuzave të drejtësisë amerikane kundër zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të saj duke thënë se, “Jemi të kënaqur që shohim se hetimet po zhvillohen energjetikisht për të mirën e futbollit dhe besojmë se ato do të ndihmojnë në riforcimin e masave që FIFA ka ndërmarrë tanimë.”
Akt-akuzat e prokurorëve amerikanë kundër FIFA-s, janë gjithashtu një rast që tregon seriozitetin e përballjes me korrpucionin kur zyrtarët e një organizate si kjo, ose cilado qoftë dhe kudo qoftë ajo, vjedhin nga antarët ose nga shoqëria, të cilën ata duhet të përfaqësojnë. Si të tillë, zyrtarët dhe ish-zyrtarët e FIFA-s të arrestuar këto ditë, por edhe zyrtarë të organizatave të tjera që sillen në këtë mënyrë — qofshin ato kombëtare ose ndërkombëtare — duhet të përballen me drejtësinë dhe me ligjin, ashtu siç njoftuan zyrtarët më të lartë të drejtësisë amerikane në New York, në bashkpunim me autoritetet zvicerane dhe prokuruorë të tjerë anë e mbanë botës. Ligji është ligj, qoftë në fushën e topit, qoftë në kancelaritë më të larta të orgnaizatave kombëtare ose ndërkombëtare, siç është FIFA, parimi dhe detyra e së cilës është për të drejtuar dhe për të promovuar sportin e futbollit anë e mbanë botës.

Filed Under: Featured Tagged With: FIFA e korruptuar, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • 130
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT