Nga Frank Shkreli/
Të martën me 27 Janar,Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Vctoria Nuland mbajti një fjalim në Qëndrën e Marrëdhënjeve Amerikano-Europiane pranë Institutit Brookings në Washington, gjatë të cilit ajo shqyrtoi ngjarjet e vitit të kaluar në marrëdhënjet me Europën, të cilat sipas saj, farkëtuan një frymë të re në marrëdhënjet transatlantike në fushën politike, ushtarake dhe ekonomike. Ajo u tha të pranishmëve, shumica e të cilëve ishin ekspertë të marrëdhënjeve amerikano-europiane dhe amerikano-ruse se asnjëri prej nesh nuk mund të parashikonte që agresioni rus në Ukrainë do të vente në sprovë lidhjet transatlantike si dhe punën që është bërë gjatë 25 vjetëve të të fundit drejtë objektivit për krijimin e një “Europe të tërë, të lirë dhe në paqë”. Ajo shtoi se agresioni rus në Ukrainë dhe sulmet terroriste të grupit ISIL dhe degëve të kësaj lëvizjeje, kanë sfiduar dhe “kanë rrezikuar çdo gjë që ne konsiderojmë si të shënjtë, përfshirë demokracinë, lirinë e individit, sigurinë kolektive, tolerancën dhe begatinë, duke filluar nga Vankuveri deri në Valdivostok”, pohoi Yonja Nuland.
Në fjalimin e saj, diplomatja amerikane e cila është përgjegjëse pranë Departmentit Amerikan të Shtetit për marrëdhënjet e Amerikës me 50- shtetet europiane dhe euroaziatike, me NATO-n, me Bashkimin Europian dhe me OSBE-në, theksoi vendosmërinë e përbashkët që nxitë përpjekjet e përbashkëta për realizimin e misionit transatlantik, për një “Europë, të tërë, të lirë dhe në paqe”. Diplomatja e lartë amerikane i përqëndroi komentet e saja në Institutin Brookings, kryesisht mbi konfliktin në Ukrainë — ku sipas OKB-së deri tani kanë humbur jetën rreth 5000 veta — duke thënë se konflikti në Ukrainën Lindore është këthyer tani në një betejë për një Europë të tërë, të lirë, dhe në paqe, duke theksuar se , “Të gjithë ne e dimë se Europa e tërë, e lirë dhe në paqe bie ose ngrihet me Ukrainën”, tha ajo.
Sanksionet e forta ekonomike nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Europa kundër Rusisë, si kundër veprim ndaj mbështetjes ushtarake që ajo u jep separatistëve rusë të cilët luftojnë në Ukrainën lindore, nuk kanë ndaluar as nuk e kan penguar Moskën që të vazhdojë t’u dërgojë atyre ndihma dhe mbështetje morale dhe materiale. Përveç sanksioneve ekonomike, Z. Nuland vuri në dukje se Aleanca Perëndimore NATO, si përfundim i keqësimit të konfliktit në Ukrainë, ka vendosur forcat e saja tokësore, detare dhe ajrore në disa vende anëtare të aleancës të cilat gjeografikisht ndodhen afër Rusisë, siç janë Polonia, Bullgaria, Rumania dhe vendet baltike. “Aleanca e NATO-s”, tha ajo, “është një aleancë me karakter mbrojtës, qëllimi i së cilës është të çkurajojë agresionin. Por nëqoftse dështon një gjë e tillë, atëherë “Ne duhet të jemi gati”, theksoi diplomatja amerikane, Viktoria Nuland.
Duke thënë se sfidat dhe kërcënimet ndaj sigurisë së përbashkët me të cilat u përballem vitin e kaluar, jo vetëm që nuk tronditën unitetin transatlantik, por ato në fakt, shtoi Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, “na bënë më të fortë, më të vendosur dhe si rrjedhim jemi në një gjëndje më të mirë për të mbrojtur dhe për të zgjëruar komunitetin e vendeve të cilat besojnë në vlerat e përgjithshme universale njerëzore që na përcaktojnë se kush jemi ne.”
Ndërsa ajo foli për arritjet dhe bashkpunimin transatlantik në fushën e mbrojtjes, të sigurisë së përbashkët dhe në marrëdhënjet ekonomike, diplomatja amerikane theksoi gjithashtu edhe punën e përbashkët që është bërë dhe po bëhet në luftën kundër korrupsionit, fenomen ky të cilin ajo e cilësoi si një, “murtajë e shoqërive dhe e ekonomive tona”. Në vazhdim ajo, nënvijoi, “Angazhimin tonë ndaj tolerancës, lirisë së fjalës dhe lirisë personale si e drejtë e çdo individi dhe të çdo kombi, për të zgjedhur vetë rrugën që dëshiron të ndjeki”. Diplomatja e lartë amerikane tha se duhet të shpejtohen investimet për një begati të përbashkët., ndërsa ajo foli për korrupsionin duke thënë se, “Korrupsioni nuk është vetëm një vrasës i demokracisë”, por “Korrupsioni”, shtoi ajo, është një fenomen që “i jep hapësirë infuencave të këqia nga jashtë, në fushën politike dhe ekonomike. Si rezultat, Victoria Nuland, premtoi në fjalimin e saj ndihmën amerikane, duke thënë se këtë vit, “Anë e mbanë Europës Lindore e Qëndrore si edhe në mbarë Ballkanin, do të shikoni një dyfishim të përpjekjeve me aleatët dhe partnerët tanë për të forcuar sistemin gjyqësor, për të luftuar korrupsionin dhe shtim të përpjekjeve për të promovuar një qeverisje transaprente në sistemin e tenderave publike.” Ajo bëri thirrje edhe për investime në lëmin e energjisë, si një mjet që do të çlironte disa vende nga varësia energjetike, duke thënë se duhen krijuar alternativa tjera për vendet e Europës Qëndrore dhe vendeve të Ballkanit në këtë fushë.
Duke nënvijuar planet për vitin 2015, Viktoria Nuland tha se gjatë këtij viti duhet të jemi besnikë ndaj partnerve tanë lindorë, dëshira e vetme e të cilëve është që të jetojnë në paqë, tha ajo. Diplomatja amerikane, Nuland tha në fjalimin e saj se viti 2015 duhet të jetë gjithashtu një vit progresi në përpjekjet tona prej 20-vitesh tanimë, “për të siguruar paqën, pajtimin, reformat e nevojshme politike dhe ekonomike si dhe qeverisjen e mirë, në vendet e Ballkanit.”
Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Nuland e përfundoi fjalimin e saj duke bërë thirrje për një renesancë në marrëdhënjet transtalantike, duke nënvijuar se rilindjen e këtyre marrëdhënjeve, “duhet ta bëjmë për veten tonë, për fëmijtë tanë, por edhe për botën në përgjithësi e cila pret prej nesh që të jetojmë sipas këtyre vlerave dhe ti mbrojmë ato, duke përcaktuar një standart që bazohet në mbështetje të ligjit ndërkombëtar, të paqës dhe sigurisë, të tregëtisë së lirë dhe të të drejtave universale të njeriut”, përfundoi diplomatja e lartë amerikane fjalimin e saj të marten, në Institutin Brookings në Washington.
ASHTUQË SHQIPËRIA DHE SHQIPTARËT TË JENË MIRË…
99-VJETË MË PARË U VRA ISA BOLETINI/
Nga Frank Shkreli/
99 vjetë më parë u vra nga xhandarët serbo-malazezë, Isa Boletini, njëri prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar, dorë e djathtë e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, i cili gjithmonë kishte pushkën në dorë dhe dorën në pushkë, në mbrojtje të Atdheut. Isa Boletini posedonte vlerat më të mira të kombit shqiptar, vlerat fisnore të tij, nderin dhe burrërinë — por mbi të gjitha atdhedashurinë — të jetuara, të zbatuara dhe të mishëruara në qënjen e shqiptarit me shekuj, e të cilat janë trashëgimi e shënjët e patriotëve dhe herojve të kombit shqiptar si Isa Boletini.
Isa Boletini ishte në krye të përpjekjeve luftarake dhe diplomatike të shqiptarëve për sigurimin e lirisë dhe të pavarësisë së Atdheut të tyre. Kur ai nuk ishte duke lobuar në zyrat kryesore të diplomacisë evropiane — ku përpiqej të bindëte të bindëte fuqitë europiane të kohës që të heqnin dorë nga ndarja e tokave autoktone shqiptare, ai gjëndej në mal, në front të luftës për çlirimin, për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut kundër forcave turke dhe serbo-malazeze. Mesazhi i Isa Boletinit, në zyrat e diplomacisë europiane të kohës, por edhe në fushën e betejës, ishte se “Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e Atdheut tim, për lirinë e popullit tim. Në qoftse Europa nuk do të zgjidhë drejtë çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë qetësi kurr, dhe për këtë, faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë, derisa të çlirohemi.’’ Isa Boletini nuk i ishte futur kësaj pune për interesa personale, për ndonjë karrigë, për ndonjë interes që sot mund të konsiderohej si interes partiak ose ekonomiko-financiar, por ai ka thënë se ishte në krye të këtyre përpjekjeve duke pohuar se, “Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnisë. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqypnia!”
Kur njeriu lexon sot lajmet e prëditëshme në mediat dhe portalet e internetit anë e mbanë trojeve autoktone shqiptare, besoj se Isa Boletini, në këtë përvjetor të vrasjes së tij, kam drojën se sot do të thonte se Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë mirë, ose të pakën nuk janë ashtu siç do t’i dëshironteai dhe bashkohasit e tij rilindas. Nuk besoj se ai do konsideronte se shqiptarët sot, “lënë një përshtypje të shkëlqyer” në botë, siç kishte lënë ai me shokët e tij në Angli, fillim shekullin e kaluar. Fatkeqsisht, po t’i hidhte një sy botës shqiptare, Isa Boletini do të lexonte sot mbi protestat anë e mbanë trojeve shqiptare, kryesisht kundër vetvetes; do të lexonte për bojkote dhe përçarje midis partive dhe në radhët e klasës politike në mbarë autoktoninë shqiptare, pa dallim. Do të lexonte për mosmarrveshje politike dhe për sharje midis përfaqsuesve politikë të shqiptarëve dhe jo vetëm midis tyre — një diskurs politik që do të turpëronte atë dhe të gjithë rilindasit dhe bashkohasit e Isa Boletinit.
Ndonëse me dy shtete shqiptare të pavarura, do të lexonte për atë që disa media shqiptare e cilësojnë si falimentim shteti, kryesisht falë klasës politike dhe jo aq shumë për arsye të ndërhyrjes së Europës ose fqinjve që historikisht nuk ia kanë dashur të mirën kombit shqiptar, e të cilët i luftonte dikurë Isa Boletini. Isa Boletini do lexonte mbi akuzat dhe kundërakuzat e ndërsjellta për korrupsion dhe për tregti me droga, si dhe mbi lidhjet e përfaqsuesve të popullit me botën e krimit. Do të lexonte fatkeqsisht, se ndonëse në liri e demokraci, pas shumë vuajtjesh e sakrificash në një diktaturë të egër, shumica e shqiptarëve kudo në trojet autoktone, se po të kishin mundësinë do të largoheshin nga trojet e veta — dhe ata që e gjejnë mundësinë largohen çdo ditë me autobusa drejtë Europës.
Isa Boletini, në këtë përvjetor të vrasjes së tij do të thoshte se megjithë përparimet e bëra, Shqipënia, Kosova dhe shqiptarët nuk janë mirë, ose të pakën nuk janë ashtu si do t’i dëshironte ai. Dhe si rrjedhim ai do të thoshte se as ai vet nuk është mirë dhe nuk besoj se do mburrej me gjëndjen e krijuar sot në tokat autoktone shqiptare.
Përball kësaj situate, besoj se Isa Boletini do të ishte në krye të përpjekjeve për të ndryshuar për më miër gjëndjen në trojet shqiptare duke bërë thirrje me Gjon Kamsin (Scodrensis), “Zgjonju Shqiptarë”, do të bënte thirrje — sipas një artikulli të tij të shkruar gjatë viteve 1930, për krijimin e një organizate të madhe “Bijtë e Shqipnisë”, do të thoshte se “Jam për nji bashkim me nji mendje e me nji zemër, nën nji flàmur të vetëm, ai i kombit, që bashkon dhe vëllaznon popuj të nji gjaku e të njij fisi.” Isa Boletini do të këshillonte se, “Shqiptari, thotë historia, kje i fortë gjithë sa herë kje i bashkuem”, dhe se “Flàmuri i ynë, i kuq, âsht shêjë dashnije dhe jo ndasije…..Shqipja dykrenëshe e flàmurit tonë, mban në kthetra fjalën e të parëve tonë: Besa-Besën….Të lidhun me besa-besë, “Bijt e Shqipnisë”, duhet t’ecin me flàmurin e kuq me shqipe para, shêj i kombit dhe i nderit tonë.”
Isa Boletini do të pajtohej me Gjon Kamsin i cili shkruante në fillim të shekullit të kaluar se “Kështu na pat folë Apostulli i jonë, deshmori kombtar: Luigj Gurakuqi; kështu na flasin shokët e tij lufte e lirije….Duhet të gjemë vetvehten, por si Nietzsche, kur gjet ligjen e evolucjonit të vet, là të shkruem: “banu ai që ti jé”, që për né do me thanë, të bahemi shqiptarë me at kuptim që kjo fjalë pat për të parët tonë e që e kemi trashigue për me ia kalue pa njollë pasardhësve tonë. E për me u bâ ata qi jemi, duhet t’i hapim luftë të gjithë atyne qi po mbyllin me rrasen e mohimit dhe të zhvleftsimit, vepren e deshmorëvet tonë, të luftarëve të lirís sonë.”
Për të përmirësuar gjëndjen e sotme të shqiptarëve në torjte autoktone, Isa Boletini do të shpallte, “Luftë, pra, kundra anmiqëve të kombit, luftë kundra shkatrrimit, luftë kundra zíshartuesve, luftë rreziqeve qi po i kërcnohen kombit dhe fisit, luftë kusarëve të pasunísë kombëtare, të pares së popullit, luftë të gjithë atyne që, edhè pse të huej i nderuem me êmnin shqiptar e na trathtuen në bukë e kripë:muhaxhirët.
Luftë dokeve të mbrapshta, njerzëve të natës e të turpit, klikave dhe shoqënive të mshehta. Luftë fjalëve të mëdhaja dhe rrence, diletantizmit dhe reklamit. Ketë misjon duhet ta kryejnë sot të mbledhun me besa-besë, “Bijt e Shqipnise”, sidomos bijt e atyne që punuen, luftuen dhe vdiqen për Atme e lirí.” (Marrë nga artikulli i Gjon Kamsit (Scodrensis) botuar në vitet 1930 e ribotuar në revistën Phoenix, ne. 1-2, 2000)
Besoj se Isa Boletini do të pajtohej me përmbajtjen e shkrimit të Gjon Kamsit, ndonëse i shkruar pothuaj një shekull më parë, nuk është shumë larg realitetit të sotëm. Kështuqë, ndërsa kombi shqiptar ende përpiqet të shkundë nga kujtimi këtë periudhë të errët të historisë së tij, është shembulli i jetës dhe i veprimtarisë së patriotëve si Isa Boletini, ai i cili duhet të frymëzojë brezin e sotëm dhe brezat e ardhëshëm të shqiptarëve për të arritur objekivat e larta të vëllazërimit shqiptar, për të cilat Isa Boletini luftoi dhe sakrifikoi veten dhe familjen e tij dhe që në këtë 99-vjetor të vrasjes së si — me plot bindje të ketë mundësi të pohojë nga ajo jetë se më në fund, ai është mirë sepse është mirë Shqipëria dhe shqiptarët!
AT SHTJEFËN GJEÇOVI – DISHEPULL I BASHKIMIT KOMBËTAR
“Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me e mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë. Le ta marrë vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër, i patën prej etërve tanë, Pellazgëve”.
At Shtjefën Gjeçovi/
Nga Frank Shkreli/
Të kjofshim falë Kosova Nanë,
Burra trima shumë ke dhanë
Ç’ashtë ky burrë musteqezi,
Plot me lavd dhe krenari.
Plot me lavd e krenari,
nderoi veten e këtë Shqiptari.
Kapërcen gryka dhe male,
Tuej shpërnda plot abetare.
Gjuhën shqipe për me mësue
Kur Turqia e pat ndalue.
Me u lanë breznive vepra
me i harrue kurrë sa të jetë jeta.
Ky ashtë biri i këtij trolli,
I thonë për emën Shtjefën Gjeçovi.
Kështu i këndojnë rapsodët e Kosovës At Shtjefën Gjeçovit, fratit të maleve, i cili u vra në pritë e në tradhëti nga shovinistët serbë në Zym të Hasit më 1929. Meshtari dhe atdhetari i njohur nga Kosova, i cili gjithë jetën e vet punoi për “Atme dhe Fe”, për nga aktiviteti i tij patriotik, ai radhitet me veprimtarët më të dalluar të lirisë të periudhës së Rilindjes Shqiptare dhe qëndron krah për krah me burrat më të dalluar të Kosovës dhe të Shqiptarizmit, si Azem Bejta, Isa Boletini, Hasan Prishtina e tjerë. At Shtjefën Gjeçovi u vra nga dora mizore e terrorizmit serb, për veprimtarinë e tij si meshtar dhe si patriot shqiptar. Ai ishte një mishëruesi pashoq i atdhetarizmit dhe i fesë. Dashurinë e tij për të dyja i përdori për të mirën e të gjithë shqiptarëve kudo dhe në shumë fushë përfshirë gjuhën dhe kulturën, traditën dhe arkeologjinë. Përveç kësaj nuk mungoi përkrahja e tij as për kryengritjen e malësorve kundër pushtetit otoman më 1911, e deri tek mbështetja e tij për kryengritsit vlonjatë kundër Italianëve në vitin 1920.
Javën që kaloi, Zëri i Amerikës transmetoi një kronikë nga korrespondenti Pëllumb Sulo në Shkodër, ku permes një konference shkencore — të organizuar nga Provinca Françeskane Shqiptare dhe bibiloteka Marin Barleti — u përkujtua jeta dhe vepra e At Shtjefën Gjeçovit, me rastin 140-vjetori të lindjes së tij. Konferenca, ku sipas kronikës së VOA-s, morën pjesë një numër studiesish, pasqyroi veprimtarinë tij patriotike, që ai ka dhënë me kontributet e mëdha në fushën arkeologjike, të albanologjisë dhe të etnografisë shqiptare, ndërkohë që me laps e fletore në dorë, siç thotë edhe kënga popullore kushtuar atij, At Gjeçovi dokumentoi si rrallë kush tjetër, të kaluarën etnografike dhe arkeologjike të kombit shqiptar. Edhe konferenca e Shkodrës e titulluar , “At Shtjefën Gjeçovi – Thesar në Hulumtim”, kishte për qëllim sipas Zërit të Amerikës që citon At Viktor Demaj — për të venë në dukje jo vetëm veprimtarinë e ndritur të At Gjeçovit si një fançeskan shqiptar i dalluar, por edhe për të theksuar edhe kontributin e tij të madh në fushën e kulturës së kombit shqiptar. Ndërsa profesori i Universitetit Luigj Gurakuqi në Shkodër Tomorr Osmani, sipas Zërit të Amerikës, pohoi gjatë konferencës, se kontributi i Gjeçovit në kulturën kombëtare është i gjërë dhe përfshinë shumë fusha.
Ndër këto fusha të shumëta të veprimtarisë së tij kulturore dhe kombëtare, natyrisht përfshihet mbledhja e gojëdhënave nga vende të ndryshme të Shqipërisë, që më në fund përfunduan në botimin e veprës monumentale historike, “Kanuni i Lek Dukagjinit”, vepër kjo për të cilën Shtjefën Gjeçovi siguroi njohjen e kombit por për vlerat historiko-juridike të Kanunit, ai fitoi edhe famë botëtore në qarqet shkencore europiane. Përveç Kanunit, Gjeçovi ka lënë pas edhe studime të tjera me rëndësi siç është “Trashigime Thrako-Iliriane” dhe “Agimi i Gjytetnisë” botuar më 1910, vepër kjo që bënte pjesë në përpjekjet e panumrëta të At Gjeçovit për të përhapur gjuhën shqipe bazuar në traditat dhe në folklorin e pashterrshëm të kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve autoktone ku jetojnë shqiptarët. At Gjeçovi është autor edhe i një numëri veprash të tjera me karakter kombëtar dhe fetar dhe është cilësuar edhe si përkthyes nga gjuhë të huaja. Ishte bashkpuntor i ngushtë i Revistës së famëshme “Hylli i Dritës”, të Françeskanëve në Shkodër dhe e të përkohëshmes së njohur të asaj kohe, “Albania” e Faik Konicës. Nuk ka dyshim se shumë vepra e dorëshkrime të tjera të Gjeçovit mund të jenë zhdukur përgjithmonë, pasi At Zef Pllumi thotë në kujtimet e tija se regjimi komunist kishte pastruar arkivat e At Shtjefën Gjeçovit në Kuvendin e Françeskanëve në vitet 1945-46. Thuhet se At Gjeçovi kishte lidhje dhe korrespondencë me një një numër patriotësh të kohës së tij, të cilët më vonë regjimi komunist i Enver Hoxhës i konsidroi si “armiq” dhe si të tilla ai thesar mund të jetë zhdukur përgjithmonë.
Ndonëse u rrit dhe jetoi në jë periudhë të lëvizjes kombëtare shqiptare, historianë dhe akademikë shqiptarë i kanë dhënë kredi historike At Gjeçovit jo vetëm për veprimtarinë e tij në favor të përhapjes së arsimit dhe pasurimit të kulturës shqiptare. Njëri prej tyre, Prof. Dr. Syrja Pupovci, në parathënjen e “Kanunit të Lek Dukagjinit” botuar në Prishtinë, thekson rolin e rëndësishëm që At Shtjefën Gjeçovi ka luajtur në bashkjetesën fetare, duke shkruar se, “Shtjefën Gjeçovi i kontriboi ruajtjes së unitetit dhe përballimit të grindjeve fetare, sepse bashkimi ishte parakusht i fitimit të lirisë kombëtare.” Profesor Pupovci shkruante se, “Gjeçovi, bashkë me pishtarët e tjerë të kulturës, ndihmoi në ngjalljen dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare….ata njëkohsisht hodhën poshtë tentativat e ideologëve të huaj reaksionarë, të cilët mohonin ekzistimin e historisë, të gjuhës, të letërsisë dhe të vlerave të tjera të popullit shqiptar, madje edhe ekzistimin e këtij kombi”, pohonte Prof. Syrja Pupovci dhe përfundon se “Shtjefën Gjeçovi i dha kontribut të rëndësishëm kulturës kombëtare dhe shkencës dhe la në trashëgim vepra që do të mbeten edhe në të ardhmen gurrë e pashterrur për studime.”
Nga gjysma e 1920- At Shtjefën Gjeçovi i vetdijshëm për gjëndjen e mjeruar të bashkatadhetarve të vet në Kosovën ku kishte lindur, këthehet atje për të vazhduar veprimtarinë e tij atdhetare dhe fetare. Shërbimi i tij si famullitar në Zym të Hasit — ku ai ishte i vendosur që shqiptarët e Kosovës të mësonin të shkruanin dhe të lexonin në gjuhën e tyre amëtare — nuk shikohej me sy të mirë nga shovinistët serb, të cilët duke njohur veprimtarinë e dalluar kulturore dhe gjuhësore të At Shtjefën Gjeçovit në favor të kombit, e konsideronin atë si një një kundërshtar të vendosur të planeve të Serbisë shoviniste për të pushtuar përgjithmonë Kosovën duke e çkombëtarizuar Dardaninë e lashtë. Në zbatimin e planeve të Serbisë, At Gjeçovi ishte një simbol i rëndësishëm i bashkimit kombëtar të shqiptarëve, i cili duhej zhdukur. Ashtuqë me 14 Tetor, 1929 At Shtjefën Gjeçovi vritet në pritë, në pabesi, jo për tu harruar siç kishin në mend armiqët e tij dhe të kombit shqiptar, por për tu kujtuar për gjithmonë, brez pas brezi, në historinë e shqitarëve. Aty në faqet e asaj historie, së bashku me Isa Boletinin, Bajram Currin, Azem Bejtën, Hasan Prishtinën, Ded Gjo Lulin, Papa Kristo Negovanin dhe me kolosat e tjerë nga të gjitha trojet e kombit shqiptar, si njëri prej atyre patriotëve shqiptarë, që jo vetëm jetoi dhe punoi por dha edhe jetën për bashkimin kombëtar.
Gjeçovi, sipas Faik Konicës, si një folës i shqipës në vijën më të përparuar frontale të trojeve shqiptare, ishte njëri prej stërnipërve të atyre që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj, “ndaluan të mbrapsurit e vijës (së të folurit shqip) më tehu”. Andaj, në këtë 140-vjetor të lindjes së At Shtjefën Gjeçovit, duke njohur kontributin e tij të madh në favor të bashkimit kombëtar, le të bashkohemi me Faik Konicën duke uruar që “Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur” ndër ata pasardhës të cilët me veprat e tyre do të realizojnë më në fund ëndrrën e At Gjeçovit dhe të shumë bashkohësve të tij të cilët dhanë jetën për këtë qëllim.
Nga Frank Shkreli
—————————————————————————————————
Për të interesuarit — Më poshtë bashkangjitë mund të lexoni shkrimin e Faik Konicës,botuar në gazetën Dielli më 1930, në të cilin ai përshkruan vizitën e tij dhe të At Gjergj Fishtës në Gomsiqe të Mirditës ku kishte shërbyer si famullitar At Shtjefën Gjeçovi, përfshirë mbresat personale të Konicës mbi At Gjeçovin.
——————————————————————————————————————————-
Ca Kujtime Mbi At Gjeçovin
“Sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”
Faik KONICA
At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet, nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër, takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t’a dëgjonte njeriu. Asì kohe At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mbi udhë nga Shkodra n’Orosh.
A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat’ a tet’ orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí, veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s’pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj’ a dy mile më tej, as që dukej.
Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm’ e zbrazur nga plaçka por e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t’afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t’ Assisit, në pastërí e në vobësí të zëmrës tij, e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j’a kushtonte studimit.
Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t’ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t’i afrohej At Gjeçovit në diturín’ e këtíj Kanuni. Na tregói një dorëshkrìm nj’a dy-mij faqesh, sudiím i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme.
Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur “lacrumatorium” lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t’i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t’ona për At Gjeçovin…
Bir i përulët i Shën Franciskut, e ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípja dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuara janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.
Po, At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shënjtëruar të Shqipëtarësisë.”
(Marrë nga gazeta “Dielli” e Federatës Panshqiptare Vatra, 18 Mars 1930, nr. 5156, fq. 2.)
NË MBROJTJE TË VLERAVE TË PËRBASHKËTA
Nga Frank Shkreli/
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama dhe Kryeministri i Britanisë së Madhe David Cameron, në një artikull të botuar të ënjtën në gazetën e njohur të Londrës, Times of London, njoftuan planet e përbashkëta të dy vendeve për të bashkrenduar përpjekjet e tyre në disa fusha veprimi të politikës së mbrendshme dhe të jashtme.
Artikulli u botua në vigjiljen e vizitës së Kryeministrit britanik në Washington, ku do të takohet me Presidentin Obama për të biseduar mbi çështjet që ata nënvijojnë në këtë artikull, por edhe mbi çështje të tjera të interesit të përbashkët. “Ndërsa do të takohemi në Shtëpinë e Bardhë, ne rithkesojmë besimin tonë se mundësia jonë për të mbrojtur lirinë është e rrënjosur në fuqinë ekonomike dhe në vlerat në të cilat ne besojmë dhe të cilat na dallojnë si popuj — e që janë liria e fjalës, zbatimi i ligjit dhe institucionet e forta demokratike”, pohojnë ata në artikullin e tyre në gazetën Times of London.
Udhëheqsi amerikan dhe ai britanik — në komentin e tyre botuar në gazetën e famëshme londineze — angazhohen për një front të përbashkët, për të përballuar sfida të ndryshme, të mbrendshme dhe të jashtme, përfshirë edhe kërcënimin që paraqet ekstremizmi islamik” dhe ajo që ata quajtën “ideologjia e tij e shtrëmbëruar”.
Duke iu referuar sulmeve terroriste javën që kaloi kundër një gazete satirike në Paris të Francës, udhëheqsi amerikan dhe ai britanik u zotuan se ekstremistët nuk do të kenë sukses kundër lirisë së fjalës, si një vlerë universale dhe si e drejtë e njeriut. Zotërinjtë Obama dhe Cameron shkruajnë se ata nuk do të “frikësohen nga esktremistët, qofshin ata indidvidë fanatikë, ose organizata terroriste si al-Qaeda, Shteti Islamik, ose Boko Haram”. Ata vazhdojnë artikullin e tyre në Times of London duke shpreshur angazhimin e tyre se, “Ne do t’i mundim këta vrasës barbarë, të cilët justifikojnë vrasjen e njerëzve të pafajshëm”, theksuan zotërinjtë Obama dhe Cameron në komentin e botuar në gazetën e Londrës. Ndërsa në lidhje me luftën kundër terrorizmit, ata zotohen në emër të vendeve të tyre se, “Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe do të bashkpunojnë ngushtë me të gjithë ata që beosjnë në paqë dhe në tolerancë. Terroristët”, nënvijuan ata në komentin e tyre, “dinë vetëm të shkatërrojnë, por së bashku, ne mund të bëjmë diçka që është shumë më e fuqishme: të ndërtojmë sigurinë, të forcojmë drejtësinë dhe të promovojmë paqën”, shkruajnë Zotërinjtë Cameron dhe Obama.
Para takimit të tyre prej dy ditësh në Shtëpinë e Bardhë, në këtë shkrim ata nënvijuan parimet e aleancës amerikano-britanike, duke shkruar se, “Sot, ne angazhohemi rishtas ndaj misjonit tonë historik, në mbrojtje të popujve tonë, për ruajtjen e sistemit tonë ekonomik dhe në mbrojtje të vlerave tona”, të përbashkëta. Ata theksojnë se në këtë moment të historisë, “Përsëri, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe qëndrojnë së bashku. Edhe njëherë, ne kemi nevojë për udhëheqje të fortë dhe të vendosur, për tu përballur me sfidat e kohës sonë”, shkruajnë ata.
Zotërinjtë Obama dhe Cameron theksuan gjithashtu edhe rëndësinë e promovimit të politikave ekonomike për të nxitur ekonomitë e vendeve të tyre, me qëllim për të mënjanuar një tatpjetë tjetër të ekonomisë botërore. Në lidhje me këtë, ata shkruajnë se janë duke punuar, “drejtë përfundimit të një marrveshjeje të përgjithshme tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian”, marrvehsje kjo që sipas tyre, “do të zgjëronjë dukshëm tregëtinë midis dy vendeve tona dhe do të hapë mundësi të reja vend pune për miliona puntorë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara.”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe Kryeminsitri i Britanisë së Madhe, në artikullin e tyre, tregohen të vendosur edhe në qëndrimin e tyre kundër atij, që ata cilësuan si “aggression i Rusisë në Ukrainë”, duke u zotuar se do të vazhdojnë presionin diplomatik ndaj Moskës. Në lidhje me këtë ata theksuan duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë se, “Nëqoftse ne lejojmë që të ndodhin shkelje të tilla të ligjit ndërkombëtar pa u ndëshkuar, ne të gjithë do vuajmë pasojat që vinë më pas”, nga shkelje të tilla ndërkombëtare. Ata theksuan njëkohsisht se, “Përgjigja jonë e fortë dhe e përbashkët i ka dërguar botës një mesazh të fortë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të qendrojë duar-kryq, ndërsa Rusia vazhdon përpjekjet e saj për destabilizimin e Ukrainës.” Ndërkohë, ata shprehën gjithnjë gatishmërinë e tyre “për të vazhduar të mbështesin Ukrainën ndërkohë që ajo përpiqet të plotësojë aspiratat ekonomike dhe demokratike të popullit ukrainas”.
Presdienti Obama dhe Kryeminsitri Cameron përfundojnë artikullin e botuar nga Times of London, në vigjiljen e takimit dy ditësh të nivelit të lartë amerikano-britanik në Washington, duke shprehur besimin e tyre se, “Siguria dhe begatia janë të pandashme, nuk mund të ketë siguri pa begati. Dhe se ndërsa përballemi me me terroristët që na kërcënojnë, ndërsa mbajmë të njëjtin qëndrim kundër masave agresive të Rusisë dhe ndërsa vazhdojmë përpjekjet tona drejtë rritjes së përgjithëshme ekonomike, ne njëkohsisht do të vazhdojmë të çojmë përpara edhe sigurinë dhe begatinë, që meritojnë popujt tanë.”
Duket se lufta kundër terrorizmit, përpjekjet e përbashkëta kundër masave agresive të Rusisë dhe rritja ekonomike botërore, do të jenë subjektet kryesore të bisedimeve të nivelit të lartë amerikano-britanik në Shtëpinë e Bardhë gjatë dy ditëve të ardhëshme. Artikulli i shkruar nga Zotërinjtë Obama dhe Cameron sugjeron se kur bota përballet me terrorizëm, me konfliktet dhe kërcënime ndaj stabilitetit ndëkombëtar dhe kur vlerat universale janë në rrezik — janë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, ato që si gjithmonë më parë, mund të udhëheqin përsëri përpjekjet botërore drejtë një sigurie më të qëndrueshme ndërkombëtare dhe sigurimit të paqës në botë. Është ky një fakt që shqiptarët kudo duhet ta kujtojnë me rastin e përvjetorit të masakrës së civilëve shqiptarë në Reçak të Kosovës nga forcat terroriste serbe, masakër kjo që aso kohe tronditi botën e qytëruar dhe çoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania e Madhe, në mbrojtje të vlerave universale të njeriut.
VIDHET HISTORIA E QYTETIT ILIR TË SHASIT
Nga Frank Shkreli /
Portalet elektronike të lajmeve nga Ulqini, “ulqonline” dhe “lajmengaulqini”, njoftojnë lajmin tronditës se dëshmitarë, të cilët kohët e fundit kanë vizituar gërmadhat e qytetit të lashtë ilir të Shasit afër Ulqinit, kanë venë re se persona të pa identifikuar po vjedhin gurët e prerë dhe të çmuar nga muret që kanë mbetur ende të ndërtesave, kryesisht kishave të atij qyteti antic shqiptar. “Ndërsa po shkonim të vizitonim Kalanë e Shasit, shoh një makinë të ngarkuar me gurë nga muri rrethues i qytetit të vjetër!! Pyeta dhe më thanë që kështu i marrin gati dhe s’kanë nevojë t’i thyejnë!!!”, citojnë portalet ulqinake të lajmeve, dëshmitarin Ilir Taflaj. Mediat ulqinake e cilësojnë kjëtë ngjarje si të “tmershme”
Shasi antik, historia e të cilit mbetet ende për tu zbuluar dhe studiuar, ka një histori të lashtë dhe të bujshme për kombin shqiptar dhe të para-ardhësve të tij, ilirëve. Pamjet, nga ajo hapësirë e ish-qytetit që e ka zanafillën nga koha e ilirëve, megjith rrënojat, madje edhe sot janë mbresëlënse dhe flasin për një të histori qytetërimi tepër të zhvilluar. Shasi, si qytet i lashtë, është një monument i gjallë i autotoktonisë shqiptare dhe të trashgimisë historike të shqiptarëve, që fatkeqsisht po shkatërrohet dal ngadalë. Fatkeqsisht, si kudo tjetër anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, trashëgimia kulturore dhe fisnore e shqiptarëve gjëndet nën dhe e pa zbuluar dhe e pa studiuar, ndërsa numri i madh i monumenteve që ende mbijetojnë dhe dallohen mbi dhe e që flasin qartë për kulturën dhe autoktoninë shqiptare në ato troje siç është Shasi, po shkatërrohen dhe po zhduken nga mos kujdesi zyrtar, nga rrethanat politike ose nga hajdutë që vjedhin ditën për diell, pasurinë kulturore dhe shpirtërore të kombit shqiptar, siç është rasti i fundit i vjedhjes së gurëve të qytetit të lashtë shqiptar afër Ulqinit, për të cilin raportojnë portalet e lajmeve të Ulqinit.
Shasi i vjetër, shtrihet në një zonë tashti nën Mal të Zi, midis Shkodrës dhe Ulqinit. Aty gjënden rrënojat që ende bërtasin — për ata që duan të dëgjojnë — për trashëgiminë e lashtë të kulturës së iliro-shqiptare në ato troje. Qyteti i dikurshëm i Shasit, ishte njëri prej qyteteve satelite të Shkodrës që njiheshin si “Arbëria Veneciane”, e që kishte arritur një nivel zhvillimi ekonomik dhe humanist të përmasave të rilindjes europiane. Thuhet se në Shasin antik ilir, si një qytet qëndër ipeshkvnore, dikurë qëndronin 365 kisha katolike, aq sa ditë ka viti, diçka që përputhet me gojëdhanën popullore që banorët e fshatit Shas thonë ”se të gjitha kishat në fillim ishin katolike” shqiptare. Kjo histori gojëdhanore përputhet, sipas disa shënimeve në internet, edhe me një citim nga një autor i panjohur i dorëshkrimit “Dulcigno secondo l’antica descrizione…”, ku thuhet se “në këtë trevë gjëndej qyteti shumë i vjetër i quajtur Shasi, ku duken gjurmët e 365 kishave, larg nga Ulqini 15 milje”. Nëqoftse kjo mund të dokumentohej si e vërtetë nga hulumtimet e historianëve, rasti i Shasit do të ishte një rast unik në botë me një numër aq të madh kishash dhe me një lashtësi prej më shumë se 1300-vjetësh në trevat autoktone shqiptare.
Sipas të dhënave historike, zhdukja barbare e këtij qyteti fillon në periudhën kur ai pushtohet nga Stefan Nemanja, ndërsa pëson sulmet e egëra nga mongolët dhe më në fund Shasi që njihej si edhe si qënder e madhe tregtare, shkatërrohet dhe shkretohet përfundimisht nga pushtuesit turq më 1571. Si rrjedhojë, ç’prej asaj periudhe e sot njihet si një “qytet i vdekur”. Jo vetëm, por një qytet ilir, të cilin sllavët gjatë gjithë historisë e deri në kohërat moderne, janë përpjekur ta fshehin Shasin antik nga vëmëndja e historianëve dhe e studiuesve vendas dhe të huaj për qëllimet e tyre të shtrëmbërimit ose të mohimit të historisë së shqiptarëve dhe të autoktonisë së tyre në trojet e veta. Ndërsa nga koha në kohë, sidomos Kisha ortodokse serbe është përpjekur t’i përvetësojë këto kisha duke vendosur simbole fetare ortodokse sllave në disa prej gërmadhave të Shasit, siç kishte ndodhur më 2004, gjë që me të drejtë shkaktoi indinjatë dhe protesta nga banorët dhe autoritetet vendore shqiptare.
Qyteti i lashtë i Shasit, gjatë shekujve u shkatërrua nga sllavët, nga otomanët edhe nga mongolët, ndërsa në ditët e sotëme duket se gjurmët e këtij thesari të trashëgimisë së historisë dhe të kulturës së vjetër të kombit shqiptar, fakeqsisht nuk po zhduken nga të huajt, ndonëse do të dëshironin të bënin një gjë të tillë, por po zhduken nga hajdutët vendas që po vjedhin gurët e çmuar të këtij qyteti shqiptaro-ilir. Është për të ardhur keq që, siç duket, vet shqiptarët vendas i janë vërsulur shkatërrimit të këtij monumenit historik duke vjedhur gurë e themeleve të gërmadhave të Shasit. Duket se kjo ngjarje është vetëm një vazhdim i tragjedisë së historisë së këtij qyteti të vjetër.
Ndërkohë, që Shasi është një kujtesë e lavdisë së historisë së vjetër iliro-shqiptare, ai është gjithashtu edhe një simbol i tragjedisë historike nepër të cilën është përshkuar kombi shqiptar gjatë shekujve. Historia e Shasit antik është një histori sulmesh e okupimesh nga hordhitë sllave, mongole e otomane, të cilat, me barbarizmat e tyre kundër një popullësie të vjetër autoktone, hodhën në humerë atë kulturë e traditë të vjetër të kombit shqiptar, të asaj toke arbërore ku Lindja i hapet Perëndimit dhe Perëndimi Lindjes. Është fatkeq fakti se Shasi i vjetër po kalon nepër një periudhë tjetër tragjedie, ku hajdutët vendas po tërheqin me kamionë gurët e themelit të këtij monumenti të lashtë të historisë mija vjeçare të kombit shqiptar, duke zhdukur kështu mëtej nga ato troje, gjurmët e qytetërimit të lashtë e autokton të këtij kombi fisnik.
Nuk mund ta marr me mend se si mund të ndohdë një gjë e tillë, por falënderës medias ulqinake që e venë në dukje një gjë të tillë, duke ia bërë të ditur këtë situatë opinionit publick vendas dhe më gjërë, me shpresë së personat fajtorë do të kapen dhe situate atë tilla të mos përsëriten më. Nevoja për ruajtjen e trashëgimisë së kulturës dhe historisë shqiptare në Shasin antik duhet të jetë një obligim, jo vetëm i autoriteteve vendase, por mbarëkombëtar. U takon ekspertëve shqiptarë dhe qeverive përkatëse nga të gjitha trojet, që të ndërmarrin projekte arkeologjike për të shpëtuar dhe për të dokumentuar sadopak nga ato gjurmë të të qytetërimit të lashtë iliro-shqiptar që kanë mbetur aty, para se hajdutët e gurëve të shlyejnë çdo rrënjë të asaj kulture e historie të mbrekullueshme, vlera e së cilës nuk mund të matet me para. Shasi antik simbolizon një dimension vlere kulturore jo vetëm shqiptare, por edhe europiane dhe mund të themi e qytetërimit biotëror. Prandaj, vlerat historike të Shasit i përkasin jo vetëm mbarë shqiptarëve por edhe gjithë njerëzimit dhe si të tilla duhet të ruhen dhe të mbrohen si vlera të përbashkëta e të jashtzakonshme edhe për brezat e ardhëshëm. Identiteti kulturor historik e kombëtar i shqiptarëve nuk duhet të lihet në dorë të hajdutëve!
- « Previous Page
- 1
- …
- 131
- 132
- 133
- 134
- 135
- …
- 175
- Next Page »