• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË KUJTOJMË PËRJETËSISHT, PRESIDENT IBRAHIM RUGOVA!

January 23, 2023 by s p

Me rastin e 17-vjetorit të kalimit në amshim

Frank Shkreli

May be an image of 9 people, people standing and outdoors

“Sot bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ambasadorët e akredituar në Kosovë, e kujtuam me respekt Presidentin historik, dr. Ibrahim Rugova, njeriun i cili krijoi miqësi, ndërtoi aleanca dhe la trashëgimi të begatshme për brezat dhe Republikën tonë.  Presidenti Rugova është vizionari i lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës, i cili mbetet udhërrëfyes i yni për një Kosovë të fortë në rrugën euroatlantike. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!” (Nga portali zyrtar i Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, 21 Janar, 2023

———————————————————————————————–

Kur fliste e shkruante për Shqipëri, Ernest Koliqi nuk kishte në mend vetëm Shqipërinë e kufijve të sotëm, por një Shqipëri që përfshinte shqiptarët e të gjitha trojeve autoktone në Ballkan.  Nepërmjet tre poetënve imagjinarë në “Symfoninë e Shqipevet”, ai ka shprehur besimin e tij në një Shqipëri e cila megjithë — “errësitë e natës”, gjatë historisë së saj – Koliqi, prapseprap, shpreson dhe beson se virtytet e mëdha tradicionale  të Kombit shqiptar, do t’i mbeten trashëgimi brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm, anë e mbanë trojeve shqiptare. Ai ka shprehur besimin e tij së bashku me tre poetët e “Symfonisë së Shqipevet” — në një Shqipëri të lirë dhe me drejtësi, në vëllazërim dhe hare, drejt agimeve të reja dhe më të drejta të barabarta për të gjithë shqiptarët.  

“BESOJMË në Shqipni edhe në virtytet e mshefta që ruen gjaku illyro-thrak i bijve të saj.

BESOJMË në misjonin e naltë që Perendia, siç do kombit në botë, i shënoi edhe kombit të vogël shqiptar, mot e sot, në vallen e shekujve të palindun.

BESOJMË në vëllaznimin e madh të Shiptarëve që tue u forcue, ka me i falun fisit t’onë agime ma të drejta.

BESOJMË në punën e Shqiptarëve të vëllaznuem e në lumninë që ka për t’i sjellë kombit parmenda e bujkut, veli i detarit, penda e dijetarit, kullma e farkatarit, buza e poetit, spata e druvarit, mësimi i fetarit, kur këto të lëvizin e të kumbojnë tue veprue n’emnat e ngjitun e të pandamë të Perëndisë e të Shqipnisë.

BESOJMË në fisnikinë e gojdhanave stërgjyshore dhe në lulzimin e ri të këtyne, ndër breznina që ecin prej territ kah drita.

BESOJMË në Flamur t’onë edhe në frytin e vuejtjeve që për Të u bajten në dobinë e gjakut që për Të u derdh.

BESOJMË në drejtësinë vëllaznore që Flamuri i Shqipnisë ka me sigurue tue rrah i lirë në qiejt që presin diella ma të ndritshëm and’e kand n’atë tokë, ku na përkundi në djep kanga e nji nane arbënore dhe në gji të së cilës shpresojmë me u dhanë pushim këtyne eshtënave të lodhun.”

Ky është Besimi në Atdhe i Ernest Koliqit, i shprehur nepërmjet poemthit “Symfonija e Shqipevet”. Unë besoj se ky ishte edhe besimi dhe kredoja filozofike e Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës. Prandaj po e sjell në përkujtim të Dr. Ibrahim Rugovës, në këtë përvjetor të kalimit të tij në amshim.

Ky është edhe Besimi në virtytet e mëdha tradaicionale të Kombit, që duhet të ketë çdo shqiptar kudo, por sidomos elita aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë. 

Qoftë i përjetëshëm kujtimi i Ibrahim Rugovës!

Frank Shkreli

May be an image of 14 people, people standing and outdoors

Ambasadorët e shteteve Perëndimore duke venë kurrora lulesh në kujtim të përvjetorit të kalimit në amshim Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

                                            Në Prishtinë, viti 2005 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Frank shkreli

SHPALLET VITI JUBILAR I KUVENDIT TË ARBRIT

January 19, 2023 by s p

Me rastin e 320-vjetorit – Janar 1703

Nga Frank Shkreli

                    Papa Klementi XI Albani

Ishte viti 1703 – më saktësisht – 13, 14, e 15 Janari i atij viti që në Mërçi të Lezhës është organizuar Kuvendi Kishtar i Arbrit – ose ndryshe Koncili i Kishës Katolike në trojet Shqiptare, i thirrur nga Papa Klementi i XI – Françesk Albani, me origjinë shqiptare. Organizimin e këtij Kuvendi me rëndësi të madhe kombëtare, Papa Klementi ia besoi Kryeipeshkvit të Tivarit në atë kohë, Imzot, Vinçenc Zmajeviqit. 

Me atë rast, ipeshkvijt katolikë të trojeve shqiptare, pjesëmarrës në Kuvendin e Arbrit – shqyrtuan, në përgjithësi gjëndjen e përgjithëshme, kryesisht, të mjerueshme të Kishës Katolike në ato anë nën sundimin ottoman. Përveç çështjeve kishtare, Kuvendi i Arbrit ka analizuar edhe çeshtje të tjera me rëndësi kombëtare, përfshir rrezikun që i kanosej jo vetëm fesë katolike, por edhe gjuhës shqipe dhe me të edhe identitetit kombëtar nën administratën e egër pushtuese otomane, në një situate tejet të vështirë dhe sfiduese për shqiptarët në trojet e veta. 

Për të shënuar këtë ngjarje me shumë rëndësi për ruajtjen e historisë, gjuhës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, Dioqeza e Lezhës dhe Bashkia Lezhë, organizuan fund javën që kaloi, pikërisht në ambijentet e Kishës së Shën Gjonit (në rinovim e sipër)ku është mbajtur Kuvendi i Arbrit 320-vite më parë, Kishë kjo që nën drejtimin dhe udhëheqjen e të palodhurit Dom Nikë Ukgjini dhe bashkpuntorëve të tij, po rinovohet – ashtu siç janë rindërtuar një numër objektesh të tjera kishtare historike në ato anë, falë vullnetit, dedikimit dhe vendosmërisë së tij personale, fetare e kombëtare të tij dhe ndihmës së shumë prej bashkpuntorëve të tij, të cilët – në mungesë arrogante të ndihmës qeveritare për objektet kulturore – shumë prej këtyre patrirotëve nuk kursejnë asgjë për rindërtimin e këtyre objekteve me rëndësi kombëtare historike dhe fetare. Frank Shkreli: Kanë filluar punimet për rehabilitimin e Kishës së Kuvendit të Arbërit afër Lezhës | Gazeta Telegraf

Në frymën e bashkpunimit dhe mirëkuptimit mbarëkombëtar të Kuvendit të Arbrit, Janarin e vitit 1703,ku e kur u mblodhën burrat e dheut për të biseduar për fatet e Kombit — MËRQIA- KISHA E KUVENDIT TË ARBRIT, NË TË KALUARËN DHE SOT – Dielli | The Sun (gazetadielli.com) –fund javën që kaloi Dioqeza e Lezhës dhe Bashkia Lezhë organizuan një tubim për të shënuar këtë përvjetor duke shpallur vitin 2023, si Vitin jubilar të Kuvendit të Arbrit, me rastin e 320-vjetorit.

Shihet se për nga pjesëmarrja në këtë tubim e studiuesve dhe personaliteteve akademike nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora, organizatorët duket se janë munduar, me të drejtë, t’i japin kësaj ngjarjeje të rëndësishme një pamje të karakterit mbarëkombëtar. Në kishën e Shën Gjonit ku është mbajtur Kuvendi i Arbrit më 1720 – ndoshta më i rëndësishmi në historinë e shqiptarëve, pas Besëlidhjes së Lezhës nën drejtimin e Kryetrimit të Kombit, Gjergj Kastriotit -Skenderbe – ishin mbledhur klerikët nga diqoezat e Lezhës, Shkodrës e Tivarit. Morën pjesë gjithashtu edhe studiues, akademikë dhe mysafirë të ftuar nga mbarë trojet shqiptare, të ardhur nga Shkupi, Prishtina, Ulqini, Tivari, Tirana e Shkodra, në shenjë nderimi dhe respekti për Kuvendin historik të Arbrit, por edhe për rëndësinë që ka edhe sot –jo vetëm fetare, por edhe atdhetare e kulturore, për mbarë Kombin shqiptar – edhe si shembull i ruajtjes së gjuhës dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të veta. Organizuesit e kësaj ngjarjeje me rëndësi historike, fetaro-kulturore, falënderuan edhe kontribuesit nga vendi dhe jashtë vendit — pa ndihmën financiare të cilëve – do ishte pothuaj i pamundur rindërtimi dhe meremetimi i Kishës së Arbrit dhe ambienteve për rreth. Është meritë e tyre dhe udhëheqsit të punimeve të meremetimit,  Dom Nikë Ukgjinit, që sipas fotografive që kam parë, ky objekt historik, çdo ditë e më shumë, po merr shkëlqimin e vet të merituar e të munguar për shumë dekada me radhë. U lumtë këtyre burrave të dheut, të kohërave tona, të cilët kanë marrë përsipër përgjegjësi për ruajtjen dhe meremetimin e objekteve kombëtare, që në një shtet normal, janë përgjegjësi të qeverisë e të shtetit.

Me këtë rast përkujtimor, të djelën që kaloi, të Kuvendit të Arbrit në Mërçi të Lezhës u promovua edhe relacioni i autorit të punimeve të Kuvendit të Arbrit, delegatit të Papa Albanit,  Imzot Vincenc Zmajeviq, i botuar në gjuhen shqipe, nga AIlbanisches (Albanishes) Institut, St. Gallen dhe shtëpia botuese, Faik Konica Prishtinë.  Tubimi i javës së kaluar në Lezhë, shënoi gjithashtu edhe fillimin e Vitit Jubilar të 320-vjetorit të Kuvendit të Arbrit, me premtimin për tu takuar gjatë këtij viti për ngjarje të tjera, në kujtim të këtij përvjetori jubilar.

Në tubimin, me rastin e 320-vjetorit të Kuvendit të Arbrit, folën një numër studiuesish e historianësh, disa prej të cilëve mund ti ndjekni në këtë link më poshtë. PERKUJTOHET NE LEZHE 320 VJETORI I KUVENDIT TE ARBERIT. Bashkia dhe Dioqeza e Lezhes kane perkujtuar 320 vjetorin e Kuvendit te Arberit, nje nga… | By Rrok | Facebook — Por, si pasqyrim të punimeve të tubimit, javën që kaloi, foli edhe Dom Nikë Ukgjini, drejtuesi dhe udhëheqsi i projektit të madh të rinovimit të Kishës së Arbrit, ku 320-vite (14, 15 e 16 Janar, 1703) më parë u mbajtë Kuvendi i Arbrit. Në fjalën e tij, Dom Nik Ukgjini tha se kjo datë është një themel i rëndësishëm për mbrojtjen dhe ruajtjen e identitetit shqiptar., duke dhenë një historik të shkurtër të Kishës së Arbrit, ku 320-viet më parë u mbajt Kuvendi i Arbrit.

Kisha-katolike-në-trevat-shqiptare-nga-dr.Dom-Nikë-Ukgjini-1Lezhë, Mërçi, 14 janar, 2023

Fjala përshëndetës dom Nika

Shpallja e vitit Jubilar, 320 vjetori i Kuvendit të Arbrit

Të nderuar pjesëmarrës,

Kuvendi apo Koncili kishtar i Arbërit që u mbajt në Kishën e Shën Gjonit të Merçisë, nën drejtimin e Imzot Vinçenc Zmajeviçit, kur ai kishte vetëm 31 vjeç, ishte me rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e Kishës katolike në trojet shqiptare, të gjuhës shqipe e të identitetin etnik të kombit shqiptar. Ishte data 14 janar e Kuvendi do të vijonte edhe  më 15 e 16 janar 1703, kur në përfundim të punimeve, baritë e të gjitha trojeve të Kishës Katolike, si dhe delegatë të tjerë, nënshkruan dekretet e Koncilit të Arbnit, te cilat u botuan  në latinisht  e shqip ne vitin 1706, nga Imzot Zmajeviçi e ku përmes së cilës shihet qartë se kleri katolik shqiptar, përkundrejt torturave nga pushtuesit, i qëndroi pranë në gaz e në vaj, popullit të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. 

Imzot Zmajeviçi i nxitur nga Papa Francesk Albani, u kujtoi të gjithë ipeshkvijve pjesëmarrës të Kuvendit të Arbërit detyrën që të kujdesën me të gjitha forcat për ringjalljen e jetës fetare të popullit, e të punojnë për përtëritjen dhe rritjen e klerit si dhe për lirinë fetare të kultit e të popullit. 

Nisur nga ajo  se çfarë është shkruar për Kuvendin e Arbrit, mund te themi se në ketë ambientin ku gjendemi, u vendos një gur i rëndësishëm themeli për mbrojtën dhe ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar të arbërve përballë zgjedhës së rëndë të robërisë nën turqit osmanë dhe depërtimit të dhunshëm të islamizmit, i cili kishte arritur fazën e tij kulmore në fund të shek. XVII e fillim të shek. XVIII.

Sulltanati i Stambollit duke reflektuar thellë, kuptoi se Kuvendi i Arbrit ishtë një veprimtari sa kombëtare aq ndërkombetare, një nga ngjarjet me të mëdha ballkanike, ishte konkretisht një reagim strategjik i Evropes Perëndimore ndaj Shqipërisë, prandaj në vitet në vazhdim, ky objekt  legjendarë, do pësonte dëmtime, rrënime të shumta si dhe ringritje. Do  përmendim këtu dëmtimet goditëse e të parat që kishin ndodhur gjatë rivalitetit në mes Karamahmud Pashë Bushatliut dhe Mehmet Pashë Çaushollit besnikut të sulltanit, gatë viteve 1785-1796, e ky ipeshkvi Mikel Kryziu në vitin 1789, thotë se Kisha është aq e prishur sa duket se do të rrënohet në mos sot o nesër dhe mezi qëndron në këmbë. Po kështu dëmtime te kësaj natyre shënohet sa ka pasur edhe në vitet në vazhdimësi. Ajo e fundit ka ndodhur nga esadistët shqiptarë në vitin 1915 dhe me pas gjatë diktaturës së egër komuniste, e cila e dominoj për 45 vite tokën e Arbrit.

Me ardhjen e demokracisë në mars të viti 1991, Kisha Katolike si pjesë e këtyre vuajtjeve të këtij populli, me këtë rast filloi edhe ajo ringjalljen e saj. Meshtarët, përpos punës intensive baritore, ju desh të merreshin edhe më ringritjen e mureve të rrënuara të disa objekteve të kultit. Kështu ndodhi edhe me Kishën legjendare të Kuvendit të Arbrit, e cila gjatë kohës se komunizmit kishte degraduar tepër, prandaj u pa e nevojshme ndërhyrja restauruese e cila ndodhi në mënyrë serioze por dhe modeste vitin 1996. 

Duke qenë të bindur se çdo aset të Trashëgimisë tonë Kulturore Kombëtare, përfaqësojnë vertebrat e shtyllës kurrizore të identitetit tonë kombëtar, dhe që kjo pjesë e historisë sonë të marrë edhe më tepër jetë, një grup vullnetmirësh me ide e financime arritëm gjatë vitit 2022, të ia shtojmë dinjitetin këtij objekti duke rindërtuar e meremetuar, por dhe duke shtuar gjerat të nevojshme, në Kishë dhe ambientin për rreth e qark.

Duke falënderuar te gjithë kontribuuesit financiarë nga brenda dhe diaspora deri tani kemi arritur për ta përmbyllur fazën e parë të rindërtimit, me shpresë se do i gjejmë mundësitë për përmbyllur deri në fund projektin e hartuar. 

Me ketër rast të 320 vjetorit te Kuvendit të Arbrit, gjej rastin ti falënderoj edhe atyre që na shtuan madhështinë e kësaj feste duke na mundësuar  promovimin e relacionit të Imzot Zmajeviqit në gjuhën shqipe e i cili si vend takimi historik e kishte pikërisht në Kishën e Merqisë ku sot jemi bashkuar.”  Fjala e Dom Nikë Ukgjinit në përvjetorin e 320-të Kuvendit të Arbrit.

 Koncili Kuvendi i Arberit 1703  Concilium Provinciale sive Nationale Albanum Habitum Anno MDCCIII

Filed Under: Rajon Tagged With: Frank shkreli

NGA TURPI QAVA, ARBËRI!

January 18, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

15 Janari (1999) shënon një ngjarje, ndër më tragjiket në historinë e Kombit shqiptar.  24-vjetë më parë, me 15 Janar të vitit 1999, në fshatin Reçak, komuna e Shtimes, jo më larg se 30 kilometra në jug të Prishtinës, forcat serbe të diktatorit terrorist të Serbisë, Millosheviçit, vranë 45 persona civil shqiptarë të pafajshëm dhe të pa armatosur. Frank Shkreli – E vërteta e Reçakut: Barbarizëm serb dhe krim kundër njerëzimit | Gazeta Telegraf — Të dielën (15 Janar, 2023) në atë fshat u mblodhën një numër i madh qytetarësh, në një tubim përkujtimor në nderim të viktimave, udhëheqësit më të lartë të Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti, si dhe Ambasadori William Walker, i cili 24 vjetë më parë i kumtoi botës lajmin e zi të masakrës në Reçak të 45 shqiptarëve. Unë nuk e di se cili do të ishte sot realiteti politik i Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi, nëse atë ditë fatzezë të 15 Janarit, 1999, Ambasadori William Walker nuk do të kishte marrë guximin dhe të shkonte në Reçak për të parë për veten e tij, masakrën që forcat terroriste serbe kishin kryer në atë fshat, një krim i vërtetë kundër njerëzimit. Kosova shënoi të djelën, 24-vjetorin e këtij krimi barbar, përvjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila konsiderohet si pikëkthesa kryesore e ngjarjeve të mëvonshme në Kosovë, si sulmet ushtarake të NATO-s kundër objektivave ushtarake dhe industriale serbe, përfshirë kryeqytetin e Sebisë, Beogradin. Ajo ishte një ndërhyrje që më në fund, detyroi largimin e forcave terroriste ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, duke i dhënë, kështu, fund luftës në Kosovë dhe duke çuar, më në fund, në pavarësinë që Kosova gëzon sot. Republika e Kosovës – ashtu siç e ka zakon, nderoi dhe vlerësoi Ambasadorin amerikan William Walker për rolin e tij.

Ndërkaq, njoftohet se në Tiranë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekoroi të henën me një nga medaljet më të larta të Republikës së Shqipërisë — atë të “Kalorësit të Urdhrit të Flamurit” — Ambasadorin William G. Walker për kontributin e jashtëzakonshëm për paqën, demokracinë dhe lirinë e popullit të Kosovës si dhe për denoncimin e genocidit serb në Reçak.”

Bravo, Presidentit Begaj për dekorimin e Ambasadorit William Walker duke e vlerësuar atë me fjalët më të përshtatëshme dhe më të merituara për rolin e diplomatit amerikan, 24 vjet më parë në Kosovë.  Me të drejtë, Z. Begaj, e cilësoi Amb. Walker si, “një mik i shqiptarëve dhe si “njeriu që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, rajonit tonë dhe të vetë NATO-s”. Por edhe si një person i cili “krijoi një lidhje të pazgjidhshme me kombin shqiptar”, por edhe dhe si “një personalitet ndërkombëtar, diplomat dhe humanist.”

Shumë bukur deri këtu.  Por, mjerisht, diçka mungonte, tmersisht, në këtë ceremoni. Nuk dua të paragjykoj se ku mund të jetë faji dhe kush mund të jetë përgjegjës për këtë mangësi të pafalshme diplomatike, njerëzore dhe shqiptare në ceremoninë e dekorimit të Amb. William Walker në Presidencë. Shqiptari i trajton shumë më mirë se kështu, miqtë e Kombit.  Mungesa e përfaqsuevse të popullit shqiptar në atë ceremoni ishte tepër evidente, ndoshta e qëllimshme – si rrejdhim, mu duk një atmosferë e turpshme, që nuk u ka hije shqiotarëve. Ku ishte Kryeministri dhe përfasuesit e qeverisë që nuk morën pjesë?!. A mos vallë, me mos marrjen pjesë në një ceremoni të tillë në Presidencë, donin të dërgonin ndonjë mesazh, ndokujt më larg dhe përse?!

Po, ku ishte opozita dhe përfaqsuesit e saj – sado të ndarë e të përçarë që janë — për faqe të zezë të tyren?! 

Po pse nuk ishte aty përfaqsuesi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe përfaqsues të tjerë diplomatikë perëndimorë në Tiranë dhe pse nuk morën pjesë?!

Ku ishin përfaqsuesit e komuniteteve fetare – që normalisht tregohen si përfaqsuesit më të përbashkuar të popullit shqiptar në raste të tilla?!

Për më tepër, kush janë këta përfaqsues politikë e të tjerë të Kombit shqiptar, që në kapacitetin e tyre zyrtar, pretendojnë të jenë përfaqsues të Kombit, po që nuk marrin pjesë në nderimin nga Presidenti i Republikës të një miku të madh të shqiptarëve – siç është, Amb. William Walker?! Çka po ndodhë në kryeqytetin e shqiptarëve?!

E pashë ceremoninë në Presidencë dhe më erdhi të qajë, jo nga gëzimi, që do duhej të ishte një rast i tillë, i gëzuar, falënderues e mirënjohës për një personalitet të madh, mik i shqiptarëve – por mu mbushën sytë me lotë nga dëshpërimi dhe hidhërimi ndaj një shfaqjeje të tillë mosrespektimi ndaj këtij miku të madh të Kombit, i cili, sipas Presidentit Bajram Begaj, “me punën dhe kontributin e tij krijoi një lidhje të pazgjidhshme me Kombin shqiptar”, për të gjithë shqiptarët, pra, pa dallim.

Dëshprimi dhe hidhërimi im personal — thjesht si shqiptaro-amerikan — u këthyen në një ndjenjë imponuese turpi. Dhe në mungesë të mundësisë për të bërë ndonjë gjë për ta ndryshuar atë dukuri, m’u kujtua poezia e Azem Shkrelit: Sonte!


Qava sonte për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Më vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava (Azem Shkreli)

Dhe thashë me veten, miqtë e Kombit shqiptar, siç është Ambasadori William Walker, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje, meritojnë të trajtohen dhe të nderohen më mirë dhe më shumë se kështu! Por hajde, kujt t’i thuash.  Frank Shkreli/ Thirrja e Ambasadorit William Walker: Punoni për kauzën që bashkon të gjithë shqiptarët | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli 

                  Foto nga ceremonia e dekorimit të Amb.William Walker

Frank Shkreli/ Thirrja e Ambasadorit William Walker: Punoni për kauzën që bashkon të gjithë shqiptarët | Gazeta Telegraf

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

POETI E SHKRIMTARI I SHKRELIT LUIGJ ÇEKAJ: NDERI I MALËSISË SË MADHE!

January 16, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi në Selinë e Bashkisë Malësi e Madhe u zhvillua ceremonia, e kryesuar nga Kryetari i asaj Bashksie, Z. Tonin Marinaj, për të nderuar njërin prej intelektualëve të njohur të atij trolli – poetin dhe shkrimtarin malësor prej Shkrelit – të ndjerin Luigj Kolë Çekaj. Frank Shkreli: Luigj Çekaj – Poeti i përndjekur i Shkrelit të Malësisë së Madhe | Gazeta Telegraf — Frank Shkreli: Luigj Çekaj dhe libri i tij i dhimbjes “Unë vij nga Shkodra” | Gazeta Telegraf

Sipas njoftimit nga familja e Luigj Çekaj, që u botua edhe nga portali, “Zani i Veriut”, Bashkia Malësi e Madhe, me në krye shefin e saj, Tonin Marinaj organizoi, javën e kaluar, një eremoni zyrtare per dorëzimin e titullit ” Qytetar Nderi” i Malësisë se Madhe, për poetin Luigj Kolë Çekaj (pas vdekjes). Në sallën e Bashkisë, plot e përplot me të afërmë e dashamirë të poetit, e pranishme ishte edhe familja e tij, e përfaqësuraar nga bashkshortja dhe djali i Luigj Çekajt. Pas himnit kombëtar u mbajt një minutë heshtje në nderim të poetit malësor i cili ishte arratisur në Shtetet e Bashkuara në fillim të 1990-ave, pas shembjes së komunizmit, ku edhe ndërroi jetë, në Janar të vitit 2021.

Familjes, miqëve dhe dashamirësve të shumtë të pranishëm që kishin shkuar atje për të nderuar poetin dhe shkrimtarin e Shkrelit, iu drejtua të pranishëmve me disa fjalë duke i përshëndetur i pari i Bashkisë, Malësia e Madhe, Z. Tonin MARINAJ.  Z. Marinaj i dorëzoi familjes e pranishme aty, ardhur për atë qëllim nga Shtetet e Bashkuara, dekoratën, “Qytetar Nderi”, akorduar Poetit Luigj Çekaj nga Shkreli i Malësisë së mbi-Shkodrës – pasi ai lexoi motivacionin për dhënjen e dekoratës Luigj Çekajt: 

“Për punën dhe përkushtimin e tij si një qytetar bashkohor. Si atdhetar dhe veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare shqiptare. Si një përfaqësues i denjë i letërsisë dhe kulturës malësore mbarë shqiptare, ku me poezinë dhe prozën e tij edhe pse në mërgim prej kohësh, nuk e ndau asnjiherë vendlindjen e tij, por duke lartësuar kurdoherë trevën tonë, Malësin[ e Madhe e më gjërë.”

Kryetari i Bashkisë, Tonin Marinaj, 

Kryetari i Këshillit Bashkiak, Ilir Hanaj.

Ndërkaq, në emër të familjes përshëndeti bashkëshortja e Luigjit, Violeta Çekaj, e cila duke falënderuar Bashkinë dhe Kryetarin e saj, Z. Marinaj, shtoi se Luigji u rrit jetim, te dajat pasi babën e vet – të arratisur nga komunizmi — e ka takuar pas 46 vitesh në Nju Jork. Në fjalën e saj, Violeta Çekaj falënderoi — për këtë nderim që i benë bashkshortit të saj të ndjerë — Kryetarin e Bashkise, Z. Tonin Marinaj, duke shprehur gjithashtu respektin dhe falënderimet e saj dhe të familjes si dhe të gjithë atyre që morën pjesë në atë ceremoni vlerësimi për Luigjin duke u shprehur se se né,  kurrë nuk e harrojmë Malësinë e Madhe, tha ajo.

Dhënja e kësaj dekorate, poetit e shkrimtarit Luigj Çekajt, me të drejtë u cilësua si një vlerësim i merituar nga Bashkia Malësia e Madhe, “Për një personalitet të madh si Luigj Çekaj, i cili i bán nder Shkrelit, Malësisë dhe Kombit Shqiptar. Një ceremoni e thjeshtë, për një emër të Madh”, u cilësua tubimi në nderim të Luigj Çekajt orgnaizuar në Kryeqëndrën e Malësisë së Madhe në Koplik. 

Për të ndjerin Luigj Çekaj, si bashkvendas imi nga Shkreli i Malësisë së Madhe dhe mik i familjes time e të cilin kam pasë nderin ta njoftoj vetëm pas ardhjes së tij në Nju Jork, në fillim të viteve 1990-a, pas shembjes së Murit të Berlinit dhe për të cilin, në të kaluarën, kam shkruar disa artikuj modestë në kujtim të personit, punës dhe veprimtarisë së Luigj Çekaj këtu në Nju Jork. Si një anëtar i vyer i komuniteit shqiptaro-amerikan, të cilit edhe sot i mungon shumë prania dhe kontributi i tij letrar dhe shoqëror. 

Ishte nder e privilegj për mua që të merrja pjesë në propozimin – si më poshtë — që i kam bërë Bashkisë Malësi e Madhe, gushtin që kaloi, që të nderojë – këtë bir të trojeve tona, për punën dhe aktivitetin e tij si poet e shkrimtarë por edhe si përfaqsues dhe intelektual i denjë i Malësisë së Madhe në mërgim, por njëkohësisht, edhe i komunitetit shqitaro-amerikan me të cilin ishte shumë i angazhuar. Falënderimet tona Kryetarit të Bashkisë, Malësi e Madhe, Z. Tonin Marinaj dhe Këshillit të Bashkisë për dekortaën që i ka akorduar poetit e shkrimtarit malësor, të ndjerit Luigj Çekaj.

Propozimi im drejtuar Bashkisë Malësi e Madhe për nderimin e Luigj Çekajt me dekoratën “Qytetar Nderi”, (pas vdekje) i Malësisë së Madhe:

Nju Jork, Gusht, 2022

PROPOZIM: QË POETI I NDJERË LUIGJ ÇEKAJ TË SHPALLET QYTETAR NDERI I MALËSISË SË MADHE

I PROPOZOHET BASHKISË: MALËSI E MADHE

PROPOZUESI: FRAN SHKRELI

TITULLI: “QYTETAR NDERI I MALËSISË SË MADHE”

Personi: Poeti e shkrimtari Luigj Çekaj (pas vdekjes)

Luigj Çekaj, shkrimtar e poet, bir i Shkrelit të Malësisë së Madhe, i kësaj treve me emër e za dhe lavdi prej shekujsh i dha Kombit shqiptar trima, poetë e shkrimtarë.  Personalitete që me verpimtarinë e tyre artistike dhe njerëzore – mbrenda dhe larg Malësisë së Madhe – sa ishin gjallë por edhe pas shkuarjes në amshim, ata me veprat e tyre dhe trashëgiminë që kanë lënë pas, vazhdojnë të kontribojnë. Me veprat e tyre, ata vazhdojnë t’i japin nam e za Malësisë së Madhe, duke nderuar vlerat e shënjta iliro-arbërore të pakrahasueshme, për të cilat krenohen të gjithë malësorët, kudo që jetojnë sot, në trojet tona të shënjta të Malësisë së Madhe dhe anë e mbanë botës. Njëri prej këtyre malësorve krenarë  që nderon të gjithë ne dhe Malësinë e Madhe ishte edhe Poeti e Shkrimtari me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe, Luigj Çekaj. 

Kam nderin dhe privilegjin që Luigj Çekajn — këtë bir të madh të Malësisë së Madhe — t’a propozoj për dekoratën: “Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe”.  Ai, me veprat e tija kudo shkoi dhe me këdo që u takua – Luigj Çekaj, vetëm nder e lavd i çoi Malësisë, në nivelet më të larta shqoërore, intelektuale dhe patriotike, mbrenda dhe jashtë Shqipërisë. Vlerat shekullore të Malësisë së Madhe: nder, burrëri, besë e trimëri, Luigj Çekaj i pasqyron në të gjitha veprat e tija, poezi e prozë. “Libri juaj ka qenë një zbulim poetik për mua”, është shprehur, shkrimtari i madh Ismail Kadare, për veprat e Luigjit. Një zbulin – siç ishte dhe është i tillë për të gjithë ne që e kemi njohur, por edhe ata që kanë lexuar veprat e Poetit dhe Shkrimtarit të Malësisë së Madhe, Luigj Çekaj.

Për këto arsye dhe të tjera që mund të lexoni në artikujt më të gjërë — bashkangjitur këtij propozimi linket mund ti gjeni më poshtë — unë Frank Shkreli propozoj dhe rekomandoj me gjihtë zemër që Poetit dhe Shkrimtarit, Luigj Çekaj, me origjinë nga Malësia e Madhe, t’i akordohet dekorata me titullin: “Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe” – se ai veç nder e lavd i ka sjell Malësisë dhe mbarë Shqipërisë.  Me jetën plot vuajtje të rënda dhe me veprat e tija të vlerësuara nga intelektualët e dalluar shqiptaro-amerikanë me të cilët bashkëpunoi ngushtë pas vendosjes së tij në Amerikë, Luigj Çekaj si njeri, si poet e shkrimtar, nderoi veten dhe familjen e tij të ngushtë, fisin e origjinës, Malësinë e Madhe dhe më gjerë. Shkodra dhe Shkreli janë krenarë me të, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan është përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij të vyer që ka dhënë për vitet sa jetoi dhe punoi në gjirin e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara.

Prandaj propozoj dhe rekomandoj, me bindje të thellë për meritat e tij, emërimin e Luigj Çekaj për titullin e lartë të Bashkisë së Malësisë së Madhe: “Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe”:

                                                Me Motivacionin: 

“Si një prej përfaqësuesve malësorë më të denjë të letërsisë dhe të kulturës shqiptare të Malësisë së Madhe dhe përtej, i cili me poezitë dhe me librat prozë, ai me integritet, profesionalizëm dhe atdhedashuri, mbrojti dhe promovoi, gjuhën, kulturën, traditat dhe vlerat, në përgjithësi, të cilat dallojnë trojet shekullore të Malësisë së Madhe. Duke ndriçuar me veprën e tij, njëkohësisht, edhe mbarë shoqërinë shqiptare në Atdhe dhe në Diasporë. Për rolin dhe rëndësinë e ruajtjes së vlerave tradicionale shekullore të malësorëve, në mbrojtje të interesave dhe identetit kombëtar të malësorëve dhe shqiptarëve kudo që gjënden.”

Me shumë respekt për bashkvëllëzrit e mi në Bashkinë e Malësisë së Madhe, mbetem i jueji,

Vëllazënisht, Fran Shkreli

        Poeti dhe shkrimtari Luigj Çekaj, “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe

May be an image of 6 people and people standing

       *Fotot nga ceremonia, marrë nga portali, “Zani i Veriut”

May be an image of 3 people and people standing

Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Z. Tonin Marinaj me bashkshorten dhe djalin e poetit Luigj Çekaj

May be an image of 13 people and people standing

                            Pamje nga salla e e Bashkisë Malësi e Madhe

May be an image of 7 people and people standing

Filed Under: Komunitet Tagged With: Frank shkreli, Luigj Cekaj

GAZETARI SALI NIVICA: NJË NACIONALIST I VËRTETË! MODEL PËR RININË DHE PËR GAZETARINË SHQIPTARE SOT

January 12, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

No photo description available.

                                                                                                  Sali Nivica

Kush ishte Sali Nivica dhe pse po e kujtojmë sot këtë atdhetar të shquar. Po e kujtojmë atë, në ditën e vrasjes së tij më 10-janar, 1920. I lindur në Kurvelesh — një bir i denjë i Labërisë dhe i mbarë Shqipërisë – megjithëse në moshë të re, ai e dalloi vetën në shumë fusha të veprimtarisë së tij: si publicist, botues i gazetës Populli, ai u dallua si patriot i flakët atdhedashës, si shkrimtar, por edhe si politikan, megjithse në moshë të re. Brenda një jete shumë të shkurtër (nën 30-vjeçare), para se të vritej barbarisht, Sali Nivica kishte arrijtur shumë më shumë se ndonjë prej nesh mund të arrijë në një jetë të tërë e të plotë. Me veprat e tija patriotike, ai kishte bërë emër në qarqet atdhetare dhe intelektuale të kohës në Shqipëri dhe në Kosovë, si patriot i flakët, organizator dhe veprimtar i kryengritjeve anti-osmane dhe anti-sllave. Fillimisht, ai nisi veprimtarinë e tij patriotike në gjimnazin që frekuentonte në Manastir, në fillim të 1900-ave. Atje u njoh me patriotin Bajo Topulli, (vëllai i Çerçiz Topullit), një figurë e njohur nacionaliste shqiptare – themelues i Komitetit të parë Kryengritës për Çlirimin e mbarë Shqipërisë – të cilit iu bashkua edhe i riu Sali Nivica. Bashkpunoi me Bajo Topullin, të cilit, kolosi i gjuhës shqipe, Eqerem Çabej i është drejtuar me fjalët e fundit: “Ti o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri … që t’i e deshe gjithë jetën, më tepër sesa shpirtin”. Me njerëz të tillë, të vlerësuar për kontributin e tyre, vepronte dhe bashkpunonte i riu Sali Nivica – në mbrojtje të Atdheut dhe të drejtave të shqiptarëve nga jugu në veri, duke filluar nga Manastiri e në Shkodër, e deri në Kosovë.

Më vonë Saliu i ri shkon në Shkodër, ku në Shkurt të vitit 1918 bëhet anëtar i “Komisisë Letrare”, në të cilën merrnin pjesë disa nga patriotët më të njohur dhe personalitetet më të shquara të gjuhës, kulturës, pore dhe të politikës kombëtare, si At Gjergj Fishta, Gurakuqi, Pekmezi, Mosi, Logoreci, Mjeda, Xhuvani etj. Merreni me mend këtë patriot të ri shqiptar në shoqërinë e këtyre kolosëve të Kombit duke diskutuar fatet e Kombit dhe duke mësuar prej tyre dashurinë e vërtetë për Kombin e vet!?  Duke marrë mësim nga më të mirët e Kombit, Sali Nivica, në këtë kohë, e shtrinë gjithashtu veprimtarinë e tij patriotike edhe në Kosovë, ku në Nëntor të vitit 1918 bëhet njëri prej organizatorëve të themelimit dhe anëtar i Komitetit të emërtuar, “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me qëndër në Shkodër.  Edhe në këtë organizatë, Sali Nivicës i jepet mundësia të bashkpunonte me figurat më të ndritura të Kombit Shqiptar, si Hoxha Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kel Marubi, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Vinçenc Prenushi, Sejfi Vllamasi etj. 

Veprimtaritë e tija nepër organizata e komisione, në mbrojtje të interesave të Atdheut — në bashkpunim me më të mëdhejt e Kombit të asaj kohe dhe sot – i riu Sali Nivica, i cili falë rinisë së tij duhet të ketë qenë edhe më entuziasti në atë grup – i dyfishonte e trefishonte kontributin e tij, me punën në fushën e publicistikës, si botues I një gazete në Shkodër.  Sipas burimeve, si botues i gazetës së tij “Populli”, ai vuri në dispozicion gazetën që në numrin e parë të saj, Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës – gazetë që e botonte me moton, “Për Lavdinë e Atdheut”.  Gazeta “Populli” nën drejtimin e atdhetarit të ri, Sali Nivicës — jo vetëm gjatë Konferencës së Paqës në Paris – por gjatë gjithë periudhës që ajo u botua – shërbeu si një “pararojë” e mendimit atdhetar-nacionalist të kohës për çlirimin dhe për bashkimin e Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare, “nën sundim të Shqipërisë së lirë”.

Fatkqesisht — për botën e sotëme shqiptare dhe për të ardhmen afat-gjatë të Kombit shqiptar – subjekte dhe personalitete të historisë së shqiptarëve të para Luftës së dytë Botërore, si Sali Nivica nuk janë subjekte që pëlqehen të mbulohen nga media e sotëme “moderne”, majtiste.  Pra, nuk janë subjekte as personalitete historike që frymëzojnë njeri sot, mendojnë ata. Për fat të keq, për ta më shumë ka rëndësi, publiciteti i një çante 10-mijë dollarëshe e një kompanie evropiane të modës, ndonëse me shqiponjën dy-krenare në faqen e saj, se sa të përmendurit e një kauze ose personaliteti të madh të Kombit – si Sali Nivica — si një rast frymëzimi për brezin e ri të shqiptarëve, të cilët kollaj mund të joshen, nga reklamat e kohëve të fundit për çantën 10-mijë dollarëshe, që të largohen masivisht nga Shqipëria, ashtu siç po ndodhë, për fat të keq. Megjithse rinia shqiptare ka edhe shumë e shumë arsye të tjera — politike, ekonomike, korrupsioni, varfërie, mungesë sigurie e mungesë perspektive — që po arrariset ditën e natën — nga trojet shqiptare, madje edhe duke rreezikuar jetën në detet e hapura. 

Bota e sotëme shqiptare, përfshir politikën dhe median, por edhe entet akademike shqiptare, nuk janë hiç të interesuar për të ditur ose për t’i kaluar brezit të sotëm ose të nesërm të shqiptarëve se kush ishte Sali Nivica dhe çfarë vlerash përfaqësonte ai për kohën që jetoi dhe për sot.  Një shënim që gjeta në lidhje me përvjetorin e Sali Nivicës (10 janar) ishte një shkrim i shkurtër në gazetën Dielli të Vatrës së Amerikës, nga studiuesi dhe historiani Dr. Dorian Koçi, i cili kujton dhe vlerëson Sali Nivicën: “Në këte vend idealistët janë të rallë, por aq të paktë sa janë, shkelqejnë me personalitetin e tyre.”  Dr. Koçi kujton 103-vjetorin e vrasjes barbare të Sali Nivicës, mesuesi, patriot e gazetar që në Shkodrën e viteve 20′ kishte themeluar gazeten “Populli”, shkruan ai dhe vlerëson rolin e gazetës së Sali Nivicës, gazetë e cila, sipas historianit Koçi, “Ishte një tribunë e mendimit të lirë e demokratik shqiptar dhe pasqyronte me pathos përpjekjet e Kombit për të krijuar shtet modern”.   Dr Dorian Koçi nënvijon se Sali Nivica, “Përfaqëson brezin e shkëlqyer të studentëve idealistë shqiptarë që u mëkuan me vargjet e Naimit, aksionin luftarak të vëllezërve Topulli, publicistikën therrëse të Konicës, epikën e satirën e Fishtes. Sali Nivica ishte një dishepull i tyre dhe vet me veprën e tij pasuroi dhe çoi përpara mendimin idealist e shtetformues shqiptar…”, përfundon vlerësimin e tij të shkurtër (por të vetëm që kam parë me këtë rast në median shqiotare) për veprën dhe jetën e patriotit Sali Nivica — studiuesi, Dr. Dorian Doçi, në shkrimin e tij për gazetën Dielli të Nju Jorkut.

Rrallë ose hiç ka momente kur shfrytëzohet rasti që kontributi dhe sakrificat sublime të patriotëve si Sali Nivica të përkujtohen zrytarisht nga entet qeveritare e shtetërore. Por në rastin e Sali Nivicës, ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bamir Topi në Janar të vitit 2011, të pakën, ka përkujtuar dhe nderuar këtë patriot të madh të Kombit, duke i akorduar urdhrin e lartë, “Nderi i Kombit”.  Me atë rast, ish-Presidenti Topi vlerësoi karakaterin qytetar, historik dhe atdhetar të Sali Nivicës dhe zonës së Labërisë nga e ka origjinën ai: “Rruga jonë nëpër histori nuk ka qenë e lehtë, ajo ka qenë heroike dhe populli i kësaj treve nuk është kursyer në sakrifica sa herë shqiptarëve u është dashur t’i bënin ato. Nga gjiri juaj kanë dalë shembuj frymëzues, siç është rilindasi Sali Nivica, personalitet ky që idetë e mëdha i shëndërroi në histori…Ndërgjegjësimi që vjen nga kujtesa na bën të pohojmë sot njëzëri se krahina juaj e krejt Labëria kanë qenë gjithmonë një pishtar i ndezur në luftrat patriotike për zgjim kombëtar, pavarësi e konsolidim të saj. Sa herë jepej kushtrimi ata ishin rojtarë të fateve të Atdheut”, ka thenë Presidenti Topi. Sipas ish-udhëheqsit shqiptar, ndonëse në moshë shumë të re, Sali Nivica, krah për krah, dhe me më të mëdhejt e Kombit ishte një, “Mbrojtës i zjarrtë i integritetit territorial, përkrah Luigj Gurakuqit në Kancelaritë Evropiane, zë i parreshtur i Kosovës së martirizuar, intelektual e mendimtar, i vrarë pabesisht nga armiqtë e Shqipërisë më 10 janar të vitit 1920, me të drejtë do të meritonte përkufizimin e të madhit Gjergj Fishta se, “Sali Nivica ishte portë e shtyllë, e të thuesh nji shkam të cilit tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujt me e brejtë kurrkund, burra të cilët rrallë i lindin nanat!”, ka cituar Topi vlerësimin e At Gjergj Fishtës, për Sali Nivicën.

“Mësuesi i popullit”, Sali Nivica ishte dhe mbetet një shembull i vlerave patriotike, intelektuale e morale, të cilin ne sot e vlerësojmë, si një nga mendjet e ndritura të asaj Shqipërie që synonte të shkëputej nga e kaluara duke fituar lirinë e duke parë nga moderniteti, si një nga themeluesit e gazetarisë, arsimit e fjalës së lirë në Shqipëri.  “Nderi i Kombit” është një dekoratë e merituar për ata që e udhëhoqën Kombin drejt lirisë, shtetformimit dhe modernitetit, për ata që sakrifikuan jetën për idetë, për idenë e madhe e të shenjtë të një Shqipërie të lirë, të pavarur e të denjë për të qëndruar në krah të shteteve evropiane” ka thenë Z. Topi duke shtuar:  “Të gjithë ne, brezat e rinj, fëmijët tanë, nxënësit dhe studentët duhet të formohen intelektualisht me parime të drejta historike sepse historia gjithmonë konfirmohet si mësuese e jetës! Ata duhet të dinë se mbijetesa e Shqipërisë në ato rrethana historike u realizua nga idealizmi dhe sakrifica e dëshmorëve si Sali Nivica!  Burra të tillë i dhanë gjithçka Shqipërisë pa interes, duke sakrifikuar edhe jetën e duke na lënë ne pasardhësve të tyre pasqyrën morale ku të shihemi çdo ditë, modelin etik të sakrificës, ndershmërisë dhe idealizmit, bashkëpunimit dhe dialogut që vendi ynë, natyrshëm, të realizojë ëndrrën e madhe: Shqipërinë e përparuar, Shqipërinë Evropiane”, ka vlerësuar ai kontributin e Sali Nivicës.
 

Nëqoftse rinia e sotëme shqiptare anë e mbanë trojeve iliro-arbërore e cila po lagohet masivisht nga Shqipëria dhe nga Kosova, ka nevojë për një shmebull patriotizmi e atdhetarizmi e pse jo edhe nacionalizmi të pastër kombëtar – ja ku e kini Sali Nivicën – që At Gjergj Fishta e ka quajtur, si njërin ndër, “burrat të cilët rrallë i lindin nanat” dhe njerin prej, “intelektualëve më të aftë dhe më konsekuent të kohës”, sipas vlerësimit të Luigj Gurakuqit. 

Frank Shkreli

No photo description available.

Gazeta “Populli” e Sali Nivicës, botohej në Shkodër dhe e cila për nga përmbajtja dhe artikujt që botonte në mbrojtje të interesave të Kombit, cilëso hej si, “artileria e kohës”.

*Nga burime të ndryshme

Filed Under: Reportazh Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT