• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KA FILLUAR PUNIMET ASAMBLEJA E PËRGJITHËSHME E KOMBEVE TË BASHKUARA

September 23, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Si çdo vit në muajin shtator, ashtu edhe sivjet ka filluar punimet prej dy javësh, Asambleja e Përgjithëshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në kryeqëndrën e kësaj organizate në Nju Jork. Në sesionin e 69-të të kësaj Asambleje po marrin pjesë mbi 140 udhëheqës shtetesh dhe qeverishë si dhe përfaqsues të biznesit, të financave dhe të shoqërisë civile, si dhe personalitete me influencë botërore nga mbarë bota. Ndër udhëheqsit botërorë — të cilët do të diskutojnë problemet e mëdha botërore nga 24 shtatori deri më 1 tetor –është edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili kryeson të delegacionin shqiptar në punimet vjetore të OKB-së në Nju Jork. Ndër aktivitete të tjera, udhëheqsi shqiptar do t’i drejtohet sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithëshme me fjalimin e rastit, para delegacioneve të 193-shteteve anëtare të OKB-së . Presidenti Nishani do të marrë pjesë gjithashtu edhe në punimet e “Nismës Globale Klinton”, i ftuar nga ish-Presidenti Bill Klinton, që çdo vit zhvillon punimet e saj krahas me Asamblenë e Përgjithshme. Ndërkaq, Organizata e ish-Presidentit Klinton nderoi parëmbrëmë Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga me çmimin e Nismës Globale Klinton, dekoratën,”Qytetari Global” për ato që Nisma Globale Klinton cilësoi si merita të udhëheqses së Kosovës, me motivacionin për “promovimin e pajtimit në rajon dhe për ndërtimin e institucioneve politike dhe ekonomike të Kosovës, drejt anëtarësimit për në BE”. Ndonëse Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së, Presidentja Jahjaga nuk do të marrë pjesë në punimet e sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithëshme por ajo do të përdor qëndrimin e saj në Nju Jork për të lobuar për njohje të reja diplomatike të Republikës së Kosovës. Njoftohet se udhëheqsit e dy shteteve shqiptare, gjatë qëndrimit të tyre në Nju Jork, kanë në agjendë një numër takimesh me homologët e tyre nga mbarë bota si edhe takime me përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan, përfshirë edhe Federatën Pan-shqiptare Vatra. Presidenti Nishani ka njoftuar gjithashtu se në mbarim të punimeve të OKB-së, ai do të udhëtoj për në qytetin Detroit, ku është ftuar të mbajë një ligjëratë me temën, “Shqipëria – Demokracia e Re Drejt Bashkimit Europian”, në Universitetin e njohur Miçigan të Shteteve të Bashkuara, ku pritet që ai të diskutojë me profesorë dhe studentë të këtij universiteti gjëndjen aktuale në Shqipëri, si dhe rolin e saj në Ballkan, përfshirë edhe përpjekjet e Shqipërisë për integrimin e saj në Europë.
Por arsyeja kryesore e pranisë së Presidentit të Shqipërisë në Nju Jork, si edhe e të gjithë udhëheqsve të tjerë botërorë, është pjesëmarrja e tij në punimet e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB-së, ndërkohë që Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, Ban Ki Mun u bëri thirrje udhëheqsve botërorë që po mblidhen në Nju Jork, që të bashkohen në këtë “periudhë trazirash”, përball një “mori krizash shkatërruese, dhe të mbështesin dinjitetin njerëzor, zbatimin e ligjit dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.” Ai u tha gazetarëve në Nju Jork se “gjatë këtyre dy javëve do të pasqyrohet rishtas roli i pazevëndsueshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për tu përballur me kërcënimet globale dhe roli i saj në orvatjet për të gjetur mundësitë për përparim të përbashkët.” Në këtë drejtim, ai theksoi se pret që udhëheqsit botërorë të merren me dhunën e hatashme në Siri dhe në Irak, ku tha ai, konflikti dhe dështimet qeveritare kanë bërë të mundur përhapjen e ekstremizmit dhe terrorizmit.
Përveç kësaj, pritet që pjesëmarrsit në sesionin e 69-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të diksutojnë mbi një numër krizash anë e mbanë botës, duke përfshirë edhe ndryshimet klimaterike që do të diskutohen në “Mbledhjen e Nivelit të Lartë mbi Klimën”, ose (Samiti mbi Klimën) në kuadër të sesionit të sivjetëshëm të Asamblesë së Përgjithëshme, qëllimi i së cilës është për të mobilizuar përpjekjet dhe vullnetin politik ndërkombëtar për arritjen e një marrveshjeje në konferencën që pritet të mbahet vitin që vjen në Paris, për këtë çështje që është cilësuar si “urgjente” për botën. Në lidhje me këtë aktivitet, Kombet e Bashkuara njoftuan emërimin e aktorit të Holivudit, Leonardo Di Caprio — i cili është i njohur si mbështetës i kauzave në mbrojtje të mjedisit — si ambasador paqe i OKB-së për çështje të mjedisit dhe klimës. Një çështje tjetër e cila kërkon vëmendjen e udhëheqsve botërorë të mbledhur në Nju Jork për takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme është edhe shpërthimi, kohët e fundit, i sëmundjes Ebola në kontinentin afrikan. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun ka thënë se përballimi me këtë sëmundje nevojitë ndërhyrjen e menjëhershme të faktorit ndërkombëtar, jo vetëm për të izoluar sëmundjen ebola, por edhe për të trajtuar personat e prekur nga këjo sëmundje epidemike.
Ashtu si dhe në vitet më përpara, edhe sesioni i sivjetëm i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i ka përcaktuar vetes angazhimin për tu marrë me një listë të gjatë problemesh duke u përpjekur për të luftuar, ndër të tjera, varfërinë, papunësinë dhe urinë, dhe për të zgjidhur konfliktet me dhunë dhe luftërat anë e mbanë botës, përfshirë Lindjen e Mesme dhe konflktin midis Rusisë dhe Ukrainës. OKB-eja është zotuar se gjatë këtij sesioni do të përcaktojë objektiva të reja zhvillimi për vitin 2015 dhe më gjatë. Për realizimin e këtij objektivi, të pakën Shtetet e Bashkuara kanë thënë se është e nevojshme që si pjesë e kësaj agjende zhvillimi të garantohet barazia gjinore, dmth., pjesëmarrja e barabartë e grave dhe vajzave me burrat dhe djemtë në zhvillimin e shoqërisë, të komunitetit dhe familjes, objektiv ky që mund të jetë si faktori më transformues i agjendës së zhvillimit për vitin e ardhëshëm dhe më tej, sipas deklaratës amerikane. “Investimi në femërat dhe në rininë, nuk është vetëm gjëja e drejtë që duhet të bërë, për më tepër ky investim është një nevojë strategjike” për çdo vend, është shprehur Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry. Në vigjilje të takimit mbi zhvillimin për vitin e ardhëshëm dhe më tej — të cilin Presidenti i ri i Asamblesë, Sam Kahamba Kutesa i Ugandës, e cilësoi si “një rast historik” –kryediplomati amerikan tha se investimi në barazinë gjinore për gratë dhe vajzat në çdo vend, “është mënyra më e mirë për të krijuar stabilitetin shoqëror, dhe për të përforcuar rendin e vazhdueshëm shoqëror të çdo vendi, sepse shoqëritë të cilat garantojnë barazinë gjinore dhe sigurinë për gratë dhe vajzat dhe ku grave u jepet mundësia për të ushtruar të drejtat e tyre të barabarta, ato shoqëri janë gjithmonë më të begata dhe më stabile”, tha Z. Kerry.
Si gjithmonë më parë, edhe agjenda e sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithëshme, në letër dhe në parim, trajton kauza që janë fisnike dhe bujare me qëllim për të gjetur zgjidhje ndaj sfidave dhe problemeve të mëdha me të cilat përballet sot njerëzimi, pasi parimisht ky ka qenë gjithmonë qëllimi i Kombeve të Bashkuara ç’prej themelimit të kësaj organizate, dmth.,që të shërbente si një forum i denjë në të cilin shtetet anëtare të mund të diskutonin problemet e tyre dhe të botës në një mjedis paqësor midis tyre.
Por, megjithëqëllimet e mira të OKB-së — të pakën në sipërfaqe — kritikët e Kombeve të Bashkuara, sidomos këtu në Amerikë e cila financon pjesën më të madhe të buxhetit të OKB-së në krahasim me vendet e tjera anëtare, përfshirë shpesh edhe udhëheqsit më të lartë të këtij vendi, kanë konsideruar se OKB-eja, si organizatë nuk është funksionale. Ata përmendin dallimet midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim e sipër,mbi çështje kyçe siç janë të drejtat e njeriut, zhvillimi ekonomik dhe çështje të sigurisë, lufta e paqa dhe sit ë tillë, ata e konsiderojnëOKB-ën si një ent ndërkombëtar që shpeshëherë nuk funksionon, që paralizuar nga burokracia, dhe më në fund si një organizatë që shpesh duket se është jashtë kontrollit, si përfundim i konflikteve të mbrednshme dhe midis vendeve anëtare të saj.
Por, prapseprap,sipasekspertëve,megjithë problemet me të cilat përballet OKB-eja dhe ndonëse autoriteti iAsamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara është i kufizuar, mbledhja vjetore e këtij enti ndërkombëtar në Nju Jork, mund të shërbejë si një mjet efektiv ku përfaqsuesit e vendeve anëtare të shprehin dhe të bashkrendojnë qëndrimet e përbashkëta ose të kundërta në një ambient paqësor, mbi çështje dhe probleme kyçe me të cilat përballet sot bota, e të cilat janë në agjendë për tu diskutuar nga udhëheqsit botërorë gjatë punimeve të saj. Si e tillë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nuk mund të injorohet.
Ne Foto:Salla e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku po mbahet sesioni i 69-të i kësaj Assmbleje (UN Photo/Amanda Voisard)

Filed Under: Rajon Tagged With: Frank shkreli, Kombeve te Bashkuara, sesioni i 69

Shqipëria nderon martirë të kombit dhe fesë

September 18, 2014 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/
Tre ditë para se të shkelë në tokën arbërore për vizitën e tij në Tiranë, Papa Francesku ka përshëndetur gjatë një meshe në Vatikan, shqiptarët dhe ka falenderuar popullin shqiptar për përgatitjet që ka ndërmarrë për ta pritur atë sa më mirë me rastin e vizitës së tij në kryeqytetin e shqiptarëve, ndërsa ka theksuar edhe njëherë shembullin e tolerancës fetare ndër shqiptarët, si një prej arsyeve kryesore të vizitës së tij në Shqipëri, duke thënë tekstualisht këto: “Të dielën, me ndihmën e Zotit do të shkoj në Shqipëri. Kam vendosur ta vizitoj këtë vend, sepse ka vuajtur shumë për shkak të një regjimi të tmerrshëm ateist dhe tani po mundësojnë një bashkëjetesë paqësore midis besimeve të ndryshme fetare. Përshëndes popullin shqiptar dhe i falënderoj ata për përgatitjet për vizitën time. U kërkoj të gjithëve që të më shoqërojnë me lutje”, ka thënë Papa disa ditë para udhtimit të tij drejtë Tiranës.
Në pritje të Papa Françeskut, rrugët e Tiranës, në mënyrën më dinjitoze janë dekoruar me flamujt e kombit shqiptar dhe të Vatikanit, ndërkohë që bulevardi i “Dëshmorëve të kombit” ku do të kalojë Papa për të shkuar tek Sheshi “Nënë Tereza”, është mbuluar në të dy anët me portretet e disa dyzina klerikësh katolikë, të vrarë mizorisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Siç duket nga përgatitjet shtetërore dhe qeveritare, kjo vizitë e Papës do të jetë tepër dinjitoze, ashtu siç duhet dhe siç e kanë traditë shqiptarët. Megjithëse Papa Françeskut i pëlqen thjeshtësia, është me vend që kjo pritje të reflektojë dëshirën e Papës që ai ka shprehur se me vizitën e tij do të kujtojë vuajtjet e popullit shiqptar. Andaj kjo vizitë, ndër të tjera, duhet të jetë një dëshmi e tragjedisë së klerit katolik shqiptar gjatë regjimit komunist, e këtyre viktimave të pafajshme të vrarë nga një dorë e pamëshirshme e një shteti terrorist. Duhet të jetë një dëshmi jo vetëm për vet shqiptarët, por dhe për botën e cila këtë të djelë do të jetë e pranishme aty në mes të Tiranës, nepërmjet më shumë se 1600 gazetarëve. Sepse, megjithëse Shqipëria e vogël në krahasim me shtetet e tjera ish-komuniste ku gjithashtu persekutohej feja, numri i klerikëve katolikë shqiptarë të vrarë, proporcionalisht, duhet të jetë numri më i madh në krahasim me numrin e viktimave të klerit katolik në ish vendet komuniste të Europës Lindore, gjë që e bën tragjedinë, e jo vetëm të klerit katolik –por edhe atij mysliman dhe ortodoks shqiptar — si një ndër terroret dhe masakrat më të egëra komuniste, që ka njohur bota.
Shpresohet që kjo ekspozitë e mrekullueshme në qëndër të Tiranës, përveç dëshmisë që tregon, të jetë njëkohsisht edhe fillimi i përjetsimit të kujtimit të tragjedisë së këtyre viktimave të pafajshme — dhe jo vetëm tragjedisë së tyre por edhe fatit dhe historisë moderne të kombit. Sepse me vrasjen e këtyre klerikëve nga regjimi komunist, u zhdukën ato që Ernest Koliqi i pat cilësuar ata në një shkrim si, “Rreze Qytetnie të Fikuna”, duke përmendur poetnit dhe shkrimtarët e njohur klerikë, si Vinçenc Prenushi, Anton Harapi, Bernardin Palaj, Lazer Shantoja, Ndre Zadeja, Nikoll Gazulli, Aleksandër Sirdani e shumë e shumë të tjerë. Ishin këto viktima të komunizmit, portretet e të cilëve janë vendosur në qëndër të Tiranaës me shumë të tjerë, të cilët Ernest Koliqi i kishte njohur personalisht, e të cilët sipas tij, “Ishin Artista të fjalës, që ndërsa e holluen shqipen tue ia shtue mjetet shprehëse, ata synojshin rritjen e breznive të reja në zjarmin e idealit kombëtar.” Koliqi vazhdon shkrimin e tij me rastin 20-vjetorit të fillimit të tragjedisë së klerikëve shqiptar që u shlnua këtu në Amerikë më 1966, duke thënë se, klerikët e martirizuar, “Na çilën sytë me pa shkëlqimin e trashëgimit tonë stërgjyshor. Ndikuen në shpirtin tonë krenarinë e emnit shqiptar. Fetarë po, dhe të përpikshëm, por edhe atdhetarë të qitun.”
Periudha e komunizmit si në gjithë botën tjetër, për nga egërsia me të cilën trajtonet kundërshtarët, ishte një kapitull i historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarve me të cilën nuk mund të ndjehet askush krenar. Përveç tjerash, zhdukja fizike e këtyre klerikëve dhe eliminimi i veprave të tyre letrare dhe kombëtare ka varfëruar përgjithmonë edhe vet historinë dhe kulturën kombëtare të shiqptarëve. Ndoshta ky ishte edhe qëllimi i atyre që ndërmorën këtë vëllavrasje me urdhëra të të huajve, fillimisht nën urdhërat e jugosllavëve e më vonë të rusëve, qëllimi i të cilëve ka qenë gjtihmonë që të ndalonjnë zhvillimin dhe prirjet përparimtare perëndimore ndër shqiptarët, dhe njëkoshisht të zhdukin edhe ndjenjat kombëtare të shqiptarëve. Ishin këto krime çnjerzore të ndërmarra nga një regjim i tërbuar me ideologjinë komuniste sllavo-aziatike i cili nuk kishte asgjë të bënte me kombin shqiptar dhe as nuk i shërbente interesave të tij.
Por fatbardhsisht planet e tyre, megjithse e çuan shumë mbrapa kombin shqiptar nuk dolën me sukses. Kujtimi i këtyre viktimave të komunizmit siç pasqyrohet nga përgatitjet për vizitën e Papa Françeskut në Tiranë nga qeveria, nga shteti si edhe nga besimtarët e tre besimeve fetare dhe i mbarë populli shqiptar këtë djelë, vërteton fjalët e poetit kombëtar At Gjergj Fishtës kushtuar dëshmorëve:
“….E kur Shqyptari ndër ma të largtat mote
Nepër të cilat do të endet jeta e njerit,
Kur të këndoj Shqyptari m’ato kangë kreshnike
Sa gjaku e mundi kje prej jush dikue
Për me u ndërtue Atdheu i tij Shqypnia:
-O të lumtë ata, ka me brohoritë me vedi
Që flija e Atdheut e ban, e tue dhanë jetën,
Liri Atdheut e të ambël jetë i suellën.
E ai vorret tua atëherë ka me kërkue
E ka me i gjetë, e ka me i ruejt, si ruhet
Altari i Atdheut: e me kunora të blerta
Ka me i lulëzue, e mbasandej ju besën
ka për tua dhanë mbi vorr, se kurr për së gjallit
s’ka me e koritun namin tuej e nderen
Se ka me dekë për Atdhe si desin burrat,
Si diqët — qe– ju për një Shqypni të lirueme”
Në Shqipëri dhe ndër shqiptarët kudo ndihet një shprehje krenarie për pritjen që po i bëhet Papa Françeskut në vizitën e tij Tiranë të djelën që vjen si dhe kujtimit që me këtë rast po u bëhet të viktimave të regjimit komunist të klerit katolik. Ndoshta kjo vizitë e Papës është edhe një rast i mirë për tu zotuar se shqiptarët sot e tutje — këtyre dhe të gjitha viktimave të komunizmit shqiptar të të gjitha feve e të gjitha krahinave — s’ka “me ua koritur namin e as nderin”, pasi këta si viktima të pafajshme, humbën jetën për lirinë që gëzon sot Shqipëria dhe kombi shqiptar. Ky është një obligim jo vetëm fetar e moral por edhe atdhetar, një angazhim ky që më në fund do të sjellë paqë e pajtim dhe do të çojë në një manifestim të shërimit të plagëve kombëtare.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, martirë, Shqipëria nderon, të kombit dhe fesë

DITA NDËRKOMBËTARE E DEMOKRACISË DHE KOMEDIA E PARTIVE POLITIKE SHIQPTARE

September 16, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Anë e mbanë botës më 15 shtator u shënua Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, e përcaktuar si e tillë më 2007 me një rezolutë nga Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara me qëllim që të promovohen dhe të zbatohen parimet e demokracisë dhe njëherazi u kërkohet vendeve anëtare të OKB-së që të kujtojnë këtë ditë në mënyrë të përshtatshme për të promovuar vlerat dhe parimet e demokracisë.
Në mesazhin e tij në Ditën e Ndërkombëtare të Demokracisë, Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon tha se ky është një rast i mirë për udhëheqsit botërorë, që në mënyrën e vet, të theksojnë rëndësinë e rolit të pazëvëndsueshëm që luan demokracia në luftën kundër varfërisë dhe në promovimin e mirëqenjes njerëzore. Udhëheqsi i OKB-së tha me këtë rast se, “Pesë vjetë më parë në Sumitin botëror, të gjithë udhëheqsit e botës ranë dakort se demokracia, zhvillimi dhe të drejtat e njeriut janë të ndërvarura, dhe si të tilla mbështesin njëra tjetrën”, për zhvillimin normal të një shoqërie. Në mesazhin e tij në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, Ban Ki Moon u kujtoi udhëheqsve botërorë se “Transparenca, llogari dhënja dhe një qeverisja e përgjegjëshme ndaj votuesve janë faktorë jetikë dhe garanton që puna jonë drejtë zhvillimit ekonomik do të dalë me sukses. Faktorët kryesorë të demokracisë luajnë gjithashtu një rol kritiknë rritjen ekonomike të një vendi dhe janë jetësorë për të siguruar drejtësi shoqërore, tha në mesazhin e tij Ban Ki Moon, duke theksuar se “Dështimet në avancimin e demokracisë janë njëkohësisht dështime edhe për zhvillimin ekonomik. Ka më shumë të ngjarë që zhvillimi ekonomik të përforcohet dhe të zëjë rrënjë nëqoftse njerëzve u jepet mundësia e vërtetë për të pasur një zë në qeverisjen e tyre, dhe si rrjedhim bëhet e mundshme edhepërfitimi nga në frutat e progresit ekonomik dhe politik”, përfundoi Sekretari i Përgjithëm i OKB-së mesazhin e tij, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.
Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, në një deklaratë me rastin e kësaj dite Ndërkombëtare të Demokracisë tha se demokracia është një frymëzim universal, “privilegji për të votuar, liria për të shprehur mendimin tëndë, e drejta për të pasur një qeveri të krijuar nga populli e për popullin”, janë gjithnjëide që vazhdojnë të frymëzojnë njerëzit anë e mbanë botës, sipas kryediplomatit amerikan. Z. Kerry tha gjithashtu me këtë rast se një ndër arsyet që, “Shoqëritë demokratike janë më të forta është fakti se njerzit janë të lirë të flasin lirisht kundër padrejtësive dhe janë të lirë të diskutojnë, të debatojnë dhe të punojnë së bashku për të bërë ndryshimet nevojshme positive të cilat janë të nevojshme për zhvillimin normal të një shoqërie. Në një demokraci të vërtetë,tha Z. Kerry, jemi të lirë të zgjedhim udhëheqsit tonë, të mbajmë përgjegjëgjse entet shtetërore për veprimtarinë e tyre dhe të kërkojmë llogari nga institucionet qeveritare të cilaat ekzistojnë për t’i shërbyer popullit.
OKB-ja njoftoi se Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, tema e së cilës këtë vit ishte Angazhimi i Rinisë në Demokraci, u shënua në shumë vende të botës me veprimtari që në disa raste zgjasin gjithë javën. Qëllimi i kësaj teme ishte, sipas OKB-së, që të viheshin në dukje sfidat dhe mundësitë për rininë anë e mbanë botës që të angazhohet më seriozisht në proceset demokratike, ashtuqë të kontrollojnë vet fatin e tyre dhe që ëndërrat e tyre t’i këthejnë në realitet për realizimin e një të ardhme më të mirë për veten e tyre dhe për të gjithë shoqërinë në të cilën jetojnë.
Nuk jam i sigurt nëse Dita Ndërkombëtare e Demokracisë është shënuar në ndonjë mënyrë në Shqipëri dhe në Kosovë, megjithëse rezoluta e Asamblesë së Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara e vitit 2007 u bën thirrje të gjitha qeverive anëtare që të dedikojnë programe kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë në shënim të 15 shtatorit, si Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Këtë vit edhe Unioni Ndër-Parlamentar — një organizatë ndërkombëtare kjo që përbëhet nga 164 parlamente botërore — njoftoi se ishte angazhuar që sivjet të promovonte Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë nepërmjet dialogut politik dhe të veprave konkrete në parlamentet anëtare të kësaj organizate të parlamenteve botërore. Është vështirë të merret me mend se si dy parlamentet shqiptare mund të kenë shënuar Ditën ndërkombëtare të Demokracisë — kur të merren parasyshë përçarjet politike midis dy partive kryesore në parlamentin shqiptar, si dhe ngërçi politik në Kuvendin eKosovës madje edhe pas tre muaj ç’prej kohës që janë mbajtur zgjedhjet e fundit parlamentare. Për të mos përmendur këtu rrahjet e fundit midis parlamentarve shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë dhe përçarjet midis përfaqsuesve të partive politike shqiptare në Mal të Zi. Për më tepër, në këto rrethana dhe duke u bazuar në përvojën e keqe të këtij tranzicioni të vështirë, anë e mbanë trojeve shqiptare 25 vjetët e fundit, është e pamundur të merret me mend se parlamentarët shqiptarë të të gjitha partive politike në Shqipëri dhe në Kosovë –përfshirë këtu edhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi dhe në Maqedoni — të kenë qenë në gjëndje të promovonin dialogun politik, jo vetëm midis njëri tjetrit por edhe në mbarë shoqërinë shqiptare, madje edhe për një ditë, në kujtim të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.
Një mik i ngushtë nga Tirana, siç duket në një moment të përkohshëm dëshpërimi për gjëndjen aktuale në vend, më dërgoi mbrëmë këtë mesazh: “Ne vazhdojmë me historira dhe me humor tranzicioni aq sa njerëzit janë tejet të lodhur dhe tejet mosbesues ndaj realitetit shqiptar dhe po hedhin hije të renda dyshimi mbi mirësinë apo keqësinë e Demokracisë. Ndoshta fjalët e Xhon Kerry-t”, shtoi miku im nga Shqipëria, “se oligarkët kanë uzurpuar shtetin dhe po diskretitojnë imazhin e demokracisë janë më evidente se kurrë në Shqipëri.Nejse, s’po te lodh dhe ty i dashur Frank me maskaralliqet tona, por e shof se ka një organizim të ekstremizmit të majtë që po predikojnë në ambijente dhe rrethe të ngushta, figurën e diktatorit Hoxha”, përfundon miku im mesazhin e tij shqetsues.
Një vlersim i tillë është tronditës, pasi është një reagim i një personi të informuar shumë mirë për gjëndjen aktuale atje dhe i cili i shikon punët nga një këndveshtrim i balancuar. Ky vlersim i mikut tim ndaj klasës politike në Shqipëri, tregon se, edhe pas pothuaj një çerek shkeulli pas rënjes së komunizmit, në vend që në trojet shqiptare të promovohet demokracia e vërtetë, atje vazhdon një ngërç politik me bojkote dhe mosmarrveshje politike nga të gjitha palët e një klase politike që po i merr frymën zhvillimit demokratik dhe ekonomik të të gjithë shqiptarëve.Për më shumë, tepër shqetsues është fakti që ekstremistë të majtë, siç shkruan edhe miku im nga Tirana, po përpiqen të predikojnë mbi figurën e diktatorit Enver Hoxha dhe gjoja të meritave të te regjimit të tij.Një intervistë e kohëve të fundit që Paskal Milos (historian i këthyer politikan) dhe njeriu i caktuar nga qeveria e Kryeministrit Rama për të kryesuar Komisionin e Rishkrimit të Historisë, thotë se do të rivlersohet Enver Hoxha,njëri prej 100- diktatorëve më të këqij që ka njohur bota, dhe regjimi i tij komunist, sepse sipas tij, na qenka politizuar në mënyrë ekstreme figura e Enver Hoxhësgjatë këtyre 20-viteve të kaluara, sepse Shqipëria nën komunizëm “ka ecur përpara”, pa thënë asgjë për krimet e atij regjimi ndaj qindra mijëra shqiptarëve dhe familjeve të tyre. Si mund të jetë objektiv Paskal Milo si Kryetar Komisioni për Rishkrimin e Historisë dhe çfarë mendon kush e emëroi në atë në atë detyrë. Nuk ka Shqipëria historian më të paanshëm?Vet Paskal Milo, po të jetë objektiv, duhet të tërhiqet nga ajo detyrë, pikërisht për bagaxhin që sjellë në atë komision. Fatkeqsisht, ky epizod është një prej arsyeve se pse Shqipëria ka mbetur në vend numëro dhe shumë mbrapa gjithë vendeve të tjera ish komuniste. Sepse politikanët dhe partitë që ata përfaqësojnë dhe historianë/politikanëme këmishë të bardhë e me kravatë nuk mund të ndahen nga sistemi komunist që i ka brumosur ata dhe në të cilin një pjesë e madhe e kësaj klase politike ka formuar karakterin dhe botëkuptimin e tyre me të cilin udhëheqin sot.Ndoshta miku im nga Tirana ka të drejtë se ka njerëz që përhapin “dyshimin mbi mirësinë apo keqësinë e Demokracisë”, ndërkohë që tërthorazi i hedhin lavde arritjeve të komunizmit! Ronald Reagan thoshte për këta ish-apartçikë se këta janë njerzit më të rrezikshëm për demokracinë.
Pas festimit të 100-vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në fillim të shekullit 21, në një periudhë kur shqiptarët në përgjithësi, nuk kishin gëzuar kurrë më parë më shumë liri, ndihej një entuziazëm si mbrenda ashtu edhe jashtë trojeve shqiptare,se ky do të ishte më në fund shekulli i shqiptarëve.Se ky do të ishte momenti historik, momenti në historinë e shqiptarëve, kur vet shqiptarët si kurrë më parë e kanë në dorë fatin e vet. Prandaj,do të ishte turp për këtë brez politikanësh të cilët, pas një diktature komuniste pothuaj prej gjysëm shekulli,megjithse pjellë e atij sistemi, ata vet qenë dëshmitarë dhe pjesëmarrës të përpjekjeve të zorshme të 25 viteve të fundit për sigurimin e lirive bazë individuale dhe kombëtare për të gjithë shqiptarët – që me sjelljet e tyre në mbrojtje të interesave ekonomiko-financiare dhe partiake, që me “komeditë e tyre”pikërisht në këtë moment të pengojnë proceset natyrore të historisë, e cila ka filluar t’i korigjojë gabimet dhe disfatat që ka pësuar kombi shqiptar gjatë shekujsh.
Fan Noli në një artikull me titull, “Komedia e partive dhe rreziku që qëllon në derë të theatrës”, botuar në gazetën Dielli në nëntor të vitit 1924, kritikonte partitë dhe politikanët e kohës në Shqipëri për gjëndjen e krijuar atje 90-vjetë më parë, duke thënë se “Nëqoftse anarkia që mbretëron në Shqipëri, vazhdon edhe ca kohë, ahere optimisma s’ka vend dhe trembem se diç do ngjasë.”Noli shprehte shpresën se, të “Vetqojturve ‘udhëheqës’ do tu vijnë mënttë dhe punët do shtrohen”.Mos Zot që si rrjedhim i ngërçeve politike, inateve personale, bojkoteve të llojlloshme të partive politike, si dhe mungesës së demorkacisë së vërtetë dhe korrupsionit që ka kaplluar shoqëritë shqiptare kudo –Shqipëria dhe Shqiptarët, që pasrënjes së komunizmitdhe pas fitores historike të Pavarësisë së Kosovës, mund të thuhet se “u ngjallën nga idealistët dhe u ruajtën nga rastet”, sipas Fan Nolit, tashti të “mos vriten nga politikanët.”
Megjithë pesimizmin që ndjejë, ndryshe nga miku im në Tiranë i cili mund të ketë të drejtë në vlersimin e tij, unë besoj se politikanët shqiptarë kudo në trojet e veta – të cilët megjithse siç thoshte Noli e përdorin politikën, jo si një udhë por si një qëllim dhe që përdorin çdo mjet, të ndershëm e të pa ndershëm, për t’ia arritur qëllimit – do të ndëpresin komeditë e tyre politike dhe do të mënjanojnë rrezikun, që siç shprehej Noli, të mos i vihet “kazma Shqipërisë” dhe shqiptarëve. Dhe të angazhohen për një demokraci të vërtetë, jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Demorkacisë, por për çdo ditë të jetës së tyre publike në shërbim të popullit. Këtë, të nderuar politikanë,ia kini borxh jo vetëm brezit të sotëm dhe të ardhëm të shqiptarëve, por edhe brezave të mëparshëm tëkombit shqiptar të cilët ëndërruan, luftuan dhe në shumë raste dhanë jetën për lirinë që gëxon sot kombi shqiptar. Mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos u mbani peng nga e kaluara kur është fjala për të ardhmen e shqiptarëve në çerekun e parë të shekullit 21,për një komb aq dinamik të bashkuar në liri, demokraci dhe pavarësi, një komb i cili i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të realizuar ëndërrën e rilindasve të shekullit të kaluar të kombit shqiptar.
Megjithë “komeditë e politikanëve dhe të partive politike shqiptare”, unë jam gjithnjë ndër optimistët, ndoshta të pakët që beson ende se megjithë manovrimet dhe komeditë e kësaj klase politike, nuk është vonë që shekulli 21 – ashtu siç shpresohej në fillim të tij — të jetë prapseprap“Shekulli i Kombit Shqiptar”, që do të jetojë në liri dhe demokraci për veten dhe në paqë e siguri me të tjerët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dita nderkombetare e Demokracise, Frank shkreli, Komedia e Partive shqiptare

KOALICIONI NDËRKOMBËTAR KUNDËR GRUPIT TERRORIST ISIL

September 15, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Shtetet e Bashkuara, nuk humbën kohë për të venë në lëvizje sa më shpejtë zbatimin e strategjisë të Presidentit Barak Obama të njoftuar javën që kaloi, për të luftuar grupin terrorist ISIL/ISIS në Irak dhe në Siri. Si një ndër masat e para, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në një deklaratë për median dje njoftoi se Gjenerali në pension, dhe ish-komandanti i forcave amerikane në Afganistan, John Allen do të marrë përsipër rolin e Bashkrenduesit të Koalicionit Ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist ISIL në Irak dhe në Siri. Shtetet e Bashkuara, tha John Kerry, i kanë kërkuar njërit prej ekspertëve më të respektuar dhe me përvojë ushtarake, Gjeneralit John Allen që t’i bashkohet Departmanetit Amerikan të Shtetit për të shërbyer si Përfaqsues i Posaçëm i Presidentit për Koalicionin Global kundër grupit terrorist ISIL. Në këtë detyrë, Gjenerali Allen, sipas Z. Kerry,do të ndihmojë në krijimin dhe në organizimin e koalicionit ndërkombëtar që sipas lajmeve,deri tani, ka arritur në 40-vende dhe të koordinojë përpjekjet dhe veprimtaritë e shumëta të këtij grupimi global, me qëllim të dobësimit, degradimit dhe më në fund të shkatërrimit të grupit terrorist ISIL. Sekretari i Shtetit John Kerry e cilësoi Gjeneralin Allen, jovetëm si “një patriot dhe udhëheqës të shquar, por edhe si mendimtar, akademik dhe profesor i Akademisë Detare të Shteteve të Bashkuara”. Ai njoftoi njëkohsisht edhe emërimin si zëvendës të tij të Z. Brett McGurk, me rankun e ambasadorit, i cili deri tani ishte në detyrën e Zëvëndës Ndihmësit të Sekretarit të Shtetit me përgjegjësi për Irakun dhe për Iranin, në Byronë për Punët e Lindjes së Mesme.Z. Kerry e cilësoi Z. McGurk si njërin prej ekspertëve më të dalluar amerikanë për çështjet e Irakut. Z.Brett McGurk ka punuar ngushtë gjatë disa viteve të fundit me ambasadorët amerikanë në Bagdad, përfshirë edhe emërat e njohur për lexuesit shqiptarë, ambasadorët Christopher Hill dhe James Jeffrey, të cilët më heret në karierën e tyre diplomatike kishin shërbyer në Tiranë. Ndër këto 40-vende që tani i janë bashkuar këtij koalicioni është edhe Shqipëria, qeveria e cilës njoftoi muajin e kaluar se Tirana po i bashkohet koalicionit botëror që luftojnë të ashtuquajturin shtet islamik i Irakut dhe Levantit dhe praktikat e tij barbare e terroriste. Në një deklaratë për media, qeveria shqiptare tha se do të mbështesë qeverinë e Irakut me armë e municione për të luftuar këtë organizatë terroriste duke shtuar se, “Çdo vendim dhe kontribut i Shqipërisë në këtë drejtim, është i mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe i sinkronizuar me partnerët tanë strategjikë e aleatët tanë në NATO e në BE”, thuhet më tej në deklaratën e qeverisë së Shqipërisë.

Edhe Presidenti Obama, gjatë fjalimit të përjavshëm në radio tha të shtunën se Gjenerali John Allen do të shërbejë si përfaqsues i tij i posaçëm për të organizuar dhe për të bashkrenduar veprimtaritë e koalicionit global në rritje e sipër, kundër grupit terrorist ISIL. Në fjalimin e tij javor në radio, Presidenti Obama tha se “Për të përballuar këtë kërcënim, ne duhet të jemi të mençur dhe të përdorim fuqinë tonë me mençuri dhe kujdes. Dhe njëkohsisht”, shtoi ai “të evitojmë gabimet e së kaluarës.” Fuqia ushtarake amerikane”, tha Presidenti Obama, “nuk e ka shoqen në botë, por kjo ndërmarrje nuk do të thotë se duhet të jetë vetëm lufta e Amerikës.” Udhëheqsi amerikan tha në fjalimin e tij të përjavshëm të shtunën se, “Ajo që nevojitet tani është një fushatë e pamëshirshme antiterroriste, me objektiva të caktuara kundër grupit ISIL, duke kombinuar fuqinë ushtarake ajrore amerikane me kontributet e aleatëve dhe partnerëve amerikanë dhe duke mbështetur më shumë forcat të cilat janë duke luftuar terroristët në Irak.Ai siguroi amerikanët, se “Kjo është pikërisht, ajo që jemi duke bërë tani”, u shpreh Presidenti.

Z. Obama tha në fjalimin e tij javor se edhe shtete të tjera po i bashkohen koalicionit anti-terrorist, duke shtuar se disa shtete arabe kanë pranuar tanimë që të shtojnë ndihmat e tyre për qeverinë e re të Irakut dhe kanë rënë dakort që të bëjnë atë që u takon në luftën kundër terroristëve të grupit ISIL, përfshirë edhe “aspektet ushtarake”, tha udhëheqsi amerikan.

Ndërkaq, opozita republikane dhe kundërshtarët e tij politikë e kanë kritikuar Presidentin Obama se ka pritur shumë kohë për të organizuar një koalicion ndërkombëtar për të sulmuar grupin terrorist ISIL dhe se duhej të ndërmerrte më heret sulmet kundër këtij grupi.Por, administrata Obama ka vazhduar të theksojë nevojën dhe rëndësinë e krijimit të një koalicioni ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist, ISIL.
Gjenerali Allen duket se e njeh mirë rrezikun që vjen nga grupi terrorist ISIL.Në një artikull me titull “Të shkatërrohet tani shteti islamik” ISIL, të botuar muajin që kaloi, Gjenerali John Allen ka shkruar se grupi terrorist ISIL përbën një rrezik të vërtetë jo vetëm ndaj ekzistencës së Irakut, por edhe ndaj rendit dhe sigurisë në Europë dhe në Amerikë. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, u shreh ai në artikull, se grupi terrorist ISIL, “përbën një rrezik të qartë dhe të tanishëm ndaj Shteteve të Bashkuara.”E vetmja pyetje, shtoi ai, është nëse Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët dhe partnerët e tyre, do të veprojnë vendosmërisht tani, për derisa kanë ende kohë për të influencuar situatën dhe për të shkatërruar grupin islamik, ISIL. Në artikullin e tij të botuar më 20 gusht, Gjenerali John Allen u shpreh gjithashtu se influenca e rekrutëve të huaj në radhët e këtij grupi terrorist, sidomos të atyre nga Perëndimi, do të ndihet në shtetet europiane dhe në Amerikë për shumë vjetë në të ardhmen — pa marrë parasyshë se cili do të jetë fati dhe kauza e grupit terrorist, ISIL. Gjenerali Allen e përfundon shkrimin e tij duke shprehur besimin e tij se një përgjigje e gjithëanshme amerikane dhe ndërkombëtare tani, është jetike për shkatërrimin e këtij grupi dhe për zhdukjen e këtij kërcënimi.Grupi ISIL i cili e quan veten “Shteti Islamik”, shkruan Gjenerali Allen, nuk ka të bëjë aspak me njerëzimin dhe si i tillë duhet të zhduket.”Nëqoftse nuk veprojmë tani, do t’a paguajmë më vonë”, paralajmëroi gjenerali amerikan John Allennë artikullin e tij të muajit të kaluar.
Gjenerali Allen — i posa emëruar nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në detyrën e Bashkrenduesit të Koalicionit Ndërkombëtar për të luftuar grupin terrorist, ISIL dhe përfaqsues i posaçëm i Presidentit Obama për Koalicionin Global kundër grupit terrorist ISIL — ka një përvojë të gjatë në Lindjen e Mesme dhe ka punuar ngusht me udhëheqës të ndryshëm të shteteve të atij rajoni, përfshirë edhe përfaqsues të grupeve të ndryshme fetare. Gjenerali Allen është një veteran misionesh të vështira dhe sfiduese në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në Afganistan, por mbetet për tu pa nëse do të ketë sukses në misionin e tij më të fundit dhe ndoshta më të vështirë dhe më sfidues se çdo një tjetër ndërmarrje të më parëshme të karierës së tij.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, GRUPIT TERRORIST ISIL, KOALICIONINDËRKOMBËTAR, Kunder

STRATEGJIA E PRESIDENTIT OBAMA KUNDËR GRUPIT TERRORIST ISIL

September 11, 2014 by dgreca

Ne Foto: Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama duke mbajtur fjalimin drejtuar kombit mbi strategjinë e tij për të shkatërruar grupin terrorist ISIL, 10 shtator, 2014/
Nga Frank Shkreli/
Të mërkurën mbrëma, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama mbajti fjalimin që ishte paralajmëruar më heret në lidhje me grupin terrorist ISIL. Në fjalimin e tansmetuar “live” nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Obama njoftoi kombin amerikan dhe botën mbi strategjinë e gjithëanëshme të Amerikës “për të degraduar ose për të dobësuar dhe më në fund për të shkatërruar grupin terrorist ISIL”.
Presidenti Obama theksoi në fjalimin e tij se si Krye-Komandant i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, “prioriteti më madhor është siguria e popullit amerikan”. Z. Obama tha se megjithëse janë shënuar suksese në luftën kundër terrorizmit, “ne vazhdojmë të përballemi me kërcënime terroriste.” Udhëheqsi amerikan shtoi duke thënë se, “Ne nuk mund të zhdukim çdo të keqe nga faqja e dheut.Kjo ishte e vërtetë para sulmit të 11 shtatorit 2001 dhe kjo është e vërtetë edhe sot. Prandaj, kjo është arsyeja që ne duhet të mbetemi vigjilentë, përballë kërcënimeve të reja.” Presidenti amerikan nënvijoi se “Momentalisht, kërcënimet më serioze vijnë nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika Veriore, ku grupet radikale po shfrytëzojnë për qëllime të veta, problemet dhe moskënaqsitë me të cilat përballet ai rajon.Një prej këtyre grupeve është ISIL — i cili e quan veten, “Shteti Islamik”, vazhdoi Presidenti, duke theksuar se grupi terrorist ISIL, “nuk është as shtet dhe as islamik.” Asnjë fe tha Presidenti Obama nuk lejon vrasjen e njerëzve të pafajshëm, duke shtuar se shumica dërmuese e viktimave të këtij grupi terrorist janë vetë myslimanët dhe theksoi se grupi terrorist ISIL, “Nuk është shtet, pasi nuk njihet nga asnjë qeveri dhe as nga populli që ai grup terrorist ka skllavëruar”, në disa zona të Irakut dhe të Sirisë.
Presidenti Obama vazhdoi duke thënë se ky grup terrorist dallohet për nga brutaliteti që pjesëtarët e tij përdorin, “Duke ekzekutuar të burgosurit që ata kanë kapur si pengje. Ata vrasin fëmijtë.Ata skllavërojnë, dhunojnë seksualisht dhe detyrojnë femërat të martohen.Ata kërcënuan me gjenocid një grup të një pakice fetare. Dhe me barbarizmin e tyre ata ekzekutuan dy gazetarë amerikanë — Jim Foley dhe Steven Sotloff”, tha Z. Obama.
Në fjalimin e tij Presidenti amerikan nënvijoi se grupi terrorist ISIL përbën një kërcënim jo vetëm për popullin irakian dhe popullin sirian, por edhe më gjërë sidomos në rajonin e Lindjes së Mesme, përfshirë shtetasit, personelin dhe objektet amerikane në atë rajon. Prandaj, nëvijoi Presidenti Obama, “Nëqoftse nuk merren masa të menjëhershme, këta terroristë mund të paraqesin një kërcënim gjithnjë e më të madh përtej këtij rajoni, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara”. Z. Obama informoi se agjencitë sekrete besojnë se mijëra të huaj — përfshirë europianë dhe disa amerikanë — janë bashkuar me këtë grup në Siri dhe në irak. Këta terroristë të trajnuar mirë dhe me përvojë lufte mund të këthehen në vendet e tyre dhe të ndërmarrin sulme me pasoja të rënda”, theksoi Z. Obama.
Duke nënvijuar shqetësimet e shumë amerikanëve në lidhje me këto kërcënime, Presidenti Obama e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara po përballen me këto kërcënime, me fuqinë dhe vendosmërinë e nevojshme. “Qëllimi ynë është i qartë. Ne do t’a dobësojmë e degradojmë dhe më në fund do t’a shkatërrojmë grupin terrorist ISIL, nepërmjet një strategjie të gjithanshme dhe të vazhdueshme anti-antiterroriste”, e siguroi ai popullin amerikan.
Në fjalimin e tij të mërkurën mbrëma, Presidenti Obama njoftoi një strategji për të shkatërruar grupin terrorist ISIL: “nepërmjet një fushate sistematike sulmesh ajrore kundër terroristëve të grupit ISIL”. Z. Obama tha se, “E kam bërë të qartë se ne do t’i ndjekim terroristët të cilët kërcënojnë vendin tonë, kudo qofshin ata. Kjo do të thotë se unë nuk do të hesitoj të urdhëroj sulme kundër tyre në Siri apo në Irak. Presdienti amerikan Obama tha se, “Ky është parimi bazë i presidencës time: Nëqoftse kërcënoni Amerikën, ju nuk do të gjeni askund vend të sigurt për tu strehuar.”Si pjesë e strategjisë së tij kundër grupit terrorist ISIL, Presidenti Obama nënvijoi planet për të shtuar ndihmën ushtarake për forcat në Irak dhe në Siri, që janë duke luftuar kundër grupit ISIL, dhe u zotua se do të dërgojë edhe afër 500 ekspertë të tjerë ushtarakë amerikanë në Irak për të trajnuar forcat irakiane dhe ato kurde kundër grupit terrorist ISIL. Ai premtoi se së bashku me partnerët e Amerikës, Shtetet e Bashkuara do të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të zbuliuar dhe për ndërprerë burimet e financimit të grupit terrorist ISIL dhe për të ndaluar luftëtarët e huaj që të shkojnë e të vijnë si dëshirojnë nga Lindja e Mesme. Pjesë e strategjisë së Presidentit Obama kundër grupit terrorist ISIL, janë edhe ndihmat humanitare për vikitmat e pafajshme të cilët, nga vendbanimet e tyre, janë shpëngulur me forcë nga terroristët ISIL. Ndër këta, tha Presidenti Obama, përfshihen, myslimanët e sekteve shia dhe sunni si dhe dhjetëra mijëra të krishterë dhe pakica të tjera fetare. “Ne nuk mund të lejojmë që këto komunitete të dëbohen me forcë nga vendlindja e tyre e vjetër”.
Kjo, tha Presidenti Obama, është strategjia jonë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë siguruar në këtë orvatje, mbështetjen e një koalicioni të gjërë partnerësh ndërkombëtarë. Këto përpjekje, tha Presidenti Obama, janë pasqyrimi më i mirë i udhëheqjes amerikane në botë, duke shtuar se, “Ne jemi pranë popujve që luftojnë për lirinë e vet dhe njëkohësisht përpiqemi të sigurojmë edhe mbështetjen e vendeve të tjera, në emër të sigurisë dhe të humanizmit të përbashkët.
Ndërkaq, Presidenti Obama paralajmëroi duke e bërë të qartë se shkatërrimi i grupit terrorist ISIL nuk do të ndodhë mbrenda një kohe të shkurtë dhe siguroi amerikanët tanimë të lodhur nga lufta, se kjo strategji anti-terroriste është ndryshe nga luftërat në Irak dhe në Afganistan — duke thënë se atje nuk do të dërgohen forca ushtarake tokësore, por se kjo fushatë është në përputhje me qendrimin e njoftuar prej tij në fillim të këtij viti, sipas të cilit ai “do të përdor forcën kundër çdo njërit që kërcënon interesat bazë të Amerikës, por që në këtë përpjekje do të mobilozohen, kurdoherë që jetë e mundur, partnerët ndërkombëtarë, për tu përballur me sfidat më të gjëra që kërcnojnë rendin ndërkombëtar.
Në vazhdim të fjalimit, Presidenti Obama e cilësoi udhëheqjen ose “lidershipin” amerikan në botë si të “qëndrueshme dhe të përhershme, në një botë të pa sigurt.” Në luftën kundër terrorizmitdhe në përpjekjet për të siguruar mbështetjen e botës kundër agresionit rus në Ukrainë, dhe së fundmi në luftën kundër sëmundjes Ebola në Afrikën Perëndimore, janë Shtetet e Bashkuara ato që vazhdojnë të luajnë gjithnjë rolin udhëheqës anë e mbanë globit. Në lidhje me përgjegjësitë e udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara në botë, Presidenti Obama tha këto në fjalimin e tij të mërkurën mbrëma:
“Është Amerika ajo që ka mundësitë dhe vullnetin për të mobilizuar botën kundër terrorizmit. Është Amerika ajo që mobilizoi botën kundër agresionit rus në Ukrainë dhe në mbështetje të së dretjës së popullit ukrainas për të vendosur vetfatin e tij. Është Amerika — shkencëtarët tanë, mjekët tanë, shkenca dhe teknologjia jonë, ajo që mund të ndihmojë në izolimin dhe në kurimin e sëmundjes Ebola. Ishte Amerika, ajo që transferoi dhe shkatërroi armët kimike të Sirisë, ashtuqë ato të mos përbëjnë një kërcënim tjetër për popullin sirian dhe as për botën. Dhe është Amerika, ajo që po ndihmon komunitetet myslimane anë e mbanë botës, jo vetëm në luftën kundër terrorizmit, por edhe në luftën për mundësi më të mira jetese, për tolerancë dhe për një të ardhme më shpresëdhënse.”
“Bekimet tona të pashterrëshme”, tha Presidenti Obama, “na imponojnë një barrë të përhershme. Por si amerikanë, ne e mirëpresim përgjegjësinë tonë për të udhëhequr. Kur ne ndihmuam në parandalimin e një maskare të civilëve (nga grupi ISIL) në maje të një mali të izoluar, shtoi Presidenti Obama, ja se ç’tha njëri prej tyre: “Ne ua kemi borxh jetën miqëve tanë amerikanë. Fëmijtë tanë do të kujtojnë gjithmonë se dikurë na ishte dikush që i kishte dëgjuar vuajtjet tona dhe ai dikush (Amerika) bëri një rrugë të gjatë për të mbrojtur popullin tonëtë pafajshëm”, nga zhdukja.
Presidenti Barak Obama e përfundoi fjalimin e tij duke thënë se, “Ky pra, është roli që ne luajmë për një botë më të mirë, pasi edhe vet siguria jonë varet nga gatishmëria dhe vullneti ynë për të mbrojtur kombin tonë duke jetuar dhe duke zbatuar vlerat njerëzore në të cilat besojmë — ideale dhe vlera të përherëshme këto, të cilat do të mbijetojnë edhe pasi të jenë zhdukur nga kjo tokë, ata që ofrojnë vetëm urrejtje dhe shkatërrim.
Në fjalimin e tij, Presidenti Obama nënvijoi gjtihashtu edhe mbështetjen e dy partive kryesore për strategjinë e tij dhe fushatënushtarake amerikane kundër grupit terrorist ISIL, duke mirëpritur mbështetjen e përfaqsuesve të Partisë Republikane në opozitë dhe të Partisë Demokrate në Kongresin amerikan, për t’i treguar botës, siç tha ai, se “Amerikanët janë të bashkuar përballë rrezikut që i kërcënon.”

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, GRUPIT TERRORIST ISIL, Kunder, Presidentit Obama, STRATEGJIA E

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 138
  • 139
  • 140
  • 141
  • 142
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT