Nga Frank Shkreli/
Historikisht, shqiptarët kanë kërkuar gjithmonë fqinjësi të mirë me popujt për rreth. Shqiptarët, asnjëherë nuk kanë pretenduar dhe as nuk kanë bërë përpjekje për rrëmbimin e tokave dhe të territoreve të kombeve fqinje. Paqën dhe miqësinë me popujt fqinjë e kanë dëshiruar me shekuj. Ky qëndrim i shqiptarëve ndaaj fqinjve nuk ka ndryshuar as sot. Në të vërtetë, qeveritë shqiptare, sidmos të 25 viteve të fundit kanë bërë ç’mos që të ndërtojnë marrëdhënje moderne dy-palëshe dhe rajonale, lidhje të cilat i kanë hije shekullit 21 — madje edhe duke i cilësuar ato si marrëdhënje me “partnerë strategjikë”, ndonëse këto vende as sot nuk kanë hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj trojeve shqiptare.
Gjatë shekujve, Shqiptarët nga ana e tyre, kanë luftuar për lirinë e vet në mbrojtje të trojeve të veta pa pretendime dhe lakmi për tokat e të tjerëve. Ndërsa fqinjtë e shqiptarëve, në jug dhe në veri, nepërmjet përfqsuesve të tyre më të lartë, madje edhe në Europën e sotëme post-komuniste dhe në kulmin e përpjekjeve për një Europë gjithë-përfshirëse, të bashkuar dhe në paqë, nuk durohen pa shprehur ndjenjat e tyre anti-shqiptare kurdoherë që u jepet rasti. Shëmbull i kësaj çfaqjeje ishte vizita historike, kohët e fundit e Presidentit grek Korolos Papulias, hitorike sepse ishte e para e një udhëheqsi grek në Zvicër, në 100-vjetët e fundit. Sipas të dhënave në media, duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi Kosovën, udhëheqsi grek nga Zvicra asnjanëse dhe gjithmonë paqësore me të gjithë, me deklaratën e tij nuk u tregua shumë miqësor me shqiptarët.
Në një konferencë për shtyp së bashku me Presidentin dhe Ministrin e Jashtëm zviceran, presidenti i Greqisë u shpreh, ndër të tjera, edhe për marrëdhënjet e vendit të tij me Shqipërinë dhe me Kosovën. Ndoshta deklarata e tij në lidhje me Kosovën ishte më e papritura, ndërsa tha se Athina nuk ishte nën presionin e as kujt për të mos njohur pavarësinë e Kosovës, se ky ishte një vendim i Athinës — duke deklaruar se Greqia nuk e njeh Kosovën sepse Athina “vepron bazuar në interesat kombëtare”. Thënë ndryshe, presidenti Papulias deklaroi në Zvicër se nuk është në interesin e kombit të tij që të ketë marrëdhënje normale dhe paqësore me Kosovën si shtet i pavarur dhe anasjelltas as me shqiptarët në përgjithësi, pasi pavarësia e Kosovës konsiderohet si një arritje historike për të gjithë shqiptarët.
Z. Papulias tha se Greqisë nuk i bëhet presion nga askush për të mos njohur Kosovën shtet të pavarur. E vërtetë? Le ta marrim me mendë se në rast se Moska dhe Beogradi do ta njihnin pavarësinë e Kosovës, a thua Athina nuk do të bënte një gjë të tillë. Udhëheqsi grek mund të thotë të vërtetën kur deklaron se Greqisë nuk i bëhet presion për të mos njohur Kosovën, pasi historikisht qëndrimet e Athinës karshi Kosovës dhe shqiptarëve përputhen me ato të Beogradit dhe Moskës – është kjo një përputhje dhe bashkrendim i heshtur interesash historike të tre-këndshit Beograd-Moskë-Athinë, kundër vetvendosjes dhe të drejtave të shqiptarëve.
Ai, që Z. Papulias iu referua si, “problem i Kosovës” dhe të cilin ai pretendon se e njeh mirë, sipas tij na qenka një “problem serioz” i cili sipas presidentit grek kërcënon jo vetëm stabilitetin në Ballkan, por edhe paqën në përgjithësi në Bashkimin Europian.” Ndoshta Z. Papulias di diçka për të cilën bota tjetër nuk është në dijeni, se Kosova sot, sipas tij, përbën rrezikun më të madh ndaj paqës në Europë, a po siç thotë populli, veç “njellë zi” për rajonin e Ballkanit Perëndimor, e kush të fajësohet për këtë në mos shqiptarët. Për më tepër, duhet për tu habitur kur një deklaratë e tillë bëhet nga presidenti i një vendi që tani okupon presidencën e Bashkimit Europian! Është e pa kuptueshme insinuata e presidentit grek se Kosova na qenka sot një “problem” që duhet zgjidhur. Deklarata e tij është në kundërshtim të plotë me qëndrimet e Bashkimit Europian, si dhe me qëndrimet e aleancës së NATO-s, anëtare e të cilave është edhe Greqia, dhe në mos përputhje edhe me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj pavarësisë së Kosovës. Por nëqoftse qëndrimi i Z. Papulias ndaj Kosovës nuk është i njëjti me BE-në, NATO-n dhe SHBA-në, ai duket se është në përputhje të plotë me qëndrimet e Serbisë dhe të Rusisë, dy vende historikisht aleate të Greqisë, kundër të drejtave të shqiptarëve në rajon në përgjithësi dhe ndaj politikës së tyre ndaj Republikës së Kosovës, në veçanti.
Z. President, ndryshe nga ajo që mendoni ju, “problemi” i Kosovës është zgjidhur njëherë e mirë. Kosova, pas një historie tragjike, falë luftës dhe vuajtjeve të popullit të saj si dhe ndihmës nga aleatët perëndimorë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës – është më në fund shtet i pavarur dhe i njohur nga diplomacia e shteteve më të fuqishme dhe më shumë se 100-vendeve anë e mbanë botës. Me komentet e tija në Zvicër, Z. Papulias, lë të nënkuptohet se Kosova ishte më mirë kur shqiptarët e asaj treve ishin të zhytur në gjak nga masakrat e forcave terroriste serbe të Millosheviçit dhe se shpërngulja me forcë e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e veta shekullore, do të kishte qenë më pak kërcënuese për “paqën dhe stabilitetin në Ballkan dhe në përgjithësi në Bashkimin Europian”. Zoti President, u ka dalë boja pretendimeve tua dhe të aleatëve të juaj se shqiptarët na qenkan ata që edhe sot kërcënojnë paqën dhe stabilitetin në Ballkan dhe në Europë. A është e vërtetë, Z. Papulias se gjithnjë i konsideroni shqiptarët si kërcënues të paqës dhe të stablitetit, jo vetëm në Ballkan por edhe në Bashkimin Europian në përgjithësi, ashtu siç u shprehët gjatë vizitës suaj në Zvicër?
Zoti Papulias komentoi edhe një çështje problematike për marrëdhënjet midis dy kombeve, atë në lidhje me ligjin grek të luftës me Shqipërinë. Në vend që të thonte se ky ligj i takon së kaluarës dhe se si i tillë ky ligj nuk ka vend në marrëdhënjet normale midis një vendi anëtar të Bashkimit Europian dhe një vendi që aspiron të bëhet anëtare e Europës së bashkuar. Ai nuk dha asnjë justifikim se pse vendi i tij mban një ligj të tillë ende në fuqi në fillim të shekullit 21, por mënjanoi përgjigjen e duhur duke shtuar se “Greqia sot udhëheq një politikë në favor të paqës dhe stabilitetit në Ballkan.”
Në konferencën me shtypin gjatë vizitës së tij në Zvicër javën që kaloi, Presidenti Papulias tha se Greqia “strehon mbi një milion punëtorë shqiptarë”, një shifër kjo që në pamjen e parë duket si pak e ekzagjeruar. Por sidoqoftë, Z. President, nëqoftse prania e punëtorve shqiptarë nuk do të ishte në “interesin kombëtar të Greqisë” nuk besoj se do i kishit pranuar këta punëtorë shqiptarë. Por e vërteta është se për punëtorët nga Shqipëria vendi juaj ka pasur dhe ke nevojë për të mbajtur gjallë ekonominë greke, pasi shumicën e punëve që bëjnë ata, grekët nuk i bëjnë. Sepse puntorët, për të cilët Greqia nuk kishte nevojë, i keni këthyer vitet e fundit pa u thënë as faleminderit. Kjo, i nderuar Z. President nuk ishte as nuk është një lëmoshë që Greqia u jep shqiptarëve, por është një marrëdhënje pune – ku ata kanë nevojë për punë dhe Greqia ka nevojë për ta, ashtu siç ndodhë në shumë vende të Europës, përfshirë Zvicrën – por ndoshta me të vetmin përjashtim se në Greqi, emigrantët trajtohen shumë më keq se puntorët emigrantë në vendet e tjera europiane, një fakt ky që është dokumentuar herë pas here edhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Fatkeqsisht, pikëpamjet e shprehura javën që kaloi në Zvicër nga Presidenti i Greqisë, Z. Karolos Papulias dhe njëkohësisht president i radhës i Bashkimit Europian në lidhje me Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi, nuk janë aspak në përputhje me vlerat, në bazë të të cilave është themeluar Bashkimi Europian – dmth me “vlerat e respektit për dinjitetin njerëzor, për lirinë, demokracinë, barazinë para ligjit, respekt për të drejtat e njeriut, duke përfshirë edhe të drejtat e pakicave.” Artikulli I-2 i BE-së i përcakton këto vlera si të përbashkëta për shoqëritë dhe vendet anëtare që “karakterizohen nga pluralizmi, mos-diskriminimi, toleranca, drejtësia dhe solidariteti…..”, vlera këto për të cilat popujt e Ballkanit — përfshirë mbi të gjithë grekët dhe shqiptarët — kanë nevojë t’i adaptojnë dhe t’i jetojnë për një fqinjësi të mirë midis njëri tjetrit si dhe për një paqë dhe stabilitet më të fortë në rajonin e Ballkanit dhe në mbarë Europën. Këto vlera të përbashkëta duhet të mbrohen dhe të promovohen nga të gjithë! Paqa dhe stabiliteti në Ballkan dhe në Europë — ndryshe nga ç’pretendon presidenti Papulias– nuk kërcënohen as nga shqiptarët as nga “problemi” jo ekzistues i Kosovës.
E ARDHMJA E EUROPËS: BALLKANI NË FOKUS
Nga Frank Shkreli/
Më 29 dhe më 30 Prill në Washington u mbajt konferenca dy ditore e organizuar nga Këshillit i Atlantikut për të përkujtuar disa përvjetorë me rëndësi jetikë për komunitetin trans-atlantik, përfshirë 25-vjetorin e shëmbjes së Murit të Berlinit, 15-vjetorin e zgjërimit të parë të antarësimit në NATO pas mbarimit të luftës së ftohët, dhe 10-vjetorin e zgjërimit të madh të antarësimit të vendeve ish-komuniste në Bashkimin Europian dhe në Këshillin e Europës. E drejtuar nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright, demokrate, dhe nga ish-këshilltari i Presidentit George Bush, për çështje të Sigurimit Kombëtar, Stephen Hadley, republikan — në konferencë morën pjesë, ndër të tjerë, edhe Zëvendës Presidenti i Amerikës, Joe Biden dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, si dhe senatorë amerikanë dhe udhëheqës europianë. Qëllimi i konferencës, sipas Këshillit të Atlantikut, ishte për të venë në dukje transformimin e Europës deri tani, si dhe rëndësinë e këtyre përvjetorëve. Konferenca mundësoi gjithashtu zhvillimin e bisedimeve për të ardhmen e NATO-s dhe të Bashkimit Europian, dhe ishte një rast i mirë për të shkëmbyer mendimet dhe pikëpamjet e të ftuarve për përballjen e sfidave, drejtë një Europe të tërë dhe të lirë.
Njëri prej folësve kryesorë të konferencës ishte Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH), John Kerry, i cili iu bashkua një numëri ministrash të jashtëm nga Europa, përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, për të celebruar, sipas DASH, “Këto arritje historike, si dhe vlerat e përbashkëta të cilat kanë forcuar dhe kalitur një komunitet trans-atlantik të fortë, demokratik dhe të begatë. Sekretari Amerikan i Shtetit ritheksoi gjithashtu edhe angazhimin e fortë të Shteteve të Bashkuara për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë. Zoti Kerry nënvijoi mbështetjen e administratës së Presidentit Obama ndaj aleatëve të NATOs duke u thënë ministrave dhe diplomatëve europianë, se “Ne jemi gati të bëjmë çdo gjë për të ndihmuar NATO-n që të mbrojë territorin e anëtarve të saj kundër ndonjë konflikti që mund të përhapet si përfundim i grabitjes së Krimesë nga Rusia, si dhe nga sulmet ruse në Ukrainën lindore.” Kryediplomati amerikan ritheksoi mbështetjen amerikane ndaj Ukrainës dhe kritikoi Rusinë se nuk ka marrë asnjë hap për të zbatuar marrveshjen e arritur këtë muaj në Gjenevë midis tij dhe ministrit të jashtëm rus, Lavrov, marrveshje që kishte për qëllim të ulte tensionin e krizës. Ai u tha zyrtarëve, ekspertëve politikë dhe gazetarve të pranishëm në conference, se “ky konflikt është një alarm për ne dhe për aleancën e NATO-s”. Zoti Kerry tha se, “Ne gjëndemi para një momenti përcaktues historik për komunitetin trans-atlantik”, dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të angazhohen seriozisht, që gjatë pesë viteve të ardhëshëm, të cakëtojnë të pakën dy për qind të buxhetit të tyre të përgjithëshëm për nevojat e mbrojtjes. Zoti Kerry u bëri gjithashtu thirrje aleatëve të NATO-s “që menjëherë të marrin masa urgjente për të siguruar që vendet europiane të mos jenë të varura nga Rusia për pjesën më të madhe të nevojave të tyre për energji”, dhe të përfundojnë bisedimet për një bashkpunim më të thellë ekonomik të komunitetit trans-atlantik. Ai shtoi se NATO duhet tani të përqëndrohet më shumë në mbrojtjen europiane, pas disa vitesh që aleanca ishte e angazhuar në misione në Irak dhe në Afganistan, duke thënë se tani, “kriza në Ukrainë na thërret që t’i këthehemi rolit për të cilin ishte krijuar NATO, e që është mbrojtja e territorit të aleancës dhe të avancimit të sigurinë trans-atlantike.” Xhon Kerry përfundoi fjalimin e tij duke thënë se, “Ne duhet t’ia bëjmë absolutisht të qartë Kremlinit se territori i NATO-s është i padhunueshëm. Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të tij…”
Menjëherë pas fjalimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, konferenca e organizuar nga Këshilli i Atlantikut e titulluar, “Drejtë një Europe të tërë dhe të lirë”, zhvilloi edhe një sesion kushtuar Europës Jugore, me pjesmarrjen e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ministrave të jashtëm të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe të Bullgarisë. Sipas Këshillit të Atlantikut, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë vuri në dukje se Ballkani përballet gjithnjë me sfida të mëdha, duke theksuar ndër të tjera, çështjet kufitare, problemet e njohjeve dhe konflitet etnike. Ministri Bushati u citua të ketë thënë se, “Humbasin gjithnjë kohë se kush do ulet në tryezë, në vend që të përpiqemi të zgjidhim problemet për të ardhmen.” Në lidhje me antarësimin eventual të vendeve të Ballkanit Përendimor në Bashkimin Europian (BE), përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, Ministri shqiptar i punëve të jashtëme, ndonëse pranoi se është shënuar përparim i madh drejtë BE-së, ai vërejti se reagimi i BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Përendimor ka qenë kryesisht tepër i ngadalshëm për procesin e integrimit të këtyre vendeve dhe se ekziston nevoja për marrjen e masave më të shpejta nga ana e BE-së. Ai shprehu mendimin e tij se, “Konsolidimi i vendeve të Europës Jugore është një proces sfidues dhe si i tillë nevojitë një angazhim më të madh nga ana e Bashkimit Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara.” Kryediplomati shqiptar shprehu shqetsimin e tij se në mungesë të një interesimi më të madh mbi të ardhmen e Ballkanit nga BE-ja, procesi i përparimit në rajon mund të zgjasë indefinitivisht dhe mund të përfundojë në një fragmentim më të thellë të rajonit, me pasoja që askush nuk do t’i dëshironte.
Ndërsa në lidhje me zgjërimin e antarësimit në NATO, përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnje-Hercegovinën, vende këto që aspirojnë antarësimin në aleancën perëndimore, Zëvëndës-kryeministri dhe ministëri i jashtëm i Malit të Zi, Igor Luksiq shprehu shqetësimet e tija të thella me procesin e deritanishëm të antarësimit në NATO dhe shtoi se duhet të ketë një angazhim të qartë për antarësimin e vendeve të rajonit, si një kusht paraprak për një Europë stabile. Ministri malazez i tha konferencës se, Europa nuk mund të jetë e tërë, e lirë dhe në paqë, nëqoftse vendeve të Ballkanit perëndimor që dëshirojnë të bëhen anëtare të NATO-s, nuk u jepet mundësia të bëhen pjesë e aleancës perëndimore.” Edhe Ministri i jashtëm maqedonas, Nikola Poposki foli për ndihmën që vendi i tij u ka dhënë operacioneve të NATO-s megjithëse nuk është anëtare e aleancës dhe shtoi se NATO është forca kryesore shtytëse në procesin e reformave në Maqedoni. Ministrat e jashtëm të Ballkanit, sipas Këshillit të Atlantikut, theksuan gjithashtu natyrën ndërlidhëse të politikave rajonale, duke thënë se ngjarjet që mund të ndodhin në njërin prej vendeve të rajonit, mund të kenë efekte të drejta për drejta mbi stabilitetin rajonal në përgjithësi, dhe duke pasur parasyshë mjedisin politik në atë rajon, është e nevojshëme ruajtja e komunikimeve dhe përqëndrimi i përbashkët mbi zhvillimin e strategjive për sigurimin dhe stabilitetin e rajonit. Ndërsa Ministri i jashtëm bullgar, Kristian Vigenin tha, gjatë sesionit kushtuar Europës Jugore, se ashtu si Ukraina, edhe Ballkani gjëndet para një momenti historik vendimtar për të ardhmen e vet dhe si pasojë, është me rëndësi, shtoi ai, që vendimet të cilat do të merren në lidhje me këto vende, të jenë masa për të cilat ka nevojë stabiliteti dhe paqa në rajon.
Konferenca përfundoi punimet me një fjalim nga Zëvendës-Presidenti amerikan Joe Biden, i cili njoftoi se në Qershor, Presidenti Obama do të vizitojë Poloninë me rastin e 25-vjetorit të zgjedhjeve të lira atje, zgjedhje të cilat shënuan shkëputjen e atij vendi nga qeverisja komuniste e dominuar nga Bashkimi Sovjetik. Kjo vizitë po bëhet siç në duket, në përpjekje për të treguar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për aleatët e tyre në Europën Qendore dhe Lindore, përballë ballafaqimit të komunitetit trans-atlantik me Rusinë, në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës. Kritikët e administratës së Presidentit Obama kanë komentuar në të kaluarën se ajo nuk ka provuar mbështetjen e nevojshme për aleatët amerikanë në Europën Qëndrore dhe Lindore.
Këshilli i Atlantikut tha se kriza në Ukrainë përbën një rrezik serioz, ndaj përparimit të bërë deri tani drejtë një “Europe të tërë dhe të lirë”, ç’prej mbarimit të luftës së ftohtë, prandaj edhe vendosi të organizonte këtë konferencë ku morën pjesë udhëheqës dhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe europianë, për të biseduar mbi gjetjen e mënyrave më të mira për ruajtjen dhe avancimin e përparimit të bërë deri më tani drejtë paqës dhe sigurisë në Europë, megjithë sfidën më serioze ndaj vizionit për një Europe të bashkuar dhe në paqë, ç’prej mbarimit të luftës së ftohtë, pothuaj një çerek shekulli më parë. Këshilli i Atlantikut tha se e organizoi këtë konferencë të udhëheqsve trans-atlantikë, ndërkohë që presidenti rus, Vladimir Putin po hedhë poshtë këtë vizion dhe ndërsa ai po u bën presion dhe ndërmerr sulme ushtarake kundër vendeve fqinje të Rusisë, në përpjekje për të mos i lejuar ato që të vendosin vet nëse duan të bëhen pjesë e vizionit për një Europe të tërë dhe të lirë. Kjo konferencë, theksoi Këshilli i Atlantikut, është pjesë e një fushate që ka ndërmarrë për nxitjen e marrjes së masave për të siguruar se Ukraina mbijeton si shtet, dhe njëkohësisht për forcuar identitetin dhe rolin e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe njëherazi edhe për të fuqizuar aleancën e NATO-s.
TË MOS I MBYLLET FRYMA SHTYPIT
Nga Frank Shkreli/
Kjo javë është mbushur me aktivitete kushtuar fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit që do të kulminojnë me Ditën Ndërkombëtare të lirisë së shtypit më 3 Maj, 2014. Aktivitetet filluan në Washington të organizuara nga Departmenti amerikan i Shtetit, nga Kombet e Bashkuara në New York, dhe UNESCO do të mbajë një konferencë ndërkombëtare dy ditore me 5 dhe 6 Maj në Paris. Ndërkohë, aktivitetet në mbrojtje të lirisë së shtypit gjatë kësaj jave, përfshijnë edhe mbledhjen këtë javë në kryeqytetin Tallin të Estonisë mbi lirinë e internetit, të organizuar nga qeveria estoneze.
Dita Ndërkombëtare kushtuar lirisë së shtypit është shpallur nga Asambaleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 dhe është caktuar të shënohet çdo vit me 3 Maj. Kjo është një ditë kur në të gjithë botën festohet zbatimi i parimeve themelore të lirisë së shtypit, rëndësia e medias në një shoqëri të lirë dhe integriteti i vet gazetarisë, në zhvillimin e një shoqërie demokratike. Njëkohësisht, është një rast për të vlerësuar dhe për të komentuar mbi gjëndjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës dhe është një ditë e caktuar kur liria e medias mbrohet nga sulmet ndaj pavarësisë së saj, ndërkohë që kujtohen dhe nderohen gazetarët të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës.
Tema e aktiviteteve të këtij viti është: Liria e medias për një të ardhëme më të mirë. Liria e fjalës, dhe rrjedhimisht liria e shtypit dhe medias në përgjithësi, është një e drejtë themelore e njeriut, siç përcaktohet qartë në artikullin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Zbatimi i këtyre parimeve bazë të lirisë së shtypit nga shtetet dhe qeveritë, të cilat kanë nënshkruar Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, nevojitë gjithashtu edhe gazetarë profesionistë të cilët e kryejnë punën e tyre duke u bazuar në standardet më të larta etike dhe profesionale të gazetarisë, duke botuar ose duke transmetuar në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje, informacione të sakëta, të paanshme dhe objektive, duke paraqitur kështu edhe opinione të ndryshme për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet shoqëria. Media, me të vërtetë e lirë dhe e pavarur, do të duhej të shërbente si një pasqyrë, jo vetëm për vet shoqërinë por për më tepër edhe për udhëheqsit politikë të cilët mund të kenë humbur lidhjet dhe komunikimin normal me njëri tjetrin, si dhe kontaktet me shoqërinë, interesat e të cilës ata janë zgjedhur t’i mbrojnë dhe t’i përfaqësojnë.
Këtu në Amerikë, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit shënohet çdo vit, madje edhe nga nivelet më të larta të qeverisë. Edhe sivjet, sipas një njoftimi nga Departmenti Amerikan i Shtetit, (DASH) Shtetet e Bashkuara filluan aktivitetet e tyre me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit të premtën më 25 Korrik, në Misionin e Amerikës pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, në mbrojtje të gazetarve ose mediave që censurohen, që sulmohen, që kërcënohen ose veprimtaria e të cilëve shtypet. Me aktivitetet e tyre, përfaqsuesit amerikanë, përpiqen gjithashtu që të tërheqin vëmendjen e botës ndaj fatit të gazetarëve dhe për tu bërë thirrje qeverive që shtypin lirinë e gazetarëve, që të mbrojnë dhe të promovojnë të drejtën universale të lirisë së fjalës, bazuar në angazhimet që ata kanë marrë me nënshkrimin e konventave ndërkombëtare. Në kuadër të aktiviteteve në mbrojtje të lirisë së shtypit që do të kulminojnë me 3 Maj, përfaqsuesja e Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së, Samantha Powers, e cila ishte vet gazetare dhe si e tillë kishte mbuluar luftën në Bosnje, para se të emërohej krye-diplomatja e Shteteve të Bashkuara në OKB, të premtën mbajti një fjalim në ”Overseas Press Club” ku tha se, “Gazetaria e mirë dhe e dobishme — e bazuar në punë të rëndë dhe në standarde të larta etike të gazetarisë — shërben si një sitë ose filtër që na nevojitet të dallojmë gënjeshtrat nga realiteti.” Ajo tha se qeveritë që shtypin ose që përpiqen të pengojnë lirinë e medias, janë ato qeveri ose regjime që, “nuk kanë besim në legjitimitetin e tyre, ose të cilave në sytë e popullit u mungon kredibiliteti në politikat e tyre.” Andaj, për të ndaluar kritikat ndaj politikave të tyre, regjime të tilla, tha ajo, barazojnë — kundërshtimet ose kritikat legjitime ndaj politikave të pushtetarëve — me tradhëti ndaj vendit, dhe si përfundim përpiqen të kontrollojnë, të korruptojnë dhe të frikësojnë shtypin dhe gazetarët me lloj-lloj masash që qeveria ka në dispozicion. Ambasadorja amerikane theksoi gjithashtu se disa qeveri bëjnë ç’mos që të manipulojnë shtypin, duke paguar ose duke kufizuar botimin e gazetave, ose duke manipuluar me lejet e transmetimit dhe të botimit, duke ua dhënë ato një numëri të preferuar miqësh dhe përkrahsish të tyre. Ajo përmendi rastin e Turqisë, e cila sipas ambasadores amerikane, “megjithëse mban zgjedhje të lira, lajmi i kohëve të fundit për përpjekjet e qeverisë turke për të kufizuar veprimtarinë e internetit dhe vendimi i asaj për të ndaluar ”Twitter”, u përhap anë e mbanë botës. Por ajo shtoi se — më pak është i njohur fakti se, sipas Organizatës për Mbrojtjen e Gazetarve, vitin e kaluar, tha ajo, Turqia ishte në vendin e parë me numrin më të madh të gazetarve të burgosur në botë”. Edhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kohët e fundit ka marrë masa të jashtzakonshme për të shtypur lirinë e fjalës në vendin e tij, ndër të tjera, duke ndaluar transmetimet perëndimore dhe duke u përpjekur të bllokojë edhe internetin. Nga ana e saj, Ambasadorja amerikane pranë OKB-së, Samantha Powers ritheksoi përkrahjen e administratës së Presidentit Obama ndaj lirisë së shtypit si një pjesë përbërse dhe e vazhdueshme e politikës së jashtëme të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se, “Çdo ditë, diplomatët tanë demonstrojnë mbështetjen e tyre për të drejtën që njerëzit kudo,duhet të jenë të lirë të shprehin mendimet e tyre, të jenë të lirë të botojnë dhe të transemtojnë pa frikë, se do të ndëshkohen si përfundim i veprimtarisë së tyre gazetareske.”
Përfaqsuesja amerikane tha para “Overseas Press Club” në New York” se, “Çdo demokraci — përfshirë edhe demokracinë tonë — përballet me sfida, por ndryshimi është se demokracia posedon mbrenda sistemit të saj mjetet për tu përballur me zgjidhjen e problemeve nepërmjet alternativash të ndryshme, (përfshirë shtypin e lirë e të pavarur)….ndërsa autokratët mund të ofrojnë vetëm ruajtjen e status quosë, të interesave dhe privilegjeve të tyre, si dhe të miqëve dhe të bashkpuntorëve të tyre të ngushtë”. Ajo tha se ne besojmë se, heret ose vonë, gënjeshtrat e diktatorëve do të zbulohen nga gazetarët të cilët nuk duhet të pushojnë së kërkuari të vërtetën. Ambasadorja Samantha Powers përfundoi fjalimin e saj kushtuar Ditës Ndërkombëtare të lirisë së shtypit në botë, duke cituar Winston Churchillin, i cili ka thënë se, “Shtypi i lirë është roja vigjilente e të gjitha të drejtave të tjera të njeriut, të drejta të cilat çmohen dhe respektohen nga njerëzimi”. Liria e shtypit, sipas Churchillit, “është armikja më e rrezikshme e tiranisë.”
Rëndësia e lirisë së shtypit është sot aq e rëndësishme, ndoshta më e rëndësishme, se sa ka qenë ndonjëherë më parë. Shumë qeveri anë e mbanë botës, ndonëse shtihen si mbrojtëse të lirisë së medias, vazhdojnë të shtypin ose të pengojnë lirinë e fjalës dhe të abuzojnë me të drejtat e njeriut dhe të gazetarëve duke përdorur lloj-lloj taktikash, përfshirë tatimet. Nuk jam në dijeni të ndonjë aktiviteti, zyrtar ose jo-zyrtar, në Shqipëri ose në Kosovë për të shënuar këtë ditë, por në kontekstin shqiptar, dje lexova një kryeartikull të gazetës Telegraf të Tiranës, në të cilin thuhej se ditët e fundit, qeveria shqiptare paska marrë një vendim të bërë publik nga ministri i Financave, nepërmjet të cilit u bënë publike rregullat e tatimit mbi vlerën e shtuar apo si njihet atje shkurt me termin, TVSH, që prekë rëndë median. Autori e akuzon vendimin e qeverisë si një masë që “kërkon të falimentojë mediat që po nxjerrin çdo ditë lakuriqësinë dhe babëzinë tuaj.” Dashtë Zoti që kjo të mos jetë një masë presioni apo frikësimi nga ana e qeverisë ndaj lirisë së medias në Shqipëri dhe ndaj botuesve dhe gazetarëve që mundohen – nën rrethana edhe ashtu shumë të vështira — sado pak të ruajnë parimet e gazetarisë së lirë e të pavarur, pa i komprometuar ato? Vall, mos është kjo një masë e tërthortë, por e qëllimshme për t’i bërë presion medias dhe lirisë së veprimit të saj, duke e bërë punën e gazetave edhe më të vështirë se ç’është tani? A nuk mund të ishte ky një vendim pak më i favorshëm për median? Andaj, përballë këtij vendimi të ministrit shqiptar të Financave të njoftuar para disa ditësh, a mund të thuhet në këtë përvjetor të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së shtypit, që po shënohet në më shumë se 100-vende të botës – se qeveria shqiptare është me të vërtetë dhe sinqerisht e vendosur, që në përputhje me konventat ndërkombëtare, po mbështetë fjalën e lirë dhe lirinë shtypit — si në parim, ashtu edhe në praktikë?
FORCAT AMERIKANE ZBRESIN NË POLONI
Nga Frank Shkreli/
Në një përgjigje që deri më sot duket si më serioze ndaj agresionit rus në Ukrianë dhe ndaj presioneve të vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës, Shtetet e Bashkuara dhe aleanca e NATO-s — në një përpjekje që duket se është më shumë se vetëm diçka simbolike — kanë filluar të dërgojnë anije, aeroplanë luftues dhe forca ushtarake drejtë Europës Lindore. Shtetet e Bashkuara njoftuan se të Mërkurën arrijtën në Poloni dhe në tre vendet baltike, Estoni, Letoni dhe Lituani forca amerikane, me qëllim stërvitjesh të përbashkëta midis forcave aleate. Sipas zëdhënsit të Pentagonit, Admiralit John Kirby, kjo masë që u muar si përfundim i agresionit rus në Ukrainë, është njëkohësisht edhe një ”shprehje konkrete”, sipas tij, e angazhimit amerikan për paqën dhe sigurinë në Europë. I pyetur nga gazetarët, nëse këto masa kishin lidhje me Rusinë, zëdhënsi i Pentagonit tha se, “Nëqoftse ka një mesazh për Moskën, ky është pikërisht mesazhi: se ne i marrim seriozisht obligimet tona ndaj Europës.”
NATO ka njoftuar se ndër masat që po merren janë intensifikimi i misjoneve ajrore mbi rajonin e Baltikut, dërgimi i anijeve të tjera ushtarake në zonën e Baltikut dhe në pjesën lindore të Mesdheut dhe të rajoneve të tjera, sipas nevojës dhe rrethanave. Në lidhje me këto zhvillime, Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Anders Rasmussen u tha gazetarve javën që shkoi se përveç këtyre masave, që u propozuan nga Gjenerali i Forcave Ajrore Amerikane, Philip Breedlove dhe që u miratuan nga Këshilli i NATO-s, se në atë rajon do të dërgohen edhe personel ushtarak nga vendet aleate për të avancuar gatishmërinë, si dhe për trajnim dhe manovra me forcat ushtarake aleate. Z. Rasmussen tha se vendimet e NATO-s që u morën kohët e fundit, “kanë të bëjnë me mbrojtjen, me shkurajimin e sulmeve të mëtejshme dhe janë masa për uljen e tensioneve”, dhe si të tilla shtoi ai, “ato janë në përputhje të plotë me angazhimet ndërkombëtare”, duke theksuar se ” do të pasojnë edhe masa të tjera, nëqoftse ndjehet e nevojshme, gjatë javëve dhe muajve të ardhëshëm”. Ai nënvijoi gjithashtu se NATO do të planifikojë marrjen e masave afatgjatë në atë rajon, siç tha ai, “në mbështetje të mbrojtjes së përbashkët.”
Këto masa ushtarake të njoftuara nga Shtetet e Bashkuara dhe nga aleanca e NATO-s, sipas zyrtarëve, do të jenë në fuqi deri në fund të vitit dhe se do të vendoset më vonë se cilat nga këto masa duhet të vazhdojnë dhe për sa kohë.
Gjatë 20-vjetëve të fundit prania ushtarake amerikane në Europë ka qenë në rënje e sipër, por kriza në Ukrainë ka bërë që të rivlerësohet prania e forcave ushtarake të Shteteve të Bashkuara në kontinentin europian, si dhe të rishikohet buxheti amerikan i mbrojtjes, i cili gjithashtu ka qenë në rënje vitet e fundit. Por megjithse disa anëtarë të njohur të Kongresit amerikan, përfshirë Senatorin republikan John Mcain, dhe disa eskpertë ushtarakë kanë bërë thirrje që Ukrainës t’i jepen ndihma ushtarake, deri tani as Shtetet e Bashkuara dhe as NATO, nuk kanë njoftuar ndonjë plan për t’i dhënë Ukrainës ndihma të drejtë për drejta ushtarake. Deri më tani, Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës ndihma jo ushtarake, për të cilat ish-Gjenerali Wesley Clark, i cili ka drejtuar luftën kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës, ka thënë se dërgimi i këtyre ndihmaveUkrainës, përballet me probleme serioze të cilat duhet të korigjohen menjëherë, ndërsa shprehu bindjen e tij në një raport të botuar në New York Times se, në të ardhmen Ukraina do të ketë nevojë për ndihma ushtarake, ndonëse Washingtoni zyrtar vazhdon të jetë i mendimit se nuk ka zgjidhje ushtarake për krizën në Ukrainë.
Zëdhënsi i Pentagonit admiral John Kirby tha për gazetarët se manovrat në Poloni dhe në tre shtetet baltike janë të para në atë rajon, duke shtuar se “Agresioni i Rusisë në Ukrainë ka shtuar vemdosmërinë tonë për të forcuar planet dhe aftësitë tona mbrojtësesi dhe ka forcuar bindjen tonë për të demonstruar vazhdimësinë e angazhimit tonë ndajë mbrojtjes së përbashkët të aleatëve tonë të NATO-s në Europën Qendërore dhe Lindore”.
Masat ushtarake amrrikane u njoftuan ndërsa zëvendës presidenti amerikan Joe Biden vizitoi Kievin. Gjatë asaj vizite udhëheqsi amerikan i bëri thirrje Rusisë që të zbatojë marrveshjen ndërkombëatre që u arrijt javën e kaluar në Gjenevë, për ndryshe, tha ai Moska do të përballet me sanksione të tjera ekonomike nga Perëndimi. Zëvendës Presidenti amerikan u kërkoi edhe udhëheqsve të Ukrainës që të zbatojnë parimet demokratike duke respektuar ndryshimet kulturore të qytetarëve të saj, njëherazi duke i siguruar ata se “në këtë rrugë ju nuk jeni vetëm”. “Ka ardhur koha”, tha Z. Biden që, “Rusia të pushojë së foluri e të fillojë së vepruari — të fillojnë të veprojnë për zbatimin e angazhimeve që morën” në Gjenevë, tha ai. Ndërkaq, Departmenti amerikan i shtetit njoftoi se edhe Sekretari i Shtetit John Kerry, në një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, i shprehi atij, “shqetsimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për mungesën e marrjes së masave pozitive nga ana e Rusisë me qëllim për të ulur tenionet në Ukrainë dhe në rajon.”
Putini ka kohë dhe nuk i ngutet për të arritur objektivat e veta. Një hap para, dy hapa mbrapa. Kështu ka thënë Lenini. Edhe Perëndimi duhet të ketë durimin e nevojshëm dhe të jetë i gatëshëm dhe i vullnetshëm për të mos e lejuar atë të realizojë objektivat e tija nacionaliste, në kurriz të popujve të tjerë.
NGA HISTORIA E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
THEMELIMI I “KOMITETIT SHQIPËRIA E LIRË”/
Nga Frank Shkreli
Ishte viti 1956. Lufta e ftohët midis Lindjes komuniste dhe Perëndimit demokratik po ashpërsohej çdo ditë. Shqipëria e asaj kohe sundohej nga regjimi i Enver Hoxhës që po bëhej gjithnjë më i egër karshi kundërshtarëve të mbrendshëm, si dhe ndaj botës së jashtme. Që atëherë shiheshin shënja ksenofobike të regjimit enverist ndaj botës, sa që një gazetar i gazetës zvicerane, Neue Zuercher Zeitung e datës 7 Prill, 1957, shkruante pas një vizite në Shqipëri se, “Asnjë nga shtetet komuniste satellite qyshë prej mbarimit të luftës nuk e ka izoluar veten nga bota e jashtme aq heremetikisht sa Shqipëria e vogël”.
Përballë një regjimi komunist shtypës mbrenda vendit dhe tepër armiqësor karshi botës, sidomos asaj perëndimore në përgjithësi dhe kundër Shteteve të Bashkuara në veçanti – komuniteti shqiptaro-amerikan ndjente nevojën për themelimin e një organizate që nuk do të varej prej asnjë nga partitë politike shqiptare që vepronin në Perëndim në atë kohë. Njehej nevoja urgjente për një organizatë e cila do të shërbente jo vetëm si zëdhënse e komunitetit shqiptaro-amerikan, por e cila njëkohësisht do të shërbente gjatë viteve dhe dekadave të mëvonshme edhe si ndërlidhëse me autoritetet qeveritare të Shteteve të Bashkuara, sidomos Departmenti Amerikan i Shtetit, i cili më në fund filloi edhe të financonte Komitetin dhe veprimtarinë e organizatës së re “Shqipëria e Lirë”. Themelimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” po plotësonte një boshllëk që ekzistonte në atë kohë, zëri i të cilit nevojitej të dëgjohej, sidomos në Amerikë, por edhe në organizatat ndërkombëtare të kohës në SHBA dhe në Europë, ku ishin mësuar që versioni i ngjarjeve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, të paraqitej vetëm nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Kjo situatë ndryshoi kur në Nëntor të vitit 1956, pas këshillimesh me autoritetet amerikane dhe midis një numri shqiptarësh të dalluar, themelohet Komiteti “Shqipëria e Lirë”, i cili, në një mënyrë ose një tjetër, do vazhdonte veprimtarinë e vet deri në fund të 90-ave, madje edhe me botimin e organit të saj “Shqiptari i Lirë”. Kështuqë atë vit u vendos të krijohej, Komiteti “Shqipëria e Lirë”, e që i kishte venë vetes detyrën madhore për të punuar për, “Çlirimin e Shqipërisë, për sigurimin e integritetit tokësor të saj dhe për vendosjen e një demokracie të vërtetë në Atdhe, me anë zgjedhjesh të lira dhe të fshehta.”
Me atë rast u vendos që Komiteti “Shqipëria e Lirë” të vendosej në New York, pasi aty jetonte shumica e shqiptarëve. Si anëtarë të parë të Komitetit “Shqipëria e Lirë” — sipas organit të parë të Komitetit, “Albanian News Bulletin”, që ishte para-ardhësi i gazetës “Shqiptari i Lirë” – u zgjodhën Zotërnjtë Sotir Avrami, Vasil Gërmenji, Ndue Gjomarkaj, Dr. Rexhep Krasniqi dhe Nexhat Peshkëpia. Duke vendosur që antarësia dhe udhëheqja të ishin sa më demokratike, kishin vendosur që udhëheqja e Komitetit të ndërrohej çdo muaj dhe sipas emërit në përputhje me rendin alfabetik, por më vonë u vendos që kryetari të zgjidhej me shumicë votash, për një mandat prej një viti.
Duke marrë parasyshë situatën kombëtare dhe ndërkombëtare të kohës, u vendos që njeërzit që duheshin ngarkuar me këtë veprimtari me përgjegjësira kombëtare, të kishin aftësitë dhe zotësitë si dhe edukatën e lartë akademike dhe politike për të përfaqësuar shqiptarët me një organizatë të denjë edhe në bashkrendim dhe në kuadër të organizatave të tjera ndërkombëtare europiane nga shtetet komuniste, që bënin pjesë në “Asamblenë e Kombeve të Robëruara të Europës”. Qe marrë gjithashtu vendimi shumë i mençur, që anëtarët edhe udhëheqja e Komitetit, “Shqipëria e Lirë”, të mos i përkisnin asnjë partie politike, që siç duket ishte edhe një kërkesë dhe kusht i autoriteteve amerikane – ashtuqë të evitoheshin grindjet politike në radhët e anëtarve të Komitetit të ri, “Shqipëria e Lirë”. Ishte pra kjo një organizatë e pavarur, e cila kërkonte përkrahjen e të gjithë shqiptarëve dhe zotohej se do të bashkpunonte me të gjithë – por e kishte përcaktuar veten si “një organizatë që qëndron mbi çdo çështje partiake dhe që sheh qëllimet kombëtare si të vetmen detyrë”, ndërsa ka theksuar gatishmërinë dhe bashkpunimin me të gjithë ata të cilëve u “dhimbset Shqipëria.”
Për më tepër, themeluesit e Komitetit “Shqipëria e Lirë” patën deklaruar se ndonëse do të punonin me të gjitha mundësitë e tyre për çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi, ata nuk po e bënin këtë me qëllim interesash personale që të drejtojnë punët në një Shqipëri eventualisht të liruar na komunizmi ndërkombëtar. Qeverisja e Shqipërisë, “Do të jetë” — kanë thanë ata me rastin e themelimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, — e drejta dhe privilegji i atyre që vuajnë dhe punojnë në Atdhe dhe jashtë.” Ndërkohë që ata u angazhuan se do të bënin çdo gjë që të jetë e mundur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht për të çliruar Shqipërinë, ata kishin shpallur me atë rast edhe mbarimin e misionit të punës së tyre dhe të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, duke deklaraur se, “Detyra e Komitetit “Shqipëria e Lirë” do të mbarojë posa që Kombi Shqiptar të ketë rifituar lirinë që t’a shprehë vullnetin e vet me anë zgjedhjesh të lira.”
Sot, komuniteti shqiptaro-amerikan është shtuar në numër dhe përfaqësohet nga shumë organizata. Kohërat kanë ndryshuar, siç ka ndryshuar edhe situata në trojet tona në Ballkan, natyrisht për më mirë, në krahasim me vitet 1950-ave të shekullit të kaluar. Tani u takon këtyre organizatave të reja e të vjetëra që të vazhdojnë punën dhe veprimtarinë e filluar nga Komiteti “Shqipëria e Lirë”, në mbështetje të interesave të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në mbështetje të përhershme të interesave kombëtare të shqiptarëve kudo, sidomos para autoriteteve amerikane, ne vendet ku jetojmë në këtë shtet të madh, por edhe në rajon dhe në arenën më të gjërë ndërkombëtare. Organizimi i sotëm dhe veprimtaria e madhe e komunitetit shqiptaro-amerikan megjithë të metat që ka, nuk kanë lindur nga ndonjë boshllëk ose mos veprimtari e gjeneratave të kaluara, por e kanë bazën në rrënjët e një historie të gjatë, burrash e grashë shqiptare, të dedikuar ndaj mbështetjes së interesave të kombit shqiptar, burra e gra, pjesëtarë të një komuniteti të hershëm shqiptaro-amerikan dhe të organizatave të krijuara prej tij, siç ishte Komiteti, “Shqipëria e Lirë”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 144
- 145
- 146
- 147
- 148
- …
- 175
- Next Page »