• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NUK KA PAQË TË QËNDRUESHME NËSE TIRANIA TRIUMFON MBI LIRINË DHE DEMOKRACINË

January 9, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

Kështu foli javën e kaluar në Oslo të Norvegjisë, Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Z. Jens Stoltenberg. I ftuar në mbledhjen vjetore të Konfederatës së Sipërmarrjeve të Norvegjisë me 5 Janar, 2023, kreu i Aleancës së Atlantikut Verior, theksoi se, “Armët – në fakt – sigurojnë paqën” dhe shtoi se, “Nuk do të ketë paqë të qëndrueshme nëqoftse shtypjet dhe tirania triumfojnë mbi lirinë dhe demokracinë”. Ai nënvijoi nevojën që Aleatët në NATO të investojnë më shumë për mbrojtjen e përbashkët, të eliminojnë varësinë nga regjimet autoritare dhe të jenë të bashkuar në mbështetje të lirisë dhe të demokracisë.”

Z. Stoltenberg e përqendroi fjalimin e tij në agresionin rus kundër  Ukrainës dhe bëri thirrje për kujdes ndaj regjimeve të tjera autoritare, siç është Kina. Sipas tij, gjëndja aktuale në Ukrainë, “është pjesë e një politike ku Moska përdor forcën ushtarake për të realizuar objektivat e saj politike.”  Lufta në Ukrainë, vazhdoi Stoltenberg, nuk ka filluar Shkurtin që kaloi por në vitin 2014, kur Moska ka aneksuar Krimenë dhe Ukrainën lindore. Në fjalimin e tij, udhëheqsi i NATO-s paralajmëroi në Oslo se nëqoftse Putini fiton në Ukrainë, kjo do të ishte një tragjedi, jo vetëm për ukrainasit, për mbarë botën, “por edhe për ne”.

Optimizmi për një Evropë të bashkuar e në paqë, pas shembjes së Murit të Berlinit, është zëvendësuar, nënvijoi Z. Stoltenberg me “regjime autoritare që po shtohen dita ditës”, ndërkohë që “Demokracia është në rënje dhe globalizmi ka marrë tatpjetën”. 

Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s paralajmëroi se, “Nuk do të ketë paqë të qëndrueshme në botë, nëqoftse shtypjet dhe tirania triumfojnë mbi lirinë dhe demokracinë.”  Ai theksoi se “Pa marrë parasysh se kur e si do të marrë fund kjo luftë, ne duhet të pranojmë se gjëndja e sigurisë në Evropë ka ndryshuar për gjithmonë”, ka thenë ai.  Regjimi i Moskës do dëshironte një Evropë tjetër, është shprehur Z. Stoltenberg, duke shtuar se, Moska “dëshiron të kontrollojë vendet fqinje, ndërsa e shikon lirinë dhe demokracinë si kërcënime për objektivat e saj, diçka që e ka vendosur Rusinë në një konflikt të vazhdueshëm me Perëndimin”.

“Varësia tek regjimet autoritare është e rrezikshme”, vazhdoi ai, duke u kujtuar të pranishëmve se disa kohë më parë, shumë njerëz besonin se blerja e gazit nga Rusia ishte thjeshtë një çeshtje tregtare. “Realiteti, është se tregtia është gjithashtu edhe një çeshtje politike. Ka të bëjë me sigurinë tonë. Tregtia është gjithashtu edhe politikë!”, ka theksuar Z. Stoltenberg.  Ai u tha të pranishëmve, por edhe një audience evropiane jashtë sallës, se duhet pasur kujdes që ai gabim me Rusinë të mos përsëritet më me regjime të tjera autoritare, duke përmendur, specifikisht, Kinën, si një prej atyre vendeve. “Interesat afat-shkurtëra ekonomike nuk duhet të përdoren kurrë në dëm të interesave themelore kombëtare”, është shprehur lideri  Aleancës ushtarake perëndimore.  Z. Stoltenberg paralajmëroi edhe kundër asaj që ai e cilësoi si, një “bashkpunim në rritje e sipër, “midis regjimeve autoritare”, duke venë në dukje bashkpunimin midis Moskës dhe Pekinit, “një partneritet strategjik dhe pa kufi”, siç është cilësuar nga ata vetë.

Regjimet autoritare janë regjime të ndryshe, të cilat promovojnë një rend tjetër botëror, tha udhëheqsi i Aleancës ushtarake të Atlantikut Verior në fjalimin e tij në Oslo. “Ato regjime promovojnë vlera që dhunojnë e shkelin vlerat tona të lirisë e demokracisë”. Prandaj është e rëndësishme që të gjithë ne që besojmë në liri e demokraci, të jemi të bashkuar, përball regjimeve autoritare “pasi ne ndajmë të njëjtat vlera” me njëri tjetrin, ka përfunduar Z. Stoltenberg fjalimin e tij, drejtuar Konfederatës së Ndërmarrjeve Norvegjeze në Oslo të ënjten e kaluar.  Siç duket, Z. Stoltenberg paralajmëroi edhe disa vende anëtare të NATO-s, me regjime me prirje autoritare—siç është edhe Shqipëria, që të mbrojnë lirinë e demokracinë në vendet e tyre dhe të rrinë larg nga regjimet autoritare dhe të “mbrojnë interesat e tyre kombëtare.”  Prandaj, nëqoftse Shqipëria – si vend anëtar i NATO-s — është e interesuar të mbrojë lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët, Tirana zyrtare do bënte mirë që të dëgjonte këshillën dhe paralajmërimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës, NATO, Z. Jens Stoltenberg, se pushtimi i

Ukrainës nga Vladimir Putin tregon pse vendet që e konsiderojnë veten demokratike duhet të jenë të kujdesshme në marrëdhëniet e tyre me vendet që, botërissht, njihen si regjime autokrate, tiranike dhe antidemokratike.  “Varësia tek regjimet autoritare është e rrezikshme”, parlajmëroi Z. Stoltenberg, vendet si Shqipëria, duke shtuar se një prirje e tillë është — jo vetëm kundër sigurisë së përbashkët, që është misioni kryesor i NATO-s – por është edhe kundër interesave kombëtare të shqiptarëve, Autokratët dhe tiranët përdorin tregëtinë për realizimin e objektivave të tyre politike, paraljmëroi lideri i NATO-s.

Fatkeqsisht, Shqipëria zyrtare por edhe disa elementë në Kosovë lakmojnë ende nga lindja – megjithse Kombi shqiptar ka vuajtur 500-vjetë nën pushtimin turk, gjysëm shekulli nën diktaturën më të egër komuniste sllavo-aziatike në Evropë, shkatërrimin e identitetit kombëtar nën revolucionin kulturor kinez.  Por edhe megjith varrët e freskëta e të pashëruara të luftës së fundit në Kosovë të terrorit serb për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore, e të tjera fatkeqsi ndërkombëtare të shqiptarëve nën sundimin ose influencën e tiranive të huaja – disa prej të cilave Tirana zyrtare i ka shpallur “partnerë strategjikë”.  Z. Stoltenberg e jkëshillon Tiranën dhe të tjerët me prirje autoritare lindore: duartë larg prej tyre.

Ndërsa, Shqiptarët e lodhur me sundimet e diktaturave të huaja ndër shekuj dhe nga influencat majtiste autoritare sllavo-azaiatike, po largohen masivisht – si në kohën e Gjergj Kastriotit -Skenderbe — drejtë Perëndimit. Ndërkohë që liderët e tyre politikë shikojnë gjithnjë nga lindja dhe flirtojnë me liderët më autoritarë që njeh sot bota mbi faqen e dheut, si Vuçiq, Erdogan, Putin, e të tjerë.   Për fat të keq, megjithëse, historikisht, Kombi shqiptar ka treguar gjithmonë dhe me shumicë prirjet dhe preferencat e tijë pro-perëndimore se është pjesë e Evropës dhe e perëndimit, liderët shqiptarë, prap se prap, nuk ndjekin dëshirat e Kombit të vet – por për interesa personale dhe anti-demokratike, andej shikojnë e lakmojnë – nga lindja – 30 e sav jet nga shmebja e Murit të Berlinit. Duket se atje në lindje, si ndjekës të autoritarizmit sllavo-aziatik, liderët shqiptarë sot e gjejnë veten më rehat në shoqërinë e autoritarëve dhe tiranëve të lartë përmendur që – sipas Z. Stoltenberg — po sjellin botën mbrapsht duke kërcnuar lirinë dhe demokracinë e popujve – se sa në rrethin e udhëheqsve perëndimorë, siç është Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s. 

Liria e demokracia, por as atdhetarizmi i vërtetë as siguria e përbashkët perëndimore nuk promovohen me çanta grashë me flamurin shqiptar, me një çmim prej mijëra dollarësh, ose me orë zvicerane me portretin e Gjergj Kastriotit -Skenderbeut. E vërtetë se Flamuri shqiptar është më i bukuri në botë (jo meritë e këtyre) dhe Gjergj Kastrioti – Skenderbe ishte Kryetrim dhe mbetet, jo vetëm, Kryetrimi dhe i Përgjithëmonshëm i Kombit shqiptar, por edhe Shpëtimtari i Evropës. I asaj Evrope nga e cila klasa aktuale  politike shqiptare po e largon gjithnjë e më shumë Kombin shqiptar, në favor të bërjes biznes me autokratët dhe tiranët sllavo-aziatikë të lindjes.  Po e largojnë Shqipërinë dhe shqiptarët nga Evropa e lirë e demokratike, ku e duan shumica dërmuese e shqiptarëve, por që klasa aktuale politike nga, dita në ditë dhe nga viti në vit, po e bën Shqipërinë pjesë të një aleance autoritarësh e tiranësh modernë lindorë – historikisht — pushtues e zaptues të tokave dhe shkatërrues të identitetit kombëtar të shqiptarëve ndër shekuj. Kombi shqiptar nuk ka pasur as nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat dhe as me “kulturën” e këtyre tiranëve. Këta tiranë, autokratë, përfaqsues regjimesh diktatoriale të lindjes sllavo-aziatike, “Promovojnë vlerat që dhunojnë e shkelin besimin dhe vlerat tona të përbashkëta të lirisë e demokracisë”, në favor të “një rendi të ri botëror”, anti-demokratik — ishte paralajmërimi dhe thelbi i mesazhit të Sekretarit të Përgjithëshëm të NATO-s, Z. Jens Stoltenberg në Oslo, të ënjtën e javës që kaloi.

Frank Shkreli

Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Z. Jens Stoletenberg duke folur në mbledhjen vjetore të Konfederatës së Sipërmarrjeve të Norvegjisë me 5 Janar, 2023 në Oslo.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

KUJDES NGA POLITIKA PUTINISTE NE BALLKAN!

January 7, 2023 by s p

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Nga Frank Shkreli

(Një paralajmërim i para 13-viteve më parë mbi ndërhyrjet ruse në Ballkanin Perëndimor, përball krizës serioze të ditëve të fundit në veri të Kosovës dhe bllokimit të rrugëve me barrikada për 20-e sa ditë — që analistë dhe media ia kanë faturuar ndërhyrjeve të drejtë për drejta të Moskës gjatë viteve në rajonin e Ballkanit. Rusia ka mbështetur në vazhdimësi të gjitha kërkesat absurde të Serbisë ndaj shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës dhe ka mbështetur nismën “Ballkani i Hapur” – një krijesë kjo e Beogradit dhe Tiranës zyrtare – duke lenë jashtë Kosovën, pasi Serbia refuzon ta njohë shtet të pavarur).

                                          ————————————-

Kohet e fundit po flitet dhe po komentohet shume ne lidhje me perpjekjet e Rusise per te rivendosur influencen e Rusise ne bote, nepermjet masash te ligjshme e te paligjshme. Nje perpjekje e tille u pasqyrua me se miri para disa javesh, kur Shtetet e Bashkuara arrestuan nje dyzine spiunesh ruse ne disa qytete te Amerikes, te cilet duke u paraqitur si njerez te thjeshte, kishin infiltruar shoqerine amerikane. Dje ne Keshillin e Sigurimit te Kombeve te Bashkuara u mbajt nje sesjon mbi Kosoven, ku ambasadori rus tha se asgje nuk ka ndryshuar edhe pas vendimit te Gjykates nderkombetare te Drejtesise, qe shpalli legjitime pavaresine e Kosoves.  Gjithashtu, ditet e fundit ne shtypin shqiptar flitet per marredhenjet shqiptaro-ruse, duke u bazuar ne nje fjalim qe paska mbajtur ambasadori shqiptar ne Moske, ne fillim te ketij viti. Nuk dua te komentoj fjalimin dhe komentet e ambasadorit shqiptar ne Moske, pasi nuk kam tekstin e komenteve te tij, por dua te theksoj shqetsimet qe jane shfaqur ne Perendim ne lidhje me perpjekjet e Moskes per te vendosur influencen e saj politike e ekonomike ne Ballkan, nje fakt ky qe, kryesisht, duhet te shqetesoje shqiptaret.  

Pasi c’prej vitit 1991, Rusia u la menjane nga politika evropiane, politika e Moskes dhe strategjia e saje afatgjate — nen udheheqjen e Presidentit Putin dhe tani Kryeministrit Putin — vazhdon te jete dominimi i tregut te energjise ne Evrope dhe ne te njejten kohe eshte duke u perpjekur te perdore burimet e saje energjetike per te rivendosur influencen politike qe dikure gezonte Bashkimi Sovjetik ne Evropen Lindore. Sic duket, kejo politike nuk ka per qellim krijimin e nje blloku te ri, pasi realiteti i sotem ne Evrope eshte ndryshe, por synon prishjen e planeve amerikane per nje “Evrope te tere e te lire”, si edhe politiken e sigurimit te perbashket te Organizates e Atlantikut Verior (NATO).  Per me teper, strategjia putiniste ka si qellim perfundimtar vendosjen e nje monopoli e kontrolli te plote energjetik, e si rrjedhim edhe politik, duke perdorur kompanine Gazprom per ndertimin e linjave te shperndarjes se gazit ane e mbane Evropes.

Por eksperte te ndryshem thone se strategjia (energjetike) ruse ka permasa me te gjera dhe perfshine elemente te tjere politike e ekonomike.   Sic dihet, Moska, ka patur dhe vazhdon te kete lidhje te ngushta historike, kulturore dhe fetare ne Ballkanin Perendimor, vecanarisht me Serbine dhe Malin e Zi.  Sidomos Serbia ka qene gjithmone syte dhe veshet e Rusise ne Balkan.  Lojerat e Rusise ne Balkan jane pjese e nje strategjie gjeopolitike te Moskes, qe kane per qellim prishjen e tendencave pro-perendimore ne kete rajon dhe te pakten balancimin, per te mos thene pakesimin e influences amerikane dhe te Bashkimit Evropian ne kete rajon.  Influenca politike dhe financiare ruse ne Ballkan sa vjen e shtohet ne Serbi, ne entitetin serb ne Bosnje dhe ne Mal te Zi, ku te ashtuquajturit bisnesmene rus kane marr nen kontroll shumicen e firmave private e shteterore dhe tani pothuaj kontrollojne industrine e turizmit ne Mal te Zi, qe eshte baza kryesore e te ardhurave te shtetit malazez. Gjithashtu, Rusia dhe Serbia kane nenshkruar nje marreveshje qe deri me 2012 te ndertojne ne qytetin serb Nis, nje qender “humanitare” te nderhyrjes se shpejte, qender kejo qe mund te kete aplikime ushtarake, dhe do te ishte qendra e pare logjistike ruse jashte territorit te ish-Bashkimit Sovjetik.  Per me teper, gjate muajve te fundit ne shtyp ka patur lajme te pa-vertetuara se Rusia ka ne plan te vendose nje baze ushtarake ne jug te Serbise, afer kufirit me Kosoven.

Nje angazhim me i madh i Moskes ne Balkan, inkurajimi dhe pranimi i ketij angazhimi rus nga vendet e Balkanit Perendimor,per hir te marredhenjeve te mira e “normale” jo vetem qe nuk sjelle asgje te mire per kombin shqiptar, por mund te shkaktoje probleme te pa-parashikueshme per stabilitetin e rajonit, po te merret parasyshe perkrahja historike fanatike e Rusise ndaj interesave sllave ne kete pjese te botes, ne kurriz te interesave shqiptare. Putini dhe bashkpuntoret e tij mafioze te bizniseve ruse kane vazhduar perkrahjen e tyre per Serbine, nderkohe qe Moska, me te gjithe potencialin e saje diplomatik e politik, vazhdon te kundershtoje pavaresine legjitime te shtetit te Kosoves. Interesi i Rusise eshte mos-stabiliteti i rajonit, me qellim qe te gjuaj peshke ne ujera te turbulleta.

 Ne debatin e djeshem ne Keshillin e Sigurimit te Kombeve te Bashkuara, Ambasadori rus Vitaly Churkin, i cili eshte kete muaj dhe president i Keshillit te Sigurimit, nuk la asnje dyshim se asgje nuk ka ndryshuar ne politiken ruse karshi pavaresise se Kosoves — bile edhe pas vendimit te Gjykates Nderkombetare te Drejtesise (GJND), ne favor te pavaresise se Kosoves. Rusia, si anetare e Keshillit te Sigurimit me te drejte vetoje, nepermjet ambasadorit te saje  e beri te qarte se Moska do te perdore veton per te blokuar cdo perpjekje per anetaresimin e Kosoves ne Organizaten e Kombeve te Bashkuara, synim ky qe Ministri i Jashtem te Kosoves, Skender Hyseni e quajti si nje hap natyral.  Shpresohej qe, sic tha edhe zevendes-ambasadorja e Shteteve te Bashkuara ne OKB, Rosemary Di Carlo, se vendimi i Gjykates Nderkombetare te Drejtesise do te sherbente si baze per te kapercyer pertej debateve te se kaluares, ne mbeshtetje te paqes dhe stabilitetit ne rajon. Kejo nuk ndodhi dhe duket se nuk ka te ngjare se do te ndodhe ne nje te aferme te shpejte, fale politikes anti-shqiptare serbe, te perkrahur vendosmerisht nga politika ruse.

Rusia dhe Serbia, por edhe vende te tjera duhet ta kuptojne se pavaresia e Kosoves, eshte sic tha edhe Rosemary Di Carlo, gjate debatit ne Keshillin e Sigurimit, e pakethyeshme dhe kufijte e saje te padhunueshem. Eshte mire qe aleatet e shqiptareve si Amerika e Anglia perkrahin kete parim dhe te drejte te shtetit te Kosoves. Po cila duhet te jete politika shqiptare karshi kesaj politike te eger anti-shqiptare ruse ne forumet nderkombetare, sidomos ne lidhje me pavaresine e Kosoves?  Politika shqiptare duhet te thote pa asnje dyshim dhe me bindjen me te thelle se stabiliteti ne Balkan minohet nga obstruksioni ose pengesat ruse ndaj njohjes se Kosoves si shtet i pavarur. Duke heshtur ndaj ketij obstruksioni, ndihmohet perjetesimi i mos-stabilitetit ne rajon, nga i cili shqiptaret do pesonin pasojat me te këqia.  Drua se politika shqiptare nuk ka qene aqe e vendosur ne kudershtimin e ketij obstruksioni. Nuk me duket se eshte e arsyeshme qe te quhen “marredhenie normale” ato me Rusine, kur ky vend nuk njeh, lere me interesat jetike, por as ekzistencen e gjysmes se Kombit shqiptar. Kapitullimi para interesave te perkoheshme ekonomike e financiare, ne kurriz te interesave kombetare eshte i papranueshem.

Stabiliteti i Ballkanit eshte me i qendrueshem me pavaresine e pakethyeshme te Kosoves, si edhe me kufizimin e politikes ekspansioniste serbe dhe me mos-nderhyrjet obstruksioniste ruse. Eshte e pakuptueshme se pse lejohet pasardhesi i Stalinit te kete nje pikembeshtetje ne Ballkan, duke e lejuar Mosken te vendos pengesa ne rrugen e zgjerimit te Bashkimit Evropian, ndersa vendet e atij rajoni nuk marrin asgje ne shkembim, bile as vullnetin e mire. Pikesepari u takon vendeve te rajonit te kundershtojne obstruksionin rus ne Ballkan, pasi stabiliteti rajonal eshte ne interesin jetesor te tyre. Vendet e Ballkanit duhet te zene vendin qe u takon si shtylla te sigurimit dhe stabilitetit evropian, në bashkpunim me dhe antarësim në Bashkimin Evropian.

Eshte e doemosdoshme dhe ne interesin kombetar qe si Shqiperia ashtu edhe Kosova te kene marredhenje te mira, ne te gjitha fushet, e me te gjitha vendet e botes — te medha e te vogela — duke perfshire ketu edhe Rusine e Serbine, por keto marredhenje duhet te ndertohen e te kultivohen ne baze te interesit kombetar të shqiptarëve dhe pastaj ne interesin e perbashket dhe te respektit reciprok midis vendeve.

*Ribotim nga data 04.08.2010.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

PAQË TANI, MË SHUMË SE KURDOHERË TJETËR – 2023! PAQË E PAJTIM EDHE PËR SHQIPTARËT KUDO QË JANË

December 29, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

Kjo është kërkesa e Sekretarit të Përgjithëshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres në mesazhin e tij drejtuar botës në vigjiljen e fillimit të Vitit të Ri, 2023.  “Pas një viti luftërash brutale nga Afganistani e deri në Ukrainë, duke detyruar një numër rekord njerëzish të largohen nga shtëpitë e tyre, bota ka nevojë për paqe në vitin 2023, “Më shumë se kurrrë më parë”, është shprehur udhëheqsi i OKB-së, në mesazhin e tij drejtuar mbarë botës, me rastin e Vitit të Ri, 2023. Peace needed now, ‘more than ever’: Guterres | UN News

“Le t’a bëjmë Vitin 2023 një vit kur rivendoset paqeja në jetën tonë, në shtëpitë tona dhe në botën tonë. Në vitin 2023, kemi nevojë për paqë, tani më shumë se kurrë. Paqe me njëri tjetrin, nepërmjet dialogut, për t’u dhënë fund konflikteve…”.

“Për një jetë me dinjitet, paqeja është gjithashtu e nevojshme brenda familjeve, ashtuqë gratë dhe vajzat të mund të jetojnë në dinjitet dhe siguri”, ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i OKB_së, Antonio Guterres.  “Por, paqe edhe për protestuesit paqësorë nepër rrugë, të cilët shpeshëherë janë subjekt hakmarrjesh dhe dhune nga forcat e sigurisë”, ka shtuar ai.  Demonstruesit dhe komunitete të tëra kanë nevojë që të drejtat e tyre të njeriut të mbrohen plotësisht dhe duhet të ketë paqe në hapësirat fetare dhe tolerancë më të madhe ndaj feve të tjera, është shprehur udhëheqsi botëror.  Antonio Guterres kërkoi gjithashtu paqe në internet — “online” — “ashtuqë të gjitha komunitetet të mund të përdorin Internetin “të lirë nga fjalët plot urrejtje dhe abuzime”.  Me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i bëri thirrje botës që, “Në vitin 2023 të vendosim paqën në zemër të fjalëve dhe të veprave tona”, ashtuqë t’a bejmë Vitin e Ri, 2023 një vit kur të rivendoset paqeja në jetën tonë, në shtëpitë tona dhe në botën mbarë.”

Paqe e Pajtim edhe për Shqiptarët kudo që janë

Përfshir edhe botën shqiptare! Temat e mesazhit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Vitin e Ri 2023, si “Paqa e siguria”, “Të Jetuarit me dinjitet”, “liri nga urrejtjet dhe abuzimet” dhe “fund konflikteve” — për fat të keq janë fenomene dhe dukuri dominuese negative që kërcënojnë paqën dhe sigurinë – për të cilat foli Antonio Guterres në mesazhin e tij — edhe në shoqëritë shqiptare, në përgjithësi e sidomos në radhët e politikës.

Viti i Ri nuk është vetëm një ndryshim datash e vitesh, por është një rast për ndryshim drejtimesh, qellimesh e objektivash të reja me një angazhim serioz për realizimin e tyre.  Në 30-vitet e fundit “post-komunizëm” dhe pas luftës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, shpresohej se do merrnin fund urrejtjet, antagonizmat, përçarjet, grindjet dhe ndasitë politike midis shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të tyre shekullore — kryesisht si rrjedhim i regjimit komunist nën të cilin shqiptarët jetuan për një gjysëm shekulli. Shëmbja e Murit të Berlinit  shpresohej të shënonte një rend të ri shoqëror e politik për Europën dhe për shqiptarët, në veçanti.  Madje, fillimi i shekullit XXI është shikuar me aq optimizëm sa që  mendonim se, më në fund, ky do të ishte “shekulli i shqiptarëve”. 

Por, jo! Asgjë nuk ka ndodhur gjatë këtyre tre dekadave që të na bejë të besojmë një gjë të tillë. Përkundrazi! Sulmi dhe shkatërimi i varrit dhe bustit të Midhat Frasherit, ditë e fundit, mu në zemër të Tiranës, tregoi qartë se për shoqërinë dhe shtetin shqiptar, gjoja “demokratik” dhe anëtar të NATO-s,  Lufta e Dytë Botërore nuk ka marrë fund ende. Një provë kjo e gjallë për të gjithë ata që mendonin se gjërat mund të ndryshonin në Shqipëri, në paqë e siguri, pa urrejtje dhe dinjitet për të gjithë dhe pa dallime politike,  ashtu siç bëri thirrje Antonio Guterres në mesazhin e tij drejtuar botës, për Vitin e Ri, 2023.  Lista e urrejtjes zyrtare ndaj ish-kundërshtarve të komunizmit barbar të Enver Hoxhës edhe sot e kësaj dite është shumë e gjatë ndaj më të mirëve të Kombit Shqiptar, si At Gjergj Fishta dhe Midhat Frasheri, e shumë e shumë të tjerë, të cilëve as varret nuk u dihen se ku i kanë, nëse i kanë.  Heshtja zyrtare ndaj këtyre akteve të shëmtuara kriminale inkurajon akte të tjera si kjo e ditëve të fundit në Tiranë. Duke përjetësuar kështu urrejtjen nga një brez në brezin tjetër midis shqiptarëve. E pa-falëshme!

Shqiptarët, ndonse të shpërndarë në pesë shtete, janë një komb, kanë një gjuhë dhe një histori, janë vëllëzër e motra të një gjaku.  Megjithkëtë, fatkeqsisht, historia dhe shpresat e fillim shekullit 21 kanë ndeshë përsëri në një numër trysnishë, kryesisht politike si rrjedhim i antagonizmave dhe përçarjeve midis partive të ndryshme, sa që edhe për optimistin më të madh, vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtij çerek shekulli për të jetuar në paqe, harmoni dhe në vëllazërim kombëtar me njëri tjetrin.  Ishin këto 30-vjetë “post-komunizëm” që, fatkeqsisht, u dalluan nga mungesa e tolerancës politike, mungesës së kulturës politike dhe shoqërore ndaj njëri tjetri, pothuaj në të gjitha nivelet e shoqërisë, e sidomos në radhët e partive politike dhe të qeverive të drejtuara prej tyre. Askush nuk flet për pajtim midis shqiptarëve!

Rezultatet e kësaj politike shkatërruese kombëtare, besoj se sot shihen nga të gjithë.  Prandaj, si rrjedhim, 30- vjetë pas rënjes së Murit të Berlinit dhe me Kosovën e pavarur, ka ardhur koha që vullnet mirët dhe atdhetarët e vërtetë të konsiderojnë një fillim të ri politik dhe shoqëror, të vendosin për një angazhim serioz, për një harmoni me të vërtetë vëllazërore atdhetarizmi me njëri tjetrin, me gjithë ndryshimet  dhe pikpamjet politike që mund të ekzistojnë midis tyre. Rrugë tjetër nuk ka.

Duke shkruar këto mendime modeste, mu kujtua një shkrim i Ernest Koliqit, të cilin po e parafrazoj pasi nuk më kujtohet burimi i vërtetë për ta cituar tekstualisht, por duke folur për pajtim midis shqiptarëve, ai është shprehur se paqeja e njerës palë e siguruar nga gjaku dhe vuajtjet e gjysmës së palës tjetër nuk zgjatë shumë edhe nëqoftse mbahet në këmbë për një kohë. Që Kombi shqiptar të bëhet pjesë e paqës dhe pajtimit botëror dhe të një bashkjetese të harmonizuar botërore, logjika e kërkon se duhet më së pari që të pajtohemi ne, si shqiptarë, me njëri tjetrin. Që të jemi të bashkuar me mend e zemër, të gjithë pa dallim, si shqiptarë që Shqipërinë e duan SHQIPTARE.  Është pra, në dorë të shqiptarëve nëse ata zgjedhin paqën, harmoninë, bashkjetesën dhe pajtimin për një jetë të lumtur për të gjithë dhe pa dallim – pjesëmarrës të barabartë në proceset demokratike – apo do të zgjedhin grindjet, konfliktet dhe mos pajtimin midis tyre që çon drejtë një humnere të rrezikshme dhe të pafund, kombëtarisht.

Urojmë pra, që Viti i Ri, 2023, të shërbejë si një fillim i ri, si një rast që në Vitin e Ri, shqiptari të mos e përjashtojë dhe të  mos e urrejë shqiptarin, vetëm e vetëm, se tjetri ka pikëpamje të ndryshme politike.  Por të punojnë së bashku për dashurinë ndaj Shqipërisë dhe shoqi-shoqit si dhe për hir të përparimit ekonomik dhe politik të mbarë Kombit shqiptar.  Kështu do të ishte e mbara. 

 Ky pra është urimi për Vitin e Ri – por besoj se edhe i shumicës dërmuese të shqiptarëve kudo –që shqiptarët në përgjithësi dhe klasa politike shqiptare, në veçanti, të dëgjojë zërin e arsyes dhe tu tregojnë, “Miqëve dhe armiqve, anembanë botës, se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare.” (At Anton Harapi). 

Si është e mundur që shqiptari sot pajtohet, bëhet mik dhe quan vëlla turkun, grekun e serbin – por nuk pajtohet me vëllain e vet? Ne duhet ti kemi të gjithë këta miq, por vëllezër e motra janë ata të një gjaku, të një gjuhe e të një kulture, të një historie e identiteti! Të huajve u ndërtohen buste e monumente në trojet shqiptare, ndërsa personaliteteve të historisë së Kombit shqiptar u shkatërrohen ato natën për terr. Diçka nuk është në rregull me këtë vend, që të pakën deri tani ende e quajmë Shqipëri.

Historikisht, armiqtë e shqiptarëve i kanë dashur ata të ndarë e të pëçarë, politikisht dhe gjeografikisht, nga trojet e veta. Por fati i shqiptarëve është sot në dorë të vet shqiptarëve. Mos të humbet rasti historik që shqiptarëve tu jepet arsye dhe mundësi që të qëndrojnë në trojet e veta stërgjyshore dhe që të kenë besim në një Shqipëri e Kosovë demokratike ku të gjithë ta ndjejnë veten të barabartë dhe pjesëmarrës në proceset demorkatike dhe të mos marrin rrugët e botës, vetëm e vetëm se klasa aktuale politike me ndasitë dhe me përçarjet midis veti, po bjerrë aspiratat e

shqiptarëve për një jetë më të mirë, në paqe e siguri, pa urrejtje dhe me dinjitet në shtëpitë e tyre, në Atdheun e të parëve.  

Urojmë Paqë e Pajtim midis Shqiptarëve në Vitin e Ri, 2023!

Vëllazërisht,

 Frank Shkreli    

Varri dhe Mithat Frashëri pro dhe kundër

               Busti dhe varri i dhunuar i Midhat Frashërit në Tiranë, Dhjetor, 2022 

              A picture containing person, window, people, standing

Description automatically generatedKortezhi i përmortërshëm duke dalur nga Qendra Nenë Tereza – Kisha Zoja e Shkodrës, Nju Jork

A picture containing indoor, floor, wall, person

Description automatically generated

 Në përcjelljen e eshtrave të Midhat Frasherit nga Nju Jorku për në Atdhe, Nëntor, 2018 – Mendonim, gabimisht, se riatdhesimi i eshtrave të Frasherit do hapte një kapitull të ri tolerance në Shqipëri. Fatkeqësisht, duket se e kundërta ndodhi – dhunimi i varrit të Midhat Frasherit dhe heshtja e Tiranës zyrtare ndaj këtij krimi taleban mesjetar, tregon se urrejtja politike — ndaj një shqiptari ndonëse i vdekur e që konsiderohet si kundërshtar politik pothuaj një shekull më vonë – është në kulmin e sajm, urrejtje e kaluar brez pas brezi. 

Frank Shkreli/ Riatdhesimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit – një përcjellje dinjitoze nga Nju Jorku | Gazeta Telegraf

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU NË TUZ TË MALËSISË! PO ULQINI ÇKA PRET!?

December 23, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence
See the source image

Një ditë pasi Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias deklaroi — gjatë një vizite zyrtare në Tiranë — se “Skënderbeu është një hero kombëtar në të dy vendet tona”, u njoftua se Kuvendi Komunal i Bashkisë (Komunës) Tuzi, miratoi të mërkurën vendimin për të vendosur në Tuz, përmendoren kushtuar Heroit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti -Skenderbeut. Natyrisht, se vendimi i ditës së mërkurë për të vendosur permendoren e Gjergj Kastriotit — Skenderbe në Tuz ishte i rastësishëm, sa i përket vizitës së ministrit grek në Shqipëri, por ishte një përgjigje si e porositur nga Perendia për shovinistët grekë –sidomos në mungesë të ndonjë deklarate zyrtare nga Tirana për të kundërshtuar pretendimet greke, madje edhe ndaj Heroit Kombëtar të Shqiptarëve.  Kjo nuk është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë, që zyrtarë të lartë dhe akademikë të huaj të gjitha ngjyrave –sidomos, turqë, serbë e grekë – të cilëve, fatkeqësisht, nganjiherë u bashkohen edhe shqiptarë — që ngrejnë dyshime mbi identitetin dhe historinë e vërtetë të Skenderbeut. Hedhin pretendime të tilla djallëzore, nga koha në kohë, për të provokuar me qëllim për të turbulluar ujërat ballkanikë, në përpjekjet e tyre shekullore për të hedhur dyshime me qëllim zbehjen e historisë dhe të identitetit të shqiptarëve në trojet e veta. Në të kaluarën, shqiptarëve, anë e mbanë trojeve tona, na ndryshonin emrat duke i sllavizuar/grekizuar/turqizuar ato, e ku ta di unë. Përveç ndryshimit të emrave shqiptarë këto hiena anti-shqiptare vazhdojnë të luftojnë identitetin shqiptar duke hapur varreza “heronjsh” të rrejshëm të tyre e duke ndërtuar permendore anë e mbanë Shqipërisë, edhe mu në mes të Tiranës, “heronjve” të huaj, si veç për të ndryshuar dhe për të pretenduar se edhe ata kanë hise në atë tokë. Është e vështirë të merret me mend se si dhe pse qeveria e Republikës së Shqipërisë, por as Republika e Kosovës dhe as akademitë shkencore të dy kryeqyteteve shqiptare nuk reagojnë ndaj provokimeve të tilla greko-turko-serbo-maqedonase, ndaj identitetit të shqiptarëve dhe ndaj të Përgjithëmonshmit të Shqiptarëve, siç e ka cilësuar Papa Pali i VI, (më rastin e 500-vjetorit të Skenderbeut, 1968) Heroin dhe Kryetrimin e shqiptarëve dhe shpëtimtarin e Evropës — Gjergj Kastriotin -Skenderbe. 

Kush janë, ku janë dhe pse janë “të parët” e shqiptarëve sot që do duhej të reagonin?  Detyra numër një e të cilëve duhej të ishte mbrojtja e sigurisë terriotirale dhe interesave kombëtare, në të gjitha kuptimet dhe nënkuptimet, përfshir mbrojtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës shqiptare – përfshir edhe Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin – Skenderbe. Turko-serbo-grekët sikurë veprojnë në bashkpunim dhe në garë me njëri tjetrin, kur bëhet fjalë për përvetësimin ose denigrimin e personaliteteve të historisë kombëtare të shqiptarëve, si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe Nënë Tereza. Provokojnë, dinakërisht, në këtë mënyrë, sepse e dijnë se ndaj sulmeve të tyre grabitqare kundër shqiptarëve, nuk reagon askush në mbrojtje të interesave të shqiptarëve dhe identititetit të tyre – as në Tiranë, as në Prishtinë.  Për pothuaj një gjysëm shekulli, sllavët e jugut – serbët dhe maqedonasit – e kishin bërë të vetën Nënë Terezën, sepse origjina e saj shqiptare nuk mbrohej nga askush, për arsye që dihen.  Shyqyr që u shemb komunizmi se bota do e “njihte” atë gjithnjë si “sllave” ose “maqedonase”. 

Por, fatbardhësisht, në venat e disa shqiptarëve, pa dallim, vlon ende ai gjaku identifikues i shqiptarit me heroin e tyre të Përgjithëmonshëm, Gjergj Kastriotin -Skenderbe.  Pardje, arrijti një lajm i mirë nga Komuna e re e Tuzit, në Malësinë e Madhe. “Në Malësi është ditë me shumë rëndësi, ditë historike. Kem tri pika dhe tri mesazhe në agjendën e sotëme. Mesazhi i parë është miratimi i buxhetit. Mesazhi i dytë është që të respektojmë të kaluarën. Për këtë, kemi miratuar vendosjen e permendores së Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Malësi dhe mesazhi i tretë është se ky institucion, ky pushtet, që jemi këtu, do ta mbrojmë tokën e Malësisë”, është shprehur Nikë GJeloshaj, i pari i Komunës së Malësisë në Tuz.

Kuvendi i Bashkisë Tuz, (nën Mal të Zi) miratoi vendimin për vendosjen e përmendores së Skënderbeut në Tuz, vitin e ardhshëm, “sepse pa të nuk mund të krijojmë të ardhmen”, u shpreh Kryebashkiaku i Malësisë, Nikë Gjeloshaj. Eh, vaj medet, sikur të gjithë udhëheqsit shqiptarë, anë e mbanë trojeve shqiptare të mendonin, ose të pakën të shpreheshin, si Nikë Gjeloshaj, se pa Gjergj Kastriotin -Skenderbe, Kombi shqiptar nuk ka të ardhme, as drejtim.  Gjergj Kastrioti-Skenderbe, qoftë edhe me praninë e një permendoreje në atë krahinë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, u tregon shqiptarëve rrugën që duhet ndjekur. 

Vendimi i Komunës Tuzi për të ngritur në kryeqytetin e Malësisë së Madhe – në Tuz — permendoren e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, në vet-vete është një hap i parë por i madh që duhet të vlerësohet, pasi dihet se për realizime të tilla, asgjë nuk është e lehtë, në trojet shqiptare – siç është edhe rasti i Ulqinit, ku për një kohë tashti pengohet vendosja e monumentit të Skenderbeut edhe në atë qytet të lashtë iliro-arbëror.  Pyetja ime për autoritetet e Bashkisë së Ulqinit është: Deri kur me këto pengesa dhe pse kështu!?  (Lexoni shkrimin e bashkvendasit tim, Xheladin Zeneli) — Kujt i pengon ndërtimi i monumentit të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut në Ulqin? (ulqini-online.com).

Prandaj, në rastin e Tuzit, fjala e dhënë është fjala e mbajtur, për malësorët. Tashti, pasis është marrë vendimi për ngritjen e monumentit të Heroit Kombëtar, është e rëndësishme që ky projekt të realizohet sa më parë që të jetë e mundur, pa vonesa e pengesa politike ose burokratike, të cilat jam i bindur se janë të shumta, por të shumtë mund të jenë edhe personat që nuk dëshirojnë të shohin një monument të tillë në Tuz.

Nuk jam i sigurt nëse ka një marrëveshje se në cilin mjedis të qytetit të Tuzit do të vendoset përmendorja e Heroit dhe e Simbolit të përjetëshëm të identitetit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit – Skenderbeut. Por duke marrë parasysh se largësitë gjeografike nuk janë aqë të prononcuara në ato anë – nuk besoj të jetë shumë larg nga Deçiqi, ku është zhvilluar beteja midis forcave të malësorëve shqiptarë dhe atyre osmane – që sipas historianëve, shënoi një këthesë të rëndësishme në shkëputjen e shqiptarëve nga Perandoria Osmane. Pikërisht, malësorët kishin vendosur që ta largonin njëherë e mirë turkun nga Deçiqi, duke valvitur Flamurin shqiptar të Gjergj Kastriotit – Skenderbe në vend të flamurit të Turkisë. Pas 5 shekujsh, për herë të parë ç’prej kohës së Skenderbeut, në trojet shqiptare me 6 prill, 1911, u ngrit flamuri kuq e zi — i pa njolla — i Gjergjit të Madh – Skenderbeut.  Frank Shkreli: Kreshniku kombëtar Dedë Gjo’ Luli – “Malësori që mujti” | Gazeta Telegraf 

E përjetëshme qoftë trashëgimia e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, si dhe kujtimi i Ded Gjo Lulit dhe i kryengritësve të Malësisë së Madhe.  I Madhi Zot e bekoftë Kombin Shqiptar, një kohë e trazuar për fatin e tij sot — me besimin dhe shpresën se drita e agimeve të reja do të shëndritë mbi fatin e shqiptarëve kudo që janë dhe bashkë me të edhe rrezja e bekimit të Madhit Zot. Këthehu, o Gjergj Kastrioti -Skenderbe!

Frank Shkreli

    Kuvendi i Komunës së Tuzit miratoi me shumicë votash ngritjen e përmendores së Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skenderbeu në Tuz, në vitin 2023. (Malësia.org)

No photo description available.
May be an image of 4 people, people standing, suit and indoor

Kryetari i Komunës së Tuzit, Z. Nikë Gjeloshaj

No photo description available.

                                                    Kuvendi i Komunës së Tuzit

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

PREKË CALI NDERI I KOMBIT: KRESHNIKU I KËLMENDIT TË MALËSISË SË MADHE DHE HEROI I KOMBIT SHQIPTAR*  

December 19, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli  

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Me rastin e Sofrës së Madhe të Kelmendit – Sofër që u shtrua të shtunën më 17 Dhjetor, 2022 në lagjën Bronks të Nju Jorkut – përkujtoj Kreshnikun trim të Malësisë së Madhe dhe Heroin trupmadh, me një forcë të jashtzakonshme atdhetare dhe morale, kreshnikun e maleve, burrin e shquar për trimëri, për vepra heroike dhe fisnikëri – Prekë Calin — Nderi i Kombit.  Prekë Calin, të parin e Kelmendit, i cili bashkë me malsorët gjatë gjithë jetës së vet luftoi në mbrojtje të Atdheut. Fillimisht, kundër perandorisë osmane, pastaj kundërshtoi zgjerimin djallëzor territorial të Malit të Zi, në kurriz të trojeve shqiptare, ndërsa ka mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë në takimet me komisione evropiane. Dhe, në fund të jetës së tij, ka kundërshtuar me vendosmëri instalimin e komunizmit sllavo-aziatik të Enver Hoxhës në Shqipëri. Kujtojmë Prekë Calin, bashkpuntor i qeverisë së Fan Nolit, Prekë Calin e internuar nga Ahmet Zogu dhe Prekë Calin e  pushkatuar nga regjimi barbar komunist Hoxha-Shehu –Prekë Calin, të cilit as varri nuk i dihet. 

Një përshëndetje për Sofrën e Madhe vjetore të Kelmendit, kësaj kalaje të vjetër. Por kur përmendet Kelmendi, qoftë në gëzime e festa qoftë në vuajtje, nuk mund të anashkalohet emri i Prekë Calit. Nuk mund të ndodh që të mos përmendet veprimtaria patriotike dhe sakrificat personale të tija, të këtij burri të madh, me cilësi të larta e të rralla prej malësori.

Me të drejtë, Prekë Cali është quajtur nga vendasit, “Prijsi i Popullit”, “Piramida e kufirit shqiptar”, “Kreshniku i Vermoshit” dhe i krejt Malcisë së Madhe dhe mbarë Shqipërisë.

Në këtë sofër të madhe gëzimi kelmendase këtu në Nju Jork, me këngë e valle, përkujtojmë edhe Prekë Calin, ky burrë malësor, megjithëse pa asnjë ditë shkollë, emri i tij u bë i njohur në kryeqendrat e politikës evropiane të kohës. “Vërtetë, jam malësor pa shkollë, por jam SHQIPTAR”, citohet të ketë deklaruar Preka në gjyqin komunist në Shkodër, që e dënoi atë me vdekje me 25 Mars, 1945, krah për krah, me Dom Ndre Zadejën dhe 14 anti-komunistë të tjerë malësorë – pasi i torturuan dhe i munduan deri në vdekje.

Përkujtojmë Prekë Calin, Malësorin dhe Shqiptarin e madh, i cili luftoi dhe kundërshtoi synimet e armiqëve të Kombit shqiptar si edhe vendimet e padrejta të kancelarive të Evropës, në dëm të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare.

Përkujtojmë Prekë Calin, mbrojtësin e kufijve të vendit dhe të terësisë tokësore të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare nga këthetrat e synimeve grabitqare të shovinistëve sllavë.

Përkujtojmë Prekë Calin e Kelmendit, bartësin e traditave dhe virtyteve më të shenjta të malësorit e të shqiptarit: të atdhedashurisë, nderit e burrënisë, të mik-pritjes e bujarisë, gjithmonë sy-patrembur ndaj armikut.

Përkujtojmë Prekë Calin, i cili gjithë jetën ia kushtoi, jo vetëm, mbrojtjes së integritetit tokësor të Shqiperise, por edhe lirisë e demokracisë, dhe i cili dha edhe jetën duke kundërshtuar vendosjen e komunizmit ndërkombëtar në Shqiperi. Vrasja nga komunizmi i patriotëve shqiptarë si Prekë Cali – harresa dhe anashkalimi i tyre zyrtar nga historiografia shqiptare duhet të shqetesojë ndërgjegjen e çdo shqiptari, edhe sot 30 e sa vjetë pas shembjes së komunizmit. 

Prandaj, të pakën kelmendasit dhe shqiptarët e diasporës në përgjithësi, sidomos këtu në Amerikë, nuk duhet të harrojmë, por të –

Përkujtojmë Prekë Calin, atdhetarin dhe anti-komunistin i cili para se të pushkatohej nga regjimi i Enver Hoxhës, pyetjes së Mehmet Shehut se pse nuk bëhej me komunistët shqiptarë, se ashtu do ta mbyllte historinë e tij me shkronja ari, Prekë Cali i është përgjigjur: “Zotëni, faji bie mbi ju, se ju u bëtë aleatë me anmikun tonë shekullor, Serbinë”.

Përkujtojmë Prekë Calin, për bindjen e tij se komunizmi ishte gjeja më e keqe që po i kërcënohej Shqipërisë dhe i cili me burrat me të njohur të Kelmendit dhe të Malësisë së Madhe i bëri një qendresë të fortë këtij sistemi sllavo-aziatik – i huaj për shqiptarët — sllavo-aziatik, kriminal për nga natyra e morali, që iu imponua shqiptarëve.

Përkujtojmë Prekë Calin, i cili para se t’i rrëxohej trupi i tij vigan nga plumbat e mitralozit të komunistëve të Enver Hoxhës, bërtiti me zërin e fuqishëm të malësorit: “Rrnoft Shqipënia, Rrnoft populli shqiptar. Heret ose vonë, Shqipënia do të fitojë”.

Përkujtojmë pra, Prekë Calin – edhe si simbol i gjakut të derdhur — në shenjë nderimi e respekti edhe për bashkluftëtarët e tij, shumë prej të cilëve u pushkatuan gjithashtu, si edhe për mijëra martirë nacionalistë anti-komunistë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, të burgosur e të internuar për pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm.

Prandaj, le të bashkohemi sonte në përkujtimin e këtij burri të madh — tri dekada pas shembjes së komunizmit enverist dhe atij ndërkombëtar — e të shpresojmë që më në fund — të peshohet mirë dhe me të drejtë e Vërteta Historike, e cila është aty për t’u zbuluar — dhe vetëm asaj t’i jepet arsyeja.  Ashtuqë, heronjëve si Prekë Cali, më në fund, t’u këthehet lavdia, nderi dhe vendi që u takon patriotëve të vërtetë si ai, në historinë e Kombit. 

Sepse duke kujtuar burrat si Prekë Cali, në përsërisim premtimin e vazhdimit të atdhedashurisë së vërtetë dhe punës në favor të cështjes kombëtare — dhe në të njëjtën kohë, mundësisht, të përshpejtohet distancimi nga trashëgimia e regjimit diktatorial komunist, që pushkatoi patriotë – mbrojtës të kufijve të Shqipërisë — si Prekë Calin. 

I përjetëshëm qoftë kujtimi i Prekë Calit.  Nder e lavdi, veprës dhe qëndresës se tij  anti-sllave dhe anti-komuniste, në shekuj!

Frank Shkreli

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT