• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HUMBIN SHQIPTARËT NË ULQIN

January 28, 2014 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Thonë se bashkimi bën fuqinë, ndërsa përçarjet gjithmonë përfundojnë në disfatë.  Kjo fjalë e urtë merr një domethënje të veçantë kur flitet për mungesën e bashkpunimit midis faktorëve politikë anë e mbanë trojeve shqiptare, por sidomos i përshtatet faktorëve politikë të shqiptarëve nën Ma të Zi, ku një grusht shqiptarësh janë të ndarë në një dyzinë partishë dhe faktorësh të tjerë politikë.   Të djelën që kaloi, në Komunën e Ulqinit u mbajtën zgjedhjet për qeverinë e ardhëshme komunale.  Sipas informacioneve nga media e Ulqinit, shumicën e vendeve në Kuvendin e Komunës së Ulqinit i fitoi, për herë të parë, në këto 20-e sa vitet e demokracisë faktori politik malazez, Partia Demokratike e Socialistëve, PDS.

Shumë nga problemet e sotëme të shqiptarëve në Mal të Zi mund t’i atribohen politikave të hershme dhe aktuale të Cetinës ose Podgoricës kundër interesave të shqiptarëve në trojet e veta, por humbja e faktorit shqiptar në zgjedhjet e fundit në komunën e Ulqinit duhet të vendoset aty ku e ka vendin — para dyerve të partive dhe faktorëve të tjerë politikë dhe udhëheqsve të tyre, në rrethin e Ulqinit. Gjatë dy dekadave të fundit, anë e mbanë trojeve shqiptare, krijimi i partive dhe faktorëve politikë është këthyer në një industri të vërtetë, por është një industri e cila nuk krijon punë për askënd, përveçse garanton vetëm punësimin e  kryetarit të partisë,gjithmonë në kurriz dhe pa marrë shumë parasyshë interesin e përbashkët.  Kjo ka  ndodhur edhe në radhët e shqiptarëve nën Mal të Zi, por u vu në dukje haptas të djelën që kaloi, ku sipas dhënave mund të ketë pothuaj një dyzinë partishë dhe faktorësh të tjerë politikë, iniciativash qytetare e tjera, për një popullsi shqiptare që nuk i kalon 50 mijë banorë.   Ndoshta një gjë e tillë nuk do të ishte aq katastrofale, nëqoftse atyre nuk do tu mungonte bashkrendimi i mirëfilltë i politikave dhe strategjive bashkrenduese, në interesin e përbashkët të popullësisë shqiptare të atyre anëve. Është e qartë se për derisa të vazhdojnë këto përçarje në radhët e faktorëve politikë të shqiptarëve në Mal të Zi, ata vet si udhëheqës dhe as problemet me të cilat përballen shqiptarët nën Mal të Zi, nuk do të merren seriozisht as nga Tirana as nga Prishtina, madje as nga ndërkombëtarët — por mbi të gjitha, as nga  qeveria në Podgoricë, e cila do të vazhdojë të luaj me fatin e tyre politik dhe ekonomik, për derisa shqiptarët të mos kenë një strategji veprimi të përbashkët politike. Numëri i madh i këtyre partive nuk është asgjë tjetër veçse një fushë e përshtatshme për tu shfrytëzuar në bazë të thënjes së vjetër romake, “Divide et Impera”, përçajë e sundo.

Shpresoj që zgjedhjet e të djelës që kaloi në komunën e Ulqinit të jenë një zgjim nga gjumi, nga një ëndërr e keqe, dhe që të ketë tronditur politikanët shqiptarët të këtyre trevave.  Si rrjedhim, ende ka mundësi për shpresë se ata do të shikojnë përtej interesave të ngushta të karrigave të tyre partiake dhe të bashkohen për interesin e përbashkët të shumicës së banorëve të Komunës së Ulqinit.  Ende ka mundësi për ndreqjen e gabimeve para zgjedhore.  Ka ende mundësi për shpëtim, ka ende mundësi që politikanët shqiptarë të riabilitohen, jo vetëm në sytë e banorëve të kësaj treve, por  edhe në sytë e të tjerëve jashtë kësaj komune, qoftë mbrenda Malit të Zi, qoftë jashtë tij.  Pasi nevojiten 17 vende për të qeverisur Komunën e Ulqinit, lind pyetja nëse a do të bashkohen tani në koalicion, të pakën tri partitë kryesore të shqiptarëve të cilat duke bashkuar forcat, do të përbënin shumicën dhe si të tillë do të mund të qeverisin përsëri Ulqinin?

Kjo besoj është dëshira e të gjithë shqiptarëve kudo, por sidomos e banorëve të Ulqinit të cilët duan një qeverisje që do të mbronte dhe do të mështeste interesat e tyre politike, ekonomike dhe kombëtare.  Duke iu referuar udhëheqësve të tri partive kryesore të shqiptarëve, redaksia e faqes elektronike, Lajme Nga Ulqini, në një artikull me titull: “A do të bashkohen këta tre burra që të shpëtojnë fëtyrën e ulqinakëve”, pyetje me vend dhe me seriozitetin më të madh, drejtuar klasës politike të Ulqinit, duke nënvijuar siç duket shqetësimet e mëdha në radhët e banorëve të asaj komune. Duke shprehur shqetsimet e saja mbi të ardhmen e komunës, redaksia bën këto pyetje:   “A do të bashkohen këta tre burra për të shpëtuar fytyrën e Ulqinakëve? Apo ndoshta këta tre burra nuk do të mund të merren vesh se kujt t’i takojë ulësja e kryetarit të qytetit, e kujt ajo e kryetarit të Kuvendit? A do mund të merren vesh këta burra se kush do udhëheqë me departamente të ndryshme të komunës?  Apo ndoshta këta tre burra as që e kanë ndërmend të bisedojnë për një gjë të tillë?  Ndoshta për ta ky opsion nuk do të shqyrtohet fare, ose do të shqyrtohet sa për sy e faqe, ashtu siç u shqyrtua opsioni i bashkimit për zgjedhjet parlamentare, e i cili dështoi ende pa nisur mirë.  E kjo “tentativë” do ju shërbejë, si edhe më heret, për të fajësuar njëri tjetrin për dështimin e iniciativës.   A do të mendojnë një herë të vetme këta tre burra për të mirën e qytetarit, për të mirën e shqiptarëve në Ulqin?   Ne qytetarët gabuam, kush me dëshirë, kush nga mosdija, e kush nga kushtet e vështira me të cilat po manipulon shtresa politike.   Por a do gabojnë edhe këta tre burra, e do lejojnë këtë njollë në historinë e Ulqinit të shqipeve?   Nazif, Fatmir e Mehmet, mendojini mirë veprimet tuaja sepse ju do shkruani historinë tonë, ju do vizatoni të ardhmen tonë. Mos shkatërroni atë për çka të parët tuaj e tonët kanë dhënë edhe jetën. Mendoni mirë …”, shkruhet në faqen elektronike Lajmet nga Ulqini.

Përfundimi i zgjedhjeve  të së djelës në Ulqin dhe gjëndja politike dhe ekonomike e shqiptarëve në Mal të Zi në përgjithësi, ndiqen me interesim të madh edhe nga diaspora e madhe në numër nga ato troje shqiptare, sidomos nga diaspora që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Ameikës.   Njëra prej organizatave që  vepron në Nju Jork, Shoqata Shqiptaro-Amerikane, “Ana e Malit” e cila grumbullon rreth vetes shqiptarët e emigruar në Amerikë nga ato troje, i dërgoi një letër të hapur  udhëheqësve të subjekteve politike të komunës së Ulqinit duke u bërë thirrje që tri partive kryesore të shqiptarëve dhe udhëheqsve të tyre, (Forcës së re Demokratike, Koalicionit “Për të Ardhmen e Ulqinit” dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve) që  të bashkojnë fuqitë duke krijuar kështu një shumicë në kuvendin e komunës, ndonëse shumica dërmuese e kësaj komune janë shqiptarë.  Letra e hapur e shoqatës “Ana e Malit”, shprehë ndjenjat e shumë shqiptarëve jo vetëm në diasporë, kurë shprehet se, “Apeli i ynë buron thjeshtë nga ndjenja e dashurisë sonë për vendlindjen dhe të ardhmen e saj. Tani është momenti që Ju të lëni në një anë interesat partiake, dhe vendimin Tuaj t’a bazoni në interesat e përgjithshme kombëtare apo në interesat e shumicës shqiptare të Komunës së Ulqinit.  U  jemi drejtuar me këtë rast pasi që juve u është dhënë edhe një mundësi e fundit që gjendjen ta ktheni në tabanin kombëtar dhe që asnjë subjekt politik shqiptar, të mos bëhet derë e hapur për dorëzimin e Komunës.  Ju bëjmë thirrje që të shfrytëzoni këtë mundësi në favorin tuaj duke marrë parasyshë se çdo opcion tjetër shkon kundra interesit të pergjithshëm dhe do të mbani përgjegjësi dhe do të merrni gjykimin e përshtatshëm në faqet e historisë. Gjeneratat e ardhshme nuk do t’ju gjykojnë në bazë të asaj se çka është folur, por në bazë të asaj se si keni vepruar dhe koha është tani për të vepruar”, përfundon letra e kryesisë së Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Ana e Malit” në New York, drejtuar klasës politike të shqtarëve nën Mal të Zi.

Edhe po të doja, unë nuk mund të shprehesha ndryshe dhe as më mirë se nga thirrjet e mësipërme drejtuar ndërgjegjes së faktorëve politikë të shqiptarëve në rrethin e Ulqinit.  Shpresoj që këto thirrje të mos jenë thirrje në shkretëtirë, por të plotësohet dëshira e popullit për unitet dhe strategji të përbashkët programesh për përmirësimin e jetës të të gjithë banorëve të asaj komune. Thirrjet e banorëve të komunës Ulqinit, të pasqyruara në shkrimin e agjencisë, “Lajme nga Ulqini” dhe letra e hapur e të mërguarve shqiptarë në Amerikë nga Ulqini me rrethe, për nga forca e tonit të ashpër,  janë tepër dëshpëruese nga një anë, por edhe shpresëdhënse nga ana tjetër se udhëheqsit politikë të partive shqiptare nën Mal të Zi, më në fund do të tregojnë ndërgjegje dhe përgjegjësi të lartë morale dhe politike duke dëgjuar zërin dëshpërues por shpresëdhënës të shqiptarëve kudo, i cili thërret për bashkim të forcave politike shqiptare në Mal të Zi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, humbin shqiptaret, Ulqin

NJË FILM PËR NËNË TEREZEN

January 24, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Nga e majta, Frank Shkreli, autor i shkrimit, Dr. Elez Biberaj dhe familjet e tyre gjatë një takimi në vitin 1987 me Nënë Terezën në Uashington/

Duket se së shpejti jeta dhe veprimtaria e Nënë Terezës do të shfaqet si film dokumentar në ekranet amerikane dhe botërore të filmave. Revista amerikane “Variety” që mbulon industrinë e filmave të Hollivudit, muzikën dhe artin amerikan, në një artikull që botoi të ënjtën në faqën e saj elektronike, korrespondenti i filmave, Dave McNary shkruan se regjisorët e pavarur të filmave, Tony Krantz dhe Jamey Volk janë duke bashkpunuar me “Qendrën Nënë Tereza” për të bërë një film me titull “Kam Etje”, një dokumentar ky mbi jetën e Nënë Terezës, bamirëses dhe humanistes së njohur mbarë botërore dhe bijës së gjakut të Arbërit, me të cilën mburret dhe krenohet kombi shqiptar.

Artikulli thotë se pritet që filmimi të nisë nga fundi i këtij viti, ndërkohë që për tekstin e filmit është angazhuar ta shkruaj Keir Pearson, i cili ka shkruar tekstin për filmin e njohur “Hotel Rwanda”. Sipas artikullit të revistës Variety, filmi do të përqëndrohet në punën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës në qytetin e Indisë Kalkuta gjatë dekadës së 1950-ave, kur ajo njëkohësisht themeloi Urdhërin e Motrave Misionare të Dashurisë, me misjonin për tu kujdesur për të varfërit e më të varfërve të Indisë. Eventualisht Nënë Tereza veprimtarinë e saj e përhapi anë e mbanë botës, përfshirë edhe trojet shqiptare në Balkan, por edhe në vende të mëdha e të pasura të botës si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Artikulli nënvijon faktin se për veprën dhe punën e saj, Nënë Tereza ishte shpërblyer me dekorimin më prestigjoz në botë — Çmimin Nobel për Paqë të vitit 1979  dhe thotë se urdhëri i Motrave Misionare të Nënë Terezës, të cilat, ndër të tjera, punojnë në qendra për fëmijtë jetimë, shtëpi të moshuarve dhe qendra të tjera bamirësie, kishte arritur si numër në më shumë se 4000 në vitin 1997, kur ai ndërroi jetë.

Regjisori amerikan Tony Krantz tha për revistënVariety se filmi, “Kam Etje”, është filmi i parë dhe i vetmi film i autorizuar mbi jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës që do të çfaqet në ekranet e filmave anë e mban botës.” Ai u shpreh gjithashtu se “jemi jashtzakonisht shumë të kënaqur për këtë film mbi një grua, jeta dhe vepra e së cilës është një pasqyrim i një angazhimi të plotë, besimi, bamirësie dhe dashurie për të tjerët.” Sipas artikullit të revistës së hollivudiane Variety, regjisori Tony Krantz dhe shkrimtari i teksteve të filmave, Keir Pearson do të shkojnë në Indi muajin që vjen, për të përfunduar hulumtimet mbi jetën e Nënë Terezës dhe të fillojë të shkruaj skenarin e filmit. Regjisori Krantz shprehu shpresën, sipas revistës Variety se, shpreson se projekt-filmi do të tërheq një drejtor dhe aktore me famë botërore e cila do të luaj rolin e Nënë Terezës. Ndërsa regjisori tjetër i filmit, Jamey Volk tha për revistën Variety se “mezi presim që filmin të ja paraqesim një audience botërore, ndërkohë që pritet që filmi të jetë gati për ekranet anembanë botës verën e vitit 2015.” Regjisori Krantz shtoi gjithashtu se për këtë film dokumentar ata kanë marrë miratimin e plotë nga përfaqsues të Motrave të Nënë Terezës, madje ai tha se kishte arritur një mirëkuptim me to, “mbrenda 15 minutash”. Ai nënvijoi gjithashtu se filmi, “Kam Etje” do të përfshijë edhe episode personale nga jeta e Nënë Terezës, si për shëmbull episodin e “krizës së dyshimeve”, duke thënë se filmi mbi jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës , “nuk do të jetë një film për Katolicizmin, por do të përqëndrohet mbi veprat e saj.”

Në artikullin e revistës Variety thuhet gjtihashtu se regjisorët kryesorë të filmit do të jenë Reece Pearson i entit të filmave “Flame Ventures” dhe Dick Lyles i entit “Origin Etntertainment”, ndërkohë që “Qendra Nënë Tereza” do shërbejë si këshilltare teknike për filmin. Gjatë gjithë jetës së saj Nënë Tereza, për dashurinë e saj në veprim dhe në jetë kushtuar më të varfërve dhe më të harruarve të kësaj bote, mori lëvdata dhe çmime ndërkombëtare nga më të dalluarat, përfshirë edhe Çmimin prestigjoz më të lartë botëror Nobel për Paqë. Qindra libra e

mijëra artikuj janaë shkruar dhe shkruhen duke mbajtur gjallë fjalët dhe mesazhin e dashurë të Nënë Terezës. Filmi që ka në plan të bëj Holivudi për Nënë Terezën është vetëm një vazhdim i respektit që bota po tregon për Nënë Terezën dhe për veprën e saj edhe pas vdekjes së saj.

Një ndër mesazhet e saja aktuale është mesazhi i saj për rolin dhe rëndësinë e familjes në shoqëri. Në një fjalim drejtuar një konference të Kombeve të Bashkuara në Pekin më 1995, Nënë Tereza u tha grave të botës që “Në vend të vdekjes dhe mjerimit le të sjellim në botë paqë, gëzim e kënaqësi duke iu lutur Perëndisë për dhuratën e paqës dhe për dhuratën e mundësisë për të dashur dhe për të pranuar njëri tjetrin si vëllezër e motëra, si bijë e bija të Perendisë. Ne  e dimë se vendi më i mirë dhe atmosfera më e përshtatshme ku fëmijtë mund të mësojnë se si të dashurojnë njëri tjetrin është pikërisht familja, ku ata shohin prindërit e tyre duke dashur  njëri tjetrin dhe duke iu lutur Perendisë. Kur familjet shkatërrohen dhe nuk janë të bashkuara, shumë fëmij rriten duke mos ditur të dashurojnë të tjerët”. Nënë Tereza vazhdoi duke thënë se, “një vend ku shumë familje janë shktatërruar në këtë mënyrë, do të ketë shumë probleme.” Një mesazh aktual ky, jo vetëm për familjet e ngushta shqiptare, por edhe për familjen më të madhe dhe më gjërë të kombit shqiptar, duke theksuar se “Kur familjet janë të forta dhe të bashkuara”, përfundoi Nënë Tereza mesazhin e saj drejtuar grave të botës në vitin 1995 në Pekin, “Fëmijtë shohin dashurinë e veçantë të Perëndisë në çfaqjen e dashurisë midis prindërve të tyre, dhe si të tillë rriten që të ndërtojnë dhe të zhvillojnë atdheun e tyre në një shoqëri më të mirë dhe më të dashur për të gjithë”.Në një artikull mbi Nënë Terezën disa muaj më parë, me rastin e njoftimit të Lumturimit të saj nga Vatikani pata shkruar se ne shqiptarët kudo, me të drejtë mburremi shumë me Nënën tonë Tereze, bijë të një gjaku. Me krenari e themi, përfshirë edhe udhëheqsit e tanishëm më të lartë të kombit shqiptar të të gjitha trojeve, se Nëna Tereze është simbol dhe bartëse e vlerave më të mira e më të bukura të kombit shqiptar. Por ama, megjithë adhurimet dhe krenarinë që tregojmë në sipërfaqe për ‘të – kur të merret parasyshë gjëndja politike dhe shoqërore në të gjitha trevat shqiptare unë nuk mund të durohem pa iu bashkuar cinizmit dhe skepticizmit të të ndjerit Profesor Peter Priftit, i cili disa vjetë më parë është shprehur për librin e Genc Lekës mbi Nënë Terezën duke bërë pyetjen: “A mos ishte lindja e Nënë Terezës në rrethin tonë një gabim, një devijim gjenetik ndofta, apo një sinjal hyjnor, një paralajmërim paraparak për një të ardhme madhështore për kombin shqiptar? Kur shoh gjendjen në Shqipërinë e sotme, mendoj të parën; por më pëlqen të besoj të dytën”, qe shprehur Profesor Peter Prifti dhe vazhdoi: “Pyes veten, kemi të drejtë si shqiptarë të mburremi me motrën tonë të bekuar? Mendoj se Nënë Tereza nuk nderohet me levdata, me konferenca shkencore, me shërbime përkujtimore, as edhe me lutje e pelegrinazhe te varri i saj. Sa kohë që neve nuk bëjmë ndryshim, asnjë përmirësim në marrëdhëniet tona shoqërore e politike, atëhere përsa na përket neve si shqiptarë, ajo jetoi kotë në këtë botë. Atëherë do jetë më mirë të mbyllim gojën dhe të mos guxojmë kurrsesi të themi se jemi njerëz të një gjaku e të një gjuhe me Nënë Terezën”, përfundon profesori i nderuar, i ndjeri Peter Prifti.

Duke marrë parasyshë sulmet e kohëve të fundit nga disa qarqe sado të vogëla, kundër Nënë Terezës, ky cinicizëm dhe skepticizëm, të cilin e ka shprehur aq bukur i ndjeri Profesor Prifti vite  më parë, megjithëse unë personalisht nuk besoj se është gjithëpërfshirës — fatkeqsisht sa vjen e shtohet. Por, të pakën Holivudi po e bën të vetën duke përjetësuar jetën dhe veprën e kësaj bije të Arbërit, të cilën ish-Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, Perez de Quellar e pat quajtur si, ”më të madhe se të gjithë ne”.

Nga e majta, autori me Dr. Elez Biberaj dhe familjet e tyre gjatë një takimi në vitin 1987 me Nënë Terezën në Uashington, një takim që asnjëri  prej nesh nuk do ta harrojë kurrë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Elez Biberaj, Frank shkreli, Nje film per Nene Terezen

LIRIA NËN PRESION ANË E MBANË BOTËS

January 23, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Organizata  jo-qeveritare Freedom House me qëndër në Uashington, botoi më 23 Janar raportin vjetor mbi lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës.  Në raportin, Liria në Botë 2014, mbi liritë politike dhe civile në çdo shtet dhe territor të botës,   Freedom House pohon se liria në botë ka rënë për të 8-tin vit me radhë.   Në raportin e 41 të Freedom Haus, që konsiderohet si enti më i vjetër dhe më i besueshëm mbi gjëndjen e lirisë dhe të demokracisë në botë, thuhet se  gjithsejt në 54 shtete, është shënuar një rënje e dukshme në fushën zbatimit të të drejtave politike dhe lirive civile, ndërkohë që në 40-vende janë venë re përparime në këtë fushë.    Në raportin vjetor thuhet se disa udhëheqës botërorë kanë përdorur, atë që  raporti cilëson, si “autoritarizëm modern”, për të thyer ose margjanalizuar opozitën politike , por pa e zhdukur atë krejtsisht, ndërkohë që sa për sy e faqe pretendojnë të ruajnë rendin,  qetësinë dhe begatinë.  Objektivi kryesor i autoritarëve modernë, thotë Freedom House, është kapja e institucioneve në përpjekje për të dominuar jo vetëm degët ekzekutive dhe legjislative të qeverisjes, por duan të kontrollojnë njëkohësisht edhe median, gjykatat, shoqërinë civile, ekonominë si dhe forcat e sigurimit. Këta pra janë, sipas raportit të Freedom House, autoritarët modern, të cilët i gjenë në çdo rajon të botës.

Raporti i sivjetëm thotë se zona e Euro-azisë  vazhdon të mbetet njëra prej rajoneve gjeografike më shtypëse në botë, duke thënë se Bjellorusia, Turkmenistani  dhe Uzbekistani janë ndër vendet më shtypëse të lirive në botë, ndërsa shton se Rusia ka rritur shtypjet duke intensifikuar persekutimin e kundërshtarve politikë dhe të grupeve etnike të pambrojtura anë e mbanë vendit.  Në raportin mbi Azinë thuhet se Kina, gjatë vitit të kaluar është treguar gjithnjë e më shumë jo tolerante ndaj kundërshtarve politikë, ndërkohë që autoritetet kineze, ndër të tjera, kanë arrestuar me dyzina aktivistë të cilët kanë bërë thirrje për reforma anti-korrupsion.

Në lidhje me Europën, raporti i Freedom House thotë se gjatë viti të kaluar, shumica e vendeve europiane treguan respekt për standardet demokratike dhe për liritë civile, edhe ndonëse disa prej tyre u përballen me lëvizje të tendencave  dhe të një natyre nacionaliste.  Raporti veçanërisht kritikon Kryeministrin e Turqisë, Recep Taip Erdogan se në qeverisjen e tij, ka treguar tendenca gjithnjë e më autoritare, duke përmendur  shtypjen e protestave në Stamboll dhe fushatën e tij që ka ndërmarrë kundër zërave kritikë në media.

Raporti  i përcakton 195 shtetet dhe 14 territore, si të ”lira”, “pjesërisht të lira” dhe “jo të lira”.   Raportet individuale për secilin shtet dhe territor do të botohen kur të jenë gati, por kjo hartë me ngjyra përcakton kategoritë e ndryshme për secilin vend dhe rajon botëror.

Zëvendës presidenti i Freedom House, dhe njëkohësisht autori i raportit,  Arch Puddington i tha rëvistës amerikane Atlantic me rastin e botimit të raportit se, “Gjatë 30-vjetëve të kaluar nuk është shënuar asnjë përparim i dukshëm përsa u përket lirive në vendet e rëndësishme autoritare dhe të cilat vazhdimisht kanë rezistuar demokratizimin —  siç është Rusia dhe vende të tjera në Euroazi,  përfshirë vendet e Lindjes së Mesme, si dhe Kina, Irani, Venezuela” ndër të tjera.  Zyrtari i Freedom House u shpreh se udhëheqsit e këtyre vendeve kanë mësuar nga shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik, 20-vjetë më pare, që të mos ndërmarrim bërjen e reformave të rëndësishme, të cilat ata nuk mund i kontrollojnë, duke mos lejuar, ose të pakën duke penguar edhe veprimtarinë më të vogël të grupeve pro-demokratike të shoqërisë civile.  I pyetur për protestat nepër rrugë dhe sheshe, përfshirë Tajlandën, Turqinë dhe Ukrainën, Z. Puddington tha se në disa vende ekziston tendenca që politikën ta zëvëndësojnë me protesta, duke dhënë si shembull Turqinë dhe Ukrainën, ku udhëheqsit e këtyre vendeve, besojnë se nëqoftse kanë një shumicë prej 52-për qind të votave, kjo, sipas mendimit të tyre i lejon ata të bëjnë si të duan dhe çka të duan. Andaj, tha ai, kur këta udhëheqës tejkalojnë mandatin e tyre duke kërcënuar demokracinë, dhe duke shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut, atëherë popullit nuk i mbetet gjë tjetër veç të dalë në rrugë e të protestojë.

Autori i raportit vjetor mbi lirinë në botë, Arch Puddington tha për median se, “Jetojmë në një kohë, kur udhëheqsit e vendeve autoritare janë më të sigurt dhe më arrogantë se në të kaluarën dhe se  tani midis tyre ekziston një lloj koalicioni, si të thuash, një aleancë e vendeve shtypëse, ” nënvijoi Z. Puddington.

Në lidhje me Shtetet e bashkuara, Raporti i Freedom House thotë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë një prej vendeve më të lira në botë, por Presidenti i kësaj organizate  kritikoi administratën e Presidentit Barak Obama se është treguar pasiv ndaj keqësimit të gjëndjes së lirive në botë, duke shtuar se Uashingtoni ka humbur rastet për të promovuar demokracinë dhe lirinë anë e mbanë botës.   Zyrtari i lartë  I Freedom House, Arch Puddington fajësoi gjithashtu edhe vendet demokratike në përgjithësi për mungesë interesimi në lidhje me shtypjen e lirisë në botë.  Në lidhje me këtë, ai tha se “vihet re një mungesë vendosmërie nga ana e vendeve demokratike ndaj forcave demokratike të cilave po u bëhet presion ndaj veprimtarisë së tyre në vendet e mëdha autoritare”, dhe i akuzoi vendet perëndimore se janë të “gatëshme  të bëjnë marrëveshje me shtetet autoritare me qëllim për të përmirësuar atmosferën diplomatike, por duke injoruar masat shtypëse të këtyre vendeve autoritare” ndaj popujve të tye, tha ai.  Në lidhje me këtë, raporti i Freedom House, pohon se vendet demokratike, e sidomos Shtetet e Bashkuara nuk janë treguar të gatëshme për të vepruar në mbrojtje të lirive në vendet që raporti i cilëson si autoritare.  Mbi këtë, eksperti Dejvid Shenker i Institutit Uashington i tha Zërit të Amerikës se, ” ndonëse publiku amerikan nuk është aspak i interesuar për një ndërhyrje tjetër ushtarake në Lindjen e  Mesme, madje sipas sondazheve nuk dëshiron asnjë përzierje diplomatike e as financiare…përkrahësit dhe aktivistët e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, i drejtojnë sytë dhe shpresat e tyre për mbështetje kah Shtetet e Bashkuara, por fatkeqsisht nuk po hasin në një përkrahje që ata do të dëshironin.”

Andaj, nuk është për tu habitur se kur Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera demokratike nuk promovojnë dhe nuk mbështesin liritë dhe të drejtat e njeriut kudo në botë, ndodhë kjo që raporti i sivjetëm i Freedom House pohon rishtazi se është viti i 8-të me radhë që e pësuan keq  liritë, të drejtat e njeriut dhe demorkacia anë e mbanë botës.   Mbështetja dhe promovimi i lirisë, i demokracisë dhe i individëve dhe grupeve që i mbështesin këto liri anë e mbanë botës, historikisht  ka qenë pjesë e pa ndarë e politikës së jashtme dhe ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara.  Bota demokratike duhet të jetë më e angazhuar në mbrojtje të lirive individuale dhe në promovimin e demokracisë se ç’ka qenë gjatë dekadës së fundit, pasi duke promovuar vlerat e lirisë dhe të demokracisë në mbarë botën, ndihmon të tjerët të sigurojnë lirinë për veten e tyre dhe njëkohësisht mbron edhe interesat kombëtare të botës demorkatike. Pasi siç tha edhe presidenti i Freedom House, David Kramer, “kur liria është në rënje anë e mabnë botës, si rrjedhim, ka më pak vende stabile dhe më pak vende partnere, duke pakësuar kështu mundësitë për bashkpunim në botë.”    Prandaj, Shtetet e Bashkuara dhe e vendet aleate demokratike duhet ta marrin më seriozisht mbështetjen dhe  promovomin e lirisë anë e mbanë botës, duke e bërë atë pjesë të pandarë të politikës së jashtme dhe ndëkombëtare, ashtuqë që liria dhe demokracia anë e mbanë botës, vitin që vjen të shënojnë rritje e jo rënje.

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ane e mbane Botes, Frank shkreli, Liria nen presion

DOM GJON BUZUKU DHE LIBRI I PARË I SHQIPTARËVE

January 21, 2014 by dgreca

 (Me rastin e 460-vjetorit të Mesharit)/

Nga Frank Shkreli/

Siç dihet, ky vit shënon 460-vjetorin e fillimit të shkruarit në shqip të veprës së Gjon Buzukut, “Meshari” në vitin 1554, të cilën thuhet se ai e përfundoi një vit më vonë, vepër kjo që deri më sot konsiderohet si vepra e parë në gjuhën dhe në letërsinë shqiptare. Gjon Buzuku është vlerësuar nga dijetarë dhe akademikë shqiptarë, përfshirë edhe Eqrem Çabejn, si njëri prej personaliteteve më të dalluara të kombit shqiptar për kontributin e tij në hedhjen e themeleve të gjuhës dhe kulturës së kombit shqiptar. Njëkohësisht, edhe Kisha Katolike e konsideron Dom Gjon Buzukun si një klerik të dalluar –ndër më të mëdhejtë e saj — për kontributin e tij në liturgji dhe në letrat shqip.

Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ministria e Kulturës e Shqipërisë, si pjesë e festimeve të këtij jubileu, mundësoi që për herë të parë, Meshari i Buzukut të mbërrinte në atdhe pas pesë shekujsh dhe të ekspozohej në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, për ta parë dhe për ta shijuar të gjithë shqiptarët.  Ekspozimi i Mesharit në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë u konsiderua si një për ngjarjeve më kulmore të këtij përvjetori historik.  Ja si e pat përshkruar mbërrijtjen e Mesharit nga Vatikani në kryeqytetin e kombit shqiptar me atë rast, ish-Ministri i Kulturës, i përndjekuri dhe i përvuajturi i burgjeve komuniste të Enver Hoxhës,  i nderuari Visar Zhiti: “Pritje e grumbulluar në breza, ëndërr e përbashkët dhe e atyre që s’janë! Përzier me ca mister dhe me gëzim! Një libër!… i pari fare.  Aty nisi… Do t’i afrohemi më shumë se kurrë, do të mund ta shohim si dorën tonë, që shkruan… Meshari i shqiptarëve, i gati 5 shekujve më parë, që ka mbetur i vetmuar në një Bibliotekë të huaj, ndër më të mëdhatë në botë e më të rëndësishmet, vjen në tokën e gjuhës së vet, për herë të parë. Sikur kthehet nga një mërgim i gjatë si harrimet. Dhe shpërthejnë emocioni dhe malli, përsiatjet dhe kujtimet. Rimëkëmbja e një kombi vjen nga e kaluara, nëse e dashuron atë, thotë një i mençur i madh. Do të vijë nga qielli Meshari, se libër qiellor është.   Me avion nga Roma do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe mes pritësve, sigurisht do të dalin dhe hijet e Budit, Bardhit e Bogdanit, e poetëve themeltarë, Naimi e Fishta, do të dalë hija e romancierit të parë shqiptar, Ndoc Nikaj, e atyre që nisën prozën moderne shqipe, Koliqi e Kuteli, gruaja e parë shkrimtare, Musine Kokalari, do të vijnë nga Kosova Mekuli, Shkreli, Podrimja, do të dalin fëmijët me tufa me lule. Vendoseni në një shtrat topi si heronjtë Librin e Parë, mbështilleni me Flamurin Kombëtar dhe çojeni drejt qendrës së Kryeqytetit, aty ku pret në bronz Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Dhe të presin në radhë shqiptarët, me mijëra, të ardhur nga të gjitha trevat e të shohin Librin e tyre të Parë, ta prekin. Kemi udhëtuar me shekuj drejt tij…”  Ndjenjat e të gjithë shqiptarëve, që vetëm një si Visar Zhiti mund t‘i përshkruante siç duhet.

Studiuesë të ndryshëm të jetës dhe veprës së Gjon Buzukut janë dakort për kontributin e madh që ai i ka dhënë letërsisë, gjuhës dhe identitetit të kombit shqiptar, por midis tyre ka të pakën dy variante mbi vendin e lindjes dhe të veprimtarisë së tij kishtare dhe kulturore. Sipas tyre, nuk përjashtohet mundësia që Buzuku të ketë jetuar dhe zhvilluar veprimtarinë e tij në zonën e Prizrenit, por shumica e studiuesve, përfshirë Eqrem Çabejn kanë shkruar se duke u bazuar në dialektin që përdor Buzuku, ai duhet të ketë lindur dhe vepruar në krahinën e Krajës, një zonë kjo midis Ulqinit dhe Shkodrës. Për më tepër, ata përcaktojnë edhe fshatin e Shestanit, si vendin ku mund të ketë lindur Gjon Buzuku.  Ndonëse në mendimin tim ka pak rëndësi nëse Buzuku e ka prejardhjen prej Krajës ose prej Prizreni, rëndësi ka kontributi i tij i pakontestueshëm për kulturën dhe identitetin e kombit shqiptar, për të cilin të gjithë studiuesit shqiptarë dhe të huaj, janë të një mendimi.  Por megjithë pretendimet e studiuesve, të më falë lexuesi, por për arsye krenarie krahinore, më pëlqen më shumë dhe dua t’i besoj tezës së Eqrem Çabejt se Gjon Buzuku duhet të ketë lindur në një nga fshatrat e krahinës së Krajës, jo larg nga ku kam lindur edhe unë, andaj them për arsye krahinore, dhe për këtë arsye unë dhe bashkvendasit e mi ndjehemi krenarë për bashkvendasin tonë, Dom Gjon Buzukun.   Bashkvendasit e mi në rrethin e Ulqinit e besojnë këtë tezë dhe sidomos këto 20-vitet e fundit janë përpjekur të përforcojnë këtë pretendim, duke mbajtur konferenca jubilare me ekspertë dhe akademikë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga dijetarë të huaj, në mbështetje të kësaj teze, se Gjon Buzuku, autori i librit të parë shqip, u përkiste këtyre trevave, ku edhe duhet të ketë shërbyer si prift i dioqezës së Tivarit.  Megjithëse me burime të kufizuara financiare të organizuesve, nga këto konferenca kanë dalur botime dhe studime të posaçme, ndërkohë që ajka intelektuale e këtyre trevave është përpjekur të mbajë gjallë kujtimin e bashkvendasit të tyre, Gjon Buzukut, me aktivitetedhe botime të ndryshme.

Një vend të rëndësishëm të kësaj veprimtarie të vazhdueshme në kujtim të birit të këtyre trevave shqiptare e zën edhe revista, “Buzuku”, e cila para disa ditësh festoi botimin e numrit 40-ët të saj.  Kjo revistë e shqiptarëve në Mal të Zi përpiqet të mbaj gjallë trashëgiminë e veprës së Gjon Buzukut dhe rolin e tij të rëndësishëm në historinë dhe kulturën e kombit shqiptar. Sipas revistës tjetër me rëndësi për Shqiptarët në Mal të Zi, “Koha Javore”, kohët e fundit në Ulqin u përurua numri i 40-ët i revistës “Buzuku”,  në një konferencë ku ishin të ftuar folës ekspertë, për të vlerësuar rolin e saj në ruajtjen edhe konsolidimin e gjuhës, të traditave dhe kulturës arbërore në këto troje shqiptare.  Mbi të gjitha, sipas Kohës Javore, folësit u përqendruan tek roli i mbështetjes së identitetit kombëtar shqiptar që luan revista Buzuku dhe vlerësuan njëkohësisht edhe punën e kryeredaktorit të saj, Dr. Simë Dobrecit.  Vetë, Dr. Dobreci tha në atë tubim se në revistën “Buzuku”, në vazhdimësi të traditës së jetës dhe veprës së Gjon Buzukut,  “Jemi munduar të paraqesim kulturën tonë, adetet e traditën, rrënjën tonë.”    Aty mori pjesë edhe akademiku Emil Lafe nga Tirana, i cili përgëzoi kryeredaktorin dhe bashkpuntorët e tij — përfshirë edhe dy ish-mësuesit e mi të tetë-vjeçares, Bahri Brisku dhe Riza Rexha, si anëtarë të redaksisë — për misjonin që sipas tij, ata i kanë vënë revistës, „Buzuku“, duke u shprehur se ai, “Është roli i ndriçimit të identitetit kombëtar, roli i nxjerrjes në pah të atyre pasurive të mëdha të folklorit, të kulturës popullore, të mitologjisë dhe të gjitha pasurive të tjera të botës shpirtërore shqiptare”, ka thënë akademiku Emil Lafe, duke shtuar se revista ka si mision jo vetëm zbardhjen e së shkuarës, por edhe të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve nën Mal të Zi.  Ai përfundoi duke thënë se roli i revistës “Buzuku” tani dhe në të ardhmen është që të, “përballohet për të mbrojtur identitetin kombëtar, gjuhën dhe letërsinë, për të ecur bashkë me pjesën tjetër të popullit shqiptar kudo që është”.   Sipas “Koha Javore”, në tubim foli edhe Dr, Nail Draga, Drejtor i Qëndrës Kulturore të Ulqinit,  i cili vlerësoi punën e Kryeredaktorit Simë Dobreci, duke thënë se në saje të punës së tij të palodhur, “tani e kemi një arkiv prej 40 numërash, i cili do të shërbejë për të tashmen dhe të ardhmën”, por shtoi ai, “sikur mos të ishte revista Buzuku, shumçka do ta kishim humbur”.  Edhe Kryetari i bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Dr. Gani Karamanaga e vlerësoi rëvistën “Buzuku”, duke thënë se, “Më e rëndësishmja është që ajo ka luajtur rolin e padiskutueshëm që shumë prej neve të këthehemi nga vetvetja, të mësojmë çka është gjuha shqipe, çka janë simbolet e shqiptarisë”, tha Dr. Gani Karamanaga.

Ashtu si edhe Gjon Buzuku në kohën e tij, edhe revista “Buzuku” sot, dëshiron të bëjë diçka për popullin e vet, përpiqet të  ruaj dhe të vazhdojë trashëgiminë e Dom Gjon Buzukut që të bëjë aq sa ka mundësi, për të mbrojtur identitetin kombëtar në trojet shqiptare nën Mal të Zi dhe më gjërë.  Zgjidhja e problemeve në lidhje me identitetin kombëtar të shqiptarëve, si 460-vjetë më parë, ashtu edhe sot ka nevojë, sipas Gjon Buzukut, “për ndriçimin e mendjeve të njerëzve”, jo vetëm në trojet shqiptare nën Mal të Zi, por në trojet shqiptare në mbarë Ballkanin.

Urime revistës Buzuku në punën e saj fisnike në trojet tona nën Mal të Zi dhe, sipas lutjes së dom Gjon Buzukut, në këtë 460-vjetor të Mesharit, “Ndër Arbanit ata n’mortajet largo, ty të lusmë, O Zot.”  Nga tokat Arbërore, largoje të keqën, o Zot.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Dom Gjon Buzuku, Frank shkreli, i shqiptareve, Libri i pare

“MASAKËR DHE KRIM KUNDËR NJERËZIMIT”

January 16, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Kështu e ka cilësuar ish-Ambasadori  amerikan Uilliam Uoker ngjarjen tragjike të 15 Janarit, 1999 në Reçak të komunës së Shtimës në  Kosovë, ku 15 vjetë më pare kur forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviq masakruan në mënyrën më brutale 45 shqiptarë të pafajshëm të këtij fshati, përfshirë edhe 8 pjesëtarë të UÇK-ës.   Të mërkurën, Kosova shënoi 15-vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila konsiderohet si pikëkëthesa kryesore e ngjarjeve të më mëvonshme në Kosovë, përfshirë edhe sulmet ushtarake të NATO-s,  kundër objektivave ushtarake dhe industriale serbe, përfshirë  edhe kryeqytetin e Beogradit — ndërhyrhje kjo që më në fund detyroi largimin e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, duke i dhënë kështu fund luftës në Kosovë.
Ishte ambasadori amerikan Uilliam Uoker, në atë kohë Shef i Misjonit Verifikues i Organizatës për Bashkpunim dhe Siguri në Europë, ai i cili zgjoi nga gjumi letargjik ndërgjegjen e botës mbi barbarizmat që makineria ushtarako-policore dhe paramilitare e Serbisë po bënte në Kosovë, ashtu si të donte dhe kur të donte.  Ambasadori Uoker ka thënë se ato që ai ka parë me sytë e tij në Reçak, janë ato që ai i konsideron si prova dërmuese të së vërtetës, që ai i deklaroi botës në atë kohë, e që është se forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë kanë    kryer masakra dhe krime të rënda kundër njerëzimit, ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.  Pasi kishte parë kufomat e shqiptarëve të vrarë në Reçak, ai e dënoi masakrën si një “barbarizëm të pabesueshëm” dhe i quajti vrasjet në fshatin Reçak si, “një krim kundër njerëzimit”, duke i thënë në atë kohë gazetës amerikane Nju Jork Tajms, se ”nuk dëshironte të hesitonte asnjë minutë që të akuzonte, drejtë për drejtë, forcat qeveritare serbe si përgjegjëse të kësaj masakre.”   Deklarata e Ambasadorit Uolker bëri jehonë anë e mbanë botës, por shkaktoi reagime të ashpëra sidomos në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë.  Ish-presidenti amerikan Bill Klinton reagoi atëherë ndaj deklaratës së ambasdorit Uolker duke thënë se masakra e Reçakut, “Ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të frikësonte popullin e Kosovës.”

Ndërsa Ministri i jashtëm i Gjermanisë gjatë krizës në Kosovë, Joschka Fischer duke folur në emër të Bashkimit Europian ka thënë pas zbulimit të masakrës në Reçak nga ambasadori Uoker se, “Ata që janë përgjegjës për këtë akt, duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë kurrë masakrimin brutal dhe vrasjen e popullësisë civile.”

Masakra e shqiptarëve civilë nga forcat serbe në Reçak ishte vetëm një nga sulmet e forcave serbe kundër popullësisë shqiptare të Kosovës gjatë atyre viteve, për të cilat bota nuk ishte e informuar.  Por, më në fund qe deklarata e Ambasadorit Uilliam Uoker, si dëshmitar i masakrës në Reçak, ajo që më në fund bëri jehonë në median botërore dhe si rrjedhim shkaktoi një ndryshim të dukshëm të politikës së vendeve përendimore karshi gjëndjes në Kosovë dhe  njëkohësisht shërbeu si një katalist për ndërhyrjen eventuale të NATO-s, për të dëbuar forcat serbe nga Kosova.  Gazeta e kryeqytetit amerikan, Uashington Post, sugjeronte në prill të vitit 1999 se pas një shqyrtimi të vendim-marrjeve në Shtëpinë e Bardhë dhe në  kryeqendrën e NATO-s në Bruksel, masakra e Reçakut transformoi politikën e Perëndimit ndaj Ballkanit si asnjë ngjarje tjetër më parë.  Masakra e Reçakut, sipas gazetës Uashington Post, bindi qeverinë amerikane dhe aleatët e saj në NATO se politika e tyre e ndjekur deri atëherë duhej të ndryshohej fund e maje.

Politika amerikane ndaj Kosovës deri atëherë bazohej në atë që njihet si  “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”, një telegram prej një fjalie që administrata e Presidentit Bush të parë i kishte dërguar Millosheviqit më 24 Dhjetor, 1992 — vija e kuqe — e që ishte një telegram shumë i shkurtë  dhe pa stërhollime, por tekstualisht përmbajtja e tij u citua nga Uashington Post të ketë qenë fjalia që vijon: “Në rast të një konflikti në Kosovë, që shkaktohet nga ndërhyrja e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe brenda Serbisë.”  Ky kërcënim u përsërit disa herë edhe nga ish-Sekretari i Deaprtmentit të Shtetit Uorren Kristofer, në mandatin e parë të Presidentit Klinton, por deri në masakrën e Reçakut mbeti vetëm një kërcnim në letër.

Por ishte masakra e Reçakut dhe dëshmia e një ambasadori amerikan mbi këtë tragjedi, mbi tragjedinë që kishte pa në atë fshat ambasadori Uoker, që zgjoi ndërgjegjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në NATO, por edhe të botës mbarë,  e cila bëri që paralajmërimi kërcnues i administratës së Xhorxh Bushit të parë me rastin e  Krishtlindjeve të vitit 1992, më fund të zbatohej.  Si përfundim, më 13 tetor, 1999, për herë të parë në historinë e saj, organizata e Atlantikut Verior, NATO autorizon komisionin ushtarak të saj që të fillonte planifikimimin për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.

Shpesh mendoj me vete, po të kishte qenë në atë kohë në Kosovë ndonjë përfaqsues tjetër nga ndonjë vend europian e jo Uilliam Uoker si Shef i Misjonit Verifikues i Organizatës për Bashkpunim dhe Siguri në Europë, çfarë do të kishte ndodhur me rrjedhat historike të Kosovës?  A do kishte pasur një përfaqsues tjetër, fuqinë dhe ndërgjegjen morale që të shkonte e të vërtetonte vet se çka kishte ndodhur në Reçak.   Ose çfarë do të kishte ndodhur nëqoftse Ambasadori Uoker mos të kishte shkuar për të parë vetë me sytë e tij tragjedinë në Reçak.   Unë besosj se do të kishte pasur masakra si të Reçakut anë e mbanë Kosovës dhe askush nuk do të dinte gjë për to.  Ambasadori Uoker kollaj mund të kishte shkruar raportin nga një zyrë e ngrohtë në Prishtinë e ta dërgonte në Vjenë, duke informuar OSBE-në se ‘sipas raporteve thuhet se ka ndodhur një tragjedi në Reçak, por rrethanat dhe hollësitë nuk dihen’.  Dhe me aq ai e kishte kryer detyrën e vet.   Por jo!  Ai si diplomat i regjur e me pëvojë, e ka ditur se një raport i tillë nuk do të kishte pasur kurrë efektin që do të kishte dëshmia e tij e gjallë, duke vajtur vet në vendin e ngjarjes tragjike në Reçak duke e bërë më të besueshme deklaratën mbi masakrën që kishte pare në atë fshat.

Andaj në këtë 15-vjetor të këtij krimi të shëmtuar nga forcat  kriminele serbe, të kujtojmë, natyrisht me respekt dëshmorët dhe martirët e rënë të Reçakut dhe familjet e tyre, por njëkohsisht të mos harrojmë as diplomatin amerikan, ambasadorin Uilliam Uoker, i cili me guximin dhe kurajon e tij zgjoi ndërgjegjen morale të botës, e cila falë dëshmisë së tij, u njoh për së afërmi me mizoritë që po bënte Serbia me dekada në Kosovë kundër shqiptarëve dhe më në fund bëri që  NATO të vendoste që të bënte diçka për t’i ndaluar masakrat serbe kundër shqiptarëve, duke ndërmarrë një sulm ajror kundër Serbisë dhe forcave të saja në Kosovë.  Të rënve Zoti u faltë paqën dhe mikut tonë, ambasadorit Uilliam Uoker Zoti i faltë jetë dhe shëndet!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Kosove, masaker dhe krim kunder njerzimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 150
  • 151
  • 152
  • 153
  • 154
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin
  • ABAZ KUPI DHE LUFTA ANTIFASHISTE NË SHQIPËRI
  • Fortesa Latifi: “It can be difficult to grow up when you’re constantly faced with a younger version of yourself”
  • ABAZ KUPI, I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
  • VATRA DHE FAMILJA KUPI ORGANIZUAN SIMPOZIUM SHKENCOR ME RASTIN E 50 VJETORIT TË KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT TË SHQUAR ABAS KUPI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT