• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A ËSHTË KY BREZI I NDRYSHIMEVE?

November 17, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në një  prej shkrimeve të mia  nja një javë më parë  duke shprehur  mendimin  tim ndaj planeve ndërkombëtare për të shkatërruar armët kimike të Sirisë në Shqipëri, u shpreha se  është për tu admiruar fakti se grupe të rinisë, organizatash civile dhe jo qeveritare kishin filluar të protestonin kundër këtij propozimi,  dhe njëkohësisht  kërkuan diskutim të hapur dhe transparencë te plotë në lidhje me kapacitetet që ka Shqipëria për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, si dhe për një debat të hapur mbi pasojat e rënda që mund të rrjedhnin nga një operacion i tillë.  Kryeministri i vendit, Z. Edi Rama, pas një heshtjeje të gjatë dhe hesitimesh —  nën presionin e protestave të mbrendshme nga dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë të grupeve të ndryshme të shoqërisë civile, kryesisht të rinjë e të reja universitarë, i tha më në fund Jo propozimit të ndërkombëtarëve, të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, për shkatërrimin e armëve kimike siriane në territorin shqiptar.   Analistë, komentues dhe politikanë të të gjitha ngjyrave po shkruajnë dhe komentojnë se kush “fitoi” dhe kush “humbi” nga ngjarjet e javës së kaluar.   Është e qartë se duke gjykuar për nga mënyra se si u morën me këtë çështje autoritetet shqiptare, ”humbëse”  ishte  kryesisht politika shqiptare, si pozita ashtu edhe opozita, por dhe institucionet shtetërore në përgjithësi, pasi nuk kishte asnjë koordinim midis tyre për miratimin e një qendrimi të përbashkët, pro ose kundër —  për një çështje kaq të rëndësishme — siç ishte tranferimi i armëve kimike siriane për tu shkatërruar në Shqipëri.  Por, aty ku dështoi politika shqiptare, fatbardhësisht, besoj se doli fituese Shqipëria dhe shqiptarët.  Doli fituese e ardhmja e Shqipërisë dhe veçanërisht shoqëria civile shqiptare, e cila deri me ketë rast ndoshta ekzistonte vetëm në emër.  Në mungesë të një bashkrendimi politik zyrtar dhe në një boshllëk të plotë transparence nga zyrtarët shqiptarë, organizimi i protestave dhe i demonstratave paqësore  kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri, ishte roli më i mirë që mund të luanin këto organizata civile në këtë rast. Ndonëse si të tilla, javën që kaloi, ato ndoshta fillimisht pa ditur, ushtruan një rol tepër të rëndësishëm për zhvillimin dhe përforcimin e mëtejshëm të demokracisë së vërtetë në Shqipëri.

Gjithashtu, ditët e fundit është folur e përfolur aq shumë edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në këtë mes dhe për ndikimin që vendimi i Kryeministrit shqiptar Z. Edi Rama, për të mos lejuar dërgimin e armëve kimike siriane në Shqipëri, mund të ketë në marrëdhënjet shqiptaro-amerikane, tani dhe në të ardhmen.  Duhet theksuar se Departmenti Amerikan i Shtetit, nepërmjet zëdhënses së tij, u prononcua të premtën se JO-ja e Kryeministrit Rama nuk do të ketë asnjë ndikim në marrëdhënjet e shkëlqyeshme midis dy vendeve.  Nuk mund të ishte ndryshe!  Për më tepër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk kishin se si të jenë as të zhgënjyera nga vendimi i vonuar  kundër që mori Kryeministri Rama nën presionin e protestave paqësore dhe spontane të mijëra shqiptarëve kundër transportimit dhe shkatërrimit të armëve kimike siriane në tokën shqiptare.   Sepse dihet botërisht se Amerika është  ”nëna” e të gjitha demonstratave dhe protestave civile për kauza të llojlojshme, të mbrendshme dhe të jashtëme.  Për më tepër, janë Shtetet e Bashkuara ato që me dekada tani kanë financuar me fondet e taksa-paguesve amerikanë shoqëri civile anë e mbanë botës, e sidomos  kanë mbështetur krijimin e organizatave jo-qeveritare në vendet ish-komuniste gjatë 20-vjetëve të fundit, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën, me besimin se në asnjë vend, e sidomos në vendet e pas diktaturës komuniste, nuk mund të ketë demokraci  vërtetë funksionale, pa një shoqëri civile  efektive.   Si të tilla, bëhet fjalë për organizata vërtetë të shoqërisë civile, që veprojnë një demokraci funksionale, ku ato respektojnë ligjin dhe të drejtat e të tjerëve, tolerantë ndaj pikpamjeve të kundërta dhe të cilat punojnë në mbrojtje të interesave të përbashkëta të shoqërisë civile dhe të shtetit.  Si të tilla, dhe për nga natyra, ato duhet pa tjetër të jenë të pavarura nga politika dhe nga qeveria.  Ka ndodhur që në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, grupe që e kanë quajtur veten të shoqërisë civile kanë vepruar për llogari të njërës ose tjetrës palë politike.  Grupe të tilla nuk mund të konsiderohen organizata të shoqërisë civile, të pakën në kuptimin e fjalës siç kuptohet këtu në Amerikë, por vegla të partive.    Roli kryesor i organizatave të vërteta të shoqërisë civile, është që nepërmjet veprimtarisë së tyre, të kufizojnë dhe të kontrollojnë  pushtetin qeveritar, të udhëheqsve dhe  të zyrtarëve politikë, dhe njëkohësisht të kërkojnë informacion dhe transparencë nga organet qeveritare për çështje madhore të interesit publik, ashtuqë këto ente jo-qeveritare të jenë të afta të kryejnë misionin e tyre të caktuar, për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, dhe njëkohësisht për të inkurajuar  dhe për të lehtësuar debatin publik mbi çështjet jetike të vendit duke shprehur mendimin e tyre lirisht dhe pa frikë ndëshkimi.  Gjatë karjerës time kam marrë pjesë në  disa trajnime  të anëtarve të shoqërive civile nga Europa lindore dhe më kujtohet se ekspertët flisnin për organizatat e shoqërisë civile edhe si ente për trajnimin e udhëheqësve të ardhëshëm politikë, pasi ata si anëtarë të shoqërive civile nën rrethana normale veprimtarie dhe të pavarur nga influencat politike, merren me zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme  në interes të publikut, në një atmosferë tolerance e mirëkuptimi, ndryshe nga politikanët e karjerës.

Protestat paqësore të grupeve jo-qeveritare të shoqërisë civile dhe të rinisë që u zhvilluan javën e kaluar anë e mbanë Shqipërisë, e që filluan si rrjedhim i mungesës së informacionit zyrtar, ndihmuan në informimin e publikut shqiptar dhe botëror mbi një çështje tepër me rëndësi për shoqërinë shqiptare, por edhe për botën, dmth., të transportimit dhe të shkatërrimit të mundshëm të armëve kimike siriane në territorin shqiptar.   Ky brez i ri i shqiptarëve, kryesisht të lindur pas rënjes së komunizmit pak më shumë se 20-vjetë më parë, me protestat e javës që kaloi, tregoi se është i gatëshëm të luaj rolin e tij efektiv dhe legjitim si një katalist udhëheqës për ndryshim, ndoshta epokal, si dhe për zhvillimin e marrëdhënjeve më të mira midis shtetit dhe qytetarëve, për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë.

Protestat paqësore të organizatave jo-qeveritare të javës së kaluar anë e mbanë Shqipërisë, ka mundësi nëqoftse me të vërtetë mbeten të pavarura nga politika,  të kenë shënuar një këthesë historike për vendin, që do të mbahet mend si mbarimi i diçkaje të vjetër dhe fillimi i diçkaje të re.  Ishte ky një triumf i papritur por i mirëseardhur.  Siç ka thënë edhe ish-Presidenti  amerikan Xhon Kenedi, “Në historinë e gjatë të botës, vetëm disa gjeneratave u është dhënë mundësia të luajnë rolin e tyre në mbrojtje të  lirisë, në momentin e kanosjes së rrezikut më të madh ndaj saj.”  A është ky brezi i ri i shqiptarëve ai që do të luaj këtë rol historik për kombin e vet?

Ky brez i ri shqiptarësh, përsëri sipas fjalëve të arta të Xhon Kenedi, me protestat e organizuara javën e kaluar, tregoi se kur e lypi nevoja, ata nuk kërkuan se çfarë mund të bëjë vendi i tyre për ta, por çfarë mund të bëjnë ata për Atdheun e vet dhe për të ardhmen e kombit  shqiptar, në një moment kur vendi kishte nevojën e intervenimit të këtij brezi për mbrojtjen e interesave të përbashkëta.  Le të shpresojmë se kësaj gjenerate të re shqiptare, siç ka thënë Xhon Kenedi, i është dorëzuar stafeta e lirisë dhe e demokracisë së vërtetë — këtij brezi të rinjsh dhe të rejash shqiptare, të lindur pas rënjës së komunizmit, krenarë të prejardhjes së tyre ilire, të gatshëm për të mbrojtur interesat e Atdheut dhe të kombit, mbështetës të lirive dhe të drejtave të njeriut, për veten dhe për bashkombasit e vet — të drejta këto që historikisht u janë mohuar të parëve të tyre ndër shekuj.  Qartë,  ndihet  nevoja e një përtërirjeje rrënjësore, pas shumë  zhgënjimesh  dhe mjerimesh.   Ndihet nevoja edhe për një xhveshje njëherë e mirë nga tradita dhe kultura politike e një ideologjie të huaj e cila ka lënë aq shumë plagë në trup të kombit gjatë 50-viteve të fundit.  A është këjo kryengritja e të rinjve ndaj kësaj kulture politike?  A është ky brezi i ri i lindur pas rrëximit të komunizmit, ai i cili do të shpërvjelë mëngët dhe i cili do të ndërtojë shtetin e ri modern, duke i dëshmuar botës dinjitetin e pashoqtë kombëtar të shqiptarëve?

Filed Under: Analiza Tagged With: a eshte, Frank shkreli, ky brezi i dnryshimeve

AMERIKA NUK DO T’I IMPONOJË SHQIPËRISË SHKATËRRIMIN E ARMËVE KIMIKE TË SIRISË

November 12, 2013 by dgreca

Iniciativa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i paraqitur Këshillit të Sigurimit propozimin që Siria vet të shkatërrojë armët kimike brenda territorit të saj, e transferon zgjidhjen e këtij problemi në prak të derës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku edhe e ka vendin dhe njëkohsisht ka mundësi të zgjidhë dilemën përballë të cilës gjëndet qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje./

Nga Frank Shkreli/

Siç është njoftuar dhe komentuar ditë e fundit në median shqiptare dhe botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar bisedime me Shqipërinë dhe me disa vende të tjera europiane për të ndihmuar në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.   Janë bërë komente se Shtetet e Bashkuara do t’ia imponojnë Shqipërisë një gjë të tillë, pasi Shqipëria na qenka ”vasale” e Shteteve të Bashkuara dhe se autoritetet shqiptare gjithmonë i thonë, ”Po” Amerikës për çdo kërkersë që ajo u bën atyre, pa marrë parasyshë interesat e vendit.   E vërteta është se Shqipëria si anëtare e NATO-s është tani në valle dhe si e tillë konsultohet dhe shqyrtohen mundësitë për kontributin e saj për sigurinë e përbashkët të vendeve aleate dhe të paqës në botë.  Por  Shtetet e Bashkuara nuk do t’ia imponojnë Shqipërisë, as ndonjë vendi tjetër shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.   Ky është dhe duhet të jetë një vendim, ekskluzivisht, i popullit shqiptar dhe i qeverisë që e përfaqëson atë, bazuar në sigurinë dhe interesat kombëtare të vendit.  As NATO as Shtetet e Bashkuara nuk do t’ia imponojnë Shqipërisë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj, nëqoftse Tirana zyrtare e konsideron një gjë të tillë si diçka që është kundër interesave të saja.   Nuk është në natyrën e NATO-s që t’i imponojë gjëra të tilla një vendi anëtar, as nuk është në natyrën e Shteteteve të Bashkuara që t’i imponojnë një gjë kaq serioze një vendi mik si siç është Shqipëria.  Ështe e pa-imagjinueshme që Shtetet e Bashkuara të tërheqin armët kimike nga Siria për të shpëtuar sirianët dhe t’i dërgojnë ato  në Shqipëri për të dëmtuar shqiptarët.   Siç tha edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu gjatë një vizite dje në Kukës, në lidhje me këtë, nuk është marrë asnjë vendim, por sipas tij, “Gjëja jetike është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mike e Shqipërisë dhe shqiptarëve”  duke shtuar se, “mirëqenia e popullit shqiptar,  është një ndër konsideratat më të rëndësishme të Amerikës. Dhe kjo përfshin edhe dinjitetin e vendit e të qytetarëve të tij”, tha përfaqsuesi amerikan në Tiranë.

Por siç sugjeron edhe ish-ministri jashtëm i Shqipërisë, Marko Bello në faqen e tij në “Facebook”, se këjo zhurmë e madhe në lidhje me këtë çështje mund të jetë shkaktuar nga zelli i tepëruar i  autoriteteve shqiptare, duke zmadhuar dhe ekzagjeruar situatën.   Këjo situatë bëhet edhe më e vështirë nga mungesa e transparencës zyrtare në lidhje me këtë çështje, pasi në një boshllëk të tillë informacioni, të pavërtetat dhe thashë-e-themet përhapen shumë shpejt dhe bëhen realitet.  Jam i sigurt se qeveria shqiptare, në konsultime me aleatët në NATO dhe me Shtetet e Bashkuara – dhe nëqoftse i kërkohet një gjë e tillë zyrtarisht — do të arrijë vendimin e duhur, në interesin e shëndetit dhe mirëqenjes së qytetarve si dhe  në interesin e kombit dhe të marrëdhënjeve të mira me aleatët dhe njëkohsisht të paqës dhe të një bote pa armë kimike.  Shkaërrimi i armëve kimike në Shqipëri mund të jetë një ndërmarrje tepër e madhe për mundësitë logjistike dhe teknike që ka Shqipëria në këtë fushë, e nëqoftse është kështu, atëherë autoritete qeveritare në Tiranë duhet t’i thonë, JO qoftë dhe mikes më të ngushtë, Amerikës dhe NATO-s, duke thënë në mënyrë transparente për publikun, se nuk kemi mundësi të bëjmë një gjë të tillë, për këtë e këtë arsye.  Jam i sigurt se Shtetet e Bashkuara, NATO dhe Bashkimi Europian nuk do e përdorin këtë refuzim kundër Shqipërisë në të ardhmen.

Por siç ndodhë gjithmonë me probleme të mëdha rajonale ose botërore, janë Shtetet e Bashkuara ato që — në mungesë të të tjerëve, ose kur të tjerët rrinë duar kryq — marrin përsipër zgjidhjen e sfidave ndaj sigurimit botëror dhe në mbrojtje të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, siç është  shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë.  Dhe si rrjedhim Uashingtoni akuzohet për motive të mbrapshta që nuk kanë të bëjnë me realitetin.  Armët kimike në Siri janë një problem i madh për të gjithë botën, sepse nëqoftse këto armë bien në dorë të terroristëve dhe personave ose orgnizatave të pa-autorizuara, pasojat janë të pa-parashikueshme për të gjithë.   Si e tillë këjo është një emergjencë — jo vetëm për Amerikën, NATO-n,  Bashkimin Europian, Shqipërinë dhe vendet e tjera me të cilat po bisedohet për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, por është një çështje edhe  e sigurimit ndërkombëtar, pikërisht një çështje me të cilën, që po të ishte e mbara, do të merrej Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ndonëse ishte Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ai që shtatorin e kaluar miratoi rezolutën për të siguruar dhe për të shkatërruar armët kimike të Sirisë me qëllim që t’i tërheqë ato nga zona e luftës.

Vendimi për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë e ka adresën, jo në Tiranë as në ndonjë vend tjetër të Europës, por tek Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, megjithë shantazhet e Rusisë dhe të Kinës brenda këtij këshilli.  Në lidhje me këtë, agjencia japoneze e lajmeve Kyodo citoi dje Sekretarin e Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon se ai është duke marrë në konsiderim  t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mbështetë një propozim të tijin që Siria vet të shkatërrojë armët e saja kimike, brenda territorit të saj.  “Jam duke marrë në konsideratë që t’i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit që të kërkojë menjiherë transferimin e armëve kimike të Sirisë në qendra të sigurta mbrenda Sirisë ku mund të vendosen dhe ku njëkohsisht mund të shkatërrohen ato armë.”  Ban Ki Moon, sipas agjencisë japoneze të lajmeve, shprehu gjithashtu zemërimin e tij në lidhje me ndasitë dhe përçarjet, si dhe pamundësitë dhe paralizimin brenda Këshillit të Sigurimit për të marrë ndonjë vendim të përbashkët mbi krizën në Siri, ndërkohë që Rusia, aleate e dikatorit sirian Assad dhe Kina kanë përdorur veton ndaj tri rezolutave mbi Sirinë, ndërsa deri tani në atë vend kanë humbur jetën më shumë se 110,000 njerëz.

Iniciativa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i paraqitur Këshillit të Sigurimit propozimin që Siria vet të shkatërrojë armët kimike brenda territorit të saj, e transferon zgjidhjen e këtij problemi në prak të derës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku edhe e ka vendin dhe njëkohsisht ka mundësi të zgjidhë dilemën përballë të cilës gjëndet qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: amerika, Frank shkreli, nuk do ta detyroje, per armet kimike, shqiperine

SHQIPËRIA DHE ARMËT KIMIKE TË SIRISË

November 11, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Shaktërrimi i armëve kimike të Sirisë është një proces që ka filluar Shtatorin që kaloi, i shtyrë nga disa marrveshje ndërkombëtare, përfshirë edhe rezolutën 2118 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila detyron Sirinë të shkatërrojë armët kimike si edhe fabrikat për prodhimin e këtyre armëve.   Në bazë të një marrveshjeje midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, Siria pranoi se do të shkatërrojë të gjitha armët kimike dhe programin për prodhimin e tyre deri në mesin e vitit 2014.   Këjo marrveshje, siç dihet, mënjanoi sulmet arjore kundër Sirisë, sulme të cilat Washingtoni kërcënoi se do t’i ndërmirrte pas një sulmi me armë kimike në periferi të Damaskut, nga icili gjetën vdekjen qindra civilë.   Thuhet se shaktërrimi i këtyre armëve kimike në Siri, e cila është zhytur në një luftë të thellë civile, është tepër i rrezikshëm në kushte lufte dhe si rrjedhim po kërkohet një vend, jashtë Sirisë, ku të transportohen këto armë për shkatërrim.   Ndërkohë që shumë vende janë duke ofruar fonde the ekspertë për shaktërrimin e këtyre armëve, asnjë vend ende nuk ka vendosur që të pranojë shkatërrimin e tyre në territorin e vet.

Shtetet e Bashkuara, si vendi që po kryeson këtë përpjekje, kanë thënë se kanë kontaktuar një numër vendesh që mund të jenë të gatëshme të pranojnë vendosjen e mjeteve për neutralizimin dhe shkatërrimin e këtyre armëve shumë të rrezikshme, përfshirë Shqipërinë, Belgjikën, Francën dhe Norvegjinë.  Këtë e vërtetoi edhe një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme belge i cili i tha agjencisë së lajmeve AFP se “Shtetetet e Bashkuara ”kanë mbajtur një takim eksplorues në fillim të tetorit me Belgjikën, Francën, Shqipërinë dhe Norvegjinë për të parë se çfarë kapacitetesh ka secili vend për shkatërimin e armëve kimike”, të Sirisë.

Gazeta, norvegjeze, Norwej Post citon Ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Norvegjisë  të ketë thënë se një grup ekspertësh është duke studiuar mënyrat se si  vendi i tij mund të ndihmojë në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë dhe nëse një gjë e tillë është e mundur  të realizohet në Norvegji.  Ministri i jashtëm norvegjez,  Borge Brende tha çështja e armëve kimike të Sirisë ishte subjekt i takimit që ai pati javën e kaluar me Sekretarin Amerikan të Shtetit Xhon Kerri.  Ministri norvegjez shtoi se ajo që është e rëndësishme është që armët kimike të transportohen jashtë Sirisë dhe të shkatërrohen.

Shtetet e Bashkuara, si vendi që po kryeson përpjekjet për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, kanë kontaktuar ndër vende të tjera edhe Shqipërinë.  Edhe në të kaluarën, Shqipëria u është përgjigjur pozitivisht kërkesave të Amerikës, siç ishte rasti i pranimit të të burgosurve Uigir nga Guantanamo, të cilët nuk mund të këtheheshin në Kinë, dhe kohët e fundit Shqipëria u ofroi strehim nja 210 anëtarve të grupit dissident Iranian.  Megjithëse, sipas Global Security Newswire, që citon një burim të Kombeve të Bashkuara, ishte Rusia ajo që e para kontaktoi Tiranën zyrtare në lidhje me këtë kërkesë,  përsëri Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë aleatës së saj pranë Adriatikut që të studiojë mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë Brenda territorit të saj.   Këjo kërkesë drejtuar Tiranës zyrtare u njoftua nga Administrata e presidentit Obama dhe u vërtetua njëkohsisht edhe nga zyrtarët më të lartë të Shqipërisë.   Ndërsa Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të shtetit, Xhon kerri, Ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati  tha për median shqiptare se në lidhje me këtë çështje nuk ka vend për alarm, pasi sipas tij, nuk është marrë ndonjë vendim dhe se as nuk po zhvillohen bisedime teknike në lidhje me këtë subjekt.  Ndërkaq, për këtë çështje u prononcua edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili  në një intervistë televizive vuri në dyshim mundësitë e vendit të tij për të shkatërruar armët kimike siriane, por Shqipëria, shtoi ai, si “anëtare e NATO-s duhet të marrë përgjegjësitë që janë në gjëndje të mbajnë supet e saj”.  Në të vërtetë, Shqipëria ka përvojë në këtë fushë, pasi është vendi i parë në botë, i cili me ndihmën financiare dhe teknike  të Shteteve të Bashkuara, vite më parë, ka shaktërruar të gjithë arsenalin e e saj të armëve kimike, në përputhje me Koncventën e Armëve Kimike.

Megjithë deklaratat e mësipërme të zyrtarëve shqiptarë, gazeta amerikane Los Angjeles Tajms citon një zyrtar europian i cili është në dijeni të bisedimeve dhe kontakteve mbi këtë çështje, t’i ketë thënë gazetës amerikane se, “Nga Shqipëria ka patur disa shënja pozitive”, por megjithëkëtë, ”këjo është një çështje tepër sensitive atje.”  Ndërkaq, gazeta Los Angjeles Tajms citon ish-ambasadorin e Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, Adrian Neritanin, tani avokat në New York, se Shtetet e Bashkuara shpenzuan  $45 million dollarë për shkatërrimin e 18 ton gaz helmues të Shqipërisë të kohës së regjimit komunist dhe sipas tij shkatërrimi i arsenalit shumë të madh të armëve kimike të Sirisë do t’i sillte Shqipërisë fonde dhe mjete të reja nga Perendimi.  Për këtë qëllim, shtoi ish-ambasadori shqiptar, “natyrisht ka fonde, megjithëse nuk dihet shuma e tyre….por nëqoftse këjo është një mënyrë që Shqipëria të ofrojë ndihmën e saj dhe të tregojë se është një anëtare e denjë e komunitetit ndërkombëtar, pse jo?”

Por enti amerikan i lajmeve, Bloomberg News, thotë se edhe nëqoftse Shqipëria pranon kërkesën për shkatërrimin në territorin e saj të armëve kimike të Sirisë dhe nëqoftse ato mund të transportohen pa ndonjë problem,  Shqipëria prapseprapë përballet me shumë probleme logjistike dhe të sigurisë,  nëqoftse më në fund vendoset se aty do të shkatërrohen armët kimike të Sirisë.  Bloomberg News thotë se, “Shqipëria është një vend i varfër. Bota duhej ta paguante mirë atë për realizimin e  këtij qëllimi.  Siguria dhe korrupcioni janë problem.  Shqipëria është një qëndër  e kontrabandës dhe krimit të organizuar”, thuhet në artikullin e agjencisë Bloomberg.  Por megjithkëtë Bloomberg News thotë se përvoja e Shqipërisë në shkatërrimin e armëve të saj kimike gjatë dekadës së kaluar e bënë atë, në parim, “opcionin më pak të keq”, ku mund të shkatërrohen armët kimike të Sirisë.

Armët kimike dhe shkatërrimi i tyre nuk janë lojë.  Qeveria dhe shteti shqiptar duhet të jenë tepër të kujdesshëm në marrjen e vendimit të tyre në lidhje me këtë çështje aq serioze.  Është për tu admiruar fakti se grupe organizatash civile po protestojnë duke kërkuar diskutim të hapur dhe transparencë te plotë në lidhje me mundësitë që ka Shqipëria për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, por për më tepër, mbi për pasojat e rënda që mund të rrjedhin nga një operacion i tillë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Shqiperia dhe armet Kimike, Siria

A KA VLERË JETA E NJERIUT NË SHQIPËRI?

November 7, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Mediat shqiptare njoftuan për një tragjedi në Pogradec ku 5 të rinjë humbën jetën të asfiksuar në një minierë të asaj zone dhe më vonë u njoftua edhe për një tjetër aksident tragjik ku dy punëtorë humbën gjithashtu jetën në një minierë të Librazhdit, pasi u mbuluan nga dheu mbrenda minierës.Fatkeqsia e Pogradecit bëhet edhe më tragjike, pasi njoftohet se 5 të rinjtë që humbën jetën atje ishin nga mosha 23 deri 28 vjeçare dhe të gjithë kushërinjë të afërm të një trungu familjar.  Të rinjët ishin duke mbledhur skrap në një përpjekje sado të vogël dhe të vështirë për të siguruar kafshatën e bukës madje edhe duke rrezikuar jetën duke u futur nën tokë për të mbijetuar në një gjëndje jashtzakonisht të vështirë ekonomike.

Këjo, natyrisht, është një tragjedi e madhe për familjet e këtyre të rinjve dhe thellësisht tronditëse për çdo shqiptar kudo, ama reagimet e para të politikës shqiptare në lidhje me këtë humbje, janë një tragjedi tjetër për shoqërinë shqiptare.  Reagimet ishin të shpejta, por siç e kanë bërë traditë, shumica qeveritare dhe pakica në opozitë, në vend që së bashku të punojnë për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen, drejtuan menjëherë gishtin akuzues ndaj njëra tjetrës.  Kryeministri i ri Z. Edi Rama deklaroi në parlamentin shqiptar se, “5 të rinjtë humbën jetën në tentativë për të shpëtuar nga varfëria,  të cilën nuk e solli kjo mazhorancë, por qeveria e mëparshme”.   Ndërkohë që akuzoi qeverinë e ish-Kryeministrit Berisha se, “Paratë e bukës së gojës i keni harxhuar të tëra ju, duke i bërë rrush e kumbulla për fushatën e 23 qershorit.   Duhet të ulni kokën” shtoi ai, “sepse i keni bërë grosh dhe pilaf ushqimet që i duhen njerëzve në rast fatkeqësie,” u shpreh Kryeministri shqiptar duke reaguar në lidhje me humbjen e jetës së 5 të rinjve në një minjerë afër Pogradecit.

Ndërsa opozita demokrate në reagimin e parë për shtyp, nepërmjet zëdhënses së saj Laura Vorpsi u shpreh se, “Partia Demokrate akuzon qeverinë si përgjegjëse direkte për këtë humbje të rëndë të jetës së këtyre të rinjve.”  Zëdhënsja e demokratëve shtoi në deklaratën e saj për shtypin se, “Të gjithë e mbajnë mend, se Edi Rama hidhte valle sa herë që ndodhte ndonjë incident në minierat tona, dhe të gjithë e kujtojmë se Edi Rama ka premtuar siguri në miniera”, u shpreh ajo.

Megjithëse tragjedi të tilla si këjo në Pogradec duhej të preknin thellë politikën dhe shoqërinë shqiptare,  shihet se, ashtu si edhe në të kaluarën, as kësaj radhe nuk ka as vullnet dhe asnjë përpjekje të përbashkët nga politika shqiptare për të mbrojtur jetën e qytetarëve nga tragjedi të tilla,  megjithëse këjo është detyra numër një e çdo  pushteti qeveritar dhe shtetëror.  Të gjithë e kufizojnë angazhimin e tyre,  vetëm duke akuzuar njëri tjetrin për përgjegjësi dhe njëkohësisht  duke bërë thirrje që “përgjegjësit”, cilëtdo qofshin ata, të shkojnë para gjyqit.   Për të evituar tragjedi si këjo në Pogradec, çdo qeveri e ka për detyrë të bëjë ç’mos që të krijojë dhe të zhvillojë një rend ekonomik i cili plotëson nevojat bazë të mbijetesës së qytetarve të saj, pasi ekonomia afekton drejtë për së drejti jetesën dhe mënyrat për sigurimin e bukës, madje duke rrezikuar edhe jetën për sigurimin e kafshatës së gojës.

Siguria e jetës së qytetarëve pa dallim — qoftë nga rreziqet e mbrendshme ose të jashtëme — është përgjegjësia numër një e çdo qeverie dhe këjo duhet të realizohet në bazë të disa parimeve bazë të pranuara nga të gjithë.   Shkrimtari i njohur romak Publius Sirius ka thënë se, “vlera e diçkaje është ajo që je i gatëshëm të paguash për të.”  Atëherë, si matet vlera e jetës së një njeriu në Shqipëri?  A vendos qeveria, shteti apo shoqëria se cila është vlera e jetës së këtyre pesë të rinjve që humbën jetën nën tokë në Pogradec  dhe dy të tjerëve në Librazhd?   Apo e atyre që humbën jetën në Gërdec, dhe shumë e shumë raste të tjera, përfshirë përgjakjen e rrugëve nga aksidentet automobilistike, anë e mbanë vendit.   Kur shteti, përgjegjësia e të cilit është mbrojtja e jetës së çdo personi, nuk merr masat e nevojshme për sigurinë e jetës së çdo individi duke parandaluar tragjedi si këjo në Pogradec, atëherë arrihet në përfundimin se qeveria dhe shteti nuk mendojnë se jeta e këtyre të rinjve mund kishte ndonjë vlerë që meritonte ndërhyrjen e shtetit për tu mbrojtur. Fatkeqsisht,  mos respektimi ndaj vlerës së jetës së njeriut  është një trashëgimi e sistemit komunist, kur jeta e personit nuk vlente pesë pare.   Ndërkohë që shoqëria dhe qeveritë e këtyre 20-viteve të fundit,  me mos angazhimin e tyre serioz në mbrojtje të jetës së individit nga katastrofat dhe tragjeditë e ndryshme — kanë bërë të qartë se vlera e jetës së shqiptarit, në mbështetje të së cilës ato kanë qenë gati të bëjnë diçka –historikisht ka qenë, asgjë. Njëra prej të vërtetave të ekzistencës tonë në këtë botë është se njeriu dhe qeveritë kanë detyrime morale ndaj njëri tjetrit.Një prej këtyre detyrimeve morale themelore të qeverisë është siguria e jetës së qytetarëve, mbi të cilët ajo ushtron pushtetin e saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: a ka vlere, Frank shkreli, jeta e njeriut, ne Shqiperi

DREJTORI I RI I FBI-së URDHËRON AGJENTËT TË VIZITOJNË MONUMENTIN E MARTIN LUTHER KINGU-ut

October 30, 2013 by dgreca

Ne Foto: Monumenti i Martin Luther King-ut në Uashington/

Nga Frank Shkreli/

Këtë javë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama instaloi drejtorin e ri dhe të 7-të të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Zotin Xhejms Komi (James Comey), duke e paraqitur atë në kryeqendrën e FBI-së si një njeri dhe profesionist që e dallon mirë të drejtën nga e padrejta dhe si i tillë gjithmonë vepron në mbështetje të së drejtës.  Drejtori  i ri i FBI-së më parë ka shëbyer si Zevëndës Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara në adminstratën e ish-Presidentit Xhorxh Bush.   Presidenti Obama iu drejtua agjentëve dhe nëpunësve të FBI-së  duke thënë se “Ju, çdo ditë punoni pa u lodhur duke përballuar kërcënimet më të rrezikshme me të cilat përballet kombi ynë.”  Ju, tha Presidenti Obama, e kryeni këtë detyrë me guxim dhe me integritet, duke mbrojtur amerikanët mbrenda dhe jashtë vendit, duke ruajtur vlerat më të mira njerëzore dhe duke respektuar ligjin.  Presidenti Obama duke u kujtuar atyre se motoja e FBI-së është, “Besnikëria, Guximi dhe Integriteti”, paraqiti drejtorin e ri të këtij institucioni, Zotin Xhejms Komi, i cili sipas Z. Obama “çdo ditë jeton dhe vepron bazuar në këto parime”.  Presidenti Obama shtoi se, drejtori i ri i FBI-së ia ka dedikuar jetën e tij mbrojtjes së ligjeve, duke siguruar në këtë mënyrë që “të gjithë amerikanët të mund të besojnë në sistemin tonë ligjor dhe të drejtësisë, në mbështetje të të drejtave dhe mirëqenjes së tyre”.

Edhe Drejtori i ri i FBI-së, Xhejms Komi iu drejtua të pranishmëve duke theksuar zbatimin e fjalëve të motos së entit që ai do të kryesojë për dhjetë vitet e ardhëshme, dmth.,  “Besnikërinë, Guximin dhe Integritetin”.   Gjatë fjalimit të tij, drejtori i ri i FBI-së tha se do t’u kërkojë agjentëve të ri të FBI-së që të vizitojnë monumentin e posa ndërtuar të ish-udhëheqsit të të drejtave civile, Martin Luther King në Uashington, me qëllim për tu sjellur në mendë dhe për tu kujtuar atyre kufizimet e detyrës si edhe përgjegjësitë që kanë ndaj mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve, pa dallim.  Këjo për arsye se marrëdhënjet e FBI-së me ish-udhëheqsin e të drejtave civile në Amerikë gjatë 1960-ve dhe 1970-ave, mbetet  gjithnjë një pikë e zezë në historinë e këtij enti qeveritar.  Ish-drejtori i atëhershëm i FBI-së, J. Edgard Huver, kishte urdhëruar jo vetëm përgjimin e aktiviteteve të Martin Luther Kingut, por kishte dhënë urdhër për minimin e veprimtarive dhe lëvizjes së tij në mbështetje të të drejtave civile të barabarta për të gjithë, përfshirë zezakët.  Para-ardhësi i drejtorit Komi, gjatë 1990-ave, drejtori Luis Fri kishte urdhëruar agjentët e ri të FBI-së, që si pjesë e trajnimit të tyre të vizitonin Muzeumin e Holokaustit në Uashington, sipas tij, për të parë se ç’ndodhë kur abuzohet pushteti i qeverisë dhe shtetit.   Drejtori i ri i FBI-së njoftoi se po e mbështetë këtë traditë duke detyruar agjentët e ri dhe analistët që edhe këta si pjesë e trajnimit të tyre,  të vizitojnë monumentin e Martin Luther Kingut, në një kohë kur po shprehen shqetësime serioze nga Kongresi, media dhe nga populli amerikan,  mbi përgjimet nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar, e të cilat u zbuluan kohë më parë nga Eduard Snouden, një ish-kontraktor i këtij enti qeveritar.  Zoti Komi tha gjatë fjalimit të tij se do të urdhëroj agjentët e rij të vizitojnë monumentin e Martin Luther Kingut, ashtuqë që ata të reflektojnë mbi “abuzimet dhe masat e tepëruara” nga FBI-ja në të kaluarën, duke cituar paradhësin e tij Luis Fri, që kishte urdhëruar agjentët e rij të vizitonin Muzeumin e Holokaustit, “me qëllim që ata të shohin, të dëgjojnë dhe të ndjejnë në një mënyrë të prekshme pasojat që rrjedhin nga  abuzimi i pushtetit në një shkallë masive dhe pothuaj të pa-imagjinueshme.”

Drejtori i ri i FBI-së tha se vitet e para të agjensisë që ai do kryesojë tani, ishin një periudhë “progresi dhe arritjesh të mëdha”, por më vonë reputacioni dhe historia e FBI-së u mjegullua nga “abuzimet dhe masat e tepruara të agjentëve të saj, sidomos përsa i përket Martin Luther Kingut dhe të tjerëve që në atë kohë konsideroheshin si kërcënues ndaj sigurimit të mbrendëshëm të këtij vendi.”

Qëllimi i këtij urdhëri, që agjentët e FBI-së dhe analistët e rijë të këtij enti qeveritar të vizitojnë monumentin ish-udhëheqsit amerikan të të drejtave civile,  Martin Luther King dhe Muzeumin e  Hollokaustit në fillim të trajnimit, është sipas fjalëve të ish drejtorit të FBI-së Lui Fri, që tu “kujtojmë atyre tmerret dhe të keqën që rezulton kur, jo vetëm, qeveria por edhe  agjensi që me ligj duhet të jenë mbrojtëse të zbatimit të ligjit si FBI-ja, heqin dorë nga misioni i tyre kryesor, që është  mbrojtja e të drejtave të barabarta të qytetarëve – dhe përkundrazi bëhen mjete të shtypjes”.

Shtetet e Bashkuara si shtet dhe si shoqëri nuk kanë dhe as nuk pretendojnë  të kenë një histori pa probleme në fushën e të drejtave civile dhe të barabarta për të gjithë. Në të vërtetë,  janë vet udhëheqsit e këtij vendi  që kanë pranuar dhe pranojnë se Amerika nuk është një vend i perfeksionuar.   Ka të meta dhe probleme sa të duash, historikisht dhe tani.   Por ajo që e dallon Amerikën nga shumica e vendeve të kësaj bote — siç ka thënë edhe Presidenti i tanishëm amerikan, Barak Obama në një fjalim në Moskë më 2009 — “Është angazhimi dhe mbështeja e këtij vendi ndaj disa vlerave universale që na e bëjnë të mundur të korrektojmë të metat dhe mangësitë tona, duke u përmirësuar gjithnjë dhe si rrjedhim, duke u bërë më të fortë.   Liria e fjalës dhe e drejta për të demonstruar, ka bërë të mundur që femërat dhe pakicat të protestojnë në favor të të drejtave të plota dhe të barabarta, në një kohë kur ato iu mohoheshin atyre.  Zbatimi i ligjit dhe administrimi i drejtësisë ka rrëxuar monopolet dhe forcat politike të korruptuara dhe i ka dhënë fund abuzimit të pushtetit.  Media e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë qeverinë.”  Zgjedhjet e lira, tha Presidenti Obama, “na mundësojnë që të ndryshojmë drejtimin dhe të mbajmë përgjegjës udhëheqsit tonë për punën e tyre.  Nëqoftse demokracia jonë nuk do të mbronte dhe të avanconte këto të drejta, atëherë unë si afrikano-amerikan nuk do të kisha mundësi që në këtë moment të historisë tu drejtohem ju si shtetas amerikan dhe aq më pak si President i Shteteve të Bashkuara.  Sepse në kohën e themelimit të Amerikës, personat si unë (me ngjyrë) nuk kishin të drejta … por falë këtij procesi, unë jam sot para jush si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Gjëja, pra që dallon Amerikën nga vendet e tjera, nuk është së Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë historisë së tyre, nuk kanë bërë gabime mbrenda dhe jashtë vendit. Por ajo që e dallon Amerikën nga shumë vende të tjera është fakti se ajo i pranon gabimet historike kundër të vetëve dhe kundër të tjerëve. Mëson nga këto mangësi e gabime dhe vazhdon të mbështesë parimet dhe vlerat universale të të drejtave të barabarta për të gjithë.   Urdhëri i drejtorit të ri të FBI-së që agjentët dhe analistët e rijë gjatë trajnimit të tyre, që të vizitojnë muzeume si ai i Holokaustit dhe monumentin e Martin Luther Kingut –është pikërisht në përputhje dhe pjesë e këtij reflektimi që Amerika bën gjithmonë në mbështetje të vlerave universale për të drejta të barabarta për të gjithë, mbrenda dhe jashtë vendit.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: drejtori i ri, FBI, Frank shkreli, Martin Luter King, Monumenti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 154
  • 155
  • 156
  • 157
  • 158
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT