• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GËZUAR DITËLINDJEN AMERIKË!

July 3, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Skenë e artistit nga nënshkrimi i Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, 4 Korrik, 1776./

Me 4 Korrik, 1776, Kongresi i dytë Kontinetal,  miratoi Shpalljen e Pavarësisë të 13 kolonive amerikane duke shpallur kështu ndarjen, njëherë e mire,  të kolonive nga Britania e Madhe dhe shënon ditën ku iu shpallë mbarë botës se, “Të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta.”   Në thelbin e revolucionit amerikan, ishte ideja e vet-qeverisjes, dmth. e drejta e një populli për të ushtruar vet të gjitha kompetencat e pushetit pa ndërhyrje nga dikush tjetër.  Tomas Xhefersoni, kryeautori i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ka thënë se vetqeverisja është një e drejtë që njerëzit e kanë, në bazë të “ligjeve të natyrës dhe të  Perendisë”.

Historia  e kombit te ri amerikan ishte plot e për plot konflikte të mbrendshme por edhe të jashtme, me vendet që kërcënoheshin nga krijimi i një sistemi republikan të qeverisjes, siç ishte sistemi i republikës së re amerikane.

Por pas shumë debatesh dhe argumentash, Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë, 237 vjetë më parë nga kolonitë amerikane, vendosi bazën e një kombi të ri, — që sot quhet Shtetet e Bashkuaratë Amerikës — një dokument ky që ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si një frymëzim për  mbrojtjen e të drejtave të njeriut si edhe për sovranitet dhe pavarësi.    Anë e mbanë botës, për ata që duan t’i degjojnë dhe për ata që nuk duan, gjithnjë  bën  jehonë deklarata e Kushtetutës amerikane se, “Perëndia  i ka pajisë të gjithë njerzit me disa të drejta të pa tjetërsueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe e Drejta për të ndjekur mundësinë për  të qenë i kënaqur në jetë”.   Fjalët e para të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, se “ne besojmë në këto të vërteta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta”, kanë  bërë jehonë gjatë  histories së tre shekujve të kaluar, duke nxitur bërjen e ndryshimeve  për të siguruar barazi  për të gjithë, duke filluar nga zhdukja e skllavërisë e deri tek miratimi i ligjeve për sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të barabarta për burrat dhe për femërat.  Dokumenti i  Shpalljes së Pavarësisë Amerikane, që zyrtarisht zyrtarizoi pavarësinë nga Britania e Madhe,  është në të vërtetë një përmbedhje e 10-amandamenteve të kushtetutës amerikane, dokument ky  që njihet si ”Bill of Rights”, që sot njihen si të drejtat bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fjalës, lirinë e shtypit dhe të fesë, ndër të tjera.

Në Filadelfia të shtetit Pensilvania, 56 burra nga te gjitha kolonitë hodhën votën e parë për pavarësi nga Britania e Madhe duke nënshkruar  Shpalljen e Pavarësisë së Amerikës  më 4 Korrik, të vitit 1776 dhe njëkohësisht duke i shpallur  edhe botës  së atëhershme parimin radikal për kohën, se qeveria duhet të bazohet në pëlqimin  dhe miratimin e saj nga  populli.   Ndonëse natyrisht  4 Korriku është një festë amerikane,  parimet e Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara  janë bërë bazë gjithashtu edhe e kushtetutave të shumë vendeve të botës, por mbi të gjitha, ato janë përfshirë edhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Andaj si e tillë, këjo ditë mund të konsiderohet si një ditë feste e të drejtave të përbashkëta dhe universale të njerëzimit.   Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara ka ndikuar dhe ka bërë jehonë në zhvillimet historike të shumë vendeve, përfshirë edhe Francën.   Në dokumentat e Revolucionit francez mund  lexohet, se “Njerëzit janë lindur të lirë dhe mbeten të tillë, me të drejta të barabarta”.
Historianët thonë se ndikimi i Shpalljes së Pavarësisë amerikane ishte i drejtë për drejtë, në valën e shpalljeve për pavarësi të shumë vendeve pas Luftës së Parë Botërore me shëmbjen e perandorisë osmane, ruse dhe austro-hungareze, si dhe gjatë periudhës deri në fund të shekullit të kaluar, me shpartallimin e perandorive të tjera,  përfshirëa tëë komuniste, kur nga shpartallimi i  këtyre perandorive lindën një numër shtetesh të pavarura anë e mbanë botës.
   

Edhe Shqiptarët kudo kanë të drejtë të festojnë sot 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, pasi ishin parimet për të drejtat universale të njeriut dhe për vetvendosje dhe sovranitet të shteteve që rrjedhin nga këjo deklaratë — ato që shtynë Presidentin amerikan Uilson të mbronte Pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqës në Paris në fillim të shekullit të kaluar —  dhe ishte  besimi në këto parime dhe si rrjedhim, detyrimi moral, ai që detyroi Shtetet e Bashkuara, me në krye Presidentin Klinton, të  ndërhynin ushtarakisht në Kosovë, në fund të shekullit që kaloi,  për të  ndaluar shfarosjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga ushtria dhe policia terroriste serbe.  Politika uilosniane, “se çdo popull ka të drejtë të zgjedhë sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë dhe të veprojë”, u çua në vend.

Në të vërtetë, ishin parimet që rrjedhin nga deklarata e Pavarësisë së Shteteteve të Bashkura, se qeveritë duhet të kenë pëlqimin dhe miratimin e popullit, ato që çuan në prishjen e marrëdhënjeve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur në vitin 1945, Enver Hoxha refuzoi të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të lira, gjë që  përfundoi në mbylljen e misionit diplomatik amerikan në Tiranë.  Me rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike midis tyre në vitin 1991, dy vendet kanë zhvilluar marrëdhënjeve të mira, në bazë të parimeve të përbashkëta për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për të drejta të barabarta për të gjithë. Dhe duke u bazuar në parimin mbi sovranitetin dhe pavarësinë e shteteve — Shtetet e Bashkuara, sipas zëdhënsve amerikanë, vazhdojnë të jenë të angazhuara dhe të vendosura seriozisht që Shqipëria  dhe Kosova — si shtete sovrane dhe të pavarura — të realizojnë aspiratat e tyre për integrimin e plotë të kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike, dhe në një Evropë, “të lirë, të tërë dhe në paqë”, aty ku e ka vendin dhe karrigën e vet.
Mesazhi i kësaj dite të rëndësishme për kombin amerikan — por edhe për të gjithë ata që vlersojnë dhe besojnë në parimet e Shpalljes së Pavarësisë amerikane — është i thjeshtë por edhe i rëndësishëm sa vet jeta.   Është një mesazh që jehon sot e kësaj dite anë e mbanë botës — se të drejtat tona bazë, si qenje njerëzore, e “që janë Jeta, Liria dhe e Drejta për të ndjekur mundësinë për të qenë i kënaqur në këtë jetë “, vijnë nga Perëndia dhe jo nga ndonjë autoritet qeveritar ose shtetëror i kësaj bote. Dhe si të tilla, qeveritë ekzistojnë me pëlqimin dhe miratimin e popullit, për t’i mbrojtur këto të drejta, dhe jo për t’i shkelur ato.  Në të vërtetë ky ishte një mesazh radikal  për kohën, por është i tillë edhe sot në shumë vende autoritare të botës ku shkelen të drejtat e njeriut dhe ku nuk merret parasyshë dëshira e shumicës.   Prandaj, mesazhi i kësaj dite është se, qytetarët kudo kanë jo vetëm të drejtë, por edhe detyrë  të  heqin qafe cilindo regjim që përpiqet t’i dhunojë këto të drejta.

Sot, në këtë ditë të shënjtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm amerikanët, por edhe popujt anë e mbanë botës, duhet të jenë krenarë dhe të kujtojnë  ata që shpallën  pavarësinë e Shteteve të Bashkuara, sepse ata hodhën në veprim një forcë pozitive  që solli dinjitet, dhe njëherazi çimentoi idenë e të drejtave të barabarta për të gjithë njerërzit jo vetëm sot, por  edhe për breznitë e ardhëshme anë e mbanë botës.   Ishin këto parime morale dhe jehona e tyre — nevoja pra për lirinë dhe respektimin e të drejtave bazë të njeriut — që çuan më në fund në shëmbjen e komunizmit në Evropë, duke bërë që qindra miliona njerëz të gëzojnë jetën në liri.   Ishin idetë e themeluesve të kombit amerikan, Xhorxh Uashingtonit, Tomas Xhefersonit, Xhon Adamsit, Benjamain Franklinit e shumë të tjerë, por dhe të vërtetat morale të tyre, ato që edhe sot vazhdojnë të frymëzojnë të shtypurit e botës.

Filed Under: Editorial Tagged With: Amerike, Frank shkreli, Gezuar ditelindjen

PËRVJETORI I MASAKRËS SË ÇAMËVE DHE ZOTIMI I KRYEMINISTRIT TE RI

July 2, 2013 by dgreca

….Kryeministri i ardhëshëm i Shqipërisë, Zoti Edi Rama, në një intervistë  me të përditshmen greke “Kathimerini”,  tha se “acari’ në marrëdhëniet tona, mori fund dhe ‘vera’ do vijë përsëri shumë shpejt në marrëdhëniet shqiptaro-greke……../

Nga Frank Shkreli/

Muaji i Qershorit është muaji që Çamët dhe të gjithë Shqiptarët kudo, kujtojnë viktimat e masakrës të vitit 1944, kur forcat e gjeneralit grek Zervës ekzekutuan barbarisht mijëra shqiptarë, kryesisht gra pleq e fëmij, nga Çamëria, pikërisht në qytetin e Paramithisë. Kjo ishte një prej masakrave më të mëdha dhe më të egëra të Luftës së Dytë Botërore, kur forcat greke të gjeneralit Zerva, vetëm brenda një nate, vranë pamëshirshëm shqiptarë të pafajshëm çamë në qytetin e Paramithisë.A ishte këjo një masakër apo një përpjekje gjenocidi kundër popullësisë shqiptare autoktone çame, është diçka që historianët shqiptarë dhe evropianë duhet të vendosin. Por ajo që bie në sy, vit pas viti, në lidhje me këtë masakër, është hipokrizia e shtetit grek  që mohon si gjithmonë të  ketë  ndodhur një gjë e tillë,  si dhe heshtja e autoriteteve zyrtare shqiptare në lidhje me këtë tragjedi, gjoja për të mos trazuar marrëdhënjet shqiptaro-greke. Por kujtimi i kësaj masakre, si edhe masakrave të tjera, siç është ajo e Tivarit — është i gjallë anë e mbanë trojeve shqiptare. Këto krime, qartë, janë krime kundër njerëzimit.  Si të tilla, ato nuk mund të konsiderohen dhe  të harrohen, thjeshtë, vetëm si padrejtësi historike kundër shqiptarëve.  Në Evropën  e sotëme, përgnjeshtrimi i këtyre masakrave dhe mos ballafaqimi me të kaluarën, sado e tmershme që të jetë ajo,  jo vetëm që pengon demokratizimin e rajonit të Ballkanit, por kërcënon sigurinë dhe stabilitetin  rajonal dhe njëkohësisht  kërcënon zhvillimin normal të marrëdhënjeve midis shteteve dhe grupeve të ndryshme etnike të rajonit.

Kryeministri i ardhëshëm i Shqipërisë, Zoti Edi Rama, në një intervistë  me të përditshmen greke “Kathimerini”,  tha se “acari’ në marrëdhëniet tona, mori fund dhe ‘vera’ do vijë përsëri shumë shpejt në marrëdhëniet shqiptaro-greke……..Jetojmë në kohë të ndryshme nga disa vjet më parë dhe popujt tanë nuk mund të përfitojnë, nëse nuk ndryshojmë duke ecur me kohën, e cila gjithashtu ecën shumë shpejt”.

Marrëdhënjet greko-shqiptare duhet të bazohen në pranimin e plotë nga ana e Greqisë, të fakteve dhe të pasojave të masakrimit dhe të shpërnguljes me forcë të çamëve nga trojet e tyre autoktone, gjë që do të çonte në një zgjidhje të drejtë dhe të gjithanshme të çështjes çame midis dy vendeve.   Këjo duhet të bëhet për hir të marrëdhënjeve të mira fqinjësore dhe duke u bazuar në vlerat dhe marrveshjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, pasi masakra kundër çamëve ishte një përpjekje e tmershme për t’i zhdukur ata nga faqja e dheut, si individë dhe si popull.  Këjo është një detyrë solemne e qeverisë së re shqiptare, e të gjithë shqiptarëve kudo, dhe të gjithë atyre që mbështesin drejtësinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës.   Do e s’do Tirana zyrtare, shqiptarët kudo në trojet e tyre, jashtë kufijve të Shqipërisë londineze dhe në diasporë, shikojnë  tek  Tirana zyrtare për mbështetje,  si  dhe për zbardhjen e masakrave siç është ajo e Çamërisë dhe e Tivarit.

Faktet e kësaj historie, megjithëse të shtrembëruara dhe të mohuara, dihen mirë.  Por fatkeqsisht, koha kalon dhe  numri i të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të kësaj masakre po pakësohet nga dita në ditë.   Prandaj, zgjidhja e kësaj çështjeje nevojitë një ndjenjë të fortë urgjence, si dhe një thirrje të fortë morale për të njohur këtë masakër, pa vonesë.   Greqia dhe Shqipëria janë dy vende me marrëdhënje relativisht të mira.   Janë anëtare të NATO-s dhe shpresohet, me anëtarsimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, dy vendet do të jenë pjesë e Evropës së bashkuar, me interesa të përbashkëta ekonomike dhe sigurie.  Greqia dhe Shqipëria janë gjithashtu dy vende nënshkruese të konventave ndërkombëtare, të dedikuara ndaj mbështetjes së të drejtave të njeriut dhe ndaj demokracisë dhe stabilitetit rajonal, por mbi të gjitha si anëtare të botës euro-atlantike, Athina dhe Tirana janë gjithashtu të dedikuara ndaj të zbulimit të së vërtetës dhe për të venë në vend të vërtetën.   Ka ardhur koha që Athina të pranojë të vërtetën e masakrës dhe të shpërnguljeve me forcë të popullsisë çame nga trojet e veta.  Njohja e së vërtetës çon tek pajtimi dhe së bashku – pajtimi dhe e vërteta – duhet të jenë pjesë integrale e vendosjes së marrëdhënjeve të reja dhe të qendrueshme midis dy vendeve, të bazuara në respektimin e standardeve ndërkombtare për të drejtat e njeriut, si dhe një dinjitetin njerëzor dhe kombëtar, për të cilat u shpreh kryeministri i posa zgjedhur shqiptar.   Pa zgjidhjen dhe përballimin serioz me çështjen çame,  deklarata për një gazetë greke e Kryeministrit të ardhëshëm shqiptar Edi Rama —  se “acari’ në marrëdhëniet tona, mori fund dhe ‘vera’ do vijë përsëri shumë shpejt në marrëdhëniet shqiptaro-greke…” — nuk besoj se ka ndonjë kuptim.  Njohja dhe dënimi zyrtar grek i masakrës kundër çamëve duhet të bëhet me qëllim që të vendoset drejtësia historike, për ata që besojnë në drejtësi dhe për hir të mbarëvajtjes së marrëdhënjeve dy-palëshe.  Për më tepër, pasi Shqipëria dhe Greqia janë fqinje dhe dashtë e pa dashtë duhet të jetojnë së bashku. Ky është realiteti.  Pranimi i masakrës dhe krimeve të tjera kundër popullësisë çame nga ana e Athinës zyrtare, do të ndihmonte në ndërtimin urave të pajtimit midis dy popujve dhe do të forconte paqën, sigurimin dhe begatinë në mbarë rajonin.  Angazhimi në një dialog midis dy palëve, mbi këtë çështje, është tepër i rëndësishëm.

Mirëpo, që të ndodhë një gjë e tillë, mentaliteti i sotëm grek duhet të ndryshojë, por edhe shqiptarët njëkohsisht duhet të heqin dorë nga amnesia ose humbja e plotë e kujtetesës, me qëllim që harresa të mos bëhet më e keqe se vet krimi.  Në këtë përvjetor të masakrës çame, le të kujtojmë pra kurajon e viktimave si dhe të atyre që mbijetuan atë tragjedi, zëri i të cilëve dëgjohet ende — duke shpresuar që krime të tilla të tmershme kundër njerëzimit të mos ndodhin më kundër shqiptarëve, as nga dora e të huajit, e as nga dora shqiptare, ashtuqë këto krime të tmershme anti-njerzore,   racizmi dhe viktimizimi të njerëzve të pafajshëm, të mos harrohen dhe të mos përsëriten më në trojet shqiptare.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, masakra came, zotimi i kryeminsitrit

A MUND TË KETË NDRYSHUAR DIÇKA NË SHQIPËRI?

June 27, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Qe edhe zgjedhjet parlamentare shumë të pritura të 23 qershorit, 2013 në Shqipëri erdhën e shkuan.  Fitoi aleanca e majtë e kryesuar nga Partia Socialiste.   Koalicioni i majtë  ka marrë 84 mandate deputetësh, ndërsa koalicioni i djathtë ka siguruar 56 mandate në Kuvendin e ri të Shqipërisë, që fillon nga puna në Shtator.

Kryeministri i deritanishëm, Dr. Sali Berisha dhe njëherzi edhe personi që dominoi politikën shqiptare gjatë 20-vjetëve të kaluara, pranoi burrërisht humbjen, mori vet përgjegjësinë për ‘të dhe njoftoi se do të tërhiqet nga funksionet e Partisë Demokratike.  Duke folur dje nga selia e partisë së tij, në një fjalim emocional, kryeministri Berisha tha se, “Qytetarët tanë votuan me shumicë projektin e kundërshtarit tonë”, dhe uroi kundërshtarin e tij politik, Zotin Edi Rama për fitoren e tij me fjalët: “Duke njohur rezultatin, i uroj atij punë të mbarë.”

Edhe fituesi i zgjedhjeve dhe kryeministri i ardhëshëm Edi Rama, në fjalimin e tij të fitores, njohu kontributet e kundërshtarit të tij politik, Kryeministrit Berisha, për të cilin tha se, “Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç edhe ai ka thënë jo pak për mua.  Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh edhe më shumë në demokracitë e pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu.  Por, sonte unë dua ta falenderoj atë për çdo gjë të mirë që historia, mbase mund ta vlerësojë nesër me një objektivitet më të madh se timin sot, dhe i uroj gjithë të mirat në jetën e tij private në vazhdim”.

Duke qenë dëshimtarë të këtyre deklaratave qytetëruese midis dy politikanëve  kryesorë shqiptarë pas një fushate tepër të ashpër midis tyre,  përfituan nga rasti dhe reaguan shpejtë edhe ndërkombëtarët, të cilët përgëzuan koalicionin e majtë për fitoren dhe vlerësuan punën e Kryeministrit Sali Berisha për tetë vitët e qeverisjes së tij.  Komisioneri i Baskimit Europian për Zgjërimin, Z. Stefan Fyle përgëzoi koalicionin a majtë që fitoi në zgjedhjet e së dielës duke thënë se pret që qeveria e ardhëshme do të vazhdojë të zbatojë reformat e  nevojshme për të çuar përpara procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.   Duke folur për arritjet e qeverisë Berisha, përfaqsuesi europian tha se, “Tetë vitet e kaluara kanë qenë një periudhë  reformash të rëndësishme dhe të rritjes ekonomike.  Shqipëria ka arritur përparim të dukshëm në rrugën e integrimit evropian.   Liberalizimi i vizave, si dhe rekomandimi i Komisionit Evropian për statusin e kandidatit janë dëshmi për këtë, tha ai.  Stefan Fyle tha  gjithashtu se megjith sfidat e shumëta me të cilat përballet sot Shqipëria,  “Kjo është koha që shqiptarët të shikojnë përpara me besim, të bashkuar, drejt të ardhmes së tyre evropiane”, ka thënë Fyle.

Edhe Shtetet e Bashkuara reaguan nepërmjet ambasadës së tyre në Tiranë, me të njëjtin ton, duke përgëzuar shqiptarët për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet e të djelës që kaloi, dhe njëkohsisht u bëhet thirrje udhëheqësve shqiptarë, që pas formimit të qeverisë së re të riangazhohen për thellimin e reformave që nevojiten për integrimin europian të vendit.  Ambasada amerikane në Tiranë, në emër të Uashingtonit zyrtar falënderon Kryeministrin në largim, Z. Sali Berisha, duke vlerësuar mbështjetjen e tij qëndrueshme për marrëdhënjet e ngushta midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. 

Humbja në politikë  nuk është kurrë e këndshme, për askënd.  Por maturia dhe profesionalizmi politik, e pse jo edhe burrëria shqiptare, e treguar kësaj radhe nga dy forcat kryesore të vendit, kanë tërhequr vëmendjen e shumë vërejtësve, si diçka shumë pozitive për politikën shqiptare, diçka që nuk është venë re në zgjedhjet e më parëshme, të cilat gjithmonë kanë qenë të kontestuara nga humbësi, ose humbësit.    

Deklaratat pasqyruan një atdhedashuri që, të pakën, tani për tani, duket se  tejkalon interesat vehtjake e partiake.  Një atdhedashuri e thjeshtë, e pa bujë, por një atdhedashuri që i sjellë  Shqipërisë dhe kombit shqiptar dobi, tani dhe në të ardhmen.  Në këtë moment të historisë së kombit shqiptar, këjo është edhe një dëshirë edhe e të gjithë shqiptarëve të përhapur anë e mbanë botës, përfshirë edhe diasporën e fortë dhe urë-lidhëse me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin strategjik të kombit shqiptar.  Megjithëse larg Atdheut, dhe për arsye historike, pa të drejtë vote, shqiptarët kudo ia duan të mirën Shqipërisë.   Duam ta shohim atë të lavdëruar, të përparuar dhe të nderuar jo vetëm në sytë e vetë shqiptarëve, por edhe para botës së qytetëruar.  Gjatë shekullit të kaluar, kombi shqiptar u gjënd—kundër vullnetit të tij – në shtigje të papritura dhe shkatërruese.  Por jeta dhe rrethanat e historisë ndryshojnë çdo ditë, për shqiptarët dhe për njerëzimin, e të cilat sot kërkojnë një kulturë të re politike.  Një kulturë, mbi të gjitha, të atdhedashurisë për fatin e  Atdheut.  E këjo dashuri pikëspari qëndron dhe lulëzon, në mos  në dashurinë për njëri tjetrin, atëherë në respektin për njëri tjetrin – për ndryshe mohohet mundësia e një bashkjetese mbrenda shtëpisë së përbashkët.   Kundërshtarët dhe armiqtë e kombit shqiptar, historikisht, kanë pretenduar se Shqiptarët nuk mund të qeverisin vetveten.  Ata gjithmonë do të thonë këtë, por të pakën, klasa politike shqiptare të mos u japë municion në mbështetje të këtij pretendimi. 

Deklaratat e protagonistëve kryesorë të politikës shqiptare, pas zgjedhjeve të të djelës së kaluar, të japin  shpresë për një tranzicion të qetë dhe për një të ardhme demokratike të Shqipërisë.  Le të shpresojmë se deklaratat e Kryeministrit në largim, Z. Sali  Berisha dhe ato të Kryeministrit të ardhëshëm Z. Edi Rama, pas numërimit të votave, të pasqyrojnë edhe mendimet dhe pikpamjet e tyre dhe të partive që ata përfaqësojnë.  Për ndryshe këto deklarata politike, nga të dyja palët, do të konsiderohen si një  mashtrim  dhe lojë e  radhës, që mund të kënaqin vetem ata që angazhohen në to, por  njëkohsisht vështirëson jashtë mase shkuarjen përpara të kombit shqiptar në rrugën fatale të tij që i ka caktuar historia.

Unë flasë kështu, jo për të mbrojtur njërën ose tjetrën parti, ose njërin ose tjetrin udhëheqës politik, por flas kështu, nga Amerika e largët, nga   një urgjencë që ndjejë si shqiptar, se kombi shqiptar ka nevojë për një bashkim të të gjitha forcave të tij për të kapërcyer sfidat dhe krizat, të cilat duket se ende e trazojnë dhe rëndojnë mbi kombin shqiptar, madje edhe pas 20-vjetë  të rënjes së komunizmit.  Të shpresojmë se të gjithë Shqiptarët, e sidomos klasa politike shqiptare, me një marrëveshje vëllazërore, gjithmonë do të “sjellin ujin në mulli të Atdheut”, për triumfe të reja të racës arbërore.  Këjo është porosia e heroit kombëtar dhe prijsit të të gjithë Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skënderbe, por  edhe dëshira e të gjithë Shqiptarëve kudo.  Me bashkpunim, vëllazërim dhe tolerancë politike dhe njerëzore ndaj njëri tjetrin për të mirën e vendit dhe të kombit të tyre, Shqiptarët do të kenë mbështetjen jo vetëm të aleatëve të tyre perëndimorë, por edhe bekimet e të Madhit Zot për agime të reja të kombit tonë shumë të vuajtur.  

Tani gjithçka varet nga mënyra se si koalicioni i majtë to të menaxhoj fitoren dhe si koalicioni i djathtë do të menaxhoj humbjen.  Deklaratat e Zotërinjve Berisha dhe Rama japin shpresë se diçka mund të ketë ndryshuar në Shqipëri, në krahasim me të kaluarën.  Mirëpo, kjo mbetet për tu parë në ditët, javët, muajtë dhe vitet e ardhëshme.

Filed Under: Komente Tagged With: a mund te kete, Frank shkreli, ndryshuar, paska ndryshuar, shqiperia

DHUNA KUNDËR FEMRAVE NJË EPIDEMI BOTËRORE

June 25, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Organizata Botërore e Shëndetsisë (OBSH) botoi ditët e fundit një raport  në të cilin  dhuna kundër femrave  cilësohet si “një problem botëror i shëndetsisë që ka marrë proporcione epidemike”.  Në një njoftim për median nga Gjeneva, OBSH thotë se dhuna fizike ose seksuale është një problem publik shëndetsor që prekë më shumë se një të tretën e të gjtiha femrave anë e mbanë botës.  Studimi i ri i Organizatës Botërore të Shëndetsisë nënvijon faktin se dhuna kundër femrave është shumë e përhapur dhe gjithpërfshirse,  në të gjitha rajonet e botës dhe në të gjtiha shtresat e shoqërisë.   Studimi, që është i pari i këtij lloji në nivel botëror  dhe që përfshinë të dhënat statistikore nga e gjithë bota mbi dhunën kundër femrave,  thekson se  rreth 35% e femrave janë subjekt  i dhunës nga partneri i tyre ose nga dikush tjetër.  Sipas këtij studimi,  dhuna kundër femrave nga partneri i tyre  është dhuna më e zakonshme dhe më e përhapur kundër femrave anë e mbanë botës.Në studimin e OBSH-ës nënvijohet nevoja për angazhimin e të gjithë sektorëve të shoqërisë për të zhdukur fenomenin e dhunës kundër femrave dhe njëkohësisht në raport  bëhet thirrje për të mbështetur gratë dhe vajzat e dhunuara.  Në njoftimin e OBSH-ës për median, theksohen në hollësi efektet  që ushtrimi i dhunës ka në shëndetin e përgjithshëm fizik dhe mendor tek gratë dhe vajzat.

“Këto të dhëna statistikore paraqesin një mesazh dhe paralajmërim të fuqishëm se dhuna kundër femrave është një problem botëror shëndetsor, me proporcione epidemike”, tha Drejtoresha e Përgjithëshme e OBSH-ës, Dr. Margaret Chan.  Ajo tha gjithashtu me rastin e botimit të këtij studimi se , “sistemet botërore të shëndetsisë mund të bëjnë dhe duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar femrat e dhunuara.

Në studimin e OBSH-ës vihet në dukje madhësia e këtij problem, ku thuhet se  38% e femrave që vriten anë e mbanë botës, vriten nga partneri i tyre, bashkshorti, i dashuri ose ndonjë anëtar i familjes.  Dhe 42% e femrave që dhunohen fizikisht ose seksualisht nga partnerët e tyre kanë pësuar plagosje fizike gjatë dhunës, sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetsisë.  Në raport thuhet gjtihashtu se  dhuna nga partnerët  kundër femrave kontribon shumë që ato të zhvillojnë edhe probleme mendore dhe psikike, ndërkohë që femrat e dhunuara, sipas raportit, ka të ngjarë që të zhvillojnë gjithashtu probleme duke anuzuar me përdorimin e alkoolit.

”Këto statistika të reja nënvijojnë faktin se dhuna kundër femrave është jashtzakonisht e rëndomtë dhe kemi nevojë urgjente për të investuar në identifikimin e arsyeve të këtij problemi shëndetsor në botë”, citohet të keët thënë Prof. Charoltte Wats, njëra prej pjesmarrseve në përpilimin e  të këtij studimi.

OBSH-ëja, në raportin e saj bën thirrje  për përpjekje më të mëdha në nivel global, për të parandaluar të gjitha llojet e dhunave kundër femrave, duke u marrë drejtë për drejtë me faktorët shoqërorë dhe kulturorë që kontribojnë në përkeqsimin e këtij fenomeni.

Në në këtë studim thuhet se rajonet më të prekura nga dhuna kundër femrave janë Azia Jug-lindore, rajoni i Mesdheut lindor dhe Afrika, ku dhuna kundër femrave nga partnerët e tyre arrinë rreth 37%.   Në raport thuhet gjithashtu se ky problem nuk është vetëm një fenomen i vendeve në zhvillim e sipër.   Sipas raportit, edhe në vendet më të zhvilluara, dhuna fizike dhe seksuale kundër femrave është diku rreth 32%.

Raporti i bën thirrje sektorit shëndetsor në çdo vend, për marrjen e masave urgjente për një përkujdesje më të mirë shëndetsore për femrat e dhunuara, duke rekomanduar një seri propozimesh për Ministritë e Shëndetsisë anë e mbanë botës.  Në njoftimin e OBSH-ës thuhet gjithashtu se  Drejtoresha e Përgjithëshme e OBSHës, Dr. Chan, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-s bënë thirrje për zero tolerancë ndaj dhunës kundër femrave.  Gjithashtu gjatë Asamblesë së 66-të mbi Shëndetësinë në botë që u mbajtë Majin që kaloi, shtatë qeveri –Belgjika, India, Meksika, Holanda, Norvegjia, Shtetet e Bashkuara dhe Zambia — deklaruan se dhuna kundër grave dhe vajzave, “është një problem i madh shëndetsor në nivel botëror dhe një sfidë e madhe për barazi dhe të drejta të njeriut, që prekë çdo vend dhe çdo sektor të shoqërisë.”

Në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetsisë thuhet se në shumë vende debati ose diskutimi mbi dhunën kundër femrave, në shumë vende, është një tabu dhe si rrjedhim abuzimet vazhdojnë.  Në raportin thuhet se të qenët në dijeni të ekzistencës së problemit dhe diskutimi i hapët dhe serioz rreth këtij problemi është një faktor kyç ky për parandalimin e dhunës kundër femrave.  Por, për më tepër,  zyrtarja e OBSH-ës, Garcia Moreno tha se shpesh janë normat shoqërore ato që tolerojnë dhunën kundër femrave, duke shtuar se, “Në shumë vende këjo lloj dhune shikohet si diçka e pranueshme nga shoqëria”, dhe si e tillë e pandëshkueshme, ndërkohë që dhuna kundër femrave vazhdon anë e mbanë botës.  OBSH-ëja thotë në raportin e saj se është i nevojshëm miratimi dhe zbatimi i ligjeve më të mira nga ana e shtetve të ndryshme me qëllim për të ndaluar  dhe për të eliminuar dhunën kundër femrave.

Në fjalimin e saj të famëshëm në Pekin  në shtator të vitit 1995, mbi të drejtat e femrave, Hillari Klinton ka thënë se “të drejtat e femrave janë të drejtat e njeriut”, dhe se nuk është më e pranueshme që të drejtat e femrave të diskutohen si diçka tjetër nga të drejtat e njeriut.  Për një kohë të gjatë, ka thënë Znja Klinton, historia e femërave ka qenë një histori e heshtjes. Është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, ka thënë ajo në Pekin në vitin 1995, kur shkaku kryesor i vdekjes së femërave anë e mbanë botës — midis moshës 14 deri 44 — është dhuna në shtëpinë e vet ku jetojnë.  Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International (AI), duke bërë thirrje për dhënjen fund të ciklit të dhunës kundër femërave në botë, thotë se miliona femra anë e mbanë botës vuajnë nga dhuna e shtetit, nga dhuna në shtëpitë e tyre, si dhe në komunitetin ku jetojnë.  Dhuna ndaj femërave, thotë AI, është një dështim i papranueshëm i qeverive dhe i shoqërisë, në përgjithësi, për të respektuar dhe zbatuar të drejtat e njeriut edhe për femërat.  Shtetet dhe qeveritë, thotë organizata e të drejtave të njeriut, e kanë për detyrë dhe përgjegjësi të mbrojnë dhe të ndëshkojnë ata të cilët përdorin dhunën kundër femrave, duke marrë masa për të mbrojtur femrat nga shkelja dhe abuzimet e të drejtave të njeriut ndaj tyre, me qëllim që t’i jepet fund këtij cikli të dhunës kundër femrave.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Dhuna kunder grave, Frank shkreli

RËNDËSIA E VOTËS – 23 QERSHOR, 2013

June 21, 2013 by dgreca

“Vota e lirë e popullit është instrumenti më racional dhe më paqësor për bërjen e reformave.” Tomas Xhefersoni

Shkruan: Frank Shkreli/

Fushata elektorale në Shqipëri po merr fund dhe 23 qershori shënon ditën kur votuesit shqiptarë do të hedhin votën e tyre për partinë dhe kandidadin që ata preferojnë.   Ky shkrim nuk ka për qëllim rekomandimin për mbështetjen e ndonjë partie ose një tjetre, ose të ndonjë kandidati të përkrahur nga partitë e ndryshme. Por ka të bëjë me personin më të rëndësishëm tani në fund të kësaj fushate – me votuesin shqiptar — dhe me rëndësinë që vota e tij ka për ‘të personalisht dhe për të gjithë shoqërinë dhe kombin shqiptar.

Çdo zgjedhje është me rëndësi, por zgjedhjet e 23 qershorit janë të një rëndësie të vecantë, pasi do të vendoset zgjedhja e një kuvendi të ri dhe rrjedhimisht e një qeverie të re që do vendosë të ardhmen e vendit, të pakën për katër vjetët e ardhëshëm dhe mund të lejë pas një trashëgimi — të mirë ose të keqe — për një periudhë edhe më të gjatë për fatet e Shqipërisë dhe për për fëmijtë dhe familjet shqiptare.

Të demoralizuar nga proceset politike gjatë 20-vjetëve të fundit, dhe polarizimet e tanishme politike,  shumë veta mund të  mendojnë se vota e tyre nuk është e rendësishme, se nuk çon kandar.  Disa mund të mendojnë se të gjithë kandidatët dhe partitë që ata pëfaqësojnë janë të njëjtë, se nuk ka kurrfarë dallimi midis tyre, as për nga programi as për nga vizioni që kanë për të ardhmen e vendit.  Mund të thotë dikush se cilido kandidat ose cilado parti të fitojë, asgjë nuk do të ndryshojë. Këjo mund të jetë e vërtetë.   Por ndryshimi fillon nga ti, votuesi shqiptar.  Të votosh për kandidatin që ti mendon se është kandidati më i mirë dhe i cili, si deputet i zonës tënde, do tu përgjigjet nevojave tua dhe të familjes tënde, duke u bazuar në kualifikimet dhe karakterin e kandidatit, si dhe në programin dhe vizionin e tij ose të saj për zonën që përfaqëson dhe për të mirën e të gjithë Shqipërisë.

Vota e lirë është një privilegj që nuk duhet të lihet pas dore dhe të mos përfidhet, si diçka e pa rëndësishme.  Shqiptarëve, këte të drejtë ua kishte mohuar kulshedra komuniste për pothuaj 50-vjetë.

Ende, anë e mbanë botës ka vende ku njerëzit nuk janë të lirë të hedhin votën sipas dëshirës, vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.  Hedhja e votës së lirë është themeli i demokracisë, por fatkeqsisht edhe në vendet me traditë demokratike, pjesëmarrja në votime është tepër e ulët.

Demokracia nuk është një dhuratë, por është diçka që duhet të ruhet dhe të mbrohet, pasi ruajtja e demokracisë, njëkohësisht siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave civile.  Si e tillë, demokracia ka nevojën tonë, nevojitë pjesëmarrjen tonë në zgjedhje. Për më tepër,  pjesëmarrja në votime është kritike për zhvillimin dhe forcimin e sistemit politik demokratik të vendit, por edhe për mirëqenjen ose jo ekonomike dhe politike të vet votuesve.   Nëqoftse politikanët e zgjedhur venë re një apati nga ana e zgjedhësve për të marrë pjesë në procesin demokratik, ata do tu kushtojnë më pak vëmendje nevojave dhe shqetësimeve të votuesve.   Politikanët duhet të mbahen përgjegjës për mënyrën se si ata zbatojnë politikën, nëse mbajnë fjalën për zbatimin e premtimeve të dhëna, nëse  zbatojnë rregullat e lojës, duke u bazuar në faktin se si ata u përgjigjen nevojave ekonomike dhe shqetësimeve politike të zgjedhësve.  Nëqoftse nuk merr pjesë në votime, atëherë mos u anko për të bërat dhe të pa bërat e politikanëve, për abuzimet për korrupcionin, për……

Rasti unik për t’i dërguar një mesazh klasës politike — duke përkrahur ata që mund të kenë bërë një punë të mirë gjatë mandatit të tyre dhe duke ndëshkuar ata, që në sytë e elektoratit, nuk meritojnë të jenë në Kuvendin e Shqipërisë — është hedhja e votës në ditën e zgjedhjeve, pjesëmarrja sa më e gjërë e votuesve.   Merre me mendë, nëqoftse secili vendos të mos marrë pjesë në zgjedhje.    Demokracia si sistem do të merrte fund, pasi demokracia është qeverisje nga populli dhe pa pjesëmarrjen e popullit në procesin politik, pra në zgjedhje, nuk ka demokraci.   Mos pjesëmarrja në votime, në vetvete, është një votë kundër demokracisë, dhe në favor të atyre që nuk meritojnë të jenë përfaqsues të denjë të popullit. Ish presidenti amerikan Xhejms Garfield (1877) ka thënë për përgjegjësitë e votuesit, se “Tani më shumë se kurrë populli është përgjegjës për karakterin e anëtarve të Kongresit.  Nëqoftse ky trup legjislativ është injorant, i korruptuar dhe arrogant, këjo ndodhë sepse vet populli toleron injorancën, arrogancën he korrupcionin.”

Votimet, në asnjë vend, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk janë një proces i lehtë dhe gjithmonë kanë të meta dhe mungesa.  Por votimi është gjëja më me rëndësi tani që ka marrë fund fushata, kanë marrë fund debatet dhe kritikat shpesh të ashpëra midis partive dhe kandidatëve.  Kandidatët dhe partitë kanë shpalosur programet e tyre.  Për mirë ose për keq, edhe ekspertët e mbrendshëm dhe të jashtëm, përfshirë edhe diplomatët, e kanë thënë gjithashtu fjalën dhe kanë dhënë këshillat e tyre në lidhje me fushatën dhe mirvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit.  Të gjitha debatet, të gjitha sharjet, britmat dhe shpërthimet emocionale në televizion dhe në median e shkruar, midis partive dhe përfaqsuesve të tyre morën fund, për t’i lënë tani radhën votuesit shqiptar ta thotë fjalën e vet duke hedhur votën e tij me ndërgjegjshmëri morale në favor të individëve me karakter dhe moral, si dhe partisë ose partive me programin më të mirë për të çuar Shqipërinë përpara, në të mirën e vendit dhe të kombit shqiptar, për katër vitet e ardhëshëm dhe më gjatë.   Përgjegjësia pra dhe pjesëmarrja e votuesit shqiptar në zgjedhjet, këtë të djelë, është tepër e rëndësishme.  Sipas njërit prej baballarëve të kombit amerikan, Samuel Adams, “Çdo qytetar duhet ta kuptojë se me votën e tij, ai nuk është duke i dhënë një dhuratë personale ose të kënaqë një kandidat për të cilin voton…por duhet të jetë i vetdijshëm se me votën e tij ai është duke ushtruar njërën prej obligimeve më solemne të shoqërisë njerëzore, për të cilin ai është përgjegjës para Zotit dhe atdheut të vet.”

“Vota e lirë e popullit është instrumenti më racional dhe më paqësor për bërjen e reformave.” Tomas Xhefersoni

“Kur një qytetar hedhë votën e vet në favor të një kandidati që njihet si i pa moralshëm, ai abuzon me obligimet e tija ndaj shoqërisë. Duke bërë një gjë të tillë, ai jo vetëm që sakrifikon interesat e veta, por edhe interesat e fqinjit, dhe njëkohsisht tradhëton interesat e kombit.” Noah Websteri – ”Nëqoftse nuk voton, e humbë të drejtën që të ankohesh”

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: 2013, 23 qershor, Frank shkreli, rendesia e votes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 160
  • 161
  • 162
  • 163
  • 164
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT